30.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Kalifati i Spanjës/Toleranca spanjolle

Manuel Glezher

Ekspansioni i islamit në botë ka qenë i paprecedent: në pothuajse 100 vjet është përhapur nga Arabia Saudite e sotme deri në Gjibraltar drejt Perëndimit dhe deri në kufijtë aktualë të Indisë nga Lindja. Përmbajtja sociale, monoteizmi absolut dhe vullneti për t’i dhënë gruas të drejta që nuk i takonin në epokën paraislamike ngulitën në fenë e re një ritëm ekspansiv shumë të shpejtë dhe shënuan fillimin e një jete të re. Kjo tendencë vazhdon akoma sot: në 2009 Vatikani ka njoftuar se numri i myslimanëve e ka kaluar atë të katolikëve. Për ta kuptuar më mirë fenomenin është e nevojshme të mbahet parasysh një tipar i mendimit islamik: bindjen se ajo që ndodh i detyrohet vullnetit të Zotit. Shprehja in šā’ Allāh (Dashtë Zoti, shprehja që përdorim ishallah) kaq shpesh e përdorur në botën islamike, shpreh pikërisht këtë ide të nënshtrimit ndaj vullnetit të qenies supreme. Kështu, ekspansioni i shpejtë i islamit, falë predikimit dhe fitoreve ushtarake, është për t’u kuptuar si një shenjë e vullnetit hyjnor. Të pajisur me këtë teori, xhihadistët aktualë shprehen si të detyruar që të rikuperojnë të gjithë këta territore të pushtuara në të kaluarën me favorin e Allāh. Si dominimi spanjoll: shkëlqimi i al-Andalus, tokë që një herë e një kohë i përkiste islamit. Falë Muhamedit, islami ishte afirmuar si forcë sociale, politike e fetare dhe Arabia ishte unifikuar. Disa dekada pas vdekjes së tij, e ndodhur në vitin 632, pasuesit e Profetit kishin pushtuar Persinë, Egjiptin, Palestinën, Sirinë, Armeninë dhe pjesën më të madhe të Afrikës Veriore. Kishin vënë edhe dy herë nën rrethim Konstandinopojën, por pa arritur ta pushtonin, duke hequr kështu dorë nga të zgjeruarit drejt Europës Lindore. Midis viteve 711 e 716 vendoset fillimi i pranisë arabe në Gadishullin Iberik, e destinuar që të zgjaste rreth 8 shekuj, dhe në vitin 732, 100 vjet pas vdekjes së Muhamedit, avancimi arab në Europën Perëndimore bllokohet në dyert e Francës në Betejën e Poitiers. Në vitin 750, perandoria myslimane shtrihej nga Spanja në Indi dhe në shekujt pasues islami penetroi në Afrikë e në Azi, duke arritur deri në Ishujt Filipine. Nën ghaznavidët, islami u përhap në shekullin e X-të në shtetet kryesore hindù në Lindje të Lumit Ind, në atë që sot është India Veriore. Ekspansioni vazhdoi paqësisht në rajone të ndryshme të Afrikës e të Juglindjes aziatike dhe, gjithmonë në këtë periudhë, islami dhe kristianizmi arritën që të përplaseshin për shkak të kryqëzatave të ndërmarra për t’ia hequr Tokën e Shenjtë dominimit mysliman. Islami numëron sot rreth 1.5 miliardë besimtarë dhe është besimi fetar i dytë në botë pas kristianizmit.
Një periudhë e trazuar për Europën qe ajo midis shekullit të V-të e të XV-të, nga pushtimet gjermanike deri në zbulimin e Amerikës. Pikërisht në këtë periudhë, saktësisht në shekullin e VIII-të, ndodhi pushtimi i Gadishullit Iberik nga ana e myslimanëve. Por për të shpjeguar shpejtësinë e përhapjes së Islamit në këto territore është e nevojshme të analizohet situata paraislamike. Dendësia e tepruar e popullsisë në ishullin suedez Gotland në shekullin e III-të i shtyu banorët e tij që të kërkojë toka të reja, gjë që i dha jetë ekspansionit të gotëve në të gjithë Europën. Për më shumë se 2 shekuj, ky popull përshkoi kufijtë e Perandorisë Romake deri kur, në dhjetor të vitit 406, disa prej këtyre të ashtuquajturëve barbarë shkelën kufirin e perandorisë në Magonza të Gjermanisë. Penetrimi ndoqi dy lina kryesore: drejt Lindjes u shtynë ostrogotët dhe drejt Perëndimit visigotët. Pas plaçkitjes së Romës prej dorës së këtyre të fundit u lidh një pakt me perandorinë në bazë të të cilit pushtuesit bëheshin foederati të provincës romake të Hispanisë, me qëllim që të përzinin svevët, vandalët dhe alanët, që në vitin 408 qenë vendosur aty. Në 415 u arrit në nisjen e detyruar të vandalëve drejt Afrikës dhe në shfarosjen thuajse totale të alanëve, ndërsa svevët rezistuan deri në 456. Visigotët e konsoliduan pushtetin e tyre në fillim me krijimin e kryeqytetit në Toledo më 507. Pas 7 sovranësh të besimit arian, Mbreti Recaredo i I-rë (586 – 601) u konvertua në kristianizëm në 589, duke e unifikuar mbretërinë visigotë nga pikëpamje fetare. Megjithatë, sedimentet e arianizmit mbetën të pranishëm për shekuj me radhë në shoqërinë visigotë dhe ky faktor, bashkë me shumë të tjerë, favorìzoi penetrimin ideologjiko–fetar të islamit, që mohon natyrën hyjnore të Jezùsit (Isa në Kuran), kjo pavarësisht se i respektuar në cilësinë e profetit, por megjithëse gjithmonë me natyrë njerëzore.
Megjithatë, kuadri politik mbeti i paqëndrueshëm. Në mbretërinë visigot, zgjedhja e mbretit bazohej mbi një zakon të lashtë të Veriut: emërimi me zgjedhje karshi legjitimimit prej prejardhjes së trashëguar. Ky sistem favorizoi përçarjet midis klaneve më të fuqishme, që bënin garë për të fituar emërimin. Tensionet e brendshme qenë në rritje konstante: nga njëra anë shpërthyen luftëra civile të vërteta për të siguruar fronin; nga ana tjetër, pakënaqësia popullore që i detyrohej presionit ekonomik, kushteve të pasigurta të jetesës dhe ndjenjës së pasigurisë e percipituan situatën, duke ushqyer një dëshirë për ndryshim. Një tjetër faktor i rëndësishëm qenë presionet kundër sefarditëve për rregullat e miratuara nga udhëheqësit visigotë. Në radhë të parë, legjislacioni antihebraik filloi me konvertimin e Mbretit Recaredo në kristianizëm më 586 dhe vazhdoi nën mbretërimin e Sisebutit, që i detyroi hebrenjtë të konvertoheshin në fenë kristiane. Dukshëm antisemitë qenë edhe mbretërit Chintila (636 – 639), Recesvint (653 – 672), Wamba (672 – 680), Erwig (680 – 687) dhe Egica (687 – 700): ky i fundit, midis gjërave të tjera, arriti sa të urdhërojë që të gjithë hebrenjtë, të konvertuar ose jo, të katandiseshin në skllavëri të përjetshme. Në këtë panoramë sociale dhe politike, sefarditët shpresonin në një ndryshim dhe prania e trupave islamike përfaqësonte një mundësi në këtë drejtim. Objektivat e penetrimit të myslimanëve në Gadishullin Iberik mund të jenë objekt interpretimesh të ndryshme: realizim i xhihadit të vogël ose «impenim në luftë», për të mundësuar ekspansionin e fesë islamike nëpërmjet forcave të armatosura myslimane; zgjerim i kufijve të tyre si instrument pushteti dhe konsolidimi ekonomik; shtrëngim rripi Perandorisë Bizantine, duke qenë se ishte e mundur po ta sulmoje frontalisht nga Lindja, siç e kishin demonstruar tentativat e pafrytshme të myslimanëve në 669 dhe në periudhën 673 – 678.
Pas ekspansionit në Afrikën Veriore, në vitin 710 islamikët pushtuan Ceuta. Po atë vit, filluan luftërat e brendshme të visigotëve midis mbështetësve të Agila së II-të, Dukë i Provincës Tarraconensis dhe djali i ish-Mbretit Witiza, dhe atij që preferonte ngjitjen në fron të Roderico (apo Rodrigo), Dukë i Baetica. Të parët, përfshi pretendentin e fronit Agila, u mundën dhe u tërhoqën në Ceuta. Aty nisën që të studiojnë plane për të mbështetur Agila e II-të, duke llogaritur mbështetjen e Valiut të Ifrīqiya (Tunizisë), Mūsā ibn Nușayr, dhe mawlā-s (libertit) të tij, një berber i islamizuar me emrin Țāriq bin Ziyād. Në vijim të këtyre traktativave, Agila i II-të do të fitonte mbështetjen nga ana e fisnikërisë, e shumicës së klerit (me Oppas, Peshkop i Seville dhe dajë i Agila së II-të, në krye), të Kontit Julián di Ceuta, të hebrenjve (që pas abuzimeve dhe presioneve të Wamba dhe Egica u treguan mirënjohës për masat paqëtuese të miratuara nga Witiza, babai i Agila së II-të) dhe të ortakëve të rinj mercenarë islamikë (arabë dhe berberë). Në frontin tjetër, mbështetësit e Rodrigo qenë katandisur në ushtrinë besnike ndaj tij dhe të një pjese të fisnikërisë. Përplasja ndodhi në Guadalete, ku ekuilibri u prish kur në kulmin e betejës Rodrigo pa ta tradhëtonin oficerë të tij (Oppa dhe Sisbert). Pas vdekjes së don Rodrigo, hyrja e trupave të Țāriq (28 prill 711) në zonën e mbiquajtur Ğabal Țāriq (Gjibraltar) i dha jetë dominimit mysliman të Gadishullit, që do të vazhdojë deri më 1492.
Kalifi umayyad al-Walīd (705–715) kontrollonte nga Damasku fuqinë myslimane në ekspansion të plotë në gadishullin Iberik. Triumfi i Țāriq shënoi fitoren ushtarake, por në fushën sociale shtresat fisnike e të dyja fraksioneve visigote u gjendën të dobësuara, bile dhe ato që kishin arritur të ruanin një lloj pozicioni lundronin në ujëra të këqija nga pikëpamja ekonomike dhe qenë pamundësuar që të ndërmerrnin çdo traktativë. Myslimanët ofronin ruajtjen e pozicioneve të rëndësishme dhe një trajtim bujar të gjithë atyre që konvertoheshin apo që impenjoheshin të mos bënin rezistencë. Për sa i përket Agila së II-të, as Țāriq dhe as Mūsā nuk deshën të merrnin përgjegjësinë e vendosjes së fatit të tyre. Ndërsa trupat myslimane vazhdonin avancimin e tyre, ai shkoi në Damask, sepse ishte Kalifi al-Walīd ai që vendoste fatin e monarkut. Me 11 nëntor 711 autoriteti i Kalifit u vendos në Toledo. Pas 2 vitesh froni vakant, Agila kthehej në Gadishullin Iberik dhe vendosej pikërisht në Toledo, ku do të vdesë pak më vonë, ndërsa vëllezërit, me miratimin e Kalifit dhe në shkëmbim të jetës e të ruajtjes së titujve të tyre, vendoseshin në Seville (Olmund) dhe në Cordova (Ardabast).
Hispanisë së vjetër ju deshën vetëm 5 vjet për të rënë totalisht nën influencën e islamit dhe filloi të quhej al-Andalus. Myslimanët e realizuan pushtimin e territorit gadishullor me 3 mënyra: nëpërmjet pushtimit ushtarak dhe eliminimit apo përzënies së popullsisë; nëpërmjet suhl-it apo kapitullimit, që parashikonte dorëzimin e një qyteti apo të një fshati pas nënshkrimit të një pakti dhe nëpërmjet ‘ahd-it apo traktatit, me anë të të cilit kontraktuesit konsideroheshin aleatë dhe nxirrnin avantazhe si ruajtja e tokës, e pronës apo e jetës. Gjithëpërfshirja e besimeve të ndryshme fetare shënoi jetën e përditshme e atyre 800 viteve që zgjati dominimi mysliman në Gadishullin Iberik. Realiteti juridiko–social përfundoi me artikulimin e popullsisë në grupe të ndryshme, sipas besimit fetar dhe në bazë të faktit që banonin në një zonë të dominuar nga kristianët apo nga myslimanët. Edhe pse konvertimet nuk qenë gjithmonë vullnetare dhe as gjithmonë të detyruara, qenë burim përçarjesh dhe revoltash të rëndësishme në brendësi të secilës prej mbretërive, emirateve apo kalifateve: kristianët e zonës visigote, të njohur si rūm nga myslimanët; mudéjares-at, domethënë myslimanë të mbetur që jetonin në zonën me dominim kristian, duke ruajtur fenë e tyre; moriscos-ët, domethënë myslimanë të konvertuar në kristianizëm dhe banorë në zonat kristiane; mozarab-ët, domethënë kristianë që mbetën në zonat me mbizotërim mysliman, duke ruajtur besim dhe kulturë; myslimanët, me origjinë arabe ose berbere, që penetruan Gadishullin Iberik nga Jugu (në Mbretërinë e Valencia quheshin saraçenë); mulad-ët, kristianë të mbetur në zonë myslimane dhe të konvertuar në islam; të ashtuquajturit marran-ë (anusim-ë për hebrenjtë), domethënë hebrenj të konvertuar në kristianizëm. Në shoqërinë islamike erdhën duke u formuar 2 grupe të mëdhenj: ai dominues dhe mysliman (arabë, berberë e mulad-ë) dhe ai i të nënshtruarve (kristianë, hebrenj, skllevër dhe të burgosur). Në brendësi të secilit grup qenë të dallueshme nivelet klasike mesjetare e klasës së lartë apo fisnikërisë (hāșșa), e klasës së mesme (a’yān) dhe të klasës së ulët (‘amma).
Pas shekujsh luftërash midis kristianëve dhe myslimanëve, me ndryshimet e vazhdueshme të kufijve, copëzimi u vendos në trojet islamike (si edhe në ato kristiane). Rezultati i përçarjeve të brendshme qe lindja e të ashtuquajturave mbretëria të taifa-s, me një larmi ekstreme liderësh dhe një multipolarizim të hartës së Gadishullit Iberik. Pasoja e divide et impera qe se këto mbretëri panë t’u reduktohej pushteti dhe ju desh që t’i drejtoheshin ndihmës së një force të shfaqur në Jug të Saharasë Perëndimore aktuale, almoravid-ëve. Këta mund të krahasohen me talibanët e sotëm: një forcë radikale e dallueshme nga vullneti i zbatimit integral të ligjit fetar. Shumë shpejt kjo ushtri «murgjërish ushtarë» me origjinë berbere avancoi drejt Veriut për të hyrë në Gadishullin Iberik në 1090. Për rreth 60 vjet ruajtën kontrollin mbi pjesën jugore të Gadishullit, deri kur u zëvendësuan nga almohad-ët, një tjetër popull berber nga Veriu i Magrebit po aq radikal. Pas një shekull dominimi do të zëvendësohen nga Mbretëria nazarite e Granada. Rreth vitit 1475. Mbretëria nazarite e Granada, rrënjët e së cilës shkojnë në krijimin e Sulltanatit nazarit nga ana e Ibn Nașr në shekullin e XII-të, ishte katandisur në tributare të Mbretërisë së Castille, që pas luftës së suksesionit midis Isabella të Castille dhe mbesës së saj, Juana la Beltraneja, gjendej në krizë të plotë ekonomike dhe pretendonte nga Granada pagimin në kohë të taksave. Tensionet politike dhe ekonomike shkaktuan luftën midis Castille dhe Granada, e cila përfundoi në 1492 me fitoren e ushtrisë kristiane dhe largimin e sovranit nazarit Boabdil. Nga shekulli i XIII-të në atë të XVI-të qenë verifikuar kryengritje të ndryshme midis moriscos-ëve të Gadishullit, për shkaqe sociale, por sidomos ligjore. Sanksioni Pragmatik i 1502, i miratuar nga mbretërit katolikë, i kish konvertuar automatikisht në kristianizëm banorët e vjetër myslimanë të Mbretërisë së Granada, të cilët kaluan kështu nga mudéjares në moriscos. Pavarësisht këtij konvertimi, mbijetesa e gjuhës arabe, pse jo edhe i dokeve, zakoneve e ritualeve, favorizoi perceptimin e një distance midis kristianëve dhe moriscos-ëve. Rritja e tensionit shkaktoi rebelime të ndryshme, midis të cilave spikat për nga jetëgjatësia dhe rëndësia e ashtuquajtura revoltë e Alpujarra, midis viteve 1568 e 1571, e filluar nga miratimi i Sanksionit Pragmatik i 1567, në të cilën Mbreti Filipi i II-të, nëpërmjet Inkuizitorit të Përgjithshëm Diego de Espinosa, i detyronte moriscos-ët të braktisnin zakone, fe e gjuhë. Edhe pas pushtimit të Mbretërisë së Granada, popullsia moriscos-e (rreth 150 000 persona) ishte më e madhe në numër sesa ajo kristiane (rreth 115000). Kulmi i kësaj situate ndodhi me përzënien e moriscos-ëve e dekretuar nga Filipi i III-të në periudhën 1609 – 1614.
Faktorë të ndryshëm çuan në largimin e moriscos-ëve dhe midis tyre qenë realizimi i projektit të mbretërisë kulturalisht unitare e nisur tashmë me përzënien e hebrenjve në 1493 nga ana e mbretërve katolikë; perceptimi kristian i mbizotërimit ekonomik arab; ekspansioni i turqve në Mesdhe, kombinuar me idenë se moriscos-ët mund të përbënin një kolonë të pestë të tyrin, për pasojë rrezik potencial. Disa shekuj pas përzënies së moriscos-ëve arrijmë në Spanjën e gjysmës së dytë të ‘900. Konferenca e Berlinit e vitit 1884 dhe situata e rëndë në kolonitë spanjolle e Kubës dhe të Përtejdetit shtynë që të drejtohej shikimi nga Afrika. Kështu që atë vit, me synimin që të ruanin praninë spanjolle në Ishujt Canarie dhe kontrolluar zonat e pasura të peshkimit, ndërmerret një ekspeditë drejt Saharasë. Pas njohjes së Saharasë Spanjolle dhe me fillimin e protektoratit spanjoll mbi Marok në 1912, nis një periudhë raportesh të ngushta me botën myslimane. Përveç afrisë së regjimit të Francos me luftëtarët islamikë që bashkëpunuan gjatë luftës civile të Spanjës (1936 – 1939), sinjalizohet prania në territorin afrikan e dy avamposteve me sovranitet spanjoll, që prej afërsisë gjeografike të tyre me një vend me shumicë myslimane mirëpresin bërthama të konsiderueshme me popullsi islamike. Këto eksklava spanjolle janë Ceuta (82376 banorë, nga të cilët 34894 myslimanë) dhe Melilla (78476 banorë, nga të cilët 38966 myslimanë). Me 26 qershor 1967, Parlamenti spanjoll miraton ligjin e parë mbi lirinë fetare dhe kjo çon në formimin e formave të para shoqëruese të lindura në ato që tani janë qytetet autonome e Ceuta dhe Melilla, të ndjekura nga Madridi dhe nga Andalusia. Anëtarët e këtyre shoqatave janë për më tepër spanjollë të konvertuar në islam dhe studentë të ardhur nga vendet arabe. Fidani më i mirë për konvertimet në Spanjë mbillet nga ekspansioni europian i lëvizjes Murābițūn, e themeluar nga šayh ‘Abd al-Qādir al-Șūfī, një qytetar britanik fillimisht i quajtur Ian Dallas. Në 1971, me iniciativën e një siriani të nacionalizuar spanjoll, mjeku Riay Tatary Bakry (Ryād Tatarī Bakrī), themelohet në Madrid Shoqata Myslimane e Spanjës (AME), bërthama fillestare e asaj që do të jetë Bashkimi i Komuniteteve Islamike të Spanjës (UCIDE) i ardhshëm. Falë shoqatës arrihet në xhaminë e parë moderne në territor spanjoll, ajo e kushtuar Abû Bakr, në Madrid. Në vitin 1979, prej veprës së një spanjolli të konvertuar, Machordom Comins, lind Komuniteti Mysliman i Spanjës (CME), që paraqitet si alternativë ndaj AME-së.
Ngritja ekonomike e Spanjës në vitet ’90 e ka bërë të imagjinohet si objektiv i mundshëm emigracioni, sidomos nga ana e marokenëve dhe e sauditëve. Të parët formojnë Komunitetin Mysliman Maroken të Madridit Al-Umma në 1986; bashkë me Kuvajtin, të dytët caktojnë një delegacion të Këshillit Europian të Xhamive, gjithmonë në Madrid. Neni 16-të i Kushtetutës spanjolle të 1976 deklaron: «Autoritetet publike marrin në konsideratë besimet e ndryshme fetare të shoqërisë spanjolle dhe punojnë për të ruajtur raporte bashkëpunimi me kishën katolike dhe besimet e tjera fetare». Mbi bazën e këtij neni shkohet në miratimin e ligjit mbi lirinë fetare të 24 korrikut 1980 dhe kjo stimulon krijimin e një organizimi në brendësi të Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme për Raportet me Besimet Fetare aktuale, detyra kryesore e së cilës është të garantojë që e drejta e lirisë fetare në Spanjë të respektohet. Në vijim të ligjit mbi lirinë fetare, gjithmonë në 1980 krijohet UCIDE dhe më pas, në 1989, Federata e Enteve Fetare Islamike (FEERI). Në 1992 krijohet Komuniteti Islamik i Spanjës (CIE), një organizatë që përfaqëson zyrtarisht myslimanët spanjollë përpara qeverisë, dhe falë saj bëhen negociata dhe firmosen marrëveshje midis shtetit dhe islamit. Aktualisht në Spanjë janë të regjistruara 1205 komunitete myslimane. Sipas një studimi demografik të realizuar nga Observatori andaluz i UCIDE-s, myslimanët e pranishëm në Spanjë janë 1919141 myslimanë në një popullsi totale prej 46438422 banorësh. Një popullsi që mund ta klasifikojmë në radhë të parë mbi bazën e origjinës: të nacionalizuar spanjollë (të konvertuar apo që kanë fituar shtetësinë) dhe rezidentë të huaj (për t’u ndarë në bazë të vendit të prejardhjes). Përqindja më e lartë e myslimanëve në Spanjë vjen nga Maroku. Në Spanjë janë regjistruar 753425 qytetarë marokenë (39.2% e komunitetit mysliman dhe mbi 67.5% e myslimanëve të huaj). Komunitete më të vogla përfshijnë pakistanezë, bangladeshas, algjerianë, senegalezë dhe nigerianë. Për sa u përket myslimanëve me shtetësi spanjolle, në 2016 këto përfshinin 277409 qytetarë të natyralizuar (kryesisht nga Maroku), 430990 trashëgimtarë qytetarësh të natyralizuar, 64334 myslimanë nga Ceuta/Melilla (të natyralizuar nga një dekret në fillimin e viteve ‘80) dhe 23624 qenë spanjollë me bekgraund kristian katolik që qenë konvertuar në islam prej martesës apo prej bindjesh fetare personale.
Në Spanjë, islami mund të numërojë rreth 1100 xhami të regjistruara. Numri i enteve të regjistruara, 1140, e kalon atë të xhamive, duke pasur parasysh vështirësitë që nganjëherë dalin për të siguruar liçencën për hapjen e vendeve të kultit. Oratori i parë i kohëve moderne është krijuar gjatë epokës frankiste, Marabutto dei Giardini di Colombo në Cordova, si akt mirënjohjeje për mbështetjen që gjatë luftës civile ushtarët e RIF-it i garantuan Gjeneralit Franco. Për të njëjtin motiv, gjatë regjimit caktohen në Seville e në Madrid terrene për varrosjen jo vetëm të ushtarëve, por edhe të familjarëve e të komponentëve të të ashtuquajturës «gardë kafe» e Franco. Në dy dekadat pas konfliktit civil, regjimi frankist ruajti një trajtim preferencial ndaj të gjitha shprehjeve të kultit nëpërmjet diskutimeve publike, iniciativave të ndryshme dhe deri promovimit të hağğ, pelegrinazhit në Mekë. Format asistenciale fetare janë të pranishme në marrëveshjet e sipërpërmendura shtet–islam të 1992 dhe ushqehen më tej nga një dekret që krijon Shërbimin e Mbështetjes Fetare në Forcat e Armatosura (SARFAS) dhe në spitale. Por, në ditët e sotme, nuk ka imamë në këto dy realitete. Një dekret i 2006 rregullon asistencën fetare për besimet minoritare në burgje dhe zgjerohet në 2007 me firmosjen e konventës për asistentë fetarë islamikë. Vendi ka pësuar 2 atentate shumë të rënda xhihadiste, por edhe ka ditur të shmangë shumë të tjerë. Atentati i parë i madh është ai i 12 prillit 1985 në Restorantin “El Descanso” në Torrejón de Ardoz (seli e një baze ajrore amerikane). Bilanci: 18 të vdekur e 63 të plagosur dhe rivendimi i grupit të martirit Abū Zaynab të Xhihadit Islamik, në përgjigje të pranisë së trupave izraeliane në Jug të Libanit nga 1983. Sulmi i dytë dhe më i rëndë terrorist në historinë spanjolle është ai i Madridit i 11 marsit 2004. Shpërthimi i 10 bombave në 4 trena në më pak se 3 minuta shkakton vdekjen e 191 njerëzve dhe plagosjen e 1500 të tjerëve. Atësia e atentatit i atribuohet al Qaedas dhe degëve të saj, si Grupi Islamik i Luftimit Maroken dhe Lëvizja Salafite e Xhihadit Islamik Egjiptian.
Spanja simbolizon madhështinë e humbur të dominimit të gjerë mysliman të shekullit të X-të e të XI-të dhe, po t’i përmbahesh interpretimit të disa korrenteve xhihadiste, rikuperimi i një toke që dikur i përkiste islamit është një prioritet strategjik. Siç u tha më lart, rregullat spanjolle garantojnë një gamë të gjerë lirie, gjë që mund të bëhet thikë me dy presa, pasi nëse nga njëra anë u jep mundësinë individëve të lirë që të vendosin paqësisht një bashkëjetesë të shëndoshë (dhe shumica dërrmuese e myslimanëve futet në këtë grup), nga ana tjetër u lejon disave që të zhvillojnë me lehtësi relative iniciativa të frymëzuara nga një lexim radikal dhe i dhunshëm i islamit. Kështu që është me interes të kalohen në sitë disa grupe që kanë gjasa të pësojnë një evolucion xhihadist.
Në Spanjë janë të pranishëm grupe të ndryshme fondamentaliste islamike apo salafite, islamistë radikalë me tendenca paqësore dhe të tjerë që priren nga dhuna. Edhe pacifistët mund të përdoren nga të dhunshmit si mbulesë, pa mundur pjesa tjetër e grupit t’u njohë qëllimet. Midis lëvizjeve paqësore mund të kujtojmë në radhë të parë salafitët, që parimisht janë ata myslimanë që do të donin të ktheheshin në mënyrat e jetesës dhe në mesazhin e të ashtuquajturëve salafë (shokë dhe bashkëkohës të Profetit, deri në gjeneratën e tretë): Salafizmi në vetvete nuk është i dhunshëm, por radikalizimi i këtij korrenti në pak hapa çon në xhihadizëm. Në Spanjë, salafizmi është i përhapur në Veri (në Vendet Baske mbahen çdo vit kongrese botërore të lëvizjeve salafite) dhe nga aty penetron deri në Madrid, duke ndjekur linjën Saragozza-Guadalajara.
Në radhë të dytë, i ashtuquajturi Ğamā‘at al-Tablīġ al-Da‘ëa (Kongregacioni për Përhapjen e Islamit), që paraqitet si një lëvizje që dëshiron të rigjenerojë jetën e të gjithë myslimanëve nëpërmjet një filozofie mëshire, apolitike dhe paqësore. Me origjinë indiane, lind në 1927 nga Maulana Muhammad Ilyas Kandhlawi, duke ndjekur filozofinë deobandi. Anëtarët e tij kërkojnë rekrutë të rinj derë më derë dhe çdo vit mbajnë një kongres botëror dhe është pikërisht nga ky eveniment që përfitojnë disa të dhunshëm, që përzihen me besimtarët dhe udhëtojnë pa ngjallur dyshime midis shërbimeve të sigurisë. Me rreth 2000 anëtarë dhe në rritje konstante nga vitet ‘80, Ğamā‘at al-Tablīġ gëzon një prani të konsiderueshme në Ceuta dhe përgjatë 3 rrugëve kryesore të qëndrimit: Andalusia, Catalogna dhe Perëndim gadishullor.
Në radhë të tretë, Vëllazëria Myslimane në degëzimet e ndryshme të saj, që pas ekspansionit në Magreb është përhapur në Europë në vijim të persekutimeve dhe të ndalimit në Egjiptin e viteve ‘50. Sipas mendimit të themeluesit të saj (Hasan al-Bannā) dhe të atij të një prej eksponentëve kryesorë të saj, Sayyid Quțb, përdorimi i dhunës pranohet në kuadër të xhihadit për të arritur objektivat e Vëllazërisë. Në Spanjë, rrjeti është i përhapur në Andalusia dhe në komunitetet e Valencias dhe Madridit, ku kontrollon xhami të ndryshme.
E lindur në Marok dhe e konsideruar ilegale, megjithëse e toleruar, është pastaj Partia e Drejtësisë dhe e Spiritualitetit që është përhapur drejt Veriut, duke e kaluar kufirin me Spanjën. Themeluesi i saj, Abdeslam Yassine, në 1981 i dha jetë një rishikimi të ideologjisë së Vëllazërisë Myslimane, duke ia përshtatur realitetit të Marokut, ku ju desh të ndeshet me monarkun alawit. Pas një mesazhi paqeje, teoritë e saj në disa shtresa sociale mund të shtyjnë në ekstremizëm. Filozofia e Yassine përhapet në Spanjë, duke ndjekur rritjen e emigracionit maroken. Partia disponon një qendër doktrinare të shkëlqyer në Murcia. Menaxhon struktura në Lindje të gadishullit, në Madrid dhe gjithnjë e më shumë në Catalogna. Midis falangave më ekstreme e të dhunshme është një lëvizje sektare ultraradikale e lindur në Egjipt në fundin e viteve ‘60. I njohur si Takfīr wa l-Hiğra (Anatemë dhe mërgim), ky grup ushqen një version radikal të mesazhit të Sayyid Quțb, atë të mbështetur nga Mușțafā Šukrī, që kualifikon si kāfir (jobesimtar) këdo që nuk respekton thëniet e një mendimtari tjetër islamik, Ibn Taymiyya (1263–1328), mbrojtës i një kthimi në stilin e jetesës të myslimanëve të parë (salaf). Idhtarë të xhihadit ndërkombëtar dhe të dhunshëm, nuk vendosin limite ndaj luftës as kundër popullsive islamike dhe nuk kanë skrupuj ndaj grave, pleqve e fëmijëve. Anëtarët e grupit nuk hezitojnë që të shqyejnë trupin e shokëve që kanë ndër mend ta braktisin organizatën apo të përdhosin varret e atyre që i konsiderojnë kāfir.

Autori është Profesor në Universitetin Antonio de Nebrija të Madridit

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Gjashtë bashki po djegin plehrat, kancer për qytetarët

Krejt pa kuptuar dhe jashtë vëmendjes së opinionit publik, Shqipëria po shndërrohet në një kantier gjigant të djegies së mbetjeve. Pas Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit dhe Fierit, një tjetër bashki, ajo e Shijakut ka njoftuar se ka nisur Vlerësimi i Thelluar Mjedisor për instalimin e incerenatorit që do të bëjë incenerimin e mbetjeve, ku përfshihen edhe mbetjet e kafshëve. Gjithçka e ka fillesën nga një plan i mirëmenduar nga qeveria për të nxitur biznesin e përpunimit të mbetjeve në Shqipëri, duke dhënë këtë shërbim me koncesion. Pas kontraktimit të koncesionarëve që do të realizojnë ngritjen e landfilleve për djegien e plehrave apo përpunimin e tyre janë ngritur në shumë raste hije të forta dyshimi për afera korruptive dhe lidhje të ngushta të koncesionarëve me kryeministrin apo njerëzit pranë tij. Të gjitha janë raste flagrante. Jo pak zhurmë bëri si fillim vet përpjekja e Ramës për miratimin e ligjit të shumë debatuar për importin e plehrave në Shqipëri, i cili është kthyer nga Presidenti i Reublikës për rishikim në Parlament, e që me shumë gjasa Rama pritet ta kalojë me forcën e kartonit. Partia Demokratike, qytetarët, shoqëria civile, Aleanca kundër Importit të Plehrave kanë shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa thekson se nuk është respektuar dekreti i Presidentit. AKIP gjykon se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme. Ndaj ata gjykojnë se amendimet e qeverisë duhet të rrëzohen si të papranueshme. Nga ana tjetër, Qendra e Studimeve të Burimeve Natyrore thekson se janë njësitë vendore ato, të cilat duhet të ndërmarrin fushata informuese për ndarjen e mbetjeve në burim. Por ndërsa debatet dhe protestat për rrëzimin e ligjit vijuan dhe vendosën Ramën disi në vështirësi, nga ana tjetër vazhdoi planet e tij për krijimin e vendgrumbullimeve për djegien e plehrave. Praktikisht, gjithë zona e Shqipërisë së mesme është e blinduar nga projektet e qeverisë për djegien e mbetjeve. Këtu nuk flitet vetëm për mbetjet që krijon vet popullsia shqiptare, por edhe për djegie mbetjesh të importuara nga jashtë. Jo pa qëllim, Rama ka mbajtur të zvarritur anullimin e neneve të kontestuara për importin e plehrave në vend. Në një plan afatgjatë, ai shpreson që me kalimin e këtij ligji t’i hapet rruga importit të mbetjeve nga jashtë ndërkohë që terreni për djegien e tyre tashmë është gati.

Çfarë po ndodh?

Cilësohet ndryshe si “biznesi i vdekjes”. Për shkak të aktivitetit të tij në djegien e mbetjeve përfshirë këtu edhe mbetjet e kafshëve apo mbetjet toksike, rrezikshmëria për rritjen e nivelit të sëmundjeve dhe vdekshmërisë është shumë e lartë aq më tepër që në shumë raste, vendgrumbullimet për djegjen e plehrave parashikohet të bëhen fare pranë qendrave të banuara. Vitin e kaluar, qeveria shqiptare kaloi planet për ndërtimin e një inceneratori të tretë për djegien e plehrave, pasi kishte angazhuar deri tani 7.3 miliardë lekë për dy inceneratorë të tjerë në Elbasan dhe Fier. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare miratoi pranimin e një oferte të pakërkuar për koncesion dhe dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy BV”, Shpk, për “dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”. Investimi i planifikuar bëri jo pak zhurmë. Ky investim është 140 milionë euro dhe afati i koncesionit është 30 vjet. Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave. Të dhënat e këtij aktiviteti janë alarmante. Në këtë koncesion, përveç ndërtim landfilli dhe përpunim të mbetjeve, parashikohet edhe ngritja e një inceneratori ose e thënë shqip, një furrë gjigante ku do të digjen plehrat, me shumë gjasa jo vetëm ato të Shqipërisë nëse rrëzohet dekreti i Presidentit, për ligjin e importit të tyre. Por përveç kësaj, sipas kësaj VKM-je zbulohet, edhe se kush do të jetë ky koncesionar i ri. Bëhet fjalë pikërisht për kompaninë italo-shqiptare, të krijuar së fundmi nga Erion Veliaj, fillimisht vetëm për menaxhimin dhe përpunimin e plehrave në Tiranë “Integrated Energy B.V”. Kjo kompani pavarësisht se zyrtarisht nuk është shpallur fituese, me firmën e Edi Ramës merr paradhënie një bonus prej 8% të pikëve, duke u diferencuar nga çdo subjekt tjetër, që mund të jetë i interesuar të konkurrojë. Por çfarë fshihet pas këtij koncesioni të ri, këtë radhë i dhënë për biznesin e mbetjeve, fushë kjo që Edi Rama së fundmi është investuar fuqishëm? Përpara pak kohësh një kompani italiane fitoi tenderin publik, për përpunimin e plehrave në landfillin e Manzës në Durrës. Bëhet fjalë për kompaninë “Kinexia”, me seli në Milano, e cila do të përpunojë 1.9 milionë tonë mbetje, në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Albania Landfill Energy”. E njëjta situatë me të njëjta hije të rënda dyshimi për afera korruptive ka të bëjë edhe me shumë të debatuarin landfill në Fier, banorët e zonës atje janë ngritur në protesta të vazhdueshme, duke deklaruar moslejimin në mënyrë absolute të ndërtimit të tij.

Shpallja e Bashkisë Shijak

Projekti më i freskët që i shtohet “biznesit të vdekjes” në Shqipëri është vendimi i shpallur dje nga Bashkia Shijak. Në zbatim të pikës 4.4 të V.K.M nr. 247 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave dhe procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore” njofton se shoqëria “Jamarbër Group” sh.p.k. i është drejtuar Bashkisë Shijak për fillimin e procedurës së Vlerësimit të Thelluar Mjedisor. “Jamarbër Group” është themeluar në mars të këtij viti dhe nga të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka për objekt aktiviteti trajtimin, sterilizimin, asgjësimin dhe incenerimin e mbetjeve, si dhe tregtim importe-eksport mbetjesh spitalore. Incerenatori parashikohet që të ndërtohet në Lagjen Popullore, rruga “Brigada 10 Sulmuese”, Shijak, me një sipërfaqe prej 100 metër katror. Incerentorët bëjnë trajtimin e mbetjeve me anë të djegies në temperaturë shumë të lartë. Ky incerenator do të jetë i katërti pas atyre në Tiranë, Elbasan edhe Korçë. Por burimet nga tregu pohojnë se, me projektet e fundit në këto linja të përpunimit të mbetjeve po krijojnë mbiinvestime, pasi plehrat që ne prodhojmë janë shumë më të pakta se kapacitetet e këtyre investimeve. Por përpunimi me këtë metodë rrezikon të kthehet në rrezik serioz për shëndetin e popullatës në vijim. Shkatërrimi i mbetjeve me Incenerator (diegie me temperaturë të lartë) prodhon një tjetër lloj mbetje që është e vështirë që të asgjësohet më tej. Këto lloj mbetjesh kanë shumë kosto të mirëmbahen dhe të ruhen. Vende të tilla si Shqipëria me zhvillim të ulët ekonomik dhe njohurish në këtë drejtim nuk kanë kapacitete administruese me pasojat e kësaj industrie.

Në mesin e pesë vendeve më të ndotura

E ndërsa qeveria vijon intensivisht planin e saj për të shndërruar Shqipërinë në kazan për djegien e mbeturinave, ndotja e ajrit në Shqipëri është në nivele alarmante. Ky fenomen është shndërruar në një nga shkaqet kryesore të shifrave të vdekshmërisë në Shqipëri. Çdo grimcë ajër që thithim, çdo pikë ujë që pimë e çdo ushqim që konsumojmë preket nga ndotja. Shqiptarët nuk mund të jenë të izoluar nga efektet e një mjedisi të ndotur. Në fakt, edhe pse qytetarët shqiptarë mund të jenë të ndërgjegjshëm për këtë, statistikat e vitit të kaluar nga Forumi Ekonomik Botëror e rendisin Shqipërinë në 5 vendet e para që janë më të rrezikuar nga ndotja. Sipas këtij Forumi, Shqipëria ka ajër më të ndotur se Kina dhe se Bosnje-Hercegovina, duke dalë në përfundimin se rajoni i Ballkanit ka ajrin më të ndotur në rang botëror. Ndërkohë, një format i ri raportimi nga Instituti i Statistikave i kryer në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Sistemi Europian i Llogarive Ekonomike, zbuloi se shqiptarët paguajnë rreth 300 milionë euro ose 2.8 për qind të PBB-së së vet në formën e “taksave mjedisore”, një shifër kjo krahasimisht më e lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian. Pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet vendi më i mbushur me plehra urbane dhe me sistemin më të keq të menaxhimit të mbetjeve në kontinent. Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën për herë të parë të dhënat mbi Taksat e Mjedisit, një raport që bazohet mbi të dhënat e Ministrisë së Financave për të ardhurat e qeverisë nga taksa të ndryshme. Në fakt, këto 300 milionë euro taksa në vit që ne paguajmë për mjedisin dhe mbrojtjen e tij nuk janë gjë tjetër veçse taksa që qeveria po na detyron të paguajmë për sëmundjet dhe përshpejtimin e vdekshmërisë në vend.

Riaktivizohen zjarret në gjithë vendin, zjarrfikësit nuk përballojnë dot flakët

Vatrat e zjarrit janë riaktivizuar në të gjithë vendin, ndërsa zjarrfikëset nuk arrijnë të përballojnë flakët. Fshati Lenë në Martanesh është përfshirë nga flakët pasditen e djeshme, të cilat kanë avancuar së tepërmi dhe për këtë arsye rrezikohen disa shtëpi. Forcat zjarrfikëse janë në vendngjarje, por e kanë të pamundur të vendosin zjarrin në kontroll për shkak të terrenit të vështirë. Deri më tani, nuk është raportuar për dëme materiale në shtëpitë e fshatit, apo të lënduar, por sipas burimeve flakët po u afrohen banesave.
Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë pasditen e djeshme në pyllin e Frakullës në Fier. Si pasojë rrezikohen disa hapësira të mëdha me pisha. Zjarrfikësit po punojnë me mjete rrethanore për të neutralizuar zjarrin.
Po ashtu, një vatër zjarri është riaktivizuar ditën e djeshme në pyllin e mbrojtur të fshatit Karmë, Vau-Dejës. Flakët kanë përpirë dhjetëra hektarë me pisha dhe po përparojnë si pasojë e erës. Dy vatra mbeten ende aktive. Ato po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat pyjore, por është e pamundur të fiken.
Situata e vështirë e kësaj vere me zjarret që veç zjarrvënies së qëllimshme për hapjen e kullotave të reja, janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe thatësira, ka vendosur në provë shërbimin zjarrfikës dhe ato të pyjores.
Në mjaft raste është dashur ndërhyrja nga ajri, ku janë thirrur në ndihmë helikopterët VIVA, që me kapacitetet e tyre teknologjike dhe personelin gjerman të trajnuar kanë arritur të jenë vendimtarë në shuarjen e flakëve në terrene të vështira, si në rastin e zjarrit në Karmë, ku shërbimi zjarrfikës nuk ka mundur të ndërhyjë.

Aktivizohen zjarret në Vaun e Dejës dhe Pukë

Emergjencat Civile bënë të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 9 vatra zjarri në disa qarqe të vendit që janë riaktivizuar për shkak të erës. Një vatër zjarri e fshehur është riaktivizuar në pyllin e mbrojtur të fshatit Karmë, Vau-Dejës. Forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur të vendosin nën kontroll zjarrin për shkak të terrenit të thyer malor dhe erës së fortë. Për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe një helikopter. Dy vatra mbeten ende aktive, por po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat pyjore.
Në fshatin Karmë të Pukës, po ashtu ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, kullotë dhe pyll lisi. Zjarrfikëset së bashku me forca vullnetare, kanë punuar dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin. Vatrat e zjarrit po monitorohen edhe ditën e sotme, pasi gjatë natës për shkak të erës janë rindezur.
QARKU DIBËR
Në fshatin Rreth-Kale, Dibër, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Nga zjarri janë rrezikuar edhe disa banesa. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, kullotë dhe disa rrënjë kumbulla.
Në fshatin Pllafe, Dibër, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Flakët kanë rrezikuar edhe varrezat e fshatit. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 1 ha me shkurre dhe ferra.
QARKU ELBASAN
Në fshatin Rrumbullakë, Peqin, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri ka rrezikuar edhe disa banesa, por pas ndërhyrjes së zjarrfikësve situata është normalizuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Hosmashaj, Peqin, një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është përfshirë nga një zjarr. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 0.5 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Zdrajsh, Librazhd, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, kullotë dhe gështenja. Flakët kanë rrezikuar edhe disa banesa. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 0.5 ha me shkurre, ferra dhe gështenjë.
QARKU VLORË
Në fshatin Bistricë, Finiq, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Për të shuar flakët në ndihmë të zjarrfikësve u angazhuan edhe 22 forca vullnetare. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 1 ha shkurre dhe ferra. Në fshatin Kostar, Finiq ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 1 ha shkurre dhe ferra.

Zjarr në konviktin e Korçës, shkaktohen dëme të mëdha

Një banesë e një konvikti privat në Korçë janë përfshirë nga flakët. Forca policie dhe zjarrfikësja kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë thyer xhamat e ndërtesës për të nxjerrë njerëzit jashtë. Nuk dihet ende nëse ka persona të lënduar.
Policia njoftoi se nga zjarri që ra pasditen e djeshme në një konvikt në Korçë nuk rezulton të ketë dëme në njerëz, vetëm materiale. Sipas njoftimit të policisë, nga zjarri rrezikohet edhe një godinë tjetër që ndodhet ngjitur me konviktin. Shkaku i zjarrit paraprakisht dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të zbardhur ngjarjen.
“Jemi njoftuar se në lagjen nr. 9 në Korçë, ka rënë zjarr në një ndërtesë katër katëshe në pronësi të shtetasit M.N. Menjëherë në vendngjarje shkuan zjarrfikësja, si edhe shërbimet e Emergjencave Civile. Nga të dhënat paraprake rezulton se dëme në njerëz nuk ka. Aktualisht po punohet për fikjen e zjarrit, pasi nga flakët, rrezikohet edhe një godinë tjetër që ndodhet ngjitur me ndërtesën e mësipërme. Shkak paraprak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
Grupi hetimor në vendngjarje po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kapen 322 kg drogë e armë nga Shqipëria në Itali, 4 në pranga

Policia italiane ka sekuestruar dje 322 kg drogë dhe një armë tip pistoletë gjatë dy operacioneve. Një mega operacion i policisë italiane ka çuar gjatë natës së shkuar në arrestimin e 4 shqiptarëve të moshës nga 23 në 33 vjeç e në sekuestrimin në 2 banesat e tyre të rreth 322 kg marijuanë. Operacioni është ekzekutuar në lagjet periferike të kryeqytetit Romë, në Casiilna, Boorghesiana e Fontana Candida.
Katër shqiptarët e arrestuar janë pa leje të rregullt qëndrimi në Itali e nuk figurojnë të dënuar më parë nga Policia italiane. Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i shtimit të kontrollit në territor e identifikimit të një lokali të frekuentuar nga shqiptarët e nga disa persona të lidhur me botën e drogës. Në 2 banesa, ku jetonin shqiptarët në lagjen Fontana Candida janë sekuestruar rreth 322 kg marijuanë si dhe para të thata.

Droga do shitej në Romë

Lënda narkotike e sekuestruar ishte e destinuar të trafikohej në të gjithë territorin e Romës. Katër të arrestuarit ndodhen në burgun Regina Coeli të Romës nën akuzën e trafikut të drogës të tipit marijuanë. Ende nuk janë bërë të ditur identitetet e të ndaluarve.
Siç shkruajnë mediat italiane, operacioni është bërë në zonën e Frascatit, në zonën periferike të kryeqytetit të Italisë. Policia ka bërë të ditur se kishte hetuar një grup shqiptarësh, 4 të rinj të moshave nga 23 në 33 vjeç, të cilët mblidheshin në një lokal në zonën e Frascatit, ku edhe takoheshin me persona të ndryshëm, disa prej të cilëve të lidhur me drogën.
Gjatë natës është bërë edhe operacioni i policisë italiane ku në pranga janë vënë 4 shqiptarët e dyshuar si trafikantët e drogës dhe janë sekuestruar 322 kilogramë kanabis sativa.
Gjithashtu janë sekuestruar edhe mijëra euro.
Karabinierët e Novarrës arrestuan 43-vjeçarin shqiptar me inicialet L.T. në kushtet e flagrancës duke shpërndarë kanabis. Në banesën e tij u kapën 500 gramë kanabis dhe 1050 euro, që dyshohen si të fituara nga shpërndarja e drogës. Në banesë u gjet edhe një pistoletë kalibër 7,65 mm pa leje. Pistoleta e kishte të fshirë numrin e matrikullimit, gjë që i bën karabinierët të dyshojnë se kjo armë mund të jetë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Para katër ditësh u kap një gomone me drogë e nisur nga Shqipëria në afërsi të brigjeve të provincës së Leçes. Gomonia e drejtuar nga dy skafistët nga Vlora, R.L. 30 vjeç e D.H. 23 vjeç, është ndaluar nga Roja bregdetare e Barit ROAN, natën e së shtunës duke u gdhirë e diela (20 gusht 2017) në ujërat e Komunës së San Kataldos në Leçe.
Gomonia që trafikantët po përdornin për trafikun e drogës ishte e gjatë 7 metra dhe me një motor shumë të fuqishëm. Ndërkohë, marijuana e sekuestruar në det ishte konfeksionuar në 22 koli të madhësive të ndryshme me peshë totale 633, 85 kg e cila nëse do të hidhej në treg trafikantët do të përfitonin 6 milionë euro. Në gomone kanë qenë rreth 1 ton drogë, por një pjesë e saj ka humbur në det, pasi u hodh nga skafistët në momentin që po ndiqeshin nga policia italiane. Ndaj dy skafistëve korrierë R.L 30 vjeç e D.H 23 vjeç nga Vlora është ngritur akuza e trafikut ndërkombëtar.
Viti 2017 ka shënuar një sasi rekord të trafikimit të drogës nga Shqipëria në Itali. Guardia di Financa italiane informoi para pak ditësh se prej fillimit të vitit 2017 janë sekuestruar përmes detit rreth 24 tonë marijuanë e Policia Financiare e Puglias ka arrestuar 32 skafistë. Ndërkohë përgjatë vitit 2016, janë sekuestruar rreth 22 tonë marijuanë.

Vdes punëtori nga fadroma, policia shkon me vonëse

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kukës, ku për pasojë ka gjetur vdekjen një 52-vjeçar. Bëhet e ditur se, shtetasi me iniciale N.N, 52-vjeç, banues në Bicaj të Kukësit ka humbur jetën tragjikisht teksa ishte duke punuar në gurore. Bëhet e ditur se policia ka shkuar me vonesë në vendngjarje.
Për këtë askident tragjik ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve të dërguar nga dy qytetarë nga Kukësi. Vdes punëtori nga fadroma, policia nuk shkon! Lexoni mesazhet e qytetarëve dixhital. Ngushëllime familjes!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Pëshëndetje doktor. Ky është shteti Edi Ramës kryeplaku i fshatit Bicaj të Kukësit sapo ka shtypur një punëtor në guroren e tij dhe kemi thirrur policin. Kanë kaluar dy orë dhe Policia akoma s’ka ardh dhe ato thanë që i ka rënë infarkt, por gjysma e trupit është mbulur me gjak ju lutem. Anonim”, shkruan njëri nga qytetarët.
“Prsh, doktor. Dua të denoncoj një rast vdekje edhe policia akoma nuk ka ardhë. Naim Nuhiallari banues në Bicaj Kukës gjeti vdekjen në orën 17:45 si pasojë e shtypjes nga fadroma”, shkruan qytetari tjetër.
Policia bëri të ditur dje se ka arrestuar administratorin e firmës G.B dhe shoferin e fadromës F.H. në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 24.08.2017, u arrestuan në flagrancë shtetasit: G.B dhe F.H, vjeç 52 e 62, banues në fshatin Bicaj, administrator i një firme ndërtimi dhe shofer fadrome, pasi në Bicaj, në gurore duke punuar është aksidentuar me pasojë vdekje punonjësi N.N, vjeç 52, banues në Bicaj.

Skandali me dosjet, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë zbarkojnë në gjykata

Pasi u zbuluan 300 dosje të fshehura në Gjykatën e Tiranës, të cilat nuk qenë dërguar për rekurs në Gjykatën e Lartë, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë zbarkuar nëpër gjykatat kryesore të vendit. Motivi: dyshohet se i njëjti fenomen mund të jetë prezent jo vetën në gjykatën e kryeqytetit por edhe në homologet e saj të qarqeve të mëdha.
Sikurse burimeve, urdhëri për kontrollet e rrepta është dhënë nga zëvëndësministrja në detyrë Etilda Gjonaj, e cila gjithashtu ka kërkuar bashkëpunim me të gjitha institucionet e larta të drejtësisë si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria dhe gjykatat. Reagimi më i pritshëm është ai i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka atributin të kryejë verifkime dhe hetime administrative në rast se në këtë skandal të fundit të fshehjes së dosjeve do të rezultojnë si personazh bashkëpunues edhe gjyqtarët.
A është shtrirë edhe në gjykatat e tjera ky skandal apo Gjykata e Tiranës ku fare rastësisht u zbuluan jo pak por treqind dosje që përmbanin çështje të ndryshme administrative është një fenomen i izoluar? Të presim përfundimin e kontrolleve
Një skandal është zbuluar në Gjykatën e Tiranës, ku rreth 300 dosje nuk i janë dorëzuar për rekurs Gjykatës së Lartë. Skandali është zbuluar disa javë më parë, teksa një pjesë e dosjeve po spostoheshin për në magazinat në Lundër, ku dhe do të arkivohen. Bëhet fjalë për rreth 299 dosje civile dhe 1 penale që i përkasin viteve 2008-2015 ndaj të cilave është ushtruar rekurs.
Menjëhere sapo është vënë në dijeni të këtij fakti, kryetarja e Gjykatës Enkeledi Hajro ka urdhëruar marrjen e masave për të vënë në lëvizje rekurset si dhe largimin e personave përgjegjës, kryesekretares dhe një sekretarje. Gjithashtu për kryesekretaren po përgatitet edhe një kallzim penal që do të depozitohet në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim detyre. Veç kallëzimit penal ndaj dy vartësve të shkarkuara, kreu i Gjykatës së Tiranës ka urdhëruar dhe kontrollin e të gjitha procedurave për dosjet e lidhura me rekurset në Gjykatën e Lartë përgjatë periudhës 2008-2015.
Kryesekretarja e Gjykatës dhe një sekretare janë shkarkuar nga puna dhe ndaj tyre po bëhet gati një kallëzim penal, pasi në shkelje të ligjit, kanë mbajtur në arkivin e Gjykatës 300 dosje, ndaj të cilave ishte ushtruar rekurs dhe duhet të dorëzoheshin në Gjykatën e Lartë. Thuajse të gjithë vendimet kishin marrë formë të prerë apo ishin ekzekutuar, duke u mohuar kështu subjekteve fizike e juridikë të drejtën për akses në drejtësi. Pasi është vënë në dijeni të skandalit, kryegjykatësja Enkeledi Hajro, ka marrë masat duke shkarkuar dy nga punonjëset e administratës.

Merr flakë “Benzi” ndërsa lëvizte në Lungomare

Një automjet ka marrë flakë në lëvizje, ndërsa udhëtonte në Lungomare. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku një mjet tip “Mercedes Benz” me targa AA 806 GF, duke qenë në lëvizje, ka marrë flakë. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe nga verifikimi paraprak ka rezultuar se mjeti ka marrë flakë si pasojë e një shkëndie elektrike. Fatmirësisht nuk ka të dëmtuar në njerëz dhe mjeti i përket shtetasit N.S, 56 vjeç, banues në Vlorë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërtimet pa leje, shkarkohet shefi i Policisë në Komisariatin 2

Një lokal që po ndërtohej pa leje u bë shkak për furtunën në Komisariatin Nr.2, në kryeqytet. Vetëm pak ditë pas paralajmërimit të kreut të Policisë së Shtetit për neglizhencë në punën e ndërtimeve pa leje nga strukturat bazë të policisë, shefi i Komisariatit Nr.2, Ylli Doda, u shkarkua nga detyra.
Një agjent i Policisë Kriminale të këtij komisariati, Roland Skënderi u arrestua në flagrancë për ndërtim pa leje. Bashkë me të u arrestua edhe specialisti i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës, Shyqyri Gega. Shefi i policimit në komunitet, inspektori i Policisë Kriminale dhe ai i Rendit u shkarkuan nga detyra dhe ndaj tyre nisi procedimi disiplinor.
Shkak për furtunën në Komisariatin Nr.2, është bërë një ndërtim pa leje nga vëllai i agjentit të Krimeve, Roland Skënderi në rrugën “Muahmet Gjollesha”.
Hetimet nisën pas një ankese në Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, për punimet që kryheshin në këtë lokal nga një grup personash. Për këtë shkak, fillimisht është njoftuar Inspektoriati i Mbrojtjes së territorit të Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë marrë masa për prishjen e punimeve. Këto të fundit po kryheshin nga Roland Skënderi dhe vëllai i tij. Për këtë shkak, Skënderi u arrestua bashkë me specialistin e Bashkisë, Shyqyri Gega, ndërsa furtuna shkoi deri në majën e Komisariatit Nr.2.

Konflikti për pronën, plagos me thikë xhaxhain dhe i vë zjarrin shtëpisë së tij

Një 26-vjeçar nga Durrësi ka kaluar në çmenduri pas konflikteve për pronën që ka pasur me xhaxhanë e tij të moshuar, M. Zikën. Besnik Zika ka shkuar në fshatin Përvallë dhe i ka ngulur thikën 70-vjeçarit dhe i ka spërkatur shtëpinë me benzinë për t’i vënë zjarrin. Në këto kohë e sipër është përleshur me gruan e xhaxhait dhe nusen e kushëririt, që kanë tentuar ta ndalojnë.
Policia e Durrësit e ka arrestuar Besnik Zikën, duke shpjeguar se: “arrestimi i tij, u bë pasi, në fshatin Përvallë për shkak të konflikteve të pronësisë dyshohet të ketë tentuar të djegë me benzinë banesën e xhaxhait të tij, shtetasit M.Z., 70 vjeç dhe më pas dyshohet ta ketë goditur me thikë. Shtetasi M.Z., pasi mori ndihmën mjekësore në Spitalin e Librazhdit, u largua në banesë.
Gjithashtu dyshohet të ketë goditur me grushta bashkëshorten e xhaxhait shtetasen I.Z., 63 vjeçe dhe nusen e djalit të xhaxhait shtetasen A.Z., 36 vjeçe banuese në fshatin Përvallë. Dosja e të riut Zika i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr, mbetur në tentativë”.