Florentino Perez, presidenti i Real Madridit, i ka ndarë 40 milionë euro për lojtarët dhe stafin e skuadrës. Pas triumfit në Ligën e Kampionëve skuadra e Real Madridit ka arkëtuar 75 milionë euro. Por, numri një i Los Blancos, Florentino Perez ka vendosur që pjesën më të madhe të këtyre parave (40 milionë) t’ua ndajë lojtarëve dhe stafit. Sipas të përditshmes sportive madrilene, “AS”, Perez ka shpërblyer lojtarët me nga 1.5 milionë euro secilin, në total 36 milionë euro.
2 milionë euro i ka ndarë Zinedine Zidanit, derisa pjesa tjetër e stafit të Realit Madridit ka marrë 2 milionë të tjera. Los Blancos hyri në histori të kësaj gare duke u bërë skuadra e vetme që e fiton trofeun e Ligës së Kampionëve dy herë radhazi.
Ndërkohë, portieri i njohur spanjoll, Davide de Gea pritet t’i bashkohet skuadrës së Real Madridit gjatë kësaj vere. Kurse, menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho ende nuk e ka gjetur pasardhësin e De Geas. Sipas tabloidit britanik, “Daily Mail”, strategu portugez ka tri opsione për pasardhësin e portierit spanjoll.
Fjala është për tre portierë që aktivizohet në Serie A: Samir Handanoviç (Inter), Gianluigi Donnarumma (Milan) dhe Joe Hart (Torino). Donnarumma dhe Hart kanë gjasa të mëdha që gjatë verës të ndërrojnë ekipet, derisa largimi i Handanoviçit nga nerazzurët duket më pak i mundshëm. Megjithatë gjatë këtyre javëve pritet të shihet përfundimisht se kush do të jetë pasardhës i De Geas.
Qendërmbrojtësi portugez, Pepe e ka konfirmuar se gjatë kësaj vere do të largohet nga Real Madrid, nga skuadra e ëndrrave të tij. Ai dje me anë të një letre të publikuar në Facebook, ka treguar dashurinë e tij për Realin dhe ka falënderuar të gjithë për mbështetjen. Pepe, po ashtu ka treguar edhe momentet më të mira të tij në Real, e që kanë qenë stërvitja, çdo ndeshje në “Bernabeu” dhe dashuria e tifozëve.
Perez shpërblen lojtarët me miliona
Kosovë, partitë shpenzojnë qindra mijëra euro për katër ditë fushatë
Portalet kosovare kanë publikuar dje rezultatet e monitorimit të dy organizatave të pavarura, Demokraci Plus dhe Çohu!, të shpenzimeve të fushatës elektorale nga partitë në Kosovë.
Fokus i këtij monitorimi ka qenë fushata e partive politike në media, duke përfshirë televizionet, portalet, gazetat dhe transmetimet e drejtpërdrejta të mitingjeve. Organizatat kanë monitoruar shpenzimet e partive për katër ditë të fushatës.
Koalicioni PDK-AAK-NISMA, që propozon si kryeministër Ramush Haradinajn, për katër ditë të fushatës ka shpenzuar më së shumti krahasuar me partitë e tjera politike.
Ky koalicion ka shpenzuar:
55 251 euro për transmetimin e reklamave në televizione;
23 350 euro për reklama në portale online;
36 000 euro për xhirimet dhe transmetimet e drejtpërdrejta të mitingjeve;
17 300 euro për xhirimin e spoteve televizive;
3 250 euro për reklama në gazeta.
Në total në katër ditë fushtë, koalicioni PDK-AAK-NISMA ka shpenzuar 135 151 euro, pra mesatarisht 33 787 euro për ditë.
Koalicioni mes partisë së ish-Kryeministrit Isa Mustafa, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe partisë së Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe partisë së re Alternativa, ka shpenzuar:
25 970 euro euro për transmetimin e reklamave në televizione;
44 000 euro për xhirimet dhe transmetimet e drejtpërdrejta të mitingjeve;
21 400 euro për xhirimin e spoteve televizive;
20 500 euro për reklama në portale online;
3 560 euro për reklama në gazeta.
Në total, ky koalicion ka shpenzuar 115 430 euro për katër ditë fushatë elektorale, pra mesatarisht 28 857 euro për ditë.
Ndërkohë shpenzimet e Lëvizjes Vetëvendosja janë dukshëm më të ulëta:
3 661 euro për transmetimin e reklamave në televizione;
1 700 euro për xhirimin e spoteve televizive;
28 000 euro për për xhirimet dhe transmetimet e drejtpërdrejta të mitingjeve;
260 euro për reklama në gazeta.
Në total, Lëvizja Vetëvendosja ka shpenzuar 33 621 euro për katër ditë fushatë elektorale.
Përfaqësues të dy organizatave thanë se partitë politike nuk janë treguar transparente dhe nuk pranojnë të deklarojnë burimin e parave.
“E para është se donatorët nuk duan t’u zbulohet emri. Partitë politike nuk i deklarojnë të gjitha se pastaj bien në kundërshtim me limitet ligjore, kufizime të cilat i vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rastet e tjera, partitë politike nuk i kanë nën kontrollin e vet as kandidatët individualë”, u shpreh Isuf Zejna nga Demokraci Plus.
Arabia dhe Katari ndahen për Iranin
Shtetet e Bashkuara dhe Kuvajti po përpiqen për kapërcimin e ndarjes diplomatike ndërmjet Katarit dhe disa vendeve arabe, për shkak të akuzave se Katari e mbështet ekstremizmin.
Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al-Thani, tha dje se Kuvajti po përpiqet të ndërmjetësojë në këtë kontekst, ku përfshihen edhe akuzat se Katari e mbështet Iranin dhe grupet kryengritëse shiite në rajon, që përkrahen nga Teherani.
Në një fjalim të transmetuar në rrjetin televiziv, “Al-Jazeera”, ministri i Jashtëm i Katarit, Al-Thani, tha se vendi i tij do të përmbahet nga përshkallëzimi i këtij mospajtimi, që ka shkaktuar ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, të raporteve tregtare dhe të trafikut ajror ndërmjet palëve.
Ai ka bërë thirrje për “dialog të hapur dhe të sinqertë” për zgjidhjen e krizës dhe ka shprehur përkushtim që Katari nuk do të lejojë që ky kontekst t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara, që e kanë bazën madhore ajrore ushtarake në këtë shtet të vogël të Gjirit.
“Raportet tona me Shtetet e Bashkuara janë strategjike”, tha Al-Thani dhe ka shtuar se, “ekzistojnë gjëra për të cilat ne nuk pajtohemi, por hapësirat tona të bashkëpunimit janë shumë më tepër se ato të mospajtimit”.
Zyrtarët amerikanë thanë se po synojnë uljen e tensioneve ndërmjet dy palëve, derisa Kuvajti kishte dëshiruar të veprojë si ndërmjetësues ndërmjet Katarit dhe Arabisë Saudite, që e ka udhëhequr nismën në mesin e vendeve arabe për t’i shkëputur lidhjet me kryeqytetin Doha.
Në këtë kuadër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se “presidenti është i përkushtuar për të vazhduar bisedimet me të gjithë njerëzit e involvuar në këtë proces, me të gjitha këto shtete”.
“Ne dëshirojmë të vazhdojmë uljen e përshkallëzimit dhe në këtë pikë ne vazhdojmë të punojmë me secilin prej këtyre partnerëve”, tha zëdhënësja Sanders.
Mospajtimi ndodhi dy javë pas vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Arabinë Saudite, me ç’rast pati bërë thirrje për front unik mysliman kundër ekstremizmit dhe e ka theksuar Iranin dhe aleatët e tij, si burime të tensioneve në rajon.
Kuvajti dhe Omani ishin në mesin e pak shteteve që nuk i janë bashkuar nismës për izolimin e Katarit dhe Iranit. Konsiderohet se Irani është rivali kryesor i Arabisë Saudite në rajon.
Në këtë aksion, sauditëve u janë bashkuar Bahrejni, Libia, Egjipti, Jemeni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maldivet.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër kryengritësve të mbështetur nga Irani në Jemen, po ashtu, e ka përzënë Katarin nga koalicioni duke e akuzuar se u jep “mbështetje organizatave” terroriste atje.
Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e konfliktit. “Fqinjët janë të vazhdueshëm; gjeografia nuk mund të ndryshojë”, ka shkruar Zarif në rrjetin Twitter.
Një zyrtar tjetër iranian tha se Teherani do të eksportojë ushqim në Katar nëpër det, derisa Arabia Saudite e ka bllokuar të vetmen rrugë tokësore për Katarin. Kjo ka shkaktuar panik te shtetasit e Katarit, të cilët u janë vërsulur vetëshërbimeve për të rezervuar sa më tepër ushqim.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka telefonuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të diskutuar për këtë situatë. Raportohet se Ankaraja është “aktivisht e involvuar” në përpjekje për ta kapërcyer këtë gjendje të tensionuar ndërmjet vendeve arabe. “Lindja e Mesme nuk është pikë ku mund të bëhet edhe një krizë e re”, tha zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus.
Greqi-Maqedoni, drejt zgjidhjes së emrit
Sinisa Jakov Marusic
Dimitrov, ministri i ri i Jashtëm i Maqedonisë, do të udhëtojë në Greqi i ftuar nga homologu i tij grek, Nikos Kotzias. Data e saktë e vizitës nuk është zbuluar ende.
“Diplomacia ka si punë ndërtimin e urave, të krijojë miqësi dhe të hapë dyer dhe perspektiva”, u tha Dimitrov mediave lokale, duke zbuluar synimin e tij për të pranuar ftesën e fundit të Greqisë për ta vizituar.
“Duke pasur parasysh se sfida më e madhe për integrimin tonë euro-atlantik janë marrëdhëniet me Greqinë, dua t’ia tregoj pamjen e re të Republikës së Maqedonisë veçanërisht Greqisë. Jam i bindur se Greqia është gjithashtu e interesuar për Republikën e Maqedonisë”, tha Dimitrovi.
Kotzias ka thënë disa herë se do të kërkojë intensifikim të bashkëpunimit me Maqedoninë, pasi kjo t’i japë fund krizës së zgjatur politike të brendshme. Zoran Zaev mori më në fund mandatin për të formuar një qeveri, pas disa muajsh pasigurie politike që nga zgjedhjet e dhjetorit të kaluar.
“Kam pasur biseda të vazhdueshme me Zaevin dhe do ta ftoj homologun tim Dimitrov në Athinë, që të gjejmë mënyra për intensifikimin e bashkëpunimit dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve afatgjata… në frymën e konsensusit demokratik”, tha Kotzias menjëherë pas zgjedhjes së qeverisë së re maqedonase.
Greqia pretendon se përdorimi i fjalës Maqedoni nënkupton një pretendim territorial ndaj provincës veriore greke me të njëjtin emër. Athina ka bllokuar përpjekjet e Shkupit për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE për mosmarrëveshjen e pazgjidhur.
Në vitin 2008, Maqedonia humbi mundësinë për të hyrë në NATO vetëm për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë.
Si rezultat, Maqedonia mori një ftesë të kushtëzuar sipas së cilës NATO detyrohej ta ftonte vendin për t’u anëtarësuar pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes me fqinjin e saj. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë përparim të mëtejshëm dhe marrëdhëniet dypalëshe janë përkeqësuar më tej, ndërsa Athina ka akuzuar ish-qeverinë maqedonase të udhëhequr nga Nikola Gruevski për provokime.
Zëvendësndihmëssekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, mirëpriti sinjalet e reja pozitive që vijnë nga të dyja palët.
Ai tha se shpreson se qeveria e re maqedonase do të punojë “për zgjidhjen e çështjeve me fqinjët, përfshirë Greqinë”.
“Isha i lumtur të shihja ministrin e Jashtëm Kotzias të Greqisë t’i zgjaste një dorë miqësie homologut të tij në Maqedoni, duke shprehur gatishmërinë e tij për të biseduar, për t’u takuar për të çuar përpara marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve, të cilat me kalimin e kohës, shpresojmë se do të arrijnë marrëveshjet për zhbllokimin e rrugës së integrimit të Maqedonisë në euro-atlantik”.
Vizita u lajmërua në një kohë kur disa vëzhgues politikë në Maqedoni besojnë se qeveria e re mund të përdorë interesimin e SHBA-së dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor për të marrë një ftesë për t’u anëtarësuar në NATO më shpejt – një rrugë që do të çonte në përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë.
Arsyeja për shtimin e interesit perëndimor në rajon, thanë vëzhguesit është ndikimi në rritje i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti rumun, i pari lider në Ballkan që viziton Trump
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, pritet të takohet më 9 qershor me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për një vizitë zyrtare mes shqetësimeve të vazhdueshme të shteteve europiane mbi qëndrimet e papërshtatshme të presidentit amerikan në lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Europian.
Iohannis do të udhëtojë drejt SHBA-së të dielën për të marrë pjesë fillimisht në Forumin Global të Komitetit të Hebrenjve amerikanë, si një i ftuar nderi dhe për të marrë çmimin “Dritë Kombeve” – çmimi më i lartë i organizatës 110-vjeçare për krerët e shteteve apo qeverive në lidhje me punën e tyre ndërkombëtare për paqe dhe demokraci.
Sipas presidencës rumune, Iohannis dhe Trump do të diskutojnë partneritetin strategjik 20-vjeçar midis Rumanisë dhe SHBA-së, ndërsa Iohannis do të theksojë se vendi i tij mbetet aleati më i parashikueshëm dhe më i besueshëm i Amerikës në rajon.
Diplomatët rumunë në Uashington e kanë kërkuar vizitën prej muajsh, duke i kujtuar administratës së re të Trump se vendi është i vetmi në Ballkan dhe në rajonin e Detit të Zi, që ka ngritur shpenzimet e veta të mbrojtjes në 2 për qind të PBB-së, pasi traktatit të NATO-s.
Në një intervistë në shkurt, ambasadori i Rumanisë në Uashington, George Maior, tha se takimi i Iohannis me Trump ishte një përparësi kryesore.
Ai tha gjithashtu se ish-këshilltari i sigurisë i Trump, Michael Flynn, i cili ka vizituar disa herë Rumaninë, kishte premtuar të bindte sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson të vizitonte vendin ballkanik.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit, në samitin e NATO-s në maj në Bruksel, Trump i qortoi aleatët se nuk kishin bërë shpenzimin e mjaftueshëm për mbrojtjen kolektive, duke përsëritur ankesat e zakonshme se ngarkesa më e madhe bie mbi Amerikën.
Ai gjithashtu refuzoi të mbështeste nenin 5 të traktatit të aleancës, ku thuhet se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.
Rumania ka mbështetur me forcë lëvizjet e NATO-s për të shtuar praninë e saj në krahun lindor të aleancës.
Ajo dhe Bullgaria fqinje, si dhe shtetet baltike dhe Polonia, po presin ushtarë nga 28 shtetet anëtare të NATO-s, ku më shumë se 7,000 trupa janë dërguar në vendet fqinje me Rusinë.
Iohannis ishte gjithashtu kreu i parë i një shteti të NATO-s dhe BE-së që mbështeti SHBA-në, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel tha se, “Europa duhet ta marrë fatin e saj në duart e veta”, duke iu referuar presidencës Trump dhe Brexit.
Iohannis i hodhi poshtë të hënën shqetësimet e Merkel rreth drejtimit aktual të SHBA. “Deklarata e Kancelares Merkel u bë për shkak të pritshmërive të papërmbushura në samitin e NATO-s dhe në Samitin G7. Nuk mendoj se duhet të shqetësohemi për këto marrëdhënie”, tha Iohannis.
Djali më i madh i Trump nga ish-gruaja Ivanka, Donald Trump i Riu, i cili drejton Fondacionin Trump, u pa së fundmi teksa bënte gjueti në Rumani në maj.
I pyetur nëse ishte takuar me djalin e Trump, Iohannis tha atëherë se preferonte t’i shihte kafshët gjallë.
Tunelet e drogës nga Meksika në SHBA
Trafikantët e drogës, që kërkojnë të futen në tregun fitimprurës amerikan, kanë krijuar kalime të ndryshme sekrete për të kontrabanduar produktet e tyre të paligjshme. Ndër të tjera, ata kanë hapur tunele të gjera dhe të sofistikuara poshtë kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Kamera e “Zërit të Amerikës” u lejua të vizitonte një tunel klandestin për të mësuar se sa i vështirë është ndalimi i trafikimit të drogës.
Për tregtinë e paligjshme të marijuanës, tunelet janë një formë popullore transporti. Që nga viti 1990 janë zbuluar mbi 220 tunele në kufirin me Meksikën, përfshi 60 në zonën e kontrolluar nga roja kufitare në San Diego të Kalifornisë. Jose Hernandes është zëdhënës i rojes kufitare në San Diego.
“Kjo është një zonë industriale me magazina dhe kamionë në lëvizje në çdo orë të ditës. Trafikantët i maskojnë veprimtaritë e tyre aty ku të gjithë mund t’i shohin”.
Zhurmat nga trafiku i vazhdueshëm në anën amerikane dhe ndërtimi i dendur urban në anën meksikane maskojnë më së miri hapjen e tuneleve sekrete, sikurse ky tunel i zbuluar në vitin 2009. Trafikantët shpenzojnë shuma të mëdha deri në 2 milionë dollarë për ndërtimin e një tuneli. Ky tunel është 20 metra i thellë dhe tejet i sofistikuar. Ka shina hekurudhore, ndriçim e madje edhe sistem telefonik.
Tuneli zgjaton 70 metra. I ndërtuar me pajisje shpimi dhe lopata, tuneli u zbulua para se të përfundonte. Për të ndihmuar në zbulim, roja kufitare ka një shumëllojshmëri mjetesh komplekse, përfshi radarë dhe sensorë që depërtojnë në thellësi të tokës.
Lance LeNoir drejton ekipin e zbulimit në San Diego, anëtarët e të cilit quhen “minj tuneli”. Ai thotë se kontrabandistët përdorin tunelet kryesisht për kalimin e sasive të mëdha të marijuanës. Aroma që lëshon marijuana e bën të pamundur që të mos zbulohet nga qentë e kufirit në aeroporte apo pika kufitare. Kontrabanda e marijuanës i mban agjentët e kufirit të angazhuar në punë.
“Ata interceptuan 13 individë në pjesën jugore në Meksikë. Gjetën hyrjen poshtë dyshemesë së një banjoje, e cila ulej përmes një sistemi hidraulik”.
Autoritetet amerikane i mbyllin tunelet e zbuluara. “Shënojmë nga sipër vendin nga kalon tuneli, hapim një vrimë dhe e mbushim me çimento”.
Mes viteve 2007-2015 Departamenti i Sigurisë Kombëtare shpenzoi 8.7 milionë dollarë për bllokimin e tuneleve me çimento. Organet e rendit në Meksikë përdorin një qasje ndryshe. “Kryesisht ata hedhin mbeturina në hyrje të tunelit derisa të bllokohet hyrja”, thotë Jose Hernandez me rojen kufitare në San Diego.
Kjo metodë është burim konflikti mes autoriteteve meksikane dhe amerikane, sepse zgjidhja nuk është e përhershme. Të paktën gjashtë tunele u rihapën në anën meksikane. Autoritetet thonë se nuk kanë para për të përdorur çimento.
Por të dy vendet vazhdojnë të bashkëpunojnë në bllokimin e tuneleve dhe trafikantëve. Shtetet e Bashkuara e shohin drogën dhe kontrabandën si kërcënim për shëndetin dhe sigurinë e vendit.
Rusia nuk pranon të ketë ndërhyrë në Maqedoni
Reagimi i Kremlinit pason një shkrim të gazetës “The Guardian” të dielën ku thuhet se disa dokumente të nxjerra nga agjentë maqedonas të inteligjencës tregojnë se, “spiunë dhe diplomatë rusë kanë qenë të përfshirë në një përpjekje gati dhjetëvjeçare për të përhapur propagandë dhe për të provokuar përçarje në Maqedoni”.
Sipas shkrimit, agjentët maqedonas ia dorëzuan dokumentet Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Dokumentet e nxjerra tregojnë se përpjekjet për të izoluar Maqedoninë nga ndikimi perëndimor janë pjesë e një fushate më të gjerë ruse për të penguar të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë të hyjnë në NATO dhe t’u nënshtrohen interesave politike perëndimore.
OCCRP thotë se pak kohë pasi Greqia bllokoi kërkesën e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n në vitin 2008, politika e jashtme e Rusisë, “në përputhje me strategjinë e saj energjetike”, kërkonte të kontrollonte “burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me vendet e Ballkanit” dhe ta bënte Maqedoninë “ekskluzivisht të varur”.
Dosjet e zbuluara përshkruajnë gjithashtu se si Kremlini e realizonte veprimtarinë e tij të spiunazhit. Aty thuhet se tre agjentë nga shërbimi i zbulimit të huaj SVR të Rusisë, të njohur dikur me emrin KGB, janë të stacionuar në Shkup dhe mbikëqyren nga stacioni simotër i SVR në Beograd.
OCCRP thotë gjithashtu se ambasada e Rusisë në Maqedoni ka një numër agjentësh të inteligjencës ushtarake ruse (GRU), “aktivitetet e të cilëve koordinohen nga baza e GRU në Sofje”. Sipas raportit në fjalë, gazetarë nga agjencia shtetërore e lajmeve ruse “TASS” dhe zyrtarë nga Rossotrudnichestvo, e cila promovon kulturën dhe interesat ruse jashtë vendit, kanë bashkëpunuar me agjentët rusë.
Një qendër kulturore ruse në Uashington, e financuar nga Rossotrudnichestvo u hetua nga FBI-ja në vitin 2013 pasi ishte përpjekur të rekrutonte shtetas amerikanë.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë thuhet se shkrimi i gazetës “The Guardian” “nuk është tjetër veçse një përpjekje e trashë për të zhvendosur përgjegjësinë e futjes së shtetit maqedonas në një krizë të thellë”.
“Akuzat boshe kundër Moskës për financimin e medias maqedonase me qëllim të përhapjes së dezinformimit rrjedhin nga një organizatë, sponsorët kryesorë të të cilëve janë strukturat shtetërore të SHBA dhe Fondacioni George Soros”, thuhet në deklaratën ruse.
Deklarata akuzon aktorë të BE-së dhe të SHBA se “nuk dënuan platformën famëkeqe të Tiranës, si manifestim i ideologjisë së Shqipërisë së Madhe”.
Një marrëveshje koalicioni e kohëve të fundit për të zgjedhur një shqiptar si kryetar të Parlamentit çoi në protesta të nacionalistëve, të cilët sulmuan Parlamentin dhe rrahën disa deputetë, përfshirë kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.
Serbia duhet të ndryshojë Kushtetutën për Kosovën
Serbia po hyn në një fazë të re në procesin drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian dhe ndryshimi i Kushtetutës është një nga kushtet që duhet t’i plotësojë ky vend, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Sipas tyre, kjo është edhe arsyeja pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar hapjen e një debati me të gjitha strukturat e shoqërisë serbe, për ndryshimin e Kushtetutës dhe për Kosovën, e cila aktualisht në preambulën e Kushtetutës serbe figuron si pjesë e territorit të këtij shteti.
“Dua të hap dialogun e brendshëm për çështjen e Kosovës, me të gjitha dallimet tona, pa paragjykime, duke respektuar Kushtetutën e vendit”, pati deklaruar Vuçiç, gjatë ceremonisë së marrjes së postit të presidentit të Serbisë.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se debati i paralajmëruar nga presidenti serb Vuçiç, do të synojë krijimin e klimës së favorshme në opinion për caktimin e saktë të çështjes së Kosovës në Kushtetutën e Serbisë.
Ai vlerëson se ky debati i paralajmëruar që të zgjasë tre deri në gjashtë muaj, nuk është ndonjë manovër politike në raport me Bashkimin Evropian.
“Kjo nuk mund të jetë më taktizim, sepse taktizimi ka zgjatur për shumë kohë. Vuçiç paralajmëroi se ky debat do të jetë i dhembshëm dhe se ai do të akuzohet edhe për tradhti kombëtare. Por, ai mendon se kjo është në interes të popullit serb, të Serbisë dhe të gjendjes në Ballkan. Pra, unë supozoj – dhe ky supozim është me gjasë – që Serbia do ta gjejë formën, që përmes debatit do ta heqë Kosovën nga preambula e saj. Vetëm ky mund të jetë përfundimi. Nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër”.
Politologu Tahiri ka shtuar se për heqjen e Kosovës nga preambula kushtetuese, Serbia mund t’i qaset disa modaliteteve.
“Më i miri dhe më i lehti do të ishte që vetëm ta fshijë nga preambula. I ndërmjetëm do të ishte, që të thotë se ‘Kosova është nën administrim ndërkombëtar’, ndërsa e ardhmja është në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në pranimin e realitetit. Mundet që edhe debati në Serbi të shkojë drejt pranimit të realitetit, që është tash e 17 vjet, mirëpo të kërkojnë garanci për komunitetin serb në Kosovë”.
Edhe politologu Behlul Beqaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se Serbia do të jetë e detyruar, që me hapjen e kapitullit 35, t’i qaset ndryshimeve formale të Kushtetutës së saj.
Por, megjithatë, sipas tij, kjo do të jetë problem i Vuçiçit me Serbinë. Në këtë pikë, sipas tij, Serbia do të përpiqet të trasojë rrugën drejt një zgjidhjeje të kënaqshme për të.
“Serbia, fillimisht, besoj që do të insistojë në krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa, në fazën e mëtejme, nëse bisedat nuk shkojnë si duhet, epilogu përfundimtar do të jetë, sipas mendimit tim, i hapur për shumë alternativa të tjera, duke përfshirë edhe marrëveshjen për këmbimin eventual të territoreve”.
Politologu Beqaj ka shtuar se Kosova duhet ta ndryshojë qasjen në dialogun me Serbinë, në interes të partneritetit të ndërsjellë dhe jo ta vazhdojë sikurse deri më tash.
Në variantin e parë, sipas tij, asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të krijohet sipas Kushtetutës së Kosovës, në rast se Serbia në mënyrë implicite dhe eksplicite e njeh shtetin e pavarur të Kosovës.
Ndërkaq, sipas tij, në variantin e dytë, nëse shkohet në këmbime territoriale, atëherë kjo duhet të ndodhë në masë të barabartë, si dhe të normalizohen raportet në interes të partneritetit të ndërsjellë.
Deri më tash, ndryshimi i kufijve është kundërshtuar në mënyrë të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, politologu Beqaj, vlerëson se nëse kjo ndodh me marrëveshje dhe me njohje të ndërsjellë, pa e cenuar interesin e palës së tretë, kjo duhet kuptuar si alternativë e mundshme, në pamundësi të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje tjetër.
“Në kërkim të zgjidhjes, të themi, universale të së drejtave, unë nuk shoh probleme të natyrës serioze. Çështje tjetër është se çfarë do të bëjnë forcat nacionaliste, por pikërisht këtë zgjidhje duhet të jenë për t’i pacifikuar forcat nacionaliste, që ato të mos jenë më faktorë që lëvizin dhe shkaktojnë konflikte dhe kriza në rajon”.
Sido që të jetë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar se në debatin e paralajmëruar duhet diskutuar hapur, për t’u liruar nga qasja mitike, por edhe nga dhënia e lehtë e siç ka thënë ai “të asaj në të cilën kemi çdo të drejtë”.
Dialogun e brendshëm në Serbi, ai e ka vlerësuar madje edhe më të rëndësishëm se sa atë Serbia po e zhvillon me Kosovën.
55 milionë euro për Bonuccin
Tri skuadra angleze në ndjekje të Leonardo Bonuccit. E ardhmja e mbrojtësit të Juventusit, pas humbjes së finales së Champions League, mbetet në dilemë. Sipas mediave britanike tre janë skuadrat që janë vënë në ndjekje të mbrojtësit 30-vjeçar. Manchaster City një kandidat i hershëm dhe United i Jose Mourinho, i gatshëm për t’i besuar çelësat e repartit të prapavijës. Chelsea gjithashtu e dëshiron Bonuccin. Trajneri i “Bluve të Londrës”, Antonio Conte i njeh mirë aftësit e futbollistit për shkak se ata kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin gjatë kohës kur tekniku toskan ishte pjesë e Juventusit. Janë kampionët e Anglisë ata që kanë paraqitur një ofertë konkrete.
55 milionë euro për kartonin e mbrojtësit, ndërsa për lojtarin pagë vjetore prej 7 milionë eurosh në sezon, 2 më shumë nga ç’përfiton aktualisht me fanellën e bardhezinjve. Vetë Bonucci në disa raste është shprehur mëse i bindur për të vazhduar aventurën e tij në Torino, por ngjarjet e fundit, ndoshta e kanë detyruar atë të ndryshojë mendje. Ndërkohë drejtuesit e Juventusit, janë gjithnjë e më pranë firmës me sulmuesin e Sampdorias, Patrick Shick, ku pritet që deri në fund të javës të arrihet akordi mes palëve.
Kolasinaç zyrtarisht futbollit i Arsenalit
Arsenal realizon goditjen e parë në merkato. Sezon për t’u harruar ku sapo ka përfunduar për Topçinjtë e Londrës, pas 21 vitesh ata mbetën jashtë Champions League. Situatë kjo që solli në drejtim të trajnerit Arsen Wenger, protesta të shumta, por në fund atij iu dha sërish besimi nga ana e drejtuesve të klubit, duke i rinovuar kontratën. Tashmë vëmendja do të jetë e gjitha në merkato, për të përforcuar skuadrën. Nuk ka vonuar dhe goditja e parë. Arsenali ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të krahut të majtë Sead Kolasinaç. Boshnjaku i ka dhënë lamtumirën tashmë ish-skuadrës së tij Schalke 04 dhe ka firmosur me ekipin e Wenger.
Londinezët kanë arritur të mposhtin konkurrencën me Milanin. Këta të fundit prej kohësh ishin vënë në ndjekje të 23-vjeçarit, por në fund nuk ia dolën dot. Transferimi i Kolasinaç nuk i kushtoi asnjë cent arkave të Arsenalit, për shkak se mbrojtësit i kishte përfunduar kontrata me “Blutë Mbretërorë”. Ardhja e boshnjakut detyron Kieran Gibbs, të bëjë gati valixhet dhe gjasat janë që sezonin e ardhshëm ai të jetë pjesë e Newcastle.