Teo Hernandez është një nga zbulimet e sezonit të fundit në kampionatin spanjoll të futbollit. Mbrojtësi 19-vjeçar, i huazuar nga Atletiko Madrid te Deportivo Alavesh, ka rënë në sy me paraqitjet e tij, aq sa Real Madrid ka vendosur të blejë kartonin e lojtarit duke paguar klauzolën e largimit prej 24 milionë eurosh të futbollistit për t’ia rrëmbyer “kushërinjve”.
Por ndoshta Zinedin Zidan duhet të fillojë të mendohet mirë nëse ia vlen ky investim, duke pasur parasysh karakterin e futbollistit francez, i cili mesa duket nuk ndjek edhe aq shumë rregullat.
Teo Hernandez pritej që të martën në grumbullim me përfaqësuesen U-21 të Francës, për të udhëtuar drejt Shqipërisë ku ka të planifikuar një miqësore me kombëtaren kuqezi të drejtuar nga Alban Bushi.
Por Hernandez jo vetëm që nuk është paraqitur në grumbullim, por as nuk ka njoftuar Federatën se ku është. Vetëm falë rrjeteve sociale është mësuar se ai gjendej në Marbela bashkë me disa shokë të skuadrës të Alavesh, pasi është postuar një foto ku shihet ai duke bërë plazh.
“Nuk kam asnjë shpjegim për këtë situatë për momentin”, tha trajneri i U-21 të Francës, Riopoll. “Thjesht kemi mbajtur shënime për këtë mungesë dhe në javët e ardhshme do të takohemi që ai t’i shpjegojë gjërat Federatës”.
Futbollisti i ardhshëm i Realit refuzoi të luajë ndaj Shqipërisë
Barcelona bën blerjen e parë

Trajneri i ri i Barcelonës, Ernesto Valverde është afër që ta realizojë transferimin e parë pas arritjes në “Camp Nou”. Sipas gazetës së përditshme sportive portugeze “A Bola”, Barcelona është afër transferimit të mbrojtësit të Benficas, Nelson Semedo. “A Bola” shkruan se Barcelona pritet të shpenzojë afro 50 milionë euro për reprezentuesin e Portugalisë.
Semedo ka një kontratë me Benfican deri më 2021, derisa kartoni i 23-vjeçarit nga klubi portugez vlerësohet 80 milionë euro. Semedo është transferuar në Benfica në vitin 2012 nga skuadra e vogël portugeze, Sintrense.
Albi Dokën e duan në Zvicër, Kroaci e Belgjikë
Lugano dhe Grasshopper në Zvicër, interes konkret për mbrojtësin e djathtë të Tiranës. Në finalen e kupës, 19-vjeçari u vëzhgua nga kroatët e Hajdukut dhe belgët e Gent. Ofertë 350 mijë euro për talentin e Tiranës, Albi Doka. Shpërthimi i talentit 19-vjeçar të bardhebluve nuk ra në sy vetëm në Shqipëri, por ka bërë bujë edhe jashtë kufijve. Kualiteti dhe garancia që ka dhënë në fushë në gjysmën e dytë të sezonit u shoqëruan me interesin e disa klubeve europiane për mbrojtësin e djathtë, ndërsa te Tirana ka ardhur edhe oferta e parë konkrete.
Nga Superliga zvicerane, Albi Doka kërkohet nga Lugano e ish-zv.trajnerit kuqezi, Paolo Trammezzani dhe sulmuesit Armando Sadiku, ndërsa në gjurmët e lojtarit është edhe Grasshopper. Gjithashtu, në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku Tirana fitoi 3-1 në kohën shtesë ndaj Skënderbeut, mbrojtësi u vëzhgua nga zbuluesit e talenteve të kroatëve të Hajdukut të Splitit dhe belgëve të Gent.
Në këtë sezon, Doka debutoi në çerekfinalet e Kupës ndaj Kukësit, të luajtur më 1 shkurt, duke regjistruar 4 ndeshje në këtë aktivitet. Aq mjaftoi që ai të kthehej në titullar fiks te skuadra e Josës, duke u aktivizuar edhe në 17 ndeshje të kampionatit. Oferta prej 350 mijë eurosh për kartonin e Dokës për momentin është lënë në “stand by” nga bardheblutë. Lojtari është shprehur se dëshiron të vijojë të luajë për ekipin edhe në Kategorinë e Parë, por shifra është e rëndësishme për buxhetin e klubeve shqiptare. Gjithsesi, më parë duhet përcaktuar projekti dhe rruga që do të ndiqen për të rikthyer Tiranën te lavdia.
Në një edicion që u mbyll me triumfin në Kupën e Shqipërisë dhe një biletë në Europa League, por solli zhgënjimin më të madh në histori, me skuadrën që për herë të parë ra nga kategoria, Albi Doka ishte padyshim një prej elementëve më pozitivë te bardheblutë.
Strakosha titullar te Lazio
Thomas Strakosha largon Federico Marchettin dhe Ivan Vargiçin nga Lazio. 22-vjeçari shqiptar, i cili rezultoi një nga suprizat më të bukura të këtij sezoni jo vetëm te skuadra bardhekaltër, por në të gjithë Serinë A i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij aq sa drejtuesit e Lazios kanë vendosur të prishin kontratat me dy portierët e tjerë që kanë në skuadër. Sipas asaj që raporton “Lalaziosiamonoi.it”, presidenti Claudio Lottito i ka dhënë ok-in, drejtorit sportiv Igli Tare për të larguar nga kryeqyteti italian, ish-portierin e përfaqësueses së kaltër Federico Marchetti dhe kroatin Ivan Vargiç, pasi edhe sezonin e ardhshëm ashtu si në pjesën më të madhe të sfidave të këtij edicioni titullar në portën e skuadrës bardhekaltër do të jetë Thomas Strakosha.
Në fakt, 22-vjeçari i përfaqësueses shqiptare do të ketë në krah një tjetër portier ekspert, të cilin Lazio do ta afrojë në këtë merkato, por edhe ky fundit do të bëhet pjesë e bardhekaltërve për të qenë zëvendësi i Strakoshës dhe për ta ndihmuar kuqeziun me eksperiencën e tij. Me 25 paraqitje në total gjatë këtij sezoni mes Serisë A dhe Kupës së Italisë, talenti shqiptar ka fituar jo vetëm zemrat e tifozëve të Lazios, por edhe besimin maksimal të trajnerit Simone Inzaghi dhe drejtuesve të klubit. Ajo paraqitje fantastike e Strakoshës në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit, ku portieri shqiptar evitoi një humbje me shifra shumë të thella për Lazion, do të kujtohet gjithmonë si nga sfidat, ku 22-vjeçari shqiptar u konfirmua si një portier me cilësi të jashtëzakonshme.
Basha: Do të jem Kryeministri i ekonomisë
-Kanë qenë ditë intensivë. Do të doja ta nisja me disa foto që erdhën nga Shkodra. Eshtë e vërtetë, që janë ngritur foto të Jozefina Topalllit, si i pritët ju këto?
Unë i shoh për herë të parë këtu në studion tuaj. Mitingu ishte i jashtëzakonshëm, me mbështetës të PD, besoj pamjet janë të plota. Eshtë live i gjithi. Kështu që mitingu flet vetë, pjesëmarrja flet vetë. Angazhimi i shkodranëve për fitoren e Republikës së Re më 25 qershor daton që prej lëvizjes së 18 shkurtit dhe unë jam jashtëzakonisht i entuziazmuar nga forca dhe vendosmëria që shkodranët e bashkuar demonstruan sot në mbështetje të ekipit fitues timit, dhe natyrisht dhe ekipit fitues të Shkodrës në zgjedhjet e ardhshme.
-Megjithatë nuk i shmangemi dot pyetjeve në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë. Sigurisht, pjesa më e rëndësishme është ajo që çuat përpara në KQZ që është dhe pjesa fituese, ose vendet e sigurta ku ra në sy largimi i shumë veteranëve, kritikëve natyrisht dhe paralelisht dhe me promovimin e të rinjve, një pjesë e panjohur ama dhe një pjesë tjetër e lënë jashtë nga të rinjtë. Kryetari i FRPD, ose Enno Bozdo, Jamarbër Malltezi, pra janë shumë njerëz që janë lënë jashtë. A ka një shpjegim racional dhe real pse e bëtë këtë ndryshim, pasi thuhet se nuk jeni në rregull me PD-në vetë.
Faktet tregojnë të kundërtën. Lista është përshëndetur dhe pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm jo vetëm nga demokratët, baza e PD, nga opozitarët, por edhe nga publiku i gjerë. Nga akademikët, shoqëria civile nga media. Më lejoni të jap ca shifra, të cilat tregojnë se sa i thellë është ndryshimi në listën përfaqësuese të PD dhe ekipit fitues të vitit 2017-të. Ne kemi 41 gra, në 140 kandidatë, kemi 82% të kandidatëve që nuk kanë qenë kurrë deputetë, kemi 42% të rinj nën moshën 40 vjeç dhe 32% nën moshën 35 vjeç. Pra, nga pikëpamja e ripërtëritjes kjo është një listë që përfaqëson dëshirën, kërkesën e kohës, kërkesën e qytetarëve për daljen e PD-së me një ekip të ripërtërirë, me një ekip ku fillon e gjen zbatim një nga parimet themelore të demokracive perëndimore, ku nuk ka njerëz të përjetshëm politik, dhe ku ka qarkullim elitash duhet të ketë njerëz të rinj që qarkullojnë në politikë. Në qoftë se nuk hapin vende për të rinj, atëherë ku do ta mësojnë. Padyshim, që në këtë listë ka njerëz që vijnë për herë të parë, ka 26-vjeçarë të cilët janë të promovuar si në aspektin e tyre politik, ashtu dhe në aspektin e tyre qytetar, si në çadrën e lirisë dhe gjatë aktivitetit opozitar. Kemi njerëz akademikë, njerëz të përvojës në lista, Valentina Dukën dekanen e Fakultetit Filologjik, Romeo Gurakuqin, një figurë do të thotë e përmasave ballkanike dhe europiane, sa i përket rekordit të tij. E vërteta është kjo që ndryshimi është zhvillim është përparim, çdo institucion në veçanti partitë politike e kanë të vështirë të përqafojnë ndryshimin, ndaj edhe PD e ka përqafuar ndryshimin dhe është paraqitur me një listë fituese, e cila absolutisht përfaqëson ekipin më të mirë, ekipin më përfaqësues të shqiptarëve dhe vlerat më të mira të shoqërisë. Një gjë është e vërtetë, premtimi që i thashë shqiptarëve se ky do të jetë një ekip përfaqësues i vlerave. Ky është një ekip përfaqësues i vlerave, nga Jugu në Veri, nga njerëzit me më shumë përvojë dhe deri më të rinjtë në politikë. Eshtë ekipi i Republikës së Re.
-Unë hyj tek ata që pashë më shumë gjëra pozitive sesa të kritikueshme në listën tuaj, sepse në parim është një listë e re. Megjithatë ka disa dilema, e para ajo e grave, që jeni gjobitur për numër të pamjaftueshëm të grave në listë?
Gratë e vendosura në listat e PD, dy prej të cilave kryesojnë qarqe si Korça dhe Dibra dhe shumë të tjera që janë në listën e Tiranës, të cilat janë të gjitha të vendosura në pjesën e parë të listës. Po kështu në Durrës nuk kemi pritur të bëjmë rreshtimin ligjor, në Vlorë nuk kemi pritur të bëjmë rreshtimin ligjor, dhe Lezhë ku nuk kemi pritur rreshtimin ligjor. Gratë janë numri dy në këto tre qarqe. Kjo tregon që për ne rëndësi ka patur vendosja e zonjave vajzave të spikatura, në pozicione të qarta të promovuara dhe kjo ka shumë rëndësi. Numër, shumë e për lumë ka patur çdo parti, ka patur edhe Edi Rama e patë se çfarë ndodhi me gratë e Lezhës. Pasi iku Mimi Kodheli për t’u bërë ministre, njëra pas tjetrës u spostuan për t’i lënë vend personave me rekorde kriminale. E rëndësishme që gratë në listën e PD kanë përfaqësimin më dinjitoz më numërik, padyshim, por dhe më cilësor ndër vite. Në ekipin fitues të PD, në grupin e ardhshëm parlamentar dhe padyshim në qeverisjen e ardhshme do të ketë më shumë gra seç ka patur ndonjëherë në histori që nga themelimi i PD. Lista është listë elektorale, mund të kesh njerëz me kontribute të spikatura, apo njerëz me kontribute të veçanta, siç përmendët ju drejtuesit e strukturave organizative, drejtuesin e Forumit Rinor të PD, që janë pjesë e stafit tim të stafit të fushatës. Partitë moderne funksionojnë në këtë mënyrë….
-Premtuat që do të fusni një model amerikan…?
Organizimi është organizim, mozaikun elektoral është mozaik elektoral. Natyrisht ka pasur shumë personalitete që kanë mbetur jashtë listës, zgjedhja ka qenë e vështirë, vendimi ka qenë i vështirë, koha ka qenë e kufizuar, por vendimi është i drejtë, është vendimi që do merrja në çdo rrethanë, është vendimi im dhe unë i qëndroj totalisht këtij vendimi.
-Kjo listë është prova më e mirë që këto zgjedhje janë basti juaj. Vërërtetë janë 82 për qind prurje të reja, por me cilin kriter janë përzgjedhur. Ju jeni i ardhur në politikë në vitin 2005, por politika kërkon të bësh dhe atë gavetën atë zborin. Ndërkohë që PD i kishte femra që mund të ishin përfaqësuese si Znj Topalli, Znj Bregu, por këtu dalim tek dilema. Mos me këtë listë me një gur keni vrarë disa zogj. Zhdukët disa zogj kritik brenda partisë tuaj, ndaj jush personalisht?
Kjo është një fabul e ndërtuar plotësisht, le të themi nga disa persona të interesuar, sigurisht me një axhendë të caktuar ndaj Lulzim Bashës. Tek lista e të larguarve ka depuetë që më kanë kundërshtuar, ka deputetë që kanë qenë mbështetës total të kryetarit të PD dhe betejave të mia. Fakti që janë jashtë liste nuk tregon se unë jam hakmarrës ndaj njërit apo mosmirënjohës ndaj tjetrit. E dyta, nuk është se erdhi dikush t’i zerë vendin dikujt tjetër. Nuk është kështu, janë dy vendime të ndara. Një vendim është për persona që kanë shërbyer dhe kam shprehur mirënjohjen për një kohë të gjatë, ka ardhur koha dhe askush s’mund të jetë i përjetshëm në politikë. Dhe po kështu ka ardhur koha që persona të tjerë të promovohen, në bazë të vlerave që përfaqësojnë në bazë të fluskeve dhe komuniteteve që përfaqësojnë, dhe natyrisht do të testohen dhe në rast se testimi ecën me sukses, do të kenë një karrierë politike, por edhe ata nuk do të jenë të përjetshëm, siç do të jem unë i përjetshëm në politikë. Sepse cikli i përjetësisë politike merr fund me politikën e re. Ricklimi i elitave është parim themelor i demokracive perëndimore, nuk ka politikan të përjetshëm nuk ka elitë të përjetshme.
-Cili është kriteri që ju një pjesë të veteranëve të ish-ministrave i keni lënë jashtë, ndërkohë që keni vënë zotin Pollo e të tjerë. Keni vënë zotin Alibeaj, zotin Halimi në Berat, zotin Halimi në Lezhë. Pra, cili është kriteri që keni përdorur ju për të lënë jashtë njerëz që i përkasin të njëjtës epokë, të njëjtit formim?
Synimi nuk ka qenë të largojmë apo pastrojmë një gjeneratë, apo një gjeneratë tjetër. Por ka qenë një ndërthurje e përvojës me rininë, me kontributin ndër vite, me kontributin në fusha të veçanta veçanërisht në fushën akademisë, ekonomisë, inxhinerisë, të profesioneve të ndryshme. E përafqësimit thellësisht politik me përfaqësimin komunitar, pra, ka qenë ndërthurje e këtyre vlerave për të sjellë një ekip sa më përfaqësues, më përfaqësuesi sot në Shqipëri, një ekip vlerash të ripërtërirë, dhe padyshim një ekip që do të garantojë fitoren në 25 qershor.
-Megjithatë, njerëzit thonë. Ky është basti i Lulzim Bashës ky është ekipi i tij. Ju thatë që është një vendim i juaji, megjithatë fakti që në këto lista është Sali Berisha, për një pjesë të opinionit publik e ul besueshmërinë e opinionit publik. Pasi nëse ka një person që përfaqëson të shkuarën në sensin historik të fjalës është zoti Berisha, dhe atë ju e keni në pjesën fituese të listës së Tiranës.
Po ke të drejtë në këtë që thua, por Sali Berisha vjen aty si një kandiat për deputet i larguar nga të gjitha funksionet drejtuese, pa asnjë rol në vendimmarrjet drejtuese. Çfarë do lloj roli të kisha zgjedhur unë, primare siç do doja vetë, propozimet apo vendimet në Këshillin Kombëtar të PD të jesh i sigurt që Sali Berisha prap do të ishte në listë. Dhe në këtë kuptim. dua ta shikosh si një simbolikë të PD-së, të një njeriu që ka dhënë kaq shumë për demokracinë për ekonominë, për shkollat për pensionet spitalet, rrogat. Dhe në këtë kuptim, absolutisht me gjithë trashëgiminë me gjithë atë që përfaqëson, ai ka një vend në listë në grupin parlamentar si deputet i thjeshtë i PD-së, pa asnjë spunto për sa i përket rolit apo peshës në PD, sepse ai vetë është tërhequr nga ky rol. Edhe ky ka qenë vendimi im, absolutisht vetëm i imi, dhe siç ju dhashë është në kuadrin e harmonizimit të PD-së, kontributeve ndër viteve, të fytyrës dhe gjakut të ri, të aleancës me faktorët qytetarë që kërkojnë ndryshimin e vërtetë, me akademikë me profesionistë, gra e burra, djem e vajza të reja. Kjo është lista, është një mozaik qytetar 82% e tyre nuk kanë qenë më parë deputetë. Kjo tregon se PD ja ka dalë dhe unë ja kam dalë të bëj ndryshimin që u premtova qytetarëve.
-Ky premtim si u prit nga zoti Berisha? Pasi pas daljes së listave u sulmuat hapur dhe ashpër nga njerëz të afërt të ish-kryeministrit siç ishte zoti Gjergj Lezhja për shembull?
Unë nuk merrem me komente dhe me shpjegime, unë them diçka nga përvoja ime dhe që ma dikton. Vendimet janë të vështira, por janë vendimet e duhura. Unë i kam marrë këto vendime i kam marrë gjithmonë në interesin publik, të interesit qytetar të PD-së, dhe i kam marrë pa asnjë mëdyshje apo kalkulim se çfarë do të ndodhë, çfarë do më sulmojë dhe çfarë do të thotë. Ajo që qëndron është një listë e re, është një mbajtje premtimi ndaj qytetarëve për rinovimin e ekipit fitues të PD-së, ky është vendimi kjo është lista fituese, elektorati ka mirëpritur listën ky është një ekip fitues do t’i jap shqiptarëve ndryshimin që meritojnë pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
-A keni një koment për atë që nisi si lëvizje në fakt është ndërprerë tani, me lëvizjen Topalli-Imami
Nuk kam asnjë koment për listën përveç se asaj që ju thashë, ky është vendimi im, këto janë vendime të vështira, koha për këto vendime erdhi unë i mora dhe ja ku jemi!
– A keni akuzuar kryeministrin Rama se në listat e tij futi njerëz, afera, biznesmenë dhe lista juaj e Vlorës kryesohet nga një biznesmen, listën e Shkodrës ku u fut një tjetër biznesmen?
Agron Shehaj është një simbol i qytetit të Vlorës. Vjen nga një familje patriotike e hershme dhe me vlerat e vlonjatëve ka çarë si sipërmarrës në Itali dhe më pas modelin e kaloi në Shqipëri. Agron Shehaj është në atë listë për të treguar modelin e një sipërmarrësi të suksesshëm, sepse nuk ka nevojë për tendera. Ka me mijëra të punësuar në Tiranë dhe qindra të tjerë në listë. Ai është në krye të listës si model i suksesit, jo si biznesmen. Profesor Gjok Uldedaj është përfaqësues tipik popullor, i denjë që njeh hallet problemet dhe pjesë e ekipit tim sa i përket fushës së bujqësisë. Lista e PD është një listë vlerash e ripërtërirë.
– Kritikuat Henri Çilin si klientelist i politikës, por futët pedagogët e tij në listat e deputetëve?
Ata nuk janë njerëz të Henri Çilit, janë njerëz të Shqipërisë që kanë mbi të gjitha moralin. Profesor Romeo Gurakuqi, nuk është njeri i Henri Ccilit. Në do ta dish ti momenti që mbushu kupën Henri Çili është se e hoqi nga dekan i doktoraturave, sepse nuk pranoi të bënte shkrim kundër PD. Nuk janë njerëz të Henri Ccilit janë njerëz me moral të padiskutueshëm, secili prej tyre kanë integritetin moral që mund të mos e kenë parti të tëra në Parlament.
– Një nga tonet kryesore të 90 ditëve protestë në çadër ishte ajo kundër Sorosit, e megjithatë shumë nga këta “sorosianë” janë sot në listat tuaja?
Asnjë. Shiko unë nuk kam asgjë personale kundër Sorosit. Unë kam kundërshti me mënyrat okulte të influencimit politik. Nëse e bën Sorosi apo e bën një grup i caktuar fetar, apo ideologjik pak rëndësi ka. Kuptimi i demokracisë, siç e njoh unë nga kultura ime e të jetuarit në një nga vendet më demokratike të botës, e të studiuarit të modelit të demokracisë në Holandë, është se çelësi i demokracisë është transparenca, ndaj publikut, Në rast se duhet të marrësh vendime ndaj publikut, duhet të kesh transparencën, dhe që më pas të kesh legjitimitetin e mbështetjes popullore. Në qoftë se do të mbështetës politikanë, qoftë me para qoftë me ligje, qoftë me lobing, edhe quhesh OJQ kjo është e papranueshme. Sepse Edi Rama ka fituar në këto 27 vjet nga rrjetet sorosite në Tiranë, për të avancuar një axhendë puro politike të tijën, që nuk ishte në shumë raste axhenda politike e Shqipërisë apo e shqiptarëve. Ky është problem, nuk është problem asnjë individ asnjë emblemë. Problem është influenca okulte dhe jo transparente e njerëzve të Xhorxh Sorrosit në Tiranë në ndihmë të një personi politik siç është Edi Rama dhe një formacioni politik, që shpeshherë ka dëmtuar interesat e shqiptarëve, stabilitetin e shqiptarëve, interesat e Shqipërisë dhe ekonominë e vendit.
Çelësi i demokracisë është transparenca ndaj publikut, edhe lobing, edhe OJQ kjo është e papranueshme. Problemi është influenca jotransparente.
– A keni një reagim për akuzat e Lefter Maliqit?
I vetmi reagim them se ishte vendimi i duhur që mos ishte në krye të listës dhe do të ishte vendim edhe më i duhur të mos ishte në listë fare.
Kapen në makinën e kreut të PS dy trafikantë droge
Dy persona të kërkuar për trafik droge janë arrestuar pasditen e djeshme në qytetin e Kavajës në makinën e kryetarit të PS, në bazë të një aksioni të Forcave të Posaçme Operacionale të Tiranës. Sipas burimeve të policisë, të arrestuarit janë Ramadan Shabani 28 vjeç dhe Enred Duka 28 vjeç, të dy nga Kavaja. Bëhet e ditur se dy personat e arrestuar kanë qenë në kërkim nga policia. Dëshmitarët nga terreni thonë për Syri.net se, në momentin e arrestimit, dy personat janë kapur në makinën e kreut të PS-së në Kavajë.
Shabani dhe Duka kanë masë sigurie arrest me burg nga Gjykata e Kavajës dhe ishin në kërkim nga policia prej disa kohësh. Dy të arrestuarit janë dërguar në dhomat e izolimit në Komisariatin e Kavajës, ndërsa kreu i PS është lënë i lirë nga forcat e policisë.
Zyrtarët e Policisë, në fushatë përkrah kandidatëve të PS-së
Zyrtarët e Policisë së Gjirokastrës janë bërë pjesë e fushatës elektorale përkrah kandidatëve të Partisë Socialiste. Denoncimi është bërë nga ish-kryeministri Berisha, i cili ka publikuar në Facebook mesazhin dhe fotografitë e zyrtarëve të policisë, që bëjnë fushatë për PS të dërguara nga një qytetar nga Gjirokastra. Juristi i policisë së Gjirokastrës, Juljan Veizi, ka publikuar vetë fotot e mitingut me kryeministrin Rama njërën prej të cilave e shoqëron me nënshkrimin: “Të rinjtë ishin në podium me kryeministrin”.
“Pjesëmarrje aktive e policisë në fushatën elektorale në Gjirokastër! Qytetari dixhital denoncon me dokumenta këtë pjesëmarrje. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor. Ju uroj shëndet. Desha të denoncoj pranë jush si i vetmi zë i të vërtetës implikimin e policisë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste kundrejt postimeve në Facebook.
Juljan Veizi, juristi i policisë të Qarkut Gjirokastër jo vetëm që ka marrë pjesë në prezantimin e kandidatëve për deputet të PS nga Edi Rama në datë 22.4.2017, por dhe e publikon në Facebook, ku shprehet si pjesëmarrës dhe në koment poshtë fotos.
Gjithashtu, ai shpërndan postime të Partisë Socialiste dhe njoftime për mitingje të Partisë Socialiste qysh prej datës 30.1.2017 e në vazhdim.
Ajo që më bën përshtypje është se ka shok në Facebook dhe shefin e SHÇBA Gjirokastër, Vasil Kallucin, e vërtetuar dhe me foto, i cili megjithëse është njohur në vazhdimësi me këtë veprimtari të pastër politike që e ndalon ligji shpërdoron detyrën me të paktën 2 nene të Kodit Penal, shpërdorim detyre dhe moskallzim krimi.
Por është e kuptueshme që Vasil Kalluci shpërdoron detyrën për veprimtari politike të ndaluar nga ligji, pasi e ka shpërdoruar dhe për kanabizimin e Qarkut më të kanabizuar në Shqipëri, ku theksoi se pas ikjes së Sajmir Tahirit vetëm në Përmet që njihet si tokë e butë janë sekuestruar 13 ton kanabis dhe nuk është proceduar nga Vasil Kalluci, që e ka për detyrë, asnjë punonjës policie.
Kjo është policia socialiste që duam. Partia mbi Shqipërinë. Bashkangjitur po ju dërgoj dhe fotot dhe ju lutem t’i bëni thirrje ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm që pas verifikimit të marrë masa urgjente për të ndaluar këtë politizim ekstrem elektoral të policisë socialiste. Ju lutem anonim”, shkruan qytetari nga Gjirokastra.
Tashmë është më se e qartë se urdhri i kryeministrit Rama, që punonjësit e administratës publike nuk duhet të jetë pjesë e fushatës elektorale, ishte vetëm për ata të partive opozitare se për simpatizantët e PS-së, ky urdhër nuk ka aspak fuqi. Prej ditësh në fushatën e PS janë përfshirë jo vetëm punonjësit e administratës, por edhe ata të policisë së Shtetit, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Rama në vend që të dënojë këto akte të paprecedent merr në mbrojtje shkelësit e ligjit.
Parlamenti miratoi me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, gjatë takimeve me drejtuesit e Policisë së Shtetit, u ka bërë të qartë drejtuesve të policive në qarqe, se cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përfshihet në fushata, duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale. Zyrtarët e Policisë së Gjirokastrës që kanë bërë fushatë për kandidatët e PS përbën shkelje të ligjit ndaj ministri i Brendshëm duhet të marrë masa menjëherë ndaj tyre.
R.POLISI
Shkarkohet e paditet zyrtari i ZRVPP, u përfshi në fushatë
Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi shkarkoi dje nga detyra regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në (ZVRPP) në Shkodër, Mondi Ndou, pasi ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Ndou është kallëzuar në Prokurori nga ministri i Drejtësisë. Regjistruesi i ZVRPP ishte denoncuar, pasi merrte pjesë aktive në fushatë elektorale.
Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se, ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, shkarkoi nga detyra Regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër Mondi Ndou, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.
“Shkarkimi, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e Mondi Ndou, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin. Për këtë qëllim, ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të Prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Mondi Ndou, me detyrë Regjistrues në ZRPP Shkodër, ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 328/a të Kodit Penal.
Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. “Aktualisht, falë bashkëpunimit me qytetarët, Ministria e Drejtësisë ka në trajtim dhe verifikim një numër të konsiderueshëm rastesh, për të cilat do të shprehet pas përmbylljes së procesit të verifikimit. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.
Po ashtu, para tre ditësh u pezullua nga detyra drejtoresha e Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnjë, pasi kishte marrë pjesë në fushatën zgjedhore të PS, duke detyruar edhe mjekët e infermierët që të marrin pjesë në mitingun e Ramës në Fier. Shkarkimi është bërë nga ministri i Shëndetësisë pas denoncimit të këtij skandali në media.
Një ditë më parë u denoncua drejtori i OSHEE, Lushnjë pasi kishte dalë në fushatë për Partinë Socialiste sëbashku me deputetin Erion Braçe. Denoncimi është bërë nga kryetari degës së PD Lushnjë, Myslim Murrizi. Kreu i PD Lushnjë ka postuar edhe fotot në Facebook, ku duket drejtori i OSHEE së bashku me Braçen në fushatë. “Drejtori i OSHEE Lushnjë, sot në fushatë me deputetin e PS, Erion Braçe në njësinë Kolonjë, Lushnjë. Në orën 12:00 ky paguhet nga taksat e qytetarëve për t’iu shërbyer atyre, jo për t’i shërbyer partisë. Ndaj heziton Rama të emërojë drejtorët teknikë, sipas marrëveshjes, se i duhen lakejtë për fushatë”, shkruante Murrizi.
Në fushatën e PS po përdoren edhe mësuesit e maturantët. Në qytetin e Sarandës, Zyra Arsimore i përdor mësuesit për fushatën zgjedhore, duke kërcënuar me heqje nga puna kush nuk merr pjesë në takimin elektoral të PS. Astrit Llanaj edhe pse ka dy vite që ka dalë në pesion, prapë vazhdon të kërcënojë njerëzit dhe arsimtarët e qytetit të Sarandës. Kryeministri Rama po përdor edhe shkollat për mitingjet e tij elektorale. Lokalet e takimeve për shkak të përdorimit nga PS të klasave të shkollave, ato janë dëmtuar.
R.POLISI
Gjithë administrata e Delvinës dhe Sarandës ‘zbarkon’në fushatë
Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar përfshirjen e të gjithë administratës së Delvinës dhe Sarandës në fushatën zgjedhore të PS. Berisha ka publikuar ka publikua një lajm të portalit “Boom.al” duke e shoqëruar edhe me fotot e punonjësve të administratës të cilët bëjnë fushatë në orarin e punës. “Në narko shtetin e Noriegës të gjithë punonjësit e administratës janë pronë e Parisë-Shtet! Lexoni shkrimin dhe shikoni fotot e mëposhtëme!”, shkruan Berisha.
Vetëm një javë pas urdhërit të kreut të qeverisë për pezullimin nga puna të çdo punonjësi të administratës shtetërore që braktis ambjentet e punës dhe përfshihet në dëgjesat apo mitingjet partiake që do të kryhen gjatë gjithë muajit në kuadër të fushatës zgjedhore, kanë nisur edhe shkeljet flagrante të ligjit.
Në media rëndomë komunikohet se si janë shkarkuar nga puna shumë prej zyrtarëve dhe drejtorëve që kanë braktisur punën për t’u bërë pjesë e fushatës. Por, pasi janë kontaktuar nga gazetarët, punonjësit e shkarkuar kanë mohuar të jenë pushuar nga puna për këtë arsye.
Ndërkohë shumë prejt zyrtarëve që mbajnë jo vetëm poste drejtuese por edhe pozicione krejt të thjeshta në administratë janë parë duke marrë pjesë në këto mbledhje dhe mitingje. Çfarë ka ndodhur më konkretisht?
Burime për Boom.al tregojnë se ligji është thyer në ditë me diell dhe punonjësit e administratës jo vetëm që nuk ndodhen në vendin e punës, por e vazhdojnë traditën e ‘partito-kracisë’ duke ruajtur vendin e punës me një pjesmarrje në miting. E gjitha kjo është një valë e gjerë që prek thuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Për më tepër ju ftojmë të ndiqni fotot e mëposhtme. Kush janë socialistët e punësuar në administratë, që janë bërë pjesë e fushatës duke thyer ligjin dhe duke mbështetur dy deputetët socialist, Damian Gjiknurin dhe Alket Hysenin?
Në foto: Ilda Boci, në DSHP, specialiste e Burimeve Njerëzore, Jeta Sila në Zyrën e Punësimit, Brunilda Meleqi, Përgjegjëse Thesari dhe Skënder Memeti
Në foto: Arkan Duka, djali me syze, Dr i DPSHS Delvinë.
Në foto: Majko Majko, Zyra Arsimore Delvinë.