Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj priti dje në një takim ambasadorin e Austrisë, Johann Sattler, me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit të shkëlqyer dy palësh në fushën e sigurisë. Ambasadori Sattler i shprehu ministrit Demiraj përgëzimet për postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe nënvizoi dëshirën për thelluar bashkëpunimin shumëplanësh, thuhet në njoftim të Zyrës së Shtypit pranë MB. Ambasadori Sattler ndau me ministrin Demiraj pikëpamje mbi fenomenin e shit-blerjes së votës dhe depolitizimit të administratës publike në fushatën zgjedhore.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Demiraj u përqendrua tek prioriteti madhor i mandatit të tij, garantimin e një procesi zgjedhor të pacenueshëm përmes masave intensive për mbarëvajtjen e fushatës dhe ditës së zgjedhjeve, duke neutralizuar subjekte, individë dhe grupe kriminale që minojnë procesin demokratik të votës së lirë.
Ministri Demiraj informoi ambasadorin austriak për porositë e veçanta që ju është dhënë disa drejtorive vendore të Policisë së Shtetit për të parandaluar mundësinë e blerjes së votës nga burime të paqarta në ditët në vijim. Ministri Demiraj vuri në dukje sfidën e pastrimit të territorit të Republikës së Shqipërisë nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, si dhe heqjen e emrit të Shqipërisë nga raportet ndërkombëtare përsa i përket drogës.
Demiraj pret ambasadorin e Austrisë: Prioritet zgjedhjet dhe lufta ndaj drogës
Fushata, Ministria e Financave monitoron doganat dhe tatimet
Ministria e Financave po monitoron intensivisht Degët Doganore, Drejtoritë Rajonale të Tatimeve si dhe institucionet e tjera të varësisë. Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Financave bën me dije se, grupet e punës të ngritura për këtë qëllim janë fokusuar sot në inspektimin e degëve doganore në Jug të Shqipërisë, më konkretisht në degët doganore të Kakavijës, Qafë-Botës si dhe doganës së Sarandës.
“Ato po të kontrollojnë nga afër zbatimin e detyrave funksionale nga punonjësit e doganave kufitare si dhe respektimin e rregullave që vendos VKM nr. 473, dt. 01.06.2017 për “Marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”.
Ministria e Financave inkurajon punonjësit e administratës fiskale që të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, Ministria e Financave u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie në aktivitetet partiake apo në veprime të tjera me karakter korruptiv.
“Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545.(Whatsapp, Viber)”.
Tenderi i rrugës së “Arbrit”, Çupi-Ramës: Shqiptarët s’e hanë më sapunin për djathë
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Dhurata Çupi, e ka cilësuar mashtrimin e radhës, veprimin e fundit të kryeministrit Rama, i cili bëri të ditur dje se ka hapur tenderin për ndërtimin e rrugës së ‘Arbrit’. Përmes një mesazhi në Facebook, Çupi thekson se, shqiptarët janë popull i zgjuar dhe nuk do të gënjehen më nga mashtrimet elektorale të kryeministrit Rama.
Sipas saj, Rama përmes tenderave fasadë, kërkon të mashtrojë qytetarët, por dibranët në 25 qershor do të rrëzojnë me votë qeverinë e gënjeshtrave.
“Qeveria e fasadës bën tendera elektoral. Qeveria e fasadës përmes tenderave elektoral do të mashtrojë sërish dibranët. Katër vjet e la në harresë qëllimisht, sot na kujtohet pikërisht në kulmin e fushatës.
I ka bërë llogaritë gabim. Dibranët janë të mençur, nuk gënjehen më, nuk e hanë sapunin për djathë zoti Rama. Rruga e Arbrit është projekt që do lidhë Tiranën me Dibrën, e këtë do ta bëjë njeriu i veprave Lulzim Basha kryeministër”, shkruan Çupi në Facebook.
Vrasësi Frroku mbetet në burg për jetë, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin
Arben Frroku, vrasësi i komisarit të policisë Dritan Lamaj, përfundimisht do të rrijë gjithë jetën në burg. Ishte Gjykata e Lartë, e cila në dhomën e këshillimit vendosi të mos pranojë rekursin e të pandehurit, duke lënë në fuqi vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Ky vendim, është dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në qershor të vitit 2015, duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që e deklaroi të pafajshëm Arben Frrokun. Ky i fundit, ndodhet i arresuar në Holandë, ku edhe ka përfunduar proceset gjyqësore për ekstradimin e tij.
Kanë qenë tre shkallët e gjyqësorit në Holandë, që kanë pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri për të vuajtur dënimin kapital të legjislacionit shqiptar. Vetë i pandehuri Frroku në asnjë rast nuk e ka pranuar autorësinë e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Arben Frroku si në Gjykatën e Shakallës së Parë ku ishte i arrestuar edhe më pas ka pranuar konfliktin që kishte me komisarin Lamaj, por në asnjë moment nuk ka pranuar vrasjen e tij.
Arben Frroku u arrestua natën e vrasjes së komisarit Lamaj në Selanik të Greqisë nga ku më pas u ekstradua në Shqipëri, për të ndjekur procesin gjyqësor nga afër. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda pas një procesi disa mujor, vendosi të deklarojë të pafajshëm të pandehurin Frroku për vrasjen, duke e liruar nga burgu. Ky vendim, u arsyetua në mungesën e besimit të dëshmitarit të mbrojtur, i cili ka pretenduar se e ka parë Frrokun në makinën, nga e cila u qëllua komisari Lamaj.
Por vendimi i pafajësisë u ankimua nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila pas tre seancave gjyqësore e shfuqizioi vendimin e pafajësisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm Arben Frrokun. Në kohën e dhënies së këtij vendimi, i pandehuri ështe larguar nga Shqipëria për t’u arrestuar vetëm disa muaj më pas në Holandë me dokumente të falsifikuara. Por që pas betejave ligjore, drejtësia holandeze i ka refuzuar azilin Arben Frrokut, duke vendosur ekstradimin e tij në Shqipëri.
Gjykata le në burg vrasësin e komisarit Cuku, nuk ka para për avokat
Mikel Shallari 24-vjeçari nga Kuçova, doli dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku me kërkesë të akuzës gjyqtari Klodian Kurushi vendosi “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Shteti i ofroi avokat falas të dyshuarit si vrasës me pagesë, sepse siç u shpreh 24-vjeçari ai ishte i papunë dhe nuk mundej të siguronte një mbrojtës.
24-vjeçari u shfaq i qetë duke mohuar gjithçka, ndërsa nuk kishte të pranishëm asnjë nga të afërmit. Të vetmet fjalë që shqiptoi ishin përgjigjet për gjeneralitetet. Ndërsa në lidhje me akuzën i konsultuar me avokaten e caktuar nga Gjykata tha se do të shprehet në një moment tjetër.
Prokurori Enrik Ligore theksoi se ka prova shkencore të pakontestueshme që e implikojnë të riun, në vrasjen e komisarit Artan Cuku mbrëmjen e 8 prillit 2017 në pallatin ku ai banonte në Tiranë.
Edhe pse materialet jane referuar në Gjykatë për pistën e gjakmarrjes, akuza pohoi në sallën e gjyqit se hetimi po shkon paralelisht edhe në dy pistat e tjera për shkak të detyrës si drejtor policie në Vlorë apo edhe për shkak të marrëdhënieve kontraktuale në kompaninë private që drejtonte së fundi.
Provat e ardhura nga policia zvicerane përmes Europolit dhe analizat e ADN-së në rrobat e gjetura në vendngjarje, sipas akuzës, konfirmuan se ai që ekzekutoi ish-zyrtarin e policisë ishte Mikel Shallari. Ndërkohë që një tjetër detaj janë edhe përmasat trupore të 24-vjeçarit, të cilat janë të ngjashme me ato të personit që shfaqet në pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve afër vendit të ngjarjes, të cilat e kanë fiksuar
Shallari u arrestua më 11 qershor. Prokurori i çështjes Enrik Ligori deklaroi se ka prova që vërtetojnë autorësinë e vrasjes. “Dimë që dora që ka tërhequr këmbëzën është Mikel Shallari. Kush është ideatori i këtij krimi nuk mund ta themi dot. Ne sot dimë ekzekutorin. Ideatorin ende nuk e dimë. Mund të jetë Shallari, mund të jetë dikush tjetër. Ne po hetojmë”, tha prokurori i çështjes.
Ndërkohë, Policia bëri të ditur se ka rënë në gjurmët e porositëve të vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku. Sipas burimeve, autoritetet kanë arritur të zbulojnë se kush e pagoi Mikel Shallarin për të ekzekutuar Cukun pranë banesës së tij.
Paraprakishit dyshohet se janë dy persona që kanë porositur vrasjen e Cukut dhe njëri prej tyre është person me rekorde kriminale, të cilin ish-komisari e ka arrestuar në Vlorë në vitin 2012-të. Ky person dyshohet se është i përfshirë në një sërë vrasjesh të bujshme brenda dhe jashtë vendit, ndërsa ka rifituar lirinë në rrethana ende të pasqaruara. Raportohet se familja e 24-vjeçarit Shallari është marrë në mbrojtje nga autoritetet, si kërkesë e të arrestuarit për të bashkëpunuar për ngjarjen.
Kazani që na qeverisi për 4 vjet

Nëse doni të dini se cili është kazani që na qeverisi për katër vite mjafton të dëgjoni në këto ditë replikat mes Ramës dhe Metës për të kuptuar se deri ku ka degraduar shteti shqiptar, por edhe për të gjetur përgjigjen e pyetjes së përse sot 56 për qind e popullsisë së këtij mendon largimin nga Shqipëria.
Asnjëherë më shumë se sot Rama dhe Meta nuk kanë qenë të vërtetë. Ata duhen dëgjuar dhe duhen besuar për ato që po nxjerrin nga goja, sepse ja dinë mirë njëri-tjetrit historitë e korrupsionit. Ata po i shpalosin tani të gjitha të tregun e fushatës me mendimin se mund të pastrohen për të marrë më shumë vota. Ajo që duhet të kuptohet është rënia e demokracisë në vend dhe shndërrimi në një bandë hajdutësh që kanë zhvatur shqiptarët me se kanë mundur.
Më i ashpër në akuza është Rama, sepse edhe pesha e Ramës në grabitje dhe korrupsion ka qenë absolutisht më e madhe, duke nisur nga shndërrimi i vendit në narko-republikë deri tek zhvatje masive e shqiptarëve përmes koncesioneve. Ndërsa akuzat e Ramës ndaj Metës shtrihen tek korrupsioni administrativ i të emëruarve të Metës.
Këto akuza janë vetëm fillimi i një lufte, të cilës nuk i dihet fundi. Mos duket rastësi se pas këtyre akuzave të rënda për zhvatjen e shqiptarëve të arrihet edhe pazari i Ramës i ngjalave në funksion të vazhdimit të grabitjes së mëtejshme të shqiptarëve edhe për vitet e ardhshme. Ndaj është e rëndësishme dhe duhet kuptuar nga kushdo se e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin është votimi në mënyrë masive i alternativës së opozitës së bashkuar me siglën e PD.
Edi Rama dhe Ilir Meta po pranojnë publikisht se në katër vitet e bashkëqeverisjes së tyre kanë keqqeverisur shqiptarët. Rama pranon se, premtimet nuk u mbajtën, se paratë u vodhën, se korrupsioni bëri kërdinë, shqiptarët u varfëruan e se për të gjitha këto përgjegjësinë e ka gjysma e keqe e qeverisë, LSI. Nga ana tjetër, Meta pranon se për katër vite, pushteti degradoi për shkak të lidhjeve të forta të Ramës me krimin, me drogën dhe aferave të grupit të oligarkëve në oborrin kryeministror. Në kulmin e fushatës elektorale, një aksion i fortë publik akuzash e kundërakuzash për lidhje me krimin, drogën, vjedhje, korrupsion e afera mes Ramës dhe Metës po dëshmon degradimin e Rilindjes, duke sjellë para shqiptarëve panoramën e qartë se, nga kush janë qeverisur në katër vite. Fushata që do të duhej të sillte përballjen e programeve dhe objektivave për qeverisjen e ardhshme është shndërruar për kampin e majtë në fushëbetejë mes dy protagonistëve Rama-Meta, të cilët po akuzojnë njëri-tjetrin se kush vodhi më shumë në katër vitet e qeverisjes së tyre apo kush i kishte lidhjet më të forta me krimin e drogën. Përplasja mes të dyve tregon qartë prishjen e pazareve dhe interesave mes dy drejtuesve të PS dhe LSI. Pas kësaj, të dyja palët u pozicionuan në këndin e sulmit. “Shushunja duhet shtypur”, u shpreh Rama nga Elbasani pak ditë më parë. Duke e konsideruar Metën si një shushunjë që thith gjak gjithandej e ku të mundë, Rama po u bën thirrje përditë shqiptarëve të kenë kujdes, të mos votojnë LSI, ndërsa e ka cilësuar atë si një parti që merr pushtet, por nuk mban asnjë përgjegjësi. “Pushtet merr, përgjegjësi s’mban, por na bën edhe kritikuesin me shantazhe”, është shprehur Rama në drejtim të LSI. Dje, Ilir Meta në një dalje urgjente për mediat kërcënoi Ramën me mosdekretimin e qeverisë së re, në rast se zgjedhjet do të vidheshin në favor të ngjitjes së PS për një mandat të dytë qeverisës. Acarimi i Metës lexohej qartë, që në lajmërimin që iu bë mediave për konferencën për shtyp, ku dalja e tij u cilësua si e menjëhershme. Urgjenca qëndronte pikërisht në paralajmërimin ndaj Ramës se, në rast se këto zgjedhje prodhojnë Ramën fitues ai nuk do të dekretojë atë si kryeministër bashkë me kabinetin e tij qeveritar. Ilir Meta akuzoi ashpër Ramën e njerëzit e tij më besnikë për manipulimin e zgjedhjeve përmes segmenteve kriminalë të lidhur me drogën. “Po u imponohen shqiptarëve përmes fiksimeve qesharake, të turpshme, përmes manipulimeve, përmes keqpërdorimit të policisë, që ende drejtohet nga një ndër përgjegjësit kryesorë të ndërmarrjes së drogës, që turpëroi të gjithë Shqipërinë dhe kriminalizoi të gjithë vendin, i cili qëndron aty vetëm si rezultat i shkëmbimit që është bërë në kurriz të standardit të zgjedhjeve, të drejtorit të OSHEE-së me atë të Policisë së Shtetit”, tha Meta. Ai iu drejtua Ramës në mënyrë direkte, ndërsa e paralajmëroi se në rast të fitores së PS, ai nuk do të dekretonte Ramën për kryeministër e as kabinetin e tij qeveritar. “Unë po paralajmëroj dhe po lajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, siç po punohet, mbi votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që nuk do të ketë dekret as për kryeministër as për ministër. I ka marrë Edi Rama mesazhet, po ja them dhe të tjerëve që janë ministra, që kanë qenë ministra, që duan të bëhen ministra”, u shpreh Meta. Dalja e Metës ka sjellë reagimin e Ramës, i cili përmes një mesazhi u ka kërkuar drejtuesve të fushatës nëpër qarqe të ndalojnë deklaratat për LSI në mënyrë të menjëhershme dhe të bëhet çmos që LSI të zhduket nga shkalla e partisë së tretë në klasën politike në vend. Porosia ka qenë e qartë: “Nuk dua të merreni më me LSI-në”, u ka thënë Rama drejtuesve të PS që po zhvillojnë fushatën nëpër qarqe. “Ju lutem, nuk duhet të kemi më lajme për LSI-në! E sotmja ishte një ditë për t’u dhënë të gjithëve mesazhin, se LSI nuk ka më shanse të bëjë të tretin të vërtetin, në mënyrë që ju të gjithë ta përdorni këtë në fushatën mikro, me organizim kapilar për të kthyer njerëzit që rrinë me LSI për interes jo për bindje!
Akuzat e Metës
• Përgjegjësinë për drogën duhet ta mbajë Rama, nuk mund ta mbajë LSI-ja, sepse zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë një zgjedhje e tij personale. Përgjegjësinë për çështjen e drogës e ka Rama dhe askush tjetër dhe LSI-ja nuk ka asnjë lidhje.
• Përgjegjësinë për futjen e shumë elementeve me rekorde kriminale në parlament e ka vetëm Rama
• Koncesionet e Ramës janë një tmerr, janë një çmenduri. E mbushi vendin me koncesione. Për koncesionet? Nuk mund të jepen koncesionet fshehurazi, të jepen burimet natyrore të Shqipërisë fshehurazi, të jepen miliarda euro fshehurazi.
• Edi Rama nuk i jepte Panaritit fonde për bujqësinë. 1/5 e fondeve të Kosovë ka marrë bujqësia nga Edi Rama, 1/10 e fondeve të Maqedonisë ka marrë bujqësia nga Edi Rama. Fajin e ka Edi Rama dhe përgjigjen do ta marrësh në 25 qershor. Kemi një arrogancë, papërgjeshmëri totale dhe kemi politikanë të llastuar.
• LSI-ja mund të marrë përgjegjësi pse i votoi Ramës “Crown Agent’s” në në një mënyrë jo shumë të ndershme, për arsye se do të duhej të ishte shpallur një garë, por e votoi, sepse mori garanci, besoi Ramën që do të bënte mrekulli me doganat. Kjo gjë dështoi.
• Ai do të një shumicë për veten që ta miratojë ligjin e mbetjeve pa e penguar LSI-ja, mos të miratojë kurrë ligjin e koncesioneve, t’i japi si të dojë, të bëjë ç’të dojë me reformën në arsim.
• Drejtimi i timonit të vjetër ka bërë që shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Erdhi fundi i kartelit të kanabisit, për të mbajtur karriget e shushunjave dhe të koncesioneve. Njerëzit duan të ikin nga Shqipëria, sepse një kokë e çmendur të gjithë po i çmend.
• Kush pi doping mendon se është më i fortë, por zgjedhjet do tregojnë tjetër rezultat,
• Kush i hoqi gjitha ato gra për të çuar në parlament njerëz që i hapën Shqipërisë probleme të jashtëzakonshme. Në krye të grupit të punës në Berat ka ardhur një kumarxhi dhe përdor segmente të caktuara të policisë në Berat për t’i bërë presion qytetarëve.
Akuzat e Ramës për Metën
• Është një shushunjë që thith gjak gjithandej ku mundet
• Policia gri është një bandë grabitësish që do ti shkarkoj
• Është krijuar një sistem që një parti hyn në zyrat e shtetit dhe një parti merr drejtoritë, një parti merr patentat, një parti merr hipotekat. Nëse nuk i japim fund në 25 qershor kësaj historie të shëmtuar, kësaj historie shushunjash që ushqehen me gjakun e njerëzve që kthehet në votë, do ta kemi të pamundur, prandaj në 25 qershor duhet të shkoni në votime
• Nuk mund të bëhet shteti një strehë vorfnore që rrogat e shtetit të përdoren për t’u dhënë njerëzve bukë në këmbim të aktivitetit partiak. Kjo është e pamundur. Shqiptarët nuk mund të ndahen më në copa,
• Unë jam dëshmitar dhe kam kyçur gojën kur gratë socialiste hiqeshin nga puna nga partnerët tanë në koalicion, që i shantazhonin për të ndërruar parti. Kam kyçur gojën për hir të reformave të mëdha. Mirëpo kjo histori duhet të marrë fund më 25 qershor…
• LSI kërkon që një dorë ta mbajë në timon dhe një tjetër ta ketë të lirë të akuzojë sa herë vjen radha për të ndarë pushtetin duke akuzuar partinë e madhe.
• Të gjitha partitë e vogla këtë punë kanë bërë dhe këtë punë duan të bëjnë. Duan një, dy, tre vota, 5 kartonë që të vijnë e të bëjnë pazar për të punësuar njerëz të partisë.
• Unë kam qenë deri në fund për koalicionet. LSI-ja ka qenë e ngurtë për këtë në raport me këtë nevojë. Pastaj ka krijuar një formulë që ishte gjysma e parë për koalicionin dhe gjysma e dytë për çadrën.
Luan Rama
• Rama në krye të korrupsionit, drogës dhe krimit
• Sistemi i korruptuar është sepse ishte Edi Rama në krye të sistemit. Sistemi i droguar është, sepse ishte Rama në krye të sistemit. Sistemi është i inkriminuar, sepse ishte Edi Rama në krye të sistemit. Kryetari i Rilindjes nuk është për reforma, por për Rama- Reforma. 840 mijë euro është shpenzimi për transmetimin live të fjalimeve të tij.
• Natyrisht që ka edhe njerëz të korruptuar apo nga ata që meritojnë të ndëshkohen ligjërisht, por ka dhe disa policë gri dhe blu që janë ndëshkuar ligjërisht si bashkëpunëtorë në kanabizimin e vendit, në krijimin e një harte të tërë kultivimi të kanabisit në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë nuk mbaka përgjegjësi, kryetari i Rilindjes?!
• Atje ku drejton ai nuk paska shushunja, por gjetiu. Po në sistemin tatimor dhe doganor, ku doganierët e manipuluar hapin dhe mbyllin traun? Sistemi është e vërtetë që ka probleme, është i korruptuar sepse në krye të tij ka qenë kryetari i Rilindjes; është i trafikuar dhe kanabizuar, sepse në krye të tij ka qenë kryetari i Rilindjes; ka qenë i inkriminuar, sepse ka qenë në krye të tij kryetari i Rilindjes.
Monika Kryemadhi
• “Kam dëgjuar Edi Ramën që do timonin. Do të jetë shofer i vetëm. Por ai harron se autobusi është i LSI-së, dhe vetëm koka e marshit ka për t’i ngelur”.
Saimir Tahiri
• LSI meriton të shkarkohet nga çdo përgjegjësi qeverisëse
• Që të dali sot LSI-ja e t’i bëjë PS-së gjyqin pas katër vjetësh që vetëm ka fituar në imazh nga aleanca me PS-në dhe s’ka dhënë absolutisht asnjë vlerë të shtuar në qeverisje përveç votave për reformat në Parlament, kjo është të vesh duart në kokë, dhe është pak!
• Se çfarë kërkon akoma Ilir Meta dhe partia e tij familjare nga Partia Socialiste, që e lau, e shplau, e thau, e hekurosi, e bëri edhe kryetar shteti, këtë nuk ka njeri të arsyeshëm që e shpjegon dot.
• Se me çfarë morali, logjike, kurajoje apo thjesht llogarie, Ilir Meta është rishfaqur si prijës i një lukunie të tërbuar që vetëm shan PS-në, këtë nuk e gjen dot askush që ka një sens njerëzor, qytetar apo politik. Por një gjë është e sigurtë sidoqoftë: LSI e meriton plotësisht të shkarkohet nga çdo përgjegjësi qeverisëse.
Bilanc qeveritar që nuk e ka parë bota!!!
Artan FUGA
Jemi përpara ditës së zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. 25 qershori po afron. Ndërkaq sigurisht kemi edhe një vështrim pas nga koalicioni qeveritar për të bërë njëfarë bilanci të rezultateve të këtyre katër viteve në qeverisje.
T’i marrësh Shqipërisë katër vite kohë duhet guxim i madh moral. Shumëzoje për dhjetë dhe del gjithë periudha moniste pak a shumë. Shumëzoje edhe me dhjetë të tjera dhe kthehemi pas afërisht te shekulli i Skënderbeut.
Por, si ky bilanc nuk ka parë bota!!! As historia e tranzicionit shqiptar.
Pse?
E para, sepse derisa filloi fushata elektorale nga ana e përfaqësuesve të ndryshëm të koalicionit qeveritar kishim gjykimin se Shqipëria vërtet ishte futur në rrugën e bërjes të një fuqie ballkanike, me organizim urban cilësor, me shkolla të nivelit europian, me shëndetësi në lulëzim, me papunësi të ulur dhe me shqiptarë të pasur.
Ohhh!, sa bukuri ka tufa!!!
Pritej që gjatë fushatës boritë e sukseseve të binin si trompetat e një gjahu mbretëror, por në kundërshtim me normalitetin politik, pikërisht gjatë fushatës elektorale, partitë e koalicionit qeveritar po tregohen të pamëshirshme dhe po kritikojnë qeverisjen e tyre gjatë katër viteve të shkuara, aq sa edhe ne që nuk kemi qenë dakord në asnjë pikë strategjike me të, po çuditemi nga furia e autokritikës nga ana e koalicionit.
Koalicionit i ka dalë vetja qejfit.
Autokritikë vendçe!
E dyta, rezultate të papara në botë, sepse katër vite në koalicion, ishin bashkë, tani në fushatë dy partitë qeveritare i bëjnë opozitë njëra-tjetrës, kurse mes koalicionit qeverisës dhe opozitës që pothuajse nuk u bë gjatë katër viteve, duket se marrëveshja e arritur pak javë më parë funksionon.
Katër vite në opozitë mes PS dhe PD dhe tani gjatë fushatës elektorale, pikërisht në finish, dy partitë bëjnë marrëveshje midis tyre që ndikon jo pak fushatën e sotme elektorale.
Vërtet e pamendueshme nga pikëpamja e gjërave normale që mund të priteshin!
Së treti, njëra parti lavdëron ministritë që ka drejtuar ajo dhe kritikon ato që drejtonte tjetra dhe anasjelltas.
Nuk e paskemi ditur. Paskemi jetuar njëkohësisht në dy shtete. Një të LSI dhe një të PS!
PS thotë se taksat, patentat, doganat, bujqësia, madje edhe drejtësia, e ku e di unë tjetër paskan qenë për ibret.
Kurse LSI thotë se rendi, shkolla, reformat e arsimit të lartë, strategjia e vetingut, paskan qenë lemeri!
Pra, po t’i bashkojmë këto dy bilance del se paskemi jetuar nën një qeverisje beter!
Nuk e thotë opozita, sepse ajo është fort edukueshëm e artikuluar, por e thotë vetë koalicioni qeveritar!
Çfarë po bëhet kështu?
Kemi qenë mirë apo kemi qenë keq?
Jemi qeverisur mirë apo jemi qeverisur keq e burra?!
Kemi jetuar nën një qeveri apo nën dy qeveri?
Skizofreni politike që trullos mendjet e qytetarëve.
PS thotë se ka pranuar qeverisjen e keqe të LSI sepse përndryshe nuk merrte dot vota, nuk mbante pra, dot pushtet.
LSI thotë se ka pësuar keqqeverisjen e PS sepse donte stabilitetin e koalicionit, pra të pushtetit, donte pushtet.
Çfarë po bëhet kështu?!
Të dyja palët pranojnë se kanë pranuar keqqeverisjen e shkaktuar prej aleatit të tyre për shkaqe elektorale, për shkak të dëshirës për vota, për dëshirën për pushtet!!!
Pikërisht ky është problemi.
Kjo është përgjegjësia.
Për hir të pushtetit dhe të votave të keqqeverisësh Shqipërinë!!!
Kjo nuk është logjikë shfajësimi, kjo është fajësia vetë.
Dhe ata që duhet të bëjnë bilancin qeveritar e pranojnë këtë kaq hapur?!
Po ky është halli ynë o shokë!
Mos jemi vallë gjë idiotë dhe budallenj ne qytetarët çka u lejon partive qeverisëse të shfajësohen pikërisht me atë që është një akt vetakuzimi???
Se nuk shoh mundësi tjetër unë!
Çfarë duhet tjetër përtej kësaj???
Nëse rrethanat nuk të lenë të mirëqeverisësh vendin, qëndro në opozitë!
Ky është morali politik më elementar.
Mos kërko e mbaj pushtet kur paskesh qenë i ndërgjegjshëm se qeverisja jote do të jetë e keqe, duke mbajtur në pëqi dikë që të pengon pamjen, nuk të lejon të ndryshosh marshet apo t’i japësh gaz motorit.
Çfarë kulture politike!!!
Pse Basha dhe Republika e re?
Dr. Fatmir Terziu
Me idenë e Lulzim Bashës për një Republikë të re, nënkuptojmë një shoqëri që i dëgjon qytetarët e saj, por dhe që i beson qytetarëve të saj. Ndaj një preambulë e tillë të shpie që në krye të herës tek përgjigjja pse Basha dhe Republika e re. Duke shkuar në detaje dhe në arsyet e shpjegueshme, na vjen në ndihmë Frank Furedi, që është sociolog dhe komentator i njohur britanik, kur thotë se kjo diktohet nga idetë e kapshme dhe nga pavarësia morale, që sipas tij “pavarësia morale mund të lulëzojë vetëm në një shoqëri që i beson qytetarëve të saj”. Libri i tij i fundit, “Çfarë ka ndodhur me universitetin?: Një hulumtim sociologjik i infantilizimit të tij”, është botuar nga Routledge dhe ndalet mjaft në pika të ngjashme. Kjo ndihmë sjell në pah kuptimin se shoqëria bashkëkohore, përfshirë dhe shoqërinë e sotme shqiptare, ka një marrëdhënie paradoksale me idealet e autonomisë njerëzore dhe vetëvendosjes. Sipas Furedit “Këto koncepte mbështeten retorikisht si vlera që janë thelbësore për demokracinë liberale”. Por në këtë pikë retorika e Bashës, ngjan si një aspekt i prakticizmit, të prekshmes dhe dëgjimit në terren të masës së gjerë, vlerësimit të arsyes dhe mbi bazë të saj, konkludim të saktë të asaj që lidh vetë forcën në angazhim njerëzor dhe intelektual. Kjo duket në tërë angazhimin e tij dhe pse në fakt ky angazhim më shumë se një autonomi morale ka hyrë në darën e kritikës.
Sot, si në të kaluarën, autonomia, po aq dhe termi i Bashës Republika e re, në këtë kënd, kritikohen nga një pikëpamje elitiste dhe paternaliste që këmbëngul që njerëzit nuk kanë kapacitetin, kohën, burimet apo mundësitë e nevojshme për vetëvendosje dhe ndikimi i tjetrit është i jovëmendshëm, jo determinant. Kritikët e tillë tregojnë fuqinë e medias, ndikimin e shoqërisë së konsumit apo përhapjen e ideologjive për të argumentuar se njerëzit e zakonshëm janë shumë të tronditur nga këto forca për të menduar për veten e tyre dhe për të vepruar në përputhje me interesat e tyre, më së shumti janë në darën e kreut apo të një force diktati. Në një formë apo në një tjetër, këto argumente të paligjshme kundër tërë terminologjisë dhe veprimit aktiv të Bashës, janë drejtuar tek të ndjeshmit e shkolluar që nga koha e daljes së vetë Bashës me këtë lëvizje dhe janë shtuar me daljen e listave për kandidatët e PD-së. Në lëvizjen Basha, ku refleksioni vjen me frymën e re, me termin Republika e re, ideja e tij lidhet historikisht me kërkimin për të shprehur dhe dhënë kuptim për zhvillimin njerëzor dhe potencialin. Përmes shekujve, ky kërkim çoi në kristalizimin e konceptimit të Iluminizmit të personalitetit – idenë se personi realizohet nëpërmjet ushtrimit të agjencisë personale dhe autonomisë. Autonomia kuptohet si shprehje e vetes tonë personale, subjektive, individuale.
Që nga grekët e lashtë, zhvillimi i vlerës së lirisë ishte i lidhur ngushtë me përpjekjen për të formuluar një ideal të vetëqeverisjes. Gjatë shekujve, kjo kërkesë për vetëvendosje çoi në bindjen se veprimi dhe sjellja njerëzore nuk janë përcaktuar tërësisht nga forca jashtë individit. Nga shekulli i 18-të, një pikëpamje optimiste e personalitetit u bashkua me një pikëpamje morale që pohonte se ushtrimi i autonomisë – i individëve që bënë zgjedhje – ishte parakushti për lulëzimin e njerëzimit. Dhe në tërë këtë dimension vetë lëvizja e Bashës apo dhe dalja e listave përmes një site duke synuar sa më shumë forcë të re, tregon se zhvillimi dhe progresi konsiderohen si atribute të një personi që angazhohet me botën, që tregohet qartë dhe ndjeshëm si një individ aktiv, arsyetues dhe i ndërgjegjshëm. Etimologjia e kësaj fjale – autos (vetja) dhe nomos (sundimi ose ligji) – përcjell kuptimin e vetëkontrollit. Termi përdorej për herë të parë në mjedisin politik të qytetërimit të hershëm grek dhe nënkupton: Sipas një llogarie, një qytet kishte autonomi kur qytetarët e tij bënin ligjet e tyre, në vend që të ishin nën kontrollin e disa uzurpatorëve uzurpues.
Ky koncept i rëndësishëm i zhvilluar nga grekët fitoi një dimension më imponues me zhvillimin e një filozofie morale të bazuar në racionalizëm në shekullin e 18-të. Kjo filozofi përpunoi një moral që bazohet në vetëqeverisjen me vetë forcën e njerëzve, duke njohur fuqinë transformuese të arsyes. Mbi bazën e këtij koncepti shihet qartë në tërësinë e kësaj fushate, por dhe më herët në qasjen e lëvizjes Basha dhe ndjesia e qartësimit të vetë Republika e re. Përmes ushtrimit të kësaj arsyeje, njerëzit mund të zhvillojnë personalitetin e tyre duke marrë përgjegjësinë për jetën e tyre. Kultivimi i Republika e re kërkon që njerëzit të jenë të lirë të mendojnë dhe të vijnë në përfundimet e tyre për pikëpamjet dhe opinionet që dëgjojnë. Filozofi amerikan, juristi dhe dijetari i së drejtës kushtetuese të Shteteve të Bashkuara, Ronald Myles Dworkin, na ka dhënë një testament të qartë dhe të dukshëm kur arsyetoi që herët se, “Qeveria fyen qytetarët e saj dhe mohon përgjegjësinë e tyre morale kur dekreton se nuk mund t’i besohet, aq më shumë të dëgjojnë mendimet që mund t’i bindin ata, për bindje të rrezikshme ose fyese. Ne e mbajmë dinjitetin tonë, si individë, vetëm duke këmbëngulur që askush – asnjë zyrtar dhe jo shumicë – të ketë të drejtën të refuzojë një opinion nga ne, me arsyetimin se nuk jemi të aftë ta dëgjojmë dhe ta konsiderojmë atë”.
Ndaj Basha ka diktuar qartë në të gjitha takimet e tij të kësaj fushate se duke reflektuar lirisht në mendime dhe duke vendosur për veten tonë, se çfarë është e mirë dhe e keqe, mësojmë të sillemi si qytetarë të përgjegjshëm dhe të pavarur. Dhe mendimi është i pjekur dhe i duhur, akoma më shumë në këto momente kur debatet janë agravuar. Sidoqoftë në tërësinë e ideve të Bashës, njerëzit jo vetëm që krijojnë mendimet e tyre, por edhe ndikojnë në pikëpamjet e të tjerëve. Ndaj Furedi jo më kot shton se, “Ushtrimi i përgjegjësisë morale në këtë mënyrë ka një dimension aktiv në aq sa ne përpiqemi t’i komunikojmë pikëpamjet tona bashkëqytetarëve tanë. Dhe sipas Bashës ushtrimi i tërësisë së Republikës së re kërkon që njerëzit të jenë vetë, të veprojnë në përputhje me prirjet dhe shijet e tyre dhe të ndjehen të lirë të miratojnë një mënyrë jetese, që u lejon atyre të shprehin personalitetin e tyre. Siç deklaron Dworkin, “qytetarët kanë aq shumë të drejtë të kontribuojnë në formimin e klimës morale ose estetike ashtu sikurse ata kanë të drejtë për të marrë pjesë në politikë”. Kjo është baza më e avancuar që një lider politik shqiptar, me një vizion të gjerë ka prurë në mesin e shoqërisë së sotme shqiptare, jo thjesht si politikë e për politikë, por për një mbështetje të gjerë masive dhe pse jo intelektuale. Kjo e projektuar dhe e zbatuar mirë sjell fitoren absolute.
Berati, Republika e re
Nga Agim Xh.Dëshnica
Berati, qyteti liridashës i atdhetarëve të Pavarësisë kombëtare, si Jorgji Bab Dud Karbunara, Ilias Vrioni, Sami Vrioni, Dhimitër Tutulani, Ferit Vokopola, krenohet me bukurinë e lashtë mbi hapësirën e madhërishme, të maleve përqark. Në lindje Tomori mbi re, me kreshtën e shtrirë nën borë, nga shfaqet dielli në çdo mëngjes. Mali i Drobonikut me lagjen “Goricë” në hije e dritë, mbi Osum përballë mureve të Kalasë me Mangalemin pranë, ndërsa Shpiragu nën qiell nga perëndon me Qafën e Sinjës në mjegullnajë.
Berati sado i përgjakur dhe i goditur pabesisht nga arma vrastare e kazma e dhunshme e sundimtarëve komunistë, mbeti gjallë, muze i rrallë, me këngë e legjenda, monument kulture, lashtësi, histori që flet.
Kalaja e piktorëve shërbestarë të fesë, e banuar në shekuj, si askund, ruante Kodikët e Beratit, Kishën e Shën Triadhës me ikonat e Onufrit, Kishën e Shën Vllahermës, Katedralen e Shën Mërisë me afresket e ikonostasin plot art; Xhaminë e Hunqarit dhe Xhaminë e Kuqe me gjysmë minaren, me vjetëri qindra vjeçare. Mbron brenda mureve e kullave iliriane, nga furia e erërave të largët, shtëpitë me dritaret varg, çardakët nën strehët e gjera çatish, oborret e kopshtet, sokakët e sheshet e gurtë, historinë 2400-vjeçare. Nga Kulla Ali Pasha, në jugperëndim, zbret nëpër humnerë, një shkallare e mbuluar që përdorej për ujë në lumë.
Nën humnera e shpella, mbahet fort faqe shkëmbi Mangalemi- mrekulli, krijim i mjeshtrave artistë, me shtëpitë sup më sup, me vargje dritaresh, kopshte e oborre, mure e porta dhe sokakët, njëri sipër tjetrit. Si e varur në kep të shkëmbit, duket në kaltërsi Kisha e Shën Mëhillit. Poshtë kalon rruga kryesore e makinave e mbuluar me asfalt, nga hyrja veriore e qytetit, shumë kohë më parë. Në sheshin, ku ndodhet busti i Bab Dud Karbunarës, rruga ndahet në tri degë. E para, merr djathtas afër lumit e humbet larg. E dyta, pasi kalon para Xhamisë së Beqarëve, merr majtas, thuhej “ku dridhen qerret”, rreth Sarajeve të Pashallarëve, vepër madhështore monumentale e dënuar me shkatërrim nga sekretarët e krisur. Më larg të mbijetuara pas “revolucionit kulturor”, rreshtohen Xhamia Mbret, me tavanet e piktorëve- mjeshtra të panjohur, Teqeja e Helvetive- larushi ngjyrash, Xhamia e Plumbit me katër kupola gri. Xhamia e Telelkave. Mbi hotel Tomorin ngrihet madhështor Universiteti i Beratit, vepër arti e demokratit Astrit Veliaj, nga kanë dalë mijëra studentë, tani për habi, mbyllur me urdhër nga zyrtarët social-komunistë. E treta, rruga kryesore e qytetit historik, e tjetërsuar në “pedonale”, mbuluar nga “Rilindësit” hokatarë me plloça guri. Përbri zgjatet parku i krijuar para viteve ‘90, pas shembjeve barbare të një vargu dyqanesh pranë Osumit, tok me Hotel Kolombon, ndërtesë neoklasike, me pamje nga Kalaja. Në “pedonale” ndalohet kalimi i makinës si më parë. Duhet ta lësh diku larg, kushedi se ku, pastaj të ecësh më këmbë, nën erë, shi e borë, për në dyqane apo kafe, tek berberi ose me dhembje të mprehta me vrap tek ndonjë klinikë dentare. Me makinë gjobitesh nga Policia Rrugore, sepse çahen gurët e malit. Veçse, vërshimi i ujërave nga shiu, përrenjtë dhe lumi, nuk pyet, as gurët, as gjobëvënësit, as kryetarin e bashkisë nga Mjeshova, që ndërron parti e sekte fetare, mandej me shirit të kuq në sup e gjoks, shoqëron Peleshët për inaugurimin e shkatërrimit të qendrës së Beratit e të historisë së tij.
Pazaret e paharruar të tregtarëve në qendër të qytetit, Bezisteni, Kulla e Sahatit, punishtet, kafetë, pijetoret, heshtin nën themelet e pallateve me betone tulla socialiste. Ndërtesa e Prefekturës, përmendore historike tok me rrethimin, pajtonet me kuaj dhe lundra, shihen vetëm në foto. Emërtimet me vlerë për historinë e turizmin, janë fshirë nga dokumentet zyrtare, por aspak nga kujtesa e qytetarëve, si, “Lëmi i Shamatasë, Lëmi i Plykut, Ku dridhen Qerret, Rasa Çekbeni, Shpella e Memecit, Hani i Fëshfërimës, Hani i Shpiragut, Tregu i Kazanxhinjve, Zarizana, Pellgu te Trarët, ingjiri i Hafëz Rizait” etj. Këta emra romantikë, tashmë shkruhen nga studiuesit, me foljen në kohën e shkuar, ishte, ishin, kishin- humbje e pazëvendësueshme vlerash turistike.
Ura me shtatë harqe mbi Osum, ku sipas legjendës, prehet vasha e flijuar, bashkon fuqishëm bregun e rrapeve me lagjen Goricë me shtëpitë e fshehura faqemali, në hije e në pyll. Një kishë, zbardh në qendër, me kambanoren ndërmjet selvive. E dyta, në këndin lindor, ku merr përpjetë rruga, e njohur gjatë luftës, për në Drobonik. Pas ndreqjeve të zakonshme, papritur gjatë përurimit, shfaqet mbi urë, edhe Kryeministri rilindës, sikur e tëra qe ndërtuar për herë të parë, jo me florinjtë e Kurt Pashës më 1778, por me eurot e Saimirit të drogës. Nuk është aspak çudi se rilindësi ynë me ato origjina marramendëse, mund të jetë stërnip i Pashës. Në një takim me barsoleta ka pohuar se është, edhe nga Berati, jo nip bariu nga Mbreshtani i Shpiragut, siç thotë dikush nga fshati.
Lagjia “Murat Çelepi” më e gjelbëruara e qytetit, me Parkun e Madh të vitit 1930, rreth e qark plot me lule, me shtëpitë e bahçetë përrallore mbi brigjet e lumit, e masakruar nga kazma e qysqia e kuqe, tashmë jeton nëpër kujtime. Vetëm natën dëgjohet uturima e trishtuar e rrjedhës së Osumit dhe jehona e largët e krismave të vrasjes së poetit të lirisë Namik Mehqemeja dhe e shpëtimtarit Kostaq Stefa, të ekipit mjekësor amerikan. Ndërmjet prishjeve vandale renditen, Xhamia e Dylibegës në hyrje të qytetit nga niseshin besimtarët pas faljes për haxhillëk në Mekë. Sot në atë vend të shenjtë, ngrihet përpjetë gryka e një mitrolozi. Edhe Xhamia e Çelebi Hysen Pashës, e motit 1663, u kthye në depo, ndërsa Kulla e lartë e Sahatit me çezmën e ujin, u shemb rrafsh me tokën. Më tej, Shkolla Qytetëse, ndërtesë neoklasike, tek kalonte e ndalej pak më larg, Felbani austro-hungarez i hekurudhës Shkodër–Berat, sokakët e mbrojtur nga era, të pastër dritë, tok me çezmat, shtëpitë e bardha dykatëshe beratase, muret e portat me hark të lartë, oborret e puset, bahçetë e çikrikët e vaditjes me ujë nga rema, të gjitha u fshinë barbarisht nga faqja e dheut, me urdhër partie dhe me vendimin e vulën- gjak të Pushtetit Popullor. Gjithsesi Berati, ky qytet legjendar i trashëguar nga breza atdhetarësh, ky qytet dashamirës i demokracisë, sado i dhunuar nga sundimtarët komunistë, mundi t’i shpëtonte, pak a shumë, vlerat e veta.
Ndërkohë “Rilindësit” socialistë, pas qindra premtimeve, nuk kryen asnjë punë serioze për mirëqenien e qytetarëve dhe mirëmbajtjen e qytetit-muze, se paratë e taksapaguesve dhe të fondacioneve amerikane, u shpërdoruan për prishje rrugësh historike nga ata, që dukeshin e papritur zhdukeshin. Kanabisi i fshehur dhe paratë e pista nga shitja, janë në kasafortat e Rehovicave dhe e Klosëve të drogës me të cilat blejnë vota dhe deputetë pa dinjitet, të cilët ndërrojnë parti, sipas stilit ngjelian. Të lidhur me krerët, bijë kuadrosh të një kohe dhune që orvaten ta marrin në duart e tyre, qytetin më të bukur të Shqipërisë, vetëm për argëtim. Në çdo fundjavë mbërrinin zhurmshëm, jo për hallet e qytetarëve, por për dreka e darkat e shijshme të Beratit. Më pas, papritur, fillonte shkallmimi i asfaltit, mbulimi me gurë i rrugës kryesore të qytetit dhe i kujtimeve të rinisë, larg zonës muzeale të qytetit magjik, në mijëvjeçarin e ri! Në një kohë, kur Berati nuk vuan aspak nga mungesa e gurëve, por nga problemet e pazgjidhura ekonomike.
Gjatë katër viteve, që shkuan këta pushtetarë gënjeshtarë, u tallën me shpërndarje kartash pa vlerë, me shpërdorim fondesh për “lungomare”, “pedonale” qesharake dhe shkretimin e shesheve historike, kur në shumë qytete vuajnë nga mungesa e punës, e parave, e ujit dhe e dritave. Mandej luajnë filmash me makete ishujsh mbi lumë, me tunele autobusësh e trenash nën lumë dhe nën brigjet shkëmbore të Beratit. Ndërkohë ura madhështore me beton mbi Osum e autostradës së qeverisë Berisha që përshkon krahun perëndimor të lagjes “Murat Çelepi”, pret rifillimin e punimeve të ndërprera më 2013, se “Rilindja” e bujshme është mekur, asnjë mendim, asnjë projekt, nuk ka për këto punë tepër të vështira për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me shumë vlera, për mirëqenien e qytetit e Qarkun e Beratit.
Autostradat ndërmjet qyteteve dhe rrugët përmes fshatrave, janë gjithçka, punësim, bujqësi, zejtari, art, muzeume, gjallërim i tregtisë, hoteleri, shkolla, kulturë, shëndetësi, festivale, ndërsa nxitja e fshehtë për kultivimin e kanabisit, shkatërrim i bujqësisë, pakësim i blegtorisë dhe i bletarisë, varfëri, rrezik jete.
Gjatë kohës së qeverisë demokratike u ndërtuan rrugë të shumta nga Veriu në Jug: Rruga e Kombit, autostrada Lushnjë-Fier, Levan-Vlorë dhe gjysma Levan-Tepelenë. Filluan punimet për hapjen e Rrugës së Arbrit, Kardhiq-Delvinë. U zgjerua autostrada Tiranë-Durrës, Tepelenë-Gjirokatër. Rreth Gjirokastrës u ndërtuan dhjetëra rrugë. Hapja e tunelit të Kërrabës shkurtoi rrugën Tiranë-Elbasan e më tej, zgjerimin drejt Librazhdit me sinjalistikë deri në hyrje të Pogradecit. Kjo gjendje krijoi mundësinë për vazhdimin drejt Beratit deri në urën e madhe mbi Osum. Projekti mesa kuptohej synonte daljen në Memaliaj dhe në Sarandë. Për t’u ardhur në ndihmë fshatrave në krahun e djathtë të Osumit u ndërtua rruga, e cila qarkoi malin e Shpiragut deri në fshatin Sinjë dhe lidhi atë zonë të thellë me qytetin e Beratit.
Përveç këtyre arritjeve, nuk duhen harruar anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, përpjekjet, në kundërshtim me opozitën social-komuniste, për plotësimin e kushteve, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, marrëveshja përfundimtare me TAP, për kalimin e tubacionit të gazit përmes Shqipërisë, rritja e pensioneve dhe e pagave, ulja e taksave etj. Por votat e gabuara, pas mashtrimit të madh të “Rilindjes” së gënjeshtarëve, frenuan ecjen më tej.
Në qytet e fshat, shpresojnë, se ditë më të mira do të vijnë me Republikën e re që do të krijohet nga Partia Demokratike me aleatët e saj, pas një ndërprerje katërvjeçare. Republika e re, do të shtojë vendet e punës, prodhimin, do të ulë taksat, çmimin e naftës. Do të japë para për fermerët dhe do të ndihmojë direkt familjet në nevojë ekonomike duke paguar faturën e energjisë dhe të ujit të pijshëm. Do të ketë kreditim më të mirë të ekonomisë.
Votat janë vullneti dhe shprehja e besimit ndaj një të ardhmeje më të sigurtë jetese për Beratin, me ndihmesën e kandidatëve të djathtë, si: Eduard Halimi, jurist e ligjvënës i shquar, Astrit Veliaj, jurist, ekonomist dhe administrator i njohur. Bujar Hoxha, ish-prefekt i Beratit. Myslim Haxhi, veprimtar i palodhur për probleme të administratës, Juvina Qevani, eksperte psikologe dhe Monika Qosja, mjeke e përkushtuar për probleme shëndetësore të qytetit.
Të gjithë në votime për Republikën e re, me Lulzim Bashën në krye, këtë udhëheqës energjik, i cili nga viti në vit, me ndershmërinë e punën e tij, ka fituar besimin e respektim e qytetarëve, shtypit shqiptar dhe zyrtarëve të lartë në Europë e SHBA.
Zoti e bekoftë Beratin! Zoti e bekoftë Shqipërinë!