“Është moment shumë i vështirë sidomos pas 5 humbjeve. Nuk e kemi pritur as ne, por mundohemi të japim maksimumin”. Fjalia e parë e Burim Kukelit në konferencën për shtyp nga Turqia pasqyron situatën delikate që po kalon kombëtarja shqiptare pas humbjes në miqësoren e Luksemburgut. Mesfushori kuqezi e pranon se skuadra nuk arrin të reagojë, por ai shikon nga e ardhmja dhe ndalet te ndeshja zyrtare me Izraelin duke shpresuar te një fitore. “Jemi gati, mendoj se tani në lojë me Izraelin i vetmi shans është fitorja që t’i afrohemi vendit të tretë. Shpresoj që të jemi të gjithë gati për të marrë fitore”, u shpreh Kukeli.
Kukeli nuk e pranon se pas Europianit skuadra nuk arrin të gjejë motivim. Sipas tij, skuadra duhet të fokusohet te objektivat për të ecur përpara. “Nuk jemi të ngopur edhe pse arritja në Europian ishte një sukses shumë i madh. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin për kombëtaren, por tashmë misioni bëhet i vështirë dhe duhet të arrijmë vendin e tretë sepse për ne vlen shumë. Në futboll gjithçka është e mundur dhe këtë e kemi treguar me fitoren në Portugali. Do të mundohemi të bëjmë një hap përpara dhe nëse fitojmë në Izrael do të jemi në rrugën e duhur”, tha ai.
Në kombëtare, Kukeli është aktivizuar shpeshherë edhe në qendër të mbrojtjes, por ai thekson se ky nuk është një problem për të. “Edhe në Europian kam luajtur qendërmbrojtës. Është një pozicion që di ta bëj sepse nuk ka shumë ndryshim me pozicionin tim. Është interesante për mua sepse asnjëherë nuk është vonë të mësosh gjëra. Mendoj se nuk duhet të mendojmë shumë për skemën se si luan kundërshtari, por te vetja jonë dhe të japim maksimumin”, tha Kukeli.
Në fund, Kukeli jep një mesazh edhe për të gjithë shokët e skuadrës, duke theksuar se ajo disfatë në Luksemburg duhet të shërbejë për të korrigjuar gabimet e bëra. “Me Luksemburgun jemi mërzitur shumë, por duhet të mësojmë nga gabimet e bëra”, përfundoi Kukeli.
Humbja me Luksemburgun ishte ndoshta më e rënda për De Biasin në krye të Shqipërisë. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit trajneri i kuqezinjve qëndroi për rreth 10 minuta pa lëvizur në stol, duke medituar atë që ndodhi ndaj një kundërshtari shumë më të dobët në cilësi. Më pas u mbyll në dhomë, ku bisedoi gjatë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. “Një humbje që rëndon shumë sepse erdhi ndaj një skuadre që është më e dobët se ne, por që luajti me më shumë dëshirë. Pas Europianit skuadra jonë nuk ka gjetur dëshirën dhe vendosmërinë për ta arritur objektivin”, u shpreh De Biasi.
Gati të ringrihemi
Hasi tek Olimpiakosi, mediat greke kundër
Besnik Hasi tek Olimpiakosi është fakt i kryer dhe sot ose maksimumi nesër, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin gjigant të Greqisë. Mediat helene i kanë bërë një jehonë të madhe zgjedhjes së Olimpiakosit për të vënë në krye një trajner shqiptar. Një pjesë e mirë e të përditshmeve greke kanë paragjykuar Hasin, duke mbajtur qëndrime jo pozitive.
Fakti që klubin më të madh grek do ta drejtojë një trajner me origjinë nga Kosova, ka bërë që mediat në shtetin fqinj të nisin menjëherë “sulmin” ndaj gjakovarit. Portali “gazzetta.gr” ka zbuluar se 45-vjeçari kosovar do të përfitojë 1.2 milionë euro për një kontratë 2-vjeçare me të drejtë rinovimi.
“Agjenti i Hasit, Fali Ramadani, ka bindur presidentin e Olimpiakosit për të vendosur në krye të të kuqve trajnerin shqiptar. Pritej rumuni Razvan Luçesku ose portugezi Pedro Martins, por Olimpiakosi i besoi verbërisht shqiptarit”, shkruante dje portali grek. Por, për të njohur më shumë Hasin, mediat në Greqi kanë marrë prononcime të opinionistëve të njohur në Belgjikë, kryesisht atyre që janë më afër klubit të Anderlehtit, ku Besniku fitoi gjithçka si trajner dhe si lojtar.
Në fakt, pas largimit nga Anderlehti te Legia e Varshavës, Hasi nuk ka folur kurrë për mediat belge. Gjithçka lidhet me prapaskenat e largimit të tij nga Anderlehti, ku Hasi ka hezituar t’u përgjigjet gazetarëve belgë, të cilët tentuan të bindin trajnerin për të folur, duke shkuar edhe në apartamentin e tij të përkohshëm në Poloni, kur Besniku drejtonte Legian e Varshavës një vit më parë.
“Unë jam i habitur që Hasi ka firmosur me Olimpiakosin”, deklaronte Bob Fesen, gazetari i gazetës belge, “Belang van Limburg”. Ky i fundit shpjegon për mediat greke pse ka mbetur i befasuar nga zgjedhja e Olimpiakosit. “Hasi në Belgjikë ka punuar me ekipe me më pak prestigj se Olimpiakosi. Në marsin e kaluar, ai ishte pranë marrëveshjes me klubin Kortraik. Është një djalë i këndshëm, por sezoni i fundit në Anderleht nuk ka qenë një sukses i madh.
Hysaj: Cikli nuk ka mbaruar
Shqipëria kërkon të ringrihet pas kolapsit në Luksemburg. Duke nisur nga sfida kualifikuese në Izrael, me Elseid Hysajn që pranon se pavarësisht shijes së hidhur që ka lënë humbja, kombëtarja është e bashkuar dhe atmosfera mbetet e mirë. “Është një moment i keq, por këto gjëra ndodhin në futboll dhe duhet t’i kalojmë. Kjo ndeshje e humbur në Luksemburg na ka vrarë më tepër se zakonisht. Tani duhet të kthehemi të jemi një grup fantastik, të qëndrojmë bashkë dhe të mendojmë për ndeshjen me Izraelin. Atmosfera në skuadër? Jemi grup fantastik, jemi të gjithë të bashkuar. Jemi gati të tregojmë vlerat tona në Izrael dhe duam të tregojmë se gabojnë ata që thonë se grupi është përçarë. Ne kemi qenë së bashku dhe të qeshur. Duhet t’i rregullojmë gabimet që kemi bërë prej ndeshjes me Izraelin. Po luajmë mirë, por kur nuk fiton loja e mirë nuk shërben shumë. Por, duhet të krijojmë një lojë dhe një taktikë tonën”, u shpreh Hysaj.
Sipas yllit kuqezi, ambicia e lojtarëve mbetet të përsërisin kualifikimin historik si në Kampionatin Europian. Hysaj nuk pranon të flitet për fundin e një cikli në kombëtare, ndërsa hedh poshtë mundësinë e largimit të trajnerit De Biasi pas ndeshjes në Izrael. “Trajneri e ka bërë punën e tij, por edhe ne e kemi bërë punën tonë. Tashmë të gjithë bashkë duhet t’i tregojmë botës se kush jemi edhe të fitojmë. Të gjithë kemi ambicie, pas Europianit të gjithë do të dëshironim të shkonim në Rusi. Duhet të mendojmë për të ardhmen për një tjetër kualifikim. Fundi i ciklit në kombëtare? Kjo është fjalë shumë e madhe, sepse fundi i një cikli do të thotë fundi i një skuadre. Ne jemi ende këtu, kemi shumë lojtarë të rinj. Besoj që cikli nuk ka mbaruar, por sapo ka nisur. Mediat italiane De Biasi ikën pas Izraelit? Nuk i lexoj këto lajme. Në Itali flitet shumë për këdo, për futbollistët. Për mua thanë që do të ikja te Barcelona, por nuk është e vërtetë. Nëse do të largohej trajneri do të na e thoshte, por ai nuk na ka thënë gjë dhe nuk besoj se është e vërtetë”, tha ai.
Objektivi në duelin e 11 qershorit në Haifa është fitorja, për ta mbyllur të qetë sezonin futbollistik, ndërsa fakti se cili do të jetë kapiten për Hysajn nuk përbën çështje. “Për mua është finalja e vitit. Sepse pas fundit të kampionatit, mbyllet edhe sezoni. Dëshiroj ta mbyll me një fitore për ta mbyllur të qetë dhe të gëzuar. Kam besim te skuadra, te vetja, te trajneri dhe te të gjithë. Do të shkojmë për fitore në Izrael dhe pas ndeshjes do të flasim sërish. Cili do të jetë kapiten? Shiriti nuk është problem. Kushdo që ta ketë… Thjesht duhet të hyjmë në fushë dhe të japim 100 për qind. Po flitet shumë për atë shirit kapiteni, por shiriti i vërtetë është fitorja”, tha Hysaj.
Nga kombëtarja tek e ardhmja në klub, me mbrojtësin e djathtë që do të luajë edhe sezonin e ardhshëm te Napoli, ku kërkon të fitojë trofe. “A do të qëndrojë Hysaj te Napoli? Besoj që po. Gjendem shumë mirë aty. Tifozët janë fantastikë, qyteti është shumë i bukur. Besoj që do të qëndroj, me shpresën se do të fitojmë trofe sezonin e ardhshëm dhe më pas do të flasim sërish”, tha Hysaj.
Nga Stambolli, Elseid Hysaj kishte edhe një dedikim special. “Kam një dedikim: një vit fejesë dhe dua ta uroj bashkëshorten time, meqenëse jemi larg”, përfundoi Hysaj.
25 zyrtarë të shkarkuar, shkelën ligjin për zgjedhjet
-Ministrat teknikë të qeverisë Rama i takuat ju para se t’i takonte kryeministri. Çfarë ishte marrëveshja e 18 majit?
Sigurisht që i takova unë para se t’i takonte kryeministri. Janë propozime të opozitës dhe unë jam kryetari i opozitës. Përfaqësojnë opozitën, përgjigjen para ligjit kanë një mandat, të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të ndëshkojnë me forcën e ligjit, të ndryshuar sipas marrëveshjes të gjithë ata që guxojnë të prekin votën e shqiptarëve, të gjithë ata që bëjnë shitblerje votash, të gjithë ata që përdorin funksionin publik për të kërcënuar, intimiduar shantazhuar administratën
-Deri tani janë të gjitha parulla asnjë nuk është dënuar, megjithëse blerja e votës, tentativë për të blerë votë edhe për të përdorur administratën është shumë e fortë?
Mirë se u ktheve në Shqipëri. Janë mbi 25 funksionarë të lartë dhe të mesëm që janë shkarkuar tre ditët e fundit, sigurisht që dërgimi i tyre në burg është punë e drejtësisë. Sot, policia ka çuar për ndjekje penale Gledjon Rahovicën, deputet i LSI, kandidat në Berat, pasi përmes një regjistrimi operacional, ai dhe një drejtor i Beratit janë kapur në një skemë korruptive. Ky është fati që pret çdo deputet, çdo kandidat për deputet që mendon se në 2017-ën do të vazhdojë të zbatojë skemën kriminale të 2013-ës apo të 2015-ës. Pra, mandati i ministrave teknik po funksionon, marrëveshja që u detyrua në tavolinë nga bashkimi i shqiptarëve. Ne arritëm një fitore të rëndësishme. Republika e vjetër ka nënshkruar kapitullimin e saj. Në atë marrëveshje ka një aneks të veçantë ku në emër të Republikës së Vjetër, Rama pranon, Reformën Kushtetuese, Reformën Zgjedhore, ndryshimin zgjedhor, votimin elektronik dhe identifikimin elektronik. Të gjitha këto janë fitore të patjetërsueshme të kauzës së madhe qytetare që qëndroi për 90 ditë e 90 netë. Mendoje pak më 17 shkurt, askush nuk besonte se do kishim zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot, gjysma e qeverisë kontrollohet nga burra e gra me integritet të lartë profesional, me përkushtim të lartë ndaj ligjit, me përkushtim të madh ndaj qytetarëve të majtë dhe të djathtë. Falë punës së tyre, sot mund të ketë shkuar 30 numri i zyrtarëve të shkarkuar në të gjitha nivelet dhe sot kemi një kallzim penal.
-Thatë që do kishim një qeveri pa Ramën?
Të rrimë një herë te thelbi. Për herë të parë në histori, 27 vite një kandiat për deputet aktualisht deputet i referuar në Prokurori, dhe gjej rastin t’i kërkoj Prokurorisë të veprojë sot. Të tregojë profesionalizëm të zbatojë ligjin, nuk i kërkoj asgjë më shumë, por nuk i pranoj asgjë më pak.
-Çdo të thotë është kapur duke bërë fushatë si zyrtar apo është kapur duke blerë votën?
Atë e shikoni me gazetarët tuaj. Unë jam informuar që në mënyrë operacionale ky person dhe drejtori i Spitalit të Beratit, në dijeninë time është arrestuar, kanë zhvilluar një skemë korruptive për të detyruar njerëzit të votojnë në një mënyrë apo tjetër. Pra, sipas Kodit Penal kanë shkelur ligjin që është ndryshuar.
-Kodin dhe Ligjin e keni ndryshuar ju dhe Rama?
E çlidhje ka kjo? Pse ka ndonjë parti që lejohet të blejë vota. Atëherë çlidhje ka. Kujtdo të jenë, të PS të LSI, sot nuk e bëjnë dot siç e bënin para dy vjetësh apo katër vjetësh. I kërkoj dhe KQZ, kryetarit të KQZ që është emërimi ynë, dhe qeverisë që ka premtuar ta mbështesë me fonde, të bëjnë spotet të lajmërojnë shqiptarët që kush u merr kartën e identitetit, për qëllime elektorale, kanë më së paku 1 vit burg deri në pesë vjet!
-E kemi denoncuar dhe në këtë studio në 2015-ën?
Lëre 2015-ën, se atëherë nuk shkoje në burg për këtë. Tani shkon në burg. Kush jep shpërblim për votën, një thes miell, apo lekë shkon në burg, kush abuzon me detyrën shkon në burg, dhe minimalisht 1 vit të gjithë funksionarët. Le ta marrin vesh të gjithë nuk do të ketë më në Shqipëri të pushtetshëm, dallkaukë, kriminelë të prekin votën. Ndaj, votoni të lirë o shqiptarë, pa asnjë presion, sepse njerëzit që guxojnë tju prekin votën ose tju shantazhojnë i pret burgu. Ky tashmë është ligj në këtë Republikë të Vjetër, do të jetë ligj dhe princip në Republikën e Re.
-Zoti Basha, përse e takuat Ramën vetëm për vetëm, në një takim ku ishin përfaqësuesit e të gjithë partive?
Sepse e kërkoi ai.
-Dhe hezituat për ta takuar?
Nuk hezitova. Në kuptimin që ta them haptas fare nuk mendoja se do të shkonim drejt një marrëveshjeje. Unë kisha konsumuar dy raunde me të. Pozicionet ishin të kristalizuara, ai nuk lëvizte nga qëndrimet e tij. Ne ndërkohë kishim bërë një kompromis të madh. Kishim pranuar paketën McAllister plus të prezantuar nga Hoyt Yee. E kishim pranuar pa kushte. Erdhi në atë takim, ku të gjitha partitë parlamentare bënë thirrje për pranimin e paketës, unë ndërkohë e kisha pranuar. Ky mbajti një qëndrim refraktar gjatë takimit dhe më pas kërkoi një takim veç.
-Përse qëndruat aq gjatë zoti Basha rreth katër orë?
Jo për qejf. Ishte një negociatë e vështirë qëllimi im në emër të opozitës, ishte së pari, të jepja garancitë maksimale për një proces zgjedhor të lirë nga diktati i krimit, dhe së dyti, ishte që kjo mos mbetej një marrëveshje e momentit vetëm për zgjedhjet, por të ishte një marrëveshje politike që t’i hapte rrugë reformave të mëdha dhe të domosdoshme për ta shndërruar republikën e politikanëve të Shqipërisë, në republikën e qytetarëve të Shqipërisë.
-Përse nuk u bë kjo marrëveshje më hapur, por u desh të mblidheshit ju kokë më kokë e tek për tek që të arrihej një marrëveshje. Sepse duket si një takim mafiozësh?
Takime mafizoësh ka bërë pushteti gjithë këto vite, ky s’ishte takim mafiozësh. E kërkoi kreu i mazhorancës, iu përgjigj kreu i opozitës, unë jam totalisht i mandatuar dhe përfaqësoj PD dhe tërë opozitën. Asnjë nga partitë e opozitës nuk kishte kundërshtim për këtë takim, përkundrazi. Ata kanë bërë takim mafiozësh këto katër vite dhe një pjesë prej tyre i di dhe media, por ka frikë t’i nxjerrë, kështu ky ishte një takim mes dy kundërshtarëve politik, mes dy antagonistëve politik. Transparenca është totale, me insistimin tim nuk është folur atë natë, sepse duhej zbardhur marrëveshja, vetëm pasi marrëveshja është zbardhur është bërë publike.
-E morët vetë vendimin zoti Basha apo pyetët dhe Berishën?
Pse duhet ta pyes zotin Berisha. Unë jam kryetari i PD dhe i opozitës. Jam mandatuar nga partia ime nga aleatët e mi. Unë i marr vendimet në Partinë Demokratike. Ke katër vjet që shtyn emisionin me të njëjtën pyetje dhe merr të njëjtën përgjigje. Kthehemi tek transparenca. Më transparente se qëndrimet e mia nuk ka patur. Tre muaj para dite dhe pasdite tezat e Republikës së Re, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes, këto unë i kam shpalosur, reforma themelore për t’ia kthyer pushtetin qytetarëve dhe vendimmarrjen. Këto teza unë i kam bërë publike jo një herë, por më shumë se qindra herë.
-Po, por keni thënë një qeveri pa Edi Ramën?
Nuk është ashtu. Sigurisht ai ishte synimi politik…
-Ndryshoi Rama dmth?
Jo nuk ndryshoi Rama. Erdhi një paketë amerikane, e cila mori mbështetjen tonë dhe e çoi në këto garanci që sot kanë çuar një kandidat për deputet për ndjekje penale…
-Marrëveshja që keni bërë ju me zotin Rama është shumë përtej McAllisterit?
Mund t’i vijë keq Ramës, por mua s’më vjen keq që është përtej asaj pakete. Se kam për veten time këtë luftë, unë dua që të marrin qytetarët sa më shumë. Sepse të gjitha këto reforma jo vetëm që unë i kam shpallur, por kam pasur përkrahje nga qytetarët dhe i gjithë opinioni publik. Nuk është hapi vendimtar për hapin vendimtar duhet vota e 25 qershorit.
-Zoti Basha, a është marrëveshja ajo që është shkruar apo shkohet përtej saj. Pra, a bëhet fjalë për një marrëveshje për të bashkëqeverisur me Edi Ramën?
Marrëveshja është ajo që ka dalë publikisht e zeza mbi të bardhë është vetëm ajo.
-Përse u la LSI jashtë një forcë e konsiderueshme?
Po e përfaqëson ky LSI-në, është kreu i koalicionit që qeveris vendin.
-Me sa duket LSI s’qenka në dijeni për këtë…
E ke gabim, sepse Rama kish në krah. Vasilin, Idrizin… Ky flet në emër të mazhorancës unë në emër të opozitës. Se ka filluar vallja e Napoleonit, njerëz që kanë në qeveri flasin si në opozitë. Këtu ka dy palë, njëra është opozita që është bashkuar në një logo, dhe pala tjetër është qeverisja që është ndarë në katër pesë pjesë. Por nuk ka njëzet palë këtu, këtu ka dy palë qeverisja e katër vjetëve me bilancin e vet, me zullumet e veta, me peshën e vet të përgjegjësisë dhe opozita nën një logo.
-A ka një marrëveshja që ju dhe zoti Rama të bashkëqeverisni…
Jo. Mundësia është për shqiptarët të çojnë deri në fitore vendimtare Republikën e Re dhe kjo mundësi ka numrin gjashtë dhe koalicionin opozitar.
-Në listat e PD kanë mbetur jashtë figura historike të PD-së, ata të viteve ‘90-të, por edhe prurje të vitit 2005. Çfarë kriteri keni përdorur për hartimin e listës?
PD është në një moment deçiziv të historisë së saj. Pasi ka drejtuar vendin për tetë vite, humbi zgjedhjet në vitin 2013, u fut në një proces të thellë reflektimi, u përball me beteja politike, dhe sot përballet me nevojën e ngutshme të qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund një shteti fasadë, një demokracie fasadë. Një republike të politikanëve dhe për të ndërtuar një republike të qytetarëve. Për këtë, mua më është dashur të marr vendime të vështira. Vendimi im i parë ka të bëjë me grupin parlamentar, që është pjesë e rëndësishme e ekipit qeverisës. Këtu parimi ka qenë t’i jap zë thirrjes së anëtarësisë së PD-së, thirrjes së qytetarëve për ndryshim, dhe ndryshimi ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Ndryshimi është zhvillim, ndryshimi është përparim është në çdo familje në çdo organizatë, është në marrëdhëniet ekonomike.
Vëllai i Artur Bushit dhunon Sekretarin e Ministrisë së Arsimit
Ilir Bushi, vëllai i kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi, ka rrahur brutalisht Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit.
Denoncimi bëhet publik nga ish-Kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar “mesazhit të një arsimtareje”.
Ish-Kryeministrit Berisha në FB
Në Fushë Krujë, Bushi rreh keq Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit!
Mësuesja dixhitale denoncon:
-Vëllain e Artur Bushit dhe shefin e Komisariatit, të cilët kanë futur në provim tezat e zgjidhura në këmbim të votave, në Shkollën “Shote Galica”. Pas këtij skandali në shkollë kanë shkuar:
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Drejtoresha e Arsimt të Krujës.
Ilir Bushi ka goditur me shkelma dhe grushta dhe gjakosi Sekretarin e Përgjithshem të Ministrisë së Arsimit.
Ndërkohe që policët, në vend që ta mbronin, fusnin nga dritaret tezat e zgjidhura. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me urgjencë këtë denoncim.
Lexoni me posht mesazhin e saj! sb
Prsh i nderuar, jam një arsimtare që nuk kam dëshirë të identifikohem, pasi kam frikë për vendin e punës! dua të denoncoj një rast skandaloz që ndodhi sot në shkollën tonë “Shote Galica” në Fushë Krujë gjatë provimit të maturës. Vëllai i kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushit, i cili quhet Ilir Bushi sot në bashkëpunim me shefin e Komisariatit të Policisë së Krujës ka ndërhyrë në procesin e provimit, duke futur tezat e zgjidhura në këmbim të votave. Nga ana jonë janë njoftuar strukturat e arsimit për këtë skandal dhe në shkollën tonë ka ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Arsimit, Plarent Ndreca, si dhe Drejtoresha e Arsimit të Krujës për të ndërhyrë në këtë problem. Sapo kanë ardhur në shkollën tonë Ilir Bushi ka goditur me grushta e shkelma sekretarin si dhe sharë dhe degjeneruar me fjalor kafshëror drejtoreshën. Zoti Plarent ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila ishte e zënë, duke futur tezat e provimit nga dritaret e shkollës dhe nuk ka ndërhyrë në asnjë moment për të shuar këtë konflikt, pasi u gjakos nga dhuna e Ilir Bushit, sekretari u largua dhe procesi i provimit, vazhdoi i manipuluar, pasi të gjithë nxënësve ju dhanë përgjigjet e sakta. Punë të mbarë dhe të lutem anonim se kam dy fëmijë për të rritur!”
Rama: Largohem nga politika nëse nuk do të fitoj zgjedhjet
– Ilir Meta ju sulmoi juve dhe zotin Basha dhe tha se nuk u tremb nga Berisha, jo më nga “Tomi dhe Xherri”. Keni një koment për këtë?
Nuk e di sa i shkon një presidenti të zgjedhur kjo, por unë e mirëkuptoj dhe pajtohem me këtë. Nuk mendoj që i shkon të merret me filma të animuar, por e mirëkuptoj.
– I shkon një presidenti nga pikëpamja etike që të marrë pjesë në fushatë?
Ai nuk është akoma president i ngarkuar për të mbrojtur unitetin kombëtar. Është president i zgjedhur. Unë nuk do ta bëja, por është zgjedhja e tij.
– Kjo tregon se ju keni reflektuar? Se mund të kujtojmë rastin e Lezhës, ku një grua iku se u bë ministre, një tjetër iku dhe më pas erdhi një person që rezultoi me precedentë kriminalë…
Nuk është këtu puna, këtu është fjala për barazinë. Kam një bindje se gratë dhe vazjat duhet të respektohen njësoj si burrat.
– Me marrëveshjen e 17-18 majit, me reformat që keni rënë dakord, në fakt ju keni firmosur fundin e republikës së vjetër. Vetë e keni firmosur fundin e një Kushtetute.
Ka një marrëveshje për të realizuar një aspekt shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me zgjedhjet dhe proceset zgjedhore.
– A ka propozuar Basha sistemin mazhoritar, apo primarin dhe ka hasur në kundërshtimin tuaj?
Jo, kemi diskutuar vetëm domosdoshmërinë që të hyjmë në një reformë zgjedhore që të zgjidhë shumë aspekte që kanë mbetur arsye për mosdakordësi rrugës, duke nisur nga depolitizimi i plotë i komisioneve zgjedhore.
– A mund të quhet PD partneri i ri strategjik për bërjen e këtyre reformave?
Besojmë që të arrijmë të bëjmë atë që kanë bërë vendet që janë integruar në BE. Të kemi dy tryeza, një e kundërshtisë mes qeverisë dhe opozitës dhe një tryezë të shqiptarëve dhe integrimit, ku qeveria dhe opozita të jenë bashkë. Dhe aspekti i marrëveshjes që bën të mundur distancimin e shëndetshëm të politikës shqiptare nga një histori e tmerrshme konfliktesh është një moment që nëse realizohet do të jetë një hap historik për Shqipërinë.
– Lulzim Basha përjashtoi mundësinë e koalicionit të madh, përjashtoi edhe koalicionin me Metën. Përtej asaj që do të dëshironit, 71 mandate, do të përjashtonit çdo koalicioon me PD pas zgjedhjeve?
Dua të lexoj në vendimin e sovranit. Është populli që do të vendosë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve. Të gjithë jemi të fokusuar për të qenë të hapur me njerëzit. Kemi bërë edhe ne gabimet tona, por në këto 44 muaj kemi provuar që po mundohemi të bëjmë gjëra që të bëjmë shtet. Ne jemi të parët, besoj që nga viti 1991, që e kemi nisur qeverisjen me një vizion të qartë për vendin. Kemi ardhur me vonesë dhe në një moment mosbesimi të madh ndaj politikës. Ne duam përgjegjësinë jo për më shumë pushtet për vete, por për të patur mundësinë për të mos u justifikuar.
– Po me LSI?
LSI e ka kthyer në një ndërmarrje efiçente atë që të gjitha partitë e vogla përpiqen të bëjnë. Të gjitha partitë e vogla këtë përpiqen të bëjnë.
– Kjo është arsyeja që u shkarkua drejtori i Postës i LSI?
Kam parë shkarkime edhe të atyre që janë të PS. Nëse ka një gjë pozitive e të jashtëzakonshme në këtë fushatë, është fakti që askush të nesërmen e zgjedhjeve nuk mund të dalë të thotë që m’i vodhën e të tjera. Ka një moment ku kemi ekzagjerime, por po bëhet një fushatë si asnjëherë tjetër, një fushatë që ka hapësirë për njeriun që të marrë frymë lirisht dhe të mos ndjehet sikur është në luftë.
– Fërkimet me LSI vijnë edhe për shkak të kësaj marrëveshjeje, por nëse sovrani flet dhe nuk ju jep 71 mandatet që ju kërkoni, a do ta merrni në konsideratë mundësinë që me LSI, PDIU apo PD, në mënyrë të barabartë të krijoni një aleancë zgjedhore? Kjo, kur LSI është forcë e majtë, PDIU partner më i vogël dhe me PD keni një marrëveshje…
LSI nuk është forcë e majtë, është e majtë dhe e djathtë, e djathtë dhe e majtë.
– Ashtu siç e lexoj unë këtë, mund ta lexojnë edhe shumë të tjerë…
Ne u përgatitëm për zgjedhje. Isha në Elbasan për një takim dhe as që e mendoja se në darkë do të takoja Lulzim Bashën në takimin e thërritur nga 81 parti, që u mblodhën për të thënë që “të gjithë e duan demokracinë, Edi Rama jo”. Unë shkova atje me një qëllim të qartë, që të takohesha me Lulzim Bashën dhe të diskutoja vetëm me të.
– Dhe befas doli çun i mirë…
Nëse PS nuk del forcë e parë, unë jap dorëheqjen nga Partia Socialiste. Nëse jemi forcë e parë pa fuqinë e forcës absolute dhe në të gjitha rastet, këtë e vendosin njerëzit.
– Dhe befas doli çun i mirë…
Nuk ka lidhje kjo. Rëndësi ka që sot jemi në fushatë dhe nëse PS nuk del forcë e parë, unë jap dorëheqjen nga Partia Socialiste dhe largohem nga politika, pra largohem nëse Petrit Vasili del forcë e parë.
“Top Story”
Mandija: Prokuroria të nisë procedurat ndaj deputetit të LSI e drejtorit të spitalit
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka reaguar mbrëmë për rastin e denoncuar të “korrupsionit pasiv” ndaj deputetit të LSI-së, Gledion Rehovica dhe drejtorit të Spitalit Rajonal të Beratit, Idlir Frashëri.
“Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bazë të një denoncimi ka filluar procedimin penal ndaj drejtorit të Spitalit Rajonal të Beratit, i cili në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe me një deputet të zonës kanë arritur të konsumojnë veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje si dhe përdorimit të funksioneve publike në veprimtari politike ose zgjedhore të parashikuara nga neni 328 dhe 328/a të Kodit Penal të ndryshuar.
Në këto kushte unë i bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të marrë të gjitha masat për të ndjekur procedurat sipas ligjit dhe për të arritur në një konkluzion përfundimtar në lidhje me procedurat e filluara dhe të iniciuara nga ana e Sektorit të Hetimit dhe Korrupsionit”, bën të ditur Zëvendëskryeministrja Mandija.
Drejtori Rajonal i Spitalit të Beratit, Idlir Frashëri dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica janë vënë nën hetim nga policia, pasi me disa punonjës të tjerë të këtij spitali, akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Sipas Policisë së Shtetit, “shtetasi me iniciale I.F. (Idlir Frashëri) dhe deputeti G.R, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”.
Deputeti i LSI-së dhe drejtori i spitalit kapen duke blerë vota
Deputeti i LSI, Gledion Rehovica dhe drejtori i Spitalit të Beratit, Idlir Frashëri janë denoncuar për blerje votash. Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit. Bëhet e ditur se, drejtori Rajonal i Spitalit të Beratit, Idlir Frashëri dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica janë vënë nën hetim nga policia, pasi me disa punonjës të tjerë të këtij spitali, akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Sipas Policisë së Shtetit, “shtetasi me iniciale I.F. (Idlir Frashëri) dhe deputeti G.R, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”.
Skandali u denoncua mbrëmë edhe nga kryetari i PD, Lulzim Basha. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” Basha tha se, në dijeninë e tij, “policia ka arrestuar drejtorin e Spitalit, Frashëri”, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që të zbatojë ligjin edhe për deputetin Rahovica. Basha tha se po në dijeni e tij hetimi përfshin një regjistrim për blerje votash të Rahovicës dhe Frashërit.
Në një njoftim për shtyp thuhet se, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi bazën e një denoncimi, filloi procedimin penal për shtetasin Idlir Frashëri, pasi duke qenë në funksion publik të drejtorit Rajonal të Spitalit Berat, në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe deputetin e zonës Gledion Rehovica, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal.
Policia bën të ditur se, materialet procedurale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj ka thyer ligjin elektoral, duke i detyruar punonjësit e bashkisë të dalin në fushatë. Këtë e ka bërë publike edhe në rrjetin social të tij. Petrit Sinaj i LSI disa ditë më parë ka zhvilluar takime elektorale me punonjëset e Bashkisë, duke i detyruar të jenë pjesë e takimit pavarësisht bindjes së tyre politike. Përveç kësaj, Sinaj e ka bërë publike shkeljen dhe thyerjen e ligjit. Kujtojmë që ditët e fundit ka pasur një furtunë shkarkimesh për thyerje të ligjit elektoral.
Ruçi pritet me protesta në Fier: Pa dëmshpërblim, s’ka votime
Banorët e Zharrëzës në Fier nuk kanë lejuar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, të zhvillojë fushatë. Banorët i kanë bllokuar rrugën Ruçit, duke i kërkuar që qeveria t’i dëmshpërblejë për dëmet e shkaktuara nga nxjerrja e naftës. Ruçi ka shkuar atje në vijim të turit elektoral, por një grup të rinjsh të fshatit Zharrëz i dolën para me parulla në duar ku shkruhej: “Pa dëmshpërblime s’ka votime”; “Duam shtëpitë tona”; “Zbatoni VKM”; “Stop Ndotjes”, etj.
Ruçi foli për disa minuta me banorët, duke u përpjekur t’i qetësojë dhe t’i japë shpjegime, por ata e kanë paralajmëruar se pa marrë dëmshpërblimet e premtuara nga qeveria nuk do të ketë votime. Ai iu premtoi se dëmshpërblimet do kalojnë brenda muajit, por banorët i kanë thënë se, nuk i besojnë më qeverisë. Më pas, Ruçi është larguar pa arritur të bëjë fushatë në Zharrëz.
Banorët e fshatit të Zharrëzës ngritën për muaj me radhë shqetësimin se një kompani e huaj nafte që zhvillon veprimtarinë e saj në Fier, i ka shkatërruar shtëpitë. Pas një proteste të gjatë në Fier, banorët grevistë bënë një marshim të gjatë drejt Tiranës dhe fjetën disa ditë para Ministrisë së Energjetikës. Grevistët kanë ecur në këmbë 120 kilometër nga Zharrëza për të protestuar para Ministrisë së Energjetikës në Tiranë, por janë përballur me terrorin policor. Grevistët janë përplasur me policinë në momentin që tentuan të ngrenë çadrën para Ministrisë së Energjetikës. Punonjësit e policisë nuk lejuan ngritjen e çadrës me arsyetimin se nuk kanë marrë leje për protestë. Gjatë përplasjes me policinë, një punonjës i rendit ka qëlluar një nga grevistët, i cili ka rënë pa ndjenja në trotuar. Pas kësaj ngjarje të rëndë, situata është tensionuar edhe më tepër dhe banorët kanë shtyrë forcat e policisë, duke hedhur parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Pas pritjes së gjatë në derën e Ministrisë së Energjetikës, banorët e Zharrëzës tentuan ta hapin vetë atë. Duke marrë nëpër duar megafonin, ata u shprehën të vendosur se nuk do të lëvizin nga dera pa marrë një zgjidhje përfundimtare për dëmtimet e banesave nga shpërthimet e kompanisë Bankers. Pas një javë proteste para derës së Ministrisë së Energjetikës, banorët e Zharrëzës morën premtimin e ish-zv/Kryeministrit, Niko Peleshi për t’u dëmshpërblyer për dëmet që pretendohet t’i ketë shkatërruar kompania.
“Banorët e dëmtuar të Zharrëzës do të dëmshpërblehen 100%. Në këtë mënyrë, adresohet problematika në Zharrëz. Afati është 30-ditor dhe kërkojmë bashkëpunimin e banorëve”, deklaroi Niko Peleshi. Por banorët deklaruan dje se qeveria i kishte mashtruar ndaj ata do të bojkotojnë zgjedhjet. Banorët i bllokuan rrugën Gramoz Ruçit dje në Fier për shkak të mungesës së mbajtjes së këtij premtimi nga qeveria.
Kështu, Niko Peleshi deklaroi vendimin e marrë pak muaj më parë në mbledhjen e kabinetit qeveritar, duke drejtuar një apel ndaj banorëve të Zharrëzës, lidhur me protestën disa ditore që ata po bënin para Ministrisë së Industrisë e Energjetikës.
Banorët e Zharrëzës akuzuan qeverinë se, po i detyron shqiptarët të largohen jashtë vendit për shkak të korrupsionit, papunësisë dhe varfërisë të tejskajshme. “E kanë zaptuar Shqipërinë hajdutët dhe kriminelët ndaj po largohen njerëzit nga vendi. Bashkohuni këtu me ne. E shikoni ç’bën Sigurimi. Po na varrosin në shtëpitë tona. Këta janë turpi i këtij vendi. O zot, në duar të kujt jemi!”, u shprehën protestuesit.
R.POLISI