522 mjekë kanë lënë Shqipërinë tre vitet e fundit, duke shkaktuar vakum në sistemin shëndetësor në vend. Çdo tre ditë, një mjek largohet nga Shqipëria! Shteti që parapëlqejnë të jetojnë e ushtrojnë profesionin është Gjermania për shkak të aksesit më të lehtë në shërbimet shëndetësore. Specialistë apelin e tyre e kanë për politikëbërësit që sipas tyre duhet të hartojnë strategji për të zbutur hemoragjinë e mjekëve.
Vetëm tetë muajt e parë të vitit numri i tyre i ka kaluar 100.
Sipas Urdhrit të Mjekut kjo po shkakton vakum në sistemin tonë shëndetësor ku mungojnë specialistët dhe shërbime të caktuara po shkojnë drejt mbylljes.
Mungesë specialistësh e mbyllje shërbimesh në spitalet rajonale. Mjekët e diplomuar nuk arrijnë të mbushin boshllëkun që lenë të larguarit. Numri i bluzave të bardha që ikin nga Shqipëria po rritet me ritme të shpejta.
Vetëm tetë muajt e këtij viti 125 mjekë kanë kërkuar pranë urdhërit profesional dokumumentin që iu kërkohet jashtë vendit.
“Deri tani janë bërë 125 raste që kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes së mirë, dokument që kërkohet në vendet ku ata kërkojnë të shkojnë të punësohet.
Vjet për shembull u diplomuan rreth 260 mjekë, ndërsa numri i të larguarve ishte 145, prej të cilëve 31 ishin me specialitete që është një dëm akoma më i madh për shërbimin tonë shëndetësor.
Vështirësitë po ndjehen kudo. Shkakton një mbingarkesë të numrit të mjekëve që mbeten. Në ndonjë rast siç ka ndodhur me maternitetin e Burrelit, ka çuar dhe në mbylljen e maternitetit për shkak të mungesës së obsetër gjinekologut”, shprehet Fatmir Brahimaj, Kreu i Urdhrit të Mjekëve Shqiptarë për “Abc News”.
Rrugët e emigrimit i kanë marrë mjekë të rinjë e me përvojë. Presidenti i Urdhërit të Mjekut tregon se mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të fushave të ndryshme kanë të njëjta arsye që largohen nga vendi.
“Për një vlerësim më të mirë moral dhe profesional, për një mundësi rritje në karrierë dhe profesionale, për të gjetur një teknologji më bashkëkohore për të punuar në një sistem mjekësor më të kohës, ka dhe arsye të tjera, po të keni parasysh kërkesat që kemi bërë ne për ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me mjekimin e pakujdesshëm, me dhunën ndaj mjekëve e kështu me rradhë’, shprehet Presidenti i UMSH.
Numri i mjekëve të larguar është dy herë më i lartë se numri mjekëve që dalin në pension. Janë vetë buzat e bardha që japin alarmin se, largimi i mjekëve për t’u punësuar jashtë Shqipërisë, nuk është më një ngjarje sporadike, por po kthehet në hemoragji për këtë sektor.
Ky fenomen është shumë shqetësues. Pas disa vitesh, shëndetësia shqiptare do të ndjejë mungesën e bluzave të bardha, për këtë arsye institucionet përkatëse duhet të hartojnë një strategji për të ndaluar këtë fenomen. Por deri tani, qeveria nuk është duke ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, duke lejuar largimin masiv të mjekëve ashtu si edhe të mijëra shqiptarëve të tjerë të largohen lirisht.
Eksodi i mjekëve shqiptarë po boshatis dhe mbyll spitalet
Jashtë Xhaka e Kaçe
Dy risi absolute me dy emra gati-gati të panjohur për publikun shqiptar. Christian Panucci e nis me një minirevolucion punën në Kombëtaren Shqiptare, pasi ka planifikuar të grumbullojë 23 emra për dy ndeshjet eliminatore të radhës, ku nuk bëjnë pjesë të shumëpërfolurit Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe. Pasardhësi i De Biasit preferon të përforcojë radhët e mbrojtjes dhe në këtë mënyrë, ai thërret për herë të parë në Kombëtare mbrojtësin e majtë të Hajdukut të Splitit, 25-vjeçarin Hysen Memolla. I lindur në Kavajë dhe me një karrierë të pasur jashtë vendit, Memolla ka nisur të luajë si profesionist në Itali dhe që prej vitit 2016 është pjesë e skuadrës së dytë më të titulluar të Kroacisë ku numëron 16 ndeshje zyrtare.
Po 25 vjeç është edhe emri tjetër. Bëhet fjalë për mbrojtësin Iván Balliu. I lindur në Spanjë dhe ish-pjesë e kombëtareve iberike të 16 dhe 17-vjeçarëve, Balliu ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë dhe do të jetë në dispozicion të Panuccit kundër Lichtenshtejnit dhe Maqedonisë. Ai aktivizohet që prej dy vitesh në radhët e Metz, ku numëron 52 ndeshje dhe një gol të shënuar. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon, duke filluar që nga porta dhe për të vazhduar më pas me emrat e njohur në mbrojtje, ku Mavraj do të jetë gati dhe për të vazhduar me mesfushën dhe sulmin. Dy ndeshjet e radhës në muajin shtator kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë do të jenë testi i parë për debutuesit, por njëkohësisht edhe dy sfida vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë dhe fatet e vendit të tretë në grupin eliminator që kuqezinjtë dëshirojnë ta ruajnë.
Ish-mbrojtësi i Romës, që tashmë do të drejtojë Kombëtaren shqiptare të futbollit, pritet që të lërë jashtë skuadrës përfaqësuese dy mesfushorët: Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe. Për arsye të ndryshme, pritet që të mungojë edhe sulmuesi i Akhmat Groznit, Bekim Balaj.
Udhëtimi i Panuçit në Zvicër për të takuar nga afër mesfushorin e Bazelit duket që ka vendosur fatin e Taulant Xhakës. Arsyeja disiplinore ka bërë që trajneri i ri të mos e përfshijë futbollistin në listën që do të publikohet më 28 gusht.
Duke përsëritur vendimin e De Biazit, edhe pse me arsyet e tij, trajneri i ri po vijon vendimet e De Biazit në përfaqësuesen kuqezi. Jo për arsye disiplinore, por për mungesë të minutazhit me PAOK-un, pritet që edhe Ergys Kaçe të mos jetë në listë.
Dy ndeshjet e radhës kualifikuese kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë pritet që t’i humbasë edhe Bekim Balaj, por për arsye që nuk kanë të bëjnë as me të dhe as me formën e tij. Bomberi shkodran ka kaluar një dëmtim të rëndë në gju, për të cilin i është dashur trajtim në Spanjë. Gjë që ka bërë të mungojë edhe së fundmi me skuadrën ruse.
Mesi nuk largohet
Babai i Lionel Messit, Jorge, ka mohuar raportimet e mediave britanike se është takuar me zyrtarët të Manchester Cityt. Tabloidi britanik, The Sun, ka raportuar se Babai i Lionel Messit, Jorge, ka pasur një takim me drejtorin sportiv të Manchester Cityt, Txiki Begiristain. Sipas The Sun, në këtë takim është biseduar për transferimin e mundshëm të Messin në City gjatë verës së kaluar. Por, burime të afërta të Mundo Deportivos me Jorge Messin kanë mohuar këto raportime, përcjell Express. Thuhet se Jorge dhe Leo janë shumë të mërzitur nga këto thashetheme. Messi ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2018. Klubi nga Camp Nou kishte paralajmëruar se Leo do të vazhdoj kontratën, por deri më tani kjo nuk është zyrtarizuar. Kjo vonesë ka shkaktuar thashetheme se Messi nuk është i lumtur në Camp Nou.
Më herët është paralajmëruar që Messi do të vazhdojë kontratën me Barcelonën gjatë kësaj vere deri në vitin 2021, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Nëse ndodh kjo, Barcelona do të pësojë një goditje të madhe, pasi vetëm pas disa javëve e ka hubur edhe Neymarin, i cili kaloi në Paris për 222 milionë euro.
Pak ditë më parë, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola u shpreh se, një ofertë rekord për Lionel Messin mund të ndodhë. Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, beson se është e mundur që klauzola e blerjes së Lionel Messi prej 300 milionë euro mund të aktivizohet. Messi ka rënë dakord të nënshkruajë një kontratë të re me Barcelonën, edhe pse fituesi pesë herë i Topit të Artë duhet të vendosë firmën në letër.
Në lidhje me mos rinovimin e Messit me Barcelonën flitet se mund të ketë gisht pas Pep Guardiola, që e dëshiron tek City. I pyetur nëse do të mund të aktivizohej klauzola e blerjes së Messit pas lëvizjes së Neymar në për 222 milionë euro në Paris Saint-Germain, Guardiola u përgjigj: “Nuk e di, dikush mund të ketë para dhe dëshiron që t’i përdori ato. Kjo mund të ndodhë”.
Objektiva të Barcelonës janë Philippe Coutinho (Liverpool) dhe Ousmane Dembel (Borussia Dortmund). Por, sipas të përditshmes sportive madrilene “Marca”, telashet për blerjen e tyre kanë bërë që Di Maria të jetë objektiv i ri i klubit katalan. Di Maria mund të prezantohet si futbollist i ri i Barcelonës nëse PSG pranon ofertën nga klubi nga “Camp Nou”, brenda javës.
Ndërkohë, talenti i Schalkes, Leon Goretzka mund të transferohet në Barcelonë. Sipas të përditshmes sportive katalane, “Mundo Deportivo”, skuadra e Schalkes i ka ofruar Barcelonës yllin e ri të skuadrës, Leon Goretzka. Këtë veprim klubi nga Bundesliga e ka bërë, pasi nuk dëshiron që Goretzka të transferohet te rivali i saj, Bayern Munich. Goretzka ka kontratë me Schalken deri në fund të këtij sezoni. Klubi gjerman është i gatshëm t’ia shesë 22-vjeçarin Barcelonës për 30 milionë euro. Edhe Barcelona e ka vëzhguar në disa ndeshje Goretzkan, dhe nuk përjashtohet mundësia që gjatë kësaj vere ta transferojë në “Camp Nou”.
Karabak kalon në grupe
Pavarësisht humbjes me rezultatin 2-1 në Kopenhagen, Qarabag, ku luan edhe kapiteni i Shqipërisë, Ansi Agolli, do të vijojë ëndrrën e saj në fazën e Champions League falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë. Liverpooli, Sportingu i Lisbonës, Cska e Moskës, Apoel Nicosia dhe Qarabagu, janë 5 skuadrat e fundit që siguruan një biletë për në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Kualifikim historik për skuadrën azere, që falë edhe kapitenit të kombëtares shqiptare Ansi Agolli arriti të eliminonte FC Copenghagen për të qenë për herë të parë mes 32 skuadrave më të mira të Europës. Një gol i mjaftoi Qarabagut që pavarësisht se humbi 2-1 në transfertën daneze ndaj FC Copenhagen kaloi më tej, pasi kishte fituar 1-0 në ndeshjen e parë. Ishte i Agollit asisti i golit të barazimit provizor të Qarabagut që u shënua nga sulmuesi afrikano-jugor Ndllovu, ndërkohë që për vendasit e Copenhagenit realizuan, Santander dhe Pavloviç. Gjithçka e lehtë për Liverpoolin që pas suksesit 2-1 në Gjermani ndaj Hoffenheimit arriti ta mposhtë formacionin nga Bundesliga edhe në Anfield Road me rezultatin 4-2.
Emre Can me një dygolësh, por edhe Salah e Firmino ishin ata që çuan Liverpoolin te fitorja, ndërkohë që për miqtë realizuan Uth dhe Sandro Wagner. Fitore fantastike ajo e Sportingut të Lisbonës që, pasi barazoi 0-0 në shtëpi arriti ta mposhtë 5-1 Steuan e Bukureshtit në transfertë për t’u kualifikuar në fazën e grupeve. 2-0 fitoi në Rusi Cska-ja e Moskës përballë Young Boys me skuadrën zvicerane që u eliminua me rezultat të përgjithshëm 3-0. Apoel Nicosia, ndërkohë shfyrtëzoi eksperiencën, duke mbrojtur me fanatizëm fitoren 2-0 të ndeshjes së parë ndaj Slavias së Pragës, pasi sfida e zhvilluar në kryeqytetin çek përfundoi në barazim pa gola.
Hadërgjonaj te skuadra e Premierligës
Mbrojtësi i djathtë i Kombëtare së Zvicrës, kosovari Florent Hadërgjonaj është larguar nga Inglostadt për të kaluar në Premierligë te skuadra e promovuar këtë vit, Huddersfield. Lajmi është konfirmuar nga të dy skuadrat, ndërsa Hadërgjonaj do të qëndrojë për një sezon i huazuar.
“Huddersfield njofton se, ka arritur marrëveshje me Inglostadt për huazimin njëvjeçar të mbrojtësit të djathtë, Florent Hadergjonasj”, thuhet në njoftimin e skuadrës angleze. Hadërgjonaj i bashkohet edhe lojtarëve të tjerë shqiptarë që luajnë në Premierligë si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi.
Vllaznia dhe Shkëndija U-19 debutojnë në “UEFA Youth League”
Historike, Vllaznia pjesë e Champions League. Tashmë është zyrtare, kuqeblutë 19-vjeçarë, të cilët janë dhe kampionët në fuqi, në kampionatin e të rinjve për këtë grupmoshë, kanë arritur të sigurojnë pjesëmarrjen në UEFA Youth League, kompeticion i ngjashëm me Champions League. Ky është një moment historik për ekipin e të rinjve shkodran, pasi kjo është hera e parë që ata arrinë të sigurojnë pjesëmarrjen në një kompeticion të tillë, kaq të rëndësishëm të futbollit europian, ku sigurisht do t’i shërbejë dhe talenteve të reja për t’u ekspozuar në arenën ndërkombëtare. Miratimi ishte dhënë me kohë nga zyrtarë të UEFA-s, por tashmë ka ardhur dhe konfirmimi zyrtar. Skuadra e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani, i emëruar vetëm pak ditë më parë, rreshtohet mes akademive më të rëndësishme të Europës.
Një tjetër detaj, i cili i shërben shumë ekipit të Vllazninsë U-19 është shuma që ata do të përftojnë nga pjesëmarrja në UEFA Youth League. 150 mijë euro, që do t’i shërbejnë skuadrës, për të mbuluar shpenzime të ndryshme. Moment historik edhe për U-19 e Shkëndijes së Tetovës, të cilët gjithashtu do të jenë pjesë e këtij kompeticioni, për të parën herë. Konfirmimi ka ardhur nga zyrtarë të UEFA-s, të cilët përmes Federatës së futbollit maqedonas, i njoftuan se ekipi i Shkëndija U-19 si kampione e vendit, i jepet e drejta të jetë pjesë e fazës së grupeve. Pas sukseseve të arritura nga skuadra e parë, në kalimin e tureve të Europa League deri në sigurimin e fazës së Play-Of, në po të njëjtën vijë po ecën edhe ekipi i moshave. Arritje e madhe për një klub që po ecën me hapa galopant në arenën e futbollit maqedonas, por edhe atë europian.
Juventus në garë me Interin për Howedes
Juventusi vijon kërkimet për pasuesin e Leonardo Bonuccit në mbrojtje. Marotta po studion emrat e kandidatëve në ditët e fundit të merkatos, por jo me objektivin për të bërë një operacion të shtrenjtë për arkën e klubit. Benedikt Howedes është emri i ri që i pëlqen edhe trajnerit Alegri, teksa mbrojtësi gjerman ka dhënë sinjale se dëshiron të largohet nga Schalke. Oferta për 29-vjeçarin mund të jetë huazim me të drejtë blerjeje, por nuk do të jetë e lehtë, pasi ka konkurrencë edhe nga Liverpooli me Interin për mbrojtësin, i cili ka një kontratë deri në 2020 me “blutë mbretërorë”.
Andrea Belotti është i destinuar të qëndrojë te Torino. Sulmuesi italian që fillimisht kërkohej nga Milani dhe së fundmi nga Monaco nuk do të transferohet në Principatë, pasi drejtuesit e klubit francez e konsiderojnë të lartë klauzolën e tij. Mësohet se oferta për Torinon ishte 80 mln euro bashkë me një sërë bonusesh, por presidenti Cairo insiston vetëm te klauzola 100 mln euro çka ka bërë që negociatat të shkojnë drejt dështimit.
Mustedanagiç: Bëjmë surprizën në eliminatore
Xhemal Mustedanagiç bashkë me skuadrën e 17-vjeçarëve do të udhëtojë drejt Kazakistanit për një turne miqësor që ka si synim testimin e të rinjve kuqezi për seleksionimin e futbollistëve më cilësorë për raundin kualifikues të Europianit të vitit 2018. Pas turneut të Qipros, trajneri i kuqezinjve të vegjël ka kristalizuar idetë për skuadrën që do të ketë në dispozicion dhe ka publikuar listën e re, por puna nuk ka mbaruar ende. Ai e nis konferencën e shtypit me një kërkesë të veçantë duke kërkuar, që skuadra e 17-vjeçarëve të ketë një vëmendje më të madhe, pasi aty hidhen themelet e Kombëtares A. Në vijim, Mustedanagiç ndalet te eliminatoret e Europianit, duke e pranuar se Shqipëria do të përballet me kundërshtarë shumë të fortë.
Xhemal Mustedanagiç… “Në Kazakistan do të zhvillojmë një turne me ekipe shumë të forta, por ne kemi disa probleme, sepse 4-5 lojtarë mungojnë, pasi nuk janë lejuar nga klubet që të bashkohen me ne, por kjo nuk ka rëndësi sepse unë do të shikoj edhe lojtarë të tjerë. Përsa i përket eliminatoreve, ndeshjen e parë e kemi me Kroacinë dhe më pas me Spanjën dhe Lihtenshtejnin. FSHF po investon përditë e më shumë në ekipet e moshave. Nëse flasim për turneun e Qipros ishte më shumë selektiv dhe gjithçka shkoi mirë. Për mua, Kazakistani është një provë gjenerale edhe pse nuk e kemi të gjithë ekipin në dispozicion. Në ndeshjen e parë do të kërkojmë të fshihemi pak në lojën dhe taktikën tonë. Do të tentojmë ta mundim Kroacinë”.
Por a u trembet Mustedanagiç dy skuadrave të talentuara si Spanja dhe Kroacia?
“Unë gjithmonë kam qenë optimist edhe si lojtar. Nuk kam pasur frikë as skuadra si Crvena Zvezda apo Barcelona. Normalisht duhet të jemi objektivë, sepse Kroacia dhe Spanja janë përpara nesh. Unë premtoj se do të përpiqemi të jemi surpriza e eliminatoreve. Dalëngadalë mendoj se, Shqipëria do të barazohet me të gjithë ekipet. Shqipëria duhet të bëhet faktor në Europë dhe kjo u realizua në Euro 2016. Ka kaluar vetëm një vit dhe e kam thënë edhe më parë që Shqipëria duhet të jetë mes 20 ekipeve më të mira të Europës”.
Prurjet e reja nga kampionatet e huaja do të jenë të shumta dhe për Mustedanagiç do të jenë disa emra të rinj që do t’i bashkohen skuadrës në eliminatoret e Europianit që do të luhen në Korçë, ai zbulon disa emra.
“Sapo kam mbaruar seleksionimin me vitet 2002. I kam vëzhguar me kujdes dhe jam i sigurtë disa do të jenë pjesë e eliminatoreve që do të zhvillohen në Korçë. Smajlaj i Fiorentinës dhe Gjini e Asllani të Empolit janë disa emra interesantë”, përfundoi ai.
Zaev ndryshon qëndrimin e Maqedonisë për Kosovën
Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka një qëndrim të prerë lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, që ditëve të fundit u aktualizua pas tensionimit të raporteve mes Shkupit dhe Beogradit.
Në media u raportua se në ftohjen e raporteve ka ndikuar pikërisht edhe mundësia që Maqedonia të japë votën e saj për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, por që më vonë u përjashtua si mundësi edhe pse mbetet si shkëndijë për rikthimin e polemikave të mundshme mes dy vendeve.
Nga Qeveria e Maqedonisë thonë për Radion “Evropa e Lirë” se mbeten në qëndrimin e ditëve të fundit, e që u kumtua edhe nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, se gjatë marrjes së vendimit për këtë çështje do të kihen parasysh më shumë faktorë. Me këtë përjashtohen mundësitë që Shkupi t’i ketë premtuar Beogradit apo edhe Prishtinës se Maqedonia ka të definuar qëndrimin e saj për këtë çështje.
“Maqedonia nuk është në pozitë që të ketë ndonjë rol udhëheqës në këtë çështje, e cila është e rëndësishme, si për fqinjin tonë Serbinë, ashtu edhe për fqinjin tjetër, Kosovën. Ato kanë dallime thelbësore për këtë çështje dhe këtë ne duhet ta kemi parasysh. Pra, në ndërtimin e qëndrimit tonë do të merren parasysh të gjithë elementët, interesi i Beogradit, interesi i Prishtinës dhe para së gjithash interesi i Maqedonisë. Nuk e dimë se kur kjo çështje do të jetë në rend dite. Mund që të jetë në vjeshtën e ardhshme dhe deri atëherë mund të ndryshojnë shumë punë, apo të ketë ndryshime në qëndrimet e palëve të përfshirë në këtë çështje. Andaj edhe nuk mund të japim më shumë detaje”, ka deklaruar Dimitrov.
Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani ditë më parë tha se, Maqedonia është në komunikim me Prishtinën, nga e cila është njoftuar se ende nuk kanë aplikuar për anëtarësim në UNESCO, por se nëse kërkohet mbështetje, atëherë edhe do të ndërtohet një qëndrim për këtë çështje nga ana e Maqedonisë.
“Ne jemi në komunikim me palën kosovare dhe për momentin ata nuk kanë aplikuar për anëtarësim. Kështu që kjo nuk është objekt bisedimesh dhe nuk është kërkuar diçka e tillë nga ana e tyre. Në momentin kur do të kërkohet mbështetje, atëherë ne do të sjellim vendimin”, ka deklaruar Osmani.
Maqedonia kishte votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, në nëntor të vitit 2015, por pas ndryshimit të pushtetit në qershor të këtij viti, kryeministri Zoran Zaev nuk e përjashtoi mundësinë që Shkupi të ketë qëndrim neutral lidhur me këtë çështje.
“Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të këtilla, si kjo për anëtarësim në UNESCO, për mbrojtjen e objekteve në Kosovë, Maqedonia nuk guxon të marrë anë, sidomos kur bëhet fjalë për dy vende fqinje, pasi kjo punë nuk varet nga Maqedonia. Lidhur me këtë rast, Maqedonia do të qëndrojë neutrale…unë shpresoj në mirëkuptimin e Kosovës dhe të Serbisë”, kishte deklaruar Zaev.
Kjo deklaratë e kryeministrit të ri kishte nxitur reagime të shumta, në veçanti tek partitë shqiptare të cilat mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa kishin paralajmëruar Zaevin me pasoja nëse ndryshon qëndrimin nga votimi i nëntorit kur iu dha mbështetje anëtarësimit të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, në intervistën e fundit për televizionin publik të Serbisë, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se, taktizimet e fundit të Shkupit për gjoja qëndrim neutral nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, nuk ka dilema se Maqedonia do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Largimi i Veselit kusht për një shumicë në Kosovë
Kuvendi i Kosovës ka proceduar me vazhdimin e seancës konstituive, të filluar që nga 3 gushti, por nuk ka arritur sërish të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e këtij institucioni.
Në fillim të seancës, koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ka kërkuar edhe një afat tjetër kohor për të krijuar shumicën parlamentare në Kuvend.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën. Andaj, ai kërkoi edhe 10 apo më shumë ditë kohë për të proceduar me votimin.
“Në këto javët e fundit nuk e kemi pasur shumicën prej 61 votave për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Hoxhaj.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Koalicionit PAN do t’i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t’i sigurojë.
Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari për PAN-in, duke i kërkuar që ta ndërrojë kandidatin për kryetar dhe në vend të Kadri Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij do të mund të siguronte mbi 61 vota. Dhe, së dyti, ai tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet e tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se, “e shtrinë dorën e bashkëpunimit me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativës”, për formimin e institucioneve.
Fjalimi i Kurtit, është përcjellë me reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se Vetëvendosje ka bllokuar në vazhdimësi shtetin e Kosovës dhe se të vetmin synim e ka pushtetin, duke i kërcënuar me burgje e persekutim rivalët politik.
Ndaj Veselit reagoi sërish Albin Kurti, duke thënë se ai dhe PDK-ja e kanë kapur shtetin, drejtësinë dhe të gjitha organet, duke e lënë Kosovën në perspektivë të paqartë, të izoluar dhe me korrupsion e krim të organizuar.
Polemikat dhe akuzat ndërmjet Kurtit e Veselit u shtrinë edhe në çështje të tjera, duke përfshirë aty edhe rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në burg.
Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi i saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftojë me kohë deputetët për vazhdimin e saj.
Kosova në krizë politike, por atje deputetët nuk shiten
Deri dje përfaqësuesit e koalicionit fitues ishin shprehur të bindur që dita e enjte do të zhbllokojë procesin, duke llogaritur në votat e Aleancës Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli, i cili siç është thënë, është autorizuar nga partia e tij “të kërkojë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativës, me të cilat kishte konkurruar në zgjedhje. Por, një ditë më parë, u tha se gjërat janë ndërlikuar.
Sipas Kushtetutës ky koalicion ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetarin e Parlamentit, por lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtojnë kandidimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli.
Aktualisht është e paqartë se si do të vazhdojë procesi i ngritjes së institucioneve, ndërsa sot u hodhën ide për organizim tryezash në kërkim të një rrugëdaljeje nga kriza politike.
Kosova zyrtarisht është në një krizë politike prej shumë javësh. Ajo nuk po arrin të menaxhojë këtë pjesë të konstituimit të Parlamentit edhe për shkak të kokëfortësive politike, por Kosova ndryshe nga Shqipëria nuk ka një krizë morale dhe kjo për arsyen e thjeshtë; Në Kosovë deputetët nuk shiten dhe blihen si në tregun e gjësë së gjallë sikurse ndodh në Shqipëri. Po ashtu edhe votat nuk blihen sikurse ndodh në Shqipëri dhe këto janë tregues së përtej krizës politike Kosova ka një demokraci shumë më të shëndetshme se në Shqipëri.
Serbia e Vuçiç kthehen në faktor destabiliteti
Tërheqja e diplomatëve serbë nga Shkupi është komentuar në Beograd si përgjigje e Serbisë për përgjimin e diplomatëve serbë në Maqedoni si dhe mbështetjes së Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në UNESKO. Por gati të gjitha shpjegimet serbe mund të përmblidhen me një fjali: “Vendimi është marrë pas njohurive për veprime ofensive ndaj organeve dhe institucioneve të Serbisë”. Edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq u përpoq që të gjitha të mbeten në nivelin e sekreteve dhe spiunimeve, kur tha se “ne i dimë të gjitha-çfarë kanë vendosur, çfarë po bëjnë dhe çfarë do të bëjnë autoritetet maqedonase”. Dyshimet nuk i ka zgjidhur as paraqitja e presidentit Aleksandar Vuçiq në televizionin shtetëror, i cili tha se “Serbia i di të gjitha gjërat që ka bërë Maqedonia”.
Ndërkohë që mediat serbe kanë raportuar me tituj shumë bombastikë si “Zaevi i ka shpallur luftë Serbisë”, “Vëllaçko Zaevi na futi thikën pas shpine”, “Maqedonasit kanë përgjuar madje edhe vet Vuçiqin”… Mediat serbe kanë cituar edhe liderin e Partisë Demokrate Serbe në Maqedoni, Ivan Stoilkoviq, i cili thotë se “personeli i ambasadës serbe në Shkup është trajtuar sikur ai i ambasadës së Iranit”, ndërsa Irani konsiderohet si “sponsor i terrorizmit”.
Agjentët e BIA
Analistët thonë se të dy shkaqet mund të jenë shkas për keqësimin e gjendjes-përgjimet dhe UNESKO. Eksperti Bojan Elek thotë për DW se përgjimet nuk janë një hap i jashtëzakonshëm, kur dihet se një agjent i BIA ishte pjesë e trazirave që kanë ndodhur në Parlamentin e Maqedonisë. Autoritetet e Serbisë pohojnë se këto përgjime janë drejtuar kundër Serbisë. Drejtori i Qendrës për Rajonalizim Aleksandar Popov, mendon se të gjitha këto ngjarje janë iracionale. “Kur bëhet fjalë për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESKO, kjo është pasojë e njohjes së Kosovës, e Kosovën e ka njohur ish-kryeministri Gruevski, me të cilën edhe SNS e Serbisë ka pasur raporte të ngushta. Kosovën e kanë njohur edhe shumë vende të tjera, të cilat e mbështesin edhe anëtarësimin e saj në UNESKO, por kundër tyre nuk janë ndërmarrë masa të ngjashme. Raportet janë acaruar pas ndërrimit të pushtetit në Maqedoni, që nuk është sipas dëshirës së Beogradit”, thotë Popov.
Opinioni i Serbisë është mësuar që për çdo problem të presidentit Aleksandar Vuçiq të akuzohen forcat e jashtme. Kumtesat dhe shpjegimet kanë qenë shumë të paqarta, ndaj shkaku i vërtetë i tërheqjes së diplomatëve dhe krizës në raportet serbo-maqedonase nuk dihet. Bojan Elek pohon se këto masa janë të tepërta dhe kanë për synim krijimin e atmosferës së panikut dhe frikës.
Kujt t’i besohet?
Pushteti në Serbi pohon se ky vend e meriton titullin e kampionit të botës në kontributin për paqe dhe stabilitet. Aleksandar Popov paralajmëron se me masa të këtilla Serbia po shndërrohet në faktor destabiliteti në rajon. “Masat ndaj Maqedonisë janë të ashpra dhe të pazakonshme, që kontestojnë edhe kredibilitetin e Serbisë si faktor paqe në rajon”.
Popovi thotë se, raportet me vendet e rajonit i ka përmirësuar pushteti i mëparshëm e jo ai i Vuçiqit. Ndërkohë që pushteti i tanishëm i ka ashpërsuar raportet me disa vende. Gazetat e afërta me pushtetin e kanë quajtur Zaevin “të afërt me qarqet mafioze, të cilat kanë për synim destabilizimin e Serbisë dhe futjen e saj në kaos”. Popovi thotë se këto media shpesh shkruajnë gjërat që politikanët serbë nuk duan t’i thonë vet. Hapat e Serbisë i ka kritikuar edhe ish-ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq, i cili tha se veprime të këtilla “nuk bëjnë as republikat banane”.
Bojan Elek pohon se, Serbia po sillet në forma të ndryshme – si faktor i ruajtjes së stabilitetit, por shpesh edhe si faktor destablizues në rajon. “Serbia ka kapacitete të mëdha për destabilizimin e rajonit dhe këto kapacitete po i përdorë edhe për qëllime të brendshme politike. Kjo nënkupton shkaktimin e krizave të përhershme dhe krijimin e bindjes për cenimin e Serbisë nga vendet fqinje, me qëllim ruajtjen e pushtetit në vend”.
Mattis: Rusia synon ripërcaktim kufish me dhunë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, e ka akuzuar Rusinë se synon “ripërcaktimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë” dhe ka përsëritur se Uashingtoni “nuk do ta pranoj” aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.
“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, dhe përkundër mohimit të Rusisë, ne e dimë se ata synojnë ripërcaktim të kufijve ndërkombëtarë me forcë, duke e shkatërruar sovranitetin dhe vendet e lira në Evropë. Rusia ka marrë përgjegjësi kur e ka pranuar Marrëveshjen e Minskut për armëpushim, e cila bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe për tërheqje të të gjitha armatimeve të rënda dhe për të garantuar që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të ketë qasje të papenguar sipas Marrëveshjes së Minskut”, tha Jim Mattis, gjatë një konference të përbashkët për gazetarë në Kiev, me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.
Mëtutje ai ka theksuar se, “nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha se ai në mënyrë aktive po e shqyrton mundësinë që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë armatim vdekjeprurës për Ukrainën, dhe do ta informoj presidentin Donald Trump, për qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.
Sekretari Mattis tha se, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për përpjekje diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës.
Prej prillit të vitit 2014, në luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më tepër se 10 mijë vetë.