32.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Zjarret djegin banesat në Martanesh, asnjë ndërhyrje

Situatë dramatike nga zjarret në Martanesh. Flakët e zjarrit në fshatin Lenë kanë djegur disa banesa dhe kasolle bagëtish dhe po rrezikojnë edhe banesat e tjera. Banorët e alarmuar u shprehën se, flakët i janë afruar shumë pranë banesave në lagjen ‘Ndërfushas’ dhe kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të dërguar helikopterë. Një nga banorët e zonës tha se, janë në rrezik 30 familje, pasi flakët e zjarrit po u afrohen banesave dhe për momentin nuk ka ndërhyrje.
“Gjendja është kritike dhe ne jemi në rrezik. Helikopteri ishte në mëngjes dhe për momentin nuk ka ndërhyrje. Ne jemi afër shtëpisë për të mbrojtur mallin. Jemi rreth 200 metra larg nga zjarri. Jemi rreth 30 familje që jemi në rrezik. Ne e ndjejmë rrezikun nga çasti në çast. Po u rrezikuam do lemë banesat”, tha banori.
Për shkak të terrenit të vështirë, forcat e zjarrfikëses e kanë të pamundur të mbajnë nën kontroll flakët. Gjatë ditës së enjte, zjarri i madh ka detyruar forcat e shpëtimit të evakuojnë 6 familje që banojnë në shtëpitë përreth. Të enjten u lajmërua se 6 familje u evakuuan nga banesat e tyre, pasi rrezikoheshin të përfshiheshin nga flakët. Ndërkohë do të evakuoheshin edhe 4 familje të tjera.
Edhe pse situata po shkon drejt katastrofës, qeveria nuk ka dërguar asnjë helikopter për shuarjen e flakëve.

Banorët: Lutemi të bjerë shi

Martaneshi është përfshirë nga flakët e zjarreve që prej dy ditësh dhe askush nuk ka shkuar në ndihmë të banorëve. Këtë ka deklaruar edhe një prej banorëve që i ka nisur ish-kryeministrit Berisha një mesazh duke e shoqëruar edhe me video.
“Martaneshi në zjarr e flakë! Qytetari dixhital denoncon rrezikun e 10 familjeve nga zjarri dhe mungesën e ndihmës nga qeveria! Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e tij”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha, doja që të bëni publike këtë video çfarë po ndodh aktualisht në këtë moment në fshatin Lenë Martanesh që janë të rrezikura 10 familje askush nuk të vjen për fikjen e zjarrit populli në mëshirën e fatit, fshatarët luten Zotit për shi se ndihmë tjetër nuk ka….”, shkruan qytetari.

Zjarr në Gjirokastër, rrezikohen disa banesa

Situatë mjaft e rëndë edhe në Gjirokastër si pasojë e zjarreve që kanë rënë prej disa ditësh. Ditën e djeshme ka shpërthyer një vatër tjetër zjarri në Stegopul të Gjirokastrës. Flakët kanë përpirë kullota e pyje dhe zjarri po u afrohet banesave. Drejtori i PMNZSH-së apelon për ndërhyrje nga ajri, pasi rrezikohen disa banesa. Edhe në këtë rast nuk është marrë asnjë masë nga qeveria për shuarjen e zjarreve.

Zjarri në Këlcyrë bllokon rrugën nacionale

Një zjarr që ka përfshirë pemët në faqen e malit pranë rrugës së Këlcyrës dje pasdite ka bllokuar trafikun. Zjarri ka shkaktuar rënie gurësh dhe për këtë arsye është bllokuar aksi rrugor. Për fat deri tani nuk ka patur dëme në njerëz, por situata sa vjen dhe përkeqësohet.
Vatrat e zjarrit janë riaktivizuar në të gjithë vendin, ndërsa zjarrfikëset nuk arrijnë të përballojnë flakët. Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë pasditen e djeshme në pyllin e Frakullës në Fier. Si pasojë rrezikohen disa hapësira të mëdha me pisha. Zjarrfikësit po punojnë me mjete rrethanore për të neutralizuar zjarrin. Po ashtu, një vatër zjarri është riaktivizuar ditën e djeshme në pyllin e mbrojtur të fshatit Karmë, Vau-Dejës. Flakët kanë përpirë dhjetëra hektarë me pisha dhe po përparojnë si pasojë e erës. Dy vatra mbeten ende aktive. Ato po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat pyjore, por është e pamundur të fiken.
Situata e vështirë e kësaj vere me zjarret që veç zjarrvënies së qëllimshme për hapjen e kullotave të reja, janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe thatësira, ka vendosur në provë shërbimin zjarrfikës dhe ato të pyjores.

Zjarret vazhdojnë të djegin Shqipërinë, 7 vatra të reja

7 vatra të reja zjarri janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin. Emergjencat Civile bënë të ditur se, po vazhdojnë operacionet për shuarjen e zjarreve, por banorët shprehen se situarta është shumë e vështirë pasi flakët po u afrohen banesave.
QARKU SHKODËR
Vatra zjarrit në fshatin Karmë të Vaut të Dejës ka prekur edhe pyjet në Bashkinë e Pukës. Forcat e zjarrfikësve të Shkodrës kanë ndërhyrë, por për shkak të terrenit të thyer nuk kanë mundur të shuajnë flakët. Për këtë është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të një helikopteri.
Në orët e pasdites për shkak të erës së fortë dhe ndryshimit të drejtimit të saj, zjarri ka kaluar në fshatin Karmë, të Pukës. Shërbimi zjarrfikës të mbështetur nga forcat vullnetare kanë ndërhyrë për të izoluar flakët. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, kullotë dhe disa lisa. Vatrat e zjarrit po monitorohen edhe ditën e sotme.
QARKU DIBËR
Në fshatin Muhurr Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikëset e kanë pasur të pamundur të shuajë flakët, për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë ka shkuar edhe një helikopter, i cili ka bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Në fshatin Lenë, Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Në orët e mbrëmjes është kryer dhe evakuimi i disa banorëve për arsye sigurie, pasi vatrat e zjarrit ndodheshin pranë banesave. Në orët e para të mëngjesit një helikopter ka ndërhyrë për të shuar vatrat e zjarrit.
QARKU LEZHË
Në fshatin Skuraj Kurbin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 20 forca ushtarake për të shuar flakët. Sot në mëngjes, vatrat e zjarrit janë riaktivizuar.
QARKU FIER
Në fshatin Kreshpan, Fier, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarrfikëset të mbështetur nga forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe një plantacion me ullinj.
QARKU VLORË
Në fshatin Radhimë Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e vogël me shkurre dhe disa rrënjë ulliri.

“Zjarret nuk janë punë e shtetit. Ato le të shuhen vetë”!

I gjithë mali përgjatë rrugës së “Kombit” është përfshirë nga flakët e zjarreve prej disa ditësh, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për shuarjen e flakëve. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i ka dërguar edhe disa foto nga vendi i ngjarjes ish-Kryeministrit Berisha. “Vendimi i Noriegës: Zjarret nuk janë punë e shtetit. Ato le të shuhen vetë! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Doktor përshëndetje, jam K.N., një shoku im po ikte për Tropojë dhe në rrugën e “Kombit” ka bërë këto foto ku i gjithë mali është i djegur. Në vendngjarje nuk as polici, as punonjës, as ushtri e as zjarrfikës, domethënë në mëshirë të fatit gjithë ai mal. Fotot flasin vetë”, shkruan qytetari.

Trafik armësh nga Rinasi dhe kufinjtë

Trafiku i armëve nga Shqipëria drejt Europës është konsoliduar fort në katër vite. Pas denoncimeve të vazhdueshme në raporte të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit ku ngrihej shqetësimi se Shqipëria është shndërruar në një vend tranzit të trafikut të armëve. Brenda një harku të shkurtër kohor, në vetëm dy javë tre raste flagrante janë bërë publike për trafik armësh të tipit kallashnikov dhe municione të tjera nga Shqipëria. Dy raste janë zbuluar vetëm dje. Rasti i parë i bërë publik ka qenë nga autoritetet greke, të cilat kanë zbuluar në kufi me Shqipërinë një sasi armësh, të cilat do të futeshin për në vendin fqinjë. Dje, policia përmes një komunikate për mediat bëri të ditur se, një ngarkesë me armë të tipit kallashnikov ishte ndaluar në Aeroportin e Rinasit. Konkretisht, disa pako të kompanisë “DHL”, që do të dërgoheshin me postë, u ndaluan në Aeroportin e Rinasit, pasi nga kontrolli me skaner u pikas se brenda tyre kishte armë luftarake. Më pas u verifikua se bëhej fjalë për automatik të tipit “Kallashnikov”. Për të hetuar këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm, pasi policia dyshon se ky trafikim armësh drejtohet nga një grup i strukturuar kriminal dhe se nuk ishte hera e parë që veprohej në këtë mënyrë. Mësohet se janë sekuestruar kamerat e sigurisë së pikës ku janë dorëzuar armët (DHL) dhe bëhet me dije se linja tranzit që do ndiqej për transportin e pakove ishte Tiranë-Greqi-Londër. Nga hetimet e para është konstatuar se autorët kanë përdorur emra fiktivë dhe mjete identifikimi të falsifikuara kur kanë dorëzuar pakot. Për më tepër, adresa e personit që i dorëzoi këto armë është fiktive, ndërsa nuk kishte adresë se ku do të dërgohej, në Angli. I vetmi informacion që dihet deri tani për marrësin e porosisë është emri i personit, i cili është gjithashtu i falsifikuar. Po dje, rreth 49 kg marijuanë dhe 1 kallashnikov janë kapur dje nga policia greke. Operacioni u zhvillua në orët e para të ditës së djeshme në një zonë pyjore në Delvinaqi të Janinës. Policia greke arriti të vërë në pranga një 37-vjeçar shqiptar, i cili po transportonte 3 çanta me 12 pako që përmbanin 48 kg e 900 gramë marijuanë. Atij iu gjet dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri tip “Kallashnikov” me bajonetë dhe një krehër me 29 fishekë, si dhe dy telefona celularë. Shqiptari ishte në pritje të një mjeti që do vinte të merrte drogën. Ndërkohë më pak se dy javë më parë, gjatë një operacioni në orët e para të mëngjesit të së hënës së datës 8 gusht të këtij viti, policia greke zbuloi pranë kufirit me Shqipërinë një sasi armësh e municionesh, të cilat do të trafikoheshin në Greqi. Agjentët grekë identifikuan tre persona që po ecnin në këmbë në një zonë pyjore dhe mbanin 3 çanta. Por, sapo këta të fundit panë policinë, braktisën çantat dhe u larguan me vrap drejt Shqipërisë, duke përfituar nga errësira dhe terreni malor. Burime policore thonë për të përditshmen “Kathimerini” se agjentët grekë kishin marrë informacione prej disa muajsh që përmes kufirit shqiptaro-grek trafikoheshin armë. “Ne po prisnim mundësinë e duhur për të identifikuar dhe kapur trafikantët”, thotë një oficer policie për gazetën greke. Sipas informacioneve të policisë helene, 3 shqiptarët e dyshuar ishin nisur nga një fshat afër kufirit dhe porosinë e armëve do ta dorëzonin në Janinë tek bashkëpunëtorët e tyre. “Sigurisht që kjo nuk është hera e parë që ata përpiqen të trafikojnë armë”, thotë agjenti i policisë që preferon të mbetet anonim. “Kathimerini” shkruan gjithashtu se për këtë ngjarje është angazhuar edhe Departamenti i Anti-Terrorizmit në Greqi. Armët do t’i nënshtrohen testeve balistike për të vërtetuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Hetuesit kanë dyshime se kjo linjë e trafikut të armëve nga Shqipëria në Greqi mund të ketë dërguar edhe municione e eksploziv tek bandat që veprojnë në Athinë, ku muajt e fundit ka patur sulme me armë e tritol. Në çantat e braktisura nga trafikantët u gjetën 3 kallashnikovë, 11 granata difensive, 5 pllaka tritoli, 33 detonatorë dhe 1593 fishekë. Nga ekzaminimet e kryera deri tani nga autoritetet greke, rezulton që këto armë janë me origjinë kineze. Por, ndërsa nga pala greke ka pasur raste të denoncuara për trafikun e armëve nga Shqipëria, e raporte ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin në lidhje me trafikun masiv të armëve nga Shqipëria, autoritetet përkatëse në Shqipëri, e konkretisht Policia e Shtetit ka heshtur ndaj këtij fenomeni, duke i hapur rrugën trafikut masiv të tij.

Rriten çmimet e teksteve, prindërit: Do t’i blejmë me paratë e bukës

Rritja e çmimeve prek edhe tekstet shkollore. Janë vet prindërit ata që ngrejnë shqetësimin, ndërsa deklarojnë se këtë vit pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nis ditën e hënë. Ndërkohë shkollat kanë afishuar listat me librat që prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve dhe çmimin përkatës që varion nga 1,825 lekë për klasat e para në 4.295 lekë për klasat e 9. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, të afërmit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme. “Librat shkojnë 60 mijë lekë. Ka dhe shpenzime të tjera, jo fletore, jo lapsa, mjete të tjera, domethënë 100 mijë lekëshi, dhe i bie barabartë me 2/3 e pensionit tim. Është e vështirë për t’u përballuar, do rrimë pa bukë, t’i japim fëmijës librin”, shprehet një qytetar. Shumica e familjeve shqiptare, këtë çmim të librave zor se e përballojnë. Shpërndarja e librave në pikat e librarive pranë shkollave ka përfunduar tashmë dhe pritet pajisja e nxënësve, të cilët nisin në datë 11 shtator vitin e ri shkollor. Autoritetet arsimore garantojnë nxënësit se nuk do të ketë mungesë të botimeve, ndërsa u bëjnë apel të mos e lënë në ditët e fundit blerjen e tyre për të shmangur rradhët e gjata. Ka nisur shpërndarja e teksteve në pikat e licencuara pranë shkollave ku mësojnë nxënësit. Nga këto kancelari, librari ose pika të tjera prindërit dhe nxënësit duhet të blejnë librat shkollorë sipas katalogëve përkatës. “Procesi i shitjes së teksteve ka filluar. Pra, njësi tregtare që janë pranë shkollave dhe distributorët që janë në qytetet e Shqipërisë kanë filluar shpërndarjen e teksteve dhe shitjen e teksteve për nxënësit e këtyre qyteteve”. Drejtorja e Arsimit parauniversitar, Zamira Gjini, garanton nxënësit se nuk do të ketë mungesë të teksteve, pasi botuesit kanë printuar në kohë librat në bazë të kërkesave të shkollave. “Kemi rreth 170 tekste në katalogun shkollor, tekstet e klasave nga e para në të nëntën janë shpërndarë që një javë përpara nga botuesit në të gjithë Shqipërinë, nuk ka mungesë të teksteve nga katalogu i teksteve shkollore”. Lëndët shkencore të klasave 2 dhe 7, si dhe klasa e 10 në gjimnaz, do të mësojnë me tekste të shtëpive botuese Cambrige, Oxford, Peason. “Tekstet e matematikës, e shkencave të natyrës, kemi tekste të përkthyera nga shtëpitë botuese Cambrige, Oxford dhe Peason, që janë përkthyer dhe përshtatur nga botuesit shqiptarë dhe janë përzgjedhur në shkollat tona”. Autoritetet e Arsimit i bëjnë thirrje nxënësve të mos i lënë në ditë të fundit blerjet e librave me qëllim shmangien e rradhëve, ndërsa thonë se ky proces do të monitorohet nga Ministria e Arsimit dhe Inspektoriati Shtetëror i Arsimit. Megjithatë, procesi mbetet për t’u parë. Nisur nga eksperienca e një viti më parë, ku një kaos i vërtetë dhe amulli shoqëroi gjithë procesin, duke nisur që nga mungesa e teksteve shkollore, çmimet e deri tek pazaret me shtëpitë botuese.

Vendosja e çmimeve

Çmimet e teksteve të reja, të cilat iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2017-2018, propozohen nga subjektet dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas metodologjisë së mëposhtme: Çmimet e teksteve dorëzohen nga subjektet në MAS, në zarf të mbyllur, sipas udhëzimeve përkatëse dhe i nënshtrohen procesit të vlerësimit. Pas përfundimit të afatit të dorëzimit dhe vlerësimit të teksteve, Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore, i ngritur në MAS, në prezencë të shtëpive botuese apo subjekteve, bën hapjen dhe leximin e çmimeve të propozuara për tekstet nga subjektet dhe një kopje të procesverbalit të hapjes e vë në dispozicion të palëve pjesëmarrëse në proces. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe renditjes së teksteve, për tekstet që rezultojnë fituese, MAS bën përllogaritjen dhe vlerësimin e çmimit mesatar aritmetik, ose çmimit tavan të teksteve të miratuara. Çmimi mesatar aritmetik ose çmimi tavan përllogaritet si shumatore e çmimit të teksteve fituese për një tekst të caktuar, pjesëtuar me numrin e teksteve fituese. Ky çmim tavan aplikohet për ato tekste, për të cilat çmimi i propozuar nga subjekti e tejkalon çmimin tavan, ndërsa për tekstet e ofruara me çmim poshtë çmimit tavan do të shiten me çmimin e ofruar nga subjekti. Nëse çmimi tavan i përllogaritur nga MAS-i ose çmimet e propozuara poshtë çmimit tavan nga subjektet, për tekstet e vlerësuara, tejkalojnë marxhin sa norma e inflacionit mbi çmimin tavan të tekstit analog të të njëjtit tekst të aplikuar në vitin e mëparshëm, MAS i kërkon subjektit analizë të detajuar të çmimit dhe vlerëson çmimin e propozuar nga subjekti, por çmimi përfundimtar nuk duhet të tejkalojë marxhin sa norma e inflacionit për vitin aktual mbi çmimin tavan të tekstit analog i aplikuar në vitin e mëparshëm. Për vlerësimin e çmimit të përmbajtjeve digjitale, do të operohet me të njëjtën procedurë si më sipër, por për këto përmbajtje, kufiri maksimal nuk duhet të tejkalojë marxhin prej plus 50% të normës së inflacionit mbi çmimin e tekstit analog në formatin hard-copy. Por, referuar kufizimit të vendosur, nëse çmimi i tekstit të matematikës nga tekstet që kanë qarkulluar vitin e mëparshëm ka qenë 485 lekë, çmimi i vlerësuar dhe pranuar nga MAS-i, nuk mund të jetë më shumë se 502 lekë (485 lekë * marxhi maksimal 3,5%), për tekstet e printuara dhe jo më shumë se 510 lekë (485* marxhi maksimal 5.25%), për përmbajtjet digjitale, vetëm në ato raste kur çmimet e ofruara nga subjekti apo çmimi tavan i përllogaritur nga MAS-i tejkalon këtë kufi.

Tekstet e reja dhe çmimet

Për tekstet, të cilat hyjnë në qarkullim për herë të parë dhe nuk ka tekste analoge që mund të përdoren si referencë nga viti i mëparshëm, vlerësimi i çmimit bëhet nga MAS-i, bazuar në çmimin mesatar aritmetik/çmimin tavan, sipas mënyrës së, pra në këtë rast nuk mund të aplikohet kufizimi i vendosur lidhur me kufirin e marxhit maksimal. Për vlerësimin e çmimit të teksteve të reja, të cilat paraqiten me ndryshime në orët mësimore, në krahasim me tekstet analoge të aplikuara në vitin e mëparshëm, vlerësimi i çmimit bëhet nga MAS-i, duke marrë parasysh raportin rritës ose zbritës të ngarkesës mësimore, bazuar në çmimin tavan. Në ketë rast, çmim tavan do të konsiderohet çmimi që del sipas formulës: Çmimi i tekstit analog të vitit të kaluar x koeficientin e planit mësimor.

Ahmetaj me biznesmenin e Ramës, a po shiten postet ministrore

Kryeministri Edi Rama, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave Shkelqim Cani, gjate nje takimi me strukturat tatimore te perfshire ne aksionin kunder informalitetit dhe evazionit fiskal./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, Minister of Economic Development, Tourism, Trade and Entrepreneurship, Arben Ahmetaj and Shkelqim Cani, Minister of Finance, during a meeting with tax structures involved in action against informality and tax evasion.

Kryeministri Edi Rama pritet ta shpallë të dielën kabinetin e tij qeveritar, ndërkohë që disa emra ministrash kanë dalë tashmë.
Të tillë janë Lindita Nikolla, Fatmir Xhafaj apo Ditmir Bushati, i cili do të kalojë nga Ministria e Jashtme tek ajo e Integrimit, ndërsa mbeten ende pezull disa ministri të rëndësishme, siç është ajo e Financave apo Ministria e Transporteve.
Mbajtja pezull e Ministrisë së Financave dhe paqartësia nëse do të bashkohet me ndonjë ministri tjetër apo prej saj do të dalë Drejtoria e Thesarit duke ngritur Ministrinë e Thesarit ka lënë pezull edhe vetë Arben Ahmetajn, i cili duket se e ka ndjerë rrezikun e humbjes së postit të ministrit dhe ka filluar lobimin.
Ahmetaj ka qenë me kuota të larta pas zgjedhjeve, por planet e Ramës mbi qeverinë e tij dhe disa pakënaqësi një pjesë të rëndësishme të biznesit ndaj ish-shefit të Financave ia kanë ulur atij kuotat.
Duke qenë një nuhatës i mirë i këtyre gjërave, Ahmetaj ka filluar menjëherë lobimin, duke kapur biznesmenë tepër të fuqishëm që kanë shumë ndikim tek Rama, madje duke rënë në raporte vasaliteti me ta.
Pak ditë më parë, Arben Ahmetaj ka pritur një biznesmen të fuqishëm për gati një orë, vetëm, në një prej restoranteve më të shtrenjtë të Tiranës, që ndodhet vetëm pak metra larg Kryeministrisë.
Një situatë aspak komode për një ministër të Republikës së Shqipërisë, përveç rasteve kur je në siklet tepër të madh, siç është për shembull nevoja për të lobuar pranë Ramës për të qenë sërish ministër.
Nuk mbetet gjë tjetër, veçse të presim të dielën për të parë nëse ia ka vlejtur apo jo pritja e gjatë e Ahmetajt ndaj biznesmenit të fuqishëm që ka shumë ndikim tek Rama.

Albeu

Si po kthehet media në një vegël të propagandës së Erionit

“Nuk ka gjëra të sigurta në këtë jetë, përveç taksave dhe vdekjes”, ka thënë Benxhamin Frenklin. Nëse do jetonte sot, Frenklin do shtonte edhe daljen Erion Veliaj në TV si diçka të sigurt. Nuk ka ditë që kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj të mos dalë në çdo portal lajmesh me llërët e përveshur, duke inauguruar apo inspektuar punimet diku nëpër Tiranë. Qeveria, deputetë dhe shumë kryebashkiakë kanë shkuar me pushime këto kohë, por i vetmi që duket sikur punon në këtë vend është Erion Veliaj.
Ai nuk mungon çdo ditë në media, duke treguar ‘bëmën’ e rradhës që ka bërë duke u shfaqur në një kronikë të mirëkuruar. Kjo mani për të dalë çdo ditë në media, shpeshherë e ka bërë që Veliaj dhe stafi i tij të shpikin çdo lloj forme vetëm që kjo të ndodhë. Ditën e sotme, media i bën jehonë vënies së disa mbrojtëseve anash rrugës te rruga e ‘Elbasanit’, një pune të zakonshme të një bashkie. Po ashtu edhe pak ditë më parë, u reklamua në media ndërrimi i disa stolave apo edhe krasitja e shkurreve. Në asnjë vend të botës, gjëra të tilla nuk cilësohen lajme.
Vetëm për t’u shfaqur në media si punëtori më i madh në Shqipëri, Veliaj ka kaluar në ekstrem, duke bërë lajm çdo punë të rëndomtë që ai bën. Sigurisht që stafi i tij i PR-it, ku punojnë më shumë 60 persona, duhet ta justifikojë rrogën, qoftë edhe me lajme të tilla qesharake. Biles, edhe kur ai është jashtë vendit për disa ditë, ashtu siç tregoi sistemi TIMS, kronikat e Veliajt shfaqeshin çdo ditë në ekranet e TV-ve tona, duke na krijuar imazhin e rremë që ky njeri as pushime nuk bën.
Ajo që është e çuditshme në gjithë këtë histori, është jehona që i jep media Veliajt. Asnjë zyrtar tjetër i shtetit nuk merr kaq shumë vëmendje sa kryebashkiaku i Tiranës, as vetë Kryeministri Rama. Duket sikur media është dashuruar me ish-MJAFT-istin e dikurshëm që tani drejton Bashkinë më të madhe në vend. Televizionet furnizohen nga kronikat dhe tekstet e gatshme të stafit të PR-it të Veliaj dhe i transmetojnë fanatikisht ashtu siç vijnë, duke e zhbërë rolin e gazetarit e duke u kthyer në një vegël propagande. Normalisht që drejtuesit e televizioneve kanë interesat e tyre, ku disa prej tyre fitojnë leje ndërtimi e disa të tjerë marrin kiosa në gjithë Tiranën.
Çdo veprim i Veliaj është një lajm për median në vend, qoftë kjo edhe frymëmarrja e tij, por çuditërisht nuk është lajm se Tirana po betonizohet me ndërtesa shumëkatëshe të miratuara nga vetë Veliaj.
Për median tonë nuk është lajm fakti se, plehrat mbushin kryeqytetin dhe se diferencimi i tyre ishte një mashtrim i madh, sepse kazanët e diferencuar hidhen në të njëjtin kamion. Për median, nuk është lajm fakti që shkollat janë pa sistem ngrohjeje dhe se prindërit paguajnë para nga xhepi për të blerë mjete në shkolla e çerdhe. Gjithashtu, për median nuk është lajm puna e të miturve në në landfille, apo qoftë edhe vrasja e tyre, fakt që është lënë në harresë. Rritja e çimit të ujit dhe cilësia e tij po ashtu nuk është lajm për median tonë, por ama mjafton që Veliaj të pijë ujë Boville dhe menjëherë bëhet lajm.
Kushtet në autobuzat urbanë dhe trafiku nuk përbëjnë lajm, por sigurisht që hipja e Veliajt në njërin prej tyre shndërrohet në lajm që raportohet nga TV kombëtare në edicione lajmesh. Kudo ku kryebashkiaku shkel, gjërat shndërrohen në parajsë. Shohim vetëm njerëz të lumtur dhe pamje përrallorë në materialet filmike që jepen në media, aq sa edhe vetë ata që jetojnë çdo ditë në zona të caktuara të Tiranës, dyshojnë veten.
Nga ana tjetër, qytetarët e Tiranës, larg kamerave HD dhe fotove të edituara përballen me një realitet ndryshe që nuk afrohet aspak me atë të reklamuarin nga Veliaj dhe vazhdojnë jetën e tyre në një qytet që po uzurpohet çdo ditë e më shumë nga betoni dhe të jesh një hapësirë publike të gjelbërt është kthyer në një mision të pamundur. Ndërkohë media duket sikur ka bërë një aleancë të fshehtë me Veliajn, një aleancë që është kundër qytetarëve në këtë rast, duke krijuar me anë të propagandës mediatike imazhin e rremë e një kryebashkiaku-superman.

Lapsi.al

Manjani: Holanda të vendosë vizë vetëm për ambasadoren

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e cilëson skandaloz reagimin e ambasadores së Shqipërisë në Holandë lidhur me raportin holandez për kthimin e vizave ndaj shqiptarëve, ndërsa shton se kjo mund të na rrezikojë seriozisht vendosjen e vizave.
Manjani shkruan në rrjet sociale se qeveria holandeze do të duhet të reagojë, ndërsa shprehet se, “Shpresojmë jo në drejtim të vendosjes së vizave! Le t’i vërë viza ambasadores sonë atje po qe nevoja, por jo ne të tjerëve”.
Ambasadorja pak ditë më parë deklaroi se nuk ekziston asnjë raport nga Holandë për vizat për Shqipërinë.
Mediat holandeze një javë më parë publikuan një lajm, duke iu referuar burimeve nga autoritetet se policia dhe Prokuroria në Amsterdam kishin hartuar një raport drejtuar qeverisë, duke kërkuar rikthimin e vizave për shqiptarët, pasi kanë rritur nivelin e kriminalitetit. “Reagimi skandaloz i ambasadores mund të na rrezikojë seriozisht vendosjen e vizave!!! Tashmë nga një memo e policisë holandeze, është sensibilizuar i gjithë opinioni publik në Holandë. Për pasojë, qeveria holandeze do të duhet të reagojë disi! Shpresojmë jo në drejtim të vendosjes së vizave! Le t’i vërë viza ambasadores sonë atje po qe nevoja, por jo ne të tjerëve! Kjo nuk është diplomaci leshi! Është politikë shtetërore e keqe dhe e papërgjegjshme!”, shkruan Manjani në reagimin e tij.

Pastrimi i parave, kompanitë tregtare padi në Gjykatë

Penalitetet për mosrespektim të procedurave të raportimit të transaksioneve të dyshimta kanë përplasur disa prej kompanive koncesionare të makinave me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Televizioni “Scan” ka zbardhur të paktën tre padi të kompanive koncesionare ndaj kësaj Drejtorie për shkak të gjobave të kripura të vendosura prej saj. Në paditë e ngritura në Gjykatën Adminitrative, por edhe në Gjykatën e Lartë, koncesionarët kërkojnë shfuqizimin e pjesshëm apo të plotë të gjobave të vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Tregu i automjeteve është një ndër më të ekspozuarit nga rreziku i pastrimit të parave. Kompanitë koncesionare të tregtimit të mjeteve janë subjekte që detyrohen me ligj të raportojnë tek autoritetet e specializuara çdo rast të dyshuar për pastrim parash apo financim të terrorizmit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka referuar në Prokurori dhe Polici 178 raste të dyshimta për pastrim parash, nga të cilat për 31 raste, me vlerë 3.8 milionë euro.

Piratimi kompjuterik, Shqipëria shkakton dëm 10 milionë USD

Të paktën 73% e softuerëve (programeve) që instalohen në kompjuterë në Shqipëri janë të pa licencuar, çka do të thotë se përfitimi i tyre është bërë në formë pirate. Kjo u ka shkaktuar kompanive një dëm prej 10 milionë dollarësh sipas një studimi të zhvilluar nga BSA që njihet ndryshe si Aleanca e Programeve.
Raporti merr si referencë të dhënat zyrtare të vitit 2015, ndërkohë që jep edhe detaje për vitin 2016. Në të dyja këto vite, niveli i piratimit të programeve konsiderohet i njëjtë.
I njëjti studim sjell në vëmendje shifrat për vitet 2013, 2011 dhe 2009, ku piratimi i programeve ka qenë më i lartë në nivelin 75 %. Ndërkohë që dëmi që u është shkaktuar kompanive që kanë të drejtën e programeve që përdoren është për vitin 2013, 10 milionë dollarë, për vitin 2011 në 6 milionë dollarë dhe për vitin 2009 në 8 milionë dollarë.
Në hartën globale të piratimit të programeve, Shqipëria përfshihet në një kategori me Malin e Zi dhe me një seri vendesh të tjera joeuropiane që kanë piraterinë në nivelin më të lartë prej plus 70%.
Vendet e tjera të rajonit duket se kanë një nivel më të ulët, pasi të gjitha duke nisur nga Greqia, Maqedonia, Serbia, Bosnjë Hercegovina, Rumania, Bullgaria kanë një nivel që luhatet mes 56-69%.
Më të konsoliduar rregullimin për blerjen e të drejtave të programeve kompjuterikë e kanë vende të tilla si Franca, Belgjika, Holanda, Zvicra si dhe vendet Skandinave, të cilat e kanë nivelin e piratimit më poshtë se 25%.
Mesatarja e piratimit në Bashkimin Europian është në kuotat e 29% dhe vlera monetare që rezulton si dëm ndaj kompanive është 11.1 miliardë dollarë të paktën nëse i referohemi shifrave zyrtare të vitit 2015 dhe 2016.
Të gjitha këto programe sigurohen përmes sulmeve kibernetike, të cilat kanë pësuar rritje nga viti në vit. Çdo shtatë minuta kryhet një sulm në rrjetet e këtyre organizatave, çka tregon edhe për dëmin që ju shkaktohet atyre nga këto sulme.
Studimi Global i Programeve është një dokument që analizon të dhënat e marra nga disa burime si me synimin e nxjerrjes së tendencave që shoqëron këtë sektor, por edhe rritje të ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve.

Koment për ambasadorët e l…

Mal BERISHA

Një ish-ambasador ç’izolacionist

Edhe pse e kam dashur me zemër punën e diplomatit, sot jam shumë i lumtur që nuk isha në sallën ku u fyen njerëzit më eminentë të shoqërisë shqiptare, ambasadorët, Shkëlqesitë e vendit tim!
Besoj se shprehem në emër të tërë diplomatëve dinjitozë që patën nderin të shërbejnë për hapjen e Shqipërisë dhe nxjerrjen e saj nga izolimi diktatorial, por që u pushuan nga puna nga qeveria e viteve 2013-2017.
Nuk e di sesa e meritojnë atë fyerje që iu bë sot të gjithë ambasadorëve shqiptarë, por vërtetë ndjeva dhimbje, jo pse ne nuk jemi më në këtë shërbim diplomatik, por se vendin tonë e paskan zënë ambasadorë prej leshi, të cilët e paskan ri-izoluar Shqipërinë që ne e hapëm me aq përkushtim.
Zgjohuni të lodhur dhe çlodhuni gjatë ditës ambasadorët e leshit!
Mos harroni asnjëherë, kush ju vuri në ato poste këto katër vjet!
Duroni çdo fyerje që t’ju bëjnë dhe mos pipëtini, pasi keni vetëm një zgjedhje:
Ma mirë Derra të kënaqun sesa Sokratë të vujtun!
Unë për vete pata zgjedhë Sokratin.

Panucci shpall listën e lojtarëve

Trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit, Christian Pannucci, ka bërë publike dje listën e lojtarëve që do të grumbullojë për dy takimet zyrtare eliminatore, respektivisht të datës 2 shtator në Elbasan me Lihtenshtejnin dhe më 5 shtator në Strumica me Maqedoninë.
Në grumbullimin e tij të parë me ekipin kombëtar, që pas marrjes së detyrës, trajneri Panucci ka thërritur edhe lojtarë që në skuadrën përfaqësuese vijnë për herë të parë, në një kohë që gjatë gjithë kësaj periudhe ka vëzhguar një pjesë të mirë të lojtarëve në takimet zyrtare, apo miqësore që ata kanë luajtur me skuadrat ku dhe luajnë.
Kjo është lista e të grumbulluarve:
Portierë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Alban Hoxha.
Mbrojtës: Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj, Berat Djimshiti, Elseid Hysaj, Frederik Veseli, Hysen Memolla dhe Ivan Balliu.
Mesfushorë: Migjen Basha, Andi Lila, Ledian Memushaj, Burim Kukeli, Eros Grezda, Jahmir Hyka, Odise Roshi, Liridon Latifi dhe Amir Abrashi.
Sulmues: Valon Ahmedi, Sokol Cikalleshi, Azdren Llullaku dhe Armando Sadiku.

Hasi: Short i vështirë, por japim maksimumin

Juventusi, Barcelona dhe Sportingu i Lisbonës, short më të vështirë për Besnik Hasin dhe Olympiakosin e tij në grupet e Champions League nuk mund të kishte. Trajneri shqiptar e mbajti premtimin që bëri gjatë momentit kur u prezantua te gjigantët e futbollit grek, se do ta kualifikonte klubin nga Pireu mes 32 skuadrave më të mira të Europës. Hasi ishte shprehur se do të dëshironte gjithashtu një skuadër të madhe në grupet e Champions League, por shorti i hedhur në Montecarlo këtë të enjte nuk u tregua aspak bujar me skuadrën e trajnerit shqiptar, pasi Olympiacos do të sfidojë dy skuadrat që diskutuan mes tyre finalen e vitit 2015-të, ndërsa Juventusi shkoi deri në finalen e edicionit të fundit.
Një kundërshtar i vështirë është edhe Sportingu i Lisbonës dhe kalimi i grupit bëhet një mision i pamundur për Olympiacosin. Në një intervistë ku foli për shortin e Championsit, Hasi theksoi se përballjet ndaj Barcelonës dhe Juventusit do të jenë një eksperiencë e bukur për futbollistët, por edhe për tifozët. Shqiptari i stolit të Olympiacosit shtoi se, shorti ka qenë shumë i vështirë për skuadrën e tij, por Olympiacosi do të bëjë më të mirën për të bërë një paraqitje sa më pozitive në grupin D të UEFA Champions League dhe për të tentuar pse jo të lërë pas Sportingun e Lisbonës për t’u renditur i treti dhe për të vazhduar aventurën në Europa League.

Januzaj ironik: Golin e parë do t’ia dedikoj Van Gaal

Është transferuar te Real Sociedadi për të lënë pas momentet e vështira në karrierë dhe për të treguar sesa vlen. Adnan Januzaj kërkon të rikthehet ai i dikurshmi te skuadra baske, pasi te Manchester United nuk arriti të spikaste asnjëherë. Fajtor për këtë sipas lojtarit me origjinë shqiptare është ish-trajneri i Djajëve të Kuq, Louis Van Gaal, i cili nuk i dha asnjëherë mundësinë për të shfaqur talentin e tij. Kjo është një nga arsyet që Januzaj në një intervistë të fundit ka theksuar se golin e parë që do të realizojë me fanellën e Real Sociedadit do tia dedikojë trajnerit holandez. Një deklaratë ironike kjo e Januzajt, i cili ka nënvizuar se raportet e tij me Van Gaal kanë qenë shumë të këqija.

Interi synon shkëmbimin e Gabigol me Lopez

Aventura e Gabriel Barbosa, i njohur ndryshe si Gabigol është drejt fundit te skuadra e Interit, ku u transferua në verën e 2016 nga Santosi për shumën e 29 milionë eurove. 20-vjeçari nuk bënë më pjesë në planet e trajnerit Spalletti dhe me shumë mundësi do të largohet këtë verë. Sipas mediave italiane, zikaltërit kanë nisur bisedimet me Benfican për transferimin e lojtarit në Portugali. Drejtuesit e Interit i kanë propozuar portugezëve një shkëmbim, ku lojtari i preferuar nga italianët është Lisandro Lopez, pasi mbrojtësi pëlqehet shumë nga trajneri Spalletti.