Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër për vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, krimineli shkrehu këmbëzën e dorës së tij të zezë, por vrasjen e bënë ata që qëndruan në anën e vrasësit dhe nuk i dhanë gjykatëses mbrojtjen që meriton! Berisha u shpreh ngushëllimet fëmijëve dhe familjarëve të të ndjerës dhe dënon gjithashtu indiferencën kriminale të organeve të shtetit, të cilat me qëndrimin e tyre të papërgjegjshëm nuk bënë asgjë për parandalimin, përkundrazi lehtësuan veprën mizore!
“Ekzekutimi i gjykatëses Fildes Hafizi, një krim i shëmtuar, një vrasje e paralajmëruar!
Të dashur miq, sot një grua, nënë, gjykatëse Fildes Hafizi u vra në mes të ditës dhe në mes të rrugës nga ish- bashkëshorti i saj, i cili dy vjet më parë i kishte vendosur asaj revolen në ballë në mes të plazhit të Golemit dhe ishte liruar në mënyrën më të papërgjegjshme nga Parlamenti me amnisti, me gjithë tentativën për ekzekutim publik, armëmbajtje pa leje.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar dhe shprehur ngushëllimet më të sinqerta fëmijëve dhe familjarëve të të ndjerës, dënoj gjithashtu indiferencën kriminale të organeve të shtetit, të cilat me qëndrimin e tyre të papërgjegjshëm nuk bënë asgjë për parandalimin përkundrazi lehtësuan veprën mizore, vrasjen e saj të paralajmëruar!
Krimineli shkrehu këmbëzën me dorën e tij të zezë, por vrasjen e bënë ata që qendruan në anën e vrasësit dhe nuk i dhanë gjykatëses mbrojtjen që meritonte!”, shkruan Berisha.
Berisha: Krimineli shkrehu këmbëzën, por vrasjen e bënë ata…
Bardhi: Ndëshkim përgjegjësve që nuk mbrojtën gjyqtaren
Ministri ende në detyrë i Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka shprehur tronditjen e thellë nga lajmi i trishtë i vrasjes së gjyqtares së Shkodrës, Fildes Hafizi, nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi. Bardhi i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së gjyqtares së ndjerë, dhe kërkon me forcë dënimin maksimal ndaj autorit të kësaj ngjarje të rënde kriminale. “Vrasja e një nëne nga ish-bashkëshorti i saj, është këmbanë alarmi për shoqërine shqiptare. Mbrojtja e saj ka qenë detyrim për autoritetet përgjegjëse, të cilat sot duhet të nxjerrin me urgjencë përgjegjësitë e tyre dhe mbajnë përgjegjësinë për mosveprim. Humbja e një gjyqtareje profesioniste, është humbje për sistemin e drejtësisë. Shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona për familjen dhe Zoti qoftë me ta në këto momente të vështira”, thuhet në reagimin e Bardhit. Fildes Hafizi kishte që në vitin 2015-të urdhër mbrojtjeje ndaj Fadil Kasemit, i cili ka tentuar ta vrasë dy vite më parë në plazhin e Golemit.
Halimi: Monstra vrasës të marrë dënimin më të ashpër
Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka reaguar për vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj. Halimi shpreh tronditjen për ngjarjen dhe e vlerëson Hafizin si një magjistrate të shkëlqyer, të ndershme dhe të përkushtuar. Ish-ministri e konsideron të drejtë vendimin e marrë pesë vite më parë për të dënuar maksimalisht vrasësin e gjyqtarëve, të cilët i konsideron vrasës monstra. Halimi shprehet se i njëjti vendim duhet të merret edhe për Fadil Ksemin, vrasësin e Fildes Hafizit.
Letra për ambasadorin: “Shteti im nuk më mbron”
Unë quhem Fildeze Hafizi, dhe jam një nëna e dy fëmijëve, aktualisht gjyqtare – magjistrate në fazën e stazhit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Po Ju shkruaj për të ndarë me Ju një shqetësim që nuk lidhet vetëm me mua por me shumë femra shqiptare, viktima të dhunës në familje e më pas viktima të sistemit të drejtësisë.
Vitin e kaluar unë kam kaluar një proces divorci pothuaj tragjik. Gjatë këtij procesi ish-bashkeshorti im u përpoq disa herë të më mbante të martuar jashtë vullnetit tim duke më kërcënuar me armë. Por unë për të mirën e fëmijëve të mi vendosa ti shkoj deri në fund duke marrë përsipër edhe humbjen e jetës. Theksoj se për dhunën e ushtruar ndaj meje nga ish bashkshorti im, unë dhe fëmijët e mi kemi qenë më Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtje deri në përfundim të procesit të divorcit.
Tre muaj pas marrjes së vendimit për zgjidhjen e martesës, pa pasur asnjë lloj kontakti as drejt për drejt e as përmes të tjerëve, ish bashkshorti në datë 19 korrik 2015, në prani të djalit tonë, në një ambjent publik në një plazh të Kavajës ka ardhur përsëri me armë sigurisht me qëllimin e tij për të më eleminuar fizikisht. Për rastin në fjalë u hapën hetimet nga prokuroria dhe ai nuk u akuzua për vrasje të mbetur në tentativë por vetëm për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Gjithsesi me besim tek drejtësia mendova se prokurori Ylli Dhimitri do hetonte me paanësi dhe ndershmëri.
Shqetësimi im i vërtetë filloi kur unë e kuptova që edhe pse tashmë jam pjesë e sistemit të drejtësisë kur për një vepër të kryer në kushtet e flagrancës për nëntë muaj nuk u bë dot asnjë seancë gjyqësore. Sa herë që kërkoja informacion zyrtar kolegët e mi ndjeheshin të bezdisur dhe më sajonin lloj lloj justifikimesh aspak profesinale për zvarritjen pa kuptim të një cështje kaq të thjeshtë.
Me shqetësimin se prokurori i cështjes Ylli Dhimitri dhe gjyqtari Luan Lusha që janë në juridiksionin e Rrethit Gjyqësor Kavajë po manipulonin të vërtetën dhe po përpiqeshin të mbyllnin sytë përpara të vërtetës së pastër në bashkëpunim me njerëzit e ish bashkshortit tim unë kontaktova prokurorin e Përgjithshëm në datën 03 Mars 2016, të cilit i shpreha shqetësimin se jeta ime dhe e fëmijëve të mi mund të ishte e rrezikuar dhe se me shumë gjasa mund të isha në kushtet e një rasti korruptiv dhe përpara një vrasje të paralajmëruar.
Vetëm dy muaj pas këtij takimi është zhvilluar një seancë gjyqësore dhe brenda një séance të vetme pa asnjë lloj hetimi gjyqësor në datën 28 Prill 2016 fakt për të cilin kam rënë rastësisht në dijeni është zhvilluar një gjyq fars ku ish bashkshorti im për kryerjen e dy veprave penale ka marrë një dënim qesharak prej 3 vitesh burgim ku më shumë se gjysma i llogaritet me periudhë e paraburgimit. Ky është një dënim qesharak që barazohet me dënimin e dhënë për një vepër penale të lehtë sic mund të jetë vjedhja e energjisë elektrike.
Z. Ambasador ky gjyq dhe ky dënim janë një rast i pastër i padrejtësisë dhe i korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Theksoj se me këtë gjyq kaq të sajuar jam viktimizuar dhe riviktimizuar nga kolegët dhe sistemi ku bëj pjesë.
Unë e përjetoj profesionin tim si një mision të shenjtë të cilin fati dhe Zoti ma besuan mua në shërbim të njerëzve që i drejtohen gjykatës me besim dhe shpresë se do gjejnë drejtësi. Kur ëndërroja dhe luftoja me forcat e mia që një ditë të bëhem pjesë e sistemit të drejtësisë gjithmonë kam aspiruar që t’i shërbej me dinjitet dhe pavarësi e paanësi të plotë njerëzve.
Mua më trondit dhe më bën të ndjehem keq fakti që edhe pse jam një viktimë e mendësisë mesjetare, edhe pse jam një grua që si dhjetra gra të tjera luftojnë të mbijetojnë me nder e me dinjitet në shoqërinë pseudomoderne shqiptare, edhe pse përpiqem që fëmijët e mi t’i rrit me ndjenjën e ndershmërisë, drejtësisë, dhe virtytit, është pikërisht sistemi ku unë kam ëndërruar gjithmonë të bëj pjesë që më riviktimizon cdo ditë. Fakti që asgjë nuk ka ndryshuar që nga data 19 korrik 2015 më bën të mendoj që jeta ime dhe e fëmijëve të mi nuk është aspak e sigurtë.
Ky fakt nuk më lë të vazhdoj e qetë misionin tim si nënë e si gjyqtare. Tashmë jetoj me frikën se ai do të dalë sepse mund t’i shuhet masa e sigurimit dhe mund të realizojë qëllimin e tij, të përfundojë veprimin që nisi sepse sistemi i drejtësisë po i jep një leksion “bëj çfarë të duash se nuk ka ndëshkim”. Çdo ditë i lutem Zotit që të më lërë jetën që t’i bëj fëmijët e mi qytetarë të zotë e të denjë.
Z. Ambasador, nuk do dëshiroja kurrë që t’ju humbas kohën tuaj të çmuar nese nuk do te ndjehesha e pasigurte per jeten time dhe e pa mbrojtur nga shteti im.
Ju lutem besoni se te gjithe anëtarët e ndershëm te drejtësise shqiptare ju janë mirënjohes dhe lutemi qe ju te vazhdoni perpjekjet tuaja per reformën aq të dëshiruar në drejtësi. Gjyqi i zhvilluar në të cilin unë as nuk jam përfillur madje u kam sjellë bezdi sepse u kam vështirësuar marrjen e parave të korrupsionit, tregon qartë nevojën për pastrimin e sistemit. Kurrë nuk mund ta besoja se gjyqtarët dhe prokurorët janë kaq të padrejtë dhe kaq të paskrupullt saqë të mbyllin sytë edhe para një rasti kaq flagrant kur viktimë madje në mënyrë të përsëritur është një kolege, gjyqtare e Republikës, por me një ndryshim të madh nga ata, e ndershme dhe e papërlyer në aferat korruptive.
Ju drejtohem Ju i Nderuar Zoti Ambasador sepse nuk kam më se kujt t’i drejtohem. Ju siguroj që shqetësimin tim e kam ndarë me krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, sigurisht duke u kujdesur gjithmonë që të mos influencoj në dhënien e drejtësisë, por mesa duket veshët janë të shurdhër.
Për të ndarë këtë shqetësim timin do Ju isha mirënjohëse nëse do më kushtonit disa minuta nga koha Juaj.
Me respsekt dhe besim!
Fildeze Hafizi.
Pentagoni, 11 mijë trupa për luftën në Afganistan
Pentagoni thotë se numri i trupave amerikane që shërbejnë aktualisht në Afganistan është më i lartë nga ç’ishte raportuar më parë. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” për Pentagonin shpjegon se ku qendron ky ndryshim.
Pentagoni thotë se në Afganistan janë dislokuar afro 11 mijë trupa dhe jo 8 mijë e 400 sa ç’ishte njoftuar muajt e fundit.
Shifra e mëparshme zyrtare 8 mijë e 400 përjashtonte trupat që kishin qendruar në Afganistan për më pak se 120 ditë, si për shembull trupat e përdorura për mbështetje luftimi të përkohshme ose misione për gjetjen e materialeve.
“Kjo mënyrë të funksionuari ka marrë fund”.
Numri më i lartë është pasqyrim i kërkesës së Sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis, për një metodë më të thjeshtëzuar llogaritjeje para çdo vendimi për të dislokuar trupa shtesë.
Zyrtarët thonë se metoda e re është më transparente dhe se komandanët nuk do të jenë më të detyruar të veprojnë në bazë të një numri fiks, që u jep mundësinë të dislokojnë njësi të plota në Afganistan.
“Të gjithë e kemi të qartë se njësi të plota janë më të përgatitura dhe më të gatshme se njësitë që janë të fragmentalizuara për të arritur një nivel arbitrar të menaxhimit të forcave”.
Numri më i lartë prej 11,000 trupash nuk përfshin trupa shtesë që Sekretari Mattis mund të zgjedhë të dërgojë në Afganistan në javët dhe muajt e ardhshëm.
Sekretari Mattis nuk ka marrë një vendim përfundimtar për trupat shtesë në luftën 16-vjeçare. Megjithatë, zyrtarët kanë lënë të kuptohet se ai po mendon të shtojë 4 mijë trupa për të plotësuar nevojat e komandantëve në terren.
Ndihmësit që e bëjnë Merkel të pamposhtur
Objektivi tani është që të shtrëngojë dhëmbët dhe të vazhdojë të buzëqeshë deri në 24 shtator. Pas kësaj date, do të jenë votat e dhëna prej votuesve gjermanë për Angela Merkelin, që do të përcaktojnë se si kancelarja do të ketë marrë një mandat të katërt, dhe me kë mund ta formojë qeverinë. Sondazhet e fundit, duke filluar nga Insa/YouGov vazhdojnë të nxjerrin CDU (37%) në avantazh të fortë ndaj SPD (24%) që udhëhiqet nga Martin Schulz. E megjithatë, siç shkruan me të drejtë “Financial Times”, as edhe strategët e partisë nuk janë të sigurtë për fitoren, dhe tremben se mos shumë simpatizantë të frontit të moderuar, të dembelosur prej triumfit të parashpallur do të përfundojnë duke ndenjur në shtëpi, duke e paralizuar kështu në mënyrë të beftë Merkelin. Një incident i vogël elektoral ka kujtuar se optimizmi i tepruar mund të dëmtojë: e ftuar nga kryebashkiaku i Brandeburgut mbi Havel (i CDU-së) që të hipte bashkë me të në skenë, Merkeli u kontestua me fërshëllima dhe megafonë. E bënë një grup kontestuesish të të djathtës ekstreme: i pari i neonazistëve të NPD, i dyti i ksenofobëve të Alternative fuer Deutschland. Dy pakica kundër establishmentit, që janë të vogla, por të zhurmshme, në gjendje që me tabelat e tyre mbi “etnocidin kundër popullit gjerman”, të prishin festën në shesh.
Kjo është arsyeja përse edhe CDU, për herë të parë, ka nisur të nxisë menjëherë votimin me postë: më mirë që të tërhiqet menjëherë elektorati i shpërqendruar. E mundur të imagjinosh që ideja e shtrëngimit të poltronave ka lindur në grupin e ngushtë të këshilltarëve të udhëheqëses gjermane. Falë tyre, kancelarja të jep përshtypjen se Gjermania udhëhiqet e vetme, ndërsa ajo vetë qëndron një hap prapa, duke ndërhyrë vetëm atëherë kur duhet dhe pa e ngritur zërin. Mes të dyshuarve të parë janë Peter Altmaier dhe Beate Baumann. I pari, i lindur në 1958, është shefi i kabinetit i Kancelerisë federale në epokën Merkel III. Tashmë ministër i Mjedisit në kohën e Merkel II dhe më herët kreu i grupit të CDU në Bundestag, Altmaier gëzon një besim të tillë nga ana e kancelares, saqë ka marrë edhe detyrën e koordinimit të Shërbimeve Sekrete. E pakënaqur, në kulmin e krizës së refugjatëve, Merkeli i ka besuar edhe koordinimin e të gjithë aktiviteteve federale në lidhje me emergjencën e të ardhurve, duke ia hequr ministrit të Brendshëm De Maiziere: për pritjen e tyre CDU ishte e ndarë më dysh dhe udhëheqësja nuk i besonte askujt tjetër.
Eshtë e ditur që, përtej të gjithë detyrave, Altmaier ka marrë edhe një mandat nga CDU, që të merret me fushatën elektorale. Transparenca administrative në fuqi në Gjermani, bën që asnjë punonjës publik të mos punojë për partinë pa një detyrë të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të mirëpërcaktuar. Bëhet fjalë për të mos i vjedhur kohë detyrës kryesore, duke mbajtur gjithmonë të ndara shtetin dhe partinë. Një dallim që mund të na bëjë të buzëqeshim, por që në Gjermani vlen për të gjithë: vetë kancelarja nuk merret me CDU-në, kur nuk ndodhet në selinë e partisë. I vetmi person ndoshta i lirë nga kjo gjë është Baumann. E lindur në 1963, Baumann, shefja e zyrës së kancelerisë, pranohet nga shumëkush si një nga personat më pranë Merkelit. Në krah të Merkelit, Baumann punon nga viti i largët 1998, dhe sipas një profili të fundit të botuar nga Dominique Eigenmann, korrespondent i Tages Anzeiger në Berlin, znj. Beate (nuk është vetëm e besuar e Merkelit, por edhe strategia e saj politike, konsulente dhe spin doctor-i i saj më i rëndësishëm. Eshtë një projektuese, një konsulente, një kritike, një filtër dhe një sistem alarmi në të njëjtën kohë”. E vërtetojnë mesazhet e shkëmbyera mes të dyjave, sa herë që kancelarja ndodhet jashtë vendit, fakti që zyra e Baumann ndodhet në një kat me atë të Merkelit dhe ajo rri gjithnjë hapur, si dhe fakti që Baumann është gjithmonë e pranishme në takimet e kancelares.
I rëndësishëm është edhe roli i Eva Christiansen, këshilltare për komunikimin e Merkelit. Edhe Christiansen merret me CDU-në: e zbuloi “Velt am Sonntag”, duke shkruajtur se drejtuesja 46-vjeçare ka edhe një detyrë që mbulon në parti, ku paguhet me një pagë minimale prej 450 eurosh në muaj.
Një prej kritikave që i bëhet më shpesh Angela Merkelit është ajo, që kancelarja është një administratore e madhe, por një udhëheqëse pa strategji. E tregon edhe profili i këshilltarëve të saj, sipas kritikëve: për ekonominë, për shembull nuk është më Jens Veidmann, që në 2011 u promovua në drejtim të Bundesbankut, ashtu sikurse këshilltar për marrëdhëniet me jashtë gjendet Christoph Heusgen, i konsideruar një takticien në krahasim me gjenialitetin strategjik të Horst Teltschik, i cili kish qenë këshilltar për sigurinë në kohën e Helmut Kohlit, dhe më pas president i Konferencës së Sigurisë të Mynihut.
Megjithatë, ka nga ata që nuk ndajnë mendimin për një kanceleri pa vizion. “Kush thotë se Angela Merkeli është në gjendje të marrë vetëm vendime taktike, gabon”, shpjegon Michael Volffsohn, profesor i historisë moderne në Universitetin e Bundesvehrit në Mynih. “Në vitin 2008 u angazhua të shpëtojë unitetin e Eurozonës, edhe duke iu kundërvënë parimeve të Mastrihtit; në vitin 2011 vendosi kthesën energjetike me braktisjen e bërthamores; dhe në 2015 vendosi pranimin e afro 1 milion refugjatëve që largoheshin nga Lindja e Mesme”.
Një kapacitet udhëheqës i pamohueshëm, shton profesori, që kancelares ia njeh aftësinë për të menduar dhe vepruar taktikisht, por “që është edhe një njeri që di të marrë vendime strategjike me shpejtësi të madhe. Nuk arrij të mendoj për një kancelar të vetëm që ka marrë kaq shumë vendime strategjike”.
Il Foglio
Rama la drogën apo Tahirin?
Fatmir GUDA
Sajmir Tahiri i ka lënë shëndenë karrierës ministrore. Të paktën kështu duket të jetë për momentin, pas prezantimit që kryeministri u bëri emrave të kabinetit Rama 2.
Ish-ministri i brendshëm, aq shumë u përfshi direkt në kultivimin e kanabis sativas në gjithë territorin e vëndit, saqë u evidentua personazhi kyç i raporteve të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese. Por megjithëse si i tillë, “forca ndëshkuese” e shefit të vet vetëm sa e konvertoi nga ligjzbatues në ligjvënës.
E gjitha kjo lëvizje jo dhe aq e papritur nuk mund të marrë shpegim tjetër, përveçse me atë të manovrimit tipik nga Edi Rama për t’u shfaqur me nota autokritike, se tani e tutje AI do të heqë dorë nga fenomeni drogë duke besuar se kështu do të shpëtojë lëkurën e vet nga shigjetimet e institucioneve partnere ndërkombëtare. Madje ka arritur deri aty sa luftën kundër lëndëve narkotike ai e ka bërë deklaratë të ditës, pasi e ka marrë zakon ta premtojë me zë dhe figurë në çdo rast dhe tryezë mediatike.
Një lojë e vështirë për t’ju besuar kjo, njeriut që jo vetëm prej opozitës e mbarë opinionit publik, por edhe prej ish-bashkpuntorëve më të afët dhe policive të vendeve fqinje, anëtare të BE është etiketuar si bossi, që qëndron në krye të prodhimit dhe trafikimit të drogës. Të gjendur në këtë situatë, për ata që ende mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë, nëse kryeministri seriozisht e ka inatin me drogën apo me Tahirin, sigurisht që e vërteta i çon tek fakti se AI s’ka pse t’i jetë “mërzitur” asnjërit prej tyre. Sepse dihet, që ai është aq i varur prej të dyve, saqë pa ta s’bën dot. Por hë për hë nuk i ka ngelur veçse të sillet “poshtërsisht” edhe ndaj drogës edhe ndaj ish-ministrit të brëndshëm, i detyruar të bëjë sikur është distancuar prej të dyve, ndërsa s’ka denjuar as ta pranojë ekzistencën e fenomenit të kanabizimit të vendit, as të nxjerrë gjysëm akuze ndaj Saimir Tahirit, të cilin përgjatë gjithë mandatit të parë nuk do linte rast pa e mbajtur në gojë, si ministrin e tij më të suksesshëm. Dmth, si fillim me mos përfshirjen në qeveri të ish-ministrit të brëndshëm, shefi i “rilindjes” ka dashur të fillojë hedhjen e një hapi drejt besueshmërisë para publikut brënda dhe jashtë Shqipërisë, përkundrejt atij opinioni “katran” që rëndon ndaj tij, sa i përket përmasave me të cilat u përhap ky fenomen në 4 vitet e para të qeverisjes.
Ndonëse, paragjykimi ndaj tij do të vijojë, pasi Sajmir Tahirin vetëm sa e ka spostuar nga ekzekutivi, duke e mbajtur në jetën politike të parlamentit, ku do t’i jepet mundësia të jetë aktiv, tashmë jo si drejtues, por si krye-kontrrollues i veprimtarisë së forcave të policisë dhe sigurisë kombëtare. Ndërkohë që edhe në vëndin e tij u vendos gjithashtu një emër si Fatmir Xhafaj, pjestarë të afërt të familjes së të cilit kanë qënë të përfshirë në aktivitet kriminal, sikundër vëllai i tij Agron Xhafaj, drejtpërdrejt ka qënë akuzuar si drejtues rrjetesh trafiku ndërkombëtar dhe shpërndarës lëndësh narkotike.
Në krye të betejës anti-kanabis, ku kryeministri Rama shfaqet sa i pabesueshëm, aq dhe qesharak, sigurisht që ka akoma për të shitur nga gjithë ajo ndërmarrje kriminale, peshq të vegjël dhe të mëdhenj, dorëzimi i të cilëve drejtësisë do të mund t’i kuronte disi imazhin, por kurrësesi nuk do t’ja largonte atij barën e përgjegjësisë së papranuar të kanabizimit të vëndit.
Pra, përfundimisht, pashmangshmërisht, Edi Rama e ka të pamundur, për të mos thënë që është i dënuar të mos heqë dorë as nga droga as nga Sajmet që ja garantojnë atë, pasi pavarsisht damkës së keqe që mori këto 4vite, rezultati final i të gjithës i solli atij para pa hesap, me të cilat edhe realizoi kriminalizimin e zgjedhjeve të 25 Qërshorit, nëpërmjet shit-blerjes të votës.
Ndaj dhe megjithë orvatjen e tij për t’i ikur të qënit arkitet i kanabizimit të vëndit, apo për tu shfaqur vetull ngrysur dhe hije rëndë tavolinave televizive të task-forcës së tij, gjithmonë do e ndjekë nga pas si hije batuta e Spahiut tek filmi “Dora e ngrohtë”, personazh i luajtur nga aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, sipas së cilës “Bishtin e qenit sado ta drejtosh, prapë bisht qeni do mbetet”.
Vijojnë flakët e zjarreve në Zogaj dhe në Munellë
Zjarret vazhdojnë të djegin territore dhe sipërfaqe me pyje në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 7 vatra aktive zjarri në qarqet Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Dibër. Një vatër zjarri është shënuar mbrëmjen e së mërkurës në Malin e Taraboshit në Shkodër. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit dhe po punohet për mbajtjen nën kontroll të flakëve. Për shkak të erës zjarri po përhapet me shpejtësi. Nga zjarri rrezikohen disa banesa në fshatin Zogaj.
Digjen pyjet e Lajthizës dhe fshatit Malecaj
Një zjarr i madh ka përfshirë pyjet e fshatit Lajthizë të Mirditës. Flakët po përparojnë me shpejtësi drejt zonës së banuar. Një banor i zonës është shprehur për mediat se, zjarri po u afrohet banesave duke vënë në rrezik pasurinë dhe jetën e banorëve.
Zjarri i cili ka nisur që prej ditës së djeshme në malin e Rrexit në Lezhë i është afruar fshatit Malecaj. Flakët kanë përfshirë një zonë në një terren të thyer malor, që favorizohet edhe nga era e fortë. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikës, ushtria dhe banorë të zonës. Ndërkohë banorët e zonës po ndihmojnë zjarrfikëset për të mos lejuar përhapjen e flakëve.
Zjarri në masivin pyjor të Munellës rrezikon rrëqebulli i Ballkanit
Ish-Kryeministri Berisha ka dhënë alarmin Berisha për zjarrin e madh që ka rënë në Pukë dhe që po rrezikon rrëqebullin e Ballkanit. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha shprehet se zjarri ka rënë në masivin pyjor të Munellës dhe po përhapet me shpejtësi, i ndihmuar nga era.
Ish-kryeministri shkruan se Mali i Munellës njihet si streha e rrëqebullit të Ballkanit. Berisha njoftoi se kreu i Bashkisë ka kërkuar ndërhyrjen me helikopterë.
“Pukë, zjarr i madh në masivin pyjor të Munellës, rrezikohet rrëqebulli i Ballkanit! Një zjarr i madh që ka rënë në masivin pyjor të Munellës po përhapet me shpejtësi i ndihmuar nga era. Kryetari i bashkisë ka bërë thirrje për të futur në veprim, helikopterët. Mali i Munellës njihet si streha e rrëqebullit të Ballkanit”, shkruan Berisha.
Shkrumbohen të dyja anët e Drinos në Gjirokastër
Në luginën e lumit Drino në Gjirokastër, zjarret maive kanë djeguar të dyja anët e luginës, duke shkatërruar gjithë habitatin natyror aty. Specialistët thonë se, rekuperimi i dëmit kërkon dekada, ndërsa zjarrfikësit flasin për mundësinë e zgjatjes së situatës së jashtëzakonshme nëse nuk do të nisin reshjet.
Një pjesë e zjarrvënësve, të gjithë barinj, po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa ende nuk ka të ndëshkuar. Kjo është situata më e pazakontë që mbahet mend ndonjëherë në këtë rajon, ku dëmet është vështirë të llogariten në vlerë ekonomike.
“Është shkrumbuar thuajse gjithë pjesa e Malit të Gjerë nga të dy krahët. Bashkë me florën digjet edhe fauna, lepuri, dhia e egër, dhelpra e ariu, që nuk i largohen dot zjarrit. Zjarret shkaktojnë katastrofa që për t’u rekuperuar duhen disa vite, sepse bashkë me ta dëmtohet e gjithë sipërfaqja e parë e tokës”, shprehet Kleanthi Mandi, ekspert biolog.
Në më shumë se 120 ndërhyrje vetëm brenda muajit gusht, shpesh herë zjarrfikësve u është dashur të menaxhojnë rreth 4 apo 5 zjarre të qëllimshme brenda ditës.
Në disa raste është kërkuar edhe ndihma e efektivëve nga Greqia. Disa reparte të Janinës morën pjesë në shuarjen e të paktën 7 zjarreve dhe në një rast zjarrfikësit shqiptarë parandaluan një zjarr që po avanconte në territorin grek.
QARKU SHKODËR
Në kodrat e fshatit Zogaj, Shkodër ka rënë zjarr në pyllin me dushk dhe pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar 3 automjete zjarrfikëse dhe 40 forca nga efektivët e Forcave të Armatosura. Puna për izolimin dhe fikjen e plotë të vatrave të zjarrit po vijon.
Zjarri i rënë disa ditë më parë në fshatin Munellë, Pukë ka vazhduar të jetë aktiv. Shërbimi zjarrfikës i Pukës, punonjës të Zonave të Mbrojtura dhe banorë kanë punuar për shuarjen e zjarrit deri në orët e vona të mbrëmjes. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vijon edhe ditën e sotme, pasi zjarri në disa zona ka rënë në terren shumë të vështirë dhe është e pamundur për të ndërhyrë me forca dhe mjete.
QARKU LEZHË
Disa vatra të vogla zjarri në fshatin Skuraj Kurbin vijojnë të jenë ende aktive. Shërbimi zjarrfikës së bashku me 30 forca ushtarake kanë punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit malor.
QARKU ELBASAN
Zjarri i rënë disa ditë më parë në pyllin me pisha në fshatin Poroçan, Gramsh vijon të jetë aktiv. Zjarrfikëset, forcat e Bashkisë dhe ato të Pyjores kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por pa mundur të shuajnë flakët për shkak të terrenit malor. Puna për shuarjen e vatrave të zjarrit po vijon ende.
QARKU DIBËR
Në fshatin Martanesh Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikëset kanë punuar, por nuk kanë mundur ta shuajnë plotësisht. Operacioni për fikjen e zjarrit vijon.
Farsa e turpshme e operacionit me gjoja 1000 policë kundër trafiqeve
Policia e Shtetit bëri të ditur dje se, ka nisur një operacion masiv për kontrollin e zonës bregdetare, me qëllim goditjen e trafikut të lëndëve narkotike që mund të kryhen nëpërmjet kufirit detar. Në fakt ky superoperacion nuk ishte gjë tjetër veçse show i radhës i Ramës dhe Çakos për t’i hedhur hi syve shqiptarëve se gjoja po goditet trafiku i drogës. Policia tha se në këtë operacion kanë marrë pjesë 1140 forca policore dhe janë arrestuar 32 persona, por nuk publikoi asnjë emër apo iniciale të personave të arrestuar. Ky fakt tregon se ky operacion nuk ishte gjë tjetër, por një farsë.
Edhe ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar operacionin e djeshëm të policisë një farsë të neveritshme. Përmes një mesazhi në Facebook, Berisha shkruan se, kjo farsë e dyshes Rama-Çako, kërkon t’u hedhë hi syve të medias dhe qytetarëve.
“Farsa e turpshme dhe e neveritshme e Norieges e operacionit me gjoja 1000 policë kundër trafiqeve!
Të dashur miq, sot gjatë gjithë ditës mediat njoftuan operacionin farsë të radhës Rama-Çako, kundër trafiqeve, të 1000 forcave policore nga toka, ajri, deti nga Velipoja në Butrint.
Në këtë show të neveritshëm, policia, pa dhënë asnjë emër apo mbiemër, pa treguar asnjë person njofton se (mashtroi se), janë arrestuar mbi 32 trafikantë, dhe, pa treguar as dhe një provë të vetme njoftoi se (mashtroi se) janë kapur qindra kg kanabis, sasi e mirë kokaine etj…
Megjithë këtë, Rama kësaj here gënjeu me karar, sepse nuk tha se ka angazhuar 6000 forca policore po vetëm 1000, dhe nuk tha se ka kontrolluar çdo depo, çdo magazinë, stan dhe shtëpi por tha vetëm se po kontrollojnë 400 km vijë bregdetare.
Dënoj me ashpërsi këto operacione farsë të neveritshme të Noriegës dhe ju bëj thirrje mediave të ruhen dhe të denoncojnë lajmet e rreme të qeverisë!”, shkruan Berisha.
Hapet “thesi”, qeveria vesh Doganat, RENEA-n dhe Gardën
Ministria e Brendshme ka hapur tre procedura që lidhen me blerjen e uniformave për tre institucione të ndryshme, duke nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tek Garda e Republikës dhe RENEA. Për Doganat, fondi limit i vënë në dispozicion është 32.3 milionë lekë dhe synon që të pajisë inspektorët e doganave me uniforma, veshmbathje dhe elementë përbërës të tyre.
Janë të paktën 805 veshje ku pjesën më të madhe e zënë veshjet operacionale dhe më pak ato të ceremonialit që konkretisht janë vetëm 2. Për rastin e uniformave të Gardës së Republikës fondi limit i vënë në dispozicion është 10.1 milionë lekë. Në objekt të tenderit është sigurimi i kostumit të punës për oficer e nënoficer, (2 kapele, 1 xhaketë, 2 palë pantallona për efektivin oficer e nënoficer, 1 palë pantallona dhe 1 fund për efektiv oficere e nënoficere).
Në total, sasia për gjithë elementët e veshjes arrin në 5555, duke llogaritur në një të vetme edhe emblemat apo shenjat e emrit. Për Repartin e RENEA-s, synohet të blihen uniforma sportive me një fond që nuk duhet të kalojë 1 milion lekë. Në total janë parashikuar 240 kostume sportive të ndarë për dimër dhe verë si dhe blerje peshqirësh. Shuma totale për të tre lotet e procedurës së fundit të ministrisë është 44.4 milionë lekë. Operatorët e interesuar duhet që të paraqesin ofertat e tyre deri më datë 25 gusht. Ky nuk është tenderi i parë që zhvillohet për uniformat e institucioneve. Në shkurt të këtij viti, Ministria e Brendshme hapi një tjetër tender me fond 9.5 milionë euro për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit.