Në Strumicë sot, Maqedonia dhe Shqipëria do të sfidojnë njëra-tjetrën për herë të 10-të në histori, në sfidën më të rëndësishme mes tyre, pasi në këtë duel luhet vendi i 3-të në Grupin G kualifikues të Botërorit Rusi 2018-të. Nga 1994 e deri më sot në 9 përballjet e mëparshme bilanci flet në favor të maqedonasve, por kuqezinjtë do të përpiqen të ndryshojnë këtë trend negativ dhe pas suksesit 2-1 në “Loro Boriçi” në sfidën e parë do të synojnë fitoren e 2-të radhazi ndaj Maqedonisë për të përmirësuar edhe statistikat në përballjet direkte mes tyre.
Në 9 ndeshjet e mëparshme kryeson Maqedonia me 4 fitore kundrejt dy të Shqipërisë, ndërsa tri takime kanë përfunduar në barazim, megjithatë kuqezinjtë kanë fituar sfidën që ka patur më shumë vlerë, pikërisht duelin e shtatorit të kaluar në Shkodër. 8 nga këto 9 ndeshje mes Maqedonisë kanë qenë miqësore me sfidën e parë që është zhvilluar më 14 maj të 1994-tës dhe që ka përfunduar me fitoren e thellë 5-1 të maqedonasve. Kjo ka qenë edhe humbja më e rëndë e Shqipërisë në përballjet mes tyre.
Fitoren e parë kuqezinjtë e kanë regjistruar në një miqësore të vitit 1999 që përfundoi me suksesin 2-0, ndërsa të gjithë e mbajnë mend duelin e fundit në Maqedoni mes këtyre dy kombëtareve që u zhvillua në vitin 2011 në Prilep dhe që përfundoi në barazim pa gola. Në atë sfidë tifozët maqedonas ofenduan shqiptarët me koret e tyre raciste. Shpresojmë që të tilla ngjarje që kalojnë kufijtë sportivë dhe prishin bukurinë e futbollit të mos përsëriten në sfidën e kësaj të marte në Strumicë.
Odise Roshi kërkon fitore ndaj Maqedonisë. “Natyrshëm si në çdo ndeshje, kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për fitore, por në llogaritë për vendin e tretë në grupin kualifikues edhe barazimi shërben”, tha Roshi.
Skuadra dhe stafi kuqezi u larguan nga hoteli i Shkupit rreth orës 10 të paraditës së djeshme dhe do të akomodohen në qytezën kufitare me Bullgarinë, ku do të zhvillojnë edhe seancën e fundit përgatitore nën drejtimin e trajnerit Christian Panucci. Nata në Shkup kaloi e qetë, ku Shqipëria u akomodua pas një udhëtimi që nisi nga Elbasani. Në dalje të hotelit, lojtarët u ndalën për disa momente për të bërë edhe disa foto me tifozë të ndryshëm që kishin mbërritur për të përcjellë ekipin. Ajo që ra në sy ishte prania e forcave të sigurisë që monitoronin në çdo moment lëvizjet e lojtarëve për t’u siguruar që gjithçka të kalonte e qetë.
Rreth 450 mbështetës shqiptarë do të jenë të pranishëm në qytetin më të largët lindor maqedonas, që ndodhet pranë kufirit me Bullgarinë. Kjo është shifra zyrtare e tifozëve të kombëtares që nuk do të mungojnë në stadiumin me kapacitet prej 6,500 vendesh dhe që është rinovuar vetëm gjatë muajve të fundit. Për herë të parë në 23 vjet Maqedonia do të luajë një ndeshje kualifikuese larg Shkupit, ndërsa stadiumi “Mlladost” i Strumicës është rinovuar në mënyrë artificiale, duke u klasifikuar në kategorinë e tretë të UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare.
Luajmë për fitore
Zidane përlotet nga fjalët e të atit
Zinedine Zidane mjaft emocional në një intervistë dhënë për “Telefoot” mbrëmjen e së dielës. 45-vjeçari kërkon ta harrojë episodin me Marco Materazzin në finalen e Botërorit Gjermani 2006, pasi ishte ai incident shokues që shënjoi fundin e karrierës së tij, por kjo është e pamundur. Ajo ngjarje ka mbetur e fiksuar në mendjet e miliona tifozëve, por edhe të vetë protagonistit, që shprehet se nuk ndihet aspak krenar për atë që ndodhi. Goditja me kokë që ai i dha Materazzit solli edhe kartonin e kuq për Zidane në minutën e 110 të ndeshjes Itali-Francë që u zhvillua në Gjermani plot 11 vjet më parë. Ndeshje që u fitua nga Italia me penallti. Si rrallë herë një legjendë e futbollit botëror u pa mes lotësh teksa shihte me nostalgji imazhet e karrierës së tij dhe një klip të vjetër të të atit që fliste për shtypin në atë kohë.
“Nuk jam aspak krenar për atë gjest. Ndihem i keqardhur për atë që ka ndodhur përpara gjithë atyre njerëzve, të rinjve që aspirojnë dhe pëlqejnë futbollin, gjithë vullnetarëve, tifozëve dhe trajnerëve që mundohen të bëjnë diferencën me këtë sport. Kjo është diçka e keqe që ka ndodhur, është pjesë e jetës dhe karrierës time, është një prej atyre gjërave që nuk na pëlqejnë, por që ka ndodhur dhe që duhet ta pranoj e ta kapërdij”, u shpreh Zidane.
Në klipin e vjetër ku shfaqej i ati i intervistuar pas atij incidenti, dëgjohej teksa i shprehte atij gjithë mbështetjen dhe dashurinë që kishte për të birin e në këtë moment Zidane nuk u përmbajt dot më.
Smail, i ati i Zidane shprehej pikërisht kështu: “Nuk ndihem aspak i turpëruar t’i shpreh tim biri gjithë dashurinë e madhe që kam për të dhe për nipërit e mi. Sa herë që i telefonoj iu them se i dua shumë, këtë e kam bërë dhe do të vazhdoj ta bëj gjithmonë. Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë”.
Skënderbeu “përjashton” Plakun nga Europa
Skënderbeu i formatit europian merr formë. Klubi korçar ka dorëzuar në UEFA listën me lojtarët që do të marrin pjesë në fazën e grupeve të Europa League ku bie në sy mungesa e Sebino Plakut. Sulmuesi është pranë largimit nga ekipi korçar dhe në këtë mënyrë, trajneri Ilir Daja ka vendosur të mos e përfshijë në listën me 24 emrat. Sipas klubit juglindor, në listë përfshihet gjithashtu edhe një lojtar nga akademia për ta çuar numrin përfundimtar në 25. Risitë absolute në këtë listë janë tre afrimet e fundit, mbrojtësi Fidan Aliti, mesfushori Suad Sahiti dhe sulmuesi çek Martin Nespor. Në listë mungon edhe i dëmtuari Leonit Abazi, ndërsa Latifi i ka dhënë përfundimisht lamtumirën skuadrës për të nisur një aventurë të re në Hungari. Po ashtu edhe Shpend Kelmendi nuk është federuar për ndeshjet në Ligën e Europës, ndërsa bie në sy rikthimi i Afrim Takut që ribashkohet me skuadrën korçare, duke konfirmuar atë që paralajmëroi trajneri Daja pak ditë më parë.
Humbje minimale e Kosovës
Kosova ka humbur në Maksimir nga Kroacia me rezultat minimal, me golin që në minutën e 74-t e shënoi mbrojtësi Domagoj Vida. Ndeshja e rrethit të shtatë kualifikues ishte ndërprerë të shtunën në minutën e 21-të për shkak të terrenit të rënduar nga shiu dhe kishte vazhduar të dielën me insistimin e FIFA-s. Kroacia u mundua gjatë tërë ndeshjes nëpër një fushë të rëndë kundër një Kosove, e cila tregoi që ka bërë progres nga ndeshja e kaluar, kur ishte mposhtur në Shkodër 6:0.
Ishin futbollistët e trajnerit Çaçiç që thuajse gjatë tërë ndeshjes kishin iniciativën, megjithatë përveç fitores nuk kishin asgjë më shumë se Kosova, sidomos në 45 minutat e para. Kosova u mbrojt me një disiplinë të madhe, derisa kroatët në pjesën e parë nuk krijuan asnjë rast të vetëm. Në pjesën e dytë Kroacia ishte diçka më e mirë, por Kosova po vazhdonte të mbrohej fort me dyshen Jashanica–Rrahmani që po funksiononte mjaft mirë. Ishin Perisiç, Pivariç, Manxhukiç dhe Kramariç që patën disa raste, por jo aq të pastra sa të rrezikonin seriozisht Ujkanin. Edhe Kosova pati rastet e saj, sidomos me Valon Berishën, goditja e të cilit përfundoi mbi portë. Dhe më pas erdhi momenti i golit të shumëpritur.
Trajneri i Kroacisë futi në lojë Kramariçin dhe Kaliniçin, të cilët së bashku me Manxhukiçin duhet ta shënonin atë golin e fitores. Dhe mu atëherë goli erdhi. Por goli nuk erdhi nga sulmuesit, shpëtimtari i selektorit Çaçiç ishte një mbrojtës. Modriç nxori një faull, të cilën vetë e ekzekutoi duke gjetur kokën e Domagoj Vida, i cili realizoi golin e tri pikëve të mëdha të Kroacisë. Ky ishte moment i vetëm kur mbrojtja e Kosovës u shpërqendrua dhe kroatët normalisht që e dënuan. Pas shtatë ndeshjeve, tri xhiro para fundit të eliminatoreve për Botërorin Rusi 2018, Kosova mbetet e fundit në Grupin I me vetëm 1 pikë.
Me fitoren kundër Kosovës, Kroacia rikthehet në vendin e parë me 16 pikë, dy më shumë se e dyta Ukraina. E treta është Islanda me 13 pikë, derisa Turqia është e katërta me 11 pikë dhe me shumë pak gjasa të jetë në Botërorin e Rusisë. Kundërshtari i ardhshëm i Kosovës, Finlanda është e pesta me 4 pikë të tubuara. Pas 48 orëve Kosova ka një ndeshje tjetër të rëndësishme. Në Shkodër vjen Finlanda ndaj të cilës pretendojmë të arrijnë fitoren e parë, derisa Kroacia në Eskishehir përballet me Turqinë, e cila me një tjetër humbje do t’i thoshte definitivisht lamtumirë Botërorit të ardhshëm.
10 kullat e reja dhe masakra e re me betonizimin e Tiranës
Gjatë fushatës elektorale të vitin 2015, kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi se nuk do të jepte leje ndërtimi klienteliste, por dy vjet më vonë duket se biznesi i ndërtimit po lulëzon me ndihmën e Veliajt, ashtu siç ka ndodhur dhe më parë me paraardhësit e tij. Një numër rekord ndërtesash të reja janë planifikuar të ndërtohen në Tiranë nën maskën e masterplanit të ri Tirana 2030.
Le t’i hedhim një vështrim të gjitha ndërtesave që kanë filluar të ndërtohen apo janë planifikuar të fillojnë ndërtimin në muajt e ardhshëm. Kjo është vetëm një listë e pjesshme dhe masterplani i ri i Tiranës përfshin plane për një qytet “policentrik” që do t’i japë shumë zona të qytetit kompanive private për “zhvillim” nën formën e partneriteteve publike private.
Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”
Rezultat i një privatizimi të paligjshëm të pronës publike, shkatërrimit të trashëgimisë kulturore që shoqërohet me listën e zakonshme të klientëve të Ramës: “AlbStar”, “Sfera Studios” dhe “Atelier 4”. I gjithë projekti është hartuar nga arkitekti, i dënuar për korrupsion, Marco Casamonti, “vizioni” i të cilit është gjithashtu përgjegjës për shkatërrimin e gjetjeve arkeologjike shekullore në Durrës dhe karabinasë së falimentuar përballë Katedrales Ortodokse.
Kulla tek këndi i lojërave “7 xhuxhat”
Një kullë shumëkatëshe do të ndërtohet në Rrugën e Elbasanit pranë këndit të lojërave, i inauguruar në fillim të viteve 2000 nga ish-kryebashkiaku Rama. Këshilli Kombëtar i Territorit e mbajti këtë projekt të fshehtë duke mos publikuar në asnjë moment projektin e kullës. Ndërtesa parashikohet të ndërtohet nga “DT1 shpk”, një kompani jo shumë e njohur në Shqipëri.
Parkimi tek Parku Rinia
Në vitin 2015, Bashkia Tiranë i dha Taiwan shpk një koncesion 30-vjeçar për të ndërtuar një parkim nëntokësor tek Parku Rinia, në qendër të Tiranës. Ndërtimi i parkimit përfshin shkatërrimin e plotë të parkut, një nga hapësirat e fundit të gjelbra të mbetura në qendër të Tiranës. Deri më tani punimet nuk kanë nisur ende.
Kompleksi i pallateve tek ish-Parku i Autobusëve
Një tjetër hapësirë e gjelbër në Tiranë u sakrifikua kohët e fundit nga kryetari Veliaj në përfitim të një kompanie private. Projekti përfshin ndërtimin e një kompleksi pallatesh duke shkatërruar një lulishte publike pranë Policisë Bashkiake. Vendimi i Bashkisë shkaktoi protesta masive të banorëve të zonës, ku pati dhe ndërhyrje të dhunshme të policisë.
Ndërtimi pas Hotel Tirana International
Zgjerimi i Hotel Tirana International është propozuar nga “Geci shpk”, një kompani ndërtimi që nga 2015-2017 ka marrë tashmë rreth 9 milionë euro fonde publike përmes tenderëve. Projekti i kullës 111 metra është hartuar nga studio “Atelier 4”, bashkëpunëtore afatgjatë e Kryeministrit Edi Rama.
“Sytë e Tiranës”
Kulla “Sytë e Tiranës” e planifikuar për t’u ndërtuar mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, është fituesja e konkursit të arkitekturës në vitin 2003, ku fituese u shpall kompania daneze “Henning Larsen Architects”. Ndërtesa do të ketë “banesa, zyra dhe dyqane në një sipërfaqe totale prej 55,000 metrash katrorë dhe një kullë 26 katëshe. E ndodhur në qendër të qytetit, ndërtesa do të jetë rezultati i parë i dukshëm i një masterplani ambicioz në shkallë të gjerë për Tiranën. (Masterplani në fjalë është ai i zhvilluar më 2003 nga “Architecture Studio”).
“Sytë e Tiranës” do të ndërtohet nga “Edil Al-It” dhe punimet parashikohen të fillojnë më 2018. “Edil Al-It”, një kompani në pronësi të vëllezërve Dulaku, është po ashtu, një ndër më të afërtat me Kryeministrin Edi Rama. Kohët e fundit, “Edil Al-It” fitoi edhe tenderin për rinovimin e Teatrit të Operas dhe Baletit në qendër të Tiranës. Dy vëllezërit Dulaku janë gjithashtu pronarët e kanalit televiziv “Vizion Plus”.
Kulla pas Kullës së Sahatit
Në një intervistë gjatë inaugurimit të Sheshit Skënderbej, arkitekti i studios “51N4E”, Johan Anrys zbuloi se do të ndërtohet edhe një kullë e re në hapësirën mes Hotel Plazës dhe Kullës së Sahatit, pas Bashkisë Tiranë. Deri më tani nuk dihet asgjë konkrete për projektin dhe kompaninë zhvilluese të tij.
Këndi i lojërave në Parkun e Liqenit Artificial
Këndi i lojërave në Parkun e Liqenit Artificial, i projektuar nga “Atelier 4” dhe “Bolles+Willson”, shkaktoi zemërimin e shumë qytetarëve, me paligjshmërinë dhe arrogancën e institucioneve shtetërore. Ky projekt që përfshinte hedhjen e betonit brenda parkut të liqenit shënjoi dhe fillimin e shkatërrimit të Parkut të Liqenit Artificial.
Pallati 13-katësh përballë Fakultetit Ekonomik
Përgjatë Rrugës së Elbasanit, tek një tjetër pjesë e parkut po ndërtohet një pallat 13-katësh në pronësi të Samir Manes, një prej sipërmarrësve më të fuqishëm në vend. Projekti i pallatit sërish është hartuar nga “Bolles+Willson”.
Hoteli olimpik tek Parku i Liqenit
Faza e dytë e ndërtimit të Parkut Olimpik në Tiranë, mbi pronë publike, do të përfshijë dhe ndërtimin e një hoteli olimpik. Projekti është aktualisht në fazën e planifikimit dhe Bashkia ka zgjedhur të heshtë mbi detajet e këtij projekti. Kjo është një shkelje tjetër në hapësirën e gjelbër të parkut.
“Exit.al”
Me ujërat më të ndotura në Europë
Shqipëria renditet e fundit ndër 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Vetëm 35% e plazheve janë vlerësuar në raportin e fundit të EEA me cilësi të ujërave të shkëlqyer, 20% vlerësohen se kanë një cilësi të mirë të ujit, ndërsa 5% kanë cilësi të mjaftueshme.
Më 2016-n Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) ka monitoruar 21,667 plazhe në Europë, prej të cilëve 21,344 janë pjesë e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ndër të tjera, pjesë të monitorimit ishin Shqipëria dhe Zvicra për të cilat u raportua cilësia e ujit për 323 plazhe.
Në Shqipëri janë monitoruar 92 plazhe, prej të cilëve kampionet e marra kanë treguar se 56 prej tyre kanë cilësi të mjaftueshme, ndërsa 18 kanë një cilësi jo të kënaqshme.
Më 2016-n, 69% e plazheve ishin brigje bregdetare, ndërsa 31% e plazheve ishin të vendosura në lumenj dhe liqene.
Nga 2015 më 2016, 94 plazhe në Europë ndryshuan status nga ujë me cilësi të dobët në ujë me cilësi të mjaftueshme apo të mirë. Vendet me numrin më të lartë të plazheve ku cilësia e ujërave është përmirësuar nga i dobët në të mjaftueshëm janë Franca me 24 plazhe, Shqipëria me 16 plazhe dhe Mbretëri e Bashkuar me 13 plazhe.
Nën mbikëqyrjen e Direktivave të Ujërave të Plazheve vlerësohet se 13 plazhe (apo 14% e totalit të vendeve ku mund të bëhet plazh) u klasifikuan me cilësi shumë të dobët. Në krahasim me 2015-ën ka pasur një përmirësim të dukshëm, pasi në atë vit vendet me cilësi të dobët ishin 31 (apo 39% e totalit).
Ujërat më të dobët në Europë
Bashkimi Europian dhe vendet anëtare kanë punuar në vite për të përmirësuar cilësinë e ujit. Sot, cilësia e ujit në Europë është shumë herë më e pastër se 40 vite më parë, ku sasi të mëdha të ujit të patrajtuar apo pjesërisht të trajtuar dhe ujit industrial derdheshin në këto plazhe.
Përqindje të lartë të plazheve me cilësi të dobët të ujit ka Irlanda rreth 4% të plazheve, Mbretëria e Bashkuar rreth 3% dhe Sllovakia 3%. Në krahasim me 2012 numri (në vlerë absolute) i plazheve me cilësi të dobët ka rënë me 19 në Spanjë (nga 58 në 39) dhe me 13 në Francë (nga 95 më 2015 dhe bë 82 më 2016).
Përkeqësimi i cilësisë së ujërave të plazheve ka qenë më i lartë në Itali, ku cilësia e 22 plazheve ndryshoi nga mjaftueshëm në e dobët. Në Spanjë, në Francë, në Holandë dhe në Danimarkë, cilësia ka përkeqësuar nga mjaftueshëm në të dobët.
Monitor
Kosova, 100 mijë dollarë SHBA për përmbytjet në Teksas
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe zyrtarisht i ka dërguar shkresën kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për të mbështetur qytetarët e Hjuston të SHBA-ve, pas përmbytjeve të nxitura nga uragani Harvey.
Në shkresën drejtua kryeministrit, presidenti Thaçi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i ndaj së paku 100 mijë dollar për qytetarët e prekur nga uragani në Hjuston.
Kjo është shkresa e plotë e presidentit Thaçi drejtuar kryeministrit, Isa Mustafa.
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Z. Mustafa,
Duke njohur përkrahjen e madhe që ka dhënë dhe po japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lirinë dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës,
Duke marrë parasysh shpirtin solidar të popullit të Kosovës, që nuk harron kurrë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën,
Duke ndjerë shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të ndara me shqetësimet dhe zhvillimet në Hjuston, pas reshjeve dhe përmbytjeve masive të shkaktuara nga uragani Harvey,
I bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim urgjent për ndarjen e së paku njëqindmijë dollarëve amerikanë (100.000 US$), në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë. Jam i vetëdijshëm që kjo shumë është simbolike, por ne, si një shtet i ri, por me një traditë shekullore të solidaritetit, gjithmonë kemi ndihmuar me aq sa kemi pasur mundësi.
I nderuari Z. Mustafa,
Jam i bindur që Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilën Ju e udhëhiqni, në një kohë sa me të shpejtë, do të bëjë ndarjen e kësaj shume simbolike financiare si dëshmi e solidaritet të qytetarëve të Republikës së Kosovës me qytetarët e Hjustonit.
Me respekt!
Hashim Thaçi
President i Republikës së Kosovës
BE: Vrasja e gjyqtares, përgjegjësi e qartë e shtetit
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar pas ekzekutimit të gjyqtares Fidelz Hafizi nga bashkëshorti i saj në Tiranë. Në reagimin e BE thuhet se, mbrojtja e grave është përgjegjësi e shtetit dhe kërkon përgjigje të koordinuar nga institucionet përkatëse. “E tmerrshme! Gratë nuk duhet të jetojnë me frikë”, thuhet në reagimin e BE. “E tmerrshme! Një tjetër viktimë e dhunës në familje në Shqipëri. Mbrojtja e grave nën kërcënim është një përgjegjësi e qartë e shtetit. Ajo kërkon përgjigje të koordinuar nga institucionet përkatëse. Gratë nuk duhet të jetojnë me frikë”, thuhet në reagimin e BE.
Basha: Një shtet që amniston kriminelët, jeta e çdokujt është e pambrojtur
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas ekzekutimit të gjyqtares Fildez Hafizi nga bashkëshorti i saj në Tiranë. Përmes një statusi në rrjetet sociale Basha shkruan, se është tronditur nga ngjarja kriminale dhe sipas tij kjo është një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. “Jam thellësisht i tronditur nga vrasja e ftohtë kriminale e një gruaje, një nëne, një gjyqtareje. Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildezin në fatin e saj tragjik. Ajo u lut e tmerruar për ndihmë dhe shpresoi, por u shpërfill nga një shtet dhe shoqëri, e cila ka humbur forcën për të reaguar ndaj krimit dhe të keqes. Jeta e humbur e Fildeze Hafizit është një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur. Ne duhet të gjejmë forcën që të paktën fëmijët e Fildezes dhe të gjithë shqiptarëve të kenë një jetë më të sigurt”.