Orë vendimtare për të ardhmen e Alexis Sanchez. Sulmuesi kilian nuk dëshiron të qëndrojë tek Arsenali dhe Pep Guardiola po bën gjithçka për ta transferuar tek Manchester City në këtë fund merkatoje. Herët apo vonë, topçinjtë e Londrës do ta humbasin kilianin, pasi Sanchez ka refuzuar çdo ofertë të mundshme për të rinovuar me Arsenalin dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit londinez kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e 28-vjeçarit, për të mos e humbur verën e ardhshme me parametër zero. Arsenali ka refuzuar ofertën e fundit të Manchester City-it, që ka ofruar plot 50 milionë paund për lojtarin edhe pse Sanchez ka vetëm 1 vit kontratë me topçinjtë. Me kërkesë të trajnerit Wenger, i cili dëshiron një zëvendësues të denjë për kilianin, drejtuesit e Arsenalit u kanë kërkuar homologëve të City-it, kartonin e Raheem Sterling plus para.
Nëse Citiziens nuk pranojnë, pasi futbollisti me origjinë xhamajkane bën pjesë në planet e Guardiolës atëherë, Arsenali mund ta lejojë shitjen e Alexis te City për një shumë që kap shifrën e 70 milionë paund, sepse për një vlerë më të ulët, londinezët nuk pranojnë të ulen në bisedime. Dëshira e Sanchez për t’u larguar nga skuadra aktuale dhe për të kaluar nën urdhrat e Pep Guardiolës, u dallua qartë në ndeshjen që Arsenali humbi me shifrat 4-0 në Anfield Road, me kilianin që në atë takim s’ishte aspak i përqendruar dhe zbriti në fushë sa për të shëtitur fanellën. Deri në fund të merkatos mbeten edhe pak orë, të cilat mund të vendosin shumë për të ardhmen e Alexis Sanchez-it.
Sanchez më pranë Citit
Shkupi, anëtarësim në NATO me emrin IRJM?
Maqedonia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha shtetet fqinje, para së gjithash me Greqinë, me të cilën për më shumë se dy dekada ka mosmarrëveshje për çështjen e emrit. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, para vizitës të së enjtes në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijas.
Dimitrov tha se Maqedonia dëshiron zhbllokimin e procesit të integrimit euroatlantik nga ana e Greqisë, bazuar në marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve, me të cilën edhe është pranuar në më shumë institucione të tjera ndërkombëtare, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për emrin kushtetues të Maqedonisë. Me rëndësi, siç tha Dimitrov, është që të “vendosim relacione të hapura dhe të shohim se çfarë është me rëndësi për Greqinë, por edhe të sqarojmë se çfarë është me rëndësi për vendin tonë”.
Shefi i diplomacisë tha se, Maqedonia është e gatshme të pranojë anëtarësimin në NATO me emrin IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).
“Republika e Maqedonisë, në përputhje me marrëveshjen e përkohshme është e gatshme që të pranojë ftesën për t’u pranuar në NATO me referencën e përkohshme me të cilën është pranuar edhe në OKB, pra me emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kjo është edhe në përputhje me marrëveshjen e përkohshme, por edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Jemi të bindur se kjo do të krijonte një mirëkuptim më të madh në opinionin tonë, pasi bllokada shumëvjeçare nuk e ndihmon konstruktivitetin mes dy vendeve”, ka deklaruar Dimitrov në një konferencë në Shkup kushtuar procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
“Ne nuk duam që të nisin lojën e akuzave me Greqinë, pasi anëtarësimi jonë në NATO në fakt nënkupton aleancë mes dy shteteve. Pozicioni ynë ka qenë shumë i rrënuar vitet e fundit, kemi bërë mjaft gjatë këtyre dy muajve e gjysmë që nga formimi i Qeverisë së re, por duhet edhe shumë për të bërë që të kthejmë miqtë tanë të vjetër, të krijojmë miq të rinj dhe të japim fakte se ne nuk jemi problemi, por se qëllimi kryesor për ne mbetet stabiliteti në rajon, që rajoni të jetë shtëpia e të gjithëve, e një Evrope të bashkuar dhe stabile”, ka deklaruar Dimitrov.
Në konferencën kushtuar anëtarësimit në NATO ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, i cili në paraqitjen para të pranishmëve i ka dhënë mbështetje të plotë procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
“Maqedonia po kontribuon në stabilitetin global dhe rajonal. E dimë se rruga juaj drejt NATO-s ndonjëherë është frustruese, por ju keni qëndruar. Këtu është edhe mbështetja e opinionit dhe e të gjitha bashkësive etnike për anëtarësimin tuaj në NATO. Shpresojmë se qëndrimi i tillë do të vazhdojë, ne ju mbështesim dhe besoj se një ditë do të ju urojmë mirëseardhje si anëtare e re e NATO-s”, ka deklaruar Bejli.
Nga ana tjetër, mediat kanë transmetuar edhe pritjet e palës greke sa i përket vizitës së shefit të diplomacisë greke, e që kanë të bëjnë me forcimin e besimit të ndërsjellë, zbatimin dhe zgjerimit e masave që mund të ndërmerren nga të dyja vendet. Këto masa, siç transmetojnë mediat, janë të rëndësishme për Athinën, pasi jo vetëm që mund të përmirësojnë klimën, të konsolidojnë dhe forcojnë besimin mes dy vendeve, por mund të shërbejnë në të ardhmen për qasje në zgjidhjen e çështjes më të ndjeshme të emrit.
Për shkak të moszgjidhjes së këtij kontesti, Maqedonia nuk ka arritur ende të anëtarësohet në NATO, edhe pse sipas vlerësimeve të ndryshme ka përmbushur të gjitha kushtet që të bëhet pjesë e Aleancës. Maqedonia për shkak të kontestit nuk ka arritur të nisë as bisedimet me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian edhe pse që nga viti 2005 ka fituar statusin e shtetit kandidat.
Gënjeshtrat e mëdha, nga Lenini tek Lehman Brothers
Nga Martin Sandbu
Dy përvjetorët që shënojnë këtë vit – 100-vjetori i Revolucionit të Tetorit në Rusi dhe një dekadë që nga fillimi i krizës financiare globale – kanë më shumë të përbashkëta, se sa duket në pamje të parë. Të dy ngjarjet janë shumë të rëndësishme. Revolucioni i Tetorit çoi në një diktaturë, e cila do të përhapej gjatë shekullit të 20-të si një konkurrent për hegjemoni kundër fashizmit (në gjysmën e parë) dhe liberalizimit demokratik të tregut (në të gjithë shekullin). Kriza globale financiare, ndërkohë, shkundi nga themelet modelin që kishte dalë fitimtar nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Komunizmi trullosës që blloku Sovjetik kishte zhvilluar deri në vitet 1980, u rrëzua nën peshën e kontradiktave të veta ekonomike dhe politike. Trazirat politike të vitit të kaluar tregojnë se tani po vështrojmë, për të kuptuar nëse ekonomitë e tregut të hapur do të pësojnë të njëjtin fat.
Por ngjashmëritë shkojnë më thellë sesa thjesht shkalla historike e dy ngjarjeve. Përmbajtja, gjithashtu, e rrezikut aktual ndaj liberalizimit të tregut të lirë, është e njëjtë me atë që shembi rivalin e saj.
Komunizmi dështoi, sepse bëri dy lloje gënjeshtrash. E para, ishte që tradhëtoi ëndrrën që kishte tërhequr fillimisht drejt tij, me miliona njerëz: një shoqëri e barazisë, solidaritetit dhe vetë-përmbushjes, nëpërmjet qëllimit kolektiv. Besimi në këtë ëndërr jetoi më gjatë sesa mund të justifikohej, edhe në vetë qendrën e komunizmit – dhe më gjatë akoma, në perëndim. Në fund, u rrëzua prej realitetit.
Gënjeshtra e dytë ishte një sistem ekonomik i bazuar në gënjeshtra dhe vetëmashtrim. Ai është harruar më së shumti, por një debat i vërtetë zieu për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të: nëse planifikimi qendror apo tregjet e decentralizuara do të siguronin alokimin më efikas të burimeve. Ata që mbështesnin kontrollin shtetëror të mjeteve të prodhimit, thoshin se vetëm planifikimi mund të kapërcejë humbjet e qarta të burimeve, që përfshihen në papunësinë masive të kapitalizmit dhe mungesat e përsëritura të kërkesës, që shkaktojnë recesione.
Në praktikë, natyrisht, planifikimi qendror ka qenë i tmerrshëm në prodhimin dhe shpërndarjen e mallrave që dëshironin qytetarët e vet. Por në vend që të korrigjohej, ekonomia e planifikuar do ta kthente planin në një gënjeshtër të madhe, rreth së cilës duhej të reshtoheshin bindjet publike të të gjithëve, edhe pse privatisht nuk ishin dakord. “Ju bëni sikur paguani, ndërsa ne bëjmë sikur punojmë”, ishte një shaka që qarkullonte nga Rostocku në Vladivostok, por edhe pasqyrim real i asaj që ndodhte.
Ndodhi vetëm shumë vonë që, konsensusi intelektual mbështeti mendimin e Friedrich von Hayek, i cili thoshte se çmimet fleksibël të tregut përmbajnë më shumë informacion, sesa çdo mekanizëm planifikimi mund të shpresojë të mbledhë me planifikim qendror; dhe se vendimmarrja e shpërndarë vepron në mënyrë më efikase, sesa mund të bëjnë autoritetet shtetërore. Kjo ide ndihmon shumë në shpjegimin e hendekut gjithnjë në rritje të prosperitetit, mes kapitalizmit dhe botës komuniste aty nga fundi i Luftës së Ftohtë. Megjithatë, pati një zgjim të fortë me krizën globale financiare, që cënonte çdo pretendim të kapitalizmit financiar perëndimor, se është mënyra më e mirë për të organizuar një ekonomi.
Epifania e Hayekut në lidhje me mekanizmin e çmimeve nuk është e gabuar, por është e paplotë. Çmimet e tregut të mallrave dhe shërbimeve janë me të vërtetë një aparat informativ më i fuqishëm se çdo planifikim qendror. Por kriza tregoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për çmimet e aseteve.
Nëse plani pesëvjeçar ishte gënjeshtra e madhe e bllokut sovjetik, ja tek është ajo e kapitalizmit: vlerat e tregut të aseteve financiare dhe të tjerave, reflektojnë me përpikmëri vlerën ekonomike që ato përfaqësojnë.
Ajo që ndodhi 10 vjet më parë ishte vetëdijësimi i tmerrshëm, që kërkesat financiare të akumuluara gjatë viteve të bumit të mëparshëm nuk u shtuan, se prodhimi ekonomik i ardhshëm që pretendonin ishte i pamjaftueshëm, që të gjitha të përmbusheshin plotësisht.
Shkurt, pasuria që njerëzit besonin se zotëronin në fakt nuk ekzistonte. Kur një numër i mjaftueshëm njerëzish panë se perceptimi i tyre për pasurinë ishte i pavërtetë, sistemi i çmontua. Çorientimi dhe mosbesimi që ka pasuar, si në tregje, ashtu edhe në politikë, ishte ajo që pritej, kur miliona njerëz kuptojnë se po jetojnë në një gënjeshtër.
Një gënjeshtër pasoi një tjetër, teksa liberalizmi i tregut, nga ana e vet, tradhëtoi ëndrrën që kishte premtuar. Ekonomitë perëndimore janë sot shumë më të varfëra se sa kish parashikuar tendenca para krizës. Kriza dhe periudha pas saj kanë lënë të rinjtë, sidomos, me shumë pak arsye për të shpresuar që do të kenë të njëjtat shanse për begati, si edhe prindërit e gjyshërit e tyre.
Ata që duan që kapitalizmi liberal demokratik të lulëzojë sërish, duhet t’i kushtojnë vëmendje dy mësimeve nga ky krahasim.
Së pari, një sistem social mund t’i mbijetojë zhgënjimit për një kohë të gjatë. Këtë e tregoi komunizmi; ashtu siç bën edhe kapitalizmi, premtimi i të cilit u prish disa dekada përpara krizës, për disa grupe. Por kur njerëzit nuk mund të mbështeten më në mjetet e tyre të jetesës, mbështetja për sistemin avullon. Megjithatë, shoqëritë më elastike janë ato që e pranojnë të vërtetën mbi vetveten. Mashtrimi copëton. Liberalizimi i tregut është në rrezik, sepse sistemi i tij financiar na lejoi të tregonim gënjeshtra; dhe nuk u vetëdijësua si duhet për humbjet, kur ato u bënë të pamohueshme.
Populistët e majtë dhe të djathtë zhytën nostalgjinë e kohëve të arta të ekonomisë së përzier. Ata kanë të drejtë kur thonë se gara midis planifikimit dhe laissez-faire duhet të zgjidhet nga një përzierje e të dyjave. Leksioni më i madh nga ajo garë është se çdo sistem social dhe ekonomik duhet të mbetet i ndershëm – jo vetëm i drejtë, por i vërtetë. Dhe ky është një radikalizëm, që populistët janë absolutisht të pakualifikuar për të na e ofruar.
Financial Times – Bota.al
Cili është aspekti i rëndësishëm i Haxhit të myslimanëve?
Çdo vit, miliona myslimanë shkojnë në Mekë për të kryer Haxhin – një detyrë fetare për besimtarët që mund ta përballojnë udhëtimin dhe fizikisht janë të fortë.
Sivjet, rituali pesëditësh ka nisur në ditën e tetë të muajit hënor Dhu al-Hijjah, në bazë të kalendarit islamik.
Autoritetet saudite kanë bërë të ditur se mbi 1.7 milionë besimtarë kanë arritur tashmë në Mekë.
Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se janë të përgatitur për trajtimin e sëmundjeve që mund të shpërthejnë, apo të rrëmujave, të tilla si ajo e vitit 2015, e cila ka lënë qindra besimtarë të vrarë.
Rrëmuja e para dy vjetëve konsiderohet si fatkeqësia më e madhe në historinë e Haxhit. Ajo ka ndodhur kur besimtarët, që ecnin drejt një rituali të gurëzimit, kanë nisur të shkelin njëri-tjetrin.
Mbi 2,000 veta kanë vdekur, ndërsa Irani ka pasur numrin më të madh të viktimave, përkatësisht 464. Kjo ka bërë që Republika Islamike ta bojkotojë Haxhin në vitin 2016. Këtë vit, besimtarët iranianë janë rikthyer dhe rreth 90,000 sërish pritet të kryejnë ritualet.
Arabia Saudite po ashtu ka hapur kufijtë për besimtarët nga Katari, të cilët janë mbyllur pasi Riadi, së bashku me Bahrejnin dhe Emiratet e Bashkuara i kanë ndërprerë lidhjet diplomatike me Dohën në muajin qershor. Ata i kanë akuzuar autoritetet katarase për mbështetje shtetërore të grupeve ekstremiste islamike.
Edhe pse Arabia Saudite ka lehtësuar hyrjen në kufirin tokësor, Katari ka thënë se vetëm pak, dhjetëra shtetas të tij kanë mundur t’i bashkohen Haxhit.
Pelegrinazhi i sivjetmë po ashtu vjen nën kërcënimin e shtuar të grupit militant Shteti Islamik, i cili ka humbur territore në Irak dhe Siri, por vazhdon të kryejë sulme në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.
Për myslimanët, Haxhi është shtylla e pestë dhe e fundit e Islamit, e cila shërben për pastrimin e shpirtrave dhe ringjalljen e marrëdhënieve me Zotin.
Me fillimin e Haxhit, pelegrinët hyjnë në fazën e ihramit – një gjendje e pastërtisë, në të cilën ata nuk duhet të vënë parfume, nuk duhet të presin thonjtë ose nuk duhet të shkurtojnë flokët apo mjekrat e tyre.
Një aspekt i rëndësishëm i Haxhit është se ai heq të gjitha shenjat e klasës, pasurisë dhe materializmit, duke kërkuar nga të gjithë besimtarët të vishen me rroba të njëjta gjatë gjithë pelegrinazhit.
Haxhi kulmon në ditën e pestë me mbledhjen e besimtarëve në Malin Arafat – vendin ku profeti Muhamed ka bërë predikimin e lamtumirës, 14 shekuj më parë.
Çmimi i Haxhit sillet nga 2,600 dollarë deri në 4,300. Për shumicën e vendeve në zhvillim, duhen vite kursime për Haxh. Për shembull, në Bangladesh, pelegrinazhi mund të kushtojë sa tre vjet e pagës mesatare.
Si do normalizohen marrëdhëniet Prishtinë-Beograd?
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, të enjten në mëngjes do t’i takojë në Bruksel presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.
Maja Koçiançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë, Mogherini, ka deklaruar se takimet në Bruksel do të zhvillohen në kontekstin e diskutimit për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Diskutimet do të ndodhin pas takimit të disa javëve më parë, ku janë marrë vesh se do të nisin të punojnë për fillimin e fazës së re të dialogut”, ka thënë Koçiançiq.
“Në këtë kuptim, puna tashmë është në zhvillim e sipër dhe ata nesër do t’i vazhdojnë bisedimet”, ka theksuar ajo.
Takimi i radhës në Bruksel, sipas Koçiançiqit do të jetë joformal. “Do të bisedojnë edhe për zbatimin e marrëveshjeve, të cilat tashmë janë arritur në dialog dhe zbatimi i të cilave është në vazhdim e sipër”, ka thënë Koçiançiq.
Thaçi e Vuçiq, patën theksuar pas takimit të 3 korrikut të zhvilluar po në Bruksel, se nevojitet një fazë e re e procesit të bisedimeve, që sipas lehtësuesit të këtij procesi, Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në mars të vitit 2011, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.
Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Institucionet e denoncuara më shpesh për korrupsion
Ndërtimet pa leje janë shqetësimi më i madh i shqiptarëve në dy vitet e fundit. Të dhënat në raportin e fundit që përfshijnë denoncimet e portalit “Stop Korrupsioni” për periudhën shkurt 2015-gusht 2017 tregojnë se në total janë bërë 17 770 denoncime për çështje të ndryshme. Vetëm për korrupsion janë bërë rreth 8% e ankesave çka tregon për një numër të vogël në raport me totalin. I nisur si një portal që synonte të luftonte korrupsionin duket problematikat kanë devijuar objektivin qendror. Shumica e denoncimeve ishin për ankesa që nuk lidhen me korrupsionin dhe në një pjesë të rasteve ka dublikime në masë.
Me pikatore është pjesa e seksionit të falënderimeve ose denoncimeve që janë përcjellë në Prokurori. Por si paraqitet numri i denoncimeve në raport me fushën për të cilën janë bërë. Pjesën më të madhe e mbajnë ankesat për ndërtimet pa leje dhe pas saj vjen Arsimi, Tatimet dhe Policia. Për Arsimin kemi edhe rekordin e denoncimeve për korrupsion me 326 raste të raportuara dhe 1478 denoncime si ankesa. Për Tatimet nga ana tjetër janë të paktën 1436 ankesa, kurse për korrupsion 87 prej tyre.
Edhe për Shëndetësinë që tradicionalisht është përfolur si një sektor me përhapje të gjerë të pagesave joformale numri i denoncimeve për korrupsion është i lartë në 259 ndërkohë që ankesa në tërësi janë 883. Më pak mëkatarë duket se ka pasur në sektorin që lidhet me pronat, tenderët dhe Doganat që mbajnë edhe numrin më të ulët të denoncimeve në portalin e qeverisë, respektivisht 150 dhe 225 dhe 269.
Rritja ekonomike artificiale, në Shqipëri nuk ka mirëqenie
Studiues të njohur të ekonomisë shqiptare pohojnë se ajo ka nevojë për ndryshime strukturore, në mënyrë që të shmanget cilësia e dobët e rritjes ekonomike, e cila nuk përkthehet në fitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Madje sipas tyre, në mënyrë paradoksale, ekonomia rritet në letër, ndërsa të ardhurat e qytetarëve kanë rënë, si për punëtorët aktivë ashtu edhe për gjithë shtresat dhe moshat e tjera.
“Qysh nga goditja e krizës së madhe 2009-2010, ekonomia shqiptare vazhdon të ketë një rritje të dobët, anemike, një rritje që nuk prodhon punësim, pra, një rritje që nuk krijon baza dhe premisa për të modernizuar ekonominë e vendit, për të krijuar punësim cilësor, për të rritur të ardhurat e qytetarëve etj. Ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit, edhe si konfirmohet nga shumë studime e raporte të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera, është që niveli real i të ardhurave të qytetarëve jo vetëm që nuk është përmirësuar, por në fakt, në shumë këndvështrime, janë pakësuar apo kanë rënë”, tha Dr.Selami Xhepa, studiues i Ekonomisë.
Edhe për Profesorin Adrian Civici, drejtues i UET, shndërrimi i rritjes ekonomike në mirëqenie për popullatën është një sfidë e vërtetë për Shqipërinë, ndaj duhen hequr pengesat që devijojnë kthimin e fitimeve vjetore në më shumë punësim, konsum edhe zhvillim. “Edhe në rastet kur kemi patur rritje ekonomike 5, 6 apo 7 për qind, që është mirë për një vend si Shqipëria, shndërrimi i saj apo përkthimi i saj në mirëqenie për një masë të madhe të popullsisë apo shtresa të ndryshme të saj, ka patur shumë dobësi dhe shumë shproporcione. Pra, sfida është: nga një anë strukturimi i ekonomisë për një rritje të lartë dhe cilësore, që është e domosdoshme për t’u theksuar, dhe nga ana tjetër përpunimi i gjithë mekanizmave që e shndërrojnë rritjen ekonomike në mirëqenie, që duhet të jetë edhe qëllimi kryesor i vet rritjes ekonomike, për të mos ngelur thjesht në statistika si përqindje”, thotë zoti Civici.
Cilësia e dobët e rritjes ekonomike, sipas Profesor Selami Xhepa, lidhet me strukturën e veçantë të ekonomisë shqiptare, e cila dikton edhe strukturën e punësimit. Bujqësia sjell të ardhura modeste në ekonominë kombëtare, shërbimet po ashtu, ndërsa në prodhimet fason shfrytëzohet krahu i lirë i punës dhe pagat nuk janë aspak dinjitoze. Këto janë 3 shtyllat e strukturës ekonomike të Shqipërisë, të cilat nuk sjellin një rritje ekonomike cilësore e të qëndrueshme.
“Kjo strukturë ekonomike mbizotëron gati 60-70 për qind të ekonomisë. Pjesa tjetër është sektori i shërbimeve, i cili edhe ai është i një niveli shumë të ulët. Si rrjedhojë, produktiviteti i fuqisë punëtore vazhdon të jetë shumë problematik. Vetë kjo strukturë e ekonomisë ka diktuar një lloj punësimi jocilësor, që nuk garanton të ardhura të mjaftueshme për të bërë një jetë dinjitoze për familjet shqiptare”, thotë zoti Xhepa.
Ndërsa studiuesi Adrian Civici thotë se vendi ka nevojë për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse; pra që sa më shumë aktorë ekonomikë dhe në një shtrirje gjeografike sa më të gjerë të japin ndihmesë në rritjen ekonomike kombëtare.
Por, Shqipëria ka një problem serioz struktural, sipas tij, sepse pjesën më të madhe të rritjes ekonomike e sjellin një numër shumë i vogël aktorësh ekonomikë, dhe pjesa tjetër kërkohen të mbulojnë nevojat me rishpërndarje të të ardhurave fiskale.
Depozitat me afat, në tre vite 700 milionë euro jashtë bankave

Gjatë 3 viteve të fundit (korrik 2017/korrik 2013), nga bankat janë larguar rreth 92 miliardë lekë (gati 700 milionë euro) nga depozitat me afat të individëve. Në të njëjtën periudhë, kursimet totale në lekë kanë rënë me 22 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë janë rritur me 58 miliardë lekë.
Teksa normat e interesit për kursimet vjetore janë praktikisht negative (ato janë më pak se 1%, kur inflacioni është rreth 2%), individët po zgjedhin ose të shkojnë drejt afateve më të larta, po investojnë në Bono Thesarit, apo po i mbajnë nën jastëk, ose i investojnë në pasuri të paluajtshme. Një tjetër dukuri më e rrezikshme është edhe investimi në platforma online, ose në monedha virtuale. Këto të fundit janë si skema lotarie, që mund të të sjellin fitim të shpejtë, por edhe humbje po aq të shpejtë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në korrik arriti në 994 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3 miliardë lekë (0.54%) në krahasim me muajin e mëparshëm.
Rritja ka ardhur tërësisht nga valuta. Huatë në valutë u rritën me 1.1% në krahasim me muajin e mëparshëm, për të arritur në 520 miliardë lekë. Ndonëse jemi një vend ku monedha zyrtare është leku, kursimet e shqiptarëve janë më shumë në monedhë të huaj, kryesisht euro. Në fund të korrikut, depozitat në valutë zinin 52.4% të totalit. Rritja e valutës ka ardhur kryesisht nga shtimi i kursimeve të individëve, që kanë preferuar të vendosin paratë e tyre, kryesisht në llogari rrjedhëse.
Ndryshe nga depozitat në valutë që i janë rikthyer rritjes nuk ka ndodhur e njëjta gjë për kursimet në lekë. Ato kanë vijuar të ulen lehtë, duke reflektuar interesat e pafavorshme të ofruara nga bankat. Në fund të muajit korrik, stoku i depozitave në monedhën vendase ishte 473 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.03%.
Zëri që vijon të ketë tkurrjen më të madhe është ai i depozitave me afat të individëve.
67 miliardë lekë kredi për bizneset jashtë vendit
Bankat e kanë zgjeruar ndjeshëm portofolin e kredisë për bizneset jashtë vendit sidomos vitet e fundit. Shuma ka arritur në 67 miliardë lekë në fund të vitit 2016, por një pjesë e saj është kthyer në kredi të keqe.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e keqe në këtë kategori arriti në 3,3% të totalit të huasë së dhënë jashtë në fund të vitit të kaluar që i korrespondon një shifre prej 2.2 miliardë lekësh (16 milionë euro). Banka thotë se në kategorinë në fjalë kredia e keqe është ngushtuar me mbi 8 për qind gjatë vitit të kaluar, por lajmëron se kjo lloj huaje paraqet rrezik.
“Sidoqoftë, kjo është një kredi e këtyre viteve të fundit, relativisht e re dhe përmban disa specifika që lidhen me aftësinë e bankave për të vlerësuar në mënyrë të përshtatshme rreziqet e huamarrësit që vepron në një juridiksion të huaj. Ndaj, vlerësimi i cilësisë së saj, kërkon vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm”, lajmëron Banka Qendrore.
Ekspertët në Bankën e Shqipërisë pohojnë se kanë ponderuar me rrezik të lartë kredinë jashtë vendit pikërisht për të kufizuar bankat në dhënien e saj. Por ata shpjegojnë se bankat mund të ushtrojnë këtë lloj financimi, pasi ligji nuk e ndalon. Por nga ana tjetër në rast se kredia nuk kthehet, ekzekutimi i kolateralit vështirësohet për shkak të rregullatorëve të brendshëm.
Ekspertët e bankës sqarojnë se në maj të vitit 2013, Banka e Shqipërisë ndërmori disa masa për të zbutur tendencën e kreditimit jashtë vendit, që dha efekte. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2016, rritja e shpejtë e burimeve të financimit në valutë dhe ulja e efektit penalizues të këtyre masave është reflektuar në zgjerimin e aktiveve me jo rezidentët me rreth 15.6% me terma vjetorë, në mungesë të alternativave të mjaftueshme të investimit në vend.
Bankierët, e kontaktuar nga “Monitor”, pohojnë se kjo hua po jepet kryesisht në Kosovë nga një apo dy banka. Ata shtojnë se kjo nuk është gjë e mirë për vendin, pasi paratë po shkojnë jashtë Shqipërisë dhe nuk po investohen këtu. Edhe ajo rritje prej 2-3% e huasë në total që u konstatua në 2016-ën, ka ardhur kryesisht nga kreditimi për kompanitë jashtë vendit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shtesa vjetore e stokut të kredisë për bizneset jashtë vendit në janar 2017 ishte 27.5 miliardë lekë, ndërsa ajo për bizneset vendase (korporatat jofinanciare) ra me 3.6 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.
Si i mashtroi qeveria banorët e Zharrëzit?
Edmond HOXHAJ
Barie Hajdini jeton fillikat mes mureve të çara dhe të spostuara nga themelet e shtëpisë së saj në fshatin Zharrës të Bashkisë së Patosit, ndonëse një komision vlerësimi e ka cilësuar strehën e saj si të pabanueshme dhe të rrezikshme.
Gruas së moshuar, e cila vuan edhe nga një koleksion sëmundjesh kronike, iu premtua zgjidhje e shpejtë, por pesë muaj më pas nuk është bërë ende asgjë dhe Hajdini ka filluar të shqetësohet se dimri do ta gjejë sërish në të njëjtën shtëpi.
“Hajde ngryse dimrin këtu”, thotë ajo, ndërsa tregon me gisht nga kanalet e suvasë së rënë që çajnë tejpërtej murin.
“Na thanë që do ta zgjdhnin këtë problem brenda një muaji. Erdhi kryetarja e Bashkisë së Patosit dhe drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave dhe na thanë nëse donim shtëpi apo para? Asnjë gjë nuk kanë bërë deri tani”, u ankua ajo për BIRN.
Pas bashkëjetesës shumëvjeçare me lëkundjet e vazhdueshme të tokës, shpresat për zgjidhje të Barie Hajdinit u rritën në fund të muajit shkurt, kur maratona e një greve urie dhe marshimi epik i banorëve të Zharrëzës u mbyll në Tiranë me premtimin qeveritar se dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre do të shpaguheshin.
Për të përmbushur premtimin publik, Këshilli i Ministrave miratoi më 1 mars vendimin nr. 155 “Për marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësitë administrative Zharrëz, Patos (fshati Dukas), Bashkia Patos dhe Kuman, Bashkia Roskovec”.
Pas vendimit të qeverisë, grupet ndërinstitucionale të punës nisën procesin e vlerësimit në Zharrëz dhe zonat përreth, ku konstatuan se dhjetëra shtëpi ishin të pabanueshme dhe përbënin rrezik për jetën e banorëve të tyre.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se, ky rrezik injorohet prej muajsh nga institucionet përgjegjëse shtetërore, të cilat ia hedhin “topin” njëra-tjetrës për zgjidhjen e situatës dhe nuk japin asnjë përgjigje se kur do të dëmshpërblehen banorët e Zharrëzës.
Barie Hajdini nuk është e vetmja që jeton në kushte të rrezikshme për jetën në Zharrëz, ndërsa pret që qeveria të mbajë premtimin e dhënë publikisht.
Zyber Muskaj, një tjetër banor i tha BIRN se, zyrtarë të Entit Kombëtar të Banesave e kishin paralajmëruar për rrezikun e jetesës në shtëpi, por ai vazhdon të banojë aty në mungesë të një zgjidhjeje tjetër.
“Na thanë se në muajin prill do të na sistemonin në shtëpi me qira, por deri tani nuk është bërë asgjë. Kemi hedhur firmën për dakortësinë që t’i merrnim dëmshpërblimet në para. Por deri tani nuk na ka kontaktuar më njeri”, tha Muskaj për BIRN.
Premtimi, ende në letër
Banorët e fshatit Zharrëz jetojnë prej vitit 2008 në kalvarin e pasigurisë për shkak të lëkundjeve thuajse të përnatshme të tokës, të cilat u shkaktuan dëme të rënda shtëpive të tyre të varfëra. Ata akuzojnë kompaninë e naftës Bankers Petroleum dhe praktikën e ndjekur prej saj të injektimit në tokë të ujit teknologjik si shkaktar të tërmeteve dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre.
Bankers Petroleum nuk pranoi asnjëherë se ishte shkaktare e tërmeteve, ndërkohë që hetimet shumëvjeçare mbi këtë fenomen nuk arritën në asnjë konkluzion. Megjithatë, qeveria urdhëroi kompaninë më 20 dhjetor 2016 që të ndërpriste injektimin e ujit teknologjik në puset e lokalizuara rreth fshatit Zharrëz.
Kundërshtitë e institucioneve
Tre institucionet e përfshira në procesin e vlerësimit të banesave të dëmtuara në Zharrëz dhanë justifikime të ndryshme për BIRN, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk dha një përgjigje se kur mund të ketë një zgjidhje përfundimtare për banorët që jetojnë ende në shtëpitë e rrezikshme.
E kontaktuar nëpërmjet telefonit, kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balili i tha BIRN se, ishte në dijeni të shqetësimit të qytetarëve, por Bashkia që ajo drejton nuk ishte marrë drejtpërdrejt me këtë çështje.
“Shqetësimi i qytetarëve është edhe i yni. Ne përballemi çdo ditë me qytetarët dhe i dimë shqetësimet e tyre. Për këtë arsye jemi duke përgatitur një shkresë, që do t’ia drejtojmë Entit Kombëtar të Banesave dhe Emergjencave Civile, për të mësuar se çfarë është bërë me procesin e vlerësimit të banesave të dëmtuara dhe me shpërblimet e qytetarëve, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë”, tha Balili.
“Me këtë çështje është marrë Enti Kombëtar i Banesave dhe Emergjencat Civile. Bashkia e Patosit ka pasur thjesht një anëtar në grupin ndërinstitucional të punës. Për këto arsye jemi duke u kërkuar informacion se çfarë po bëhet”, shtoi ajo.
Ndërkohë, Enti Kombëtar i Banesave pretendon se i ka përfunduar listat me shtëpitë e pabanueshme dhe ato me dëmtime më të lehta dhe ia ka përcjellë ato Emergjencave Civile.
Rajmonda Stefa, zv/drejtoreshë e Përgjithshme e Entit Kombëtar të Banesave i tha BIRN se, ata e kanë përmbushur rolin e tyre të vlerësimit të dëmeve në terren dhe se listat e shoqëruara me dokumentacionin përkatës i janë dërguar Emergjencave Civile për ndjekjen e hapave të mëtejshëm.
“Enti Kombëtar i Banesave ishte vetëm në rolin vlerësues, nuk kemi pasur lidhje me politikëbërjen apo me shlyerjen e detyrimeve në këtë rast. Ne kemi kryer vlerësimet në terren, të cilat ia kemi dërguar Emergjencave Civile për hapat e mëtejshëm”, tha Stefa për BIRN.
Por drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile e quan të papërfunduar dhe me probleme punën e kryer nga Enti Kombëtar i Banesave.
Në një përgjigje me shkrim për BIRN të datës 28 gusht, Shemsi Prençi tha se “institucioni që ai drejton do të aktivizohej për kontrollin e ligjshmërisë së dosjeve të vlerësimit vetëm, pasi institucionet e lartpërmendura të kenë përfunduar të gjitha detyrimet”.
“Vetëm atëherë do të aktivizohemi për kontrollin e ligjshmërisë së dosjeve… dhe do të fillojë procedura e rialokimit të fondeve dhe shpërndarja e tyre për çdo familje”, tha Prençi.
Pas përgjigjes me shkrim, Prençi u kontaktua sërish me telefon nga BIRN për t’u pyetur mbi pretendimin e Entit Kombëtar të Banesave se i ishin dorëzuar listat dhe dokumentet shoqëruese.
“Dokumentacioni i procesit të vlerësimit, të kryer nga Enti Kombëtar i Banesave që është dorëzuar më parë pranë Emergjencave Civile është konstatuar i parregullt dhe se për këtë arsye është rikthyer për rivlerësim”, tha Prençi.
“Ne kontrollojmë ligjshmërinë, kjo është detyrja jonë”, përfundoi ai.
Pingpongu mes institucioneve për të zvarritur kërkesat
Në shkurt 2017, banorët e Zharrëzës iu kundërpërgjigjën injorimit shumëvjeçar me një grevë urie dhe një marshim prej 126 kilometrash nga Fieri në Tiranë, duke kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre të rrënuara.
E gjendur në mes të presionit publik, qeveria e Edi Ramës premtoi të dëmshpërblente 100 për qind dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre, ndërsa vendimi i 1 marsit përmbante afate të qarta për përmbushjen e tij.
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcaktonte datën 5 mars për ngritjen e grupeve ndërinstitucionale të punës (GNP), të cilat do të evidentojnë dhe vlerësojnë dëmet e shkaktuara si pasojë e lëkundjeve të tokës në territorin e Bashkisë Patos dhe Bashkisë Roskovec.
Në pikën 4 të këtij vendimi shkruhet se; “brenda 30 ditëve nga ngritja e tyre, GNP-të të përgatisin listën përfundimtare emërore të kryefamiljarëve me banesa të shkatërruara plotësisht apo me dëmtime të rënda”.
Por edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga miratimi i këtij vendimi, banorët e Zharrëzës nuk janë njohur ende me listat e vlerësimit të dëmeve, ndërkohë që për sigurimin e jetës së tyre nuk është marrë asnjë masë.
E lënë në terr informativ, Barie Hajdini i tha BIRN-it se ishte detyruar t’i drejtonte një ankesë Avokatit të Popullit për të marrë vesh nëse shtëpia e saj ishte përfshirë apo jo në listën e banesave që do të trajtohen sipas VKM nr.155, datë 01.03.2017.
Më datë 19 korrik 2017, Avokati i Popullit i ka kthyer përgjigje se sipas informacionit të marrë nga Bashkia e Patosit, shtëpia e zonjës Hajdini ishte në listën e atyre që komisioni i kishte shpallur si të pabanueshme.
“Bashkia disponon vetëm listat e banesave, të cilat nga komisioni janë shpallur të pabanueshme dhe referuar kësaj liste rezulton se banesa e znj. Hajdini është shpallur e pabanueshme”, thuhet në shkresën që Avokati i Popullit i ka përcjellë Hajdinit.
“Ndërkohë, për banesat e tjera që janë dëmtuar, tabelën përfundimtare për çdo banesë e zotëron Enti Kombëtar i Banesave”, shtohet më tej shkresa.
Kryetari i shoqatës “Zharrëza”, Qani Rredhi i tha BIRN se, janë rreth 57 shtëpi që janë vlerësuar si të pabanueshme në këtë fshat, por institucionet shtetërore sipas tij ia hedhin “topin” njëri-tjetrit, pa dhënë asnjë zgjidhje.
“Na u tha që menjëherë këta banorë duhet të largohen nga këto shtëpi, që të mos ketë pasoja në jetë njerëzish. Dhe u hodh një ide që menjëherë, pasi të bëhej vlerësimi i shtëpive të pabanueshme, këta banorë do të sistemoheshin në shtëpi me qira të trajtuara financiarisht nga Bashkia, nga shteti. Asgjë nuk është bërë deri tani”, tha Rredhi, njëri prej protestuesve kryesorë të marshimit epik të shkurtit.
“Po presim akoma nga Enti Kombëtar i Banesave të na bëhen publike listat, gjë që s’po bëhet. Kemi marrë takime. E hedhin “topin” sa nga Emergjencat Civile tek Ministria e Energjetikës, gjë që nuk po jep zgjidhje. Po presim se çfarë do të bëhet”, shton ai.
A po manipulon qeveria shifrat e persekutimit?
A ka një përpjekje të pushtetit për të minimizuar krimet e diktaturës. Prej kohësh nga institucionet e kësaj qeverie janë
hedhur në treg disa shifra që duket se janë shumë herë më të vogla se shifrat e persekutimit real në diktaturë. Këtu bëhet fjalë për numrin e të vrarëve, të burgosurve dhe të internuarve. A i duhet besuar këtyre shifrave në një kohë që dokumentat amerikane japin një panoramë krejt ndryshe?
Dokumentat
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit i ka kërkuar ambasadës amerikane dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri raportet që mund të jenë përgatitur mbi kampet e punës së detyruar në vendin tonë gjatë diktaturës komuniste. Ditën e djeshme, stafi i ambasadës së SHBA-së ka dërguar një raport special që në vitin 1954 SHBA hartonte për situatën në Shqipëri.
Raporti mban numrin 13 dhe datën 30 dhjetor 1954. Duket të ketë qenë i gjatë, megjithatë për tri faqet e vëna në dispozicion, Autoriteti thotë se: “Ambasada na dërgoi këtë raport të përgatitur nga qeveria e USA në vitin 1954, ku përfshihet edhe puna e detyruar dhe gjendja nëpër kampe. Kërkimi i tyre vazhdon”.
Në dokumentin që po boton “Gazeta Shqiptare” fotografohet situata në kampe, në luftën e klasave, dënimin e shqiptarëve, jetën si skllevër, varfëria, burgjet, dënimet e kundërshtarëve dhe një informacion mbi politikën e jashtme të Shqipërisë.
Pjesë të raportit
Pjesa e raportit nis me një informacion mbi besimin dhe klerin. “Marrëdhëniet e Vatikanit me Kishat kalojnë vetëm përmes qeverisë. Kisha Katolike në Shqipëri i nënshtrohet ligjit kanonik vetëm nëse dispozitat e tij nuk bien në kundërshtim me ligjet e Republikës së popullit shqiptar, rendit publik dhe zakoneve të mira”, thotë raporti amerikan. Vihet në dukje se priftërinjtë po trajnohen në seminare “të krijuara e të administruara” me aprovimin e qeverisë.
“Agresioni kundër kishave nuk do të ishte ligjëruar nëse komunistët nuk do të kishin eliminuar anëtarët më të spikatur të klerit. Të tria besimet kanë pasur viktimat e tyre, por më shumë kanë qenë katolikë. Në mënyrë që t’i mbajnë kishat nën kontroll, qeveria komuniste e Shqipërisë ka vënë në krye të tyre klerikë, të cilët janë të gatshëm të jenë vegla e saj. Disa prej tyre janë komunistë”, thotë raporti special i qeverisë amerikane.
Puna e detyruar
Puna e detyruar ka qenë gjerësisht e përhapur që kur regjimi komunist mori kontrollit në vitin 1944 shkruan raporti. “Ka një numër ligjesh e rregulloresh që janë vënë në zbatim, që ligjërojnë punën e detyruar, ndërsa Kodi i ri Penal shqiptar, i bazuar në Kodin Penal sovjetik, përmban dispozita të përpunuara për “punën korrektuese” (një eufemizëm për punën e detyruar) dhe dërgimin e qytetarëve në kampet e përqendrimit e punës. Edhe fëmijët që kanë arritur moshën 12-vjeçare janë të përshtatshëm të dënohen në kampet e punës “korrektuese” për krime kundra shtetit”.
Relacioni thotë se, qëllimi i kampeve të përqendrimit ishte internimi i familjeve të të burgosurve politikë dhe deportimi i familjeve të ish-klasave të pasura në mënyrë që në shtëpitë e tyre të vendoseshin anëtarë të regjimit të ri dhe komunistë të tjerë. “Njerëz nga Veriu, si rregull internohen në Jug, veçanërisht në kampet e Tepelenës, Fierit, Beratit; njerëz nga Jugu internohen në Burrel, Kamzë, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në Veri. Nuk ka asnjë dallim në Shqipëri mes personave të dënuar me punë të rëndë nga Gjykata dhe atyre që thjesht janë qarkulluar dhe u janë vënë prangat. Mes tyre, gjen ministra e deputetë të kohës së para, gjatë dhe pasluftës, si edhe zyrtarë të lartë të qeverisë apo edhe njerëz që kanë kundërshtuar ose që dyshohet se kanë kundërshtuar regjimin komunist”, thuhet në raportin amerikan për Shqipërinë më 1954.
Një përshkrim autentik i një kampi pune në Shqipëri është dhënë nga Reshad Agaj, që sipas dokumentit, ka qenë llogaritar i burgosur dhe i dërguar në këto kampe derisa u arratis në Greqi në vitin 1952.
Raporti citon Agajn të ketë thënë se kampi i Vloçishtit në Korçë kishte katër baraka me 300 të dënuar, baraka ku futej shiu dhe era, ku të dënuarit flinin në dysheme e secili prej tyre kishte jo më shumë se 50 cm hapësirë.
“Të dënuarve u jepeshin 600 gramë bukë e bardhë e papjekur…U jepej dhe qumësht me sheqer, ndërsa në drekë e darkë supë, që kishte vetëm ujë të zier, me makarona, patate ose fasule. Për shkak të kequshqyerjes, të burgosurit ishin gjithnjë të uritur”.
Rrëfimet vijojnë më tej: të dënuarit e nisnin punën në orën 5 të mëngjesit, të ndarë në 6 brigada, në 4 kompani. Punon 7.50 km larg kampit. Të moshuarit që rrëzoheshin gjatë rrugës për në punë, rriheshin nga policët. Ata që nuk arrinin normën, rriheshin, liheshin pa bukë e pa cigare, punonin mbi orar. Për të tjerë kishte tortura më të rënda.
Raporti i qeverisë amerikane thotë se, komunistët e gjetën me vend të dënonin kundërshtarët e tyre, duke i detyruar të punonin si skllevër. “Numri i kampeve dhe i të burgosurve në to varion. Kjo varet nga fakti se ku janë më të nevojshëm të burgosurit si forca punëtore. Kështu, kampi i Valiasit ishte pothuajse i boshatisur në vitin 1952, kur puna filloi në kampin e Cërrikut, për ndërtimin e rafinerisë së naftës. Një kamp i ri u ndërtua me të burgosurit e Valiasit e zonave të tjera. Disa prej 40 burgjeve e kampeve të përqendrimit kanë qenë aktivë në Shqipëri në një kohë a në një tjetër që nga 1944-a, ku më shumë se 16 mijë njerëz thuhet se janë zhdukur. Besohet se që nga fundi i luftës, rreth 80 mijë njerëz kanë kaluar në këto burgje e kampe përqendrimi”.
Propaganda
Një pasqyrë përmbledhëse bëhet nga qeveria amerikane më 1954 edhe për propagandën. Vihet në dukje se shtypi dhe çdo media tjetër janë propagandë nën kontrollin tërësor të qeverisë. “Asnjë media e pavarur ose opozitare e asnjë burim tjetër informacioni nuk ka nën qeverinë aktuale. Të gjitha gazetat, periodikët dhe librat botohen ose direkt ose indirekt nga Partia Komuniste ose organizatat e saj, ose nga qeveria, ushtria a institucione të tjera. Një numër i madh të ashtuquajturash gazeta (buletine) shtypen në fshatra, zyra, shkolla e kudo ku ka njerëz që punojnë a jetojnë së bashku. Në fund të vitit 1953, 41 gazeta dhe periodikë janë botuar dhe shpërndarë në 2 milionë kopje në muaj. Sa për kontrast, më 1950 ishin 21 gazeta dhe periodikë që botoheshin në Shqipëri me një qarkullim mujor prej 225 mijë kopjesh. Të gjitha makineritë e përdorura për shtypje botimesh zotërohen nga qeveria. Katër vite pas ardhjes së komunistëve në pushtet të gjitha shtëpitë botuese u bashkuan në një të njohur me emrin Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, të cilës i është dhënë e drejta e çdo publikimi në vend.
Raporti i qeverisë amerikane thotë se, temat e propagandës ndryshojnë herë pas here, por si rregull janë të njëjtat si në çdo vend komunist: lufta e klasave, autoriteti i popullit, shoqëria pa klasa, diktatura e proletariatit, plani ekonomik, vigjilenca revolucionare, etj.
“Vigjilenca”, thotë raporti i qeverisë amerikane, “kundër makinacioneve të armikut të klasës”, është tani më e shpeshtë. Armiqtë, janë refugjatët politikë jashtë vendit dhe mbështetësit e tyre në vend. Por, “armik i klasës”; janë edhe shumica e shqiptarëve- qytetarë, fshatarët dhe malësorët-për të cilët regjimi komunist nuk ka sjellë asgjë përveç mjerimit skllavërisë. Perëndimi cilësohet armik, sidomos SHBA.
“Vendi është cilësuar si më i madhi vend kapitalist e imperialist, më i rrezikshmi për lëvizjen komuniste. Politika amerikane kundrejt Shqipërisë prezantohet si qëllim për të shkatërruar pavarësinë e Shqipërisë, pas problemeve me fqinjët”, citojmë nga dokumenti. Sipas raportit amerikan, përpjekja komuniste për të thyer miqësinë tradicionale të shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara-bazuar në ndërhyrjen e Uilsonit në favor të Shqipërisë, në prosperitetin dhe mirënjohjen e shqiptarëve apo në shërbimet e bëra nga shkollat amerikane në Shqipëri, po bëhet duke u përpjekur t’i bindin vendasit se qeveria mbështet pretendimet territoriale greke në Jug të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Bashkimi Sovjetik propagandohet si mik i madh i shqiptarëve që po mbron të drejtat e tyre”, mbyllet dokumenti i cituar.