29.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Shugurohet katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë

Të martën në Prishtinë u shugurua katedralja me emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza, të njëjtën ditë kur u mbushën 20 vjet që kur ajo ndërroi jetë.
Një vit më parë ajo u shenjtërua nga Papa Françesku në një ceremoni të posaçme në Vatikan.
Shugurimi i katedrales u bë me praninë e kardinalit shqiptar Ernest Troshani.
Gurthemeli i katedrales u hodh në gusht të vitit 2005 nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërsa ajo u përurua shtatë vjet më parë.
Nënë Tereza në vitin 1950, themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë, që sot ka 130 shtëpi në të gjithë botën.
Ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 për punën e saj me të varfrit dhe të sëmurët e Kalkutës, punë që vazhdoi edhe pasi ajo vetë u sëmur.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.
Në atë kohë, urdhri i saj kishte rreth 4,000 murgesha dhe administronte rreth 600 jetimore, mensa, strehimore dhe klinika.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup në një familje me prejardhje nga Prizreni.
Rrugëtimi i saj filloi më 1928 kur në kishën e Letnicës në Kosovë, vendosi të bëhet murgeshë dhe një vit me vonë u dorëzua murgeshë në urdhrin e Loretos në Irlandë, prej nga ishte dërguar në Indi.

Polonia kërkon 1 miliard dollarë nga Gjermania si dëme lufte

Mbi marrëdhëniet gjermano-polake ndodhet hija e agresionit gjerman të vitit 1939 dhe e çështjeve të pazgjidhura të pasluftës, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski në bisedë me radiostacionin RFM FM. “Duhet të ulemi për një bisedë serioze me gjermanët dhe të vrasim mendjen së bashku se si mund të zgjidhet problemi”. Dëmet e luftës mund të jenë në shuma trishifrore miliardëshe, shprehu supozimin e tij Waszczykowski.

Dëme lufte prej miliardash?
Ministri i Brendshëm i qeverisë nacionalkonservatore në Varshavë, Mariusz Blaszczak foli në fundjavë për një bilion dollarë. Kjo aktualisht është e barabartë me rreth 840 milionë euro. Waszczykowski tha për këtë: “Ndoshta janë edhe më shumë. Llogari të sakta ka më shumë se 70 vjet që nuk janë bërë”. Nëse Polonia do të kërkonte zyrtarisht reparacione, këtë ministri nuk mund ta thoshte. “Këtë vendim nuk mund ta marrë i vetëm një ministër”. Në pikëpamje morale me siguri “që nuk ka diskutim”, tha ai, që janë me vend pagesat ndaj Polonisë. Nga pikëpamja juridike kjo çështje megjithatë, sipas tij nuk është sqaruar qartë.
Ka disa muaj që politikanë nga radhët e qeverisë polake “E drejta dhe Drejtësia” (PiS) kërkojnë që Gjermania të paguajë me vonesë për dëmet e shkaktuara në Luftën e Dytë Botërore. Kjo temë ka qarkulluar herë pas here nëpër politikën polake, që prej ribashkimit të Gjermanisë. Aktualisht, shërbimi shkencor i Parlamentit polak po verifikon mundësinë, nëse Polonia ka mundësi juridike që të kërkojë reparacione.

Dy interpretime
Politikanë drejtues të PiS i përmbahen pikëpamjes se heqja dorë prej reparacioneve ndaj Berlinit Lindor më 1953 nuk ishte vendim sovran, por u mor nën presionin e sovjetikëve. Përkundrazi, Shërbimi Shkencor i Bundestagut gjerman arriti në përfundimin se pretendime të tilla për shkak të krimeve gjermane në Luftën e Dytë Botërore janë shuar më e vonta që me lidhjen e Marrëveshjes Dy-plus-Katër më 1990. Argumentimi: Polonia ka “hequr dorë në kuadër të negociatave të paktën në heshtje nga kërkesa”.
Që disa politikanë të PiS e përmendin pikërisht tani këtë temë, sipas vëzhguesve ka shkaqe të politikës së brendshme. Pas demonstratave masive kundër reformës së diskutuar të drejtësisë, udhëheqja e partisë ndodhet nën presion, në radhët e saj, por edhe në BE. Brukseli ka nisur nga ky shkak një procedurë për shkelje të procedurave të shtetit juridik kundër Polonisë. Qeveria gjermane i ka kërkuar herë pas here Polonisë që të respektojë parimet demokratike.

Premtimi i Nespor: Do të shënoj shumë gola për Skënderbeun

Skënderbeu prezantoi në një konferencë për shtyp goditjen e ditës së fundit në merkaton verore, futbollistin çek Martin Nespor, i cili u vu nën urdhrat e trajnerit Daja në seancën stërvitore të kësaj të hëne. 27-vjeçari theksoi se i ishte bashkuar Skënderbeut, sepse është një ekip fitues, që u përshtat ambicieve të tij.
“Një faktor i rëndësishëm që më ka bindur për të bërë këtë kalim tek Skënderbeu ishte padiskutim aktiviteti Europian i ekipit. Kam dëgjuar fjalët pozitive për Skënderbeun dhe jam gati për të bërë më të mirën time këtu. Skënderbeu nga informacionet që kam është ekipi më i mirë i kampionatit dhe këto kanë qenë arsyet që më kanë bindur. Nuk është se ka qenë një zgjedhje e vështirë. Ishte dita e fundit e merkatos dhe menaxheri më foli për këtë mundësi. E mora menjëherë seriozisht dhe ja ku jam këtu”, u shpreh Nespor.
Nespor nuk e sheh si problem kohën që i duhet për t’u përshtatur te skuadra korçare, ku pritshmëritë për të janë shumë të larta. “Unë jam një sulmues zone dhe shënoj gola. Besoj se e kam eksperiencën e duhur për t’u ambientuar shpejt me klubin e ri. Miqtë e mi më kanë folur për Skënderbeun dhe për futbollin në Shqipëri. Kjo më bind më shumë se përshtatja ime do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë”, tha ai.
Te Skënderbeu, Nespor është afruar për të bërë diferencën në fazën sulmuese, por me Soue dhe James në dispozicion të Dajës, futbollisti çek duhet të djersisë shumë për të fituar vendin e titullarit.
“Te çdo skuadër ka konkurrencë dhe normalisht që kjo vlen edhe për Skënderbeun, për vetë faktin se është një ekip që do të luajë në Europë. Do të mundohem të shënoj gola, por sigurisht që është trajneri ai që vendos se nëse do të luaj unë ose Soue, apo të dy bashkë”, tha Nespor.
Në fund, një premtim i Nespor që rrit entuziazmin në radhët e tifozëve korçarë. “Jam i bindur që do të shënoj shumë gola me këtë fanellë. Loja që më përshtatet është ajo nga krahët dhe me harkime në zonë, prandaj mendoj se Skënderbeu është zgjedhje e mirë për mua”, përfundoi Martin Nespor.

Pele: Ronaldo? Flasim kur të arrijë 1283 gola!

Nga njëra anë është futbollisti më i mirë i momentit, ndërsa në krahun tjetër, ai që sëbashku me Diego Armando Maradonën konsiderohen si dy më të mirët e të gjithë kohërave në futboll. Me tregolëshin që realizoi ndaj Ishujve Faroe në elimintoret e Botërorit, Rusi 2018, Cristiano Ronaldo vendosi një rekord historik, duke u bërë lojtari që ka shënuar me shumë gola në të gjithë me skuadrat kombëtare, me yllin luzitan që u ngjit në kuotën e 78 finalizimeve me Portugalinë, duke parakaluar të madhin Pele, i cili është ndalur në kuotën e 77 rrjetave me Brazilin edhe pse nuk duhet anashkaluar fakti që ish-ylli i Selecaos ka zhvilluar 53 ndeshje më pak me Brazilin krahasuar me takimet që ka luajtur CR7-ta me Portugalinë.
3 golëshi i Ronaldos ndaj Ishujve Faroe bëri xhiron e botës pikërisht për faktin se ai la pas një legjendë si Pele. Edhe vetë 76-vjeçari nuk ka nguruar ta urojë dhe ta përgëzojë sulmuesin e Realit të Madridit për arritjen e tij, por në të njëjtën kohë Pele e thumboi portugezin, duke i vënë në dukje Ronaldos diçka shumë të rëndësishme, një rekord tjetër të tijin, që CR7-ta nuk do të ketë mundësi ta thyejë kurrë.
“I pashë golat e Cristianos, ishte diçka me të vërtetë speciale. Bëhet fjalë për kohë të ndryshme, megjithatë bukuria e futbollit janë pikërisht golat. Dua ta përgëzoj Ronaldon për këtë arritje të tijën. Ai është një futbollist i shkëlqyer. Por, tashmë i duhet të shënojë më shumë se 1283 gola”, tha Pele.
Një mesazh i qartë ky i Peles për Ronaldon. 1283 është pikërisht numri i golave të realizuar në karrierë nga braziliani, një shifër që portugezi e ka të pamundur të arrijë.

Maradona kritika për Sampaolin, Icardin dhe Zanettin

Diego Armando Maradona di si të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Këtë herë, Pibe de Oro është kthyer sërish në protagonist me deklarata të forta, gjatë një interviste dhënë për “DirectTv Sports”. Në qendër të kritikave të tij u projektua, Mauro Icardi dhe trajneri i Argjentinës Jorge Sampaoli.
“Trembem kur shoh këtë formacion të Argjentinës, pasi jam i bindur se kemi lojtarë shumë më të mirë se sa këta që zgjedh ky zotëri”. Batuta e hidhur për ish-teknikun e Sevijas i referohet pikërisht grumbullimit që ky i fundit i bëri interistit Icardi:
“Nëse mendojnë se do të gjejnë tek Icardi një Batistutë të ri, gabojnë rëndë, vijon Maradona.
Por nuk është vetëm emri i Icardit në grupin e Albicelestes që irriton argjentinasin, pasi ai e quan mungesë respekti lënien e Higuain jashtë Kombëtares. Sipas tij, El Pipita mund edhe të ketë gabuar në realizimin e ndonjë goli, por kjo nuk do të thotë që në vend të tij të thërritet një futbollist që nuk e njeh askush, ndëkohë që Gonzalon e njeh e gjithë bota. Më pas, Maradona nuk kursen as bashkëshorten e Icardit, Wanda Nara. Për të ai thotë se ruan një barcaletë.
Ish-trajneri Edgardo Bauza më ka konfirmuar se ka marrë tre telefonata nga Wanda Nara. Ky episod e bëri Bauzan të hynte gjatë në mendime, për më tepër që edhe sot pyet veten se nga e kishte gjetur ajo numrin e tij të telefonit, tha me ironi Maradona. Argjentinasi me famë botërore që është nderuar edhe qytetar nderi në Napoli nuk kursen më askënd. Javier Zanettit, zëvendëspresidentit të Interit, ai i referohet thjesht si një përfaqësues të Mauro Icardit.
Pas barazimit 0-0 me ‘Uruguain, Argjentina renditet e pesta në grup për Botërorin Rusi 2018, me vetëm 23 pikë.

Tavecchio: Apokalips nëse nuk shkojmë në Rusi

Projekti i Venturës në kombëtaren italiane mori një goditje të rëndë me humbjen 3-0 ndaj Spanjës në “Santiago Bernabeu”, por presidenti i Federatës italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur me 69-vjeçarin, duke qenë i sigurtë se të kaltrit nuk do të mungojnë në finalen e botërorit.
“Projekti Tavecchio ka nisur më herët, puna jonë është shumë e rëndësishme. Para humbjes në Madrid të gjithë ishin të kënaqur. I kam shprehur besimin tim trajnerit Ventura. Nëse nuk kualifikohemi në botëror, do të jetë apokalips për futbollin tonë, por unë jam i sigurtë se do të jemi atje. Në rast të kundërt, të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
Më tej, Tavechio shpjegoi se pse federata vendosi t’ia rinovonte kontratën Venturës para se të sigurohej kualifikimi në Rusi 2018. “Sepse duhej t’i jepnin prestigjin dhe autoritetin ndaj futbollistëve. Kemi biseduar së fundmi me trajnerit për t’i thënë se ka të gjithë mbështetjen tonë. Shpresoj që ta bëjë sa më mirë punën e tij”, tha Tavecchio.
Në lidhje me kriteret e renditjes së FIFA-s, që ka sjellë mospërfshirjen e të katërve në vazon e parë, kreu i Federatës italiane shtoi se i ka kërkuar presidentit të UEFA-s, Ceferin dhe atij të FIFA-s, Infantino se nuk mund të anashkalohen katër titujt botërorë të fituar nga Italia, sepse është kundër historisë. Gjithsesi ky diskutim i përket të ardhmes.

Anglia e Gjermania me një këmbë në Botëror

Anglia mori një fitore shumë të rëndësishme ndaj Sllovakisë në “Wembly”, duke blinduar vendin e parë në Grupin F kualifikues, por matematikisht ende nuk është në finalet e Rusi 2018. Përfaqësuesja e Tre Luanëve triumfoi 2-1 me përmbysje në një sfidë që nisi keq për vendasit, pasi Lobotka shënoi për Sllovakinë që në minutën e tretë. Gjithsesi në pjesën e dytë, Eric Dier dhe Marcus Rashford kthyen rezultatin në favor të formacionit të Southgate, që tashmë pret i qetë dy takimet e fundit me Slloveninë dhe Lituaninë, teska diferenca me vendin, Sllovakinë, është thelluar në 5 pikë. Po në Grupin F, Skocia iu imponua 2-0 Maltës, me gola të Berras dhe Griffin, ndërsa Sllovenia gjunjëzoi 4-0 Lituaninë. Për skuadrën e Katanecs realizoi një dygolësh Iliçiç dhe në të dy rastet nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutat 25′ dhe 61, për të ardhur më pas te golat e Verbiç dhe Birsas në minutat e fundit të takimit.
Gjermania e ktheu në stërvitore takimin me Norvegjinë, të cilën e mposhti me rezultatim e thellë 6-0. Kampionët në fuqi të botës duhet të presin takimet e tetorit me Irlandën e Veriut dhe Azerbajxhanin për të qenë zyrtarisht në Botëror si të parët e Grupit C. Më “Mercedez Arena” të Stutgardit serinë e golave e hapi Mesut Ozil, për të vijuar më pas me finalizimin e Darxler dhe dygolëshin e Verner.
Gjatë 45 minutave gjetën gjithashtu rrjetën Goretzka dhe Gomez, me Norvegjinë që nuk mundi të realizonte as golin e nderit.
Irlanda e Veriut bëri thjesht detyrën në Windsor Park të Belfastit ku mposhti 2-0 Republikën çeke, që duhet t’i thotë zyrtarisht lamtumirë botërorit. Të dy golat e kësaj ndeshjeje u realizuan që në pjesën e parë nga Evans dhe Brunt.
Po në të Grup, Azerbajxhani shkatërroi 5-1 San Marinon, rezultat që i ngjit azerët në vendin e tretë. Ismailov dhe Abdullayev sigluan golat e vendasve në pjesën e parë. Ismailov realizoi të dytin personal në të 57-ën, për të ardhur më pas tek autogoli i Cevolit.
San Marino gjeti golin e nderit me Palazzin në të 74-ën, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Sadygov 9 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Në Grupin E, Polonia nuk zhgënjeu para tifozëve të saj, teksa fitoi me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Kazakistanit. Milik u dha epërsinë polakëve në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, kazakët u ndëshkuan edhe dy herë të tjera nga Glik dhe Lewandowski.
Goli i Stefan Jovetiç i dha tri pikë shumë të rëndësishme Malit të Zi në derbin ballkanas ndaj Rumanisë, ndërsa Danimarka tregoi karakter në fushën e Armenisë, ku triumfoi 1-4.
Koryan zhbllokoi sfidën në favor të vendasve në minutën e 6-të, por Delaney dhe Erikssen përmbysën shifrat që në pjesën e parë, me danezët që shkuan në dhomat e zveshjes në avantazh 1-2.
Fitorja e thellë e danezëve u kompletua nga finalizimet e Schones dhe sërish Delenayt në kohën shtesë.

Start i frikshëm

Në kampionat Interi niset mirë, në javën e parë mposht Xhenoan me rezultatin 2-0, falë golave të Nagatomos dhe Palasios. Në ndeshjen pasardhëse vjen fitorja në fushën e Katanias me shifrat 3-0 (shënojnë Palasio, Nagatomo dhe Alvarez). Në përfundim të sezonit, zikaltrit renditen në vendin e pestë. Interi i Roberto Mançinit ka një start të frikshëm, me pesë fitore në po aq ndeshje. Protagonist absolut do të jetë Stefan Jovetiç, vendimtar që prej sfidës së parë kundër Atalantës (goli i tij në minutat e fundit i jep fitoren Interit).
Në ndeshjen e dytë, zikaltrit ndeshen përballë Karpit, takim i luftuar deri në çastet e fundit dhe i fituar falë dopietës së malazezit (2-1 rezultati përfundimtar). Pas një faze të parë të shkëlqyer, në fund të kampionatit zikaltrit do të renditen në vendin e katërt të klasifikimit.
Interi i ri i Luçiano Spaletit niset si mos më mirë dhe me një protagonist të padiskutueshëm: kapitenin Mauro Ikardi. Java e parë e vendos përballë me Fiorentinën, ende një “kantier ndërtimi” pas merkatos, me largimin e shtyllave të ekipit Borha Valeros, Vesinos (të marrë pikërisht nga Spaleti për të rindërtuar Interin), Bernardeskit, Kaliniçit (që përforcuan respektivisht Juventusin dhe Milanin), për të përmendur vetëm disa prej largimeve.
Në Milano, ndaj skuadrës vjollcë, zikaltrit fitojnë me rezultatin 3-0, falë dopietës së Ikardit dhe golit të Perisiçit në fund të takimit. Në javën e dytë, Interi përballet me Romën në “Olimpico”, me verdhekuqtë që kalojnë të parët në avantazh me Edin Xhekon.
Mauro Ikardi është megjithatë (përsëri) në mbrëmjen e tij dhe realizon një tjetër dygolësh që përmbys rezultatin. Vesino firmos rezultatin përfundimtar 3-1.
Pas vendit të shtatë të sezonit të kaluar, pak shpresonin në një start në vendin e parë nga Interi. Megjithëse, duke parë fazën përgatitore të verës, mundësitë ishin më se të larta. Por, fitorja në fushën e Romës (ku zikaltrit në kampionat nuk fitonin prej 2008-ës së largët), ka qenë një injektim besimi për lojtarët dhe tifozët, të hidhëruar nga një merkato “low cost”. Prej 1997-ës deri më sot, në vetëm 6 raste Interi ka arritur të fitojë dy ndeshjet e para.
Ishte viti kur Ronaldo do të largohej drejt Realit të Madridit, por do të afrohej Hernan Krespo. Interi nis kampionatin me një fitore në Empoli, në një ndeshje të mbushur me emocione dhe gola (plot 7).
Rezultati final do të ishte 3-4 për zikaltrit (shënues Krespo, Havier Zaneti, Di Natale dhe Rekoba për Interin; Vanuki, Adani dhe Tavano për Empolin). Në fund të sezonit, zikaltrit do të vendoseshin në vendin e dytë në klasifikim, me 65 pikë. Një sezon më pas, në drejtimin e Interit konfirmohet Hektor Kuper, me të cilin zikaltrit fitojnë përsëri dy ndeshjet e para të kampionatit.

 

Zlatan Ibrahimoviç shumë pranë rikthimit

Zlatan Ibrahimoviç shumë pranë rikthimit. Vetëm kampionët e vërtetë nuk dorëzohem përpara asnjë pengese. Rasti i bomberit suedez e vërteton një fakt të tillë. Sulmuesi, i cili vetëm pak javë arriti marrëveshjen me Man.United për të vazhduar aventurën e tij me fanellën e “Djajve të Kuq” edhe për një tjetër sezon, është shumë pranë rikthimit në fushën e blertë. Dëmtimi i rëndë që pësoi në pjesën e gjurit nuk e ka trembur aspak Ibrën, madje gjidanti suedez, falë edhe vendosmërisë së sulmuesit është duke djegur të gjithë etapat e fazës së rikuperimit.
Një fakt të tillë e vërteton edhe vendosja e emrit të tij në listën e të grumbulluarve për fazën e grupeve të Champions League, e depozituar pranë UEFA-s. E thënë ndryshe, Ibra do të rikthehet të luaj brenda këtij viti, përtej parashikimeve të stafit mjekësor, të cilët deklaronin se Zlatan do të jetë i gatshëm vetëm për fazën e dytë të kampionatit. Nga ai operacion i vështirë në pjesën e gjurit të bërë në USA ku shpresat për ta parë sërish të luante ishin të pakta, tek rikthimi në fushë. Ndoshta ky është goli më i bukur në karrierën e gjigantit suedez.

Diego Costa, jashtë listës së Champions League

Chelsea tjetër përjashtim për Diego Costa. Aventura e sulmuesit në radhët e “Bluve të Londrës” po shndërrohet në një ferr të vërtetë. Pasi i është bërë e qartë nga ana e teknikut Antonio Conte se ai nuk është më në planet e tij, këtë herë ka ardhur edhe përjashtimi nga lista e të grumbulluarve për në fazën e grupeve të Champions League. Klubi londinez nuk e ka përfshirë 28-vjeçarin në listën e 24 të grumbulluarve që do të jenë të pranishëm në këtë kompeticion europian.
Një veprim të tillë kampionët e Anglisë e kanë ndërmarrë ndaj sulmuesit edhe për takimet që do të luhet në Premier League. Tekniku i Bluve të Londrës, Antonio Conte ka preferuar që pjesë e kësaj liste të jenë dy sulmuesit, Alvaro Morata dhe belgun Batshay. Një tjetër vendim drastik i italianit që rikonfirmon sa marrëdhënia mes tyre nuk do të njohë aspak përmirësime në muajt në vazhdim. Përsa i përket të ardhmes së Diego Costa, mediat britanike raportojnë se 28-vjeçari pritet të mbërrijë në Londër javën e ardhshme për të dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar për kalimin e tij tek Atletico Madrid. Kalimi i tij në radhët e klubit spanjoll mund të kryhet në janar, muaj që përkon dhe me fundin e afatit të pezullimit për zhvillimin e merkatos.