27.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025

Informatori që identifikon terroristët e ISIS në Gjermani

Masoud Aqili, azilant kurd nga Siria, është një informator i rëndësishëm në luftën kundër IS-it në Evropë. Në vitin 2014, ai kishte raportuar rreth 20 muaj me radhë si gazetar televiziv për luftën e Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kurde kundër IS-it. Ushtria Çlirimtare Popullore Kurde është kundërshtarja kryesore e terroristëve të IS-it në Siri dhe furnizohet për luftën kundër IS-it nga SHBA-ja.

Tortura si rutinë

Më 15 dhjetor 2014 të riun kurd e rrëmbyen në një rrugë në Jug të vendlindjes së tij, në Kamishlo në Sirinë Verilindore. Tetë muaj me radhë Masoud Aqili ishte peng në duart e terroristëve të IS-it. Ai ka qenë i burgosur në gjashtë nga qendrat e torturave në Siri – së fundmi në qytetin Manbidsh në një ish-ndërtesë hoteli. Një moment i lumtur e ndryshoi jetën e tij: këmbimi i të burgosurve. Masoud Aqili ishte civili i parë kurd që u mbijetoi torturave të IS-it. Pasi e liruan ai erdhi në Gjermani së bashku me nënën e vet dhe i përshkroi përvojat e tij në një libër – me ndihmën e gazetarit të Berlinit Peter Köpf. “Tortura na ishte bërë si rutinë dhe ndonjë ditë kur nuk na torturonin na dukej sikur na mungonte diçka”, thotë ai.

Terroristë si refugjatë

Por në Gjermani, Masoud Aqili u përball me disa persona që i kishte njohur në burgjet ku kishte qenë. Ata ishin gardianë dhe e kishin torturuar. Sipas sulmet terroriste në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, tregojnë se rreziku i IS-it është tani i pranishëm edhe këtu në Evropë dhe “unë e ndjej si detyrë që duhet të ndërmarr diçka kundër IS-it”, thotë Masoud Aqili. Për këtë ai i jep policisë të dhëna të brendshme që ka për terroristët e IS-it.
Guido Steinberg, ekspert për terrorizmin pranë fondacionit për Studime Ndërkombëtare dhe Çështje të Sigurisë në Berlin thotë se, “me valët e refugjatëve në vitin 2014, nga Siria Veriore, kanë ardhur në Gjermani shumë anëtarë organizatash militante, përfshirë dhe IS-in. Ka shumë raste që refugjatët sirianë u kanë dhënë autoriteteve gjermane informacione për anëtarë dhe simpatizantë të IS-it”.
Sipas Masoud Aqilit “ata janë njerëz të rrezikshëm që shiten si refugjatë, por nuk janë refugjatë, janë kriminelë dhe anëtarë të grupeve terroriste islamike. Ata kanë kryer krime kundër civilëve në Siri”. Masoud Aqili ka gjetur edhe në Facebook terroristë që e kishin torturuar në burg. Ai informoi për këtë autoritetet gjermane, të cilat i besojnë.
“Ajo që ata duan të arrijnë me sulme terroriste si në Berlin, në të gjithë Evropën, në Siri dhe në vendin tim Kurdistan, është që të na dobësojnë dhe të na frikësojnë, por nëse ne ndjejmë të kundërtën, nëse bëhemi më të fortë – atëherë ne vërtetë që i tregojmë IS-it se nuk është asgjë!”, thotë Masoud Aqili.

Dyshime lidhur me informacionet

Aktualisht në Gjermani kanë nisur mjaft procese gjyqësore kundër personave nga Siria të dyshuar për terroristë, në të cilët si dëshmitarë janë vetë refugjatët. Problemi është se disa njerëz akuzojnë të tjerët pra pa të drejtë, sepse duan të hakmarren.
Guido Steinberg thotë se “ka vërtet dyshime në lidhje me informacionet që jepen për anëtarë të mundshëm të IS-it. Prandaj informacionet e një njeriu si Masoud Aqili, që ka qenë kaq pranë kësaj organizate, por pa qenë vetë anëtar i saj janë mjaft të vlefshme!”.
Masoudi do t’i ndihmojë Evropën dhe Gjermaninë që e ka strehuar. “Ëndrra ime është që një ditë ne të mund të jetojmë pa terrorizëm, kjo do të ishte e mrekullueshme!”, thekson ai dhe shpreson që shembullin e tij do ta ndjekin edhe refugjatë të tjerë dhe që edhe ata do të tregojnë për terroristë të mundshëm në radhët e refugjatëve.

Shqipëria, rekord për numrin e të trafikuarve në Skoci

Pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në Skoci janë nga Shqipëria, Vietnami dhe Kina. Këto janë të dhënat e publikuara në një hartë të re të hartuar nga policia skoceze në bashkëpunim me organizatat jo qeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Harta e publikuar në median skoceze “The Herald” ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin publik për krimin.
Sipas statistikave të Agjensisë Kombëtare të Krimit të Skocisë, numri i viktimave të raportuar në Skoci për vitin 2016 ishte 150 persona, një e treta e tyre ishin fëmijë.
Skocia ka 3,9 për qind të numrit të viktimave të trafikimit nga 3805 viktima të regjistruara në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Fëmijët janë grupi më i dobët për trafikimin e qenieve njerëzore. Një raport i mëparshëm mbi trafikimin dhe emigrimin e paligjshëm të fëmijëve tregon se shqiptarët kryesojnë në listën e fëmijëve të humbur në sistemin e azilkërkuesve në Britani.
Ndërkohë që emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve po kthehet në shqetësimin kryesor për vende të ndryshme të BE-së.

Investimet e huaja nuk hapën vende të reja pune, kryesojnë Maqedonia dhe Serbia

Shqipëria ka arritur rekordin e Investimeve të Huaja Direkte në vitin 2016, me gati 1 miliard euro, që është më i larti në rajon, nëse e krahason me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në vitin 2016, Investimet e Huaja Direkte ishin 9.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Serbi ishin 6.3% dhe në Maqedoni 5.3%, sipas të dhënave nga Banka Botërore.
Por, këto investime të larta në vlerë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të hapur vende pune. Ndryshe ka ndodhur me fqinjët, Serbia dhe Maqedonia, që e kanë pasur fokusin e tyre në tërheqjen e investimeve me vlerë të shtuar, që gjenerojnë vende pune dhe eksporte të qëndrueshme.
Raporti vjetor 2017 i institutit të njohur amerikan të teknologjisë IBM (Institute for Business Value) i titulluar “Tendencat Lokale të Zhvendosjes” (Global Location Trends), publikuar ditët e fundit, e ka renditur Serbinë si të parin në botë për numrin e vendeve të punës së krijuara nga investimet e huaja në raport me popullsinë. Në vend të dytë është Bahrejn dhe në vend të tjerë është fqinji tjetër Maqedonia. Në listë ka dhe shtete të tjera nga rajoni, si Kroacia dhe Rumania, ndërsa Shqipëria mungon.
Serbia dhe Maqedonia renditen të parët dhe të tretët në botë për sa i përket numrit të vendeve të punës krijuar vitin e kaluar në raport me madhësinë e popullatës së tyre, teksa të dy vendet kanë shfrytëzuar avantazhet e politikave që kanë ndjekur në tre-katër vitet e fundit, thuhet në raportin e IBM.
Moldavia është shteti i ri që ka hyrë në këtë listë, thotë raporti. Vendi u rendit i shtati, ndërsa Kroacia dhe Rumania ishin përkatësisht në pozicion të 11 dhe 19.
“Këto rezultate tregojnë se Ballkani Perëndimor është tashmë dukshëm në radarin e investitorëve të huaj, me kompanitë që po i shohin gjithnjë e më shumë shtetet e rajonit si vende tërheqëse për zgjerimin e tyre në Europë”, tha IBM në raport.
Në mënyrë interesante, thotë raporti, 11 shtete, nga 20 performuesit më të mirë në renditen sipas vendeve të punës në raport me popullsinë, janë nga Europa Lindore.
Serbia u rendit edhe e 13-ta në botë për sa i përket numrit të vendeve të punës të krijuara në 2016, pasi kishte rezultuar me një rritje prej 25% të investimeve, ndërsa Rumania ishte e 18-ta.

Pse Shqipëria mungon

Ndonëse Shqipëria ka investime të larta në vlerë, ajo mungon në renditjen e IBM, çka nënkupton se ato nuk kanë arritur të hapin vende pune. Investimet e huaja arritën në 983 milionë euro në vitin 2016, duke arritur në një nivel rekord, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas aktivitetit ekonomik, sektori që ka tërhequr më shumë investime është ai i energjisë dhe gazit, që i referohet kryesisht investimeve nga gazsjellësi TAP, që filluan në vitin 2016 dhe pritet të kulmojnë në 2017-ën.
Pjesën më të madhe të investimit të gazsjellësit e zë vlera e tubave, që futen nën tokë dhe nuk kanë vlerë të lartë të shtuar në ekonomi. Investimet në energji dhe gaz janë rritur me 183%, duke arritur në 369 milionë euro, ose gati 40% e totalit. Investimet në industrinë nxjerrëse ishin 92 milionë euro, por edhe këto janë kryesisht investime në hapjen e puseve të naftës, që nuk sjellin vende të reja pune.
Investimet në sektorët e tjerë ishin minimalë, si shërbimet financiare (kryesisht në kapitalin e bankave) me 76 milionë euro (sektori bankar është në fazë maturimi e ristrukturimi dhe dy vitet e fundit ka qenë inaktiv në hapjen e vendeve të punës), nga 80 milionë euro një vit më parë dhe ato në pasuritë e paluajtshme me 50 milionë euro, që janë dyfishuar në raport me një vit më parë.
Ndryshe nga Shqipëria, që kënaqet me shifrat e larta në vlerë absolute, për shtetet fqinjë, Maqedoni e Serbi, parësore ka qenë se sa të qëndrueshme janë këto investime, sa vende të reja pune hapin dhe çfarë vlere të shtuar i kanë sjellë ekonomisë. Dhe siç tregon raporti, ato ia kanë dalë të jenë shumë më eficiente në këtë drejtim. Të dy shtetet kanë qenë aktive në tërheqjen e industrive mbështetëse automotive dhe industrive përpunuese.

Hotel tek Parku i Liqenit, nis masakra

Më 4 qershor 2017, Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj inauguruan fazën e parë të rehabilitimit të Parkut Olimpik pranë Liqenit Artificial të Tiranës. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama lajmëroi se në fazën e dytë të projektit, “një pishinë olimpike, fusha basketbolli, volejbolli dhe tenisi” do të ndërtohen.
Por në 10 prill 2017, Bashkia Tiranë firmosi kontratën e shërbimit të konsulencës me vlerë rreth 250 mijë euro. Kjo kontratë përfshin studimin e fazës së dytë të ndërtimit të Parkut Olimpik ku përfshihet dhe një “hotel olimpik, pishinë olimpike, dhe shërbime mbështetëse”.
Toka në të cilën supozohet të ndërtohet parku është pronë publike, ndaj nuk është e qartë përse do të ishte në interesin e Bashkisë të shpenzojë para për të projektuar një hotel, i cili është një biznes privat?
Vetëm nëse, sigurisht, Erion Veliaj privatizon tokën në të cilën do të ndërtohet hoteli me anë të partneritetit publik privat, si në rastin e Stadiumit “Qemal Stafa”. Një ndërtim i tillë do t’i “kalonte” tokën një entiteti privat për ta “zhvilluar”, për të mbuluar procedurat e mëtejshme të prokurimit nga sytë e publikut, dhe t’i hapë derën një tjetër rasti korrupsioni me paratë publike.
Për më tepër, ndërtimi i një “hoteli olimpik” është një tjetër projekt në hapësirën e gjelbërt të Parkut të Liqenit.
Kryebashkiaku Veliaj u zgjodh në 2015-ën me një platformë që do të ndalonte ndërtime të tjera në dhe përreth Parkut të Liqenit. Në 2016-ën, Bashkia u përpoq të bllokojë edhe ndërtimin e një kompleksi pallatesh në digën e liqenit, një projekt i planifikuar në Masterplanin e Parkut të Liqenit të miratuar nga ish-kryebashkiaku Rama.
Duke tenderuar projektimin e një hoteli olimpik, Bashkia e Tiranës qartazi tregon qëllimet e saj: të hedhë më shumë beton në të vetmin hapësirë të gjelbërt të mbetur në qytet, të thyejë premtimin e tij kundrejt qytetarëve të Tiranës, dhe të përdorë para publike për përfitime private.

Betonizimi, pafundësi ndërhyrjesh në Parkun e Liqenit

Qeveria aktuale ka ndërmend të kryejë një pafundësi ndërhyrjesh në Parkun e madh të Tiranës. Në vitin 2016, frekuentuesit e Parkut të madh të Tiranës u gjendën papritur përballë një rrethimi për një kantier ndërtimi në brendësi të tij, i cili më vonë u zbulua se ishte një park lodrash për fëmijë në ndërtim. Ndërtimi i parkut të lojërave u kundërshtua me forcë nga një grup aktivistësh dhe organizatash të Shoqërisë Civile, të cilat kundërshtonin betonizimin e zonës si dhe mungesën e konsultimeve me publikun nga Bashkia e Tiranës për projektin. Kompania e afërt me Ramës, Bolles-Wlson, kompania e projektimit, duket se ka një pasion të madh për ndërtimin e kullave. Pas kullës së kuqe në Korçë, ajo ka projektuar edhe një kullë të tillë te Parku i Liqenit Artificial, si dhe një kullë tjetër të quajtur “Kulla e Ujit”.
“Për të funksionuar elementët ujor të propozuar në park është e domosdoshme të ndërtohet një depozitë uji (Kullë Uji) në kuotën më të lartë të Parkut. Kjo kuotë është në thellësi të pyllit dhe e pozicionuar në cepin Veri-Perëndimor të zonës së Pallatit të Brigadave. Uji në kullë është në lartësinë+210 metra mbi nivelin e detit, që do të thotë që Kulla në vetvete duhet të jetë 45 metra e lartë, kjo gjithashtu për të siguruar që depozita/koka të rri pezull mbi pemët e larta eukalipt”, thuhet në projekt. Përveç kullës së ujit, në projekt flitet edhe për Kullën e Vrojtimit dhe stacionin e biçikletave me qira.
“Kulla e vrojtimit është një strukturë metalike (si një kullë e tensionit të lartë) – e bërë nga një strukturë standarde çeliku (afërsisht 10×10 cm) i veshur me zink”, shkruhet në projekt. Ndërtimi i këtyre projekteve bashkë me hotelin që është planifikuar të ndërtohet së fundmi tek Parku i Liqenit jo vetëm që do të shkatërrojnë të vetmen hapësirë të gjelbërt në kryeqytet, por përbëjnë sot një kauzë të fortë që gjithë qytetarët e Tiranës të ngrejnë zërin dhe të reagojnë sa nuk është vonë.

Fondi i Ramës për shëndetin e qytetarëve 25 herë më pak se BE

Në Bashkimin Europian, shpenzimet për shëndetësinë ishin 2076 euro për frymë në vitin 2015, sipas Eurostat, ndërsa në të njëjtin vit Shqipëria alokoi 83 euro për banorë (sipas të dhënave të përllogaritura nga shpenzimet faktike për shëndetësinë në 2015 publikuar nga Ministria e Financave dhe numrit të banorëve).
Në këtë nivel, Shqipëria ka shpenzime për shëndetin e popullatës 25 herë më të ulëta se vendet e BE-së.
Për rrjedhojë, vendi ynë ka shpenzime më të ulëta për shërbimet e shëndetit publik edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Në vitin 2015, pasi buxheti u rishikua dy herë, fondet për shëndetësinë ishin pjesë e shkurtimeve, për pasojë në fund të vitit 2015, alokimet ishin vetëm 32.1 miliardë lekë ose 2.24% e PBB-së. Sipas Eurostat, mesatarja e shpenzimeve për shëndetësinë në BE gjatë vitit 2015 ishte 7.2% e PBB, ndërsa në Shqipëri ishte 2.2% e PBB-së.
Në vitin 2015, raporti i shpenzimeve ndaj PBB-së ndryshonte në të gjithë shtetet anëtare të BE. Në vend të fundit ishte Qipro (2.6%), pasuar nga Letonia (3.8%), Rumania (4.2%), Greqia (4.5%), Luksemburgu (4.6%) dhe Polonia (4.7%). Në të kundërt, Danimarka (8.6%), Franca (8.2%), Austria dhe Holanda (të dyja 8.0%) shpenzuan më shumë në terma relativë.
Në 2015, shtetet anëtare të BE-së shpenzuan rreth 1,058 miliardë euro për shëndetin.
“Shëndeti”’ është zëri i dytë më i madh i shpenzimeve publike, pas mbrojtjes sociale’ me 19.2% të totalit të shpenzimeve publike.
Në Shqipëri, shpenzimet për shëndetësinë zunë 8.4% të totalit të shpenzimeve publike më 2015.
Por edhe pse në nivele të ulëta, eficienca e shpenzimeve për shëndetësinë është përkeqësuar vitet e fundit, pasi një pjesë e madhe e fondeve do t’u alokohen kompanive koncesionare që po administrojnë disa shërbime në fushën e shëndetit me fonde publike që nuk kanë performancë të matshme.
Nga ana tjetër, Shqipëria po përjeton një barrë në rritje të nivelit të sëmundjeve.
Të dhënat nga portali global www.healthdata.org tregojnë se në fund të 2015-ës, shqiptarët kishin barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon, gjithashtu edhe vdekshmërinë më të lartë për çdo diagnozë. Shqipëria renditet në zonën e kuqe për vdekjet e parakohshme, të cilat ishin mbi parashikimet.
Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore, referuar Barrës Globale e Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje.

20 mijë dosje për 10 gjyqtarë!

Në shtator pritet që Reforma në Drejtësi të hyjë në një fazë të re të zbatimit të saj, përmes nisjes së procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë.
E megjithatë, institucionet kyçe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri po shkojnë drejt këtij procesi me stafe të përgjysmuara, një numër të madh dosjesh në pritje për t’u shqyrtuar dhe të paqartë se kur mund të rikthehen në shinat normale të funksionimit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vështirësitë më të theksuara gjenden te Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese në vend, të cilat ndonëse operojnë prej vitesh në mungesë të numrit të plotë të gjyqtarëve, gjatë muajit të fundit u përballën me një “eksod” të ri prej tyre.
Gjykata e Lartë, e cila duhej të kishte në organikën e saj 19 gjyqtarë, funksionon prej fillimit të gushtit me 10 gjyqtarë. Më 31 korrik, zyra e shtypit të Gjykatës së Lartë njoftoi mbarimin e mandatit të pesë gjyqtarëve të saj dhe ndonëse ligji u njeh të drejtën e vazhdimit të punës deri në zëvendësimin e tyre, katër gjyqtarë preferuan të dorëzonin menjëherë detyrën.
Më parë, gjyqtarja Mirela Fana kishte dhënë dorëheqjen, ndërsa gjyqtarja Majlinda Andrea e humbi punën, pasi u dënua për korrupsion.
Përgjysmimi i numrit të gjyqtarëve dhe pamundësia e zëvendësimit të tyre për shkak se institucioni i ri i emërimit-Këshilli i Lartë Gjyqësor ende nuk është krijuar, e ka futur në ngërç Gjykatën e Lartë dhe pritet ta përkeqësojë edhe më tej raportin e shqyrtimit të dosjeve prej saj.
BIRN mësoi se, aktualisht janë në pritje për t’u gjykuar 20 400 dosje, ndërkohë që numri i tyre shtohet për çdo ditë mesatarisht nga 40 rekurse të reja.
Nga ana e Gjykatës së Lartë vlerësohet se është e pamundur që të përballohet gjykimi i këtij fluksi dhe dhënia e shpejtë e drejtësisë për qytetarët, për shkak të përgjysmimit të korpusit të gjyqtarëve.
Ida Vodica, këshilltarja për median në Gjykatën e Lartë i tha BIRN se, momentalisht ka 3 kolegje gjyqësore dhe zgjidhja e vetme është plotësimi i të gjitha vendeve vakante me gjyqtarë dhe ndihmës ligjorë.
“Numri sigurisht është i pamjaftueshëm për të përballuar 20 400 çështje me vetëm 10 gjyqtarë. Zgjidhja e vetme është plotësimi i Gjykatës me gjyqtarë dhe ndihmësa ligjorë, që janë kompetencë vetëm e Këshillit të Lartë Gjyqësor”, tha Vodica për BIRN.
Njësoj si Gjykata e Lartë edhe Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është e detyruar të funksionojë në mungesën e kuorumit kushtetues prej nëntë anëtarësh, pas dorëheqjes së Sokol Berberit dhe mbarimit të mandatit e dorëzimit të detyrës prej Vladimir Kristos.
Megjithatë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i tha BIRN se nuk mendon se “kjo situatë do ta fusë në kolaps Gjykatën Kushtetuese”.
“Largimi i gjyqtarëve solli dhe mungesën e tyre në plotësimin e kuorumit, që ka të përcaktuar me ligj kjo Gjykatë. Deri në zëvendësimin e tyre, kjo situatë do të sjellë vështirësi dhe ngarkesë për gjyqtarët që janë në punë, për shkak se dosjet do të shpërndahen”, tha Dedja për BIRN.
Momentalisht në Gjykatën Kushtetuese janë në pritje për t’u shqyrtuar rreth 250 çështje, ndërkohë që edhe kjo Gjykatë ka shënuar një rritje me 20 për qind të ankimimeve krahasuar me vitin 2016.
Kryetari i Kushtetueses, Dedja i tha BIRN-it se ata do të vijojnë punën normalisht, ndonëse ngarkesa është më e madhe.
“Ligji parashikon se Gjykata mbledh Kolegjin Kushtetues dhe shqyrton një dosje edhe në minimumin e mundshëm prej 6 gjyqtarësh. Ne aktualisht jemi 7 dhe nuk ka asnjë problem që mund të lindë kolaps, përveç faktit të shtimit të ngarkesës së punës”, nënvizoi Dedja.
Reforma në Drejtësi solli ndryshime drastike edhe në sistemin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, duke tentuar të minimizojë rolin e politikës në këto emërime si dhe të vendosë kritere të qarta për kandidaturat.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen aktualisht tre nga Presidenti, tre nga Kuvendi me 3/5 e votave dhe tre të tjerët mes anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ndërsa anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti, vetëm mbi bazën e propozimeve të bëra nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
E ndërsa për Gjykatën Kushtetuese formula e emërimeve është më e thjeshtë, vonesa e konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor i zbeh shpresat për një zgjidhje të shpejtë në Gjykatën e Lartë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili po funksionon me kompetenca minimale deri në ngritjen e institucionit të ri nuk mund të bëjë emërimin e asnjë gjyqtari, ndërkohë që parashikon se edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor do t’i duhet kohë derisa të trajtojë këtë çështje.
“Jemi në kushtet kur presim një vendimmarje nga një institucion që ekziston vetëm në letra. KLGJ nuk mund ngrihet dhe të diskutojë për emërime gjyqtarësh, pa kaluar vetë kandidatët e saj në Komisionin e Vettingut”, tha Elis Kuçi, këshilltari për mediat i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Futjen në ngërç të institucioneve kyçe të drejtësisë, ekspertët e kësaj fushe ia faturojnë politizimit të procesit të së drejtës dhe mungesës së vullnetit politik në Shqipëri.
Juristi i njohur, Sokol Hazizaj tha për BIRN se pas ndryshimeve kushtetuese në korrik të vitit 2016, institucionet duhej të lëviznin në mënyrë të menjëhershme për plotësimin e vendeve vakante, por në mungesë të kësaj, ai parashikon që kjo çështje mund të marrë zgjidhje vetëm nga viti 2018.
“Gjykata Kushteuese duhet pranuar se sot është në kushtet e pamundësisë së marrjes së vendimeve, për shkak të mungesës së kuorumit të saj prej 9 anëtarësh. Në mënyrë lakonike duhet thënë se Gjykata Kushtetuese ka rënë”, tha Hazizaj për BIRN.
“Arsyet… gjenden te mungesa e vullnetit politik për të plotësuar atë në formatin ligjor të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligjin organik të funksionimit të saj…” shtoi ai.
Hazizaj shpjegon se edhe Gjykata e Lartë ndodhet në risk ose në prag të pamundësisë për vendimarrje, duke sjellë si pasojë “vonesat deri në pafundësi të zhvillimit të proceseve gjyqësore”, ndërsa apeloi për lëvizje të shpejta në funksion të plotësimit të vendeve vakante.

Deficiti në energji, prodhimi bie me 26%, konsumi rritet me 7.8% në janar-qershor

Nga suficit vitin e kaluar prodhimi i energjisë elektrike në raport me konsumin ka pësuar një deficit të fortë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të INSTAT për bilancin e energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë prodhimi i energjisë elektrike në totale nga HEC-et publikë dhe ato private ka pësuar një rënie vjetore me 25.9 për qind, teksa konsumi është rritur me 8 për qind si pasojë e rikthimit në punë të kompanive të mëdha të industrisë ARMO dhe Kurum.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 1.080 Gwh nga 776 Gwh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti 361 Gwh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 nga 1.289 Gwh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike është 3.012 Gwh nga 4.066 Gwh energji të prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Me rënie të prodhimit të energjisë elektrike, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë, si hidrocentralet publike (-26,9 për qind) dhe hidrocentralet private dhe koncensionare (-23,8 për qind). Rënia e prodhimit të energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 ka ndikuar në rritjen e importeve dhe rënien e eksporteve të energjisë elektrike. Importet bruto (energji në marrje) u rritën me 39,2 për qind, ndërsa sasia e eksporteve bruto (energji në dhënie) u ul me 72,0 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Hidrocentralet publike kanë realizuar 67,4 për qind të prodhimit të energjisë elektrike për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 nga 68,4 për qind që realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Përqindja që zënë hidrocentralet private dhe koncesionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është 32,6 për qind nga 31,7 për qind që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, humbjet në rrjet kanë rënë me 1,6 për qind. Ndikim në këtë rënie kanë patur uljet e humbjeve teknike në shpërndarje, të cilat përbëjnë 61,7 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet si edhe rënia e humbjeve dhe konsumit vetjak në transmetim që përbën 8,0 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet. Në këtë periudhë, humbjet në rrjet janë 1.021 Gwh nga 1.037 Gwh që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Humbjet në shpërndarje janë rritur me 0,8 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar si rrjedhojë e rritjes së humbjeve jo teknike në shpërndarje prej 21,5 për qind. Humbjet në transmetim, ndryshe nga gjashtëmujorët e viteve të kaluara, këtë gjashtëmujor kanë rezultuar me rënie. Humbjet në transmetim ranë me 23,1 për qind, duke përbërë 8,0 për qind të humbjeve në rrjet nga 10,2 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet që zinin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, u rrit me 7,8 për qind, duke arritur vlerën 2.710 Gwh nga 2.515 Gwh që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, të cilët kontribuuan me +7,0 pikë përqindje në gjashtëmujorin e parë të 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 përkundrejt kontributit prej +0,8 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Energjia, Sekretariati: Qeveria të rishikojë urgjent modelin e tregut

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar rishikimin e radhës për Ballkanin Perëndimor, duke marrë në analizë ecurinë e modelit të ri të tregut të energjisë, ngritjen e bursës si dhe aspekte të tjera teknike. Aktualisht, Sekretariati është i vendosur që të marrë masa ndaj Shqipërisë për pjesën që ajo nuk ka plotësuar, ndërkohë që këtë e bën me dije edhe në raport. Reforma në energji është konsideruar nga ana e mazhorancës si një nga arritjet më të mëdha të mandatit të parë qeverisës. Por edhe pse sot kemi një model të ri në letër për tregun sipas Sekretariatit ka disa çështje që duhet të rishikohen me urgjencë.
“Modeli i tregut përfshin strategjinë për promovimin e likuiditetit bazuar në të ashtuquajturat zonat e import/eksportit dhe masa të tjera të përkohshme deri në zbatimin e plotë të modelit. Ky i fundit parashikon edhe pjesëmarrjen e detyrueshme të lojtarëve kryesorë në mënyrë graduale. Në të njëjtën kohë, vendimi i Këshillit të Ministrave që vendos Shërbimin e Detyrueshëm Publik pengon hapjen e tregut dhe likuiditetin e tregut shqiptar të energjisë. Duhet të rishikohet në mënyrë urgjente”, thuhet në raport. Përveç kësaj, Sekretariati sjell në vëmendje se, marrëveshjet dypalëshe mes KESH dhe OSHEE si dhe procedura për prokurimin e energjisë për mbulimin e humbjeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes, shkelin ligjin e Komunitetit të Energjisë (si dhe ligjin kombëtar). Sekretariati aktualisht po përgatit masën e tij për këtë shkelje.

 

Konkurrenca shqyrton përthithjen e Veneto Banca nga Intesa Sanpaolo

Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se ka marrë njoftimin e thjeshtuar të përqendrimit në lidhje me një transaksion financiar që realizon shitjen dhe transferimin e disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të ndërmarrjeve Veneto Banca S.p.A, Banca Popolare di Venecia S.p.A tek Intesa Sanpaolo S.p.A. Intesa Sanpaolo S.p.A është një shoqëri e regjistruar në Itali dhe është shoqëria mëmë e Intesa Sanpaolo Group, një nga grupet më të mëdhenj bankare italiane. Grupi është i pranishëm në Shqipëri nëpërmjet filialit në pronësi të plotë të tij, Intesa Sanpaolo Bank Albania SHA që operon me një rrjet prej 29 degësh dhe 3 agjencish të shpërndara në vend. Transaksioni nuk përfshin ndonjë nga asetet e Banca Popolare di Venecia S.p.A në Shqipëri pasi kjo bankë nuk është prezente në Shqipëri, ndërkohë që përfshin të gjithë kapitalin e Veneto Banka Albania SHA, e cila është një filial në pronësi të plotë të Veneto Banca S.p.A. Autoriteti, në fund të njoftimit, ka ftuar palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Transaksioni

Në fund të muajit qershor të këtij viti, grupi Intesa San Paolo Bank në Itali bleu pjesën e mirë (good Bank) të aktiveve të Bankave të provincës së Veneto-s. (Veneto Banca dhe BancaPopolare di Vicenza), në një lëvizje, që së bashku me dekretin e Qeverisë Italiane për likuidimin e pjesës së keqe të tyre, (bad Bank) i dha fund një krize që po vazhdonte të paktën prej dy vitesh dhe që po testonte sistemin financiar italian, të zhytur në barrën e kredive të këqija.
Menjëherë më pas, Banka e Shqipërisë njoftoi se për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që “Banka Veneto sh.a”, deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar “Veneto Banca”, tani do të zotërohet nga grupi bankar “Intesa Sanpaolo” dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.
Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund të vitit 2016 totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliard euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, apo rreth 11% të totalit të sistemit. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri, Intesa Sanpaolo është nga më të shëndetshmet dhe më fitimprurëset e sistemit bankar shqiptar. Në vitin 2017, filiali i Shqipërisë raportoi një fitim prej rreth 17 milionë eurosh. Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditet e 12-ta, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.

Afera me pronat, Gjiknuri pronar në Zvërnec e Karaburun

Një nga portalet më të afërta me qeverinë ka postuar dje një denoncim të fortë për Gjiknurin, ministrin e afërt të Ramës në aferën e konsideruar si të shekullit atë të dosjes së CEZ. Portali në fakt nuk ka pasur në qendër këtë skandal, por një tjetër aferë me tokat në bregdet ku është i përfshirë direkt mnistri Gjiknuri. Bëhet fjalë për sipërfaqe të konsiderueshme tokash në Karaburun dhe Zvërnec dy perla të natyrës shqiptare tek të cilat kanë shtrirë tentakulat e tyre, ministra dhe deputetë të PS, si Gjiknuri dhe Fidel Ylli. Dosja është marrë në hetim nga Prokuroria dhe toka është sekuestruar, ndërsa kanë dalë edhe emrat që kanë përfituar këto toka me dokumenta të falsifikuara.
Kanë qenë dy lajme, në dukje të parëndësishme të emetuara nga media, referuar dhe vendimeve të organeve ligjzbatuese, ato që kanë nxjerrë në pah ndikimin e fortë të superministrit Gjiknuri në Karaburun dhe Zvërnec. Ndikim ky i përkthyer në pronësi, herë-herë të paligjshme dhe të falsifikuar, në publik e fshehur pas emrash të tjerë, por që në të vërtetë me hipotekë janë në pronësi të Gjiknurit apo xhaxhait të tij. Ku ka përfituar pronësi në Karaburun dhe Zvërnec me vlera fillestare dhe shtetërore në të dyja rastet mbi 210 milionë euro. Ndërkohë që tashmë vlera e saj është shumëfishuar, në tregun privat, sipas kërkesë-ofertës dhe jo sipas parametrave të shtetit. Kështu, Prokuroria e Vlorës ka vendosur masën e sekuestros për 89 hektarë tokë në bregdetin e Zvërnecit, me vlerë 110 milionë euro. Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se, prona është tjetërsuar përmes një procesi zinxhir falsifikimesh në emër të personit që rezulton pronar edhe në rastin e truallit në Karaburun, sekuestruar nga Prokuroria e Vlorës rreth dy javë më parë.
Nga hetimet e Prokurorisë ka dalë dhe emri i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, i cili rezulton se nuk ka qenë gjyqtar në datën kur rezulton vendimi i gjykatës për njohje pronësie. Ndërkohë që media thotë me zë dhe figurë se vijon sekuestrimi i pronave në qytetin bregdetar, të cilat dyshohen se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, por dhe janë vënë në pronësi në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mëzi, të cilit disa ditë më parë iu sekuestruan 220 ha tokë në Karaburun me vlerë njëqind milionë euro. Skema e përdorur këtë rast sipas Prokurorisë është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme edhe 220 hektarë truall të sekuestruar tashmë, në zonën e Karaburunit.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar caktimin e sekuestros preventive mbi këtë sipërfaqe, kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, rezulton se trualli 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, në bazë të dokumentave të falsifikuar dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone, tërësisht fiktiv. Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar praktikën e njohjes dhe më tej regjistrimit të kësaj prone. Prokuroria thotë se nga aktet hetimore, rezulton se shtetasi Raimond Mëzi është njohur me vendim gjyqësor si pronar i sipërfaqes 89 hektarë, në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar. “Nga sekuestrimi i dosjes gjyqësore, që i përket Vendimit të mësipërm nr. 2217, datë 29.12.203 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, rezulton se kjo dosje, pasi është falsifikuar është bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky fakt provohet edhe nga sekuestrimi i numratorit civil të vitit 2003, ku duket qartë se janë shtuar në këtë libër të dhënat e vendimit të mësipërm gjyqësor. Pra, del qartë se është përdorur i njëjti mekanizëm që është përdorur për të falsifikuar dhe pastaj bërë pjesë të arkivit edhe dosjen gjyqësore, që i përket Vendimit nr. 1360, datë 29.12.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lidhur me sipërfaqen 220 ha tokë në Karaburun, si dhe nga të njëjtët persona”.
Gjithashtu rezulton se edhe Vendimi nr. 100, datë 19.04.1996 i ish-KKKP-së Bashkia e Qytetit Vlorë, në emër të subjektit të shpronësuar Jakup Mëzi (paraardhës i Raimond Mëzi), si dhe nota e transkriptimit, në favor të shtetasit Jakup Mëzi, që janë paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë dokumente të falsifikuara. Po ashtu, nga hetimi i Prokurorisë provohet se pasuria e përshkruar në vendimin e mësipërm të falsifikuar është regjistruar pranë ZVRPP Vlorë nga personi nën hetim Blerina Dhrami. Nga hetimi është provuar se pas regjistrimit të pasurisë së mësipërme mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, janë kryer veprime tjetërsimi, duke kaluar e gjithë pasuria në emër të personave të tretë. Nga hetimi i deritanishëm, rezulton qartë se pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 89 hektarë, regjistruar fillimisht në emër të shtetasit Raimond Mëzi është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal. Kjo pasuri është regjistruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, si dhe në kundërshtim me Ligjin Nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” e udhëzimet përkatëse. Rezulton se në lidhje me këtë pasuri janë kryer veprime juridike tjetërsimi, me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë, e cila është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal.

Rajmond Mëzi, një ish-punëtor varrezash dhe i këputur del pronar tokash

Raimond Mëzi, një 55-vjeçar nga Vlora që ka punuar për vite të tëra në varrezat e qytetit dhe që jeton në një shtëpi të varfër në lagjen “Partizani” është sipas hetimit 1-vjeçar të Prokurorisë, përfituesi kryesor i tokës së tjetërsuar në bregdet. Mëzi akuzohet si autor i falsifikimit të dy dosjeve gjyqësore dhe dokumenteve shoqëruese me qëllim përfitimin e 309 hektarëve tokë-vepër të cilën sipas Prokurorisë e ka kryer në bashkëpunim me avokatin e tij, Enkes Hysendhima, arkivisten e Gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj dhe punonjësen e Hipotekës, Blerina Dhrami. Ai është regjistruar si pronar i 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në vendin e quajtur Shën Velash në Zvërnec, prona që sipas Prokurorisë kanë një vlerë tregu prej 210 milionë eurosh. Në zemër të falsifikimit të pronësisë qëndrojnë dy procese të pandodhura gjyqësore. Vendimi i parë gjyqësor që njeh Mëzin si pronar të tokës në Karaburun mban datën 29 dhjetor 2000, i nënshkruar nga gjyqtari Thoma Nika. Ndërsa vendimi i dytë gjyqësor që i njeh atij pronësinë e 89 hektarëve në Zvërnec mban datën 29 dhjetor 2003 dhe firmën e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë në një atentat me tritol në vitin 2011. Pas dhjetëra ekspertimeve grafike dhe dëshmive përkatëse, Prokuroria e Vlorës ka arritur në përfundimin se proceset gjyqësore nuk kanë ndodhur asnjëherë, firmat e gjyqtarëve janë falsifikuar dhe se dosjet përkatëse janë krijuar me dokumente të falsifikuara dhe janë futur në arkivën e Gjykatës së Vlorës nga personi përgjegjës i Arkivës, Donika Besimaj.

Prokuroria e detyruar “ngre” nivelin e hetimit…!

Prokuroria ka hetuar gjithashtu regjistrimin e dy pronave në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku rezulton se është përdorur aplikimi i një personi tjetër për të krijuar dokumente të reja të falsifikuara-përgjëgjësi që i ngarkohet të pandehurës Blerina Dhrami. Zanafilla e falsifikimeve të njëpasnjëshme ngrihet mbi një Vendim të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit në Vlorë, sipas së cilës Jakup Mëzit-baba i Raimond Mëzit i njihet një sipërfaqe prej 6600 metrash katrorë tokë. Mbi këtë dokument është prodhuar një tjetër i falsifikuar, që presupozon se familja Mëzi zotëron 220 hektarë. Në dëshminë e tij për Prokurorinë, Raimond Mëzi hedh poshtë akuzën se ai është përfituesi i 309 hektarëve tokë në Karaburun dhe Zvërnec. Mëzi ka deklaruar në Prokurori se nuk kishte dijeni për vendimin e falsifikuar të KKKP Vlorë që e bën atë pronar të 220 hektarëve tokë, ndërsa mohon të ketë ngritur padi në Gjykatën e Vlorës apo të ketë bërë aplikim për regjistrimin e tokës në Hipotekë. “Sipas tij, aplikimi mund të jetë bërë nga avokati i tij, Enkes Hysendhima, pasi ky i fundit duke vepruar në emrin e tij, ka shitur disa prona në Karaburun dhe i ka dhënë shumën prej 4 milionë lekësh me këste, si çmim për shitjen e kësaj prone”, citohet të ketë dëshmuar Mëzi në kërkesën për gjykim.
Mëzi ka pranuar në Prokurori se ka nënshkruar kontratatë që mbajnë firmën e tij, por ai ka shtuar se nuk ka asnjë dijeni mbi përmbajtjen e tyre, pasi ka nënshkruar në fletë të bardhë. “Ky shtetas ka deklaruar se është paraqitur tre herë pranë zyrës së noteres [Belona Seraj] dhe ka nënshkruar në të tre rastet fletë të bardha bosh. Pranë zyrës së noteres, ai është dërguar nga i pandehuri Enkes Hysendhima, i cili i ka telefonuar në të tre rastet që të paraqitej para noteres për të nënshkruar”, thuhet në kërkesën për gjykim.

Xhaxhai i ministrit, Thoma Gjiknuri, pronar në Karaburun dhe Zvërnec

Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë dhe kontratat e shitjes tregojnë, se Mëzi u regjistrua si pronar në fund të vitit 2012 edhe pse nuk aplikoi asnjëherë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Menjëherë pas këtij akti, pronat u ndanë në sipërfaqe më të vogla dhe u shkëmbyen apo u shitën me pjesë. Në 2 tetor 2014, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë pasuria prej 220 hektarësh është ndarë në dy sipërfaqe, njëra 90 hektarë dhe tjetra 130 hektarë.
Një javë më pas, më 10 tetor 2014, përfaqësuesi me prokurë i Raimond Mëzit, avokati Enkes Hysendhima ka firmosur kontratën e shitjes së 90 hektarëve tokë në Karaburun me kompanitë “House of Arts” dhe “Digitalnetworks”-kontratë me vlerë 180 000 euro.
“House of Arts” është një kompani organizimi eventesh e deputetit socialist, Fidel Ylli, por që administrohet nga personi i besuar, Elida Heba.
Ndërsa “Digitalnetworks” zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi konsull nderi i El Salvadorit në Shqipëri. Pas shitjes së 90 hektarëve për 180 mijë euro, pjesa e mbetur prej 130 hektarësh në Karaburun i kalon përmes një kontrate shkëmbimi Artur Shehut, një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vjeshtën e vitit 2014, kur kulmuan transaksionet mbi 220 hektarët në Karaburun, Pullumb Petritaj dhe Enkes Hysendhima janë bërë ortakë në një shoqëri aksionere për ndërmjetësime dhe transaksione të pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, kompania “Land and Property Development” u themelua më 27 tetor 2014 me një kapital fillestar prej 3.5 milionë lekësh. Kompania me administrator Pullumb Petritaj rezulton të jetë ende aktive. Petritaj dhe Hysendhima zotërojnë nga 33% të aksioneve, ndërsa 34 për qind e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Gent Prizreni. Transaksioni është kryer më 4 dhjetor 2014, ndërsa kontrata e shkëmbimit mban firmat e Enkes Hysendhimës, përfaqësues me prokurë i Raimond Mëzit dhe Pullumb Petritajt, përfaqësues i Artur Shehut në të gjitha veprimet ligjore. Sipas Prokurorisë, përmes kontratës me nr: 1081 rep dhe nr: 613/1 kol Mëzi shkëmbeu 130 hektarë tokë në Karaburun me një sipërfaqe prej 19.9 hektarësh në pronësi të Artur Shehut. Pasi u bë pronar i 130 hektarëve në Karaburun, Artur Shehu përmes përfaqësuesit të tij me prokurë, Petritaj e ka ndarë pronën në 4 pjesë përgjatë periudhës mars-tetor 2015.
Në mars të vitit 2015, pesë hektarë i janë shitur biznesmenit Arian Laçi me një vlerë prej 9 milionë e 850 mijë lekësh. Ndërsa në janar 2016, Pullumb Petritaj ka firmosur gjithashtu shitjen e 20 hektarëve tokë te biznesmeni vlonjat Thodhori Gjiknuri dhe gruaja e tij për 39 milionë e 600 mijë lekësh. Përveç 130 hektarëve në Karaburun, Artur Shehu rezulton të jetë përfituesi kryesor edhe i sipërfaqes prej 89 hektarësh në Zvërnec, të cilën e ka përfituar gjithashtu përmes kontratës së shkëmbimit. Të gjitha kontratat për tokën në Zvërnec janë firmosur sërish nga përfaqësuesi Petritaj. Humbja e shumave të mëdha të parave për blerjen e tokave në bregdet ka zemëruar përfaqësuesit e kompanisë “House of Arts” dhe biznesmenin Thodhori Gjiknuri. Ata thanë se janë viktima të falsifikimeve dhe kanë paralajmëruar veprime të tjera ligjore kundër personave që u shitën pasuritë. “Në këto transaksione kemi humbur shuma të konsiderueshme parash, ndaj sigurisht që do ta ndjekim çështjen ligjërisht, pasi jemi viktima të kësaj skeme falsifikimi”, tha Elida Heba. Njësoj si Heba, edhe ndërtuesi Gjiknuri është duke pritur përfundimin e hetimeve për të ngritur padinë e tij. “Unë do të padis ata që më shitën këtë pronë. Por sigurisht që përgjegjësi duhet të mbajnë dhe ata përfaqësues së institucioneve shtetërore, të cilët çertifikojnë dokumentet zyrtare”, tha Gjiknuri. Pra, një lëmsh falsifikimesh, për përfitime të mëdha në zonën më të begatë turistike të bregdetit shqiptar kanë prapa superministrin Damian Gjiknuri, i cili përmes xhaxhait të tij përvetëson prona në bregdet. Të përzier në këto afera janë nivelet më të larta të politikës, por dhe të Prokurorisë dhe Gjykatës.

Në artikull janë përdorur edhe dokumente të botuara te rrjeti investigativ BIRN

Jo diktaturës! Antikomunistët tubim – proteste në ditën hapjes së Kuvendit

Thirrje!

Shoqata Antikomuniste e te Përndjekurve Politikë të Shqipërisë organizon ditën e hapjes se Legjislaturës se re te Kuvendit te Shqipërisë një tubim proteste kundër rikthimit ne krye te Kuvendit te Shqipërisë  dhe te qeverise shqiptare  ish drejtuesve te larte te diktaturës komuniste dhe pinjollëve te tyre gjenetike e politike  si dhe pjesëtareve te policisë  politike te komunizmit Sigurimit te Shtetit.

Te përndjekurit politikë antikomunistë vlerësojnë zgjedhjen e ish-ministrit te fundit te brendshëm te diktaturës komunistë ne krye te parlamenti dhe pjesëtareve te Sigurimit te Shtetit dhe pinjollëve te Byrosë Politike te PPSH dhe institucioneve te tjera te diktaturës  si një kërcenim real për lirinë demokracinë dhe shtetin ligjor, fyeje për martiret dhe viktimat e  terrorit komunist  dhe rrezik për të gjithë shqiptarët që besojnë ende  tek lirinë ,demokracia, shati ligjor, prona, familja  dhe dinjiteti njerëzor.

Ne vlerësojmë se kjo situate është një rikthim mbrapa ne përpjekjet 27 vjeçare të e vendit dhe popullit tonë për tu shkëputura nga  komunizmi dhe pasojat e tij si një thike mbas shpine atyre qe luftuan e u sakrifikon për lirinë.

Me shume se një raport kriminal me te kallurën diktatoriale ky zhvillim negativ politik është një kërcenim real për të te sotmen dhe te ardhmen e vendit. Ata, kundër  rikthimit ne pushtet te të te cilëve ne protestojmë, janë  persona me precedentë te rrezikshëm kriminalë si vrasje, arrestime, torturime etje te kundërshtareve politike te komunizmit, qe kategorizohen si vepra penale te renda, krime kundër njerizimit gjenocid etje. Ne se këta persona marrin serish  p[pushtetin dhe mjetet e  duhura  mund te kryejnë serish  vepra  te ngjashme gjë qe  përben një kërcenim real për larine demokracinë dhe jetën e qytetareve.

Prandaj ne i bëjmë thirrje çdo te përndjekuri  politik te komunizmit, çdo qytetari që vlerëson  e  respekton lironte dhe të drejtat e tij, te familjes, të pronës te fjalës, te atdheut etje  ti bashkohet  protestës sonë paqësore.

Ju bëjmë thirrje deputeteve te  Kuvendit te Shqipërisë , atyre qe besojnë  tek liria e demokracia nuk ndjehen te kapur nga e kaluar komuniste te bashkojnë votat dhe veprimit be tjera ne Kuvend me protestën tone duke ndaluar, duke mos u bere pjese e  këtij rikthimi  te rrezikshëm te njerëzve te diktaturës ne krye  te shtetit dhe qeveri.

Bashkohuni me protestën tone tani  qe nesër te mos jete vonë . Nuk ka nevojë të mundoheni te merrni me mend se çfarë mund te ndodhe ne se Sigurimi i Shtetit kthehet ne krye te shtetit. Ktheni pak kokën mbrapa dhe kujtoni çfarë ka ndodhe ne ketë vend vetëm 27 vjet me pare.

Nen moton: Jo diktaturës!, Te protestojmë se bashku ne 09 shator ora 90.30 para Kuvendit te Shqipërisë.