22.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Korrik, 2025

Erikson gjykon Maqedoni-Shqipëri

Transferta shumë e rëndësishme e Shqipërisë me Maqedoninë, që do të zhvillohet më 5 shtator në stadiumin e Strumicës, do t’i besohet gjyqtarit suedez Jonas Erkisson, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Mathias Klasenius dhe Daniel Warnmark. UEFA, duke parë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, ka caktuar një arbitër me shumë eksperiencë, i aftë për të kontrolluar situatat edhe më të paparashikuara që mund të lindin jo vetëm në fushën e blertë.
43-vjeçari Eriksson, i cili e ka marrë stemën e FIFA-s që nga viti 2003, është një nga arbitrat më të rëndësishëm ndërkombëtarë, i caktuar për të gjykuar madje edhe finalen e Europa Leagues mes Sevillas dhe Liverpool. Gjithashtu është pjesë e trupës më të mirë të gjyqtarëve të përzgjedhur për finalet e Botërorit dhe Europianit.
Eriksson është një gjyqtar multimilioner, teksa vetëm nga shitja e 15% të aksioneve të një kompanie televizive ka mundur të fitojë rreth 7 milionë euro. Ai është i vendosur në Sigtuna, në lagjen më të pasur të kryeqytetit të Suedisë Stokholm.
Ndërkohë në ndeshjen e “Elbasan Arenas” me Lihtensteinin do të vendosë drejtësi kryesori rus Sergei Lapochkin, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Aleksei Lebedev dhe Aleksei Lunev po nga Rusia. Ndeshja e fundit që ka gjykuar Lapochkin në kompeticionet është ajo mes Crvena Zvezdas dhe Spartës së Pragës, në raundin e tretë të Europa Leagues.

Bunjaku: Kosova gati për Kroacinë

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Zagreb, ku të shtunën do të përballet me Kroacinë në ndeshjen kualifikuese të Grupi I e vlefshme për Botërorin “Rusia 2018”. Në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë para një numri të konsiderueshëm shikuesish, përzgjedhësi Albert Bunjaki së bashku me asistentët e tij provoi disa skema me të cilat pritet të përballet kundër kroatëve. Bunjaki pavarësisht kundërshtarit të vështirë është shprehur se, Kosova është gati për përballjen në Maksimir të Zagrebit.
Bajram Jashanica pritet të debutojë në një ndeshje zyrtare me Kosovën, duke pranuar se është ndjenjë e mirë të luash për vendin tënd. Qendërmbrojtësi i Skënderbeut ka mohuar zërat e fundit se do të largohet nga Skënderbeu, duke pranuar se do të luajë edhe një stinor te skuadra nga Korça. Kapiteni Samir Ujkani ka premtuar se Kosova do të japë maksimumin edhe pse e di se është vështirë kundër Kroacisë.
Mesfushori, Enis Alushi për Superpsort ka pranuar se Kosova është gati për ndeshjen kundër Kroacisë dhe shpreson se deri në fund të ciklit eliminator Kosova t’i dhurojë një fitore tifozëve të saj të shumtë.

Manaj prezantohet te Granada: I lumtur për transferimin

Rey Manaj prezantohet zyrtarisht te skuadra e Granadas, duke nisur një aventurë të re në Segunda Division. Sulmuesi shqiptar prezantohet zyrtarisht nga klubi andaluzian, ku flet për aventurën e re me fanellën bardhekuq. “Shokët e mi te Interi, Medel dhe Murillo më kanë thënë fjalë të mira për klubin e Granadas dhe jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë”, thekson sulmuesi i lindur në Lushnjë. Në vijim, Manaj shton se kjo është një mundësi mjaft e mirë në karrierën dhe do të punojë për t’u rritur bashkë me klubin. 20-vjeçari vijon më tej duke theksuar se objektivat e skuadrës janë parësore dhe do të punojë bashkë me grupin për t’i arritur.
“Konkurrenca është e mirë për çdo ekip dhe unë premtoj që do të jap maksimumin”, e mbyll fjalën e tij në konferencën e parë të shtypit si lojtar i Granadas. Në vijim, fjalën e mori drejtori sportiv Manolo Salvador, i cili vuri në dukje cilësitë teknike të lojtarit, duke theksuar se ishte ky shkaku që Granada vendosi t’i besojë lojtarit shqiptar. “Manaj është një bast për të ardhmen dhe besoj se do ta freskojë shumë grupin aktual të ekipit tonë”, nënvizoi ai.

Sadiku: Besoj te grupi, do të kërkojmë fitoren

Sadiku në konferencë për shtyp për sifdat me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë u shpreh se: Këto ditë nuk dalë në stërvitje, por deri të shtunën besoj se do të jem i gatshëm për trajnerin, gjithsesi do ta bisedoj me të. Mendoj që në ditët e sotme nuk ka skuadra të vogla, një gjë e tillë u pa ndaj Luksemburgut, e morëm lehtë dhe humbëm. Tre pikët në këtë takim janë të rëndësishme për të shkuar me moralin lart në Maqedoni. Do të shikoj të shtunën si do të ndihem, do ta vendosim të gjithë bashkë. Përsa i përket Legias, i gjithë ekipi ka kaluar një moment të vështirë, por tashmë i jemi rikthyer formës optimale, duke fituar tre ndeshje rresht. Unë mundohem të japë më të mirën time. Sulmuesi këtë detyrë ka, se sa do t’ia arrijë nuk e di. Çdo ndeshje për mua është si finale. Dëshira ime është të realizoj sa më shumë gola. Nuk kam folur me trajnerin se kush mund të jetë zëvendesuesi im. Është detyra trajnerit. Latifi mendoj që po, mund të jetë një opsion, i ka treguar vlerat e tij edhe në ndeshje të rëndësishme si ato në Europa League.
Varet nga ndeshjet apo rivali. Ne jemi një kombëtare e vogël, por do më pëlqente të luaja me një tjetër sulmues në krah. De Biasi preferonte të luante me 1 sulmues. Nuk është problem, nëse luajmë me dy sulmues është ndihmesë për mua.
Na dërguan në një stadium të vogel për shkak të frikës se mos mbushej me shqiptarë. Sidoqoftë ne do të shkojmë atje me kokën lart për të marrë tre pikë. Alisoki e pranon që jemi një skuadër më e fortë se ta. Me Maqedoninë në Shkodër shënuam shpejt. Një gabim i joni solli barazimin, por gjatë gjithë kohës kishim kontrollin. Nuk jemi më të fortë se ata, pasi janë një skuadër me elementë cilësorë, por unë besoj te grupi.

Kërkojmë dy fitore

Është vetëm 23 vjeç, por në fushë ai është një lider i vërtetë dhe di ta udhëheqë skuadrën që nga prapavija. Është aktivizuar në 32 ndeshje me Shqipërinë deri tani dhe me të drejtë ngjason me një futbollist veteran sa herë mban veshur ngjyrat kuqezi. Hysaj për Shqipërinë nuk është një lider vetëm në fushën e lojës, por përpara gazetarëve për mënyrën sesi flet. Në konferencën e rradhës për shtyp mbrojtësi i Napolit, përcolli optimizëm për dy sfidat eliminatore të muajit shtator, por në të njëjtën kohë e vuri theksin te Lihtenshejni, pasi sfida e “Elbasan Arena” pavarësisht se përballë është një kundërshtar modest mbetet një prioritet për Shqipërinë.
“Duhet të shohim ndeshjen e parë me Lihtenshtejnin të fitojmë njëherë këtë ndeshje dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë. E dimë që Maqedonia është një skuadër më e përgatitur, por ne duhet të kalojmë njëherë Lihtenshtejnin dhe të shkojmë me entuziazëm drejt Maqedonisë”, u shpreh Hysaj.
Tifozët kuqezi gjithmonë kanë qenë lojtari i 12-të dhe Hysaj nuk ngurroi t’u bënte thirrje fansave të jenë sa më të shumtë në numër për të mbështetur Shqipërinë në sfidën e rradhës ndaj Lihtenshtejnit. “Tifozët duhet të vinë gjithmonë ta përkrahin kombëtaren, sepse ekipi përfaqësues nuk është si klubet që luan çdo javë, ne futbollistët vimë këtu për të përfaqësuar kombin tonë dhe tifozët duhet të vinë të përkrahin kombin e tyre. Unë mendoj që tifozët shqiptarë na kanë mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë”, tha ai.
Në këtë grumbullim të rradhës, Shqipëria vjen me disa risi siç janë mbrojtësit Balliu e Memolla por edhe mesfushori Valon Ahmedi, që janë grumbulluar për herë të parë. Sipas 23-vjeçarit nga Shkodra prurjet e reja e kanë potencialin për të qenë futbollistë të rëndësishëm për Shqipërinë në të ardhmen. Më pas, mbrojtësi bëri një krahasim mes trajnerit të ri Christian Panuccit dhe ish- teknikut Gianni De Biasi, ndërsa nuk preferoi të polemizonte për vendimet e trajnerit Panucci, në lidhje me Sokol Cikalleshin.
“Të gjithë trajnerët kanë një mënyrë të ndryshme të stërvitjes dhe të lojës, besoj që me Panuccin do të ndryshojmë diçka për mënyrën sesi do të luajmë, por të shohim sesi do të na vendosë trajneri të shtunën në fushë. Por mos prisni ndryshime të mëdha. Futbollistët me trajnerët shkojnë mirë dhe jam i sigurtë se dhe me Panuccin do të kemi një raport të shkëlqyer, unë personalisht apo edhe të gjithë shokët e skuadrës. Kjo është një zgjidhje e trajnerit dhe është ai që vendos. Nëse trajneri e mendon kështu mund të ndodhë që të largojë nga ekipi përfaqësues edhe një futbollist që ka 10 vite te Shqipëria. Nëse trajneri përdor dorën e hekurt është zgjedhja e tij ne futbollistët duhet të zbatojmë rregulloren e përcaktuar nga trajneri”, tha Hysaj.
Me tërheqjen nga futbolli të Lorik Canës, shiriti i kapitenit në kombëtare mbahet nga Ansi Agolli, por edhe mbrojtësi i krahut të majtë është në vitet e fundit të karrierës së tij dhe në të ardhmen kapiteni i ri mund të jetë pikërisht Elseid Hysaj. “Shiriti i kapitenit do të thotë shumë për një lojtar, por shiriti nuk është gjithçka rëndësi ka të jesh pjesë e kombëtares. Gjithsesi dëshira do të ishte e madhe që të isha unë kapiteni në të ardhmen edhe pse nuk jam nga ata lojtarë që shiritin e kapitenit e vendos në rradhë të parë”, përfundoi Hysaj.

Dilemat e formacionit

Liechtensteini do të jetë prova e parë e Christian Panuccit si trajner, që padyshim ka filluar të krijojë një ide mbi atë që mund të jetë formacioni i tij në këtë debutim. Sigurisht që trajneri do të provojë të sjellë një frymë të re në skuadër dhe Liechtensteini mund të jetë rasti i duhur për ta bërë diçka të tillë pse jo, duke provuar si titullar dhe emra të rinj, që deri në këto momente e kishin patur pak mundësinë për të qenë që nga minuta e parë në fushë.
Në seancat e para stërvitore, skema e përzgjedhur dhe për shkak të emrit të kundërshtarit është sulmuese me rreshtimin 4-3-3. Sigurisht që disa emra titullarësh, Panucci i ka të qartë, duke nisur nga porta ku do të rikthehet titullar Berisha, ndërsa Mavraj në qendër e Hysaj në të djathtë janë të padiskutueshëm.
Dilema mbetet aktivizimi i Agollit nga minuta e parë apo Memollën, për të provuar dhe cilësitë e këtij të fundit, ose prania përkrah Mavrajt në mbrojtje e Ajetit apo Djimshitit, me të parin që ishte ndër më të mirët në ndeshjen e fundit për Crotonen. Në mesfushë, Basha dhe Lila duket të palëvizshëm, ndërsa Kukeli dhe Memushaj janë në balotazh me njëri-tjetrin, ku prania e futbollistit të Sionit do të bënte që skuadra të ishte paksa më e tërhequr, ndërsa me Memushajn do të kishte më tepër fantazi.
Në sulm, në krahun e majtë, Hyka dhe Grezda janë mëdyshjet e Panucit për krahun e majtë, ndërsa Roshi dhe Ahmedi në krahun e djathtë, ndërkohë që nuk është përcaktuar ende se kush do të luaj në qendër të sulmit me Latifin e Llullakun, që janë në garë për një vend, ku futbollisti i Akademisë Pushkash duket paksa më i favorizuar, gjithmonë duke marrë në konsideratë dhe faktin, që Sadiku për momentin është i mbërthyer nga gjendja gripale, sepse riaftësimi i tij mund të ndryshojë dhe idetë e Panuccit.
Në bazë të emrave që trajneri do të hedhë në fushë këtë të shtunë, do të përcaktohet më pas dhe dëshira e tij për të provuar emra të rinj në sfidën me Lichtensteinin apo për t’i besuar dhe atyre që kanë më shumë përvojë në kombëtare, dhe pse emri i kundërshtarit, pa e nënvlerësuar mund të lejojë më tepër eksperimente se zakonisht.
Christian Panucci u ka shpjeguar lojtarëve të tij disa lëvizje taktike. Është e përditshmja ‘Panorama Sport’ që ka publikuar formacionin e mundshëm të kuqezinjve. Befasia vjen nga mbrojtja ku surpriza e këtij grumbullimi Hysen Memolla pritet të marrë vendin e titullarit, ndërsa Panucci në sulm do të rrezikojë, duke luajtur me dyshen Sadiku-Llullaku. Ditën e shtunë në orën 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, Kombëtarja Shqiptare do të presë Lihtenshtajnin në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.

Simeone blindon Angel Moya

Diego Simeone blindon Miguel Angel Moya. Atletico e Madridit ka refuzuar një ofertë prej 8 milionë eurosh nga Crystal Palace për portierin 33-vjeçar, i cili te Los Colchoneros është zëvendësi i Jan Oblak. El Cholo ka vendosur veton që Moya të mos largohet në këtë merkato dhe drejtuesit e Atleticos i kanë kthyer përgjigje negative klubit londinez, që e dëshironte me çdo kusht portierin.
Me Danny Drinkwater që ka marrë rrugën drejt Chelsea-it, Leicester-i është hedhur në sulm në këtë fund merkatoje për të gjetur pasuesin e tij. Objektivi i parë i Dhelpërave për mesfushën është polaku i Paris Saint Germain, Grzegorz Krychowiak, i cili do të largohet nga kryeqyteti francez për mungesë hapësirash. Në orët e ardhshme, Leicester pritet të bëjë edhe lëvizjen finale për Krychowiak.

Juventusi refuzon 160 milionë euro për Dybala

Juventusi refuzon një megaofertë të Barcelonës për Paulo Dybalan vetëm një ditë para skadimit të afatit të merkartos verore. Sipas “Corriere Dello Sport” klubi katalan ka vënë në dispozicion të bardhezinjtë plot 160 milionë euro, por drejtuesit e kampionëve të Italisë ka kthyer përgjigje negative, me Dybalan që do të mbetet i Juventusit të paktën edhe për një sezon. Blaugranat të dëshpëruar nga humbja e Neymar, që u ble nga Paris Saint Germmainn për shumën rekord të 222 milionë eurove, këmbëngulën për talentin argjentinas, që vlerësohet shumë edhe nga Lionel Mesi, por bardhezinjtë rezistuan deri në fund për të mos e humbur 23-vjeçarin.
Mediat italiane mësojnë se presidenti i Barcelonës i ka telefonuar personalisht homogolut të tij të Juventusit, Andrea Agnelli, por as kjo përçapje nuk pati rezultat.
Drejtuesit juventinë pavarësisht shumës stratasferike të ofruar nga Barça, nuk kanë hezituar në asnjë moment për t’i përgjigjur negativisht, për faktin se Dybala konsiderohet një nga elementët më të rëndësishëm të projektit bardhezi, për të sotmen dhe të ardhmen.

Didac Vila rikthehet tek Espanyoli

Didac Vila rikthehet tek Espanyoli. Mbrojtësi i krahut të majtë, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Aekut të Athinës, ndërsa në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e Milanit ka firmosur për 3 vitet e ardhshme me klubin katalanas, ndërkohë që marrëveshjen mes palëve Espanyoli i ka vendosur një klauzolë largimi që kap shifrën e 25 milionë eurove.

Mitchel Langerak kaloi te Levante

Aventurë e re në Spanjë për ish-portierin e Borussias së Dortmundit, Mitchel Langerak. Australiani la përfundmisht Shtutgartin për t’u transferuar në Primera Division. Gardiani i përfaqësueses së kangurëve ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Levanten, pasi te klubi nga Valencia i është premtuar vendi i titullarit në formacion.

Beauvue blerja e re e Leganes

Cluade Beauvue prezantohet si blerja e re e Leganes. Pas një sezoni aspak pozitiv te Celta Vigo sulmuesi francez ka ndryshuar skuadër dhe tashmë do të jetë pjesë e Leganes ku do të synojë të rifitojë shkëlqimin e dikurshëm kur ka qenë pjesë e Guingamp-it dhe Olymique Lyon. 29-vjecari te skuadra e tij e re do të mbajë veshur fanellën me numër 12.

Lopetegui: Italia nuk bën më katenaco

Spanja apo Italia, e shtuna është dita e së vërtetës. Për të dyja përfaqësueset është vetëm ndeshja e rradhës në Grupin G, kualifikues ku bën pjesë edhe Shqipëria, por në 90 minutëshin e “Santiago Bernabeut” me shumë gjasa do të vendoset se cila skuadër mes La Rojas dhe të Kaltërve do të sigurojë kualifikimin direkt në Botërorin rus, pasi deri në fund të elimintaroëve Spanja dhe Italia vështirë se do të gabojnë më. Mbrëmjen e të shtunës sytë e të gjithë Botës do të jenë në Madrid, aty ku Spanjës do t’i mjaftonte edhe një barazim pa gola për të ruajtur vendin e parë në grup. Trajneri i 1-herë kampionëve të Botës, Julen Lopetegui i trembet Italisë edhe pse beson te potenciali i skuadrës së tij.
“Do të jetë një ndeshje e madhe dhe duhet të tregojmë versionin tonë më të mirë. Për të mposhtur Italinë, duhet të tregojmë që jemi një skuadër me një potencial të jashtëzakonshëm. Italia aplikon një sistem loje që ka qenë i njëjtë me të gjithë trajnerët që ka patur gjatë viteve të fundit. Ata kanë fituar të gjitha sfidat e tyre në grup përveç takimit kundër nesh që ka përfunduar në barazim. Katenaco nuk bën pjesë në fjalorin e italianëve, pasi tashmë ata luajnë një futboll të bukur”, u shpreh Lopetegui.
Spanja ka disa mungesa të rëndësishme në këtë grumbullim sidomos në sulm, me Lopeteguin që ka rikthyer në kombëtare David Villan. Trajneri La Rojas nuk përjashtoi gjithashtu mundësinë që Alvaro Morata dhe David Villa të luajnë sëbashku edhe pse ndaj Italisë mund të aktivizohet edhe talenti i Realit, Asensio si 9-sh fals.
“Nuk mund të flas për ata që mungojë, sepse lista e lojtarëve përpilohet në varësi të futbollistëve që ke të gatshëm. Diego Costa? Kam biseduar me të për të ditur se në çfarë situate ndodhet. Ai është një futbollist i rëndësishëm për Spanjën, por për momentin nuk mund ta grumbulloj dot. Pikërisht për shkak të mungesës së Diegos, thirra Villan që ka qenë gjithmonë i gatshëm për ekipin përfaqësues. Ai dhe Morata mund të luajnë sëbashku. Asensio titullar? Me çfarëdolloj formacioni që të zbresim në fushë do të jetë një Spanjë e madhe për këtë të jeni të sigurtë. Një ndeshje e tillë nuk fitohet me vetëm 11 titullarë duhen edhe alternativat”, përfundoi trajneri i Spanjës.

Dembele mund të ishte blerë për 1.5 milionë euro

Ousmane Dembele mund të ishte blerë për 1.5 milionë euro. 105 milionë euro i kushtoi klubit katalanas transferimi i sulmuesit francez, por blaugranat mund t’i kishin siguruar shërbimet e tij për një shumë akoma edhe më të vogël. Në 2014, Kombëtarja U-19 e Francës zhvillonte takimin e saj në kuadër të kualifikueseve të kampionatit europian të të rinvje, në këtë përballje aktivizohej dhe talenti 20-vjeçar, i cili tërhoqi vëmendjen e menaxherëve të Barcelonës. Dembele në atë kohë aktivizohej për ekipin e dytë të Renne dhe mund të largohej prej tyre për shumën e 1.5 milionë eurove. Katalanasit shfaqën interes konkret, por kontrata që ai kishte me Rennes, ishte pjesërisht e ligjshme. Gjatë sezonit 2014-2015 situata u rihap sërish, por blaugranat e kishin zhvendosur vëmendjen e tyre tek të tjerë talente.
Më pas erdhi dhe embargo nga ana e FIFA-s për Barcen dhe aty çdo lloj tratative i erdhi fundi. Bisdedat mes Dembele dhe menaxherëve të Barcelonës, vazhdonin, por në fund sulmuesi zgjodhi të transferohej te Borussia Dortmund, pasi në radhët e katalansve, e dinte që minutat do të ishin të pakta për të, pasi në sulm ndodhej treshja Mesi, Suarez, Neymar. Tre vite më pas, largimi i sulmuesit brazilian, i hapi rrugë transferimit të Dembele, me një ndryshim të madh, nga 1.5 milionë euro që ishte mundësia për ta blerë atë, katalanasit u detyruan të realizojnë transferimin më të shtrenjtë në historinë e këtij klubi.

Chamberlain zyrtarisht lojtar i Livepoolit

Alex Oxlade-Chamberlain vesh zyrtarisht fanellën e Liverpoolit në ditën e fundit të merkatos, pas arritjes së marrëveshjes prej 35 milionë paundësh që u inkasuan në arkat e Arsenalit. Foto e sulmuesit të krahut me fanellen e Thw Reds tashmë bën xhiron e internetit, duke bërë të qarta edhe detajet e marrëveshjes, ku mësohet se 24-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me një pagë prej 120 mijë paundësh në javë, duke iu bashkuar kështu skuadrës së Jurgen Kloop në Anfield. Kontrollet mjekësore u kryen në Saint George Park, ku anglezi është aktualisht duke u stërvitur me Kombëtaren angleze për eliminatoret e Botërorit.
Oxlade-Chamberlain numëron plot 132 prezenca në Premier League me Topçinjtë e Londrës gjatë këtyre 6 viteve. Në të vërtetë, Chamberlain refuzoi t’i bashkohej ekipit të Antonio Contes në “Stamford Bridge”, pavarësisht faktit se Arsenali kishte rënë dakort për ta pranuar ofertën prej 35 milionë paundësh të Chelseat në fillim të kësaj jave. Gjithashtu, Topçinjtë i bënë të gjitha tentativat për ta mbajtur sulmuesin e krahut në ekipin e Arsene Wenger, duke i ofruar një pagë të rritur prej 180 mijë paundësh në javë dhe një zgjatje kontrate, po preferenca e tij përfundimisht rezultoi të ishte Liverpooli, ku pranoi një pagë javore me 60 mijë paund më pak, por me një rol më protagonist në të ardhmen ashtu siç i ka premtuar Klopp.
Merkatoja e Chelsea-it ka hyrë në një rrugë pa kthim. Edhe pse drejtuesit e Bluve të Londrës po punojnë fortë për të plotësuar kërkesat e trajnerit Antonio Conte, ende nuk po afrohen në skuadër lojtarët e piketuar nga tekniku italian. Chelsea së fundmi i është refuzuar një ofertë prej 25 milionë stërlinash nga Evertoni për Rose Barkley, i cili do të mungojë deri në dhjetor për arsye dëmtimi dhe është në skadencë kontrate me klubin nga Goodison Park.
Liverpooli refuzon një tjetër ofertë milionere për Mahmadou Sakho. Mbrojtësi francez kërkohet me ngulm nga Crystal Palace, skuadër tek e cila luajti në formë huazimi për gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Palace ka ofruar 22 milionë euro plus tre të tjera në formë bonusesh për kartonin e Sakho, por kjo është oferta e tretë që refuzohet nga drejtuesit e The Reds për futbollistin.
Kieran Gibbs, është goditja e rradhës e West Bromwich Albion në merkato. Mbrojtësi i krahut kaloi me sukses vizitat mjekësore me klubin e tij të ri dhe do të vihet në dispozicion të trajnerit Tony Pulis. Blerja e kartonit të Gibbs nga Arsenali, i kushtoi arkave të West Bromwich, 7 milionë paund.

Këshilli i Sigurimit dënon Korenë e Veriut, ethe lufte

Rusia tha se kundërshton vendosjen e sanksioneve të reja kundër Koresë së Veriut, apo veprimet ushtarake kundër saj.
Në një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i bëri thirrje SHBA-së që të përmbahet nga çdo veprim i tillë kundër Phenianit.
Koreja e Veriut ka shkaktuar alarm të martën, duke lëshuar një raketë mbi Japoni. Raketa ka kaluar mbi ishullin Hokaido përpara se të binte në det.
Koreja e Veriut ka thënë se ky ka qenë “hapi i parë” i operacioneve më të gjera ushtarake në Paqësor dhe ka përsëritur kërcënimet për ishullin amerikan Guam. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se hedhja e raketës mbi Japoni bën që “të gjitha opsionet të jenë në tryezë”.
Britania dhe Japonia hodhën mundësinë e sanksioneve të reja në Kombet e Bashkuara, duke thënë se masat paraprake, përfshirë kufizimin e verikoreanëve që punojnë jashtë vendit, nuk kanë bërë punë.
“Është koha që të shqyrtohen kufizime të reja ndaj regjimit verikorean”, ka thënë ambasadori i Britanisë në OKB, Matthew Rycroft.
Japonia i është bashkuar Britanisë, duke kërkuar kufizime të mëtejshme të verikoreanëve që punojnë jashtë vendit, si dhe sanksione mbi eksportet e tekstilit të Koresë Veriore dhe furnizimet me naftë.
Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se shumica e verikoreanëve që punojnë jashtë vendit – 60 mijë deri në 100 mijë sish – janë të punësuar në Rusi dhe Kinë dhe fitojnë deri në 2.3 miliardë dollarë në vit.
Kjo i siguron Phenianit para të gatshme të huaja, në kohën kur qasja e tij në monedha të forta është e kufizuar nga sanksionet.
Edhe Rusia edhe Kina, që i kundërshtojnë sanksionet e mëtejshme, kanë fuqi të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë bisedës me Tillersonin, Lavrov po ashtu paralajmëroi Shtetet e Bashkuara kundër veprimeve ushtarake në Korenë e Veriut, duke thënë se ato do të kishin “pasoja të paparashikueshme”.
Presidenti amerikan, Donlad Trump, ka shkruar në Twitter se “bisedimet nuk janë përgjigje” për ambiciet ushtarake të Phenjanit.
Por, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka thënë më pas se SHBA “nuk është kurrë pa zgjidhje diplomatike” në rastin e Koresë së Veriut. Koreja e Veriut ka kryer disa prova raketore kohëve të fundit, por të martën ka qenë hera e parë që ajo ka lëshuar mbi Japoni një armë balistike.

Marinsat në Korenë e Jugut, gati për luftë

Pas një seance të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se tri orë në Nju-Jork, të gjithë 15 anëtarët e KS të OKB kërkuan nga Koreja e Veriut që të heqë dorë nga testet e raketave dhe t’i respektojë rezolutat e KS të OKB për programin e saj bërthamor. “Këshilli i Sigurimit thekson se, sjellja e Koresë së Veriut rrezikon jo vetëm rajonin, por edhe të gjithë vendet anëtare të OKB”, thuhet në një dokument të përgatitur nga SHBA.
KS është “shumë i shqetësuar” me testet koreanoveriore të raketave mbi Japoninë. Në kumtesë thuhet se Koreja e Veriut “po cënon shumë paqen dhe stabilitetin rajonal”. Në kumtesë nuk përmenden sanksione të reja, por kërkohet respektimi dhe zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme.
Megjithë sanksionet dhe kërkesat ndërkombëtare, Koreja e Veriut bëri të martën një test tjetër me raketa. Pushtetmbajtësi Kim Jong Un tha se është “kryer edhe një test i suksesshëm” i një rakete me rreze të mesme, të tipit Hwasong-12 dhe se ai “është shumë i kënaqur”.
Sipas të dhënave të agjencisë koreanoveriore KCNA, Kim tha se testi ishte përgjigje ndaj manovrave ushtarake amerikano-koreanojugore. Testi i kryer në kushtet e një “lufte të simuluar” është vetëm hapi i parë i armatës së Koresë së Veriut, kundër pozicioneve të kundërshtarëve në Guam. SHBA ka stacionuar atje një kontigjent të madh marinsash dhe armësh ajrore.
Diplomatët kishin kërkuar para takimit të KS, masa më të ashpra kundër Koresë. “Por është vendosur që së pari të dënohet testi e më pas të bëhen konsultime për sanksionet shtesë”, tha ambasadori britanik Matthew Rycroft.
Nuk ishte kjo hera e parë që raketat koreanoveriore fluturojnë mbi Japoni. Por ishte hera e parë që një test bëhet pa paralajmërim. Një zëdhënës japonez foli në Tokio për një kërcënim shumë serioz dhe të pashembullt.
Presidenti ameriakn Donald Trump e dënoi këtë test dhe theksoi: “Të gjitha opsionet janë në tryezë”. Ministria e Jashtme e Kinës paralajmëroi se konflikti ka arritur në një “pikë kritike”.

Trump: SHBA ka toleruar Korenë e Veriut

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis theksoi se, Shteteve të Bashkuara “nuk u mungojnë kurrë zgjidhjet diplomatike”, kur vjen puna për të trajtuar krizën me Korenë e Veriut. Një koment që vjen pasi Presidenti Donald Trump tha se, “bisedimet nuk ishin përgjigjja”, ndaj kësaj çështjeje.
Deklarata e zotit Mattis erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje rreth komentit në Twitter të bërë të mërkurën nga Presidenti Trump, lidhur me trajtimin që Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë kërcënimit që vjen nga Koreja e Veriut pas provës më të fundit të raketës balistike të këtij vendi që kaloi mbi Japoni.
Të mërkurën, Sekretari amerikan Mbrojtjes, Jim Mattis u takua në Pentagon, me homologun e tij koreano-jugor Song Young-moo. Takimi zhvillohet, ndërsa dy vendet përpiqen të gjejnë mënyrat se si t’i trajtojnë provokimet e fundit të Koresë së Veriut.
“Vëmë re me besim se keni premtuar të rrisni shpenzimet e mbrojtjes nën Presidentin e ri koreano-jugor. Ne duhet të vazhdojmë të thellojmë marrëdhënien tonë ushtarake, duke ngritur edhe më shumë nivelin e lartë të besimit që ekziston mes dy kombeve tona. Siç kemi parë, kërcënimi për sigurinë në Veriperëndim të Paqësorit është bërë më i ashpër ndaj dhe marrëdhëniet e kombeve tona në fushën e mbrojtjes bëhen më të rëndësishme se kurrë si dhe mbeten themeli i përpjekjeve ndërkombëtare për të zbutur veprimet agresive të Koresë së Veriut”, tha Sekretari amerikan i Mbrotjes.
Presidenti amerikan Donald Trump tha përmes një postimi në Tëitter se, “bisedimet nuk janë përgjigjja” kur është fjala për kërcënimin e Koresë së Veriut, pas provës së saj më të fundit me raketë balistike. Koreja e Veriut tha se rakete balistike që kaloi mbi Japoni ishte një kundërpërgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Agjencia Qendore Koreane e Lajmeve (KCNA), citoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un të ketë thënë se prova me raketë ishte “e ngjashme me një luftë të vërtetë” dhe hapi i parë i ushtrisë së Koresë së Veriut për operacionet e saj në Paqësor dhe “për të përmbajtur Guamin”.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Mun Jae-in ranë dakord gjatë një telefonate mes tyre sot se, duhet të ushtrohet presion maksimal mbi Korenë e Veriut në mënyrë që ajo të angazhohet në bisedime për zgjidhjen e krizës.
15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të kenë ndërmarrë hapin e parë në këtë drejtim, duke lëshuar mbrëmë gjatë një seance të jashtëzakonshme një deklaratë që dënon hedhjen e raketës mbi Japoninë.
“Unë mendoj se ishte një deklaratë shumë e fortë dhe e mirë. Deklarata u miratua njëzëri dhe unë mendoj se ajo i dërgon një mesazh shumë të mirë Koresë së Veriut. Siç e thashë edhe gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, unë shpresoj se Koreja e Veriut do të dëgjojë mesazhin e OKB-së dhe do ta respektojë atë. Ne do të flasim për hapat e ardhshëm, duke filluar tani. Nuk mund ta parashikojmë rezultatin, por sigurisht shpresoj që do të kemi një rezolutë të fortë pas kësaj deklarate”.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, u bëri thirrje vendeve të tjera të bashkohen në dënimin e Koresë së Veriut:
“Ne po i bëjmë thirrje çdo vendi që të zbatojë në mënyrë rigoroze, plotësisht dhe menjëherë të gjitha sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj Koresë së Veriut. Bota është e bashkuar kundër Koresë së Veriut, nuk ka dyshim për këtë. Ka ardhur koha që regjimi i Koresë së Veriut ta kuptojë rrezikun që po i sjell vetes. Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë vazhdimin e veprimeve të tyre të paligjshme dhe pjesa tjetër e botës është me ne”.
Presidenti Trump shkroi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara për 25 vjet kanë biseduar me Korenë e Veriut dhe e kanë toleruar këtë vend. Bisedimet nuk janë përgjigja!” Ndërsa, në një deklarate të lëshuar të martën në lidhje me provën e fundit të Phenianit me raketë, Presidenti Trump tha se “të gjitha opsionet janë të hapura”.
Por, ndërsa Kina u bashkua me dënimin e provës me raketë të Koresë së Veriut, i dërguari i saj u kërkoi vendeve anëtare të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprimet provokuese që mund të përkeqësojnë situatën rajonale dhe të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean.
Përfaqësuesit kinezë dhe rusë theksuan gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje.

Thaçi e Vuçiç pakt për drejtësinë e Kosovës

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Kjo e fundit ka lëshuar një deklaratë për media, duke thënë se, “të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që ndërmjetëson BE-ja”.
“Presidentët konfirmuan se marrëveshja do të zbatohet plotësisht më 17 tetor 2017. Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë drejtësi në gjithë Kosovën, në veçanti në rajonin e Mitrovicës”, tha Mogherini.
Duke folur për gazetarët pas takimit, Thaçi edhe Vuçiq thanë se janë pajtuar që të shpeshtohen takimet e tilla, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje midis dy popujve.
“Edhe Kosova edhe Serbia, qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që u hap perspektivë të dyja vendeve për integrimin evropian”, tha Thaçi.
“Vetëm dialogu, mirëkuptimi dhe pajtimi janë rruga e së ardhmes për të dyja vendet. Shpresoj se do të punojmë në këtë frymë edhe në të ardhmen dhe do të arrijmë marrëveshje”, shtoi Thaçi.
Ai u zotua se çdo marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve do të jetë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës.
Thaçi po ashtu tha se nuk ndërhyn në debatet e brendshme në Serbi dhe se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë çështje të përfunduara dhe të pakthyeshme.
Vuçiq, në anën tjetër tha se bisedimet kanë qenë të hapura dhe se ato do të vazhdojnë në forma të ndryshme.
“Askush nga ne nuk është shumë optimist, por po e përsëris atë që u kam thënë të gjithëve në Beograd, që i kam thënë Hashim Thaçit dhe Federica Mogherinit: nëse kemi qoftë një ose dy për qind shanse që të arrijmë ndonjë marrëveshje, ajo ia vlen për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë”, tha Vuçiq.
Takimi i së enjtes vjen pas atij të 3 korrikut, në të cilin Thaçi dhe Vuçiq kanë thënë se kanë rënë dakord që bisedimet të hyjnë në një periudhë të re, për të trajtuar çështje përtej atyre teknike.
Thaçi atëherë ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të çojë në pajtimin e dy vendeve dhe do t’i hapë rrugë së ardhmes evropiane.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.
Normalizimi është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.
Me procesin e deritashëm, Kosova ka siguruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në bllok.
Vuçiq po ashtu ka paralajmëruar hapjen e një dialogu të brendshëm për Kosovën, me qëllim që t’i jepet fund, siç ka thënë ai, “qasjes mitike” ndaj saj.
Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu nuk dihet. Kosova vazhdon të figurojë në Kushtetutën serbe si “pjesë e Serbisë”, ndonëse Vuçiq ka thënë se po shqyrton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të këtij viti.
Megjithatë, analistët në Prishtinë nuk presin që në një afat të shkurtër kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Ukraina dëbon gazetaren e televizionit shtetëror rus

Autoritetet ukrainase thanë se kanë dëbuar gazetaren e televizionit shtetëror rus, Anna Kurbatova.
Zëdhënësja e Shërbimit të Sigurisë në Ukrainë, Olena Hitlyanska, tha se Kurbatova është dërguar në Rusi dhe se ndalohet të hyjë në Ukrainë për tre vjet.
“Propaganduesja ruse, Anna Kurbatova, ka kaluar kufirin Ukrainë-Rusi”, ka konfirmuar Hitlyanska në Facebook.
“E njëjta gjë do të ndodhë me secilin që i lejon vetes të diskreditojë Ukrainën”, ka shtuar ajo.
Më herët, e kontaktuar nga mediat, Hitlyanska nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet se si dhe kur është ndaluar Kurbatova.
Pasi ka arritur në Rusi, Kurbatova u ka thënë agjencive të lajmeve se Shërbimi i Sigurisë në Ukrainë i ka dhënë një dokument zyrtar, në të cilin thuhet se ajo “paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare dhe sovranitetin e Ukrainës”, sepse ajo, në artikujt e saj, e ka përshkuar konfliktin në lindje të Ukrainës si “luftë civile” dhe jo si “agresion rus”.
Kievi ka ndaluar hyrjen e dhjetëra kanaleve televizive ruse qysh në vitin 2014 – kur edhe ka shpërthyer konflikti, duke i akuzuar ato për përhapje të propagandës së luftës.