Patrice Evra ka kërkuar t’i ndezë ish-bashkëlojtarët e vet te Juventus, me një video të publikuar në Instagram. Mbrojtësi i Marseille, 36-vjeçar, zgjodhi Paolo Dybala-në, Mario Mandzukiçin, Leonardo Bonuccin, Dani Alvesin, Alex Sandron, Giorgio Chiellinin dhe Sami Khediran për t’ua dërguar nga një mesazh para finales së Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit të shtunën në Cardiff.
“Pak forcë para lojës së madhe. Dua që të gjithë ju ta tregoni më të mirën. Uroj që vërtet ta fitoni Champions League. Do t’ju dua përgjithmonë”, u ka thënë Evra drejtuar lojtarëve të Juventus.
“Kapiten, ia kemi arritur apo jo? Gigone!”. “Paolo, e dua maskën! Nuk e di se ku e ke lënë. Por mos më zemëro! Shënoje një gol, një siç ti di”.
“Mandzukiç, mos asgjë një javë para lojës. Nuk është mirë, nuk është mirë, e tmerrshme për një luftëtar”.
“Bonu, nuk e di nëse e ke pastruar fytyrën dhe dhëmbët. Dua të të shoh si ushtar si zakonisht”.
“Dani, luaj mirë, luaj mirë”.
“Alex, dua të jesh si tren. Vrapo para dhe mbrapa, para dhe mbrapa, siç e bëj unë”.
“Chiellini, dua ta luash gorillën. Mos lejo asgjë të të kalojë”.
“Në fund, mos më bëni të qaj djem”.
“I di, e di, Sami!”, ka përfunduar Evra.
Ndërkohë, Andrea Pirlo beson se Gianluigi Buffon e meriton ta fitojë Topin e Artë nëse Juventus e mposht Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve. Buffon është duke synuar që ta fitojë për herë të parë trofeun kryesor evropian për klube, teksa Juve është duke u përgatitur për finalen e së shtunës në Cardiff.
Pirlo, ish-bashkëlojtar i Buffonit te Juventus dhe kombëtarja e Italisë, ka thënë se portieri italian do të ishte fitues i denjë i Topit të Artë, nëse Juventus tregohet i suksesshëm. “Mendoj se po. Këtë herë mendoj se është viti i duhur”, ka thënë Pirlo për “Corriere della Sera” kur është pyetur nëse Buffon duhet ta fitojë Topin e Artë nëse Juventus triumfon ndaj Real Madridit.
Juve është duke u përgatitur për t’u përballur me Real Madridin në finale të Ligës së Kampione, e cila do të luhet të shtunën në Cardiff. Nga kampi i Juves vijnë indikacione se Max Allegri do të luajë me formacion 4-2-3-1. Por një lojtar që ka pak mundësi të paraqitet është Stefano Stuararo, i cili u lagua nga seanca stërvitore para kohe pas një problemi muskulor dhe raportohet se do ta humbasë finalen.
Patric Evra ndez lojtarët e Juves
Nis epoka “Spaleti”
Luçano Spaleti në stolin e Interit. Dhe me zyrtarizimin e trajnerit të ri pritet të nxehet edhe merkatoja e zikaltërve, nga e cila pritet shumë pas një sezoni të shëmtuar. “Gazzetta dello Sport” shkruan se objektivat për t’u korrigjuar këtë verë do të jenë mbi të gjitha nga krahët: Konti, Darmian dhe Vrsalijko janë idetë, por edhe më të shumtë janë emrat për sa u përket sektorëve të tjerë (Spaleti do të bëjë gjithçka në të njëjtën kohë për të mbajtur edhe Perisiçin, me Junajtid dhe Çelsin që kanë nisur ofensivën).
Por goditja e parë e Valter Sabatinit quhet Antonio Rydiger dhe sipas informacioneve të fundit gjermani e ka pranuar ofertën e Interit dhe është gati që të largohet nga Roma me destinacion Milanon. Për të është gati një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitonte 3 milionë euro neto në sezon.
Tani mbetet të diskutohet me Romën për vlerën e kartonit. Drejtori sportiv Monçi ka qëlluar shumë lart, duke kërkuar 40 milionë euro, por për të mbyllur operacionin oferta e Interit nuk i kalon 30 milionë eurot. Për uljen e pretendimeve nga kryeqytetasit mund të futet në lojë edhe transferimi i Kondogbiasë në “Olimpico”.
Por projekti i ri zikaltër ka në shënjestër një tjetër romanist, Razha Naingolanin. Oferta e “Suning”-ut për mesfushorin belg mund të arrijë deri në 40 milionë euro.
Por mesfushori i Romës është vetëpërjashtuar nga merkatoja, duke i premtuar besnikëri klubit: “Dua të qëndroj te Roma. Refuzova Çelsin vitin e shkuar. Spaleti tek Interi? Unë nuk di asgjë, por nga ana ime, dua të qëndroj dhe e kam thënë gjithnjë”.
KAS: Atletico nuk mund të blejë futbollistë në verë
Atletico e Madridit nuk do të mund të blejë futbollistë gjatë verës, pasi humbi edhe Apelin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës. Shkalla më e lartë e drejtësisë sportive vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Kontrollit dhe Disiplinës në FIFA, që pezulloi merkaton e Atleticos për një vit për shkak të kontratave të parregullta me lojtarët minorenë, pra duke mos i dhënë mundësinë që të afronte futbollistë gjatë merkatos së janarit dhe të verës për vitin 2017. Los Colchoneros vetëm mund të kthejnë në shtëpi futbollistët që janë dhënë në formë huazimi te klubet e tjera.
Atletico e konsideron vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv si të padrejtë, pasi nuk ka përdorur të njëjtat standarde për të njëjtat çështje, duke i shkaktuar një dëm të parikuperueshëm skuadrës.
Sikurse Atletico, edhe Realit të Madridit iu pezullua merkato për dy sesione, atë të dimrit dhe në verës së këtij viti, por në rastin e Los Blankos Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi uljen e dënimit, duke i lejuar kampionët e saposhpallur të Spanjës që të ndërhyjnë në merkato që këtë verë.
Pas këtij vendimi të KAS-it drejtuesit e Atleticos vështirë se mund të lejojnë largimin e lojtarëve më të rëndësishëm, veçanërisht të Antoine Griezmann, që kërkohet me ngulm nga Manchester United, pasi e ka të pamundur t’i zëvendësojë me lojtarë të të njëjtit nivel.
Benevento në finalen play off kundër Karpit
Do të jetë Karpi–Benevento finalja e play offit, që do të përcaktojë skuadrën e tretë që do të ngjitet në Serinë A për sezonin 2017-2018. Skuadra ka kampanja barazoi 1-1 në takimin e dytë ndaj Perugias dhe falë fitores 1-0 në fushës së saj në takimin e vajtjes pret biletën për sfidën më të rëndësishme të sezonit.
Deri në minutën e 81-të të këtij takimi kjo ndeshje ishte mbërthyer në barazim 0-0, por pikërisht 9 minuta para përfundimit të kohës së rregullt shënoi Puscas i Beneventos, finalizim që praktikisht i dhuroi kualifikimin sepse vendasve u duheshin 2 gola për të siguruar kualifikimin.
Në minutën e parë shtesë Nicastro barazoi shifrat, por në tre minutat e mbetura Periugia e pati të pamundur për të gjetur golin që do t’i jepte finalen.
Dy sfidat finale do të zhvillohen më 4 dhe 8 qershor.
Montella rinovon me Milanin deri më 2019
Vicenzo Montella rinovon kontratën me Milanin. Tre orë ka zgjatur takimi mes drejtorit të Përgjithshëm, Marco Fasone dhe trajnerit të kuqezinjve, ku në fund u arrit marrëveshja mes palëve për zgjatjen e bashkëpunimit edhe për një vit. Kontrata e re e trajnerit skadon më 2019. Njoftimi është bërë publik në faqen zyrtare të Milanit, në rrjetin social Facebook. Kontrata ka kënaqur Montellën, i cili edhe më herët ishte shprehur i gatshëm që të vazhdonte aventurën e tij në krye të stolit të kuqezinjve.
Duket se retë e dyshimit për një largim të mundshëm të teknikut nuk janë më. Prej kohësh 42-vjeçari ishte në pritje të këtij momenti dhe më në fund erdhi konfirmimi nga ana e drejtuesve të klubit. Se sa efikase do të jetë puna e Montellës në të ardhmen kjo mbetet për t’u parë. Ndërkohë nga ana tjetër Milani po zhvillon një merkato voluminoze nga ku kanë ardhur dhe zyrtarizimet e para. Për sezonin e ardhshëm, Vicenzo Montella ka një objektiv minimal të sigurojë Champions League, objektiv që do të lidhet edhe me të ardhmen e teknikut.
Ibra suprizë për tifozët e tij
Zlatan Ibrahimoviç i befason të gjithë. Luanët nuk rikuperojnë njësoj si njerëzit dhe e ka vërtetuar më së miri, sulmuesi i Manchester United, jo nëpërmjet ndonjë goli spektakolar ose veprimi akrobatik nga ana e Ibrës. Në një video të postuar nga vetë bomberi në Instagramin e tij shihet se si 35-vjeçari, as ai i dëmtim i rëndë në pjesën e gjurit nuk e ka mposhtur dot. Në video shihet qartë Zlatan, i cili ka nisur të bëjë veprimet e para me top dhe një gjë e tillë i ka lënë të gjithë me gojë hapur. Ende nuk mund të flitet për rikuperim në kohë rekord, por ndoshta nuk është e largët dita që gjiganti suedez do t’i rikthehet fushës së blertë.
Të paktë ishin ata që besonin se Ibra do të mund të luante sërish futboll, pati edhe nga ata që deklaruar se karriera e tij ka përfunduar pas këtij dëmtimi. Por në fakt një pjesë e mirë janë gabuar, sepse numri 9 nuk është nga ata personazhe të botës së futbollit që dorëzohet lehtë dhe një gjë të tillë ai, ia bëri të qartë të gjithë tifozëve të tij ku deklaronte: “Një gjë është e sigurt, jam unë ai që e vendos momentin kur duhet t’i jap fund futbollit”. Deklaratë gladiatorësh, e një kampioni të vërtetë. I çudit jo pak të pranishmit në finalen e Europa League, ku pas përfundimit të takimit, Zlatan zbriti në fushë me një vrapim të lehtë drejt shokëve të tij të skuadrës për të festuar fitimin e trofeut, pa ndihmën e patericave. Fare mirë ky rikuperim i pjesshëm në kohë rekord, mund të konsiderohet një tjetër trofe në karrierën e bomberit.
300 kv falas familjeve të varfra, 250 mijë lekë pensioni minimal
Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Vaun e Dejës. Basha tha se Republika e re do të jetë e njerëzve të thjeshtë dhe jo e një grushti oligarkësh.
“Çfarë është Republika e re?! E nesërmja e sigurtë do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për çdo pensionist shqiptar, do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe jo kjo lëmoshë mjerane që jepet sot. Pagesë të energjisë elektrike deri në 300 kilovat për çdo familje në nevojë, pagesë e faturave të ujit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. E nesërmja e sigurtë do të thotë shkolla me drekë falas për fëmijët shqiptarë. Republika e re do të garantojë brenda 4 viteve të para drekën falas për të gjithë fëmijët shqiptarë në sistemin arsimor publik dhe pas drekës aktivitete passhkollore deri në orën 16.00. Ju garantoj se në krye të 4 viteve, duke anuluar qindra milionë euro të Ilir Beqajt dhe Vilma Nushit me shokë, ne do të kemi më shumë shtretër në spitale, më shumë mjekë, mjekë më cilësorë, aparatura, ilaçet e nevojshme në farmacitë e spitaleve për të mos shkuar jashtë tyre”, tha Basha.
Ai u shpreh se ekonomia është rritur vetëm për miqtë e Edi Ramës, ndërsa për shqiptarët e thjeshtë është rënduar siç e tregoi edhe falsifikimi i shifrave të rritjes ekonomike.
“Edi Rama thotë se ekonomia është rritur, ju nuk e kuptoni. Sot në mëngjes vetë INSTAT-i, Instituti i Statistikave të Shqipërisë, i kontrolluar nga i emëruari i Ramës, tha se rritja ekonomike në këto vite është më e ulët se ajo që kishim shpallur. U detyrua të pranonte se rritja ekonomike që kishin shpallur ishte falsifikuar për qëllime politike. Këtë e thotë INSTAT-i, por s’ka nevojë ta thotë. Pyesni xhepat tuaj. Ju e dini më mirë se çdo institut, se çdo institucion kombëtar apo ndërkombëtar, se në çfarë gjendje është ekonomia juaj personale, ekonomia juaj familjare. Nuk ka nevojë as t’ua them unë dhe as Edi Rama. Por fakti se Edi Rama thotë se ekonomia është rritur dhe ju nuk e kuptoni është tregues se sa jashtë realitetit është njeriu që kërkon të jetë prapë kryeministër për 4 vitet e ardhshme”, tha Basha.
Kreu i PD u ndal tek rrënimi ekonomik i çdo familjeje shqiptare sot, ndërsa solli në vëmendje rritjen e taksave që varfëruan buxhetet familjare të shqiptarëve, ai përmendi papunësinë, ku në këto katër vite jo vetëm që nuk u hap asnjë vend pune, por numri i të papunëve u rrit edhe më tej. Basha tha se sot qeveria ka shkurtuar në mënyrë drastike listën e përfituesve të ndihmës ekonomike, duke i lënë shqiptarët të vuajnë në varfëri ekstreme.
“Ekonomia është shkatërruar, taksat janë rritur, papunësia është kudo plaga më e madhe, nuk ka punë, nuk ka lekë, çmimet e larta, taksat e larta, biznesi në faliment, shkollat keq e më keq, shëndetësia në pikiatë, ndihma ekonomike një tallje, sepse për ndihmën ekonomike të Vaut të Dejës do të mjaftonin të mos hanin një darkë vetëm një herë koalicioni i ngjalave dhe i peshkut, që tani nuk është më koalicion, se janë bërë copë-copë, edhe Vau i Dejës do të kishte ndihmë ekonomike, edhe shqiptarët do të kishin ndihmë ekonomike nëse ato para nuk do të shpenzoheshin për luksin e shfrenuar qeveritar. Kjo është e vërteta që prekim bashkë në këto katër vite, kjo është e vërteta siç ma keni treguar në fytyrat tuaja, lëkurën tuaj, në shpinën tuaj. Kjo është e vërteta, të cilës nuk i ikën dot asnjë njeri me mendje në kokë, por ka një njeri, i cili gjithë këtë fushatë e ka nisur për t’i ikur kësaj të vërtete. Ky po bën gjithçka që këtë fushatë vetëm për gjendjen ekonomike mos të flitet, vetëm për papunësinë të mos flitet, vetëm për korrupsionin të mos flitej”.
Rikthim tarifave doganore për prodhimet bujqësore të importit
Një program ambicioz në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë në tërësi. Kreu i PD, Lulzim Basha garantoi dje ngritjen fuqishëm të bujqësisë në Shqipëri. Ai foli për një program konkret mbështetjeje që synon subvencionimin e fermerëve përmes një fondi prej 100 milionë eurosh. Më konkretisht, Basha bëri të ditur se subvencioni do të parashikojë një kosto prej 50 mijë lekësh për dynym, ndërsa bëri të ditur se masa të tjera do të favorizojnë fermerët siç janë imputet, puna mekanike apo edhe rikthimi i tarifave doganore për prodhimet bujqësore që importohen. Kjo do të favorizojë prodhimet vendase në treg.
“Me Republikën e re 100 milionë euro subvencione, çdo vit për çdo familje fermere që do të thotë mesatarisht 50 mijë lekë për dynym, zerim të kostos mekanike dhe do të merremi po kështu me të gjithë pjesën tjetër të kostos së punës mekanike, me imputet, me plehrat, me infrastrukturën bujqësore, rrugët, kanalet vaditëse, sigurimin e tregjeve, në mënyrë që Shqipëria të kthehet në një gjenerator të fuqishëm të punësimit.
I frymëzuar nga shembulli i Presidentit Trump unë do të rikthej tarifat proporcionale doganore për të gjitha prodhimet bujqësore që vijnë nga jashtë Shqipërisë. Djersa e fermerit shqiptar do të barazohet me djersën e fermerit europian.
Ekonomia e fortë hap rrugën për një të nesërme të sigurtë, ku sistemi shëndetësor, i cili nuk premtoj se do të jetë falas, sepse nuk mund të jetë falas”, bëri të ditur Basha.
Fund shpenzimeve për luks qeveritar
Shpenzimet qindra milionë euro për luks qeveritar do të marrin fund. Basha deklaroi se taksat e qytetarëve do të përkthehen në shërbime dhe mirëqenie për ta. Duke e cilësuar ekonominë si në gjendje tejet katastrofike për shkak të keqqeverisjes Rama, Basha deklaroi se sot shqiptarët përballen me fasadat dhe nuk ndjejnë asnjë mbështetje për hallet e përditshme, të cilat janë varfëria dhe papunësia. Duke shpalosur programin ekonomik të PD, Basha deklaroi se qeverisja e djathtë që në ditët e para të saj do të ulë taksat duke vendosur taksën e sheshtë 9%, një masë që do të çlirojë ekonominë, do të lehtësojë bizneset duke nxitur automatikisht hapjen e vendeve të punës.
“Jemi këtu për të bërë bilancin e plotë të asaj që ti bëre dhe nuk bëre në këto katër vite. E vërteta është kjo që thonë shqiptarët. E vërteta është se ekonomia është katastrofë, Edi Rama nuk do ta kuptojë. Sepse që ta kuptojë është që sot të ndalë fushatën, të hapë krahun dhe të kërkojë falje. Të votosh për Edi Ramën i bie sikur të është prishur makina, ta çosh në garazh e ky ta kthejë me një dorë boje tjetër, pa ia rregulluar motorin. Se ky nuk do t’i fusë duart të bëjë punën e vërtetë, sepse për të Shqipëria janë fasadat, palmat, për mua Shqipëria jeni ju.
Unë do t’i marr vendimet e vështira, por të domosdoshme për ta çuar Shqipërinë në një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurtë, për çdo shqiptar e çdo shqiptare. Vendimet e forta, vendimet e duhura, për të cilat jam angazhuar dhe të parat i kam marrë me ekipin fitues të Republikës së re. Ishin vendime të vështira, por të domosdoshme, ishin vendimet që më takonin mua dhe i hapin rrugë të tjera vendimeve që u hapin rrugën Republikës së re.
Unë nuk do të harxhoj qindra milionë euro të taksave tuaja për luks të shfrenuar ku shqiptarët e thjeshtë vuajnë për bukën e gojë. Vendimi im i parë në funksion të ekonomisë së fortë do të jenë taksat e ulëta, ulja e TVSH, taksa e sheshtë 9% që do të çlirojnë qindra milionë euro në ekonominë shqiptare. Para që do të gjenerojnë punësim përmes investimeve kapitale private, do të gjenerojnë rritje të pagave, konsum të lartë dhe kështu do të nisë një cikël zhvillimi ekonomik. Miliona euro koncesione që do të anulohen”, tha Basha.
Anulim të gjitha tenderave dhe koncesioneve korruptive
Një nga vendimet e para të qeverisjes Basha do të jetë anulimi i të gjitha koncesioneve korruptive dhe tenderave abuzivë që në këto katër vite kanë zhvatur miliona euro nga paratë e shqiptarëve. Basha u premtoi qytetarëve se të gjitha paratë e koncesioneve do t’u kthehen shqiptarëve qindrakë më qindrakë. Basha premtoi se angazhimi i tij prioritar në qeverisje do të jetë forcimi i ekonomisë dhe krijimi i vendeve të punës.
“Vendimi im tjetër do të jetë që ato qindra milion që i çon për koncesione e për tendera për miqtë e tij do të shkojnë për të ndërtuar një urë për të rinjtë shqiptarë, një vit stazh të paguar me 200 mijë lekë në muaj. Për një vit çdo i sapodiplomuar, 10 mijë studentë, shqiptarët më të mirët. Unë do të punoj që ditën e parë për punësimin e të rinjve dhe të reja shqiptare.
Këta njerëz duhet ta dinë se koncesionet dhe tenderat korruptivë nuk do të kenë asnjë kompromis. Ditën e parë këto koncesione do të anulohen, këto pra do të shkojnë për të ndihmuar një sektor dhe kjo është bujqësia”, tha Basha.
Mashtrimi me 300 mijë vendet e punës në 2013, që përsëritet
Në vitin 2013 Edi Rama bëri një premtim të bujshëm siç ishte ai për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Ishte një nga premtimet, të cilit Rama do i mëshonte në çdo takim, madje premtonte se gjysmën e kësaj shifre do e hapte që në vitin e parë të qeverisjes. Por katër vjet pas qershorit të vitit 2013 jemi në një realitet tjetër. Premtimi i Edi Ramës rezultoi të ishte një mashtrim, i cili e ndihmoi jo pak në fushatë elektorale. Vendet e punës jo vetëm nuk u hapën, por edhe ato që ishin u mbyllën. Kjo si pasojë e një politike të mbrashtë që çoi në falimentimin e mijëra bizneseve të vogla, të cilat u detyruan të falimentojnë për shkak të rritjes së taksave, energjisë dhe politikave të tjera diskriminuese për biznesin.
Raporti i BB
Në fund të vitit 2016, Banka Botërore do të publikonte një raport për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, ku mes tyre ishte dhe Shqipëria. Në këtë raport janë analizuar të gjitha vendet e rajonit dhe punësimi i tyre nga periudha 2010-2016. Shqipëria dhe Bosnja janë dy vendet me rënien më të madhe të vendeve të reja të punës. Në Ballkanin Perëndimor viti 2016 ka numëruar rreth 5.8 milionë njerëz të punësuar, rreth 300 mijë më shumë se në vitin 2010. Por Shqipëria dhe Bosnja janë dy vendet e vetme, të cilat nuk janë përfshirë në rritjen e punësimit. Sipas Bankës, në Shqipëri vendet e reja të punës ranë me 2.4% në gjashtë vitet e fundit, ku tkurrja më e lartë u konstatua tek të rinjtë, ndërsa në Bosnjë me mbi 5 për qind. Raporti thotë se vendet e reja të punës u shtuan në mënyrë domethënëse në Serbi dhe Maqedoni, ku punësimi real u rrit me 11.2 dhe 12.5%. Banka mat punësimin real, duke mos llogaritur efektin e formalizimit, që në Shqipëri më 2015-n ka qenë mjaft i lartë, si rrjedhojë e aksionit antiinformalitet të ndërmarrë nga qeveria. “Shkalla e papunësisë shënoi rënie në të gjithë rajonin, përveç se në Shqipëri”, sqaron më tej raporti i BB. Grupet që nuk kanë përfituar nga rimëkëmbja modeste e punësimit janë personat me kualifikim të ulët dhe në veçanti të rinjtë me arsim të paktë. Pra, duket qartë se punësimi në Shqipëri jo vetëm që nuk është rritur, por ka pësuar rënie drastike.
Sërish mashtron
E megjithatë Rama dhe një herë nuk heq dorë nga mashtrimet, kur këmbëngul se vendet e punës janë hapur, madje me shifra të habitshme. Pak para hapjes së fushatës në ekranet e TV–ve do të dilte ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, për të mbështetur më tej mashtrimin e nisur katër vjet më parë. “Kemi thënë 300 mijë vende pune në ekonomi, kemi 183 mijë vende pune në sektorin jobujqësor. Në total, në ekonomi janë mbi 300 mijë vende të reja pune të krijuara”, ishte deklarata e çuditshme e Ahmetajt (në fakt duhet thënë deklaratë e pacipë, sepse është një gënjeshtër e hapur). Më tej, mashtrimin e parë e vazhdoi dhe me një tjetër kur tha se do të hapim dhe 220 mijë vende pune të tjera! Pra, pasi mashtroi në vitin 2013, në vitin 2017 Ahmetaj dhe shefi i tij në qeveri kërkojnë dhe të tallen me shqiptarët. Sot Shqipëria ndodhet në ditët më të zeza të saj, kur niveli i papunësisë ka kapur majat dhe shton dita-ditës njerëzit që jetojnë në kufirin e varfërisë. Dhe sërish Rama merr guximin që në takimet e tij të ripremtojë hapje vendesh pune, bërje shteti e të tjera si këto. Në fakt një fjalë e urtë thotë “ma hodhe herën e parë është faji yt, por po ma hodhe të dytën është faji im”. Dhe në këto momente kjo shprehje vlen tamam për këto zgjedhje. Rama përgjigjen do e marrë ashtu siç e meriton më 25 qershor.
Eksodi masiv i shqiptarëve në qeverinë Rama, shkak kryesor papunësia
Por mashtrimi i Ramës u duk qartë sidomos përgjatë viteve 2015-2016, kur ndodhi dhe emigrimi masiv i shqiptarëve. Rreth 70 mijë persona, forca më vitale për punë e vendit, iu drejtuan vendeve perëndimore me kërkesa azili ekonomik, duke vënë në rrezik dhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave. Një ndër shkaqet kryesore që u renditën në atë eksod, më të madhin që nga fillimi i viteve 90-të, ishte papunësia. Pamjet e ekraneve u mbushën me shqiptarë që mbushnin kampet e Gjermanisë dhe Holandës, të tjerë prisnin poshtë urave të Francës, për të gjetur një mundësi që të iknin drejt Anglisë. Në prill-majin e vitit 2015 Shqipëria do të renditej e dyta në Evropë për numrin e lartë të kërkesave për azil pas Sirisë, që është një vend në konflikt. Rama nga ana e tij, me paturpësinë më të madhe do të thoshte se ata që ikin drejt Evropës janë kryesisht shqiptarë të emigruar në Greqi, që largohen për shkak të krizës atje. Ndërkohë që ekranet e televizioneve jepnin përditë pamje se si zbrazeshin fshatra dhe qytete, si në fshatrat e Kukësit, Tepelenës, Dibrës, Elbasanit e Korçës kishin mbetur vetëm pleqtë, pasi pjesa e aftë për punë kishte emigruar. Në këtë kohë ai do të nxirrte dhe shprehjen e famshme që u bë hit për shkak të idiotësisë që mbarte në vetvete “punë ka po s’ka profesionistë”.
Rama rriti papunësisë, biznesi: Nuk përballuam faturat, më mirë pa punë se në burg
Falimentimi i bizneseve të vogla kryesisht, për shkak të taksave të larta dhe gjobave për atë që u quajt si lufta kundër informalitetit, janë dhe shkaku kryesor i mbylljes së aktivitete nga shqiptarët. Në një sondazh të publikuar nga “Monitor.al” jepet një fakt tronditës. Më shumë se 50 për qind e bizneseve të vogla janë mbyllur dhe aktiviteti është përqendruar tek aktivitetet e mëdha ose thënë ndryshe tek oligarkët e Ramës. Ja çfarë shkruante “Monitor” në prillin e këtij viti. “Gjobat dhe taksat e hapësirës vazhdojnë të mbeten një faktor për mbylljen e bizneseve sipas njerëzve të intervistuar gjatë sondazhit. Kleidon Duro, me aktivitet bar-kafe, tha se e mbylli biznesin pasi nuk po përballonte dot më taksat e larta, por edhe puna shkoi në zero. ‘Njerëzit u stepën kur qeveria filloi aksionin e famshëm. Tani unë jam i papunë’, tha kryefamiljari Duro. Edhe Florjan Koçeku tregoi se për shkak të rritjes së taksave, vendosi të pezullonte aktivitetin dhe të lëvizte jashtë. Taksat e larta ishin motiv edhe për zotin Arif Karafili. Arifi kishte një biznes të vogël, bar-kafe në zonën e Kinostudios ku, përveç se ishte vetëpunësuar, kishte punësuar dhe 5 punëtorë. Fillimisht tha ai – iu rrit taksa për hapësirën publike, rreth 50 mijë lekë, më pas çmimi i energjisë elektrike, fatura e ujit vinte nga 9 mijë lekë në 16 mijë lekë, si dhe u detyrua të sigurojë të gjithë punëtorët që kishte marrë në punë. Në total, pati rreth 100 mijë lekë në muaj kosto shtesë dhe e pa të arsyeshme që ta mbyllë. Arifi, 41 vjeç, i cili është edhe kryefamiljar, aktualisht është i papunë. Pyetjes se si i del për të mbajtur familjen Arifi e shmangu… Ferdinand Xhani, nga Durrësi, i cili kishte një aktivitet të tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore tha se kishte hapur një dyqan ushqimor përpara zgjedhjeve, duke zbatuar të gjitha rregullat. Por për shkak se kishte marrë një gjobë në masën e 50 mijë lekëve për mosafishim të posterit ku kujtohet tërheqja e kuponit kishte mbyllur aktivitetin. ‘E apelova, por nuk fitova. Tani jetoj falë ndihmës ekonomike të njerëzve që kam jashtë, tha ai’. Për situatën e vështirë të bizneseve, zoti Florian Arapi, avokat me profesion nga qyteti i Elbasanit, thotë se ‘keq të hapësh biznes, por më keq ta mbyllësh. M’u rritën sigurimet shoqërore, taksat… nuk po e përballoja dot më’, thotë Floriani. Vështirësi me inspektorët tatimorë ka hasur dhe Myslym Sinani, nga Patosi. ‘M’u bë jeta skëterrë, më rrinin tatimorët te dera si xhandarë. Kisha frikë se do të shkoja në burg. M’u bë puna stres. Tani rri pa punë’, tha zoti Sinani. Erion Plepi, me aktivitet tregtimi me pakicë në Fier, tha se për pamundësi ekonomike, për të shlyer një gjobë prej 30 mijë lekësh vendosi që të mbyllte aktivitetin. Edhe Elvis Osmani, i cili kishte një bar-kafe në Selitë, kishte mbyllur aktivitetin për shkak të pamundësisë për të paguar gjobën. ‘Mora një gjobë prej 50 mijë lekësh, të cilën nuk mund ta paguaja dot, prandaj e mbylla aktivitetin’, tha ai kur u pyet për arsyet e pezullimit të aktivitetit. Leonard Laçi, për më shumë se 10 vite, ofronte shërbime funerale në qytetin e Pukës. Një vit më parë, në kuadër të nismës për formalizimin, regjistroi biznesin në QKR. I pyetur nga ‘Monitor’ për shkaqet e mbylljes, ai deklaroi se pati rënie të aktivitetit. Falimentimi i këtij biznesi 10-vjeçar tregon se bizneset në Shqipëri janë aq të varfra, sa nuk mund të mbyllin as detyrimet. Tahir Vata, shofer nga qyteti i Kukësit, u detyrua të merrte licencë për shkak të porositësit të tij, Nika-Bl, për të kryer transportin e hekur-nikelit. Në historikun e biznesit të tij tregohet se është pezulluar dhe aktivizuar disa herë aktiviteti i tij, për të cilin ai tha se e bënte për të mos paguar sigurimet kur ishte pa punë. Fatmir Bastari vendosi që aktivitetin e këmbimit valutor, të cilin e kishte ushtruar prej vitesh në të zezë, ta formalizonte duke hapur një pikë këmbimi monedhash. Biznesi i tij mundi të mbijetonte vetëm për katër muaj. Fatmirit nuk i buzëqeshi fati, ai liston si arsye shumë faktorë, nga taksat deri në keqmenaxhim. Edhe Flori Trashi nga Durrësi, prej 5 vitesh operonte në grumbullimin e skrapit dhe tregtimin e tij. E formalizoi biznesin më 2015-n. Më pas e mbylli pasi nuk mund të mbyllte dot detyrimet. Tani është i papunë. Avni Tobli, kontabilist, ka kaluar në zyrën e tij rreth 550 biznese në pesë vitet e fundit, nga të cilat gati gjysma janë mbyllur. Zoti Tobli tha se 10% e bizneseve falimentojnë në mënyrë sistematike. Shpeshherë, shkak është menaxhimi i dobët, mungesa e inovacionit dhe konkurrenca e ashpër. Ndërsa, 40% të subjekteve për shkak të krizës. Pjesa tjetër, 50%, nuk kanë qenë ndonjëherë biznese të mirëfillta dhe janë pjesë e grupit të reformës për formalizim, të cilët regjistruan bizneset e tyre dhe duke mos ia dalë me pagesat e detyrimeve, sot po mbyllen”.
FOTOLAJM/ Urimi i veçantë i Lulzim Bashës për 1 Qershorin
Edhe pse ndodhet në fushatën elektorale, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka gjetur kohë për të uruar fëmijët për festën e tyre, 1 Qershorin. Basha ka zgjedhur një foto me vajzën e tij të vogël, Viktorian, për të uruar të gjithë fëmijët për festën bashkë me vajzën. Programi i PD parashikon një platformë të fortë mbështetjeje për fëmijët. Partia Demokratike premton drekë falas në shkolla për të gjithë fëmijët nga mosha 5 deri në 18 vjeç. Sipas platformës së PD, fëmijët do të rrinë në shkollë nga ora 8:00 deri në orën 16:00, pasi do të bëjnë edhe detyrat e shtëpisë. Gjithashtu, opozita premton se do të rindërtojë të gjitha shkollat në të gjithë vendin dhe rritjen e pagave për mësuesit.
Raiola: Donnarumma është Maradona i portierëve
Mino Raiola paralajmëron Milanin. Menaxheri i famshëm i futbollistëve, i është rikthyer edhe një herë tjetër, çështjes së lojtarit të tij, poriterit të Milanit Gianluiggi Donnarumma. Raiola e cilëson 18-vjeçarin si Maradonën e portierëve. Më tej ai shtoi se në ndjekje të gardianit të kuqezinjve janë plot 11 skuadra. Nëse do të qëndrojë apo jo tek Milan edhe për sezonin ardhshëm, kjo mbetet një dilemë. “Donnarumma nuk është as skllav e as robot. Ai vetëm mund të rritet profesionalisht dhe duhet ta lemë të qetë për këtë pjesë. Nuk duhet t’i ushtrojmë shumë presion. Ndoshta ai mund të rinovojë me Milanin, ndoshta jo. Janë 11 skuadra që e kërkojnë. Personalisht kurrë nuk i kam dhënë ultimatum dyshes Fassone-Mirabelli”, tha ai.
Kontrata aktuale e Giggi Donnarumma skadon në qershor të 2018 dhe për Raiolën ka ardhur koha që palët të ulen dhe të bisedojnë në lidhje me planet që kanë drejtuesit e Milanit për gardianin e portës së kuqezinjve.