Teksa vendet e Rajonit janë bërë pjesë e raportimeve statistikore të Institutit Europian të Statistikës (Eurostat), Shqipëria ende nuk e ka mundësuar këtë pjesëmarrje, kryesisht nga rrëmuja e institucioneve publike që prodhojnë statistika.
Banka Botërore në një analizë që i ka bërë projektit të saj për menaxhimin e financave publike në vend vëren se, INSTAT është përfshirë në një projekt që t’i bëjë të dhënat në përputhje me Manualin e Statistikave Financiare të qeverisë 2014 (GFSM 2014) dhe me Sistemin Evropian të Llogarive Kombëtare dhe Rajonale (ESA 2010). Por vonesat në zbatimin e këtij projekti ka bërë që INSTAT nuk mund të transmetonte deri në fund të vitit 2016, ndonjë tabelë apo të dhënë në EUROSTAT.
Një grup pune me përfaqësues të INSTAT, Ministrisë së Financave dhe INSTAT është ngritur sakaq për të përpiluar një listë me njësitë institucionale dhe njësitë e sektorit publik.
Gjithashtu gjatë vitit të kaluar është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me qëllim të përcaktimit të përgjegjësive ndërmjet INSTAT, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave për përpilimin, përhapjen, transmetimin, ndarjen dhe shkëmbimin e të dhënave.
INSTAT duhet të hartojë dhe transmetojë të dhënat e SFQ sipas kërkesave të programit të transmetimit të ESA 2010, që aplikon Eurostat.
Vendet e Rajonit, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia, janë pjesë e raportimeve në pjesën më të madhe të botimeve të Eurostat.
Statistikat e bollshme dhe cilësia e tyre ndër të tjera janë një problem që Shqipëria nuk ka mundur ta përmirësojë në standardet që kërkon koha. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë iniciuar mbështetje teknike dhe financiare, një pjesë e të cilave janë duke u zbatuar nga INSTAT.
Integrimi në BE kërkon ndër të tjera një përputhshmëri të raportimeve statistikore të Shqipërisë me ato të BE sidomos në lëmin e llogarive kombëtare.
EUROSTAT i BE nuk i beson të dhënave të INSTAT, e përjashton si institucion
OBT: Shqipëria në grupin e vendeve me ekonomi të ulët
Organizata Botërore e Tregtisë ka publikuar një raport mjaft të zgjeruar ku jep profilin tregtar të 190 ekonomive të ndryshme të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Ky dokument është një ndër më të rëndësishmit në këtë sektor, dhe shërben si guidë për tregtarët dhe investitorët. Praktikisht kjo është kartolina e Shqipërisë për tregtinë. Raporti i profilit të tregtisë 2017, flet me detaje, për thuajse çdo sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me tregtinë, si dhe jep një renditje. Sa i përket tregtisë, në drejtim të eksporteve, Shqipëria mban vendin e 131-të në botë. Sa i përket importeve, atë të 126-të. Së i përket shërbimeve tregtare, Shqipëria renditet në vendin e 99-të dhe 114-të respektivisht. Kjo tregon se, infrastruktura shqiptare është në favor të eksporteve, dhe jo të importeve. Duke qenë se së fundmi, zona e përbashkët ekonomike mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor është një refren i zakonshëm, krahasimi mes vendeve të rajonit, brenda këtij raporti është mjaft i rëndësishëm. Bosnje-Hercegovina është bindshëm më mirë se ne në tre nga katër indikatorët. Mali i Zi është më keq se Shqipëria, thotë Organizata Botërore e tregtisë, në të katër indikatorët. Serbia është më mirë se Shqipëria në të katër indikatorët kryesorë, me një diferencë të ndjeshme. Maqedonia ndërkohë është më mirë se Shqipëria vetëm për import-eksport, ndërkohë që mbetet mbrapa sa i përket shërbimeve tregtare. Kosova ndërkohë, që është një ndër 6 vendet e zonës së përbashkët ekonomike, nuk merret në analizë nga organizata.
Dollari arrin nivelin më të ulët të vitit
Monedha e gjelbër ka vijuar të zhvlerësohet në tregun vendas duke u këmbyer sot me 111.25 lekë, rreth 1.09 lekë më pak se fundi i javës së kaluar. Viti 2017 u hap me nivele të larta të këmbimit të dollarit përkundrejt lekut, ku një dollar blihej sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 129.75 lekë. Nga atëherë dollari është zhvlerësuar në vend me gati 18.5 lekë. Rënia e dollarit lidhet kryesisht me zhvlerësimin e tij në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktin që euro në tregun vendas vijon të mbetet e dobët, pavarësisht se ajo po vlerësohet në bursat ndërkombëtare, duke tërhequr poshtë edhe dollarin. Zhvlerësimi i monedhës së gjelbër vjen pas një periudhe “të artë” për të. Dollari u forcua përkundrejt monedhës europiane në fillim me zgjedhjen e Presidentit amerikan Donald Trump dhe më pas nën ndikimin e vendimit të Rezervës Federale për të rritur normat e interesit. Këmbimi i euros dhe dollarit thuaje arriti në barazim. Dollari amerikan po kalon një periudhë të dobët edhe përkundrejt euros në tregjet ndërkombëtare, ku sipas Reuters një euro këmbehej sot në tregjet ndërkombëtare me 1.1934 dollarë. Monedha europiane ka shënuar ditën e katërt me rritje në tregun vendas. Një euro është këmbyer me 132.64 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Sipas ekspertëve rritja euros pritet pas me përfundimin e sezonit veror shuhen dhe efektet sezonale që kanë mbajtur euron në nivele të dobëta këmbimi, si fluksi i turistëve dhe i emigrantëve.
Kosova-Serbi, çfarë do të ndodhë më 31 gusht?
Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të ndërmjetësojë të enjten më 31 gusht, takimin e radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ajo tha të hënën se të dy presidentët do të “shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas pajtimit të tyre në muajin korrik, që të fillojnë përgatitjet për një fazë të re të bisedimeve”. Në takim pritet të diskutohet edhe çështja e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedime.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, qenë takuar më 3 korrik dhe pas atij takimi thanë se janë pajtuar që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të hyjnë në një periudhë të re, ku do të diskutohen çështje më me peshë sesa aspektet teknike.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha atëherë se periudha e re e bisedimeve do të qonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve dhe të dy popujve. Ajo periudhë do të mbyllë kapitullin e errët të së kaluarës dhe do të hapë një perspektivë të sigurt për të ardhmen evropiane, tha ai duke shfaqur besimin se, “normalizimi dhe pajtimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të arrihet”.
Presidenti i Serbisë, Alesksandër Vuçiç, tha se aty ishte shtruar thelbi i përmbajtjes së bisedimeve në të ardhmen ku do të bisedohet për çështje thelbësore se si i shohin palët marrëdhëniet ndërmjet tyre për një, dy apo pesë vjet. Kjo do të thotë, sipas tij se duhen biseda më serioze dhe më të guximshme brenda opinionit serb dhe atij shqiptar, duke vënë theksin tek fakti se siç tha, “po bëhen përpjekje për të çuar përpara çështje më të rëndësishme sesa çështjet teknike”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në fund të korrikut paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës.
Aleksandër Vuçiç, një ish-ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel deri në vitin 2008. Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Në qershor të këtij viti, ai mori postin e presidentit të Serbisë.
Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton, pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.
Presidenti serb është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane, por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës.
Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, Presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai kishte thënë atëbotë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e Kushtetutës serbe.
Nisma e tj nxitit shumë reagime në Serbi, ku kanë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, ide këto që janë hedhur poshtë nga Prishtina.
Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet e deritashme i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Në Gjermani po rriten abstenuesit
Werner Peters ka një propozim radikal. Kryetari i Partisë së Jovotuesve dëshiron që në Bundestag të përfaqësohen edhe ata që nuk shkojnë të votojnë. Sipas numrit të jovotuesve duhet që qytetarët të zgjidhen me short në Parlamentin gjerman, pra ata që nuk identifikohen me ndonjë parti. Në vitin 1998 filozofi nga Kölni krijoi partinë me emrin paradoksal e u fut në zgjedhje. Në intervistë me DW, ai kujton se ndaj propozimit të tij “atëherë partitë ishin si të ngrira, sidomos CDU-ja”.
76-vjeçari ka qenë për dy dekada anëtar i partisë konservatore, CDU. Me partinë e jovotuesve, ai donte t’u ofronte qytetarëve një alternativë të re. “Kërkesat tona: Më shumë demokraci direkte, heqjen e detyrimit të grupit parlamentar, kufizimin e zgjatjes së mandateve. Me këtë ne donin ta rigjallëronim demokracinë”.
Idetë e Petersit ende sot prekin nervin e duhur tek gjermanët. Ndërkohë që jovotuesit nuk janë një grupim aq heterogjen. “Nga njëra anë kemi ata që nuk u intereson shumë politika, pastaj vjen në radhë ajo shtresë që nuk ka përfituar nga zhvillimi ekonomik. Ky grupim vendosi zgjedhjet në SHBA, pasi Trump ia doli që njerëzit që thonë, e ç’punë kam unë me politikën, të shkonin drejt kutive të votimit”.
“Sistemi duhet të ndryshojë”
Por filozofi e themeluesi i partisë së jovotuesve interesohet më shumë për shtresën e tretë. Janë ata që thonë, se problemet më kardinale të shoqërisë sonë nuk trajtohen ashtu si duhet. Si shembull aktual, Peters merr skandalin e dizelit. “Qytetarët nuk janë më të përfaqësuar. Të përfaqësuara janë koncernet e automobilëve. Po qe se vazhdohet me këtë, pra që ne të bëhemi për budallenj, politika do të përplaset një ditë pas murit. Refuzimi masiv i votës është mënyra e vetme, që ta bësh të qartë këtë protestë”, thotë Peters.
Votues me pushime
91,1% ishte pjesëmarrja në zgjedhjet e Bundestagut në vitin 1972. Në vitin 2009, 2013 morën pjesë 70,8% dhe 71,5% e votuesve. Për politologun Manfred Güllner një tendencë e rrezikshme. “Partitë kanë zënë veshët me dorë dhe nuk duan të dëgjojnë, se ka kaq shumë njerëz që i qëndrojnë larg zgjedhjeve”, kritikon Güllner në bisedë me DW. Kjo tendencë afrohet me Portugalinë, ku ka një refuzim të dhënies së votës, thotë ai. Një shembull pozitiv është Danimarka. “Aty kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare 85% e votuesve”.
Me porosi të fondacionit Friedrich-Ebert instituti i opinionit publik, Forsa analizoi qëndrimet e refuzuesve të votimeve. Rezultatet ishin surprizuese. “Ne nuk jemi refuzues të votës. Ne duam të votojmë. Ne jemi votues me pushime. Ne presim që të votojmë sërish”. Kush mendon kështu, thotë Güllner është një jovotues i përkohshëm, që nuk do të votojë për partitë radikale, por pret. Edhe në zgjedhjet e 24-shtatorit ekziston rreziku që shumë vetë të mos e japin votën e tyre, thotë eksperti. Një recetë e thjeshtë për të tërhequr votuesit do të duhej të ishte gjuha e kuptueshme, sipas tij. Jovotuesit ankohen për këtë. Güllner përmend një shembull pozitiv. Kancelari i dikurshëm, Helmut Schmidt përdorte një gjuhë të thjeshtë. Tek ai, njerëzit kishin ndjesinë se “ai mund të ta shpjegojë botën me tre fjali”.
Martin Schulz para detyrës së Herkulit
A mundet kandidati i socialdemokratëve për kancelar, Martin Schulz të ndryshojë situatën? Manfred Güllner nuk e përjashton këtë. “Edhe në fillim të vitit 1994 mendohej se Kohl nuk do të fitonte. Por ai ia doli të nxjerrë nga fronti i të pavendosurve të gjithë votuesit e CDU-së dhe mbeti kancelar”. Por për Schulzin situata është më e vështirë. “Kemi një mobilizim të madh përmes zgjedhjeve në tre lande, dhe përmes kandidaturës së Schulzit. Prandaj rezervat e SPD-së janë më të vogla se në zgjedhjet e mëparshme”.
Jovotuesit ndihmojnë Merkelin
Por çfarë ndodh, nëse jovotuesit më 24 shtator përbëjnë grupimin më të madh, pra janë “fituesit” dhe pjesëmarrja në votime zbret në 70%? Politologu Manfred Güllner thotë se politika atëherë duhet vërtet të vrasë seriozisht mendjen, sepse si pasojë humbet legjitimiteti. Filozofi Werner Peters, partia e të cilit u shpërbë në dhjetor 2016, mbetet megjithatë një jovotues i angazhuar. “Angela Merkel do të zgjidhet, kjo është e qartë”. E megjithatë, ai kërkon sërish që njerëzit të mos dalin në votime, megjithëse kjo shkon në favor të Merkelit. “Dihet, kjo grua përfaqëson një lloj qetësie, stabiliteti e soliditet. Por nga ana tjetër, ajo nuk ia ka idenë, se si do të zhvillohen gjërat. Ajo e jeton këtë sistem, dhe nuk ka problem me këtë. Por ajo është si njeriu me një sy mes të verbërve”.
Merkel: Refugjatët nuk mund të kthehen në Siri
Qeveria gjermane ka treguar, sipas kancelares Angela Merkel, një interesim të madh për shpjegimin e kritikave kundër rojeve bregdetare në Libi, për pengimin e aksioneve për shpëtimin e refugjatëve në Mesdhe. Bashkimi Evropian ka stërvitur dhe pajisur rojet për të mbrojtur bregdetin e tyre. “Ne i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare gjatë këtyre aksioneve të rojeve bregdetare – në raport me refugjatët, por edhe migrantët dhe organizatat joqeveritare. Nëse ka dyshime për keqpërdorime, ne me siguri që do të reagojmë”, deklaroi Merkel për gazetën “Welt am Sonntag”.
Merkel ka pasur para disa ditësh këshillime me Komisionerin për refugjatë dhe organizatat ndërkombëtare për migrantë lidhur me gjendjen dhe kujdesin ndaj personave të kthyer në Libi. “Në Libi vlenë ajo që vlen edhe në Turqi: ne nuk mund të lejojmë që kontrabandistët të rrezikojnë jetën e njerëzve. Duhet të pamundësohet veprimi i tyre”, thotë Merkel, e cila edhe një herë
i doli në mbrojtje vendimeve të marra në kohën e krizës më të madhe në vitin 2015.
Merkel u shpreh me fjalë shumë kritike ndaj marrëveshjes së Dublinit për shpërndarjen e refugjatëve. “Nuk mund të lejohet që Greqia apo Italia të jenë të vetmuara në këtë krizë, vetëm pse kanë një pozitë të këtillë gjeografike dhe se refugjatët arrijnë së pari në këto vend”, thotë Merkel. Në çështjen e refugjatëve duhet të jemi solidarë, mendon Merkel. Rregullat e Dublinit parashikojnë që vendi përgjegjës për një person është ai ku personi ka ardhur për herë të parë dhe ka paraqitur atje kërkesë për azil.
Kancelarja nuk mendon se refugjatët mund të kthehen aktualisht në Siri. “E di që njerëzit po kthehen madje edhe në Alepo, por gjendja në Siri në përgjithësi është dramatike”. Merkel mendon se kthimi është aktualisht i mundur vetëm në kushte të caktuara, për nevoja të familjeve. Në landin Baden-Württemberg janë regjistruar në tri vitet e fundit rreth 100 persona, të cilët disa herë kanë qenë në vendlindjen e tyre.
Gjatë ditës së hënë në Paris do të mbahen këshillime për gjendjen e refugjatëve dhe nevojat e Libisë për ndihma. Qeveria në Tripoli ka paralajmëruar para dy javësh se do të ngrejë një gardh për të evituar kalimet e refugjatëve. Organizatat joqeveritare i kanë kritikuar këto paralajmërime.
Konservatori i CDU: Flisni gjermanisht
Kjo është me siguri “pak si tepër”: Jens Spahn, 37 vjeç, politikan i CDU-së me pikëpamje të rrepta konservatore, kohët e fundit ka folur dendur për vëzhgimet e tij në lagjet në modë në Berlin. Atje sipas tij gjen gjithnjë e më shumë “hipster” (njerëz që njohin çdo gjë moderne, por që janë edhe mospërfillës për normat shoqërore), të cilët dallohen me ndërgjegje nga të tjerët, madje krijojnë pak a shumë “shoqëri paralele”. Në artikullin e të ftuarit, Spahn shkroi për gazetën “Die Zeit” se, ndërkohë nuk e ke më fare të mundur që të porositësh diçka në gjermanisht: “Të gjithë ata që nuk e ndjekin dot pas brezin easyJet, mbeten jashtë”. Në disa restorante madje nuk e quajnë fare të nevojshme që të mbajnë meny në gjermanisht.
“Vetëxhuxhëzim provincial”
Dhe ajo që nuk duron fare Spahn është që disa gjermanë e luajnë këtë lojë, për të theksuar sa ndërkombëtarë janë. “Veçanërisht groteske është kur dëgjoj se si klienti dhe kamerieri flasin në një “Location” të preferuar anglisht, – por kur tek të dy ndihet një theks i rëndë i gjermanishtes. Spahn e quan këtë “vetëxhuxhëzim provincial”- në mes të qytetit të madh. Përfundimi i tij: “Ne me të drejtë u kërkojmë migrantëve që të ndjekin kurset e gjermanishtes, për t’u integruar. Në të njëjtën kohë, “qytetet e mëdha zhvendosen me mospërfillje për të tjerët në anglisht, duke u izoluar kështu nga konsumatori normal”.
Firma të vogla dhe të suksesshme në provincë
Hipster, kjo fjalë përdoret me kuptimin e kozmopolitëve të rinj, të suksesshëm, shpesh beqarë, që shumicën e herëve flasin shumë gjuhë. Por megjithatë, ata për Spahn-in nuk janë bartësit e suksesit ekonomik të Gjermanisë. Këta bartës janë firmat e vogla, jashtë qyteteve të mëdha: “Këtu gjen më tepër sipërmarrje solide, të mesme, por që janë shumë të suksesshme në botë”.
“Jens Spahn would appreciate too!”
Kaq shumë gatishmëri luftarake për gjuhën gjermane nuk mbeti pa u komentuar në rrjetet sociale. Shumë nga ata që me sa duket e shohin veten si Hipster iu përgjigjën provokimeve të Spahn-it. “Unë fola sot me një moshatar timin në anglisht. Ishallah nuk më shan @jensspahn-i,” lexon aty. Po me humor e pa këtë diskutim edhe Ministria Federale e Financave, ku Spahn punon si sekretar shteti. “Hello Hipsters, come join us for our open day. Jensspahn ëould appreciate it too”. E përkthyer “Ej, hipster hajdeni merrni pjesë në ditën tonë të dyerve të hapura. Këtë do të përshëndeste edhe Jens Spahn”.
Spahn – në fakt është hipster vetë
Kjo nuk është e pamundur. Sepse Spahn është një i ri tepër konservator, që njeh pak frikëra. Para dy vjetësh, ai ishte ndër të paktët politikanë të CDU-së, që e kritikoi hapur politikën e hapur ndaj refugjatëve të shefes së partisë së tij, Kancelares Angela Merkel. Nga ana tjetër, Spahnin madje mund ta quash edhe vetë hipster: ai vetë flet shumë mirë anglisht, ka dy grada akademike dhe ka përfunduar “Young Leader Programm” të American Council on Germany. Dhe nuk janë të paktë ata që mbështeten tek Spahn-i, kur CDU-së t’i duhet një ditë pas epokës së Merkelit ta rishpikë veten.
Uragani Harvey shkakton përmbytje “katastrofike” në Teksas
Uragani Harvey goditi në fundjavë shtetin e Teksasit, duke përplasur erëra të forta dhe shi të rrëmbyer në qindra kilometra vijë bregdetare
Përmbytjet dhe tornadot që shoqëruan stuhinë vazhdojnë të përbëjnë rrezik për banorët e Teksasit.
Sipas vlerësimeve, në disa zona kanë rënë deri 1 metër e gjysëm rreshje, duke shkaktuar përmbytje të cilësuara “katastrofike”.
Mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë, për shkak të shkatërrimeve të stuhisë.
Në Teksas, janë mobilizuar grupe ndihmash, të cilët po ofrojnë ndihma materiale dhe mjekësore për personat e evakuuar.
Guvernatori i shtetit u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë brenda për të shmangur fatkeqësitë.
Stuhia shkaktoi të paktën dy viktima: një person të premten gjatë natës, vdiq kur shtëpia e tij në Rokport mori zjarr të shkaktuar nga uragani; personi i dytë ishte një grua, duket ndërsa përpiqej të shtunën të dilte nga makina në rrugët e përmbytura të Hjustonit. Infrastruktura e shtetit është dëmtuar rëndë.
Shërbimi Kombëtar i Motit tha se, që nga e premtja në mbrëmje, të paktën shtatë tornado kanë goditur qytetin e Hjustonit. Në 24-48 orët e ardhshme pritet të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga stuhia.
Harvey u tha se është stuhia më e ashpër që godet Shtetet e Bashkuara në më shumë se një dekadë – me erëra prej 209 km në orë.
Stuhia u dobësua gradualisht, dhe pasditen e shtunës, nga uragan, u shndërrua në një stuhi tropikale. Megjithatë, dëmet materiale që shkaktoi janë të jashtëzakonshme.
Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër federal, duke e shpallur Teksasin një zonë të prekur nga fatkeqësi natyrore.
Qendra Kombëtare e Uraganeve e quajti Harvey-n stuhinë më e rëndë që ka goditur ndonjëherë Teksasin.
Kryetari i Bashkisë i Rokportit tha në një intervistë televizive se, uragani ka shkaktuar shkatërrime masive të shkollave, bizneseve dhe shtëpive.
“VOA”
Çfarë kërkon Londra nga BE
Qeveria britanike kërkon me ngulm që njëkohësisht me negociatat për daljen nga Bashkimi Evropian të bisedohet dhe nënshkruhet një marrëveshje tjetër me BE-në për partneritet. Brukseli duhet të tregojë më shumë “fleksibilitet”, thuhet në një kumtesë të Ministrisë për Breksit.
Delegacioni britanik nën drejtimin e ministrit për Brexit, David Davis këtë të hënë do të shkojë në Bruksel për të vazhduar negociatat për dalje nga BE. Javën e kaluar Londra ka paraqitur një radhë të tërë dokumentesh për pozicionet e saj. Dokumentet dëshmojnë se Britania e Madhe po përpiqet që negociatat për dalje nga BE-ja t’i ndërlidhë me një marrëveshje tjetër për rregullimin e raporteve me BE, thuhet në kumtesë.
Komisioni i BE-së mendon ndryshe. Ai angazhohet për një proces shkallë-shkallë. Para bisedimeve për një marrëveshje tjetër me Londrën, ai do të shohë një përparim të nevojshëm në procesin për dalje nga BE. Këtu bëjnë pjesë bisedimet për obligimet financiare të Britanisë së Madhe ndaj BE-së, e ardhmja e kufirit të Irlandës me Irlandën e Veriut, si dhe të drejtat e rreth 3,2 milionë shtetasve të vendeve të BE-së që jetojnë në Britani të Madhe si dhe 1,2 milionë britanikëve që jetojnë në BE.
Autoritetet e BE nuk besojnë ndonjë përparim tepër të shpejtë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Pas negociatave të fundit zyrtare në mes të qershorit, përfaqësuesi i BE në negociata Michel Barnier, tha se kolegu i tij britanik, David Davis dhe qeveria britanike duhet të saktësojnë se çfarë duan. Komisioni i BE-së ende nuk ka komentuar dokumentet e fundit të paraqitura nga Londra, ndonëse ka përshëndetur gatishmërinë për negociata konkrete.
Shëndetësia falas? Shqiptarët lanë 62 milionë euro në spitalet private në 2016-n
Biznesi i spitaleve private ka vijuar të shënojë rritje edhe në vitin 2016, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Pjesa më e madhe e tyre janë ende në fazë humbjeje. Shpenzimet për frymë në spitalet private në Shqipëri ishin rreth 22 euro në vit. Biznesi i spitaleve private në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2016, ndonëse me ritme të ngadalësuara, teksa shumë shqiptarë duket se kanë preferuar alternativën e kurimit privat, përballë shërbimeve të dobëta, apo të munguara që ofron sot sistemi shëndetësor shtetëror. Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, 7 spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan, Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / TIR), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian, Spitali Privat i Zemrës, kanë qarkulluar në total rreth 8.4 miliardë lekë, apo rreth 62 milionë euro, me një rritje prej 16% në raport me 2015-n. Rritja e të ardhurave të spitaleve private është ngadalësuar në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 21%. Ndonëse një pjesë e këtyre parave janë rimbursuar nga shteti (p.sh., hemodializa), përqindja më e madhe ka ardhur nga xhepat e shqiptarëve të pakënaqur me sistemin shtetëror shëndetësor, edhe pse paguajnë sigurime e duhet të marrin shërbimin falas. Vetëm në Spitalin Amerikan, individët kanë paguar për t’u kuruar në vitin 2016 rreth 3.1 miliardë lekë, apo rreth 23 milionë euro, sipas të dhënave nga bilanci i vetë spitalit. Shuma e shpenzuar në spitalet private është gati sa një e treta e buxhetit total të shëndetësisë. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i shtetit ka shpenzuar në vitin 2016 (me paratë e taksapaguesve) rreth 31 miliardë lekë për planifikim, menaxhim, administrim, shërbimet e kujdesit parësor dhe pagat e personelit.
E panjohur mbetet shuma që shqiptarët shpenzojnë për t’u kuruar jashtë vendit, ku destinacionet kryesore mbeten Turqia, Greqia, Italia etj. Biznesi i spitaleve private është zhvilluar ndjeshëm pesë vitet e fundit dhe zgjerimi i tyre vijon. Megjithatë, një pjesë e m adhe e tyre vijojnë të jenë me humbje, edhe pse ka kaluar cikli trevjeçar, kur përgjithësisht sipërmarrje të tilla fillojnë e japin fryte. Sipas një studimi të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (bazuar në analizat që ajo ka bërë për kreditë e dhëna për spitalet private në vende të ndryshme të botës), investimet në spitale, me 100 deri në 200 shtretër kanë në përgjithësi një periudhë ku shpenzimet barazohen me të ardhurat (break even point) prej rreth tre vitesh. Raporti thekson se optimizmi i tepërt nga investitori apo huamarrësi është i zakonshëm në këto lloj investimesh (numri i pacientëve, të ardhurat, përfitueshmëria).