27.5 C
Tirana
E diel, 27 Korrik, 2025

“CNN” nuk i ndahet hakerave rusë edhe në Katar

“CNN” ka raportuar se hulumtuesit amerikanë besojnë se hakerët rusë, kanë krijuar raporte të rreme, të cilat më pas kanë qenë faktor në vendimin e vendeve arabe për shkëputjen e marrëdhënieve me Katarin. Kremlini në anën tjetër ka thënë se raporti i “CNN” ka qenë “i rrejshëm”.
Në raportin e “CNN” thuhet se zyrtarë të paidentifikuar të Shteteve të Bashkuara, kanë qenë të njoftuar se disa hulumtues janë dërguar në Katar, për të ndihmuar qeverinë e atij vendi rreth sulmeve, të cilat kanë prodhuar lajme të rreme. Arabia Saudite i ka shkëputur marrëdhëniet me Katarin, nga 5 qershori duke thënë se politikat e Katarit e kanë mbështetur terrorizmin dhe organizatat “ekstremiste”.
Sipas “CNN”-it, qeveria e Katarit thotë se në raportin e 23 majit, të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, deklaratat e rrejshme i janë atribuuar sunduesit të Katarit, e në të cilat është shprehur sentimenti miqësor ndaj Iranit dhe Izraelit.
“CNN” citoi zyrtarët amerikanë të kenë thënë se informacionet që kanë mbledhur agjencitë amerikane të sigurisë, tregojnë se hakerët rusë qëndrojnë prapa ndërhyrjes.
Raporti nga “CNN” nuk e ka bërë të qartë nëse hakerët e dyshuar në incidentin e Katarit kanë lidhje me organizata ruse, të cilat janë akuzuar për sulme kibernetike në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar. Zyrtarët amerikanë janë cituar duke thënë se qëllimi i hakerëve ka qenë përçarja e marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Rusia e ka hedhur poshtë raportin e “CNN”-it, duke thënë se nuk ka asnjë dëshmi për ndikim rus. “Do të them menjëherë, se kjo është gënjeshtra më e re”, ka thënë, Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.

SHBA: Po Maqedonisë në NATO

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një zgjidhje të pranueshme mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin e emrit, ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily pa saktësuar se cila do të mund të ishte ajo zgjidhje për çështjen e emrit që po e mban të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Është mirë që Maqedonia zhvillon negociata me Greqinë dhe me vendet e tjera fqinje. SHBA-të gjithmonë e kanë mbështetur dhe do ta mbështesin Maqedoninë në rrugën drejt NATO-së dhe BE-së”, ka deklaruar Baily, i pyetur nëse Uashingtoni mbështet anëtarësimin e Maqedonisë me shkurtesën IRJM.
“Duhet biseduar me qeverinë e re, si dhe me gjithë faktorët e tjerë në shoqëri edhe me opozitën për hapat që duhet të merren. Ky është një proces që përfshin gjithë shoqërinë dhe shtetin në përgjithësi. Pra, i gjithë shteti duhet të bashkohet rreth kësaj që të arrihet zgjidhje”, ka thënë Baily.
Ambasadori amerikan gjithashtu ka thënë se procesi i reformave në gjyqësi dhe në sfera të tjera është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Lidhur me çështjen e emrit, kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Cipras. Detaje nga kjo bisedë nuk janë dhënë përveç asaj se dy kryeministrat kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe mundësinë e një takimi të nivelit të lartë gjatë këtij muaji në Athinë.

Fitorja me Izraelin largon krizën

Humbja dhe mbi të gjitha paraqitja në miqësoren me Luksemburgun duhet harruar sa më shpejt. Dështimi në testin miqësor ishte i 5 radhazi për kombëtaren, një rezultat që ka çuar në krizë kuqezinjtë, të cilët përpara kanë sfidën me Izraelin, e vlefshme për eliminatoret e botërorit Rusi 2018. Mesfushori Ledian Memushaj, me statusin e veteranit në ekip tregon recetën se si ekipi duhet të lërë pas këtë ecuri negative.
“Duhet të mendojmë për ndeshjen me Izraelin. Receta….. një fitore me ta dhe nuk do të dëgjohet më për krizë. Të gjithë ishim të mërzitur, pasi krijuam raste, por një humbje ndaj tyre është tragjike. Jam i kënaqur që kjo humbje ndodhi me Luksemburgun dhe jo me Izraelin”, u shpreh Memushaj.
Prej kohësh përflitet për një largim të trajnerit Gianni de Biasi, fjalë të cilat mendohet të kenë çuar në mosimpenjimin e ekipit në ndeshjet e fundit. Megjithatë nuk duket që ecuria negative e skuadrës të jetë si pasojë e largimit të trajnerit. Memushaj pranon se ky është një nga momentet më të vështira në përfaqësuese përsa i përket rezultateve.
“Ka një vit që flitet se trajneri do të largohet, por ai është këtu. Këto nuk na interesojnë ne lojtarëve, pasi i takon trajnerit. Ai ka qenë gjithmonë i përqendruar për ne. Me rezultate ky është viti më i vështirë”, tha ai.
Bindja në skuadër është që Shqipëria në nivel individual, por edhe si grup është më lart se Izraeli. Në këtë përfundim nuk bën përjashtim as kapiteni i Peskarës, Ledian Memushaj. “Duhet të tregojmë në fushë që jemi më mirë se Izraeli”, tha Memushaj.
E ardhmja e 30-vjeçarit është ende në dilemë, megjithatë për momentin e ardhmja e Memushajt është sfida me Izraelin. “Jam me pushime pastaj të shohim…. nuk e di, e rëndësishme është të mbyllim sa më mirë sezonin me kombëtaren pastaj të mendojmë për të tjerat. Lojtarët kanë nevojë të shkojnë të qetë me pushime, të mos mendojnë për futboll”, përfundoi Memushaj.

Synim vendi i tretë

Më 12 nëntor shkaktoi penalltinë e parë të Izraelit dhe u largua nga fusha me karton të kuq. Nga mbetja jashtë Europianit e deri në momentin e vështirë të kombëtares, Berat Gjimshiti ka kaluar disa çaste të vështira. Por, mbrojtësi nga Lugina e Preshevës beson te rikthimi nga momenti i vështirë dhe ka formulën për t’ia dalë.
“Mendoj që kam pasur disa momente, që nuk kam qenë mirë psikologjikisht, por ky nuk është problem pasi i ndodh çdo lojtari. Gjithmonë duhet të jesh gati psikologjikisht edhe për momentet jo të mira. Jemi në gjendje pak të vështirë, por besoj se do t’ia dalim si skuadër. Momenti negativ? Në këto momente duhet të dimë atë që kemi arritur, të jemi të vetëdijshëm për forcat dhe kualitetin dhe t’i tregojmë në fushë. Të gjithë lojtarët në kombëtare kanë cilësi dhe duhet t’i luajmë këto ndeshje me vetëbesim. Kështu do të bëjmë edhe ndaj Izraelit. Shija e keqe në ndeshjen e parë me Izraelin? E bukura e futbollit është se në çdo moment ke një rast të dytë. Duhet të tregosh se nuk je ai që bëri atë gabim dhe ta korrigjosh. Në çdo ndeshje kur hyj nuk mendoj shumë për atë që ka ndodhur, por jam i përqendruar te përballja e radhës. Ta përgatisim sa më mirë dhe të jemi gati”, u shpreh Gjimshiti.
Titullar në fushë në humbjen e papritur në Luksemburg, Gjimshiti nuk beson se problemi i kombëtares është skema me tre mbrojtës, por duhen korrigjuar gabimet individuale. “Me tre mbrojtës? Është një skemë që më përshtatet, pasi kam luajtur te Zurich dhe më pas te Avellino. Kam pak kohë që nuk kam luajtur, pas ndryshimit të trajnerit te Avellino. Të gjitha skuadrat e mëdha po luajnë të gjitha me tre mbrojtës, kryesisht në Itali. Pësimi i të paktën dy golave në ndeshje me këtë skemë? Nuk mendoj se është problem i taktikës, por çështje individuale, sepse na ka munguar përqendrimi. Duhet t’i evitojmë gabimet individuale”, tha ai.
Sfida me Izraelin cilësohet si finalja e sezonit, për të synuar ende arritjen e vendit të tretë në kualifikuese. “Përqendrim përpara Izraelit, a është finalja e sezonit dhe mundësi ringjallje? Mendoj që në Izrael do të shkojmë për ta fituar ndeshjen dhe për t’iu afruar rivalëve në klasifikim për vendin e tretë. Ky është objektivi ynë. Izraeli nuk është më i mirë se ne. Duhet të jemi bashkë, të japim maksimumin dhe të marrim rezultat në këtë ndeshje”, tha Gjimshiti.
Përsa i takon karrierës në klube, sipas mbrojtësit 24-vjeçar është ende herët për të folur për qëndrimin te Atalanta në Serinë A apo huazimin në një tjetër skuadër. “Sezoni me Avellinon, kthim te Atalanta? Kam qenë një vit i huazuar. Mund të them se më shkoi shumë mirë. Kam luajtur shumë ndeshje aty dhe arritëm objektivin për të mos rënë nga kategoria. Me Atalantën kam edhe një vit kontratë. Nuk e di çfarë do të ndodhë, duhet të presim”, përfundoi Gjimshiti.

Kombëtarja vijon stërvitjen në Turqi

Taktika, për të qenë sa më mirë të vendosur në fushë dhe për të evituar gabimet që rrezikojnë të jenë fatale mbetet kryefjala e përgatitjeve të kombëtares për sfidën në Izrael. Me grupin të plotë dhe 23 futbollistë në dispozicion, gjysmën e seancës stërvitore të paradites së të mërkurës, De Biasi u kujdes për detajet në rreshtimin e skuadrës. De Biasi ka qëndruar fare pranë ekipit, duke vëzhguar me kujdes çdo ushtrim.
Përgatitjet vijuan me skuadrën të ndarë në dy grupe, me ushtrime teknike dhe që i shërbejnë orientimit në fushë, me lojtarët që duhej të shënonin, pasi kishin ecur me topin në ajër. E papritur ishte përplasja ndërmjet Sadikut dhe Kukelit në grupin me jelekë jeshilë. Të dy lojtarët në pronësi të Zurichut morën kujdesin mjekësor, ndërsa stërvitja u ndal për disa minuta.
Në përgatitjet taktike, De Biasi rreshtoi një ekip në mbrojtje dhe tjetrin në sulm. Përzierja e lojtarëve konfirmon se trajneri ende po studion formën e kuqezinjve, përpara se të përcaktojë formacionin më 11 qershor. Por, nëse për titullarët ka ende dyshime, stafi e ka të qartë që Shqipëria duhet të sulmojë. Për këtë arsye, stërvitja u përqendrua te mënyra si dilet në sulm, me ushtrime që përfshinin krosime nga krahët dhe për të kalibruar shënjestrën drejt portës. Në Izrael kërkohet të paktën një gol. Edhe kaq mund të shërbejë për të rikthyer edicionin e kombëtares në binarët e duhur…
Ndërkohë, Elseid Hysaj do të zëvendësojë Lorik Canën. Mund të jetë ndër lojtarët më të rinj në grupin e kombëtares shqiptare të futbollit, por Elseid Hysaj është kthyer në një prej lojtarëve tek të cilët trajneri Gianni de Biasi beson më shumë. Ndonëse nuk i është dhënë shiriti i kapitenit, duke qenë i treti në radhë pas Ansi Agollit dhe Mërgim Mavrajt, futbollistit i është besuar një rol, të cilin më parë e mbante Lorik Cana.

Plas tek kombëtarja turke

Një skandal i madh ka ndodhur në kombëtaren turke të futbollit vetëm një javë para ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Kosovës, e cila do të luhet në mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Pas përfundimit të miqësores ndaj Maqedonisë në Shkup, e përfunduar në barazim 0-0, kombëtarja turke shkoi me avion drejt Triestes në Itali, nga ku udhëtuan më tej me autobus drejt Sllovenisë ku do të qëndrojnë të grumbulluar për të përgatitur ndeshjen kundër Kosovës.
Gjatë udhëtimit me avion, kapiteni i Turqisë, Arda Turan, sulmoi ashpër fizikisht dhe verbalisht gazetarin e gazetës turke “Milijet”, Bilal Meshe, për shkak të një artikulli të shkruar nga ky i fundit pas përfundimit të Kampionatit Europian “Francë 2016” ku zbardhej një përçarje e madhe brenda grupit të futbollistëve të kombëtares.
Përçarja e futbollistëve turq kishte si shkak ndarjen e premios prej 500 mijë eurosh të kualifikimit në Europian. Ajo u nda në mënyrë të barabartë për të gjithë lojtarët e kombëtares, përveç sulmuesit Burak Jëllmaz, të cilit nuk iu dha pjesë prej mungesave të shpeshta në grumbullime si pasojë e dëmtimeve.
Jëllmazi u ndje i fyer nga trajneri Fatih Terim pas përjashtimit nga premioja dhe në krah të tij doli mesfushori i Barcelonës, njëkohësisht kapiteni i kombëtares turke, Arda Turan. Ky i fundit i kërkoi llogari trajnerit dhe mes tyre pati përplasje të forta, të cilat u cilësuan nga media turke si shkaktare për paraqitjen e dobët të përfaqësueses në Europian, ku Turqia u eliminua që në fazën e grupeve.
Sapo filloi fluturimi nga Shkupi drejt Triestes, kapiteni iu sul gazetarit me ofendime tepër të rënda dhe banale. Turan u afrua te vendi ku ishte ulur Meshe dhe e kapi atë për fyti duke i kërkuar llogari për shkrimin e bërë pas Europianit.
“Bilal Meshe, fol tani, aty ishe ti? Bashkë me ne ishe që shkruajte çështjen e premios? Kujt i kemi kërkuar para ne? Kujt i kemi kërkuar premio? Fol tani, fol! Jepi, të gjithë janë këtu. Kush të detyroi ta shkruaje atë artikull? Kush ta tregoi ty ngjarjen?”, tha si fillim kapiteni ndaj gazetarit.
“Kështu është ky shtet. Të marrin ty në këtë avion. Patjetër që të marrin. Po ua them dhe atyre që të marrin ty këtu, ta dëgjojnë. Më kujtove dhe mua si të tjerët. Fol tani ta shohim. Unë e lë futbollin dhe nuk lejoj të më cenojë askush imazhin. Bir k*rve. Nuk mund të shkruash lajme të tilla. Ti punon te gazeta e presidentit të Federatës. Atij që të merr ty në këtë avion do ia…”, vazhdoi me ofendime Turan.
Por gjatë përplasjes fizike futbollistët dhe gazetarët e tjerë ndërhynë duke larguar kapitenin dhe arritën të shmangnin që ta godiste me grusht Bilal Meshenë. Për çudi, trajneri Fatih Terim, i cili ishte i ulur pak më larg vendit të sherrit, nuk reagoi fare.
Më pas Arda Turan bëri një sqarim në profilin e tij në Instagram duke pranuar ngjarjen dhe duke thënë mes të tjerash: “Nuk po shkruaj për t’u mbrojtur, thjesht për t’iu informuar para se ta lexoni në media. Nuk e di sa i drejtë është veprimi që bëra, por unë jam gati të lë futbollin dhe të mos lejoj askënd të më prishë imazhin me shpifje. Unë nuk ia punoj njeriu pas krahëve, veprimet i bëj si burrat sy më sy!”.

Hahn kërkon një qeveri pro europiane në Kosovë

Bashkimi Evropian pret që Kosova të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit me një Qeveri pro-evropiane dhe që institucionet e reja t’i përmbushin sa më shpejt kriteret e mbetura për heqjen e vizave, deklaroi Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn.
Këto komente, Komisioneri Hahn i bëri në Bruksel, gjatë një konference në lidhje me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se BE-ja planifikon që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina) të jenë pjesë e unionit. Në këtë aspekt, Hahn tha se më 12 korrik në Triestë të Italisë, do të zhvillohet një takim i radhës ku do të diskutohet çështja e tregut të përbashkët ekonomik të rajonit.
Sa i përket Kosovës, Hahn dërgoi mesazhe për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, dhe konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Sipas tij, nëse liderët politikë në Kosovë dhe akterët tjerë tregohen serioz në lidhje me perspektivën evropiane, atëherë ata duhet të sigurohen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer e demokratike.
“Shpresojmë që ata të themelojnë më shpejt Qeverinë sesa herën e kaluar”, tha Hahn. Themelimi sa më i shpejtë i Qeverisë, sipas tij, do të ndikonte që Kosova t’i kthehet shumë shpejt punës së madhe që e pret.
Ndër tjera, ai ka inkurajuar Prishtinën që edhe pas zgjedhjeve të vazhdojë dialogun me Beogradin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e negociatave që po lehtësohet nga Brukseli.
“Liderët evropianë në disa raste e kanë thënë se përparimi në dialog është parakusht për perspektivën evropiane dhe se ky parakusht nuk ka alternativë tjetër”, theksoi Hahn, duke iu referuar të ardhmes evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Komisioneri i BE-së tha po ashtu se është me rëndësi që Kosova ta ketë sa më shpejtë Qeverinë e re e cila do të duhej të ishte pro-evropiane dhe e pranueshme nga faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar.
Ndërkaq, në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Hahn ritheksoi se gjithçka varet nga përmbushja e dy kritereve të parashtruara nga Komisioni Evropian, ku bëjnë pjesë luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Marrë parasysh faktin që Kosova është në proces zgjedhor, ai tha se sa më shpejt që të konstituohet Kuvendi dhe të jetë në gjendje të marr vendime, aq më shpejt mund të përmbyllet procesi i heqjes së vizave.
“Kushtet janë mirë të njohura dhe nëse merren vendimet ne kemi prezantuar tashmë raportin para një viti e gjysmë, kështu që nëse plotësohen edhe dy kushtet e fundit, atëherë ne do të prezantojmë raportin final tek vendet anëtare të BE-së”, u shpreh Hahn.
Sipas tij, marrë parasysh rastet e fundit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, edhe pas përmbushjes së dy kritereve të fundit, procesi deri në heqjen e vizave për Kosovën mund të marrë kohë.
Komisioneri për Zgjerim i BE-së u adresoi mesazhe të gjitha qeverive dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, që t’i vazhdojnë reformat evropiane, në mënyrë që ta përshpejtojnë rrugën e integrimit të vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

E majta nuk mund të vrasë sërish

Pranvera SHEHAJ

Demokracia është termi ndaj të cilit ne shqiptarët kemi një kontraditë të theksuar ndjenjash që reflektojnë një miks të çuditshëm mes dashurisë dhe urrejtjes. Dashuri për atë çka premtoi, urrejtje për atë çka mohoi. Dashuri për shpresën, mundësinë, integritetin, lirinë multidimensionale, meritokracinë dhe rrugët drejt zhvillimit. Urrejtje ndaj dështimit, kufizimeve, censurës së moderuar, arrogancës politike, kriminalizimit parlamentar dhe reformave politike të bazuara në filozofinë se shteti ringrihet vetëm nën perden e frikës.
Eksperienca dhe historia politike 25-vjeçare në Shqipëri është padyshim konkretizimi i mendimit të famshëm të John Adams mbi demokracinë: “Demokracia kurrë nuk zgjat përjetësisht. Ajo konsumohet, lodhet dhe vritet. Nuk ka asnjë demokaci që mos të ketë tentuar vetëvrasjen”.
Në kundërshtim me Adams besoj me bindje se demokracia ka qenë terreni më komod i zhvillimit të shteteve më potenciale sot në botë, ka qenë avokati i të drejtave themelore të njeriut, burimi i mundësive individuale dhe emblema e civilizimit shoqëror dhe politik. Eksportimi i saj nga vendet e zhvilluara drejt atyre në zhvillim, ka qenë pjesërisht një mision suksesi, përpos dinamikave problematike të politikës dhe ekonomisë ndërkombëtare.
Do të bija dakord me Adams, nëse definicionet klasike të demokracisë në botë do t’i konkretizonim në skenën shoqërore dhe politike në Shqipëri, aty ku konteksti i zgjedhjeve elektorale shpalos kreativitetin e dy kampeve politike, duke krijuar terrenin më mikpritës për një lumë premtimesh. Analizat politike në median shqiptare kanë pasur gjithmonë një efektivitet të dyshimtë sepse përpara zgjedhjeve elektorale, tendenca për të qenë “profesionistë” i bën të tejzgjaten në kohë dhe të analizojnë problemet e Shqipërisë në 20 apo 25 vitet e fundit. Është fillimi më i gabuar për të korrigjuar deficitet aktuale, sepse sa më shumë një analizë politike shtrihet në kohë, aq më shumë aktorë përfshihen, aq më shumë hapësirë për justifikime lë, aq më pak efektive dhe e dobishme është. Ky është motivi përse përpara 25 qershorit, duhet të jemi më koherentë, racionalë, aktualë dhe konkretë në zgjedhjen e votës.
Përtej ngjyrimeve politike, është logjike se pozicioni i sulmit i përket gjithmonë opozitës, përsa kohë një mazhorancë perfekte në drejtimin dhe administrimin e shtetit nuk ka ekzistuar kurrë. Por, në rastin konkret, opozita shqiptare dhe kampi i djathtë do të mund ta luajë rolin e sulmuesit me një të drejtë të plotë dhe legjitime, përsa kohë e majta vjen në këto zgjedhje si mishërim i dështimit, arrogancës, lojës së pistë politike dhe reformave të dështuara. Në kundërshtim me Adams, demokracia tek ne nuk është vetëvrarë ndonjëherë, është zvarritur dhe marrë peng, por kurrë nuk është vrarë sepse hija e saj ka qenë e nevojshme për të bërë karrierë politike.
Katër vite më parë premtimet dhe reformat e së majtës ishin mëse vizionare. Flitej për vende të reja pune, rimëkëmbje ekonomike, mundësi investimi dhe ecuri progresive në procesin e integrimit në BE. Problemi është se rrugës dolën detyra të reja, aktorë të rinj dhe kushte jetësore të nevojshme për të mos humbur legjitimitetin e pushtetit.
Katër vite më parë, një qytetar shqiptar votoi një program politik që premtoi 300.000 vende të reja pune, rritje të asistencave sociale dhe pagave, bashkëpunim në vendimmarrje dhe përkrahje për biznesin e vogël. Ashtu si përherë, kur mjeshtëria politike kamuflon qëllimin dhe suksesi i mashtrimit legjitimon regresin, ashtu edhe këtë herë shqiptarët përsëritën leksionin e famshëm të politikës sonë: se lutja për votë pason arrogancën, se premtimi për progres pason regresin, se reforma në drejtësi nënkupton një Parlament që strehon krimin, ashtu sikurse integrimi në BE nënkupton shitje të sovranitetit si rrugë për mbajtjen e pushtetit, në një kohë kur kaosi politik rrezikon karrigen.
Sot, përpara raundit tjetër elektoral jemi përballë një të majte që mban pas vetes katër vite të një Shqipërie depresive në dimensionin shoqëror, ekonomik dhe politik. Ka meritë absolute në firmosjen e largimit të qindra shqiptarëve që këto katër vite konkurruan sirianët në kërkesat për azil politik, me një diferencë fare të vogël sa i përket motivit: sirianët linin pas krahëve luftën, shqiptarët linin pas krahëve papunësinë, arrogancën dhe demotivimin.
Kryeministrit aktual, mishërim të pseudoborgjezisë, iu desh të përballej me zërat kundërshtues brenda partisë. Ashtu si pritej, lidershipi sipas konceptit të tij nënkupton nënshtrim dhe dakordësi inerte. Logjika është e thjeshtë. Nëse kjo mënyrë komunikimi reflekton termin respekt për bashkëpunëtorin politik, është e lehtë të imagjinojmë se ç’mund të reflektojë termi bashkëpunim me elektoratin. Ka mundësi të ketë qenë si rezultat i dëshirës që ka e majta për punë, por qeverisë aktuale iu desh të triumfonte në sfida që i projektoi aq mjeshtërisht katër vite më parë. Intensiteti i punës për rimëkëmbjen e ekonomisë u zëvendësua nga sipërmarrja e spastrimit të Parlamentit nga portretet e të fortëve, që kishin uzurpuar listat e së majtës katër vite më parë. Të përdhosësh tempullin e demokracisë. Parlamentin, me misionin e marrjes së pushtetit, është më shumë se krim politik, është shkelje e dinjitetit të qytetarit të thjeshtë, të atij që beson se delegimi i pushtetit është imun ndaj kriminalitetit.
E majta erdhi në pushtet me të fortët, me ata që janë heronj të dramës dhe tragjedisë së tyre, legjenda të mitizuara të triumfit konkret kundrejt kauzave të paprekshme nga pjesa mazhoritare e shoqërisë. Me ta, e majta ironizoi vigjilencën e shqiptarëve, e ndihmuar nga një sistem elektoral me listë të mbyllur, hyri në kryeministri me modelin e “katundarit të shkathët”, të atij që nëpër Evropë mësoi se sa shpejt rreckat e grisura mund të fshiheshin në bagazhin e një makine luksi.
E majta në këto zgjedhje mund të shkojë kudo për të rrëmbyer votën e 25 qershorit, por jam e bindur se asnjë prej kandidatëve të saj nuk do të trokasë në dyert e atyre kryefamiljarëve, vetëvrasja e të cilëve kishte një kauzë mediokre, pamundësia për të paguar energjinë elektrike. Nuk do të trokasë as në dyert e atyre që refuzuan jetën sepse reforma e ndërtimeve pa leje u mori të vetmen pasuri që puna e krahut u kishte siguruar, katër muret për t’u strehuar. Mos prisni t’i shihni as aty ku shkaku i vetëvrasjes së kryefamiljarit ishte papunësia dhe rrënimi ekonomik sepse kioska me të cilën mbante frymën bezdiste më shumë se sa hoteli luksoz i të fortëve në brigjet e rivierës së Jugut. Gjithçka mund të mohojë e majta për këtë katërvjeçar të saj, por kurrsesi faktin se solli në këtë vend të strukur në një cep të Evropës atë lloj depresioni që superfuqia botërore, SHBA, përjetoi në vitin 1929, ku vetëvrasjet për arsye ekonomike u kthyen në krim që nuk mund të luftohej.
Ja pse e majta e vrau edhe një herë demokracinë. Sepse zgjodhi metodën e reformave fasadë, zgjodhi të tërheqë zvarrë të varfrin, zgjodhi të bëjë shtet të pjesshëm tek ajo pjesë e shoqërisë që nuk di mënyrë tjetër të jetuari përveç punës së ndershme, rraskapitjes për një të nesërme më pozitive dhe sakrificës për ata që vijnë pas. E vrau demokracinë kur tregoi se karrigia është e lehtë për t’u marrë kur narkotrafikantin e shet si sipërmarrës, kur tutorin e prostitucionit e shet si kandidat për kryetar bashkie, kur perversin e zyrave e shet si model për komunitetin.
Punë, shtet, mirëqenie…?!
Kur shteti vdes dhe investitorët e huaj zhduken, vendet e punës nuk mbijnë nga hiçi. Shteti nuk bëhet me reforma të pjesshme, as me spostim të fshatrave të kultivimit të drogës, as me diktatorë partiakë që e kanë të vështirë të menaxhojnë skizofreninë patologjike. Reformat ekonomike radikale nuk bëhen aty ku e vetmja frymë e ekonomisë janë bizneset e vogla, fitimet prej të cilave mbajnë gjallë frymën e mijëra familjeve. Mirëqenia nuk është shifër e manipuluar nga institucionet e drejtuara prej militantëve. Mirëqenia është fakt i evidentueshëm në terren. Në një vend që boshatiset çdo ditë e më shumë, në një vend ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po shkon drejt infinitit, nuk mund të flitet për mirëqenie.
Një vrasës mund ta kryejë krimin me qindra herë, por jo të njëjtin krim dhe jo mbi të njëjtën viktimë.
E majta është rast unik. Sa herë kandidon vret me trafikantin, me tutorin, me imoralin. Vret duke shitur copë të sovranitetit tek lobistët e huaj që e sjellin në pushtet. Vret duke bërë “kurban” të varfrin, të ndershmin, të pambrojturin, të frikurin. Vret në emër të pushtetit, vret në emër të reformave të dështuara, vret sepse dikush e ka bindur se arroganca mbjell dashurinë.
Në këto zgjedhje elektorale e majta ka harruar një detaj kyç në lojën e pistë që pretendon të luajë me elektoratin. Ky detaj mund të shprehet duke përshtatur një thënie të famshme të poetes britanike Edith Sitwell: “Jam e duruar me dështakët, por jo me ata që dështimin e kanë krenari.

Pranvera SHEHAJ
Master degree: “Economics and Political Science”
“Università degli Studi di Milano”, Milano, Italia

Thirrja për taksa të ulëta…

“Monitor”

Rritja e tatimfitimit, dividendit dhe të ardhurave të tjera nga 10 në 15% dhe kalimi nga taksa e sheshtë drejt niveleve të përshkallëzuara për të ardhurat në mandatin e fundit qeverisës po rezulton të ketë qenë një politikë që nuk solli efekte pozitive. Kjo për dy arsye kryesore:
– Së pari, rritja e taksave dështoi të sillte më shumë të ardhura në buxhet, duke reflektuar një shtim të shmangies së tyre, një rrezik që ekziston gjithnjë sa herë që taksat tentojnë të rriten në një vend, ku evazioni është i lartë dhe kontrolli tatimor e informatizimi, i ulët. Më 2015-n, të ardhurat që mblidhen në buxhet ishin në rënie në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Më 2016-n ato ishin njësoj me vitin 2008, duke mos shënuar asnjë progres dhe duke bërë të pavlefshëm si qëllimin e rritjes së taksave, ashtu dhe të taksimit të drejtë (përshkallëzimi i tatimit mbi të ardhurat në nivele shumë më të larta se rajoni për ata me paga të larta vetëm sa shtoi evazionin). Teksa qeveria kishte marrë një angazhim për konsolidimin fiskal, në mungesë të rritjes së të ardhurave, ajo u detyrua ta bënte këtë në kurriz të shpenzimeve, sidomos atyre kapitale, që në vitin 2016 rezultuan më të ulëtat që nga 1997-a. Këto para të munguara duhet të përdoreshin për të ndërtuar shkolla, spitale apo rrugë. Për më tepër, edhe borxhi nuk u arrit të ulej, por ai vijon të mbetet mbi 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) më 2016-n, përkundrejt pritshmërive fillestare për ta zbritur nën këtë nivel.
– Së dyti, shtimi i barrës së taksave për bizneset në një kohë që vendi nuk po kalonte një periudhë të mirë ekonomike, veçse i dobësoi edhe më tej sipërmarrjet dhe frenoi investimet. Dhe duhet theksuar që janë këto të fundit ato që i japin hov punësimit. Të dhënat zyrtare flasin për pak vende të reja pune të hapura (mbi 60% e 120 mijë vendeve të reja që rezultojnë të shtuara zyrtarisht në katër vitet e fundit kanë ardhur thjesht nga formalizimi). Renditja e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, publikuar pak kohë më parë nga “Monitor” tregoi se kompanitë VIP nuk po shtonin të punësuarit, përkundrazi po i reduktonin ato, teksa hyrjet e reja mungonin. Kredia, nga ana tjetër, është në ngërç prej mëse tre vitesh.
Ndërsa fushata, si rrallë herë këtë vit është përqendruar fare pak, ose aspak tek ekonomia dhe debatet që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, shoqatat e biznesit, që po anketohen nga “Monitor”, po e thonë fjalën e tyre. Të pyetur lidhur me efektin që rritja e taksave ka dhënë në ecurinë e aktivitetit apo në planet e tyre për investime, të gjithë e pranojnë që ka ndikuar negativisht dhe ka gërryer edhe atë pak “dhjamë”, që mund të kishin krijuar në vite.
Për nivelin e taksave, të gjithë, pa përjashtim, janë absolutisht dakord që ai duhet të jetë të paktën i krahasueshëm me vendet e rajonit, pasi vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të ishte konkurruese në një hapësirë më të gjerë dhe do të tërhiqte më shumë investime. Sot në një treg ku informacioni, mallrat dhe investitorët lëvizin me shpejtësi, Shqipëria duhet të mbajë të njëjtin ritëm, përndryshe rrezikon të mbetet shumë mbrapa. Mesatarja e tatimfitimit në rajon sot lëviz në 9-10%, ndërsa vetëm Shqipëria dhe Serbia e kanë në nivelin e 15% (Serbia e neutralizon disi për tërheqjen e investimeve përmes zbatimit të inçentivave, praktikë që neve na ka munguar). Tatimi mbi pagat e mëdha, deri në 23%, është absolutisht më i larti në rajon, që nuk e kalon 10%. TVSH, në 20% është sërish ndër më të lartat, ndërsa vetëm së fundmi u përshkallëzua TVSH për turizmin në 6%. Edhe sigurimet mbeten sërish kampione mes vendeve të rajonit. E në këtë mjedis taksash të larta, Shqipëria vijon të ketë rendimentin më të ulët fiskal, në rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, njësoj me Kosovën që ka barrë fiskale shumë më të ulët sesa tonën.
Të gjitha argumentet shkojnë kundër barrës së lartë fiskale, që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndrydhur ekonominë dhe e ka bërë vendin jokonkurrues në raport me rajonin. Nëse vendi nuk ka më shumë potencial për të rritur të ardhurat përtej 26% të PBB-së (për shkak të karakteristikave të saj, si për shembull, pesha e madhe e bujqësisë në PBB, një sektor që mbetet i pataksuar dhe numrit të lartë të të vetëpunësuarve, në rreth 30% të totalit), përvoja ka treguar që ky nivel të ardhurash mund të arrihet dhe me një barrë më të ulët fiskale, që të paktën do të lehtësonte bizneset, do të çlironte investimet, do të nxiste punësimin dhe në afat të gjatë do të rriste rendimentin fiskal.