33.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025

Çfarë po ndodh? Monedha e lekut pëson zhvlerësim masiv?

Monedha vendase është zhvlerësuar me shpejtësi ditët e fundit përkundrejt euros, duke reflektuar efektet sezonale si dhe lëvizjet në tregjet ndërkombëtare. Një euro këmbehej sot sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 132.95 lekë, 0.31 lekë më shumë se një ditë më parë. Monedha vendase është zhvlerësuar ndaj asaj europiane për shtatë ditë radhazi.
Aktorët e tregut pohojnë se mbarimi i efekteve sezonale, teksa emigrantët largohen dhe fluksi i turistëve fillon e bie dukshëm është një prej arsyeve kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Edhe në fund të vitit të kaluar, leku filloi të dobësohej në këtë periudhë, teksa në fund të muajit gusht 2016 këmbehej me 137.3 lekë. Një tjetër arsye lidhet me forcimin e euros në bursat ndërkombëtare. Monedha e përbashkët është ngjitur ditët e fundit në kufirin e 1.2 dollarëve, niveli më i lartë që prej dhjetorit 2014, teksa investitorët u entuziazmuan teksa presidenti i Bankës Qendrore Europiane u tërhoq nga diskutimet lidhur me monedhën e fortë dhe në horizont u shfaqën problemet fiskale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në të kundërt, dollari në tregun vendas ka zbritur sërish, duke u këmbyer me 110.43 lekë, 0.92 lekë më pak se një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2014. Ekspertët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e fortë, e nxitur edhe përfundimi i efekteve sezonale, por edhe nga fakti që në shtator fillon e gjallërohet aktiviteti tregtar, pas përfundimit të pushimeve.

Vëzhguesit: Rezultat i pavlefshëm në rastet kur vullneti i votuesit cenohet

Nisur nga raportimet masive mbi tjetërsimin e vullnetit të votuesve çka shtrembëron dhe rezultatin e vërtetë të zgjedhjeve siç ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, koalicioni i vëzhguesve vendorë kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe sanksionimin e shpalljes së pavlefshme të rezultatit të votimit në rastet kur para dhe gjatë procesit zgjedhor ndodh intimidimi apo cënimi i vullnetit të votuesve. Ky propozim i vëzhguesve vendorë vjen në një kohë kur pas zgjedhjeve të 25 qershorit janë të dokumentuara me prova e fakte me qindra raste të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve përmes blerjes së votave, shantazheve apo presioneve për të favorizuar subjekte të caktuara politike. Dje, koalicioni i vëzhguesve vendorë publikoi raportin mbi monitorimin e drejtësisë zgjedhore në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas këtij raporti krahas shqetësimit mbi tjetërsimin e vullnetit të votuesve vihen re edhe një sërë mangësish të tjera që kanë të bëjnë me drejtësinë zgjedhore. Sipas raportit, “dyshimi publik vazhdon të jetë i lartë në integritetin e procesit zgjedhor, dhe kryesisht edhe mbi vërtetësinë e rezultateve të fletëve të votimit, përsa rezulton në vendimet përfundimtare të proceseve zgjedhore. Kjo situatë dyshimi vazhdon të jetë e pranishme, megjithë mekanizmat ligjorë të rinumërimit dhe rivlerësimit, teknologjinë mbështetëse të kamerave përgjatë numërimit të fletëve të votimit, aksesin e vëzhguesve partiakë dhe jo-partiakë, apo të tjera”. Një dyshim që duhet theksuar se është rrënjosur si nga praktikat manipulative të ndjekura ndër vite nga vetë subjektet zgjedhore, por edhe nga klima e vazhdueshme delegjitimuese e procesve zgjedhore prej forcave elektorale humbëse. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në vijimësi të raportimeve të tij ka ngritur shqetësimin për cedime thelbësore në punën e këtyre Komisioneve, lidhur edhe me çështjen e ankimimeve. Në traditën e proceseve zgjedhore, janë evidentuar shumë raste, kur ankimimet e paraqitura pranë këtyre Komisioneve në mënyrë të jashtëligjshme nuk janë pranuar prej Komisionerëve, ose janë pranuar, por pa u protokolluar, apo nuk kanë mundur të depozitohen për shkak të pamundësisë për t’i gjetur në detyrë anëtarët e trupës së KZAZ-ve, madje pa mundur as ta faktojnë përgjegjësinë respektive në situatën e fundit. Për këtë arsye, si dhe për të patur një skanim të plotë të ecurisë së punës së KZAZ-ve gjatë këtij procesi zgjedhor, KVV u përpoq të ndiqte në mënyrë të detajuar tërë vendimmarrjen e këtyre Komisioneve. Ajo që u faktua si problematika kryesore në këtë drejtim, e cila pamundësoi bërjen e analizës së plotë, ishte mungesa e thelluar e transparencës së këtyre Komisioneve. Rinumërimi dhe rivlerësimi i kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këtë rast shënoi një numër të lartë rinumërimi të qendrave të votimit, të krahasueshme me procesin për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Tiranë në Zgjedhjet Vendore të 8 majit 2011 si dhe në Qarkun Kukës në Zgjedhjet Parlamentare të 23 qershorit 2013. Edhe pas procesit të rinumërimit në procesin zgjedhor të 25 qershorit 2017, si në pjesën më të madhe të praktikave të mëparshme të rinumërimeve dhe të rivlerësimeve, nuk pati “përmbysje” të rezultatit. Përpos një mospërputhshmërie të rezultateve në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, ku në pak raste marzhet e mospërputhjes ishin relativisht të larta, në rezultante nuk u prek thelbi i rezultatit. Ajo që mbetet shqetësuese dhe që vazhdon t’a ushqejë dyshimin për procesin e numërimit të kryer është se në rastet e rinumërimit të sipërpërmendura, rezultatet përfundimtare jo vetëm që nuk janë identike me të mëparshmet, por evidentohen raste ndryshimi me një marzh përtej dyshimit të arsyeshëm të një gabimi njerëzor. Në vijueshmëri të këtyre rezultateve të ndryshueshme, me të drejtë ngrihet pikëpyetja lidhur me tërësinë e rezultateve tashmë dhe kryesisht në raport me dëmtimin e mundshëm të subjekteve zgjedhore, të cilat nuk janë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve.

11 rekomandimet për proceset zgjedhore

-Në përfundim të çdo procesi zgjedhor, merret në konsideratë adresimi ligjor i problematikave apo mangësive të rezultuara përgjatë procesit.
-Në rastin e procesit zgjedhor të 25 qershorit 2017, të vendosur edhe në kontekstin e sipërpërshkruar, kjo nevojë bëhet akoma më e madhe duke kujtuar edhe dështimin tërësor të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili parapriu këtë proces.
-Për këto arsye dhe si premisa për veprimtaritë që priten prej një procesi reformues të thelluar të kuadrit ligjor zgjedhor, si i zotuar nga aktorët kryesorë politikë, më poshtë parashtrohen disa nga rekomandimet më emergjente për t’u adresuar nga legjislatori.
-Kuadri ligjor dhe sistemi institucional aktual i Drejtësisë Zgjedhore meritojnë të rishihen në formë integrale, duke adresuar të gjitha problematikat e evidentuara deri më tani.
-Raportet institucionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kolegjit Zgjedhor dhe të Gjykatës Kushtetuese nevojiten me urgjencë të harmonizohen.
-Me domosdoshmëri nevojitet të rregullohet pesha e precedentit në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor në shqyrtimin e ankimimeve.
-Mekanizmi i rinumërimit dhe rivlerësimit të fletëve të votimit nevojitet të rishihet, duke lehtësuar mundësinë e subjekteve zgjedhore për t’a ndërmmarrë, pa lejuar nga ana tjetër cenimin e solemnitetit të procedurave.
-Detyrimi i të gjitha institucioneve përgjegjëse në proceset zgjedhore, kryesisht të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor për të bërë transparencë publike të vendimmarrjes së tyre, duhet të përcaktohet si kategorik dhe paekuivok.
-Në rritje të transparencës së veprimtarisë së Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, si trupë funksionarësh publikë, sugjerohet që përpjekjet për depolitizimin e komisioneve zgjedhore të nisin pikërisht nga këto Komisione të nivelit të dytë të administrimit të procesit.
-Vendimmarrja, dokumentacionet e përdorura, komunikimi shkresor i institucioneve përgjegjëse në proceset zgjedhore duhet të vendoset në një regjim transparence online në kohë reale për përdorim të gjerë dhe me akses të lirë për publikun.
-Kuadri ligjor zgjedhor duhet të zgjerojë konceptin e pavlefshmërisë së votimit edhe për rastet e drejtimit dhe intimidimit të votës në periudhën para ditës së zgjedhjeve.

Do importohen 790 ton plehra në ditë

Shoqëria “Integrated Energy B.V” është fituese e koncesionit për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës. “Report Tv” zbardh detaje nga koncesioni me vlerë 140 milionë euro, të shpallur nga Ministria e Mjedisit, i cili ngre disa pikëpyetje.
Niveli i ndotjes nuk specifikohet, ndërsa kapacitetet e inceneratorit janë shumë herë më të mëdha se sasia e mbetjeve që prodhohen në Tiranë. Ky fakt ngre dyshime se shoqëria do të marrë mbetje të tjera për të përmbushur kapacitetet dhe për të shmangur vështirësitë financiare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, fituese e këtij koncesioni është Shoqëria “Integrated Energy B.V., e cila një vit më parë bëri edhe ofertën e pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit. Gjithashtu pikëpyetje ngrihen edhe mbi kapacitetet e këtij inceneratori, që pritet të përpunojë mbetjet si dhe të prodhojë energji nga përpunimi i tyre.
Sipas të dhënave dhe ofertës së vetë kompanisë, ky incenerator do të ketë një kapacitet ditor përpunimi prej 920 ton, të cilat do të përpunohen nga 4 linja, që përllogaritet të përpunojnë 230 ton secila. Pikërisht kapacitet e saj ngrenë pikëpyetje, pasi sipas të dhënave jo zyrtare, Qarku i Tiranës në një ditë prodhon afro 130 ton mbetje. Kapaciteti prej 920 tonësh përballë 130 ton të prodhuara në Tiranë, sjell nevojën që ky incenerator të marrë mbetje të tjera, për të vendosur në punë të gjithë kapacitetet e saj përpunuese. Edhe nga përllogaritja e pasqyruar në relacionin pas paraqitjes së ofertës, rezulton se nëse ky projekt nuk do të funksionojë me kapacitete të plota apo nëse do përpunojë mbetjet e Tiranës, pra vetëm 130 ton mbetje, atëherë firma koncesionare do të vihej në vështirësi financiare. Integrated Energy B.V që u vetëofrua për këtë koncesion ishte kompania e vetme në garën e shpallur zyrtarisht në 12 qershor 2017. Kjo shoqëri rezulton se është themeluar vetëm pak ditë para paraqitjes së ofertës për ndërtimin e inseneratorit. Integrated Energy Energy B.V është themeluar më 19 gusht të 2016-ës në Holandë, ndërsa vetëm pak javë më vonë, më 7 nëntor Ministria e Mjedisit i propozon Këshillit të Ministrave që të miratojë bonusin në procedurën e përzgjedhjes së kompanisë konçesionare. Si ortak të kësaj kompanie janë subjekti “Paul Wurth Italia” dhe “Energy Recuperation”. Më tej, në relacion, thuhet se shoqëria propozuese ka disa ortakë, për shkak të kompleksitetit të projektit, por pa specifikuar se kush janë ortaket e tjerë. Në bordin drejtues të shoqërisë Integrated Energy rezulton të jetë edhe biznesmeni shqiptar Klodian Zoto, i cili është aksioner me 100 për qind të aksioneve të shoqërisë Integrated Technology Service. Kjo e fundit është gjithashtu fituese e koncensionit për ndërtimin e inceneratorit në Fier, i cili hasi në protestat e banorëve për shkak të vendit ku do të ndërtohej. Edhe pse është ndryshuar dy herë vendi ku do të zbatohej projekti, sërish ndërtimi i inceneratorit nuk ka nisur për shkak të rezistencës së banorëve. Tashmë mbetet për t’u parë nëse pikëpyetjet e ngritura do të sqarohen në të ardhmen, pasi ndërtimi i këtij projekti parashikohet të nisë brenda këtij viti dhe, në vitin 2019, pritet të vihet në funksionim. Pas shpalljes së fituesit, janë lënë edhe 30 ditë afat që shoqëria dhe Ministria e Mjedisit të negociojnë përfundimisht kontratën.

Plani i landfillit

Sipas studimit të fisibilitetit të dhjetorit, Teknologjitë e ndryshme dhe instalimet e parapara në integrimin e Z.T.M.T (“Zona e Trajtimit të “Mbetjeve Tiranë) janë parashikuar dhe dimensionuar për t’u adresuar në menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta (inerte dhe mbetje urbane) të prodhuara në rrethin e Tiranës. Z.T.M.T. është projektuar për të pritur dhe trajtuar nga 550 në 800 ton/ditë mbeturina në fillim të operimit (Viti i 1) dhe është në gjendje të pranojë sasi më të lartë nëse është e nevojshme brenda kohëzgjatjes së koncesionit dhe në rast të një rritje të prodhimit të mbetjeve në Qarkun e Tiranës. Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane, termovalorizator, do të jetë i përbërë nga 4 (katër) linja përpunimi të ndara. Kapaciteti i përpunimit të secilës linjë do të jetë 230 ton/ditë. Të katërta linjat do të ndërtohen në faza, linja e parë është parashikuar të fillojë punë në muajin e tetëmbëdhjetë të koncesionit. Linja e dytë është parashikuar të fillojë punë në muajin e 36 (tridhjetë e gjashtë), linja e tretë në muajin 50 (pesëdhjetë). Linja e fundit është parashikuar që të fillojë punë para muajit të 72-të. Secila linjë do të ketë një kapacitet përpunues prej 230 ton/ditë dhe në total të katërta linjat një kapacitet prej 920 ton/ditë. Në të njëjtën kohë ndërtimi i një sistemi të venddepozitimeve është planifikuar për të garantuar hedhjen e të gjithë mbeturinave dhe pas mbylljes përfundimtare të venddepozitimit ekzistues. Venddepozitimet e reja do të jenë të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore të BE-së dhe legjislacionit shqiptar dhe do të parashikohen për lloje të ndryshme të mbeturinave. Moduli i parë i venddepozitimit do të jetë operacional brenda 6 muajve nga fillimi i koncesionit. Ky venddepozitim i parë me një volum prej 1.67 milionë m3 do të jetë për mbeturinat e ngurta urbane. Ai është planifikuar për një jetëgjatësi prej 6 deri në 10 vjet, dhe do të lejojë nga muaji i gjashtë i funksionimit të koncesionit pas mbylljes së landfillit ekzistues, depozitimin e mbetjeve urbane në përputhje me rregulloren e BE-së. Ndërtimi i një sistemi të mbulimit dhe kapjes së biogazit për venddepozitimin ekzistues patjetër do të zgjidhë temën e funksionimit të një venddepozitim të mos menaxhuar dhe efektet e saj të mundshme mjedisore negative. Z.T.M.T. do të ketë venddepozitime të tjera të planifikuara për hedhjen e hirit nga objekti IPMU dhe mbetjet inerte. Venddepozitimi për hedhjen e hirit të gjeneruara nga instalimi i IPMU do të ketë kapacitet prej 1.8 milionë m3 dhe është projektuar për një jetëgjatësi të projektuar prej 40 (dyzet) vjet. Përveç këtyre moduleve 2 venddepozitime të mëtejshme parashikohen për të marrë material inerte dhe jo të riciklueshme të ngurta me një kapacitet total prej 900,000 m3 dhe një jetëgjatësi 40 (dyzet) vjet.

Kompania fantazmë që fitoi koncesionin

Për kompaninë “Integrated Energy B.V” nuk ka informacion në internet. Kompania nuk ka faqen e saj, ajo gjendet e listuar vetëm si emër kompanie dhe adresë në faqen e internetit të Dhomës Holandeze. Por, krahas Integrated Energy B.V, partnere në këtë projekt rezultojnë dhe dy shoqëri të tjera. Në studimin e fizibilitetit për zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, hartuar në dhjetor 2016, thuhet se iniciatori dhe propozuesi i projektit për ndërtimin, operimin e një “Zona e Trajtimit të “Mbetjeve Tiranë–Z.T.M.T.” është shoqëria me propozim të pakërkuar “INTEGRATED ENERGY B.V.” shpk. Aksionerët e kompanisë janë “Integrated Technology Services sh.p.k.”, “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a. Integrated Technology Services është një kompani shqiptare, me aksioner 100% Klodian Zoto, e cila është krijuar në vitin 2010 dhe ndërkohë operon në Elbasan, në Kantierin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane. Në mars të vitit 2017, kompania, që deri atëherë kryente kryesisht “Shërbime kalibrimi si dhe ngritje laboratorësh, investimin, shërbime metrologjike”, ka shtuar si objekt të aktivitetit edhe “Ndërtime impiantesh teknologjike, impiante të prodhimit të energjisë së rinovueshme, landfillesh për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme, ndërtime të impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (incenerator). Për vitin 2016, ajo ka deklaruar të ardhura prej 1.3 miliardë lekësh (rreth 10 milionë euro), në katërfishim në raport me vitin e mëparshëm. Kompania kishte një total asetesh prej rreth 1.1 miliardë lekësh, nga të cilat rreth 90% ishin afatshkurta. Dy kompanitë e tjera “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a. janë italiane. “Paul Wurth Italia s.p.a” Paul Wurth Italia S.p.A., me seli në Genova, është integruar Grupin Paul Wurth në korrik të vitit 2005, si rezultat i blerjes së furrës së shkrirjes, furrës së qymyrit dhe aktiviteteve direkte të ish-SMS Demag S.p.A. Ajo është e përqendruar në menaxhimin e projekteve të mëdha për ndërtimin e impianteve të integruara, si dhe në ekzekutimin e shërbimeve inxhinierike, në fushën e furrave të shkrirjes, karbonizimit të qymyrit dhe prodhimit të hekurit.

Pensioni mjafton vetëm për bukë dhe ilaçe

Nga Ledina Loga

Kimete L. në 10 korrik të vitit 2016 festoi ditëlindjen e saj të gjashtëdhjetë. Prej gati një viti ajo është njëra prej pensionisteve të Tiranës.
Për shkak të reformës së pensioneve, që ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit të saj, Kimetja mundi ta përfitonte pensionin kur mbushi 60 vjeç e katër muaj. Ndërsa të gjitha gratë që mbushin 60 gjatë 2017-ës do të presin edhe 6 muaj të tjerë për të dalë në pension.
Reforma për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, ka në bazë rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025. Rritja do të bëhet në mënyrë graduale, duke e zgjatur daljen në pension me 2 muaj çdo vit.
Pas 15 vitesh, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.
Kimetja tregon se ka filluar punë që në moshën 15-vjeçare, ndërsa shkollën e mesme e kreu natën, megjithëse ishte nxënëse shumë e mirë.
“Kam filluar të punoj shumë e re, ndihem e lodhur. Shpresoj që ta gëzoj pensionin disa vite”, thotë ajo, duke na rrëfyer se në maj të këtij viti ka tërhequr pensionin e parë, 11,800 lekë në muaj. Që nga maji, kjo është kuota ime mujore, shton zonja Kimete.
Sipas të dhënave statistikore nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, të ardhurat mesatare mujore për pensionistët e qytetit janë 16,400 lekë, ndërsa për pleqtë e fshatit 9,100 lekë. Ndërsa koha mesatare e gëzimit të pensionit, për të dyja gjinitë është 22 vite e gjashtë muaj.

Burokracitë në zyrat shtetërore

Për 24 vite, ajo punoi në shtet si vinçiere në ndërtim (në përiudhën komuniste) dhe 10 vite si e vetëpunësuar. Pas mbushjes së moshës për pension, ajo nisi procedurat për përfitimin e pensionit.
“Pranimi i dokumentave është i menjëhershëm, mirë po procedura për të marrë librezën e pensionit ishin shumë të gjata. Procedurat zgjatën mbi shtatë muaj. Po sikur të mos kisha të ardhura të tjera me çfarë do të jetoja?!”- tregon ajo.
Ndërkohë që sipas statistikave të ISSH, koha mesatare për përpunimin e kërkesave të pensioneve të pleqërisë është 21 ditë.
“Pensioni duhet të më dilte 15,000 lekë, por duke qenë se ishin djegur dokumentet e ndërmarrjes nuk arrita të vërtetoj 6 vite të punës në ndërtim, të cilat megjithëse janë në librezë të vulosura nuk më njihen”, thotë zonja Kimete.
Kohët e fundit është rritur numri i çështjeve të pensioneve në Gjykatën Administrative, e cila numëron 2,754 rekorde, ku pjesa më e madhe kanë si objekt kërkesen për rillogaritje të pensionit dhe si të paditur Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, si dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Një prej tyre është edhe A.I., i cili ka paditur Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, me objekt padie rillogaritjen e pensionit. Megjithëse e ka depozituar këtë padi që korrik të 2014-ës, vendimi është dhënë në shkurt të vitit 2016, thuajse dy vite më vonë.
Gjykata ka bërë pranimin e pjesshëm të paditësit dhe ka detyruar me vendim Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të paguajë difererencat e papaguara, të cilat përllogariten në shumë e 500 mijë lekëve të reja.

Çfarë ka brenda shportës së shtëpisë së një pensionisti

Çdo muaj Kimetja tërheq pranë zyrave të Postës 8 pensionin e saj të pleqërisë, vetëm 11,800 lekë. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT për shpenzimet e familjeve sipas grupmoshave, gjysma e të ardhurave e moshës mbi 60 vjeç shkon për ushqim dhe pije jo-alkoolike, më saktësisht 50.9 për qind.
Sipas parashikimeve të INSTAT, Kimetja duhet të shpenzojë 6,000 lekë në muaj për ushqime, ose 200 lekë në ditë.
Ajo rrëfen për Citizens Channel se e shikon të pamundur që të jetojë e vetme. Ajo ka dy djem, të cilët e ndihmojnë që të mbyllë të gjitha nevojat që ka.
Ndërsa ushqimet zënë pjesën më të madhe të buxhetit të një pensionisti, rreth 4.5 për qind e zënë shpenzimet për shëndetësinë.
Me moshën fillojnë edhe problemet me shëndetin. Aktualisht zonja Kimete çdo muaj blen ilaçet për të kuruar Osteoporozën, të cilat i kushtojnë 4,000 lekë apo 33% e pensionit mujor.
“Fatkeqësisht ilaçet që marr unë nuk janë të rimbursueshme”.
Në mars të këtij viti, i cili përkoi edhe me zgjedhjet e përgjithshme, hyri në fuqi ligji që i rriste pensionet me 3 për qind, një rritje mesatare prej 450 lekësh për qytetin dhe 250 lekësh për fshatin.

Jo të gjithë janë aq me fat

Xhaferr Suçi, ish-minator, pas daljes në pension të parakohshëm vijoi të punonte.
“Megjithëse puna në minierë më kishte lodhur nuk pata zgjidhje tjetër”, tregon ai kur pyetet pse vazhdoi punën, pasi mbushi vitet e pensionit.
Zoti Suçi punoi si roje nate në një firmë ndërtimi.
Të shumtë janë ata që kanë zgjedhur të vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension. Një pjesë e kanë bërë për pasion ndaj profesionit, ndërsa një pjesë jo me aq fat sa zoti Suçi e kanë bërë për të përballuar jetesën “e shtrenjtë” të Tiranës.
Punësimi i individëve që kanë dalë në pension preferohet nga biznesmenët që duan të punojnë në informalitet, pasi një pensionist nuk bën presion që t’i paguhen kontributet, duke qenë se i ka plotësuar vitet e pensionit dhe i intereson vetëm pagesa mujore.

Situata aktuale dhe “kriza” e skemës së pensionit

Pensionet përbëjnë rreth 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri. Në 100 lekë shpenzime që kryen qeveria, tetë lekë shkojnë për pensionet. Ndërkohë që sistemi ka një normë tepër të ulët varësie (përfitues-kontribuues), prej 1.19. Norma e varësisë shprehet si raport i numrit të kontribuesve dhe numrit fizik të pensioneve.
Në 2016-ën sipas të dhënave të INSTAT në qytet numëroheshin plot 363,664 pensione pleqërie, ndërsa në fshat 124,378, ndërsa numri i kontribuesve 718,070.
Një nga shqetësimet kryesore që po përballet sot Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e Europës Juglindore është plakja e popullsisë dhe emigracioni.
Me rritjen e moshës së popullsisë rritet numri i përfituesve dhe ulet numri i popullsisë së aftë për punë, duke rritur kështu shpenzimet për pensionet.
Emigracioni, gjithashtu shoqërohet me rënien e bazës së kontribuuesve.

Numri i të moshuarve po rritet me shpejtësi

Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore, norma e varësisë së moshës së tretë në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ardhur në rritje, por Shqipëria është vendi që ka pësuar rritjen më të madhe në harkun e dhjetë viteve. Ky tregues mat raportin e popullsisë mbi 65 vjeç me popullsinë 14-65 (popullsinë e aftë për punë).
Për vitin 2016 në 100 individë të aftë për punë janë 18 mbi 65 vjeç, ndërkohë që ky raport 10 vite më parë ishte 13 të moshuar në 100 individë të aftë për punë, duke pësuar një rënie me 34 për qind.
Në rajon normën më të lartë të kësaj varësie e mban Serbia, ku në 2016-ën për 100 individë të aftë për punë ka 26 mbi moshën 65 vjeç. Në vend të dytë dhe të tretë renditen Bosnja dhe Mali i Zi, ku raporti është përkatësisht 22 dhe 20 për 100 individë të moshës 14-65.
Popullsia e moshuar botërore po rritet me një shpejtësi të paprecedentë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore rreth 8.5 për qind e popullsisë globale janë më të mëdhenj se 65 vjeç. “Vjetërimi” i popullatës është një nga trendet më domethënëse të shekullit të 21, ku 1 në 8 persona në botë janë mbi 65 vjeç, ndërsa normat e lindshmërisë pësojnë rënie të vazhdueshme nga viti në vit.
Sipas të dhënve që raporton Eurostat 12.9% e popullsisë në Shqipëri është mbi 65 vjeç. Megjithëse norma është ndër më të ultat në Europë, na raport citohet se kjo grup moshë po rritet me shpejtësi.

 

Zona Ekonomike Rajonale: Një mirazh i BE-së?

Vincent W.J. van Gerven Oei

Më 26 gusht, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn mori pjesë në një takim joformal të organizuar nga Kryeministri Edi Rama për homologët e tij në Ballkan: Kryeministrat e Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Takimi u fokusua pjesërisht në projektin e formimit të Zonës Ekonomike Rajonale (ZER), të dakorduar gjatë Samitit të fundit të Triestes.
Gjatë një konference për shtyp pas takimit, Komisioneri Hahn deklaroi se, “zbatimi i zonës ekonomike rajonale është çelësi për të hapur mundësi për miliona njerëz dhe për të nxitur [vendet] drejt rrugës evropiane”.
Me fjalë të tjera, Zona Ekonomike Rajonale është një plan i nxitur nga BE për të mbajtur “të zënë” Ballkanin Perëndimor deri sa shumica e qytetarëve të BE-së të mos jenë kundër zgjerimit dhe pakënaqësia populiste që ushqen frymën kundër zgjerimit të BE-së të zhduket pa lënë gjurmë.
Sipas Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, i cili parashikohet të zbatohet deri në vitin 2023, shkruhet se Zona e Përbashkët Ekonomike:
“[….]do të mundësojë rrjedhjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punësimit me kualifikim të lartë, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, duke përshpejtuar afrimin me BE dhe duke sjellë prosperitet për të gjithë qytetarët e saj”.
Një përfundim deri-diku i vërtet që mund të nxirret nga leximi i Planit të Veprimit është që Ballkani Perëndimor tashmë është një grup mjaft homogjen, me probleme strukturore të ngjashme. Por, nuk janë dallimet ekonomike ato që kërcënojnë zbatimin e Planit të Veprimit, por janë marrëdhëniet politike, si me BE-në ashtu dhe midis gjashtë vendeve.
Le të fillojmë me marrëdhëniet e gjashtë shteteve me BE-në:
Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë filluar bisedimet për anëtarësim në BE, Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate, ndërsa Bosnja dhe Kosova janë shtete të mundshme për të marrë në të ardhmen statusin e kandidatit.
Serbia dhe Mali i Zi ka shumë mundësi të bëhen anëtarë të BE-së përpara katër vendeve të tjera. Kjo nënkupton që, fati politik i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk është i lidhur me njëri-tjetrin, vendet nuk varen nga njëri-tjetri për ta bërë zonën e përbashkët ekonomike të funksionojë. Vendet më afër anëtarësimit në BE janë më pak të motivuara në funksionimin e këtij projekti se sa vendet e tjera. Kjo tashmë ishte e qartë edhe nga përfaqësuesja serbe e dërguar të shtunën në Tiranë, kryeministrja Ana Brnabiç, e cili është e parëndësishme në krahasim me presidentin Aleksandar Vuçiç.
Për më tepër, Serbia dhe Bosnja nuk e njohin ende shtetin e Kosovës, i cili aktualisht është i përfshirë në një mosmarrëveshje kufitare me Malin e Zi. Përpjekjet e fundit të Serbisë për të rihapur një “diskutim të gjerë” mbi njohjen e Kosovës, e cila ende është pa një qeveri funksionale, nuk po përparon në asnjë drejtim. Ndërkohë, Serbia ende bllokon linjën e interkonjeksionit elektrik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu kohët e fundit, Maqedonia dhe Serbia kanë konfliktin e tyre diplomatik, burimi i të cilit është ende çështje diskutimi.
E gjithë kjo do të thotë se, Bashkimi Europian – i paaftë për të mësuar nga gabimet e veta-po përdor integrimin ekonomik si një rrugë drejt integrimit politik, si për marrëdhëniet brenda Ballkanit Perëndimor ashtu edhe me BE-në. Kriza greke, si dhe rritja e pakënaqësisë së grupeve populiste në BE, duhet t’i kenë treguar burokratëve të BE-së se ngërçi ekonomik dhe zhvillimi i një tregu të vetëm nuk i bënë dallimet politike midis vendeve të BE të zhduken. Në fakt, duket se ato theksohen më tepër.
Duke i detyruar të njëjtin “proces të integrimit” në Ballkanin Perëndimor, BE po luan një lojë të rrezikshme: rrugët asimetrike të pranimit në BE, tensionet e vazhdueshme politike e etnike dhe tregjet që janë të përcaktuara nga informaliteti dhe korrupsioni i përhapur nuk mund të zgjidhen si me magji, duke hequr “burokracinë” dhe duke “hapur” tregjet. Në vend të bashkëpunimit, ai do të kthehet në një skenar ku fituesi (vendet afër anëtarësimit në BE) i merr të gjitha, dhe humbësit do të kenë edhe më pak nga ç’kishin më parë.

 

Antikomunistët, bashkë kundër xhelatëve të komunizmit

Ish te perndjekur politike, duke protestuar ne Bulevardin "Deshmoret e Kombit", ne diten e 100 vjetorit te lindjes se diktatorit komunist Enver Hoxha, ku kane kerkuar hapjen e dosjeve te krimineleve te kohes se diktatures dhe denimet e tyre.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Nebil Çika zhvilloi sot (e martë 29.08.2017) një takim pune me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në zyrën e këtij të fundit në Tiranë. Biseda pati si temë kryesore zhvillimet më të fundit politike në vend veçanërisht përpjekjet për instalimin në pushtet e qeveri të ish-drejtuesve të lartë të diktaturës, pjesëtarë të Sigurimit famëkeq të Shtetit dhe pinjollëve politikë e biologjikë të xhelatëve të ish-shtetit komunist.
Në bisedë u ra dakord që kreu i PD-së, grupi i saj parlamentar, strukturat politike të mbështesin përpjekjet e të përndjekurve antikomunistë kundër rikthimit në edhe de jure në pushtet të ish-komunistëve.
Çika kërkoi nga Basha që PD-ja të theksonte orientimin e saj ideologjik antikomunist, gjë që duhet konkretizuar në aksion politik dhe program. Zoti Basha rikonfirmoi mbështetjen e tij dhe PD-së për të përndjekurit politikë të komunizmit, duke premtuar një vëmendje më të shtuar për problemet e tyre, duke riparuar gabime apo devijime të vëna re në të shkuarën.
Bashkëbiseduesit theksuan se të përndjekurit politikë të komunizmit janë pjesë thelbësore politike e elektorale e PD-së dhe kjo konkretizohet fakti që 12 deputetë të grupit të saj parlamentar dhe dhjetëra drejtues të tjerë të saj, qendrore e lokale, vijnë nga kjo shtresë.
Çika dhe Basha theksuan rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushte midis Shoqatës Antikomuniste dhe PD-së, një marrëdhënie që do të jetë më e konsoliduar dhe më e konkretizuar në vazhdim.
Dje Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë nëpërmjet një Promemorie i kërkoi Kreut të Shtetit, krerëve të partive politike parlamentare dhe Trupit Diplomatik të reagojnë për të penguar zgjedhjen e ish-ministrit të Brendshëm të diktaturës komuniste Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit. Reagimi i parë, siç pritej erdhi nga kreu i PD-së Basha që u konkretizua me takimin e sotëm të vlerësuar nga palët si “shumë të rëndësishëm”.

Tre vendet e BE shqetësim për emigrantët nga Shqipëria

Tre shtete të rëndësishme evropiane kanë theksuar në mënyrë të vazhdueshme, kohët e fundit, se azil kërkuesit shqiptarë po kthehen në problem serioz në Evropë.
Holanda, Gjermania dhe Franca me anë të ambasadorëve, institucioneve të rendit publik apo dhe me nisma informuese i kanë bërë thirrje shqiptarëve se kërkimi i azilit në këto vende nuk është zgjidhje, pasi asnjë kërkesë nuk pranohet.
Franca ka shprehur pak ditë më parë shqetësim për azil kërkuesit shqiptarë, për faktin se ajo gjendet përballë një situate tejet të vështirë, në pamundësi që t’i strehojë në qendrat e posaçme për refugjatë, pasi ato janë tashmë të mbingarkuara.
Në muajin e ardhshëm, ministri i Punëve të Brendëshme të Francës, Gérard Collomb do të vizitojë Shqipërinë për të biseduar me qeverinë lidhur me mundësitë për të frenuar largimin e shqiptarëve drejt Francës.
Ambasadorja gjermane Suzanne Schutz, një ditë më parë, në një intervistë, theksoi se 100 për qind e kërkesave për azil të shqiptarëve në Gjermani refuzohen, pasi Shqipëria klasifikohet si vend i sigurtë origjine – në Shqipëri jeta e qytetarëve nuk rrezikohet nga lufta apo gjendje të tjera emergjence.
Qytetarët e vendeve të sigurta të origjinës riatdhesohen pothuajse automatikisht nga institucionet e emigracionit të vendeve pritëse dhe, në përgjithësi, me detyrimin për t’u larguar menjëherë prej tyre.
Ambasadorja njoftoi se e vetmja mundësi për shqiptarët që të jetojnë në Gjermani është një kontratë pune me institucionet apo kompanitë gjermane.
Gjermania, njësoj si Franca, e konsideron Shqipërinë vend të sigurtë origjine, ndaj kërkesat e shqiptarëve për azil nuk pranohen.
Holanda, është një tjetër vend evropian, i cili ka ngritur shqetësimin e rritjes së numrit të azil kërkuesve shqiptarë. Holanda është deri më tani shteti që ka marrë masa më konkrete për të ndalur azilkërkuesit shqiptarë. Pak ditë më parë, nisur nga rritja e numrit të azilkërkuesve dhe kriminalitetit nga shtetasit shqiptarë në Holandë, Policia dhe Prokuroria holandeze i dërguan një memorandum Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë ku argumentuan se rivendosja e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë mund ta parandalojë këtë fenomen.
Në prill 2017, ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Bert Koenders, vizitoi Tiranën dhe diskutoi për emigracionin dhe riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë me homologun e tij.
Ministri Koenders, njoftoi gjithashtu se Holanda do të bëjë fushatë informuese për të bindur shqiptarët të mos emigrojnë drejt Holandës, sepse nuk kanë asnjë të ardhme aty.
Ligjërisht ekziston mundësia që këto shtete të kërkojnë nga Komisioni Evropian pezullimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Mekanizmi i pezullimit për marrëveshjet e liberalizimit të vizave, duke përfshirë atë me Shqipërinë, rregullohet përmes Rregullores së BE-së 1289/2013. Sipas kësaj rregulloreje, përjashtimi nga regjimi i vizave për një vend të tretë mund të pezullohet përkohësisht, kur kemi të bëjmë me “një situatë emergjence”. Një situatë e tillë mund të ndodhë për shkak të rritjes së papritur të emigrantëve të parregullt, kërkesave për azil apo kërkesave të refuzuara për ripranim.

Basha: Tekstet shkollore për klasën e parë rriten me 33%

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka denoncuar me shifra konkrete dje se si çmimet e shitjes së teksteve shkollore për klasën e parë janë rritur me 33%, kosto kjo që rëndon buxhetet e familjeve shqiptare krahas nivelit të ulët ekonomik, taksave të rritura e papunësisë. Përmes një reagimi të shpërndarë në media, Basha solli dy shembuj krahasues se si janë rritur çmimet e tekstet shkollore për vetëm klasën e gjashtë, duke sjellë në vëmendje çmimet për vitin shkollor 2012-2013 dhe të vitit të kaluar 2015-2016, sipas shifrave rezulton se çmimet e teksteve shkollore janë rritur me 23%.
“Mijëra prindër dhe nxënës vazhdojnë radhët e gjata për tekstet shkollore anembanë vendit. Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm jo vetëm nuk jepen falas, por janë shtrenjtuar çdo vit.
Dy shembuj: paketa e librave të detyrueshëm për klasën e parë është shtrenjtuar me 33% këto 4 vjet, nga 11 mijë e 790 lekë në vitin shkollor 2012-2013 në 17 mijë e 760 lekë në vitin shkollor 2015-2016.
Për të njëjtën periudhë, paketa e librave të detyrueshëm për klasën e gjashtë është rritur me 23 për qind, nga 38 mijë e 70 lekë në 48 mijë e 920 lekë” është shprehur kreu i PD.
Kreu i PD, Basha denopncoi rrënimin dhe shpërfilljen ndaj sistemit arsimor në vend ndërsa edhe njëherë bëri thirrje dhe theksoi rëndësinë e shpërndarjes së teksteve shkollore për arsimin e detyrueshëm.
“Kjo rritje çmimesh ka rritur barrën ndaj prindërve, e cila rëndon edhe më shumë sepse të ardhurat reale mesatare të familjeve shqiptare kanë rënë prej inflacionit dhe ngrirjes së pagave.
Shpërfillja e arsimit është dëm i pariparueshëm për të ardhmen e vendit. Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Për këtë, mjafton që qeveria të investojë për libra dhe mjete shkollore paratë që çon për fasada ministrish dhe luks qeveritarësh”, thotë Basha.

Rritja e çmimeve nga Ministria e Arsimit

Çmimet e teksteve të reja, të cilat iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2017-2018, propozohen nga subjektet dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas metodologjisë së mëposhtme: Çmimet e teksteve dorëzohen nga subjektet në MAS, në zarf të mbyllur, sipas udhëzimeve përkatëse dhe i nënshtrohen procesit të vlerësimit. Pas përfundimit të afatit të dorëzimit dhe vlerësimit të teksteve, Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore, i ngritur në MAS, në prezencë të shtëpive botuese apo subjekteve, bën hapjen dhe leximin e çmimeve të propozuara për tekstet nga subjektet dhe një kopje të procesverbalit të hapjes e vë në dispozicion të palëve pjesëmarrëse në proces. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe renditjes së teksteve, për tekstet që rezultojnë fituese, MAS bën përllogaritjen dhe vlerësimin e çmimit mesatar aritmetik, ose çmimit tavan të teksteve të miratuara. Çmimi mesatar aritmetik ose çmimi tavan përllogaritet si shumatore e çmimit të teksteve fituese për një tekst të caktuar, pjesëtuar me numrin e teksteve fituese. Ky çmim tavan aplikohet për ato tekste, për të cilat çmimi i propozuar nga subjekti e tejkalon çmimin tavan, ndërsa për tekstet e ofruara me çmim poshtë çmimit tavan do të shiten me çmimin e ofruar nga subjekti.

Shqetësimi i prindërve

Janë vet prindërit ata që ngrejnë shqetësimin, ndërsa deklarojnë se këtë vit pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nis ditën e hënë. Ndërkohë shkollat kanë afishuar listat me librat që prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve dhe çmimin përkatës që varion nga 1,825 lekë për klasat e para në 4.295 lekë për klasat e 9. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, të afërmit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme. “Librat shkojnë 60 mijë lekë. Ka dhe shpenzime të tjera, jo fletore, jo lapsa, mjete të tjera, domethënë 100 mijë lekëshi, dhe i bie barabartë me 2/3 e pensionit tim. Është e vështirë për t’u përballuar, do rrimë pa bukë, t’i japim fëmijës librin”, shprehet një qytetar. Shumica e familjeve shqiptare, këtë çmim të librave zor se e përballojnë. Shpërndarja e librave në pikat e librarive pranë shkollave ka përfunduar tashmë dhe pritet pajisja e nxënësve, të cilët nisin në datë 11 shtator vitin e ri shkollor.

Të shtunën e 9 Shtatorit nis punën Parlamenti i ri

Preisdenti Meta ka dekretuar mbledhjen e Parlamentit të shtunën e 9 Shtatorit në orën 10:00.

Raprezalje e shtetit policor ndaj gazetës kritike me Ramën “Koha Jonë”

Forca të shumta policore rrethuan në orët e para të mbrëmjes së të hënës redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Makina e efektivë të shumtë ia behën në dyert e gazetës që njihet për qëndrimet e saj kritike ndaj qeverisë Rama. Ndërsa botuesi i saj, Nikollë Lesi, u shoqërua në Komisariatin nr 2.

Arsyeja është një kontroll të dokumentacionit në lidhje me vendosjen e një shkalle emergjence. Por botuesi Nikollë Lesi thotë se ky ishte një pretekst “për t’i treguar dhëmbët” gazetës pas hkrimeve kritke ndaj një pjese të ministrave dhe kryeministrit Rama.

Policisë i është vënë në dispozicion leja e firmosur nga Bashkia e Tiranës për të vendosur shkallën e emergjencës, por efektivët e saj e kanë injoruar atë, sipas botuesit Lesi. Çka i shton dyshimet për qëllimin e rrethimit të redaksisë së gazetës.

“Ishte si në filma, dje.U sqaruan policët se ishte një shkallë prej hekuri për emergjencën e punonjësve dhe gazetarëve (në rast zjarri) dhe se kishte leje të firmosur nga drejtori i përgjithshëm i drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit urban në bashkinë e Tiranës, zoti Ditjon Baboçi. Iu tregua urdisë së policisë, leja e firmosur nga Bashkia, por ndërhynë duke bërë kontrolle në mjediset e zyrave, sepse sipas tyre “leja nuk ështe e rregullt”! Deri këtu nuk kishte ndonjë gjë për tu shqetsuar, pasi mund të ishte verifikim dhe shumë mirë që bëhet, ndonëse prezenca e kaq shumë makina policie, mu para redaksisë së gazetës, të krijonte një shije jo të mirë. Pas insistimit të palës së gazetës se derisa leja është në rregull nuk keni pse bëni spektakël me sirena policie e uturima makinash nga policia, ku natyrisht nuk mungonin edhe makinat e policisë bashkiake të Tiranës.

U thamë që të lidhen me bashkinë e cila ka dhënë lejen për këto shkallë hekuri ( të cilat janë të zmontueshme) për raste zjarri, brenda territorit të redaksisë, por përgjigja ishte se “ dyshojmë se është fallso” dhe më pas “se kjo leje nuk na ka ardhur ne si kontroll”! Ç’punë kemi ne si redaksi të njoftojmë çdo institucion në Shqipëri se Erion Veliaj na ka dhënë leje për këto dreq shkallësh prej hekuri!”, shkruan Lesi në një reagim në “Koha Jonë”.

Botuesi është shoqëruar në polici ku ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me çështjen. Më pas është lënë i lirë. Sipas tij, veprimet represive janë të qëllimshme për shkak të linjës editorial, ishin paralajmëruar.

“Na ishte thënë  nga këshilltarët e tij se “po kaloni vijën e kuqe ndaj kryeministrit”, por nuk besonim se do arrinte deri këtu, që të rrethojë redaksinë me polici”, shkruan Lesi.

Policia nuk ka mundur të vërtetojë pretendimet e saj se leja është false. Po të rezultonte e falsifikuar, botuesi do të ishte dërguar për ndjekje penale. Verifikimin nëse leja ishte e falsifikuar ose jo, policia mund ta kishte kryer përpara aksionit të saj. Por nuk ka ndodhur. Botuesi Lesi e tregon kështu të gjithë ndodhinë, në një shkrim të botuar në “Koha Jonë”.

RREFIMI I PLOTE

-Reagim inatçor dhe banditesk i njërëzve të kryeministrit Rama pas shkrimeve kritike ndaj qeverisë dhe zyrtarëve të korruptuar të administratës ekzekutive.

-Një kujtesë për kryeministrin Rama: Gazeta “Koha Jone” ka provuar e përballuar dhunën dhe djegien e pushtetit të ish-presidentit Berisha si dhe presionin dhe gjyqet e ish-kryeministrit Nano. Ndaj kujdes zoti Edi Rama, pasi dikur keni qenë edhe vetë gazetar dhe analist i kësaj gazete të lirë.

Nuk donim të ndodhte kjo që ndodhi, kur redaksia e gazetës “Koha Jone” u rrethua me polici, sikur të ishte një vend kriminal apo një organizatë terroriste. Kishte shumë makina e forca policie të policisë së shtetit. Ndonëse ishte një pretekst nga pushteti se gjoja po bënim një “ndërtim pa leje”, por në thelb ishte për të treguar dhëmbët ndaj “Koha Jone”, pas shkrimeve kritike ndaj një pjese të ministrave dhe kryeministrit Rama. Në një kohë që një pjesë jo të vogël të medias e ka futur nën kontroll interesash lejesh ndërtimi dhe interesa të tjera financiare, gazeta “Koha Jone”, pa pretenduar për kohët e saj të arta kundër Berishës së I-rë dhe Nanos së II-të, është munduar të jetë realiste. Por me sa duket qëndrimet editoriale të “Koha Jone” nuk janë pëlqyer nga Edi Rama. Na ishte thënë  nga këshilltarët e tij se “po kaloni vijën e kuqe ndaj kryeministrit”, por nuk besonim se do arrinte deri këtu, që të rrethojë redaksinë me polici. Ishte si në filma, dje.

U sqaruan policët se ishte një shkallë prej hekuri për emergjencën e punonjësve dhe gazetarëve (në rast zjarri) dhe se kishte leje të firmosur nga drejtori i përgjithshëm i drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit urban në bashkinë e Tiranës, zoti Ditjon Baboçi. Iu tregua urdisë së policisë, leja e firmosur nga Bashkia, por ndërhynë duke bërë kontrolle në mjediset e zyrave, sepse sipas tyre “leja nuk ështe e rregullt”! Deri këtu nuk kishte ndonjë gjë për tu shqetsuar, pasi mund të ishte verifikim dhe shumë mirë që bëhet, ndonëse prezenca e kaq shumë makina policie, mu para redaksisë së gazetës, të krijonte një shije jo të mirë. Pas insistimit të palës së gazetës se derisa leja është në rregull nuk keni pse bëni spektakël me sirena policie e uturima makinash nga policia, ku natyrisht nuk mungonin edhe makinat e policisë bashkiake të Tiranës.

U thamë që të lidhen me bashkinë e cila ka dhënë lejen për këto shkallë hekuri ( të cilat janë të zmontueshme) për raste zjarri, brenda territorit të redaksisë, por përgjigja ishte se “ dyshojmë se është fallso” dhe më pas “se kjo leje nuk na ka ardhur ne si kontroll”! Ç’punë kemi ne si redaksi të njoftojmë çdo institucion në Shqipëri se Erion Veliaj na ka dhënë leje për këto dreq shkallësh prej hekuri!

Kaluan orët dhe nuk iknin, policia. Redaksia e rrethuar dhe çdo njeri që kalonte rrugës pyeste “Çka ndodhur që ka ardhur gjithë kjo polici? Kanë  vrarë ndonjë gazetar?”.

Nuk durova nga kjo skenë teatrale policie dhe presioni, sepse nuk donin të hanin pykë dhe mora personalisht në telefon kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. I sqarova, pasi mund të kishte njëmijë punë si kryebashkiak. Nuk e dinte, siç më tha, por do pyeste, ktheu përgjigje. Ndërkohë policia ruante të rrethuar redaksinë. Nga orët e darkës mora prapë kryebashkiakun Veliaj dhe më tha se ka një process verifikimi nga policia e shtetit. Se çdo verifikonte policia e shtetit te “Koha Jone”, lejen e Erion Veliajt, këtë vetëm pushtetarët tanë e dijnë!

Nuk dha rezultat as ndërhyrja te Erion Veliaj, duke i thënë se leja është dhënë nga bashkia e Tiranës dhe nuk ka asnjë shkelje ligji, siç verteton kur më morën në komisariat, dëshminë, dhe ku “proces verbali” nga vetë  IMT (Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit) firmosi se “ nuk ka asnjë shkelje”.

Por para se të më merrnin në komisariat dëshminë time si pronar dhe si botues i gazetës “Koha Jone”, gjëndja përreth redaksisë u acarua, sepse u shtuan forcat e policisë së shtetit. Ishte një gjendje shtetrrethimi ndaj gazetës, ku një pjesë policësh zgërdhinin dhëmbët gjithë inat e ironi ndaj gazetarëve.

Ndërkohë forcat e policisë morën dy nga punonjësit  që punojnë në godinën e “Koha jone”, pavarësisht se kisha folur me një mori shefash policie në Tiranë që leja është e rregullt dhe se këtë e konfirmon edhe vetë kreu i IMT, zoti Skerdi Drenova. Dhe më pas edhe Erion Veliaj, i cili u tha se leja është në rregull. Nuk kishte se si ndodhte ndryshe, pasi ne e njohim ligjin, sidomos kur shkruan kundër qeverisë me kritika! Policia shoqëronte njërëzit e “Koha jone” për në komisariatin numër dy në Tiranë dhe po më vinte radha edhe mua. Nuk ishte ndonjë frikë apo problem, pasi kam provuar policinë dhe shikun e pushtetit të Berishës së I-rë dhe dhunën e gjyqet e ish-kryeministrit Nano, por gjithsesi një fyerje e madhe, ishte. Të shkoje në polici për “vepër penale” (!) ndërkohë që zbaton ligjin dhe je korrekt më të, ishte paksa siklet, por mu duk si një rikthim në kohët e vjetra. Më lanë kastile duke pritur te polici-roje në komisariat mbi një orë, por e kapërdiva fyerjen, gjithsesi. Ndërkohë që më mbanin nën shoqërinë e policit të komisariatit numër dy në Tiranë, të paktën me dhanë leje të flisja në telefon.

Ishte një gjest bujarie policor!

Mora Endri Fugën këshilltarin për mediat të kryeministrit Rama dhe natyrisht me një ton paksa të ngritur të komunikimit, i shpjegova se jam në polici në pritje të marrjes në pyetje për “vepra penale” (!) dhe i nisa edhe një foto me ëhatsapp, ku dukej fytyra e përvuajtur e një polici që thoshte se nuk na del rroga që na jep Edi Rama. Bile dëgjova edhe më shumë sa ndejta aty në komisariatin e policisë.

-Këtu vijnë disa hallexhi e njërëz pa përkrahje, mor zotni! Ca “të fortë” që merren me drogë i fusin brenda, ndonjëherë, por dalin shpejt se vjen udhër nga lart për ti nxjerrë- thonin aty, kurse polici po më shikonte si hallexhi!

Ndërkohë mora në telefon drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, zotin Haki Çako, i cili, pasi me dëgjoi me seriozitet e dashuri, me tha se nuk mund të ndërhyjë, ju lutem, pasi policia zbaton ligjin. E mbylla telefonin dhe mendova se sa nene të ligjit paskam shkelur me lejen e bashkisë në xhep.

I nisa prapë një sms zotit Endri Fuga, sepse durimi po kalonte çdo cak. Ndërkohë kaluan disa oficerë policie, civilë, nga brenda komisariatit, për të pirë kafen jashtë te një klub mu para meje dhe policit që më ruante.

-Aaa, ky është ai Lesi që shkruan kundër shefit të madh?!- më panë, psonisën dhe dolën për të rrufitur kafenë e darkës.

Dikur erdhi një oficer policie, një djalë i ri, korrekt dhe më mori në pyetje mua (shiko proces verbalin). Fola, firmosa dhe prita. Erdhën dy nga inspektoriati i IMT. Deklaruan dhe firmosën se leja është e rregullt nga bashkia dhe se personi në fjalë (pra unë) nuk ka bërë asnjë shkelje ( shiko proces verbalin). Kjo dihej që kur rrethuan redaksinë, por duhej të më çonin në polici që ta verifikonin!

Prita se mos më mbanin në komisariatin e policisë, por dikush kishte telefonuar se “nxirreni urgjent se do na bëjë zhurmë në  gazetë”! Dola. Te dera më pyeti polici:

-Pse të nxorën?!- dhe ngrysi vetullat.

-Nuk kishte vend sonte, pasi ishin plot e përplot dhomat e paraburgimit- i thashë- Por mund të më sjellin nesërmbrëma- fola dhe seç me hypi një dëshirë të flisja me këtë polic.

-Epo nesërmbrëma nuk e kam unë dezhurnin! E ka Sabriu!- tha polici dhe u ndamë.

Mora zotin Fuga, direkt këshilltarin e LartMdhërisë së Tij Edi Rama dhe i nisa me ëhatsapp se “dola nga policia, jemi 1 me 0 për ju. Por do barazoj shpejt!”.

Ika për në redaksinë e gazetës. Ndërkohë edhe dy të tjerët i lëshuan, pasi nuk kishim shkelur asnjë ligj.

Ishte thjesht një test presioni. Dhe kjo vjen pas një kontrolli dhe survejimi të agjentëve të SHISH, të Visho Ajazit, para disa javëve, fakt të cilin e publikuam. Agjentët u filmuan dhe fotografuan në barin e gazetës “Koha Jone”, te redaksia, ndërsa kishin pyetur se kush hyn e del në zyrat e gazetës “Koha Jone”, kush i bën shkrimet kritike si dhe ishin përpjekur për të marrë dokumenta nga administrata e gazetës. Këtë e denoncuam publikisht, ndërkohë video e agjentëve të SHISH ndodhet në zyrat e gazetës dhe do të bëhet publike se shpejti.

Pak a shumë kështu vepronin edhe pushteti i Berishës dhe i Nanos, dikur. Por ky, Rama, të paktën nuk të djeg apo nuk të hedh në gjyq!

Të paktën për momentin…

Nikoll Lesi