27.5 C
Tirana
E premte, 18 Korrik, 2025

Investimet në rrugë, shkolla e spitale, më të ulëta edhe se më 1997

Shpenzimet që qeveria shqiptare kryen për investime kapitale, si rrugë, shkolla, spitale etj., në vitin 2016 rezultojnë më të ulëtat në 20 vitet e fundit, të matura në raport me prodhimin e brendshëm bruto (PBB). Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale ishin 59.5 miliardë lekë apo rreth 430 milionë euro, me një rënie prej gati 6% në vlerë absolute në raport me vitin e mëparshëm. Të matura si raport ndaj prodhimit të brendshëm bruto (asaj që prodhon ekonomia në një vit), investimet kapitale ishin 4% të PBB-së. Ky nivel është më i ulëti që prej vitit 1997, kur vendi u përfshi në një krizë kombëtare për shkak të rënies së skemës së piramidave, që prodhoi krizë civile dhe paralizoi vendin për disa muaj.
Niveli rekord i investimeve kapitale në dy dekadat e fundit është realizuar në vitet 2008-2009 dhe lidhet kryesisht me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Por, këto investime të larta çuan dhe në rritjen e borxhit publik që kërceu në 60% të PBB-së. Rritja e borxhit vijoi dhe në vitet e mëpasshme, ndonëse investimet kapitale u ulën, për të 72.66% të PBB-së më 2015-n dhe 71% më 2016-n. Pas vitit 2013, qeveria e majtë, në bazë të një marrëveshjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, mori angazhim për konsolidimin fiskal, por këtë ajo e ka arritur më shumë duke kursyer shpenzimet për investime, sesa në kahun e të ardhurave.
Më 2013-n, që ka qenë një vit elektoral, ka pasur një sfazim të realizimit të shpenzimeve kapitale, sipas muajve, teksa ato kërcyen në prill, përpara zgjedhjeve të qershorit, për t’u reduktuar pas periudhës tranzitore të ndryshimit të qeverisë. Por, edhe pas formatimit të kabinetit të ri qeveritar, niveli i shpenzimeve kapitale mbeti i ulët. Më 2014-2015, investimet kapitale kaluan nga Ministria e Financave në atë të Ekonomisë dhe ky tranzicion çoi në një ngërç të realizimit të tyre. Më 2016-n, investimet u rikthyen në Ministrinë e Financave, por sërish ato mbeten të ulëta.

Rënia e investimeve publike

Ndryshe nga vitet e mëparshme elektorale, investimet publike këtë vit nuk janë përshpejtuar. Të dhënat fiskale nga Ministria e Financave, tregojnë se plani i investimeve kapitale për periudhën janar-prill ishte 8% më i ulët se programi. Në fillim të vitit, qeveria parashikonte të investonte gati 16 miliardë lekë në 4 muaj, ndërsa shpenzimet e kryera ishin 14.4%. Infrastruktura rrugore këtë fillimviti është zëvendësuar nga ajo energjetike, për sa i përket rëndësisë së investimeve. Investimet në rrjet kryesuan investimet e këtyre muajve. Për sa u përket rrugëve, investimi kryesor vijon në segmentin Qukës-Qafë Plloçë, me një vlerë rreth 940 milion lekë. Investimet publike, ndonëse një burim i rëndësishëm për rritjen ekonomike kanë qenë të frenuara vitin e fundit, për shkak të angazhimit të qeverisë për konsolidimin e financave publike, ndërsa shumë më të frenuara janë në çdo fillimviti pasi projektet nisin me vonesë. E kundërta ndodh në vitet elektorale, kur zakonisht qeveritë kanë nxituar të injektojnë para në ekonomi, përmes përshpejtimit të investimeve.

Monitor.al

Varfëri në Malsinë e Madhe, banorët marrin borxh edhe për të blerë ujë

Fshati Qafë Gradë në Shkrel të Malësisë së Madhe prej më shumë se dy dekadash vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe atij për vaditje, çfarë ka shtuar varfërinë dhe i ka detyruar shumë nga banorët e zonës të migrojnë drejt zonave urbane. “Ka 8 muaj që nuk kemi asnjë pikë ujë dhe pse tubacioni është vënë vetëm disa vite më parë”, ankohet Fatmir Bruçaj, kryeplaku i fshatit. “E blejmë ujin me bote që kushton 7,000 lekë të reja dhe me të shtyjmë rreth 10 ditë. Kush ka makina shkon tek burgu i Reçit ku dhe ndodhet e vetmja çezme publike”, shpjegon ai. Kjo situatë duhet të ishte rregulluar në vitin 2012, kur Bashkia e Malsisë së Madhe investoi 12 milionë lekë për të shtrirë një tubacion që lidh fshatin me burimin e Rrjollit – i cili furnizon dhe qytezat e Koplikut dhe Bajzës. Por ky investim doli shpejt jashtë përdorimi sepse tubat e ujësjellësit u vendosën jashtë kushteve teknike. Pesë vite më vonë, ankesat e vazhdueshme të banorëve – të mbështetur nga organizata britanike “Oxfam”, kanë gjetur veshin e kryetarit të bashkisë Tonin Marinaj, i cili i ka premtuar t’i japë një zgjidhje problemit duke riparuar linjën e ujësjellësit, për të cilën banorët do të ofronin krahun e punës falas dhe një pjesë të kostos.
Por pasi bashkia ka prokuruar një pjesë të tubave për riparimin e ujësjellësit, ajo thjesht ia ka dorëzuar banorëve duke i kërkuar t’i bëjnë vetë punimet pa asistencë teknike, çfarë ka sjellë lëndime fizike të disa prej tyre, ndërkohë që sasia e tubave mbetet e pamjaftueshme për ta përfunduar projektin. E pyetur nga “BIRN” për mungesën e tubave, ndërmarrja e ujësjellësit e Bashkisë së Malsisë së Madhe u shpreh që sasia e tyre do të rivlerësohej. Ndërkohë, kryetari i bashkisë Tonin Marinaj vlerësoi se kërkesat e banorëve ishin të drejta, po për mungesë fondesh bashkia ishte e detyruar të kërkonte një ndërhyrje provizore deri në një zgjidhje përfundimtare.
Sipas një studimi të kryer nga “Oxfam”, në periudhën prill-korrik 2016-të, mungesa e ujit prek thellë jetën e banorëve të Shkrelit dhe ndikon në varfërinë e tyre. “Ne kryem një studim në zonë dhe përveç të tjerash… mungesa e ujit doli një nga problemet më të mëdha, si uji i pijshëm nëpër shtëpi, ashtu edhe mungesa e lerave për bagëtinë – bujqësia vuan, po ashtu”, thotë Andrea lo Iacono, drejtues i organizatës “Oxfam” në Shqipëri. “Rreth 76% e banorëve deklaruan se do të donin të mbillnin më shumë toka dhe të shtonin gjënë e gjallë, por nuk munden sepse nuk kanë ujë dhe kjo thellon varfërinë e tyre”, shtoi ai. Mungesa e ujit të pijshëm ka bërë që shumë të largohen dhe të kthehen vetëm për të vjelë prodhimet bujqësore- pasurinë e vetme që kanë. Kryeplaku Bruçaj tregon se nga maji deri në fund të nëntorit kur dhe përfundon vjelja e gështenjës -një nga burimet kryesore të jetesës, fshati ka rreth 1,400 banorë, ndërsa në dimër mbeten rreth 300.

Banorët transportojnë tubacionet me krahë

Edhe kësaj radhe, banorët kanë çuar me krahë në mal tubacionet në një largësi 4.5 kilometra dhe kanë nisur punimet pa asnjë asistencë nga ujësjellësi, në kundërshtim të plotë me ligjin. Bashkë me kryeplakun, banorët tregojnë se janë munduar shumë duke i ngjitur në krahë në mal tubat nëpër një terren shumë të thyer. Kryeplaku Fatmir Bruçaj tregon se disa nga banorët kanë pësuar lëndime të ndryshme fizike, pasi janë rrëzuar dhe kanë dëmtuar duart duke punuar për të shtrirë tubin pa vegla të përshtatshme. “Oxfam” i ka dërguar menjëherë një letër zyrtare drejtorit të ujësjellësit, për dijeni kryetarit të bashkisë, si me e-mail ashtu edhe me postë. Po ashtu i është telefonuar disa herë personit që kryebashkiaku caktoi si koordinator. “Nga çdo familje ka pas një person që ka bërë punë vullnetare dhe ne kemi nisur ta shtrijmë tubacionin pa ditur asgjë nga kjo punë, pa vegla, as asistencë. Kemi bërë aq sa kemi mundur dhe ia kemi dalë të zëvendësojmë vetë 200 metra ujësjellës, pra shumicën e punës. I kemi kërkuar vazhdimisht ndihmë ujësjellësit gjatë gjithë kësaj kohe, por nuk kanë ardhur”, shpjegon Bruçaj.
Vetëm më 27 maj, 5 ditë pas dorëzimit të tubave, ndërmarrja e ujësjellësit ka dërguar punonjësit e saj për të punuar me banorët. Por kjo ka zgjatur vetëm disa orë dhe punimet janë ndërprerë pasi tubacionet e blera nga ndërrmarrja nuk kanë mjaftuar. Zëvendësdrejtori i ujësjellësit u ka thënë banorëve se vetëm më 30 qershor do t’iu kthejë përgjigje nëse do të blihen edhe 100 metra të tjera tub, aq sa duhet për të përfunduar riparimin. Nëse kjo nuk ndodh, riparimi lihet me kaq. Banorët janë zhgënjyer shumë. Ndërkaq, ata nuk ishin entuziastë as për vetë riparimin sepse ishte një zgjidhje e përkohshme, që do t’iu sjellë sipas përvojës së tyre vetëm 15 minuta ujë për shtëpi një herë në tre ditë, nëse përfundon. Përveç kësaj, sërish tubacioni i zëvendësuar shtrihet sipër tokës, mbi shkëmbinj e mbi shkurre ku nën ndikimin e faktorëve atmosferikë tubi çahet. I pyetur nga “BIRN” drejtori i Ndërrmarrjes së Ujësjellësit në Malësi të Madhe Flauers Shoshi, tha se përfundimi i riparimit të tubacionit do të realizohet.
“Është e vërtetë se ai nuk ka mjaftuar, por inxhinjerët tanë do të shkojnë në vend dhe do të bëjnë relacionin e procesverbalet përkatëse dhe do të kryhen veprimet e duhura”, tha Shoshi. Lidhur me këtë situatë, kryetari i bashkisë Tonin Marinaj shprehet se është vënë në dijeni nga “Oxfam” që ka mundësuar një takim me banorët.  “Kërkesat e tyre janë shumë të drejta pasi mungesa e ujit në këtë zonë është një njollë e errët që duhet zhdukur”, tha Marinaj. “Situata e furnizimit me ujë nuk është e mirë. Po kërkojmë zgjidhje provizore deri në mundësimin e një zgjidhjeje përfundimtare, e cila kërkon kohë dhe fonde. Duhet një investim i qëndrueshëm. Ne e kemi ndër prioritetet tona”, përfundoi ai.

70% e banorëve trajtohet me ndihmë ekonomike

“[Rreth] 70% e banorëve këtu trajtohet me ndihmë ekonomike. Ka prej tyre që marrin borxh për të blerë ujë”, thotë Bruçaj. Ali Vukaj, një banor i moshuar i lagjes Doç të fshatit Qafë Gradë, kujton se deri në vitin 1990-të, fshati është furnizuar me ujë tre orë në ditë dhe furnizimi bëhej nga Kroi i Kolhjekës në Bogë. Por pas rënies së regjimit komunist ujësjellësi u amortizua dhe u prish. Sipas banorëve investimi i fundit në rrjetin e ujësjellësit në vitin 2012-të dështoi sepse tubacioni që ngjitej në mal nuk u shtri brenda në tokë, ndërkohë që tubat e përdorur ishin jashtë kushteve teknike dhe jo siç ishin parashikuar në projekt. Projektuesit kishin përcaktuar që duhen përdorur tuba me shtypje 12 deri në 16 atmosferë, ndërsa u vendosën tuba me shtypje 6 atmoferë. Kjo bëri që ato të shpërthejnë në disa vende, pasi lartësia është e madhe dhe terreni i thyer dhe malor. “Një vit patëm ujë rregullisht, më pas tubat u çanë në shumë vende”, tha Ali Vukaj. “Nuk po kërkojmë luks, por ujë për të pirë”, shtoi ai. Nevoja e madhe e banorëve dhe mosreagimi ndaj kërkesave të vazhdueshme për një të drejtë kaq jetike, shtyu “Oxfam” të nisë përçapjet për ta ngritur zyrtarisht këtë çështje me bashkinë dhe ndërmarrjen e ujësjellësit. Bashkë me banorët, tre javë më parë përfaqësuesit e organizatës bamirëse organizuan një takim me kryetarin e bashkisë ku është diskutuar për zgjidhje praktike me kosto të ulët. Sipas banorëve Marinaj premtoi se gjendja do të përmirësohej njëherë e mirë dhe linja e furnizimit me ujë do të rikonstruksionohej plotësisht. Ai caktoi një person nga bashkia që do të bënte të gjitha koordinimet e nevojshme me ndërmarrjen e ujësjellësit në mënyrë që, së pari të bëhej verifikimi i ujësjellësit në terren për të parë ku duhej ndërhyrë dhe për të përpiluar një preventiv. Banorët, nga ana e tyre, u zotuan për të bërë gjithë punën e mundshme fizike, si dhe të mbledhin vetë një pjesë të fondit. Ndërkaq, si zgjidhje emergjente, ndërmarrja e ujësjellësit hapi një tender për rikonstruksionin e pjesshëm të 300 metrave tubacioneve përmes Agjencisë së Prokurimit Publik, ku tek specifikimet teknike saktësonte se afati i fillimit të punimeve ishte brenda dy ditëve pas shpalljes së fituesit. Por punët në terren shkuan ndryshe nga ç’ishte premtuar. Më datë 22 maj, ndërmarrja ka shkuar në shtëpinë e njërit prej banorëve të fshatit, ku ka depozituar tubat e blerë dhe i ka thënë banorëve t’i çojnë vetë në mal dhe të kryejnë punimet. “Që nga viti 2012-të kur u vu linja e ujësjellësit, çdo defekt e kemi rregulluar vetë si kemi mundur, pa asistencë teknike”, tregon Selim Meti, një banor i Qafë Gradës.

Shqiptarët 7 ministri me Zaevin

Pas 11 vjet qeverisjeje me Maqedoninë, ka rënë pushteti i Nikolla Gruevskit të VMRO-DPMNE-së i përballur me akuza të shumta si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit, për qeverisjen autoritare me vendin, e në veçanti për ngjarjet e fundit të dhunshme në Kuvend.
Me 62 vota pro, 5 abstenime dhe 44 vota kundër, Kuvendi i Maqedonisë ka votuar qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev.
Qeveria e re përbëhet nga tri subjekte politike, Lidhja Sociale-Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët. Partitë shqiptare do të drejtojnë shtatë ministri, ndërsa do të kenë edhe dy poste të zëvendëskryeministrave, si dhe kryetarin e Kuvendit.
Zgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar i ka paraprirë një debat i ashpër dyditor mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Kreu i ri i qeverisë, Zoran Zaev, tha se kabineti i tij do të punojë për kthimin e normalitetit në vend, sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik, si dhe integrimin euroatlantik të vendit.
“Me zemër të hapur dhe besim të madh do të punojmë të gjithë së bashku, në interes të të gjithë qytetarëve, në interes të Maqedonisë tonë të përbashkët. Unë dhe kabineti im do të punojmë për bashkimin dhe jo ndarjen e popullit, do të punojmë për jetë më të mirë, për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet, për të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka deklaruar Zaev.
Ndërkohë, ish-kryeministri Nikolla Gruevskit në paraqitjen e tij para votimit të qeverisë drejtoi kritika të ashpra ndaj kabintetit të ri të Zaevit, duke e vlerësuar si rrënues të asaj që është arritur në Maqedoni gjatë qeverisjes së partisë së tij.
Gruevski kërkoi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare meqë siç tha është shkelur vullneti i qytetarëve që e nxori partinë e tij fituese të zgjedhjeve të 11 dhjetorit të kaluar.
Ai foli edhe për raportet ndëretnike duke thënë se VMRO-ja dhe ai personalisht asnjëherë nuk kanë bërë ndarje etnike duke i quajtur pretendimet e tilla si perceptime të gabuara.
Gruevski tha se pas presioneve të shumta nga populli, Zaev u detyrua që para se të merrte mandatin të jepte garanci se do të heqë dorë nga ajo që njihet si “Platformë e Tiranës”.
“Është mirë se ai nënshkroi se nuk do të mbështesë Platformën e Tiranës. Dua të përgëzoj edhe popullin, i cili plot 80 ditë protestoi kundër saj me qëllim që të ruajë unitarizmin e shtetit. Askush nga ne nuk luftonte që t’i shkurtohen të drejtat shqiptarëve pasi ata sikur edhe në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen do të kenë avancim të përdorimit të gjuhës së tyre”, u shpreh Gruevski.
Në emër të grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, deputeti Artan Grubi, tha se me zgjedhjen e qeverisë së re po përfundon edhe kriza politike në Maqedoni dhe se dëshmi për këtë sipas tij është programi qeveritar që ofron mirëqenie për qytetarët.
“Nuk ka mënyrë më të mirë të përfundimit të kësaj krize kaq të thellë se sa me një program të tillë qeverisës kaq premtues, program i cili premton integrimin në NATO dhe BE, me një program i cili premton sundimin e së drejtës, një program i cili premton rrumbullakimin e Marrëveshjes së Ohrit, nëpërmjet arritjes së barazisë gjuhësore në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë”, ka deklaruar Grubi.
Lëvizja Besa, që do të jetë opozita e re shqiptare votoi e përmbajtur me arsyetimin se edhe ky kabinet qeveritar, e në veçanti partia maqedonase nuk ka treguar gatishmëri për mbylljen e shumë çështjeve të hapura shqiptare.
Kjo parti kishte ofruar një dokument me disa kërkesa për ridefinimin e shtetit, si kusht për të qenë pjesë e qeverisë, por refuzimi i saj nga LSDM-ja sipas liderit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dëshmon se politikanët maqedonas ende nuk janë të gatshëm për një fillim të ri në Maqedoni.
“Nëse nuk kemi vullnet që ta ridefinojmë Maqedoninë, atëherë do të na ndodhë që në çdo dhjetë vjet të vihet në pikëpyetje ekzistenca e këtij shteti. Duke mos e njohur këtë ne arritëm në pikën më të keqe në të cilën ndodhemi sot, të kemi parti të pasura siç janë VMRO dhe BDI, por shtet të dobët dhe qytetarë të varfër”, theksoi Kasami.
Qeveria e re u votua më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor. Fituese e zgjedhjeve ishte VMRO-ja me dy deputetë më shumë se LSDM-ja, por lideri i saj Nikolla Gruevskit nuk arriti të formojë qeverinë për shkak se nuk gjeti partner tek partitë shqiptare, por edhe për shkak të rezultatit të ngushtë zgjedhor.

Atentat ish-ministrit të Shëndetësisë në Maqedoni

Ish-ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Nikolla Todorov, është qëlluar me armë zjarri përpara Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup. Lajmin e ka konfimuar policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Sulumesi është arrestuar dhe policia e ka dërguar në stacionin policor ku është marrë në pyetje.
Policia është duke punuar për të zbardhur rastin dhe do të kërkojë për më shumë informacione rreth të incidentit që ka ndodhur.
Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ai nuk ka qenë në punë dje, pasi ishte informuar rreth incidentit. Taravari ishte planifikuar të takohej me kabinetin ministror në orën 12:30.
Todorov ka qenë ministër i krahut të djathtë të qeverisë paraprake VMRO-DMPNE, të udhëhequr nga ish-kryeministri Nikola Gruevski. Burime jozyrtare nga partia e Todorovit kanë thënë se ai nuk është plagosur.
Burime policore u kanë thënë mjeteve të informimit se sulmuesi Lupço S. (1957) nga një fshat i Velesit kishte shtënë dy herë me revole ndaj ish-ministrit, por në incident nuk pati të lënduar. Sulmuesi është kapur menjëherë nga truprojet e z. Todorov dhe ai ndodhet në një prej stacioneve të policisë në Shkup. Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ende nuk dihen motivet e sulmit.
Zoti Todorov po shkonte në ministri për t’ia dorëzuar zyrën ministrit të ri të Shëndetësisë, Arben Taravari.
Qeveria e re e Maqedonisë u miratua me 62 vota pro, 44 kundër dhe pesë abstenime pas një debati prej dy ditësh në Parlament.
Formimi i qeverisë së re pritet t’i japë fund krizës politike që e ka mbajtur vendin pa qeverisje funksionale që nga viti 2015. Pas krizës që pasoi një aferë përgjimesh të qeverisë së ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Partia e këtij të fundit ishte në pushtet që nga viti 2006.

Vuçiç: Do jemi mes Lindjes dhe Perëndimit

Një ditë pasi formalisht dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dha të mërkurën betimin në postin e presidentit duke u zotuar për të punuar për paqen e qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa po punon për fuqizimin e forcave të armatosura të Serbisë.
Një ish-ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, Aleksandër Vuçiç shënoi një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 2 prill. Partitë opozitare që e kanë akuzuar atë për parregullsi në zgjedhje, planifikojnë protesta të mëtejshme, kundër siç thuhet, sundimit autokratik të tij.
“Ne duhet ta bëjmë rajonin të tillë që dallimet të jenë përparësi dhe jo themel i përleshjeve”, tha ai gjatë fjalimit përurues në Parlamentin serb, gjatë të cilit iu referuar luftërave të viteve të ‘90-ta gjatë të cilave ai kishte luajtur një rol aktiv si mbështetës i idesë së zgjerimit të kufijve të Serbisë.
Aleksandër Vuçiç ishte pjesë e Partisë Radikale serbe të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel. “Derisa bisedojmë me të gjithë, ne po ashtu duhet të forcojmë mundësitë tona mbrojtëse”, tha ai, duke theksuar qëndrimin se “Serbia nuk do t’i bashkohet NATO-s apo ndonjë aleance tjetër ushtarake. Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë, përfshirë edhe Kosovën si pjesë përbërëse të saj…”, tha ai gjatë betimit.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008, por është përfshirë në një proces normalizimi në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Si kryeministër ai ishte përsëritur se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Serbisë. Në të njëjtën kohë ai ka forcuar lidhjet me aleatin tradicional, Rusinë, e cila do të furnizojë Beogradin me avionë ushtarakë dhe tanke, duke nxitur shtim tensionesh në Ballkan.
Ai shkurtimisht përmendi dje integrimet evropiane duke theksuar se “askush nuk duhet të dyshojë në rrugën evropiane të Serbisë”. Ai tha se Serbia do të ruajë lidhjet me Rusinë e Kinën, por njëkohësisht do të përmirësojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara.
Duke folur para mbështetësve të tij të mbledhur para Parlamentit, ai u zotua për “ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë dhe të së ardhmes së fëmijëve tanë”.
Posti i presidentit është më shumë ceremonial në Serbi, por të mërkurën ai la të kuptohet se synon të luajë rolin udhëheqës në politikën serbe. Aleksandër Vuçiç, pasoi në këtë post ish-shefin e tij Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij pro ruse.

Zaev ndalon projektin Shkupi 2014

Teksa ministri i ri i Kulturës në Maqedoni lajmëroi ndalimin e plotë të rinovimit të kryeqytetit të njohur si Shkupi 2014, arkitektët thonë se shpresojnë që disa nga ndërtesat historike që morën fasada të reja, të kthehen në gjendjen fillestare.
“Duhet ta ndalojmë menjëherë Shkupin 2014 sepse çdo ditë, si nga kutia e Pandorës, prodhon monumente të reja, skulptura, rrugica dhe kolonada që askujt nuk i duhen, por ne të gjithë paguajmë një çmim të lartë për këtë”, tha ministri i zgjedhur i Kulturës Robert Alagjozovski për agjencinë e lajmeve “Makfax”.
Alagjozovski lajmëroi një rishqyrtim të plotë të projektit.
“Ne do të organizojmë një konferencë ndërkombëtare rreth projektit me synimin e zhvillimit të skenarëve të ardhshëm rreth tij. Do të jemi të kujdesshëm me zgjidhjet”, tha ai.
Projekti i madh i qeverisë që transformoi pamjen e Shkupit ishte ide e ish-qeverisë së drejtuar nga Nikola Gruevski. Ai përfshin dhjetëra ndërtesa të reja, qindra fasada, monumente gjigante, ura dhe vepra të tjera zbukurimi, frymëzuar kryesisht nga stilet artistike të Antikitetit.
Projekti është kritikuar gjerësisht për mungesë transparence dhe ka shtuar dyshimet se është bërë një mënyrë për të vjedhur paratë nga buxheti i shtetit. Nga çmimi i shpallur fillimisht prej 80 milionë eurosh, kostoja e pamjes së re të kryeqytetit tani është rritur në mbi 670 milionë euro, sipas një baze të dhënash nga “BIRN”.
Ish-kreu i Shoqatës së Arkitektëve maqedonas, AAM, Sanja Regenoviç-Jovanoviç tha se tani nevojiten disa rregullime. Ashtu si arkitektë të tjerë, ajo sugjeron të fillohet me kthimin e pamjes ish-moderniste të ndërtesës së qeverisë.
Ndërtesa e vitit 1970 krijuar nga arkitekti i njohur Petar Mulickovski mori një pamje radikalisht të re në vitin 2014, kur u mbulua me kolona të rreme, një timpanum, si dhe dritare dhe çati të dizajnuara për t’i ngjasuar Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Ajo kushtoi më shumë se 16 milionë euro, sipas të dhënave.
“Padyshim, kjo ndërtesë duhet të kthehet në gjendjen normale”, tha Regenoviç-Jovanoviç.
Ajo tha se pritej që të duheshin para dhe kohë për të korrigjuar disa gabime, “por ne nuk kemi zgjedhje tjetër nëse duam të tregojmë maturi dhe shtet”.
Ndërkohë, puna për projektin e nisur në vitin 2010 vazhdon edhe sot. Një rrotë gjigante po ndërtohet ende në një urë për këmbësorë në lumin Vardar në Shkupin qendror. Autoritetet kanë filluar së fundmi ndërtimin e Bankës së re Qendrore, pavarësisht se ky institucion ka tashmë një seli të ndërtuar gjatë viteve 1970.
Pranë tij, autoritetet e udhëhequr nga qeveria e përkohshme e Emil Dimitriev, i cili i takon partisë së Gruevskit po përfundojnë selinë e re të Agjencisë Kombëtare të Pronave të Patundshme. Javën e kaluar, fasada u zbukurua me statuja gjigante bronzi të shenjtorëve.
Më 22 maj, elita e ish-partisë qeverisëse mori pjesë në një hapje gala të Filarmonisë së re maqedonase, e cila kushtoi pothuajse 40 milionë euro dhe është vetëm një nga disa ndërtesat me pamje moderniste që janë pjesë e projektit.
Kryeministri i zgjedhur Zoran Zaev, paralajmëroi se çmontimi i disa monumenteve gjigante dhe heqja e fasadave të reja nga ndërtesat historike do të ishte e kushtueshme dhe kërkoi durim deri në një analizë të plotë përpara veprimit.

Katastrofa e sulmit kibernetik

“NewsWeeek”

Një katastrofë epike kërcënon të “lëshojë” vdekjen dhe shkatërrimin mbi të gjithë botën, por nuk është rreziku, të cilit i frikësohemi shumica prej nesh – jo raketat që mund të lëshojë një autokrat i fryrë koreanoverior. Nëse doni të tmerroheni me të vërtetë, mendoni për sulmin global kibernetik të këtij muaji, si një lloj prove luftash, për llojin e “shuarjes” totale dixhitale që mundet – dhe disa thonë se do të vijë.
Ky moment ka jehona nga 100 vjet më parë. Në vitin 1918, lufta e parë e mekanizuar e botës dukej si gjëja më e keqe që kishte ndodhur ndonjëherë për njerëzimin. Ajo vrau 17 milionë njerëz në zonat e luftës. Duke nisur pikërisht teksa po përfundonte Lufta e Parë Botërore, epidemia spanjolle pllakosi kudo rreth planetit, duke vrarë 100 milionë njerëz, në çdo qytet, të madh dhe të vogël. Askush nuk ishte i sigurt prej saj dhe askush nuk e priste.
Një betejë bërthamore që përfshin Korenë e Veriut do të ishte e tmerrshme – ekuivalenti modern i Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, një sulm i madh kibernetik që ndërpret tërësisht çdo gjë dixhitale, do ta fuste botën në një kaos, që mund të shënonte fundin e shoqërisë sonë. Nuk mund ta përfytyrojmë atë pasojë, sepse kurrë nuk kemi parë një sulm të tillë. Ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden e ka krahasuar atë me paaftësinë tonë për të kuptuar pasojat e një bombe bërthamore, para se një e tillë të hidhej në Japoni. Mendësia jonë rreth luftës kibernetike, tha Hayden, “ngjason me vitin 1945. Është një klasë e re armatimi, e papërdorur ndonjëherë më parë”.
Si mundet që një bombë dixhitale të jetë më keq se një bombë reale? Së pari, shqyrtoni se si ne po shkojmë drejt një katastrofe, duke zhvendosur çdo aspekt të jetës dhe tregtisë në internet, në një kohë që s’kemi asnjë mënyrë, për t’i mbrojtur plotësisht këto sisteme. Është sikur të vendosësh familjen dhe të gjitha pasuritë e tua në një shtëpi, që si derë kryesore ka një perde berberi – në një zonë me krim të lartë dhe pa forca policore.
Prej një kohe të gjatë, ne jemi mbështetur në kompjuterë dhe softuere, për të komanduar sisteme të mëdha si rrjetet e energjisë, aeroportet, bankat, fabrikat dhe ushtritë. Tani, po investojmë miliarda për “Internetin e Gjërave” në shtëpitë tona, makinat, rrugët, lodrat, rrobat, kafshët shtëpiake dhe shumë më tepër. Këto pajisje ishin pika e dobët, që u bëri të mundur hakerëve vjeshtën e kaluar, që të rrëzonin kompanitë e mëdha të internetit si PayPal dhe Spotify në SHBA. Ne po e bëjmë pjesën më të madhe të punës tonë profesionale, gjatë këtyre kohëve, me softuerë dhe aplikacione, duke folur me kolegët në Slack, bërë pazar në Amazon, shkëmbyer në Tinder. Ne jemi në prag të mbushjes së rrugëve tona me makina me vetëngarje, ndërsa dronë robotë na sjellin pica. Të gjitha janë të ndërlidhura dhe të gjitha janë të brishta.
Ndërkohë, sulmet kibernetike vazhdojnë të intensifikohen dhe ekspertët e sigurisë nuk mund të qëndrojnë një hap para hakerëve. I fundit, në mes të majit, ishte më i keqi deri më tani. Virusi goditi në 99 vende. Ngriu spitalet në UK; infektoi Ministrinë e Brendshme të Rusisë dhe bankën më të madhe, Sberbank; mbylli disa pjesë të Telefónica në Spanjë; dhe miliona kompjutera Uindous në Kinë dhe Indi. Koreja e Veriut mund ta ketë nisur këtë sulm dhe shumë vende të frikshme, të mëdha dhe të vogla, po sponsorizojnë operacione gjithnjë e më të sofistikuara të piraterisë. “Ne dikur shqetësoheshim për Rusinë dhe Kinën, që godisnin infrastrukturën tonë”, thotë Steuart Baker, një ish-këshilltar i përgjithshëm për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, në një intervistë për Qendrën Kërkimore Pew. “Tani duhet të shqetësohemi për Iranin, Sirinë dhe Korenë e Veriut. Kush e ka radhën? Hezbollahu dhe Anonymous”.
Sulmet e vazhdueshme na kanë lënë me një ndjenjë frike amorfe. Na thuhet se duhet ta mbrojmë veten me enkriptim dhe autentifikim me dy faktorë, që nuk është inkurajuese. Është sikur të informohesh, se duhet të gërmosh një hendek rreth shtëpisë tënde dhe të vendosësh harkëtarët në çati, sepse po vijnë visigotët dhe askush nuk mund të të ndihmojë – kështu që, paçi fat!
Megjithatë sigurimi i shtëpisë suaj do të jetë i pavlefshëm në qoftë se një komb keqbërës apo një grup kriminal kryen një sulm që dëmton rrjetet globale dixhitale. Vetëm imagjinoni se si do të ndodhte kjo. Le të themi se jeni në një qytet.
Në një sekondë, nuk keni komunikim. Edhe në qoftë se laptopët tuaj dhe celularët punojnë ende, ata nuk mund të arrijnë në asgjë – as Gmail ose WhatsApp, ose Facebook. Presidenti Donald Trump nuk mund të shkruajë as në Tuiter për ta quajtur sulmin “të keq”!
Dilni jashtë dhe kuptoni se gjithçka është e zhurmshme, për shkak se semaforët janë fikur dhe transporti publik nuk mund të lëvizë. Aeroportet ndalin fluturimet. Edhe satelitët janë bërë të padobishëm – nuk mund të mbështeteni tek GPS për të gjetur rrugën.
Shkoni në dyqan dhe duhet të paguani vetëm me para në dorë, sepse pajisja për të kaluar kartat nuk do të funksionojë. Njerëzit zbrazin raftet, të shqetësuar për furnizimet që po mbarojnë. ATM-ja nuk funksionon dhe karta juaj e kreditit është e pavlerë pa teknologjinë ku mbështetet. Ju as nuk e dini, nëse llogaria juaj bankare është hakuar dhe zbrazur.
Tani, jeni të shqetësuar për ushqimin, ujin, sigurinë. Energjia elektrike ikën, për shkak të rrëzimit të sistemeve të shërbimeve. Policia është në rrëmujë, e mbingarkuar dhe e paaftë për të komunikuar. Sistemet spitalore shuhen. Pacientët në shëndet kritik, duke u mbështetur në pajisjet e automatizuara fillojnë të vdesin. Tregjet financiare ngrijnë dhe investitorët i kap paniku. Qeveria nuk mund të marrë informacion për njerëzit dhe mund të mos funksionojë fare.
Dhe kjo po ndodh në çdo qytet dhe çdo vend.
Sa kohë do të kalojë, para se njerëzit të kthehen kundër njëri-tjetrit? Para se të hyjnë në shtëpi që duken të pasura dhe të pajisura me ushqime? Para se armët të dalin nga kasafortat? Para se turmat të dalin jashtë kontrollit? Sa përkeqësohen gjërat, nëse sistemet janë aq të dëmtuara sa nuk mund të ndizen për javë, muaj, vite? Duket çmenduri, por një skenar i tillë bëhet më i besueshëm, me çdo sulm të përshkallëzuar në internet.
Ndërkohë që Trump dhe udhëheqësit e tjerë përqendrohen tek raketat, ne mund të shpresojmë vetëm që Kim dhe 20-vjeçarët e tij trushpëlarë, të fshehur në një bunker ushtarak, nuk e kanë zhvilluar armën e tyre të vërtetë të shkatërrimit në masë, në një MacBook.

Comey do të dëshmojë para Senatit

Drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey, planifikon të dëshmojë publikisht në Senatin e Shteteve të Bashkuara, për të konfirmuar, siç thuhet, deklaratat e mëhershme se presidenti Donald Trump i ka kërkuar të mbyllë hetimet mbi ish-këshilltarin e tij për siguri kombëtare. Michael Flynn po hetohet për lidhje të dyshuara me Rusinë.
Mediat amerikane raportojnë se Comey do të dëshmojë përpara Komitetit të Senatit për Inteligjencë javën e ardhshme.
Ky komitet është duke hetuar raportet midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe Rusisë, gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA, vitin e kaluar. Hetime të ndara po bën edhe FBI.
Vendimi i Trumpit për të shkarkuar Comey-n, muajin e kaluar, shkaktoi trazira politike dhe bëri që Departamenti amerikan i Drejtësisë të emërojë një këshilltar të posaçëm për të mbikëqyrur hetimet e FBI-së në administratën Trump.

Flynn do të bashkëpunojë me Senatin

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, Michael Flynn, ka rënë dakord të bashkëpunojë me Komisionin e Zbulimit të Senatit, duke i dorëzuar dokumente që lidhen me hetimin e tij mbi përpjekjet e Rusisë për të patur ndikim tek zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Zoti Flynn më parë pati refuzuar kërkesën për t’u paraqitur para komisionit dhe avokatët e tij patën dhënë si argument se kërkesa ishte shumë e gjerë. Komisioni i Senatit i dorëzoi një kërkesë më specifike zotit Flynn për t’u paraqitur. Ai pritet të dorëzojë disa dokumente personale dhe ato që lidhen me dy biznese të tij deri javën e ardhshme.
Komisioni i Zbulimit i Kongresit është duke kryer një hetim të veçantë për këtë çështje dhe të martën avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, nuk e pranoi një kërkesë për të dhënë informacione, duke thënë se ajo ishte shprehur “me fraza të varfëra, ishte tepër e gjerë dhe se ishte e pamundur për t’iu përgjigjur”. Departamenti amerikan i Drejtësisë ka caktuar ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller, si këshilltar special për të zhvilluar një tjetër hetim, mbi mundësinë e bashkëpunimit të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.
Presidenti Trump i ka mohuar të gjitha këto akuza dhe ai nuk e pranoi vlerësimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar që Rusia të ndikojë në fushatën e zgjedhjeve të nëntorit, me dëshirën për të ndihmuar që ato t’i fitojë zoti Trump.