Diego Simeone ka vazhduar kontratën me Atletico Madridin. Atletico Madrid ka njoftuar se ka vazhduar kontratën me Diego Simeonen deri në vitin 2020. Trajneri argjentinas është pjesë e Atletico Madridit që nga viti 2011. Ish-trajner River Plates, San Lorenzos me skuadrën nga Madridi ka fituar një titull në La Liga dhe dy herë është bërë nënkampion i Evropës.
Juventus me goditje të mëdha
4 ditë nga përfundimi i kësaj merkatoje fillojnë të projektohen goditjet për merkaton verës 2018. Motivi është i thjeshtë, skuadrat duhet të nxitojnë, pasi në xhiro janë të shumtë lojtarët europianë që nuk kanë rinovuar kontratat respektive, të cilat skadojnë pikërisht verën e ardhshme. Në këtë rast, parashikimi është fare i thjeshtë, pasi nëse lojtarë të tillë nuk do të zgjasin kontratat, atëherë ata do të jenë pre e lehtë për transferime. Me këtë situatë të shumta janë klubet që në muajin janar do të mendojnë për t’i shitur, nëse nuk duan që t’i humbasin ata në korrik me kosto zero.
Kështu, Juventusi po mendon për një emër konkret atë të Emre Can, të cilin e ndoqën përgjatë gjithë verës.
Objektiv që nuk u arrit dot prej bardhezinjve, pasi Liverpooli rezistoi pavarësisht kontratës së 23-vjeçarit që është drejt skadimit. Mesfushori gjerman ka vlerësimin maksimal të trajnerit Alegri, të cilin e karakterizon si një lojtar solid dhe që në sezonin e fundit është maturuar shumë, duke u bërë pjesë edhe e Kombëtares gjermane, por edhe një prej më të mirëve tek Liverpooli.
Për këtë arsye “The Reds” nuk do të donin të humbisnin shërbimet e tij, aq më tepër me kosto zero ndaj gjatë kësaj vere u munduan që të arrinin një rinovim dhe zgjatje të kontratës, por firma e Emre Can nuk erdhi kurrë. Kloop ka ende shprese tek ai, por mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë, pasi në këtë situatë që në muajin janar Juventus mund të trokas sërish tek “The Reds”, të cilët në këtë pikë nuk do të mund të kërkonin shifra të ekzagjeruara për një lojtar që pas 6 muajsh mund të largohej edhe gratis. E njëjta situatë edhe tek Schalke 04, ku Juventusi projekton me fanellën bardhezi një tjetër mesfushor gjerman.
Bëhet fjalë për Leon Goretzka, që deri më tani ka qenë mjaft i nënvlerësuar në nivelin ndërkombëtar edhe pse zotëron një dinamizëm dhe intensitet vërtet të rrallë. Tashmë për të interesohen dhe Bayern e Chelsea, ndaj gjatë kësaj vere Schalke i ofroi Goretzkas një pagë mbreti prej plot 7 milionë eurosh në sezon, një sforco vërtet e madhe për klubin nga Gelsenkirchen, por dhe këtu firma mungoi. Në fund, Juventusi do të dëshironte shumë që në mbyllje të karrierës së tij Iniesta të jepte një kontribut si për personalitetin edhe për klasin që përfaqëson tek ky ekip. Pra, nga Emre Can tek Goretzka, deri tek Iniesta, merkato e Juventusit për vitin 2018 duket se ka filluar të lëvizë.
Asambleja e PPE, mbështetje Bashës për strategjinë e opozitës
Kryetari i opozitës, Basha ka shtruar si problem në tryezën e Partive Popullore manipulimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe reformimin e sistemit zgjedhor me qëllim që t’i jepet fund manipulimeve. Kreu demokrat Lulzim Basha mori pjesë dje në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane (PPE), që zhvillohet në Kopenhagen me pjesëmarrjen e drejtuesve të partive të djathta europiane.
Para Asamblesë, zoti Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve politike në vend dhe ndau me politikanët e djathtë europianë vizionin e tij për të ardhmen e PD-së dhe të opozitës. Në mënyrë të veçantë, ai theksoi rëndësinë që ka për opozitën dhe vetë demokracinë në Shqipëri reformimi i sistemit zgjedhor, për t’i dhënë fund përgjithmonë historisë së manipulimit të zgjedhjeve.
Në bisedat me drejtuesit e partive simotra, Basha diskutoi gjithashtu mbi përballjen me sfidat për integrimin europian të vendit, dhe mori mbështetjen e tyre në këtë proces.
Basha mori gjithashtu premtimin për vazhdimin e mbështetjes direkte politike të PPE-së dhe partive simotra të Partisë Demokratike, përfshi mbështetjen me këshillim dhe asistencë në lidhje me strategjinë dhe alternativën opozitare.
Qëndrimet e mbajtura në takimin e Partive Popullore nga Basha paralajmërojnë edhe strategjinë që do të ndjekë opozita që në ditët e para të fillimit të sezonit të ri politik. Opozita do të përqendrohet që në fillim të legjislaturës së re të Kuvendit tek krijimi i të gjitha mekanizmave ligjorë që garantojnë një proces të lirë zgjedhor dhe që nuk do të mund të shkaktojë fraktura të rënda politike dhe të përbëjë rrezik për të çuar vendin drejt destabilizimit.
Qeveria e re është unike në llojin e saj në të gjithë historinë politike të këtyre 27 viteve, pasi është një qeveri e pakicës së shqiptarëve. Ajo është bojkotuar në zgjedhjet e fundit nga më shumë se 70% e votuesve, të cilët nuk e kanë votuar dhe ajo është sot në pushtet me votat e blera të asaj pakice që nuk mund të jetë legjitime.
Propozimet e opozitës për të hartuar një kod elektoral, i cili të garantojë votimin dhe numërimin elektronik është shtruar për zgjidhje prej më shumë se 18 muajsh dhe megjithatë në asnjë moment nuk ka pasur vullnet politik nga qeveria për ta implementuar. Duket se tani ekziston e gjithë koha e mjaftueshme për të bërë reformën e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe që nënkupton edhe fundin e pushtetit politik me vota të blera të Ramës.
Në axhendën e opozitës nuk mund të ketë çështje më të rëndësishme se rikthimi i votës së lirë si instrument ndryshimi në duart e qytetarëve dhe Basha e ka rinisur këtë sfidë edhe në kancelaritë diplomatike të Europës. Ndalesa e parë ka qenë në tryezën politike të Partive Popullore, të cilat kanë shumicën në Parlamentin Europian dhe kryesojnë Komisionin Europian.
Raporti i OSBE/ODIHR po ashtu ka vërejtur rrëzimin e sistemit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri, kur në raportin pas zgjedhjeve të 25 qershorit denoncoi blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve dy fenomenet kryesore me të cilat Rama qëndron sot në një pushtet, i cili nuk mund të jetë legjitim.
Basha: PS plus, është drogë, plus kriminelë, plus edhe korrupsion
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për sasinë rekord të drogës nga Shqipëria të kapur në Itali. Në një postim në Facebook Basha shkruan se, projekti i PS i shpallur prej Ramës është PS+drogë+kriminelë+korrupsion. “Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion.
Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Ruçit, të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”, shkruan Basha.
Më tej, Basha shkruan se, opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë”, shprehet Basha.
Edhe ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj sasisë së drogës të bllokuar në Itali. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, Rama dhe Haki Çako ndjehen krenarë me suksesin e madh në eksportin e drogës. “Noriega dhe Haki droga, krenarë me suksesin e madh në eksportin e drogës. Po nisin çdo javë tonelata në Itali!! Të dashur miq, Noriega dhe Haki droga, me operacionet e tyre të fuqishme kundër drogës dhe trafikantëve kanë arritur kohët e fundit suksese të mëdha në eksportin e kanabisit. Kështu, çdo javë, falë luftës me zero tolerancë të tyre kundër kanabisit, ata nisin si eksport 2-12 tonë hashash. Këtë herë të fundit nxorën 1000 policë nga toka, deti dhe ajri për të bllokuar trafikantët, por jo ata që eksportojnë mall, ndaj u eksportuan 2.3 tonë!?”, shkruan ai.
Policia italiane sekuestroi të shtunën 2.3 tonë drogë që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Sasia më e madhe e drogës e kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri, ka bërë të ditur zv/prokurori i Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni.
Operacioni është organizuar nga Guardia di Financa, ndërsa detajet janë dhënë në një konferencë për mediat të mbajtur në orën 12:00. Sipas zv/prokurores në pranga për këtë sasi të madhe droge janë vënë një shqiptar 24 vjeç dhe një italian 63 vjeç.
Droga e nisur nga Shqipëria dhe e mbërritur natën në Itali, mësohet se ishte shkarkuar në deltën e lumit Tronto dhe më pas e ngarkuar në një furgon. Policia kishte marrë informacione për këtë ngarkesë droge dhe i ka bërë pritë furgonit, ku udhëtonin edhe të arrestuarit. Brenda tij janë gjetur 40 pako me kanabis sativa. Më pas, motovedetat e Guardia di Financës të nisura nga Ancona dhe Tronto kanë gjetur në det edhe 73 pako të tjera me kanabis që ishin hedhur nga trafikantët.
Gomonia e drogës ishte larguar me shpejtësi dhe italianët e kanë ndjekur deri në kufirin e ujërave territoriale kroate, ku edhe kanë ndërprerë ndjekjen. Pranë vendit ku ishte shkarkuar droga janë gjetur edhe 25 bidona benzinë për të furnizuar gomonen. Dy të arrestuarit janë dërguar në burgun e Marino del Tronto.
R.POLISI
PD: Ka vetëm një mundësi për të ardhmen
Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj deklaratës së ambasadores së BE, Vlahutin duke e përshëndetur atë përmes shprehjes: “Më në fund, ambasadorja u tha shqiptarëve të vërtetën, të cilën kryetari Basha dhe Partia Demokratike e ka thënë çdo ditë për tre vjet: nuk mund të ketë çelje negociatash nëse nuk ndalet kanabisi”, thuhet në deklaratën e PD.
Për demokratët emërimet e reja të Ramës në krye të Kuvendit dhe të Ministrisë së Brendshme lënë pak shteg për të besuar në një luftë ndaj drogës.
Fatmir Xhafa, vëllai i baronit të drogës Agron Xhafa, i kërkuar nga drejtësitë e vendeve të BE do të jetë në krye të aparatit policor dhe kjo nuk lë aspak shteg për të besuar se mund të ketë një luftë reale ndaj trafikut të drogës. Eshtë njësoj sikur ujkut t’i vihen mëlçitë në qafë.
Po ashtu, emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit është po ashtu një lajm i keq. I skeduar në dokumentat e ambasadës amerikane si njeri i afërt me klanet kriminale të drogës, Ruçi konsiderohet si një njeri i krimit të organizuar sipas Ëikilekas në dokumentat amerikane dhe kjo është edhe arsyeja se përse atij nuk i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2005.
Për PD ka vetëm një zgjidhje për të ardhmen europiane; të bëhemi të gjithë bashkë kundër drogës.
“Partia Demokratike përshëndet deklaratën e ambasadores së BE-së, Vlahutin se çelja e negociatave ka si kusht luftën kundër kanabisit. Më në fund, ambasadorja u tha shqiptarëve të vërtetën, të cilën kryetari Basha dhe Partia Demokratike e ka thënë çdo ditë për tre vjet: nuk mund të ketë çelje negociatash nëse nuk ndalet kanabisi. Kjo do të thotë se ecuria e integrimit europian është mbajtur dhe po mbahet peng nga vetë Edi Rama. Fatkeqësisht, emërimet në krye të Kuvendit dhe të Ministrisë së Brendshme, Edi Rama rikonfirmoi mbështetjen e tij për drogën dhe krimin. Në këto kushte, ka vetëm një mundësi për të ardhmen tonë europiane: të bëhemi të gjithë bashkë kundër drogës dhe krimit”, thuhet në deklaratën e PD.
Vrasësi i gjyqtares kërkon t’ia hedhë, do ekspertizë psikike!
Fadil Kasemi, autori i vrasjes së gjyqtares në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet, kërkon t’ia hedhë drejtësisë për herë të dytë, duke kërkuar ekspertizë psikike. 53-vjeçari së bashku me avokatin e tij i kanë thënë hetuesve se, krimi ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikike dhe për këtë ata kërkojnë ekspertizë. Ky element, sipas avokatit kërkohet të shqyrtohet në të ardhmen nga trupa gjyqësore me relator Fran Prendin. Nëse Gjykata do ta pranojë kërkesën e të pandehurit për një ekspertizë psikike, atëherë ka gjasa që vrasësi i gjyqtares së Shkodrës mund të t’i shpëtojë burgimit përjetë. Por, me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale të hyra në fuqi më 1 gusht të këtij viti, i pandehuri nuk përfiton gjykimin e shkurtuar.
Dy vite më parë kjo manovër rezultoi e suksesshme, por nuk mund të themi të njëjtën gjë këtë herë. Ai rrezikon burgimin e përjeshtëm me akuzat e ngritura nga Prokuroria, si; vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, rrëmbim personi dhe armëmbajtje pa leje.
Me të njëjtën kartë, Kasemi ka luajtur edhe në ngjarjen e ndodhur në korrik të 2015-ës. Ai tentoi të qëllonte me armë ish-bashkëshorten e tij Fildiz Hafizi, por mbeti në tentativë, pasi ishin fëmijët e çiftit, ata që ndërhynë për qetësimin e situatës. Deri në këtë fazë të hetimit, organi i akuzës thekson se, në të dy rastet i burgosuri ka pasur si motiv për vrasjen e Hafizit, xhelozinë.
Konfliktet në familje lidhen me kërkesën e divorcit që e ndjera kishte kërkuar ndaj Kasemit. Ky i fundit kishte shitur një apartatment rreth 4 vite më parë dhe paratë sipas Prokurorisë i kishte luajtur në kumar. Nëna e dy fëmijëve ishte detyruar të merrte një banesë me qira afër zonës së “Xhamllikut”, ku kishte jetuar edhe më herët.
KLD inspektim dosjes së vrasësit
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimin e vendimit të Gjykatës së Kavajës, e cila në prill të 2016 dënoi me tre vite Fadil Kasemin, vrasësin e gjyqtares Fildeze Hafizi. Inspektorët e KLD-së do të kalojnë në sitë vendimin ku 53-vjeçari u dënua me 3 vite burg për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Verën e 2015, Kasemi tentoi të vriste si gruan e tij në plazhin e Golemit ku ajo po pushonte së bashku me fëmijët.
Në fund të verifikimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të hartojë një raport dhe nëse gjykatësit kanë shkelur ligjin do të përballen me penalitete. Gjyqtarët që do të inspektohen janë treshja që dha vendimin në 2016 Eda Kaja, Luan Lusha dhe Markelian Koçi. Vendimi i këtyre gjyqtareve në 2016 u kundërshtua nga Prokuroria e Durrësit 2 herë. Fillimisht ajo iu drejtua Gjykatës së Apelit të Durrësit për prishjen e vendimit, kërkesë e cila u rrëzua, pasi u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë.
Vendimi i këtyre gjyqtareve në 2016 u kundërshtua nga Prokuroria e Durrësit 2 herë. Fillimisht ajo iu drejtua Gjykatës së Apelit të Durrësit për prishjen e vendimit, kërkesë e cila u rrëzua pasi u la në fuqi vendimi i shkallës së parë. Ndërsa në shtator të vitit të kaluar me një rekurs drejtuar Gjykatës së Lartë organi i akuzës kerkonte prishjen e vendimeve dhe dënimin e Kasemit me 5 vite burg.
Inspektimi i vendimit ka nisur me kërkesë të presidentit Meta, i cili ka bërë publike disa nisma kundër fenomenit të dhunës në familje, duke paralajmeruar se nuk do të falë asnjë person të dënuar për krime në familje.
Debati për Akademinë, Rama do ndërtesën
Ka një debat për Akademinë e Shkencave. Rama duket i ka vënë syrin godinës së këtij institucioni.
Gudar Beqiraj është sërish kryetar i Akademisë së Shkencave. Me 28 vota pro dhe 3 kundër, anëtarët e Asamblesë zgjodhën Beqirajn si kryetarin e ri, i cili më herët mbante postin e zv/kryetarit.
Duket si një rrokadë ajo mes dy posteve kryesore në këtë institucion, pasi ish-kryetari Muzafer Korkuti tanimë do të mbajë postin e numrit dy të këtij institucioni. Pak minuta para fillimit të procesit, të cilin e quajti farsë, kryeministri Edi Rama reagoi duke paralajmëruar një përplasje finale me Akademinë e Shkencave.
“Nëse Akademia e Shkencave nuk reformohet nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”, shkruante Rama.
Kreu i qeverisë e ka parë të domosdoshëm ndryshimin në këtë institucion. Ai ka shkuar më tej duke thënë se do t’i merret edhe godina Akademisë nëse nuk reformohet.
Kryetari i sapo zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj doli kundër kryeministrit Edi Rama për sa i përket bllokimit të fondeve të shtetit për këtë institucion.
“Për mua është nder dhe përgjegjësi që më ngarkuan detyrën e drejtimit të Akademisë së Shkencave. Duke pasur parasysh eksperiencën që kam, jam dakord të jemi bashkëpunues me qeverinë për të realizuar reformën në ASH dhe jam i sigurt që kjo do ta çojë përpara akademinë.
Akademia e Shkencave nuk duhet të jetë pa institute, duhet të ketë institute si dikur dhe në këtë mënyrë ASH do të ketë më shumë produktivitet.
Duke qenë matematicien mendoj se ASH duhet të jetë më produktive për të realizuar detyrat që ka qeveria për ekonominë shqiptare, duke filluar nga ujërat, energjinë, bujqësinë, etj.
Nuk besoj të ndodhë bllokimi i fondeve, pasi ne jemi gati ta reformojmë ASH”, tha ai.
I pyetur në lidhje me mospjesëmarrjen e Artan Fugës në votime, Beqiraj u shpreh se ai duhet të ishte këtu për të votuar, pasi kjo ishte detyra e akademikëve për sot.
Vetëm pak minuta pas zgjedhjes së Gudar Beqirajt si kryetar i Akademisë së Shkencave, Kryeministri Rama njoftoi prerjen e fondeve për këtë institucion, duke e quajtur farsë procesin që u zhvillua sot. “Meqë “Akademia” zgjodhi farsën, uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës”, komentoi Rama në Tëitter. Ai i referohet një paralajmërimi që dha mëngjesin e sotëm, ende pa nisur zgjedhjet në Akademi. Në të ai shkruante se, nëse Akademia e Shkencave nuk do të pranojë reformën, ajo nuk do të marrë asnjë fond nga buxheti i shtetit dhe do t’i duhet të dorëzojë godinën. Duke i qëndruar këtij paralajmërimi, Rama pohoi se fondet e shtetit që normalisht shkojnë për Akademinë e Shkencave, do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor.
Shume vonë zonja ambasadore për drogën dhe BE-në
Ambasadorja e Bashkimit Europian ka pranuar dje pas tre vitesh deklarata të forta të opozitës dhe liderit të saj Basha se nuk do të ketë integrim në Bashkimin Europian pa luftën ndaj drogës. Vlahutin ka folur dje për të parën herë për drogën si kusht të BE, ndërkohë që ka heshtur përgjatë këtyre tre viteve që vendi është kthyer në një plantacion gjigant droge.
Gjatë fjalës së saj në Shkollën Europiane Verore, ambasadorja Vlahutin tha se, Komisioni Evropian do të jetë gati të bëjë hapat e tjerë për të çelur negociatat, pasi të nisë zbatimi i Vettingu-t dhe të luftohet kanabisi në vend.
Vlahutin u shpreh se asgjë nuk ndryshon për një vend pasi hyn në BE, por se gjërat duhet të ndryshonin përpara futjes në Europë, dhe për të arritja e kësaj varet nga vendosmëria për sundimin e ligjit, si dhe lufta kundër drogës.
“Për çeljen e negociatave muajt në vijim do të jenë shumë të rëndësishëm, kyç. Është e qartë për të gjithë çfarë lipset që të ndodhë sa i takon 5 prioriteteve kyçe, por në veçanti lidhur me të gjithë aspektet e ligjit dhe në veçanti me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimin e tregtisë së kanabisit”, tha Vlahutin.
Deklarata e përfaqësueses së BE në Tiranë është mjaft e vonuar. Kjo për arsyen se sot shoqëria shqiptare po vuan pasojat e shndërrimit të vendit në një plantacion droge, ku rinia është prekur tashmë nga ky virus, ndërsa Europa po kupton se si janë fuqizuar rrjetet kriminale të trafikut të drogës përgjatë këtyre viteve, duke u kthyer në një shqetësim të madh edhe për vetë Bashkimin Europian.
Kjo duket të ketë qenë edhe arsyeja që ka detyruar ambasadoren Vlahutin të flasë për drogën. Vende si Holanda kanë në tryezën e politikës së vendit të tyre marrjen e sanksioneve ndaj Shqipërisë për të rivendosur vizat, si ndëshkim për rritjen e kriminalitetit të grupeve shqiptare në këtë vend.
Ajo çfarë mbetet e paqartë për Bashkimin Europian në këtë ditë është kabineti i ri qeverisës dhe shkrirja e Ministrisë së Integrimit për të cilën ambasadorja Vlahutin ka ngritur pikëpyetje dhe ka kërkuar sqarime nga Rama.
“Ka ende disa paqartësira lidhur me ndryshimet që do të kemi sa i takon mekanizmave të bashkërendimit të BE. Ndaj unë do të kem disa takime në ditët në vijim në mënyrë që të kemi mundësinë të kuptojmë plotësisht dhe të biem dakord si do të funksionojë, organizohet dhe bashkërendohet axhenda europiane”, tha ambasadorja Vlahutin.
Zyrtarja e Brukselit ka kërkuar sundim të vërtetë të ligjit në Shqipëri për të gjithë dhe ka prekur tangent problemin e emigrantëve, duke kërkuar nga qeveria e re që ekonomia të sigurojë kushte për të gjithë ata që duan të jetojnë me dinjitet në këtë vend.
“Asgjë nuk ndryshon ditën kur një vend bëhet shtet anëtar i BE-së, por procesi i shndërrimit ndodh gjatë gjithë rrugëtimit.
Ky proces nuk ka të bëjë me deklarata, fjalë apo madje me dëshira, por varet nga vendosmëria për të ndryshuar dhe modernizuar atë që është në fakt sundimi i vërtetë i ligjit, ose siguria sociale, kujdesi për të gjithë në shoqëri. Fakti që ekonomia do të sigurojë për të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë në mënyrë që ta jetojnë jetën me dinjitet dhe në paqe”, tha Vlahutin.
Ajo ka dalë kundër atyre që i konsideron si gjysmë zgjidhje të politikës. “Ndryshimi nuk mund të vijë me anë të gjysmë zgjidhjeve. Integrimi europian nuk do të mund të arrihet nëse të gjithë nuk ecin përpara dhe Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë talentet. I gjithë vendi duhet të ecë përpara. Asnjë interes privat apo publik nuk mund të jetë më i rëndësishëm se interesi i të gjithë vendit. Shqiptarët kanë mjaft sa i takon zënkave, dëshirojnë të kenë rezultate dhe të jetojnë si e gjithë Europa”, tha Vlahutin.
Enton DACI
Skandal, 2 mijë euro për një dëftesë të shkollës së mesme
Mjaftojnë 2000 euro për t’u pajisur me dëftesën e gjimnazit në Lushnjë dhe dokumentet t’i merr personalisht në zyrën e tij drejtori i “Kolegjit Daka”, Gjovalin Daka. Fiksi solli me zë dhe figurë në prag të fillimit të vitit shkollor bisedat mes bashkëpunëtorit të fiksit dhe sekserit, i cili punon si mësues në një shkollë publike në Kuçovë. Ky i fundit mori përsipër se diploma do të merrej kundrejt pagesës prej 2000 eurosh pa bërë as edhe një ditë mësim, në rregullsi të plotë dhe e njohur nga Ministria e Arsimit.
Në video mësuesi sekser shprehet qartë se ka kohë që merret me punë të tilla dhe se çdo bisedë dhe pagesë do i bëhen vetë drejtorit të shkollës Gjovalin Dakës. “Do t’i dëgjosh në tavolinë ti dhe ai. Ashtu kisha dështuar 100 herë po të kisha marrë budallallëqe unë. Që kur kam filluar unë, e vazhdoj…” shprehet sekseri në video. Së bashku me gazetaren e Fiksit ata shkojnë në zyrën e drejtorit të shkollës në Lushnjë, Gjovalin Daka. Drejtori i “Kolegjit Daka” i priti në zyrë, duke i rënë pianos dhe në bisedë e sipër bëjnë edhe pazaret. Ai shprehet se për paratë mund të presë edhe 2-3 javë, ndërkohë dokumentet e shkollës për regjistrim i mbajti në një dosje në zyrën e tij.
Gazetarja dorëzoi një çertifikatë familjare, 4 foto dhe dëftesën e shkollës 8-vjeçare. Drejtori shprehet qartë se, kjo punë bëhet lehtë, por që do kohën e saj. Madje ai shkëmben numrin e telefonit me gazetaren dhe në telefon do t’i tregonte dhe momentin se kur duhej të bëhej pagesa.
“Unë do t’i fus tek shkolla (dokumentet) do t’i fotokopjoj t’i kem aty, por unë nuk dua nxitim. Unë dua jo nxitim”, shprehet Daka.
Në bisedën e tyre telefonike, drejtori Daka e mësoi gazetaren që ndërmjet tyre të flisnin me një lloj “kodi” për mos t’u kuptuar se për çfarë flitej. “Dhe më thuaj ç’kemi? Si je profesor? Me shëndetin si ke kaluar? Mirë? Po t’u përgjigja që jam me dhimbje koke, unë përgjigjen nuk ta jap tani, megjithatë unë do përpiqem që pasnesër të jap përgjigje”.
Në përfundim drejtori i “Kolegjit Daka” merr dokumentet e gazetares së Fiksit dhe i kërkon që herën tjetër kur ajo të paraqitet për pagesën t’i çojë edhe katër foto të sajat kur ka qenë 18 vjeç.
Takimi sekseri, bashkëpunëtori nga Kuçova
Fiksi: Qysh të kam? Me shëndet? Çfarë më ke shkruajtur këtu t’i mua? Se s’po ja sqaroja dot këtu unë, çfarë thotë kjo këtu ore?
Sekseri: Lekët ore lekët.
Fiksi: Lekët është kjo ore? Aman ore se unë po thoja çfarë është unë nuk po merrja vesh çfarë është ore.
Sekseri: Po lekët o burri i dheut. Sa vjeç është ajo tani?
Fiksi: Ajo duhet të jetë tek 20 e ca tani.
Sekseri: Sa ju the ti?
Fiksi: Nuk jua kam thënë unë çmimin.
Sekseri: E ke me vete atë?
Fiksi: Nuk është këtu tani, sepse unë erdha vetëm për të sqaruar këtë se më tha mua sqarohu. Është i saktë muhabeti më tha mua?
Sekseri: Po ore.
Fiksi: Nuk dua telashe. I thuaj tha që ça duhet ça nuk duhet i kam unë të gjitha.
Sekseri: Unë bëj këtë tani, flasim, pimë kafe me drejtorin në tavolinë.
Fiksi: Po e bëjmë këtë? E kemi këtë në dorë?
Sekseri: Ooo që sot. Unë jam gati të vemi që sot tek drejtori, ja çoj botin që sot drejtorit në tavolinë. Ai i jep lekët, i jep dokumetat, ja jep të gjitha pastaj se çfarë më jep mua është gjë tjetër. Thuaj aq botit, ti, unë dhe ai në tavolinë ta dëgjosh vetë në tavolinë. Bëhet, nuk bëhet, për sa bëhet, si do bëhet?
Fiksi: Domethënë do bëjmë takim me atë që të mos na dalë nga fjala.
Sekseri: Burrërore, ama merri ato me vete të tëra thuaj. Ti kesh me vete. Dokumentat dhe lekët.
Fiksi: Nuk bëhet fjalë fare.
Sekseri: Bëre ato? Hajde me mua dhe ikim atje.
Fiksi: Të bëj telefon? Po mund ta lëmë nesër pasdite.
Sekseri: Po pse ore? Unë po them që sot ore.
Fiksi: Edhe sot? Të të marr në telefon vëllai pastaj?
Sekseri: Do t’i dëgjosh në tavolinë ti dhe ai. Ashtu kisha dështuar 100 herë po të kisha marrë budallallëqe unë. Që kur kam filluar unë e vazhdoj…
Fiksi: Në rregull. Të iki vëllai pastaj?
Sekseri: Më bjer këto mua, atë edhe në Lushnjë sa më shpejt.
Biseda me drejtorin Gjovalin Daka në zyrën e tij.
Fiksi: Ç’kemi, si je?
Sekseri: Nga shpija? Po telefonin, pse e fik telefonin? Unë me drejtorin një çerek ore në kafe.
Fiksi: Si t’ja bëjmë tani?
Sekseri: Hajdeni, i keni ato (dokumentet, lekët)?
Fiksi: Si jeni mirë?
Drejtori i shkollës i jep dorën dhe i bie pianos.
Fiksi: O vëllai, të vazhdoj unë? Vërtetimin, që kam mbaruar 8-vjeçare. Turp i madh është, por s’kemi ç’bëjmë kështu na shkoi jeta.
Drejtori i shkollës: Ka raste plot.
Fiksi: Çertifikatën, këtu keni edhe 4 fotot.
Drejtori i shkollës: Pse e do shkollën?
Fiksi: Po unë e dua që të vazhdoj pastaj ndonjë të lartë se ku, pa gjimnaz s’ke ku shkon.
Drejtori i shkollës: Po mirë ja po themi e ke mbaruar këtu ti. Kush është drejtori i shkollës njëherë?
Fiksi: Nuk e di
Drejtori i shkollës: Mësuesi kujdestar si e ka emrin?
Fiksi: Nuk e di as këtë.
Drejtori i shkollës: Ç’deshe ti në Lushnjë kur me banim je në Berat?
Fiksi: Tani në qoftë se , ku di unë, nëse kam ardhur gabim i marr edhe iki. Kupton? Nuk po të detyroj ta bësh
Drejtori i shkollës: Jo jo, ne po diskutojmë se më tha profesori (sekseri) dhe ne po diskutojmë kështu si miqësisht domethënë.
Fiksi: Aha ok. Se mendova…
Sekseri: Që të jesh e përgatitur ti.
Fiksi: Unë dua bëhet , nuk bëhet se nëse nuk bëhet unë dokumentet e mija nuk mund ti lë rrugëve kot.
Sekseri: Nuk është rrugëve këtu në shkollë.
Fiksi: Po mirë, gjithsesi…
Drejtori i shkollës: Unë do t’i fus tek shkolla (dokumente) do t’i fotokopjoj t’i kemë aty por, unë nuk dua nxitim. Unë dua jo nxitim. Po më nxituan…
Sekseri: Lekët nuk i ke sjell?
Fiksi: Po jo more ti, unë nuk e dija tashi , thash kur ta marr t’ja jap lekët…
Drejtori i shkollës: Pret puna e lekëve, këto 3 javë…
Fiksi: Shkëmbeni numra telefoni pastaj….
Drejtori i shkollës: Po merre numrin tim
Fiksi: Po edhe të të jap lekët o vëlla tani… 06… e
Fiksi: Ja po të bëj zile… Se tani kur ky mua nuk më jep një përgjigje si mund të sjell unë parat, ky mua të më thotë dhe unë i sjell që nesër.
Drejtori i shkollës: Goca nesër të rri rehat, pasnesër të më marrë në telefon nga ora 10 mua
Fiksi: Ok.
Drejtori i shkollës: Dhe më thuaj ç’kemi ? Si je profesor? Me shëndetin si ke kaluar? Mirë? Po tu përgjigja që jam me dhimbje koke, unë përgjigjen nuk ta jap tani, megjithatë unë do përpiqem që nesër të jap përgjigje, pasnesër të jap përgjigje, jo nesër.
Fiksi: Pasnesër nëse më thua jam mirë me shëndet unë të vij këtu.
Drejtori i shkollës: Po. Dhe kur të vish do më sjellësh 2, 3 fotografi të moshës 18 vjeç, të tuat. Si ke qenë 18 vjeç…
Fiksi: 18 vjeç?
Drejtori i shkollës fut dokumentet në dosje.
Fiksi: Mirupafshim, faleminderit