35.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025

30 milionë euro për arredimin e zyrave në Kryeministri

Për vitin 2017, Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e kryeministrit. Bazuar në numrin e punonjësve që ka ky institucion, Rama duket se ka akorduar rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash. Këto janë shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore.

Në 2016 ikën 300 biznese të huaja

Banka e Shqiprisë evidenton se tremujori i parë këtij viti ka pasur një rritje në trendin e investimeve të huaja edhe pse kjo rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duket se është mjaft e vogël, ndërsa është shumë herë më e ulët sesa tre mujori i fundit i vitit 2016. Sipas bankës, kjo vlerë ka arritur në 168 milionë euro dhe sektori që ka pasur rritjen më të madhe ka qenë sektori i energjetikës dhe ndërtimi i HEC-ve me 41% pasur nga hidrokarburet me 37%, dhe ndërmjetësimi financiar me 6%. Shifrat tregojnë se në 2 vitet e fundit, fluksi hyrës është ndikuar nga nisja e punimeve të gazsjellësit TAP, ndërtimi i HEC-ve mbi lumin Devoll edhe pse ky rritëm nuk mund të vijojë me këtë trend, pasi projektet janë afatshkurtër dhe kërkohet një zgjidhje pas përfundimit të tyre për një diversifikim në afatin e mesëm. Ndërsa sektori i hidrokarbureve është i varur nga bursat ndërkombëtare. Sipas raportit Botëror për investimet WIR 2017, Shqipëria po tërheq investitorë tradicionalë dhe të rinj. Interes ka pasur nga investitorët kinezë, ku 12 kompani kanë shprehur interes për ndërtimin e rrugëve dhe në kërkimin e burimeve natyrore ku veçohet Geo Jade Petroleum bleu të drejtat për kontrollin e dy fushave naftëmbajtëse shqiptare me vlerë 422 milionë dollarë, si dhe kanë fituar koncesionin e Aeroportit “Nënë Tereza”. Për herë të parë vitin e kaluar, numri i bizneseve të huaja në Shqipëri, jo vetëm që nuk u rrit, por shënoi rënie. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Instituti i Statistikave, në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve. Sipas INSTAT në vitin 2016-ën u mbyllën ose ikën mbi 300 biznese të huaja nga Shqipëria. Më konkretisht nga 5939 biznese të huaja që ishin aktive në vitin 2015, një vit më vonë shifra ra në vetëm 5637 biznese. Të dhënat e detajuara, tregojnë se bizneset e mbyllura janë kryesisht greke ose italiane, dy vende të cilat kanë numrin më të madh të ndërmarrjeve në Shqipëri. Sipas INSTAT, numri i bizneseve greke është ulur me rreth 23 për qind dhe nga 675 që ishin në 2015, ra në 523. Po kështu, janë larguar edhe 74 biznese italiane si dhe 19 biznese nga Kosova. Mbyllja e bizneseve të huaja vjen pas një sërë anketash negative mbi klimën e biznesit në Shqipëri. Dhomat e investitorëve të huaj, si ajo gjermane, por edhe italiane kanë bërë publike një sërë anketash, sipas të cilave klima e biznesit në vend rezulton të jetë përkeqësuar veçanërisht në dy vitet e fundit. Në fund të vitit 2015, numri i ndërmarrjeve të huaja ishte më i lartë se në 2014-ën. Por viti i kaluar ka shënuar një pikë kthese, duke bërë që numri i bizneseve të huaja jo vetëm të mos rritet, por të shënojë rënie. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, ndërmarrjet e huaja janë përqendruar kryesisht në sektorin e Call Centerave, fasonit dhe sistemin financiar. Megjithatë pjesa më e madhe e tyre, janë kryesisht biznese të vogla me nga 1 deri në 4 punonjës. Kjo tregon cilësinë e ulët të investimeve të huaja që mbërrijnë në Shqipëri.

Fundjavë luksi, 60 mijë euro për një dokumentar

Rama nuk ndalet në shpenzimet e luksit, aq më tepër për të kaluar fundjavat në kryeqytetet e Europës. Këtë fundjavë Rama do të ketë një fundjavë luksi në Paris. Shpenzimet të gjitha me paratë e taksapaguesve, të cilët u duhet të paguajnë faturën e një dokumentari në vlerën e 60 mijë eurove.
E çfarë janë 60 mijë euro për një Kryeministër, i cili ka një buxhet qeveritar vetëm për bileta avioni në shifrën e 15 milionë eurove? Asgjë. Janë vetëm një argëtim që ngrihet mbi mundin, varfërinë dhe skamjen e një populli që sipas Bankës Botërore është më i varfri në Ballkan dhe ku 45% e popullsisë jeton nën minimumin jetik me vetëm 5 dollarë në ditë.
Kemi një popull të varfër dhe një Kryeministër që sillet si faraon, duke i konsideruar shqiptarët si skllevër të tij, të cilët duhet të punojnë për argëtimet dhe fundjavat e luksit të kreut të qeverisë në kryeqytetet e Europës.

Aktiviteti

Shpenzimet e luksit janë një nga pasionet e preferuara të Ramës në pushtetin absolut kryeministror. Në vijim të aventurave të tij që kapin vlera marramendëse parash, të marra këto nga taksapaguesit shqiptarë, Rama do të fluturojë këtë të enjte drejt Parisit. Ai nuk do të shkojë në Francë në një vizitë pune, as për t’u kërkuar investitorëve francezë të investojnë në Shqipëri apo të flasë për potencialet e Shqipërisë. Rama do të vizitojë Parisin për një qëllim tjetër më madhor, për të marrë pjesë në transmetimin e një dokumentari të paguar prej tij e për t’u ekspozuar në një aktivitet të posaçëm në qendrën e famshme franceze “Pompidou”.
Në debatin për reformimin e shërbimit të jashtëm u përfshi edhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, i cili u shpreh se ambasadorët shqiptarë nuk kanë para as për t’i dhënë një drekë investitorëve dhe jo më të bëjnë diplomaci ekonomike. Por mesa duket gjërat kanë ndryshuar që kur Milo është larguar nga drejtimi i ministrisë, pasi paratë aty janë, por nuk i menaxhojnë siç duhet. Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë të enjten, më 31 gusht, në një aktivitet në Paris ku do të shfaqet një film dokumentar për artin në Shqipëri, me autor Giuseppe Schillaci.
Nëpërmjet burimeve të sigurta të cituara nga media të ndryshme dje, bëhet e ditur se dokumentari që transmetohet në qendrën “Pompidou”, ka kapur shifrën në 60 mijë eurove. Këto para janë dhënë nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, ndërsa Ambasada shqiptare në Paris ka marrë përsipër shpenzimet e aktivitetit. Ndryshe nga çfarë tha përpara Trupit Diplomatik, Rama nuk po i kushton rëndësi diplomacisë ekonomike, por preferon diplomacinë kulturore, aty ku ndoshta ndihet më i sigurtë se merr një rol udhëheqësi.
Edi Rama përgjatë katër viteve të qeverisjes duket se ka pasur një pasion të shfrenuar për rritjen e shpenzime të luksit. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që është dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015, shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016, kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro, aq sa thuajse është dhe kostoja e rritjes së pensioneve në masën 80% siç ka premtuar opozita.
Vetëm shpenzimet e udhëtimeve me avion të tij dhe stafit që e shoqëron, kapin shifra marramendëse. Llogariten deri në dhjetë udhëtime në vit që Rama i ka zhvilluar vetëm për hapjen e ekspozitave të tij. Duke shfrytëzuar kostumin kryeministror, pak nga deliri i madhështisë, e pak nga përpjekja e dëshpëruar për të bërë emër me çdo kusht, nga Hong-Kongu në Pekin, Neë York dhe Europë, Paris, Stamboll, Berlin, Mynih, Firence, Milano etj., Rama synoi qytetet më të kushtueshme e më të famshme për ekspozimin e pikturave të tij. Të gjitha qytetet e lartpërmendura njihen për kostot e larta të tyre në organizimin e eventeve të tilla luksoze, ku vetëm marrja me qira e ambienteve të ekspozimit llogaritet në qindra mijëra euro.

Aferat, skandalet dhe abuzimet e konstatuara nga KLSH

Shpenzimet luksoze të qeverisë u faktuan në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga i cili për vitin 2015 dolën një numër i pafund shkeljesh që kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive. Dëmi në total për atë vit që i shkaktohej buxhetit, sipas KLSH, shkonte në 919 milionë euro ose gati 15% e tij. Me këto para do të ishin hapur me mijëra vende pune në vit me paga 500 dollarë në muaj ose do ju ishte paguar ndihmë e plotë ekonomike 94 mijë familjeve në nevojë, ose do të ishin ndërtuar dhe mobiluar 38 shkolla të reja. Por abuzimi me fondet për shpenzimet e luksit do të vazhdonte dhe në vitin 2016. Nga fondi i investimeve publike ajo do të merrte 20 milionë euro për rikonstruksione dhe mobilim zyrash, ndërsa 2.6 milionë euro i kaluan aparatit të Kryeministrisë për shërbimet jashtë vendit.

Arben SHAHINI

Afron lufta me Korenë e Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “të gjitha opsionet janë në tryezë”, duke iu përgjigjur provës së fundit me raketë të ndërmarrë të martën në mëngjes nga Koreja e Veriut.
Në një deklaratë të bërë sot, Presidenti Trump tha se “Bota e mori të qartë mesazhin e fundit të Koresë së Veriut: ky regjim sinjalizoi përbuzjen për fqinjët e tij, për të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të sjelljes së pranueshme ndërkombëtare”.
Presidenti Trump tha se, “veprimet kërcënuese dhe destabilizuese vetëm rrisin izolimin e regjimit të Koresë së Veriut në rajon dhe mes të gjitha vendeve të botës”.
Raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut fluturoi mbi Japoni dhe ra në Oqeanin Paqësor, duke shkaktuar alarm mes zyrtarëve qeveritarë në Tokio dhe duke rritur ndjeshëm shqetësimet diplomatike rreth krizës mbi programin ushtarak të Phenianit.
Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë thanë se po studionin të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores.
Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido.
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa “nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut”.
Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë.

Seuli: Përgjigjja ndaj Veriut bashkë me SHBA

Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë që kaloi mbi Japoni, duke zgjuar reagime të menjëhershme nga Tokio dhe Seuli, si dhe një tjetër paralajmërim nga Presidenti Donald Trump. Sipas analistëve, prova e sotme ishte e ngjashme me planet që Pheniani kishte njoftuar më parë për të lëshuar raketë mbi ishullin e Guamit, pjesë e Komunuelthit Amerikan, por që më pas u anuluan. Besohet që kjo është prova e dytë e suksesshme me një raketë me rreze të mesme veprimi që mund të përshkojë distanca 3000-5000 km.
Japonia thotë se, raketa u shpërbë në tre pjesë dhe ra në Oqeanin Paqësor, në lindje të ishullit japonez Hokaido.
Trajektorja aktivizoi sistemet e alarmit për popullatën në Japoni.
Ndërkaq, Presidenti Trump e kritikoi provën e fundit duke thënë se, Pheniani ka dëshmuar edhe këtë herë se “përbuz fqinjët, të gjithë anëtarët e OKB, dhe standardet minimale të sjelljes ndërkombëtare”. Presidenti përsëriti edhe këtë radhë se “të gjitha opsionet mbeten të hapura”.
Seuli ka thënë se po punon me Shtetet e Bashkuara për një përgjigje të përbashkët ndaj hedhjes së raketës koreano-veriore.
Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë po studiojnë të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores, por deri tani nuk ka patur njoftime rreth llojit të raketës balistike të hedhur nga Koreja e Veriut. Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido.
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa “nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut”.
Raportet e para thanë se ishin hedhur tre raketa, por shpejt u konstatua se bëhej fjalë për vetëm një raketë. Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë.
Një zyrtar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të SHBA i tha “Zërit të Amerikës” se, autoritetet në Uashington ishin në pritje të informatave specifike nga Komanda amerikane e Paqësorit për trajektoren dhe të dhëna të tjera të raketës koreanoveriore.
Kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili thirri menjëherë një takim të kabinetit, tha: “Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të mbrojtur me vendosmëri jetën e popullit”.
Autoritetet në Tokio thanë se nuk ishin bërë përpjekje për ta goditur raketën, por shtuan se fjala ishte për një “kërcënim serioz dhe të rëndë ndaj sigurisë së Japonisë”.

Kina në krah të Koresë së Veriut, Rusia kundër

Tokio tha se ky aksion ishte kërcënim i “paprecedent” për Japoninë. Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se ka biseduar me presidentin Trump dhe janë pajtuar për rritje të presionit ndaj Koresë Veriore.
Ambasadori i Koresë Veriore në Kombet e Bashkuara i ka mbrojtur aksionet e Phenianit dhe tha se ato janë përgjigje ndaj ushtrimeve ushtarake që zhvillohen ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të vet në rajon.
Kina ka tërhequr vërejtjen se tensionet në Gadishullin korean kanë arritur “pikën më të lartë”, por theksoi se Uashingtoni dhe Seuli, duhet të fajësohen pjesërisht për ushtrimet ushtarake të përsëritura, me të cilat bëhet presion kundër verikoreanëve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Koreja Veriore “duhet t’i respektojë” rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që aktualisht ka imponuar sanksione të reja të ashpra kundër Phenianit, për testet e raketave balistike, sot më vonë gjatë ditës do ta mbajë një seancë të jashtëzakonshme.

Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen këtë të enjte më (31.08) në Bruksel, me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Kjo e fundit e konfirmoi takimin që për qëllim ka vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, të filluar tash e gati pesë vjet më parë. “Mendoj se mundemi që deri në fund të mandatit të Komisionit Evropian 2014–2019 të arrijmë qëllimin në kërkim të hapave konkret dhe të rëndësishëm për secilin nga partnerët tanë ballkanikë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Pavarësisht disa momenteve të vështira gjatë këtij viti, vendet partnere të Ballkanit kanë dëshmuar vullnetin dhe dëshirën për përparime në rrugën drejt BE-së”, deklaroi Federika Mogherini në një fjalim të saj para ambasadorëve të vendeve të BE-së.

Modalitete për marrëveshje përfundimtare

Mediat në Prishtinë dhe Serbi shkruajnë se “në takimin e së enjtes pritet të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të kishte obligime ndërkombëtare”. Për një fazë të re të dialogut Kosovë-Serbi ka kohë që flet edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thotë se “ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare të pajtimit.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar së fundmi në fillim të korrikut në Bruksel, kur të dy ishin pajtuar për një fazë të re të dialogut ndërmjet dy vendeve, ku do të futeshin edhe grupet punuese, të cilat do të përgatisin hyrjen e procesit në këtë fazë. “Në takimin që kishim me zonjën Mogherini jemi pajtuar që të ketë një fillim përgatitor për fazën e re të negociatave në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes vendeve dhe popujve tanë”, pati deklaruar Presidenti Thaçi.

Vuçiq: Dialog substancial

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar se “dialogu do të vazhdojë në Bruksel, por jo vetëm dialogu që merret me temat e caktuara, por, të kemi edhe dialog substancial rreth asaj se si i shohim ne marrëdhëniet tona pas disa vjetësh”. Takimin e së enjtes që do të zhvillohet në Bruksel, ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, mund ta komplikojë arrestimi nga Policia e Kosovës i një serbi të dyshuar për krime lufte. Bogdan Mitroviq, 74-vjeçar nga Sopia e Suharekës u arrestua dje nga Policia e Kosovës gjatë vizitës së tij në një kishë afër Mushtishtit. Policia e Kosovës, njoftoi se zoti Mitroviq, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Mediat serbe thonë se Bogdan Mitroviq, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krime lufte ndaj popullatës civile.

Vuçiq do të flasë për Mitroviq

Këtë rast e komentoi edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili tha se në Bruksel ai po shkon të flasë edhe për rastin e Bogdan Mitroviqit, sepse siç tha ai “merakoset për të”. “Prishtinës do t’i dhembë koka nga pyetjet tona. Jam shumë i interesuar të di se çka do të thonë miqtë tanë ndërkombëtarë për këtë rast”, citojnë mediat në Serbi Aleksandër Vuçiq.

Marrëdhënia Kosovë-Serbi – dhe historiku i dialogut

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nisi në mars të vitit 2011, ndërsa, marrëveshja për përmirësimin e raporteve u nënshkrua me 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrave të atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Njëra ndër pikat më kryesore të marrëveshjes ishte lëvizja e lirë e njerëzve dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kjo e fundit akoma nuk është jetësuar për faktin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se me këtë marrëveshje shkelet Kushtetuta e Kosovës. Serbia këmbëngulë në jetësimin e kësaj marrëveshje, madje në disa raste e ka vënë edhe kusht për vazhdimin e dialogut.
Gazeta serbe “Danas”, për takimin e së enjtes, shkruan se: “Pritet një ndryshim i përshpejtuar i formatit të bisedimeve, Kosovë-Serbi”. “Siç njoftoi delegacioni i BE-së në Serbi, ata do të shkëmbejnë mendime për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas marrëveshjes së arritur në korrik në lidhje me fillimin e përgatitjeve për një fazë të re të dialogut”, shkruan gazeta serbe “Danas”.
Analisti serb Dusan Janjiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike, sipas kësaj gazete, thotë se ‘takimi i së enjtes do të jetë një nga mbledhjet përgatitore për fazën e re të dialogut të Brukselit”. Sipas tij, “Në disa takime të ardhshme do të përcaktohet forma dhe tema për negociata të mëtejshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës” dhe kjo fazë përgatitore do të zgjat deri në fund të vitit 2017 ose në fillim të vitit të ardhshëm.

A do largohet Tillerson si Sekretar Shteti?

FILE - In this Friday, March 27, 2015 file photo, ExxonMobil CEO Rex Tillerson delivers remarks on the release of a report by the National Petroleum Council on oil drilling in the Arctic, in Washington. On Saturday, Dec. 10, 2016, President-elect Donald Trump moved closer to nominating Tillerson as his secretary of state, meeting privately with the business leader for the second time in a week. (AP Photo/Evan Vucci, File)

Në Uashington janë shtuar spekulimet se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson mund të largohet së shpejti nga administrata, pas komenteve që ai dhe një ndihmës u dhanë gazetarëve gjatë dy ditëve të fundit.
Zoti Tillerson drekoi të hënën me presidentin Donald Trump dhe nënpresidentin Mike Pence. Më vonë gjatë ditës, zoti Pence u takua me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley. Përkimi i takimeve bëri që vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë të komentonin mbi mundësinë që zonja Haley të marrë postin e zotit Tillerson, nëse ai largohet.
Në një intervistë me “Fox News Sunday”, zoti Tillerson u pyet rreth përgjigjes mjaft të kritikuar të dhënë nga Presidenti Trump për dhunën vdekjeprurëse në Sharlotsville të Virxhinias këtë muaj, pas një tubimi nga supremacistët e bardhë që rezultoi në përplasje me kundërprotestuesit.
Zoti Trump shkaktoi zemërim kur fajësoi fillimisht të dyja palët njëlloj për trazirat. Ligjvënës të Partisë Republikane të zotit Trump dhe shumë komentues e akuzuan presidentin se nuk dënoi në mënyrë të veçantë mbështetësit e racizmit si diçka e papranueshme.
Diplomati më i lartë amerikan u pyet këtë javë nëse komentet e zotit Trump, të cilat u panë si vënie e shenjës së barazimit mes supremacistëve të bardhë dhe demonstruesve të ekstremit të majtë, pasqyronin vlerat amerikane.
Tillerson tha fillimisht: “Nuk besoj se dikush dyshon në vlerat e popullit amerikan, ose në angazhimin e qeverisë amerikane, apo të agjencive të qeverisë për avancimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e tyre”.
Kur moderatori Chris Wallace e pyeti konkretisht rreth vlerave të zotit Trump, Sekretari Tillerson u përgjigj: “Presidenti flet vetë për veten e tij”, pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Një ndihmës i zotit Tillerson mohoi të hënën se ky koment përbënte një kritikë ndaj vlerave të zotit Trump, por nuk pranoi ta zbuste komentin.
“Vlerat fillojnë nga Kushtetuta”, tha për televizionin CNN ndihmësi i cili nuk dëshiroi të identifikohej. “Puna e presidentit është t’i mbrojë këto vlera. A bëri ai më të mirën në përgjigje të ngjarjeve në Sharlotsville? Jo. Por kjo nuk do të thotë se Amerika ndryshoi”.
Ndihmësi shtoi, “Kjo është arsyeja pse presidenti flet për veten e tij, sepse është Kushtetuta që flet për vendin”.
Komentet njëri pas tjetrit të bëra nga zoti Tillerson dhe ndihmësi i tij u pritën me habi nga vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë.

Tillerson s’ka plotësuar ende pozicionet e larta në Departamentin e Shtetit

Thomas Whalen, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Bostonit, tha se deklarata që Kushtetuta dhe jo presidenti flet për vendin “tregon përçmim ndaj stilit autoritar të zotit Trump në menaxhimin e presidencës”. Ai i përshkroi fjalët e ndihmësit të zotit Tillerson si “një lamtumirë ndaj zotit Trump”.
Faqja e lajmeve në internet Axios njoftoi të hënën se zhgënjimi i Presidentit Trump me Sekretarin Tillerson ishte shfaqur sidomos pas një takimi të fundit rreth Afganistanit.
“Rex Tillerson thjesht nuk e kupton, ai i takon krejtësisht klasës politike tradicionale në mendimin e tij”, tha zoti Trump, sipas një burimi të cituar nga Axios.
Faqja e internetit njoftoi se, Tillerson ishte në kundërshtim me Presidentin Trump në disa çështje të politikës së jashtme, duke përfshirë tensionet në Katar dhe sanksionet kundër Venezuelës dhe se zyrtarët e administratës e kishin të vështirë të kuptonin se përse Sekretari i Shtetit nuk i kishte plotësuar disa pozicione të larta politike në Departamentin e Shtetit.
Zëdhënësi i zotit Tillerson, R.C. Hammond, fajësoi për këtë një sistem “që nuk funksionon”, sipas Axios. Faqja e internetit citonte zotin Hammond të kishte thënë se, “Sekretari dërgon rekomandime, por ato mbeten në sirtar”.
Sipas vëzhguesve politikë që biseduan me “Zërin e Amerikës”, një largim i zotit Tillerson nuk do të bënte tjetër veçse do ta shtonte konfuzionin që ka karakterizuar muajt e parë të administratës.

Merkel: Kriza me Turqinë nga arrestimet e shtetasve gjermanë

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkon mirëkuptim nga bashkëqytetarët me origjinë turke në Gjermani për veprimet e saj ndaj qeverisë në Ankara. “Unë me shumë dëshirë do të kisha raporte më të mira me Turqinë, por duhet të shohim realitetin”, tha Merkel të martën në Berlin, në konferencën e shtypit pas pushimeve të verës. Ajo foli për një “fazë shumë të komplikuar” në raportet gjermano-turke.
Për shkak të arrestimit të shtetasve gjermanë në Turqi, ka qenë “për fat të keq” i domosdoshëm edhe riorientimi në raportet me këtë vend, tha Merkel. Përmirësimi i raporteve varet nga “respektimi i rregullave të shtetit juridik”, shpjegoi kryetarja e CDU-së. “Ne nuk shohim momentalisht që kjo po ndodh në Turqi”. Përveç kësaj, ekziston edhe një kërkesë shumë e qartë e qeverisë gjermane që gjermanët e arrestuar për shkaqe politike të lirohen menjëherë.
Aktualisht sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme, nën masa arresti në Turqi po mbahen 10 persona me nënshtetësi gjermane, ndër ta edhe gazetarët Deniz Yücel dhe Mesale Tolu si dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Peter Steudtner.

Kërkesa e qartë ndaj Varshavës

Jashtëzakonisht e qartë kancelarja ishte edhe ndaj qeverisë në Poloni dhe sjelljes së saj ndaj shtetit juridik. “Kjo është një temë serioze, sepse ndër parimet elementare për bashkëpunim në BE është respektimi i shtetit juridik”, tha Merkel. Uniteti i BE-së është shumë i rëndësishëm edhe për shkak të daljes së Britanisë së Madhe, por kjo nuk do të thotë se mund të anashkalohet respektimi i shtetit juridik. Merkel do të dëshironte raporte shumë të mira me Poloninë, sepse raportet me këtë vend fqinj janë shumë të rëndësishme. Por ne nuk mund të mbyllim gojën dhe të mos themi asgjë, për shkak të ruajtjes së qetësisë. Kjo është një prej bazave të bashkëpunimit në BE. Merkel beson se qëndrimet e BE-së do të thuhen shumë qartë në Varshavë edhe gjatë vizitës së Komisionerit Jean-Claude Juncker, të mërkurën (30.08).
Komisioni i BE-së ka kërcënuar me sanksione Poloninë, për shkak të reformës së kontestuar juridike. Ka nisur madje edhe një procedurë për heqjen e të drejtës së votës së saj në nivelin evropian. Por për këtë kërkohet vendimi unanim i vendeve anëtare të BE-së. Në Gjermani po diskutohet edhe për mundësinë e shkurtimit të mjeteve financiare për shkak të mosrespektimit të shtetit juridik. Polonia i ka hedhur poshtë kritikat si të “pabaza”.

Merkel mbron politikën ndaj refugjatëve

Kancelarja foli edhe për politikën ndaj refugjatëve. Ajo kundërshtoi përshtypjet se ka hequr dorë nga politika e saj e mirëseardhjes për refugjatët. Merkel thotë se masat e fundit ndaj refugjatëve janë në frymën e njëjtë si mirëpritja në vitin 2015. Ajo tha se hapja e kufijve në vitin 2015 për refugjatët në nevojë ishte e domosdoshme, për shkak të gjendjes së rëndë humanitare të tyre.
Por tani kërkohen masa të tjera dhe zgjidhje afatgjatë. Evropianët mund të jetojnë në siguri dhe mirëqenie, vetëm nëse shikojnë edhe problemet në vendet e tjera dhe përballen me zhvillimin e tyre ekonomik. Merkel përsëriti kritikat ndaj vendeve të BE-së, të cilat kundërshtojnë politikën e shpërndarjes së refugjatëve. Solidariteti nuk do të thotë vetëm të ndihmosh një vend, por duhet të ndihmohen të gjitha vendet. Në këtë rast edhe Italia dhe Greqia, po përballen më së shumti me valën e refugjatëve ilegalë.

Majko: Mbiemri im i vërtetë, Memeci, jam me origjinë gjermane

Deputeti socialist, Pandeli Majko, gjeti dje rastin të sqarojë të gjithë miqtë e tij, në rrjetin social “Facebook”, për origjinën e mbiemrit të tij Majko.
I nxitur edhe nga diskutimi në Kuvend i ndryshimit të emrit të komunës Liqenas në “Pustec”, për të cilin ai fillimisht ishte kundër e më pas votoi “pro”, Majko publikoi dje, një foto të stërgjyshit të tij, Spiro Majko.
Ishte ai që vendosi këtë mbiemër dhe ishte pikërisht fotoja e stërgjyshit e historia e tij, që bëri që Majko të reflektonte edhe për çështjen e Pustecit. “E ndjej shpesh që “mbiemri” im iu shkakton paqartësi mjaft dashamirësve, përfshirë edhe atyre që për qëllimet e tyre më japin lloj e lloj “kombësish”… Ky është një “sekret”, që kjo foto më nxiti të mendoja se i kishte ardhur koha që ajo të shpjegohej natyrshëm”, shkruan Majko.
Fotoja është gjatë kohës që ai emigroi së bashku me të birin (vëllain më të vogël të gjyshit tim) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkuan në Boston. Ishte mbi 70 vjeç kur vendosi të kalonte oqeanin. U kthye i pasur dhe filloi tregtinë. Vdiq në moshën 92 vjeç, duke punuar. Ai ishte njeriu i hekurt i fisit tonë. Ishte ky stërgjysh që vendosi fatin e mbiemrit që do të mbante fisi ynë deri sot. Ai e ndryshoi nga “Memeci” në “Majko”. Ky do të ishte mbiemri i tretë që nga historia disashekullore e të parëve të mi. Mbiemri i parë ka humbur në rrjedhën e kohës.
Ai i dedikohet fillesës së familjes së prejardhjes sime. Kjo “fillesë” nis nga një mjek gjerman, i cili u shpërngul nga Praga pas marrjes së saj nga Ali Pashë Tepelena. I huaj dhe me një profesion të lakmuar, me mbërritjen në Gjirokastër, atij, për mungesën e komunikimit të rrjedhshëm në gjuhën e vendasve, i vunë edhe “nofkën”, që u bë mbiemri i dytë dhe që ishte “Memeci”… Mbiemri gjerman duhet të ketë tingëlluar i “pakuptimtë”. Në përgojimet e familjes vlerësohet se kjo “nofkë” i dedikohej edhe faktit të refuzimit të martesës me familjet e pasura gjirokastrite. Ai i refuzoi ato, për shkak të një gruaje me bukuri të veçantë nga shtresat e mesme të qytetit, dhe ndërtoi shtëpinë në lagjen Varrosh.
Kjo shtëpi u shit nga gjyshi im, – emrin e të cilit unë kam, – në vitin 1952, kur e gjithë familja jonë u vendos prej asaj kohe në Tiranë. Mbiemri “Majko” u vendos nga stërgjyshi im, Spiro. Ai ishte një “mbiemër” njerëzor, që u vendos nga marrëdhëniet e tregtisë. Historia jonë familjare flet për marrëdhënien korrekte e njerëzore karshi komunitetit sllav që punonte në çifligjet shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane.
Ndihma që jepte dhe kujdesi ndaj tyre, bëri që stërgjyshit Spiro t’i vendosej “nofka” e dytë “Majko” (Nënë) dhe që ishte mbiemri që familja jonë mban edhe sot. Arsyet e këtij vendimi i takojnë kohës kur u mor ai. E ndjej shpesh që “mbiemri” im iu shkakton paqartësi mjaft dashamirësve, përfshirë edhe atyre që për qëllimet e tyre më japin lloj e lloj “kombësish”… Ky është një “sekret”, që kjo foto më nxiti të mendoja se i kishte ardhur koha që ajo të shpjegohej natyrshëm.
Mjaft nga miqtë e mi e dinë këtë fakt prej kohësh. Sot, keqkuptimi i mbiemrit “Majko” në familjen time ngjall veç humor dhe kujtimin e mirë të stërgjyshit tim njerëzor. Foton, pak ditë më parë ma solli im atë. Koinçidoi edhe me rastin e debatit për ndryshimin e emrit të komunës Liqenas në “Pustec”. Isha i mërzitur me këtë “ndryshim”. Asambleja e Partisë Socialiste të rrethit të Korçës më kërkoi unanimisht ta votoja “pro” këtë ndryshim emri. Kjo foto e stërgjyshit ishte edhe një ftesë nga e kaluara familjare për reflektim. Historia duhet respektuar, pavarësisht si do të dëshiroje të ishte.
Pyetja është se “a po bëjnë fqinjët tanë të njëjtën gjë që po bën Shqipëria dhe shqiptarët?!” Mjafton të dëgjosh deklarimet e fushatës elektorale në Maqedoni dhe kupton se aty zhvillohet një situatë krejt tjetër karshi shqiptarëve. Vendosa këtë radhë të besoj në kumtin e kësaj fotoje, bërë në Bostonin e largët në SHBA. Ndershmërisht, i ndarë në dy gjysma, ku njëra kundërshton tjetrën. Në këtë rast, fitoi ajo që mbart mirëkuptimin që vjen nga e kaluara.
Padyshim që nëna ime mendon se, pavarësisht rrënjëve të mia familjare, mua më rëndon “peshorja” nga Kolonja e saj, e maleve të Korçës. Kjo është një histori e gjatë dhe e përsëritur për çdo familje shqiptare. Si rregull, nënat kanë gjithmonë të drejtë, ka shkruar Majko.

Kosova, Kushtetuta s’ka zgjidhje për krizën në Kuvend

Kriza politike, e cila është produkt i mospërfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nuk ka ndonjë zgjidhje kushtetuese, vlerësojnë njohësit e të drejtës kushtetuese dhe të zhvillimeve politike në vend. Deri më tash, pas gjashtë vazhdimeve të seancës konstituive të Kuvendit, deputetët ende nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, me çka do të rrumbullakohej procesi i konstituimit të legjislativit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i gushtit të vitit 2014, i jep të drejtën subjektit politik apo koalicionit parazgjedhor, i cili merr numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, që ta propozojë kryetarin e Kuvendit. Në rastin e tanishëm, propozimin duhet ta bëjë koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Por deri më tash, koalicioni PAN nuk ka propozuar një kandidat për kryetar të Kuvendit.
Mazllum Baraliu, Profesor i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, shpjegon se në këtë rast nuk ekziston një zgjidhje kushtetuese, e cila parasheh afate kohore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. “Është mangësi serioze e Kushtetutës që nuk e ka paraparë një situatë të tillë, për arsye se kushtetutëbërësi ka menduar se nuk do të vijë deri te situatat e tilla, ngërçet e tilla, mosshfrytëzimi i autorizimeve të tilla. Kjo për arsyen se vet posti i kryetarit të Kuvendit nuk është ndonjë post i rëndësishëm dhe vendimmarrës, në kuptimin e ekzekutivit. Ai konsiderohet si një post koordinues i operacioneve më tepër teknike dhe operative, bashkë me kryesinë dhe nënkryetarët e Kuvendit”.
Megjithatë, Profesor Baraliu thekson se një zgjedhje të mundshme duhet ta kërkojë Presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës i jep atij kompetencën dhe obligimin që të kujdeset për funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. “Unë mendoj që është koha e fundit që Presidenca të mos jetë pasive, por që sa më parë – në këtë vakuum tashmë të krijuar, sepse nuk është caktuar ende ndonjë datë tjetër e vazhdimit të seancës nga kryesuesi – t’i ftojë partitë politike dhe të reflektojnë, të merren vesh për ndonjë solucion. Eventualisht, nëse nuk merren vesh për asgjë, atëherë të merren vesh që të shkojnë bashkërisht në shpërbërje të Parlamentit”, tha Baraliu. Ai shton se kjo do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare.
Por, Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se ngërçit politik, megjithatë duhet t’i gjendet një zgjidhje politike. “Po konsideroj që nuk do të thotë që çdo procesi politik t’i vihet përballë një zgjidhje kushtetuese. Ky ngërç politik mund të zgjidhet edhe përmes zgjidhjeve politike. Nuk është e domosdoshme që të ketë vetëm zgjidhje kushtetuese”. Analisti Qirezi shpreh mendimin që tashmë kanë ngelur tri rrugë për zgjidhje të ngërçit politik. Zgjidhja e parë, sipas tij, është arritja e një konsensusi të subjekteve politike parlamentare.

Afera, koncesioni në rrugën e “Kombit” do të menaxhohet nga një kompani e huaj

Konsorciumi “Catalyst” i kompanive shqiptare që ka marrë me koncesion autostradën e Kombit, do të japë menaxhimin ndaj një kompanie të huaj. Burimet pranë koncesionit pohuan se janë duke negociuar me kompani të mëdha italiane me përvojë në mirëmbajtjen e autostradave me koncesion. Kompania italiane, Autostrade per L’Italia, do të menaxhojë shërbimin në lidhje me pagesat dhe mirëmbajtjen, ndërsa koncesioni është në pronësi të kompanive të njohura shqiptare Salillari dhe Kastrati. Mirëpo do të duhen edhe disa muaj deri sa koncesioni të bëhet aktiv. Procesi i inventarit për dorëzimin e objektit nga shteti tek koncesionari ka zgjatur për shkak të disa mangësive që janë gjetur në punime. Burimet nga grupi i punës që është duke u marrë me inventarin e objektit pohuan se, nga verifikimet në terren janë gjetur investime të pakryera në bankina dhe në muret mbajtëse, ndërsa ishin raportuar si të kryera. Gjithashtu për t’i paraprirë vendosjes së trarëve të pagesës po hapet një rrugë e ndërmjetme anës malit ku kalon tuneli i Thirrës. Instalimi i trarëve të pagesës kërkon kohë, ndaj për të mos bllokuar trafikun lëvizja do të vijojë në rrugën e re. Mirëmbajtja në rrugën e “Kombit” është dhënë për një afat 30-vjeçar. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30-vjeçar. Në këmbim do të mbledhë dhe do të mbajë të ardhurat nga taksa, e cila për automjetet e vogla është 5 euro dhe më pas do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe për të financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit. Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë koncesionarin në 13 vitet e para të paktën 65 milionë euro, si subvencion për trafikun e munguar.