Çdo fillimviti është një makth i vërtetë për familjet shqiptare. Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme paguajnë për tekstet e tyre shkollore. Prindërit shqiptarë paguajnë mbi 15 milionë dollarë çdo vit për librat e shkollave fillore dhe të mesme, ndërkohë që qeveria investon në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh. Përkundër faktit se çmimi i librave shkollorë për nxënësit vijon të jetë edhe më i lartë me atë të një viti më parë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kjo kosto është e papërballueshme për familjarët e tyre. Në një postim në Fb, Basha thotë se librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Basha thotë se një qeveri në shërbim të njerëzve investon në libra dhe mjete shkollore, jo në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh. “Në vend që të sjellë gëzim, fillimi i shkollës sjell ankth financiar dhe vështirësi për qindra mijëra nxënës dhe familjarët e tyre që paguajnë mbi 15 milionë dollarë çdo vit për librat e shkollave fillore dhe të mesme. Jemi vendi i vetëm në rajon, ku librat për shkollimin e detyrueshëm nuk jepen falas, madje që të blesh këto tekste shkollore, prindërit dhe nxënësit torturohen me orë të tëra në rradhë për shkak të sistemit klientelist të shpërndarjes në pak pika. Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Kjo do të ishte një ndihmë të madhe për familjet shqiptare dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Një qeveri në shërbim të njerëzve investon në libra dhe mjete shkollore, jo në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh”. Janë vet prindërit ata që ngrejnë shqetësimin, ndërsa deklarojnë se këtë vit pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nis ditën e hënë. Ndërkohë, shkollat kanë afishuar listat me librat që prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve dhe çmimin përkatës që varion nga 1,825 lekë për klasat e para në 4.295 lekë për klasat e 9. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, të afërmit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme. “Librat shkojnë 60 mijë lekë. Ka dhe shpenzime të tjera, jo fletore, jo lapsa, mjete të tjera, domethënë 100 mijë lekëshi, dhe i bie barabartë me 2/3 e pensionit tim. Është e vështirë për t’u përballuar, do rrimë pa bukë, t’i japim fëmijës librin”, shprehet një qytetar. Shumica e familjeve shqiptare, këtë çmim të librave zor se e përballojnë.
Raporti i OKB: Shqiptarët 3.5 herë më të varfër se serbët e malazezët
Një listë nga Drejtoria e Përgjithme e Tatimeve ku pasqyrohen rreth 55 000 biznese të vogla (persona fizikë) që kanë mbyllur aktivitetin e tyre, pezulluar ose edhe kanë bërë kërkesë për çregjistrim biznesi sepse kanë falimentuar. Nga të cilat, rreth 5000 biznese ushtronin aktivitetin e shitjes me pakicë të artikujve ushqimorë. Bëhet fjalë për periudhën 2015- 31 korrik 2017, periudhë në të cilën fushata e ashpër antiinformalitet në ekonomi ka dhënë efektet e saj.
Të dhënat në lidhje me varfërinë në Shqipëri janë kokëforta
Shqipëria renditet si vendi me shkallën më të lartë të varfërisë në Ballkanin Perëndimor. Banka Botërore në raportin e saj për vitin 2016, vëren se gati gjysma e popullisë së Shqipërisë jeton në kushtet e varfërisë së moderuar.
45.5% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, citon raporti i Bankës Botërore. Kurse,vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia janë në nivele shumë herë më të ulta të varfërisë, karahasuar me vendin tonë, po sipas të njëjtit raport.
Shkalla e varfërisë 2016 sipas Bankës Botërore
Shqipëri 45.5 %
Maqedoni 30.7%
Mali i zi 12.8%
Serbi 13.6%
Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave përqindja më e lartë e varfërisë në Shqipëri është në Qarkun e Kukësit me 22,5 % dhe më e ulta në Gjirokastër me 10,6 %.
Për 25 vite, Shqipëria tkurrje edhe me 300 mijë banorë
Shqipëria është vendi me densitetin më të lartë të banorëve në rajon. PopulationPyramid.net ka përditësuar hartën botërore të densitetit të popullsisë dhe ka dhënë projeksionet mbi popullsinë për vitet e ardhshme. Krahasuar me rajonin, Shqipëria ka densitetin më të lartë, ku për çdo një kilometër katror përllogariten rreth 101 banorë. Në rajon densitetin më të ulët të popullsisë e ka Mali i Zi, ku për çdo një kilometër katror përllogariten 45 banorë. Popullsia më së shumti është e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, ku vetëm Tirana ka një dendësi prej 682 banorë/km2 dhe numëron 862,361 banorë në 2017-ën. Pas Malit të Zi dendësi më të ulët ka Bosnja me 74 banorë/kilometër në katror dhe Maqedonia me 81 banorë/ kilometër katror. Sipas të dhënave të hartës, aktualisht popullsia e Shqipërisë është rreth 2.91 milionë banorë, ndërsa sipërfaqe rreth 28 mijë e 750 kilometra. Megjithatë pas 25 vitesh projeksionet mbi popullsinë tregojnë se do të ketë një ulje të numrit të banorëve në 2.6 milionë apo me rreth 300 mijë banorë, ndërsa dendësia e popullsisë do të jetë 93 banorë/kilometër katror. Sipas hartës botërore të publikuar nga Populationpyramid.net vendi me dendësinë më të lartë në botë është India me 408 banorë/km2, Koreja e Jugut me 505 banor/km2, Pakistani me 247banorë/km2. Ndërsa Kina, megjithëse është vendi me numrin më të lartë të banorëve ka një densitet prej 145 banorësh/km2. Pas 25 vitesh projeksionet tregojnë se do të rritet dendësia e popullsisë së Indisë në mbi 500 banorë për km2, ndërsa e Kinës do të ulët në 139. Në Europë vendet me densitet më të lartë janë vendet e Beneluksit, ku densiteti i Holandës është 410 banorë për kilometër katror dhe Belgjika 374 banorë për km2. Më pas renditet Mbretëria e Bashkuar me 268 banorë në një kilometër. Ndër vendet me dendësinë më të ulët renditen Kanadaja, me 3.6 b/km2, Australia me 3.18 b/km2 dhe Rusia që përllogarit për çdo kilometër katror 8.39 banorë. Dendësi të ulët popullsie kanë shtetet ku kushtet klimatike nuk janë shumë të favorshme.
Vendi në krizë, 108 mijë biznese mbyllen si pasive
Bizneset shqiptare po pushojnë me shpejtësi aktivitetin, në kontradiktë me ecurinë ekonomike të vendit, që këtë vit po njeh ritmet më të larta rritjeje. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri në 25 gusht përditësimin e subjekteve që kanë kaluar në regjistrin pasiv.
Që nga maji i vitit të kaluar, kur lista e bizneseve pasive u publikua për herë të parë 18 mijë biznese kanë pushuar aktivitetin. Numri i total i bizneseve pasive arriti në 109,099 biznese sipas përditësimit të javës së kaluar. Përllogaritjet tregojnë se çdo muaj kanë kaluar së paku 1200 biznese në regjistrin pasiv.
Struktura e bizneseve të ligjshme vitet e fundit po bëhet gjithnjë e më brishtë për shkak se më shumë se 18 mijë biznese janë të listën e zezë të borxhit tatimor, ndaj të cilës ka nisur grumbullimi me forcë i detyrimeve, ndërsa qindra biznese të tjera janë në procesin e falimentit.
Sipas QKB bizneset me status pasiv nuk janë subjekt i dorëzimit të bilancit. Nëse subjekti për periudhën gjatë së cilës ka qenë me status aktiv ka qenë regjistruar si subjekt me përgjegjësi tatimore tatim fitimi, atëherë ky subjekt duhet të kryejë depozitimin e pasqyrave financiare, sqaron QKB. Regjistri i bizneseve pasive u krijua për herë të parë këtë vit në zbatim të ligjit të procedurave tatimore që detyrojnë tatimet të seleksionojnë listën e rregullt të tatimpaguesve nga lista fiktive, me qëllim shmangien e evazionit fiskal.
Tatimet sqarojnë se qëllimi i publikimit të listës është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte, të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv, pasi bazuar në nenin 44, pika7, të Ligjit Nr.9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar,: “Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj”.
Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
-Nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
-Nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar.
Ndërsa shumë biznese mbyllen të tjera hapen. Qendra Kombëtare e Biznesit bëri të ditur pak ditë më parë se në 7 muajt e parë të vitit janë hapur rreth 10 mijë biznese të reja, ose mesatarisht 1400 biznese të reja në muaj. Në rezultante, duke llogaritur dhe mbylljen, në vend shtohen vetëm 200 biznese të reja në muaj. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve në Shqipëri, mbi 90%, janë mikro, me 1-4 punonjës dhe si rrjedhojë mbyllja dhe hapja e tyre është relativisht e lehtë.
Vitin e fundit është rritur ndjeshëm numri i individëve me të ardhura të larta që regjistrohen si biznese të vogla (për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatim fitimi është zero), në mënyrë që të shmangin tatimin e lartë mbi të ardhurat nga paga, që arrin deri në 23% për pagat mbi 130 mijë lekë në muaj.
“Monitor”
Kallashnikovët drejt Anglisë, për terrorin apo krimin e organizuar?
Saimir Çullhai ka refuzuar të tregojë se në duart e kujt do të binin tre kallashnikovët që ai kishte nisur me DHL nga Tirana drejt Londrës. Armët u zbuluan nga stafi i sigurisë në seksionin e mallrave në Aeroportin e Rinasit pak çaste para se të përfundonin në avion dhe vetë ai u gjet nga gjurmët e gishtave që kishte lënë në pako.
Por 32-vjeçari nga Shijaku ka preferuar të mbajë pozicion mohues. Nuk pranon të jetë personi që i ka organizuar trafikun. Kamerat e sigurisë së pikës së DHL-së në Durrës, nga ku u nisën pakot të premten, e kanë fiksuar, por ai thotë se vetëm i ka nisur pakot për llogari të dikujt tjetër. Rrjedhimisht, nuk ka si të flasë për pritësit e armëve.
Një tjetër i implikuar është shpallur në kërkim. Antiterrori në Shqipëri është vënë në kërkim të N.F, nga qyteti i Durrësit. Policia britanike dyshon se tre kallashnikovët shqiptarë do të përfundonin në duart e celulave terroriste ose në bandat e krimit të organizuar.
Vetëm muajin e shkuar, policia gjeti 79 armë të destinuara për në Angli, të fshehura në pako me pajisje motorike për makinat. Në Tiranë, antiterrori ka shtuar masat nisur nga sulmet terroriste në Londër dhe Barcelonë.Autoritetet nuk e kanë bërë publike adresën e personit që do t’i priste armët në Londër, por kanë vënë në alarm partnerët britanikë.
Në Britani, autoritetet dyshojnë se kallashnikovët mund të jenë porositur nga anëtarë celulash terroriste që kanë kontakte me bandat shqiptare. Përdorimi i tyre në sulme terroriste është pista e parë ku po hetohet, nisur edhe nga fakti se Londra është në shenjestër të terroristëve të ISIS. Por nuk përjashtohet mundësia që armët të mbeteshin në duart e kriminelëve shqiptarë që veprojnë në Angli, ku zotërojnë trafikun e drogës.
Identifikohet autori i dytë
Identifikohet autori i dytë i dyshuar si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve. Ai është shtetasi Neritan Faria, 42 vjeç, banues në Shijak. Faria është fqinj me Sajmir Çullhajn. Policia e ka shpallur në kërkim 42 vjeçarin, i cili dyshohet si autori kryesor i tentativës për trafikun e armëve nëpërmjet pakove të postës nga Shqipëria në drejtim të Britanisë së Madhe.
Pjesët e armëve automatike kallashnikov ishin mbështjellë me rroba dhe destinacioni i tyre përfundimtar ishte Britania. Ndaj tij ka dëshmuar sot edhe i arrestuari Çullhaj, i cili ka deklaruar se ishte ai që i kishte dhënë porosi për të dërguar pakot në postë.
Hetimet
Hetimet kanë zbuluan se të enjten në mesditë, Saimir Çullhai dhe fqinji i tij, Neritan Faria nga Shijaku, kishin dorëzuar në filialin e një poste të shpejtë në Durrës, tri pako në të cilat gjendeshin pjesët e kallashnikovëve. Të dy ata janë fiksuar nga pamjet e kamerave të sigurisë së filialit të postës. Kutitë postare mbanin emrat e dy të moshuarve Pajtim Rexhepi e Vangjel Tola. Të dy këta të fundit, kanë mbetur të çuditur, ndërsa janë pyetur nga policia. Ata nuk njiheshin me të arrestuarin dhe mikun e tij të shpallur në kërkim. Pakot mbanin si adresë dërgimi Londrën dhe emrin e dy personave në Britaninë e Madhe. Për këtë shkak, më parë zyrës së Skotland Yard, i është nisur një informacion policor.
Mediat britanike shkruajnë se autoritetet në Londër, që janë në alarm nga terrorizmi, dyshojnë se kallashnikovët mund të përdoreshin për sulme terroriste, ose nga grupe shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Angli.
Gjykata “arrest me burg” për Çullhain
Gjykata e Tiranës dha dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Saimir Çullhain, 32-vjeçarin nga Shijaku, i cili tentoi të dërgonte me postë në Londër tre pako me kallashnikovë. Çullhai tha para Gjykatës se, nuk e dinte se çfarë kishin brenda, pakot dhe se vetëm po ia postonte ato, një miku. “Nëpërmjet një mikut tim me emrin Tani, që më tha se do të çonte pako në Britani, shkova tek DHL-ja për t’i dorëzuar, por nuk e dija çfarë kishin brenda ato. Unë shkova me makinën e tij tek DHL-ja. Vetëm kur më arrestoi Policia, e mësova se çfarë kishin brenda pakot”, tha Çullhaj në gjyq.
Nga ana tjetër, burime nga Prokuroria thanë se, kanë prova të mjaftueshme që e përfshin këtë person në këtë veprimtari, ndërsa kanë nisur hetimet, në bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja, për të zbuluar edhe personin që do të bënte pritjen e pakove në Mbretërinë e Bashkuar, emri i të cilit dyshohet të jetë i rremë. Sipas akuzës, Çullhai është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Është parë targa e makinës që ka qenë Çullhai që ka dorëzuar pakot.
Saimir Çullhai u arrestua nga policia të shtunën, si dhe u shpall në kërkim një person tjetër, bashkëpunëtor në këtë tentativë për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake në Rinas. Në njoftimin e policisë thuhej se u arrestua Saimir Çullhai, 32 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për “Trafikim të narkotikëve”, si dhe u shpall në kërkim shtetasi N.F., 47 vjeç, banues në Durrës. Në kuadër të proçedimit penal të nisur për këtë ngjarje është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shtetasve të sipërpërmendur, të cilët në datë 23.08.2017 rreth orës 18:00 kanë bërë dërgimin e tre pakove me një prej agjensive të dërgesave postare, të cilat janë konstatuar gjatë skanimit në Aeroportin “Nënë Tereza”. Brenda pakove janë konstatuar tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara. Pakot kishin si destinacion Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas policisë, personit të arrestuar gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit iu gjetën në trup 220 gramë lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim u gjetën 4.5 kg lëndë narkotike kanabis sativa si dhe 32 bimë narkotike të kultivuara.
Armët drejt Anglisë, “Daily Mail”: Çullhai mori urdhër
Autoritetet shqiptare kanë zbuluar një komplot, ku tre pako me armë do të niseshin nga aeroporti i tyre dhe kishin për destinacion Britaninë e Madhe. Sipas Policisë, dyshimet ishin se armët do të përdoreshin për ndonjë sulm terrorist të mundshme, apo ishin pjesë e krimit të organizuar. Armët e llojit kallashnikov, ishin të fshehura në tri kuti postare. Stafi i sigurimit i gjeti armët në pjesën e ngarkesës së aeroportit të Tiranës para se ata të ishin ngarkuar, shkruan “Daily Mail”.
Ato ishin të mbështjellë në peshqirë dhe qese brenda kutive DHL që përmbante edhe rroba dhe letra. Policia anti-terror ka rritur vëzhgimin pas sulmeve terroriste në Londër dhe Barcelonë.
Zyrtarët nuk kanë zbuluar adresën e synuar të shpërndarjes, por thanë se kanë njoftuar homologët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
I dyshuari për këtë rast nga autoritete shqiptare është Sajmir Çullhai, 32 vjeç, i cili u arrestua në Shqipëri pas konfiskimit të armëve. Thuhet se ai kishte marrë urdhra për të lëvizur armët tri ditë para se të dërgonte pakon të premten.
Ai ka refuzuar të japë më shumë detaje se nga vijnë armët, se për çfarë do të përdoreshin ose për marrësit e tyre të synuar. Detektivët gjithashtu po hetojnë një njeri i njohur me inicialet N.F. nga qyteti i Durrësit. Zëdhënësi i DHL-së nuk i është përgjigjur kërkesës lidhur me rastin në fjalë.
Mafia i vë zjarrin Tepelenës për të hapur toka për drogën
Një nga zonat e Shqipërisë që u përfshi më së shumti nga flakët gjatë kësaj vere që vazhdojnë të përpijnë pyjet është ajo e Tepelenës. Pyjet e mrekullueshme përballë Ujit të Ftohtë po vazhdojnë të shkrumbohen edhe pse temperaturat kanë rënë. Banorët që jetojnë në këtë zonë shprehen se, të gjithë zjarret janë të qëllimshme, ndërkohë që policia nuk vepron. Sipas tyre, mafia e drogës që vitin e kaluar e ka pasur epiqendër Tepelenën, po hap toka të reja për mbjelljen e kanabisit.
Që trafikantët e drogës të mbështetur nga kreu i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi janë zotër të territorit në këtë rreth, u vërtetua vitin e kaluar, kur nuk ra asnjë zjarr, pasi vendi ishte i mbushur me qindra parcela me kanabisi me lejen dhe mbrojtjen e forcave të policisë. Këtë vit trafikantët të mbështetur edhe nga policia po djegin pyjet për të hapur toka për mbjelljen e kanabisit. Përditë zjarret përpijnë pyjet edhe në zonat turistike, ndërsa policia nuk ndërhyn.
Ish-kryeministri Berisha ka reaguar për djegien e qëllimshme të pyjeve në Tepelenë për të hapur toka për mbjelljen e jkanabisit. Berisha ak postuar një video ku dallohet një sipërfaqe toke që po digjet. Me pamjet e bëra natën, të cilat i ka publikuar në Facebook, Berisha thotë se ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Tepelenë.
Berisha gjithashtu, nuk lë pa ironizuar Ramën dhe qeverinë e re të tij, të cilën e bëri zyrtare ditën e djeshme në Asamblenë e Partisë Socialiste. “Zjarr në Tepelenë përballë Ujit të Ftohtë tani që kemi Timonierin me Xhafën që nuk iu cënon hashashin!”, shkruan Berisha në Facebook.
Një ditë më par ëish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari nga Delvina I cili e informonte për djegien e ullishtave. “Qytetari dixhital denoncon: Ullishtat e Delvinës në flakë, asnjë s’po merr asnjë masë!”, shkruante Berisha nëFacebook.
Për këtë masakër pyjore nga zjarret e qëllimshme për të hapur toka për mbjelljen e kanabisit ka reaguar edhe kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi. “Ia vunë flakën Tepelenës. Hapen tokat e reja për drogën se siguruan mbrojtje për trafiqet”, shkruan Malltezi në një postim në Facebook.
Zjarret vijojnë të shkrumbojnë pa ndërprerje pyje e kullota në Jug të vendit. Një zjarr masiv ka rënë në fshatin Vrisera në Gjirokastër pasditen e të dielës. Nga flakët u rrezikua edhe godina e Bashkisë së Dropullit si dhe shkolla e fshatit. Forcat e zjarrfikëses së Gjirokastrës janë në luftë me flakët. Drejtori i PMNZSH Gjirokastër, Kujtim Bizhga tha se zjarrvëniet janë të qëllimshme.
“Situata paraqitet mjaft e vështirë, kjo është një zjarrvënie e qëllimshme”, u shpreh ai.
Po ashtu njoftohet se edhe në Delvinë një zjarr i madh ka rënë, duke djegur një bllok me gështenja dhe disa ullinj të vjetër në moshë. Zjarrfikëset e kanë të pamundur që të futen për të shuar zjarrin, pasi terreni është malor dhe i thyer. Banorët e zonës po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
356 zjarre në Fier gjatë verës
Në qarkun e Fierit, gjatë stinës së verës janë regjistruar 356 raste zjarresh. Për pasojë janë djegur me dhjetra hektarë me pyje dhe pemë frutorë. Në lidhje me këtë situatë, prefekti i qarkut Vasil Bregu zhvilloi një takim me përfaqësues të bashkisë dhe policisë.
Për përballimin e emergjencave, Bregu kërkoi një bashkëpunim më intensiv mes institucioneve. Në qendër të takimit ka qenë dhe aksioni kundër ndërtimeve pa leje, për të cilin prefekti tha se nuk synon terrorizmin e qytetarëve por orientimin e tyre drejt rrugës ligjore.
Po ashtu prefekti apeloi për rehabilitimin e rezervuareve dhe kanaleve kulluese për t’i paraprirë reshjeve të shiut gjatë stinës së dimrit, të cilat vitet e kaluara kanë shkaktuar përmbytje.
Minatorët angazhohen të shuajnë flakët në Martanesh
Flakët që vazhdojnë të jenë aktive prej disa ditësh në zonën e Martaneshit po rrezikohen dhe banesat. Zjarri rrezikon minierat prandaj shumë minatorë janë angazhuar vullnetarisht bashkë me shërbimin zjarrfikës për të shuar flakët. Gjithashtu dhe zjarri i rënë prej 3 ditësh në fshatin Skuraj të Kurbinit vijon ende. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri si dhe me mjete rrethanore ende nuk arritur që të shuhen plotësisht flaket. Sipërfaqja e malit të djegur është e konsiderueshme duke sjelle dëme në masivin pyjor të kësaj zone.
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë masivin pyjor të fshatit Bërzanë në Njësinë Administrative të Zejmenit në Lezhë. Vatra e zjarrit është pikasur nga banore të zonës në orët e pasdites, ndërsa është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme duke rrezikuar dhe banesat. Në zonë kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit pyjor duke mbajtur nën kontroll situatën që zjarri mos ti afrohet zonës së banuar.
Gjatë pasdites së djeshme ka patur dhe ndërhyrje me helikopter nga ajri por pa mundur që të shuhen flaket. Sipas të dhënave zjarri vijon të djegë pyjet ndërsa vëmendja është përqendruar në mbrojtjen e zonës së banuar nga flaket. Deri më tani është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me pyll lisi dhe shkurre.
Zjarret vazhdojnë të djegin pyjet në të gjithë vendin
Zjarret vazhdojnë të djegin vendin, pavarësisht rënies së temperaturave. Pyjet vijojnë të shkrumbohen nga zjarret e qëllimshme të ndihmuar nga era. 6 vatra kanë qenë aktive gjatë ditës së djeshme, ndër to njëra në kodrat e Ardenicës. Flakët kanë rrezikuar sërish mansatirin e vjetër dhe antentat e televizioneve, ndaj është dashur ndërhyrja nga ajri edhe me helikopter. Pas disa orëve, zjarri u shua, por ka shkaktuar dëme të mëdha. Ndërkohë, zjarret vazhdojnë në Lezhë, në pyjet e Skurajt.
QARKU LEZHË
Zjarri i rënë disa ditë më parë në sipërfaqen pyjore me shkurre dhe pisha në fshatin Skuraj, Kurbin vijon të jetë aktiv. Shërbimi zjarrfikës ka punuar për të shuar flakët, por për shkak të erës së fortë dhe terrenit malor nuk kanë arritur ta izolojnë. Ditën e sotme helikopteri dhe disa forca ushtarake po punojnë të shuajnë zjarrin.
QARKU SHKODËR
Vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Karmë të Pukës. Terreni malor e ka vështirësuar punën e zjarrfikësve. Në orët e para të mëngjesit janë rindezur disa vatra të vogla zjarri.
QARKU DIBËR
Zjarri i rënë dy ditë më parë në fshatin Muhurr Dibër është shuar. Shërbimi zjarrfikës e kishte të pamundur të shuante zjarrin për shkak të terrenit të thyer malor. Pas ndërhyrjes me anë të helikopterit është bërë i mundur izolimi dhe shuarja e tij.
QARKU FIER
Në fshatin Kolonjë Lushnjë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullinj. Në ndihmë të zjarrfikësve të Lushnjës kanë shkuar edhe ata nga Fieri. Nga flakët rrezikohej Manastiri i Ardenicës si dhe antenat e transmetimit të montuara në fshatin Kolonjë. Pas një pune të gjatë të zjarrfikësve dhe të mbështetur nga një helikopter zjarri është shuar.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Selckë Dropull ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Banorë të zonës dhe forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar për shuarjen e zjarrit. Zjarri ka rrezikuar dhe banesat e fshatit. Për këtë është ndërhyrë me anë të helikopterit, i cili ka shuar zjarrin.
QARKU ELBASAN
Janë riaktivizuar vatrat e zjarrit të rëna në Poroçan, Gramsh. Për shkak të terrenit malor zjarrfikëset nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 15 ha me pyll ahu dhe pishe.
Flakët e zjarrit rrezikojnë Manastirin e Ardenicës
Në fshatin Kolonjë Lushnje nga flakët rrezikohej Manastiri i Ardenicës si dhe antenat e transmetimit të montuara në fshatin Kolonjë. Pas një pune të gjatë të zjarrfikësve dhe të mbështetur nga një zjarri është shuar.
Në Gjirokastër në fshatin Selckë Dropull ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ku janë rrezikuar dhe banesat e fshatit. Për këtë është ndërhyrë me anë të helikopterit i cili ka shuar zjarrin.
Në fshatin Porocan të Elbasanit si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe prej 15 hektarës me pyll ahu dhe pishe. Po ashtu dhe në në fshatin Muhurr të Dibrës zjarri është shuar me anë të helikopterit.
R.POLISI
Vrau në Vlorë, arrestohet pas 17 vitesh në Greqi
Një 59-vjeçar i dënuar me burg për jetë është arrestuar në Greqi. Xhemal Dule është dënuar për një vrasje të kryer në vitin 1998 në Vlorë. “Në datë 11.01.1998, rreth orës 19.00 në lagjen “Partizani”, Vlorë, pas një konflikti për motive të dobëta, Xhemal Dule, në bashkëpunim me djalin e tij F. Dule kanë vrarë me armë zjarri automatik shtetasin E.B.”. Arrestimi i tij në Athinë, Greqi më 24 gusht 2017, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tone.
Xhemal Dule është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendim penal nr. 62, datë 18.04.2000, e ka dënuar këtë shtetas me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake” parashikuar nga nenet 78-22 e 278/2 të Kodit Penal. Emri dhe fotoja e tij ishte në listën e personave të shpallur në kërkim nga Interpoli.
Kakavijë, qindra automjete në radhë
Radhë të gjata automjetesh janë regjistruar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës me Greqinë. Qindra automjete kanë pritur për më shumë se 4 orë për të hyrë në territorin grek. Shkak është bërë shtimi i kthimit të emigrantëve, ndërsa pala greke punonte vetëm me dy sportele në hyrje dhe dy në dalje.
Të dhënat zyrtare të Policisë Kufitare bëjnë me dije se gjatë orëve të fundit, 2474 shtetas shqiptarë kanë hyrë për në Greqi. Përballë fluksit, pala greke ka shtuar sportelet pas ndërhyrjes së palës shqiptare.
Itali, shqiptari gjendet i vrarë me një plumb në kokë
Një shqiptar është gjetur i vdekur në ballkonin e shtëpisë së tij në Borgosatollo të Italisë. Mediat italiane bëjnë me dije se shqiptari me nënshtetësi italiane, u kërkua nga të afërmit e tij, por më vonë u gjet i pajetë në ballkon. Sipas hetimeve të para, shqiptari 42-vjeçar kishte një plumb në kokë. Mediat italiane shkruajnë se motivet e gjestit tragjik duket se janë të lidhura me jetën sentimentale të burrit.
Merr flakë autobusi që udhëtonin drejt Greqisë
Është përfshirë nga flakët një autobus me pasagjerë shqiptarë që udhëtonin drejt shtetit fqinj. Mediat lokale greke raportojnë se autobusi ishte në ecje në autostradën Patras –Korinth, ndërsa u dogj në tunelin Panagopoula.
brenda tij po udhëtonin 48 persona të cilët ishin nisur nga Shqipëria dhe destinacion kishin Athinën. Shoferi sapo ka parë flakët, ndaloi mjetin dhe nxori pasagjerët jashtë duke bere keshtu qe asnjeri prej pasagjereve te mos pesoje lendime.