25.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Korrik, 2025

Ministrja e Arsimit dërgon në Prokurori 4 drejtorë

Ministrja e Arsimit ka vendosur që të denoncojë penalisht në Prokurori 4 zyrtarë të lartë të arsimit. Sipas një njoftimi për mediat, ministria ka evidentuar disa raste të pjesëmarrjes të punonjësve në pozicione drejtuese, të cilët në kundërshtim me ligjin, janë angazhuar në aktivitete të fushatën zgjedhore në kundërshtim me përcaktimet ligjorë.
Për të gjithë rastet për të cilat ka fakte të dokumentuara, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka depozituar sot më datë 05.06.2017, pranë organit të Prokurorisë në rrethet përkatëse dhe duke informuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme, për drejtuesit, si më poshtë:
Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Librazhd, znj. Fatbardha Qatja
Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Gramsh, z.Xhevit Dyrmishi
Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Bulqizë, znj. Bedrie Manjani
Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Lezhë, z. Bardhok Pula
Ministria e Arsimit dhe Sportit shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar institucionalisht me organet kompetente, duke vlerësuar çdo provë të depozituar në trajtimin me profesionalizëm të të gjitha rasteve të përfshirjes së paligjshme të administratës shtetërore në fushatën zgjedhore.

Bashkim për fitoren, ulje taksash

Kamza dhe Lapraka i bashkohen fuqishëm projektit Basha dhe opozitës së bashkuar për Republikën e re. Pasditen e djeshme, kreu i PD, Basha u ndal në Kamëz e në Laprakë ku prezantoi ekipin e tij fitues, si dhe programin ambicioz për një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurtë. Duke renditur prioritetet e programit ekonomik të Partisë Demokratike, Basha prezantoi katër shtyllat që do të rimëkëmbin ekonominë e shqiptarëve. Ai u ndal tek rritja e pagave dhe pensioneve, ulja e taksave dhe vendosja e taksës së sheshtë 9%, ulja e TVSH, si dhe krijimi i lehtësive për biznesin e vogël. Basha tha se me vendosjen e tavanit 1.5% të taksës për biznesin e vogël do t’i jepet fund abuzimeve të pushtetit lokal me taksat, ku theksin e vuri pikërisht tek abuzimet e bashkisë më të madhe në vend nën drejtimin e Erion Veliajt. “Keni një arsye më shumë t’i jepni fund këtij regjimi, sepse me Lulzim Bashën nuk do të keni kryeministër batutash, por një kryeministër të njerëzve të thjeshtë, kryeministri i ekonomisë dhe i punësimit të shqiptarëve. Duke nisur me planin tim, ekonomik dhe me ekipin tim fitues. Planin që ka vulat e këshilltarëve të kancerales Merkel. Ulja e taksave, ulja e TVSH do të gjenerojë miliona euro konsum, këto para do të jenë në xhepat tuaja, 400 milionë euro konsum më shumë çdo vit. Ulja e taksave do të bëjë që as Lali Eri nuk do të vendosë më taksa sipas qejfit për biznesin e vogël, 1.5% maksimumi i taksës së kombinuar lokale dhe qendrore, do të jetë tavani i hekurt, ky tavan do të vendoset nga unë ditën time të parë në zyrë. Pulla fiskale do të vendoset në krye të çdo biznesi dhe çdo tatimor që do të guxojë të futet brenda biznesit, do të shkojë prapa hekurave çdo tatimor që do të hyjë në ambientet e biznesit. Dhjetëra koncesione korruptive do të anulohen. Subvencionet për fermerët 100 milionë euro në vit, subvencione për të gjitha ndërmarrjet që hapin vende të reja pune. Ekonomia prioritet, ekonomi e fortë, punë dhe punësim për shqiptarët, ekonomi e fortë dhe e nesërme e sigurtë”, u shpreh kreu i PD. Basha u prezantoi qytetarëve modelin amerikan të vendosjes së pushtetit në duart e qytetarëve. E për këtë, Basha theksoi rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese, sipas të cilave çdo deputet do të shkarkohet direkt nga qytetarët në rast se ai, si i zgjedhur nga populli nuk do t’u shërbejë interesave të qytetarëve. “Askush nuk e mendonte para 18 shkurtit se qëndresa dhe bashkimi jonë do të arrinte të shndërronte njëherë e përgjithmonë historinë e pluralizmit duke mposhtur sistemin e vjetër politik, duke bërë të kapitullonte natën e 18 majit e të bëjë të nënshkruante marrëveshjen, mësimi i madh është se kur jemi të bashkuar e të vendosur ne fitojmë. Ndryshimi kushtetues i Republikës së re, i pari ndryshim do të jetë zgjedhja drejtpërdrejt e deputetëve nga qytetarët dhe e drejta e shkarkimit të deputetëve që nuk iu përfaqësojnë. Ky është modeli amerikan. Këto janë ndryshimet kushtetuese që njëherë e mirë pushteti të jetë në dorën tuaj, të mos jeni kukullat siç ka ndodhur në këto katër vite, ku qytetarët u shndërruan në gurë shahu të pushtetarëve që i shërbyen vetëm xhepave të tyre. Fuqia politike do të jetë në duart tuaja, fati i pushtetarëve do të lidhet njëherë e përgjithmonë me fatin e qytetarëve të Republikës së re”, tha Basha. Kreu i PD falënderoi qytetarët për qëndresën e fortë të 90 ditëve në sheshin e lirisë, ndërsa tha se sot, tre javë para zgjedhjeve, shqiptarët e bashkuar janë të vendimit më të madh, atë të fitores së 25 qershorit dhe ngritjes së Republikës së re. “Këtë fitore të parë e arritët ju. Dhe tani kemi tre javë për të shkuar drejt fitores vendimtare, për të shkuar me votë drejt fitores vendimtare. Kjo është beteja, tash 10 ditë si pula pa kokë politikanët e Republikës së vjetër nuk dinë çfarë të thonë. Populli është në këmbë, diçka e madhe po ndodh. Nuk i ka zënë hashashi jo, se atë e kanë për t’i marrë mendtë popullit e për ta shitur me trafikantët, por i ka zënë frika. Dy herë kanë dalë kundërshtarët tanë me gishtat lart. Edi Rama është para fundit të kapitullimit të tij. Kjo do të jetë fitorja e çdo shqiptari të ndershëm, sepse premtimi themelor i Republikës së re është që do të japë rezultatet për çdo shqiptar. Ne do t’i japim fund estradës së Edi Ramës. Ku i ke 300 mijë vendet e punës, legalizimet falas, taksat e ulëta, shëndetësinë falas? Ndaj do të bëjë çdo gjë, por s’ma kishte marrë mendja që të bënte edhe cirk. Por zgjedhjet nuk janë spektakël, është momenti i vendimmarrjes të madhe. Këto zgjedhje janë për hallin tuaj më të madh, në këto zgjedhje vendoset nëse Republika e vjetër vazhdon t’iu vjedhë apo do të votoni për një kryeministër që priotitetin numër një do të ketë ekonominë, krijimin e vendeve të punës. Edi Rama s’ka bilanc ndaj dhe nuk vjen në debat. Por nuk ka si të vijë në debat sepse bilancin e ka zero dhe programin e ka zero. I ka mbetur në dorë timoni i një makine të shkatërruar pa motor”, tha Basha.

Qindra miliona euro që zhvatën oligarkët do t’i kthehen qytetarëve

Lulzim Basha u takua dje me banorët e Hasit, të cilëve u paraqiti programin e tij dhe ku theksoi se Republika e re, do të jetë në shërbim të njerëzve, të të rinjve, fermerëve dhe biznesit që krijon vende pune. Qindra milionë euro do t’i rikthehen shtëpive shqiptare, tha Basha. “Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, i punësimit. Votoni Republikën e re, numrin 6 dhe vendimi im i parë do të jetë, ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, heqja e taksës Rama mbi karburantin, ulja e çmimit të energjisë, falja e kamatëvonesave të energjisë elektrike. Qindra milionë euro që sot i përpin kuçedra e oligarkisë, nuk do të jenë më në xhepat e një grushti oligarkësh. Qindra milionë euro do të kthehen në xhepat tuaja, në konsumin tuaj, në xhiro, kapitale, investime, punësim për Hasin, hasjanët dhe gjithë shqiptarët”. Basha theksoi se asnjë familje në nevojë ekonomike nuk do të mbetet pa ndihmë ekonomike dhe Republika e re do të paguajë faturën e tyre të energjisë deri 300 kv dhe ujin e pijshëm. Në vitin e parë të qeverisjes së Republikës së re, tha Basha, do të nisë rritja e pensioneve dhe brenda 4 viteve pensioni minimal do të jetë 250 mijë lek të reja. “Ju jap fjalën se asnjë fëmijë shqiptar nuk do të mbetet pa u shkolluar për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Ky është programi për një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurt”, tha Basha.

550 milionë euro koncesione do të anulohen

550 milionë euro koncesione abuzive të ndërmarra në katër vitet e qeverisjes Rama do të anulohen. Ky do të jetë një nga vendimet e para që qeverisja Basha do të ndërmarrë pas fitores së zgjedhjeve. “1.5 miliardë në katër vite ka kushtuar shëndetësia falas në katër vite. Në duart e katër-pesë vetave. 550 milionë që do të anulohen ditën time të parë si kryeministër e do të kthehen në mjekë, infermierë, kushte të mira për spitale, ilaçe. Unë nuk iu premtoj se në katër vite do të keni shëndetësi të standardit zviceran, por ju garantoj se në katër vite shqiptarët do të trajtohen siç trajtohen qytetarët në rajon”, tha Basha. Duke folur për mbështetjen e fëmijëve të parashikuar në programin e PD, Basha tha: “Fëmijët do të kenë të garantuar shkolla me infrastrukturë me standarde europiane, Republika e re do të mundësojë drekën falas për fëmijët, që do të thotë shëndet për fëmijët dhe ndihmë për gratë dhe nënat shqiptare. Papunësia e grave është rritur më shumë se sa e burrave në këto katër vite, diferenca u thellua në këto katër vite. Kjo është një masë që do të ndihmojë drejtpërderjtë gratë shqiptare, pas drekës fëmijët shqiptarë do të kenë mundësi të bëjnë detyrat, të lexojnë libra, vizatime, art, sipas modelit europian, e nesërmja e sigurtë nis me fëmijët shqiptarë”, tha Basha. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se që këtë vit buxheti do të bëjë të mundur rritjen e pensionit, në katër vite pensioni minimal për 650 mijë pensionistët shqiptarë do të bëhet 250 mijë lekë të vjetra. Basha tha se ndihma ekonomike do t’u jepet të gjitha familjeve në nevojë reale ekonomike dhe nuk do të ketë lëmoshë sepse energjia elektrike dhe uji do të paguhet nga Republika e re, eliminimi i taksës Rama për naftën, do të lehtësohet struktura e kostove për pjesën e popullit që është në vështirësi. Basha tha se sfida dhe beteja e tij është t’u japë shqiptarëve të njëjtat shanse që ai pati në rini. “Jeta më dha mundësi kur isha fare i ri. Më dha mundësinë të studioj e të shkollohem në një nga vendet më të përparuara të Europës, në Universitetin e Utrehtit, në mënyrë konstante një nga universitetet më të mira të botës. Shkëlqeva për shkak të punës dhe përkushtimit tim. Arrita ta rendis këtë universitet në një kuotë që askush tjetër nuk e ka arritur në këto 15 apo 20 vite, në konkursin ndërkombëtar në Uashington. M’u hapën dyert e institucioneve ndërkombëtare. Të gjitha këto falë punës time, pa miq, pa lidhje, pa nepotizëm. Unë jam biri i dy prindërve të thjeshtë siç janë këta të rinj e të reja këtu. Por puna e palodhshme më solli gjithë këto mundësi të rregulloj jetën time dhe të familjes time. Mund të kisha zgjedhur të vazhdoja këtë jetë në Holandë. I kisha të gjitha mundësitë në Zvicër, pranë OKB-së, në SHBA. I kisha të gjitha mundësitë, por unë zgjodha të kthehem vetëm për një arsye. Pasi Zoti më bekoi me mundësitë që m’u dhanë, pasi këto mundësi i ktheva në mirëqenie për veten time dhe familjen time, pasi nxora këto mësime nga jeta, tani është radha ime të krijoj këto mundësi për çdo të ri dhe të re të Kamzës, për bijtë dhe bijat tuaja. Prandaj, jam sot në politikë. Ky është motivi im, kjo është ëndrra ime, kjo është sfida dhe beteja që unë do të luftoj ditë e natë për ju”, tha Basha.

Qytetarët e Poliçanit i lexojnë Ramës investimet e PD në 8 vite

Banorët e Poliçanit kanë revoltuar Ramën, dje teksa i kanë vënë atij në dukje mashtrimet e katër viteve të qeverisjes së tij e si model për investimet konkrete të realizuara në zonën e tyre, ata i kanë përmendur investimet e qeverisjes BEeisha. Një qytetar  kishte përgatitur një letër, në të cilën kishte listuar investimet në rrugë, shkolla, spitale etj., investime të gjitha gjatë qeverisjes së djathtë. Por kjo ka nervozuar Ramën, i cili menjëherë ka ndërprerë fjalën e qytetarit. Në pamundësi për të lexuar letrën, ajo është publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha. Ish-kryeministri thekson se, në takimin e tij me banorët e Poliçanit, Rama nuk tha asnjë gjysëm fjale për 300 mijë vendet e punës të premtuara, as dhe largimin nga vendi këto katër vite të 200 mijë shqiptarëve, mos heqjen e TVSH për ushqimet bazë si miellin, bukën, vajin, sheqerin, orizin, të cilat sot blihen 15% më shtrenjtë se 4 vite më parë. “Ai nuk tha asgjë për  premtimin e barazimit të pensioneve të fshatit me ato të qytetit dhe uljen e tyre për shkak të rritjes së çmimeve krahasuar me 4 vjet më parë, si dhe premtimin e zbritjes në 6% të TVSH për energjinë, të cilën sot çdo qytetar e blenë atë 25% më shtrenjtë se sa 4 vite më parë. Rama nuk tha se pse nuk mbajti fjalën për – për pesëfishimin e fondeve, granteve për bujqësinë. Nuk foli për mashtrimet e tjera si naftën pa akcisë dhe taksën qarkullimit, por në të vërtetë me taksën e qarkullimit 270 lekë ai rriti çmimin e naftës në nivelet më të larta në Europë. Ai kishte premtuar rritjen e rrogave dhe rrogën e 13-të për punonjësit e administratës. Në vend të kësaj, ai ngriu për tre vite me rradhë rrogat, ndaj dhe në mandatin e tij, për herë të parë pas 27 vitesh, sipas INSTAT të tij rrogat janë më të ulta se sa katër vite më parë. Rama, ndonëse nuk u tregoi dot atyre për asnjë projekt të qeverisë së tij të realizuar në katër vite në rrethin e Skraparit si rrugë, shkolla, kanalizime, qendër shëndetësore etj. Ai nuk paraqiti para tyre asnjë projekt për të ardhmen. Nuk përmendi dot asnjë investitor serioz të huaj që ka hyrë në Shqipëri këto katër vite. Ai në fjalën e tij nuk përmendi as projektin e TAP, sepse i dilte hija ime. Prandaj ai, për të mbuluar mashtrimet e tij të pashembullta, dështimet e tij të mëdha, mungesën e plotë të investimeve, kaloi menjëherë tek gallata me shofer, timon, makinë, prehër shoferi, duke besuar se skraparllinjtë janë kaq të trashë sa nuk dinë se çfarë ishin premtimet e tij katër vite më parë, nuk dinë se ato ishin mashtrime të mëdha, nuk dinë se ai në katër vite, në të gjithë sektorët në rrethin e Skraparit, ka investuar më pak se gjysmën e investimit në bujqësi të qeverisë së mëparshme. Në fund të takimit, një qytetar, i skandalizuar nga llogjet e Ramës, iu drejtua atij, duke i kërkuar leje të lexonte një material. Rama i ndërpreu fjalën. Qytetari i dorëzoi letrën atij dhe një kopje të saj e nisi dhe në Inboksin tim. Në letër ai paraqiste një listë jo të plotë të investimeve të viteve 2006-2013 nga qeveria e mëparshme”, shkruan Berisha në reagimin e tij, ndërsa ka publikuar letrën e qytetarit me investimet përkatëse për çdo qytet dhe rreth të Qarkut të Beratit.

Investimet në Qarkun e Beratit

. Në viet 2006-2013
• Në këto vite janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 600 km rrugë:( 70 km rrugë kombëtare; 105 km rrugë rajonale; 425 km rrugë në komuna e bashki.)
• 74 shkolla të pajisur me kabinete moderne dhe salla interneti.
• Universiteti privat me 5600 studentë dhe tarifa shtetërore.
• 55 sisteme ujësjellësa e kanalizime, duke përfshirë Ujësjellësin Berat – Kuçovë 6 ml euro.
• 87 qendra shëndetësore e ambulancë si dhe Spitali Beratit tashmë me pajisje bashkëkohore.
• Në Sistemin e Energjisë Elektrike janë investuar 25 milionë euro për përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit dhe janë kontraktuar ndërtimi 15 HEC-ve lokale
• Eshtë dyfishuar numri i bizneseve – në 5350 biznese nga 2820 biznese vitin 2005.

Turizëm:

– Eshte rritur në 300 mijë numri i turistëve në qark nga 30 mijë në vitin 2005.
– U përfshi Berati  në UNESKO.
– Janë restauruar kështjella, kalldrëmet dhe mbi 50 monumente dhe objekte muzeale përkundrejt 5 objekteve të PS
– Po përfundojnë rrugët turistike të Tomorit, Shpiragut dhe Kanioneve.
– (Ndërkohë E. Rama dhe A. Lame si ish-drejtues të Min. së Kulturës nuk kanë lënë asnjë gjurmë në vitalizimin e trashëgimisë së kësaj treve.)
• Për ringritjen e bujqësisë janë investuar 1.2 miliardë lekë.
– Janë subvencionuar 640 milionë lekë ose 30 herë më shumë se PS (19 milionë lekë.)
– Janë mbjellë 2600 ha me ullishte, pemëtore, vreshta, spërkatje e sera.

Rezultati:

Kanë përfituar 6800 fermerë ose mbi 25 herë më shumë se socialistët.
Eksporti i prodhimeve bujqësore është 3-fishuar në dy vitet e fundit.
Vetëm të ardhurat nga eksporti i perimeve llogariten mbi 7 milionë euro.
– Ka 23 fabrika që prodhojnë mbi 2, 500 ton vaj ulliri; 13 fabrika që përpunojnë fruta dhe perimeve dhe 5 kantina që prodhojnë 4 herë më shumë verë.
– Tashmë Berati ka 1,5 milionë rrënjë ullinj, 1 milionë dru frutor, 1.8 milionë hardhi ose në total dy herë më shumë se në vitin 2005.

Investimet në Urën Vajgurore

600 milionë lekë në ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve si:
Rruga Ura Vajgurore – Kuçovë,
Rruga Poshnjë – Ura Vajgurore, ( pjesë e Unazës së Shpiragut )
Rruga nga Shkolla e Mesme – Pashalli – Konizbalte etj
• 130 fermerë kanë përfituar nga subvencionet në pemëtari, vreshta, ullishte, blegtori, bletë dhe gjithsej.
Janë mbjellë 70 ha nga të cilat 46 ha me ullinj, 15 ha pemëtore dhe 9 ha vreshta.
Janë mbështetur 3 ha me ujitjen me pika si dhe janë mbështetur 3 parqe me 150 koshere me bletë.
• Investime në institucione shëndetësore 6 milionë lekë
• Investimet në sistemet e KUZ arrijnë në vlerat e 30 milionë lekë

Investimet në rrethin e Kuçovës

Qeveria ka investuar për Rrethin e Kuçovës:
– 13 shkolla e ambjente arsimore.
– 60 km rrugë.
– 10 Ujësjellësa e KUZ.
– 5 Qendra shëndetësore dhe ambulancë.
– 1 milion euro në përmirësimin e rrjetit elektrik. Linja 110 kw Kuçovë-Uznovë.
– Subvencionuar 475 fermerë në 150 ha sipërfaqe me ullinj, vreshtari etj., në vlerë 15 herë më shumë se socialistët.
– Rritja e biznesit me 550 aktivitete më shumë.
Tashmë kemi 1218 biznese nga 768 biznese në 2005.

Investimet në Skrapar

Në Poliçan, Çorovodë, Vëndreshë, Bogovë, Cepan, Gjerbës, Zhepë, Potom janë ndërtuar:
• 100 km rrugë, 20 shkolla e kopshte, 29 Qendra shëndetësore e ambulanca,
22 Ujësjellësa e Kanalizime si dhe 3 investime mbrojtëse nga Lumi Osum.
• Janë subvencionuar 380 ha me arrore, vreshta e ullinj dhe kanë përfituar 520 familje fermerësh.
• Janë nënshkruar kontrata për 7 HEC- e lokale me kapacitet 14 000 kw në Bogovë, Vlush, Faqekuq Nishovë e Vertop.
Nga rrugët kryesore përmendim:
Rrugën e Kanioneve, rrugën Nishovë – Novaj, rrugën Dobrush – Përparim,
Bogovë – Çorovodë, Unazën dhe rrugë në Çorovodë, në Poliçan si dhe rrugët në Verzhezhë, Gjerbës, Buzuq, Çepan, Sharovë, Vëndreshë etj”.

Rritet prania e vëzhguesve në terren, monitorim fushatës dhe ditës së votimit

Në Shqipëri, sa vjen e rritet numri i vëzhguesve vendas e të huaj për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Deri tani janë regjistruar rreth 500 vëzhgues të pavarur, pa përfshirë këtu vëzhguesit partiakë, të cilët edhe ata pritet të jenë më të shumtë sivjet. KQZ miratoi dje pjesëmarrjen e grupeve të reja të vëzhguesve afatshkurtër nga Asambleja parlamentare e OSBE-së dhe organizatave vendase. Regjistrimet e djeshme e ngritën në afro 500 numrin e vëzhguesve të pavarur vendas e të huaj, pa përfshirë këtu qindra vëzhgues të partive në zgjedhjet e 25 qershorit. Fushata zgjedhore ka përfshirë gjithë vendin edhe zyrtarisht, ndonëse faktikisht, sipas vëzhguesve ajo ka nisur 6 muaj më parë, edhe për shkak të zgjatjes së krizës politike dhe shtyrjes së datës së zgjedhjeve. Koalicioni i vëzhguesve vendorë, një bashkim shoqatash me përvojë shumëvjeçare, publikoi dje një raport mbi ecurinë e deritanishme të fushatës. Një nga drejtueset e këtij koalicioni, Gerta Meta, thotë se deri tani kryetarët e partive po shkëmbejnë batuta mes tyre dhe nuk po dëgjojnë qytetarët, nuk po shpalosin programe konkurruese, madje nuk po shpalosin as cilësitë e kandidatëve të tyre. Drejtuesit e partive kryesore e kanë nisur fushatën muaj më parë dhe sipas vlerësimeve që kanë mbledhur vëzhguesit në terren, shumica e të anketuarve mendojnë se deri tani kjo është një fushatë e kryetarëve dhe jo e qytetarëve, të cilët ftohen vetëm për të duartrokitur në një fushatë, ku nuk po ballafaqohen apo nuk shpjegohen platforma qeverisëse, por vetëm po hidhen premtime të pathjeshtuara dhe të paargumentuara. Vëzhgimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit do të ketë sivjet një veçanti kurioze si nga ana e subjekteve ashtu edhe nga shoqëria civile për shkak të garimit individual të partive pa koalicione. Mungesa e koalicioneve do të shumëfishojë vëzhguesit partiakë në procesin zgjedhor, sepse çdo subjekt do të dërgojë vëzhguesit e vet edhe gjatë votimit edhe gjatë numërimit, pra do të ketë një fluks shumë madh vëzhguesish. Kështu, thonë ata, për herë do të shmanget shqetësimi i partive të vogla se votat e tyre keqadministrohen apo vidhen nga dy partitë e mëdha. Sipas rekomandimeve të publikuara dje nga vëzhguesit vendorë, transparenca mbi ecurinë institucionale në përgatitjet në vazhdim të procesit zgjedhor duhet të jetë maksimale dhe në kohën më të shkurtër. Ata bëjnë thirrje që prokuroritë e vendit duhet të ndjekin me rigorozitet rastet e denoncimeve për përfshirjen e jashtëligjshme të funksionarëve publikë në fushatën zgjedhore. Vëzhguesit theksojnë gjithashtu se subjektet zgjedhore duhet të frenojnë çdo përpjekje dhe sjellje që ka për objekt përfshirjen apo intimidimin e funksionarëve publikë për qëllime elektorale. “Fryma e ndërveprimit ndërmjet institucioneve në përballjen e fenomeneve të korrupsionit zgjedhor, duhet të jetë në konkordancë me përcjelljen e informacionit Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Subjektet zgjedhore duhet të paraqesin platforma konkrete elektorale dhe të mbështetura në argumente të matshëm. Përfaqësuesit politikë të subjekteve zgjedhore duhet të jenë të matur në komunikimet publike, duke mos lejuar nxitjen e gjuhës së urrejtjes në vazhdim të fushatës zgjedhore”, thuhet në rekomandimet e vëzhguesve vendorë. Gjithashtu ata i bëjnë thirrje subjekteve politike të bëjnë publikisht të ditur planin e veprimtarive elektorale për periudhën e fushatës zgjedhore dhe të publikojnë para ditës së zgjedhjeve pasqyrën totale të kostove të fushatës zgjedhore, përfshirë evidentimin sipas kandidatëve. “Kandidatëve iu bëhet thirrje të deklarojnë gjendjen e tyre pasurore zyrtare, duke përfshirë të ardhurat, kapitalet financiare, asetet materiale dhe detyrimet financiare që shlyejnë për këto pasuri. Kjo, si një domosdoshmëri në funksion të transparencës ndaj zgjedhësve, duke ndjekur të njëjtin standard të vendosur tashmë nga legjislacioni për publikimin e gjendjes së tyre penale. Ky deklarim vullnetar i të gjithë kandidatëve do të shërbente si një garanci më shumë për forcimin e besimit qytetar tek figura dhe integritetit i përfaqësuesve të tyre të ardhshëm. I bëhet thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të formave të korrupsionit zgjedhor, që nga shitblerja e votës dhe deri tek të gjitha format e aferave korruptive që mund të përballen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxitet të luajë një rol aktiv në koordinimin e punës me njësinë Task Force të ngritur, Prokurorinë e Përgjithshme dhe me institucione të tjera përgjegjëse. I bëhet thirrje operatorëve mediatikë të tregohen sa më objektivë dhe profesionalë në përcjelljen e veprimtarive të fushatës zgjedhore si në edicionet informative, ashtu edhe në programacionet e tjera të tyre”, thuhet në deklaratën e vëzhguesve vendorë.

Dyshja e trafikantëve Rroshi e Daja, në fushatë për Kavajën

Kavaja do të vazhdojë të qeveriset nën shembullin e Elvis Rroshit ose thënë më thjesht, me ardhjen e Dorian Muratit, një vasali të tij, nuk do të ndryshojë asgjë nga mentaliteti i bandave në këtë qytet. Ligji i dekriminalizimit arriti ta nxjerrë nga zyra e Bashkisë Elvis Rroshin, kryetarin famëkeq të Kavajës, por mesa duket nuk ka mundur ta heqë atë nga preferencat e tij. Një kronikë e “TV6 Kavaja”, transmeton pamje të Rroshit, i dënuar për përdhunim në Itali dhe Gentjan Dajës, kreut të PS-së Kavajë teksa shesin moral politik tek banorët e Luzit të Kavajës, në një takim elektoral në mbështetje të kandidatit për kreun e bashkisë Dorian Murati dhe ky një i përzgjedhur i Ramës. Madje Murati, gjatë fjalës së tij nuk ngurron të thotë se Bashkia do të qeveriset nën shembullin e “fantastikut” Rroshi. Duket se edhe Murati është pjesë e investimit kriminal të Rroshit të Kavajës. Pra, Kavaja, sipas mentalitetit të Ramës nuk mund të jetë ndryshe vetëm se një enturazh bandash politike, që kanë gjashtë vjet që mbajnë peng këtë qytet dhe banorët e saj.

Zëvendësimi i Shehut

Pas ikjes së Rroshit, një herë u përfol për kandidate të Bashkisë së Kavajës gruaja e Gentian Dajës, me qëllim që tava e vjedhjeve të mbetej brenda rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve. Pas zhurmës që u bë, tërhiqet gruaja e Dajës dhe në vend të saj kandidon një tjetër i besuar i Rroshit, Klodian Shehu, që nuk ishte gjë tjetër vetëm se një yes-man i kapobandës së Kavajës. Por, zgjedhjet e 7 majit u anuluan në Kavajë dhe Klodian Shehu, më pas u pa si i papërshtatshëm për të rikandiduar sërish. Në fakt, burime nga Kavaja shprehen se përgjatë kohës që bënte fushatë, Klodian Shehu u mundua ta mbajë larg dyshen Daja-Rroshi, me qëllim që të krijonte idenë se nuk ishte pjesë e të njëjtit klan. Në fjalimet e tij, megjithëse nuk kishte konkurrent, Shehu e përmendte pak ose aspak Rroshin e famshëm. Por mesa duket kjo s’i ka pëlqyer dyshes së pandarë të shokëve të trafikut të drogës, të cilët në zgjedhjet e 25 qershorit menduan të vendosin një tjetër emër në vend të tij, Dorian Muratin, një vegël e bindur e Rroshit, që e imiton dhe në veshje, por dhe në sjellje siç mund ta ketë vënë re shumëkush. Burime nga Kavaja shprehen se  përgjatë këtyre viteve s’ka qenë asgjë më shumë se një ushtar i Dajës dhe i Rroshit. Kjo është arsyeja sepse shumë anëtarë të PS-së u habitën kur panë që Shehun e zëvendësoi Murati me një të rënë të lapsit.

Përgjigjja më 25 qershor

Dje kandidati shihej me veshje “Armani” teksa i fliste fshatarëve të Luzit për punën që kish bërë “fantastiku” Rroshi. Në fakt mund t’i fliste dhe për privatizimet e tokave të Kavajës, firmën e ndërtimit ku është ortak me Dajën apo orientimin e investimeve drejt vendeve ku ai ka ngritur pallatet e tij, ose ku është futur kryeministri si ortak. Më qesharak në këtë histori dukej Gentian Daja, që para të pranishmëve dukej sikur e kishin sjellë me pahir, fliste e fliste për shtetin dhe vizionin e Edi Ramës në krye të shtetit dhe se si socialistët bëjnë shtet. Njeriu që erdhi prej hiçit dhe bashkë me përdhunuesin Elvis flisnin në emër të Ramës dhe dobësinë që na paska ai për Kavajën. Në fakt, 25 qershori nuk është shumë larg dhe kllounëve të këtij tipi Kavaja do ia japë përgjigjen me anë të votës. Kavajasit, ata që u ngritën kundër diktaturës, nuk do të lejojnë më të merren peng dhe të tallen në këtë farë derexheje nga njerëz me këtë moral. Nuk do të lejojnë që e ardhmja e fëmijëve të tyre dhe jeta e tyre, të varet nga oreksi i bandës së Rroshit, edhe nëse ky e ka emrin Dorian dhe jo Bashkim ose Enver si shefi i tij.

Dorian Murati, avokati i zullumeve të dyshesh Rroshi-Daja në Kavajë

Grabitja e pronave nga dyshja Rroshi-Daja është një fakt që e di e gjithë Kavaja, madje Rroshi në jo pak raste ka adresuar fondet e buxhetit të shtetit, drejt investimeve që ai me Dajën kryejnë në bregdet. Më datë 3 shkurt të këtij viti në faqen zyrtare të Facebookut të ish-Kryeministrit do të vinte ky denoncim. “Përshëndetje zoti Sali Berisha. Unë jam banor i qytetit të Kavajës dhe desha të denoncoj te ju një vjedhje të banorëve të fshatit Qerret. Elvis Rroshi dhe Gentjan Daja ndërtojnë pallate në plazh të Qerretit, po i vidhen hapësirat. Po ju dërgoj disa pamje që i kam bërë më datë 20 shkurt. Së bashku me qeverinë Rama po rrëmbejnë tokat tona, që sa gjejnë një hapësirë po ngrejnë pallate, duke rrënuar turizmin e Kavajës”, ka shkruar qytetari në adresë të Berishës. Në fakt i njëjti fenomen po ndodh dhe në Golem. Por jo vetëm kaq. Në zonën e Qerretit Rama nuk do të ngurronte të investonte jo pak, por 3 milionë euro për zgjerimin dhe ndërtimin e një rruge me gjatësi as 3 kilometra që kalon në krah të investimeve të Rroshit në këtë zonë. E njëjta gjë po ndodh dhe në Golem ku në resortet ku Rama është ortak, por bëhen plane për investime nga buxheti i shtetit dhe në të gjitha rastet qehaja i tyre është Rroshi. Në fakt kjo është pjesa më legjitime e aktivitetit të dyshes Rroshi-Daja, pasi përgjatë gjithë kohës ka pasur akuza për kultivimin dhe trafikimin e hashashit në fshatrat përreth Kavajës.

“New Europe”: BE nis zyrtarisht hetimet për korrupsion ndaj Vlahutin

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin është nën hetim nga Zyra europiane kundër Mashtrimit (OLAF).
Lajmi është publikuar në portalin “New Europe”, i cili shkruan se hetimi ndaj Vlahutin ka nisur për blerjen e vilës 1.6 milionë euro në një rezidencë në periferi të Tiranës.
OLAF është organi i vetëm i Bashkimit Europian i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e BE-së.
“Kjo është një shifër e çmendur sipas ekspertëve vendas, pasi ajo vilë nuk vlen as sa 1/3 e çmimit të shitjes. Shtëpi të ngjashme në të njëjtën zonë dhe akoma më të mëdha kishin një çmim më pak se 1 milion euro.
Ky hetim është me rëndësi të veçantë, pasi u hap 4 javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë më 25 qershor. Më shumë se në një rast, Vlahutin ka mbështetur haptazi Partinë Socialiste në pushtet të Kryeministrit Edi Rama. Fakti që ambasadorja e BE është miqësore ndaj Ramës dhe u vu nën hetim përpara zgjedhjeve, mund të nënkuptojë se Komisioni Europian nuk dëshiron të asistojë procesin zgjedhor të Shqipërisë”, shkruan “New Europe”. Vila e re e ambasadores së BE, Romana Vlahutin ka bërë bujë në Bruksel për shkak të shumës së madhe të parave që ka kushtuar kjo rezidencë. Zyra Antimashtrim e BE-së është pyetur nga portali “Tirana Echo” nëse ka nisur hetim. “Nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes suaj. OLAF zakonisht nuk bën komente për rastet që janë nën hetim apo që nuk janë nën hetim. Duhet të ruajmë konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm apo ndonjë procesi gjyqësor të mundshëm, në mënyrë që të respektohen të drejtat personale”, tha Zyra Antimashtrim e BE në një prononcim për portalin “Tirana Echo” pak kohë më parë. OLAF ka konfirmuar gjithashtu për këtë portal se drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Antimashtrim të BE-së dhe Prokurori i Përgjithshëm shqiptar Adriatik Llalla kohët e fundit kanë shkëmbyer mendime rreth bashkëpunimit mes dy institucioneve që drejtojnë.

Ndryshimet klimatike, Shqipëria shkarkon rreth 9,4 milionë tonë në vit CO2

Shqipëria ka një nivel në shkarkimet e gazrave serë rreth katër deri në pesë herë më të ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milionë tonë/vit të gazit karbonik CO2. Edhe pse jo në nivel të lartë ekspertët e mjedisit theksojnë nevojën e politikave të forta për çështjet klimatike. Ekspertja e mjedisit, Laureta Dibra u shpreh se ka vijuar bashkëpunimi me donatorë të ndryshëm për hartimin e strategjive në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike.
Sa i takon shitjes së kuotave vendeve më të zhvilluara, që i tejkalojnë limitet e shkarkimit të gazrave të dëmshëm, Dibra u shpreh se Shqipëria edhe pse është pjesë e kësaj marrëveshje ende nuk është futur në këtë treg. Sipas ekspertes po punohet në këtë drejtim duke krijuar bazën ligjore.
Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion rezulton se kontribuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serë në Shqipëri janë: Energjia dhe transporti me (57.29%), e ndjekur nga bujqësia me (16.85%), përdorimi i tokës dhe pyjet (8.88 %) dhe në fund mbetjet me (2.31%). Shqipëria u bë një ndër 178 vendet që mbështesin këtë marrëveshje me miratimin në Parlament në korrik të 2016-ës.

Zgjedhjet në Kosovë, votuesit do përcaktojnë rrugën e integrimit

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Gregory Dealwie ka deklaruar se kjo javë është e rëndësishme për Kosovën, sepse votuesit do të jenë ata që do të përcaktojnë rrugën e saj drejt prosperitetit. Ambasadori Delawie i bëri këto komente në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike, ku ka theksuar se të gjithë pajtohen për një destinacion të vetëm, të shohin Kosovën si shtet sovran, të pavarur, në paqe me shtetet fqinje dhe të integruar tërësisht në komunitetin evropian dhe global.
Delawie theksoi tri prioritetet e tij kryesore si ambasador i SHBA-së në Kosovë sundimi i ligjit, siguria rajonale dhe zhvillimi ekonomik, si dhe përparimin që secila prej tyre ka shënuar. “Kalimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ishte një hap i madh për të luftuar korrupsionin, ne kemi parë një rritje të numrit të arrestimeve për shkelje dhe keqpërdorim të detyrës. Luftimi i ekstremizmit ka qenë i suksesshëm dhe në fund, ne kemi mbështetur zhvillimin e bizneseve të vogla dhe kemi promovuar mundësitë për eksport”, tha ambasadori Delawie.
Sidoqoftë, sipas Delawie, korrupsioni dhe niveli i papunësisë ende dominon në Kosovë. Ai tha se bizneset mund të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes në Kosovë. “Çështjet, të cilat u ngritën nga anëtarët e Odës amerikane ishin kryesisht të ndërlidhura me sundimin e ligjit, korrupsionin, gjendjen politike jostabël, mungesën e fuqisë së kualifikuar të punës dhe nevojën për një gjykatë komerciale, çështje të cilat sipas tyre, vazhdojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë. Gjatë pjesës së diskutimit, anëtarët patën mundësi po ashtu të marrin përgjigje dhe sugjerime nga ambasadori rreth pyetjeve dhe çështjeve të tyre”, thuhet në një komunikatë të OAK-ut.

Monedhat virtuale arrijnë në Kosovë

Monedha virtuale është shtrirë edhe në Kosovë, thonë ekspertë për çështje financiare. Kjo monedhë e quajtur ndryshe, Bitcoin, ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryhen transaksione, sikurse me paranë e vërtetë.Monedhat virtuale, paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online, media sociale, dhe më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen në jetën reale. Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto monedha janë paraqitur edhe në tregun e Kosovës.
“Në tregun e Kosovës ka marrë përmasa paraqitja e saj dhe blerja nga ana e klientëve të ndryshëm. Dhe, realisht, këmbimi apo blerja me këtë, bëhet vetëm përmes marketeve dhe dyqaneve të ndryshme, ku këmbehet,por jo si valutë e prekshme”. “Shumë persona apo individë kanë filluar t’i blejnë këto valuta virtuale. Realisht, kjo është një lloji valute që nuk ka një burim të saktë dhe në vetvete përmban rreziqe, sa i përket qytetarëve dhe individëve të ndryshëm”, thotë Keqa.
Në anën tjetër, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, (BQK), në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se në Kosovë nuk ka instrument ligjor që e rregullon përdorimin e parave virtuale.
“Si rrjedhoje e kësaj, nuk ka njohuri nëse ka ndonjë biznes të vendosur në Kosovë, i cili ofron mundësinë e blerjes dhe përdorimit të këtyre llojeve të parave virtuale”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Por, në një komunikatë për media, të enjten Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me përdorimin e mundshëm të parave virtuale në Republikën e Kosovës.
Në komunikatë thuhet se përdorimi i këtyre parave nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale i njofton Banka Qendrore se nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura. Por, Flamur Keqa, thotë përdorimi i valutave digjitale paraqitet si konkurrencë për valutat reale që i përdorim në jetën e përditshëm, rrjedhimisht është sfidë edhe për Bankat Qendrore.
“Kështu që, kjo paraqet një sfidë për rregullatorët, Bankat Qendrore në gjithë botën. Dhe, ata duhet të përqendrohen dhe fokusohen që të përcaktojnë rreziqet e saj dhe mundësisht të punojnë në drejtim që mos të ketë ndonjë pasojë për ata që hyjnë në treg me blerjen e këtyre valutave”, shpjegon Keqa.
Aktualisht, thuhet në komunikatën për media të Bankës Qendrore të Kosovës, është rritur mundësia e përdorimit të monedhave virtuale si mjete pagese për mallrat dhe shërbimet gjatë realizimit të shitjeve me pakicë, restorante dhe lokale argëtimi. Këto transaksione shpesh nuk shkaktojnë ndonjë tarifë ose ngarkesë, dhe nuk përfshijnë bankat.

Ulja e taksave, 400 milionë euro futen në xhepat e qytetarëve në vit

Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin ekonomik të Republikës së re në Kukës. Basha tha se do të ulë taksat, duke shtuar paratë në xhepat e qytetarëve. Do kemi taksë të sheshtë vetëm 9%, ndërsa fermerët do të përfitojnë të gjithë subvencion me një fond prej 100 milionë eurosh në vit. Të rinjtë e sapodiplomuar, 10 mijë prej tyre në vit, do të kenë stazhe të paguara nga Republika e re.
“Me uljen e taksave, me uljen e TVSH-së, e cila do të gjenerojë çdo vit 400 milionë euro më shumë në xhepat e shqiptarëve me rritje konsumi, rritje të fuqisë blerëse, me taksën e sheshtë 9%, do të sigurojmë qindra milionë euro kapitale dhe kreditime të ekonomisë. Këto do të kthehen në vende pune, në punësim, në pozitivitet dhe rritje ekonomike. Hapi im i dytë do të jenë 10 mijë stazhe për 10 mijë të sapodiplomuar, drita e syrit të prindërve të Kukësit. Me përfundimin e universitetit, për 1 vit me radhë 10 mijë të rinj shqiptarë do të kenë mundësi të kenë stazhe, praktika të paguara me 200 mijë lekë në muaj 1 vit me radhë. Fermerët e Kukësit dhe mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se në Republikën e re kanë 100 milionë euro subvencione çdo vit për ta. 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të destinohet për të financuar fermerët, pa sekserë, pa burokraci, pa NIPT. Ne do të hapim vende pune, do të hapen fabrika për shkak të taksës më të ulët në Ballkan”, tha Basha.
Vendimet e para që do të marr janë vendime që ju mbështesin ju dhe njerëzit e punës. Ulja e TVSH-së do të sjellë 400 milionë euro në vit më shumë në xhepat e konsumatorëve shqiptarë, në xhepat tuaja. TVSH-ja është taksa që paguan gjithsecili prej jush, nga bebja e sapolindur tek më i moshuari në këtë qytet. Të gjithë paguani 20% më shumë TVSH, tek buka e gojës, tek nafta, tek gjithçka tjetër. Unë do ta ul TVSH-në, 400 milionë euro do të rritet konsumi, fuqia juaj blerëse. Paratë që do të qarkullojnë në ekonomi. Taksa e sheshtë 9% do të gjenerojë miliona euro investime. Taksa Rama mbi naftën. Plot 240 lekë për litër, do të anulohet që ditën time të parë si kryeministër, sepse nafta është gjaku i ekonomisë dhe ekonomia e fortë është detyra e parë e kryeministrit tuaj të ardhshëm. Nuk ka shtet të fortë pa ekonomi të fortë, nuk ka shtet të fortë me qytetarë të varfër. Fund fasadave dhe estradave. I gjithë investimi do të jetë për hapjen e vendeve të punës, për fabrika të reja, për mbështetje për rininë”, tha Basha.
Në Belsh, Basha tha se do të punojë për shqiptarët, duke u dhënë shansin të shkollohen, punojnë dhe të kenë jetë më dinjitoze. Të kenë të njëjtat mundësi që ai pati kur njohu dhe preku ëndrrën europiane.
“Ju jap fjalën se nuk jam në këtë betejë për veten time, as për egon time, as për rehatinë e jetës sime, as për rehatinë e familjes sime, ju e dini kam patur shanse në jetë fare i ri. Kam studiuar, kam ndërtuar jetën time. Kisha mundësinë të ndërtoja një jetë të rehatshme kudo që ta dëshiroja, nga Holanda në Amerikë, por kam zgjedhur të bëj këtë betejë, sepse tani që ma priu fati në jetë të realizoj gjithçka që kam realizuar në rini, tani është radha ime të bëj gjithçka që këta të rinj të kenë të njëjtat mundësi se edhe unë bir prindërish të thjeshtë jam. Jam ky që jam për shkak të mundësive që m’u ofruan dhe punës sime dhe do të bëj gjithçka që të njëjtat mundësi t’i kenë edhe të rinjtë e Belshit”, tha Basha.
Për kryetarin e Partisë Demokratike prioritet i Republikës së re është punësimi i shqiptarëve dhe e ardhmja e sigurtë e fëmijëve të tyre.
Nga Kukësi, ku hapi fushatën elektorale kryetari i opozitës Lulzim Basha, tha se dy partitë e koalicionit qeveritar janë sot para qytetarëve vetëm për teatër pasi vijnë në këto zgjedhje pa bilanc. Basha nuk i kurseu ironitë për kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e zgjedhur Ilir Meta. “Priteni kur të vijë të bëjë vertikalen këtu në Kukës. Se ai tjetri erdhi me daulle. Ky me daulle dhe ky tjetri do të fillojë të kërcejë. Estradë. Teatër kukullash për t’u hequr vëmendjen njerëzve nga detyra numër një e politikës që t’u shërbejë njerëzve dhe jo të bëjë spektakël, ndërkohë që mbush xhepat”. Akuzat i përqendroi tek Lëvizja Socialiste për Integrim, duke theksuar se më 25 qershor merr fund ajo që ai e quan SHPK. “Le t’i bjerë sa të dojë Ilir Meta daulleve, nuk ka për të pasur më shi për tokat e SHPK-së. Pazari i vjetër politik i Republikës së vjetër merr fund”. Basha shkoi në Kukës me tezën e diskriminimit krahinor, duke theksuar se nuk ka lëvruar asnjë fond për këtë bashki. “Kukësi është kthyer në simbol të diskriminimit, duke i ndëshkuar sikur të ishte një regjim aparteidi, prandaj i ka ngel makina pa motor dhe me një timon në Mirditë dhe s’i vjen dot deri në Kukës”. Kryetari i opozitës Lulzim Basha premtoi se do të jetë një kryeministër i ekonomisë dhe i punës dhe jo kryeministër i fasadave apo ekraneve.