30.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025

Hetuesi i Vlorës akuzon Trocin: Prokuroria lë të lirë kriminelët

Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, Arben Jorgaqi, për të cilin mediat gjermane shkruanin dje se është kërcënuar dhe rrezikon jetën është shprehur dje për mediat se është shkarkuar pa asnjë motiv nga puna. Pas shkrimit të publikuar nga mediat gjermane, ku shkruhej se prokurorit i rrezikohej jeta në Shqipëri, pasi kishte goditur bandat kriminale, Prokurori i Vlorës, Ramadan Troci u shpreh se, “ai ka hetuar çështje për vjedhje kapakësh pusetash”, por Jorgaqi ka sfiduar Trocin, duke i kërkuar që të publikojë një dosje të tij për vjedhje të tilla. Jorgaqi thekson se nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë ndonjëherë azil.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Arben Jorgaqi shprehet se ka punuar për 10 vjet si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Vlorës, nga viti 2007 deri në prill të këtij viti, kur e transferuan në Përmet.
Ndërsa thekson se ka hetuar çështje nga më të ndryshmet, nga vrasjet e trefishta, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, falsifikime, e deri te shpërdorimi i detyrës nga zyrtarë të lartë. Jorgaqi shprehet se, është shkarkuar pa asnjë motiv nga puna. Ai thotë se, Prokuroria e Vlorës pushon hetimet për njerëz që i mban 7 muaj në kërkim, me mandat arresti, pa i marrë as në pyetje.
“Kam qenë oficer i Policisë Gjyqësore në Vlorë nga nëntori i vitit 2007 deri në prill të vitit 2017, kur më transferuan në Përmet. Megjithëse, ligji për veting dhe dispozitat kalimtare kushtetuese i ndalojnë transferimet apo lirimet. Më 29 maj, Gjykata vendosi rikthimin tim në Vlorë dhe të nesërmen u lirova me faks. Motivacioni i shkarkimit jo e jo, por nuk është as neni i ligjit që i referohet shkresa e shkarkimit. Brenda një muaji janë nxjerrë më shumë se 40 urdhra lirimi dhe rekrutimi. Këtë gjë e tha edhe Gjykata Administrative e Tiranës”, shprehet Jorgaqi.
Më tej ai thotë se, gazetari gjerman ka burimet e tij. Nuk besoj se ka dobësi për hetuesit e vjedhjeve të kapakëve të pusetave. “Unë në 10 vjet kam hetuar një gamë të gjerë veprash penale. Nga vrasjet e trefishta, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, falsifikime, shpërdorim detyre të zyrtarëve të lartë. E sfidoj Ramadan Trocin të nxjerrë një dosje timen me vjedhje kapakësh pusetash. Kam pasur në dorë rreth 20 çështje në atë kohë. Kam qenë pjesë e hetimeve të rëndësishme. Mund të ngrini pyetje pse Prokuroria e Vlorës pushon hetimet për njerëz që i mban 7 muaj në kërkim, me mandat arresti, pa i marrë as në pyetje”, shprehet ish-oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, Arben Jorgaqi.

Zjarri në pyjet e Pukës rrezikon të djegë rrëqebullin e Ballkanit

Një zjarr i madh që ka rënë në masivin pyjor të Munellës po përhapet me shpejtësi i ndihmuar nga era duke përpirë pyjet. Zjarrfikësit dhe banorë të zonës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për ndaljen e flakëve, por pa ia arritur qëllimit. Banorët kanë kërkuar të ndërhyjnë helikopterët, por deri tani nuk është dërguar asnjë helikopter për shuarjen e flakëve. Mali i Munellës njihet si streha e rrëqebullit të Ballkanit.
Ndërkohë, situata e zjarrit në kurorën e gjelbërt të Laçit është përkeqësuar. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke përfshirë rrugën e Kishës së Laçit. Për pasojë janë të rrezikuara banesat. Policia menjëherë ka kryer evakuuimin e banorëve. Raportohet se zjarri i është afruar edhe lagjes Sanxhak. Për lokalizimin e zjarrit janë angazhuar zjarrfikëse të Laçit, Lezhës dhe të Krujës, të cilat po punojnë me mjete rrethanore, pasi terreni është shumë i vështirë. Banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri për të shmangur dëmtimin e shtëpive.

10 vatra zjarri në të gjithë vendin

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra të reja zjarri. Sipas emergjencave civile, ditën e djeshme në kurorën e Kishës së Shën Ndout të Laçit ra një zjarr i përmasave të mëdha. Në këtë operacion u angazhuan 11 mjete zjarrfikëse nga Bashkia e Krujës, Kamzës, Lezhës si dhe ato të Forcave të Armatosura, si dhe 70 efektivë të ushtrisë. Për shkak të terrenit të vështirë është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të helikopterit.
Në pyllin me pisha në fshatin Poroçan të Gramshit, zjarret kanë qenë aktive dhe mëngjesin e kësaj të mërkurë. Për shkak të terrenit të vështirë, zjarri nuk është vendosur nën kontroll. Era e fortë ka bërë të pamundur ndërhyrjen nga ajri me helikopter. Zjarri në këtë zonë vazhdon të jetë aktiv.
Po ashtu, në lagjen “Xhami”, Peqin ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, si dhe rrezikonte disa banesa. Shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë, duke shuar flakët.
Zjarre janë regjistruar dhe në fshatin Qerret të Pukës. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe ferra dhe disa pemë frutore. Ndërsa në fshatin Çast u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe ferra, si dhe 25 bagëti.
Në Qarkun Fier, një zjarr i madh ka përfshirë një plantacion me ullishte në fshatin Drenovë, Mallakastër.
Zjarri, për shkak edhe të terrenit të thyer dhe erës së fortë, ka marrë përmasa duke u përhapur me shpejtësi. Pas një operacioni që zgjati rreth 3 orë u arrit të shuhej zjarri.
Zjarre janë regjistruar dhe në Peshtan dhe Gorishtë ku janë shkrumbuar disa hektarë me shkurre dhe pisha.
Vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës” në Korçë janë riaktivizuar sërish mbrëmjen e së martës. Forcat operacionale kanë bërë të mundur që pas një pune që zgjati rreth 10 orë vunë në kontroll situatën. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me pisha dhe bredh.

Zjarrvënie e qëllimshme

65-vjeçari Dylaver M. nga fshati Gjon i Bulqizës, i ka vënë zjarrin pyllit në Martanesh me një çakmak. 500 m2 pyll janë shkretuar megjithë luftën që bënë Emergjencat Civile dhe banorët e fshatit për ta shuar. Dylaver M. është arrestuar tashmë si autori i vënies së zjarrit më datë 29 gusht 2017 në fshatin Gjon si edhe në fshatin Lenë, ku me datë 24.08.2017, është djegur një sipërfaqe pylli (me pisha). Policia e Dibrës, po ashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A.K, 15 vjeç, banues në Muhurr, pasi dyshohet të jetë autori i vënies së zjarrit më datë 24.08.2017 në fshatin Muhurr, Dibër, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe pylli, rreth 10 dynym (dushk, shkurre). Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit D.M. dhe për veprën penale “Shkatërrim me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.

Kërcënohet akademiku Artan Fuga: Më thanë mbyll gojën ose ik!

Pak orë pas bërjes publike të një letre që akadamiku Artan Fuga i kishte dërguar drejtorit të Akademisë së Shkencave ku rendiste problemet e këtij institucioni, që sipas Fugës po shkon drejt degradimit, në adresën e tij mbërrin një mesazh kërcënues. Gjatë muajit shtator pritet të zhvillohen zgjedhjet për Kryesinë e re të Akademisë së Shkencave.
Akademiku i njohur Artan Fuga ka shprehur kritika për mënyrën se si po zhvillohen zgjedhjet, duke kërkuar reformim të kësaj Akademie, duke theksuar se ajo është futur në ngërç institucional.
Fuga thotë se, i kanë kërkuar të pushojë, apo të mbyllë gojën ose të ikë! “Dhe anonimsi, i cili mund të jetë kushdo, edhe një nga rruga, por kurrsesi një akademik, aktivizohet me shpifje qesharake si edhe me thirrjen: Ti që kërkon transformim në Akademinë e Shkencave largoju që andej! Mos fol në publik. Hesht! Ja kërkesa agresive: ose prano kalbëzimin, dhe merr atë honorar, ose ikkkkkk!”, shkruan akademiku i njohur.
Mesazhi i publikuar nga Fuga
Pseudonimsi anonims kërcënon: Pusho ose ik!
Pseudonimsat me dosje, sigurisht, pa kurajo qytetare se intelektualë nuk mund të jenë, u djeg fort bërja publike nga ana ime e faktit se në 4 shtator Akademia e Shkencave, detyrimet e mia ndaj së cilës janë respektuar deri në një, po shkon drejt zgjedhjeve të kryesisë:
– pa bërë bilancin e saj publikisht për mënyrën sesi ka drejtuar këto katër vite, raport të hapur për publikun dhe elitën universitare të vendit. Atje do të shihej se në çfarë ngërçi institucional e funksional e kanë futur Akademinë e Shkencave, këtë të mirë publike që mund të ishte një xhevair në kurorën e kombit.
– zgjedhje pa debat sepse kanë ndaluar debatin para procesit të votimit.
– pa bërë transparencën e figurës të akademikut në lidhje me ish sigurimin e shtetit dhe policinë e fshehtë.
– pa e lejuar Akademinë të paraqesi platformën e saj në mbështetje të përpjekjeve deri tani të sabotuara, reformim i kërkuar nga ana e ekzekutivit, pra për një reformim tërësor të Akademisë dhe të gjithë sistemit të kërkimit shkencor në vend.
– zgjedhje pa kandidatura rivale dhe konkurrenciale.
– me interpretime ligjore krejt subjektive dhe pa marrë konsulencën juridike nga ana e organeve të specializuara.
– pa rishikuar sipas parashikimit rregulloren e brendshme të Akademisë që të hapte rrugë dinamizimi.
– duke shkelur çdo praktikë dhe duke vendosur në poste administrative përtej moshës 68 vjeç që në asnjë universitet publik nuk lejohet.
– dhe gjithçka brenda një rrotacioni prej disa vitesh e më shumë se një dekadë ku kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar.
Dhe anonimsi, i cili mund të jetë kushdo, edhe një rruga, por kurrsesi një akademik, aktivizohet me shpifje qesharake si edhe me thirrjen: Ti që kërkon transformim në Akademinë e Shkencave largoju që andej! Mos fol në publik. Hesht! Ja kërkesa agresive: ose prano kalbëzimin, dhe merr atë honorar, ose ikkkkkk!

Berisha: Ultimatumi ndaj akademikut Fuga, mesazh i narko-shtetit për të gjithë intelektualët

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj kërcënimeve që i janë bërë akademikut Artan Fuga. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, ultimatumi ndaj akademikut Artan Fuga është mesazhi i narko-shtetit për mbarë intelektualët e vendit: Konformohuni ose Largohuni!
“Të dashur miq, Akademiku Artan Fuga ka informuar dje publikun se atë, pas një letre që i ka dërguar Akademisë së Shkencave, e kanë kërcënuar me ultimatumin mafioz: “Hesht ose and ik”! Profesor Artan Fuga është sot zëri më i fuqishëm dhe më i pavarur i botës akademike të vendit që ndanë karrierën e tij akademike mes universiteteve të Tiranës dhe Parisit. Ai, me veprimtarinë, editorialet, publicistikën, në përmbushje të misionit të intelektualit është një avokat i fuqishëm dhe i pamposhtur e i pavarur i interesit publik!
Ultimatumi stalinist mafioz kundër tij është ultimatum ndaj mbarë intelektualëve të vërtetë të këtij vendi, të cilët ose duhet të ulin kokën dhe të heshtin ose duhet të qërohen. Kësaj radhe, ky ultimatum nuk u dha nëpërmjet Shullazit për garën për një post, por u dha për fjalën e lirë, shprehjen e lirë të mendimit, për lirinë akademike, dhe, ata që e porositën këtë janë xhelatë të vërtetë të lirisë së shprehjes së mendimit, janë armiq të egër të intelektualit avokat dhe rolit e misionit të tij.
Një ultimatum i tillë i pashembullt nuk mund të jetë, pavarësisht nga gjurmët, vepër e Akademisë as dhe e stafit të Universitetit “Kristaq Rama”, me të cilet Prof Fuga ka patur polemika dhe kundërshtira.
Ky ultimatum, sipas frymës duket se është vepër e Noriegës dhe zyrës së tij.
Duke shprehur solidaritetin tim të plotë me Profesor Artan Fugën dhe dënuar me ashpërsinë më të madhe ultimatumin stalinist, mafioz të pushtetit ndaj tij, i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi këtë krim të shëmtuar, këtë akt të rëndë ndaj botës intelektuale dhe demokracisë, sikundër paralajmëroj Edi Ramën se heshtja jote ndaj këtij kërcënimi stalinisto-mafioz dëshmon se t’i vet nuk je dorë jashtë, por duket se qendron si porositës i këtij ultimatumi, dhe se për çdo cenim të Prof. Fuges do te pergjigjesh personalisht me çdo gje qe meriton!”, shkruan Berisha.

Apartamenti 271 mijë euro i Damianit

 

Damian Gjiknuri është drejtuesi i një prej ministrive më fitimprurëse në vend, e cila merret me energjetikën, si dhe industrinë e gazit e naftës, koncecionet e të cilave vlejnë miliona euro apo dollarë. Emri i tij jo pak herë është përmendur në media, akuza e madje edhe hetime të Prokurorisë në lidhje me afera të dyshimta korruptive, ku në lojë kanë qenë shuma marramendëse parash.
Ai është një ndër ministrat kryesorë të akuzuar për mega aferën e CEZ, ku sipas KLSH konkludoi se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar prej 479 milionë eurosh nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve e arritur nga qeveria dhe grupi çek CEZ, i cili ishte pronar i 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Përgjegjës i këtij dëmi ishte Damian Gjiknuri.
Duke qenë pjesë e të tilla skandaleve, sigurisht që Gjiknuri i ka siguruar vetes shuma të majme parash në mbylljen e pazareve dhe aferave.
Nëse i hedh një sy deklaratës së pasurisë së Gjiknurit për vitin 2016 sheh se si megjithë përpjekjet për të fshehur ku të munden pasuritë e vendosura sërish e kanë të pamundur t’i mbulojnë tërësisht ato. Në vetëm një vit, rezulton se, Ministrisë i rikonfiruar tashmë nga Rama në drejtimin e dikasterit të Energjisë dhe Industrisë ka bërë një investim jo pak të vogël në blerjen e një apartamenti të ri.
Sipas të dhënave në deklaratën e pasurisë së Gjiknurit, të publikuar nga portali Open Data rezulton se në 2016, Gjiknuri ka porositur një apartament të ri banimi prej 199.5 metrash katrorë, që për një buxhet të thjeshtë familjar shqiptar do të thotë mesatarisht hapësira e plot tre apartamenteve, në mos katër. Duke iu referuar të njëjtave të dhëna rezulton se, për këtë vlera e këtij apartamenti banimi është 271 mijë e 450 euro, nga të cilat ministri i Ramës ka paguar këstin e parë prej 100 mijë eurosh. Ndërkohë që nuk dihen veprimet e kryera gjatë këtij viti.
Por si ka ndryshuar pasuria e Gjiknurit ndër vitet që ai ka qenë ministër? Në deklaratën e pasurisë për vitin 2015, ministri Damian Gjiknuri ka bërë të ditur se të ardhurat e tij nga paga si ministër kanë qenë 1 671 249 lekë, ndërsa të ardhurat e bashkëshortes, Rovena Gjiknuri nga paga dhe shpërblime të tjera si drejtuese departamenti në TV “Top Channel” janë 1 100 000 lekë.
Por sipas të dhënave të deklaruara në ILDKPKI, bashkëshortja e ministrit ka përfituar të ardhura bruto edhe nga aktiviteti privat studio projektimi, Fabrika me shumën e 1 939 654 lekëve, të ardhura nga kthim huaje e deklaruar edhe në vitet e mëparshme në vlerën 10 000 euro si dhe të ardhura nga shitja e një automjeti me vlerën e 15 000 eurove.
Ajo që bie në sy është fakti, që bashkëshortja e ministrit Gjiknuri ka blerë një makinë që kap vlerën e 44 mijë eurove, ndërsa ka pakësuar në llogarinë rrjedhëse nga paga në vlerën e 436 869 lekë.
Për vitin që kaloi, në 2014, Gjiknuri ka shlyer në vlerën 284 523 lekë një kredi për shtëpi e marrë në banka të nivelit të dytë me vlerë 5 milionë lekë, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 1 615 000 lekë, gjithashtu është shlyer edhe një kredi në vlerën e 4 664 euro, kredi e marrë nga bashkëshortja për blerje makine, totali 30 000 euro.
Për vitin 2015 në familjen Gjiknuri është pakësuar një llogari rrjedhëse me 61 621 lekë, një tjetër llogari me 2 080 lekë, ndërsa janë shtuar një llogari me 87 200 lekë, shtuar një llogari tjetër me 10 053 lekë si dhe shtuar një llogari në valutë të biznesit me 9 702 lekë.
Pavarësisht këtyre të dhënave të cunguara, kuptohet që pasuria e Gjiknurit është shumë herë më e lartë nga ajo që ai përpiqet të servirë në deklarimin e tij, ku pjesën më të madhe të pasurisë së tij ashtu si Rama dhe ministrat e deputetët e tjerë socialistë e ka të fshehur.

Pasuria e Damian Gjiknurit për 2016

1) Porositur një apartament banimi me sipërfaqe 199.5 m2, vlerë 271 450 euro, për të cilin është paguar kësti i parë 100 000 euro me kredi, pjesa takuese 50%.
2) Gjendje llogarisë bankare, pakësuar me 5 271 euro.
3) Gjendje llogarisë bankare për pagën, shtuar me 942 495 lekë.
4) Gjendje llogarisë bankare, shtuar me 113 491 lekë.
5) Bashkëshortja, gjendje llogarisë bankare, shtuar me 123 211 lekë.
6) Bashkëshortja, gjendje llogarisë bankare, shtuar me 165 160 lekë.
7) Bashkëshortja, gjendje llogarisë bankare, pakësuar me 1 312 euro.
Kredi, shlyer për vitin 2016 vlera 284 500 lekë për kredi bankare për shtëpi banimi marrë në banka të nivelit të dytë me vlerë 5 milionë lekë dhe me interes vjetor 3%, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 2 598 411 lekë.
2) Shlyer për vitin 2016 vlera 2 900 euro për kredi për shtëpi, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 98 550 euro.
3) Bashkëshortja, shlyer për vitin 2016 vlera 6 420 euro për kredi bankare, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 23 122 euro.
4) Paguar 100 000 euro si këst i parë për porosi apartamenti burimi kredi bankare.

 

Shqiptari kapet në Itali me 38 kg drogë të fshehur në makinë

Policia italiane arrestoi një 30-vjeçar shqiptar, i cili u kap teksa transportonte me kamion 38 kg marijuanë me vlerë tregu 40 mijë euro. Ai u ndalua nga Policia Rrugore në Areco, pasi kishte hyrë në mënyrë klandestine në Itali, dy ditë më parë. Policia e ndaloi për një kontroll rutinë, por dyshimet lindën, pasi kamioni udhëtonte pa ngarkesë.
Shqiptari nuk u përgjigj, kur u pyet nga policët se çfarë transportonte dhe ku po shkonte. Ndaj dhe kamioni iu nënshtrua një kontrolli më të imtësishëm, prej të cilit u zbulua edhe lënda narkotike e fshehur në pjesën e poshtme.
Ndërkohë, tre shqiptarë dhe një italian u arrestuan nga policia italiane, pasi akuzohen se kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng një të ri. Mediat italiane shkruajnë se arrestimi u bë në Pergine Valsugana dhe pengu akuzohet se kishte humbur një kg marijuanë të cilën ishte ngarkuar me detyrë që ta ruante.
Sipas policisë, i riu u mor peng në shtator 2016. Ai u la i lirë, pasi babai i tij kishte paguar “gjobën” shtatë mijë euro, që i kishte vënë banda e shqiptarëve dhe italiani. Mediat italiane shkruajnë se të arrestuarit janë Enrik Fetahu, Kreshnik Dedej, Enea Vrapi dhe italiani Vincenzo Longobardi.

Informonte trafikantët e drogës, arrestohet polici

Një punonjës policie është prangosur nga Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme në ministri, pasi dyshohet se informonte kultivuesit dhe trafikantët e drogës për operacionet policore. N/Komisar, Shpëtim Kripa 32 vjeç, me detyrë specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Delvinës, akuzohet për shpërdorim detyre.
Burime nga Ministria e Brendshme kanë bërë me dije se, Kripa ishte prej kohësh në përgjim dhe në disa raste ka bashkëpunuar me shtetas të dyshuar për veprat penale të kultivimit, magazinimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në zonën e Sarandës dhe Delvinës.
Efektivi i policisë dyshohet se u jepte këtyre personave informacion mbi veprimet policore që kryheshin në kuadër të luftës kundër lëndëve narkotike. Ndërkohë vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ka punonjës të tjerë të policisë të përfshirë në këtë aktivitet.
SHÇBA fton qytetarët që për çdo rast që kanë dijeni apo konstatojnë se punonjësit e Policisë e Shtetit kryejnë veprime të kundraligjshme të telefonojnë në numrin pa pagese 0800 90 90.

Humb jetën 12-vjeçarja e aksidentit në Xibrakë

Një 12-vjeçare, e cila mbeti e plagosur rëndë dje në një aksident në Xibrakë ka humbur jetën gjatë ditës së sotme në spital. Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit. Policia arrestoi në flagrancë shtetasin: Bahri Begu, 50 vjeç banues në Tiranë. Arrestimi i tij, u bë pasi, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në fshatin Xibrakë, duke drejtuar mjetin tip “Benz” veturë me targa AA 643 SB ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mjetin tip “Toyota” me targa IZZ8177 drejtuar nga shtetasi D.D., 37 vjeç banues në Durrës dhe më pas është përplasur me mjetin tip “BMW” me targa AA 391 AO drejtuar nga shtetasi L.T., 32 vjeç banues në Korçë.
Si pasojë, janë aksidentuar pasagjerët, shtetasit: K.D., 12 vjeçe banuese në Durrës (vajza e drejtuesit të mjetit “Toyota”), e cila ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë. J.D., 5 vjeç banues në Durrës, (djali i drejtuesit të mjetit tip “Toyota”) S.D., 35 vjeçe banuese në Durrës pasagjere në mjetin tip “Toyota”. S.B., 23 vjeçe banuese në Tiranë, e cila ishte pasagjere në mjetin tip “Benz”. Të tre të aksidentuarit ndodhen në Spitalin Kirurgjik Elbasan jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër aksident iu shtua zinxhirit të përplasjeve me automjete, që gjatë ditës së djeshme shkaktuan 3 viktima e mbi 20 të plagosur. Në Ibë, një makinë doli nga rruga dhe përfundoi në oborrin e një shtëpie, pasi ra nga afro 8 metër lartësi. Ngjarja ndodhi rreth orës 1:20 pas mesnate. Drejtuesi i mjetit, i vetmi që u dëmtua, u nxorr nga shërbimi zjarrfikës, pasi ishte bllokuar në kabinën e makinës së përmbysur. 6 aksidente ndodhën një ditë më parë në akse të ndryshme të vendit, duke shkaktuar një bilanc lufte. Një vajzë 12-vjeçare e aksidentuar në Elbasan, ndërroi jetë sot në spital.

Në listën e zezë të CIA-s për drogë, krim e pastrim parash

 

Qendra më e fuqishme e Inteligjencës në botë, CIA (Agjencia Amerikane e Inteligjencës) rikonfirmon pushtetin e drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri. CIA kategorizon Shqipërinë si vendin ku trafiku i drogës, armëve, i qenieve njerëzore dhe pastrimi i parave janë më aktivë dhe organizatat kriminale që drejtojnë këto rrjete janë duke u zgjeruar me shpejtësi në Europë.
Në përditësimin e fundit të të dhënave mbi Shqipërinë, Agjencia Qendrore e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka raportuar edhe për trafikun e paligjshëm të drogës. CIA amerikane në faqen e saj zyrtare “The Ëorld facktbook” shkruan se vendi ynë mbetet gjithnjë pikë aktive e kalimit të paligjshëm të drogave si kanabis sativa nga Azia Jugperëndimore drejt Ballkanit.
Sipas CIA-as, në një masë më të vogël nga Shqipëria kalon ilegalisht edhe kokainë që vjen nga Amerika e Jugut me destinacion Europën Perëndimore. Të dhënat e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane raportojnë se ka një rritje të prodhimit të kanabisit në vend si dhe një zgjerim të organizatave shqiptare të trafikimit në Europë. CIA e klasifikon Shqipërinë edhe si një vend ku kryhet lehtësisht pastrimi i parave i lidhur me trafikimin rajonal të narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe kalimit të paligjshëm të shtetasve të huaj. Përditësimi i fundit i të dhënave të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, është bërë në fillim të muajit gusht të këtij viti.
Përshkrimi: “Shqipëria është pika aktive e transportit të drogës së trafikuar nga Azia Jugperëndimore, opiumit, hashaashit dhe kanabisit, duke shërbyer si porta e Ballkanit drejt Europës. Është pikë aktive megjithëse në përmbajtje më të vogël të trafikut të kokainës që vjen nga Amerika Latine, e destinuar për Europën, shërben si vend kalimi për këto drogëra dhe shpërndarjen e prodhimit të tyre, sidos kanabisit.
Aktiviteti i organizatave shqiptare të narkotrafikut po zgjerohet në Europë. Është një vend ku zhvillohet lehtësisht pastrimi i parave të lidhura me trafikun rajonal të drogës. Është gjithashtu një vend ku lehtësisht zhvillohet trafiku i armëve, trafikut të paligjshëm të shtetasve të huaj kontrabanës”.
Cit përshkrimi në versonin origjinal: Illicit drugs: increasingly active transshipment point for Southëest Asian opiates, hashish, and cannabis transiting the Balkan route and – to a lesser extent – cocaine from South America destined for Ëestern Europe; limited opium and expanding cannabis production; ethnic Albanian narcotrafficking organizations active and expanding in Europe; vulnerable to money laundering associated ëith regional trafficking in narcotics, arms, contraband, and illegal aliens
Përditësimi i të dhënave të CIA-s vjen në kohë kur viti 2017 ka shënuar një sasi rekord të trafikimit të drogës nga Shqipëria në Itali. Guardia di Financa italiane informoi pak ditë më parë se prej fillimit të vitit 2017 janë sekuestruar përmes detit rreth 24 tonë marijuanë e Policia Financiare e Puglias ka arrestuar 32 skafistë. Ndërkohë përgjatë vitit 2016, janë sekuestruar rreth 22 tonë marijuanë.
Në fakt i njëjti konfirmim i CIA-s është bërë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e trafikun e lëndëve narkotike të publikuar në mars të këtij viti apo edhe raporte të tjera ndërkombëtare si Europol etj. Në të gjitha këto raporte vërehet se Shqipëria vazhdon të jetë në rrezik të lartë për shkak të pastrimit të parave dhe korrupsionit të shfrenuar. Pjesa më e madhe e ekonomisë së Shqipërisë është informale, me prurje të mëdha të parave nga reminitancat. Të ardhura të konsiderueshme përfitohen edhe nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të mëdha të marijuanës, kryesisht në vendet evropiane, si dhe është vend tranzit për transportin e heroinës afgane dhe kokainës, duke shërbyer si portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Europën. Shqipëria shërben si qendër rajonale nga organizatat e krimit të organizuar. Ky është konstatimi i të gjitha raporteve nërkombëtare, i rikonfirmuar së fundmi dhe nga Qendra Amerikane e Inteligjencës, CIA.

Të njëjtat konstatime edhe nga raporti i DASH

Raporti i fundit i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në mars të 2017 mbi luftën ndaj trafikut të drogës për vitin 2016 e vendos Shqipërinë në vendet kryesore të burimit të marijuanës. Aty thuhet se vendi ynë në 2016-ën pati një shtim të plantacioneve me kanabis. “Shqipëria mbetet një vend burim i rëndësishëm për marijuanën si dhe një rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën e destinuar për tregun evropian. Megjithëse autoritetet shqiptare raportuan rritje të arrestimeve dhe shkatërrimit të plantacioneve me kanabis në 2016-ën u raportua gjithashtu një rritje e kultivimit të kanabisit në të gjithë vendin”, thuhet në raport, citon lapsi.al. Raporti thotë se përveç marijuanës nuk ka të dhëna për prodhim të drogërave të tjera apo drogërave sintetike. Edhe për sa i përket konsumimit DASH thotë se qeveria nuk ka të dhëna të qarta, por përveç kanabisit nuk është shqetësim i madh përdorimi drogërave të tjera. Sipas DASH në vendin tonë pastrohen lehtësisht paratë e drogës dhe sundon korrupsioni i shfrenuar. Në raport shkruhet se, “Shqipëria është një vend tranziti për trafikimin e narkotikëve, armëve, mallrave kontrabandë dhe qenieve njerëzore dhe mbetet në rrezik për pastrimin e parave. Burimet më të mëdha të të ardhurave të paligjshme janë trafiqet, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi”. “Krimi shpesh investon paratë e pista në prona të patundshme dhe në projekte për zhvillimin e biznesit”.

 

Nga plagosja për zgjedhjet deri te droga në Itali, kush është i forti i Ballshit që u ekstradua

46-vjeçari Arjanit Dino, lindur në Ballsh dhe banues atje u ekstradua dje nga Milano drejt vendit tonë. Dino është një emër i njohur i Policisë, pasi në zgjedhjet e 2013 ai plagosi një person, pasi nuk i kishte mbështetur të motrën, të cilën e kishte kandidate për deputete të një partie të koalicionit të majtë. Pas plagosjes, ai u arratis dhe më pas u kap në Itali një vit më pas, teksa merrej me trafik ndërkombëtar droge dhe shfrytëzim prostitucioni, përkatësisht në Abruco.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se më datë 10 qershor 2013 rreth orës 10:30, i pandehuri Arjanit Dino, ka plagosur në këmbë me pistoletë bashkëqytetarin Bilal Lamaj.
Ky i fundit është transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit të Ballshit dhe më pas në Fier duke mos pasur rrezik për jetën.
Organi i akuzës ka arritur të zbardhë gjithë ngjarjen nga ku ka rezultuar se shkak i sherrit mes dy shokëve kanë qenë angazhimet në zgjedhjet parlamentare. Kështu, nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Arjanit Dino së bashku me të dëmtuarin Bilal Lamaj, rreth orës 10:30 të 10 qershorit kanë shkuar te një lokal loto-sporti në qytetin e Ballshit. I pandehuri Dino dhe Lamaj janë ulur në një tavolinë në afërsi të banakut të këtij lokali.
Gjatë bisedës, Arjanit Dino i ka kërkuar Bilal Lamajt që të ndihmonte të motrën e tij, E. D., gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, pasi ajo kandidonte nën siglën e Partisë së Emigrantëve.
Gjatë bisedës mësohet se Bilali i ka kujtuar Arjanitit një borxh prej 4000 eurosh që i pandehuri i detyrohej prej kohësh të dëmtuarit. Gjithashtu, Bilali i ka thënë Arjanitit se nuk mund ta përkrahte motrën e tij, pasi ishte pozicionuar në një krah tjetër politik, kurse paratë i kërkonte sa më parë, pasi kishin qenë shokë me njëri-tjetrin dhe kjo gjë nuk i dukej e hijshme.
Në këto rrethana, i pandehuri është nervozuar dhe pasi është ngritur në këmbë në moment ka nxjerrë nga çanta një pistoletë dhe me të ka qëlluar një herë në drejtim të këmbës së Bilalit, i cili edhe ky instinktivisht është ngritur në këmbë. Pas këtij momenti, Arjanit Dino është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke iu fshehur hetimit.
Një vit pas plagosjes për fushatën zgjedhore, Dino shkon në Itali, ku bie në kontakt me një grup të strukturuar kriminal në zonën e Abrucos. Atje ai nis të merret me prostitucion dhe trafik droge. Dino u arrestua disa muaj më pas, bashkë me dy vëllezër shqiptar dhe një rumun. Këta ishin martuar me shtetase moldave dhe i shfrytëzonin për prostitucion. Dinos iu gjet edhe një sasi e konsiderueshme droge.