21.5 C
Tirana
E martë, 22 Korrik, 2025

A do të futet Europa Juglindore në eurozonë?

Robert Schwartz

Sipas marrëveshjeve europiane si Komisioni Europian ashtu edhe Banka Qendrore Europiane po verifikojnë, se sa i përmbushin kriteret e vendosura shtetet që duan të hyjnë në eurozonë. Aktualisht asnjë nga vendet kandidate, Bullgaria, Çekia, Kroacia, Hungaria, Polonia, Rumania e Suedia nuk i plotësojnë kushtet. Por debati aktual brenda eurozonës të le të kuptosh, se ka edhe shtete anëtare të saj që nuk i plotësojnë kriteret. Pierre Moscovici, eurokomisioneri i BE për financat e përmbledh kështu: “Problemi i eurozonës sot është se nuk kujdeset për konvergjencën si duhet mes shteteve anëtare”, tha ai në prezantimin e planeve të reja për reformat në eurozonë.
Deri në vitin 2025 duhet sipas Moscovicit të jenë bërë pjesë e euros të gjitha vendet e BE. Kjo tingëllon qetësuese për vendet aspiruese, që shpresojnë nga reformat e reja edhe ndihma për aderimin në eurozonë. Edhe pse aderimi nuk po ecën sipas planit dhe debatet në vendet përkatëse janë të forta, objektivi nuk ka ndryshuar. Edhe pse në tri vende juglindore, përkrahja ka rënë.

Bullgaria shpreson në ndihmën gjermane
“Kjo temë është shumë e rëndësishme për vendin tonë”, thotë ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Sacharieva në bisedë me “DW”. Vendi i saj është një nga të paktët që i përmbush kriteret e ashtuquajtura të konvergjencës. Qëllimi i qeverisë në Sofje është që deri në vitin 2018 të kalojë “në dhomën e pritjes” të eurozonës, në të ashtuquajturin “Mekanizmi i ndryshimit të kursit- II”. Një pjesëmarrje në këtë mekanizëm të paktën dy vjet e pa probleme është një nga kriteret e konvergjencës. Bullgaria shpreson në ndihmën e Gjermanisë, tha Sacharieva në vizitën e saj në Berlin.

Rumania pret
Ndërsa Rumania ka hequr dorë zyrtarisht nga qëllimi që të anëtarësohej deri në vitin 2019. Kreu i qeverisë rumune, Sorin Grindeanu deklaroi, se krahas konvergjencës monetare duhet siguruar edhe ajo e rrogave. “Kalimi në euro mund të bëhet, nëse të ardhurat në Rumani janë të krahasueshme me ato të vendeve të BE”.
Profesori rumun i ekonomisë dhe ish-ministër i Financave, Daniel Daianu nuk i shikon problemet rumune thjesht në hendekun e të ardhurave, por në zhvillimin strukturor të këtyre vendeve. “Hendeku mes veriut dhe jugut të eurozonës tregon qartë, se janë të nevojshme reforma urgjente”. Ai paralajmëron nga anëtarësimi i Rumanisë e shton se, “qëndrimet politike e gjeopolitike mund ta përshpejtojnë këtë anëtarësim. Por nuk duhen lënë asnjëherë mënjanë faktorët ekonomikë”. Do të ishte naive, shprehet ai, të mendosh se eurozona gjeneron automatikisht zhvillim ekonomik dhe institucional.

Kroacia me probleme
Ndërsa sipas kreut të Bankës Kombëtare kroate, Boris Vujçiç, Kroacia duhet të anëtarësohet sa më shpejt në eurozonë. Si anëtarja më e re e BE, Kroacia dëshiron të futet brenda një 5-vjeçari pas anëtarësimit në eurozonë. Por shifrat, sidomos ato të deficitit buxhetor (mbi 3%) dhe borxhit shtetëror (80% e prodhimit të brendshëm bruto) flasin kundër një aderimi të shpejtë të Kroacisë. Nuk mund të thuhet saktë, se kur do të zgjerohet eurozona me vende të tjera, por një gjë është bërë e qartë: Për sa kohë që ndryshimet ekonomike mes vendeve të eurozonës ende janë shkak për shqetësime, nuk duket se hyrja në valutën e përbashkët është një hap pozitiv për vendet që presin. Nuk është e mirë për eurozonën dhe për vetë këto vende.

Rama tallet me përmetarët e mençur dhe punëtorë!

Sali BERISHA

Ai sot i la pa mend kur iu tha se: “Energjia është ulur për familjarët, është rritur për biznesin, është e vërtetë, por, hap pas hapi”. Paçka se sipas vet ERE të tij dhe Bankës Botërore shqiptarët paguajnë sot 25% më shumë për energjinë se sa tre vjet më parë!
Në takimin e tij Rama nuk tha asnjë gjysëm fjale për:
-300 mijë vendet e punës të premtuara dhe nisjen jashtë të 200 mijë shqiptarëve
-Heqjen e TVSH për ushqimet dhe faktin që ato blihen 15% më shtrenjtë sot
-Barazimin e pensioneve të fshatit me qytetin dhe mbetjen e tyre aty ku ishin 4 vjet më parë
-për pesëfishimin e fondeve për bujqësinë dhe bllokimin e tyre thuaj të plotë
-për naftën pa akcisë dhe taksën e qarkullimit, në të vërtetë rritjen e çmimit të saj në nivelet më të larta në Europë
– Rama nuk ju foli dot përmetarëve për asnjë projekt të qeverisë së tij, të realizuar në katër vite në rrethin e tyre, si rrugë, shkolla, kanalizime, qendra shëndetësore të ndërtuara në katër vite.
Ai nuk paraqiti para tyre asnjë projekt për të ardhmen.
Të vetmin projekt konkret që përmendi ishte rruga Kardhiq-Delvinë e qeverisë së mëparshme, në të cilën ai në katër vite nuk ka ndërtuar qoftë dhe një metër në të.
Prandaj ai, për të mbuluar mashtrimet e tij të pashembullta, dështimet e tij të mëdha, mungesën e plotë të investimeve, kaloi menjëherë tek llogjet me shofer, timon e makinë apo prehër shoferi, duke besuar se përmetarët janë kaq të trashë sa që nuk dinë se çfarë ishin premtimet e tij katër vite më parë, nuk dinë se ato ishin mashtrime të mëdha, nuk dinë se ai në katër vite në të gjithë sektorët në rrethin e Përmetit ka investuar vetëm gjysmën e investimit në bujqësi të qeverisë së mëparshme.
Ramës, në fund të takimit një përmetar i prishi gjakun kur i tha: “Shoku Edvin, ti ke hallin e karriges ne kemi halle të tjera të mëdha dhe i dha një letër me investimet e qeverisë së mëparshme në rrethin e Përmetit”! sb
Investimet në Përmet në vitet 2006-2013
Gjatë këtyre viteve 2006-2013 në rrethin e Përmetit janë ndërtuar;
98 km rrugë,
17 shkolla e kopshte,
24 sisteme të ujit të pijshëm e KUZ,
17 qendra shëndetësore e ambulanca.
Janë ndërtuar rrugët në Përmet, Këlcyrë, Petran, Benjë, Bodar, Kaludh, Ogren, Rodenjë, Çarshovë, Piskovë, Ballaban, Dishnicë, Sukë etj.
Janë financuar 92 milionë lekë subvencione në bujqësi
Kanë përfituar mbi 300 fermerë e blegtorë.
Janë mbjellë 100 ha me arror, dru frutor, ullinj e vreshtari.
39 milionë lekë janë kredituar në prodhimin e verës, rakisë dhe përpunimin e produkteve bio që është në traditën e përmetarëve.

Dritan Demiraj, ministri më i dekoruar në Evropë

Enton DACI

Dritan Demiraj ishte në një marshim ditor në pyjet e Michiganit në SHBA, në një trajnim special, kur i telefonojnë nga Tirana dhe Uashingtoni. Prej dy vitesh kolonel Demiraj jetonte në Amerikë pas 32 vitesh në Forcat e Armatosura, posaçërisht në Forcat Speciale dhe regjimentin Komando, ku shërbeu atdheun brenda dhe jashtë në Afganistan e Irak në pozicione drejtuese, duke merituar 42 medalje dhe dekorata të Larta, që nga Medalja Shqiponja e Artë tek dekorata Nderi i Kombit, Medalje e Noble Patron of Armor  “2011 e Medalja Army Commendation−s” nga US Army., për misionet luftarake dhe ngritjen e imazhit të vendit. Në SHBA, ushtarakët dhe gjeneralët i ndajnë në dy kategori: të parët janë ata që kanë pluhrin e shkretëtirës në këpucë dhe të dytët janë ata që i kanë llustruar në zyra. Demiraj ka bërë 10 vite misione speciale në terrenet e Mosulit, Herat, Helmand e Kandahar për llogari të luftës pa kompromis ndaj terrorit dhe terroristëve të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe trafikantët e heroinës.
I mësuar t’i shërbejë vendit me gjithë zemër, mendje dhe profesionalizëm, Dritan Demiraj pranoi thirrjen shtetërore të Lulzim Bashës për të qenë në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe luftuar pa kompromis kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Imazhi i vendit, qeverisë shqiptare dhe posaçërisht Ministrisë së Brendshme ishte në nivele skandaloze në sytë e partnerëve për shkak tonelatave të kanabisit hapnin mediat evropiane dhe botërore, ndërsa qeveria Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri zotohej se 99% të kanabisit nuk ekzistonte ose ishte asgjësuar. Në këto kushte të vështira, aspak të lehta për çdo politikan karriere, u zgjodh një outsider jashtë politikës, me profilin e një komandanti që di të fitojë dhe të frymëzojë trupën që është në dispozicion.
Nuk është e lehtë të punosh në një mjedis të kontaminuar nga krimi i organizuar dhe politika që minojnë çdo sipërmarrje të shëndetshme. Por angazhimi dhe misioni është gjithçka. Dritan Demiraj i ka dhënë Shqipërisë dhe kombit në planin ushtarak gjithçka që mund t’i jepej në tre dekada: 28 libra, po aq doktrina, manuale dhe kumtesa në fushën e sigurisë dhe kundër terrorizmit vështirë se do të gjendeshin në Evropë.
Shqipëria nuk e ka luksin të mos njohë shërbestarët me të fortë të saj. Dritan Demiraj duhet të kuptojë që për të luftuar fenomenin negativ të trafiqeve, krimit të organizuar dhe terrorizmit në kohë të turbullta është e domosdoshme pasja e aleatëve me uniformë dhe pa uniformë, civilë me një ndjenjë të lartë të detyrës dhe respektit për vendin.

SHBA: Koreja e Veriut, rrezik i qartë dhe imediat

Në krye të një delegacioni të fuqishëm amerikan, Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, ndodhet në Singapor për të marrë pjesë në punimet e konferencës më të rëndësishme të Azisë në fushën e mbrojtjes. Gjatë fjalës së tij në takimin e Dialogut Shangri-La, zoti Mattis e cilësoi Korenë e Veriut një rrezik të qartë dhe imediat. Sekretari Mattis gjithashtu dënoi mospërfilljen e ligjit ndërkombëtar nga Kina nëpërmjet militarizimit të ishujve artificialë.
Në fjalën e tij në takimin e Dialogut Shangri-La, Sekretari amerikan i Mbrojtjes dënoi veprimet e papërgjegjshme të Koresë së Veriut.
“Së bashku me deklarata të papërgjegjshme, programi aktual i Koresë së Veriut sinjalizon qartë se synimi është zotërimi i raketave balistike me armatim bërthamor, madje edhe me rreze ndërkontinentale duke kërcënuar kështu drejtpërdrejt aleatët tanë në rajon dhe vendet partnere në mbarë botën. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se epoka e durimit strategjik ka përfunduar. Nga aspekti i sigurisë kombëtare, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë rrezikun nga Koreja e Veriut, si një rrezik të qartë dhe imediat”, tha Sekretari Mattis.
Megjithëse vlerësoi angazhimin e Kinës për të punuar së bashku me komunitetin ndërkombëtar, ai përmendi se do të ketë natyrisht konkurrencë ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, por se konflikti mund të shmanget. Sidoqoftë, Sekretari Mattis dënoi aktivitetin e Kinës për të marrë sa më shumë territor në Detin e Kinës së Jugut.
“Qëllimi dhe përmasat e aktivitetit të Kinës në Detin e Kinës së Jugut ndryshon nga vendet e tjera, për shkak të militarizimit, mospërfilljes nga Kina të ligjit ndërkombëtar, përbuzjes së interesave të vendeve të tjera, si dhe refuzimit për të gjetur zgjidhje me mirëkuptim për mosmarrëveshjet”, deklaroi Sekretari Mattis.
Në përgjithësi, fjalimi i Sekretarit Mattis ruajti një ton pozitiv dhe shpresëdhënës për bashkëpunimin dhe paqen në rajonin e Azi-Paqësorit, ku zyrtarët amerikanë kanë punuar me prioritet për forcimin aleancave dhe partneritetit.

Trump nuk do të ndalojë dëshminë e Comey

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump njoftohet se nuk ka në plan të përdorë privilegjin ekzekutiv për të ndaluar ish-drejtorin e FBI-së James Comey të dëshmojë në Kongres rreth bisedave me presidentin në lidhje me ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare. Privilegji ekzekutiv është një pushtet i përdorur nga dega ekzekutive e qeverisë amerikane për të kthyer mbrapsht kërkesa për dokumenta apo për të hedhur poshtë kërkesa për dëshmi nga zyrtarë të lartë.
Vendimi u njoftua nga gazeta Neë York Times, e cila citoi dy zyrtarë të lartë anonimë të administratës Trump.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u tha gazetarëve të premten se ai nuk kishte dijeni nëse presidenti do të përpiqet të bllokojë dëshminë e zotit Comey.
Si drejtor i FBI-së, Comey kryesonte hetimin e agjencisë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe nëse anëtarë të fushatës Trump bashkëpunuan në mënyrë të paligjshme me Rusinë.
Është vendosur që ish-shefi i FBI-së të dëshmojë përpara Komisionit të Senatit për Zbulimin, i cili po kryen gjithashtu një hetim mbi zgjedhjet dhe bashkëpunimet e mundshme.
James Comey pritet t’u tregojë ligjvënësve rreth disa diskutimeve që ai ka patur me presidentin Trump, duke përfshirë një gjatë të cilit presidenti i kërkoi atij të pezullonte hetimin mbi ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare Michael Flynn.
Ka disa hetime të ndryshme që po kryhen nga komisionet në Kongres për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, si dhe për ndonjë rol të mundshëm që mund të kenë patur në këtë ndërhyrje bashkëpunëtorët e zotit Trump gjatë fushatës elektorale. Përveç Kongresit, Departamenti i Drejtësisë caktoi ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller si këshilltar të posaçëm për të hetuar nëse ndihmësit e fushatës Trump bashkëkunuan në mënyrë të paligjshme me Rusinë.
Hetimet filluan pasi agjencitë amerikane të zbulimit arritën në përfundimin se Rusia kreu sulm kibernetik në kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) vitin e kaluar, me qëllim për t’i shkaktuar dëm fushatës së kandidates së Partisë Demokratike për presidente Hillary Clinton.
Presidenti Trump ka hedhur poshtë akuzat për bashkëpunim me Moskën dhe vlerësimin e agjencive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara se Vladimir Putin urdhëroi një fushatë ndikimi që kishte për qëllim ndërhyrje në zgjedhjet e nëntorit. Presidenti rus Putin ka përsëritur se nuk ka prova mbi përfshirjen e Kremlinit në zgjedhje.

Shfuqizim taksës Rama për naftën, 250 lekë/litri më lirë

Shfuqizimi  i taksës së karburantit, për shkak të së cilës sot Shqiëpria është vendi me çmimin e karburantit më të lartë në Europë si dhe vendosje e një tavani për shndërrimin e energjisë elektrike me konkurruesin në Ballkan do të jenë dy vendimet e para të qeverisjes Basha, pas fitores së zgjedhjeve. Nga Durrësi, ku hapi fushatën elektorale dhe prezantoi ekipin fitues të këtij qarku, Lulzim Basha vendosi vendimet e forta që PD do të ndërmarrë nën drejtimin e qeverisë së ardhshme. Ndërsa tha se, programi ekonomik i PD mban vulën e ekspertëve profesionistë të Kancelares Angela Merkel, Basha bëri të ditur disa nga vendimet që do të marrë që në ditët e para të qeverisjes. “Vendimet e forta që do marrin do t’i hapin rrugë ekonomisë së fortë. 10 mijë të rinj dhe të reja do të ndjekin stazhet e punësimit me 200 mijë lekë në muaj, kjo është një politikë e mirëfilltë ekonomike që do të punësojë mijëra të rinj. Rimëkëmbje totale për peshkimin, bletarët, fermerët etj. Për mua, të parët do të jenë fermerët shqiptarë, njësoj si fermerët europianë, konkurrenca e pandershme do të marrë fund. Do të heq taksën Rama për naftën 240 lekë për litër karburanti që rëndon jo vetëm përdoruesit e automjeteve, por gjithë ekonominë. Sepse nafta është gjaku i saj , ulja e çmimit të naftës, çmimi i energjisë konkurrues në Ballkan, taksat më të ulëtat në Ballkan, kjo do të bëjë të mundur që të gjithë investitorët e huaj që vijnë rreth e rrothull Shqipërisë do të gjejnë një kryeministër që bën gjithçka për të krijuar vende të reja pune. Gjejnë lehtësitë e nevojshme”, u shpreh kreu i PD. Basha u kujtoi durrsakëve mashtrimet e Ramës për gjatë këtyre katër viteve, ndërsa vuri në dukje se, asnjë nga premtimet me të cilat ai erdhi në pushtet nuk është realizuar. Ai solli në vëmendje premtimin për 300 mijë vende të reja pune, por që sot jo vetëm që nuk ësntë hapur asnjë vend i ri pune, por papunësia është thelluar më shumë. Ai kujtoi shëndetësinë falas, projekt i cili jo vetëm nuk u shndërrua në falas, por u kushtoi shqiptarëve miliona euro për shkak të zhvatjes së oligrakëve pranë Ramës me tendera e koncesione. Basha tha se, programi i Partisë Demokratike do të rimëkëmbë ekonominë, ai foli për një sistem taksash që do të çlirojë ekonominë e familjeve shqiptare, bizneseve, papunësinë etj. “Këto katër vite që shkuan, ishin katër vite ku keni paguar qindra milionë euro taksa, Rama e mori këtë kohë për veten e tij, mblodhi këto miliarda euro, por a solli diçka për ju këto katër vite? Ku janë 300 mijë vendet e punës, ku është shëndetësia falas? Nuk përgjigjet, ka një javë që bën estradë, llafe e lloj-lloj llomotitjesh, por nuk jep llogari e nuk bën bilanc, nuk jep llogari. Kjo është arsyeja që refuzon edhe arsyeja që refuzon debatin me kryetarin e opozitën. Ju e konsideroni debatin forcë qytetarie dhe themel të demokracisë, jepini Edi Ramës një sinjal nga ky shesh për të dalë Edi Rama në debat publik me kryetarin e opozitës. Rama ka frikë të përballet me të vërtetat, sepse të vërtetat e Edi Ramës janë ndryshe nga të vërtetat tuaja. Kam takuar rininë e dëshpëruar për një vend pune, kam takuar pensionistë, të cilët siç e marrin pensionit e japin për energji e faturat e shtetit, kam takuar tregtarët, sipërmarrësit. Mos harroni papunësinë që solli, dëshpërimin që solli, krimin, drogën, pasigurinë, bëhuni gati t’i jepni forcë vendimit të madh që kemi marrë gjithë së baskhu, nga e gjithë Shqipëria  për një kryeministër të njerëzve, të durrsakëve të thjeshtë e punëtor, një kryeministër të ekonomisë. Unë premtoj se do të jem kryeministër i halleve tuaja dhe i zgjidhjeve tuaja. Unë jam gati të marr vendimet e vërshtira, ulja e TVSh, taksa e sheshtë 9%, pulla që do të bëjë të mundur që çdo tatimor që futet në ambjentet e biznesit do të shkojë për ndjekje penale. Koha ka ardhur të çlirojmë energjinë e rinisë, bizeseve, punës, koha ka ardhur t’i tregojmë vendin zuzarëve dhe maskarenjve, të korruptuar, që një grusht politikanësh që e sollën vërdallë këtë vend të lëshojnë vendin”, u shpreh Basha.

Pakti i 18 majit është kapitullimi i Republikës së Vjetër

Basha u ndal tek marrëveshja e 18 majit, marrëveshje e cila erdhi pas 90 ditë qendresë të fortë në Sheshin e Lirisë, deri sa beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme triumfoi. “Pakti i 18 majit është kapitullimi i Republikës së Vjetër dhe nënshkrimi i Republikës së Re. Kurrë më një grusht politikanësh nuk do t’iu kenë ju në dorë, ne do të ndryshojmë sistemin kushtetues, ju jap fjalën se, duke filluar me ndryshimet kushtetuese, nga shtatori ju jo vetëm do të zgjidhni drejtpërdrejt përfaqësuesit tuaj në Parlament dhe në zyrat e shtetit, por do të keni të drejtën të shkarkoni deputetët pa u përfunduar mandate, nëse nuk luftojnë për ju, por për xhepat e tyre. Ky është ndryshimi që po vjen, diçka e madhe po ndodh në Shqipëri. Unë dhe ekipi im, burra dhe gra, të trajnuar me vlerat më të mira europiane. Mund të kisha qenë atje, duke jetuar jetën time, por jam këtu, sepse borxhi që kam këtij vendi pret për t’u shlyer, për mundësitë që më dhanë mua t’i ketë çdo i ri dhe çdo e re në Shqipëri. Ky është motivi im, karburanti, forca ime që më mbajti bashkë me ju. Në 90 ditë të betejës edhe kur beteja dukej e vështirë, unë e dija se kjo ditë do vinte dhe sheshet do mbusheshin. Përgatitëm bashkë me ekipin më të mirë programin e Republikës së Re, me ekonomistët më të mirë në Shqipëri, të çerfitifkuar nga institucionet më ekspertë të Europës”, tha Basha.

900 milionë euro koncesione e tendera luksi, bilanci Rama në katër vite

550 milionë euro të zhvatura nga paratë e shqiptarëve përmes dhënies së njerëzve pranë koncesioneve si dhe 350 milionë euro tendera luksi është i vetmi bilanc i Ramës në katër vite qeverisje. Basha garantoi dje nga Durrësi se koha e rrënimit të ekonomisë do të marrë fund dhe se Republika e Re është rruga përmes të cilës vendi hap një kapitull të ri në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e shqiptarëve. “Ekonomia e fortë do na japë shanset për një të nesërme të sigurtë. I ka dhënë vetëm 14 veta mbi 350 milionë euro tendera luksi që nuk sjellin. 550 milionë euro koncesioneve katër vetave për 10 vjet që sjellin rrënimin e ekonomisë, ekonomia e shkatërruar, dhe asnjë vend i ri pune. Është e vështirë të çash në Shqipërinë e Edi Ramës, sepse vetëm 15 veta rreth Edi Ramës përfitojnë nga politikat e tij, por Shqipëria nuk janë ata, Durrësi nuk është Vangjush Dako, as një grusht kriminelësh, Durrësi jeni ju. Ekonomia është në lëngatë. Unë do të jem kryeministri i punës dhe jo i fasadave. Ora e vendimmarrjes po afron. Tre javë kanë mbetur, bëjeni natën ditë që ta bëjmë bashkimin tonë kaq të madh. Nuk ka ndodhur asnjëherë dhe askund, 27 vite në Shqipëri dhe në Europë që të gjithë partitë opozitare të bashkohen në një sigël, në numrin 6, sepse na bashkoi kauza juaj, kauza jonë, ndërsa ata janë të përçarë, sepse i ndau tepsia. E kanë mendjen vetëm tek pushteti i tyre. Unë do të vendos çdo minutë të jetës sime në dispozicionin tuaj, për hallet tuaja, për problemet tuaja. Ky është premtimi im. Koha ka ardhur, vendimi është marrë, jepini forcë këtij vendimi, shtojeni këtë bashkim”, u shpreh Basha.

Kavaja ringritje të fuqishme me PD

Kavaja priti në mënyrë madhështore Lulzim Bashën dhe ekipin e tij fitues, ndërsa iu bashkua projektit të Republikës së Re që nis ditën pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Në katër vite, e vetmja gjë që Rama u ofroi kavajasve ishte modeli i krimit, model të cilin Kavaja më 25 qershor do ta ndëshkojë me votë. Basha u prezantoi kavajasve projektin e PD për Republikën e Re dhe ndryshimin që ajo do të sjellë në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Basha foli për mbështetjen ndaj të rinjve, burrave dhe grave, pensionistëve, bizneseve dhe sipërmarrjeve të mëdha. Në mënyrë të veçantë, ai u ndal edhe tek prezantimi i pikave të programit përsa i përket bujqësisë dhe fermerëve. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga mitingu elektoral në Bashkinë e Kavajës tha se, kryeministri Edi Rama bën “spektakël” vetëm për të bërë bilancin me premtimet e pambajtura. “E pashë në mitingun ku prezantuan atë kandidatin tjetër që i ndërrojnë si kuajt e lodhur. E pashë. Nuk kishte çfarë thoshte në mes të Kavajës. Ka veshur tuta, bën estradë, bën karikatura me elefantë, me zebra, me cjapë, me dele. Pritni të bëjë edhe vertikalen, vetëm e vetëm që të mos bëjë asnjë bilanc, vetëm e vetëm që ta fshijë nga mendja e njerëzve premtimin për 300 mijë vende pune. Kujton se do ta shtyjë me spektakël tre javë. Tre javë me variete në vend që të përballet me bilancet e tij. Mund ta shtyjë tre ditë, por tre javë me spektakël as Madona nuk e shtyn dot, jo më Edi Rama. Ora e bilancit ka ardhur. Ora e së vërtetës ka ardhur Edi Rama këtu në Kavajë. Përballu me dështimin total të mos mbajtjes së premtimeve”. Kreu i PD-së, ishte në Kavajë ku ka prezantuar edhe kandidatin për kryetarin e Bashkisë, Isa Sakjan. Duke folur për programin politik të Republikës së Re, Basha ka bërë të ditur edhe vendimet e para që do të marrë ai në momentin që do të bëhet kryeministër. “Ulja e taksave. Ulja e TVSH dhe kthimi i miliona eurove në xhepat e shqiptarëve të marra nga xhepat e oligarkëve, janë vendimet e para që do të marrë si kryeministër”, u shpreh Basha. Më pas, ai tha se “qindra miliona euro që sot i merr Vilma Nushi, do të kthehen në më shumë shtretër për spitalet, më shumë përkujdesje për shqiptarët. Shëndetësia falas është mashtrim”.

Bandat e Artur Bushit tentojnë të pengojnë mitingun e PD në Krujë

Bandat e kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi tentuan dje të mos lejojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në mitingun e opozitës në Krujë dhe Fushë-Krujë. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, në bazë të një mesazhi të dërguar nga një qytetar nga Kruja. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi, po sponsorizon disa grupe kriminale që të pengojnë mitingun e kreut të PD-së, Lulzim Basha në qytetin e Krujës.
Banditët e Bushit jo vetëm që kanë kërcënuar qytetarët të mos dalin në miting, por në qytetin e Krujës dhe të Fushë-Krujës është hapur lajmi që do të filmohen të gjithë mbështetësit e PD që do të marrin pjesë në mitungun e opozitës.
“Qytetari dixhital denoncon Artur Bushin, për organizimin e grupeve kriminale për të mos lejuar pjesëmarrjen e qytetarëve në mitingun e opozitës në Krujë dhe Fushë-Krujë”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Dua të njoftoj e ta bëni publike. Grupet kriminale që z. Artur Bushi, kryetar bashkie Krujë sponsorizoi për presione e blerje vote si për kryetar komune, deputetë e kryetar bashkie po i sponsorizon që të pengojnë mitingun që z. Basha do të mbajë në qytetin e Krujës e të Fushë-Krujës. Po ju bëjnë presion bizneseve, individëve etj., për të mos shkuar në mitingun e PD.
Ngaqë krimi ka qenë mbështetje për të dhe duke parë mashtrimin që ka bërë për punësimet në të gjitha administratat në bashki, se ka punësuar 3 persona nga një familje ka dhe 4 persona nga një familje e sheh numrin e votuesve të paktë sa në përllogaritje PS nuk – kap 5 mijë votat në tërë Bashkinë Krujë. Z. Artur po merr të gjithë mësuesit e infermierët e pushuar nga puna për t’i rikthyer në punë, një mashtrim klasik. Fondin për integrimin e azilantëve të rikthyer me dëshirë e ka tjetërsuar dhe ju ka mbyllur dyert për ndihmë etj. Në qytetin e Krujës dhe të Fushë-Krujës është hapur lajmi që do të filmohen të gjithë mbështetësit e PD që do të marrin pjesë në mitungun e PD. Ju lutem riktheni sigurinë e qetësinë e qytetarëve”, shkruan qytetari nga Kruja.
Kreu i Bashkisë së Krujës ka mbështetur trafikantët e drogës gjatë kohës që është vënë në krye të Bashkisë. Gjatë dy viteve të fundit, Kruja dhe Fushë-Kruja kanë qenë zonat me numrin më të lartë të parcelave të mbjella me kanabis. Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar u sekuestruan 1.2 ton drogë në një magazinë në Krujë. Droga u zbulua nga agjentët e SHISH dhe pas kërkesës së Prokurorisë policia organizoi operacionin ku u gjet sasi e madhe e drogës, e cila ishte bërë gati për t’u trafikuar jashtë shtetit. Opozita deklaroi atëherë se droga ishte magazinuar nga Bushi ndaj policia nuk ndërhynte për ta sekuestruar.
Në Bashkinë e Krujës, kryetari Artur Bushi, i njohur për të kaluarën e tij të errët të lidhur ngushtë me trafikun e drogës në Itali, vend ku edhe është dënuar, i hapi shtegun trafikantëve dhe njerëzve të tij për të mbjellë masivisht kanabis. Ish-Kryeministri Berisha denoncoi para disa kohësh parcelat me drogë në Gramëz të Thumanës të kreut të Bashkisë, Artur Bushi në bashkëpunim me Habilajt. Parcelat me kanabis nuk prekeshin nga policia, pasi ato ishin nën mbrojtjen e kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Sipas denoncimit, parcelat ishin të ekspozuara ndaj çdo qytetar i zonës mund t’i shohë, por askush nuk mund të denoncojë, pasi policia vetë ka bërë syrin qorr si në shumë raste të tjera, kur pas parcelave me kanabis dhe banditëve qëndrojnë vetë pushtetarët.

R.POLISI

Përplasje me armë mes militantëve të LSI e PDIU

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para tre ditësh në Elbasan, ku militantë të LSI dhe PDIU janë përleshur me armë, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia. Denoncimi është bërë ditën e djeshme nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi që i ka dërguar një qytetar nga Elbasani. Berisha shkruan në një postim në Facebook se, disa njerëz të PDIU kanë qëlluar me armë zjarri militantët e LSI, që tani ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Sipas tij, atentatorët kanë mbështetje politike, ndërsa policia dhe mediat po fshehin ngjarjen.
“Gjendje dramatike në Elbasan! Lexoni klithmën e një qytetari dixhital: Elbasani nën terror bandash, policia me banditët fsheh krimet e tyre!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje dhe respekte i nderuar, si qytetar i Elbasanit nuk di ku të bëj një denoncim, sepse përveçse nuk gjen zgjidhje ke frikë edhe ta bësh denoncimin sepse mund ta pësosh shumë keq. Ndaj po ju raportoj juve, duke shpresuar që të ngrihet disi zëri sepse me të vërtetë që në Elbasan jeta e çdo qytetari të thjeshtë është në një rrezik të vërtetë nga çasti në çast. Para 3 ditësh, në lagjen ‘5 Maji’ ka pasur një përleshje midis disa anëtarëve të LSI dhe PDIU, por nuk janë thjesht simpatizantë të partive, sepse simpatizantët e PDIU janë një bandë kriminale e njohur tashmë për qytetin e Elbasanit dhe gjithë Shqipërinë që kanë pushtetin pas krahëve dhe mund të bëjnë ç’të duan. Kanë goditur me armë anëtarët e LSI dhe janë në gjendje të rëndë në spital, por çështja s’është se kanë goditur LSI, çështja qëndron sepse të fortët janë dhëndri i kryetarit të bashkisë dhe shoku i tij i ngushtë Suel Çela me bandën e vet. Ata mund të godasin kë të duan dhe kur të duan dhe asgjë nuk bëhet publike as nga policia dhe as nga media. Ata lëvizin me makina të blinduara në qytet dhe me municione luftarake si me qenë në Siri. Është krijuar një situatë e tmerrshme, ku jeta e çdokujt është e pasigurt. Nuk dua t’ia di se kush do të fitojë, dua të di nëse do të ndihemi ndonjëherë të sigurt si qytetarë të këtij vendi që jemi?
Faleminderit. Ju shkruajta nga ky fcb i rremë sepse sinqerisht nuk do ta merrja kurrë guximin të thoja se kush jam, me këtë situatë që është këtu. Respekt maksimal për ju doktor, zëri jonë nuk dëgjohet, shpresoj të dëgjohet zëri juaj”, shkruan qytetari.
Bandat e mbështetura nga e majta kanë filluar sërish terrorin ndaj zgjedhësve për të manipuluar dhe vjedhur votat. Vetë zyrtarët e lartë kanë nisur terrorin ndaj opozitës. Dy ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni, ka ushtruar dhunë ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni. Kryebashkiaku i Pukës ka urdhëruar shkatërrimin e biznesit të Hysenit për motive politike. Me urdhër të Gjonajt, forcat e Policisë së Rendit dhe të Policisë Bashkiake kanë rrethuar lokalin e kreut të fushatës së PD, Demir Hyseni dhe më pas kanë shkatërruar karriget dhe pajisjet e tjera.
Bëhet e ditur se policia ka ushtruar dhunë ndaj Demirit dhe ka marrë me forcë të gjitha karriget dhe tavolinat që ndodheshin në lokalin e tij. Dhuna dhe terrori ndaj shefit të shtabit të fushatës së Partisë Demokratike të Pukës, Demir Hyseni, është ushtruar për motive politike. Pas nisjes së fushatës zgjedhore, Hyseni është kërcënuar vazhdimisht nga trafikantët e drogës që të mos bëjë fushatë për Partinë Demokratike. Frika e humbjes së zgjedhjeve ka tërbuar PS-në dhe për këtë qëllim ka mobilizuar bandat në fushatën zgjedhore.

24-vjeçari qëllon me automatik në Pukë, terrorizohen banorët

Një 24-vjeçar nga fshati Gojan i Madh në Pukë ka terrorizuar banorët duke qëlluar me armë zjarri në ajër. Plot 46 gëzhoja model 56 janë konstatuar nga policia të shpërndara në mënyrë të çrregullt. Në pranga ka përfunduar shtetasi Martin Gjergji, 24 vjeç, banues në këtë fshat.
“Më datë 03.05.2017 jemi njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri në fshatin Gojan i Madh. Menjëherë në drejtim të fshatit Gojan janë nisur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor ku rezultoi se në lagjen Brigjë, fshati Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, Bashkia Pukë ku kanë konstatuar 46 gëzhoja model 56 të shpërndara në mënyrë të çrregullt në rrugën e shtëpisë së shtetasit Martin Gjergji”, sqaron Policia e Shtetit.
Sipas policisë, pas kontrollit të zhvilluar në banesën e këtij shtetasi dhe ambienteve përreth saj, u gjet e groposur një armë automatike model 56, 7 krehra, ku 6 prej tyre ishin bosh, ndërsa njëri kishte 25 fishekë brenda, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.