39.5 C
Tirana
E shtunë, 26 Korrik, 2025

Mafia e plehrave, Rama e Meta bashkojnë votat

Kur vjen puna tek interesat dhe pazaret mafioze, PS dhe LSI bashkojnë gjithnjë votat, ashtu siç dje Rama dhe Meta kanë gjetur gjuhën për të kaluar një projekt mafioz që ka të bëjë me mbetjet urbane në Tiranë. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar dje vendimin për zgjerimin e kompetencave të operimit të saj, duke monopolizuar këtë shërbim në Tiranë dhe rrethinat e saj. Pra, kompania ku është ortak Erion Veliaj, që është e njëjta kompani që ka privatizuar dhe parkingjet në Tiranë dhe që deri më sot operonte në zonën urbane të Tiranës, që nga 1 qershori do të operojë dhe në zonat periferike të saj, çka do të thotë se i gjithë fondi dhe taksat që paguajnë qytetarët e Tiranës për këtë shërbim do të merret nga një dorë e vetme. Është e njëjta kompani, e cila ka marrë në pronësi dhe ish-Parkun e Autobusëve në Tiranë, por dhe asete të tjera të kryeqyetit. Është pikërisht kjo kompani, e cila dështoi të bënte diferencimin e mbetjeve, por që ishte dhe furnizuesja kryesore e landfillit të Sharrës, ku u vra 17-vjeçari Ardit Gjoklaj. Një histori e pastër korrupsioni dhe mafioze plehrash që dje bashkoi votat e dy aleatëve që në këtë prag fushate duket sikur kanë nisur një konflikt me njëri-tjetrin, por nuk është e njëjta gjë kur bie fjala për mafien e plehrave dhe paratë që gjeneron ajo. Projektvendimi mori 31 votat e PS-LSI, duke i dhënë jetë një ideje të planifikuar nga Veliaj që përpara se të merrte Bashkinë e Tiranës, atë të monopolizimit të pastrimit të qytetit. Vlera e kontratës për pastrimin e mbetjeve në zonën e qendrës ose e ashtuquajtura zona e kuqe, është 2.5 milionë euro, e cila shtohet me një vlerë 10% në momentin që fillon mbledhja e diferencuar e mbetjeve nga kompania. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet me 50% dhe nga 1 qershori 2018, do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë. Sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, me futjen e kompanisë së re të pastrimit të qytetit në shtator, riciklimi nga kazanët e mbetjeve do të ndalohet. “Në Tiranë do të jetë e ndaluar hyrja në çdo kosh mbeturinash dhe nxjerrja e të gjitha mbetjeve jashtë tij për të kapur një kanoçe ose një shishe plastike”, tha Veliaj gjatë një takimi me drejtuesit e ndërmarrjeve të pastrimit në qershor. “Çdo nxjerrje nga koshi, nxjerr qindra, mijëra, miliona mikrobe. Kjo i ka të gjitha premisat ta kthejë qytetin e Tiranës në një zonë epidemike nëse vijon kështu”, shtoi ai. Veliaj u ofroi atyre që do të humbisnin të ardhurat nga grumbullimi i plehrave në kazanë të punësoheshin në impiantin e riciklimit në Sharrë. “Ata që punojnë sot duke zbrazur koshat, Bashkia e Tiranës është gati që sot t’u ofrojë një vend pune me pagesë, me sigurime shoqërore, jo në të zezë në impiantin e riciklimit në Sharrë”, shtoi ai. Trumpetimi me të madhe i Veliajt mbi këtë projekt dukshëm ka pasur si qëllim bërjen e kësaj afere fakt të kryer, pasi kompania ka zgjeruar kompetencat e saj gati javë para se vednimi të mriatohej në Këshillin Bashkiak.

Lidhjet me mafian italiane

Eco Tirana, një kompani me kapital italian dhe të Bashkisë së Tiranës, duket se nuk është vetëm kaq. Gazeta më e vjetër në Itali, “Roma” ka zbardhur detaje të frikshme në lidhje me njerëzit e vërtetë që kanë marrë në dorë fushën e plehrave në Sharrë. “Çështja e 1300 kontenierëve me lëndë kimike nuk është e vetmja në Shqipëri”, shkruan ajo në një artikull ku është në qendër vendi ynë dhe ekomafia. “Burimet tona thonë se oreksi i mafias së plehrave ka bërë që të gllabërohet edhe fusha e shkatërrimit të plehrave në periferi të Tiranës, ajo në Sharrë, që nuk ndodhet shumë larg nga qendrat e banuara. Aty ende digjen plehra dhe Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’ja besojë një kompanie italiane. Disa sipërmarrës nga Italia e Veriut kanë dalë si persona që do ta marrin. Njerëz të pastër, besojmë. Por ndërhyrjet, bonifikimi dhe sistemimi i kësaj fushe kushton miliona euro. Pas kësaj marrëveshjeje duket se qëndrojnë disa emra të njohur të ekomafias, të cilët arrijnë të futen gjithmonë dhe kudo. Një përgjim i bërë nga Antimafia citon dy personazhe të mafias së Ndraghetës, të cilët flasin pikërisht për fushën e plehrave në Tiranë, atë të Sharrës. “Kjo është një punë fiks për ne. Një operacion që nuk duhet humbur”, thuhet në përgjimet e zbardhura nga gazeta italiane “Roma”.

Shkrimet e mediave italiane, lidhjet e Gaçit të  Ramës dhe Veliajt me mafien e plehrave

Më 22 Qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”. Kjo kompani është bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%). Aktualisht kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit. Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e Bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të kësaj kompanie zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25% Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga shtetasi Andrea Miglioranzi dhe është kompani private, e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës. Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane, të cilat janë hetuar nga Prokuroria italiane si kompani nën kontrollin e organizatës kriminale Ndragheta. Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi. Kryebashkiaku Tosi nga ana tjetër ka qenë subjekt i një skandali mediatik, sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën Ndragheta, në media u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me shtetasin Antonio Giardini, i cili konsiderohet si lojëtar i rëndësishëm i organizatës mafioze. Aktualisht Bashkia e Veronës dhe kompanittë AGSM-Verona dhe AMIA-Verona dyshohen si kompani nën tutelën e organizatës ‘Ndrangheta’. Ka patur disa sinjale në media dhe në dosje hetimore që lidhin personazhet, ndonëse një hetim më i thelluar do të nevojitej për të verifikuar dhe dokumentuar më qartë përfshirjen e interesave të organizatës mafioze në këtë histori. Nga ana tjetër, nëpërmjet pamjeve filmike dhe dokumenteve zyrtare, rezulton se ingranimi i ‘klanit Veronez’ në projektin e riciklimit ka nisur në vitin 2014, kur deputeti rilindës Artan Gaçi shkoi në Verona dhe kërkoi zyrtarisht mbështetjen në kompaninë AMIA-Verona, për të hyrë në Shqipëri. Vizita e Gaçit u pasua nga dy vizita të Edi Ramës, i cili u takua në Itali me kryebashkiakun e Veronës, Tosi. Ky i fundit erdhi më pas në Durrës ku u fol për një projekt kulturor, por interesat e vërteta të takimeve lidheshin me biznesin e riciklimit. Pas takimeve me Ramën, kryebashkiaku i Veronës, Flavio Tosi, nisi kontaktet me Erion Veliajn dhe dy bashkitë nënshkruan dhe marrëveshjen mes tyre dhe krijuan kompaninë e përbashkët ‘Eco Tirana’. Indiciet, dokumentet publike, fotot e publikuara, hetimet e disa personazheve të lidhur nga Prokuroria italiane, çojnë në gjurmët e implikimeve të organizatës Ndragheta, duke ngritur dyshime të arsyeshme se Edi Rama ka vendosur të bëjë biznes me këtë organizatë dhe t’ua japë atyre monopolin e riciklimit. Të njëjtat kompani italiane kanë dështuar që të aplikojnë të njëjtën skemë në Rumani, Bosnje apo Kroaci. Këto ishin disa nga denoncimet e bëra sot nga ish- Kryeministri Berisha në Parlament. Ky i fundit disa prej tyre i lexoi në gjuhën italiane, duke shkaktuar të qeshura mes deputetëve socialistë.

Rikthim i shtresës së mesme, heqje e taksës për transferimin e pronave

Rikthimi i shtresës së mesme, e cila në këto katër vite të qeverisjes Rama pësoi një goditje të rëndë, duke u asgjësuar ishte premtimi i Lulzim Bashës dje në takimin me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 5 në Tiranë. Duke folur për programin ambicioz të PD, Basha tha se, një nga shtyllat kryesore të programit është pikërisht mbështetja e shtresës së mesme. Ai foli gjithashtu për vendosjen e taksës së sheshtë 9%. Basha bëri të ditur gjithashtu, se një nga masat që do të ndërmerren menjëherë do të jetë shfuqizimi i taksës për transferimin e pronave, një taksë abuzive kjo që jo vetëm rrjep qytetarët, por njëkohësisht edhe shërben si përgjues ndaj veprimeve të tyre me pronat. “Ekonomia sot është në ditët më të zeza, pagat e ulëta, çmimet e larta, shëndetësia në kolaps total, këto janë prioriteti numër një i Republikës së Re dhe i imi si kryeministër i vendit pas 25 qershorit. Nuk ka asnjë prioritet tjetër më të rëndësishëm se ekonomia. Ditën tonë të parë në zyrë do e nisë zbatimi i planit tonë ekonomik, hapi i parë do jetë ulja e TVSH dhe taksa 9%. Çlirimi i vërtetë ekonomik që do të gjenerojë vetëm përmes uljes së TVSH 400 milionë euro. Kjo është taksa e fshehtë, dhe çfarë bëjnë këta me këto 400 milionë, palma e fasada. Shtresat e mesme, profesionistët mjekët, inxhinierët, që rëndohen nga tatimi progresiv do të kenë gjithashtu taksën e sheshtë 9%, 32 mijë lekët e para do të jenë të patatuara dhe tatimi për gjithë pjesën tjetër do jetë 9%. E njëjta gjë edhe për tatimin mbi dividentin, do të zerohet jo, sepse e bëjmë këtë për të mbështetur kapitalistët. por për të mbësjtetur sipërmarrjen që këto para t’i investiojnë dhe t’i riinvestojnë. Taksa e transferimit të pronës do të anullohet, do kemi një tarifë fikse prej 30 mijë lekësh të reja. Shteti makut që përgjon kush shiti shtëpinë, kush apartamentin, apo tokën vetëm për t’i marrë taksën dhe për të abuzuar me të. Xhirimi i vlerave ekonomike që vjen përmes transferimit të pronës nuk do të tatohet përmes vetëm kësaj tarife të vogël, që do t’i japë frymëmarrje ekonomisë”, bëri të ditur Basha. “Republikë e Re ishte ëndrra dhe premtimi që lindi nga ky bashkim i paprecedent i shqiptarëve që nga rënia e diktaturës. Sot, Republika e Re është një realitet që do të fillojë të funksionojë me votën e shqiptarëve më 25 qershor. Deri dje, i kishin shpallur sot po turren kush e kush ta fusë kokën në çadrën e lirisë. Edi Rama shpalli kryengritjen kundër Republikës së Vjetër dhe ka dalë në fushatë me dy gishta. Por në fakt, Republika e Vjetër po vazhdon edhe disa, zakonin e saj. Po mundohet ta kthejë në cirk këtë fushatë, kanë dhjetë ditë që flasin me batuta, fotomontazhe, me tuta, me poturre. Dua t’i them çdo shqiptari, ajkës së Tiranës dhe çdo qytetari në skajin më të lartë të vendit, mos u merrni me poturet e Ramës, pyeteni ku i ka 300 mijë vendet e punës që premtoi, taksat e ulëta ku i ka, pensionin e 13, ku i ka shëndetësinë falas, ku i ka subvencionet për fermerët shqiptarë, pyeteni për këto dhe po ta pyesni për këto, ju siguroj që ai nuk do përgjigjet. Dora e shtetit u zhyt thellë në xhepat tuaj në këto katër vite. 1.5 miliardë euro vetëm nga taksat e rritura, mori ç’bëri me këto lekë? Ai vendosi të mos mbante asnjë premtim, sepse kishte të tjera prioritete. Sepse Shqipëria për të nuk janë njerëzit, nuk janë as hallet, as problemet tuaja të përditshme, Shqipëria për të është një skenë e madhe, ku ka vënë në shfaqje veten e tij. Shqipëria për të janë pikturat, qypat me baltë, ekspozitat, ndeshjet e futbollit. Shqipëria për të është një grusht oligarkësh.  Më 25 qershor, numri 6 PD, që është bashkimi i gjithë forcave opozitare nuk është thjesht dhe vetëm një konkurent politik është shumë më shumë se kaq, është dera që i mbyllet njëherë e mirë republikës së politikanëve është porta që i hapet republikës së njerëzve të thejshtë të këtij vendi”, u shpreh Basha. Kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë takimit elektoral me banorët e Njësisë nr.5 në kryeqytet sulmoi qeverinë PS-LSI, duke theksuar se pas 25 qershorit, partitë klienteliste nuk do të jenë pjesë e Republikës së Re. Ndërsa, ju bëri thirrje demokratëve të larguar që të rikthehen në shtëpinë e lirisë dhe të braktisin partitë klienteliste. “Ëndrra më e madhe që po bashkë po i japim jetë do të jetë transforimimi më i madh i Shqipërisë që nga pluralizmi. Këtu nuk mund të ketë, e nuk do të ketë, kompromis me të keqen, kompromis me matrapazë, me shushunjat që ngjiten mbas axhendave ambicioze dhe i kthejnë ato në pluhur. E dini për kë e kam fjalën apo jo, dhe i kemi pasur dhe vetë në shpinë. Matrapazët nuk kanë vend, nuk do kenë as Pazar të vjetër, as Pazar të ri, as drekë peshku as drekë ngjalash në Republikën e Re. Ndaj ju bëj thirrje çdo qytetari dhe në veçanti atyre që janë skllavëruar me të padrejtë nga partitë klienteliste të Republikës së vjetër, ky është momenti t’i braktisin, t’ua hedhin në fytyrë teserat që i kanë përdorur si tollona, e të kthehen këtu në shtëpinë e lirisë, në këtë bashkim të jashtëzakonshëm të qytetarëve, ne i mirëpresim”, deklaroi Basha.

Rimëkëmbje ekonomike dhe vende të reja pune

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se me marrëveshjen e 18 majit vendoset një standard demokracie, që e lidh fatin e politikanit me atë të qytetarit. Në një takim me banorët e Farkës, Basha tha se, “Demokraci e vërtetë është kur qytetarët kanë në dorë politikanët, dhe jo e kundërta”. Sipas kryedemokratit, theksi do të vihet në luftën ndaj kanabisit dhe ndaj koncesioneve që rëndojnë xhepat e qytetarëve. “Rama nuk mbajti asnjë premtim. Thotë se, ekonomia është e mirë, sepse rrethohet nga ata të hashashit e të koncesioneve që kanë mbushur thasët me paratë e shqiptarëve. Me ata rri nga mëngjesi në darkë. Shqipëria dhe Tirana nuk janë ata. Ky s’do t’ia dijë, sepse e ka mendjen te timoni. Makinë s’ka, i ka mbetur vetëm timoni. 400 mln euro i ka kushtuar Rilindja urbane palmat. 400 mln euro është baraz me dyfishimin e gjithë pensioneve të shqiptarëve. Njerëzit nuk janë dele. Duhet të kenë punë, kujdes shëndetësor, shkolla, rrugë. Kur t’i kenë këto vijmë te palmat. Është gati të bëjë akrobacira, vetëm të mos merret me problemet dhe ato që ka premtuar. Më kollaj shitet hashashi në Shqipëri sesa një tufë sallate në Tiranë”, tha Basha. Sakaq, ai është ndalur tek programi i Partisë Demokratike, duke u shprehur se fokusi është punësimi dhe ekonomia. “Rama nuk flet, sepse bilanc nuk ka. Vende pune s’ka, 300 mijë shqiptarë i çoi në azil. Për mua, Shqipëria jeni ju. Prioriteti numër 1 është ekonomia juaj e familjeve tuaja, punësimi i të rinjve, mirëqenia e fshatit. Nuk do jem njeri i shfaqjeve dhe i teatrit. Do jem kryeministër i ekonomisë, i njerëzve të thjeshtë, i punësimit. Ulja e taksave dhe ulja e TVSH do çlirojnë miliona euro që sot zhduken. Do t’i japim ekonomisë injeksion kapitali, xhiro dhe vende pune. Një model që ka funksionuar në Europën Perëndimore dhe do funksionojë edhe këtu. Do ketë anulim të taksës Rama prej 240 lekë. Karburanti do jetë më i liri në Ballkan.  Karburanti është gjaku i ekonomisë dhe unë do të luftoj natë e ditë për uljen e çmimit të energjisë. Parashikojmë kreditim të brendshëm, investime të huaja, që do t’i japin ekonomisë frymëmarrje. 100 mln euro subvencione për fermerët. Paketa e subvencioneve do të jetë më e madhja që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Do zerohet kostoja e mekanikës. Do vendos tarifat doganore proporcionale me subvencionet që marrin fermerët e huaj. Djersa e fermerëve shqiptarë do peshojë po aq sa e europianëve. Tregtia e lirë në kurriz të fermerëve shqiptarë merr fund në 25 qershor. Rama ju thotë merrni kredi. Ne themi jo kredi, por mbështetje si e gjithë Europa. Të rinjtë shqiptarë që mbarojnë shkollën e lartë do të kenë në dispozicion 10 mije stazhe me 200 mijë lekë të vjetra në muaj si praktikë pune që t’i lidhim me tregun e punës. Kjo nuk do të jetë si lëmoshë sociale, por si masë ekonomike për punësimin e të rinjve”, u shpreh Basha.

Dashamir Shehi: Koha për një kontratë të madhe me shqiptarët

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ftoi dje gjithë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë të nënshkruajnë kontratën e madhe me opozitën e bashkuar për të nisur rrugën e transformimit të Shqipërisë. “Sapo më shkruajti një mik dhe më tha zgjedhjet janë çështje serioze përtej batutave dhe sensit të humorit, unë dua të them se zgjedhjet janë vërtetë serioze. Kemi një kundërshtar përballë, të cilit i ka rënë morali politik deri në fund, duke bërë çdo gjë që është e mundur për të ndenjur në pushtet. Nëse këta burra që janë sot në pushtet, nëse mund t’u themi burra, do kishin qenë serioz me këtë popull, do ishin sjellë seriozisht me punën që kanë marrë përsipër për qeverisjen e Shqipërisë, të jeni të sigurtë që ne këtu sot mblidheshim kot. Por ne jemi këtu, sepse këta zotërinj na kanë dhënë një shans të madh, duke abuzuar përditë, duke gabuar përditë, duke ushtruar një arrogancë të paparë, këta e kanë tepëruar aq shumë sa duhet të ikin një ditë e më parë. Ne e kemi për detyrë, e gjithë opozita e bashkuar me PD në krye duam ta qeverisim Shqipërinë, t’iu propozojmë që të lidhim një kontratë të madhe për ta qeverisur vendin edhe më mirë nga sa e kemi qeverisur vet. Ne do të hyjmë në garë me veten, kjo është sfida jonë, dhe do ta fitojmë”, tha Shehi i pranishëm në hapjen e fushatës në Njësinë nr.5, në Tiranë.

Pampuri: Do jem zëri i çdo qytetari në Parlament

E dyta në listën demokrate për Qarkun e Tiranës, psikologia e njohur Orjola Pampuri, ftoi dje gjithë qytetarët e Njësisë Bashkiake nr. 5 në Tiranë të bëhen pjesë e projektit të Republikës së Re, projekt, i cili do të jetë mbështetja e fuqishme për çdo shqiptar dhe shqiptare jo vetëm në Tiranë, por në çdo cep të vendit. “Të gjithë së bashku po punojmë për një qëllim të vetëm, ajo është fitorja e 25 qershorit. Së bashku me struktruat, me të rinjtë dhe të rejat e Njësisë nr.5 kemi nisur një rrugëtim ku kemi ecur familje më familje, çdo biznes, pensionistë, studentë, të cilët përballen me tarifat të larta, biznese që përballen me taksa të larta, pensionistë, të cilët kanë punuar një jetë dhe sot jetojnë pa dinjitet për shkak të ekonomisë, kemi takuar persona, të cilët janë të pamundur ekonomikisht, por nuk marrin ndihmë ekonomike. Jemi nisur së bashku dhe do tia dalim më 25 qershor dhe në katër vite kam premtuar se do të jem prezent në Njësinë nr.5 për të qenë zëri i tyre dhe për të gjithnjë aty kur ata të kenë nevojë”, tha Pampuri.

Ulje taksash, vende të reja pune, 10 mijë stazhe në vit për të sapodiplomuarit

Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin ekonomik para banorëve të Tiranës në Njësinë 8 dhe 4. Basha tha se Republika e re do të ulë taksat, do të hapë fabrika për të krijuar vende pune, do të investohet në shkolla me drekë për fëmijët shqiptarë, 10 mijë stazhe për të sapodiplomuarit, ndihmë direkte për familjet në nevojë, pension minimal 250 mijë lekë, si dhe 100 milionë euro subvencione për fermerët. “Vendimi im i parë do të jetë ulja e taksave dhe çlirimi i qindra milionë eurove në ekonominë shqiptare. 10 mijë të rinj shqiptarë do të kenë stazhe të paguara nga Republika e re me rrogë 200 mijë lekë të muaj për të bërë urën nga bankat e universitetit tek tregu i punës. Do të luftojmë fuqishëm që sipërmarrja e madhe të hapë fabrika e të hapë vende pune. Mbështetje direkte financiare për ata që hapin vende pune. Do të konkurrojmë në rajon e kudo. Lufta ime e përnatshme dhe e përditshme do të jetë për të hapur vende pune. E nesërmja e sigurtë do të fillojë me fëmijët e shqiptarëve. Investimi më i madh i Republikës së re do të jenë shkollat publike ku, nga kopshti deri në maturë, shkollat do të përgatiten me infrastrukturë, me mësues, me kuzhina për drekën falas për çdo fëmijë shqiptar. E nesërme e sigurtë do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet në nevojë ekonomike dhe do të thotë pagesa e faturës së energjisë dhe të ujit si shtesë dhe jo t’ia japësh me një dorë dhe me tjetrën t’ia zhdukësh me faturat e larta”, tha Basha.

Njësia 8 bashkohet me projektin e Republikës së re

Në një takim me banorët e Njësisë 8 në Tiranë, lagje ku ka lindur dhe është rritur kryetari i PD, Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve të braktisin PS dhe LSI, duke i cilësuar parti të pazareve. Basha ftoi shqiptarët të bashkohen me PD, duke premtuar sesi kryeministër do të harxhojë çdo minutë në shërbim të tyre. “Bashkohuni me mua Lulzim Bashën sepse do të jem kryeministri i njerëzve të thjeshtë, i halleve dhe problemeve tuaja, i zgjidhjeve për ju, braktisni partitë e tepsisë së pushtetit, ktheheni pushtetin tek vetja juaj, për fëmijët tuaj. Merreni Tiranën në dorë, bëjeni natën ditë këto tre javë dhe ju jap fjalën se do të shkrij çdo minutë, çdo orë të jetës time si kryeministër për t’ju shërbyer dhe për të bërë realitet premtimet që sot ju dhashë këtu”. 25 qershori tha Basha do të jetë dita e llogaridhënies së kësaj mazhorance për premtimet e pambajtura. Basha: “Prandaj i ikën dhe debatit, refuzon debatin. Keni parë dhe do të shikoni spektakël, estradë, batuta. Tani ja ku jam këtu në këtë rrugë të lagjes time të vjetër, duke ju parë në sy dhe duke ju thënë që nuk kam ndërmend ta lejoj që ta marrë këtë fushatë prej hunde, që ju nuk keni ndërmend ta lejoni t’ju marrë për hunde, sepse më 25 qershor është dita e llogaridhënies për 300 mijë vendet  e punës që nuk i hapi, për taksat që rriti, për faturat e energjisë që i rriti, për shëndetësinë në kolaps, për qindra premtime që i mori votat dhe braktisi qytetarët”. Kryetari i opozitës tha se Rama dhe Meta në 4 vjet bënë vetëm spektakël politik. Basha: “E shikoni Edi Ramën nga mëngjesi deri në darkë do në qendër të vëmendjes veten e  tij, me batutë, me barsaletë, me karikaturë, me veshjen e tij do veten e tij në qendër të vëmendjes. Ai tjetri mori daullen në Kukës e patë. Ky tjetri kërcen valle, gjithçka vetëm për veten e tyre. Spektakël politik, si Ezeli, 4 vjet telenovelë. Por ndërkohë njerëzit me tavolina bosh, pa punë, me rroga copë-copë”. Basha tha se Rama refuzon debatin pasi nuk ka bilanc dhe ka braktisur çdo premtim.

Cutillo apel shqiptarëve: Mos shisni votën tuaj

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo i ka bërë thirrje dje shqiptarëve të përdorin të lirë të drejtën e votës së tyre dhe të mos e shesin atë. Ambasadori italian ka bërë të ditur se përfaqësitë diplomatike ashtu si gjithë faktori ndërkombëtar do të ushtrojnë një monitorim të rreptë të procesit zgjedhor nga fushata elektorale. Marrëveshjen PD-PS që i dha fund krizës politike ai e quan provë maturie. Por shqiptarëve ambasadori italian Alberto Cutillo u kërkon të mos gabojnë duke shitur votën, pasi një proces i rregullt hap rrugën e procesit të integrimit. “Besoj se ishte shumë e rëndësishme që forcat politike gjetën një dakordësi, ishte një provë maturie. Është një shenjë e mirë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Blerja e votës është sjellje e rëndë dhe jam besimplotë që qytetarët shqiptarë të kuptojnë rëndësinë e votës dhe të mos bëjnë këtë gabim. Prezenca ndërkombëtare do të ndihmojë në monitorimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Kjo sjellje korrekte do të jetë një sinjal pozitiv për integrimin europian të Shqipërisë”, është shprehur Cutillo. Vettingu duhet finalizuar deri në shtator, theksoi ai, pasi BE është gati për të vijuar më tej këtë proces të nisur. “Është një impenjim që të gjitha partitë po e mbajnë, që të përshpejtojnë, pra ta bëjnë përpara zgjedhjeve mbylljen e përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit të vettingut. Ky do të ishte një sinjal pozitiv pas të cilit vettingu do të finalizohet deri në shtator. Unioni europian dhe vendet e tjera janë gati, shpresojmë që edhe Shqipëria të jetë gati në shtator”, tha ambasadori italian. Është rezultati zgjedhor ai që parashikon koalicionet qeverisëse, por Cutillo e sheh domosdoshmëri vijimin e reformave. “Besoj se të gjitha forcat politike janë të impenjuara për reformat. Rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë kush do të qeverisë. Se di nëse do të jetë qeveri mes forcave të mëdha, por jam i sigurtë se kushdo që të fitojë zgjedhjet do të vijojë reformat, ku kryesore është ajo në drejtësi. Pa këtë, rrugëtimi në Europë do të ndalej. Besoj se asnjë forcë politike nuk do të merrte përsipër bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë”. Rëndësia e realizimit të zgjedhjeve me standarde duket se do të jetë pika kyçe që i ndez dritën jeshile vendit për anëtarësimin në BE. Në Shqipëri, sa vjen e rritet numri i vëzhguesve vendas e të huaj për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Deri tani janë regjistruar rreth 500 vëzhgues të pavarur, pa përfshirë këtu vëzhguesit partiakë, të cilët edhe ata pritet të jenë më të shumtë sivjet. KQZ miratoi pjesëmarrjen e grupeve të reja të vëzhguesve afatshkurtër nga Asambleja parlamentare e OSBE-së dhe organizatave vendase. Regjistrimet e djeshme e ngritën në afro 500 numrin e vëzhguesve të pavarur vendas e të huaj, pa përfshirë këtu qindra vëzhgues të partive në zgjedhjet e 25 qershorit. Fushata zgjedhore ka përfshirë gjithë vendin edhe zyrtarisht, ndonëse faktikisht, sipas vëzhguesve ajo ka nisur 6 muaj më parë, edhe për shkak të zgjatjes së krizës politike dhe shtyrjes së datës së zgjedhjeve.

Tropojanët përbuzin Ramën, ngrihen në këmbë me Bashën

Tropojanët përbuzën Ramën dje në pseudotakimin që ai kishte planifikuar për të hapur fushatën elektorale të Partisë Socialiste atje. Vetëm një grusht i vogël njerëzish dhe këta familjarë, farefis i kandidatëve të Ramës kishin dalë në takim, ndërsa pjesa tjetër ishte sjellë posaçërisht me autobusë nga Tirana. Duke i paraprirë dështimit të tij, Rama kishte porositur enkas mbushjen e pesë autobusëve me militantë, të cilët shoqëruan Ramën dje në Tropojë, e më pas në Kukës e në Has, me qëllim mbushjen e takimeve elektorale të tij në këto zona. Por ndërsa tropojanët, hasjanët dhe kuksjanët i dhanë përgjigjen e merituar Ramës duke bojkotuar takimet elektorale të tij, ata janë bashkuar të gjithë fuqishëm me projektin e Bashës për Republikën e re. Basha hapi fushatën elektorale në Tropojë ku prezantoi aty ekipin fitues dhe programin ambicioz të Partisë Demokratike për rimëkëmbjen ekonomike të shqiptarëve dhe gjithë vendit në tërësi. Kryetari i opozitës Lulzim Basha tha në Tropojë, se në ditën e parë të Republikës së re, ai do të jetë kryeministri i njerëzve të thjeshtë, punësimit dhe taksave të ulëta. Republika e re ka një plan konkret për ekonomi të fortë pa të cilën nuk mund të ketë qytetarë dhe shtet të fortë, tha Basha. “Vendimi im i parë do të jetë ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, qindra milionë euro do të jenë në xhepat tuaja. Konsumi do të rritet, paraja do të qarkullojë, investimet kapitale do të rriten, kreditimi do të nisë, mijëra vende pune do të krijohen, energjitë pozitive do të çlirohen. Unë do të luftoj ditë e natë, prej orës time të parë për vendet e punës, për punësimin tuaj, për punësimin e rinisë”. Çdokujt do t’i jepet mundësia të ketë të ardhme më të mirë nën qeverisjen e tij, tha Basha. “Për këtë jam futur në politikë. Nuk jam futur për rehatinë time sepse jetën time arrita ta ndërtoj para se të futesha në politikë. Ju e dini, mundësia m’u dha fare i ri të studioj në Holandë, në Universitetin e Utrechtit ku mbarova me rezultate të shkëlqyera në të drejtë ndërkombëtare. U punësova dhe punova me përkushtim në Tribunalin e Hagës, ku punova me skuadrën që përgatiti aktakuzën kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Vazhdova punën time në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në ndihmë të vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë. Ia dola me djersën e ballit, me punën time të shkëlqej në çdo mundësi që m’u dha dhe ndërtova një jetë të mirë për veten time dhe për familjen time”, tha Basha. Po lideri demokrat tha se ka ardhur koha që çdo i ri, çdo shqiptar të ketë sot shanset që ai pati dhe për këtë do të punojë ai. Nën logon e Partisë së Demokratike të themeluar nga Azem Hajdari dhe Sali Berisha, ka ardhur koha të hapim derën e Shqipërisë europiane, theksoi nga Tropoja kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ministrja Kumbaro me trafikantin e drogës

Nga Telnis Skuqi

Pa fjalë është pak të thuash, pa gojë është shumë.
Më erdhi si rrufe në qiell të pastërt. Nuk e prisja që një intelektual tepelenas, edhe të reagonte, por edhe të fshihej.
Kishte vërtet frikë, sepse në atë qytet që po kriminalizohet, të heqin qafe për hiç gjë.
“Nuk është e lehtë të jetosh në një qytet, ku edhe numrin e dhëmbëve ta dinë”, më shkruan në Facebook Gj. A., mësues i ciklit 9-vjeçar, prej 25 vitesh.
“Jetojmë në kohë të vështira”, shton ai dhe sakaq të nis një fotografi, ku shfaqet ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëherazi kandidatja për deputete e PS në Qarkun e Gjirokastrës, e shoqëruar me një person tjetër.
– Kush është ky?, e pyes unë me habi.
– Bostani!, më përgjigjet ai.
U shtanga. Më iku goja. Ngela pa fjalë.
Unë kujtoja se ai vuante ende vitet e burgut, pasi më 8 shkurt të gjashtë viteve më parë (2011), policia e atëhershme e kishte arrestuar në flagrancë në “Qafë të Muzinës”, me mbi 1 ton hashash, ndërsa sot krah për krah me zonjën ministre të Kulturës.
E mbaj mend atë lajm, si sot, sepse ishte aksioni i parë i policisë për atë vit, si dhe ishte tonelata e parë e bllokuar ndonjëherë, ndërsa Artan Bresha, “Bostani” siç e thërrasin shkurt miqtë e tij, nuk pati mundësi t’ja mbathte, ngeci në tentativën për të ikur në drejtim të paditur, e lanë në baltë bashkëpunëtorët e tij.
Në atë kohë, tonelata bëri bujë të madh, madje fotografia me furgonin tip “Ford”, me targa TP 0765 B, i tejmbushur me hashash bëri edhe xhiron e botës.
– Çfarë të thuash më, mendova unë.
Mësuesi kishte të drejtë.
Siguria e tij, nëse unë do ta identifikoja, do të ishte zero.
Një trafikant droge, pasi kryen disa vite burg, bëhet histori suksesi në administratën e pushtetit vendor, madje e bëjnë drejtor të Shërbimeve Publike.
– Këto të mira na solli Rilindja, më shkruan ironikisht mësuesi.
– Më fatlume është Mirela, shton ai.
– Sa herë që vjen në Tepelenë, tek “Bostani” e gjen mbështetjen, jo tek zgjedhësit, nis të shkruajë më gjatë ai.
Më tej, mësuesi Gj. A., më rrëfen se në vendlindjen e Ali Pashës Tepelenës, të fortët bëjnë ligjin, të dobëtit nënshtrohen.
Varfëria i ka lënë vendin mjerimit. Baballarët, tashmë, diskutojnë bukën e fëmijëve, jo barkun e tyre.
“Na hëngri hashashi. Nuk ka tokë të lirë për të mbjellë domate”, më shkruan mësuesi.
“E kupton o djalë, se çfarë do të thotë rilindës? Ka arritur kulmin. Në vend të tremben trafikantët, trembet populli”, më pyet dhe përgjigjet ai.

Kronika për arrestimin e bashkëpunëtorit të Kumbaros

Gjirokastër /8 shkurt/ – Policia e Gjirokastrës bllokoi mbrëmë dhe sot një ton lëndë narkotike marijuanë dhe arrestoi njërin prej trafikantëve, ndërsa tre të tjerë u shpallën në kërkim, njoftuan burimet e policisë lokale, në jug të vendit.
“Lënda narkotike ishte vendosur në brendësi të furgonit me targa TP 0765 B dhe po udhëtonte në drejtimit të Sarandës”, pohon Emri Vata, drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.
“Policia u vu në ndjekje të trafikantëve, duke bërë të mundur arrestimin e njërit prej tyre, Artan Bresha, 35 vjeç, nga Tepelena, ndërsa tre personat e tjerë u larguan, tashmë të shpallur në kërkim”, shton Vata.
“Nga këqyrja që iu bë furgonin rezultoi se në to ishin vendosur 400 pako me pesha të ndryshme, të mbështjella me letër natriban, ndërsa e gjithë sasia e lëndës narkotike arrinte 1 ton”, vazhdon ai.
I njëjti zyrtar specifikoi se, ndalimi i autorit dhe bllokimi i lëndës narkotike ka vijuar mbrëmë dhe u finalizua sot, në rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavijë, pranë fshatin Goranxhi.
“Gjatë aksionit të policisë u bllokua dhe një automjet tjetër, ‘Touareg’, me targa TR 8194 R”, vijon Vata.
“Ndaj 35-vjeçarit kanë nisur procedurat ligjore për paraburgimin e tij”, thotë Vata, duke shtuar se lënda narkotike kishte destinacion Greqinë.
Ky është i pari rast që Policia e Qarkut të Gjirokastrës bllokon një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, nga 2 tonë marijuanë, me 47 autorë të implikuar që u sekuestruan një vit më parë.

Raporti: Shqipëria po bëhet rrugë kryesore e trafikimit në Europë

Shqipëria përmendet për herë të parë me shqetësim në Raportin vjetor europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së djeshme nga Qendra europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA).
Raporti bazohet në informacionin që EMCDDA merr nga shtetet anëtare të BE, shteti kandidat Turqia dhe Norvegjia. Ndryshe nga viti i kaluar, ku Shqipëria nuk përmendej, në raportin e 2017-s vendi ynë veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit, ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë.
“Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabisit, ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017.
Në një publikim të mëparshëm të EMCDDA, “Raporti i Tregjeve të Drogave në Europë 2016”, në bashkëpunim me Europol, që botohet një herë të tre vjet, thuhet se vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë dhe në njëfarë mase Kosovën, furnizojnë tregjet e Europës Qendrore dhe Europës Lindore. Shqipëria duket të ketë qenë një prodhues i rëndësishëm (raporti i referohet dhe zhvillimeve në Lazarat dhe mbylljes së prodhimit aty).
Greqia, ku prodhohet gjithashtu kanabisi, është një pikë e rëndësishme hyrëse në BE për kanabisin shqiptar, që shpërndahet në disa shtete anëtare, përfshirë Italinë, Kroacinë, Hungarinë, Republikën Çeke dhe Austrinë. Një pjesë e kanabisit shqiptar mund të shitet dhe në Europën Perëndimore, si në Gjermani ose Francë. Për më tepër, Europol bën të ditur se kanabisi me fuqi të ulët trafikohet në Holandë dhe përdoret për të prodhues kanabis të fortë, që më pas destinohet për tregjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Shqipëria dhe Holanda duket të jenë nyjet kryesore të shpërndarjes për vajin afgan të kanabisit (Europol, 2015), sipas Raportit të Tregjeve të Drogave në Europë 2016.
Në hartat e publikuara nga raporti, shihet që Shqipëria ndodhet si në rrugën e trafikut të barit të kanabisit, ashtu dhe të vajit të kanabisit.
Raporti thekson se grupet shqiptare të krimit të organizuar vlerësohet se janë të përfshirë në tregtimin e vajit afgan të kanabisit, kryesisht në Europën Qendrore dhe Lindore përmes Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Demiraj: Luftë pa kompromis ndaj drogës

Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj u njoh me gjetjet e Raportit vjetor europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së djeshme nga Qendra europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA), ku Shqipëria përmendet në veçanti për rritjen e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të narkotikëve në Europë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj shprehet thellësisht i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Ministri Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si drejtorin e Shërbimit Informativ, prokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni.
Kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë.
Ministri Demiraj përgëzon punën goditëse të Policisë së Shtetit në parandalimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike dhe garanton mbështetje të plotë të të gjitha strukturave për zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017–2020.

Trafiku i drogës Shqipëri-Itali, 1 ton drogë e sekuestruar, 61 të arrestuar

Policia italiane përmes një operacioni antidrogë ka goditur në Catania, organizatën e trafikut të drogës Shqipëri-Itali. Një operacion i madh është ndërmarrë nga policia e Ragusa-s në Itali dhe Guardia di Finanza e Comos, kundër një rrjeti që trafikonte drogë nga Shqipëria në Itali.
Në vazhdën e operacionit të koduar “Balkan” janë nën hetim 61 persona, 37 mes të cilëve shqiptarë (6 ende në kërkim) dhe 24 italianë, të gjithë me origjinë siçiliane. Gjatë hetimeve, që nisën në vitin 2012, ka pasur bastisje në shumë qytete italiane; më e rëndësishmja në Catania, ku u sekuestruan 1,000 kg marijuanë.
Ditët e fundit janë arrestuar promotorët dhe organizatorët e trafikut, të gjithë shqiptarë. Në pranga është vënë: Fation Hoxhaj, 40 vjeç; Mandi Hoxha i njohur edhe si Gentian Hoxhaj, 37 vjeç, Erson Zhuka, 41 vjeç dhe Roland Kalemaj, 41 vjeç, raportojnë mediat lokale.
Hetimi zgjati disa vite dhe në të janë përfshirë dhjetëra hetues, të cilët kanë arritur të rindërtojnë të gjithë zinxhirin e trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Itali. Ngarkesa të mëdha janë nisur nga Shqipëria për në Itali.
Policia e shtetit në Itali dhe Guardia di Finanza, për më shumë se një vit e gjysmë kanë punuar veç e veç dhe pastaj kanë kombinuar hetimet në fazën përfundimtare, për të identifikuar furnizuesit shqiptarë. Një total, 61 persona do të gjykohen me akuzën se kanë qenë pjesë e organizatës kriminale të dedikuar për trafikimin e drogës.

Shqipëria, një “labirint” fiskal

Shqipëria është një ndër vendet më të vështira në botë kur bëhet fjalë për burokracitë e taksave dhe ambientit fiskal. Indeksi financiar global 2017 i grupit TMF i publikuar më 6 qershor, e rendit vendin tonë të 13-tin në botë sa i përket kompleksitetit të taksave dhe pajtueshmërisë financiare, duke e vendosur pranë vendeve si Italia apo Greqia, që njihen për burokraci dhe vështirësi të tepërta për sipërmarrjen. Madje, vendi ynë është përkeqësuar ndjeshëm në renditje në krahasim me indeksin e kaluar, kur renditej në vendin e 31-të në botë. Në të kundërt, Kosova, Serbia dhe Maqedonia janë ndër vendet me ambientin më të favorshëm të taksave në nivel global. Në analizë merren në total 94 shtete, të cilat renditen në bazë të një sërë faktorësh, si kompeksiteti i taksave në nivel qendror dhe lokal, transparenca, ndryshimet e shpeshta të sistemit të taksimit, etj. Vendi më i vështirë në botë për sipërmarrjen kur bëhet fjalë për të paguar taksat është Turqia, e ndjekur nga Brazili, Italia dhe Greqia. Vendet më të mira në botë ndërkohë janë ishujt Cayman. Renditja e Shqipërisë në pozita aspak të favorshme ndërkohë nuk është aspak surprizë. Kompleksiteti i sistemit fiskal lidhet ngushtë me ndryshimin e politikave dhe mungesën e reformave reale në këtë drejtim. Mungesa e një debati politik, institucional dhe publik mbi lehtësimin e burokracive dhe ndërtimin e një sistemi jetëgjatë, pashmangshmërisht që do të prodhojë një ambient të tillë, i cili penalizon jo vetëm investitorin vendas, por edhe atë të huaj.

Çmimet e importit rriten në krahasim me fundin e vitit

Indeksi i çmimeve të importit u rrit me 0,2%, në krahasim me tremujorin e parë 2016 dhe u ul me 0,3% në krahasim me tremujorin e katërt 2016, raportoi INSTAT.
Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të importit, në tremujorin e parë 2017 është 0,2%. Krahasuar me tremujorin e parë 2016, indeksi i çmimeve të importit në aktivitetet e industrisë nxjerrëse ka shënuar ulje me 6,8%, ndërsa në aktivitetet e industrisë përpunuese, ka shënuar rritje me 0,4%.
Në tremujorin e parë 2017 ndryshimi tremujor i indeksit është -0,3%. Çmimet e importit në seksionin “industria nxjerrëse” nuk pësuan ndryshime të dukshme, ndërsa çmimet e importit në seksionin e “industrisë përpunuese” pësuan rënie me 0,2%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në këtë seksion vlen të përmendet ulja e çmimeve të importit të produkteve në aktivitetin “prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 4,2% dhe “prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku” me 3,1%.

Linjat urbane në protestë, korrupsioni po dëmton ekonomikisht familjet

Korrupsioni në mbivendosjen e linjave të autobusëve interurbanë po dëmton ekonomikisht përfaqësuesit e rregullt të këtyre linjave. Sipas kreut të shoqatës Kujtim Mema janë 50 familje, të cilat kanë investuar për automjetet duke marrë kredi dhe që po dëmtohen çdo ditë nga konkurrenca e pandershme. Mema gjatë një proteste përballë Ministrisë së Transportit kërkoi dialog me institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi.
“Duke e shtypur këtë çiban, që ka dy vjet kjo histori e kësaj linje, ku nëpërkëmben 50 familje, të cilat janë pjesë e këtij transporti, janë pjesë prej 20 vitesh dhe vjen njëri sot ‘Ik ti se jemi ne’ se kërkohet të bëhet monopol si linjë, ku është një biznesmen, i cili ka ardhur nga Elbasani dhe kërkon edhe nga Tirana ta marrë, t’i heqë këto 50 familje dhe të jetë ai vasali i kësaj linje. Ne nuk do ta lejojmë”, tha Mema.
Kreu i Shoqatës së Autobusëve Interurbanë paralajmëroi përshkallëzim protestash duke bllokuar rrugët kryesore, nëse Ministria e Transporteve nuk apelon çështjen e mbivendosjes së linjave.
“Atëherë ne kërkojmë që ministria të apelojë se s’bën me çdo kusht. Ne prandaj do të rrimë para ministrisë, do të përshkallëzojmë protestat që ministria në mënyrë sa më urgjente ta çojë në apel, ta ankimojë këtë që është bërë. Deri nesër do të presim për zgjidhje. Të enjten ne këtu para ministrisë, me mjetet, me familjet do të dalim, nëse nuk e çojnë në apel këtë gjë”, paralajmëroi Mema.
Përfaqësuesit e këtyre linjave ankohen se nuk po gjejnë asnjë përkrahje në kërkesat e tyre.
“Ne që punojmë prej 20 vitesh kemi ngelur jashtë loje. Sigurimet na ecin, taksat na ecin, mjetet kanë shërbimet e veta që jemi të detyruar. Ka gjashtë muaj që rrimë përpara derës së ministrisë dhe nuk na jepet zgjidhje”, u shpreh, Arif Kaloshi.
“Unë kam te shtëpia dy makina. Kam marrë një tjetër 40 mijë euro tani me borxhe. Tani ka marrë X-i në fjalë licencën. Asnjë sqarim, asnjë koment. Ka ardhur dje me makina 8+1, i ka futur në linja autobusësh”, thotë Albert Mullameti.
Linja Tiranë-Elbasan vijon të jetë një ndër linjat më problematike sipas Shoqatës së Autobusëve Interurbanë.