Shorti i Europa League duket se ka favorizuar paksa Skënderbeun, duke evituar ekipe me peshë në Europë, por që do të rezervojë një ndeshje në një prej stadiumeve më të vështirë për shqiptarët, në Beograd. Skënderbeu do të jetë pjesë e Grupit B, që përbëhet nga Dinamo Kievit, Young Boys dhe Partizani i Beogradit.
Ashtu siç pritej shorti ka favorizuar kuqezinjtë e Milanit, të cilët duke qenë edhe në vazon e parë të Europa League ka rënë në grup me ekipe më të lehta në letër, përbërja e së cilës është Austria e Vjenës, Rijeka dhe AEK.
Ndërkohë që shorti nuk është treguar aspak “zemërmirë” për ekipin e Etrit Berishës, Atalantën, e cila do të ketë në grup ekipe si Lyon, Everton dhe Apollon.
Hidhet shorti, Skënderbeu kundër Partizanit të Beogradit
Skënderbeu heroik
Skërderbeu është i destinuar për të shkruajtur historinë e futbollit shqiptar teksa për të dytën herë vendos emrin në fazën e grupeve të Europa League në harkun e 3 sezoneve. Kësaj radhe kjo arritje vjen falë kalimit të 4 tureve në fushë, jo si dy sezone më parë ku përfitoi nga skema e re e Champions League pas eliminimit në Play Off. Fati e deshi që përballë të ishte Dinamo e Zagrebit, ashtu si dy vite më parë në fazën Play Off të championsit. Por kësaj radhe eksperienca nuk ishte më një armë në favor të kroatëve, të cilët në harkun e 180 minutave u eklipsuan nga Skënderbeu që meritoi në fushë këtë rezultat historik.
Presidenti Takaj i kënaqur për kualifikimin. “Arritjet janë të mëdha. Një klub i fortë matet nga financat, të lejon të afrosh lojtarë cilësorë. Nuk është rastësi që jemi këtu. E dinim që kishim një rival të lehtë që në raundin e parë, por nuk kemi nënvlerësuar asnjë nga kundërshtarët. Nuk dua të merrem me të shkuarën. Falenderoj të gjithë ata që na mbështetën sot. Ishin të mrekullueshëm. Arritjet vijnë kur ke një mbështetje kaq të madhe. Të kalosh Dinamon është arritje e madhe. Nuk i trëmbemi askujt. Nuk duhet të punojmë vetëm për klubin, por edhe për lojtarët. Kënaqemi për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e jona. Frika më e madhe ishte nga fundi, pasi ishim me 10 lojtarë”, u shpreh Takaj.
Orges Shehi pas kualifikimit në fazën e grupeve në Europa League deklaroi se: “Eshtë kënaqësi e madhe kemi luajtur dhe para dy vjetësh në Europa League, por duke eliminuar skuadra kaq të forta na dha një emocion të jashtëzakonshëm. Sa më përket mua kam thënë që do e lë pas Europës dhe do e mbaj fjalën”.
Latifi i emocionuar për kualifikimin dhe i trishtuar për largimin nga skuadra pohoi se: “Normalisht që çdo ndarje ka emocionet e veta. Jam munduar të jap më të mirën. Jam i mërzitur që po largohem po kështu e ka futbolli. Primare për ne ka qenë kualifikimi. Një kualifikim i tillë ka përfitime ekonomike për të dyja palët. Unë e kam Digitalbin dhe do ta ndjek gjithmonë Skënderbeun. Kam kaluar momente të bukura me këtë skuadër”.
Vangjeli pas kualifikimit u shpreh i emocionuar për këtë arritje, duke deklaruar se: “Emocione të mëdha, sukses i merituar. Shpresojmë që ta shijojmë sa më shumë dhe sa më gjatë kualifikimin për në grupet e Europa League. Presidenti më bindi të qëndorja, personalisht se kisha menduar që do të qëndroja kaq gjatë. E dinim që Dinamo është një ekip i fortë, por ne nuk i trembeshim këtij fakti”.
Osmani i emocionuar për kualifikimin deklaroi se: “Para ndeshjes me Vlorën birra për të gjithë. E kemi përshëndetur Latifin ashtu siç di vetëm Skënderbeu. Shehi dhe unë do ta lëmë të dy në një kohë. Orgesi nuk do të heqi dorë. Ky është momenti më i vështirë i jetës time, pas humbjes së vëllait tim, ketë sukses ia dedikoj nënës dhe vëllait”.
“Ndizet” sfida Roma-Inter
Roma dhe Inter do të ndeshen të shtunën në mbrëmje, në fushën e lojës, por dy klubet po arrijnë kulmin edhe në përballjen në merkaton verore. Kështu, pasi zikaltrit i morën trajnerin Spalletti, tentuan të afrojnë disa futbollistë të Romës, por pa ia arritur qëllimit. Këtë javë, përballja mes dy klubeve po bëhet për të marrë shërbimet e sulmuesit çek të Sampdorias, Patrick Schick. Të dy klubet kanë prezantuar ofertë të njëjtë ndaj Sampdorias dhe verdhekuqtë kanë mbështetjen e presidentit Ferrero, ndërsa zikaltrit janë zgjidhja e parë e sulmuesit çek.
Gjatë ditës së mërkurë, legjenda e Romës, Francesco Totti dhe trajneri Di Francesco, ‘zbritën në fushë’ dhe takuan Schick, për ta bindur të zgjedhë kryeqytetin. Por, në mbrëmje erdhi edhe kundërpërgjigja drejtuesve të Interit, të cilët darkuan me menaxherët e sulmuesit çek, në tentativë për të mbyllur marrëveshjen. Deri ditën e shtunë pritet të mësohet se kush do ta ketë fituar betejën për Schick dhe më pas do t’i lihet vendi fushës së lojës, për një tjetër përballje spektakolare.
E ardhmja e Patrick Schick do të vendoset përfundimisht gjatë ditës së sotme, nga vetë futbollisti. Transferimi i sulmuesit çek ishte kthyer në një telenovelë të vërtetë verore. Kështu, pasi ngjalli interes në shumë klube, Schick zgjodhi bardhezinjtë e Juventusit, të cilët hoqën dorë më vonë, pas disa problemeve në zemër, që u konstatuan gjatë vizitave të 21-vjeçarit. Por, pasi kaloi me sukses testet e dyta mjekësore, çeku përfundoi sërish në qendër të merkatos së shumë klubeve. Së fundi, Inter dhe Roma janë klubet që ndodhen shumë pranë transferimit të tij dhe siç njofton klubi i Sampdorias, Schick do të bëjë të ditur vendimin e tij mbi zgjedhjen e klubit të ardhshëm, gjatë ditës së sotme.
Monaco hedh sytë nga Belotti
Largimi i mundshëm i Kylian Mbappe ka bërë që Monaco të rikthehet në merkato në kërkim të një sulmuesi. Alternativat për klubin nga principata për të zëvendësuar 18-vjeçarin janë tre, Diego Costa, Kasper Dolberg, dhe Andrea Belotti. Drejtuesit e Monaco vazhdojnë bisedimet me Torinon, përsa i takon shumës që presidenti i granatave Cairo kërkon, pasi nuk duan të paguajnë klauzolën prej 100 milionë eurosh. Klubi nga “Stade Louis II” për të arritur te italiani është gati të derdhë në arkat e Torinos shumën e 80 milionë eurove plus bonuse.
Marchisio shuan zërat
Ka mjaftuar publikimi i një fotoje në rrjetin social “Instagram” nga ana e vet të përfshirit në thashethemet e merkatos verore, për të treguar se pozicioni i tij është i palëkundur, i qartë dhe që nuk lë vend për interpretime. Pas fjalëve të Marottës, është vet Marchisio që largon zërat e merkatos për një transferim të mundshëm te Milani. Fotoja me fanellën e Juves dhe me dorën te stema e skuadrës, në zemër, flet mëse qartë: përjetësisht te Juve, padyshim!
Një veprim ky që tregon se mesfushori juventin mendon vetëm për bardhezinjtë, aspak për Milanin apo për Chelsean. “Princi” mban në zemër vetëm fanellën e “Zonjës së vjetër”, e për ta treguar këtë nuk lodhet të shkruajë gjatë. “Princi nuk preket”, ishte shprehur Marotta pak ditë më parë, fjalë që gjejnë edhe konfirmimin e vet lojtarit.
Valencia serish në merkato
Te Valencia merkato nuk është mbyllur me afrimet Gabriel Paulistës nga Arsenali dhe Murillos e Kondogbia nga Interi. Trajneri Marcelino Garcia Torral u ka kërkuar drejtuesve edhe dy përforcime të tjera, një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Me të ardhmen e Ezequiel Garay-it që mbetet në pikëpyetje, Valencia përpara se të mendojë për blerjet duhet të largojë nga skuadra 4 futbollistë që nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit. Bëhet fjalë Aymen Abdenour, Fabian Orellanan, Luis Nanin dhe Vinicius Araujo.
Batuta e Ronaldos me Bufon që bëri edhe Messin të qeshë
Cristiano Ronaldo bëri një shaka me Gianluigi Buffon gjatë shortit të Champions League 2017-2018. Disa e quajtën batutë pa kripë atë të portugezit, por shumica qeshën, njësoj siç bëri edhe Leo Messi.
Kur Reshmin Choëdhury, prezantuesja e eventit në Forumin Grimaldi të Monakos, e pyeti portugezin se kush ishte goli i tij i preferuar në Champions, Cristiano u përgjigj kështu: “Goli i fundit, ai që i shënova këtij plakushit këtu”.
CR7 iu referua portierit 39-vjeçar të Juventusit, të cilit i shënoi dy gola në finalen e Kardifit, që Reali e fitoi me rezultatin 4-1. Publiku dhe vetë Buffon shpërthyen në të qeshura nga kjo batutë, që bëri të qeshte edhe Leo Messin, i cili ishte ulur pranë portierit veteran.
UEFA ka përzgjedhur Kristiano Ronaldon si sulmuesin më të mirë për vitin 2017, por Ylli i Real Madridit ka fituar edhe një tjetër trofe individual, duke u shpallur lojtari më i mirë i vitit nga UEFA. Portugezi për këtë çmim ka mposhtur dy superlojtarë, Leo Messin e Barcelonës dhe Gianluigi Buffonin e Juventusit. Ky është çmimi i dytë radhazi për Ronaldon dhe i treti në përgjithësi, pasi e kishte fituar edhe në vitin 2014.
Osmani: Ndaj Milanit meritonim barazimin
Qatip Osmani: Mendoj se ndeshja duhet të mbaronte në barazim. Morëm një gol për gabimin tonë, por unë jam i kënaqur me lojën dhe tani duhet të përqendrohemi në kampionat. Shfrytëzoj rastin t’i uroj Skënderbeut kualifikimin. Shorti na rezervoi kundërshtarin më të fortë të mundshëm, por fakti që luajtëm kundër Milanin ishte eksperiencë e bukur për ne.
Shkëndija prej dy vitesh i ka shkuar afër kalimit në fazën e grupeve. Tani do të orientohemi në kampionat, por na duhen disa perforcime. Mendoj se është viti i duhur për të fituar edhe kampionatin.
Buba Hasani: Gjithmonë është e vështirë të luash kundër Milanit. Nuk ndikuan emocionet si në Milano. Dhamë më të mirën dhe shpresojmë që në të ardhmen të jemi në fazën e grupeve të Europa Leagues. Nuk patëm fat me shortin, disa lojtarë nuk kanë shumë eksperiencë emocionet bënë të veten. Në këtë ndeshje të dytë treguam vlerat tona. Duhet të jemi krenarë për atë që kemi bërë. Duhet të fokusohemi për të arritur objektivat tona.
Cuculi: Mbas një jave zhgënjyese në Milano treguam një fytyrë tjetër. Milani është shtatë herë kampion i Europës. Besoj se nuk i zhgënjyem tifozët dhe pritshmëritë e tyre. Kam parim në jetë që kurrë nuk humb, fitoj ose mësoj. E quaj një mësim të mirë për të ardhmen. Shpresoj që të fitojmë kështu edhe në kampionat. Kam qenë i dëmtuar, por dëshira ishte e madhe për të mos i lënë çunat. Dhashë më të mirën time. Nuk është mëkat të humbësh me Milanin. Do të mbështesim Skënderbeun që na përfaqëson në Europa League, falenderojmë Digitalbin, që si gjithmonë na ka mbështetur.
Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani tha se humbja 1:0 ndaj Milanit ishte për arsye të gabimit në mbrojtje. Por, ai është shumë i lumtur me paraqitjen e lojtarëve të tij në këtë takim. “Goli erdhi pas një gabimi në mbrojtjen tonë, por në përgjithësi jam shumë i kënaqur me lojën. Tani do të koncentrohemi në kampionat”, tha Osmani.
Dembele tek Barça
Ousmane Dembele padyshim që ka qenë protagonisti i kësaj merkatoje verore. Talenti 20-vjeçar i Borusias së Dortmundit tashmë ka privilegjin të jetë i pari lojtar, për të cilin klubi historik i Barcelonës do të derdhë më shumë se 100 milionë euro, në arkat e klubit gjerman, në mënyrë që të përmbyllë tratativat e transferimit të tij. Dembele premton shumë për të ardhmen, por vetëm një vit më parë kartoni i tij nuk vlente më shumë se sa 15 milionë euro, shumë kjo që Dortmundi i pagoi klubit të Rënnes për nënshkrimin e tij, ndërkohë që sot i riu francez e shumëzon me 10 vlerën e tij. 105 milionë është fondi që katalanasit do të çelin për sulmuesin, ndërkohë që 45 milionë janë variabël. Gjithsesi, nga transferimi i tij tek Barcelona nuk do të përfitojë vetëm Dortmundi, pasi 15 milionë euro të tjera do të shkojnë në arkat e Rënnes, që kishte ruajtur një përqindje të vogël të kartonit të lojtarit.
Pas transferimit të Neymar këtë verë tek francezët e Paris Saint Germain, Barcelona shënjestroi dy emra të cilët, i kategorizoi si kandidatët idealë për të zëvendësuar mungesën e brazilianit, i pari ishte Philip Coutinho dhe tjetri Ousmane Dembele, që tashmë është rrugës për në “Camp Nou”, duke u kthyer kështu në futbollistin më të vlerësuar të kësaj merkatoje pas Neymar. Transferimi me këtë shumë marramendëse për një lojtar 20-vjeçar që vetëm një vit më parë vlerësohej shumë herë më pak, sigurisht që është shoqëruar edhe me polemika, por kjo nuk e ndali Barcelonën ta çojë deri në fund objektivin e saj. Dembele do të veshë fanellën blaugrana, duke mbajtur mbi shpatulla vlerësimin dhe pritshmëritë e këtij klubi.
Drejtuesit e klubit katalanas janë takuar të enjten në mbrëmje me klubin gjerman në Monaco, ku është mbajtur shorti i Ligës së Kampionëve, ku edhe është arritur akordi për kalim të Dembeles të gjiganti katalunas. Takimi ka zgjatur deri në orët e para të ditës së premte dhe sipas gazetës “Marca” çmimi është 104 milionë euro plus 45 milionë të tjera bonuse. Po ashtu, Barcelona ka arritur marrëveshje edhe me lojtarin që përfaqësohet nga familja e tij, e të cilët kanë filluar festën për kalimin e lojtarit te katalunasit. Dembele pritet që të ateroi sot në Barcelonë dhe të bëhet zyrtarisht lojtar i këtij ekipi.
Gjatë ditës së sotme talenti i Borussia Dortmundit, Ousmane Dembele, pritet që të zyrtarizohet si lojtar i ri i Barcelonës. Por, pas Dembeles, i cili Barcelonës do t’i kushtoj 105 milionë euro, Drejtuesit e ekipit katalunas po mundohen që ta transferojnë edhe Philippe Coutinhon nga Liverpool, shkruan “Mundo Deportivo”.
Liverpool ka refuzuar tri oferta të Barcelonës për Coutinhon, e fundit ishte rreth 125 milionë euro. Por, pavarësisht insistimit të Liverpoolit për mbajtjen e brazilianit, Barcelona do të bëjë çmos që deri më 31 gusht ta sjell ish-yllin e Interit në “Camp Nou”.
Aventurë e re në La Liga për Sergi Samper. Mesfushori i talentuar do ta vazhdojë karrierën tek Las Palmas. Barcelona e ka huazuar lojtarin 22-vjeçar për një sezon te klubi nga ishujt Kanarie. Te Las Palmas, Samper do të ketë shumë më tepër hapësira në formacion dhe do të ketë mundësinë për të spikatur.
Rikthimi i Spallettit në Olimpico
Luciano Spalletti do të rikthehet në Olimpico teksa fati e deshi që shumë shpejt, që në javën e dytë të jetë kundërshtar i verdhekuqve. Tek Roma ka nisur një epokë e re, pasi për herë të parë tifozët duhet të mësohen pa idhullin e tyre, kapitenin legjendar Francesco Totti që pritet të jetë në tribunë në rolin e drejtuesit. Sigurisht që Totti dhe Spalleti nuk u ndanë në mënyrën më të mirë të mundshme, por që të dy kanë dhënë shumë për fanellën e Romës. Me Spallettin në krye verdhekuqtë ishin një makinë golash edicionin e kaluar, duke regjistruar sulmin e dytë më të mirë me 90 realizime, 4 më pak sesa Napoli. Shumë larg ishte Juventusi por mbi të gjitha edhe Interi, që në fund të edicionit të shkuar arriti kuotën e 72 golave, pavarëisht se në formacion ishte kapiteni Mauro Icardi, autor i 24 rrjetave në kampionat.
Sezoni i ri ka nisur ndryshe, me Romën që iu fal vetëm një perle të Kolarov në sfidën hapëse në Bergamo ndaj Atalantës, ndërkohë që zikaltërit e nisën me klas sezonin, duke shënuar plot 3 herë në portën e Fiorentinës. Nuk është cudi një ecuri e tillë edhe pse është e vështirë të bëhen konstatime që në javën e parë. Por tashmë është e ditur që Spalleti është një trajner i cili pëlqen futbollin e bukur, futboll me të cilin Roma është personifikuar prej vitesh. Për këtë arsye, pavarësisht polemikave që mund të ketë patur midis tij dhe Tottit, rikthimi në Olimpico mbetet i vecantë, për më shumë kur bën të ditur se nga verdhekuqtë duhet mësuar se si mund të bëhesh një skuadër e madhe. Roma-Inter është një sfidë e rëndësishme e futbollit italian, por të shtunën në mbrëmje ka dicka speciale në të.
Spanja, kundër Italisë rikthen David Villan
Spanja do të prezantohet me disa surpriza interesante për sfidën vendimtare kundër Italisë të shtunën e ardhshme në Barnabeu. Trajneri Julian Lopeteguei ka rikthyer në skuadrën e tij sulmuesin David Villa i cili mungon që prej 3 vjetësh, ndërsa rezervon debutimin për milanistin Suso dhe injoron mbrojtësin Marcos Alonso që po kalon një moment të artë me Chelsean. “Kam grumbulluar 26 lojtarë sepse 7 prej tyre rrezikojnë ndeshjen ndaj Lichtenstein për shkak të kartonëve”, theksoi Lopetegui në konferencën e shtypit. Në vijim ai e pranoi se vendimi për të rikthyer Villan është disi i çuditshëm , por shtoi se pavarësisht aktivizimit të tij në SHBA, ai mund të jetë i vlefshëm me eksperiencën që ka. Villa nuk luan me Spanjën që prej ndeshjes së fundit të iberikëve në ndeshjen e fundit të Kupës së Botës 2014. Me Spanjën numëron 59 gola në 97 ndeshje të luajtura. Një tjetër emër i papritur në listën e Lopeteguit është edhe katalanasit, gerarg Deulofeu. Ish sulmuesi i Milanit që aktualisht mban të vëshur fanellën e Barcelonës, e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë me dy asiste në ndeshjen kundër Real Betis.
Diplomaci e leshit
Artan FUGA
Duke ndjekur mediat e kaz-hanit sot dy gjëra më zgjuan nga gjumi veror dhe më hoqën mendjen nga peshqit, oktapodët dhe sardelet buzë detit:
e para, ajo e ambasadorëve të leshit hahaha,
dhe e dyta, fytyrat në foto të botuara në media të të ashtuquajturve leshko, supozohet duke dëgjuar sesi ishin.
Hahahaha!
Puna është se çfarë leshi, deleje apo dhije tani!
Diplomacia: Perëndimi ka pranuar shqiptarët, por ende jo Shqipërinë!
Pas humorit sportiv që më krijoi dje fjala e “leshtë” përdorur në takimin me ambasadorët që e kanë si një shpagë vjetore ardhjen njëherë në vit nga “emigrimi” për t’u djersitur pak në një mjedis kritik, ka vend edhe për të thënë se me çfarë formule do t’i cilësoja arritjet e diplomacisë shqiptare në këto ta zemë dhjetë vitet e fundit.
Edhe shpagën edhe pagën e morën dje! Jek e jek!
Ishte e këndshme fjala “të leshtë”, sepse në fakt në shqip, të paktën sipas dialekteve semantike, ajo fjalë nuk do të thotë tamam “të javashtë”. Gjyshi im psh fjalën “ai ose ajo është e leshtë”, nuk e përdorte kurrë për gratë ose zonjat. Për të gratë nuk ishin kurrë të leshta. Sigurisht nuk është edhe te burrat kuptimi te leshi në kraharor që del në pah ta zemë kur shkon në plazh dhe bën foto atje. I leshtë është edhe një burrë zakoni, një njeri i qendrueshëm, me vlera zakonore, i qetë, flegmatik, i fjalës, por edhe pak i trashë nga mendja, që i kupton gjërat me vonesë. Pak si gjedh mbuluar me lesh që shkon në grup dhe nuk ka fort individualitet. Me lesh si bagëtia e admiruar, jo pa lesh si gjarpëri, si ngjala, që janë kafshë të lëvizshme. “Ai është ngjalë, gjarpër”, versus “ai është i leshtë” – pra që shkon edhe në thikë për dobi të të zotit – kështu e kam marrë enciklopedinë e përkufizimit: “ai është i leshtë” – nga gjyshi im erudit për kohën e vet.
Por, poqese vijmë te përmbajtja, duke i ikur semantikës formale të shqipes dialektore, pyetja se çfarë na ka sjell ne diplomacia këto vite, që sigurisht në fund fare varet edhe nga diplomatët që sikurse e gjithë burokracia shqiptare e republikës së vjetër vuan nga nepotizmi i thellë që sjell të gjitha veset e tjera të leshit, përgjigja do të ishte paksa ngurruese.
Me integrimin Shqipëri-Kosovë, kemi mbetur në vend, dhe as kemi ndonjë strategji nga të dy anët për të ecur drejt një hapjeje totale të paktën se për bashkimin as njëra klasë politike dhe as tjetra nuk duket se ka pikën e interesit, ose nuk e përdor më këtë fjalë si të harruar.
Edhe njohja e Kosovës nga shtete të tjera ka mbetur në vend. Iku kjo.
Madje midis dy popullatave shqiptare këtej dhe andej Qafës së Morinës kanë nisur edhe ndjenja ftohtësie mos edhe rivaliteti që i ndjen sapo hyn në biseda të thella, duke ngrënë ndonjë akullore kosovare në plazh apo edhe kur blen “fli” atje.
Ka zbythje vëllazërimi kombëtar.
Me Greqinë, e kam thënë, jemi pas edhe periudhës që diktatori e ravijëzoi te “Dy popuj miq” dhe u bënë kohë që as çështja e detit nuk është zgjidhur dhe as shkëmbime të fuqishme nuk ka pasur.
Grekët na kanë paralajmëruar se nuk do të na lënë të ecim drejt BE a thua se ne jemi apo qenkemi Kali i Tojës.
Maqedoninë dhe Malin e Zi e kemi larg dhe shkëmbimet zyrtare me këto vende i kemi reduktuar me ministrat apo politikmarrësit shqiptarë atje.
A thua se jemi në kohën e etnive dhe jo të shteteve!
Seç na ka hipur një lloj deliri si komb që matemi me SHBA dhe BE, me Gjermaninë, se këto minishtetet fqinje as i vemë në kandar. Ka pasur të drejtë shkrimtari Ismail Kadare, kur dikur ka pas thënë se pashallarët shqiptarë donin hapësira perandorake për t’u shfaqur, dhe sfidonin ose të ishin te kamarja e turpit ose vezira perandorake.
Biznese të fuqishme italiane, franceze, angleze, gjermane që të investojnë në Shqipëri – edhe këtu nuk ka pasur ndonjë hop. Por, kjo varet nga një ambasador “i leshtë” ose “i ngjaltë” poaq sa varet nxehtësia e temperaturave të motit nga xhezveja për kafe që ve në zjarr një anë te Qafa e Pazarit në Gjirokastër.
Ecuria drejt integrimit europian? Zero përparime!
Na kërkojnë kushte pas kushtesh, ose thonë sikur kërkohen, por çështja është shumë e thellë.
Ka edhe ca analista që ecin pas berihajt, kur politikanët bëjnë humor sportiv se thonë se pas vetingut do të na pranojnë në BE. Dhe me veting nuk kuptojnë atë që kërkohet pikërisht prej nesh, një Republikë të Re, që e braktisi edhe opozita që ka aq fuqi sot sa ka Guomindani në Kinën që zhvillohet shpejt, jo në kohën e Can Kaj Shisë, a të Marshimit të Madh, por sot përpara partisë të fuqishme në pushtet atje, pasi e bëri këtë ide thjesht si kal ngarkese për disa muaj parafushate,-por kuptojnë votime të thjeshta emrash nga emra të tjerë nepotikë.
Imazhi i Shqipërisë dobësuar fort. Ca nga që u shpallëm si republika e kanabisit, ca nga tonelatat e kanabisit të kapura nga kufijtë europianë, ca nga valët e të ikurve që krahasohen me sirianët e shkretë në kohë lufte dhe rrënimi total. Ky është imazhi që diplomacia jonë kulturore ka krijuar.
Grupe artistike nga jashtë, emra të mëdhenj arti nga jashtë, shkëmbime shkencore me jashtë?
Gjendje e mjeruar. Diplomacia kulturore në pikë të hallit.
Çdo shqiptar emigrant sot e di sesa i paguan ai ose ajo këto rezultate të diplomacisë së leshtë shqiptare.
Për të mos thënë arritjet zero që tregu i punës europian ta pranojë njeriun shqiptar që dëshiron të punojë atje. Më mirë pranojnë sirianët e largët që vijnë për t’u ngulur, sesa punonjësit sezonalë shqiptarë.
Shqiptarët në emigrim nuk diuan një ministër “të leshtë”. Ata kërkojnë të drejtën e votës në Atdhe, krejtësisht e mundur, krejtësisht brenda parametrave demokratikë europianë.
Jepuni atyre këtë të drejtë dhe do ta shihni se si do të ndryshojnë parametrat politikë dhe ekonomikë në Shqipëri. Sepse, vendosja e një ministri si plotës i ministrit të Jashtëm do të thotë që emigrantët të trajtohen si të huaj!
Por, ata janë fuqia më e madhe, kapitali më i fuqishëm human i atdheut.
Ja pse nuk janë ambasadorët thjeshtë “të leshtë”, puna është se kemi një diplomaci “të leshtë”.
Sepse Perëndimi i ka integruar bukur mirë shqiptarët që kanë emigruar atje, i ka pranuar ata, i quan pjesë të vetën, por edhe pse ka pranuar shtetin shqiptar në NATO, ka dhënë qendrim pa vizë tremujor, një joshje e tentim i thjeshtë dhe për qëllime turistike, pra që u vlen më shumë të tjerëve sesa Shqipërisë që sheh paranë e saj të iki jashtë, nuk e ka pranuar ende shoqërinë shqiptare, politikën shqiptare, drejtësinë shqiptare, institucionet shqiptare, si të vetat. Jemi shumë larg dhe nuk shohim as dritë, as drejtim, dhe as hapa para.
Kjo duhet debatuar, pasi të pranohet. Por, poqese nuk pranohet, nuk ka ç’debatohet!
Mbledhja mbaroi, shpërndahuni pas takimit me Presidentin!
Kush e sjell sot ndërmend emrin e Rugovës?
Muhamet HAMITI
Presidenti Ibrahim Rugova, ati themeltar i Kosovës së pavarur, tash në dekadën e dytë të jetës së tij në amshim, kujtohet sa herë i kemi punët ngusht. (“Gjithmonë kur merr ngricë/Sjellim ndërmend emrin Tënd”, thoshte poeti Sabri Hamiti për Gjergj Kastriotin në një poezi të para 30-40 vjetëve).
Emrin e Rugovës e përmendin ata që e kanë dashur e ndjekur si prijës të vetin, por edhe ata që për të gjallë s’e kanë dashur si burrë politik. Statura e Rugovës dhe vlerësimi për të është rritur edhe në sytë e kundërshtarëve të tij politikë shqiptarë, me përjashtim të pinjollëve të elitës komuniste shqiptare të Jugosllavisë që s’ia falin as për së vdekuri pse, duke u bërë President i Kosovës me votë e besim plebishitar, ua kishte prerë rrugën të bëheshin elita që do të trashëgonte baballarët e vet.
E sjellin ndërmend dhe po e përmendin Ibrahim Rugovën sot ata, të shumtën kundërshtarë të dikurshëm, që duan ta eksploatojnë pragmatizmin e tij për nevoja të veta, si legjitimim të mëtesave të veta për pushtet në demokracinë e rrëgjuar për fajin e tyre.
Me 47 mandate deputetësh në legjislaturat e para të Kuvendit të Kosovës pas luftës (pas zgjedhjeve nacionale të 2001-shit dhe 2004-ës), Lidhja Demokratike e Kosovës e tij nuk e mori postin e Kryeministrit. Kundërshtarët politikë thoshin se nuk i takonte LDK-së t’i kishte tri postet kryesore të shtetit. (Sot me 39 deputetë mëtojnë t’i kenë të trijat!). Në Qeverinë gjithëpërfshirëse të tri partive (LDK, PDK dhe AAK) u bë kryeministër Bajram Rexhepi i PDK-së, që, kur ndërroi jetë kësaj jave, u përcoll me fjalë të mira, mbasi lideri i kësaj partie Hashim Thaçi ishte i papranueshëm, ndërsa paraliza e institucioneve (“ngërçi politik”, siç po quhet tash) mori fund edhe me ndërhyrje të autoriteteve ndërkombëtare në vend. Herën e dytë, më 2004, Presidenti Rugova zgjodhi të hynte në koalicion me AAK-në e Haradinajt, si zgjidhje më e mirë, dikush do të thoshte më pak e keqe, prej të dyjave. Argumenti politik me të cilin Rugova u rezistoi ndërhyrjeve ndërkombëtare, në radhë të parë amerikane, për të hyrë në koalicion me PDK-në në emër të stabilitetit, ishte se Kosova kishte nevojë tashmë jo për qeveri gjithëpërfshirëse, pa opozitë, siç kishte qenë në mandatin e parë, por për një ambient politik që të kishte qeveri dhe opozitë të fortë, si parakusht për zhvillim të demokracisë në vend. Jam vetë dëshmitar i presioneve të fuqishme të diplomatëve amerikanë që Rugova të hynte në koalicion me Thaçin. (Haradinaj mund të përfundojë në Hagë, thoshin ata, siç edhe ndodhi mbas 100 ditësh të qeverisjes së tij. Rugova kujtonte prezumimin e pafajësisë madje edhe për njerëz me aktakuzë, lëre më për ata që s’e kishin, si Haradinaj atëherë. Nëse shpallet aktakuzë, Haradinaj shkon vetë, thoshte ai, siç edhe ndodhi.) Presion i bënin edhe Soren Jessen Petersenit, përfaqësuesit Special të OKB-së, që në atë kohë kishte prerogativa ligjore të kundërshtonte zgjedhjen demokratike. Peterseni e mbështeti Rugovën.
Rugova mund të zgjidhej Kryeministër, post që kishte pushtetin ekzekutiv, për aq sa kishte pushtet ekzekutiv në Kosovën e administruar efektivisht nga OKB-ja, kur posti i Presidentit ishte të shumtën ceremonial. Rugova nuk u bë President thjesht pse donte të quhej President, siç shprehet ndonjë detraktor i tij malicioz, por pse me autoritetin moral mundi dhe ushtroi pushtet, bashkë me LDK-në e tij të fortë atëherë, në një mënyrë që askush tjetër, pa pushtetin e tij moral, nuk do të mund ta bënte, në vigjilie të kohës kur duhej të vendosej statusi përfundimtar i Kosovës me një proces negociatash ndërkombëtare. Rugova kërkonte njohje formale të pavarësisë së Kosovës edhe në kohën kur njeriu që sot mban postin e Presidentit të Kosovës, kandisur prej ndërkombëtarëve, kërkonte moratorium (të mos flitej) për pavarësi në periudhën e ‘standardeve para statusit’, siç quhej koha në pritje dhe vonesë të fillimit të procesit për përcaktim të statusit përfundimtar të Kosovës.
Në kohën kur hartohej Korniza Kushtetuese e Kosovës nga UNMIK-u, edhe serbët edhe rivalët politikë shqiptarë të Rugovës, ishin kundër zgjedhjes së Presidentit të Kosovës me votë të drejtpërdrejtë, siç e kërkonin Rugova dhe LDK-ja. Për serbët zgjedhja e Presidentit me votë ishte parashenjë e Kosovës shtet, ndërsa për rivalët shqiptarë siguri se Rugova dhe jo ata do të zgjidheshin President me votë popullore.
Ibrahim Rugova për të gjallë i ka fituar të gjitha zgjedhjet politike në Kosovë. Në ndërkohë, nën udhëheqjen e tij Kosova kishte fituar lirinë për vete në luftë me Serbinë, falë udhëheqjes së tij të mençur, që bëri miq dhe përkrahës të luftës politike dhe ushtarake të shqiptarëve të Kosovës në kapërcyell të shekujve.
Ndarja e përgjakshme mes Indisë dhe Pakistanit
Yasmin Khan
Louis Mountbatten qe nënmbreti i fundit i Indisë pas pothuajse 200 vitesh qeverisjeje britanike. Konti i 1-rë Mountbatten dhe bashkëshortja e tij Edwina arritën në Indi me 22 mars 1947 dhe u betuan dy ditë më pas me një ceremoni në Durbar Hall të Pallatit të nënmbretit në New Delhi. Stërnip i Mbretëreshës Victoria, Mountbatten i adhuronte ceremonitë madhështore, por në postin e ri mbante edhe një pushtet të konsiderueshëm: si shef i administratës britanike në Indi, ishte përgjegjësia e tij që të planifikonte shkëputjen e vendit nga Perandoria dhe t’i gjente një zgjidhje konfliktit të vështirë midis partive politike indiane. Ai që e dërgoi kishte qenë Kryeministri britanik Clement Attlee, që i kishte udhëzimin e saktë ta përfundonte transferimin e pushtetit sa më shpejt të ishte e mundur. Dy muaj nga ardhja, Mountbatten kishte hartuar tashmë një plan ndarjeje të nënkontinentit indian në dy shtete të pavarura: Pakistani, me shumicë myslimane dhe India, me mazhorancë hindù. Transferimi i pushtetit ndonjë një vit përpara se do ta kishte pritur çdo njeri. Edhe gruaja e tij Edwina luajti një rol të rëndësishëm, duke krijuar raporte personale me Jawaharal Nehru, udhëheqës i Kongresit Kombëtar Indian, partia që drejtonte lëvizjen për pavarësi. Çifti Mountbatten qëndroi në Indi edhe pas ndarjes, deri në qershorin e 1948 dhe Louis mbajti postin e Guvernatorit të parë të Përgjithshëm të Indisë së pavarur.
Kur negociatat për ndarjen arritën në një pikë ngërçi, Mahatma Gandhi dhe Louis Mountbatten u impenjuan në gjetjen e një rrugëdaljeje përpara një filxhani çaji në bahçen e Pallatit të Nënmbretit në New Delhi. Mountbatten dhe Gandhi folën gjatë për jetën e këtij të fundit në Afrikën e Jugut, por pika qëndrore e bisedës mbeti ngërçi i politikës indiane: Në çfarë mënyre Mountbatten mund të gjente një zgjidhje që të kënaqte kërkesat e ndryshme kushtetuese në momentin e pavarësisë? Po Kongresi mund të arrinte ndonjë lloj kompromisi me Lidhjen Myslimane? Takimi u zhvillua nën shenjën e përzemërsisë, por Mountbatten nuk i pëlqeu Gandhi të refuzonte çfarëdo propozimi ndarjeje për zgjidhjen e krizës (në një letër private të tij e quajti “trockist”) dhe vazhdonte të përkufizonte politikën britanike në termat e “divide et impera”. Në fund Kongresi e pranoi me ngurrim ndarjen, por Gandhi nuk e mbështeti kurrë, bile ditën e pavarësisë refuzoi që të marrë pjesë në festime dhe e kaloi ditën duke agjëruar dhe në falje të heshtur.
Me 3 qershor 1947 Abdul Rab Nishtar, Sardar Baldev Singh, Acharya Kriplani, Sardar Patel, Jawaharlal Nehru, Mohammed Ali Jinnah dhe Liaquat Ali Khan – përfaqësues të Lidhjes Myslimane, të partive sikhe dhe të Kongresit – u ulën në një tavolinë me Nënmbretin Lordin Mountbatten dhe me shefin e personelit e këtij të fundit, Lordin Ismay, dhe ranë dakord për ta zbatuar projektin e ndarjes. Projekti u shpall në Dhomën e Komuneve në Londër po atë mbrëmje, ndërsa në kohë reale Mountbatten dhe liderët e partive të ndryshme i shpjegonin në radio motivet e vendimit një popullsie india në pritje nervoze. Shumë mendonin se, duke pranuar një plan përfundimtar, do të mund të shmangej shpërthimi i dhunës midis komuniteteve hindù, myslimane dhe sikhe të vendit. “Plani mund të mos jetë i përsosur”, deklaroi Mountbatten, “por, siç ndodh gjithmonë, suksesi i tij do të varet nga vullneti i mirë me të cilin do të zbatohet”.
Mohammed Ali Jinnah, lideri i Lidhjes Myslimane, adhurohej si një hero nga shumë myslimanë të Indisë Jugore, kështu që e gjykoi të përshtatshme se ishte ai që duhej të drejtonte festimet për lindjen e shtetit të ri të Pakistanit në Karachi me 14 gusht të 1947. Jinnah, që kishte studiuar në Britaninë e Madhe, shpesh vishte kostume Savile Row, por atë ditë zgjodhi që të veshë një sherwani të bardhë (diçka e ngjashme me një pallto) dhe karakul, një kapele tipike e Veriut të Indisë. Përtej festimeve, shteti i ri ngjallte shumë preokupime, sidomos që rolin që do të kishte feja: vetë Jinnah ruajti një qëndrim ambivalent lidhur me territorin e caktuar Pakistanit, por pak më shumë se një vit më vonë vdiq, duke e privuar vendin nga një drejtues që do të kishte mundur të bashkonte grupet e shumta etnike në konflikt.
Trenat e stërmbushur me refugjatë, me pasagjerë të hipur mbi çatitë e vagonëve apo të kacavjerrë nëpër anët e tyre u bënë ikona e vërtetë e ndarjes. Të paktën 12 milionë persona u spostuan midis Indisë dhe Pakistanit: një sasi pakashumë e barabartë hindùshë dhe myslimanësh në kërkim të një shtëpie të re, përveçse të gjithë popullsisë sikhe. Shumë udhëtuan me tren, të tjerë udhëtuan në këmbë në kolona të gjata, të tjera akoma e kaluan kufirin me makinë apo me avion. Asnjëri nuk qe i gatshëm për një eksod me përmasa të tilla: si liderët britanikë, ashtu edhe ata aziatikë, u kapën në befasi. Pasoi një konfuzion i madh, në të cilin shumëve ju imponua që të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të qëndronin. Në ditët e para të shtatorit 1947 u bë e qartë se sistemi më i sigurtë për të kompletuar spostimet do të ishte që të liheshin të kalonin popullsitë nëpër rajonin e Punjab. Shpejt vendimi u zyrtarizua dhe u ngarkua ushtria që ta organizonte logjistikën. Kështu, shumica e refugjatëve arriti nga Punjab, por qindramijëra të tjerë u spostuan në të dyja kahjet nga pjesë të tjera të Indisë dhe të Pakistanit, përfshi Bengala, Bombay, Provincën e Kufirit Veri–Perëndimor, Sindh dhe Provincat e Bashkuara.
Ndarja qe një përvojë e tmerrshme për miliona njerëz, por ata që vuajtën më shumë qenë banorët e fshatrave më pak të kamura të Punjab. Fotografja amerikane Margaret Bourke-White u ndesh me refugjatët që e kalonin në kolonë kufirin e ri, ku fotografoi kufomat e braktisura nëpër shina dhe vizitoi spitalet e të sëmurëve me kolerë. “Pamjet e këtyre të varfërve të pambrojtur më mbushi me zëmërim”, shkroi në përmbledhjen e udhëtimit të saj me titull “Halfway to Freedom”. “Ishin fshatarë të pafajshëm. Disa qenë përzënë me forcë nga tokat e tyre, të tjerë kishin dëgjuar tam-tamet e sloganeve fetare dhe qenë nisur për të ndjekur një ëndërr”. Në Punjab përdhunimi u përdor si mjet spastrimi etnik dhe shumë gra qenë stigmatizuar nga vetë komunitetet ku jetonin pikërisht pse kishin qenë viktima të dhunës seksuale. Të tjeta u morën peng nga komuniteti “tjetër” dhe dhjetëramijëra u riatdhesuan me forcë në Indi ose në Pakistan. Nuk ka vërtet aspak për t’u mrekulluar që Gandhi i quajti gratë si “viktimat kryesore” të ndarjes. Një çerek milion refugjatë – shumë prej të cilëve myslimanë që po linin Indinë – kaloi nga New Delhi në verën e 1947. Pjesa më e madhe e tyre gjeti shtëpi më pas në Pakistan, por shumë humbën jetën gjatë rrugës, viktima të sëmundjeve apo të dhunës.
Momentet e ndarjes dhe vrasja e Gandit
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore
Në 1945 India doli nga Lufta e Dytë Botërore thellësisht e transformuar, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë ekonomik, dhe populli e kërkoi me zë të lartë pavarësinë nga qeveria britanike. Ishte edhe një vend shumë i përçarë: pjesa më e madhe e popullsisë (rreth 70%) ishte e besimit hindù, me një pakicë të konsiderueshme të përbërë nga myslimanë (çereku i totalit) dhe një pjesë e mbetur prej 5% e formuar nga kristianë, sikhë dhe grupe të tjera. Në vitet ‘40 fitoi shumë mbështetje Lidhja Myslimane, që luftonte për krijimin e shtetit të Pakistanit. Nga ana tjetër, liderët e Kongresit (Partia Nacionaliste), domethënë Mahatma Gandhi dhe Jawaharlal Nehru, theksonin se përfaqësonin totalitetin e Indisë Jugore, por luftonin në mënyrë konstante për ta mbajtur dhunën jashtë lëvizjes së tyre dhe kishin kaluar në burg pjesën më të madhe të viteve të luftës. Në 1946, Britania e Madhe vendosi ta lërë Indinë, por nuk arriti të gjejë një marrëveshje për Kushtetutën që t’i jepte shtetit të ri.
26 qershor 1946
“Misioni Kabinetit” dështon
Zgjedhjet që u mbajtën në fillimin e 1946 konfirmuan një mbështetje të gjerë ndaj Lidhjes Myslimane midis myslimanëve të jugut, ndërsa Kongresi monopolizoi votat e popullsisë jomyslimane. Po atë vit, më vonë, një delegacion i përbërë nga tri anëtarë të Kabinetit britanik, ia arriti për një sekondë ta mbajë Indinë e bashkuar. “Misioni i Kabinetit” arriti që të bëjë bashkë për një periudhë të shkurtër Kongresin dhe Lidhjen Myslimane për një plan federal që projektonte një Indi të bashkuar, por shumë më të decentralizuar. Për inaugurimin e qeverisë së re u fiksua data e 26 qershorit, por tensionet në rritje midis grupeve fetare indiane e bënë projektin që të dështojë.
16 gusht 1946
Përleshjet etnike shkaktojnë mbi 4000 viktima
Në gushtin e 1946 Lidhja Myslimane u bëri thirrje mbështetësve të saj që të bënin një ditë “Aksion Direkt” në Kalkutë, si demonstrim force përballë Kongresit që po procedonte për të formuar një qeveri ad interim pa të. Politikanët imagjinonin se do të kishte protesta dhe kortezhe, por në të vërtetë “Aksioni Direkt” degjeneroi në një tragjedi: Në pak ditë përleshjet e ashpra shkaktuan më shumë se 4000 viktima midis hindùve dhe myslimanëve. Qe episodi më i keq i dhunës etnike për 18 muajt e ardhshëm.
Muajt e fundit e 1946
Dhuna fshikullon Veriun dhe Lindjen e Indisë
Në muajt e fundit të 1946 dhuna etnike midis hindùve dhe myslimanëve shpërtheu më fort se kurrë në Indinë Veriore, në mënyrë të veçantë në rajonet Noakhali (shteti Bengalës), Bihar dhe në Provincat e Bashkuara. Situata ishte më e keqe se ato të mëparshmet, jo vetëm prej dimensioneve më të mëdha, por edhe pse gra e fëmijë u bënë gjithnjë e më shpesh objektiv vrasjesh e dhune seksuale. Gandhi i vizitoi rajonet e goditura me tentativën e paqtimit dhe kërcënoi se do të mbante grevë urie deri në vdekje në rast se dhuna nuk ndalej, ndërsa politikanë lokalë e agjitatorë të ardhur nga të gjitha komunitetet e përfshira punonin për të përhapur zëra që i rrisnin tensionet etnike.
20 shkurt 1947
Ndërhyn Clement Attlee
Kryeministri Clement Attlee kishte vendosur ta tërhiqte praninë britanike nga India sa më shpejt të ishte e mundur, përveçse ishte i preokupuar për përkeqësimin e besnikërisë ndaj Perandorisë nga ana e forcave të armatosura indiane dhe prej dhunës etnike gjithnjë e më intensive. Me 20 shkurt 1947, megjithëse pa arritur një marrëveshje me partitë indianë, njoftoi se Britania do ta linte Indinë brenda dhe jo përtej verës së vitit 1948, si dhe do ta zëvendësonte Archibald Wavell, Nënmbretin aktual, me Louis Mountbatten.
Mars 1947
Njerëzit marrin arratinë nga dhuna në Pakistan
Pas deklaratës së Kryeministrit Attlee, dhuna u rrit mjaft në Punjab. Në fillimet e marsit, i nënshtruar presioneve gjithnjë e në rritje, Khizr Tirwana, lideri i Partisë Unioniste, dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Punjab, në vijim të së cilës në Lahore – qytet me një popullsi mikse hindù, myslimanë dhe sikhë – shpërtheu një betejë e ashpër. Nga këtu e ka origjinën vala e parë e refugjatëve punxhabë, e formuar nga qytetarë shumë të kamur që zgjodhën për t’u spostuar në zona më pak të rrezikshme të vendit, duke marrë me vete të gjitha gjërat e tyre.
3 qershor 1947
Plani i ndarjes bëhet publik
Në takimet e 2 dhe 3 qershorit me liderët aziatikë, Mountbatten arriti konsensusin lidhur me planin e ndarjes që aq shumë e dëshironte. Plani, që u mundësonte banorëve të Bengalës dhe të Punjab të vendosnin nëse donin të ndanin provincat e tyre
– kufijtë e të cilave nuk qenë fiksuar akoma
– linte në një paqartësi të madhe njerëzit e thjeshtë, që nuk mund ta dinte se cilat pjesë të territorit do të bëheshin Indi dhe cilat Pakistan.
Veç kësaj, data e pavarësisë nga Perandoria Britanike do të shtyhej për një vit të tërë.
17 korrik 1947
Forca e Kufirit rezulton e kotë
Nga disa njësi të ushtrisë indiane u krijua një Forcë Kufiri e Punjab me qëllim rivendosjen e ligjit dhe rendit. Por ajo rezultoi aq joefikase sa të shkrihej vetëm pas 32 ditësh. Maksimumi arriti që mundi të menaxhojë 12 distriktet më problematike e Punjab dhe nuk pati kurrë më shumë se 25000 efektiva. Në territorin indian kishte akoma trupa britanike, por në vend që të impenjoheshin për të frenuar dhunën, ato u çmobilizuan me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
14 gusht 1947
Lindja në gjak e Pakistanit
Pakistani, që u bë i pavarur një ditë përpara Indisë, lindi i ndarë më dysh: Pakistani Lindor (që më pas do të bëhej Bangladesh) dhe Pakistani Perëndimor. Ato që i ndanin të dy territoret qenë më shumë se 1500 kilometrat e territorit indian. Por, teksa njerëzit festonin lindjen e shtetit të ri, në disa rajone të tij egërsohej dhuna etnike. Myslimanët derdheshin në Pakistan, kurse hindùtë dhe sikhët largoheshin: një banor në pesë i shtetit të ri ishte refugjat, një situatë që kërcënonte vetë ekzistencën e Pakistanit.
15 gusht 1947
Pavarësia e Indisë
India e festoi pavarësinë e saj 24 orë pas Pakistanit në kryeqytetin New Delhi, por teksa festimet ishin në zhvillim, kampet e refugjatëve vazhdonin që të mbusheshin dhe dhuna etnike nuk ndalej. Edhe shtetet e vjetra princërore u absorbuan në shtetin e ri dhe, kur nuk u arrit të vendosej nëse Kashmiri duhej t’i përkiste Indisë apo Pakistanit, shpërtheu lufta. Jawaharlal Nehru u bë Kryeministri i ri indian, por vendi pati një Kushtetutë të vërtetë vetëm dy vite më vonë dhe ju deshën 4 të tjera për zgjedhjet e para të përgjithshme.
17 gusht 1947
Kufijtë rrisin tensionin
Gjykatësi britanik Cyril Radcliffe u ngarkua që të heqë kufirin midis Indisë dhe Pakistanit. E bëri duke përdorur ndihmën e anëtarëve të Komisioneve për Kufijtë e Bengalës dhe të Punjab, që megjithatë, brenda një kohe shumë të shkurtër, u polarizuan në fronte fetare të kundërta. Radcliffe i vlerësoi mazhorancat dhe minorancat në popullsinë e distrikteve për t’u ndarë duke u bazuar në një censiment të vitit 1941, por mbajti parasysh edhe faktorë ekonomikë e kulturorë. U prit deri në ditën e pavarësisë për të shpallur pozicionin e kufijve, që pashmangshmërisht bëri të pakënaqur shumë njerëz.
Gusht tetor 1947
12 milionë njerëz në rrugë
Në ditët e para pas ndarjes shumë njerëz besonin akoma se si India, ashtu edhe Pakistani, do të vazhdonin që t’i mirëprisnin minorancat fetare me përmasa të mëdha dhe fillimisht politikanët u rekomanduan njerëzve që të mos i linin shtëpitë e tyre. Por shpejt ngjarjet filluan të rrjedhin në një drejtim krejtësisht tjetër: një numër i madh sikhësh nga Punjab, të gjetur si në kafaz midis dy shteteve të reja, filluan që të kërkojnë një vend të veçantë për veten dhe pak më vonë të dy shtetet organizuan një “shkëmbim popullsie” formal që spostoi 6 milionë njerëz në të dyja drejtimet.
30 janar 1948
Vrasja e Mahatma Gandhi trondit Indinë
Më 30 janar Nathuram Godse, një nacionalist hindù fuqimisht kundër propozimeve të Gandhi për një shtet laik e pluralist dhe tentativave të tij për të arritur paqen me Pakistanin, u paraqit në grumbullimin pranë Birla House në New Delhi dhe e qëlloi tri herë në gjoks Gandhin. Vdekja e liderit të madh e tronditi kombin indian dhe ndihmoi për t’u vënë një fre përleshjeve, që megjithatë nuk u shuan të gjitha. Për shumë vite me radhë nënkontinenti indian vazhdoi që të jetë pre e shpërthimeve të rastësishme të dhunës dhe të asistojë në kalimin e refugjatëve nëpërmjet kufijve të Bengalës dhe të Pakistanit Lindor.
Autori është Assistant Professor i Historisë Angleze në Oxford University)
Përgatiti
ARMIN TIRANA