Ka një çështje Cikalleshi, por mbi të gjitha grupi. Panucci vlerëson kontigjentin që ka në dispozicion me ide të qarta, e nis me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë dhe kërkon fillimin e mbarë, fitore në të dyja ndeshjet. “Mendoj se kam një skuadër të mirë, do të përpiqem t’i transmetoj idetë e mia dalëngadalë. Do të punojmë në atë mënyrë që të mposhtim Lihtensteinin dhe Maqedoninë”, u shpreh Panucci.
Nisja me Lihtenshtejnin nuk mund të vlerësohet, Panucci thekson se në futbollin e sotëm diferencat janë minimale. Preferon të mos zbulojë skemat e lojës, apo numrin e sulmuesve që do të hedhë në fushë edhe pse lë të kuptohet se mund të ndryshojë nga De Biasi. “Secili ka mënyrën e tij të lojës. Unë në bazë të lojtarëve që kam, do të mundohem t’i vë veshjen më të mirë të mundshme për t’i marrë skuadrës më të mirë. Mund të luajmë me skema të ndryshme, varet nga përgatitjet”, tha ai.
Një shpjegim më i detajuar për 3 të thërriturit e rinj, Hysen Memolla, Ivan Balliu dhe Valon Ahmedi. “Më është dashur të bëj disa zgjedhje, sepse Aliji nuk po luan, ndërsa Memolla po aktivizohet rregullisht. E kam parë nga afër Balliun, është shumë i mirë në aspetin atletik, por duhet të rritet. Luan Te Metz dhe meriton të grumbullohet. Ahmedi është një lojtar që luan me të majtën, shumë i fortë në lojën një kundër një, nuk kemi shumë lojtarë të tillë, prandaj vendosa ta grumbulloj”, tha Panuci.
Pikat mbi I për një sërë çështjesh duke nisur nga ajo e shiritit të kapitenit. “Kapiten do të jetë ai që ka më shumë ndeshje me kombëtaren. Unë kam qenë një herë kapiten, pasi ishin dëmtuar gjithë të tjerët dhe më qëlloi të isha unë kapiten i Italisë”, tha ai.
Berisha dhe Strakosha po shkëlqejnë në Serinë A, por a ka ndryshim në hierarkinë e portës? Panucci driblon. Për momentin është i lumtur me vështirësinë e përzgjedhjes. “Jam me shumë fat se kam dy portierë shumë të mirë, madje tre portierë shumë të mirë. Formacionin do ta shihni të shtunën, por janë të dy portierë të nivelit të lartë”, u shpreh trajneri i Kombëtares.
Urime për Skënderbeun që mbetet në vëmendjen e trajnerit. Gashi dhe Lenjani mund të jenë në grumbullimet e tjera ashtu si dhe Xhaka. Për momentin është grumbulluar edhe ndonjë që ska luajtur, por vetëm për momentin, është fillim kampionatesh. E fundit, por ndoshta më e rëndësishmja, rikthimi i frymës që na çoi në Europian për të vazhduar progresin.
“Para se të bëhesha trajner i Shqipërisë, presidenti më tha, janë 30-40 trajnerë që duan të drejtojnë Shqipërinë. Dikur i kërkonim ne trajnerët, tani ata ne dhe kjo është meritë e lojtarëve, që bënë që Shqipëria të respektohet në Europë. Ky grup duhet ta mbrojë këtë arritje dhe të kthejmë frymën në këto katër ndeshje të mbetura në eliminatore. Kualifikimi në europian është meritë e lojtarëve Federatës dhe e ish-trajnerit De Biassi. Është shumë e rëndësishme të jemi krenarinë për ta ruajtur këtë arritje. Duhet të jemi xhelozë për ta mbrojtur, më shumë se për një femër. Gjëja më e rëndësishme është që kur të largohem të më vlerësoni si një person serioz, që e respektoi punën dhe presidentin që i dha një mundësi shumë të madhe. Edhe lojtarët duhet të jenë krenarë që veshin fanellin e kombëtares”, përfundoi ai.
I fundit që do t’i bashkohet skuadrës të martën do të jetë Migjen Basha. Në një lidhje direkte për Zona Gol, trajneri i Shqipërisë theksoi rëndësinë që kanë dy takimet e radhës për kuqezinjtë. “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, sepse kur vesh fanellën e kombëtares nuk ekzistojnë miqësoret dhe ndeshjet e lehta. Ndaj Lihtensteinit që duket ndeshje e lehtë, nëse nuk hyn në fushë me mentalitetin e duhur gjithçka mund të kthehet shumë e vështirë. Pastaj kemi përballjen shumë të rëndësishme me Maqedoninë. Të dyja duhet t’i marrim me shumë seriozitet”, tha ai.
Fitore në dy të parat!
Skënderbeu synon kalimin e grupit në Europa League
Ilir Bozhiqi mbetet një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të trajnerëve që kanë drejtuar kombëtaren shqiptare gjatë dekadës së fundit. Veterani i stafit kuqezi, i pyetur për diferencat që ekzistojnë mes Christian Panuccit dhe paraardhësit të De Biasi në një lidhje të drejtpërdrejtë me Zona Gol theksoi se bëhet fjalë për dy trajnerë profesionistë gjithsesi kanë të veçantat e tyre.
Nga kombëtarja te suksesi historik i Skënderbeut, që brenda tre vitesh arrin të kualifikohet për herë të dytë në fazën e grupeve të Europa Leagues. Pyetja e parë drejtuar nga paneli i gazetarëve lidhet me formën e jazhtëzakonshme të portierit Orges Shehi, që në moshën 40-vjeçare, po i mahnit të gjithë me paraqitjet e tij.
Tashmë një eksperiencë shumë më të madhe në kompeticionet europiane, Skënderbeu sipas Bozhiqit duhet të tentojë jo thjesht të marrë pikë, por të kalojë edhe fazën e grupeve të Europa Leagues. Bozhiqi nuk i druhet transfertës me Partizanin e Beogradit, ku duhet të rikthehet në të njëjtin stadium ku përjetoi momente të frikshme me kombëtaren kuqezi.
Skënderbeu duhet të luftojë në dy fronte, në Europë dhe kampionat, angazhim që sipas trajnerit të portierëve nuk do ta pengojë ekipin korçar për ta dominuar futbollin shqiptar.
“Kapak” Xhakës!
Për një çështje që mbyllet ka një çështje që hapet në kombëtaren shqiptare, ajo që nuk ndryshon, është kërkesa maksimale për disiplinë, përkushtim dhe krenari në lidhje me fanellën kuqezi nga Christian Panucci. Trajneri i ri e nis me dorë të hekurt dhe çështja më e fundit ka të bëjë me Sokol Cikalleshin që për shkak të firmës me skuadrën e re Antaliaspor humbet grumbullimin e radhës. Shpjegimi që në krye të herës nga vetë trajneri në konferencën për shtyp. “Janë 23 futbollistë, sepse këtë mëngjes pata një telefonatë me Cikalleshin, sepse duhet të ishte i pranishëm për të firmosur me skuadrën e re. Pasi e dëgjova i theksova se nuk mund t’i jap leje. Kontratat mund të firmosen edhe nëpërmjet e-mailit apo edhe nëpërmjet menaxherit që mund të marrë avionin dhe të marrë firmën. Mund ta bënte edhe vizitën mjekësore edhe këtu në Tiranë. Duke mos ardhur në orar në grumbullim, lojtari do të qëndrojë në shtëpi, sepse janë disa rregulla të FSHF dhe të miat që duhet të respektohen. Lojtarët nuk mund të bëjnë sipas kokës së tyre”, u shpreh Panucci.
Kërkesë e hekurt për disiplinë, siç kishte paralajmëruar, në këtë drejtim Panucci nuk bën tolerim, ndërsa shpjegon më qartë edhe konceptin se për se nuk ka toleruar Cikalleshin. “Për të ardhur në kombëtare duhet të vish edhe në 5 të mëngjesit. Nëse Ajeti vjen në 5 të mëngjesit dhe Roshi udhëton gjithë natën nuk mund t’i them tjetrit eja në mesditë. Përjashtim bën rasti i Kukelit dhe Abrashit, që për shkak të linjave ajrore vijnë në një orar tjetër. Përfaqësuesja është shumë e rëndësishme, duhet vullnet dhe krenari”, tha ai.
Ndërkohë i vihet kapak çështjes Xhaka, me trajnerin që i hap dyert e Kombëtares mesfushorit që u la jashtë nga De Biasi. “Dyert e kombëtares janë të hapura për të gjithë. Xhaka ka gabuar, por më ka telefonuar ai dhe avokati i tij çështja është e mbyllur, e kam pranuar ndjesën e tij. Mungesa e tij është një zgjedhje teknike, por mund të jetë në të ardhmen. Ajo që unë bëj është në interes të Shqipërisë dhe jo në interesin personal”, tha Panucci.
Xhaka është i falur, ndërkohë rasti i Cikalleshit është në të njëjtën kohë një mesazh për të gjithë. Panucci nuk fal kur bëhet fjalë për disiplinën.
Ndalet Real Madridi
Dy mrekulli të Marco Asensios nuk i mjaftuan Realit përballë Valencias, që arriti të merrte një pikë brenda në “Santiago Bernabeu”, ku madje flirtoi edhe me fitoren. 2-2 përfundoi ky takim emocionues, me Los Blancos, që edhe pse e nisën me gol, nuk arritën të merrnin maksimumin e pikëve. Pa Cristiano Ronaldon dhe dy qendërmbrojtësit Ramos e Varane, Los Blancos nuk ishin sa duhet efikasë në të dyja fazat e lojës. Një top i humbur nga mesfusha e Valencias në minutën e 10-të u kthye në asist për Marco Asension, që la pa lëvizur portierin Neto.
Kundërpërgjigjja e Valencias erdhi vetëm pas 8 minutave lojë, pas një aksioni perfekt nga krahu i majtë, që u përmbyll me golin e Carlos Soler. Kampionët në fuqi të Spanjës u kapën në befasi në minutën e 77-të, kur Kongdobia, e dërgoi topin aty ku nuk mund ta arrinte Keylor Navas. Vetëm shtatë minuta zgjati avantazhi i Valencias, pasi Asensio shpalosi talentin e tij me një goditje të lirë, që e la sërish të palëvizur Neton.
I pafat, Karim Benzema në kohën shtesë, me topin e goditur prej tij që u ndal nga traversë, Sevillas iu desh të vuante shumë për të marrë fitoren në fushën e Getafes, ku një prekje magjike e Ganso në minutën e 83-të i dha drejtimin e duhur topit që të përfundonte në rrjetë.
Pavarësisht barazimit, trajneri i “Los Blancos”, Zinedine Zidane, lavdëroi lojtarët për paraqitjen, teksa tha se ekipi i tij meritoi më shumë nga ky takim. “Nuk mund të jem i lumtur me rezultatin, por paraqitja ishte e shkëlqyeshme. Merituam më shumë nga kjo ndeshje, po kështu shkojnë gjërat në futboll dhe nuk mund të fitoni gjithmonë”, tha fillimisht Zizu.
“Humbëm dy pikë, por me të vërtetë jam krenar me lojtarët e mi. Pjesa më e rëndësishme gjatë një ndeshje është të krijosh raste dhe ne kishim të tilla shtatë apo tetë dhe shumë lehtë mund të kishim marrë tri pikët. Por, kështu funksionojnë gjërat në futboll dhe duhet të shikojmë para. Do të punojmë shumë për ndeshjen e radhës. Do të vazhdojmë njëjtë me punën që kemi bërë deri tani me lojtarët që nuk janë të thirr në detyra Kombëtare”, u shpreh Zizu.
Marco Asensio është vetëm 21 vjeç, por po tregon se ka një të ardhme të ndritur. Ai shënoi dy golat e “Los Blancos” në barazimin 2:2 me Valencian në “Santiago Bernabeu”. “Marca” shkruan se talenti spanjoll ka fituar zemrat e gjithë tifozëve, atyre që tani e duan jashtë ekipit anësorin uellsian, Gareth Bale që bëri një tjetër paraqitje zhgënjyese. Por, trajneri francez, Zinedine Zidane, e ka mbrojtur 28-vjeçarin nga kritikat, ashtu si Karim Benzemanë.
“Ai është lojtar shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Gareth është Gareth. Duhet të punojmë shumë dhe të mbështetemi te Gareth, ashtu si te lojtarët e tjerë”, tha Zidane. “Situata e Bale është mirë. Kishte raste, por nuk shënoi dhe do të punojmë në këtë drejtim. Nuk mund t’i kritikoj lojtarët, e kundërta, jam i lumtur me punën e tyre”, tha Zizu.
Isco me të vjella, la fushën
Në takimin mes Realit të Madridit dhe Valencias, Zinedine Zidane zëvendësoi Iscon me kroatin Kovaçiç, vendim që u mor jo për arsye taktike, por për shkak të gjendjes shëndetësore të mesfushorit, i cili e ka patur të pamundur ta vijonte lojën prej të vjellave.
Valencia ka ndalur Real Madridin në La Liga, duke barazuar 2:2 në “Santiago Bernabeu”. Në këtë ndeshje kishte raste të shumta Karim Benzema dhe rezultati do të ishte shumë më ndryshe, nëse francezi do të ishte treguar më vrastar para portës. Sipas trajnerit të Valencias, Marcelino, rezultati në “Bernabeu” do të ishte shumë më ndryshe nëse Cristiano Ronaldo do të kishte qenë në lojë. “Ky rezultat është falë punës së palodhshme. Mund të kishim fituar ne, mund të kishte fituar Reali, jam krenar me lojtarët”, tha fillimisht Marcelino.
“Cristiano është më shumë vrastar para portës dhe nëse do të ishte në këtë ndeshje me siguri se do të kishte dërguar në portë ndonjë top nga të gjithë ata që hynin në zonën tonë”, shtoi trajneri i Valencias. Benzema kishte raste të shumta në këtë ndeshje, por francezi dështoi të shënojë, çka i kushtoj në fund ekipit të tij me humbjen e dy pikëve.
Yarmolenko tek Dortmundi, gëzon Skënderbeu
Pasi ka parë të favorizohet nga shorti i fazës së grupeve në Europa League, Skënderbeu tashmë po nderohet edhe nga periudha e merkatos. Shitja e Liridon Latifit ka mbushur arkat e korçarëve, ndërkohë që lëvizjet në Europë po dobësojnë rivalët në grup. Kështu pas zërave për një largim të mundshëm të Uros Djurdjeviç nga Partizani i Beogradit vjen dhe konfirmimi për largimin e Andri Yarmolenko nga Dinamo e Kievit tek Borusia e Dortmundit.
Ky është një lajm shumë i mirë për Skënderbeun dhe trajnerin Ilir Daja, pasi ukrainasve i largohet një nga pikat më të forta, sulmuesi që në 9 sezone me Dinamon ka regjistruar 228 ndeshje, duke shënuar 99 gola. 28-vjeçari ka shënuar 3 gola deri më tani në kampionat, ndërsa në 4 ndeshjet e zhvilluara në kompeticionet e UEFA-s ka shënuar vetëm një. Yarmolenko është cilësuar si zëvendësuesi ideal i Dembele që kaloi nga Dortmundi tek Barcelona për një shifër rekord prej rreth 145 mln eurosh. Nëse edhe tek Partizani i Beogradit do të largohej sulmuesi Uros Djordjeviç, atëhere shanset për Skënderbeun do të rriteshin së tepërmi, pavarësisht se edhe korçarët kanë humbur në këtë periudhë merkatoje lojtarin e tyre më të mirë Liridon Latifin.
Monaco spektakolare, shpartallon Marseille
Spektakël i Monacos në superndeshjen e javës së 4-t në Ligue 1. Largimet e shumta në këtë merkato nuk po ndihen aspak te skuadra nga Principata, me formacionin e Leonardo Jardim që vazhdon të jetë një makineri golash. Për të regjistruar fitoren e 4-t në këtë sezon dhe për t’u ngjitur në kuotën e 12 pikëve po aq aq sa Paris Saint Germain pas 4 raundeve të para, kampionët në fuqi të Francës shpartalluan Marseille e Rudi Garcias me rezultatin 6-1. Pa u mbushur ende 2 minuta lojë, Kamil Glik, qëndërmbrojtësi polak i dha avantazhin Monacos. Në të 20-ën gjërat u bënë më të lehta për vendasit, kur Falcao kthehu në gol një 11-metërsh për të dyfishuar shifrat.
Me një Marseille inekzistente në fushë në minutën e 34-rt, Falcao zgjati kokën për golin e 3 me 0. Në fundin e pjesës së parë ishte Diakhaby njeriu asist në rastin e golit të tretë të Falcaos, ai që thelloi avantazhin e Monacos. Në të 68-ën Sidibe i çoi shifrat në 5-0, përpara se OM të realizonte golin e nderit me Remy Cabellan. Për të vulosur shifrat përfundimtare të këtij takimi në 6-1 mendoi braziliani Fabinho që në 79-ën kthehu një gol një tjetër penallti të fituar nga vendasit.
Suso i jep fitoren Milanit
Milan dhe Napoli nuk i ndahen Juventusit dhe Interit, duke marrë dhe ato fitoren e dytë në dy javë kampionat dhe pse përballë Cagliarit dhe Atalantës nuk e patën aspak të thjeshtë. Kuqezinjtë fituan 2-1 në “San Siro” me sardët falë një goditje dënimi perlë të Susos.
Cutrone ishte sërish njeriu kyç për ekipin e Montellës, që po zbulon te 19-vjeçari sulmuesin kryesor të këtij kampionati, teksa shënoi sërish në fillimin e ndeshjes, duke i dhënë epërsinë që në fillim kuqezinjve.
Cagliari megjithatë nuk është ndër ato skuadra që dorëzohet dhe Joao Pedro barazoi rezultatin në të 56-ën, përpara se Suso me golin e tij t’i jepte 3 pikët kuqezinjve. 3-1 fitoi Napoli në “San Paolo” me Atalantën, me bargamaskët që i hapën sërish shumë telashe ekipit të Sarrit. Për 56 minuta miqtë kryesonin në transfertë falë golit të Cristantes, por u nevojit një goditje fantastike e Zielinskit, që Napoli të gjente barazimin, por dhe lojën në momentin më të mirë të Atalantës.
Ky ishte goli që ktheu ndeshjen, pasi në të 61-ën, Mertens shënoi dhe të dytin pas një kombinimi me Insignen.
Ndërsa vulën e vuri kroati Rog, që erdhi nga stoli për të mbyllur takimin me golin e 3-1. Paraqitje e mirë e Berishës, që gjithsesi ishte pa faj te të 3 golat. Fitoren e parë e mori, ndërkohë Lazio që mundi 2-1 në transfertë, Chievon me gola të Immobiles dhe Milinkoviç Saviçit. Në këtë sukses pati meritë dhe Strakosha që u tregua në më shumë se një rast vendimtar me pritjet e tij. 2-1 fitoi jashtë fushe dhe Sampdoria ndaj Fiorentinës, me dorianët që brenda 3 minutave shënuan dy herë me Caprarin dhe Quagliarellën nga pika e bardhë. Ndërsa goli i Badelj në pjesën e dytë vetëm sa i dha shpresë ekipit vjollcë, pasi 3 pikët i morën miqtë. Në takimet e tjera të javës u regjistruan, ndërkohë këto rezultate.
Torino mori gjithashtu një fitore të vyer ndaj Sasuoloes me rezultatin 3-0, me Bellotin që ishte protagonisti i madh me një gol fantastik, që mund të kandidohet që tani për çmimin Pushkash. Dy realizimet e tjera për Torinon mbajtën firmën e Ljajiçit dhe Obit.
Manchester United, 105 milionë euro për Bale
Nga Anglia vjen një lajm sensacional për merkaton. Sipas “Daily Starr” Manchester United që drejtohet nga Jose Mourinho, i ka paraqitur një ofertë prej 105 milionë eurosh Realit të Madridit për Gareth Bale. Është thuajse e njëjta shumë që shpenzoi klubi madrilen në 2013-ën për t’ia rrëmbyer uellsianin Tottenhamit. Kampionët e Spanjës duhet të vendosin brenda pak ditësh para se të skadojë afati i merkatos verore.
Në pamje të parë, ky operacion konsiderohet shumë i vështirë për t’u përmbyllur me sukses, por fakti që sulmuesi i ri Asensio po fiton më shumë kredibilitet në sulmin e Los Blancos mund ta shtyjë Balen drejt rikthimit në Premier League.
Zinedine Zidanë insistoi edhe pas ndeshjes me Valencian, që Bale vazhdon të mbetet në planet e tij. Gjithsesi në Manchester janë të bindur se, me ofertën ekonomike të paraqitur për 28-vjeçarin, presidenti Florentino Perez do të mendohet gjatë para se të kthejë përgjigje përfudimtare. Në këtë periudhë të çmendur verore, që ka tejkaluar edhe imagjinatën me shumat e pabesueshme të shpenzuara, blerja e Bale nga Manchester United mund të jetë goditja më e madhe e javës së fundit të merkartos.
Por, trajneri francez Zinedine Zidane, e ka mbrojtur 28-vjeçarin nga kritikat, ashtu si Karim Benzeman. “Ai është lojtar shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Gareth është Gareth. Duhet të punojmë shumë dhe të mbështetemi te Gareth, ashtu si te lojtarët e tjerë”, tha Zidane. “Situata e Bale është mirë. Kishte raste, por nuk shënoi dhe do të punojmë në këtë drejtim. Nuk mund t’i kritikoj lojtarët, e kundërta, jam i lumtur me punën e tyre”, shtoi Zizu.
Liverpooli shkatërron Arsenalin
Liverpool fitoi supersfidën e javës së 3-të në Premier League, duke mundur 4-0 Arsenalin në “Anfield Road” pas një ndeshje që shfaqi dhe njëherë problemet e shumta të topçinjve, ndërsa konfirmoi një tjetër triumf për Jurgen Klopin ndaj Arsen Wengerit, me francezin që në katër përballje me gjermanin nuk ka asnjë fitore. Londinezët u duk sikur kishin ardhur në Liverpool për shëtitje, me “The Reds” që dominuan ndeshjen aq sa goli i Firminos në të 17-ën u duk sikur erdhi shumë vonë, pasi vendasit kishin shpërdoruar vërtetë shumë raste deri në ato momente.
Arsenali jo vetëm që nuk u zgjua nga goli i pësuar, por përkundrazi vazhdoi të vuante lojën e shpejtë të ekipit të Klopit, që në pushim shkoi në epërsi të dy golave falë dhe një finalizimi të përsosur të Manes. Në pjesën e dytë, mbrojtja e Arsenalit u duk sikur nuk ekzistonte aq sa në të 57-të, Mane bëri pothuajse 60-70 metra i vetëm me top në këmbë drejt portës së Cech për të mposhtur për herë të tretë çekun.
Ndeshja u mbyll përfundimisht nga goli i Sturridge në të 77-ën që shfrytëzoi një tjetër vendosje jo të mirë në mbrojtje të londinezëve, që pas kësaj humbje rrëshkasin në fundtabelë, ndërsa Chelsea gjithashtu mori fitoren e dytë radhazi, pasi mundi 2-0 Evertonin në “Stamforde Bridge” në një ndeshje të dominuar, ku blutë nga Liverpool nuk goditën asnjëherë kuadratin e portës. Golat për ekipin e Contes u shënuan të dy në pjesën e parë nga dy spanjollë, Fabregas dhe Morata, në minutat 27-të dhe 40-të.
Ventura: Ndaj Spanjës luajmë për fitore
“Do të shkojmë në Spanjë për të luajtur hapur dhe për të fituar, pasi është i vetmi rezultat që vlen”. Me këtë fjali ka nisur konferencën për shtyp trajneri i përfaqësueses italiane Gian Piero Ventura, që ndez këtë supersfidë të Grupit G për eleminatoret e botërorit Rusi 2018. Në grupin ku bën pjesë edhe përfaqësuesja jonë pritej që gara për vendin e parë të ishte midis dy superfuqive të kontinentit. Në “Bernabeu” mund të vendoset fati i kreut të grupit edhe pse deri në fund të këtyre eleminatoreve do të duhen edhe 3 ndeshje të tjera. Por nëse kjo sfidë do të shkojë në favor të iberikëve, atëherë gjasat që vendi i 3 të jetë për kuqezinjtë nuk është më utopi, sigurisht duke llogaritur që formacioni që do të drejtohet nga Panucci të dalë me sukses në sfidat ndaj Lihtenshteinit dhe Maqedonisë. Një humbje për Italinë e Venturës në “Bernabeu” të shtunën në mbrëmje, do të shohë një Itali të dorëzuar sidomos në sfidën e fundit të eliminatoreve që do të jetë pikërisht ndaj Kuqezinjve tanë. Megjithatë, trajneri i të kaltërve nuk dorëzohet dhe në konferencën për shtyp ka pranuar se fakti që duhet patjetër fitorja i jep më shumë stimuj skuadrës që ai drejton. Madje 69-vjeçari është i bindur se skuadra e tij mund të thyejë tersin 70-vjeçar, ku Italia nuk ka arritur asnjëherë të fitojë në tokën spanjolle.
128 milionë euro kompanisë “guackë” për djegien e 800 ton plehrave në ditë në Tiranë
Kompania është regjistruar si kompani guackë në Holandë në qershor 2016. Por, çuditërisht, gati tre muaj para se kompania të ekzistonte ligjërisht, në maj 2016, ajo paraqiti propozimin e pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës në Ministrinë e Mjedisit. Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të fillojë procedurat e tenderimit për këtë projekt
Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare
Qeveria Rama ka vendosur të ndërtojë një incinerator- impiant djegieje – të plehrave për territorin e Qarkut Tiranë, duke përdorur sërish një skemë të Partneritetit Publik Privat (PPP). Ashtu siç pritej, një kompani me zyra në Amsterdam të Holandës është fituesja e koncesionit të ndërtimit të landfillit inceneratorit dhe rehabilitimit të vendepozitimeve në Tiranë. Ministria e Mjedisit që ishte edhe autoriteti kontraktor për këtë procedurë koncesioni njoftoi se Integrated Energy B.V ofroi 128 milionë euro, duke u shpallur edhe oferta e vlefshme në këtë procedurë. Nga ana tjetër mësohet se, kjo kompani ishte e vetmja në garë që paraqiti një ofertë. Procedura e koncesionit u shpall pak para zgjedhjeve, ndërkohë që ofertat u paraqitën në datë 12 qershor 2017 dhe përgjatë disa muajve u morën në analizë dokumentat tekniko-ligjorë të kompanisë. Kompania Integrated Energy B.V. është kompania e preferuar e qeverisë për fitimin e koncesionit 30-vjeçar me vlerë 128 milionë euro. Por kompania dhe përfshirja e saj në ndërtimin e incerneratorit është një histori që ka të gjitha tiparet e një historie korruptivo-kriminale. Kompania është regjistruar si kompani guackë në Holandë më qershor 2016. Por, çuditërisht, gati tre muaj para se kompania të ekzistonte ligjërisht, në maj 2016, ajo paraqiti propozimin e pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës në Ministrinë e Mjedisit. Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të fillojë procedurat e tenderimit për këtë projekt. Më datë 7 dhjetor 2016, qeveria miratoi një vendim, i cili i jep kompanisë Integrated Energy B.V. një bonus prej tetë për qind të pikëve në procedurën e konkurrimit. Ky vendim e favorizon kompaninë në krahasim me kompanitë e tjera, të cilat mund të marrin pjesë në garë. Sipas relacionit të Ministrisë së Mjedisit, i cili shoqëron vendimin e mësipërm, del qartë se kompania private do të ofrojë një shërbim për qytetarët, për të cilin do të paguhet direkt nga shteti, nëpërmjet shitjes së energjisë së prodhuar nga plehrat tek KESH, shitjes së materialeve të riciklueshme dhe pagesës direkt me tarifa ende të papërcaktuar nga bashkitë që janë pjesë e qarkut Tiranë. Qeveria shqiptare miratoi pranimin e një oferte të pakërkuar për koncesion dhe dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy BV”, Shpk, për “dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”. Investimi i planifikuar bëri jo pak zhurmë. Ky investim do të jetë 128 milionë euro dhe afati i koncesionit është 30 vjet. Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave. Të dhënat e këtij aktiviteti janë alarmante. Në këtë koncesion, përveç ndërtim landfilli dhe përpunim të mbetjeve, parashikohet edhe ngritja e një incerneratori ose e thënë shqip, një furrë gjigante ku do të digjen plehrat, me shumë gjasa jo vetëm ato të Shqipërisë nëse rrëzohet dekreti i Presidentit, për ligjin e importit të tyre. Por përveç kësaj, sipas kësaj VKM-je zbulohet, edhe se kush do të jetë ky koncesionar i ri. Kjo kompani pavarësisht se zyrtarisht u shpall fituese vetëm dje zyrtarisht, ajo prej një viti e kishte siguruar koncesionin, ndërsa me firmën e Edi Ramës merr paradhënie një bonus prej 8% të pikëve, duke u diferencuar nga çdo subjekt tjetër, që mund të jetë i interesuar të konkurrojë.
Cila është Integrated Energy B.V.?
Kompania e favorizuar për ndërtimin dhe shfrytëzimit të impiantit Integrated Energy B.V. është e regjistruar në Holandë më 1. 9. gusht 2016. Objekti i punës së saj është “zhvillimi i çdo lloj aktiviteti në fushën e përpunimit të mbetjeve, prodhimit të energjisë dhe aktivitete të njëjta, si vendore dhe financiare, si dhe mirëmbajtja dhe financimi i aktiviteteve”. Exit.al ka kontaktuar në numrin e shënuar në dokumentet e regjistrimit të kompanisë, i cili është në fakt numri i kompanisë FGG, kompanisë së punësuar për administrimin Integrated Energy B.V. Por në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, FGG mohoi që Integrated Energy B.V. të jetë klient i saj. Kapitali fillestar i Integrated Energy B.V., e cila pretendon të investojë 128 milionë euro, është vetëm 50 mijë euro dhe kompania nuk ka asnjë person të punësuar. Në bordin drejtues të Integrated Energy gjendet shqiptari Klodian Zoto, pronar i kompanisë, dhe partneri i tij në biznes Ernesto Granelli, inxhinier në kompaninë Energy Recuperator Spa. Klodian Zoto është, gjithashtu, pronari i kompanisë Integrated Technology Services, e cila do të ndërtojë një incernerator mbetjesh në Fier, pavarësisht protestave të banorëve dhe mungesës së konsultimeve me publikun për projektin. Në bordin e kompanisë shërbejnë, gjithashtu, Thomas Walter Hansmann, drejtor i kompanisë Paul Wurth India Private Ltd. dhe Hans Wallage, përfaqësuesi i ANT Managment, kompani e specializuar në krijimin e strukturave financiare që mund të përdoren për fshehjen e evazionit fiskal. Për të përfunduar me emrat e Theo Spijkerman dhe Arnaud van der Werf, të cilët punojnë të dy për SGG Group, kompani e cila ofron shërbime financiare në shumë vende të botës dhe është specializuar në ndërtimin e kompanive të formës “trust”, shpesh të përdorura për evazion fiskal. Në dhjetor të viti 2014, Zyra e Hetimit për Mashtrime Financiare në Mbretërinë e Bashkuar (SFO) filloi hetimin e SGG Group, pasi kompania “kishte shitur aksione falco në një kompani të prodhimit të karburantit bio në Kamboxhia […] Vlera e përgjithshme e mashtrimit ishte rreth 23 milionë paund britanikë”. Përveç mashtrimit, SFO zbuloi gjithashtu se një nga drejtorët e SGG Group kishte marrë bakshish për të prodhuar fatura falco shitjeje, të cilat i jepnin të drejtë agjentit të merrte komisione të mëdha nga fondet e investimit. Dënimi i kompanisë SGG Group ishte i pari dënim nën ligjin mbi mashtrimet në Mbretërinë e Bashkuar.