Humbja me Luksemburgun ishte ndoshta më e rënda për De Biasin në krye të Shqipërisë. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit trajneri i kuqezinjve qëndroi për rreth 10 minuta pa lëvizur në stol, duke medituar atë që ndodhi ndaj një kundërshtari shumë më të dobët në cilësi. Më pas u mbyll në dhomë, ku bisedoi gjatë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. “Një humbje që rëndon shumë sepse erdhi ndaj një skuadre që është më e dobët se ne, por që luajti me më shumë dëshirë. Pas Europianit skuadra jonë nuk ka gjetur dëshirën dhe vendosmërinë për ta arritur objektivin”, u shpreh De Biasi.
Vetë De Biasi e ka të vështirë ta motivojë skuadrën, por ai kërkon që futbollistët të reagojnë në eliminatoren e radhës me Izraelin. “Unë jam nën kontroll të skuadrës, por skuadra duhet ta japë më shumë. Duhet t’i shfrytëzonim rastet që na u dhanë kur ishim në avantazh dhe ta admistronim më mirë takimin. Kemi gabuar në dy momente dhe kjo është e pafalshme për ne. Arbiti nuk nxori me të kuqe një futbollit të Luksemburgut, sepse bëhej fjalë për një miqësore, por ne gjithsesi nuk duhet të pësonim dy gola. Para se të shkonim në Europian dhe gjatë Europianit skuadra kishte më shumë grintë. Këta futbollistë nuk kanë nevojë që t’i shtyjë dikush për të dhënë maksimumin, grintën dhe forcën duhet ta gjejë përbrenda dhe këtë duhet ta bëjë që në ndeshjen e radhës me Izraelin”, tha ai.
De Biasi këmbëngul se nuk duhet të shihet problemi te moduli i lojës, por të gjendja fizike e skuadrës dhe mungesa e motivimit. “Patëm shumë pak kohë për të punuar, dikush erdhi para 48 orësh, të tjerë nuk kanë ardhur akoma. Por nuk është ky problemi. Skuadra kur shënon ndaj Luksemburgut duhet të fitojë dhe jo të pësojë dy gola. Sidomos në të dytin në një goditje standarde mbrojtja flinte gjumë. Problemi nuk është moduli, por gjendja fizike e futbollistëve. Disa janë pushim prej 10 ditësh. Kjo ndeshje ka shumë gjëra për të analizuar dhe përmirësuar, ndërsa vështirë të gjesh aspekte pozitive”, përfundoi De Biasi.
Sokol Cikalleshi beson se nëse do të kishin luajtur me skemën më të mirë, atëherë do të fitonin pa problem ndaj Luksemburgut. Kombëtarja shqiptare u mposht 2:1 nga Luksemburgu dhe kjo humbje sipas sulmuesit të kombëtares erdhi për shkak të skemave të ndryshme të trajnerit De Biasi. “Luksemburgu shumë i fortë? Jo, sepse trajneri ka provuar skema të ndryshme dhe në momentin që disa skema funksionojnë dhe disa jo, mund të shkojë ndeshja dhe kështu siç shkoi”, tha Cikalleshi.
Humbje që rëndon

United rrit ofertën, 52 milionë euro për Perisiç
Manchester United nuk heq dorë nga Ivan Perisiç. Djajtë e Kuq pas propozimit fillestar të refuzuar nga Interi e kanë rritur në plot 52 milionë euro ofertën për sulmuesin kroat të zikaltërve. Jose Mourinho ua ka bërë të qartë drejtuesve të United se e dëshiron me çdo kusht 28-vjeçarin në skuadrën e tij dhe klubi nga “Old Trafford” po përgatit tashmë një ofertë të parefuzueshme për Interin që ka nevojë për të shitur një futbollist të rëndësishëm përpara datës 30 qershor për të rregulluar bilancin dhe për të evituar ndëshkimet nga fair play financiar në mënyrë që më pas të futet fuqishëm në merkato. Oferta e parë e United për Perisiç u konsiderua qesharake nga drejtuesit e Interit, sepse Djajtë e Kuq ofruan vetëm 30 milionë euro për kroatin, ndërkohë që zikaltërit ulën çmimin e futbollistit nga 60 në 55 milionë euro.
Nëse gjithçka do të rezultojë e vërtetë dhe United do t’i ofrojë Interit 52 milionë euro për Perisiç gjasat janë që marrëveshja të arrihet edhe pse trajneri i ri i zikaltërve që me shumë gjasa do të jetë Luciano Spalletti dëshiron ta mbajë në skuadër anësorin kroat. Për Perisiç, Interi shpenzoi 17 milionë euro për ta blerë nga Wolfsburgu përpara 2 sezonesh, por falë paraqitjeve që ka bërë me skuadrën italiane, 28-vjeçari e ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në merkato. E vemtja mënyrë për të mbajtur Perisiç në skuadër është që Interi të shesë 2 apo 3 lojtarë mes Handanoviç, Brozoviç, Jovetiç, Ranocchias e Murillos, për të cilin Villareali ofron 10 milionë euro, por zikaltërit kërkojnë 20 milionë euro dhe janë në pritje të një oferte nga Zeniti i Roberto Mançinit.
Besnik Hasi drejt stolit të Olympiakos
Besnik Hasi për stolin e Olympiakos. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kampionëve të Greqisë, me zyrtarizimin që u bë prej kësaj të hëne.
45-vjeçari i lindur në Gjakovë është përfolur prej disa javësh si alternativë për të drejtuar ekipin nga Pireu, por në orët e fundit gjithçka është konkretizuar dhe firma në kontratë duket vetëm çështje orësh.
Hasi ka marrë “bekimin” e klubit dhe këtë e konfirmon fakti se të shtunën e kaluar ai ndoqi finalen e Champions në Cardiff përkrah drejtorit sportiv të Olympiakos, Ousigios. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare ka fituar garën me rumunin Razvan Luçesku që sezonin e kaluar drejtoi grekët e Ksanthit dhe portugezin Pedro Martins, që drejton Vitoria Guimaraesh.
Olympiakos pritet të jetë ekipi i tretë për Besnik Hasin, pas Anderlecht-it dhe aventurës së pafat te Legia Varshavë. Emërimi në stolin e ekipit nga Pireu do të jetë një hap i madh në karrierën e trajnerit, edhe për faktin se bëhet fjalë për një prej emrave më të mëdhenj të futbollit jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.
Këtë sezon Olympiakosi fitoi titullin e 44-rt kampion, trofeu i shtatë radhazi në Greqi. Dominimi i klubit nga Pireu në futbollin grek është i padiskutueshëm, me skuadrën që ka fituar 19 kampionate në 21 vitet e fundit.
Të zhgënjyer nga humbja!
Pas humbjes në miqësoren me Luksemburgun reagojnë të zhgënjyer disa nga lojtarët e kombëtares shqiptare. “Rastet për ta mbyllur ndeshjen i kishim, por nuk i shfrytëzuam. Kemi bërë gabime, pra nuk luajtëm me cilësi. Në përgjithësi nuk arritëm të jepnim 100% tonë. Bëmë disa ndryshime pasi shënuam golin e parë. Nuk mund të shfajësohemi, sepse edhe më parë kemi patur probleme në lojë. Ndoshta këto janë probleme që i shfaqin ekipet që shkojnë për herë të parë në një event madhor. Nuk është skema, por faji i lojtarëve. Çdo lojtar duhet të pyesë veten nëse ka dhënë maksimumin pas Europianit. Me Izraelin do të jetë krejt ndryshe, për vendin e tretë. Është ndeshje me pikë, nuk krahasohet me këtë. Atje do të jetë fytyra e vërtetë e kombëtares. Diferencën te Shqipëria nuk e ka bërë një lojtar, por i gjithë grupi”, u shpreh Mavraj.
“Nuk e prisnim, mendonim se do të fitonim. Edhe ekipe më të mëdha kanë humbur me Luksemburgun. Lojtarët nuk janë të gjithë dhe mund të jemi pak të lodhur. Në pjesën e parë kishim raste për ta mbyllur ndeshjen 2-0. Në dhomat e zhveshjes tre-katër çuna thanë se nuk ka problem. Nëse fitojmë me Izraelin gjithçka ka ndodhur me Luksemburgun shumëzohet me zero”, tha Roshi.
“Duhet të kthehemi agresivë siç kemi luajtur gjithmonë. Ne jemi skuadër që duhet të vrapojë, ajo na mungon. Kishim mundësi për ta mbyllur ndeshjen, por edhe arbitri na dëmtoi pak. Sfida me Izraelin është më e rëndësishme. Entuziazmi dhe dëshira nuk mungojnë, por thjesht duhet të jemi më agresivë. Trajneri do t’i analizojë dhe do të vendosë për formacionin më të mirë ndaj Izraelit”, tha Hysaj.
“Pjesa e parë shumë e mirë, patëm raste për të shënuar më shumë gola. Unë jam i lumtur me veten se kisha një vit pa luajtur. Pata një rast që ma shërbeu Cikalleshi, nuk arrita të shënoj. Provuam një sistem 3-5-2, pjesa para ishte shumë e mirë, por në pjesën e dytë u lodhëm”, tha Lenjani.
Solidaritet me Britaninë pas sulmeve
Bota e ndoqi me tronditje situatën në Londër të shtunën në mbrëmje. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha të dielën përmes një deklarate se ishte ndjerë e trishtuar dhe e prekur nga sulmet. “Sot qëndrojmë të bashkuar në ndjenjat e revoltimit dhe dhembjes, por të bashkuar edhe në vendosmërinë tonë”. Zonja Merkel shtoi se të gjithë qëndrojnë të bashkuar “në luftën kundër çdo forme terrorizmi, të vendosur në mbështetje të Britanisë”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se në mes të të plagosurve të shtunën kishte edhe shtetas fracezë. Ai i cilësoi sulmet një akt të shëmtuar prej frikacaku dhe shtoi se Franca do të vazhdojë të luftojë “terrorizmin me të gjitha forcat, përkrah Britanisë dhe të gjitha vendeve të tjera”.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi i dënoi sulmet. Kryeministri australian, Malcolm Turnbull tha të dielën se dy australianë ishin lënduar nga sulmet. Një prej tyre ishte në spital, ndërkohë që autoritetet po përpiqeshin të konfirmonin gjendjen e shtetasit tjetër.
Autoritetet britanike ende nuk kanë konfirmuar se bëhej fjalë për sulmues të fesë islame. Por kryeministri australian u shpreh haptazi për identitetin e autorëve: “Ky sulm është një tjetër shembull i paskrupullt i realitetit tonë të ri, kërcënimit të vazhdueshëm nga terroristë vrasës islamikë, synimit të tyre për të dëmtuar komunitetet tona, mënyrën tonë të jetesës dhe liritë tona të shtrenjta”.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se i dënon sulmet. Kremlini njoftoi se zoti Putin i kishte dërguar një telegram Kryeministres Theresa May ku shkruante për nevojën që të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit.
Trump: Mjaft me korrektesë ndaj terrorizmit
Presidenti Donald Trump thotë se bota duhet të heqë dorë nga prirja për korrektesë në adresimin e problemit të terrorizmit. Ai u ndal tek sulmet e Londrës si shembull i një situate që kërkon qëndrim më të ashpër ndaj imigracionit. Zoti Trump përsëriti thirrjet e tij drejtuar gjykatave që të mos pengojnë urdhrin e tij ekzekutiv për të kufizuar futjen në Shtetet e Bashkuara të shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane.
Presidenti postoi një numër komentesh në llogarinë e tij në Twitter, ku shprehte mbështetje për Britaninë, kritikonte kryebashkiakun e Londrës dhe shprehej për një luftë të ashpër ndaj terrorizmit.
“Duhet të ndalim këtë tendencë për të ruajtur korrektesën dhe t’i vihemi punës për të garantuar sigurinë e shtetasve tanë. Nëse nuk i thërrasim mendjes, gjërat do të shkojnë më keq”, shkruan presidenti.
Presidenti vuri në shënjestër edhe kryebashkiakun e Londrës, Sadik Khan, i pari mysliman që merr në dorë administrimin e kryeqytetit britanik: “Të paktën 7 të vdekur; 48 të plagosur nga një sulm terrorist dhe kryebashkiaku thotë se ‘nuk ka arsye për t’u alarmuar’”, shkruan presidenti Trump në Twitter.
Theresa May: Është koha për ashpërsim të luftës ndaj terrorit
Kryeministrja britanike, Theresa May ka dënuar ashpër sulmet e fundit terroriste në Londër, që lanë shtatë persona të vdekur dhe 50 të plagosur. “Mjaft më!”, u shpreh zonja May, duke theksuar nevojën për masa më të ashpra kundër terrorizmit.
Kryeministrja britanike, Theresa May i bëri komentet në një fjalim drejtuar vendit, një ditë pas sulmit terrorist në Londër.
“Ne besojmë se po përjetojmë një prirje të re në kërcënimin me të cilin përballemi, ndërsa terrorizmi ushqen terrorizmin dhe autorët janë të frymëzuar për të sulmuar jo vetëm në bazë të komploteve të organizuara me kujdes pas shumë vitesh planifikimi dhe trajnimi ose radikalizimit në internet, por duke kopjuar njëri-tjetrin dhe duke përdorur shpesh metodat më të egra të sulmeve”.
Kryeministrja May tha se ndërsa sulmet e fundit nuk janë produkte të të njëjtave rrjete, ato lidhen nga “e njëjta ideologji e keqe”, që pretendon se “vlerat perëndimore të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut nuk përputhen me fenë islame”.
Zonja May tha se ka “një tolerancë tepër të madhe për ekstremizmin në vendin tonë. Ne duhet të jemi më të fortë në identifikimin dhe mposhtjen e ekstremizmit në shërbimet publike në mbarë shoqërinë tonë”.
Tri persona ishin të përfshirë në sulmin në Londër, ku u shtypën dhjetëra njerëz me një furgon që po e ngisnin me shpejtësi të lartë dhe pastaj në tregun e frutave dhe perimeve, Borough Market ata zbritën nga furgoni dhe goditën me thikë shumë njerëz.
Policia tha se tre autorët e sulmit u vranë nga forcat e sigurisë, tetë minuta pas telefonatës së parë nga shërbimet emergjente. Policia tha se jelekët e veshur nga sulmuesit që dukeshin si bomba vetëvrasëse, ishin të rreme. Policia dyshon se ato u përdorën nga sulmuesit për të shkaktuar frikë dhe panik.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan, dënoi sulmin dhe tha se banorët e Londrës duhet të vazhdojnë të jenë vigjilentë, pasi niveli i kërcënimit nga terrorizmi është i lartë.
“Njerëzit duhet të mbeten të qetë dhe vigjilentë, të vazhdojnë veprimtarinë e tyre normale. Niveli i kërcënimit mbetet i lartë, që do të thotë se sulme të tjera terroriste në vend janë të mundshme. Prandaj të gjithë duhet të jemi vigjilentë. Nëse shihni ndonjë gjë të dyshimtë ose keni ndonjë shqetësim për sigurinë, ju lutem njoftoni autoritetet”.
Khan dhe kryeministrja britanike, Theresa May morën pjesë në një takim urgjent të grupit qeveritar të krizave.
Sulmi i së shtunës në një prej urave kryesore të kryeqytetit britanik dhe në lagjen pranë tregut të frutave dhe perimeve, Borough Market ishte sulmi i tretë terrorist në Britani që nga marsi i këtij viti.
Shtëpia e Bardhë tha të shtunën vonë se, Presidenti Donald Trump ofroi “mbështetjen e plotë” të Amerikës në hetimin e “sulmeve terroriste” në Londër, gjatë një telefonate me kryeministren britanike, Theresa May.
Departamenti i Shtetit tha përmes një deklarate se, “i dënon sulmet qyqare që kishin në shënjestër civilët e pafajshëm në Londër”. “Mësojmë se policia britanike tani po i trajton këto ngjarje si incidente terroriste. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë çdo lloj ndihme që Britania mund të kërkojë për këtë çështje”, thuhet më tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Në një sulm të ngjashëm ndaj këmbësorëve në Urën Westminster dhe një shpërthim vetëvrasës me bombë më pak se dy javë më parë në Mançester u vranë dhjetëra njerëz dhe plagosën mbi 100 të tjerë.
Putin: Rusia nuk ka asnjë material kundër Trumpit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një interviste të transmetuar në terminin më të shikuar në Shtetet e Bashkuara, përsëri i ka hedhur poshtë akuzat se Moska është përzier në zgjedhjet amerikane vitin e kaluar dhe tha se Kremlini nuk ka material komprometues për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Zoti Putin e ka shfrytëzuar një intervistë të mbrëmshme në programin e rrjetit “NBC”, “Sunday Night With Megyn Kelly”, për ta distancuar vetveten nga kundërthëniet lidhur me dyshimet për përzierje ruse, që kanë shkaktuar një gjendje të trazuar në Uashington dhe seriozisht i kanë dëmtuar shpresat e paraqitura për përmirësim të lidhjeve me Shtetet e Bashkuara, që janë shumë të tensionuara.
Putin i ka hedhur poshtë lidhjet e tij me figurën qendrore në hetimet e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje, duke thënë se ai “realisht as që ka folur me” Michael Flynnin, i cili ishte këshilltar i zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore dhe ka shërbyer për një kohë si këshilltar për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, para se të shkarkohej.
Putin ka hedhur poshtë raportet se ai ka ndonjë informatë dëmtuese, që mund të përdoret për ta komprometuar Trumpin, ishin “vetëm një tjetër ngarkesë e marrëzive” dhe e ka shtruar pyetjen se “nga kush do ta merrnim ne këtë informacion”?
Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili javën e kaluar tha se hakerët rusë mund të kenë ndërmarrë hapa për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane për shkaqe “patriotike”, por vazhdimisht ka përsëritur se shteti nuk ka qenë i involvuar në këtë çështje, ka vlerësuar se nuk kishte nevojë për Rusinë për të synuar ndikim në rezultate, duke sugjeruar se kjo nuk do të kishte kuptim në periudhë afatgjatë.
“Presidentët vijnë e shkojnë dhe bile edhe partitë në pushtet ndryshojnë, por drejtimi kryesor politik nuk ndryshon”, tha Putin.
Në muajin janar të këtij viti, komuniteti i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, e publikoi një vlerësim se, “Putin kishte urdhëruar fushatë ndikuese në vitin 2016, me synimin në zgjedhjet presidenciale amerikane”, ku përfshihej shkatërrimi i besimit në sistemin demokratik të Shteteve të Bashkuara, denigrimin e gjasëve të kandidates demokrate, Hillary Clinton dhe përmirësimin e gjasëve të Trumpit për të fituar.
Zyrtarët amerikanë dhe shumë vëzhgues besojnë se Putin dëshironte t’i zvogëlonte gjasët e zonjës Clinton për t’u zgjedhur, pasi ajo publikisht kishte marrë qëndrim të ashpër për të drejtat e njeriut dhe demokracisë në Rusi, pastaj agresionin e saj në Ukrainë, duke u shprehur në mbështetje të vazhdimit të sanksioneve për shkak të aneksimit të Krimesë dhe involvimit në luftë në pjesën lindore të Ukrainës, nga e cila deri tash janë vrarë mëse 9,900 njerëz.
Putin ka marrëdhënie të ftohta me zonjën Clinton dhe e ka akuzuar atë për inkurajimin e protestave kundër qeverisë në Rusi në vitin 2011, në periudhën kur Putin përgatitej të kthehej në presidencë, pasi i kaloi katër vite si kryeministër.
Nga ana tjetër, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhjore e pat bërë të qartë se do të synojë përmirësim të raporteve me Rusinë dhe do ta shtojë bashkëpunimin kundër terrorizmit. Për këtë bashkëpunim, për një kohë të gjatë, është angazhuar Putin.
Herë pas here, Putin dhe Trump kanë shprehur admirim për njëri-tjetrin, por Putin tha se asnjëherë nuk ka pasur “marrëdhënie speciale” me presidentin e Shteteve të Bashkuara.
“Ne nuk kemi kurrfarë raportesh”, tha Putin dhe ka shtuar se, “ishte një kohë kur ai e vizitoi Moskën, por kurrë nuk jam takuar me të”.
Agjencia amerikane FBI dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë hetime për kontaktet ndërmjet rusëve dhe fushatës dhe ekipit tranzitor Trump, përfshirë çfarëdo shenje të mundshme të marrëveshjes së fshehtë nga ana e ndihmësve të Trumpit me atë që oficerët e inteligjencës amerikane thonë se ishin synimet ruse në zgjedhjet amerikane.
Vladimir Putin, që në të kaluarën për një kohë të gjatë ishte oficer i KGB-së sovjetike, zakonisht duket se krenohet me vëmendjen për detaje, pastaj me njohjen e njerëzve me të cilët takohet dhe për përgatitjet e gjithanshme për biseda dhe zhvillime të tjera.
Në muajin shkurt të vitit të kaluar, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn, u detyrua të largohej nga zyra, ku qëndroi më pak se një muaj, pas pretendimeve se e kishte mashtruar zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, gjatë periudhës tranzitore pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar.
Michael Flynn, po ashtu, ishte akuzuar se nuk ka raportuar për takimin me Putinin në Moskë, gjatë një solemniteti të organizuar nga rrjeti shtetëror televiziv, “Russia Today” dhe për pagesë të honorarit nga burimet ruse, siç ishte pagesa nga ky rrjet televiziv.
Putin, po ashtu, tha se nuk ka njohuri për raportet nga shumë media amerikane për propozimin e dhëndrit dhe këshilltarit të Trumpit, Jared Kushner, për krijimin e një kanali sekret për komunikim me Kremlinin.
“Nuk kam njohuri për këtë propozim, asnjë propozim si ky nuk ka ardhur tek unë”, tha Putin. Komentet e Putinit ishin përkthyer nga rusishtja në anglishte për transmetim.
Kremlini ka publikuar transkriptin e intervistës
Derisa e ka hedhur poshtë përzierjen ruse në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, Putin e ka akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhjet e jashtme. “Vendoseni gishtin kudo në hartën e botës dhe çdokund ju do të dëgjoni për ankesat se zyrtarët amerikanë janë përzier në proceset e brendshme zgjedhore”, tha Putin.
Analistët thonë se Putin shpeshherë synon t’i mënjanojë akuzat kundër Rusisë, duke u përpjekur t’ia mveshë aksionet e ngjashme atij që akuzon.
Duket se Putin u nervozua shumë nga pyetja e moderatores Megyn Kelly, për raportet e korrupsionit të gjatë dhe shtypjen e atyre që mendojnë ndryshe në Rusi.
“Përse ju mendoni se keni të drejtë të na bëni pyetje të këtilla?, ka pyetur Putin dhe shtoi “për të moralizuar dhe për të na dhënë mësime se si të jetojmë”?
“Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë kur kjo bëhet në mënyrë konstruktive, me qëllim të ndërtimit të raportit, krijimit të ambientit të përbashkët. Por, ne absolutisht nuk do të pranojmë kur këto lloje të gjërave përdoren si instrument të konfliktit politik”, tha Putin.
ISIS merr përgjegjësinë e sulmeve terroriste në Londër
Pas sulmeve të përgjakshme terroriste në Londër, milicia terroriste Shteti Islamik njoftoi përmes “agjencisë” së vet të lajmeve “Amak” se ata që vranë në kryeqytetin britanik të shtunën në mbrëmje të paktën shtatë vetë dhe plagosën rreth 50 të tjerë, ishin “një njësi luftëtarësh të IS-it”. Në forumet dhe kanalet e tyre të chat-it simpatizantët e IS-it shprehën gëzim për këtë sulm, njofton “Site Intelligence Group” që është i specializuar për shqyrtimin e propagandës radikale islamike.
Sipas dëshmitarëve okularë atentatorët kanë thirrur si në urën London Bridge edhe në lokalet në lagjen Borough Market se veprojnë “Në emër të Allahut”. Tetë minuta pas telefonatës së parë urgjente policët i vranë të tre burrat me breshëri prej 50 fishekësh, që sipas shefit të policisë antiterror, Mark Rowley, nuk kishte ndodhur deri tani.
Policia po sqaron tani nëse në planifikimin e veprës terroriste kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë. Deri tani janë arrestuar 11 vetë që po mbahen në gjendje arresti hetimor.
Kryeministrja May: “Tolerancë e tepruar ndaj ekstremizmit”
Kryeministrja britanike Theresa May njoftoi fillimin e një linje të ashpër kundër ekstremizmit islamik. Ajo do ta “shfarosë” këtë fenomen në shoqërinë britanike”, tha May.
“Ne nuk mund dhe nuk duhet të veprojmë, sikur çdo gjë mund të vazhdojë si deri tani”, tha May. Ish-ministrja e Brendshme bëri thirrje për masa të reja kundër terrorizmit, duke përfshirë edhe një veprim më të vendosur kundër propagandës islamike në internet dhe dënime më të ashpra për vepra terroriste.
Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, tha se “ne nuk do t’i lëmë kurrë këta frikacakë të fitojnë dhe se nuk do të frikësohemi kurrë nga terrorizmi”.
Atentati i Londrës shkaktoi pikëllim dhe keqardhje në të gjithë botën. Kancelarja Angela Merkel u shpreh: “Sot na bashkon përtej gjithë kufijve pikëllimi dhe hidhërimi”. Në shenjë solidariteti me Londrën dhe banorët e saj të dielën në mbrëmje Porta e Brandenburgut në Berlin u ndriçua me ngjyrat e flamurit britanik.