20.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

120 mijë lekë për shkollën, qytetarët: Nuk kemi mundësi

Familjet me ndihmë ekonomike, ato me një të punësuar dhe të punësuarit me të ardhura të ulëta janë duke u përballur me kosto të larta të përgatitjes së fëmijëve për vitin e ri arsimor. Syzana është përfaqësuese tipike e kësaj shtrese. Ajo është e punësuara e vetme e familjes me pesë anëtarë. Me një burrë të papunë, me tre fëmijë për t’i bërë gati për shkollë, rroga prej 20 mijë lekësh që merr në fabrikën e fasonit ku punon nuk i mjafton për shpenzimet normale të muajit.
“Më duhen së paku 120 mijë lekë (të vjetra) për një fëmijë, gjithsej rreth 400 mijë lekë (të vjetra) vetëm për nisjen e shkollës”, shpjegon gruaja në moshë rreth të 40-tave. Në këto shpenzime ajo ka përfshirë librat, fletoret, kancelaritë dhe mjetet e punës, rrobat e domosdoshme (atlete, pantallona, triko…) dhe çantat. Mjetet e shkollës dhe rrobat janë nga më të lirat që ka tregu, gjithashtu edhe kancelaritë dhe mjetet e tjera të punës.
Nga subvencioni i librave nuk përfiton se nuk është kontingjent i ndihmës ekonomike. “Kam të paktën tri vite që marr borxh në fillimin e shkollës, që kur dy të vegjëlit nisën arsimin fillor. Këtë vit i kam marrë kunatës 300 mijë lekë dhe do t’i shlyej nga pak”, shton gruaja.
Historia e Syzanës është e shumë familjeve këto ditë. Nga kërkesa e lartë për mjete dhe rroba, tregtarët nga ana tjetër kanë reaguar me rritjen e çmimeve. Artikujt shkollorë këto ditë janë 5-100 lekë më të shtrenjta. Por më e keqja është se e njëjta cilësi mjetesh shkollore shitet me çmime të ndryshme në pika të ndryshme kancelarish.
Prindërit pa përvojë që çojnë fëmijët për herë të parë në shkolla ka gjasa të bien pre e spekulimeve për shkak se nuk janë të familjarizuar me markat dhe cilësinë e kancelarisë.
Stilolapsi jo cilësor, fletoret e holla, gomat që nuk fshijnë ka shumë gjasë që ta bëjnë fëmijën më pak cilësor se shoku e shoqja klasës që ka blerë mjetet e klasit të parë që ia lehtësojë dukshëm punën dhe paraqitjen estetike.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit përfituan kompensimin e çmimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2016-2017 rreth 100 mijë nxënës të kategorive të veçanta dhe shtresa në nevojë ose për rreth 23-25% të totalit të nxënësve me rreth 340 milionë lekë.
Por ndërkohë mjetet e tjera që nevojiten për nisjen e shkollës përveç teksteve kushtojnë më shumë se librat.
Mungesa e mundësive ekonomike po shihet si shkak themelor për rënien e lindshmërisë në vend. Në periudhën 1992-2016 lindjet kanë pësuar rënie drastike me 61.3%. Nga anketat që INSTAT ka bërë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në lidhje me fertilitetin ka rezultuar se gratë shqiptare dëshirojnë të kenë më shumë fëmijë se sa kanë në realitet. Por përmbushja e dëshirës për të pasur fëmijë pengohet nga kushtet ekonomike, referojnë anketat.

FMN: Arsimimi i dobët

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi pak ditë më parë një studim që mban autorësinë e ekspertëve Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman dhe që fokusohet tek Ballkani Perëndimor.
Edhe pse në qendër të raportit është rritja e rolit të gruas në ekonomi në Ballkanin Perëndimor duket se dy studiuesit kanë nxjerrë edhe disa përfundime të përgjithshme që shprehin një realitet të hidhur për vendet në veçanti.
Arsimi i dobët cilësohet si “thembra e Akilit” në Shqipëri. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet pas vendeve të tjera europiane në të dyja aspektet si për sa i përket inputeve ashtu edhe outputeve. Në termat e inputeve, vendet e rajonit janë veçanërisht të varfra sa i përket qasjes në arsim (Shqipëria dhe Maqedonia) dhe aksesit në politikat e punësimit (Bosnja, Mali i Zi, Serbia). Për output-et rajoni është dobët sa i përket përfshirjes dhe përparimit, me dy nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor që renditen në gjysmën poshtë të gjithë mostrës së marrë në studim”, thuhet në studimin e publikuar në faqen e FMN.
Nga ana tjetër, i njëjti studim konfirmon një tezë që është mbrojtur edhe më parë lidhur me ndikimin negativ në ekonomi të “emigrimit të trurit”.
“Nivelet e edukimit të emigrantëve kishin tendencën të ishin më të larta sesa mesatarja e vendit të tyre të origjinës. Më 2010 pjesa e emigrantëve nga Shqipëria, Bosnja dhe Serbia me shkollim të lartë ishte dukshëm mbi nivelin ekuivalent të popullsisë në përgjithësi. Duke pasur parasysh që këto vende kanë një pjesë të vogël të popullsisë me shkollim të lartë në popullsinë totale, “largimi i trurit” në emigracion mund të ketë pasur implikime serioze në produktivitet (si dhe në rritjen ekonomike) dhe ka lënë vendet e Ballkanit Perëndimor me një forcë pune të aftë në nivele dukshëm të ulëta”, thuhet në studimin e Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman.

Si filloi rrënimi i Shqipnisë prej pushtetit komunist

At Zef Pllumi

Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vu “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim.
Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan: “Duam të hipim në këmbanare”. Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këtë detyrë ishte i ngarkuem Át Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve më 27 nandor 1944, por tue kenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta Át Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.
“Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta ma kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shej, pa nishan. Ne nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji çast. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”. “Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, thanë ata, që m’u mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”. “Eh, po nuk kemi tjetër”. “I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan”. “Dy flamuj? – pveta un. – Po ne kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”. “Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?” “Kurrë”. “As atë të Vatikanit?” “Jo, kurrë”. “E si t’ia bëjmë?”. “Si të doni”. “Ja që do kthehemi; do të marrim edhe një tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi”.
Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull. “Uaaa! Sa bukur!” Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në të flamurin e ri me hyllin partizan. M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.
“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pvetën: – A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?” “Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të ketë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë”. “Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. – Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?” “As un nuk e dijshem, nuk u kujtova”. “Rri këtu, se do të biem një usta”.
Zdrypën e shkuen. Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj. Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e re të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikujt atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atë vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosllav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen gunga e kishës. Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës Át Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pveti:
“Ti i ke çilsat e kumbonares?” “Po, m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin”. “Ti e vune flamurin jugosllav?” “Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë”. “A e din ti, – më tha, – se aty n’atë vend me 12 qershor 1913 asht vu për të parën herë në Shkodër flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt me pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atë flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hî në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atë flamur? A e din ti…”
“Pater, – i thashë, – të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, të dërguem nga komanda. Shka kishem me bâ un: me u vra me ta?” “Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Mâ mirë të mos e kishem pá këte ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko!… Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po shka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosllav?” “Thanë se zbatojshin urdhnin e…

Masakra tjetër e Dakos

Bashkia Durrës do të fillojë së shpejti një sërë ndërtimesh publike që rrezikojnë rrënojat e lashta të qytetit, përfshi dy tunele nëntokësore, godina shërbimi dhe dy godina publike në lulishten e Mauzoleumit.
Ka qenë portali Aktiv për Durrësin që ka bërë i pari publik këtë projekt përmes një postimi në faqen e Facebook që bën të njohur fillimin e punimeve. Sipas portalit, godinat e planifikuara do të shërbejnë për Prokurorinë dhe Gjykatën e Durrësit.
Projekti për ndërtimet nuk është bërë publik, por disa të dhëna rreth tij janë zbuluar nga intervista në media të kryebashkiakut Dako. Në prill 2017, në një intervistë për “Albania Free Press”, Dako njoftoi se projekti do të përfshijë dy faza, e para do të ketë kosto rreth 5 milionë euro, ndërsa koston e të fazës së dytë, ai nuk e ka bërë të ditur, por ka pohuar se është siguruar financimi edhe për këtë fazë.
Sipas Dakos pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve në Durrës do të ndërtohen dy kalime nëntokësore për makinat që do të përfshijnë edhe një rrethrrotullim nëntokësor. Rruga e tanishme automobilistike do të shndërrohet në shesh për këmbësorët. Në dy anët e sheshit të krijuar do të ndërtohen dy godina të reja, një godinë që do të strehojë Gjykatën dhe tjetra Prokurorinë e Durrësit.
Dako shprehet edhe për ndërtimin e disa “mjediseve tregtare” që do të administrohen nga Bashkia, për të cilat ai nuk jep detaje veç informimit se “tarracat e këtyre ambienteve do të shndërrohen në hapësira të gjelbërta, në minilulishte”.
Të dhënat e përmbledhura të projektit janë:
Kosto: 700 milionë lekë (afërsisht 5 milionë euro)
Tuneli i parë: Nën rruga e Mauzoleumit me gjatësi 295 metra
Tuneli i dytë: Nën rrugën Aleksandër Goga me gjatësi 265 metra
Rrethrrotullimi nëntokësor: Diametri 26 metra
Sipërfaqja e sheshit: 1 600 m2, përfshi gjelbërim
Mjedise tregtare: Secili nga 30-35 metra katrore, me tarracë të gjelbëruar
“Albanian Free Press” e shoqëron intervistën e Dakos me disa imazhe render të projektit:
Dy tunelet dhe mjediset tregtare, të cilat priten të përfundojnë brenda këtij viti do të financohen me fonde të Bashkisë Durrës, ndërsa “pallatet e drejtësisë” do të financohen nga vetë institucionet.
Në shkurt 2017, Bashkia shpalli fituesin e tenderit për zbatimin e fazës së parë, bashkimi i kompanive Bajrami N shpk dhe Fusha shpk. Ndërsa tenderin për mbikëqyrjen e punimeve e ka fituar firma Erald-G në prill 2017. Kompania Fusha është kompania që ka kryer punimet e Sheshit “Skënderbej” në Tiranë.
Projekti është hartuar dhe ka filluar të zbatohet pa asnjë lloj transparence, duke shkelur Konventën Aarhus dhe një sërë ligjesh që kërkojnë zhvillimin e vlerësimit në ndikimit në publik, organizimin e dëgjesave publike dhe përfshirjen e publikut në vendim-marrje.
Por projekti përbën skandal për një arsye edhe më të rëndësishme: ndërtimet nëntokësore në një zonë të njohur për praninë e mbetjeve arkeologjike do të shkatërrojnë praktikisht këtë pasuri.
Lulishtja e Mauzoleumit është cilësuar ligjërisht si zonë arkeologjike B, dhe në të nuk mund të ndërtohet. Në shkurt 2017, arkeologët e projekti Topografia e Epidamn-Dyrrachiumit, financuar nga Ministria e Jashtme franceze njoftuan se gjatë gërmimeve “tek lulishtja e Mauzoleumit të Dëshmorëve kemi rënë në strukturat e një terme të periudhës romake”.
Kundërshtimet e qytetarëve për këto ndërtime që rrezikojnë rrënojat e lashta të Durrësit, Dako u është përgjigjur:
Është bërë si modë që, për çdo punë që bën Bashkia e Durrësit, çohet një grup që e kundërshton. Por ne mendojmë se i kthejmë qytetit sipërfaqe publike dhe gjelbërim si dhe cilësi më të mirë jetese qytetarëve të Durrësit.
Duket se Dako nuk ka vetëdije apo vlerësim për trashëgiminë arkeologjike të Durrësit jo vetëm nga pikëpamja kulturore dhe shpirtërore, por edhe ajo e turizmit, pasi ai shprehet se projekti ka vlerë për një arsye tjetër: ndërtimi i tunele nëntokësore do të lidhë qendrën e Durrësit me plazhin e Currilave dhe të Kallmit.

Exit.al

Nuk jemi favoritë për titullin

Milan's miedfielder Giacomo Bonaventura celebrate after scoring the first goal of the Italian Serie A soccer match between Milan and Sampdoria at Giuseppe Meazza Stadium in Milan, 28 November 2015. ANSA/ DANIELE MASCOLO

Milani i këtij sezoni ka ndryshuar totalisht fytyrë, por pavarësisht prurjeve të reja shumë cilësore që solli merkatoja e verës, ka edhe nga ata futbollistë që kanë qenë pjesë e kuqezinjve edhe sezonin e kaluar dhe që janë pjesë e rëndësishme e projektit të ri. Njëri prej tyre është mesfushori me tipare sulmuese Jack Bonaventura. 28-vjeçari italian në një intervistë i bëri një analizë sezonit të ri me Bonaventurën që frenoi disi entuziazmin e tifozëve pas atyre 2 fitoreve në 2 ndeshjet e para të kampionatit. “Do të jetë e vështirë të luftojmë për titullin kampion. Juventusi, Roma dhe Napoli në vitet e fundit kanë treguar që janë përpara nesh.
Edhe për momentin këto 3 skuadra janë më mirë se ne, por jemi të vetëdijshëm që me punë mund të arrijmë nivelin e tyre”. Për merkaton Bonaventura deklaroi: “Cutrone është një i ri premtues, ndërsa Bonucci ishte goditja e kësaj vere, nuk e mendoja se mund të luaja në një skuadër me të”. Një mendim i 28-vjeçarit shkoi edhe për tifozët, të cilët kanë qenë të shumtë në numër në shkallët e “San Siros” për të mbështetur skuadrën. “Në ndeshjet e para në Europa League publiku na është përgjigjur, tifozët na kanë karikuar shumë dhe ne duhet të bëjmë më të mirën e mundshme për të arritur rezultate të shkëlqyera”, deklaroi Bonaventura.

Lamtumirë Donnarumma, Milan befason me portierin e ri

Milani si duket po përgatitet për largimin e Gianluigi Donnarumma nga skuadra verën e ardhshme, shkruan “Calciomercato.com”. Portieri ka nënshkruar kontratë të re me Milanin. Por, ai në kontratën e re ka një klauzolë që mund ta largojë nga “San Siro” nëse vjen ndonjë ofertë prej 70 milionë eurove. “Me interesimin e Paris Saint-Germain dhe Real Madrid për Donnarumman dhe një menaxher si Mino Raiola mund të ndodhë gjithçka”, shkruan “Calciomercato.com”.
Sipas këtij portali, Milani po mendon që ta transferojë portierin e Napolit, Pepe Reina. Rossonerët mund ta transferojnë spanjollin si lojtar të ri, pasi kontrata me Napolin i skadon në verën e vitit 2018.

Dëmtohet Robin van Persie, rrezikon karrierën

Robin van Persie rrezikon karrierën. 34-vjeçari ka pësuar një dëmtim të rëndë në ligamentin e gjurit gjatë stërvitjes me kombëtaren holandeze. Gjendja e tij shëndetësore ishte mjaft e rënduar, aq sa në momentin e dëmtimit mësohet t’i ketë rënë të fikët. Episodi ka ndodhur një ditë pas humbjes së pësuar në ndeshjen kualifikuese me Francën për Botërorin Rusi 2018. Siç raporton e përditshmja sportive “Beinsports”, ish-lojtari i Manchester United dhe Arsenalit, aktualisht në radhët e Fenerbahçes, mund të detyrohet të qëndrojë jashtë fushe për plot 12 muaj deri në rikuperim të plotë. Ky ishte rikthimi i parë për Van Persien në kombëtaren holandeze pas dy vitesh. Dëmtimi i tij ndikon direkt edhe në përfaqësuesen holandeze që po vuan për t’u kualifikuar, duke u renditur vetëm në vendin e tretë me tre pikë më pak se sa Suedia, ndërkohë që mbeten edhe dy ndeshje për t’u luajtur.
Muajin e ardhshëm tulipanët do të udhëtojnë drejt Bjellorusisë, ndërkohë që më parë do të presin Suedinë në ndeshjen që mund të vendosë fatin e tyre për këtë Botëror. Rikthimi i Van Persie-t në kombëtare zgjati vetëm 30 minuta dhe me shumë gjasa mund të jetë i fundit në karrierën e tij. Van Persie është golashënuesi më i mirë i kësaj përfaqësueseje me plot 50 gola. Fati i tij vitet e fundit është shoqëruar me një sërë dëmtimesh, por ky i fundit nuk premton asgjë të mirë. Edhe Zlatan Ibrahimoviç vuajti të njëjtin dëmtim në muajin prill, por ka superuar të gjitha pritshmëritë duke qenë shumë pranë rikuperimit të plotë. Van Persie numëron plot 101 prezenca me kombëtaren që nga debutimi në vitin 2005.

 

Masakrat në Burma, atje ku bota nuk ekziston

“Asian Waves”

 

Refugjatët rohingya kanë përshkruar dhunën e tmerrshme që detyroi ata të ikin nga shtëpitë e tyre në Burma për të kaluar në kampet informale në Bangladesh.
Dhuna kundër minoritetit mysliman rohingya është rritur që nga tetori i vitit 2015. Masakrat nga më barbaret po kryhen në pjesën veriore të Burmas.
Në disa video dhe foto që janë publikuar shihen që nga vrasjet makabre nuk kursehen as fëmijët e mitur, gratë dhe pleqtë.
Burma ka një popullatë prej 75 milionë banorësh, në përbërje të së cilëve bëjnë pjesë rreth 5% myslimanë. Myslimanët e Burmës që shumica e tyre janë etnikë të popullatës rohingua janë ballafaquar me probleme qysh prej vitit 1962, kur ushtria e këtij vendi mori pushtetin mbi këtë shtet të Azisë Juglindore.
Në dhunën disa dekadëshe mbi myslimanët e këtij vendi, më shumë se 500 fshatra myslimanë janë djegur, mijëra prej tyre kanë qenë të shfarosur, prej kur erdhi ushtria në pushtet. Persekutimi i burmanezëve myslimanë nuk ka të ndalur.
Kronika ofron spunto thuajse të përditshme mbi një ndodhi që tashmë duket pa zgjidhje: persekutimi i pakicës myslimane rohingia të Mianmarit nga ana e grupeve të “aktivistëve” budistë. Aktivistë që numërojnë shpesh midis radhëve të tyre murgjër me veshje ngjyrë xaferani bartës të mesazhit të dhembshur të Gautama Budës.
Shpërthimi i kontrasteve i detyrohet kryesisht 3 elementëve: I pari është hemorragjia e ngadaltë e popullsisë e shtetit Rakhine, ku jetojnë rohingiat (përbëjnë më pak se një të tretën e banorëve), e ka dobësuar në mënyrë substanciale këtë komponente demografike të Mianmarit. I dyti është se persekutimi hedh poshtë – siç ka ndodhur tashmë në Sri Lanka me pakicën hindu – idenë e një bashkëjetese pavarësisht paqësore të besimeve të tjera fetare me atë që duhet të jetë si rregull rruga shpirtërore më tolerante: atë budiste. Kurse i treti ka të bëjë me kontradiktën e dukshme të brendshme të sistemit birman: për atë që deri është damkosur si një gjenocid i maskuar apo një operacion spastrimi etnik, qeveria demokratike e nobelistes Aung San Suu Khyi tregohet e pafuqishme dhe e heshtur. Prej zgjedhjes apo prej detyrimit.
Kufiri që ndan Mianmarin nga Bangladeshi, shteti kufitar ku për rohingiat është më e lehtë të emigrojnë, shënohet nga lumi Naf që zgjerohet derisa bëhet një degë deti. Arratia drejt këtij vendi, mysliman dhe me tradita e zakone të përbashkëta edhe me rohingiat birmanë, daton prej kohësh. Njerëzit hipnin dhe hipin në piroga të vogla për të kaluar kufirin, kur turbulencat dhe pogromet antimyslimanë ciklikë në kuptimin e vërtetë të fjalës vënë në rrezik jetët e familjeve të tëra.
Ngjarje të rënda kanë ndodhur më 2012 me daljen në skenë e një murgu budist ultranacionalist që ka siguruar deri kopertinën e “Time”: Ashin Wirathu i Ma Ba Tha ose Shoqata Patriotike e Mianmarit (PAB) apo Shoqata për Mbrojtjen e Racës dhe të Religjionit. Përndjekja deri brenda banesave private dhe arratia drejt Bangladeshit (dhe drejt Malajzisë e Indonezisë) është histori e lashtë, edhe pse ka parë një rigjallërim si në vitet ’80 (në vitin 1982 junta ushtarake kishte miratuar një ligj mbi shtetësinë që ua mohonte atë birmane rohingiave), ashtu edhe më 2012, si edhe duke filluar nga tetori i 2016, kur në vijim të trazirave në kufi (prej vrasjes së disa ushtarakëve nga ana e një grupi radikal indipendentist rohingia) ka shpërthyer një gjueti ndaj njeriut dhe shkatërrimi, i dokumentuar nga fotografi ajrore, i 1500 fshatrave: të rrethuara, të evakuuara, të djegura.
Shifrat e eksodit janë të paqarta, pasi shumë prej kampeve në të cilat ikanakët gjejnë strehim në Bangladesh janë “informalë” dhe ka një mobilizim shumë të madh të brendshëm (UNHCR-ja kontrollon dy qendra). Por vetëm midis Krishtlindjeve të vitit të kaluar dhe fillimit të janarit 2017 qenë grumbulluar në kampet bangladeshase mbi 30000 refugjatë.
Sipas raportit të UNHCR-së të nxjerrë më 20 qershor për World Refugee Day, numri i rohingiave që kanë lënë shtëpitë e tyre ndër vite shkon në 490300, nga të cilët 276200 duhet të ndodhen në Bangladesh. Duhet të ndodhen sepse për autoritetet e Dakas, rohingiat në Bangladesh shkojnë nga 300000 në 500000. Nëse në Mianmar janë pa dokumente, pa tituj pronësie dhe nuk njihen si kombësi – as nuk mund të kandidojnë, as nuk mund të votohen dhe të përfaqësohen – në Bangladesh fati i tyre nuk përmirësohet edhe aq. Gjendja është e paqartë në një vend të varfër dhe ku detyrimi i solidaritetit fetar ndeshet me mungesën e punës dhe konkurrencën e krahut të punës me kosto të ulët.
Rohingiat janë praktikisht “homogjenë” me kushërinjtë e tyre të Bangladeshit: flasin të njëjtën gjuhë dhe ushtrojnë të njëjtën fe. Është motivi, i theksuar vazhdimisht nga ushtarakët birmanë, për të cilin në Mianmar konsiderohen “emigrantë” dhe për pasojë, “jobirmanë”. Origjina e komunitetit është kontradiktore, aq sa të përdoret me lehtësi nga interpretime të anshme politikisht. Për më tepër, siç edhe ndodh shpesh, është në mes një kufi që ka pësuar ndryshime të konsiderueshme. Në fund të luftës së parë anglo-birmane më 1926 u nënshkrua Traktati i Yandabo me të cilën birmanët u detyruan që t’ua cedojnë brigjet e Shtetit të Arakanit midis Chittagong, i ndodhur në Bangladeshin aktual dhe Capo Negrais (sot sërish birman). Që kaluan nën kontrollin e Kurorës britanike ose më mirë të East India Company, që atëherë administronte nga Kalkuta territoret e nënkontinentit indian. Arakani është shteti aktual Rakhine, të cilin rohingiat, që pjesërisht e banojnë, e quajnë Rohang. Pastaj, pas shkolonizimit, Arakani u kthye nën Rangoon.
Por motivi etnik fetar, në një vend ku shumica myslimane gjithsesi numëron në total 5 milionë njerëz, nuk është baza e vetme e përzënies. Në një artikull të shkruar për britaniken “The Guardian” sociologia Saskya Sassen ka kujtuar se, “…në Mianmar, ushtarakët u kanë përvetësuar pronarëve të vegjël pjesë të mëdha territori qysh nga vitet ’90, pa shpërblim dhe duke kërcënuar këdo që kundërshtonte. Ky land grabbing ka vazhduar në kohë, por është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit. Në epokën e ngjarjeve të 2012, toka e destinuar për projekte të mëdha ishte rritur me 170% në 3 vite. Më 2012 ligji për tokën është modifikuar për të favorizuar blerjet e mëdha të kompanive”. Në thelb, thekson docentja e Columbia University, qeveria ka vënë në praktikë një plan që u shet pjesë territori kompanive të mëdha në gjendje që të investojnë dhe ta përmirësojnë zhvillimin rural, por me efekte të këqija: “Duhet të pyesim – vazhdon akoma ajo – nëse persekutimi këmbëngulës i rohingiave (dhe i grupeve të tjera minoritare) nuk mund të gjenerohet pjesërisht nga interesa ushtarake dhe ekonomike, por më shumë nga çështje kryesisht etniko-fetare […] Kohët e fundit, qeveria ka caktuar 1268077 hektarë në zonën e banuar nga rohingiat për zhvillim rural biznesor; Ky është një goxha hop respektivisht alokimit të parë formal të 2012, për vetëm 7000 hektarë. Në një masë të caktuar, vëmendja ndërkombëtare mbi besimin fetar ka lënë në hije blerjet e trojeve që kanë goditur miliona njerëz, midis të cilëve komunitetet rohingia”. Një këndvështrim që shton një element pak të investiguar.
Përballë gjithë kësaj, sido që të shkojë çështja, përzënia e rohingiave është tashmë fakt. Një fakt që ka parë si Kombet e Bashkuara, ashtu edhe qeveri të veçanta (për shembull, ajo e Malajzisë) të marrin një pozicion mjaft kritik – siç kanë disa muaj më parë edhe 13 nobelistë.
Pikërisht ky çmim, prej një lloj ironie të historisë, i është atribuar Aung San Suu Kyi më 1991; zonja, sot në drejtimin e Mianmarit, nuk ka reaguar. Heshtja e saj është kritikuar shumë, ashtu si misioni që i kish ngarkuar ish-sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan më 2016 – që në rikthimin nga Rakhine, ka mbrojtur heshtjen e nobelistes dhe ka mohuar legjitimitetin e termit “gjenocid”, përkufizim i përdorur nga Malajzia. Për hir të së vërtetës, Suu Kyi ka bërë më shumë sesa një hap normal: përveç misionit Annan ka mbështetur një kombëtar dhe u ka shkruar ushtarakëve, duke u kërkuar shpjegime. Por i është kundërvënë një hetimi të pavarur të Kombeve të Bashkuara dhe mbi të gjitha, nuk e ka marrë përpara problemin duke u kufizuar të thotë, në një intervistë për “BBC”-në, se rohingiat “mund të kthehen dhe do të jenë të mirëpritur”. Por në çfarë kushtesh?
Partia e saj, që ka fituar zgjedhjet e para të lira në vitin 2015, ka fituar Presidencën e Republikës dhe shumicën në Parlament. Por ushtarakët, prej vullnetit të kartës kushtetuese, kontrollojnë pjesë të Parlamentit, domethënë 25% të vendeve si në Dhomën e Lartë, ashtu edhe në Dhomën e Ulët: një peshë jo indiferente. Veç kësaj, ligji përcakton se nuk mund të jetë President i Mianmarit kush është i martuar me të huaj apo fëmijët e të cilit janë të tillë: pasi Suu Kyi ishte martuar me një britanik dhe ka dy fëmijë me pasaportë britanike, i është dashur që të kënaqet me një rol prej këshilltareje dhe të ministres së Punëve të Jashtme. Së fundi, ushtarakët kanë marrë kontrollin e 3 ministrive kyçe: të Mbrojtjes, të Brendshme dhe atë të Kufijve.
E shtypur midis një pushteti formalisht në duart e saj, por në realitet akoma në pjesën më të madhe nën kërcënimin e ushtarakëve, fituesja e një Çmimi Nobel që pati një vlerë politike të madhe, sot gjendet duke u përballur me rrezikun gjithnjë e më të mundshëm të një grushti shteti të radhës. Dhe dëshiron që të shmangë këtë në mënyrë që dosja rohingia t’u japë përkrahësve të një grushti të mundshëm shteti një kartë për t’u luajtur.

Dëshmia rrëqethëse

Në një pamje të publikuar nëpërmjet rrjeteve sociale myslimanët nga Arakani tregojnë tmerrin që përjetuan nga masakra në rajon.
Njëri prej të rinjve, i cili flet në pamje thotë se pas vrasjes së 4 personave me armë dhe djegies së tyre kanë ikur nga rajoni. “Ata vrasin vëllezërit tanë. Ne po ikim dhe po migrojmë nëpër vende myslimane”, thotë ai.
Një grua në pamje tregon tmerrin me lotë në sy. “Vajzën, mbesën, fëmijët, nusen i vranë me armë dhe i dogjën me benzinë”, tregon ajo.
Edhe një burrë tjetër nga myslimanët e Arakanit thotë se nipi, nusja dhe të gjithë fëmijët e tij janë masakruar duke i djegur.
Një tjetër person në pamjet thotë se është nga rajoni Tulatuli dhe se çdokush nga ky vend po vritet. “Duke e kaluar lumin në Tulatuli na sulmuan. Vranë 4 vëllezërit e mi”, tha ai.
Ndërkaq edhe një i moshuar foli për dhunën në rajon. “Po na vrasin! Me armë! Po na djegin me benzinë”, thotë ai.
Personi, i cili ka inçizuar këto pamje thotë: “Shikoni, çfarë mund t’u bëjmë këtyre vëllezërve e motrave. Këta vëllezër e motra vijnë nga Tulatuli”.
Në Arakan pas sulmeve në pikat e kontrollit të policisë më 25 gusht, në operacionet e gjera të forcave të sigurisë së Mianmarit kundër myslimanëve, një numër i madh i civilëve kishin humbur jetën, kurse një numër i madh i personave janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Në operacionet e ushtrisë janë djegur qindra shtëpi dhe tani janë në gjendje të papërdorshme. Meqë qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet nga rajonet e izoluara nga bota, nuk mund të bëhen përcaktimet e sakta lidhur me numrin e civilëve të vdekur.
Dhjetëra mijëra myslimanë të Arakanit, të cilët kanë ikur nga fshatrat e tyre, po ikin në zona relativisht të sigurta ose përpiqen që të kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

 

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Nën akuzë për krime lufte, serbi arrestohet në Suharekë

I dyshuar për krime lufte në Kosovë, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës (Therandës), Bogdan Mitroviç, i arrestuar ditë më parë, është duke u mbajtur në paraburgim.
Avokati i tij, Dejan Vasiç, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. Ndërkohë që një nga fqinjët e tij pretendon se është dëshmitar për veprat penale të Mitroviçit, që ndërlidhen me krime lufte gjatë vitit 1999.
Mitroviç ishte arrestuar më 28 gusht, përderisa me një grup të serbëve po vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të Komunës së Suharekës.
Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
I pandehuri Mitroviç, sipas Gjykatës Themelore në Prizren, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale, krime lufte kundër popullsisë civile sepse, më datën 02 prill 1999, në fshatin Sopi, ishin vrarë 32 persona civilë të paarmatosur nga ana e forcave të armatosura serbe.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informatë për personin me emrin Mitroviç dhe implikimeve të tij në krime të luftës në Kosovë.
“Në momentin që është bërë publik lajmi se është arrestuar, ne kemi shikuar bazën e të dhënave nëse kemi diçka, por nuk figuron në asnjë nga dokumentacionet tona, as në deklaratat. As në dokumentacionet e tjera të çfarëdolloji, emri i tij nuk përmendet askund. Ne nuk kemi asnjë të dhënë për të, por nuk do të thotë se ai nuk është i përfshirë, pasi që ne nuk jemi Prokurori apo polici për t’i pasur të gjitha të dhënat e sakta”, ka thënë Blakaj.
Xheladin Sadikaj nga fshati Sopi, pretendon se është njëri nga dëshmitarët e veprave penale për krime lufte me të cilat dyshohet Bogdan Mitroviç.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai tha se, Mitroviç duhet të përgjigjet për veprat që i ka kryer gjatë luftës kundër popullatës civile, kundër popullatës së pambrojtur të fshatit Sopi.
Sadikaj tha se Bogdan Mitroviç ka qenë një prej organizatorëve të masakrës së fshatit Sopi.
“Jo vetëm unë, por ka shumë e shumë dëshmitarë të tjerë që vërtetojnë fajësinë e tij. Ky është person, i cili është identifikuar. Ai mund të bashkëveprojë me institucionet tona të sigurisë, me gjykatat dhe Prokurorinë dhe të vërë në shesh të gjithë ata personat të tjerë, pasi që një person i vetëm ka qenë e pamundur të bëjë 32 vrasje”.
“Ka dëshmitarë okularë, ka dëshmitarë të cilët e kanë parë, janë dokumentacionet të cilat janë gjetur pranë arkivave që i kanë lëshuar nga vendet përgjegjëse me organizim, me operativën që e kanë pasur dhe me kandidatët që duhet të eliminohen”, thotë Sadikaj.
Ndërkohë, avokati i Mitroviçit, Dejan Vasiç, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se lënda e Mitroviçit është ende në fazën e hershme të hetimeve dhe se, sipas tij, ende nuk është përcaktuar pjesëmarrja e tij eventuale si pjesëmarrës (në vepër).
Ai ka thënë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm.
“Atë, një fqinj i tij e ka cilësuar si person që ka marrë pjesë në një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1999”, ka thënë Vasiç.
Por, sipas tij, ky dëshmitar nuk ka arritur ta vërtetojë se e ka parë vetë atë që ka ndodhur, por më shumë ka dëshmuar në bazë të atyre që ka dëgjuar.
“Kjo për mua nuk mund të ketë ndonjë peshë të rëndësishme”, ka thënë avokati Vasiç.
Sidoqoftë, ka nënvizuar ai, edhe kjo dëshmi ishte cilësuar e mjaftueshme që në këtë fazë të ngritët procedura hetimore.
Megjithatë, ai ka shprehur edhe habinë e tij se si dëshmitari, Xheladin Sadiku gjatë gjithë këtyre viteve ka heshtur, edhe pse është takuar me Mitroviçin dhe ka vendosur që të dëshmojë në gjykatë pas 18 vjetësh.
Sipas tij, kjo mund të lidhet edhe me probleme pronësore, pasi që Mitroviç, ka thënë ai, ishte afër procedurës për largimin e Sadikut nga lokali, të cilin ai thotë se e kishte uzurpuar.
Megjithatë, Xheladin Sadikaj thotë se prona e Bogdan Mitroviç është e lirë dhe nuk është e uzurpuar.
“Prona është e hapur, le të kthehet kur të dëshiron, askush nuk mund t’i thotë që nuk është prona e tij. Askujt nuk i ndalohet e drejta e kthimit. Kosova është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar të kthehen, të cilët nuk kanë kryer krime, madje edhe atyre që përballen me drejtësinë”, thekson Sadikaj.
Bogdan Mitroviç po mbahet nën masën e paraburgimit. Pritet që organet e drejtësisë të vendosin rreth masave të mëtutjeshme.

Kush do t’i fitojë zgjedhjet lokale në Maqedoni?

Partitë politike në Maqedoni janë pranë zyrtarizimit të kandidaturave për zgjedhjet lokale të 15 tetorit, në të cilat pritet të zgjidhen drejtuesit e pushteteve vendore në 80 komuna dhe Shkupin, si njësi e veçantë e administrimit lokal, që në përbërjen e tij ka dhjetë komuna urbane.
Nga këto komuna, 16 janë me shumicë shqiptare. Në to, pritet të zhvillohet një garë e fortë elektorale mes partive politike shqiptare, si në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë, Dibër, Çair dhe komuna të tjera rurale.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që aktualisht drejton shumicën e këtyre komunave, pritet që të zyrtarizojë edhe për një mandat shumicën e kryetarëve aktualë, si Teuta Arifin në Tetovë, Nevzat Bejtën në Gostivar, Fatmir Deharin në Kërçovë, i cili tashmë ka publikuar kandidaturën, por nuk përjashtohet as mundësia e koalicioneve të mundshme me partitë e tjera, përfshirë edhe Lidhjen Social Demokrate, me të cilën është në koalicion qeverisës.
“Për momentin ende nuk janë mbyllur bisedimet, pasi afati është deri më 14 shtator. Ka sinjale për bashkëpunim. Po bisedohet dhe ne si parti jemi të hapur për koalicione, për përforcime të indit tonë, ideologjisë sonë, por për të formalizuar gjitha këto bisedime, duhet të presim edhe pak ditë, por parimisht bisedimet zhvillohen në drejtim pozitiv”, thotë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Partitë e tjera më të mëdha shqiptare, si Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, pritet të jenë konkurrentët më të fortë të BDI-së dhe që të hyjnë në garë sa më të përgatitura, kanë shqyrtuar mundësinë e një koalicioni të mundshëm.
“Në këto zgjedhje do të garojmë individualisht në rrethin e parë, por me mundësi për bashkëpunim në kuadër të degëve që të mund të arrihet ndoshta një bashkëpunim edhe në raundin e parë. Ekziston vullneti i mirë që për raundin e dytë të mbështesim njëri-tjetrin, ndërsa me partitë e tjera, deri më tani nuk kemi pasur bisedime konkrete”, thotë Shaban Zendeli nga Lëvizja Besa.
Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, njëherësh ministër i Shëndetësisë, thotë se bashkëpunimi do të jetë i mirëseardhur, para së gjithash mes partive shqiptare, meqë, sipas tij, ende nuk është koha për një gjë të tillë edhe me partitë maqedonase.
“Ne e kemi lënë që për bashkëpunimin në nivelin lokal të vendosin partitë shqiptare. Kjo vlen edhe për bashkëpunimin me Lëvizjen Besa, por edhe me partitë e tjera pasi mendojmë se ende është koha kur shqiptarët duhet të prezantohen nga partitë shqiptare e jo ato maqedonase”, ka deklaruar Taravari.
Por, nga LSDM-ja, e cila prezanton konceptin qytetar, thonë se në garë do të hyjnë edhe me kandidatë shqiptarë.
“Si parti shumetnike ne do të nominojmë kandidatë nga të gjitha bashkësitë etnike. Ne në Haraçinë të Shkupit do të kemi kandidate femër shqiptare për kryetare të komunës. Bashkëpunim do të kemi edhe me partitë e tjera të koalicionit, varësisht konceptit dhe programeve partiake për të mirën e shtetit”.
“Pushteti lokal është shumë i rëndësishëm për jetën e përditshme të qytetarëve, andaj edhe besoj se do të gjejmë partneritetin më të mirë të mundshëm”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetari i LSDM-së dhe kryeministër i Maqedonisë. Partia e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare ka fituar një numër të madh të votave të shqiptarëve.
VMRO-ja e ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski ka zyrtarizuar kandidatët në më shumë komuna. Kjo parti aktualisht udhëheq në mbi 50 komuna, por pas ndërrimit të pushtetit qendror pritet betejë e ashpër me LSDM-në në pushtet. Gara kryesore do të zhvillohet në Shkup, por edhe në qytete të tjera më të mëdha si në Kumanovë, Manastir, Prilep, Ohër, Strumicë e komuna të tjera.

Si të veprohet me Korenë e Veriut?

“Ai po lyp luftë”. Kështu e interpreton ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, testin e fundit me bombë të diktatorit korean, Kim Jong Un. SHBA nuk kanë dashur kurrë luftë, as tani, deklaroi ajo të hënën para KS të OKB-së. Anëtarët e KS u takuan në një mbledhje urgjente për të diskutuar për provokimet më të fundit të Koresë së Veriut.
Të hënën Koreja e Veriut ndezi një bombë me hidrogjen. Ajo shkaktoi një tërmet të shkallës 6,3. Një bombë e ndezur më 9 shtator 2016 shkaktoi një tërmet të shkallës 5,3. Programi ka avancuar, deshi të linte të kuptonte me këtë Kim Jong Un.
Para së gjithash, koreanoveriori la të kuptohet se nuk pranon që t’ia përcaktojnë rregullat as Kombet e Bashkuara dhe as SHBA. Në fillim të gushtit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi sanksione masive kundër Koresë së Veriut. Me rezolutën e pranuar njëzëri, Kombet e Bashkuara vendosën të bojkotojnë artikuj të rëndësishëm eksporti të vendit: qymyr, hekur, plumb, por as fruta deti nuk lejohet më të eksportojë Koreja e Veriut. Përgjigjja e regjimit: manovra të tjera ushtarake dhe teste.
Edhe fjalët e drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo mbetën mesa duket pa efekt: “Përsa i përket regjimit, shpresoj që do të gjejmë një rrugë për ta ndarë nga sistemi”, deklaroi ai në qershor. Kjo deklaratë u kuptua nga të gjithë si një aluzion për një ndryshim regjimi.

Sanksione ekonomike problematike
Edhe sanksione të tjera ekonomike pritet të bëjnë pak efekt. Edhe të tashmet thuajse nuk kanë arritur gjë. Sipas një raporti të OKB-së të marsit të këtij viti, dy nga tre koreanoveriorë janë të nënushqyer. “Kur vendi është në gjendje të keqe ekonomike, te ushtria regjimi kursen jo në krye, por në fund”, thotë politologu që jep mësim në Universitetin Pacific të Hawaii, Seung-Kyun Ko në një intervistë me “CNN”. “Në Korenë e Veriut janë mësuar me vuajtje dhe regjimi është shumë i ushtruar për ta duruar”.
Edhe një gjë tjetër flet kundër një embargoje më të gjerë: rezistenca që pritet e Kinës. Rrëzimi i Kim Jon Unit jo vetëm do ta afronte në kufirin e Kinës rivalin strategjik të Kinës, SHBA. Edhe kaosi dhe një emigrim masiv konsiderohet si skenar tmerri në Pekin. “Në thelb, Kina dhe SHBA duhet të bien dakord për ta mënjanuar problemin e “Koresë së Veriut”, thotë në bisedë me “DW” Wang Jiangyu, profesor i asociuar në National University of Singapor. “Qeveria e Phenianit përfiton nga rivaliteti midis Uashingtonit dhe Pekinit”.

Dialogu si opsion i fundit
Edhe në rrugë negociatash, Kim Jong Un si zor që të heqë dorë nga programi raketor. Ai duhet ta ketë parë se si përfunduan regjimet e shteteve të shpallura “shtete vagabonde”, në Irak dhe në Libi, kur hoqën dorë nga programi atomik. Udhëheqësit e të dyja vendeve nuk e mbijetuan ndryshimin e sistemit, të iniciuar një herë nga SHBA dhe një herë nga NATO. Të dyja shtetet që atëherë ndodhen prej vitesh në buzë të kolapsit.
E vetmja mundësi për ta bërë Phenianin që të ndryshojë qëndrim duket se është instrumenti më i vjetër i politikës: dialogu. Këtë e kujtoi në një telefonatë me Presidentin koreanojugor Moon Jae-in Presidenti rus, Vladimir Putin. Të gjitha mjetet politike-diplomatike duhet të përdoren aktivisht, kërkoi ai.