Përgjigjia e ambasadores shqiptare në Holandë, Aida Sakiqi, ka zemëruar shtypin holandez. Në një intervistë për televizionin “Top Channel” Sakiqi deklaroi se lajmi se policia holandeze po përgatit një raport, në të cilin këshillohet të hiqen vizat për Shqipërinë, janë thjesht thashetheme sensacionale.
Të dyja, si shtypi shqiptar dhe gazeta holandeze “De Telegraaf” publikuan këtë raport dha pasojat e mundshme për qytetarët shqiptarë.
Në intervistë, Sakiqi shkoi deri aty sa deklaroi se policia holandeze duhet të merret me “5,600 prostituta të punësuara në mënyrë të ligjshme” që punojnë në Amsterdam:
Ishte i shkurtër, artikull sensacional, në të cilin një gazetar flet me një punonjës policie të Amsterdamit. Dhe punonjësit flasin për probleme të përditshme, në një qytet si Amsterdami, në të cilin ka 1,5 milionë turistë në vit, të cilët vijnë vizitojnë “dyqanekafe”. Jo turistë të zakonshëm. Një qytet që ka 5,600 prostituta të punësuara në mënyrë të ligjshme, të cilat tërheqin rreth 200 mijë vizitorë në vit.
Është tërësisht e paqartë çfarë lidhje ka legalizmi i drogave të lehta apo prostitucioni me argumentin e saj, por është qartësisht një përpjekje për të mbuluar faktin se 1) personi i intervistuar ishte një prokuror, dhe jo një punonjës i thjeshtë i Policisë Bashkiake, dhe 2) ai nuk foli për “problemet e përditshme”, por për rritjen e shpejtë të krimit të kryer nga shtetasit me kombësi shqiptare.
Përpjekja e qartë e Sakiqit për të fajësuar Holandën për “krimin” e saj, u kap nga shtypi holandez, dhe me siguri do të vihet re edhe nga administrata holandeze.
Media hollandeze “Elsevier” shkruan se:
Aida Sakiqi iu drejtua shqiptarëve në televizionin kombëtar të Shqipërisë. Ambasadorja në Hagë i bëri thirrje popullit shqiptar të mos shqetësohet shumë për lajmin nga Holanda. Është lajm i pakuptimtë nga një gazetë sensacionale, tha Sakiqi.
Sipas “De Telegraaf”, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme, përgjegjës për çështjen e zgjerimit të BE-së, i ka thënë ambasadores shqiptare të mos i marrë seriozisht lajmet. Por, Ministria e mohon këtë.
Autoritetet holandeze, tha Sakiqi, duhet të përqendrohen në adresimin e krimit të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike dhe prostitucionit, i cili ushqehet nga turizmi në dhe nga Amsterdami. Por, në fakt, raporti nga Prokuroria tregon se shqiptarët luajnë një rol të rëndësishëm në botën e krimit.
Një artikull i para pak ditëve i gazetës holandeze “De Telegraaf” bëri publik raportin e policisë holandeze, i cili rekomandon vendosjen e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Holandës, si një teknikë për të kontrolluar hyrjen e kriminelëve shqiptarë dhe qendrimin e tyre në vend.
Bazuar në artikullin e “De Telegraaf”, 11 deputetë të Parlamentit holandez i kanë dërguar 12 pyetje zyrtare Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë të Holandës rreth vendosjes së sistemit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Parlamentarët kërkojnë të konfirmohen të dhënat e përmendura në memon e Policisë dhe Prokurorisë holandeze mbi rritjen e shpejtë të aktivitetit kriminal të shqiptarëve në Holandë.
Ambasadorja e Ramës irriton mediat në Holandë
Paloka ironizon Ramën
Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka reaguar sot në mëngjes lidhur me qëndrimin që mbajti dje kryeministri Edi Rama ndaj ambasadorëve. Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Paloka nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të kreut të qeverisë, të cilin e ka cilësuar lider botëror. Paloka theksoi mes të tjerash se ishte pikërisht lideri-Rama- ai që foli, duke u mbyllur sipas tij gojën. Rama dje gjatë një takimi me ambasadorët e BE dhe të vendeve të NATO-s, pohoi se disa prej tyre sillen si delenxhinj, ndërsa shoferët si timonierë allçakë. “Kush ishin ata të pafytyrë që mendonin se fajin për mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri e kishin krimi e korrupsioni?! Kush ishin ata të pashkolluar që thonin se kanabisi përveç të tjerave, do të shkatërronte dhe ekonominë? Kush injorant fajësonte taksat e larta? E mbi gjithçka, kush ishin ata që guxonin të bënin fajtor liderin suprem?!!! Lideri vetë ju a përplasi në fytyrë të gjithëve; faji është i ambasadorëve… Këta të paaftë (që nuk dihet cili armik ia ofroi Ramës që t’i emëronte ambasadorë) nuk arritën të shfrytëzonin as lëvizjet brilante diplomatike të liderit suprem, i cili arriti të krijojë trekëndëshin e fuqishëm Shqipëri-Francë-Gjermani nëpërmjet atleteve Adidas që i dhuroi kryeministrit francez. Tani të gjithë ju të tjerët duhet të heshtni, të mbyllni gojën. Lideri botëror foli vetë”, shkruan Paloka në reagimin e tij.
Djemtë e shefave të policisë lëvizin me makinat me targa policie
Targat e policisë nuk janë vetëm për mjetet që përdorin uniformat blu, por edhe për makinat personale të djemve të tyre. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i ka dërguar edhe videon ish-Kryeministrit Berisha. Sipas denoncuesit me këtë makinë lëvizin fëmijët e shefave të Policisë së Malësisë së Madhe.
Në videon e publikuar në Facebook nga ish-Kryeministri Sali Berisha duket një makinë tip “Volkswagen”, ngjyrë gri, në targën e së cilës shkruhet POLICIA. Sipas Berishës janë djmetë e shefave të Policisë së Koplikut që lëvizin me këtë mjet.
Rama do bëjë pjesë të tepsisë edhe Trupin Diplomatik
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka reaguar lidhur me takimin që zhvilloi dje kryeministri Edi Rama me ambasadorët. Në një status në faqen e tij të ‘Facebook’-ut kreu i Partisë Republikane, Mediu pohoi se, Rama po tenton që të heq përgjegjësinë nga qeveria për mungesën e investimeve të huaja në vend, për t’ja pasuar diplomatëve. “Mbasi Rama ndërroi ligjin për Trupin Diplomatik me qëllim që të vendoste nëpër ambasada militantët e Rilindjes, tani kërkon që ambasadorët të kthehen në sekser të interesave të tij ekonomike. Duke ju drejtua ambasadorëve me një gjuhë të papranueshme, Rama kërkon ta zhvendosë përgjegjësinë drejt ambasadorëve për mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri. Së pari, Trupi Diplomatik, Forcat e Armatosura apo Policia, me ligj karrierën e tyre nuk duhet dhe nuk mund ta vendosin në pëlqimin politik të kryeministrit apo ministrit, por kritereve që përcakton ligji, përndryshe ata nuk mund të jenë ambasadorë, polic dhe ushtarak të shtetit, por të Partise Socialiste dhe Ramës siç ai po këmbëngul vazhdimisht. Së dyti: Mungesa e investitorëve në Shqipëri, vjen qartësisht për shkak të korrupsionit, një strukture qeveritare pa projekte dhe vizion për zhvillimin ekonomik të vendit, pasigurisë për jetën, pa sigurisë juridike për zbatimin e kontratave apo detyrimeve, pasigurisë për pronën, dhe padyshim taksat e larta dhe kompleksiteti i tyre. Së treti. Rama vet s’ka mundur të marrë asnjë mbështetje thelbësore financiare qoftë edhe nga procesi i Berlinit, sepse Rama nuk shkon për të prezantuar, por vehten e tij, duke u përpjekur të bëjë lajm jo me projekte të zhvillimit të vendit, por me sjelljen dhe veshjen që skanë asgjë të përbashkët me Kryeministrin apo shtetarin. Për investitorët e huaj Rama i ka “Ambasadorët e tepsisë, janë ata me të cilët blen zgjedhjet dhe bën tenderat dhe koncesionet”.
Dhunë dhe tension në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Himarë
Një situatë e tensionuar është krijuar ditën e djeshme, kur në Këshillin Bashkiak të Himarës do të miratohej plani i përgjithshëm vendor. Njerëz të grumbulluar nga përfaqësues të Omonias, hynë me forcë duke tentuar të prishin mbledhjen. Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, akuzoi në një lidhje telefonike për “Ora News”, se përfaqësues të Omonias kanë prishur me forcë mbledhjen e Këshillit.
“Ishte parashikuar mbledhja e Këshillit Bashkiak për të kaluar planin e përgjithshëm vendor, një mbledhje normale e këshillit. Përfaqësues të OMONIA-s, të organizuar nga kryetari i OMONIA-s, Alfred Beleri së bashku me Neranxin, me njerëzit e tyre, u futën me forcë, duke prishur mbledhjen e Këshillit.
Ne njoftuam Policinë e Rendit dhe kemi marrë të gjitha masat se çfarë ndodhi aty. Këshilli Bashkiak nuk kishte filluar mbledhjen. Anëtarët e PBDNJ-së ishin aty. Ata u futën me forcë dhe penguan zhvillimin e mbledhjes, duke sharë dhe ofenduar. Duke ofenduar vazhdimisht pjesëtarët e grupit të punës. Ne u detyruam të ndërpresim mbledhjen”, u shpreh Goro.
Borxhi tatitmor arriti në 1 miliard euro për 2016
Borxhi tatimor në Administratën Tatimore në fund të vitit 2016-të arriti të kalojë për herë të parë vlerën 1 miliard euro, duke u barazuar 10% të prodhimit të brendshëm kombëtar. Sipas shifrave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, detyrimet që bizneset kanë ndaj saj, arrijnë në 147 miliardë lekë, ose 1.07 miliard euro. Administrata Tatimore ka nisur një fushatë për mbledhjen e detyrimeve që kanë të gjithë taksapaguesit e saj, qoftë edhe duke vendosur sekuestro mbi llogaritë e tyre, apo konfiskim të pasurisë. Tatimet u kanë kujtuar ndërmarrjeve se kanë edhe mundësinë e pagesës së borxhit me këste. Në faqen zyrtare kjo drejtori ka publikuar rrugën që duhet të ndjekin sipërmarrësit për të arritur një marrëveshje të tillë. Taksapaguesi duhet të dërgojë një kërkese të Drejtoritë Rajonale, e cila nëse pranohet, ai duhet të derdhë menjëherë 20% të shumës, e më pas pagesat bëhen çdo muaj. E kontaktuar nga Televizioni “Klan”, Drejtoria e Tatimeve tha zyrtarisht se deri tani janë lidhur 988 marrëveshje, vlera totale e detyrimit të të cilave shkon në 55 milionë dollarë.
Skandal me ujin e pijshëm, bashkohet me ujrat e zeza
Uji që ka rrjedhur dje në orët e mesditës në tubacionet e shtëpive të qytetarëve të Tiranës pranë rrugës së “Elbasanit” ka qenë i ndotur jashtë çdo norme dhe përtej çdo imagjinate. Banorët thonë se kurrë në këto 25 vite nuk kishin parë që uji të vinte në përmasa të tilla të ndotjes. Të alarmuar, banorët kanë marrë në telefon Ujësjellësin e Tiranës, nga i cili nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Fillimisht punonjës të ujësjellësit kanë kërkuar asistencën e inxhinierëve. Ndonëse kanë kaluar orë nga ankesat e banorëve nuk ka pasur asnjë reagim dhe përgjigje nga Ujësjellësi.
Pasi kanë marrë shqetësimin e banorëve dy specialistët kanë marrë në vend mostrat e ujit të ndotur. Ata thanë se do t’i dërgojnë mostrat në laborator për të parë nivelin e ndotjes. Banorët thonë se uji ishte në ngjyrë kafe dhe vinte erë. Situata paraqitet mjaft problematike në Tiranë për ujin. Prej ditësh qytetarët ankohen për mungesa të ujit të pijshëm. Uji nuk ka presion dhe katet e larta po vuajnë mungesën e ujit. Mungesa bëhet akoma më problematike për faktin se shumica e qytetarëve i mbajnë depozitat me ujë në taracat e pallateve dhe uji i lëshuar nga ujësjellësi nuk ka presion që të ngjitet tek depozitat edhe kjo ndihmohet nga pompat që qytetarët kanë vendosur në pallatet e tyre.
“Kemi tre ditë pa ujë. Sot që na erdhi në orët e pasdites ishte i gjithë ngjyrë kafe. Ky ujë të bën pis dhe është i rrezikshëm për këdo. Habitemi se si ka mundësi që Ujësjellësi të hedhë në tubacione një ujë që ka këto parametra të ndotjes”, thotë një nga banorët e shqetësuar.
Vetëm pak ditë më parë, Bashkia rriti çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 33% me pretendimin se do të ndikonte për përmirësim të furnizimit me ujë të qytetarëve të Tiranës. Në fakt ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm që nuk ka pasur asnjë përmirësim në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve, por situata është përkeqësuar. Uji që shpërndahet në tubacione nga ujësjellësi nuk mundet kurrsesi të konsiderohet i pijshëm, atëherë përse Bashkia e trafikon këtë ujë të ndotur si ujë të pijshëm? Cili është standardi që Bashkia përdor për qytetarët e Tiranës? Nëse ky ujë është i pijshëm atëherë Lali Eri le të pijë një gotë nga ky ujë që po u servir banorëve të Tiranës.
Kemi të bëjmë me një krim ekologjik. Imagjinoni sikur ky ujë me nivel të tillë ndotje të ishte shpërnardë në ndonjë qytet tjetër të Europës se çfarë do të ndodhte? I gjithë komuniteti do të ishte ngritur në protesta dhe kryetari i Bashkisë nuk do ta kishte të gjatë më shumë se disa orë pa dhënë dorëheqjen nga posti. E kundërta ndodh në Tiranë. Kryetari i Bashkisë vazhdon pushimet pa e vrarë aspak mendjen se çfarë ndodh. Ai mjaftohet me shpërndarjen e kasetave filmike të regjistruara një muaj më parë në mediat që ka nën kontroll dhe kjo është e mjaftueshme për të shpërndarë këto gënjeshtra për qytetarët.
Bashkimi me ujrat e zeza
Banorët e një prej zonave pranë qendrës së Tiranës denoncuan dje në televizonin Neës24 bashkimin e ujrave të zeza me ujrat e pijshëm gjë që ka sjellë edhe shtrimin në spitalin infektiv të disa prej banorëve. “Nuk di çfarë të them. Uji vinte erë, pastaj na thanë se janë bashkuar ujrat e zeza me ujrat e bardha. Atë uji e kemi në shtëpi. Me atë jemi larë”, tha një prej banorëve për televizionin.
Mjekë dhe infermierë të spitalit kanë konfirmuar shtrimin me urgjencë në spital të disa prej banorëve të cilët janë shfaqur me probleme. Në hyrje të pallatit është vendosur një letër ku shkruhet se uji i pijshëm nuk duhet të përdoret nga banorët.
Raporti
Sipas një raporti të fundit të Këshillit Kombëtar të Ujit, thatësira mund të çojnë në rrëshkitje të dheut, që mund të çajë tubat e furnizimit me ujë dhe të lejojë ndotësit të futen në këto sisteme. Por mund të çajnë edhe sistemet e largimit të ujërave të ndotura, duke shkaktuar derdhjen e tyre në tokë dhe si rrjedhojë të arrijë në ujërat nëntokësore.
Sipas raportit teknik, ndryshimet klimatike ndikojnë cilësinë e ujit përmes një vijimësie të ndërlikuar mekanizmash natyrorë dhe antropogjenikë. Lloji i pellgut ujëmbledhës, gjeologjia vendore dhe përdorimi i tokës, stina, ndotësi i objektit dhe burimet e mundshme të ndotjes në kushtet vendore duhet të merren në konsideratë. Ndryshimi i cilësisë së ujit do të ndikojë negativisht në ekosisteme, shëndetin njerëzor dhe besueshmëri, si dhe kostot e operimit të shërbimeve ujore, shkruan “Monitor”.
Rritja e temperaturës së ajrit, do të ndikojnë gjithashtu në temperaturën e ujit, shtrirja do të ndikohet nga faktorë të ndryshëm si shpejtësia e rrjedhës, avullimi dhe thellësia e ujit. Uji me temperaturë më të lartë ndikon shkallën e proceseve bakteriologjike dhe reaksionet kimike në ujë. Ajo që është më e rëndësishme, kjo temperaturë favorizon rritjen e algave, që në vetvete ul nivelin e ngopjes me oksigjen, duke ndryshuar kështu shtresëzimin e ujit dhe duke intensifikuar eutrofizimin.
Eutrofizimi mund të ndikojë negativisht në cilësinë e ujit, duke ndryshuar transparencën e tij, nivelet e oksigjenit të tretur dhe pehashin, që së bashku mund të kenë ndikime negative në funksionimin e ekosistemit si dhe në shëndetin njerëzor dhe sigurinë, veprimtaritë argëtuese dhe proceset e trajtimit të tij. Eutrofizimi ndikohet gjithashtu nga ngjarje më të shpeshta reshjesh ekstreme, që mund të shpëlajnë lëndët ushqyese, duke i dërguar në trupat ujorë.
Arben SHAHINI
Maskat grabisin një dyqan elektroshtëpiakesh në Lezhë
Një dyqan elektro-shtëpiak në Lezhë ka rënë pre e grabitjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:43 të mëngjesit të djeshëm. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet e grabitjes së një biznesi elektroshtëpiakesh në hyrje të qytetit të Lezhës, në orët e para të mëngjesit të së premtes. Por, policia nuk ka arritur të identifikojë autorët, ndërsa ka nisur hetimet pas këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Kështu, sipas policisë, një biznes elektroshtëpiakesh në hyrje të qytetit të Lezhës është vjedhur rreth orës 4:00 të mëngjesit të ditës së premte me anë të thyerjes. Grabitja është realizuar nga dy persona të cilët kanë qenë të maskuar.
Ata kanë mbërritur tek dyqani që ndodhet pranë urës me një automjet pa targa dhe kanë hyrë brenda duke thyer derën kryesore. 10 minuta u është dashur hajdutëve që të marrin disa telefona celularë të markave iphone dhe galaxy si dhe kasafortën brenda së cilës sipas pronarëve nuk ka patur shumë para.
Grabitësit janë dëgjuar në lëvizjet e tyre nga një tjetër biznes aty pranë, që ka njoftuar menjëherë policinë si dhe pronarin e dyqanit. Pasi kanë përfunduar vjedhjen, dy grabitësit e maskuar janë larguar me mjetin e tyre në drejtim të Shkodrës, ndërsa policia nisi ndjekjen, por në pamundësi për të rënë në gjurmët e tyre kanë nisur hetimet për ngjarjen. Forcat e Policisë së Lezhës nuk kanë mundur të identifikojnë autorët nga pamjet e filmuara.
Makina del nga rruga, një i vdekur
Një person humbi jetën pasi u aksidentua pasditen e djeshme, në Fushë-Arrëz. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin Qafë Mali-Fierzë. Sipas policisë, makina ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga. Si pasojë ka humbur jetën shtetasi Eduart D, drejtuesi i mjetit. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.
Flet dëshmitari: Si i shpëtuam plumbave rikoshet
Një dëshmitar i sulmit me automatik ndaj makinës që udhëtonte biznesmeni Dashamir Gjoka, në Shijak, shprehet se ngjarja do të kishte marrë përmasa tragjike nëse do të kishte ndodhur në një orar tjetër dhe jo në mesditë. “Unë po rrija në oborrin e banesës, nga ku shikohet rruga dhe vendi ku ndodhi atentati. Dëgjova të shtëna dhe ngrita kokën të shikoja se çfarë po ndodhte.
Një breshëri e gjatë automatiku dhe mbi dhjetë apo 12 plumba u derdhën mbi një automjet, që nuk e di kush ndodhej brenda. Tani e mora vesh nga televizori se në të ndodhej Dash Gjoka dhe vajzat e tij. Autori u largua me shpejtësi, ndërsa makina që ishte shënjestër lëvizi avash në drejtim të Shijakut. U trembëm shumë, pasi një pjesë e plumbave bënë rikoshet dhe përplaseshin çdokund dhe vinin dhe drejt nesh.
Do të kishte qenë tragjedi e madhe nëse në atë moment do të kishte lëvizje. Për fat ishte pisku i vapës dhe nuk kishte njerëz në rrugë. Nuk di çfarë të them, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sa u ngrita dhe dola në rrugë kishte përfunduar gjithçka, madje edhe makina që ishte objektivi kishte ikur”, u shpreh banori për ‘panoramën’, i cili për shkak të specifikës së ngjarjes nuk deshi të identifikohej.
Dashamir Gjoka dhe familja e tij ishin në makinë kur persona ende të paidentifikuar qëlluan me automatik ndaj tyre. “Benz”-i me të cilin lëviz ai është i blinduar, çka iu ka shpëtuar jetën. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në hyrje të Shijakut, pak metra larg bashkisë së këtij qyteti.
Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar me armë zjarri automatik të tipit kallashnikov në drejtim të automjetit, me të cilin ka qenë në lëvizje familja Gjoka, dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur kështu edhe gjurmët.