Rreth tre miliardë euro është vlera e kursimeve apo depozitave të qytetarëve në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, me një normë mesatare të interesit prej rreth një për qind. Por, në vazhdimësi shtrohet edhe dilema se sa janë të sigurta këto kursime në rast të likuidimit të ndonjërës prej bankave. Ekspertë për çështje financiare vlerësojnë se depozituesit kosovarë i kanë të siguruara mjetet e tyre përderisa performanca e bankave është dhe do të mbetet e qëndrueshme.
Kurse, disa qytetarë të cilët arrijnë të kursejnë shuma të vogla të mjeteve thonë se kanë siguri, edhe pse nuk kanë informacione se në rast të likuidimit të bankave, kush do t’i kompensonte mjetet e tyre. Ariana Bytyqi, e cila punon në sektorin privat, thotë se arrin të kursej nga muaji në muaj shuma të vogla parash dhe nuk beson që në ndonjë rast, ajo mund t’i humb këto kursime.
“Ka muaj kur kursej një shumë të vogël, por ka raste kur i harxhoj menjëherë. Nuk frikësohem se më humbin. Po shpresoj se bankat janë të sigurta”, thotë Ariana Bytyqi. Ndryshe, në bazë të Ligjit për sigurimin e depozitave, kompensimi i depozitorëve fillon nëse Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, revokon licencën dhe fillon procesin e likuidimit të ndonjë banke.
Përgjegjës për sigurimin e depozitave është Fondi i Sigurimeve të Depozitave të Kosovës. Në një përgjigjeje dhënë Radios “Evropa e Lirë”, udhëheqës të këtij Fondi thonë se, “sistemi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë, i cili menaxhohet nga Fondi i Sigurimeve të Depozitave të Kosovës, siguron rreth 98 për qind të gjithsej depozitorëve, apo mbi 930 mijë depozitorë”.
Kurse në vlera financiare, Fondi i Sigurimit të Depozitave, thuhet në përgjigje, siguron 610 milionë euro depozita të siguruara apo mbi 21 për qind në raport me totalin e depozitave. Limiti i tanishëm i sigurimit të depozitave për një depozitor, person fizik apo juridik, në një bankë është 4.000 euro. Ky limit pritet të rritet në 5 mijë euro nga viti i ardhshëm. Megjithatë, Milazim Abazi e konsideron të ulët shumën e garantuar nga Fondi i Sigurimit të Depozitave. Për të bindur qytetarët që të kursejnë vlera më të mëdha të mjeteve në institucionet financiare, ky fond, sipas tij, duhet të arrijë në 10 mijë euro.
“Kjo shumë e garantimit të depozitave të ngrihet në 10 mijë euro. Jo për të garantuar, por për të bindur qytetarët se depozitat janë të sigurta. Dhe, nëse depozitat janë të sigurta, qytetarët edhe më shumë do t’i kursejnë mjetet në banka. Kështu që mund të ketë një dyfishim brenda katër vitesh të kursimeve të qytetarëve në Kosovë”, thotë Abazi.
Ndryshe, në bazë të Ligjit “Për sigurimin e depozitave në Kosovë”, Fondi do t’ia rimbursojë çdo personi fizik dhe juridik, shumën e vlerës totale të kombinuar të depozitave të siguruara në të gjitha llogaritë e mbajtjes së depozitave në institucionin ku ka ndodhur ngjarja e sigurimit në Kosovë.
Kush garanton për kursimet e qytetarëve nëpër banka?

1 i vdekur dhe dy të plagosur në aksident
Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin Fier-Lushnjë. Një person humbi jetën kur një autoveturë tip “Mercedes – Benz” u përplas me një zetor që transportonte prodhime bujqësore.
Viktima është drejtuesi i zetorit, Erion Balla, 26 vjeç. I plagosur mbeti 40-vjeçari G.H që ndodhej në zetor, i cili është dërguar në spital, si dhe drejtuesi i autoveturës. Policia dyshon se shkak për përplasjen është bërë shpejtësia dhe një manovër e gabuar e mjeteve.
Gjendet një trup i pajetë në plazhin e Sarandës
Një person i pajetë është nxjerrë nga plazhi i Bunecit në Sarandë mëngjesin e djeshëm. Viktima është parë nga pushuesit teksa pluskonte mbi ujë. Sakaq në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe nga të dhënat paraprake rezulton se trupi i pajetë është i seksit mashkull. Policia bëri të ditur se, viktima quhet Islam Bega, është 60 vjeç dhe jeton në Berat. Bega punonte roje i lokaleve në Bunec dhe nuk dihet si është mbytur, në ç’rrethana.
Trupi i pajetë është nxjerrë nga deti dhe është dërguar në Morgun e Spitalit të Sarandës. Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore, ajo që do të hedhë më shumë dritë mbi shkaqet e vdekjes së tij. “Shërbimet policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe nga verifikimi paraprak kanë konstatuar të mbytur shtetasin I.B., 60 vjeç, banues në Berat. Shtetasi I.B., i cili punonte si roje tek lokalet në Bunecë është konstatuar nga policia i pajetë brenda në det. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanve të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Një ditë më parë një tjetër person është gjetur i pajetë në plazhin e Vlorës.
Shqiptari kapet në Itali me 38 kg drogë
Policia italiane arrestoi një 30-vjeçar shqiptar, i cili u kap teksa transportonte me kamion 38 kg marijuanë me vlerë tregu 40 mijë euro. Ai u ndalua nga Policia Rrugore në Areco, pasi kishte hyrë në mënyrë klandestine në Itali, dy ditë më parë. Policia e ndaloi për një kontroll rutinë, por dyshimet lindën, pasi kamioni udhëtonte pa ngarkesë.
Shqiptari nuk u përgjigj, kur u pyet nga policët se çfarë transportonte dhe ku po shkonte. Ndaj dhe kamioni iu nënshtrua një kontrolli më të imtësishëm, prej të cilit u zbulua edhe lënda narkotike e fshehur në pjesën e poshtme.
Ndërkohë, tre shqiptarë dhe një italian u arrestuan nga policia italiane, pasi akuzohen se kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng një të ri. Mediat italiane shkruajnë se arrestimi u bë në Pergine Valsugana dhe pengu akuzohet se kishte humbur një kg marijuanë, të cilën ishte ngarkuar me detyrë që ta ruante.
Sipas policisë, i riu u mor peng në shtator 2016. Ai u la i lirë, pasi babai i tij kishte paguar “gjobën” shtatë mijë euro, që i kishte vënë banda e shqiptarëve dhe italiani. Mediat italiane shkruajnë se të arrestuarit janë Enrik Fetahu, Kreshnik Dedej, Enea Vrapi dhe italiani Vincenzo Longobardi.
Vilma Nushi i shet aksionet dhëndrrit për të fshehur gjurmët
Të gjitha konçesionet e shëndetësisë në katër vitet e qeverisjes Rama kanë përfunduar me bekimin e tij në duart e një njeriu të vetëm, Vilma Nushit. Për të shpërndarë gjurmët e aferave në koncesionet e bëra gati për në vijim, Nushi bashkë me Ramën po ndjek strategjinë e njohur tashmë nga njerëzit e tjerë pranë Ramës, atë të fshehjes së pronësisë së bizneseve.
Një taktikë e njohur tashmë që ka të bëjë ose me shitjen fiktive të aksioneve të kompanisë siç ishte rasti i ish-ministrit të Shëndetësisë Beqja, i cili deklaroi gjoja shitjen e komapnisë Intech+, në mënyrë që kompania në fjalë të vijonte të përfitonte tendera nga pushteti apo shitjen e aksioneve tek të afërm e familjarë emrat e të cilëve janë të panjohur për publikun. Qëllimi i këtyre lëvizjeve është shmangia e vëmendjes mediatike e njëkohësisht shmangia e shkeljeve në përqendrimin e të gjitha tenderave dhe koncesioneve nën emrin e një personi të vetëm siç është në rastin konkret Vilma Nushi.
Dje, mediat lajmëruan se Vilma Nushi, një nga sipërmarrëset më të mëdha në vend ka shitur aksionet, që ajo zotëronte në shoqërinë e tregtimit të produkteve farmaceutike, TRIMED. Transaksioni është realizuar në muajt e parë të këtij viti. Vendimi i asamblesë zbardh se Nushi hoqi dorë nga 50% e aksioneve të kompanisë, që ajo kishte nën zotërim duke ia shitur një shtetasi britanik, Dominic Noel William Evans, në fund të prillit të këtij viti. Sipas kontratës së shitblerjes së kuotave, çmimi i transferimit të masës së kapitalit të masës prej 50% të kapitalit të shoqërisë është 300 mijë euro. Aktualisht TRIMED, zotërohet nga aksioneri i ri në 50% të saj dhe po kaq edhe nga Shani Peposhi, të cilët në kapital zotërojnë nga 30.45 milionë lekë në vlerë kapitali.
Por çfarë fshihet pas këtij transaksioni që në dukje shfaqet si një shitje e thjeshtë e aksioneve të kompanisë në fjalë. Sipas denoncimeve në media bëhet e ditur se britaniku të cilit Vilma Nushi i ka shitur aksionet e kompanisë së saj nuk është gjë tjetër veçse bashkëshorti i mbesës së saj. Sipas këtyre të dhënave rezulton, se Nushi nuk është duke u tërhequr aspak nga kompania dhe veprimtaria e saj, thjeshtë ajo është duke zgjeruar biznesin e familjar për të patur më shumë mundësi në zhvatjen e parave të buxhetit të shtetit.
Ish-Kryeministri Berisha në një reagim të publikuar dje denoncimin e një qytetari, i cili zbardh lidhjet e Nushit me britanikun, të cilit ajo i ka shitur aksionet. “Famozja ndrikull Nushi ndan paratë e buxhetit të shtetit dhe lumturon ilakanë!! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital, i cili informon se ndrikull Nushi, e cila u bë e famshme me check up-in e saj, në të cilin merrte paratë sikur e ka bërë kontrollin edhe për qindra mijëra persona që rezultonin të vdekur kohë më parë, apo nxirrte gratë me prostatë dhe burrat me gavidancë, tani ka vendosur bujarisht të ndajë punën dhe paratë e takspaguesve me mbesën e vet të dashur dhe ta bëjë atë të lumtur dhe të pasur”, shkruan Berisha. Në denoncimin e publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha, “Dr. Berisha ndjesë për shqetësimin. Në vijim të mashtrimeve ndrikull Nushi del me një dokument ku vërteton shitjen e 50% të aksioneve të check-up të aksioneve një kompanie angleze të cilën e drejton Dominic Evans, i cili nuk është askush tjetër veçse dhëndri i motrës së saj bashkëpunëtores më të ngushtë, Majlinda Hido. Dominic Evans është bashkëshorti i mbesës së ndrikull Nushit, Ledina Hido. Ju përshëndes me shumë respekt”.
Kush është TRIMED
Në bilancin e TRIMED për vitin 2016 rezulton se të ardhurat e kompanisë ishin 1.7 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej rreth 60% në raport me vitin e mëparshëm. Ndërkohë që edhe fitimi para tatimit i vitit për 2016 është rritur me 50%, duke regjistruar vlerën 67 milionë lekë. Referuar profilit të kompanisë në faqen e saj zyrtare në internet bëhet me dije se, Trimed operon në tregun shqiptar që prej vitit 1993. “Në vitin 2008, kompania nisi bashkëpunimin me M&D, një kompani e specializuar në logjistikë dhe shpërndarje”, thuhet në profilin e saj.
Marketing and Distributon është kompania kryesore e sipërmarrëses Nushi. Në objekt të aktivitetit të saj kompania përfshin Import-Eksport tranzit, depo farmaceutike, përfaqësim në fushat farmaceutike, prodhim-përpunim-konfeksioni-import-eksport-tranzitim-tregtim me shumicë e pakicë të medikamenteve, materialeve mjekësore e aksesorëve të tyre, barnave, materialeve dentare e veterinare, higjienosanitare, barnave mjekësorë popullore, por edhe fusha shtesë.
Por përtej shifrave të kamufluara me kujdes nga Nushi, përfitimet e kompanisë së saj Trimed, bashkë kompaninë tjetër Marketing Distribution kapin vlerën marramendëse të gati 230 milionë eurove. Mjafton të kujtojmë që koncesioni i Vilma Nushit për kontrollin falas të shëndetësisë me vlerë 120 milionë euro është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që prej vitit 2015, por kjo nuk e ndaloi Edi Ramën që t’i jepte sërish dhe 100 milionë euro të tjera, këtë herë për laboratorët.
Nga viti 2015, Nushi rezulton se, vetëm me anë të dy koncesioneve të provuara në shëndetësi të ketë përfituar rreth 22 milionë euro, për një periudhë 10-vjeçare. Por jo vetëm kaq, nga koncesioni i fundit, fondeve të buxhetit do i bashkëngjiten dhe fitimet që do të marrë nga analizat që do të kryhen në laboratorët e dhuruar nga Edi Rama në të gjithë vendin. Deri më tani përllogariten se nga katër koncesionet e mëdha, chek-up, ai i sterilizimit, hemodializa dhe së fundmi ky i laboratorëve kostoja të jetë diçka më shumë se 400 milionë euro.
Vrasja e paralajmëruar e gjyqtares
Një ngjarje e rëndë tronditi mesditën e djeshme kryeqytetin. Një gjyqtare u vra me dy plumba pistolete nga ish-burri i saj në zonën e ‘Xhamllikut’ në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:00 në momentin kur gjyqtarja Fildes Hafizi ishte duke hipur në automjetin e saj, tip “Benz” me ngjyrë gri. Policia bëri të ditur se, Fildes Hafizi (Kasemi), 39 vjeç, me profesion gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës është qëlluar nga ish-burri i saj Fadil Kasemi, 53 vjeç. Ajo ka ndërruar jetë menjëherë, pasi është qëlluar me dy plumba në kokë. Policia bëri të ditur se ka arrestuar autorin e krimit dhe ka sekuestruar armën me të cilën kreu krimin. Policia tha se, po vijon hetimet për të zbardhur motivet e krimit të rëndë.
Gjyqtarja Fildes Hafizi ka patur urdhër mbrojtje me vendim Gjykate, por ajo nuk ka patur asnjë mbrojtje nga Policia ndonëse është kërcënuar nga ish-burri në rrugë dhe në ambiente publike. E vrarë në mes të ditës dhe mes të Tiranës pa patur asnjë mbrojtje nga shteti edhe pse Gjykata kishte kërkuar mbrojtje për të. Gjyqtarja luftoi dhe kërkoi mbrojtje për jetën e saj, por e humbi betejën, sepse e vranë! E vrau shteti, që e kishte për detyrë ta mbronte!
39-vjeçarja ka deklaruar se ish-burri e kishte kërcënuar edhe më parë me pistoletë, duke i shkuar në shtëpi. Hafizi ka deklaruar po ashtu se, i shoqi pinte dhe luante bixhoz dhe për këtë arsye kishte vendosur të divorcohej me të, duke fituar vetë kujdestarinë e fëmijëve.
Fadil Kasemi ka tentuar të vrasë ish-gruan e tij në vitin 2015 në plazhin e Golemit. Ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve të çiftit të divorcuar në maj të vitit 2015. Burri u arrestua dhe me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, Gjykata ka vendosur në vitin 2015 masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, pasi tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij.
Vrasësi e priti sa doli nga parukeria
Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi dje Tiranën, ku mbeti e vrarë gjyqtarja Fildes Hafizi (Kasemi). Burime nga vendi i ngjarjes thanë se, gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi, sapo ka dalë nga një parukeri në zonën e ‘Xhamllikut’.
53-vjeçari e ruante ish-bashkëshorten dhe sapo ajo ka dalë nga parukeria dhe hipi në makinë, i është afruar duke e qëlluar me dy plumba në kokë. Më pas, ai ka lëvizur pak metra më tej në rrugë, ku nën kërcënimin e armës ka ndaluar një shofer furgoni, të cilit i ka kërkuar ta çojë në Komisariatin Nr.2 ku edhe është vetëdorëzuar para policisë.
Bëhet e ditur se, gjyqtarja e kishte parandjerë krimin. Disa kohë më parë, ajo i ishte shprehur një koleges së saj gjatë një udhëtimi Tiranë-Shkodër se burri do ta vriste. “Kam frikë se ai do të më vrasë”, mësohet t’i ketë thënë Fildes Hafizi koleges. Gjyqtarja jetonte me dy fëmijët dhe kujdesej gjithashtu për prindërit e saj të moshuar dhe në gjendje të keqe shëndetësore.
Deklarata e vrasësit në polici: Jam penduar
Fadil Kasemi ka dhënë dëshminë e tij të parë në polici në lidhje me vrasjen e ish-gruas Fildes Hafizi. Ai ka thënë në polici se, është penduar për vrasjen e ish-gruas, por ka shtuar se, gjithçka ka ndodhur në kushtet e tronditjes psikologjike. Burri ka thënë se, ka pasur një debat me gruan gjatë ditës për çështjen e fëmijëve, para se ta qëllonte me armë. Mësohet se autori ka thënë në polici se, ish-gruaja, nuk e lejonte të takohej me dy fëmijët pas divorcit.
Po ashtu edhe pas arrestimit të tij në 2015, pasi kërcënoi gruan me armë në plazh, Fadik Kasemi ka thënë se gruaja nuk i lejoi fëmijët të shkonin ta takonin në burg.
Disa herë, Fildes ishte shprehur e shqetësuar lidhur me persekutimet e ish-bashkëshortit dhe kishte kërkuar mbrojtje nga policia. Madje miq të saj treguan se ish-bashkëshorti e kërcënonte me telefon edhe gjatë kohës që kishte qenë në burg.
Gjyqtarja-koleges: Kam frikë se do të më vrasë
“Ndihem e kërcënuar, ai mund të më vrasë”. Këto janë fjalët që gjyqtarja Fildes Hafizi (Kasemi) i kishte thënë një koleges së saj. Gjyqtarja ia kishe shprehur këtë shqetësim gjatë një udhëtimi nga Tirana për në Shkodër. Ndërkohë dje ajo është ekzekutuar me dy plumba në kokë brenda makinës nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi. Gjyqtarja, raportohet se përveç dy fëmijëve, kujdesej edhe për dy prindërit e saj, të cilët janë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Autori i krimit u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes.
Ulërimat e të birit para dy vitesh: “Mos e vrit mamin”!
Bashkëshorti vrasës kishte tentuar edhe më parë të qëllonte mbi gruan e tij gjyqtare. Në 19 korrik 2015, në plazhin e Golemit në afërsi të hotel “Horizonti”, Fadil Kasemi ka kanosur me anën e një pistolete bashkëshorten e tij, shtetasen Fildes Hafizi. “Mos e vrit mamin”, i lutej djali babait për nënën e tij, e cila edhe ajo e rrëzuar në rërë lutej “Mos e lër djalin jetim”.
Djali shikonte sesi babai i tij, po tentonte të nxirrte pistoletën që e kishte vendosur në brez në tentativën për të kryer një vrasje të mundshme ndaj nënës së tij, e cila ishte e divorcuar. Fatmirësisht ndërhyrja e një pushuesi, bëri izolimin e 51-vjeçarit Fadil Kasemi dhe marrë armën ku parandaloi krimin e rëndë. Të shumtë kanë qenë dëshmitarët që kanë parë ngjarjen dhe janë rrënqethur nga ai moment. Ngjarja ka ndodhur në shezlonet e plazhit. Paradite gruaja dhe djali e kishin kaluar vetëm ditën, më pas kishte ardhur 51-vjeçari dhe së bashku u larguan për t’u kthyer më vonë pranë shezlonit, duke debatuar. Në debat e sipër ish-bashkëshorti godet me grusht djalin, duke e rrëzuar në rërë dhe disa herë me grushta bashkëshorten e tij 35-vjeçare Fildes Hafizi duke i lënë dhe shenja në fytyrë.
“I kapi duart e i tha, çfarë po bën. E goditi dhe e uli në gjunjë, ndërsa pistoletën ia dha gruas, e cila e çoi në komisariatin e Golemit, gati 200 metra larg vendit ku ndodhi krimi”, dëshmoi pushuesi. 35-vjeçarja së bashku me djalin e tij ndodheshin për pushime në plazh në një hotel aty pranë. Pushuesit rrëfyen atë kohë se kur policët mbërritën dhe e gjetën Fadilin të ulur në rërë dhe me duar në kokë. Ashtu si tani, ai pa rezistencë iu dorëzua prangosjes së policisë.
Postimi prekës i gjyqtares: “Fëmijët kapitulli më i bukur në librin e jetës time”
Gjyqtarja e rrethit të Shkodrës Fildes Hafizi, 39 vjeçe e cila u ekzekutua dje nga ish-bashkëshorti i saj, ka bërë disa postime pikante në rrjetin e saj social “Facebook”. Kujtojmë se 39-vjeçarja po shkonte në shtëpinë e saj ku jetonte me dy fëmijët e mitur, në momentin që është qëlluar nga ish-bashkëshorti.
E duket se fëmijët ishin ngushëllimi dhe motivi i jetës për gjyqtaren shkodrane pas problemeve të shumta me bashkëshortin. Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale “Facebook”, gjyqtarja shkruan se fëmijët janë kapitulli më i bukur i jetës së saj.
“Fëmijët e mi janë dhe do të mbeten kapitulli më i bukur në librin e jetës time”, shkruhet në postim.
Fildes Hafizi ishte nënë e një djali dhe një vajze adoleshentë. Ajo ishte dhunuar disa herë nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi dhe madje kishte edhe një urdhër mbrojtjeje, por sërish nuk ka mundur t’i shpëtojë çmendurisë së 53-vjeçarit që sot e ka ekzekutuar pak metra larg shtëpisë së saj, duke lënë tashmë dy fëmijë jetimë. Kasemi u arrestua pak kohë pas vrasjes që tronditi sot kryeqytetin.
Si tentoi ta vriste dy vite më parë gjyqtaren dhe si u lirua nga burgu Fadil Kasemi
Fadil Kasemi, i cili mesditën e djeshme ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij, ka tentuar të vrasë ish-gruan e tij në vitin 2015 në plazhin e Golemit. Ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve të çiftit të divorcuar në maj të vitit 2015. Burri u arrestua dhe me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, Gjykata ka vendosur në vitin 2015 masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, pasi tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij.
Kasemi, i cili mesditën e djeshme ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij, gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës u lirua nga burgu në janar të 2017. Ai është një nga 670 të dënuarit, të cilët përfituan lirinë nga amnistia, pas listës së hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe e miratuar nga Parlamenti në dhjetor të 2016.
Urdhri i lirimit mban datën 14 janar 2017. Në momentin kur u miratua aministia, Kasemit i kishin mbetur për të vuajtur dhe 11 muaj e 8 ditë burg. Vendimi i Gjykatës së Kavajës dënonte Fadil Kasemin me 3 vjet burg. Vendimi i firmosur nga gjyqtari Luan Lusha u shpall më 28 prill 2016.
Gjykata e deklaroi fajtor Fadil Kasemin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje” me 1 vit e 6 muaj burg. Dhe për akuzën “armëmbajtje pa leje” e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet burg.
“Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal në bashkim të dy dënimeve në një dënim të vetëm e dënon të pandehurin me 4 vjet e 6 muaj burgim. Në aplikimin e nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale e dënonte përfundimisht të pandehurin me 3 vjet burg”.
Vuajtja e dënimit niste nga data 19 korrik 2016 dhe do të kryhej në një burg të sigurisë së zakonshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Mesditën e djeshme, Fadil Kasemi qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten e tij, e cila po hipte në makinën e parkuar pranë pallatit ku jetonte. Policia arrestoi autorin dhe sekuestroi armën e krimit.
Facebook kujton gjyqtaren e vrarë
Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi, nënë e dy fëmijëve në mes të kryeqytetit shqiptar nga ish-bashkëshorti i saj ka shkaktuar tronditje dhe reagime. Një reagim virtual ka ardhur edhe nga platforma “Facebook”, më e përdorura në Shqipëri. Prej një viti aplikacioni i krijuar nga Mark Zuckerberg, ka krijuar disa opsione, ku përdoruesi ka të drejtë edhe të vendosë se çfarë do të ndodhë me llogarinë e tij pas vdekjes dhe madje të ketë edhe një kontakt të dytë që mund ta përdorë.
E me sa duket e njëjta gjë ka ndodhur edhe me llogarinë në “Facebook” të gjyqtares 39-vjeçare, të cilës iu mor sot jeta nga babai i fëmijëve të saj.
“Facebook” e ka kujtuar Fildes me një citim në krye të faqes së saj, ku thotë se profili do të jetë aty për të kujtuar jetën e saj. “Në kujtim të Fil Des. Ne shpresojmë që njerëzit që e kanë dashur Fil të gjejnë ngushëllim kur të vizitojnë profilin e saj për të kujtuar dhe festuar jetën e saj”, shkruhet aty.
R.POLISI
Raporti i CIA-s, Berisha: Noriga në rreth të kuq!
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar dje pas përditësimit të të dhënave të CIA mbi Shqipërinë, ku e konsideronte vendin tonë si burim i prodhimit dhe tranzit i trafikut të lëndëve narkotike, trafikut të armëve, pastrimit të parave si dhe zgjerim të pushtetit të rrjeteve kriminale shqiptare në Europë. Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, Berisha e cilëson raportin e CIA-s si futjen e Ramës dhe qeverisë së tij në “rrethin e kuq”. “Lajmi i dhënë dje nga të gjitha mediat, sipas të cilit SHBA, Agjensia Qendrore e Zbulimit (CIA) konsiderojnë Shqipërinë vend kryesor të prodhimit dhe trafikut të drogave në Europë dhe ndër më kryesoret në botë, përbën një zhvillim dramatik për Noriegën dhe narkoshtetin e tij në Shqipëri. Prodhimin dhe trafikun e drogës, SHBA e konsiderojnë gjithnjë faktor madhor të shkatërrimit të shtetit ligjor, destabilizimit të vendit dhe një burim të rrezikshëm financiar për financimin e terrorizmit. Vetëm pak javë më parë, një raport i organeve të zbatimit të ligjit i Mbretërisë së Holandës denoncon rritjen me 700% të krimit shqiptar në këtë vend tre vitet e fundit. Noriega i Europës, javën që kaloi me gjuhën e Mannuelit, pra Noriegës së Panamasë, i deklaroi Komisionerit Hann, i cili i kishte ngritur shqetësimin e madh të BE për krimin dhe drogën e Shqipërisë, se ai refuzonte këto akuza të BE. A do t’i thotë Noriega edhe qeverisë amerikane se refuzon akuzat e CIA për Shqipërinë si vend kryesor i prodhimit dhe trafikimit të drogës këtë nuk e di, por një gjë është e sigurtë, se rrethi i kuq po ngushtohet gjithnjë e më shumë për të!” shprehet Berisha në reagimin e tij.
Basha me ministrat teknikë: Misioni i tyre u sfidua dhe u sabotua
Kryetari i opozitës deklaroi pas një dreke me ministrat teknikë se misioni i tyre u sabotua dhe sfidua nga mungesa e mbështetjes politike. “Sot pata një drekë falenderimi me ministrat teknikë. Misioni i tyre u sfidua nga mungesa e mbështetjes politike, mosbashkëpunimi dhe sabotimi, por ata shërbyen me kurajo, integritet dhe përkushtim, duke përballuar sulme dhe sprova të mëdha. Duke ju shprehur mirënjohjen time të thellë, ju urova suksese në angazhimet e tyre profesionale e publike në të ardhmen”, thotë Basha në një postim në Facebook.
Paloka: Rama nuk gjen dot vrimë ku të futet nga krimi
Një ditë pas paralajmërimit të kryeministrit Rama se bosët e drogës në Shqipëri duhet të gjenë vrimë ku të futen, pasi do të kalojnë në sitën e policisë, vjen reagimi i një demokrati. Duke ironizuar mbledhjen e djeshme të Task-Forcës, deputeti i PD-së, Edi Paloka thotë se të gjithë kriminelët që bëjnë jetë luksi dhe që kanë makina të blinduara janë të mbrojtur nga policia dhe kanë mbështetjen e vetë kryeministrit Rama. “Rama do kapë kriminelët?! Do ju bllokojë makinat dhe asetet?! Kriminelët “të gjejnë vrimë ku të futen”?! Cilët kriminelë do të eliminojë Rama? Ata që me makina të blinduara, nën mbrojtjen e policisë, shpërndanin paratë e drogës e blinin votat për Ramën? Kush i ka pajisur kryekriminelët me makina të blinduara në gjithë vendin? Për makinat e blinduara duhet leje e posaçme. Pa dhënë leje “shteti” i Ramës askush nuk mund të ketë makinë të blinduar. Një makinë e mirë e blinduar kushton edhe më shumë se një “Ferrari” dhe sot këto makina në Shqipëri i zotërojnë Rama, Tahiri dhe shumica e kriminelëve më të njohur. A do i bllokojë Rama këto? Sigurisht që jo! Vërtetë beson Rama se ka njeri në Shqipëri apo në botë që nuk e di se droga kishte, jo mbështetjen, por nxitjen direkt nga Rama për t’u kultivuar dhe për t’u përdorur si aseti kryesor në blerjen dhe marrjen me dhunë të zgjedhjeve…Prandaj, Rama as nuk do të kapë e as nuk do të bllokojë ndonjë kriminel të vërtetë, sepse për fat të keq është kryeministri ynë që nuk gjen dot vrimë se ku të futet prej tyre”. Edhe deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu shkruan dje se deklaratat për luftën ndaj kanabisit dhe uljen e sasisë së mbjellë, janë vetëm ironi e qeverisë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Shehu shkruan se megjithë rënien e sasisë së kultivimit, kriminaliteti nuk është ulur, “dhe as trafiqet dhe pastrimi i parave”. Sipas tij, deklaratat e fundit të Ramës tregojnë edhe njëherë se mbushja e vendit me kanabis është bërë me lejen e atyre që duhet ta luftonin. “Ironia e fundit e qeverisë: kryeministri deklaron se ka bllokuar kanabizimin e vendit”. Eshtë e vërtetë se këtë vit sasia e kanabisit të kultivuar është më e vogël nga ajo e dy viteve të fundit. Por kjo nuk ka ulur kriminalitetin, trafiqet dhe larjen e parave. Siç konfirmon edhe CIA, grupet kriminale të konsoliduara nga kanabisi së fundmi po përhapen e zhvendosen në objektiva drejt trafikut të drogave të forta, të armëve etj. Pse jo edhe drejt lidhjeve me terrorizmin. Ulja e sipërfaqes me kanabis këtë vit, nuk i shton vlerat qeverisë, përkundrazi konfirmon përfshirjen e strukturave shtetërore në atë aktivitet të paligjshëm. Mbushja e vendit me kanabis nuk mund të bëhej pa rolin “lider” e “përfitues” të atyre që duhej ta luftonin, në bashkëpunim me krimin?! Kjo që nga hyrja në vend e sasive masive të farërave, kultivimit të platacioneve të tëra, punimeve teknologjike, magazinimit, qarkullimit të vlerave kolosale monetare, një pjesë e madhe e të cilave u përdorën për fitoren e Rilindjes etj. Kur mund të “luftohet” kaq lehtë sot pse u la të rritej deri në këtë derrexhe!? Të humburit dhe shpresa janë fshatarët e thjeshtë: Ata tashmë mbasi shkatërruan dhe prodhimin bujqësor, morën fajde a kredi, paguan protektorët, janë futur në “gropa” financiare me stokun e kanabist të fshehur diku, që vazhdon të përdoret si mjet presioni mbi ta. Këta janë garanci për të mos rënë përsëri në këtë “piramidë” ku if uti pushteti me krimin”. Të shpresojmë se kjo tragjedi e “orkestruar” të mos përsëritet, sidoqoftë për këtë garanci mund të jenë vetë njerëzit e jo strukturat shtetërore”.
Basha: Xhafa e Ruçi, triumf i krimit të organizuar në politikë
“Rama po trumbeton një luftë falso kundër drogës me shfaqje televizive. Marifeti është shënjestrimi i figurave të parëndësishme, ndërkohë që kokat e krimit të organizuar gëzojnë mbrojtje dhe pandëshkueshmëri. Por çfarë e demaskon vullnetin e vërtetë politik të Ramës është emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme ?”
“Mposhtja e krimit të organizuar me mbështetje dhe lidhje politike është sfida kryesore që duhet të kapërcejë Shqipëria. Kjo kërkon vetëdijësimin dhe bashkimin e të gjithë njerëzve që duan një vend normal, pa krim e drogë, me mundësi për të jetuar ndershëm”
Jo vetëm xhelatë të komunizmit, por edhe me lidhje të forta me krimin e organizuar, dy nga njerëzit më të afërt të Ramës në qeverisje, Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafa janë sot triumfi i krimit të organizuar në politikë.
Fatmir Xhafa sot ministër i Brendshëm është njeriu, vëllai i të cilit është trafikant kokaine. Xhafa rezulton të jetë në dosjet e ndërkombëtarëve si njeriu i lidhur me bandat më të rrezikshme të trafikut të drogës. Krahas lidhjeve të tij me krimin e organizuar, më e errët është e kaluara e Xhafës si xhelat i komunizmit. Shumë akuza rëndojnë sot mbi të kur në kohën që ai shërbente si gjyqtar i diktaturës hoxhiste, ai ka firmosur vendime që kanë shkatërruar jetën e shumë qytetarëve shqiptarë e familjeve të tyre gjithashtu.
Sot Parlamenti i Shqipërisë, institucioni i konsideruar si shtëpia e demokracisë, do të drejtohet nga Gramoz Ruçi, dikur ish- ministër i Brendshëm i diktaturës hoxhiste dhe sot i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lidhjet e tij me krimin e organizuar.
Për Kryetarin e PD, Lulzim Basha mjaftojnë këto dy shembuj për të dëshmuar se krimi i organizuar ka triumfuar bindshëm në politikë dhe ka ngjitur majat e pushtetit. Përmes një reagimi në mediat sociale, Basha cilësoi si qesharak qendrimin e Ramës për gjoja goditjen e krimit të organizuar në një kohë që kokat e krimit në Shqipëri janë të pandëshkueshme e gëzojnë mbrojtje të fortë nga vetë shteti.
“Nën trysninë ndërkombëtare dhe përpara rrezikut të ndalimit të lëvizjes së lirë dhe integrimit për shkak të krimit të organizuar dhe drogës, Rama po trumbeton një luftë falso kundër drogës me shfaqje televizive. Marifeti është shënjestrimi i figurave të parëndësishme, ndërkohë që kokat e krimit të organizuar gëzojnë mbrojtje dhe pandëshkueshmëri. Por çfarë e demaskon vullnetin e vërtetë politik të Ramës është emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme. Promovimi i tyre është triumf i krimit të organizuar në politikë. Që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA Gramoz Ruçit për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Fatmir Xhafaj është një tjetër figurë e diskredituar, i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë e Italisë si një nga kokat e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës”, tha Basha.
Nga ana tjetër, Basha kujtoi se edhe deputetë të tjerë të Ramës kanë lidhje të forta me krimin dhe drogën, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e një bashkimi të fuqishëm qytetar për të mposhtur krimin e organizuar dhe të gjitha lidhjet e tij me pushtetin.
“Disa deputetë të tjerë të afërt të Edi Ramës në Kuvend janë gjithashtu të lidhur me krimin dhe drogën. Mposhtja e krimit të organizuar me mbështetje dhe lidhje politike është sfida kryesore që duhet të kapërcejë Shqipëria. Kjo kërkon vetëdijësimin dhe bashkimin e të gjithë njerëzve që duan një vend normal, pa krim e drogë, me mundësi për të jetuar ndershëm”, u shpreh Basha.