20.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025

Me opozitën

Starti politik nis nga 9 shtatori dhe bashkë me vapën shuhen edhe pasionet e mendjeve të nxehura nga rritja e temperaturave për t’ia lënë vendin gjykimeve dhe analizave më racionale. Do të bien edhe fushatat e stisura si fortunë në gotë dhe palët do të pozicionohen me opozitën apo kundër saj. Vështirë të ketë të mesme.
Lumi i rrëkejve të sulmeve ku të gjithë janë kundër të gjithëve brenda opozitës së kësaj vere do të tkurret edhe pse asnjëherë nuk do të mundet të shterojë sepse ka një sponsorizim qeveritar që e fryn sipas interesave të timonierit.
Dilemat e një pjese rreth formacionit opozitar politik do të ulen me kalimin e ditëve dhe vendin e mos besimit do të duhet ta mbushë shpresa për të parë një opozitë që është në krah të një populli që e ka braktisur qeverinë, duke i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve të demokracisë që si kurrë më parë është sot e deformuar nga rënia e institucionit të votës.
Shqipëria ka një popull opozitar si kurrë më parë. Rreth 70% e popullsisë e kanë refuzuar me bojkot votimin për qeverinë e re. Nëse do të ishte një referendum, ai do të konsiderohej i paligjshëm në bazë të rregullave të referendumeve. Kjo qeveri nis punën si qeveri e pakicës, duke pasur përballë si rrallëherë në histori shumicën e shqiptarëve.
Një regjim autoritar do të përpiqet që të ngrejë kokën i sponsorizuar nga paratë e pista të krimit të organizuar dhe drogës si dhe me mbështetje të lobeve okulte të disa qarqeve jashtë vendit, ndaj sot më shumë se më parë është i rëndësishëm një bashkim popullor përtej dasive politike në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të fituara gjatë këtyre 25 viteve.
Nuk duhet të ketë më vend për sulme personale dhe interesa të vogla dhe meskine. Frymëzuesit e tyre do të dështojnë dhe zbatuesit e tyre do të shikojnë veten gjithnjë dhe më shumë si pakicë. Toleranca për të pranuar në heshtje një lukuni sulmesh ka një kufi dhe ajo ka kaluar masën duke zhbalancuar të drejtën dhe të vërtetën.
Shkopinjtë nën rrota e opozitës janë një mjet për të zgjatur regjimin që ka ngritur krye sipas motos përça e sundo. Të gjithë demokratë, me apo pa mandate në PD, janë një pasuri sa kohë e shfrytëzojnë atë në dobi të kauzave të një populli opozitar. PD ka lindur bashkë me lirinë e fjalës dhe kritikën dhe ajo nuk mund të mbijetojë dot pa to. Dhe gjithmonë në këtë piedestal lirie ka nevojë edhe për rregulla për të kuptuar se liria e gjithsecilit prej nesh përfundon aty ku cënohet liria e tjetrit.
Në lojë nuk janë më interesat e disa individëve, por të një shoqërie që duhet ta shikojë opozitën si udhëheqëse të sajën në sfidën për t’u rikthyer tek demokracia apo për tu groposur në diktatin e një regjimi kriminal.
Ajo çfarë me shqetësim mund të konstatohet gjatë këtyre javëve është një virus politik që po përhapet nga disa individë që shfaqen herë me kostume luksi dhe herë si sharlatanë tavernash për të demoralizuar shoqërinë, duke vënë në shënjestër opozitën si të keqen më të madhe të vendit.
E pompojnë për çdo ditë këtë frymë për të dekurajuar ringritjen e një opozite të fortë përballë një regjimi kriminal. Fijet e tyre natyrisht shkojnë tek bizneset e lidhura me qeveritarë dhe nëse i shkohet deri në fund natyrisht që nuk do të mjaftonin as ujërat e oqeaneve si bojë shkrimi për t’i treguar të gjitha këto ujëra të zeza.
Kjo vetëm për të shikuar natyrën e këtyre pak individëve që kanë marrë përsipër këtë mision dhe që tani duhet të kuptojnë se nuk do të mund ta vazhdojnë më tej këtë lojë të kurdisur në kazanin e qeverisë.
Opozita do të ringrihet përtej të gjitha dilemave dhe skeptikëve.
Kujtoni pak historinë e PD dhe të kuptoni vitalitetin e kësaj force politike. Menduan se e shuan në ’97 me rebelimin e armatosur dhe nuk arritën. Menduan se e shuan në vitin 2001, duke i zhvatur pjesën më të madhe të mandateve përmes Gjykatës Kushtetuese të Fehmi Abdiut, e cila zhbënte votën e shqiptarëve njësoj sikurse ndodhi edhe këtë 25 qershor me blerjen masive të mandateve nga PS nga bandat kriminale të pushtave të drogës. Megjithatë, asnjëherë nuk arritën që të shuajnë PD dhe opozitarizmin e vërtetë të këtij vendi, i cili arriti të triumfojë pas vitesh të tëra padrejtësie politike, vrasjesh politike, krimesh, manipulimesh dhe abuzimesh.
Mos harroni, PD do të rikthehet shumë shpejt si forca përfaqësuese e 70 për qind të shqiptarëve që e bojkotuan qeverinë e minorancës më 25 qershor dhe që sot janë shumica legjitime dhe e heshtur e këtij vendi.

Pasi masakroi biznesmenin, Rama i jep tokën për kazino klientit të Olsit

Një vit më parë, njerëzit e Ramës i thyen kockat biznesmenit libanez Faad Mitri, duke e detyruar që të largohet nga Shqipëria, ndërsa këtë vit në tokën që po ndërtonte biznesmeni i huaj, njerëzit e Ramës po ndërtojnë hotel dhe kazino. Kompania “Omniks” kishte nisur punimet për ndërtimin e një resorti të madh tek Gjiri i Lalzit, me një investim prej 1.5 miliardë eurosh, por drejtuesi i kësaj kompanie, biznesmeni Faad Mitri u masakrua në një pritë që iu bë afër Rinasit nga njerëz që kishin lidhje me qeverinë. Partia Demokratike e denoncoi si të qëllimshëm sulmin mafioz ndaj biznesmenit të huaj për ta larguar atë nga Shqipëria, ndërsa Rama nuk bëri asnjë reagim.
Biznesmeni i huaj publikoi emrin dhe foton e dhunuesit, por policia nuk e arrestoi, ndërsa Rama heshti pasi kishte si qëllim të merrte truallin ku ai po ndërtonte. Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur atëherë se, megjithëse investitori i huaj nxori emrin dhe fytyrën e banditit, Rama hesht pasi ka një qëllim, marrjen e truallit tek Gjiri i Lalzit. “Në të vërtetë, investitori u largua nga Edi Rama, sepse toka në Gjirin e Lalzit do të ndahet si plaçkë me oligarkët e tij. Kjo është e vërteta. Ky është realiteti”, thuhej në deklaratën e PD. Tashmë është mëse e qartë se sulmi mafioz ndaj biznesmenit libanez ishte i qëllimshëm për t’i marrë tokën dhe për të ndërtuar aty njerëzit e Ramës, ashtu siç edhe po veprohet sot.
Për këtë skandal ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. Berisha shkruan në një postim në Facebook se, Rama iu thyen kockat disa investitorëve të huaj, teksa sjell në vëmendje rastin e menaxherit të kompanisë “Omniks”, ndërsa miqve të tij dhe Olsit iu heq taksat.
“Të dashur miq, një vit më parë Noriega përzuri nga Shqipëria kompaninë “Omniks”, duke rrahur me kriminelë profesionistë, që i njeh gjithë Durrësi dhe Tirana, dhe thyer 37 kocka të trupit menaxherit të kësaj kompanie, që kishte blerë, në transaksionin më të madh këto 26 vjet, tokën për ndërtimin në Gjirin e Lalzit të një resorti turistik me pesë yje dhe që do përfundonte me një investim 1.5 miliardë euro në Shqipëri.
Pas kësaj, Edvini duket se ka përzgjedhur së bashku me vëllaçko Olsin, kompaninë që do të futet në fushën e turizmit, për të cilën, me ndërmjetësinë e Olsit kanë bërë gati edhe licencën e Kazinosë më të madhe të rajonit. Por nuk mjafton kazinoja gjigante, por tani klientela shpërblehet me heqjen e taksave për 10 vite”, shkruan Berisha.
Më tej ish-Kryeministri Berisha shkruan se, në qeverisjen e tij hoqi taksat për 8 vite për investimet në zonat turistike malore, por Edvini i anuloi sapo erdhi në pushtet. “Unë jam dhe kam qenë për një paketë të fuqishme lehtësimesh fiskale në fushën e turizmit. Në këtë kontekst ne hoqëm taksat për 8 vite për investimet në zonat turistike malore dhe një seri lehtësirash të tjera, të cilat Edvini i anuloi sapo erdhi në pushtet.
Por përcaktimin e yjeve si kriter për heqjen për 10 vite të taksave për hotelet jo vetëm që nuk nxit, por përkundrazi zhyt në një korrupsion shkatërrues investimet në këtë fushë dhe shndërron yjet në një levë Arkimedi për megakorrupsion!”, përfundon Berisha.
Berisha reagoi edhe pas dhunës barbare që u ushtrua ndaj biznesmenit libanez Faad Mitri një vit më parë. Berisha shkruante atëherë se, aksidenti ndaj Mitrit, ishte i planifikuar për të vrarë atë dhe larguar kompaninë e madhe, që ai përfaqëson, nga Shqipëria.

Si u masakrua biznesmeni libanez dhe si u la i lirë agresori

Biznesmeni libanez, Faad Mitri u masakrua më 10 shtator të vitit të kaluar në një pritë që iu bë në afërsi të Rinasit. Biznesmeni libanez është qëlluar me një shkop bejzbolli dhe është lënë i shtrirë në mes të rrugës i mbuluar me gjak. “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet”. Me këto fjalë i është drejtuar agresori biznesmenit Faad Mitri, pasi i ka thyer brinjët nga dhuna e ushtruar.
Ngjarja ndodhi në kryqëzimin e Laknasit me rrugën e Rinasit, ku personat që udhëtonin me një makinë tip “Wolkswagen” kanë përplasur mjetin tip “Mitsubishi” ku ndodhej biznesmeni libanez dhe më pas e kanë masakruar barbarisht biznesmenin. Autorët e dhunës kishin planifikuar një aksident me makinën e biznesmenit me qëllim që ta detyronin atë të ndalonte makinën. Pas kësaj përplasje ka patur një konflikt mes personave që ushtruan dhunën.
Drejtuesi i mjetit “Wolkswagen” së bashku me pasagjerët që ushtruan dhunë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Dhunuesi brutal i biznesmenit libanez që braktisi vendin dhe investimin 1.5 miliardë dollarësh me 1200 vende pune, është i lirë. Biznesmeni libanez publikoi emrin dhe fotografinë e dhunesit, e cila iu dërgua policisë, por policia nuk reagoi pasi kishte marrë urdhër nga Rama që të mos vepronte.
Presidenti i “OMNIX GROUP” në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke folur për mediat shqiptare shprehu zhgënjimin e thellë se, si qeveria nuk bën asnjë hap, dhe nuk ndalon autorin e rrahjes barbare të përfaqësuesit të kompanisë në prani të familjes së tij, në mes të ditës, në një aks të rëndësishëm kombëtar. “Me gjithë këto fakte, me gjithë këto qëndrime publike, Edi Rama nuk lëkundet nga qëndrimi i tij, për të mos kapur autorin, për të mos dënuar ngjarjen”, u shpreh ai atëherë.

R.POLISI

Parcelat me kanabis në Krujë ruhen nga policia

Policia e Krujës merr në mbrojtje parcelat e mbjella me kanabis. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe foto të parcelës së mbjellë me kanabis. Sipas qytetarit, parcela me kanabis ndodhet ndërmjet Krujës dhe Laçit. Qytetari shkruan se Policia është në dijeni të parcelave me kanabis, por nuk ndërhyn sepse drejtuesit e policisë kanë marrë para.
“Arrat e kanabisit në mbrojtjen e Policisë së Noriegës! Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor. Këto foto janë të bëra para pak ditësh, ku dëshmojnë parcelën e hashashit që policia e ka para syve ditën dhe natën. Personat që kanë këtë parcelë janë Binjak Basha dhe Xhelal Basha. Që të dy u bo vite që merren me këtë punë dhe janë shumë të lidhur me Policinë e Krujës dhe të Laçit, pasi zona ku ndodhen parcelat janë në vendin ku ndanë Kruja me Laçin. Këtë rast e di dhe shefi i zonës dhe eprorët e tij, por që të gjithë e kanë gojën e mbyllur nga lekët. Po këta persona kanë të mbjella dhe në katundin Mafsheq, poshtë shtëpisë së tyre te pishat. Kjo parcelë ndodhet sipër rrugës, e cila lidh dy katundet Brret. Në mesin e rrugës sipër tek shkalla e Brretit është parcela. Policia e di shumë mirë, sepse ka shkuar deri aty afër dhe nuk është futur aty”, shkruan qytetari.
Rreth një muaj më parë ish-kryeministri Berisha denoncoi parcelat me kanabis të kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe shefit të Komisariatit të Policisë së Krujës. Ishte një punonjës policie, që iu drejtua me një mesazh ish-kryeministrit Berisha dhe me foto. Berisha teksa ka publikuar të plotë mesazhin e një qytetari dixhital, zbulon edhe lejtnantët e Noriegës sipas tij, të cilat janë Artur dhe Ilir Bushi. Në këtë denoncim të Berishës akuzohet drejtpërdrejt edhe shefi i Policisë së Krujës.
“Këto janë plantacionet e reja të lejtnantëve të Noriegës! Qytetari dixhital denoncon me foto plantacionet e freskëta të kanabisit të lejtnantëve të Noriegës: Artur dhe Ilir Bushi dhe Shefit të Policisë së Krujës, Kolonel Kanabisit! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.
“Si jeni Doktor, uroj të jeni mirë familjarisht! Desha të denoncoj te kjo faqja juaj një farsë që po luhet në Krujë. Në lumin e Drojës mbrapa fabrikës së çimentos Thumanë, Artur dhe Ilir Bushi, vëllai i kryetarit të Bashkisë kanë mbjellë 700 rrënjë kanabis në bashkëpunim me shefin e Policisë të Krujës. Në Malësi të Krujës, në përroin e Arrateshit, Islam Xaka në bashkëpunim me shefin e Policisë ka mbjellë 1000 rrënjë kanabis, ku nuk e kap helikopteri që vjen vërdallë kot e bën sikur patrullon. Unë jam një polic i ri në këtë komisariat dhe i bie që në qoftë se gjendet, ta marrim ne përgjegjësinë e këto trafikantë e shefat e mëdhenj të mos i gjejë gjë. Të lutem anonim se ato janë tepër të rrezikshëm e na hedhin në rrugë”, shkruante efektivi i policisë.
Vitin e kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe SHISH zbuluan një punishte droge vetëm 100 metra larg rrugës nacionale, në fshatin Derven të Krujës që i përkiste klanit të Bushit. Në operacionin e organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë më 18 tetor, policia gjeti në punishte kultivuesit që vijonin të qetë punën për përpunimin e kanabisit dhe përgatitjen e tij për shitje. Një nga të arrestuarit ishte një i afërm i kryebashkiakut të Krujës, të cilit Bushi i kishte besuar procesin e tharjes të drogës dhe përgatitjes për shitje.

Laç, zjarri rrezikon disa banesa dhe Kishën e Shën Ndout, askush nuk ndërhyn

Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë mesditën e djeshme në kurorën e gjelbërt të Laçit, duke rrezikuar Kishën e Shën Ndout, disa banesa dhe linjën e interkonjeksionit. Qyteti i Laçit është i rrethuar nga flakët, ndërsa nuk është marrë asnjë masë nga ana e autoriteteve për shuarjen e zjarrit. Banorët të frikësuar bëjnë apel për ndihmë, pasi zjarri që tashmë ka shkrumbuar pyjet përreth po i afrohet në mënyrë të frikshme qytetit.
Qytetarët e kanë denoncuar me video dhe me një mesazh drejtuar ish-Kryeministrit Berisha me atë që po ndodh në qytetin e Laçit.
“Laçi në rrezik nga flakët! Dënoj braktisjen e plotë nga qeveria! Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytetarit dixhital që denoncon indiferencën totale të shtetit ndaj kësaj gjendje!”, shkruan Berisha në një psotim në Facebook.
“Mirëmbrëma Doktor. Në Sanxhak lagjen e Laçit nuk po marrin masa fare për shuarjen e zjarrit. Po e vendosin vetë njerëzit me qëllim”, shkruan qytetari.
Ndërkohë që zjarret kamë ‘pushtuar’ vendin, nuk shihet asnjë përpjekje e autoriteteve për të shuar flakët. Çdo ditë qytetarët denoncojnë raste pa fund të djegieve të pyjeve, ku së fundmi është përfshirë nga flakët dhe pylli i Shkopetit. Megjithëse për këtë ngjarje janë lajmëruar autoritetet, deri tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.
Ka qenë sërish ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka denoncuar djegien e pyllit të Shkopetit. “Pyjet e Shkopetit tym e flakë! Zero ndërhyrje nga i ashtuquajturi narko-shtet.
Shikoni videon e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
Si asnjëherë më parë, Shqipëria këtë vit u përball me zjarre pafund, dhe këto jo për faj të nënës natyrë, por për faj të dorës së njeriut. Por ndryshe nga vitet e shkuara, kur ishin barinjtë që i vinin zjarrin një ngastre toke për ta përdorur atë vitin e ardhshëm për bagëtinë apo dhe për të mbjellë agrume, zjarri i sivjetshëm mbante era drogë.
Ishin të shumta vatrat e zjarrit, dhe jo siç ndodh zakonisht buzë rrugës, por në zonat më të thella, duke dëmtuar pa fund pyjet tona, një pjesë e të cilave janë dhe të mbrojtura me ligj, pasi cilësohen Monumente natyre.
Zjarret e vënë në zonat më të thella malore kishin pikërisht si qëllim hapjen e tokave të reja për të mbjellë kanabis, pasi Shqipëria tashmë edhe në raportet ndërkombëtare njihet si burimi kryesor i prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ka qenë drejtori i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, i cili ka vënë sërish alarmin për atë se çfarë ndodhi këtë vit me pyjet tona, dhe çfarë pritet të lulëzojë pas pak kohësh në ato toka tashmë të shkrumbuara. “Hapja e tokave të reja për drogë. Po digjen pyjet e zonës së mbrojtur Monument Natyre dhe nuk mban njeri përgjegjësi. Paguajmë dhe qindra rroga për agjensi mjedisi, zonave të mbrojtura, pyjore, etj. Gjynah dhe trishtim”, shkruan ai.

3 të vdekur e 20 të plagosur në një ditë nga aksidentet

Gati një bilanc lufte ishte ky i djeshmi në Shqipëri. Në harkun kohor të 12 orëve kanë ndodhur disa aksidente në rrugët e vendit dhe për pasojë kanë vdekur 3 persona dhe janë plagosur 20 të tjerë. Në hyrje të qytetit të Shkodrës një automjet ka përplasur një të moshuar, e cila ndodhet në gjendje kritike për jetën. Tre të plagosur në gjendje të rëndë nga një tjetër aksident në Beltojë, në rrugën Shkodër-Tiranë, ku janë përplasur me njëra-tjetrën dy automjete.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Peqin-Rrogozhinë. Makina është përplasur me një kamion. Viktima është një 25-vjeçar, shoferi i automjetit tip ‘Fiat’ që u nda më dysh pas përplasjes me kamionin.
Pranë fshatit Xibrakë, në rrugën Elbasan-Librazhd, dje pasdite janë përplasur 2 automjete dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 7 persona. Në gjendje të rëndë raportohet të jetë një vajzë 12 vjeçe. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Elbasanit. Disa automjete janë përplasur mes tyre e për pasojë kanë mbetur të lënduar rëndë tre persona e 4 të tjerë më lehtë. Sipas dëshmitarëve okularë, fillimisht janë përplasur dy automjete me targa të huaja dhe më pas edhe automjete të tjerë që udhëtonin në këtë aks rrugor. Përplasja ballore ka bllokuar rrugën e për pasojë është krijuar varg i gjatë me automjete në të dy kahet.
Po në Elbasan dje pasdite ka ndodhur një tjetër aksident, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e 5 të tjerëve. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Kthesa e Urakës” në Qafë Thanë. Nga të dhënat e para mësohet se një automjet ka dalë nga rruga.
Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në një tjetër aksident në aksin Elbasan-Librazhd, pranë vendit të quajtur Qukës. Dy automjete tip “Furgon” që transportonin pasagjerë janë përplasur me njëri-tjetrin.
Në Lushnje, një 76 vjeçar humbi jetën pasi motoçikleta me të cilën udhëtonte u përplas nga rimorkio e një zetori. Bilanci është vërtet tragjik, 20 të plagosur dhe 3 të vdekur brenda një dite të vetme. Policia është duke hetuar çdo rast më vete. Dyshohet se për aksidentet e pasdites, shkak të jetë bërë terreni i rrëshkitshëm nëpër rrugë pas reshjeve të shiut dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet me numrin më të lartë të aksidenteve në Evropë. Arsyet lidhen sa me rrugët jashtë standardeve ashtu edhe shkeljen e normave të qarkullimit.

Skandal, ja me çfarë uji furnizohet Memaliaj

Ish-Kryeministri Berisha postoi dje në faqen e tij sociale, Facebook një video të qytetarit dixhital nga Kuçova, i cili denoncon furnizimin me ujë të ndotur të Telepenës. Nëpërmjet kësaj videoje duket qartë ndotja dhe gjendja e ujit “të pijshëm” në këtë qytet të vogël në Jug.
“Shikoni videon dhe lexoni mesazhin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha, Quhem I.B. nga Kuçova, kjo video që po dërgoj është nga qyteti Memaliaj, shikojeni se çfarë uji vjen nga rubineti atje”, shkruan qytetari. Rroftë ylli, simboli më i ri e më i ndritshëm i korrupsionit!

Përplasje me armë në Sarandë, 3 të plagosur, dy në gjendje të rëndë

Tre persona janë plagosur nga një përplasje me armë zjarri gjatë natës të së hënës në Sarandë. Dy nga të plagosurit janë dërguar në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa njëri ndodhet në Spitalin e Sarandës jashtë rrezikut për jetën. Të plagosurit kanë marrë disa plagë, pasi dëshmitarët flasin për rreth 10 të shtëna me armë zjarri, ndërsa në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, por autorët janë larguar. Ngjarja ka ndodhur në bulevard, pranë hotel “Butrintit”, duke alarmuar pushuesit dhe banorët e qytetit. Policia e Sarandës nuk jep më shumë detaje, ndërsa vijon operacioni për arrestimin e autorëve.
Mësohet se një javë më parë, në të njëjtin lokal në Sarandë, dy shtetas ende të paidentifikuar plagosen me mjete të forta bashkëpronarin tjetër të biznesit, shtetasin D.M, 30 vjeç. Sakaq, ngjarja e sotme ndodhi rreth orës 03:00, në bulevardin kryesor të qytetit bregdetar. Dy prej personave të plagosur janë transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Mësohet se në bulevardin e qytetit, policia ka rrethuar vendin, ndërsa aty ndodhet i rrethuar një fuoristradë “Opel Frontera” me xhama të zinj me targa të huaja GE1605AB. Po ashtu, thuhet se sherri dyshohet të ketë nisur në lokal dhe plagosja ka ndodhur poshtë tij në bulevard. Po ashtu, zbardhen edhe identitetet e personave të plagosur pas sherrit me armë në lokalin e natës në Sarandë.
Dy personat e plagosur që janë nisur me urgjencë drejt Tiranës për mjekim të specializuar janë Artan Shyti, 37 vjeç dhe Besi Xhafaj, 26 vjeç. Ndërkohë, bashkëpronari i lokalit Fisnik Musa, 35 vjeç, aktualisht ndodhet i shtruar në Sarandë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 03:00 në një lokal nate në Sarandë, në bulevardin kryesor.
Nga të dhënat e deritanishme, ka dyshime se sherri në fjalë ka ndodhur pas përplasjes mes dy grupeve rivale, ku për pasojë mbetën të plagosur Artan Shyti, 37 vjeç dhe Besi Xhafaj, 26 vjeç (Pjesë e një njërit prej grupit rival) dhe bashkëpronari i lokalit Fisnik Musa, 35 vjeç, (pjesë e grupit tjetër).
Njëri nga të plagosurit në Tiranë ka marrë plagë në kokë, ndërsa tjetri në trup. Sakaq, bashkëpronari i lokalit, Musa, i cili ndodhet aktualisht i shtruar në Sarandë, është plagosur në këmbë. Po ashtu, ka dyshime se ngjarja që ndodhi gjatë natës të ketë lidhje me atë që ka ndodhur një javë me parë, kur tek lokali i natës është plagosur bashkëpronari i Musës, shtetasi Diomet Musa, 30 vjeç. Ndërkohë, policia po heton lidhjen mes dy ngjarjeve.

Si u grabit nga maskat lokali ku Rama mblodhi ministrat

Mbledhjet e para të qeverisë, Edi Rama zgjodhi t’i zhvillojë në një prej lokaleve të Llogarasë. Duke shfrytëzuar ajrin e pastër dhe klimën perfekte të zonës malore, Rama solli në Llogara të gjithë kabinetin që do të qëndrojë aty për dy ditë. Por të njëjtin destinacion kishin zgjedhur para kryeministrit edhe disa persona të tjerë, aspak miqësorë me komunitetin e banorëve aty.
10 ditë më parë, një lokal i Llogarasë është grabitur nga persona të armatosur. Autorët akoma nuk janë kapur ende. ABC News ka publikuar pamjet ku dallohen dy autorët që vjedhin paratë në arkën e lokalit. Njëri prej grabitësve ka qenë i armatosur me Kallashnikov dhe ruante jashtë, ndërsa tjetri kontrollonte për paratë në lokal.
Policia e Vlorës ka qenë e zënë këto ditë me vizitën e ministrave të rinj të qeverisë. Grabitësit janë ende të lirë. Duke ditur parimin se “krimineli gjithnjë kthehet në vendin e krimit”, ndonjë prej tyre mund ta ketë pirë kafen e mëngjesit pranë ministrave të rinj të Edi Ramës.

 

I vihet zjarri makinës së pedagogut në Elbasan

Makinës së një 61-vjeçari në Elbasan i është vënë flaka nga persona të panjohur. Makina e A.H. 61 vjeç, ishte parkuar para banesës dhe policia tha i ishte hedhur lëndë djegëse nga persona të panjohur. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Qemal Stafa”. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga policia, bëhet e ditur se mjeti ishte i parkuar para derës së banesës së A.H., 61 vjeç, pedagog në Elbasan.
Menjëherë, shërbimet e policisë shkuan në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore, u konstatua se ishte djegur nga persona të paidentifikuar me lëndë djegëse. Tashmë, grupi hetimor po vazhdon punën intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Çështja i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.