21.3 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

Kush do ta krijojë qeverinë e re në Kosovë?

Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, të tretat me radhë që kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, është e qartë se as subjekti që kryeson nuk e ka mundësinë që të formojë qeverinë pa një koalicion me subjektet e tjera politike.
Kur janë numëruar 99.8 për qind të votave, koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ka fituar 33.98 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 27.12 për qind dhe koalicioni Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës, ka fituar 25.74 për qind të votave.
Dhe kjo ka shtuar pikëpyetjet se si mund të duket qeveria e re.
Diplomatët europerëndimorë po presin një proces të shpejtë të formimit të qeverisë për t’u përballur me sfidat që e presin vendin.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për zgjedhjet demokratike, theksoi se “votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar. Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik”, thuhet në një komunikatë të kësaj ambasade.
Komisioneri Evropian, Johanes Hahn, tha të hënën në Bruksel se është me rëndësi që të ngrihen shpejt institucionet pas zgjedhjeve në Kosovë.
“Mendoj se njerëzit ishin të qartë sa u përket zgjedhjeve të tyre dhe ne duhet të pranojmë partnerët, por është thelbësore që vendi dhe përfaqësuesit e tij të jenë të përkushtuar ndaj ardhmërisë evropiane dhe është përgjegjësi e udhëheqësve politikë që të formojnë sa më shpejt qeverinë”, tha zoti Hahn.
Por, ky proces nuk duket as i lehtë e as i shpejtë. Analisti, Ilir Ibrahimi, thotë së është e qartë që koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, do të marrë fillimisht mandatin për formimin e qeverisë.
“Duke u nisur nga rezultati që e kemi deri tani ky koalicion së bashku me minoritetet nuk do të arrijë t’i sigurojë 61 vota. Ndërkohë që kemi Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që pa minoritetet tani për tani, me aq sa janë numëruar deri tani i kanë 61 deputetë. Nëse nuk arrin që koalicioni i arritur nga Partia Demokratike të sigurojë numrat që të formojë qeverinë atëherë duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet t’i jepet një alternative tjetër, në këtë rast e kemi Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që nëse këta mund ta dëshmojnë se i kanë 61 vota atëherë presidenti duhet t’i mandatojë ata për të formuar qeverinë”, tha zoti Ibrahimi.
Ai thotë se në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës, vështirë se Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje të bashkohen me këtë koalicion, ndërsa situatën mund ta rëndojnë edhe debatet e brendshme në koalicionin e madh. Ai nuk e përjashton një krizë politike, mbase jo të ngjashme me atë të vitit 2014, kur kaluan gjashtë muaj deri në formimin e qeverisë.
“Një lloj krize do ta kemi gjithsesi sepse ky rezultat nuk e ka një fitues të qartë dhe sigurimi i votave nuk do të jetë shumë i lehtë. Tani kemi edhe zoti Thaçin në pozitën e presidentit, i cili është ish-kryetar i Partisë Demokratike dhe nuk po mund ta besoj që zoti Thaçi me shumë zemër do t’ia jepte mandatin zotit Kurti duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet që i kanë këta dy politikanë, por megjithatë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili është shumë i qartë, kemi një situatë politike, e cila është ndryshe nga 2014, vonesë do të ketë dhe nuk pres ndonjë qeveri para muajit gusht apo shtator, mirëpo nuk e pres një vonesë të tillë të cilën e kemi pasur në vitin 2014”, tha zoti Ibrahimi.
Sido që të duket një qeveri e re, ajo do të përballet me zotimet për zhvillim ekonomik, si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Por, sfidat më të rënda mbeten problemet e trashëguara siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shëngen dhe e fundit në proceset integruese.
Që nga shpallja e pavarësisë, asnjë qeveri nuk e ka përmbyllur mandatin e saj të plotë.

Këshilltari i Merkel: Të ikë Rama, jo populli

Këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski, vlerësoi dje programin ekonomik të Partisë Demokratike, si efikas, të realizueshëm e që do të vërë në lëvizje ekonominë shqiptare. Ky program, tha Falenski, funksionon çdo ditë në Gjermani, krijon vende pune dhe do të funksionojë edhe në Shqipëri. Deklaratat e këshilltarit të Angela Merkel, u bënë dje paradite gjatë një takimi të organizuar nga PD me qytetarë të Durrësit. “Qeveria Rama duhet të ikë dhe kjo është më e thjeshta dhe më e mira. Socialistët nuk mund të bëjnë ekonomi dhe nuk mund të menaxhojnë para. Kjo qeveri nuk ia ka arritur dhe nuk e ka bërë këtë. Partia Demokratike në bashkëpunim me Partinë Kristian-Demokratike gjermane dhe me Fondacionin ‘Kondard Adenauer’ ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë çdo ditë që ky program funksionon dhe çdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni më 25 qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Votoni për ndryshimin e qeverisë dhe do të hyni më shpejt në Europë”, tha Falenski. Pas Durrësit, këshilltari i lartë i kancelares Merkel, ka vijuar me turin e tij në Kavajë, në takimet me qytetarët të organizuara nga Partia Demokratike. Hans Joachim Falenski theksoi se programi i Lulzim Bashës është hartuar në bashkëpunim me CDU gjermane. Falenski e cilësoi tronditëse gjetjen e sondazhit më të fundit, që tregon se 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen. Është qeveria, që duhet të largohet, u shpreh ai. “Sipas një sondazhi tepër serioz, 56% e shqiptarëve duan të largohen për arsye ekonomike nga Shqipëria. Ata duan të largohen sepse nuk duan të durojnë më qeverinë e Ramës. Çfarë thirrje është kjo? Kjo do të thotë: Rama ti nuk e bën dot, jo! Nuk duhet të ikin njerëzit, por qeveria Rama duhet të ikë. Është e qartë që socialistët nuk mund të bëjnë ekonomi dhe nuk kanë marrëdhënie të mirë me paratë, as këtu, as në Gjermani. Partia Demokratike në bashkëpunim me ‘Konrad Adenauer’ dhe Partinë Kristian-Demokrate dhe Kristian-Sociale në Gjermani ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program do të mundësojë një ekonomi të fortë dhe vende të reja pune. Partia Kristian-Demokrate në Gjermani së bashku me Angela Merkel e vërteton çdo ditë se ky program funksionon sepse çdo ditë krijon vende të reja pune. Ky program ekonomik do të funksionojë edhe në Shqipëri dhe do t’ju çojë drejt suksesit. Për këtë arsye shkoni votoni në datën 25 qershor. U thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Ata duhet të zgjedhin Partinë Demokratike dhe aleatët e saj”, u shpreh Falenski.
Pas Kavajës, këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski u ndal pasdite në Elbasan. Falenski ka theksuar se programi i Lulzim Bashës është i besueshëm, konkret dhe i zbatueshëm. Ai tha se ky program është bërë në bashkëpunim me CDU-në gjermane. Falenski nënvizoi se ky program jep çdo ditë fryte në Gjermani, me rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Partia Demokratike në bashkëpunim me Fondacionin ‘Conrad Adenauer’ në Shqipëri dhe me Partinë Kristian-Demokrate dhe Kristian-Sociale në Gjermani kanë hartuar këtë program ekonomik për një të ardhme më të sigurt, për më shumë vende pune. Angela Merkel çdo ditë e vërteton në Gjermani që ky program funksionon sepse çdo ditë e më shumë krijohen vende pune. Prandaj ky program ekonomik do të funksionojë dhe do të krijojë vende pune. Zgjidhni më 25 qershor kandidatin tuaj Lulzim Basha dhe Partinë Demokratike dhe pastaj rruga për në Europë do të jetë më e shpejtë”, u shpreh këshilltari i lartë i Merkel, para qytetarëve të Elbasanit.

Asensio rinovon kontratën me Realin

Marco Asensio do të luajë në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2023. Ditëve të ardhshme Real Madridi do të bëjë zyrtare rinovimin e kontratës me talentin spanjoll, i cili do të ketë klauzolë lirimi 350 milionë euro, kështu shkruan e përditshmja spanjolle “Marca”. Asensio ka shkëlqyer që në sezonin e parë me Real Madridin, duke tejkaluar pritshmërit e Los Blancos.
21-vjeçari ka shënuar në çdo kompeticion për Realin në sezonin që lamë pas. Ai realizoi edhe në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit, duke u bërë lojtari më i ri i Realit që shënon në një finale. “Marca” shkruan se Reali nuk e ka me ngut rinovimin, pasi Asensio ka kontratë deri në vitin 2022, por do ta bëjë një gjë të tillë vetëm për të futur klauzolën prej 350 milionë eurove.
Asensio, që shihet si talenti më premtues në Spanjë, u transferua te Reali në dhjetor të vitit 2014 nga Mallorca për 3.9 milionë euro, i cili qëndroi në formë huazimi te kjo skuadër e më pas edhe te Espanyol deri në vitin 2016, kur u kthye për të impresionuar botën me talentin e tij.
Është vetëm 21-vjeçar, por tashmë Zinedine Zidane i beson plotësisht talentit spanjoll, të cilin e ka inkuadruar në çdo ndeshje të rëndësishme të këtij sezoni. Asensio, i cili e përfundoi sezonin me 10 gola në 38 paraqitje, shihet si e ardhmja e Real Madridit dhe Spanjës.
Ndërkohë, Odegaard do të qëndrojë edhe për një vit në Heerenveen, për t’u rritur më shumë si lojtar – derisa beson se edhe më tej ka mbështetjen e klubit. Martin Odegaard beson se Real Madridi edhe më tej ka besim te ai, pavarësisht se ka dështuar të impresionojë në Holandë te Heerenveen.
18-vjeçari Odegaard iu bashkua skuadrës së Heerenveen në formë huazimi për 18 muaj në janar të këtij viti, i cili ka shënuar vetëm një gol në 16 paraqitje në Ligë. Mosparaqitjet e mira të norvegjezit rritën spekulimet se mund të kthehet në Madrid më herët, por 18-vjeçari pret të kalojë një tjetër sezon në formë huazimi te Heerenveen. “Kam pasur mundësinë të stërvitem me më të mirët e botës dhe klubi ende ka besim te unë”, tha Odegaard për televizionin norvegjez “TV 2”.
“Ata kanë thënë se do të më monitorojnë se si po shkon progresi im dhe se do të vrazhdojnë të investojnë. Nuk kam folur me Zidanen, por rregullisht flas me shefin e skautëve”, shtoi ai.

Largohet De Biasi!

Pas pesë vjetësh e gjysmë, aventura e Gianni de Biasit me Shqipërinë erdhi në fund. Në konferencën për shtyp të kësaj të marte, trajneri hoqi çdo dyshim mbi të ardhmen e tij duke e bërë të qartë vendimin e largimin e tij. “Jeta është çështje cikli, ka një fillim, ka dhe një fund dhe vjen një moment kur dikush duhet të zgjedhë rrugën e tij. Nuk është çështje financiare, është thjesht çështje cikli. Unë për sa kohë do të jem këtu do të jap 110 për qind dhe s’ma heq askush dëshirën për të punuar dhe për t’u përfshirë në çështjen shqiptare. Gjithsesi nuk e di nëse do të jem në ndeshjen e ardhshme”, u shpreh De Biasi.
Fitoren ndaj Izraelit De Biasi e cilësoi dhe si një fitore ndaj atyre që i kishin përgatitur funeralin. “Fitorja me Izraelin ishte diçka shumë e bukur dhe lojtarëve ia bëra të ditur dhe pas ndeshjes që më në fund arritëm të largonim ato 3 centimetra pluhur nga mendja që na bllokonte dhe isha i lumtur sepse prej kohësh klima që ekzistonte para ndeshjes më la një shije të keqe. Unë ia kam thënë dhe lojtarëve, forca juaj është grupi. Nëse humbisni besimin dhe mbështetjen për njëri-tjetrin atëherë gjithçka e mirë që kemi bërë do të humbasë. Pas ndeshjes me Luksemburgun e kisha lakun në fyt dhe doja të largohesha, por vendosa të luftoj dhe në 5-6 ditë punova psikologjikisht me lojtarët, duke biseduar shumë me ta, madje dhe duke u hakërryer. U përpoqa t’i motivoja të gjithë dhe të fusja në marsh këtë makinë që nuk donte të ecte”, tha ai.
Gjithsesi De Biasi e bëri të qartë se nuk ka asnjë krizë me presidentin Duka, madje ai është ndër personat që vlerëson më tepër. “Nuk ka asnjë krizë mes meje dhe presidentit. Pas ndeshjes me Izraelin disa nga ju më bënë varrimin, pasi kishim 5 humbje radhazi. Janë disa situata në jetë ku secili duhet të ndjejë besimin dhe konsideratën. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me Dukën, edhe jashtë fushës është person shumë i mirë. Aspekti personal dhe human shkojnë bashkë, në aspektin human janë bërë disa gabime të pafalshme. Besoj që nëse Federata e donte Gianni de Biasin do të fliste më parë dhe jo tani, sepse nuk funksionon kështu. Kur humbasim jam unë fajtori, kur fitojmë fitojnë lojtarët, futbollistët e të tjerët. Gjërat nuk duhet të funksionojnë në këtë mënyrë”, tha De Biasi.
Gjithsesi në fund, De Biasi e cilësoi rrugëtimin e tij me Shqipërinë si më të bukurin e karrierës së tij. “Përvoja më e bukur e jetës sime, sepse takova njerëz fantastikë dhe krijova një ide të bukur mbi shqiptarët. Për fat të keq ka paragjykime për shqiptarët, por zbulova diçka tjetër. Në aspektin e punës ishte diçka shumë e bukur sepse arritëm një rezultat të jashtëzakonshëm dhe pata një përvojë ndërkombëtare. Gjithashtu u ndjeva shumë krenar kur mora nënshtetësinë sepse u ndjeva pjesë e juaja. Pavarësisht këtij debati të fundit të pesë humbjeve radhazi, besoj se kemi bërë gjëra të mirë dhe mos harrojmë që kemi qenë deri në vendin e 22-të në FIFA dhe nuk besoj se kjo do të përsëritet shumë shpejt”, përfundoi De Biasi.

Bajern, ofertë 25 milionë euro për Alexis Sanchez

25 milionë euro në vit për të bindur Alexis Sanches që të braktisë Arsenalin për t’iu bashkuar Bayernit të Mynihut. Një shifër monstruoze e papaguar më parë nga një klub gjerman, por pas eliminimit në katër sezone radhazi në Champions, tre herë në gjysmëfinale dhe në një rast në çerekfinale, te kampionët e Bundesligës zgjidhjen e shohin vetëm duke shpenzuar shifra të tilla të padëgjuara më parë.
Futbolli gjerman është rritur shumë gjatë sezoneve të fundit, falë investimeve në sektorin e të rinjve, por ka ardhur momentin për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm për të fituar edhe në Europë në nivel klubesh.
Sikurse raporton “Kicker”, bavarezët kanë vendosur t’i ofrojnë 25 milionë euro në sezon kilianit që të ushtrojë presion për t’u larguar nga Topçinjtë. Një pagë e tillë është shumë lartë, aq më tepër në Gjermani. Te Bayerni për momentin më i paguari është Robert Lewandowski me 15 milionë euro në sezon.
Wenger në fakt është shprehur se nuk ka ndërmend ta shesë Sanchezin, edhe nëse do ta humbiste me parametër zero në verë të 2018-ës.
Te Bayerni paratë për të ndërhyrë në merkato nuk janë problem, pasi klubi arkëton rreth 600 milionë euro në vit. Në fakt në Gjermani janë shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për blerjen e futbollistëve. Transferimet më të shtrenjta në Bundesligë jo rastësisht i ka bërë Bayerni, që shpenzoi 40 milionë euro për Javi Martinezin dhe 37 milionë për Arturo Vidal.

Ditë vendimtare për Gabriel Paletta te Milani

MILAN, ITALY - AUGUST 21: Gabriel Paletta of AC Milan in action during the Serie A match between AC Milan and FC Torino at Stadio Giuseppe Meazza on August 21, 2016 in Milan, Italy. (Photo by Marco Luzzani/Getty Images)

Sipas mediave italiane, agjenti i lojtarit ka zbarkuar në Itali për të diskutuar me drejtuesit kuqezi për 31-vjeçarin. Mes palëve është planifikuar një takim ditën e enjte. Pas ardhjes së Musacchio, mbrojtësi italo-argjentias pritet të ndryshojë ekip, pasi vështirë se do të ketë në dispozicion minutat e dëshiruara.

E ardhmja e Luis Muriel pranë Lazios

Pavarësisht interesimit të klubeve nga Anglia si Swansea, Leicester e West Ham, lojtari i Sampdorias ka vendosur të qëndrojë në Serie A, me bardhekaltërit që duket destinacioni më i preferuar i 26-vjeçarit. Prej kohësh presidentët e të dy klubeve, Ferrero e Lotito janë në bisedime për finalizimin e transferimit të kolumbianit.

Fushata, pezullohen pesë drejtues të lartë ministrie

Monitorimi i rreptë i fushatës elektorale dhe pjesëmarrjes së nëpunësve të administratës publike ka çuar dje në pezullimin e pesë drejtuesve të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Mirëqenies Sociale. Motivi ka qenë përfshirja e tyre në takime elektorale gjatë orarit të punës. Dje, ministrja teknike e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina kërkoi pezullimin nga detyra të sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Plarent Ndreca. “Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore 2017, ka urdhëruar sot pezullimin e menjëhershëm nga detyra të sekretarit të MAS, z. Plarent Ndreca deri në përfundim të hetimeve të filluara nga organi i akuzës”, thuhet në njoftim. Kërkesa për pezullim vjen pas kallëzimit në Prokurori ndaj Ndrecës, të cilin ministrja Karabina e akuzon për shkelje të rënda ligjore të tij gjatë procesit të Maturës Shtetërore. Nga ana tjetër, ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha ka firmosur shkresat për kallëzim penal ndaj drejtuesve të disa institucioneve në rrethe, të cilët kanë marrë pjesë në fushatën elektorale gjatë orarit të punës. Me anë të një njoftimi bëhet me dije se në Prokurorinë e Tiranës është kallëzuar Marisa Kaçori, me funksion drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Tiranë. Po kështu, me anë të një shkrese të posaçme është informuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan mbi përfshirjen në fushatë të z. Ervis Xhelo me funksion drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Elbasan. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës është informuar mbi përfshirjen në fushatë të z. Gent Halili, me funksion drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Kukës. Gjithashtu, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë është informuar mbi përfshirjen në fushatë të znj. Luiza Qipo, me funksion përgjegjëse e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, Ersekë. Për të katërta rastet e lartpërmendura, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka vënë në dispozicion të Prokurorisë provat e depozituara që vërtetojnë pjesëmarrjen aktive në fushatën zgjedhore. Në shkresat e dërguara prokurorive të rrethit Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Kukës, “është nënvizuar pozicioni drejtues i personave të lartpërmendur, për të cilët krijohet dyshimi i arsyeshëm për keqpërdorimin e burimeve njerëzore, si dhe të ndikimit të drejtpërdrejtë apo indirekt tek banorët e këtyre qyteteve që përfitojnë shërbime nga këto institucione apo punonjësve të administratës, duke tjetërsuar vullnetin e votës së lirë në favor të një subjekti të caktuar elektoral”.

Kullat e reja në qendrën e Tiranës

Megjithë miratimin e një masterplani të ri për Tiranën hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, i cili u miratua më 4 prill nga Këshilli Kombëtar i Territorit, duket se kryetari Erion Veliaj do të vazhdojë zbatimin e të ashtuquajturit “Plani francez”, masterplani i parë i Tiranës i hartuar në periudhën e ish-kryebashkiakut Edi Rama.
Në një rrëfim për Blendi Salajn, tek “Peshku pa ujë”, arkitekti i studios “51N4E”, Johan Anrys konfirmoi se disa kulla do të ndërtohen rreth Sheshit Skënderbej.
“Johan Anrys i firmës ‘51N4E’ është gjithashtu njëri ndër autorët e kullës TID që njihet ndryshe si Hotel Plaza. Kulla TID i dha famë firmës së vogël belge, ishte puna e tyre e parë e madhe. Tani ata do të projektojnë edhe një kullë pas Sahatit, në një zonë deri tani të lënë pa shfrytëzuar. Anrys ka vetëm një peng: kulla e re do të mbulojë pjesërisht kullën TID, Hotel Plazën, për ata që e shohin nga sheshi. Por do të mbulojë plotësisht Torre Drinin, që është gjë e mirë. Kjo pas Sahatit nuk do të jetë e vetmja kullë e re. I gjithë sheshi do të rrethohet me kulla. Njëra menjëherë pas Hotel Tiranës, do ta bëjë këtë të duket e vogël. Një tjetër do të ngrihet ‘tek reklamat’ midis Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Bulevardi i ri dhe Tirana Policentrike po vijnë, por edhe Sheshi Skënderbej po bëhet blind me kulla të larta. Në 100 metra ecje mund të shkosh nga xhamia otomane tek arkitektura fashiste dhe ajo socialiste, e gjitha nën vështrimin e qiellgërvishtëve modernë”.
Intervista e Blendi Salajt njofton kështu tri kulla të reja: njëra pas Hotel Tirana International, një në mes Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës dhe një pas Sahatit. Asgjë nuk është bërë zyrtarisht publike për këto projekte, as nuk është e qartë nëse Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar ndonjë nga këto projekte pasi këshilli – në kundërshtim me ligjin – nuk ka publikuar asnjë vendim në faqen e saj të internetit që nga 14 prilli.
Kulla prapa Hotel Tiranës është miratuar mesa duket më 14 prill nga KKT-ja, megjithëse në faqen e saj zyrtare vendimi nuk është askund. Kulla do të jetë 111 metra e gjatë dhe sipas renderit, në ngjyrë të artë/ të verdhë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Gazeta Shqiptare” aplikimi për leje ndërtimi është bërë nga Alban Eftimi, pronar i studios “Atelie 4”, studioja kryesore me të cilën punon Kryeministri Rama dje si kryebashkiak dhe sot si kryeministër.
Kulla në mes Rrugës së Kavajës dhe Durrësit quhet “Sytë e Tiranës” dhe është rezultat i një konkursi arkitekturor të bërë në vitin 2003, ku fitues u shpall kompania daneze “Arkitektët Henning Karsen”.
Sipas projektit, ndërtesa do të ketë:
“Banesa, zyra dhe dyqane që arrijnë në 55 mijë metra katrorë në një kullë 26 katëshe. E vendosur në qendër të qytetit, ndërtesa do të jetë rezultati i parë i dukshëm i një masterplani ambicioz  për Tiranën”.
Masterplani ambicioz është Plani Francez, për të cilin do të flasim më poshtë.
Kulla Sytë e Tiranës do të ndërtohet nga “Edil Al-It”, që parashikohet të fillojë punimet në vitin 2018. “Edil Al-It”, në pronësi të vëllezërve Dulaku, miq të afërt të kryeministrit Rama, kanë fituar kohët e fundit dhe rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Vëllezërit Dulaku janë dhe pronarë të televizionit “Vizion Plus”.
Kompania “Edil Al-It” ka ngritur një padi ndaj gazetarit e regjisorit Artan Rama, kontribues i “Exit.al”, që kohët e fundit fitoi dhe një çmim nga Bashkimi Evropian për investigimet e tij.
Për kullën e tretë, atë pas Sahatit, nuk dihet asgjë. Ajo sipërfaqe ka mbetur e pashfrytëzuar për vite me radhë, ndoshta dhe për shkak të çështjeve të pronësisë. Blloku i apartamenteve pranë tij është me rëndësi të veçantë arkitektonike pasi është e para “ndërtesë e lartë” e ndërtuar nga italianët në Tiranë. Për shumë kohë ajo ishte ndërtesa më e lartë në qytet.

Plani francez

Plani francez është rezultat i konkursit të parë për masterplanin e Tiranës të zhvilluar nga ish-kryebashkiaku Edi Rama në vitin 2003. Juria përbëhej nga ish-Kryeministri Fatos Nano, në postin e kryetarit dhe anëtarët: Edi Rama, Helmut Schroeder, Jean-Michel Guenod, Mario Pisani, Rudy Stroink, Olafur Eliasson, Lothar Greulich dhe Elia Zenghelis.
Konkursi përfshinte projekte arkitekturore të studios “Bolles + Wilson” dhe “Mecanoo”. Fitues u shpall “Bolles+Wilson”. Projekti fitues, i pagëzuar më vonë me emrin “Plani francez”, përmbante element të tillë si:
Sheshi Skënderbej: Për sheshin u zhvillua një konkurs i veçantë, i cili u fitua nga studio “51N4E” dhe Anri Sala. Plani u zbatua pjesërisht me fonde të Kuvajtit, por u braktis në vitin 2011 kur Lulzim Basha u bë kryetari i ri i Bashkisë Tiranë. Në vitin 2016 Erion Veliaj u zotua se do të zbatonte projektin origjinal, përfshirë edhe shtimin e hapësirave për parqe. Rishtazi, sheshi u rihap, me një parking nëntokësor të paplanifikuar në projektin fillestar.
Sheshi “Nënë Tereza”: Asnjë projekt nuk u zhvillua për sheshin, i cili u restaurua me nxitim për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë në shtator të vitit 2014.
10 kulla: Vetëm dy nga 10 kullat e projektuara nëpër Tiranë janë realizuar. Kulla TID e projektuar nga “51N4E” u hap në vitin 2016. Ndërsa kulla “4EverGreen” nga “Archea Architetti” është e falimentuar. Kulla “Sytë e Tiranës” ishte pjesë e planit origjinal me 10 kulla, po ashtu kulla pas Hotel Tirana International dhe kulla pas Sahatit dukeshin në renderat e projektit arkitekturor.
Parking nëntokësor: Parkingu nën Sheshin Skënderbej ishte një shtojcë e minutës së fundit e vendosur nga Edi Rama. Parking nëntokësor është planifikuar edhe në lulishten e Parkut Rinia. Parkingu nëntokësor është një aspekt integral i Masterplanit të Tiranës 2016 nga Stefano Boeri.
Muzeu i Harmonisë Fetare: Konkursi u zhvillua në vitin 2011 me emrin “Një xhami për të gjithë”. Projekti përfshinte ndërtimin e një muzeumi për Harmoninë Fetare. Por deri më tani nuk është realizuar. Ideja u rikthye në vitin 2015 me projektin “Parku i Besimit”, i cili u përfshi në Masterplanin e Tiranës nën emrin “Parku i Botës”.
Stacioni i Trenit: Rindërtimi i stacionit të trenit dhe sheshit përpara tij nuk u realizua asnjëherë. Në vitin 2012, “Grimshaw Architects” dhe “DAR Group” fituan konkursin e zhvilluar më 2012-ën nga kryebashkiaku Basha për Masterplanin e Qendrës së Tiranës. Projekti i tyre parashikonte zgjatimin e bulevardit kryesor deri tek lumi Tirana. Ky projek u përfshi në Masterplanin e Boerit në vitin 2016. Stacioni i trenit dhe infrastruktura rrethuese u shkatërruan. Deri më tani nuk ka asnjë lajm zyrtar se kur do të mund të rihapet stacioni i ri i trenit.
Unaza e re: Unaza e re, e përfshirë me probleme të shpronësimit, nuk u përfundua asnjëherë. Sidoqoftë, punët për përfundimin e saj kanë nisur në vitin 2016 nën drejtim e kryebashkiakut Veliaj.

Kush është studio “51N4E”?

“51N4E” është një studio arkitekture belge. Kjo studio pak kohë më parë u përfshi në skandalin e tenderave korruptivë me qeverinë shqiptare. Si pasojë e këtij skandali ortaku i firmës, arkitekti Peter Swinnen u detyrua të dorëhiqej nga posti i arkitektit shtetëror të vendeve flamande.
Swinnen është ende përfaqësuesi ligjor i degës shqiptare të studios “51N4E”. Studioja belge ka qenë pjesë e gati të gjithë nismave të rilindjes urbane të Edi Ramës që kur ai u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.
“51N4E” është përfshirë në projekte të njohura dhe të panjoura në Shqipëri. Disa nga projektet e tyre janë: varri i ish-pronarit të televizonit “Top Channel”, Dritan Hoxha; rindërtimin e Sheshit Skënderbej në bashkëpunim me Anri Salën; Kulla TID; Qendra për Hapje dhe Dialog brenda godinës së Kryeministrisë; monumentin për viktimat e 21 janarit dhe vila private e Kryeministrit Rama në Surrel.
Johan Anrys dhe kolegu i tij Freek Persyn kanë qenë gjithashtu anëtarë jurie në shumë nga konkurset e arkitekturës të organizuara nga Edi Rama, si kur ky i fundit ka qenë kryebashkiak, ashtu edhe tani si kryeministër.

“Exit.al”

Bologna, ofertë 2 mln euro për Memushajn

Bologna këmbëngul për Ledian Memushajn. Klubi emilian ka paraqitur ofertën e parë, duke vendosur në tavolinë 2 milionë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit shqiptar. Tashmë pritet përgjigjja e Pescara-s, që duhet të vendosë nëse do të heqë dorë nga kapiteni dhe një prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës. Ndeshja e shkëlqyer e 30-vjeçarit në Izrael nuk ishte një rastësi. Paraqitjet e mira gjatë sezonit të kaluar, edhe pse ekipi nuk arriti të bënte mrekullinë, konfirmuan se Ledian Memushaj është një lojtar i denjë për të qëndruar në elitën e futbollit italian.
Për më tepër, kuqeziu dëshiron të vazhdojë të luajë në Serinë A dhe ky mund të jetë një faktor vendimtar në transferimin e tij drejt Bologna-s. Aq sa lojtari cilësohet vetëm një hap larg kuqebluve. Memushaj është një ndër lojtarët e preferuar të trajnerit Donadoni, i cili e vlerëson si pasardhësin ideal të Blerim Xhemailit, tetovarit që luan me Zvicrën, i cili është transferuar në Major League Soccer te kanadezët e Montreal Impact.