31.5 C
Tirana
E enjte, 3 Korrik, 2025

Ambasadorja e SHBA në OKB: Koreja e Veriut po kërkon luftë

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se aksionet e Koresë Veriore tregojnë se lideri i saj, Kim Jong Un, po “kërkon luftë” dhe se është koha që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të miratojë masa më të fuqishme të mundshme.
“Mjaft është mjaft. Lufta kurrë nuk është diçka që Shtetet e Bashkuara e dëshirojnë. Ne nuk na duhet ajo tash. Por, durimi i vendit tonë nuk është i pakufizuar”, tha Nikki Haley dje në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një ditë pasi Koreja Veriore e ka lançuar atë që tha se ishte bombë hidrogjenike.
Kjo seancë urgjente është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Franca, Britania dhe Koreja Jugore.
I dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha në këtë mbledhje se testet e Koresë Veriore tregojnë se, “paqja në rajon është në shkatërrim serioz”.
Por, ai theksoi se zgjidhjet ushtarake nuk mund ta zgjidhin krizën dhe shtoi se ekziston “nevojë urgjente për mbajtjen e kokës së ftohtë dhe përmbajtje nga aksionet që mund t’i përshkallëzojnë tensionet”.
Ambasadori i Kinës, Liu Jievi, përsëri ka kërkuar bisedime diplomatike për këtë krizë dhe i tha Këshillit të Sigurimit se Pekini nuk do të lejojë kaos dhe luftë në Gadishullin Korean.
Anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Japoninë dhe Francën, kanë kërkuar sanksione të reja kundër Koresë Veriore.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij në Seul ranë dakord të hënën të heqin kufizimet ndaj Koresë së Jugut për kapacitetin e raketave dhe të angazhohen për sanksione edhe më të forta në Kombet e Bashkuara kundër Koresë së Veriut.
Dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë 40 minutëshe, një ditë pasi Koreja e Veriut zhvilloi atë që thuhet se ishte provë e armës së saj të re termo-bërthamore.
Sipas një njoftimi për shtyp të zëdhënësit presidencial të Koresë së Jugut, dy udhëheqësit diskutuan në thellësi mbi masat kundër provës të gjashtë bërthamore të Koresë së Veriut.
Zyrtarët e qeverisë në Seul u thanë gazetarëve se Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in bëri gjithashtu thirrje që Kombet e Bashkuara të marrin në konsideratë mundësinë e bllokimit të dërgesave me naftë në Veri.

KESH, 2.4 milionë euro humbje në 6 muaj

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 me 328 milionë lekë (2.47 milionë euro) humbje si pasojë e rënies së të ardhurave nga prodhimi i paktë i energjisë elektrike.
KESH pati mbyllur vitin 2016 me afro 1.2 miliardë lekë fitime (rreth 9 milionë euro), fitime këto të siguruara nga prodhimi veçanërisht i lartë i energjisë elektrike për vitin e shkuar. Por reshjet veçanërisht të larta të viteve 2015 dhe 2016 u pasuan me thatësirë në vitin 2017 duke sjellë rënie të prodhimit dhe të të ardhurave.
KESH publikon të dhënat e veta financiare çdo tre muaj në faqen e vet të internetit, një praktikë që nisi vitin e kaluar me kërkesë të Bankës Botërore për më shumë transparencë nga sektori i energjisë elektrike. Kompania tjetër shtetërore OSHEE, e cila ka gjithashtu detyrim të publikojë bilancin çdo tre muaj, e ndërpreu këtë publikim në mënyrë të pashpjegueshme në shtatorin e vitit 2016, kur publikoi bilancin e nëntëmujorit të atij viti.
Problemet kryesore financiare të KESH lidhen me barrën e rëndë të kredive që kjo korporatë mori në bankat e nivelit të dytë gjatë krizës energjetike të vitit 2011, si dhe me një sasi të stërmadhe asetesh që përbëhen nga fatura të vjetra të papaguara të energjisë elektrike, të cilat u vendosën në bilanc si të ardhura të arkëtueshme në vitin 2011, pavarësisht se shanset për arkëtimin e këtyre faturave janë të vogla.
KESH akumuloi përgjatë viteve të shkuara kredi overdraft nga bankat e nivelit të dytë për një total prej gati 30 miliardë lekësh. KESH ka edhe qindra milionë euro kredi të tjera afatgjata, të cilat nuk është në gjendje t’i shlyejë për shkak se çmimi me të cilin shet energjinë elektrike te OSHEE është i ulët dhe i pamjaftueshëm për të mbuluar kostot e këtyre kredive.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri qe 3 miliardë kWh, me rënie prej 26 për qind, njoftoi INSTAT të premten. Nga këto, KESH prodhoi 2 miliardë kWh, nga 2.8 miliardë që pati prodhuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prodhimi i energjisë ka qenë i paktë këtë vit edhe nga sektori privat, i cili aktualisht përbëhet nga disa dhjetëra hidrocentrale të vegjël e të mesëm dhe që realizon një të tretën e prodhimit të energjisë elektrike në vend. Sipas INSTAT, prodhimi privat ra nga afro 1.3 miliardë kWh që qe në gjashtëmujorin e parë 2016 në 980 milionë kWh këtë vit ose 25 për qind. Rënia në praktikë është edhe më e lartë nëse marrim parasysh që këtë vit ka nisur operimin hidrocentrali privat i Banjës.

Rritet kostoja e ndërtimeve në Tiranë

Kostot e banesave erdhën në rritje edhe në tremujorin e dytë të vitit për të katërtin tremujor radhazi, teksa çmimet e banesave kanë ardhur në rënie për prill-qershor.
INSTAT raportoi dje se indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e dytë 2017 pësoi një rritje vjetore 0.8%.
Ndryshimet vjetore të indeksi i Kushtimit në Ndërtim për Banesa sipas tremujorëve grupi “shpenzime materiale”, ka shënuar rritje me 1,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasuar nga grupi “shpenzime për paga” me 2,5%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, ulja më e madhe vjetore vërehet në grupin “shpenzime transporti” me 1,5%, pasuar nga grupi “shpenzime makinerie” me 0,2%. Në tremujorin e dytë 2017 ndryshimi i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,1%.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017, rritje kanë shënuar grupet: “shpenzime për paga” me 1,1%, “shpenzime materiale” me 1,0%. Ndërsa grupet “shpenzime transporti” dhe “shpenzime për energji” nuk kanë ndryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Ndërsa çmimet e banesave thelluan më tej rënien në tremujorin e dytë sipas indeksit të Bankës së Shqipërisë. Rënia e çmimeve ishte 11% sipas matjeve të kryera në Tiranë.
Ekspertët e tregut pohojnë se çmimet e banesave po bien prej fluksit të lartë të objekteve të reja të banimit që po kryhen në Tiranë.
Dhjetëra blloqe të mëdha banimi po ndërtohen në të gjithë Tiranën duke bërë që çmimi i banesave të vihet nën presion në disa zona.
Menaxherët thanë se çmimet u ulën për shkak të fluksit të madh të ndërtimeve të reja që po bëhen në zonë. Nga pritshmëritë se tregu do të ketë një mbiofertë për ndërtime, disa prej ndërtuesve kanë ulur çmimet për banesat e përfunduara nga frika e një flluske të mundshme.
Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, ka analizuar se rritja e treguesve paraprijës të numrit dhe vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtesave për qëllime banimi.
Rritja e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit dhe kontributi pozitiv i investimeve publike sinjalizojnë për vijim të tendencës pozitive të sektorit të ndërtimit edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017. Gjithashtu, treguesi i besimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim sugjerojnë se performanca e sektorit ndërtues qëndron në kahun rritës.

Makthi bërthamor, Trump i ka kartat, por duhet t’i luajë shpejt

Harry J. Kazianis

Koreja e Veriut e bëri të qartë vendosmërinë për të avancuar me programin e armëve bërthamore, duke kryer testin e gjashtë dhe më të fuqishëm bërthamor nëntokësor, vetëm pak orë pas deklaratës se tani e ka prodhuar bombën me hidrogjen që mund të arrijë Shtetet e Bashkuara, me potencialin për të vrarë miliona.
Dyshoj në vërtetësinë e mburrjeve të Veriut se tashmë e ka Bombën H që mund të montohet në një raketë balistike interkontintale për të fshirë nga faqja e dheut qytetet amerikane apo në vende të tjera. Por ky synim i frikshëm mund të arrihet shpejt nëse Presidenti Trump nuk vepron shpejt dhe me vendosmëri.
Muajin e kaluar, në një opinion të botuar në “Fox News”, shkrova se një burim nga Pentagoni më kishte treguar që Koreja e Veriut ishte vetëm 6-18 muaj larg zhvillimit të Bombës H. Burimi më tregoi këtë fundjavë se ende e beson këtë gjë, duke shtuar se “asgjë nga ato që Koreja e Veriut bën tani nuk na bëjnë të kërcejmë vendit. Në këtë pikë, nuk përjashtoj asgjë”.
Testi i ri bërthamor i Veriut dhe pretendimet se tashmë e kanë bombën janë pjesë e të njëjtës strategji. Që diktatori Kim Jong Un të ketë besim në armët e avancuara bërthamore dhe sistemin raketor të dërgimit të tyre, ai dëshiron që t’i testojë ato, mundësisht disa herë.
Deri tani, pavarësisht atyre që na ka thënë Pheniani, Kim nuk ka testuar ndonjë gjë me forcën shkatërruese të një bombe me hidrogjen. Megjithatë, testi i së dielës ishte më i madhi që Koreja e Veriut ka kryer ndonjëherë, rreth tri herë më i fuqishëm se shpërthimi nuklear i një viti më parë dhe më i fuqishëm se bombat atomike që SHBA hodhi në Hiroshima e Nagasaki në Japoni, në Luftën II Botërore.
Koreja duhet që të zvogëlojë çdo bombë bërthamore për ta montuar mbi raketat balistike interkontinentale, gjë që kërkon më tepër kohë e do të ishte një kapërcim i madh për Kimin, si dhe duhet ta përshtatë armën e re në raketë.
Nëse ndodh pas disa muajsh apo as dy vjetësh, pak dyshime ka që Veriu po ecën drejt zotërimit të bombës më të fuqishme në planet dhe sistemit për ta çuar në shumë pjesë të botës, përfshirë Amerikën. Do ta kundërshtoja që Koreja e Veriut ka mundësi të godasë Shtetet e Bashkuara me raketë bërthamore – tani.
Kështu që është çështje urgjente e sigurisë kombëtare për Presidentin Trump dhe administratën e tij që të veprojnë për të ndaluar kapacitetet nukleare dhe raketore që Kim tashmë i ka.
Si hap i parë, duhet të sigurohemi për kufizimin e burimeve financiare të Koresë së Veriut për ta bërë sa më të vështirë realizimin e programit bërthamor.
Qëllimi i këtij veprimi të ri – ashtu si sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së pak javë më parë – duhet të limitojnë sasinë e parave që hyjnë në Korenë e Veriut, duke ndihmuar financimin e programit bërthamor.
Presidenti Trump duhet të veprojë në mënyrë të njëanshme, duke thënë me emër, kritikuar e sanksionuar çdo biznes, organizatë e qeveri që ndihmon në pastrimin e parave për Korenë e Veriut ose ndihmon këtë vend që të kapërcejë sanksionet e vjetra e të reja. Shuma e parave të pastruara që hyn në Korenë e Veriut shkon në miliarda dollarë në vit.
Kjo fushatë kundër pastrimit të parave do të dëmtojë pa dyshim Kinën dhe bankat e saj në SHBA, por është një hap i nevojshëm për t’u siguruar që Pekini dhe Pheniani të kuptojnë se shkelja e sanksioneve të vendosura nga OKB, SHBA dhe vende të tjera individualisht nuk do të tolerohet më.
Së dyti, duhet të rritim në mënyrë të konsiderueshme praninë ushtarake në rajonin Azi-Paqësor. Presidenti Trump duhet të mbajë premtimin e Presidentit Obama dhe të bëjë një kthesë apo ribalancim të vërtetë të Azisë. Kjo do ta bënte Azinë prioritetin tonë kryesor për sigurinë kombëtare pas mbrojtjes së territorit tonë, pavarësisht se cila do të jetë kriza ndërkombëtare e ditës.
Kjo do të thotë që të kemi 70 për qind të aseteve navale amerikane në Paqësor, në vend të 60 për qind që kemi tani. Këto asete të reja duhet të jenë një përzierje nëndetësesh sulmi dhe raketash të telekomanduara, si dhe destrojerë AEGIS për mbrojtjen nga sulmet me raketa të Koresë së Veriut.
Së treti, bazat tokësore të mbrojtjes anti-raketë në Azinë Lindore duhet të rriten dramatikisht, njësoj si në shtëpi. Duhet punuar shpejt me Japoninë për vendosjen e baterive PAC-3 shtesë, si dhe për instalimin e sistemeve të mbrojtjes anti-raketë THAAD.
Uashingtoni duhet të punojë për të zgjeruar me shpejtësi numrin e interceptuesve tokësorë që janë të nevojshëm për mbrojtjen nga sulmet me raketa balistitike interkontinentale nga Koreja e Veriut.
Para gjithë këtyre, Presidenti Trump duhet të bëjë të qartë se kjo është politika e Shteteve të Bashkuara, se ne nuk do të pranojmë kurrë në Kore të Veriut bombë bërthamore dhe se të gjitha opsionet e tjera janë e do të mbeten gjithmonë mbi tryezë.
Ndërsa Uashingtoni nuk do të nisë një luftë me Phenianin, Kim duhet ta dijë se ne do t’i përgjigjemi çdo sulmi ushtarak koreano-verior me forcë të ashpër vdekjeprurëse. Dhe nëse Kim nis ndonjë sulm bërthamor, Presidenti Trump duhet t’i bëjë të qartë se mistreci bullafiq i Phenianit do të nënshkruante me dorën e tij dënimin me vdekje për vete dhe për vendin e tij.
Sot po paguajmë çmimin e akumuluar që nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur një sfide për sigurinë kombëtare që duhej të kishte qenë e para për çdo qeveri amerikane në dekada.
Dhe ndërsa mund të mos kemi një plan perfekt për të zvogëluar rrezikun që vjen nga Koreja e Veriut, pa diskutim që kemi shumë opsione të forta që mund të mbajnë të sigurt vendin tonë dhe aleatët.

*Harry J. Kazianis është drejtor i Studimeve për Mbrojtjen në Qendrën për Interesin Kombëtar, themeluar nga Presidenti Richard Nixon

Rroftë Skënderbeu ynë Kryeministër

Arian GALDINI

Nuk ka zgjedhje…Sapo janë kryer. Njëri Skënderbe ka fituar dhe nuk mbulohet dot më as me tepsi e as me ‘led’.
Ky Skënderbeu që fitoi si Timonier i Madh, nuk ka kalë e kësisoj nuk ka as frerë. Nën lumturinë e fitores dhe me llogarinë e turizmit kryeministror për 4 vitet e ardhshme, Skënderbeu ynë fitues, vendosi ta shpallë vitin 2018 si vitin e Skënderbeut që ka vdekur në 17 janarin e 1468.
Skënderbeu i vdekur, nuk ka as parti, as ojf, as gazetë apo TV që të punojnë për të. Ai as konkuron për zgjedhje, as edhe si kandidat i pavarur. Nuk paraqet asnjë rrezikshmëri.
Por është i vdekuri i përsosur, sepse është hero. Heronjtë janë të përsosur gjithmonë vetëm kur janë të vdekur. Po qenë të gjallë heronjtë janë padyshim Armiq, madje Armiq nga ata të urryeshmit, të papërtypshmit fare.
Si të vdekur, heronjtë janë mrekullia vetë. Sepse si të vdekur, janë heronj që mund të të shërbejnë gjithsesi, në çdo rast.
Si të vdekur, ti heronjtë mund t’i shpallësh armiq dhe duke qenë se ata nuk ka kush t’i mbrojë, mund t’i emërosh t’i edhe sharësit edhe mbrojtësit e heroit, e kësisoj të përfitosh nga të dyja palët.
Ja psh, prej ditës së Kurban Bajramit e deri sot, është ndezur një debat, rreth Skënderbeut dhe mbulimit të tij.
Heroi i vdekur nuk ka bërë ankesë. Nuk ka bërë as status në Facebook, e as ka porositur analistët që e ç’të shkruajnë. Madje Skënderbeu i vdekur, as i ka parë fare as mbulojën me led e as portalet dhe ndërkalljet tona në Facebook.
I vetmi Skënderbe që ka ushtri fotografësh, kontroll mbi portale a kazanë mediatikë, analistë të mirëpaguar, e militantë të zellshëm që me porosi a ndjeshmëri partie, kapin ritmin e debatit të rradhës në media e Facebook, sipas planit e dëshirës së udhëheqjes, është Skënderbeu ynë fitues i zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.
Skënderbeu i vdekur është me Zotin prej 550 vitesh tashmë.
Skënderbeu i vdekur nuk ka as Twitter.
Kam përshtypjen, se në të njëjtën pozitë është edhe vetë Krijuesi ynë i gjithëpushtetshëm dhe i madhërishëm.
Zoti ynë atje lart në qiell, nuk pi kafe as u dërgon sms apo Whatsapp analistëve që të ndezin debatin e ditës, duke bërë shërbesën e rradhës për pagesën e majme.
Zoti nuk paguan rroga. Zoti nuk fyhet e as lëndohet prej nesh, sepse Ai është vetë Krijuesi ynë. Ai mund të na fshijë nga faqja e dheut me një lëvizje të gishtit. Ai vetëm na vë në sprovë, për të na dhënë në fund Gjykimin Final kur të shkojmë para Tij.
Kësisoj si mbrojtësit e besimit në Zot, si sharësit e Skënderbeut, si mbrojtësit e Skënderbeut ashtu edhe sharësit e besimit në Zot, nuk po i bëjnë këto shërbesa as për Zotin në qiell, e as për Skënderbeun e vdekur.
Dikush tjetër po bën llogaritë dhe ekonominë e përfitimit nga këto shërbesa të porositura e të nxitura.
Me shumë gjasa, i vetmi Zot e Skënderbe mes nesh që nuk është në qiell, por në Kryeministri, është Skënderbeu ynë fitues i zgjedhjeve të 25 qershorit.
Ai do ta ketë mirë edhe me Merkelin edhe me Erdoganin, edhe me Vatikanin edhe me Ankaranë, edhe me myslimanët edhe me katolikët e ortodoksët, edhe me Vuçiçin edhe me Albinin edhe me Serbinë edhe me Ramushin.
E ku ka më bukur sesa të përdorësh Heroin e vdekur, që në fakt është Kryeheroi i Kombit, për të përfituar nga të gjithë, sepse të gjitha pro-të dhe kundra-t i porosit, paguan dhe administron ti.
Andaj, ftesa ime për të gjithë ndërdebatuesit e paporositur dhe të papaguar, por që janë përfshirë në këtë debat me dlirësi dhe ndershmëri, është që të ruajnë qetësinë.
Çfarë e nis Muç Nano dhe i mban iso ndonjë Imam me emrin Armand, të jeni të sigurtë se e kontrollon vetëm një Komandant…
Lërini analistët dhe militantët e paguar dhe porositur që të bëjnë shërbesën e tyre për Komandantin Legjendar me Tëitter.
Sepse këta edhe kur shkruajnë pro a kundër Skënderbeut, edhe kur shkruajnë pro a kundër besimtarëve në Zot, në fakt nënkuptojnë veç një frazë.
Ata të gjithë thonë njëzëri: Rroftë Skënderbeu ynë Kryeministër.

INSTAT: 90% e punonjësve të pakënaqur me pagat

INSTAT për herë të parë realizoi gjatë vitit 2016, Anketën e Kënaqësisë së Punonjësve. Burimet zyrtare të institucionit pohuan se, kjo anketë pati si objektiv kryesor analizimin e qëndrimeve dhe perceptimeve të stafit të INSTAT, si dhe identifikimin e çështjeve, të cilat kërkojnë vëmendje për t’u zgjidhur në vitet në vazhdim.
Cilësia e statistikave zyrtare të prodhuara apo kënaqësia e përdoruesve të INSTAT, lidhet drejtpërdrejtë me motivimin dhe profesionalizmin e punonjësve. Punonjësit e INSTAT kanë shprehur vlerësim pozitiv për punën që kryejnë, por pothuajse të gjithë punonjësit, rreth 90,65% mendojnë se paga e tyre nuk është e përshtatshme për punën që ata realizojnë.
Niveli i kënaqësisë së punonjësve në INSTAT është mesatarisht rreth 3,53 ose i shprehur në përqindje rreth 70,6%. Ky indikator është matur në shkallën nga 1 deri në 5.
Niveli i kënaqësisë së punonjësve sipas grupmoshës është më i lartë për punonjësit mbi 50 vjeç, ndërsa punonjësit nga 30-49 vjeç janë punonjësit më të pakënaqur. Punonjësit e INSTAT janë më të kënaqur lidhur me marrëdhëniet me eprorët, natyrën e punës, si dhe perceptimin e imazhit.
Në fund të vitit 2016, INSTAT kishte 199 punonjës në total ndaj 216 pozicioneve të strukturës. Ndër ta, 161 janë punonjës civilë nga të cilët 5 në periudhë prove dhe 156 punonjës me status të nëpunësit civil. Stafi i INSTAT-it përbëhet kryesisht nga gjinia femërore. Megjithë ndryshimet që solli struktura organizative e vitit 2015, përqindja e vendit që zënë femrat është 72% kundrejt meshkujve me 28%.
Modeli për krijimin e indikatorit të nivelit të kënaqësisë së punonjësve është ndërtuar sipas AmericanCustomerSatisfactionIndex (ACSI) dhe mori në konsideratë këto faktorë: Ambientet e punës, natyrën e punës, marrëdhënien me koleget, marrëdhënien me eprorët, informimin mbi ngjarjet e ndryshme, perceptimin e imazhit. Avantazhi i përdorimit të ACSI është se ky model është i përshtatur për të matur nivelin e kënaqësisë në sektorin publik. Shkalla e përgjigjes, e llogaritur si raport i numrit të punonjësve që kanë plotësuar anketën ndaj numrit të punonjësve që ka aktualisht INSTAT, shprehur në përqindje rezultoi 86,3 për qind.

Qeveria në “zonën gri të legjitimitetit” me projektin për 4 rajonet e zhvillimit

Lindita ÇELA

Në vigjiljen e shpalljes së emrave të ministrave të rinj, qeveria “Rama 2” prezantoi edhe ambicien për një reformë institucionale të ndarë në 4 rajone të mëdha, që sipas ish-zv.kryeministrit Niko Peleshi udhëhiqet nga filozofia “të bëjmë më shumë me më pak”.
Projekti i prezantuar më 27 gusht në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste parashikon grupimin e institucioneve kryesore shtetërore në katër rajone dhe shkurtimin drastik të punonjësve të administratës publike.
Peleshi, i cili mban postin e ministrit të Bujqësisë në qeverinë e re deklaroi se, Shqipëria ka aktualisht një numër shumë të madh të institucioneve të varësisë, rreth 500 agjenci dhe institucione të ndryshme, një pjesë e mirë e të cilave me funksione të dublikuara.
Duke iu referuar një studimi të bërë nga disa ministra, Peleshi propozoi grupimin e institucioneve kyçe në 4 rajone- katër agjenci të shëndetit publik, 4 agjenci të sigurimit të cilësisë në arsim, si dhe po kaq për mjedisin dhe shërbimin social.
Peleshi deklaroi gjithashtu se, aktualisht ka 12 institucione që lëshojnë dokumente të pronësisë dhe propozoi një shkrirje të mundshme mes ALUIZNI-t dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ide të ngjashme koncentrimi janë hedhur për konsumim publik edhe për Thesarin e Shtetit apo një bashkim të mundshëm të Tatimeve me Doganat.
Projekti i prezantuar është në linjën e premtimit kyç të Partisë Socialiste gjatë fushatës së fundit elektorale për një reformë të thellë të administratës publike, por mbivendosja e saj me ndarjen aktuale territoriale të Shqipërisë ka ngritur dyshime dhe pikëpyetje mes ekspertëve të fushës.
Ekspertët e qeverisjes së pushtetit vendor, të cilët “BIRN” i intervistoi, e shohin me skepticizëm ndryshimin e propozuar nga qeveria dhe paralelisht me procesin politik, kërkojnë që të hapet një proces i gjerë konsultimesh- i cili sipas tyre duhet t’i tejkalojë kufijtë e Partisë Socialiste.
Fatlum Nurja, ekspert i decentralizimit dhe i qeverisjes vendore në projektet e USAID i tha “BIRN” se, prezantimi i reformës institucionale ngre shumë pikëpyetje.
“Besoj se nisma e qeverisë për krijimin e 4 rajoneve ka nevojë për një proces diskutimi mes aktorëve dhe unë nuk besoj se aktualisht qeveria ka studime gati për këtë proces”, tha Nurja për “BIRN”.
“Sa kohë që ky diskutim bëhet brenda Partisë Socialiste është problem i tyre politik, por kur të dalë prej saj, ky diskurs ka nevojë për të përfshirë ekspertizën e pavarur në konsultime”, shtoi ai.
Besnik Aliaj, rektor i Universitetit Polis dhe ish-koordinator i Politikave të Territorit në PD i tha “BIRN” se, e mbështet idenë e ndarjes në rajone, ndonëse shprehet i paqartë mbi mënyrën se si qeveria po hyn në këtë proces. Ai e sheh gjithashtu të domosdoshëm hapjen e një debati publik mbi këtë çështje, ndërsa i tha “BIRN” se, me këtë projekt “e sheh qeverinë në zonën gri të legjitimitetit”.
“Është shumë e këshillueshme që përtej procesit politik që ka nisur mazhoranca e re, e cila është në të drejtën e saj ta marrë këtë reformë, …të hapet një proces konsultimi”, tha Aliaj për “BIRN”.
“Çështja është nëse qeveria do të marrë vendime, sepse ka bindjen dhe kërkon të ketë suksesin e saj absolut personal në këtë histori apo do të kemi një zgjidhje që mundohet të minimizojë rreziqet duke gjeneruar një debat, i cili synon të marrë ide plotësuese, analiza më të ftohta në mënyrë që të marrë një vendim, i cili do të jetë përcaktues për të ardhmen e vendit”, shtoi Aliaj.

“Truku” me territorin

Ndarja e territorit të Shqipërisë në 4 rajone zhvillimi, sa i përket grupimit të institucioneve kryesore ka ngritur pikëpyetje edhe për ligjshmërinë e kësaj nisme, ndonëse ekspertët i thanë “BIRN” se projekti i propozuar ka anashkaluar me “zgjuarsi” parashikimet kushtetuese.
Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligji “Për ndarjen administrativo-territoriale” e ndan territorin në 12 qarqe dhe 61 bashki.
Kryeministri Rama, në një bashkëbisedim të fundit me gazetarët e bëri të qartë se nuk ka konsensusin e opozitës për të ndryshuar ndarjen territoriale- ç’ka do të kërkonte 3/5 e votave, por e shtyu më tej idenë e krijimit të 4 rajoneve të mëdha të zhvillimit.
“Ne do të vazhdojmë të forcojmë idenë e rajoneve të zhvillimit, pra jo si rajone në kuptimin administrativ kufitar, por si rajone në kuptimin e zhvillimit. Kemi ndarë faktikisht katër zona zhvillimore dhe në bazë të atyre zonave zhvillimore do të përcaktojmë pastaj edhe vendndodhjen e këtyre agjencive rajonale, të arsimit, të shëndetit, të mjedisit e kështu me radhë”, shpjegoi Rama.
Por ekspertët e intervistuar nga “BIRN” theksojnë se, reforma e propozuar institucionale mund të krijojë mbivendosje kompetencash me pushtetin vendor dhe se qeveria nuk duhet të anashkalojë gjetjen e një fryme mirëkuptimi me opozitën.
Aliaj i tha “BIRN” se nëse qeveria do të vendoste të ndryshonte numrin e qarqeve, atëherë do t’i duheshin 3/5 e votave në Parlament, por sipas tij ajo ka zgjedhur “me zgjuarsi” të mos ndjekë këtë rrugë.
Vetë Aliaj mendon se qarqet janë aktualisht struktura parazitare që duhen shkrirë, por sipas tij, propozimi në formën që është bërë nuk kërkon ndryshime kushtetuese. Megjithatë, ai sheh me dyshim përpjekjet e qeverisë për vendimmarrje absolute në këtë objektiv.
“Këtu është çështja e më të mirës për vendin dhe më e mira për vendin kërkon që kjo nismë politike, që ende nuk mund ta quajmë të mirë apo të keqe, është një vizion që duhet diskutuar me ekspertët, me institucionet, grupet e specializuara dhe kërkon gjetjen e frymës së mirëkuptimit me opozitën”, tha Aliaj.
Ndërsa Fatlum Nurja i tha “BIRN” se, ndonëse ndryshimet e propozuara nuk bien ndesh me Kushtetutën, ato sërish kërkojnë akte ligjore, të cilat duhet të miratohen në Parlament. Ai theksoi gjithashtu se propozimet duhet të kalojnë përmes Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Vendore- një strukturë e ngritur në janar 2017 me anëtarë të pushtetit vendor dhe atij qendror.
“Nëse ti nuk e përcakton se ku fillon kufiri i njërit dhe ku mbarojnë kompetencat e një institucioni tjetër, ti ke krijuar konfuzion ligjor dhe mbivendosje kompetencash. Ne nuk vuajmë për ligje apo dhe struktura, problemi është tek zbatueshmëria e tyre”, shpjegoi Nurja.
Ekspertët pohojnë se ka nevojë për më shumë informacion për të gjykuar mbi nismën e re të qeverisë “Rama”, ndërsa theksojnë se ajo mbart edhe një sërë rreziqesh.
“Më le të kuptoj që kjo rrugë e zgjedhur rrezikon që të na garantojë një qeverisje më të mirë të pushtetit vendor. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë saktë. Është e njëanshme! Mund të jetë e saktë, por nuk ka asnjë garanci për këtë”, argumenton Aliaj.
Ndërsa Fatlum Nurja ngre dyshime se reforma institucionale mundet të jetë gjendur si “një formë ligjore” për shkutime në administratë.
“Kjo mund të jetë një nga objektivat e fshehta të riformatimit të administratës”, tha ai për “BIRN”.

16.2% e rinisë e droguar, për kokainën lëmë pas SHBA

Nga Ledina LOGA

Nuk ishte aspak e vështirë të identifikoje që nga larg Repartin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku në dyert e klinikës ishin përplasur të gjithë përdoruesit e heroinës. Metadoni në qendrën jo-fitimprurëse “Aksion Plus” kanë përfunduar prej ditësh, ndërsa sasia që duhet të vinte që në qershor po vonon, duke lënë në mëshirë të fatit këtë komunitet, që është i varur nga medikamenti qetësues, duke bërë që t’i drejtohen Repartit të Toksikologjisë në QSUT.
Pacientët kishin filluar të shfaqnin shenjat klinike të mungesës së metadonit, substancë që mban larg heroinës përdoruesit e varur. Toksikologjia në Tiranë, repart që nuk ka më shumë se 20 shtretër, trajton vetëm pacientët, që vijnë në gjendje akute.
Në mesin e tyre qëndronte një vajzë e re, nënë e tre fëmijëve, e cila kërkonte dozën e përditshme të metadonit, ndryshe nuk kujdesej dot për fëmijën, që kishte të shtruar në spital. Te vajza kishte filluar që të shfaqej sindroma e abstinencës. Ashtu me padurim, ajo hyn në zyrën e doktor Alert Drishtit, duke na ndërprerë bisedën dhe si për të konfirmuar pohimet e doktorit lidhur me rritjen e përdoruesve të narkotikëve vitin e fundit.
Drishti, doktor në Repartin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tregon se në ditë të tilla, kur ilaçi mungon, bëhet i vështirë menaxhimi i përdoruesve. Në mungesë të ilaçit, ata i rikthehen drogës. Për sa i përket tendencës së rasteve që paraqiten në QSUT, doktor Drishti thotë se, ka një rritje të lartë të numrit të përdoruesve të kokainës dhe shton se përgjithësisht motivi që përplas përdoruesit tek ndihma e specializuar është ai ekonomik. “Vijnë kur nuk përballojnë dot më ekonomikisht që të blejnë drogë”, shton doktori.
Në të gjithë Shqipërinë numri i personave që marrin trajtim për varësinë nga drogat është 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina, sipas të dhënave nga “Aksion Plus”. Ndërsa drejtuesit e OJF-së tregojnë se trendi i përdoruesve ka qenë në rritje.
Një gram heroinë kushton në tregun e paligjshëm nga 3 deri në 5 mijë lekë. Ndërsa metadoni shpërndahet falas nga OJF-të. Deri para pak kohësh sasia e metadonit sigurohej me fondet që jepte GlobalFund, por duke qenë se Shqipëria nuk është më në listën e vendeve të varfëra, ky fond është ndërprerë.
Genci Muçollari, drejtues i “Aksion Plus”, thotë se për të plotësuar nevojën me metadon kërkohet një buxhet vjetor prej 30-45 mijë euro. Sasia e metadonit, që merr çdo shtet përcaktohet nga Komisioni Europian.

Alarmi: Në rritje përdoruesit e kokainës jo cilësore

Doktor Alert Drishti tregon për “Monitor” se, trendi i rritjes së përdoruesve të kokainës është i dukshëm në Klinikën e Toksikologjisë. Kjo tendencë konfirmohet dhe nga të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, të bërë të ditura pas kërkesës për informacion nga “Monitor”. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se, për periudhën 2011-2015 ka pasur një rritje në përqindje të prevelancës gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale, nga 13.3 për qind në 15.3 për qind për grup moshën 14-65 vjeç. Shifrat tregojnë se rritjen më të lartë e kanë pasur përdoruesit e heroinës me 2.4 herë, ku prevalenca gjatë jetës është rritur nga 0.7 për qind në 1.7 për qind. Kokaina është droga e dytë që ka pasur rritje të lartë të prevalencës me 2.3 herë nga 2011 ku prevalenca ishte 1.6 për qind në 3.7 për qind në 2015-ën.
Prevalenca gjatë jetës e kanabisit në 2015-ën përllogaritej 6.6 për qind, ndërsa në 2011-ën prevalenca e përdorimit gjatë jetës ishte 4.4 për qind.
Rritje të prevalencës ka pasur edhe grupi i inhalaneteve, të cilat janë përzierje e drogave të jashtëligjshme që merren me anë të tymosjes.
Në “Raportin Vjetor Global të Drogave” për vitin 2017, publikuar në 23 qershor nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Në kapitullin “Analiza e tregut të drogave sintetike-stimulantët e tipit amfetaminë, substancat e reja psikoaktive”, kur flitet për përdorimin e substancave të reja psikoaktive, raportohet se djemtë shqiptarë, më shumë se vajzat kanë raportuar përdorimin e tyre.
Shqipëria rezulton si vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, sipas një harte interaktive po të UNODC. Në hartën, prevalenca vjetore e përdorimit për Shqipërinë ishte 2.5%, për të dhënat që i referohen vitit 2014 dhe për grupmoshat nga 15.64 vjeç (të dhënat janë marrë nga ISHP dhe janë bërë të krahasueshme me shtetet e tjera). Kjo është më e larta nga të gjitha shtetet që raportohen nga UNODC.
Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%.
Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%.

Pse po rritet përdorimi

Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve.
Para gati 1-2 vitesh pati një trend në rritje të personave përdorues të hashashit që kërkonin ndihmë të specializuar në qendrën tonë. “Përdoruesit e hashashit vijnë me dëmtime të karakterit psikiatrik, kanë simptoma të të gjitha sëmundjeve që njeh psikiatria”, shpjegon Drishti.
Duhet thënë se, hapi i parë për të gjithë përdoruesit është hashashi. Nuk bën dot hapin e dytë pa bërë të parin, shton doktor Drishti. Ndërkohë, që sipas regjistrave në spital, ai thotë se ka një numër në rritje të përdoruesve të kokainës, veçanërisht përdoruesit e tipit eksperimental.
Problemi më i madh sipas doktorit është se kokaina, që po përdoret, ka më shumë përmbajtje të përzierësve se sa të drogës.
“Shenjat klinike na tregojnë që nuk kemi të bëjmë me kokainë. E përziejnë me nga më të ndryshmet”, tregon dr. Drishti. Disa prej shenjave më të shpeshta që hasen te pacientët që drejtohen tek ne janë haluçinacionet, takikardia dhe ndjenja e frikës që po vdesim.
Fakti se, Shqipëria krahasuar me rajonin ka çmimet më të ulëta lidhet drejtpërsëdrejti me cilësinë, e cila është shumë herë më e keqe se rajoni, sipas dr.Drishtit. 1 gram kokainë blihet tek trafikantët nga 6 deri në 18 mijë lekë.
Sipas informacioneve jo zyrtare nga Mjekësia Ligjore, e cila analizon sasitë e kapura, në pjesën më të madhe të rasteve, kokaina përbën vetëm 5% të sasisë, pjesa tjetër është përzierës. Këtë sasi konsumatori e blen për kokainë.
Problem për doktor Drishtin është edhe përcaktimi i rritjes reale të përdoruesve. Përdoruesit që drejtohen drejt shërbimit profesional janë vetëm maja e ajsbergut.
Është përllogaritur se 1 në 10 përdorues i drejtohet shërbimit të specializuar. Pra, nëse për shërbim të specializuar vetëm në 2016-ën përllogariteshin 719 përdorues heroine, numri real është afërsisht 7 mijë përdorues.
Megjithatë sipas psikologut të qendrës “Aksion Plus”, Erlind Plaku, nuk është domosdoshmërisht e thënë që kush konsumon kanabis dhe kokainë të kalojë te përdorimi i drogave me injektim. Por duhet pasur parasysh se, përdoruesit e kanabisit dhe kokainës në përgjithësi nuk kërkojnë ndihmë, siç ndodh me përdoruesit e heroinës, të cilët kanë varësi më të madhe fizike.
Kryesisht të rinjtë e fillojnë eksperimentimin me drogat për të kërkuar kënaqësi, pa menduar se do të bëhen të varur, tha Erlind Plaku. Shumë e bëjnë për të qenë pjesë e shoqërisë; të tjerë janë kuriozë për efektet; të tjerë për t’iu shmangur punëve stresuese.
Ndërkohë që shtoi se të gjithë mund të bien preh e varësisë nga droga.

Të rinjtë pjesa më e rrezikuar

Çdo fundjavë në Tiranë, paralel me jetën e natës, vihet në lëvizje tregu i jashtëligjshëm i drogave, ku përdorimi i tyre është bërë i zakontë dhe ku grupi më i rrezikuar janë të rinjtë.
Sipas të dhënave nga sondazhi i fundit i Institutit të Shëndetit Publik 11.7% e grup moshës 15 deri në 34 vjeç kanë provuar të paktën një herë në jetë kanabis dhe 4.7% kokainën.
Të dhënat janë akoma dhe më shqetësuese për të rinjtë, që kanë raportuar përdorim të kanabisit dhe kokainës të paktën një herë në muaj. Shëndeti Publik ka raportuar se prevalenca e përdoruesve, të cilët kishin provuar kanabis në muajin e fundit është 4.1%, ndërsa e kokainës 1.4%.
Statistikat tregojnë se përqindja e madhe e personave që janë në trajtim me metadon (substancë që përdoret për trajtimin e varësisë nga heroina), drogën e parë të eksperimentit kanë pasur hashashin dhe më pas kanë kaluar në përdorimin e drogave të tjera më të rënda si kokaina dhe heroina.
Ervin Toçi, ekspert në Institutin e Shëndetit Publik dhe koordinator për Shqipërinë në Qendrën Europiane për Monitorim e Drogave dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA) thotë se, grupi më i brishtë për përdorimin e drogave të jashtëligjshme është grupmosha 15-34 vjeç.
Ndërsa sipas gjinisë dhe vendbanimit, meshkujt janë më të predispozuar se femrat dhe të rinjtë që jetojnë në qytet, më shumë se sa të rinjtë që jetojnë në fshat.
Sipas zotit Toçi pritet një trend në rritje i përdoruesve, duke parë edhe tendencën në Europë. Për të parë këtë do të bëhet anketa e familjeve (general population survey) në 2018-2019, e cila realizohet në mënyrë periodike, por që nuk dihet akoma nëse do të sigurohet fondi. Në 2014-ën, ai u bë me fondet që dha EMCDDA.
Duke qenë se Shqipëria është vend prodhues dhe vend tranzit për kalimin e kokainës është një ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e përdoruesve, shton zoti Toçi.

Paradoksi, ulet përdorimi i duhanit dhe alkoolit, rritet i drogave

Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, nga 2011 në 2015 ka pasur një rënie të personave që kanë deklaruar pirjen e duhanit dhe konsumin e alkoolit. Kjo sipas Ervin Toçit nga Instituti i Shëndetit Publik ka ardhur si rezultat i fushatave agresive kundër përdorimit të tyre, si dhe ligjit anti-duhan, që ndalonte konsumin e këtij të fundit në ambientet publike.
Sipas të dhënave të krahasueshme midis viteve 2011 dhe 2015 nga IShP, për prevalencën e duhanit gjatë jetës ka shënuar një rënie nga 39.7 në 34.9. Nëse në 2011 në 100 individë, 40 raportonin se kishin pirë të paktën një herë në jetë duhan, ky numër në 2015-ën është 35.
E njëjta situatë është edhe me prevalencën gjatë jetës për alkoolin, ku përqindja e popullatës 14-65 vjeç ka rënë nga 72.4% në 2011 në 65.7% në 2015.
E kundërta ka ndodhur me përdorimin e drogave, ku për të njëjtën periudhë përdoruesit e kanabisit janë rritur me 1.5 herë, përdoruesit e kokainës janë rritur me më shumë se 2 herë dhe po aq janë rritur edhe përdoruesit e heroinës.
Sipas zotit Toçi shqetësues është fakti se nga anketat nëpër shkolla, të cilat bëhen çdo vit, nxënësit raportojnë në rritje për hyrjen e drogave të reja, shumë të rrezikshme.

Kostot ekonomike të varësisë nga droga

Sipas statistikave të vitit 2016, më shumë se gjysma e personave që kanë marrë trajtim në organizatën “Aksion Plus” janë të papunë, ndërsa gati 20% e tyre kanë deklaruar se punojnë në punë të rastësishme dhe me kohë të pjesshme.
Edhe pse mbi gjysma e tyre raporton se janë të papunë, mbi 63% e përdoruesve që kanë kërkuar trajtim për t’u larguar nga varësia kanë një diplomë të arsimit të mesëm dhe të lartë. Sipas psikologut Erlind Plaku është i rëndësishëm trajtimi i vazhdueshëm i tyre.
Personat e varur nga droga, duke qenë përdorues aktiv, janë të ekspozuar në rrugë me shitësit e drogës; ndaj injektimit të vazhdueshëm, rrezikut për t’u infektuar me HIV/AIDS dhe Hepatite, si dhe kërkesës për të gjetur para për të blerë drogën, dhe rrezikut për t’u përfshirë në sjellje kriminale.
Edhe sipas Genci Muçollarit, drejtuesi i qendrës “Aksion Plus”, në rast se nuk do të ofroheshin trajtimet falas me metadon do të rritej numri i krimeve.
Kosto për trajtimin e të varurve nga heroina për një person përllogaritet të jetë 1 euro në ditë, ndërsa kostot e mos trajtimit të tyre variojnë nga 15-20 euro, po në ditë. Nga të dhënat e qendrës “Aksion Plus” për trajtim të përditshëm kanë nevojë rreth 500 individë, prej të cilëve 220 në qytetin e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër në rrethe.

Sa më shumë zënë, aq më shumë përhapet
Shqipëria konsiderohet si një vend prodhues i kanabisit, ndërsa destinacioni kryesor janë vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor dhe në BE. Drogat që vijnë nga bima e kanabisit janë ndër drogat më të zakonshme të kapura në Shqipëri. Nga 2012-ta, sekuestrimi i kanabisit dhe shkatërrimi i plantacioneve ka qenë në rritje.
Duke qenë pjesë e korridorit jugor të rrugës ballkanike, Shqipëria është një vend tranzit për trafikimin e heroinës. Rrugët kryesore të përdorura janë Turqia-Bullgaria-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Shqipëria dhe Turqia-Bullgaria-ish Republika Jugosllave e Maqedonisë-Kosova-Shqipëri.
Sipas të dhënave në Raportin e Kombeve të Bashkuara, të cilët grumbullojnë të dhëna nga vendet anëtare, numri i sasisë së zënë nga policia është trefishuar në vitin 2014 (të dhënat e fundit të disponueshme).
Krahasuar me rajonin, Shqipëria ka raportuar sasitë më të larta të drogës së konfiskuar nga policia. Sasia e zënë e kokainës është trefishuar nga 2010 dhe është e para në rajon për sasitë e kapura. Mesatarja e rajonit për vitin 2014 (vit për të cilin disponohen të dhëna të krahasueshme) për kokainën e konfiskuar ishte 3.5 kilogramë, ndërsa sasia e zënë për Shqipërinë ishte 10 kilogramë.
E njëjta situata edhe për kanabisin. Sasia e konfiskuar e kanabisit ka pësuar një rritje eksponenciale në vitet e fundit. Për çdo një kilogramë kanabis të konfiskuar në Bosnjë gjatë 2014-ës, në Shqipëri konfiskohej 310 kilogramë.

Skadon Strategjia Kombëtare e Drogës

Sipas ekspertëve duhet punuar më shumë në ndalimin e këtij fenomeni, duke investuar veçanërisht në fushatat e ndërgjegjësimit të grupeve të rrezikuar dhe duke rritur projektet në shkolla në komunitet. Kostot, si ato të trajtimit edhe kostot oportune, si rënia e produktivitetit në punë, rritja e kriminalitetit, financimi i trafikut të drogës, etj., janë shumë herë më të larta.
Për ndalimin e këtij fenomeni qeveria shqiptare hartoi strategjinë Kombëtare të Drogës, e cila do të shtrihej në periudhën 2012-2016.
“Strategjia Kombëtare e Drogës, e cila kishte si prioritet ndalimin e përdorimit të drogave dhe rritjen e ndërgjegjësimit nëpërmjet mediave, zbatimin e programeve shkollore dhe rritjen e aktiviteteve për parandalimin në komunitet, e mbaroi funksionin e saj në 2016-ën. Ndërkohë po punohet për hartimin e strategjisë së re që do të shtrihet në katër vitet në vazhdim, por që ende nuk është publikuar”, thotë Ervin Toçi.
Strategjia Kombëtare e Drogës (2012-2016) bazohet në katër shtylla kryesore: në koordinimin e strategjisë, pakësimin e ofertës, pakësimin e kërkesës dhe reduktimin e dëmeve.
Aktualisht nuk ka asnjë projekt apo strategji për menaxhimin e situatës me përdoruesit e drogave, tregun e jashtëligjshëm dhe ndalimin si të kërkesës për drogë ashtu edhe të ofertës, megjithëse qeveria ka njohur në strategjinë e mëparshme rëndësinë e kësaj çështjeje.

“Monitor”

SHBA: Reagim masiv dërrmues ndaj Koresë

Defense Secretary Jim Mattis, left, accompanied by Joint Chiefs Chairman Gen. Joseph Dunford, right, speaks to members of the media outside the West Wing of the White House in Washington, Sunday, Sept. 3, 2017, regarding the escalating crisis in North Korea's nuclear threats. (AP Photo/Pablo Martinez Monsivais)

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se çdo kërcënim i Koresë së Veriut ndaj Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj do të përballet me një “reagim masiv ushtarak … efektiv dhe dërrmues”.
Sekretari Mattis foli jashtë Shtëpisë së Bardhë pasi ai dhe këshilltarë të tjerë të lartë u takuan me Presidentin Donald Trump, pas provës së një bombe me hidrogjen që kreu të dielën Koreja e Veriut.
Mattis tha se, Shtetet e Bashkuara kanë shumë mundësi në tryezë, përfshirë dhe veprimet ushtarake dhe Presidenti dëshironte të dëgjonte mbi të gjitha ato.
Shefi i Pentagonit tha se Shtetet e Bashkuara “nuk janë duke kërkuar asgjësimin e tërësishëm të Koresë së Veriut”. Megjithatë ai u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë të mbrojnë veten dhe aleatët dhe se përkushtimi i Amerikës ndaj aleatëve është “i hekurt”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ftoi një takim emergjent të hënën lidhur me situatën në Kore.
Presidenti Trump tha më herët se po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së tregtisë me çdo vend që bën biznes me Korenë e Veriut dhe nuk përjashtoi mundësinë e një sulmi si përgjigje ndaj veprimeve të Phenianit.
Koreja e Veriut kreu të dielën provën e gjashtë bërthamore, duke thënë se ka shpërthyer me sukses bombën bërthamore me hidrogjen, që mund të vendoset në një raketë ndërkontinentale. Sipas njoftimeve, shpërthimi ka tronditur ndërtesa deri në Kinë dhe në Rusi.
Thirrja për bojkotim ekonomik ndaj vendeve që kanë marrëdhënie biznesi me Korenë e Veriut do të dëmtonte tregtinë me vlerën vjetore të rreth 650 miliardë dollarëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pekini është i vetmi vend dhe partneri më i madh tregtar i Phenianit.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin tha në një intervistë për televizionin “Fox News” se është duke u shqyrtuar një paketë e re sanksionesh ekonomike ndaj Koresë së Veriut.
“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë, do të bashkëpunojmë me Kinën – tha ai, – por duhen prerë marrëdhëniet ekonomike me Korenë e Veriut, për shkak të sjelljes së papranueshme të këtij vendi”.
Një zyrtar amerikan i zbulimit tha se SHBA nuk kanë dyshim se Koreja e Veriut ka shpërthyer një bombë bërthamore, 10 herë më të fuqishme se sa atë që aktivizoi një vit më parë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e dënoi provën bërthamore të Koresë së Veriut si “një veprim thellësisht destabilizues për sigurinë rajonale”.

Bombat me hidrogjen edhe më të fuqishme se ato atomike

Testi kishte pasur “sukses absolut” njoftoi televizioni shtetëror i Koresë së Veriut. Bomba është edhe më e fuqishme se përpjekjet e mëparshme dhe një hap i rëndësishëm për programin e armëve bërthamore të vendit, u tha në televizionin shtetëror. Përhapje radioaktiviteti nuk kishte pasur. Bombat hidrogjenike janë armë bërthamore me potencial të madh shkatërrues, me të cilat mund të gjenerohen shpërthime edhe më të forta sesa me bomba atomike konvencionale.

Protesta të ashpra nga Kina dhe Koreja e Jugut

Koreja e Jugut dhe Kina e kritikuan ashpër testin e ri bërthamor të Koresë së Veriut. Kina i bëri thirrje vendit fqinj të respektojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Veprimet ishin të gabuara, tha Ministria e Jashtme e Kinës. Ato do ta përkeqësojnë krizën dhe nuk janë në interes të vendit. Kina i bëri thirrje Koresë së Veriut që të kthehet në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, kryetari i shtetit dhe partisë së Kinës, Xi Jinping nuk e përmendi me asnjë fjalë testin e armëve bërthamore, kur hapi me një fjalim 50 minutësh mbi situatën në botë forumin ekonomik të samitit të vendeve të Brics-it në qytetin port juglindor të Kinës në Xiamen.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae, e kritikoi testin bërthamor të Koresë së Veriut dhe kërkoi “dënimin më të ashpër” të qeverisë në Phenian. Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të vendosë sanksione të mëtejshme për “izolimin e plotë” të Koresë së Veriut”, tha Chung Eui Yong, kryetar i Këshillit të Sigurimit, pas një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Seul.
Presidenti Moon njoftoi në takim se do të bisedojë me SHBA-në për dërgimin e “potencialeve më të forta strategjike të ushtrisë amerikane, duke e pasur ndoshta fjalën për armët bërthamore taktike, të cilat SHBA-ja i ka tërhequr nga Koreja e Jugut në vitin 1991”.

Dridhje të fuqishme toke
Qendrat sizmiologjike të Kinës, Koresë së Jugut, Japonisë dhe SHBA-së regjistruan dridhje të fuqishme toke që lidhen me provat bërthamore të Koresë së Veriut. Drejtorja e qendrës sizmiologjike të Koresë së Jugut, Lee Mi Sun, tha se shpërthimi i së dielës ishte pesë deri gjashtë herë më i fortë se prova e mëparshme e armëve bërthamore në shtator 2016.
Qendra sizmiologjike e Kinës njoftoi për një tërmet me magnitudë 6.3 në verilindje të Koresë së Veriut në një thellësi prej zero metrash. Pak më vonë u regjistrua një tërmet i dytë me fuqi prej 4.6 ballë, siç raportoi agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut “Yonhap”. Qendra sizmiologjike e SHBA-së USGS tha se, tërmeti kishte një magnitudë prej 5.6 ballë në një thellësi prej dhjetë kilometrash. Prova me armë atomike me forcë tronditëse prej 6.3 ballësh është prova më e fuqishme me armë bërthamore në Korenë e Veriut. Epiqendra e tërmetit ishte rajoni Kilju, ku ndodhet poligoni i provave bërthamore, njoftojnë autoritetet e Koresë së Jugut.