33.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025

Gjendet i mbytur në det një person

Një trup i pajetë është parë duke pluskuar në ujë nga pushuesit pasditen e djeshme në zonën bregdetare të Lungomares në Vlorë. Viktima mësohet se është rreth 60 vjeç, i seksit mashkull. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Paraprakisht, dyshohet se burri është mbytur në det. Kjo skenë ka krijuar panik te pushuesit.
Nga hetimet e para të policisë, ka rezultuar të jetë L.H., 76 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet të jetë mbytur në det, pasi ka rënë nga shkallët e Lungomares, bëjnë me dije burime zyrtare nga Policia. Bëhet e ditur se viktima është Liço Hoxhaj. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ka qenë një telefonatë që rreth orës 18:20 ka njoftuar Sallën Operative Vlorë se në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Lungomare gjendet një trup i pajetë.

Zëvendësja e Ramës zbulon fjalimin e Skëndërbeut para vdekjes

Reagimi i parë i Senida Mesit pas zyrtarizimit të saj si zv.kryeministre në kabinetin ‘Rama 2’ duket se përmban edhe një gafë.
Të paktën kështu pretendon ish gazetari dhe poeti shkodran, Artan Hasani.
Përmes një shënimi në faqen e tij në Facebook, Hasani thotë se Senida Mesi ka cituar për fjalë të Skënderbeut, ato që në fakt janë “një trillim artistik shkëputur nga romani “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire” i botuar në vitin 1779 në Paris me autor aventurierin, vrasesin, mashtruesin me origjine nga Budva e Shqiperise Veneciane, Stephan Zannovich, nje fjalim sajesë dhe aspak dokument historik, pra një fiction i mbushur me keshilla moralizuese te huazuara nga libri “Princi” i Makiavelit dhe romane te tjera historike te autorëve moralizues të asaj epoke”, thotë Hasani.
Më poshtë komenti i tij i plotë.

PADITURIA E SHENJTË E ZONJES MESI

“Tani është koha për me punu me ju, për ju.
Për ato që duan të dinë më shumë po zgjedh të ndaj me ju pjesë nga fjalimi madhështor i Gjergj Kastriotit në prag të vdekjes”
Me këto fjalë iu drejtua publikut në statusin e saj të facebook për marrjen e detyrës si zëvëndëskryeministre zonja Senida Mesi, një status i botuar në disa prej mediave shqiptare.
Më në fund rilindësja e 2017 Senida Mesi arriti të bëjë atë që nuk e bënë dot Rilindasit e shekullit të 19-të bashkë me Marin Barletin e shekullit të 16-të dhe Fan Nolin e shekullit të 20-të: zbulimin e fjalës së Skënderbeut para vdekjes(!)
Dhe me pas në statusin e zonjës Mesi vazhdon “fjalimi madheshtor i heroit tone kombetar ne prag te vdekjes” që në fakt nuk është gjë tjetër veçse një trillim artistik shkëputur nga romani “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire” i botuar në vitin 1779 në Paris me autor aventurierin, vrasesin, mashtruesin me origjine nga Budva e Shqiperise Veneciane, Stephan Zannovich, nje fjalim sajesë dhe aspak dokument historik, pra një fiction i mbushur me keshilla moralizuese te huazuara nga libri “Princi” i Makiavelit dhe romane te tjera historike te autorëve moralizues të asaj epoke.
Nuk mund ta bëj me faj zonjën Mesi për paditurinë e saj. Nuk është as e para e as e fundit në nivele të tilla qeverisëse. Por zonjës Mesi i duhet kujtuar publikisht që “fjalimi madhështor” që ajo me cilësinë e zëvëndëskryeministres (së një qeverie vendimi i parë i së cilës është shpallja e vitit 2018 “Viti i Skenderbeut”!) i servir publikut nuk është i heroit tonë kombëtar, por i batakçiut aventurier Stephan Zannovich që ndër zullume të tjera, e mbante veten edhe për pasardhës gjenetik të heroit tonë, një hero jo vetëm kombëtar, por siç duken bathët, edhe fatkeq pas vdekjes.
Gjithsesi gafa e zonjës Mesi mund të shihet me pozitivitet si një rast klasik kur një status facebook-u e shndërron dikë nga të panjohur në të paharrueshëm.

Hashashi ishte vetëm fillimi

“Monitor”

Vitin e kaluar Shqipëria u përball me një masivizim të kultivimit të hashashit në vend. Ndonëse fillimisht kaloi në heshtje, kjo dukuri më pas ishte e pamundur të mohohej, teksa Shqipëria u fut në listën e shumë institucioneve ndërkombëtare monitoruese, që publikuan në raportet e tyre rritjen e fenomenit dhe faktin që vendi ynë po bëhej nyje e trafikimit në Europë.
Këtë vit situata duket më e qetë për dy arsye. Së pari, ka pasur një angazhim më të madh të institucioneve për të mos lejuar kultivimin e hashashit. Së dyti, siç ishte dhe e pritshme, sasia e madhe e prodhuar vitin e kaluar ka krijuar stok dhe ka ulur edhe çmimet, çka e ka bërë të paleverdisshme edhe nga ana ekonomike vijimin e këtij biznesi, që vitin e kaluar mori përmasa masive.
Që një vit më parë, “Monitor” u shpreh hapur kundër rendjes pas fitimeve afatshkurtra, që vinin nga mbjellja e produktit, që jo vetëm zëvendësoi shumë kultura bujqësore, por edhe “tërhoqi” nga tregu shumë punonjës, që përkohësisht u joshën nga pagesat e larta ditore. Edhe ekspertë të njohur të ekonomisë e mbështetën këtë qëndrim, teksa ranë dakord njëzëri se masivizimi i kultivimit të hashashit nuk do t’i sjellë të mira ekonomisë, përkundrazi, do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima, ndërsa injektimi në ekonomi i një pjese të këtyre parave do të deformojë me shpejtësi edhe tregjet e tjera.
Sot, kur ka kaluar më shumë se një vit, ndonëse është pozitive që fenomeni i mbjelljes së hashashit është reduktuar, asgjë nuk ka mbaruar. Përkundrazi, është vetëm fillimi. Pasojat afatgjata dhe që u paralajmëruan nga ekspertët, sapo kanë filluar të ndihen. Pak muaj më parë, vendi rrezikoi të hynte në një qorrsokak, për shkak të refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, ku një nga argumentet ishte përdorimi i parasë kriminale për blerjen e votës, një shqetësim ky që u shpreh dhe në raportin e monitorimit të zgjedhjeve, duke e lidhur dhe me rënien e fortë të euros (kjo e fundit ndërkohë ka dëmtuar ndjeshëm eksportuesit).
Shqipëria është përkeqësuar në notën që i dha Instituti i Bazelit për Qeverisje në Indeksin Kundër-Pastrimit të Parave, ku renditet mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën e Serbinë (hyrja e kësaj paraje në ekonominë legale ishte një nga pasojat e pritshme). Një raport i Policisë holandeze flet deri në rrezikun e kthimit të vizave, duke përmendur si shkak grupet kriminale, që nëse do të ndodhte do të ishte një kthim i madh pas.
Ekonomia, nga ana tjetër, ka shfaqur paradokse të çuditshme, ku disa fenomene nuk po arrijnë të shpjegohen me zhvillimet normale.
Por, përtej pasojave ekonomike, një problem i mprehtë social po thellohet. Të dhënat e fundit tregojnë për një rritje të fenomenit të përdorimit të narkotikëve nga të rinjtë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Kjo ishte paralajmëruar që një vit më parë, teksa disponueshmëria më e lartë e hashashit, që është hapi i parë drejt kalimit tek narkotikët më të fortë, do të rriste përdorimin e tij te grupet më vulnerabël. Dhe ky nuk është një problem thjesht social edhe ekonomik, por mbi të gjitha mjaft madhor për të ardhmen e një vendi të tërë, teksa ai po ndikon në aspektin e brezit të ri të aftë për punë, që ofrohet në treg dhe të cilësive të tij.
Kalimi në këtë fazë ka ndikim në jetën e gjithë shoqërisë e jo vetëm më të individëve apo familjeve të tyre. Në kahun tjetër, nuk shihet angazhim i strukturave shtetërore e të sistemit shëndetësor të vendit për të marrë seriozisht e për të trajtuar këtë dukuri, që mund të jetë me pasoja të rënda afatgjata. Ka një vlerësim fillestar se kosto që po paguan shoqëria për mostrajtimin, ku përfshihet rënia e produktivitetit, rritja e kriminalitetit shkon nga 2.7 në 3.6 milionë euro vetëm për 700 përdorues të identifikuar të heroinës, por kosto reale llogaritet të jetë shumë më e lartë.
Në një kohë, kur vendi po vuan pasojat demografike të rënies së lindshmërisë dhe emigracionit masiv, ku një pjesë e konsiderueshme e rinisë po ikën, do të ishte fatale nëse situata do të lejohej të përkeqësohej. Më minimalja e pritshme është që toleranca, që u pa në lejimin e kthimit të Shqipërisë në pikë prodhuese dhe nyje trafikimi, të mos shtrihet në aspektin e përdorimit për të cenuar shtratin social të shoqërisë, që në vende të varfëra si e jona janë amortizatori i të gjithë problematikave të individëve që ballafaqohen në jetën e tyre.

Rama “2” si Lëshanjë e Edit parë

Sokol GJONI

Pas masakrës zgjedhore që kreu mbi zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017, Edi Rama, tashmë është në zenitin e qeverimit, duke eksperimentuar sipas paranojës së tij me qeverisjen e vendit, por dhe me institucione të ndryshme e deri tek përfaqësimi diplomatik i yni. Komunkimi publik, si arma më e fuqishme e tij, përtej një publicistike delirante dhe orgazmike, është shprehja më e qartë e pellgut dëshpërues në të cilin është zhytur kryeministri, veçanërisht, pas krimit elektoral të shitblerjes së votës, duke deformuar masivisht vullnetin e zgjedhësve. Ky akt i zhbërjes së standardit të arritur të organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri, përveçse e linçon në arenën demokratike si kryeministër me rekorde negative në drejtim të përgatitjes së zgjedhjeve, është njëkohësisht dhe vula e fundosjes së qeverisjes së tij në planin integrues dhe përafrues me BE-në. Në shfaqjen butaforike të prezantimit të kabinetit të ri, kryeministri bufon, me krekosjen prej gladiatori, dhe i frymëzuar nga admirimi i pashoq për pleniumet e etërve të tij, u dha shqiptarëve absurdin e një ligjërate dy orëshe, ku mungonin tërësisht piketat dhe strategjitë qeverisëse, duke u fokusuar më së shumti në hallakatje perceptimesh dhe davaritje përgjegjësish të mandatit të parë. Asnjë formulim konkret për objektiva të qenësishëm në drejtim të sektorëve jetikë, mungesë qartësie në qasjet strategjike të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe ambiguitet në fokusin e diplomacisë dhe të raportit me vendet fqinje, kryesisht me partnerët strategjikë dhe aleancat integrale, e shndërruan dokumentin monologues të kryeminstrimit në paçavurë puniste.
Rama dhe të tijët, e dinë mjaft mirë peshën e përgjegjësive për dhunimin e standardit dhe kriminalizimin që i bënë zgjedhjeve të 25 qershorit, ndaj dhe kanë formatuar një qeveri që rreket të shpëtojë “lëkurën” e tyre, duke afirmuar një stisje harmoniale mes “ca” zullumqarëve të mandatit të parë dhe “ca” të tjerëve që vijnë nga trashëgimia e mendësisë politike atërore. Ky gërshetim, në dukje është ekuilibër politik brenda radhëve, por fsheh brenda vetes qëllime që lidhen drejtpërdrejt me pasoajt e dhunimit të zgjedhjeve. Paradoksalisht, pas 26 viteve, në krye të tempullit të demokracisë propozohet pikërisht “ai”, i cili mban në ndërgjegjen e tij urdhërin e dhënë për vrasjen e katër të rinjve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, në një manifestim që organizohej më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër, për dhunimin që iu bë zgjedhjeve të asokohshme. Riciklimi i figurës së tij, përveçse provokim dhe shantazhim për fatet e demokracisë dhe të institucioneve kushtetuese, përveçse një paralele historike me emra të njëjtë, është dhe fytyra e pafytyrësisë që ka kryeministri ynë në raport me të vërtetat historike dhe ngjarjet që kanë shënjuar rrugën e përgjaktë të demokracisë shqiptare. Kabineti “Rama 2”, në kushtet e dhunimit dhe të deformimit të vullnetit të zgjedhësve, nuk pritet të ketë prioritete që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, me përmirësimin e klimës ndaj biznesit dhe sipërmarrjes, me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit, me uljen e numrit të papunësisë apo dhe të zbutjes së varfërisë, nuk pritet të ofrojë skema efikase dhe lehtësuese ndaj shtresave në nevojë, por ka një fokus të mirëpërcaktuar në favor të ruajtjes së klientelës, si haraç për të gjithë burimin e parave të pista të përdorura para dhe gjatë fushatës. Rama është i vetëdijshëm kur artikulon togfjalëshin “mandat i vështirë”, pasi përtej kënaqësisë së të qenurit i vetëm në turravrapin e tij, ai e kupton se horizonti po ngushtohet dhe shumë shpejt do të rezultojë në theqafje, duke marrë mbi veten dhe mbi partinë që ai drejton mëkatin e pafalshëm të zhytjes së vendit në krizë ekonomike dhe politike. Shqipëria e halleve dhe problemeve të mëdha, nuk meriton dënglat e kryeministrit, i cili paturpësisht fyu dhe etiketoi me termin karakterizues të qeverisjes së tij përfaqësuesit tanë diplomatikë si të dështuar në diplomaci dhe me një ekzaltim venerian rikonfirmoi si të suksesshëm ministrin e Jashtëm. Këto kontraversitete, janë busulla e orientimit dhe filozofia e qeverisjes së “Ramës 2”, duke mënjanuar tërësisht qytetarin dhe problematikat e tij, pasi gjetkë e ka hallin kryeministri arlekin, pasi, ai i ka duart e zhytura thellë në krimin e shitblerjes së votës, pasojat e të cilit i shkurtojnë jetën qeverisjes së tij.
Establishmenti monisto-punist dhe derivatet e tij, kanë ngulitur rrënjë të fuqishme në konfigurimin e qeverisjes së vendit, duke rimodeluar konceptualisht sistemin kushtetues dhe rrëshqitjen në një autokraci orientale. Përballë këtyre udhëkryqeve të shumta, me të cilat proceset integruese të Shqipërisë janë më shumë se kurrë në zgrip të dështimit, imperative mbetet kanalizimi i reagimit qytetar drejt qasjes dhe yshtjes opozitare, përmes alternativës së PD-së. Kontekstet historike, ndonëse të largëta në kohë, sërishmi nxjerrin nga brazdat e dhjetorit të 90′ ngjashmëritë e kohës, ku ende sot, pas afro tre dekadash, shqiptarët ndjejnë nevojën e vokacionit “Liri-Demokraci” dhe kanë përgjegjësinë qytetare të “përmbysjes” dhe të mos lejimit të instalimit të klikës neo-puniste.

I njëjti njeri pas dy impianteve të plehrave

Qeveria shqiptare finalizoi projektin e dhënies me koncesion të ndërtimit të inceneratorit të djegies së plehrave në Tiranë, i treti i këtij lloji në Shqipëri pas Elbasanit dhe Fierit. Mbyllja e procedurës tenderuese u shpall të hënën nga Ministria e Mjedisit në faqen online të Agjencisë së Prokurimeve Publike, përmes së cilës njoftohej kompania “Integrated Energy B.V.,” me seli në Amsterdam të Holandës se oferta e paraqitur prej saj është pranuar.
Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, “Integrated Energy B.V” ishte pjesëmarrësja e vetme në tender, me një ofertë prej rreth 128 milionë euro investime për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të plehrave për një periudhë 30-vjeçare.
Oferta zyrtare është rrudhur në krahasim me propozimin fillestar prej 140 milionë eurosh të kompanisë, përmes së cilit ajo tërhoqi interesin e institucioneve shqiptare dhe fitoi një bonus prej 8 pikësh.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania e regjistruar në Holandë, “Integrated Energy B.V” zotërohet nga kompania shqiptare “Integrated Technology Services” sh.p.k si dhe kompanitë italiane “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Energy Recuperator S.P.A.”
Aksionerët e kompanisë fituese të koncesionit ekspozohen në një relacion të Ministrisë së Mjedisit [Kliko për dokumentin] që mban datën 7 nëntor 2016-relacion, i cili u shoqërua me projektvendimin e Këshillit të Ministrave që i jepte një bonus prej 8 pikësh ofertuesit të pakërkuar “Integrated Energy B.V”.
“Integrated Technology Services” është një kompani me kapital 100 mijë lekë, e themeluar në nëntor të vitit 2010 nga aksioneri i vetëm, Klodian Zoto, sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
Përveç aksioneve në koncesionin e ri të inceneratorit të Tiranës, “Integrated Technology Services” zotëron edhe 70 për qind të aksioneve në koncesionin e ngjashëm të Fierit.
Në relacionin e Ministrisë së Mjedisit, kompania me qendër në Xhenova, “Paul Wurth Italia S.P.A” përshkruhet si “një ndër gjigantët botërorë të ndërtimit dhe instalimit të furrave në të gjithë botën”. Ndërkohë, edhe kompania “Energy Recupator S.P.A” nuk operon për herë të parë në këtë fushë në Shqipëri.
Duke iu referuar projektit të paraqitur nga kompania fituese dhe relacionit të Ministrisë së Mjedisit, BIRN raportoi më parë se projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impjanti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin.
Gjithashtu, projekti parashikon krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impjant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave.
Koncesionari argumentohet se do t’i nxjerrë fitimet e tij, duke arkëtuar një tarifë për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e Qarkut të Tiranës, nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e plehrave si dhe nga rekuperimi i materialeve të riciklueshme.
Qeveria shqiptare ka dhënë më herët edhe dy koncesione të tjera për ndërtim të impjanteve të djegieve të plehrave në Elbasan dhe Fier, përmes dy kontratave koncesionare të financuara nga buxheti i shtetit. Për të dyja projektet, informacioni i ofruar nga autoritetet është minimal dhe konsultimi publik para nënshkrimit të kontratave duket se nuk është kryer. Në Fier, banorët e zonës ku është planifikuar ndërtimi i inceneratorit si dhe të vetë qytetit të Fierit protestuan ashpër, edhe gjatë muajve të fundit kundër ndërtimit të tij.

Dyshimet për kompaninë fituese

Për kompaninë “Integrated Energy B.V” nuk ka informacion në internet. Kompania nuk ka faqen e saj, ajo gjendet e listuar vetëm si emër kompanie dhe adresë në faqen e internetit të Dhomës Holandeze. Por, krahas Integrated Energy B.V, partnere në këtë projekt rezultojnë dhe dy shoqëri të tjera. Në studimin e fizibilitetit për zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, hartuar në dhjetor 2016, thuhet se iniciatori dhe propozuesi i projektit për ndërtimin, operimin e një “Zona e Trajtimit të “Mbetjeve Tiranë–Z.T.M.T.” është shoqëria me propozim të pakërkuar “INTEGRATED ENERGY B.V.” shpk. Aksionerët e kompanisë janë “Integrated Technology Services sh.p.k.”, “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a. Integrated Technology Services është një kompani shqiptare, me aksioner 100% Klodian Zoto, e cila është krijuar në vitin 2010 dhe ndërkohë operon në Elbasan, në Kantierin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane. Në mars të vitit 2017, kompania, që deri atëherë kryente kryesisht “Shërbime kalibrimi si dhe ngritje laboratorësh, investimin, shërbime metrologjike”, ka shtuar si objekt të aktivitetit edhe “Ndërtime impiantesh teknologjike, impiante të prodhimit të energjisë së rinovueshme, landfillesh për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme, ndërtime të impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (incenerator).

Kush do të paguajë për mbetjet e Tiranës?

Një ditë më parë, Ministria e Mjedisit shpalli kompaninë guackë “Integrated Energy B.V”, kompania e vetme e cila bëri ofertë të pakërkuar, fituese të koncesionit 30-vjeçar për ndërtimin dhe përdorimin e impjantit të djegjes së plehrave në Tiranë, përfshirë dhe ndërtimin dhe menaxhimin e një landfilli të ri dhe një impianti për filtrimin e ujit, të gjitha nën projektin me emër “Zona e Trajtimit të Mbeturinave Tiranë (ZTMT).
Sipas relacionit shoqërues të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) të datës 7 dhjetor 2016, projekti për incineratorin e mbeturinave nuk mendohet të ketë efekt në buxhetin e shtetit:
“Zbatimi i projektvendimit nuk shoqërohet me shpenzime financiare për buxhetin e shtetit […] Vetë procedura koncesionare nëse do të ketë një ofertues fitues dhe një kontratë të lidhur, nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, pasi kemi të bëjmë tërësisht me një investim privat, madje buxhetit të shtetit do t’i shtohet vlera e Fee (tarifë) koncesinare që do të detyrohet të paguajë subjekti”.
Me fjalë të tjera, raporti parashikon që shteti do të përfitojë-përveç shërbimit edhe para nga koncesioni 30-vjeçar.
Realiteti, megjithatë, është shumë ndryshe.
Sipas studimit të bëshmërisë së projektit, duke cituar shifrat nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, prodhimi i mbeturinave në rrethin e Tiranës në vitin 2014 ishte 0.9 kilogramë për person në ditë. Me 778,338 banorë, kemi rreth 700 ton mbeturina shtëpiake në ditë dhe 246,800 ton mbeturina në vit.
Projekti ZTMT, ku përfshihet dhe fabrika e përpunimit të mbetjeve do të jetë në gjendje të trajtojë menjëherë nga viti i parë i koncesionit 550-800 ton mbetje në ditë.
Fabrika e përpunimit të mbeturinave do të përbëhet nga katër linja përpunimi, me një kapacitet prej 230 ton për ditë secila dhe një kapacitet të përgjithshëm prej 920 ton për ditë. Linja e parë do të jetë funksionale pas 18 muajsh, e dyta pas 36 muajsh, e treta pas 50 muajsh dhe linja e katërt duhet të ndërtohet përpara se të kalojnë 72 muaj nga fillimi i koncesionit. Rrjedhimisht, do të duhen 6 vjet nga 30 vite të koncesionit që projekti të përfundojë e të funksionojë me kapacitet të plotë.
Sipas studimit të bëshmërisë, Bashkia do të paguajë 29.05 euro pa TVSH për ton/mbetje. Kjo vlerë arrin në 7 milionë euro për 246,800 ton mbeturina shtëpiake të prodhuara nga Tirana çdo vit dhe të përpunuara në ZTMT.
Llogaritja e këtij çmimi bazohet në supozimin se energjia elektrike e prodhuar nga fabrika e përpunimit të mbeturinave me kapacitet prej 3.85 Mwh për secilën linjë, do t’i shitet qeverisë shqiptare për rreth 133 milionë euro gjatë 30 viteve, ose rreth 4,5 milionë euro në vit. Natyrisht ky është një çmim shumë i lartë i shitjes së energjisë, prej 70 euro / Mwh.
Për krahasim, gjatë krizës aktuale të energjisë, qeveria ishte e detyruar të blinte energji në tregun ndërkombëtar me çmimin 57.4 euro/Mwh në fund të qershorit dhe 68.2 euro/Mwh në muajin korrik. Me fjalë të tjera, çmimi i supozuar nga “Integrated Energy B.V” është edhe më e lartë se çmimi i paguar nga qeveria në një situatë emergjence.
Por le të supozojmë se shteti me të vërtetë paguan këtë çmim të lartë, të fiksuar, duke argumentuar se fabrika e përpunimit të mbetjeve prodhon energji “që nuk dëmton mjedisin”, në një vend si Shqipëria që varet për energji elektrike totalisht tek hidrocentralet (nëse bie shi).
Në këtë rast, “Integrated Energy B.V” kërkon në vitin e parë të kontratës 6,4 milionë euro nga buxheti i shtetit, shifër që ngadalë bie në 2,3 milionë euro në vitin e 30-të të koncesionit, ndërsa tarifat e paguara nga Bashkia e Tiranës do të jenë 1 milion euro për vitin e parë dhe 5,1 milionë euro për vitin e 30-të.
Pagesat nga Bashkia supozohet të mbulohen nga taksa e pastrimit e vendosur për të gjithë qytetarët e Tiranës e paguar përmes faturës së ujit. Por mbani mend se vetëm 23% e qytetarëve të Tiranës paguajnë faturat e tyre të ujit, e kështu dhe taksën e pastrimit. Se nga ku supozohet të vijnë këto shifra është ende një mister.
Po ashtu në VKM shkruhet në mënyrë të qartë se, “procedura e koncesionit […] nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, sepse kemi të bëjmë me një investim tërësisht privat. Por, në studimin e bëshmërisë shkruhet diçka tjetër:
“Kostot prej 29.5 eurosh për ton do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë, kryesisht nga Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit ka marrë përsipër, bazuar në tabelën në vijim, të kryejë financim nga fondet e veta, ndërsa pjesa e mbetur do t’i financohet Bashkisë së Tiranës nga Qeveria Qendrore.
Çfarë do të thotë? Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një investim tërësisht privat për ndërtimin dhe funksionimin e impiantit gjatë gjithë periudhës së kontratës, pra për 30 vitet. Kompania [që do të shpallet fituese] do ta ndërtojë atë me fondet e veta, një investim prej 128 milionë eurosh. Kapital tërësisht privat”.
Po, “kapital tërësisht privat” nëse qeveria është e gatshme të subvencionojë taksat që Bashkia e Tiranës nuk do mund t’i paguajë “Integrated Energy B.V”! Sigurisht, qeveria nuk po paguan direkt tek kompania, por koncesioni me siguri ka “një efekt shtesë” në buxhetin e shtetit – një total prej rreth 130 milionë eurosh.
Me fjalë të tjera, “efekti shtesë” në buxhetin e shtetit të koncesionit të ZTMT është më i madh se investimi “privat” prej 128 milionë eurosh, madje dhe pa përfshirë në të taksat e paguara nga Bashkia dhe energjinë që do i shitet qeverisë për një çmim shumë më të lartë.
Ky është një tjetër rast ku, qeveria, dhe për këtë arsye qytetarët e Shqipërisë, janë humbësit e mëdhenj të marrëveshjeve ku përfitojnë vetëm kompani private. Kur do të mësojë qeveria të përdorë makinë llogaritëse?

“Exit.al”

Zyrtarja-Ramës: Në 8 muaj janë kapur 20 herë më shumë drogë se një vit më parë

Kryeministri Rama e ka paraqitur vitin 2016-të sukses në luftën kundër kanabisit në Shqipëri, por zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda ka bërë të ditur sot një shifër të ‘frikshme’. Gjatë raportimit në Task Forcën e kryesuar nga Rama, Voda ka theksuar se në 8 muajt e 2017-ës janë kapur 20 herë më shumë drogë se një vit më parë, çka tregon se në terren produkti ka qenë i bollshëm dhe jo në zhdukje siç pretendon Kryeministri.
“Edhe lufta kundër trafikimit dëshmon shifra mbresëlënëse: në këto 8 muaj u kapën 20 herë më shumë drogë se në 2016. 55 janë grupet kriminale të goditura me mbi 180 persona të proceduar. Drejtoria e Tatimeve ka referuar mbi 180 raste të dyshimta në Policinë e Shtetit dhe Prokurori që konsistojnë në pasuri të pajustifikuara dhe transaksione pa logjikë ekonomike e ligjore. Për 30 raste janë nxjerrë urdhra bllokimi të llogarive/transaksioneve në vlerë totale rreth 3.7 mln euro”, u shpreh Voda.
Gjatë 2016-ës opozita ka denoncuar vazhdimisht rritjen e sasisë së mbjellur të kanabisit në gjithë vendin, por argumentat e saj janë hedhur poshtë nga kryeministri.

Sekuestro llogarive bankare të 13 bashkive, nuk kanë paguar sigurimet

Përqendrimi i pushtetit lokal në më pak njësi me aplikimin e Reformës Territoriale dy vite më parë nuk i ka bërë vendorët më të fortë financiarisht. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve i ka klasifikuar 13 bashki të vendit, ose 21 për qind e totalit të bashkive si borxhlinj të këqij ndaj të cilave do të nisë arkëtimi i detyrimeve me forcë.
Sipas të dhënave të tatimeve, 9 nga bashkitë janë kualifikuar si borxhlinj të këqij pas hyrjes në fuqi të Reformës Territoriale. Detyrimet e bashkive ndaj tatimeve lidhen kryesisht me mospagesat e sigurimeve shoqërore të stafit e punonjësve. Sjellja në këtë mënyrë e bashkive rrezikon të krijojë probleme të rënda sociale në periudhat e mëvonshme, duke rrezikuar pagesat e pensioneve për qindra punonjësit e sotshëm.
Borxhi tatimor është përkeqësuar vitet e fundit, por në veçanti edhe detyrimet e paguara për sigurimet shoqërore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kishte raportuar se në fund të vitit 2016 stoku i borxheve si pagesa të pabëra në kohë për sigurimet shoqërore arriti në 14.1 miliardë lekë. Nga kjo shumë rreth 2 miliardë lekë janë borxh i krijuar rishtas në vitin 2016.
Nga institucionet shtetërore shihet se ka një mungesë korrektese për pagat e sigurimeve nga ndërmarrjet e ujësjellësit, bashkitë dhe disa agjenci rajonale. Projekti STAR (Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale) në përfundim të 384 raporteve të kontrollit në ish-komunat dhe bashkitë e reja ka zbardhur detyrime të prapambetura në vlerën e 65 milionë euro në mesin e vitit të kaluar. Ky borxh ka shtuar detyrimet e shtetit shqiptar në të paktën 0,57% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministria e Financave, nga ana tjetër, ka miratuar një plan veprimi që i detyron Bashkitë të shlyejnë detyrimet deri në fund të vitit 2018.

Reagimi i Berishës

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar dje në lidhje me lajmin për falimentin e 13 bashkive në pagesat e sigurimeve të punonjësve, duke i mbajtur ata në të zezë. Berisha e ka cilësuar këtë veprim skandaloz, ndërsa ka kërkuar ndëshkimin ligjor dhe ndjekje penale të të gjitha autoriteteve përgjegjëse.
“Vetë shteti në të zezë, sistem skllavërie! Të dashur miq, mediat njoftojnë se 13 bashki të vendit dhe një seri institucionesh publike nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre, duke i mbajtur ata në të zezë si skllevër të vërtetë. Ky është një akt kriminal, antikushtetues në shtetin e Noriegës, që meriton ndëshkim ligjor shembullor. Kjo është vepër e vjedhjes, shpërdorimit të buxhetit të shtetit direkt nga drejtuesit për përfitime personale. Ligjet e vendit parashikojnë ndjekje penale për sipërmarrësit privat që mbajnë qoftë dhe dy punëtorë të pasiguruar, kurse në shtetin e Noriegës, në sektorin buxhetor janë mijëra punonjës të pa siguruar. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe sistemin e skllavërisë shtetërore, i bëj thirrje Prokurorisë të vendos menjëherë para ligjit këta drejtues të korruptuar”.

Fierza në pikën kritike në 40 vite

Niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ka arritur në pikën më të ulët të mesatares vjetore në 40 vitet e fundit. Korporata Elektroenergjetike po përpiqet të ruajë kuotën 268 metra, pasi nëse thatësira vijon kaskada e Drinit rrezikon të shkojë në pikën kritike. “Me rënien e nivelit bie edhe eficenca dhe sasia e prodhuar, pastaj është më e vështirë të sigurosh të gjithë sasinë e nevojshme në import, nisur edhe nga vështirësia në kapacitetet e transmetimit”, thanë zyrtarë të Ministrisë së Energjisë. Pas tenderit që hapi KESH, edhe kompania e shpërndarjes arriti të sigurojë një pjesë të energjisë për furnizim në muajin shtator, edhe pse me një procedurë të vështirë e me 5 raunde, ku çmimet arritën deri në 80 euro për megavat orë. “Ata kanë marrë rreth 90 për qind të sasisë së kërkuar, dhe me një çmim mund të themi gjithashtu të mirë, duke pasur në konsideratë gjithmonë çmimin e muajit gusht për tregun evropian”. Edhe për muajin tetor kompanitë KESH dhe OSHEE do të blejnë energjinë, pasi edhe nëse ka përmirësim të prurjeve hidrike në kaskadë, basenit i duhet minimalisht një muaj që ta arrijë nivelin e mëparshëm. Korporata do të përdorë fondin e Bankës Botërore, ndërsa kompania e shpërndarjes do të përpiqet të mos prekë garancinë që u dha nga qeveria qendrore me aktin normativ të buxhetit.

Aferat me blerjet e energjisë, OSHEE blen 20 milionë euro energji për shtatorin

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), edhe pse ka kryer pesë raunde negocimi me tregtuesit, nuk ka arritur të sigurojë të gjithë energjinë që kërkonte të blinte për muajin shtator. Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE, kompania arriti të blejë 271,620 Mwh, nga sasia e kërkuar prej 288,600 Mwh, ose 94% e totalit të kërkuar. Kjo sasi i ka kushtuar OSHEE në total rreth 20 milionë euro (për detajet shiko tabelën në fund).
Burimet nga OSHEE pohuan se negociatat ishin të vështira, po ashtu, si rrallëherë u bë kërkesa në tre lote, teksa operatori po haset me domosdoshmërinë për të blerë energji orë pas ore. U negociua me 10 subjekte nga të cilët 9 u pranuan dhe megjithëse si asnjëherë tjetër negociatat vazhduan me 5 raunde nuk u arrit të sigurohej e gjithë sasia. Sasia e mbetur, pohojnë burimet e OSHEE do t’i kërkohet KESH.
Tre muajt e fundit, situata e energjisë në vend është përkeqësuar për shkak të thatësirës së tejzgjatur. Shqipëria po ndodhet aktualisht në një situatë që nuk po arrin të plotësojë sasitë e kërkuara të energjisë. Oferta në tregun e energjisë, sqarojnë burimet e OSHEE, është në rënie, dhe çmimet janë vështirësisht të negociueshme. Teksa oferta është më e lartë se kërkesa, kjo ul konkurrueshmërinë në negocimet për çmimet. Në ankandin e fundit, çmimi u luhat mes 64 euro/MwH deri afër 80 euro/MwH, në varësi të lotit, kapacitetit dhe sasisë së kërkuar. Diferenca me bursën e Hungarisë është 11 euro për MwH, nga të cilat kapacitetet zënë 6 euro dhe pjesa tjetër është vlera në kohë e parasë dhe kosto administrative.
OSHEE ka blerë me fondet e veta rreth 50 milionë energji për korrikun dhe gushtin, ndërsa në shtator në lojë hyri dhe KESH, pasi u arrit të zhbllokohej një pjesë e kredisë, (22.4 milionë euro), që Banka Botërore ka dhënë për rimëkëmbjen e energjisë dhe që mund të përdorej në raste emergjence. KESH bleu pak ditë më parë 7.2 milionë euro energji për shtatorin. Për periudhën korrik-shtator, janë blerë gjithsej gati 80 milionë euro energji. Nëse thatësira vijon, qeveria do të detyrohet të prekë për herë të parë pas disa vitesh fondin e rezervës në buxhet, i cili u rrit me ndryshimet e fundit të buxhetit, pikërisht për të përballuar krizën energjetike.
Burimet nga OSHEE pohojnë se, Operatori i Shpërndarjes ka likuiditetin e nevojshëm, pasi kompania ka arkëtime prej rreth 5 miliardë lekë në muaj (36 mln euro), por problemi është që gjithçka po përdoret për fondet e energjisë, ndërkohë që kompania duhet të bëjë edhe investime. Por, për sa kohë që nuk do të ketë prurje shiu, operatorët e tregut do të jenë të detyruar të blejnë energji. Situata do të shihet muaj pas muaji dhe OSHEE ende vazhdon të planifikojë që do të paguajë energji me fondet e veta, përsa kohë që nuk është përcaktuar, si do i marrë fondet e rezervës buxhetore, apo do të përdorë overdraft të garantuar nga qeveria. Pozitive është që ditët e fundit ngarkesa është ulur, për shkak të rënies së vapës në vend, çka ka reduktuar konsumin, duke i dhënë pak frymëmarrje operatorit të energjisë.

Dervishi: Ju tregoj kampin e Porto – Palermos, vendi që verboi të internuarit

Ish-drejtori i arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka sjellë edhe një herë në vëmendje mizoritë e sistemit komunist, kampet e izolimit dhe të shfarosjes së shqiptarëve kundërshtarë të regjimit, kampe që, për nga vdekjet dhe kushtet krahasoheshin me kampet e vdekjes së Hitlerit. Në një shkrim të tij mbi Kampin e Porto Palermos, Dervishi nënvizon faktin se në këtë kamp, që u ndërtua brenda kështjellës së vjetër të Ali Pashë Tepelenës, në Porto Palermo, u internuan qindra shqiptarë, gra, pleq e fëmijë dhe vdiqën shumë. Ja postimi i Dervishit:
“Kështjella e vjetër e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në Porto Palermo u përzgjodh si vend i mirëizoluar fillimisht për rreth 200 të internuar. Më parë, kjo kështjellë u përdor si vend internimi kundër përkrahësve të Ahmet Zogut nga qeveria e Fan Nolit në gjysmën e dytë të vitit 1924. Funksionoi si kamp internimi gjatë vitit 1950. Të internuarit u sollën nga kampi Lozhanit (ku punohej për hapje rruge) dhe i Tepelenës. Nuk ishte problem vetëm fjetja në natyrë, por edhe errësira e uji i pijshëm me përmasë të lartë kripe. Ajo pak bukë që jepej, gatuhej brenda kalasë. Të internuarit qëndronin nëpër bodrumet e kalasë, të cilat shërbenin edhe si vend torturash. Jepej ushqim nga 200 gram bukë në ditë shoqëruar me pak marmelatë e margarinë disavjeçare të prishur. Gatuhej supë për 200 persona me 5 kg fasule. Uji kullonte vazhdimisht nga tavanet e nga çatia, lagështia ishte e madhe dhe sëmundjesjellëse, ndërsa nga dritaret drita nuk futej fare. Veçantia e kampit ishte se kur u zhvendosën të internuarit, asnjë prej tyre nuk shihte nga sytë, pasi kishin qëndruar në errësirë për një kohë të gjatë, duke provuar një nga torturat më të vështira për njeriun. Të internuarve iu kthye shikimi vetëm pasi iu dhanë qepë për të ngrënë. Një sezon të internuarit e këtij kampi që komandohej nga Paskal Andoni janë përdorur për vjeljen e ullinjve në Himarë.
Rastësia shpëtoi të internuarit nga tmerri i mëtejshëm i këtij kampi. Kjo ndodhi kur një anije italiane, në rrezik mbytjeje, u vendos pranë vendit të kampit. Duke kujtuar se një veprim i tillë mund të çonte në të ardhmen në arratisjen masive të të internuarve, në fund të vitit 1950 qeveria komuniste e mbylli kampin.
Në këtë kohë, në kampet dhe burgjet e Shqipërisë sëmundjet më të përhapura ishin dizenteria (sidomos në Tepelenë) dhe zgjebja (sidomos në Valias), ndërsa sifilizi dhe dizenteria ishin mbizotëruese në burgje dhe në Porto-Palermo. Vetëm në vitin 1950, sipas të dhënave zyrtare, vdiqën 53 të internuar në të gjithë kampet.
Të dhënat e siguruara për të internuarit në kampin e Porto Palermos:
-Janar 1950: 98 burra, 64 gra, 36 fëmijë
-Shkurt 1950: 83 burra, 61 gra, 37 fëmijë
-Mars 1950: 92 burra, 63 gra, 36 fëmijë
-Prill 1950: 98 burra, 66 gra, 36 fëmijë
-Maj 1950: 91 burra
-Qershor 1950: 92 burra
-Korrik 1950: 98 burra
-Gusht 1950: 98 burra
-Shtator 1950: 128 burra
-Tetor 1950: 140 burra”.