21.5 C
Tirana
E shtunë, 26 Korrik, 2025

A janë sondazhet të besueshme?

Fushatat zgjedhore shoqërohen me padurimin për të ditur rezultatin final përpara ditës finale të zgjedhjeve. Sondazhet u bënë popullorë rreth gjysmë shekulli më parë në Amerikë. Sot shkenca ka arritur në atë nivel që të arrihet një parashikim i saktë me anë të sondazheve, por gjithçka varet nga zbatimi i rregullave dhe mënyra e përllogaritjes së marzhit të gabimit. Jo rrallë herë rezultatet e sondazheve kanë qenë të ndryshme nga rezultati final…
Fatmir Mema, profesor i Statistikës në Fakultetin e Ekonomisë kujton se gjatë vizitës për të trajnuar profesorët shqiptarë më 1996, Micheal Lewis Beck, profesor i Shkencave Politike, i cili ka kryer studime të thelluara mbi zgjedhjet, parashikimet zgjedhore dhe ekonominë politike, tha se një nga arsyet pse nuk vjen të punojë në Lindje është se, “njerëzit tjetër gjë thonë dhe tjetër bëjnë”.
Ka një sërë faktorësh, të cilët ndikojnë direkt në marzhin e gabimit, që sipas profesor Memës e bëjnë një sondazh të besueshëm ose jo.
Për sa i përket sondazheve të kryera në Shqipëri, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në marzhin e gabimit kanë qenë përzgjedhja e kampionit, saktësia e përgjigjes së njerëzve dhe fasha e gjerë e votuesve të pavendosur.
Çdo rezultat sondazhi është i përbërë nga kombinimi i dy variablave: përbërja demografike e elektoratit, që në Shqipëri është jo homogjene dhe se si pritet që secili grup të votojë. Johomogjeniteti i popullatës bën që marzhi i gabimit të sondazheve të rritet, tha profesor Mema.
Megjithëse analistët përpiqen që të bëjnë peshimin e rezultateve, arritja e një parashikimi të saktë mbetet e vështirë.
Zgjedhjet në Shqipëri kanë disa karakteristika të veçanta, për shembull, ka një grup të caktuar votuesish që janë besnikë të përhershëm të një krahu politik. Në vitin e saj më të keq zgjedhor 1993 për Partinë Socialiste të Shqipërisë  dhe në vitin 1997 për Partinë Demokratike numëroheshin rreth 27% të votuesve për secilin krah politik, thotë Mema.
Faktor tjetër, për sa i përket procesit zgjedhor në Shqipëri, është edhe procesi i votimit dhe numërimit.

Kultura e popullatës

Sondazhet zgjedhore kryhen duke intervistuar kampionin sipas një metodologjie të përcaktuar, tregon Elvis Bektasha, specialist i kërkimit të tregut. Përpiqemi që të pyesim të njëjtën gjë në forma të ndryshme për të marrë përgjigje sa më të vërtetë.
Kultura e popullatës është një ndër faktorët që ndikon më së shumti në mënyrën se si duhet të lexohen sondazhet. Rasti i Shqipërisë është specifik, sepse tek ne funksionon kultura e grupit dhe jo e individit.
Ndërsa për sa i përket problematikave të sondazheve lidhen me mënyrën se si organizohen (telefonata apo intervista), personin kush i ka porositur dhe kostot.
Për sa i përket pagesës, Elvis Bektasha thotë se është një ndër faktorët kyç në realizimin e sondazheve të sakta. Tjetër faktor është mënyra e formulimit të pyetjeve dhe fakti nëse intervista do të bëhet në anonimat apo jo.
Gjithashtu për të pasur sondazhe me rezultate sa më reale duhet investuar në teknologji dhe duhet staf i trajnuar mirë. Marzhi i gabimit është në varësi të kampionit në raport me popullatën.

BB shfryn rritjen ekonomike: Është më e ulët nga sa thotë qeveria

Banka Botërore ka shfryrë vlerësimet e qeverisë shqiptare për rritjen ekonomike. Në raportin e sapopublikuar mbi perspektivën e ekonomisë globale, BB thotë se vitin e kaluar rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 3.2 për qind, nga 3.5 për qind që është vlerësimi paraprak zyrtar i qeverisë dhe Institutit të Statistikave.
Por Banka Botërore nuk ka shfryrë vetëm rritjen e 2016-ës. Ajo ka një vlerësim më të ulët se qeveria edhe për vitin aktual duke parashikuar se rritja ekonomike do të jetë 3.5 për qind, nga 3.8 për qind që thotë qeveria.
Parashikimet e Bankës Botërore vijnë vetëm pak ditë pasi INSTAT uli shifrat e rritjes ekonomike për dy vite të mëparshme, përkatësisht 2015-ës dhe 2014-ën. Vlerësimet e fundit, tregojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë në tre vitet e fundit është raportuar e fryrë, ndërkohë që në realitet ajo ka qenë thuajse mediokre.

Përmirësohen të tjerët

Ndërsa për Shqipërinë vlerësimet e Bankës Botërore kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me ato paraardhëset, për vendet e tjera vlerësimet për rritjen ekonomike janë përmirësuar thuajse për të gjithë rajonin.
Sipas raportit, për rritjen ekonomike të këtij viti, përmirësimin më të fortë krahasuar me vlerësimet paraardhëse e ka Maqedonia. Për fqinjin tonë lindor, projeksionet janë rritur me 0.4%, për Serbinë me 0.3%, ndërkohë që për Malin e Zi janë ulur me plot 0.7 pikë përqindje.
Ndërsa në total për horizontin afatmesëm është Kosova ajo që ka parë përmirësimin më të fortë të perspektivës së ekonomisë. Sipas Bankës Botërore, Kosova, do të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon jo vetëm përgjatë këtij viti, por edhe përgjatë vitit të ardhshëm dhe vitit 2019, pasi projeksionet janë rritur me 0.5 pikë për 2018 dhe 0.8 pikë për 2019-ën.

Ministrja e Financave–bizneseve: Denonconi presionet për kontroll apo gjobëvënie

Policia Tatimore,dyqan. Foto / Malton DIBRA.

Ministrja e Financave, znj. Helga Vukaj zhvilloi dje një takim të zgjeruar me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë, Bashkimin e Prodhuesve shqiptarë, si dhe me përfaqësues të shoqatave të tjera të biznesit në vend.
Ministrja Vukaj falënderoi përfaqësuesit e biznesit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo theksoi se punonjësit e administratës shtetërore janë shërbëtorët tuaj e të ligjit, për të ndihmuar dhe lehtësuar veprimtarinë tuaj.
“Çdo punonjës i administratës fiskale, duke filluar nga ministri e deri te inspektori më i thjeshtë i doganës apo tatimeve, që e konsideron veten ndryshe në raport me ju, nuk është gjë tjetër veçse një abuzues i momentit në detyrë dhe do të jetë pa perspektivë në të ardhmen europiane të institucionit ku punon”.
Zonja Vukaj theksoi se shërbimi me korrektësi dhe përulësi ndaj jush, si motori i zhvillimit të vendit, është dhe do të jetë edhe në vijim obligimi ynë kryesor.
Ajo kërkoi nga përfaqësuesit e biznesit që të denoncojnë çdo rast presioni abuziv nga administrata fiskale, për kontroll apo gjobëvënie. “Presioni ndaj jush për çfarëdolloj arsye, elektorale apo korruptive, është kriminal”, theksoi zonja Vukaj.
Po kështu, zonja Vukaj u kërkoi atyre që të denoncojnë edhe rastet kur ndaj punonjësve të tyre ushtrohet presion për arsye politike dhe elektorale.
Më tej, takimi vijoi me diskutimin e disa prej problemeve më të rëndësishme me të cilat përballet sot komuniteti i biznesit në Shqipëri.
Zv.presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Arben Shkodra, shprehu nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes biznesit dhe qeverisë, siç u shpreh ai, për rritjen e nivelit të konsultimit publik në interes të zhvillimit ekonomik të vendit.
Duke folur në terma konkretë, ministrja e Financave shprehu keqardhjen për kontrollin e gjitha ngarkesave në eksport nga ana e autoriteteve doganore. Ajo theksoi se kjo procedurë nuk është në përputhje me standardet europiane të kontrollit në kufi dhe ka pasoja të konsiderueshme negative në veprimtarinë e biznesit. Por kjo situatë kontrolli në kufi do të vijojë përsa kohë që lufta kundër trafikimit të drogës në vend nuk do të njohë rezultate të tjera.
Zonja Vukaj shprehu bindjen se qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, do të përballet me gjithë forcën e ligjit me fenomenin e trafikimit të drogës duke e eliminuar atë dhe do të mundësojë kthimin në standarde evropiane të kontrollit në doganë, bazuar në kritere selektiviteti dhe analize risku.
Përfaqësuesit e biznesin njohën ministren Vukaj me një sërë çështjesh të tjera konkrete që lidhen me veprimtarinë e tyre të përditshme. Ata theksuan domosdoshmërinë e marrjes së mendimit të prodhuesve shqiptarë nga ana e qeverisë përpara se ekzekutivi të propozojë iniciativat ligjore që lidhen me biznesin.
Po kështu, ata shprehën shqetësimin për nivelin e dobët dhe aspak profesional të një pjese të administratës fiskale.

Pioli në stolin e Fiorentinës

Pas Interit, Stefano Pioli nis një aventurë të re në stolin e Fiorentinës duke pasuar në këtë detyrë portugezin, Paulo Sousa. Lajmin e bën të ditur vetë klubi toskan nëpërmjet një komunikate zyrtare ku thekson se Pioli do të marrë menjëherë drejtimin e skuadrës. Si lojtar, Pioli ka luajtur 156 ndeshje me fanellën e Fiorentinës mes viteve 1989-1995. Trajneri i ri do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me opsion për një tjetër sezon. Stefano Pioli ka një eksperiencë të madhe në Serie A ku ka drejtuar Bolognan, Lazion dhe Interin gjatë sezonit të fundit.
Kulmin e karrierës si trajner ai e ka arritur në Romë me skuadrën e Lazios, të cilën e kualifikoi në Champions League menjëherë pas sezonit të tij të parë si bardhekaltër. Në sezonin e fundit, ai mori drejtimin e Interit duke mos arritur të bindë drejtuesit e klubit zikaltër për të vazhduar projektin me skuadrën milaneze. Me Interin, ai arriti të fitonte 12 nga 16 ndeshjet e para në krye të stolit, por mbyllja e sezonit rezultoi fatale për të pasi skuadra zikaltër nuk arriti të kualifikohej për në zonën europiane.

Coentrao largohet nga Reali

Fabio Coentrao ishte i vetmi që mungoi në festën me skuadrën në “Bernabeu” për fitoren e Champions League, një sinjal i rëndësishëm për largimin e tij këtë verë. Mësohet se mbrojtësi do të rikthehet në Portugali te Sporting Lisbon ku do të luajë si i huazuar për një sezon. Coentrao ka një kontratë deri më 2019 me Real Madridin dhe një pagë prej 3.5 mln euro, por Sporting do të mbulojë vetëm 10% të pagës, pra 350 mijë euro për huazimin e tij.

Riyad Mahrez ikën nga Leicester City

LEICESTER, ENGLAND - NOVEMBER 28: Riyad Mahrez of Leicester City during the Barclays Premier League match between Leicester City and Manchester United at The King Power Stadium on November 28, 2015 in Leicester, England. (Photo by Matthew Ashton - AMA/Getty Images)

Te Leicester City janë të dorëzuar për largimin e Riyad Mahrez dhe tashmë po kërkojnë pasuesin e tij, të cilin e kanë gjetur. Sipas shtypit anglez, drejtuesit kanë shënjestruar Gylfi Sigurdsson, i cili ishte një nga më të mirët te Swansea sezonin e kaluar duke kontribuar me 9 gola në mbijetesën e ekipit. Për ta shkëputur nga Swansea oferta nga Leicester është 35 mln euro, ndërsa me lojtarin islandez akordi është arritur prej ditësh.

Dortmund bëhet me trajner të ri

Borussia Dortmund nuk ka pritur gjatë që ta gjejë pasardhësin e Thomas Tuchelin, i cili u largua nga skuadra në fund të sezonit. Ekipi nga Bundesliga trajner të ri e ka emëruar holandezin, Peter Bosz, i cili së fundi e ka drejtuar Ajaxin. “Peter Bosz është trajneri i ri i Dortmundit. Kontrata do të zgjasë deri në vitin 2019”, thuhet në njoftimin e klubit.
Që pas largimit nga drejtimi i Dortmundit, Thomas Tuchel po pret ofertën e duhur për të rinisur aventurën në stol teksa disa prej tyre i ka refuzuar. Një prej tyre është ajo e Bayer Leverkusen ku sipas agjentit të tij nuk është në lartësinë e trajnerit gjerman. Ai tha se Tuchel për momentin do të marrë disa pushime dhe do të ndjekë zhvillimet në merkato, por sipas mediave gjermane, Tuchel synon të trajnojë në Premier League.

Adnan Januzaj larg Manchester United

Adnan Januzaj rikthehet nga huazimi te Sunderland, por nuk pritet të qëndrojë te Manchester United pasi nuk është në planet e Jose Mourinhos. Për talentin me origjinë shqiptare janë disa ekipe të interesuara, ndërsa oferta më interesante është ajo e Marseille në kampionatin francez. Rudi Garcia është gati t’i ofrojë vendin e titullarit për sezonin e ardhshëm mesfushorit 22-vjeçar, i cili mund të pranojë për të provuar vetën jashtë kampionatit anglez.

Spalletti: I lumtur që do të drejtoj Interin

Firma mungon, por Luciano Spalleti është trajneri i ri i Interit. Ende nuk ka asgjë zyrtare, por tashmë zikaltërit kanë emrin e ri të teknikut që do t’i udhëheqë ata për sezonin e ardhshëm. Do të jetë ish-trajneri i Romës, ai që do të drejtojë anijen e Interit, ku sigurisht objektivi kryesor është rikthimi i skuadrës në Champions. Mes palëve ende nuk është firmosur asnjë kontratë, por është vetë Spalleti ai që ka deklaruar se çdo gjë është në rregull dhe se është shumë i lumtur që do të drejtojë një skuadër si Interi.
“Jam i lumtur. Çfarë pres nga udhëtimi? Duhet ta mbajmë një konferencë për shtyp, pastaj nëse punojmë në mënyrë korrekte i bëjmë gjërat e rregullta. Nënshkrimi? Jemi ende me të vjetrën, i bëjmë të gjitha me një shtrëngim duarsh”, ka deklaruar Spaletti pas arritjes në Milano. “A jam i kënaqur të punoj me Sabatinin? E tepërt ta them, është njeri i mirë dhe di të punojë nën presion, është e lehtë të punosh me persona që kanë respekt, cilësi dhe kontakt me atë që i rrethon”, ka shtuar ai. Spalletti në sezoni e fundit e ka drejtuar Romën, derisa në të kaluarën ka udhëhequr ekipet si: Zenit, Empoli, Sampdoria, Venezia, Udinese dhe Ancona.
Ndërkohë drejtori sportiv i ekipeve të Suning ka dhënë vlerësimin e tij për Spalletin, duke e cilësuar atë si një personazh, i cili ka kapacitetet për të arritur gjëra të mëdha. Në orët e ardhshme do të vijë dhe prezantimi i trajnerit, ku do të bëhen publike detaje nga akordi i arritur. Përsa i përket çështjes së Perisiç, drejtues të klubit zikaltër, deklarojnë se nuk kanë biseduar me të, fakt që ndoshta shton dyshimet për një largim të mundshëm të kroatit. Kandidatët që kanë shfaqur interes për të pasur në dispozicion shërbimet e sulmuesit të krahut, nuk mungojnë. Man.United ka ofruar 52 milionë euro. Largimi i tij për Interin konsiderohet si i nevojshëm për shkak të fair play-t financiar.

“Çmendet” Zidane

Real Madrid do të bëjë disa ndryshime në skuadër gjatë kësaj vere, duke larguar shtatë lojtarë. Pavarësisht se Real Madrid këtë sezon fitoi La Ligan dhe Ligën e Kampionëve për të dytin vit radhazi, trajneri Zinedine Zidane do të bëjë disa ndryshime. Ai nuk është i kënaqur me disa lojtarët, të cilët pritet të largohen gjatë kësaj vere, ndërsa të tjerë të do të ofrohen në skuadër, shkruan “AS”.
Tashmë dy lojtarë janë larguar Pepe dhe Coentrao. Njërit i kishte skaduar kontrata, ndërsa i dyti do të huazohet në Sporting Lisbona. Por, rrugës së tyre janë edhe pesë futbollistë të tjerë, të cilët nuk kanë vend në skuadrën e trajnerit francez.
I pari që do të largohet është James Rodriguez, për shkak të minutazhit të vogël dhe mospërshtatjes në stilin e lojës së Zidane. Për të njëjtën arsye do të largohet edhe sulmuesi Alvaro Morata, i cili para një sezoni u kthye në skuadër nga Juventus.
Largim tjetër i madh është edhe ai i portierit Keylor Navas, i cili nuk dëshiron të jetë portier i dytë, pasi Reali pritet që gjatë kësaj vere të transferojë portierin e Manchester Unitedit, David de Gea. Dy largimet e tjera më pak të dhembshme janë ai i mbrojtësit të djathtë Danilo dhe i sulmuesit të talentuar Mariano.
Sulmuesi i Realit të Madridit, Alvaro Morata nuk ka marrë ende asnjë vendim për të ardhmen pas një sezoni plot dritëhije në aspektin personal, çka ka bërë që të nisë një ankand i vërtetë. Milani në Itali është skuadra që ka shfaqur hapur interesin për të veshur kuqezi bomberin iberik, por futja në lojë e skuadrave angleze e komplikon misionin për klubin piemontez. Milan i ka bërë Moratës një ofertë konkrete nga e cila mund të përfitojë rreth 6 milionë euro në sezon, por Morata mbetet i pavendosur pasi ai është shumë i lidhur me ngjyrat bardhezi ku shpërtheu duke lënë gjurmë në futbollin italian.
Dashuria për Juventusin për momentin e mban Moratën larg Serie A dhe nga kjo situatë përpiqet të përfitojë Jose Mourinho. Largimi i paralajmëruar i Zlatan Ibrahimoviç e ka vënë në lëvizje trajnerin luzitan për të gjetur zëvendësuesin ideal të suedezit. Të gjitha rrugët e çojnë Mourinhon në Madrid, por gjithashtu në garë për të është edhe Chelsea. Fakti që klubet angleze nuk e kanë aspak problem çështjen e parave, mund ta shtyjë sulmuesin drejt ishullit.
Te Manchester United, Morata e ka vendin e titullarit të sigurt, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Chelsean ku Diego Costa mbetet zgjedhje e parë. Gjithsesi, e ardhmja e bomberit të bluve mbetet ende mes Kinës dhe Anglisë dhe një largim i mundshëm i tij në Azi do ta hidhte menjëherë në sulm Antonio Conten, i cili nuk dëshiron të humbasë cilësi në repartin e tij të avancuar.