Trajneri Kristian Panucci ka filluar punën për të ndërtuar formacionin me të cilin do të përballojë ndeshjen e fundjavës me Lihtenshtejnin. Gjatë seancës së djeshme stërvitore, ai ka shpjeguar fillimisht disa lëvizje taktike, duke marrë për bazë vetëm mënyrën se si duhej të sillej reparti i mbrojtjes. Ky repart përbëhej nga Hysaj në të djathtë, Mavraj e Gjimshiti në qendër si dhe Memolla në të majtë. Mbrojtësi i Hajdukut është preferuar para kapitenit Agolli në këto ushtrime e më pas edhe në një lojë 9 kundër 9.
Pastaj, në një ndeshje 9 kundër 9, ai ndau lojtarët në dy skuadra. Njëri grup përbëhej nga Berisha, Hysaj, Veseli, Mavraj, Memolla, Memushaj, Roshi, Llullaku, Latifi. Kurse grupi tjetër përbëhej nga Strakosha, Balliu, Gjimshiti, Agolli, Abrashi, Lila, Ahmedi, Grezda, Sadiku. Në këtë ndeshje nuk u aktivizuan Ajeti, Basha e Kukeli, të cilët punuan me përgatitësin atletik.
Ndonëse ka përzier kartat për pjesën më të madhe të skuadrës, që tani kuptohet se Panuçi po mundohet të shohë reagimin e Memollës në krah të titullarëve të zakonshëm të prapavijës. Ndaj nuk është aspak çudi që ai të zbresë që nga minuta e parë në fushë kundër Lihtenshtejnit.
Në seancën e tij të parë, trajneri i Kombëtares Shqiptare nuk pati në dispozicion vetëm dy emra, mesfushorin Migjen Basha që do të luajë edhe një ndeshje me Barin dhe sulmuesin Jahmir Hyka, i cili do të mbërrijë të martën paradite në grumbulim për shkak të udhëtimit të gjatë nga Kontinenti Amerikan. Pjesa tjetër e skuadrës zbriti rregullisht në fushë, pasi asnjë prej 21 emrave të pranishëm nuk ka shfaqur probeme fizike. Grupi u nda fillimisht në dy pjesë, në njërën u stërvitën lojtarët e aktivizuar në fundjavë me skuadrat e tyre, ndërsa pjesa tjetër që përbëhej nga lojtarë me më pak minuta në këmbë, u stërvit e veçuar. I pranishëm në këtë seancë ishte edhe presidenti i FSHF, Armand Duka i shoqëruar nga zv/presidenti Lutfi Nuri. Stadiumi “Selman Stermasi” do të jetë shtëpia e kuqezinjve për dy ndeshjet eliminatore kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme, vetëm 15 minutat e para të stërvitjes do të jenë të hapura për mediat dhe publikun, pasi në pjesën tjetër, Panucci kërkon të punojë larg syve të kureshtarëve dhe mediave shqiptare apo të huaja.
Ajo e paradites ka qenë e vetmja seancë përgatitore për këtë të martë, ndërkohë që programi i Panuccit më pas vijon me nga dy seanca në ditë. Trajneri ka preferuar që në programin e detajuar për këtë stërvitje të zhvillojë edhe një mini lojë brenda grupit, ndërkohë që formacioni për Lihtenshtejnin nis të kristalizohet më konkretisht nga e mërkura. Pozitiv është fakti se, këtë herë trajneri i ka të gjithë futbollistët e grumbulluar në gjendje të mirë fizike, me asnjë nga lojtarët që nuk vuan probleme dëmtimesh, ndërkohë që edhe pse jemi vetëm në fillim të kampionateve shumica e lojtarëve që janë thirrur vijnë me minuta në këmbët e tyre, pasi janë aktivizuar në ndeshjet e para të Ligave përkatëse apo në kualifikueset e kompeticioneve europiane.
Agolli rrezikon vendin
Gati zëvendësuesi i Latifit
Largimi i Liridon Latifit nga Skënderbeu mund të shihet si një dobësim për korçarët, duke qenë se ka mbajtur peshën më të madhe në fazën sulmuese për ekipin e Ilir Dajës. Por në Korçë i kanë të qarta strategjitë dhe asgjë nuk i lenë rastësisë. Afrimi i mesfushorit Suad Sahiti shihet si një goditje, pasi ish-futbollisti i Rabotniçkit ka kualitet për të bërë diçka të tillë. Nuk duhet harruar që tek Skënderbeu i kanë paraprirë një largimi të Latifit, teksa verën e kaluar afruan ish-mesfushorin e shpresave të Shqipërisë, Enis Gavazaj, duke pasuar në merkaton e dimrit me Nazmi Gripshin për të cilin u paguan 60 mijë euro tek klubi i Teutës.
Mesfushori durrsak është vetëm 20 vjeç dhe këtë vit pritet të ketë më shumë minuta, teksa sezonin e kaluar ka luajtur 19 ndeshje me Teutën dhe 10 me Skënderbeun, takime të cilat i ka nisur nga stoli. Pjesëmarrja në grupet e Europa League shton numrin e ndeshjeve për 6 herë radhazi kampionët e vendit si dhe ngjeshjen e kalendarit, çka mund të sjellë domosdoshmërinë për të lënë pushim ndonjë nga titullarët. Për këtë arsye pritet të ketë më shumë minuta për Gripshin, Reza Karimin apo Demte. Tek të 3 këta futbollistë, drejtuesit e klubit shpresojnë shumë, madje iraniani ka zgjidhur përfundimisht edhe çështjen e qëndrimit në Korçë, çka edicionin e kaluar e kushtëzoi për të fituar më shumë se 66 minuta aktivizim.
Yjet që mund të ndjekin Latifin e Merveille
Kampionati shqiptar ka treguar në vitet e fundit se mund të prodhojë jo vetëm garë të fortë, por edhe merkato të fuqishme në dalje. Skënderbeu ishte skuadra që pati një strategji të qartë, duke shitur futbollistë si Peter Olainka dhe Bernard Berisha. Në edicionin që sapo lamë pas, nuk ishin vetëm korçarët që përfituan në merkato, edhe pse transferimi i Liridon Latifit tek Akademia Puskas ishte për një shifër rekord prej 1 milion eurosh. Tirana edhe pse ra nga kategoria pati disa lëvizje të mira në dalje, ku Merveille Ndockyt u transferua në Spanjë tek Getafe, për vlerën e 400 mijë eurove. Bardheblutë përfituan edhe nga shitja e Reuben Acquah si dhe transferimi i Berishës tek Levante. Një tjetër skuadër që përfitoi në këtë periudhë merkatoje është Partizani, që në arkat e klubit futi 200 mijë euro nga transferimi i Ylber Ramadanit në Danimarkë.
Duket se klubet kanë nisur të kuptojnë se transferimet e futbollistëve në klube më të mëdha janë një zë i rëndësishëm për financat e tyre. Sezoni i ri mund të sjellë në vitrinë emra të tjerë të rinjsh që presin për të shpërthyer. Dejvi Bregu dhe Kristal Abazaj pritet të jenë dy yjet e kampionatit të ardhshëm, por një tjetër lojtar që mund të shpërthejë është beratasi Myrto Uzuni që këtë vit do të luajë për fanellën e Laçit. Edhe në Korçë i kanë strategjitë e qarta, teksa Bakary Nimaga është një emër që lakohet në çdo periudhë merkatoje për një transferim në kampionate më të forta.
Maqedonia “humbet” Hasanin ndaj Shqipërisë
Maqedonia nuk do të ketë në dispozicion një nga sulmuesit më të mirë të momentit në sfidën e 5 shtatorit kundër Shqipërisë. Bëhet fjalë për bomberin e Shkëndijës së Tetovës, Ferhan Hasani, i cili vuan nga një dëmtim që në sfidat e Europa League kundër Milanit. Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një komunikate të publikuar nga klubi tetovar që thekson se, sulmuesi nuk ishte i pranishëm as në ndeshjen e kampionatit kundër Akademia Pandevit dhe nuk ka mundur të rikuperohet as për sfidat eliminatore. Shkëndija thekson se Hasani do të punojë i veçuar për t’u rikthyer sa më shpejt në fushën e blertë. Gjatë eliminatoreve Rusi 2018, Hasani është aktivizuar në 4 ndeshje, ndërsa në duelin hapës me Shqipërinë në “Loro Boriçi” ai ka dalë nga fusha e lojës në minutën e 75, kur shifrat ishin fiksuar në barazim 1-1. Mungesa e Hasanit është një minus i madh për Maqedoninë, pasi ai është një nga lojtarët e momentit në Maqedoni, pasi e mbylli sezonin me 12 gola të shënuar në kampionat.
Memolla: Nuk e prisja
“Nuk e prisja këtë ftese, por jam shumë i lumtur që bëj pjesë në Kombëtare dhe shpresoj të jap 100% me skuadrën”. Kjo ishte fjalia hapëse e konferencës së parë për shtyp si kuqezi për mbrojtësin 25-vjeçar Hysen Memolla, i cili po shijon momentet e krenarisë që të dhuron fanella e skuadrës përfaqësuese. Me një karrierë të madhe ndërkombëtare, Memolla do të shtojë më shumë cilësi në repartin e tërhequr të skuadrës kuqezi dhe me përulësi pranon çdo vendim që trajneri Christian Panucci do të marrë. “Jam këtu për të punuar. Agolli është kapiten i ekipit dhe unë e respektoj, për të tjerat vendos trajneri. Ky është shansi im dhe tani shpresoj të tregoj veten”, tha ai.
Në vijim, mbrojtësi i lindur në Kavajë e pranon se Gianni De Biassi nuk e ka kontaktuar asnjëherë dhe thirrja e Panuccit është si një rrufe në qiell të hapur për të. Ai nuk kursen gjithashtu një koment edhe për çështjen “Cikalleshi”. “Nuk kisha raport me De Biasin, por jam shumë i lumtur edhe pse nuk e di se çfarë ka ndryshuar me Panuccin. Trajneri kërkon shumë disiplinë dhe ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar”, tha Memolla.
Në këndvështrimin e mbrojtësit 25-vjeçar, asnjë kundërshtar nuk duhet të nënvlerësohet, madje as Lihtenshtejni. Ai e mbyll konferencën e shtypit, duke theksuar se dy sfidat e para të muajit shtator kanë të njëjtën shkallë vështirësie dhe duhen vlerësuar maksimalisht.
Valon Ahmedi në konferencen për shtyp deklaroi se ai ndihet krenar për grumbullimin dhe se do të japë maksimumin për Shqipërinë. “Kam lindur në Ohër, por jam rritur në Kërçovë, jam i Kërçovës. Kombëtarja është një ëndërr për mua, pasi jam dhe shqiptari i vetëm nga Maqedonia. Një ëndërr e bërë realitet dhe një nder për mua. Kam luajtur me Latifin dhe Grezdën është një lojtar i mirë dhe ndihem mirë që do të luaj më të te Kombëtarja e madhe. Kam patur miq edhe shokë që më thonin shko te Maqedonia. Kam bërë zgjedhje me zemër. Sikur edhe një ndeshje te Shqipëria të luaj do isha më i kënaqur sesa dy te Maqedonia. Panucci në telefonatën e parë më përgëzoi për lojën që bëj. Shpresoj që me kualitet që kam ta ndihmoj kombëtaren. Ftesa erdhi në momentin më të mirë të karrierës time, pas kualifikimit në Champions, tashmë edhe ftesa në Kombëtare. Mendoj se trajneri është një njeri që kërkon shumë disiplinë, kjo i bën mirë grupit. Disipilina është e domosdoshme. Për mua është krenari të jem këtu, pavarësisht minutazhit që do të më jepet. Çdo ndeshje duhet të merret seriozisht. Luajmë në shtëpi para tifozerisë tonë, do të japim maksimumin. Jam shqiptar ndihem shqiptar, përballë Maqedonisë do të jetë një takim si gjithë të tjerat”, u shpreh Ahmedi.
Arlind Ajeti, i bind të gjithë te Crotone
Arlind Ajeti lideri i ri Crotones. Mbrojtësi i Kombëtares Kuqezi duket se është ambjentuar shpejt me skudrën e tij të re, Crotone, tek të cilët u transferua gjatë verës në formën e huazimit nga Torino në drejtim të kuqebluve. “Gazetta dello Sport” një nga mediat e shkruara më në zë në Itali, e ka cilësuar mbrojtësin si një nga më të mirët në fushën e blertë, në takimin Crotone-Hellas Verona. 23-vjeçari është vlerësuar nga ekspertët me notën 7 dhe në arsyetimin e bërë në lidhje me këtë notë, Ajeti cilësohet si lideri i ri Crotones. I saktë në çdo ndërhyrje, duke mos gabuar për asnjë moment.
Në përballjen ndaj Veronës, mbrojtësi kuqezi rrezikoi portën e kundërshtarit në dy momente. Rasti i parë ishte nga një goditje këndi, por topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë. Momenti i dytë ku për pak Ajeti, mund të kishte realizuar dhe një gol spektakolar nga një distancë e madhe, por fati nuk është me të, pasi topi përplaset në travers. 23-vjeçari u transferua tek kjo skuadër për të pasur një rol protagonisti dhe duket se besimin që i dhanë drejtuesit e klubit kalabrez, Ajeti po ia shpërblen me formen e tij, duke i dhënë sinjale të qarta se ardhja e tij është një goditje e suksesshme. Forma e mirë e Arlind Ajetit është edhe një garanci më shumë për kombetarën kuqezi në repartin e prapavijës, në prag të dy sfidave eleminatore të botërorit “Rusi 2018” ndaj Lichteshtejnit dhe Maqedonisë.
Manaj shkon tek Granada
Rey Manaj nis një avanturë të re te Granada. Punë e kryer sipas ekspertit italian të merkatos Gianluca di Marzio që njoftoi në faqen e tij transferimin e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare në Segunda Divizion. Natyrisht që te Interi që disponon kartonin e lojtarit është e pamundur të mendohet që në këtë periudhë Manaj të gjejë hapësira dhe huazimi i tij ishte diçka e detyrueshme për klubin që gjithsesi beson te aftësitë e 20-vjeçarit. Për këtë arsye edhe pse Granada ka opsionin e blerjes së kartonit pas huazimit, te Interi kanë ruajtur opsionin e të drejtës për ta riblerë më pas sërish futbollistin shqiptar.
Gjithsesi është e pamundur të parashikosh se çfarë do të ndodhë pas një viti, pasi për Manajn tanimë është e rëndësishme të shfrytëzojë këtë shans të ri në tokën spanjolle, aty ku Granada synon këtë vit ringjitjen në Primera, prej nga ku u rrëzua verën e kaluar, duke e përfunduar kampionatin në vendin e 20. Te Granada, Manaj pritet të ketë hapësirën e nevojshme për të fituar akoma më tepër eksperiencë dhe për të lënë pas aventurat jo dhe aq pozitive të përjetuara në sezonin e fundit ku u huazua për pjesën e parë të kampionatit te Pescara dhe më pas te Pisa në Serinë B. Performanca e sulmuesit te Granada do të jetë vendimtare edhe për shanset për të rifituar një ftesë në Kombëtare, aty ku Panucci e ka bërë të qartë që në fillim se nuk toleron probleme që kanë të bëjnë me disiplinën.
Agim Zeka shënon te Lille B
Agim Zeka ishte autor i një goli mjaft të bukur për skuadrën e Lillë B, në ndeshjen e kësaj të hënë, kundër Sedanit e vlefshme për kampionatin National 2, ose ndryshe kategoria e katërt e futbollit francez. Në takimin e luajtur në transfertë, Zeka shënoi golin e barazimit 1-1 për ekipin e tij pas një goditje nga një pozicion shumë i vështirë, duke mposhtur portierin kundërshtar. Futbollisti nga Prishtina, që u transferua në muajin janar te klubi francez i Lille, aktualisht luan me ekipin e dytë të këtij klubi, ku ka gjithmonë një vend si titullar. Goli i Zekës në këtë përballje ishte tejet i rëndësishëm për skuadrën, që nuk e ka nisur aspak mirë kampionatin dhe aktualisht pas 3 javëve të para ka vetëm 2 pikë në total. Gjithsesi me këtë finalizim, Zeka tregon se po kalon një formë të mirë dhe mund të merret në konsideratë në të ardhmen dhe nga trajneri Marcelo Bielsa, për të qenë pjesë dhe e ekipit të parë.
Skënderbeu nënshkruan me mesfushorin Suad Sahiti
Skënderbeu bën një prej goditjeve më të mëdha të merkatos së verës. Mesfushori kosovar Suad Sahiti nënshkruan me klubin korçar, duke nisur një eksperiencë të re në Kategorinë Superiore dhe në futbollin shqiptar. Pas 4 sezoneve në radhët e maqedonasve të Rabotniçkit, 22-vjeçari tashmë nis rrugëtimin me ekipin shqiptar dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për ndeshjet e grupeve të Europa League. Lajmin e bën të ditur klubi bardhekuq në një komunikatë zyrtare, duke theksuar se Sahiti ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, duke shtuar se lojtari i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje. Sahiti ka kaluar 4 sezone si profesionist në radhët e Rabotniçkit. Sezonin e shkuar ai arriti kulmin në karrierën e tij me 7 gola të shënuar në kampionat, ku u aktivizua 22 ndeshje. Ai ka shënuar një gol edhe në ndeshjen e raundit të parë të Europa League këtë sezon në fitoren 6-0 ndaj skuadrës nga San Marino, Tre Pene.
Luftëtari rikthehet në Gjirokastër pas fazës përgatitore të zhvilluar në Greqi. Skuadra jugore që këtë vit do të drejtohet nga trajneri uruguajan, Daniel Fernandez, ka mbyllur përgatitjet në vendin fqinjë dhe do të vazhdojë punën në “Qytetin e Gurtë” për pjesën finale të përgatitjeve të verës. Burime zyrtare nga klubi gjirokastrit bëjnë me dije se trajneri uruguajan është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit në dy miqësoret e zhvilluara respektivisht ndaj Verias dhe Anagnesi ku regjistroi një humbje dhe një barazim.
Xhelil Asani zyrtarizohet te Shkëndija
Shkëndija e Tetovës zyrtarizon transferimin e Xhelil Asanit. Kuqezinjtë kanë arritur të sigurojnë shërbimet e talentit 21-vjeçar. Lajmi konfirmohet nga vetë faqja zyrtare e Shkëndijës së Tetovës përmes një postimi. Futbollisti nga Kërçova, pavarësisht moshës së tij të re, cilësohet si një element shumë i rëndësishëm në repartin e prapavijës. Roli i tij natyral është ai i mbrojtësit së krahut të majtë, por me karakteristikat që ai ka, mund të adoptohet shumë mirë dhe si sulmues krahu.
Xhelil Asani u transferua nga radhët e Torpedo-BelAZ Zhodino, ekip i cili militon në kategorinë e parë të kampionatit bjellorus… 21-vjeçar falë aftësive të tij të mira teknike dhe taktike, ka arritur të bind trajnerin e Shkëndijes së Tetoves, por edhe drejtuesit e kësaj skuadre, për realizimin e këtij transferimi. Pasi të kryejë vizitat mjekësore, Asani do të firmosë një kontratë 2-vjeçare. Shkëndija përfercon skaudrën me një element cilësor, në kuadër të misionit që kanë për këtë sezon, atë të fitimit të titullit kampion në kampionatin maqedonas.
Aquah përfundon në Sllovaki
U mendua se do ta vazhdonte karrierën në Austri te skuadra e LASK Linz, por ish-mesfushori i Tiranës, Ruben Akuah zyrtarizon firmën e dytë brenda pak orëve në një skuadër tjetër. Një skenar i paparashikueshëm dhe befasues për afrikanin që ka ndryshuar mendim, duke zgjedhur aventurën sllovake dhe jo atë austriake. Edhe se u mendua se LASK do të ishte destinacioni përfundimtar, pak orë më vonë, Aquah nënshkroi për Dunajska Streda ku do të luajë gjatë 4 viteve të ardhshme.
Nuk dihen ende shkaqet e këtij vendimi, por tashmë është e sigurt që 20-vjeçari ganez nuk do të jetë më pjesë e bardhebluve. Me largimin e Aquah, Tirana humbet një tjetër element me vlera të mëdha edhe pse gjatë sezonit të fundit ai nuk arriti të kontribuonte për të mbajtur skuadrën në Kategorinë Superiore. Bashkë me Aquah, Tirana ka humbur disa nga lojtarët më të mirë të sezonit të shkuar, duke nisur nga fillimi punën për ndërtimin e një skuadre që do të kërkojë rikthimin e menjëhershëm mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
Nejmar këshillon Kutinjon: “Mos shko tek Barcelona”!
Kur kanë mbetur më pak se 72 orë nga fundi i merkatos, Barcelona vazhdon të mbajë shpresa për transferimin e Phillipe Coutinho në radhët e katalanasve. Koha po mbaron dhe nga ana tjetër Liverpool, duket mëse i vendosur për të refuzuar çdo lloj oferte, pavarësisht shumës që do t’i paraqitet. Nëse ndodh e kundërta, atehërë “The Reds” do të kenë mundësi, t’i futen fuqishëm në merkato për të realizuar ndonjë goditje të minutës së fundit. Dëshira e teknikut Jurgen Klopp është transferimi i lojtarit të Monacos, Thomas Lemar, për të cilin ekipi nga principata ka refuzuar 72 milionë euro të ofruara nga e Liverpool-it.
Për t’iu rikthyer edhe njëherë dosjes “Coutinho”, e përditshmja spanjolle “As” shkruan se ish-sulmuesi i Barcelonës, Neymar është personi, i cili e ka këshilluar bashkëkombasin e tij, të mos transferohet tek Barça, por të vazhdojë aventurën e tij te Liverpooli. Sidoqoftë blaugranat nuk heqin dorë nga Coutinho, oferta e tyre e fundit ishte 150 milionë euro dhe ndoshta në orët e fundit do të bëjnë dhe përpjekjen e tyre të fundit, për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit, pse jo me një shumë akoma edhe më të madhe për të bindur drejtuesit e “The Reds”. Telenovela Coutinho-Barca, përfundon në 72 orët e ardhshme.
City, ofertë e jashtëzakoshme për Sanchez
Manchester City është i vendosur për të marrë Alexis Sanches para ditës së enjte, kur zyrtarisht mbyllet merkato e kësaj vere dhe për të arritur këtë objektiv i ofron Arsenalit shërbimet e Raheem Sterling plus pagesën kesh, në atë që mund të quhet jo më pak se sa një ofertë e jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, Arsenal kërkon me ngulm të mbajë kilianin Sanchez, kontrata e të cilit e sheh atë të lidhur me këtë ekip edhe për një vit tjetër. Kjo ofertë e Citit, i gatshëm të lerë edhe anglezin Sterling që është paraqitur në një formë mjaft të mirë këtë fillim sezoni, duke shënuar plot dy gola në Premier League konkrektisht ndaj Everton dhe Bournemouth, është një tregues i qartë se ky ekip është i gatshëm për çdo gjë për të marre Sanchez. Vet sulmuesi 28-vjeçar nuk ka pranuar të hyjë në bisedime rreth kontratës aktuale me Arsenalin, pavarësisht faktit se topçinjtë e Londrës i kanë ofruar një rritje page deri në 300 mijë paund në javë.
Pas dëmtimit të pësuar në aktivizimin me Kombëtaren e Kilit në Kupën e Konfederatave, Sanchez zbriti në fushë për herë të parë për këtë sezon në ndeshjen e kësaj të shtune ku Arsenali humbi 4-0 ndaj Liverpoolit. Pavarësisht kësaj, trajneri Arsene Wenger është treguar kategorik për lojtarin, duke dashur të evitojë çdo tratativë për një transferim të mundshëm të tij, aq më shumë tani që sapo humbi shërbimet e një lojtari tjetër shumë të rëndësishëm të skuadrës si Alex Oxlade Chamberlain për të cilin, Chelsea ofroi plot 35 milionë paund. Kjo pason një klimë aspak të mirë që është krijuar tashmë në ambientet e klubit. Gjithsesi, çfarë është e sigurtë është se ajo e Man. Cityt nuk është një ofertë e zakonshme dhe të gjithë treguesit flasin për mundësinë e arritjes së një akordi.
Ndërkohë, trajneri i Manchester United Jose Mourinho i ka thënë jo ofertës së bërë nga ana e Valencias për mesfushorin Andres Pereira. Portugezi e vlerëson shumë talentin brazilian dhe nuk dëshiron aspak që të privohet nga shërbimet e tij, pavarësisht se alternativat në mesfushë janë të shumta tek “Djajtë e Kuq”.
Liverpool bën goditjen më të madhe të historisë së këtij klubi, të paktën nëse u referohemi shifrave. “The Reds” kanë arritur të shkëpusin nga Leipzig mesfushorin Nabil Keita edhe pse nuk mund ta përdorin atë që prej këtij sezoni. Lojtari i nënkampionëve të Gjermanisë do të transferohet në “Anfield Road” gjatë verës së ardhshme, pasi gjermanët nuk kanë perferuar ta humbasin gjatë këtij sezoni. Marrëveshja është finalizuar për rreth 55 milionë euro, pasi Liverpool pranoi të paguajë klauzolën për lojtarin.
Mili
Agim XHAFKA
Mbase është i burgosuri i vetëm në botë që u dënua 25 vjet dhe nuk e mësoi shkakun. Askush nuk i tregoi Milit një fakt, një provë. Vetëm i lexuan togfjalëshin agjent i rusëve dhe me nxitim e çuan në disa burgje. Deri sa në vitin 1991 doli nga ai i Burrelit. U lirua se kështu deshi historia e vendit, se ndryshe do ishte varrosur në oborr të kampit, mbase në rrënjët e ndonjë kumbulle ku bënin ajrimin të dënuarit.
Mili hyri në birucë kur mbushi 25 vjeç e dritën e diellit, pa roje mbi kokë, e pa kur kaloi të 50-at. Ishte i fejuar dhe do martohej sa të bënte nja dy vjet punë, që të mblidhte ndonjë lekë, por e celebruan me prangat. Ishte natë vonë kur i trokitën tek dera. Pandehu se e kërkonin nga miniera, do kishte ndonjë defekt e Mili si inxhinier elektrik thirrej shpesh. Por jo. Ia behën tre burra të rinj, veshur njësoj, me dok bezhë dhe i thanë se në emër të populllit arrestohej.
Nuk arriti të nxirrte fjalë. E tërhoqën shpejt sikur ishte zog e mund t’u fluturonte. Pastaj e akuzuan spiun të rusëve. Mili e mohoi përherë, dokbezhët thoshin se e dinin ata shumë të saktë. Pa u dhënë dënimi i erdhi Klara, e fejuara dhe i kërkoi një deklaratë divorci. E firmosi në çast se kuptoi që kërkesa e saj nuk ishte zgjidhja e saj. U ndanë e qysh atëherë nuk u panë më. Ajo u martua me Çome bojaxhiun, se quhej si njeri me cen në biografi. Pas lindjes së fëmijës së dytë, Klara vdiq nga një hemoragji e rëndë.
Mili kërkoi punë dhe pati fat. Nga që kishte kërkesa për shtëpi, ai u pranua nga Nesti në firmën e tij të ndërtimit. Dhe paguhej mirë. Jeta po e shihte qeshur. U njoh me Brunën, një vejushë te pallati i ri. Kishte një çun, por ishte emigrant në Gjermani. Pra Mili u bë me grua dhe me shtëpi. Bruna i sillte mjaft gëzim, ishte e qeshur dhe shumë amvisë e mirë. Por mërzitej kur Mili nuk i tregonte pse u dënua.
-Agjent të rusëve, më thanë. Kaq.
Ajo i thoshte se nuk dënohet njeriu kaq kollaj e kaq shumë vite. Mili edhe nervozohej, por sërish i qeshur i thoshte:
-Kaq më thanë. Kaq.
Pas ca vjetësh Mili doli në pension. Iu njohën dhe vitet e burgut e mori një pagesë të mirë. Kishte mbledhur dhe ca kursime nga puna në firmë. Duke u mplakur e duke u lidhur më shumë me Brunën. Dukej sikur kishin një jetë bashkë. Natyra ka ligje kompesimi. P.sh të ikën shikimi, por të rritet dëgjimi. Edhe Milit i iku Klara, por gjeti dashuri e paqe me Brunën.
Kur kaloi 75 vite, i trokiti dera bash atë natë të ditëlindjes. Ishte postieri i DHL-së. I solli një pako nga…Moska, nga Rusia. U trondit se ato emra i krijonin një gjendje turbullire e shoku të paparë. Me duart që nisën t’i dridhen e hapi e brenda gjeti një libër, bashkë me një letër, shkruar me kompjuter, por firmuar nga Olga Nesjamila.
-Olga?- pyeti Bruna.
Mili nuk foli. I tha gruas të vishej se do shkonin tek Bozhi, malazezi që kishte dhënë mësimin e rusishtes në shkollën e qytetit, tani në pleqëri të thellë, por mbahej mirë.
Për fat e gjetën zgjuar, se moshat e mëdha flenë kohë e pa kohë. Mili ia dha letrën në fillim e ai nisi shqipërimin:
-I dashur miku im i shtrenjtë, Mili. Mbase nuk më kujton, por jam Olga, gruaja e Nestit, komshiut tënd. Sa të lexosh kaq do sjellësh ndër mend se si mblidheshim te shtëpia jonë e ti na recitoje poezitë e tua të mrekullueshme.
-Poezitë?- u çudit Bruna.
-Po, kam shkruar shumë dhe i kam botuar grupe grupe në gazeta ato vite,-tha Mili.
-Kur unë u largova nga Shqipëria, bashkë me fëmijët, mora me vete dhe mjaft poezi të prera nga gazetat që ti na dhuroje. Sa erdha në Moskë më mori shumë malli për Nestin, dashurinë time dhe u nxita të përkthej poezitë e tua. I çova në një shtëpi botuese e ata nxorën vëllimin tënd që po ta dërgoj kaq vonë se e kam çuar dhe para shumë vitesh, por më është kthyer. Poezitë e tua ishin të vetmet që më lidhnin me atë vend. Të përqafoj, Olga.
Mili u nguros. Mori librin ndër duar dhe e lëshoi mbi një kolltuk pranë sikur e dogji, e pervëloi. U ul dhe vetë e nisi të lotojë. Më pas të flasë me vete:
-Po si mund të dënohet një njeri 25 vjet burg se i botohen poezitë në Moskë. Po si mund të shkelmohet jeta e njeriut, kur është kaq e shtrenjtë. Vijmë një herë në jetë e duhet ta jetojmë çdo sekondë me dashuri e mirësi, ta përtypim si nektar e të gjallojmë mes pasioneve, dashurive, punës, miqësisë e rregullave. Kujt i vjen e keqja nga një liber? Ai nuk është kallashnikov, poezitë nuk janë plumba, poeti nuk është agjent.
Bruna mësoi të vërtetën që pandehte se ia fshihte Mili. Dhe nisi të lotojë edhe ajo. Po jetonin një shfajësim konkret, se atë ligjor kishin kohë që e kishin fituar. Po iu ndriçohej shikimi mbi një enigmë ndërtuar mbi shpifje e rrena. E dinin që kishin jetuar në errësirë, por tani mësuan sa e errët ishte ajo kohë. Si një hon që nuk pati mëshirë e dhimbje, që gëlltiti këdo pa ndjerë as pendesë as frikë. Mili mbante librin në gjoks, e shtrëngonte me duar fort nga paniku se mos ngjallej sërish kuçedra e ja rrëmbente jetën së dyti…I hyri frika, por edhe ndjeu një lehtësim të madh. Ia vlen të dënohesh si poet, i thoshte vetes, ia vlen.
Rruga e premtuar e Bashës drejt fitores
Fatmir GUDA
Lulzim Basha i ka përcaktuar qartë të gjitha piketat e opozitës në betejën ndaj atij, që ai e ka konsideruar si pushtet të Edi Ramës, blerë me paratë e drogës dhe krimit më 25 qershor 2017. Cilido që ka qenë i vëmendshëm, tek momenti i shpalosjes së platformave të dy kandidatëve në garën e 22 korrikut për kryetar të PD, do ketë mundur të dallojë qartë strategjinë, që kryetari i zgjedhur fitues Basha u ka deklaruar demokratëve në takimet me ta, anembanë vendit. Thelbi i aksionit të tij opozitar është prezenca e shtuar e kryetarit të partisë në bazë, aty ku ka nevojë më tepër për dalje krah qytetarëve në çdo rast abuzimi ndaj tyre nga pushteti, aty ku ka humbur besimi qytetar ndaj politikës, aty ku nevojitet me aq urgjencë motivimi jo vetëm i demokratëve, por gjithë shqiptarëve, të cilët edhe pas një tranzicioni kaq të stërzgjatur janë të destinuar të vazhdojnë të shpresojnë, se një ditë edhe vendi i tyre do të bëhet.
Për të qenë më konkret do veçonim për të perifrazuar vetëm njërën prej deklaratave të shumë përdorura të kryetarit të rizgjedhur të PD, në të cilën ai është shprehur tekstualisht: “Për një gjë ju siguroj. Përveç përballjes në Parlament me Edi Ramën, vetëm në zyrë nuk do të më gjeni. Unë do të jem me ju, për bashkimin e vërtetë të demokratëve deri në fitore”.
Pra, mjafton të analizojmë drejtpërdrejt këtë ligjëratë dhe njihemi me tre elementë të strukturës që do të mbajë më këmbë rolin opozitar të PD. Së pari, me Edi Ramën do ketë betejë ballore, imponuar edhe prej profilit të zotit Basha për të parën herë si parlamentar në opozitë. Së dyti, kryetari i opozitës do t’i ikë dirigjimit të partisë nga zyra, duke paralajmëruar qartazi një rol më operativ në terren në kontakt me strukturat e PD, anëtarësinë e saj dhe qytetarët. Dhe së treti, bashkimi pa kushte dhe paragjykim i të gjithë demokratëve për t’u ndjerë të vlerësuar dhe përfaqësues sipas kontributit dhe meritës, brenda misionit të opozitës për rikthimin e PD në qeverisjen e vendit. Sidoqoftë strategjia e re për të qenë në territor, jo vetëm do i jepte mundësinë për të marrë në kohë reale dhe pa deformime informacionin e duhur mbi gjendjen e strukturave të demokratëve në bazë, por edhe do vendoste në qendër të vëmendjes si aktivistin e zakonshëm të opozitës ashtu edhe qytetarin në nevojë, por të braktisur nga qeveria.
Duket sikur gjithçka është lënë gati të fillojë me startimin e legjislaturës parlamentare, pas marrjes së votëbesimit të qeverisë dhe shpalosjes së programit 100 ditësh të saj, pikërisht në vendin ku tradicionalisht debatet e forta kanë mjaftuar për të ndezur gjakrat deri tek elektorati. Ndërkohë që përveç takimeve, siç mund ta quajmë ndryshe motivimin e elektoratit me anë të shpeshtimit të takimeve dhe kontakteve me njerëzit, domosdoshmërisht lipset bërja e një opozite sa më radikale pa bërë mbrapa në vendimmarrje, siç edhe është paralajmëruar, duke denoncuar me forcë çdo rast skandali të pritshëm apo keqmenaxhimi pushteti të qeverisë Rama 2, e cila sipas të gjitha gjasave, referuar emrave ministrorë që prezantoi vetë kryeministri, do të ketë pothuajse të njëjtën qasje ndaj fenomenit të abuzimit dhe korrupsionit. Në këto kushte nuk ngelet gjë tjetër, veçse të pritet të ndodhë ngjizja në terren e proçesit të shumëpritur të ekspozimit të Partisë Demokratike ndaj kërkesave, sugjerimeve e dëgjesave të drejtpërdrejta të demokracisë qytetare, ku gjithsecilit t’i jepet për të marrë përsipër përgjegjësi apo për të kryer një detyrë të caktuar, në një territor të caktuar, bazuar padyshim në sistemin e njohjes së meritës.