33.5 C
Tirana
E martë, 22 Korrik, 2025

Ajeti mund të shkojë tek Bologna

Bologna mund të bëhet streha e disa futbollistëve të kombëtares shqiptare për sezonin e ardhshëm në Serinë A. Dihet prej disa kohësh interesi i klubit abruxez për Ledian Memushajn, i cili pritet të largohet nga Pescara tashmë e rënë në Serinë B. Së fundmi skuadra që e mbylli kampionatin në vendin e 15-të po studion mundësinë për të siguruar edhe shërbimet e Arlind Ajetit. Mbrojtësi 23-vjeçar pritet të largohet nga Torino, ku është aktivizuar në vetëm 4 ndeshje të Seria A për një total prej 250 minutash e nga kjo situatë kërkon të përfitojë Bologna, që synon të përforcohet në të gjitha repartet për sezonin e ardhshëm.
Sipas “Corriere dello Sport”, pavarësisht faktit se Ajeti nuk ka mundur ta bindë Mihajloviçin për vendin e titullarit, te Bologna shihet si futbollist i perspektivës për moshën e re, por edhe faktit që është pjesë e Serisë A prej dy sezonesh.
Ajeti aktualisht është i grumbulluar me kombëtaren për ndeshjen eliminatore me Izraelin në transferë, ndërkohë që nuk u aktivizua nga De Biasi në miqësoren e humbur me Luksemburgun.
Dzeko nuk dëshiron të largohet nga Roma. Edin Dzeko ka konfirmuar se është i lumtur te Roma, pas spekulimeve që e lidhin me shumë klube evropiane. Dzeko e përfundoi sezonin në Serie A me 28 gola, i cili ka zgjuar interesimin e Milanit, klubit të Roberto Mançinit, Zenit St Petersburg dhe disa klubeve kineze. Por, është boshnjaku ai që hedh poshtë gjitha këto spekulime.
“E ardhmja? Kam kontratë me Romën dhe nuk mendoj se klubi është duke menduar për diçka tjetër”, tha fillimisht Dzeko. “Jam shumë i lumtur në Romë. Tani po mendoj për ekipin kombëtar. Pas kësaj, do të shkoj në pushime dhe të pushoj pas një sezoni të gjatë dhe të vështirë”, shtoi ai. “Totti? Ai është ikonë, Prini i Romës”, përfundoi Dzeko.

Humbja në Champions

Rikompozim i Juventusit. Trajneri i bardhezinjve, Masimiliano Allegri është realist, por ashtu njësoj si pjesa më e madhe e mbështetësve të “Zonjës së Vjetër” edhe ai e kishte përkëdhelur idenë e fitimit të Champions League, pavarësisht faktit se ishte i vetëdijshëm për diferencën jo të vogël mes dy skuadrave. “Do të qëndroj tek Juve dhe do të tentojmë sërish vitin e ardhshëm”, kështu u shpreh Allegri pas përfundimit të ndeshjes. Tekniku 49-vjeçar është një njeri ambicioz dhe dëshiron shumë të bëjë një tentativë të fundit, por më parë duhet të ulet në tavolinë me drejtuesit dhe të bisedojë me ta për të ardhmen. Përcaktimi i objektivave për sezonin e ardhshëm, me Championsin si objektiv primar, por dhe rinovimi i kontratës. 5 milionë euro përfiton momentalisht tekniku dhe pritet një vendim nga ana e tij deri ditën e mërkurë, ditë në të cilën do të ketë dhe një takim me drejtorin e Përgjithshëm Beppe Marotta. Në krahun tjetër e pret PSG me një ofertë faraonike prej 10 milionë eurosh në sezon. Nuk mbaron me kaq. Në radhët e bardhezinjve pritet dhe një rikompozim i mbrojtjes. 98 vjeç është reparti i prapavijës së Juventusit. Lenardo Bonucci në një postim në Instagramin e tij shprehej se nuk e mohon zhgënjimin dhe se ndihet krenar që ishte pjesë e këtij grupi futbollistësh. Pak a shumë një lamtumirë e mbrojtësit. Dihet tashmë se shumë skuadra të mëdha e duan 30-vjeçarin, mes tyre Chelsea, Man.City dhe Reali i Madridit. E ardhmja? Shumë shpejt do të merret vesh. Andrea Barzagli dhe Giorgio Chiellini do të jenë edhe për sezonin e ardhshëm. Kontrata e tyre skadon më 2018, por edhe këta kanë peshën e tyre të fajit. Rugani ende nuk është i përgatitur për ndeshje të një niveli të lartë, Benatia nuk është Sergio Ramos. Në mesfushë gjithashtu ndoshta nevojitet diçka e re. Rikompozimi i skuadrës tashmë duket i pashmangshëm.
Ish-mesfushori i Juventusit, Angelo di Livio ka thënë se Gonzalo Higuain ka qenë dështimi më i madh në finale të Ligës së Kampionëve. Di Livio tha se ka pritur shumë nga Higuain, por ai nuk bëri asgjë, duke mos rrezikuar pothuajse fare. Ai po ashtu tha se Juventus ndryshoi shumë në pjesën e dytë, pasi i shpenzuan të gjitha energjitë në pjesën e parë dhe kjo ndikoi shumë.
“Kush më zhgënjeu më së shumti? Higuain. Kam pritur shumë nga Pipita, të paktën në aspektin teknik dhe në dëshirën për të shënuar”, tha Di Libio për “Il Mattino”. “Ai më dha përshtypje tjetër nga skuadra. Askush në Juventus nuk tentoi të bënte dallimin, por Higuain u vërejt më së shumti, në aspektin negativ”. “Kishte dallim të madh në mes të pjesës së parë dhe të dytë. Juventus e konsumoi energjinë në 45 minutat e parë. Ata në pjesën e dytë e zhdukën”. Juventus në finale të Ligës së Kampionëve u mposht 4:1 nga Real Madrid, duke humbur kështu finalen e pestë me radhë.

Viti legjendar, Ronaldo prenoton “Topin e Artë”

Madhështinë e Cristiano Ronaldos e tregojnë mbi të gjitha shifrat. Një seri rekordesh, paraqitjesh si protagonist dhe golash e kanë ngritur yllin portugez në majë të futbollit botëror, me sulmuesin e Realit që përgatitet të fitojë për të pestën herë në karrierë “Topin e Artë”. Ronaldo e plotësoi vitin legjendar, në të cilin ka fituar Champions-in e vitit 2016 në Milano, Kampionatin Europian me Portugalinë, La Liga-n spanjolle për sezonin 2016-’17 dhe tashmë Champions-in në Cardiff. Suksese të jashtëzakonshme, në të cilat CR7 ka qenë gjithmonë protagonisti absolut.
Historia e Cristiano Ronaldos dhe trofeut europian ka nisur më 21 maj të vitit 2008, ku shënoi në finalen përballë Chelsea dhe gaboi në ekzekutimin e penalltive, megjithatë Manchester United u shpall kampion. Tashmë, trofetë e Champions të portugezit janë katër: në të katërta finalet e luajtura dhe të fituara, ai ka lënë gjithmonë gjurmë, duke shënuar. Në vitin 2014 realizoi golin e fundit në fitoren 4-1 përballë Atletico Madrid. Më 2016-ën realizoi 11-metërshin vendimtar në “San Siro”, ndërsa në Cardiff bëri edhe më mirë, duke mposhtur dy herë Buffon.
Me dygolëshin e realizuar, përveçse u ngjit në çatinë e Europës, ai arriti edhe kuotën e 600 golave si profesionist në 855 ndeshje të luajtura në karrierë. Në golin e parë alternoi saktësinë dhe inteligjencën, ndërsa të dytin e shënoi si një qendërsulmues tipik. Edhe pse në moshë 32-vjeçare, Cristiano Ronaldo deklaron se ndihet i ri. Shifrat i japin të drejtë. Trofeu i katërt i Champions i fituar, me 12 gola shpallet për herë të gjashtë golashënuesi më i mirë i turneut. Portugezi është lojtari i tretë me të paktën katër gola të shënuar në finale; Di Stefano ka 7, ndërsa Puskas 4. Mbresëlënës është fakti që në këtë edicion, 10 nga 12 golat Ronaldo i realizoi nga sfidat çerekfinale. 5 gola në portën e Bayern Munchen, 3 ndaj Atletico Madrid dhe 2 në portën e Juventusit. Thjesht i mrekullueshëm.

Spalleti për dy sezone te Interi

Gjithçka duket e finalizuar, Luciano Spalletti do të marrë drejtimin e Interit pas eksperiencës 2-vjeçare me skuadrën e Romës. Trajneri italian ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit milanez pas një takimi me drejtorin sportiv Ausilio dhe drejtorin e Përgjithshëm Gardini. Interi do ta zyrtarizojë emrin e Spalletit në fillim të javës dhe sipas mediave italiane, ai do të firmosë për dy vjet me zikaltërit pa asnjë klauzolë që lidhet me arritjen e objektivave.
Spalletti ka caktuar gjithashtu edhe stafin me të cilin do të punojë në “Apiano Gentile”, ndërsa e zeza mbi të bardhë do të hidhet të hënën ose të martën. Ish-trajneri i Romës do të përfitojë rreth 4 milionë euro në sezon dhe ka gati planin për ndryshimin rrënjësor të skuadrës që gjatë sezonit të fundit nuk arriti asnjë objektiv, duke mbetur madje edhe jashtë zonës europiane. Me emërimin e Spalletit, Interi mund të nisë një ofensivë edhe në Romë për të bindur disa prej objektivave verdhekuq që të bashkohen me ish-trajnerin e tyre. I pari në listë është mesfushori belg, Radja Naingolan, një prej lojtarëve më të aktivizuar në Romën e Spalletit.

Hazard, tre muaj larg fushave

Një dëmtim në kavilje i Eden Hazard gjatë stërvitjes me kombëtaren e Belgjikës ka ndryshuar plotësisht fytyrën e merkatos së Real Madridid. Klubi spanjoll, i saposhpallur fitues i Ligës së Kampioneve, kishte përqendruar gjithçka rreth mesfushorit të talentuar belg. Me afrimin e tij, Zinedin Zidan mendonte se do t’i jepte një ndihmë më shumë repartit të avancuar, ku tashëm Garet Beil nuk e ka vendin të sigurt, ndërsa Hames Rodriguez përllogaritet si i larguar. Klubi ishte gati të paguante rreth 115 milionë euro në arkat e Çelsit për kartonin e mesfushorit, për të thyer çdo rekord të merkatos.
Por dëmtimi, një frakturë në këmbën e djathtë, do ta lërë Hazard 3 muaj pushim dhe kjo do të thotë që ai nuk do të jetë në gjendjen më të mirë deri në fundin e vitit 2017. Sigurisht, Reali nuk ka ndër mend që të bëjë një investim kaq të rëndësishëm në këto rrethana, ndaj tani do të përqendrohet te një objektiv tjetër: Kilian Mbape.
Afrimi i tij do të krijonte më shumë alternativa për sulmin e “Los blancos”, ku Kristiano Ronaldo ka bërë të qartë se nuk dëshiron të luajë si sulmues i mirëfilltë, por do të vazhdojë të luajë në krah, siç ka bërë vazhdimisht në karrierën e tij.
Eden Hazard rrezikon fazën e parë të kampionatit. Lajme të këqija vijnë për trajneri e “Bluve të Londrës” Antonio Conte. Mesfushori me tipare sulmuese, Eden Hazard është dëmtuar në pjesën e kaviljes gjatë stërvitjes me kombëtaren e Belgjikës. Dëmtimi e detyron 26-vjeçarin të braktisë dy takimet e radhës, miqësoren kundër Republikës Çeke dhe atë kundër Estonisë, e vlefshme për botërorin “Rusi 2018”. Por, ka edhe më shumë. Sepse për Hazard parashikohet një periudhë shumë e gjatë rikuperimi, 3 muaj larg fushave.
Stafi mjekësorë është në pritje të përgjigjes së analizave dhe në rast konfirmimi, atëherë belgu nuk do të mund dot të jetë i gatshëm për nisjen e fazës përgatitore dhe pjesën e parë të kampionatit. Në pritje të testeve mjekësore, tekniku i Chelsea-t, Antonio Conte po vëzhgon për të gjetur një zëvendues të denjë, derisa futbollisti të rikuperohet. Ndërkohë interes për mesfushorin, ka patur edhe nga ana e Realit të Madridit. Për këta të fundit, Hazard është shprehur, se nëse në drejtim të tij do të vinte ndonjë ofertë konkrete, ai do ta merrte në shqyrtim, por shtoi se momentalisht ai ka një kontratë 3-vjeçare me kampionët e Anglisë.

Masakra ligjore me Qendrën e Tiranës

Vincent W.J. van Gerven Oei

Më 12 prill 2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin (VKM) 325, në të cilin një pjesë e rëndësishme e qendrës së Tiranës mbrohet ligjërisht nën cilësimin “Qendër historike”. Megjithëse kjo është një nismë për t’u lavdëruar, e cila përditëson VKM-në e vitit 2000 – mbetet e padobishme sepse qeveria ka shkelur të gjitha ligjet që propozon në mënyrë të vazhdueshme. Për më tepër, disa ndërtesa historike nuk përfshihen në “Qendrën historike”, që nënkupton se ato nuk janë të denja për të përfituar të njëjtin kujdes dhe mbrojtje sikurse përcakton VKM-ja.
Në VKM vërehet një numër i konsiderueshëm mospërputhjesh. Së pari – Pallati i Kulturës në Sheshin Skënderbej dhe Galeria Kombëtare e Artit, të ndërtuara gjatë periudhës komuniste, janë përfshirë në zonën e mbrojtur. Ndërsa Muzeu Historik Kombëtar, Piramida dhe Pallati i Kongreseve, të gjitha monumente të rëndësishme të ndërtuara gjatë të njëjtës periudhë, janë përjashtuar. E njëjta gjë vlen edhe për ndërtesat e dyfishta të teatrit prapa Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga zona e mbrojtur përjashtohet pjesa më e madhe e Kalasë mesjetare të Tiranës, ku aktiviteti i paligjshëm i ndërtimit është duke vazhduar. Për më tepër, duhet theksuar se një nga vilat e fundit të mbetura të paprekura në Tiranë, Vila e Sarajeve, e shpallur monument i kategorisë së parë, ndodhet jashtë zonës së mbrojtur.
Është interesante të shihet se si harta e përdorur nga Këshilli i Ministrave për të treguar zonën e zonës së mbrojtur nuk është marrë nga Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës i hartuar kohët e fundit, por daton përpara se Edi Rama, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës, të fillonte përpjekjen e tij të parë për rindërtimin e Sheshit Skënderbej. Sikurse është e qartë, pamja origjinale e sheshit është ende e dukshme, siç është shatërvani i periudhës komuniste në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe stadiumi “Qemal Stafa”, tashmë i shkatërruar. Mungon në hartë Katedralja Ortodokse, e ndërtuar vitet e fundit.
VKM-ja në vetvete përmban një gjuhë absurde përballë realitetit arkitektonik në terren. Për shembull, neni 4 (1) thekson:
Qendra historike e qytetit të Tiranës është hapësira urbane me vlera të rëndësishme urbanistike arkitekturore që dokumenton zhvillimin historik të qytetit të Tiranës dhe arritjet në arkitekturën dhe urbanistikë. Kjo nuk është e vërtetë. Siç e thashë më lart, Kalaja e Tiranës, trashëgimi e rëndësishme arkitekturore e periudhës otomane, si dhe disa nga monumentet kryesore dhe arritjet e vërteta të arkitekturës komuniste janë përjashtuar nga qendra historike.
Neni 7 flet për llojet e restaurimeve që do të lejohen në Qendrën Historike:
1. Ndërhyrje sistematike konservuese, restauruese dhe të mirëmbajtjes, si dhe në monumentet e të dy kategorive bazuar në kriteret për konservimin dhe restaurimin. 2. Ndërhyrjet restauruese që synojnë ruajtjen e hapësirave urbanistike-arkitekturore, rrjetit rrugor tradicional në kompozim dhe teknikë, si dhe duke mbajtur të pandryshuar konfiguracionin e truallit të hapësirave pushuese dhe të bimësisë tradicionale.
Bazuar në hartën e përfshirë në VKM, e cila është pjesë “e pandashme” e saj, kjo do të thotë se është tërësisht e padobishme dhe retorikë boshe. Përveç ndryshimeve të mëdha në qendër të qytetit gjatë 27 viteve të fundit, vetëm një pjesë e së cilës tregohet në hartën e vjetëruar, qeveria Rama ka bërë disa ndërhyrje që haptazi e shkelin këtë rregullore.
Ndoshta shkelja më e dukshme e zonës së mbrojtur është rindërtimi i Sheshit Skënderbej, i cili në këtë mënyrë ka për qëllim të ruajë konfigurimin origjinal të hapësirës dhe vegjetacionit tradicional, por ndërhyn rrënjësisht në linjat e shikimit dhe marrëdhëniet arkitektonike midis objekteve ngjitur me sheshin.
Heqja e shatërvanit të periudhës komuniste në sheshin “Nënë Tereza”, për arsyen e thjeshtë se Papa do të vizitonte Shqipërinë, ka dëmtuar rëndë konfigurimin e një hapësire, të cilën kryetari i bashkisë Erion Veliaj premtoi se do të ishte një “zonë për këmbësorët”. Tashmë kjo zonë është bërë një tjetër aks i pushtuar nga trafiku.
Kur është fjala për ndërhyrjet në monumente, gjendja është edhe më absurde. Sipas nenit 8, lejohen ndërhyrjet e mëposhtme:
1. Ndërhyrjet në monumentet e kategorisë së parë ruajnë kompozimin dhe teknikat origjinale si në brendësi, ashtu dhe në pamjet e jashtme. Në rastet kur një pjesë e monumentit ka pësuar dëmtime, transformime ose mungon, mund të ndërmerren ndërhyrje plotësuese sipas gjendjes fillestare.
2. Ndërhyrjet në monumentet e kategorisë së dytë ruajnë volumin fillestar dhe formulimin e pamjes së jashtme, ndërsa në brendësi mund të bëhen ndryshime, duke zbatuar komponime sipas kërkesave të kohës dhe teknikat e sotme.
Për shembull, “restaurimi” i godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë drejtimit të saj nga Saimir Tahiri, ka ndryshuar skemën tradicionale të ngjyrave të ndërtesës nga e verdhë në të kuqe; ka shfaqur një tubacion bakri, i cili tashmë është drejt degradimit; i ka shtuar një aneks të madh (dhe të paligjshëm) ndërtesës në oborrin e saj të pasëm. Si rezultat, integriteti kompozues i ndërtesave qeveritare të periudhës italiane në hyrjen jugore të Sheshit Skënderbej është shkatërruar plotësisht.

Ndërhyrja e Ramës në fasadën e Kryeministrisë

Një shembull tjetër është ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama në fasadën e Kryeministrisë, një ndërtesë tjetër nga periudha fashiste. Instalimi i “Marquee Tirana” i Philippe Parrenos është në shkelje të plotë të Nenit. 8 (2), pasi ajo plotësisht thyen unitetin e fasadës, duke dëmtuar shtresën e mermerit të ndërtesës. Kur lexon vendimin për ndërtesat e reja brenda zonës së mbrojtur, bëhet e qartë se e gjithë VKM, si një mjet për të mbrojtur trashëgiminë arkitekturore, është në fakt krejtësisht e padobishme. Neni 9 thekson:
1. Në këtë zonë të mbrojtur kryhen restaurime, përshtatje, rikonstruksione apo edhe ndërtime të reja për të rritur vlerat brenda saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, të cilat duhet të jenë në harmoni me karakterin arkitektonik dhe urbanistik të ansamblit.
2. Lartësia maksimale e ndërtimeve të reja apo rikonstruksioneve dhe përshtatjeve, përveç rasteve kur për to ka studime të veçanta, nuk duhet të kalojnë lartësinë e objektit më të lartë të qendrës historike.
Pjesa që kam theksuar me shkronja të zeza është padyshim pjesa më e “fshehtë” e nenit. Për shembull, Kryeministri vitin e kaluar urdhëroi shkatërrimin e stadiumit monumental “Qemal Stafa” dhe ndërtimin e një stadiumi të ri me një kullë, lartësia e të cilit është krejtësisht e panjohur. Ai madje i kaloi pronësinë e terrenit, në të cilin do të ndërtohet stadiumi i ri kompanisë private, duke privatizuar kështu një pjesë të “zonës së mbrojtur”. Sigurisht, stadiumi i ri është një nga ato përjashtime ku duhet të ketë pasur një “studim”, por ndonjë detaj i këtij projekti nuk është bërë publik! Në mënyrë ironike, në momentin që kulla do të përfundojë së ndërtuari, do të jetë de facto ndërtesa më e lartë në “zonën e mbrojtur”, që do të thotë se çdo kullë tjetër, e planifikuar ose e paplanifikuar, nuk do të ketë më nevojë për “studime të veçanta” në mënyrë që të përputhet me këtë rregullore.
Të gjithë shembujt e mësipërm tregojnë se qeveria e Edi Ramës, duke përfshirë Ministrinë e Kulturës të drejtuar nga Mirela Kumbaro, kujdeset shumë pak për trashëgiminë kulturore në vend dhe në qytetin e Tiranës. E kjo jo vetëm për shkak se ata mbushin xhepat e tyre duke shitur restaurimin ose punimet e ndërtimit tek kompanitë pranë tyre. Ata gjithashtu nuk janë të interesuar dhe janë intelektualisht të paaftë për të kuptuar mbrojtjen e arkitekturës dhe hapësirës publike për vlerën dhe bukurinë e tyre të brendshme. Ata kujdesen për të vetëm kur mund të gjenerojnë fitim nëpërmjet “turizmit”, përmes një mënyre të vetme konsumi jo të bazuar në interes dhe pasion të vërtetë, por të bazuar në interesa afatshkurtër, personalë dhe sipërfaqësorë.

Blerja e votave me euro po zhvlerëson monedhën europiane

Aktorët e tregut kanë pohuar se ka një rritje të shpenzimeve për fushatë, që po bëhen në valutë, një tjetër faktor që po e ndikon zhvlerësimin e euros. Gjallërimi i eksporteve dhe shtimi i numrit të turistëve në vend është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e ofertës në valutë
Euro ka rënë nën nivelin e 134 lekëve, duke u këmbyer dje me 133.98 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar nivelin më të ulët prej shtatorit të 2009-ës. Monedha vendase është forcuar edhe përkundrejt dollarit amerikan, duke këmbyer një dollar me 118.94.
Monedha e përbashkët është zhvlerësuar edhe në tregjet ndërkombëtare, por gjithsesi ka qenë në nivele më të larta të këmbimit krahasuar me muajt e parë të vitit.
Aktorët e tregut pohojnë se në tregun e brendshëm, faktorët që po ndikojnë me zhvlerësimin e euros është oferta e lartë për monedhë të përbashkët, si dhe kërkesa e ulët për monedhën vendase.
Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, monedha e përbashkët ka qenë e dobët në tregun e brendshëm. Më shumë sesa reflektimi i tregjeve ndërkombëtare, aktorët e tregut kanë pohuar se dobësia e euros lidhet me faktorë të brendshëm, ku një ndër më kryesorët është oferta e shtuar në valutë.
Së fundmi, aktorët e tregut kanë pohuar se ka një rritje të shpenzimeve për fushatë, që po bëhen në valutë, një tjetër faktor që po e ndikon zhvlerësimin e euros.
Gjallërimi i eksporteve dhe shtimi i numrit të turistëve në vend, është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e ofertës në valutë. Në tre muajt e parë të vitit, numri i turistëve të huaj u rrit me gati 12%, sipas të dhënave të INSTAT. Kur afrohen datat e taksave ka një kërkesë për të blerë lekë dhe nga kompanitë, ku më kryesoret është gazsjellësi TAP.

Sejko: Euro në plan të dytë

Banka Qendrore e Shqipërisë dëshiron të frenojë përdorimin e euros, në mënyrë që politika e saj monetare të funksionojë më mirë dhe të mbrojë sistemin e saj bankar nga goditjet e kursit të këmbimit, tha guvernatori i Bankës, në një intervistë dhënë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve, “Reuters”.
Monedha kombëtare është leku, por remitancat nga emigrantët, lidhjet tregtare dhe bankare me anëtarët e eurozonës, Italia dhe Greqi, dhe fqinjët e Kosovës dhe Malit të Zi, që përdorin monedhën e përbashkët, do të thotë që shqiptarët e përdorin gjerësisht euron.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, tha për “Reuters” në një intervistë, se nuk është fjala për heqjen e euros nga ekonomia e Shqipërisë, e cila është një kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Por plani është për të nxitur gradualisht rritjen e përdorimit të lekut në financa dhe ekonomi.
“Së pari, ne duam të rrisim fleksibilitetin dhe efikasitetin e politikës sonë monetare në monedhën vendase. Politika monetare stimuluese do të transmetohej më mirë nëse do të kishte më shumë transaksione në monedhën vendase”, tha Sejko.
Banka gjithashtu do “të ruajë dhe mbrojë stabilitetin financiar pasi një nivel i lartë i huadhënies në euro do të ekspozonte sistemin bankar shqiptar ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit”, shtoi ai.
Një dekadë më parë, 80 për qind e huadhënies ishte në valutë, kryesisht euro dhe pjesa tjetër në lekë, por raporti që atëherë ka ndryshuar në 55 për qind në euro dhe 45 për qind në lekë, e ndihmuar nga ulja e normës bazë në një nivel të ulët rekord prej 1.25 për qind.
Kjo ngushtoi kostot relative të huamarrjes dhe huadhënies.
Depozitat në euro përbëjnë 60 për qind të kursimeve. Sejko tha se banka po inkurajonte bankat komerciale të mbajnë depozita në lekë dhe bankat po u tregojnë klientëve që të konvertojnë kreditë në lekë.
“Ne synojmë të rrisim masën e përdorimit dhe ekspozimit të monedhës vendase në një shkallë të krahasueshme me vendet me një ekonomi të ngjashme me tonën, në mënyrë graduale”, tha Sejko.
Një marrëveshje trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej 330 milionë eurosh ndihmoi në koordinimin më të mirë të politikës fiskale dhe monetare, solli rritje graduale të qëndrueshme dhe kontroll më të mirë të borxhit publik, tha Sejko.
Ai tha se qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit duhet të përqendrohet në reformat strukturore.
Sejko vuri në dukje se plani për të reduktuar kreditë të këqija kishte bërë të mundur që ky tregues të ulet nga 23.5 për qind e totalit të kredisë më 2013 në 16.6 për qind në prill 2017.
“Kjo ka ardhur falë fshirjes së kredive të humbura prej tre vjetësh, ristrukturimin e tyre dhe performancën e klientëve ekzistues”, shtoi ai. “Kjo tregon se politika jonë është duke funksionuar”.
Pasi ka ulur normën bazë nga 6.25 për qind në fund të vitit 2008 në 1.25 për qind për të stimuluar investimet dhe konsumin, Sejko tha se banka do të mbajë një politikë stimuluese deri në fund të vitit 2017.
“Nëse kjo monetare stimuluese do të vazhdojë apo jo, do të varet nga treguesit makroekonomikë në të ardhmen”, tha Sejko, duke treguar sinjale të rritjes në eurozonë, të cilat ndikojnë Shqipërinë nëpërmjet tregtisë dhe investimeve.

Shqipëria, rekord për plakjen e popullsisë

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.
Për pasojë, shpenzimet ndaj përfituesve u rritën me 4,5 miliardë lekë vitin e kaluar ose rreth 32 milionë euro.
Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 12,6% ose 68,491 persona.
Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2016, u raportuan 611,544 të tillë.
Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2016, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione, që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë.
Për pasojë, shpenzimet për arkën e pensioneve janë rritur dukshëm. Në vitin 2010, sipas të dhënave të ISSH-së, shpenzimet për pagesat e pensioneve ishin 63.7 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, këto pagesa arritën në 90.5 miliardë lekë, me një rritje 42%.
Shpenzimet për pensione për vitin 2016 shënuan rritje vjetore me 5,6%.
Në fillim të vitit 2017, popullsia e vendit sipas INSTAT ishte 2,876,591 persona, ndërsa numri i pensionistëve në këtë vit, sipas ISSH, ishte 611,544. Për rrjedhojë, të moshuarit në moshë pensioni, përbënin 24% të popullsisë së vendit.
Plakja e popullsisë sot është një fenomen botëror dhe një nga arsyet kryesore të reformimeve të skemave të pensionit. Vende të ndryshme e kanë adresuar në mënyra të ndryshme problemin, që nga krijimi i inçentivave për rritjen e lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës, rritjes së moshës së daljes në pension ku disa vende po e rrisin deri në 70 vjet.
Një projeksion i popullsisë u realizua edhe në vitin 2014, në momentin e hartimit të reformës së pensionit, si një pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme e projeksionit të ecurisë së sistemit të pensionit deri në vitin 2080.
Ky projeksion i të gjithë të dhënave demografike të mbledhura tregon një tendencë të tkurrjes së popullsisë rezidente në Shqipëri, rënie të lindshmërisë, plakje të popullsisë dhe rritje të peshës specifike të popullsisë mbi 65 vjeç në raport me totalin e popullsisë. Nëse në vitin 2012, popullsia rezidente në Shqipëri ka qenë rreth 2.9 milionë banorë, në vitin 2080 parashikimet janë për një tkurrje të ndjeshme dhe popullsia në këtë vit do të jetë rreth 2–2.1 milionë banorë.

Barça uron Realin për trofeun

Skuadra e Barcelonës ka harruar për pak çaste rivalitetin me Realin dhe ka uruar për suksesin në Europë skuadrën madrilene. Pavarësisht faktit se në fillimin e ndeshjes të gjitha gazetat katalanase e kishin shfaqur në mënyrë të hapur mbështetjen për Juventusin, ekipi zyrtar i Barcelonës reagoi në mënyrë korrekte.
“Urime Realit të Madridit për trofeun e fituar”, shkruhej në sajtin zyrtar të Barcelonës.
Nuk ishte e njëjta situatë me tifozët e Realit dhe me mbrojtësin Pike. Ky i fundit është bërë objektiv i sharjeve dhe ofendimeve nga ana e mbështetësve madrilenë. Ata që ishin të pranishëm në stadium filluan të këndonin kore kundër tij, por edhe ata që ishin në sheshet e Madridit nuk harruan që gjatë festimeve të rezervonin një vend edhe për të ofenduar Pikenë. Ky i fundit ka qenë një nga kritikët më të mëdhenj të Realit dhe shpeshherë ka thënë se madrilenët kanë fituar me ndihmën e arbitrave.

Dështova si lojtar, por jo si trajner

Ernesto Valverde nuk i trembet faktit që mund të dështojë sërish te Barcelona. Trajneri i ri i katalanasve thotë se nuk ka shanse të gabojë sërish dhe do të bëjë gjithçka për ta rikthyer skuadrën te triumfi në Spanjë dhe në Europë.
Përshtypjet – “Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk pata kohë për të kuptuar ndryshimin e madh që pësoi karriera ime në momentin që nënshkrova si trajner i Barcelonës. Jam gati për këtë sfidë dhe shpresoj që të bëjmë histori së bashku. E dija që një ditë do të drejtoja katalanasit dhe dita erdhi”.
Profesioni – “Zgjodha të bëhem trajner, si të gjithë lojtarët që i japin lamtumirë futbollit. Dëshira e madhe është që të mbetesh gjithmonë në futboll dhe sigurisht që drejtuesit e Atletikos së Bilbaos vendosën që të besonin tek unë.
Unë kam pasur fatin të shikoj trajnerë të mëdhenj si Krujf, Klemente, Hejnkes, por edhe të tjerët si Luis Enrike dhe Guardiola janë shembujt e mi. Ançeloti gjithashtu është një mësues i mirë”.
Sistemi – “Kam luajtur shpesh me modulin 4-2-3-1, por jam përshtatur me futbollistët që kam pasur. Sistemi është i rëndësishëm për të mbajtur lojtarët të përqendruar, por gjatë lojës secili është i lirë të bëjë çfarë të dojë”.
E shkuara – “Unë kam qenë lojtar i Barcelonës dhe e njoh mirë historinë e këtij klubi, objektivat dhe dëshirën për të bërë mirë në Spanjë dhe në Europë.
E di që nuk pata shumë mundësi për të shprehur vlerat e mia dhe nuk kalova një kohë pozitive në këtë klub dhe u etiketova si një nga blerjet më të dështuara. Shpresoj që të mos më ndodhë edhe si trajner, por jam i sigurt që nuk do të dështoj këtë herë”.