12.6 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

A ka regjistrime të bisedave Trump-Comey?

Ligjvënës republikanë po i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë të publikojë regjistrimet e bisedave kryesore që kanë patur Presidenti Donald Trump me drejtorin e shkarkuar të FBI-së, James Comey, nëse ato eksiztojnë.
Në qoftë se ekzistojnë, kasetat me bisedat e regjistruara mund të sqarojnë çështjen nëse gjatë darkës në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt, zoti Trump i ka kërkuar zotit Comey, i cili në atë kohë drejtonte hetimin e FBI-së për mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale, të hiqte dorë nga hetimi ndaj këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.
Presidenti Trump e kishte shkarkuar zotin Flynn pasi doli se ai kishte gënjyer nënpresidentin Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington.
Në një dëshmi dramatike para ligjvënësve javën e kaluar, zoti Comey tha se kishte ndjerë se Presidenti Trump i kishte sugjeruar të mos e vazhdonte hetimin ndaj zotit Flynn.
Zoti Comey po ashtu dëshmoi se presidenti Trump i kishte kërkuar të tregonte besnikëri ndaj tij, gjë që ish-drejtori i FBI-së nuk pranoi ta bënte, si dhe të “largonte renë” e krijuar lidhur me hetimin ndaj ndërhyrjes ruse.
Ekspertët ligjorë thanë se rrjedhja e informacionit prej zotit Comey lidhur me bisedën që ai kishte patur më 14 shkurt me Presidentin, tek një mik i tij, i cili ia dha atë gazetës “The New York Times”, mund të mos ketë qenë diçka e paligjshme, pasi informacioni nuk ishte sekret.

Tabaku: Si u shpenzuan 8.1 miliard euro për shpenzime luksi dhe tendera për oligarkët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehet se qeveria e rilindjes e rriti borxhin publik në 8.1 miliard euro. Këto para, vijon Tabaku, u përdorën për “shpenzime luksi në vlerën e 256 mln euro (zyra, makina, rikonstruksione etj.,),  koncesione 470 mln euro, tendera për oligarkët pranë qeverisë 130 mln euro; fasadat e shesheve të qyteteve 400 mln euro”. Ajo shprehet se programi ekonomik i PD, është ajo që i duhet vendit. “Qeveria e rilindjes e rriti borxhin publik në 8.1 mld euro. Secili prej nesh sot ka një borxh shtesë prej 870 euro për të shlyer. Në një vend normal kjo rritje e borxhit do të shoqërohej me investime në infrastrukturë, me ujësjellës etj., por jo në qeverinë rilindase. Si u përdorën 1.8 mld euro borxh i shtuar? Shpenzime luksi në vlerën e 256 mln euro (zyra, makina, rikonstruksione etj.); koncesione 470 mln euro; tendera për oligarkët pranë qeverisë 130 mln euro; fasadat e shesheve të qyteteve 400 mln euro. Për katër vjet nuk pati asnjë shtesë page në sektorin publik, pensionistët nuk patën asnjë shtesë pensioni, ndërsa mbi 4000 familje u përjashtuan nga listat e ndihmës sociale dhe mbi 45% e popullsisë jeton me nën 5$/ditë. Partia Demokratike do të anulojë të gjitha koncesionet abuzive që nuk janë në interesin e shqiptarëve, do të drejtojë shpenzimet e qeverisë në infrastrukturën e lënë në mjerim nga rilindja. Borxhi publik nuk do të financojë asnjë shpenzim tjetër veç investimeve publike që ekonomia shqiptare të rritet. Do të ulim taksat për bizneset në 9%, si dhe TVSH-në në 15% për t’i dhënë shtysën e duhur sektorit privat, fuqizimin e konkurrueshmërisë, rritjen e pjesëmarrjes në një treg më të zhvilluar që do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, rrit investimet publike dhe ul borxhin publik. Do të rrisim pensionin për çdo qytetar duke e çuar atë në 250 mijë lekë për pensionistë, do të rishohim të gjitha politikat sociale të implementuara nga qeveria rilindase për t’i qëndruar sa më pranë qytetarëve në ndihmë dhe nevojë. Ekonomi tregu me komponent social. Kjo i duhet sot Shqipërisë”, shprehet Tabaku.

Comey, spiuni i “New York Times” në FBI

Vajza e Presidentit Trump, Ivanka, ka shpërthyer ndaj “ligësisë dhe keqdashësisë” kundër babait të saj.
Ajo tha se nuk e priste kurrë që njerëzit të tregoheshin kaq të ligj me babain e saj.
Në intervistën me shfaqjen televizive “Fox and Friends”, Ivanka tha se ajo kishte mbetur e shokuar nga keqdashësia e disa prej sulmeve të ngritura kundër presidentit.
Trump tha se ndihej “shumë e shokuar” nga dëshmia e fundit e ish-shefit të FBI-së, James Comey, në të cilën ai foli për lidhjet e dyshuara mes ekipit të Donald Trump dhe Moskës.
Ajo tha se dëshmia e saj mbështeste këmbënguljen e babait të saj se ai nuk ishte hetuar personalisht dhe se zoti Comey kishte publikuar materiale të klasifikuara në armikun mediatik të Presidentit Trump, gazetën “New York Times”.

Biznesi kërkon taksa të ulëta dhe ministri të vetën

Forumi i Sipërmarrjes shqiptare, pas konsultimeve të vazhdueshme me të gjitha organizatat e biznesit, ka hartuar një platformë ekonomike, e cila iu adresohet të gjitha forcave politike dhe ku përfaqësohen interesat e sipërmarrjes private në Shqipëri. Kjo platformë ekonomike, e propozuar nga Forumi i Sipërmarrjes shqiptare ka për synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të biznesit, që mbështetet në identifikimin dhe analizën e kapaciteteve, potencialeve dhe burimeve që ofron vendi. “Në respektim të plotë të rolit dhe peshës që ka sipërmarrja private në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe të detyrimit për ta përfaqësuar atë denjësisht në marrëdhëniet me forcat politike dhe qeverisjen, Forumi i Sipërmarrjes shqiptare (Dhomat e Tregtisë dhe Shoqata e Sipërmarrjes Private), pas konsultimit të gjerë e të vazhdueshëm me të gjithë organizatat e biznesit, ka hartuar një platformë ekonomike, që përfaqëson interesat e sipërmarrjes private në Shqipëri. Këtë platformë jua adresojmë të gjitha forcave politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit, në mënyrë që ta reflektojnë në programet e tyre ekonomike, gjatë fushatës elektorale. Platforma ekonomike, e propozuar nga Forumi i Sipërmarrjes shqiptare, ka si synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të biznesit, që mbështetet në identifikimin dhe analizën e kapaciteteve, potencialeve dhe burimeve që ofron vendi ynë. Hartimi i një strategjie të zhvillimit ekonomik të vendit për një periudhë 10-15-vjeçare, në konsultim të ngushtë me sipërmarrjen, bazuar në kapacitetet, potencialet dhe burimet që ofron vendi ynë. Kjo strategji, në përputhje me Strategjinë e Integrimit Europian të Shqipërisë, të jetë objekt i një diskutimi të gjerë me grupet e interesit dhe të miratohet me konsensus të gjerë politik në Kuvendin e Shqipërisë. Ky dokument strategjik afatgjatë duhet të pasqyrojë në brendësi linjat kryesore të zhvillimit të sipërmarrjes shqiptare, shtyllat ku do të bazohet, si dhe mekanizmin afatgjatë të implementimit të tij. Ky propozim vjen si një nevojë e domosdoshme që sipërmarrja ka për të qartësuar planet e saj për investimet afatgjata, por edhe si një reflektim mbi vlerësimet më të fundit të Bashkimit Europian ndaj zhvillimit të sipërmarrjes në tërësi në Shqipëri, pasi konstaton se në sektorin e industrisë dhe prodhimit janë kryer vetëm disa studime fizibiliteti, pa një objektiv të qartë se si do të zhvillohen e harmonizohen sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu, strategjia duhet të orientojë sipërmarrjen private me prioritetet e zhvillimit sektorial e rajonal. Ky model duhet të jetë në linjë me programin e Kombeve të Bashkuara që po aplikohet në mbarë botën në lidhje me “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ku edhe Shqipëria është bërë pjesë. Rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, është jetësore për sipërmarrjen private në mënyrë që të konkurrojë me sukses në tregun rajonal, evropian dhe atë global. Është e nevojshme të identifikohen sektorët më prioritarë, për të cilët duhen përgatitur menjëherë një sërë paketash lehtësuese me karakter ligjor, procedural, tatimor dhe tarifor”, thuhet në kërkesat e renditura nga përfaqësuesit e biznesit.

SHBA dënon dhunën ndaj protestuesve në Moskë

Në Rusi, policia ndaloi dje udhëheqësin e opozitës Alexei Navalny dhe dhjetëra mbështetës të tij gjatë protestave të antikorrupsionit në mbarë vendin që kishin në shënjestër Presidentin rus, Vladimir Putin dhe aleatët e tij.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara e dënojnë ndalimin e protestuesve të opozitës, si një shkelje e vlerave demokratike. “Shtetet e Bashkuara do ta ndjekin nga afër situatën dhe i bëjmë thirrje qeverisë ruse t’i lirojë menjëherë protestuesit paqësorë”, tha zëdhënësi.
Alexei Navalny, i cili ka deklaruar synimet e tij për të garuar kundër zotit Putin në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, u ndalua para shtëpisë së tij në Moskë pak para fillimit të protestave në Moskë, Shën Petersburg dhe qyteteve të tjera të vendit.
Sipas medias dhe grupeve për të drejtat e njeriut, policia ka ndaluar rreth 120 vetë në protestat e zhvilluara në kryeqytetin e vendit dhe më shumë se 130 të tjerë në Shën Petersburg. Më shumë se tre mijë njerëz protestuan në qytetin siberian të Novosiberskit, ndërkohë që janë zhvilluar protesta edhe në Soçi, Kranojarsk, Tomsk dhe Vladivostok.
Zyrtarët rusë i paralajmëruan protestuesit të shmangin “provokimet dhe veprimet e paligjshme”.
Alexei Navalny është një kritik i Presidentit rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë dhe zyrtarë të tjerë për korrupsion.

5330 ushtarë të NATO-s stërviten në Lituani

Rreth 5300 ushtarë nga dhjetë shtete të NATO-s kanë nisur një manovër të madhe ushtarake në Lituani. Me manovrën “Iron Wolf 2017” (Ujku i hekurt) do të verifikohet gatishmëria për mision e batalioneve të NATO-s të stacionuara në këtë shtet baltik. Këtë e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në Vilnius.
Njësia luftarake multinacionale për të forcuar krahun lindor të NATO-s dhe për ta frikësuar Rusinë drejtohen nga Forcat e Armatosura gjermane, Bundeswehr. Gjermaninë e mbështesin shtetet e Beneluksit dhe Norvegjia. Manovra që do të zgjasë deri më 23 qershor, sipas të dhënave të ushtrisë do të kryhet në tri rajone të Lituanisë.

“Boshllëku-Suvalki”- thembra e Akilit e krahut lindor të NATO-s
Krahas trupave të batalionit të NATO-s, në manovër marrin pjesë edhe ushtarë nga SHBA, Britania e Madhe, Polonia dhe Portugalia. Me këtë manovër synohet të ushtrohen misione të ndryshme dhe koordinimi midis njësive. Ushtarët stërviten edhe që të mbrojnë të ashtuquajturin “Boshllëk-Suvalki”, i cili konsiderohet si thembra e Akilit e krahut lindor të NATO-s. Me këtë kihet parasysh një brez toke me një gjatësi prej rreth 65 km midis Polonisë dhe Lituanisë – e kufizuar nga enklava ruse Kaliningrad në Perëndim dhe Bjellorusia në Lindje. Në një rast lufte, sipas mendimit të ekspertëve, Rusia mund të jetë në gjendje që ta mbyllë me trupat e saj zonën kufitare me të njëjtin emër në Verilindje të Polonisë.
Shtetet baltike janë të shqetësuara për sigurinë e tyre për shkak të vazhdimit të konfliktit të Ukrainës. Për ta frikësuar Rusinë, që prej vitit 2014 SHBA kanë zhvendosur atje me një sistem rotacioni trupa të tyre. Edhe NATO-ja e ka përforcuar praninë e saj.

Komandantët marrin bashkë komandën

Adelheid Feilcke

Ky është realiteti në Kosovë – të pëlqen apo nuk të pëlqen: nacionalist, radikal, i frustruar. Rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë tregojnë qartë gjendjen e shoqërisë, problemet e saj dhe se ç’duhet të ndërmerret urgjentisht. Një shumicë prej rreth 60 për qindësh heshti duke mos votuar, një popullsi e frustruar që i beson gjithnjë e më pak fuqisë transformuese të demokracisë dhe u beson gjithnjë e më pak elitave politike. Dhe ata që votojnë ua japin votën gjithnjë e më shumë partive me prirje nacionaliste, radikale. Potencial mobilizimi në Kosovë kanë strukturat e mirorganizuara, që janë gjithashtu qartësisht në anën e fituesve të zgjedhjeve: partitë dhe aleancat që kanë pak vullnet për kompromis.
Më qartë se kurrë ndonjëherë do të jenë ish-komandantët e UÇK-së që do të përcaktojnë tonin politik pas këtyre zgjedhjeve. Aleanca zgjedhore e të ashtuquajturave “parti të luftës” me kandidati kryesor Ramush Haradinaj fitoi 34 për qind të votave. Ai pritet të jetë kreu i ri i qeverisë. Me kryeministër Haradinajn dhe Hashim Thaçin si president pritet që dy postet më të larta në shtetin e ri të drejtohen nga ish-komandantë të UÇK-së.

Potencial lehtësisht i mobilizueshëm
Por kjo gjoja forcë nuk mund ta fshehë faktin se udhëheqësit e kësaj aleance elektorale mund të duhet të përgjigjen në të ardhmen në bankën e të akuzuarve të Gjykatës për Krimet e Luftës në Kosovë. Shpata e Demokleut e kësaj gjykate rëndon si plumb ndaj strukturave pasardhëse të UÇK-së. Nëse do të ngrihen akuza ndaj politikanëve të lartë, potenciali i mobilizimit i përdorur tani politikisht mund të përdoret shpejt për mitingje dhe shprehje të tjera solidariteti dhe trazira. Me aleancën e re të herojve të vjetër të luftës nuk mund të bëhet shaka, gjë që vërehet me të drejtë me shqetësim prej hetuesve ndërkombëtarë.

Dialogu me Serbinë edhe më i vështirë
I vështirë do të bëhet nën drejtimin e kryeministrit Haradinaj edhe dialogu tashmë tejet i mundimshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sidomos për përmirësimin e gjendjes për pakicën serbe. Beogradi kërkon ekstradimin e Haradinajt, i cili u ndalua së fundi për disa muaj në Colmar në Francë për shkak të një urdhërarresti nga Serbia. Beogradi e hedh për momentin kategorikisht poshtë një dialog të drejtpërdrejtë me të. Edhe në këtë drejtim do të duhet sërish ndërmjetësim ndërkombëtar. Dhe ndërmjetësve të Brukselit do t’u duhet përsëri të bëjnë shumë kompromise të kalbura me Beogradin dhe Prishtinën në favor të dialogut, kompromise që nuk janë të dobishme as për demokratizimin e Kosovës e as të Serbisë.
Por deri atëherë ka ende përpara një rrugë të gjatë, sepse fituesi i qartë i zgjedhjeve nuk do të jetë në gjendje që të formojë shpejt një koalicion. Për shkak se dy blloqet e tjera shqiptare, njëri prej të cilëve duhet të fitohet edhe thjesht matematikisht për koalicion, ngurrojnë. LDK-ja, ish-partia konservatore e qendrës të shoqërisë kosovare arriti të fitonte vetëm rreth 26 për qind të votave. Vitet e fundit, ajo ka qenë gjithmonë partnere në qeveritë e koalicionit me partitë pasardhëse të UÇK-së. Por këtë herë kjo do të jetë e vështirë për shkak se zgjedhjet e parakohshme u bënë të detyrueshme nga një përçarje e thellë mes partnerëve të koalicionit, ndër të tjera edhe për mosmarrëveshjen për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi.

Vetëvendosja si faktor
Fituesi i vërtetë dhe ai që jep drejtimin është blloku të tretë, Vetëvendosja, një parti opozitare radikale. Ish-lëvizja e protestës i ka dyfishuar votat e saj kundrejt vitit 2014. Ajo është partia e të rinjve, e rebelimit kundër establishmentit dhe ajo e refuzon një koalicion me fituesin e zgjedhjeve grupin PAN, sepse i konsideron udhëheqësit e tij tejet të korruptuar dhe kriminelë dhe do që ata të dënohen me burgim. Albin Kurti, themelues dhe udhëheqës i lartë i VV-së u shfaq për herë të parë në fushatën zgjedhore demonstratisht me kravatë për të bjerrë imazhin e radikalit turbullues në favor të një politikani shpresëbartës. Por pavarësisht kravatës ai vazhdon të jetë ujk me lëkurë qengji. Kërkesat e tij radikale përfshijnë edhe votim nga populli për praninë e misioneve ndërkombëtare dhe një bashkim të mundshëm me Shqipërinë, çështje që shkaktojnë shqetësim në rajon dhe arenën ndërkombëtare. Repertori i VV-së shkon nga bojkotimi deri te gazi lotsjellës në Parlament.
Me vetëbesim dhe entuziazëm Vetëvendosja dhe aleanca PAN festuan mbrëmë në rrugët e qyteteve të Kosovës rezultatet e zgjedhjeve. Këto dy blloqe do të përcaktojnë fatin e Kosovës në të ardhmen e afërt. Të gjitha partitë e tjera, përfshirë edhe ato të pakicave etnike, që duhet të jenë sipas Kushtetutës pjesëmarrëse në qeveri do të luajnë një rol të dorës së dytë.

Sfidat e bashkësisë ndërkombëtare
Sfidat ndaj politikës në Kosovë janë të mëdha: katalogu për afrimin e dëshiruar me zjarr me BE-në është i gjatë, objektivi i afërm liberalizimi i vizave edhe një mjedis funksionues pune. Bashkësia ndërkombëtare, që është në Kosovë me një mision ushtarak (KFOR) dhe një civil (EULEX), kërkon veçanërisht përparime lidhur me bashkëjetesën me minoritetin serb, dialogun me Beogradin, sqarimin e kufirit me Malin e Zi, luftimin e krimit. Por vitet e fundit ajo ka humbur shumë nga kredia dhe ndikimi i saj, pjesërisht edhe për shkak se perspektiva e BE-së dhe çështjet e hapura të statusit vazhdojnë të zvarriten. Grupimet PAN dhe VV e dinë shumë mirë këtë dhe mund të ndezin në këtë mënyrë në çdo kohë frustrimin dhe frikën e popullatës shumicë shqiptare. Fituesi i zgjedhjeve Haradinaj dhe Kurti mbajnë përgjegjësi qendrore që Kosova të vazhdojë rrugën e zhvillimit paqësor dhe demokratik.

Shoqëria civile mjedisore: PD e vetmja parti me një program të vërtetë

Shoqatat mjedisore dje kanë thirrur në një takim prezantues Departamentin e Mjedisit të Partisë Demokratike për t’u njohur me programin qeverisës të kësaj partie për mjedisin. Takimi është kërkuar si pjesë e një projekti që synon që publiku të njihet me programet e partive për mjedisin përpara se të votojë. Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Prof.Dr. Jamarbër Malltezi prezantoi programin me 26 pika që synon rehabilitimin e pikave të dobëta të sistemit të menaxhimit mjedisor, si edhe zhvillimin e qëndrueshëm. Përfaqësuesit e shoqatave mjedisore bënë shumë pyetje dhe e vlerësuan si ambicioz dhe të realizueshëm programin e opozitës për mjedisin. Drejtuesi i Ekolëvizjes dhe i rrjetit të shoqatave që vlerësojnë programet e partive, Xhemal Mato, deklaroi se ai u ka bërë ftesë të gjitha partive që marrin pjesë në zgjedhje që të paraqesin përpara grupeve të interesit programin për mjedisin, por të gjitha janë treguar indiferente. Kjo, sipas Matos, ndodh sepse mesa duket Partia Demokratike është e vetmja parti që ka një program të vërtetë për mjedisin.

Kush do ta krijojë qeverinë e re në Kosovë?

Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, të tretat me radhë që kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, është e qartë se as subjekti që kryeson nuk e ka mundësinë që të formojë qeverinë pa një koalicion me subjektet e tjera politike.
Kur janë numëruar 99.8 për qind të votave, koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ka fituar 33.98 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 27.12 për qind dhe koalicioni Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës, ka fituar 25.74 për qind të votave.
Dhe kjo ka shtuar pikëpyetjet se si mund të duket qeveria e re.
Diplomatët europerëndimorë po presin një proces të shpejtë të formimit të qeverisë për t’u përballur me sfidat që e presin vendin.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për zgjedhjet demokratike, theksoi se “votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar. Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik”, thuhet në një komunikatë të kësaj ambasade.
Komisioneri Evropian, Johanes Hahn, tha të hënën në Bruksel se është me rëndësi që të ngrihen shpejt institucionet pas zgjedhjeve në Kosovë.
“Mendoj se njerëzit ishin të qartë sa u përket zgjedhjeve të tyre dhe ne duhet të pranojmë partnerët, por është thelbësore që vendi dhe përfaqësuesit e tij të jenë të përkushtuar ndaj ardhmërisë evropiane dhe është përgjegjësi e udhëheqësve politikë që të formojnë sa më shpejt qeverinë”, tha zoti Hahn.
Por, ky proces nuk duket as i lehtë e as i shpejtë. Analisti, Ilir Ibrahimi, thotë së është e qartë që koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, do të marrë fillimisht mandatin për formimin e qeverisë.
“Duke u nisur nga rezultati që e kemi deri tani ky koalicion së bashku me minoritetet nuk do të arrijë t’i sigurojë 61 vota. Ndërkohë që kemi Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që pa minoritetet tani për tani, me aq sa janë numëruar deri tani i kanë 61 deputetë. Nëse nuk arrin që koalicioni i arritur nga Partia Demokratike të sigurojë numrat që të formojë qeverinë atëherë duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet t’i jepet një alternative tjetër, në këtë rast e kemi Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që nëse këta mund ta dëshmojnë se i kanë 61 vota atëherë presidenti duhet t’i mandatojë ata për të formuar qeverinë”, tha zoti Ibrahimi.
Ai thotë se në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës, vështirë se Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje të bashkohen me këtë koalicion, ndërsa situatën mund ta rëndojnë edhe debatet e brendshme në koalicionin e madh. Ai nuk e përjashton një krizë politike, mbase jo të ngjashme me atë të vitit 2014, kur kaluan gjashtë muaj deri në formimin e qeverisë.
“Një lloj krize do ta kemi gjithsesi sepse ky rezultat nuk e ka një fitues të qartë dhe sigurimi i votave nuk do të jetë shumë i lehtë. Tani kemi edhe zoti Thaçin në pozitën e presidentit, i cili është ish-kryetar i Partisë Demokratike dhe nuk po mund ta besoj që zoti Thaçi me shumë zemër do t’ia jepte mandatin zotit Kurti duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet që i kanë këta dy politikanë, por megjithatë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili është shumë i qartë, kemi një situatë politike, e cila është ndryshe nga 2014, vonesë do të ketë dhe nuk pres ndonjë qeveri para muajit gusht apo shtator, mirëpo nuk e pres një vonesë të tillë të cilën e kemi pasur në vitin 2014”, tha zoti Ibrahimi.
Sido që të duket një qeveri e re, ajo do të përballet me zotimet për zhvillim ekonomik, si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Por, sfidat më të rënda mbeten problemet e trashëguara siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shëngen dhe e fundit në proceset integruese.
Që nga shpallja e pavarësisë, asnjë qeveri nuk e ka përmbyllur mandatin e saj të plotë.

Këshilltari i Merkel: Të ikë Rama, jo populli

Këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski, vlerësoi dje programin ekonomik të Partisë Demokratike, si efikas, të realizueshëm e që do të vërë në lëvizje ekonominë shqiptare. Ky program, tha Falenski, funksionon çdo ditë në Gjermani, krijon vende pune dhe do të funksionojë edhe në Shqipëri. Deklaratat e këshilltarit të Angela Merkel, u bënë dje paradite gjatë një takimi të organizuar nga PD me qytetarë të Durrësit. “Qeveria Rama duhet të ikë dhe kjo është më e thjeshta dhe më e mira. Socialistët nuk mund të bëjnë ekonomi dhe nuk mund të menaxhojnë para. Kjo qeveri nuk ia ka arritur dhe nuk e ka bërë këtë. Partia Demokratike në bashkëpunim me Partinë Kristian-Demokratike gjermane dhe me Fondacionin ‘Kondard Adenauer’ ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë çdo ditë që ky program funksionon dhe çdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni më 25 qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Votoni për ndryshimin e qeverisë dhe do të hyni më shpejt në Europë”, tha Falenski. Pas Durrësit, këshilltari i lartë i kancelares Merkel, ka vijuar me turin e tij në Kavajë, në takimet me qytetarët të organizuara nga Partia Demokratike. Hans Joachim Falenski theksoi se programi i Lulzim Bashës është hartuar në bashkëpunim me CDU gjermane. Falenski e cilësoi tronditëse gjetjen e sondazhit më të fundit, që tregon se 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen. Është qeveria, që duhet të largohet, u shpreh ai. “Sipas një sondazhi tepër serioz, 56% e shqiptarëve duan të largohen për arsye ekonomike nga Shqipëria. Ata duan të largohen sepse nuk duan të durojnë më qeverinë e Ramës. Çfarë thirrje është kjo? Kjo do të thotë: Rama ti nuk e bën dot, jo! Nuk duhet të ikin njerëzit, por qeveria Rama duhet të ikë. Është e qartë që socialistët nuk mund të bëjnë ekonomi dhe nuk kanë marrëdhënie të mirë me paratë, as këtu, as në Gjermani. Partia Demokratike në bashkëpunim me ‘Konrad Adenauer’ dhe Partinë Kristian-Demokrate dhe Kristian-Sociale në Gjermani ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program do të mundësojë një ekonomi të fortë dhe vende të reja pune. Partia Kristian-Demokrate në Gjermani së bashku me Angela Merkel e vërteton çdo ditë se ky program funksionon sepse çdo ditë krijon vende të reja pune. Ky program ekonomik do të funksionojë edhe në Shqipëri dhe do t’ju çojë drejt suksesit. Për këtë arsye shkoni votoni në datën 25 qershor. U thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Ata duhet të zgjedhin Partinë Demokratike dhe aleatët e saj”, u shpreh Falenski.
Pas Kavajës, këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski u ndal pasdite në Elbasan. Falenski ka theksuar se programi i Lulzim Bashës është i besueshëm, konkret dhe i zbatueshëm. Ai tha se ky program është bërë në bashkëpunim me CDU-në gjermane. Falenski nënvizoi se ky program jep çdo ditë fryte në Gjermani, me rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Partia Demokratike në bashkëpunim me Fondacionin ‘Conrad Adenauer’ në Shqipëri dhe me Partinë Kristian-Demokrate dhe Kristian-Sociale në Gjermani kanë hartuar këtë program ekonomik për një të ardhme më të sigurt, për më shumë vende pune. Angela Merkel çdo ditë e vërteton në Gjermani që ky program funksionon sepse çdo ditë e më shumë krijohen vende pune. Prandaj ky program ekonomik do të funksionojë dhe do të krijojë vende pune. Zgjidhni më 25 qershor kandidatin tuaj Lulzim Basha dhe Partinë Demokratike dhe pastaj rruga për në Europë do të jetë më e shpejtë”, u shpreh këshilltari i lartë i Merkel, para qytetarëve të Elbasanit.