Rama po mbron trashëgiminë e tij mizore
Sali BERISHA
Me emërimin e Ruçit në krye të Parlamentit, neo-bllokmeni Edi Rama mbron trashëgiminë e tij mizore familjare!
Të dashur miq, timonieri zgjodhi sot si zëvendës timonier, ish-ministrin e Sigurimit të Shtetit të diktaturës hoxhiste, Gramoz Ruçin. Duke emëruar Gramoz Ruçin në krye të legjislativit shqiptar, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama fyen e poshtëron qindra mijëra viktima që përjetuan kalvarin e persekutimit, dhunës, torturave mizore, burgosjes, internimit, ekzekutimit, zhdukjes gjatë diktaturës të etërve mizor të tij.
Me këtë akt, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama legalizon rikthimin e plotë të xhelatëve të sistemit diktatorial dhe dëshmon se ai është krenar me të shkuarën e etërve të tij. Duke emëruar në krye të Parlamentit të vendit Gramoz Ruçin, ish- ministrin e policisë sekrete të diktaturës hoxhiste, në një rast unik pas rënies së perdes së hekurt në Europën ish-komuniste, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama u thotë qindra mijëra viktimave të sigurimit terrorist të shtetit se ju keni merituar plotësisht barbaritë, masakrat, toruturat, persekutimin, genocidin që ky institucion kriminal i diktaturës hoxhiste ushtroi për 46 vjet me rradhë ndaj tyre.
Duke vendosur në krye të Parlamentit ish-ministrin e Sigurimit të Shtetit, neobllokmeni Edvin Kristaq Rama i ka mbrojtur trashëgiminë e tij të zezë familjare. Ai i thotë familjes së të ndjerit Havzi Nela, se i ati i tij Kristaqi ka vepruar drejt që ka firmosur varjen publike të Havziut dhe ekzekutimin e shumë të tjerëve.
Me këtë akt të pashembullt, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama iu shpall publikisht luftë qindra mijëra viktimave të diktaturës hoxhiste dhe mbarë shqiptarëve, që me revolucionin e tyre demokratik paqësor të viteve ‘90, përmbysën në Shqipëri diktaturën e etërve të tij barbarë.
Ju bëj thirrje shqiptarëve të bëhen gati për t’i dhënë sa më parë përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës për këtë akt poshtërues ndaj tyre!
Meta dekreton Shefin e Shtabit të Përgjithshëm
Presidenti i Republikës Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dekretoi sot Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçakun në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Kollçaku në karrierën e tij të gjatë e të spikatur ushtarake, pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në vitin 1990 si oficer zbulimi taktik, ka shërbyer si Drejtor i Drejtorisë J5/8 në Shtabin e Përgjithshëm, para se të kryente detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes (AISM) në vitin 2015. Gjithashtu Gjeneral Brigade Kollçaku ka mbajtur edhe pozicione të ndryshme në nivel shtabi brigade (Shef Zbulimi), Drejtor i Drejtorisë J2 dhe Drejtorisë J3 në Shtabin e Përgjithshëm, si dhe Shef Sektori në Drejtorinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, duke shërbyer edhe në pozicione të tjera të rëndësishme në mjedise ndërkombëtare e shumëkombëshe. Në kuadër të NATO-s, detyra e tij e fundit ka qenë Drejtor i Divizionit të Koordinimit dhe Integrimit në Komandën Supreme të Aleancës në periudhën 2013-2014. Nga tetori 1996 deri në prill 1997 me gradën e atëhershme të Kolonelit, Gjeneral Brigade Kollçaku shërbeu si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji. (UNOMIG). Gjeneral Brigade Kollçaku, para se t’i jepej grada madhore aktuale nga Presidenti Meta më 31 korrik 2017, ka ndjekur dhe është diplomuar edhe në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA, Kolegjin e Forcave të Armatosura të Përbashkëta, Kursin e Kombinuar të Inteligjencës Strategjike pranë Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të SHBA, si dhe Kursin Ekzekutiv të Studimeve Strategjike të Sigurisë Evropiane në Qendrën “Xhorxh C. Marshall”.
UNESCO “detyron” qeverinë të anulojë koncesionin në Jabllanicë
Ministria e Energjisë dhe Industrisë është detyruar të anulojë koncesionin për hidrocentralin Bushtrica 4 për shkak se kuota ku ishte parashikuar të ndërtohej ky HEC prekte Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Madje një nga nënzonat më të mbrojtura ajo e Rrajcës, që është futur në hartën e UNECSO si pjesë e Trashëgimisë Botërore duket se ka shërbyer edhe si nxitje për të mos vijuar më tej. Detajet i bëri të ditura vetë Ministria e Energjisë në njoftimin e anulimit të këtij koncesioni. “Drejtoria e koncesioneve, prokurimeve, shpronësimeve dhe privatizimit vendim Nr. 3 datë 16/8/2017 për aulimin e procedurës “dhënie me koncesion e hidrocentralit Bushtrica 4” Në mbështetje të Ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” i ndryshuar, Nenit 24 të Ligjit nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, VKM nr. 575 datë 10.7.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, i ndryshuar, për arsye se: Zona e parashikuar për zhvillimin e projektit në kuotat 1336-820 m.m.n.d në Lumi Bushtricës, sipas koordinatave përkojnë brenda territorit të Parkut Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, ku një pjesë e mirë bie edhe në zonën e përcaktuar si Nënzonë Qendrore e Rrajcës, me shkallën më të lartë të mbrojtjes dhe së fundmi edhe me zonën pyjore që u shpall nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës. Si rrjedhojë, referuar Ligjit për Zonat e Mbrojtura datë Nr. 81/2017, datë 04.05.2017, Neni 16, pika 2 gërma (c) nuk mund të lejohet asnjë lloj aktiviteti njerëzor. Vendos: Anulimin e procedurës konkurruese “Dhënie me koncesion e hidrocentralit “Bushtrica 4””, thuhet në njoftimin zyrtar.
Basha: Detyra e opozitës, të ndalë këtë projekt të zi
Rikthim i elitës komuniste në pushtet dhe thellim i korrupsionit dhe krimit në pushtet është pasqyra e qeverisë Rama 2. Emërimet e Ramës dëshmuan agjendën e tij personale në përftimin absolut të të gjitha fijeve të pushtetit, duke rivendosur dhe vendosur në karriget e ministrave njerëz që komandohen lehtësisht prej tij e që urdhërohen verbërisht ndaj tij.
Rama rimbajti në kabinetin e tij qeveritar një pjesë të mirë të ministrave të përfshirë në megaskandale e afera si Damian Gjiknuri, autor i aferës 600 milionë euro me CEZ, Arben Ahmetaj kryesekserin e Ramës dhe vëllain e tij Olsi Rama në zhvatjen e investitorëve të huaj si dhe personin që mbyll aferat e Ramës dhe klientëve pranë tij.
Pjesë e kabinetit Rama është sërish Lindita Nikolla, e cila do të mbahet mend jo vetëm për projektet-afera qindra miliona euro me njerëzit pranë Ramës, por edhe për shkatërrimin total të sistemit arsimor në vend. Rama rikatapultoi sërish Mirela Kumbaron në Ministrinë e Kulturës, e cila jo vetëm që i hapi rrugë shkatërrimit të objekteve me vlerë kulturore në vend, duke lejuar betonizimin e tyre, por shkatërroi dhe rrënoi tërësisht artin dhe kulturën në vend, duke braktisur tërësisht investimet për to.
Rama la jo pa qëllim Ogerta Manastirliun në Ministrinë e rrënuar të Shëndetësisë nga Ilir Beqja tashmë.
Manastirliu, drejtoresha e devotshme e Ramës që nga koha kur ky i fundit drejtonte Ministrinë e Kulturës e më pas drejtoreshë në Bashkinë e Tiranës ka dëshmuar se e ka merituar besimin e plotë të Ramës në mbylljen e aferave me batërdinë e qindra milionë eurove të vjedhura përmes koncesioneve të kaluara e ato që pritet të vijnë.
Për tallje a për ironi, Rama rimbajti Olta Xhaçkën, të paeksperiencë e të pasprovuar së pari në politikën shqiptare e jo më në punët shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes së një vendi anëtar të NATO. Emërimi i Xhaçkës sot është një tallje dhe fyerje në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare për shkak të mungesës së profesionalizmit të saj. I vetmi kontribut i Xhaçkës në Partinë Socialiste është futja e saj në grevën e urisë së vitit 2010.
Pjesa më e spikatur e emërimeve të Ramës janë pinjollët e diktaturës hoxhiste. Pikërisht pak ditë, pas reagimeve të forta mediatike, të opozitës si dhe vetë shoqërisë për rëndësinë e dënimit të krimeve të komunizmit, Rama solli këto emërime si përgjigjen më të mirë të qendrimit të tij ndaj krimeve të diktaturës. Ai risolli ish-bashkëpunëtorët e diktaturës sërish në pushtet.
Ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës, Gramoz Ruçi, është emëruar zyrtarisht për pozicionin nr.2 të shtetit, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ish-prokurori dhe hetuesi i diktaturës Fatmir Xhafaj rikthehet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Këto emërime jo vetëm që janë një provokim i rëndë për shoqërinë shqiptare, por dëshmojnë më së miri se si Rama e ka shndërruar pushtetin në duart e tij në të njëjtat gjurmë të diktaturës hoxhiste.
Reagimi i Bashës
Kryetari i PD, Lulzim Basha dënoi ashpër emërimet e Ramës në kabinetin e ri qeveritar, duke e cilësuar atë si qeverinë që po konsolidon pushtetin personal të Ramës, si dhe njëkohësisht pozitat e elitës komuniste në pushtet. Basha deklaroi se, qeveria e re është vijimi i thellimit të krimit dhe korrupsionit të qeverisë së vjetër, ndërsa rikujtoi talljen e Ramës me gjoja takimet me popullin në zgjidhjen e problemeve dhe halleve të tyre.
Basha paralajmëroi reagimin e fortë të opozitës në mos lejimin e projektit të Ramës për të shndërruar qeverinë në një vegël që do të punojë në shërbimin absolut të sundimit privat të tij.
“Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes. Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin.
Kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa prej figurave famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse.
Kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish. Kush mendoi se “takimet me popullin” dhe ballafaqimi me hallet e rënduara të njerëzve e bënë Edi Ramën të reflektojë, sot kuptoi që kjo qeveri nuk do jetë kurrë qeveria e popullit dhe nuk do të punojë kurrë për popullin.
Opozita ka detyrën dhe përgjegjësinë që bashkë me qytetarët të mos lejojë të shkojë deri në fund ky projekt i zi për vendin tonë”, u shpreh Basha në reagimin e tij.
Turistët e huaj të zhgënjyer nga pushimet në Shqipëri
Sezoni turistik është në ditët e tij të fundit dhe para se të krenohemi me shifra për numrin e atyre që preferuan të kalonin pushimet në vendin tonë, është me rëndësi të dime se çfarë u kemi ofruar. Cilat janë përvojat dhe përshtypjet e tyre? A do të ndërrmernin sërish rrugën për të na vizituar? Për të krijuar një panoramë mbi nivelin e shërbimit dhe opinionet e turistëve jemi ndalur në një nga websitet me të njohura për komentet mbi hotelet tripadvisor.com. Përpara se të rezervojnë qëndrimin në një hotel shumë i referohen këtij site, që shërben si udhërrëfyes.
Mungesa e infrastrukturës rrugore, mungesa e ujit dhe energjisë elektrike, internetit, sjellja jo e hijshme e personelit të hoteleve, papastërtitë, vjedhjet apo dhe ushqimi jo cilësor janë disa nga ankesat e shprehura prej turistëve të huaj që pushuan në bregdetin tonë.
Po ashtu, kritikat bien edhe mbi mungesën e njohurive për gjuhën e huaj prej personelit, mungesa të makinerive moderne për kryerjen e pagesave e duke përfunduar te zhurmat e shkaktuara nga qentë, mungesa e ashensorit, peshqirëve, madje ankesa shprehen deri dhe te mungesa e letrave të tualetit.
Në Sarandë duket se fluksi i lartë i turistëve nuk arrihet të përballohet nga hotelet, duke shkaktuar kështu mangësi të theksuara në shërbim. Në tripadvisor, një turist nga Luksemburgu përshkruan me nota negative përvojën e tij. Menaxherët e hoteleve nuk ngurojnë t’iu përgjigjen ankesave, madje dhe duke kërkuar ndjesë për problemet që shtrohen, por me shumë gjasa pak shanse ka që vizitori të rikthehet.
Disa kanë mbetur të zhgënjyer nga ushqimi e ca më shumë mëngjesi i ofruar. Por në këtë rast shpesh menaxherët i konsiderojnë ankesa të pavend. Nuk mungojnë rastet kur prej pushuesve italianë përvoja në Sarandë konsiderohet katastrofike.
Nga Afrika e largët, një pushes shprehet se nuk gjeti atë që shpresonte, e ca më tepër atë për të cilën kishte paguar në Shqipëri. Por për një shtetase shqiptare shqetësim përbën kërkesa e stafit të hotelit për dorëzimin e çelësit të dhomës në recepsion.
Shtetas nga Mbreteria e Bashkuar rendisin si shqetësim parësor mungesën e aftësisë në shërbim të personelit të hotelit, ku ata ishtin akomoduar. Nga Australia udhëtoi drejt Sarandës këtë verë por u përball me ato që i cilëson plazhe të neveritshme. Duket se më të kënaqurit kanë dalë nga dyert e hoteleve apo shtëpive të vogla, aty ku vëmendja e pronarëve ka qenë më e lartë.
Një pushues nga Florida, i cili në gushtin e temperaturave të larta ndodhej në Adriatikun e Durrësit shkruan në tripadvisor se për shkak të fëmijëve që lypin mbrëmjeve në plazh nuk ka mundur të shijojë i qetë darkën, por mesa duket as gjumin i shqetësuar kësisoj nga zhurma e një duzine qensh.
Një shtetas shqiptar shton si shqetësim hutimin e kamarierëve. Rinovimi i tualeteve, shtretër më të mirë dhe më tepër peshqirë në dhoma, janë kërkesat që parashtron një turiste në këmbim të një vizite të dytë në Shqipëri. Ndërkohë shtetas nga Virginia dhe Arabia Saudite vlerësojnë mikpritjen shqiptare, teksa ndajnë përshtypje pozitive për qëndrimin në vendin tonë.
Më në Veri, në Shëngjin aty ku mbizotëron turizmi patriotik një shtetase nga Kosova shkruan për varfëri në ushqim dhe çmime të shtrenjta.
Një shtetase nga Suedia tregon se i kanë vjedhur paratë në dhomën ku ishte akomoduar në një hotel të Shëngjinit. Ndërsa një tjetër pushues është përballur me një konflikt mes pronarit dhe kamarierit, ku ky i fundit kërcënohej me jetë.
Ajo që të huajt konstatojnë pas disa orë qëndrimi në Shqipëri është mungesa e një shërbimi cilësor, që duket se është ende larg standardeve të kërkuara. Duket se një pjesë e konsiderueshme e hoteleve kanë si synim parësor sigurimin e të ardhurave maksimale nga turistët sezonalë, dhe jo t’i bindin ata përmes shërbimit që të rikthehen edhe vitet e ardhshme.
Sigurisht jo të gjithë shprehen të pakënaqur. Një turiste nga Finlanda shprehet se Saranda ka përmbushur gjithë pritshmeritë. Përveçse ndajnë të njëjtin det, Jonin, Saranda dhe Vlora duket se ndajnë të njëjtat qejfmbetje nga turistët e këtij sezoni.
Denoncimi, polici kërcënon qytetarin me burg pse filmon
Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje një video në Facebook, ku një polic i thotë qytetarit që kishte ndaluar se, nëse nuk do ta fikte telefonin do ta çonte në komisariat për pengim të detyrës.
Berisha shkruan se, polici e ka kërcënuar qytetarin që të fikë telefonin se e pengonte të bënte detyrën.
“Polici kërcënon qytetarin: Filmimi është vepër penale ndaj mos filmo! Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor. Kjo është video që është bërë tek hyrja te Komuna e Parisit ku polici kërcënon me ndjekje penale pse filmon”, shkruan qytetari.
Maskat plagosin shoferin dhe grabisin makinën në Lushnjë
Maskat ushtrojnë terror në Lushnjë. Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:10, në rrugën Lushnjë-Ballagat, në afërsi të fshatit Garrunjas, dy persona të pa identifikuar, të armatosur, i kanë dalë para dhe kanë hapur zjarr ndaj mjetit tip “Volkswagen” me targë AA 580 IH. Mjeti me targa AA 580 IH drejtohej nga shtetasi D.S, 18 vjeç, banues në Peqin, me të cilin udhëtonin si pasagjerë edhe shtetasit A.Sh, 18 vjeç dhe F.P, 20 vjeç, banues në Peqin.
Si pasojë është plagosur shtetasi D.S, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Personat e armatosur kanë marrë mjetin tip “Volkswagen”, me targë AA 580 IH dhe janë larguar në drejtim të Peqinit. Nga krehja e zonës është gjetur i braktisur në Peqin mjeti tip “Volkswagen” me targa AA 580 IH. Janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe vazhdon krehja e zonës. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, Policia bën me dije se qytetari me iniciale M.N emigrant ka bërë kallëzim se në Gomsiqe të Pukës ka qenë duke udhëtuar me mjet dhe ku në momentin që ka ndaluar, një shtetas i paidentifikuar, të cilin e kishte marrë pasagjer i ka marrë me forcë portofolin, në të cilin kishte dokumentet, rreth 250 euro dhe 1500 lekë. Pas hetimeve, uniformat blu identifikuan autorin dhe e kanë shpallur në kërkim. Ai është me iniciale E.N, nga Karma dhe banues në Tiranë. 40-vjeçari me iniciale E.N është me precedent penal dhe ka qenë i dënuar për vjedhje.
Ekstradohet nga Gjermania shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm
Një 29-vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Gjermania drejt vendit tonë, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm. Ai është Bledar Bushaj, i dënuar për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Bledar Bushaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Më 11 tetor 2013 rreth orës 09:20, në Ishëm të Durrësit 29-vjeçari qëlloi me armë zjarri në drejtim të shtetasve A.B., F.B., dhe V.B., të cilët kanë qenë duke prerë dru për të pastruar vendin ku do të ndërtohej një rrugë. Për pasojë mbeti i vrarë shtetasi A.B., dhe u plagosën dy shtetasit F.B., dhe V.B., (nënë e bir). Ngjarja ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta, ku njëra palë ka kundërshtuar prerjen e pishave. Arrestimi i tij në Gjermani u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Dekonspirohet operacioni i policisë, trafikantët braktisin 146 kg drogë
Dekonspirohet aksioni për kapjen e një trafikanti droge, i cili është kthyer mbrapsht, duke u këmbyer në rrugë me forcat e Policisë, që ishin nisur për ta arrestuar. Siç mësohet, mëngjesin e djeshëm uniformat blu kanë ndërhyrë në terren për të sekuestruar lëndën narkotike në zonën ku ishte raportuar më parë. Sasia e mallit narkotik prej 146 kg ka qenë e destinuar për t’u trafikuar, mirëpo ndërhyrja në kohë e policisë, bëri që plani të dështonte.
Dyshohet se organizatorët do ta trafikonin lëndën drejt Greqisë. Operacioni antidrogë ka kulmuar vetëm me sekuestrimin e sasisë narkotike, ndërkohë që poseduesi i saj është larguar nga vendngjarja përpara mbërritjes së policëve. Të 27 thasët e mbushur me kanabis kanë qenë braktisur në vendin e quajtur Mëllëz, në një hapësirë pranë fshatit Golem të Gjirokastrës. Kanabisi, sipas specialistëve të drogës, ka qenë në trajtën e gjetheve dhe kërcejve. Pas peshimit të saj, droga është sekuestruar, ndërkohë që janë shpallur në kërkim të autorit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, bëhet fjalë për një person, i cili nuk është nga Golemi, por nga një fshat i Gjirokastrës, i cili kishte ardhur për të ngarkuar sasinë narkotike me xhipin e tij. Mirëpo, ardhja e policisë, bëri që ai ta braktiste atë dhe të largohej, duke u shkëmbyer madje edhe me mjetet e policisë që vinin në drejtim të Golemit.
Personi në fjalë është larguar pas një telefonate se në drejtim të zonës po mbërrinin forcat policore. Operacioni u dekonspirua, duke shpëtuar poseduesin nga arrestimi, ndërkohë që policia u mjaftua me sekuestron e kanabisit. Dyshohet se lënda narkotike është kultivuar në zonat përreth vendit, ku edhe u bllokua dje dhe se sasia do të kishte destinacion Greqinë. Për efekt hetimi, Policia nuk e bëri të ditur emrin e personit të dyshuar. Ndërkaq, janë marrë në pyetje disa banorë të zonës përreth, nëse ata kishin parë persona apo mjete të tjera të dyshimta në ditët e fundit.