Përmes një statusi në Facebook, Lefter Maliqi pjesë e listës së PD në Berat ka njoftuar dje se nuk do të pranojë të kandidojë për PD. Vendimi i Maliqit vjen një ditë, pasi ai kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin në PD që të ishte pjesë e listës së PD në vendin e tretë.
Jo më larg se dy ditën më parë, Maliqi ka dorëzuar pranë PD formularin e dekriminalizimit dhe sot, një ditë pas dorëzimit të atij formulari në mënyrë të pabesë, Maliqi deklaroi edhe se do të bëhej me PS në fushatë. Pra, nga njëra anë është regjistruar në listën për deputet dhe menjëherë më pas ka deklaruar se do të mbështesë PS. Kjo është e padëgjuar në historinë e fundërrinave të politikës shqiptare. Eshtë një rekord më vete.
Po çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 24 orëve, që Maliqi ka hartuar me kujdes planin si për t’u regjistruar në listën e PD ashtu edhe për t’u shitur tek Rama. Ajo çfarë ka ndodhur ka qenë pazari në mes të kësaj historie të pistë. Burimet konfirmojnë se Kryetarja e PS të Urës Vajgurore, Memaj, është bërë sekserja e një takimi mes Maliqit dhe Klosit. Klosi është kryesuesi i grupit të deputetëve në Beratit. Duke qenë se PS e ka të vështirë që të mund të fitojë në këtë qark, gjë që u provua dhe në zgjedhjet lokale, ku kandidati i majtë me vështirësi dhe manipulime mundi të sigurojë mandatin me 150 vota më tepër në fund të garës, atëherë ata kanë menduar se mund të funksionojë skema e blerjes së deputetëve që kanë pakënaqësi nga lista e PD. Duhet kuptuar se niveli i blerjes së votës në këto zgjedhje po kalon çdo parashikim, pasi nuk po blihen më vetëm votues, por tani po blihen edhe kandidatë për deputetë pa karakter.
Pazari për shitjen e Maliqit ka nisur prej ditësh, por ai ka mundur të konkretizohet gjatë orëve të fundit. Maliqi i konsideron votat e zonës ku kandidon sikur të jenë të tijat. Njerëzit për të konsiderohen si skllevër, të cilët i komandon ai vetë.
Disa pyetje përpara disa fakteve të reja për Maliqin. A përfitoi ai 300 mijë dollarët që të shesë votuesit në treg sikur të ishin skllevër?
A është kjo mënyra e reagimit të Maliqit si ajo e një tregtari skllevërish dhe jo njerëzve të lirë?
Maliqi duhet të dorëhiqet nga lista e PD dhe më pas, ai të mbajë qëndrimin që dëshiron në lidhje me zgjedhjet. Mirëpo, Maliqi nuk e bëri një gjë të tillë, pasi nëse do ta bënte atëherë do t’i iknin 300 mijë dollarët dhe kjo është pjesë e pazarit me Klosin.
Shitblerja!
Nëndrejtoresha e Tatimeve Balla në fushatë, shkeli ligjin
Elisabeta (Kadiaj) Balla, nëndrejtoresha e Tatimeve dhe gruaja e kryetarit të Partisë Socialiste Farkë, Dorjan Balla, bën fushatë për Partinë Socialiste. Ndonëse në orarin e punës, nëndrejtoresha është fotografuar në një takim elektoral të PS me gratë socialiste, në kundërshtim me ligjin. Vetë Rama deklaroi pak ditë më parë se cilido punonjës i administratës merr pjesë në fushatën zgjedhore do të dënohet sipas ligjit. Mirëpo, deklarata e Ramës ka qenë sa për fasadë, sepse ashtu si nëndrejtoresha e Tatimeve janë denoncuar edhe dhjetëra drejtues të tjerë në arsim, shëndetësi etj., që dalin në fushatë, ndërsa Rama hesht.
Ministrat përkatës duhet të marrin masa për t’i pezulluar nga puna dhe për t’i dërguar për ndjekje penale të gjithë nëpunësit që bëjnë fushatë për partitë politike. Ligji e ndalon pjesëmarrjen e nëpunësit civil, të çdo kategorie, në veprimtari politike dhe shprehjen publike të bindjeve apo preferencave të tij politike, si brenda ashtu edhe jashtë orarit zyrtar.
Neni 37 i Ligjit për Shërbimin Civil, në pikat 1 dhe 2 të tij, parashikon:
a) ndalimin e pjesëmarrjes se nëpunësit civil, të çdo kategorie, në veprimtari politike dhe shprehjen publike të bindjeve apo preferencave të tij politike, si brenda ashtu edhe jashtë orarit zyrtar.
b) faktin se specialistët, përgjegjësit e sektorëve dhe drejtorët e drejtorive mund të jenë anëtarë në një parti politike, por nuk mund të mbajnë pozicione drejtuese në këto parti politike.
c) faktin se anëtarët e kategorisë së lartë drejtuese (sekretarë të përgjithsshëm, drejtorë departamenti dhe drejtorë të përgjithshëm), nuk u lejohet që të jenë anëtarë në parti politike.
Ditët e fundit disa ministra kanë pezulluar nga puna dhe kanë paditur në Prokurori disa zyrtarë që janë përfshirë në fushatën zgjedhore të PS. Këto masa janë marrë pas denoncimeve publike që u është bërë drejtuesve të institucioneve dhe punonjësve të administratës që kanë marrë pjesë në fushatë.
Para tre ditësh inspektori i hetimit tatimor, Kliton Bistri u pezullua nga Ministria e Financave dhe iu ka kërkuar Prokurorisë procedimin penal për të, pasi kishte marrë pjesë në fushatë.
Bistri me atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi si dhe me udhëzimin e Kryeministrit, ka marrë pjesë në aktivitete partiake gjatë fushatës elektorale. Po ashtu, Ministria e Arsimit ka denoncuar me emra rastet e dyshuara për përfshirje të administratës së zyrave arsimore në fushatën zgjedhore.
Po ashtu, masa ka marrë edhe Mimnistria e Shëndetësisë. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnjë në fushatën zgjedhore u pezullua nga detyra nga ministri i Shëndetësisë, pasi ka marrë vetë pjesë në fushatën zgjedhore të PS dhe ka detyruar edhe mjekët e infermierët që të marrin pjesë në mitingun e Ramës në Fier. Shkarkimi është bërë nga ministri i Shëndetësisë pas denoncimit të këtij skandali në emisionin investigativ në “Ora News”.
Grupi i xhirimit ishte në Qendrën Shëndetësore nr.1 në Lushnjë, ku ditën e premte stafi i këtij institucioni brenda orarit të punës kishte shkuar në një takim elektoral të Partisë Socialiste në qytetin e Fierit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Në fakt, jashtë orarit të punës kjo është një gjë mëse e pranueshme dhe normale, por ajo që është shqetësuese është se, drejtoresha ka urdhëruar mjekët dhe infermierët të shkojnë në fushatë brenda orarit të punës.
Orari zyrtar i punës në këtë Qendër Shëndetësore është deri në orën 20:00 të mbrëmjes, por në orën 18:00, aty nuk kishte asnjë punonjës. Ndërkohë, kryeministri Rama ka nxjerrë një urdhër, sipas të cilit ndalohen burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli të marrin pjesë në fushatën zgjedhore të qershorit. Por nga një kërkim i bërë në rrjetet sociale, rezulton se disa prej titullarëve të institucioneve kanë postuar disa nga aktivitetet elektorale, një pjesë e të cilave janë zhvilluar në orarin zyrtar të punës.
Maturantët, në ekskursion në këmbim të votës për PS
Maturantët e Librazhdit janë dërguar në ekskursion nga kryetari i Bashkisë, Kastriot Gurra, në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi që i ka dërguar një qytetar nga Librazhdi. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se ekskursioni është organizuar nga Drejtoresha e Arsimit Librazhd, dhe kryetari i Bashkisë.
“Blerje vote në Librazhd me ekskursione në Narko-Republikën e Noriegës! Qytetarët dixhitalë denoncojnë blerjen e votës së maturantëve dhe mësuesve me ekskursione nga Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, mafiozi Kastriot Gurra. Ndrikullën, drejtoreshën e Arsimit në Librazhd, që në thyerje të tre ligjeve bën fushatë të pandarë nga kandidati për deputet i partisë kanabiste, Enver Shkurti. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tyre”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha. Jam një banor nga një zonë e Librazhdit dhe doja t’iu njoftoja për diçka se çfarë po bën kryetari legen i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra për të siguruar votat e maturantëve të shkollës “Muhedin Sherifi” në Polis-Gostimë të rrethit Librazhd. Maturantët kishin një ekskursion në Sarandë prej 2 ditësh dhe kryetari i Bashkisë u kishte dhënë nga 50 mijë lekë për person, dhe mësuesve dreka e çdo gjë të paguar. Dhe kur ishin kthyer dje nga udhëtimi një mësues që është njeri i afërt i Taulantit dhe i kryetarit të Bashkisë u kishte bërë presion nxënëseve që bëjeni mend mirë për votat se keni provimet mbrapa dhe keni me ngelë”. Anonim emrin zoti Berisha se nuk dua t’më hapen probleme”, shkruan qytetari.
Drejtoresha e Zyrës Arsimore të Librazhdit, Bardha Qatja, ka dërguar mësuesit në fushatë. Qatja është fotografuar në një miting të PS të organizuar nga Taulant Balla. Drejtoresha me mësuesit kanë shkuar në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, në kundërshtim me ligjin. Denoncimi është bërë në rrjetet sociale, ku janë publikuar edhe fotografitë e drejtoreshës me mësuesit në mitingun e PS të organizuar nga Balla.
Drejtoresha e Zyrës Arsimore, Bardha Qatja, ka marrë pjesë në fushatën elektorale edhe në prezantimin e kandidatit socialist, Enver Shkurti. Edhe pse ka një udhëzim të Ministrisë së Arsimit, që drejtuesit e administrates publike nuk duhet të përfshihen në fushatë, ajo nuk e ka zbatuar këtë gjë. Për më tepër, ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak dhe anëtare e Këshillit të Qarkut, pozicione nga të cilat duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Ajo ka edhe një vërejtje nga Ministria e Arsimit, dhënë një vit më parë pas skandalit në shkollën e Hotolishtit, ku u lëvizën të gjithë mësuesit nga puna. Drejtoresh tentoi të largojë mësuesit nga puna për të emëruar njerëzit e saj të afërt. Pas denoncimit të skandalit në media, Ministria e Arsimit u detyrua të anulojë vendimin e Drejtoreshës së Zyrës Arsimore, Bardha Qatja dhe të marrë vërejtje ndaj saj.
Skandalet e përgjegjëses së Zyrës Arsimore të Librazhdin nuk mbarojnë me kaq. Ajo la dy muaj pa rroga mësuesit e Librazhdit dhe të Prrenjasit në muajin nëntor-dhjetor të vitit të kaluar. Shkaku i mos marrjes së rrogave ishte punësimi mbi normën i militantëve të PS në arsim dhe për këtë shkak ishin harxhuar fondet. Mjaft militantë socialistë janë emëruar me urdhër të deputetit të PS, Taulant Balla në arsim mbi normën, ndërsa ata janë paguar jashtë planifikimit të pagave. Pas reagimit në media, drejtoresha u detyrua të firmosë urdhërin për pagat e mësuesve.
Por skandali tjetër, akoma më i madh është ai i mospagimit të sigurimeve shoqërore për 45 mësues.
Drejtori i OSHEE, Lushnjë fushatë me deputetin Braçe
Drejtori i OSHEE, Lushnjë ka dalë në fushatë për Partinë Socialiste sëbashku me deputetin Erjon Braçe. Denoncimi është bërë nga kryetari degës së PD Lushnjë, Myslim Murrizi. Kreu i PD Lushnjë ka postuar edhe fotot në Facebook, ku duket drejtori i OSHEE së bashku me Braçen në fushatë. “Drejtori i OSHEE Lushnjë sot në fushatë me deputetin e PS, Erjon Braçe në njësinë Kolonjë, Lushnjë. Në orën 12:00 ky paguhet nga taksat e qytetarëve për t’iu shërbyer atyre, jo për t’i shërbyer partisë. Ndaj heziton Rama të emërojë drejtorët teknikë, sipas marrëveshjes, se i duhen lakejtë për fushatë”, shkruan Murrizi.
Të shtunën e kaluar, Kryetari i degës së PD Lushnjë denoncoi punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave, të cilët me urdhër nga lart ishin nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS. Murrizi publikoi në rrjetin social Facebook edhe fotot e autobusëve që transportonin mjekë e infermirë nga Lushnja për të marrë pjesë në mitingun e Ramës.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në fushatë. Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Ministri Demiraj në Elbasan për zgjedhjet dhe kanabisin
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi dje një takim në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit. Ministri Demiraj kërkoi nga drejtuesit dhe efektivët e Policisë së Qarkut Elbasan punë intensive për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, për një proces zgjedhor të sigurt e të qetë, luftë pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, monitorimin e goditjen e grupeve të ndryshme kriminale që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor.
Takimi i djeshëm në Elbasan ishte në vijim të takimeve intensive që ministri Demiraj po ndërmerr në gjithë Drejtoritë Vendore të Policisë së Shtetit. Dy ditë më parë, Demiraj zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë në Qarkun Lezhë dhe Shkodër. Gjatë takimeve, Demiraj ka kërkuar që asnjë punonjës policie me uniformë dhe pa uniformë të mos dalin në fushatën zgjedhore të partive politike. Ai ka deklaruar se do të ketë zero tolerancë për policët që përfshihen në aktivitetet politike.
Po ashtu, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi dje një takim me kreun e Prokurorisë për Krime të Rënda Besim Hajdarmataj. Në qendër të bisedimeve ka qenë intensifikimi e bashkëpunimi në luftën kundër trafiqeve dhe personave të përfshirë në të.
Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në zyrën e këtij të fundit. Gjatë takimit është diskutuar për masat e rrepta që do të ndërmerren për zgjedhjet dhe drogën. Po ashtu është diskutuar për masat konkrete për neutralizimin e potencialit të blerjes së votave, ndjekjen penale të punonjësve të administratës të përfshirë në zgjedhje dhe luftën kundër drogës. Gjatë takimit, kryeprokurori Llalla është shprehur se nuk do të lejohet asnjë shkelje e ligjit për fushatën zgjedhore. Demiraj që prej marrjes së detyrës ka zhvilluar takime intensive me drejtues të lartë të institucioneve shtetërore.
Helmohen 11 gra e vajza të fabrikës së këpucëve, Rama asnjë reagim
11 gra dhe vajza, punëtore në një fabrikë këpucësh në fshatin Bubq të Fushë-Krujës u dërguan me urgjencë në Qendrën Shëndetësore, pasi shfaqën gjendje të fikëti dhe mpirje të trupit. Ato i thanë policisë se pas hyrjes në fabrikë dhe fillimit të punës nuk ishin ndjerë mirë, kishin vështirësi në frymëmarrje, marrje mendsh dhe të vjella.
“Njëra pas tjetrës u rrëzuan në tokë nga marramendja dhe më pas shfaqën shenjat të tjera të ngjashme me ato të një toksimi akut. Ato ishin duke punuar, kur iu ndodhi kjo gjë. Dhjetëra gra, punonjësve të fabrikës së këpucëve në Bubq të Fushë Krujës përfunduan në Urgjencën Shëndetësore”, bëri të ditur një punonjëse e fabrikës.
Fluksi dhe mungesa e hapësirave në ambulancë, bëri që disa nga gratë të vendoseshin në një shtrat. Nuk dihen ende shkaqet e intoksikimit, por paraprakisht policia dyshon se shkak ka qenë aspirimi jo i mirë dhe efektet negative të çliruara nga lëndët që përdoren në industrinë fasone.
Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik do të mbajnë nën vëzhgim ambientet e fabrikës ku punojnë më shumë se 200 gra e vajza.
Rama, së bashku me ish-ministren Nikolla zhvilluan një takim në një fabrikë këpucësh në Lezhë. Rama nuk tha asnjë fjalë për 11 gratë dhe vajzat që u helmuan në fabrikën e këpucëve.
Ai vazhdon me fushatën e tij duke reklamuar arritjet e tij, shpeshherë edhe duke shkuar në vende ku sapo ka ndodhur një ngjarje e rëndë, por pa i interesuar kjo e fundit. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe me një vizitë të tijën në një spital publik, pak orë pas vdekjes së një 16-vjeçareje në një spital privat. Rama nuk tha as fjalën më të vogël apo ndërmori ndonjë hap konkret për shkaqet dhe precedentët e ngjashëm që kanë ndodhur.
Siç duket kjo gjë nuk ka rëndësi, sepse sapo shfaqet Rama njerëzit janë të buzëqeshur dhe çdo gjë shkon më së miri për të treguar një Shqipëri që gjoja po rilind, por sapo largohet ai, punonjëset i kthehen gjysëm-skllavërisë së tyre.
ZVRPP Durrës mban peng një qytetar, s’i regjistron shtëpinë
Emisioni investigativ “BOOM” në Ora News solli mbrëmjen e djeshme denoncimin e shtetasit Ylvi Domi nga Durrësi. Ky i fundit akuzon Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës se po e mbajnë peng regjistrimin e pronës së tij. Bëhet fjalë për një shtëpi 100-vjeçare që e ka blerë në vitet ’90, disponon të gjithë dokumentacion, por Hipoteka pretendon se ka mbivendosje prone.
“Kam një problem me Hipotekën. Kam një shtëpi 100-vjeçare, është shit në vitin ’72 me kontratë noteriale të rregullt. Në vitin ’75 e zonja e shtëpisë që ka blerë shtëpinë ka nxjerrë leje ndërtimi nga Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe dhe ka bërë shtesën pastaj me leje ndërtimi të rregullt të Komitetit Ekzekutiv dhe e ndërtuar me kredi bankare. Është një shtëpi e regjistruar në Hipotekë me numër 212 hipotekor. Në vitin ’90, kur unë e bleva shtëpinë duke parë që është me dokumentacion të rregullt, në vitin 2000 u detyrova pastaj të hapja një gjyq në Durrës që të njihesha pronar i ligjshëm i asaj prone. Gjykata më bëri të njohur për pjesën që ishte regjistruar në Hipotekë. Pas gjyqit e çoj në Hipotekë për ta regjistruar”, u shpreh Domi.
Drejtori i Hipotekës së asaj kohe më thotë shko në bankë dhe merr lejen e ndërtimit dhe kredinë bankare të shtesës që është bërë. Shkova në Bankë, në maj të 2001 kam marrë lejen e ndërtimit, shleva kredinë bankare 11140 lekë që kishte mbetur dhe mora lejen e ndërtimit dhe vërtetimin e Bankës. Ja çova drejtorit të Hipotekës bashkë me vendimin e gjyqit. Bëj një gjyq tjetër tha, gjyq fakti, se ty të kapin gjobat dhe të gjitha me vendimin e gjyqit që ke bërë në 2000. Do të shkojë më lirë tha. Gjyqi u bë me seksionin e Financës në 2004, që më bëri të njohur për të gjithë sipërfaqen e truallit. I çoj në Hipotekë dhe prapë nuk e pranon. Njëherë më kërkuan një plan rilevimi, e bëra.
Prapë më thanë nuk pranohen se ka dalë një urdhër që nuk pranohen vendimet e gjyqit. Ju drejtova Zyrës Qendrore. Lëshoi shkresën që detyron Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive në Durrës, të aplikoj atje që të më pajisin me çertifikatën hipotekore. Më kërkojnë një plan rilevimi. Detyrohem dhe bëj dhe një plan rilevimi. Pas kësaj e çoj në Hipotekë, përsëri zvarritje. Filloi Përmbarimi me procedurat e veta, i çuan dhe një shkresë ekzekutim vullnetar ZVRPP, por përsëri zvarritje. I çoi të dytën, të tretën. Në fund, Përmbarimi e gjobiti ZVRPP me 50 000 lekë.
Polici humb jetën në krye të detyrës, Demiraj ngushëllon familjen
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Fitore. Një efektiv policie ka humbur jetën dhe tre kolegët e tij janë plagosur. Punonjësit e policisë kishin përfunduar së kryeri kontroll territori mbi parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike, në zonat e Devollit të Sipërm dhe po ktheheshin nga shërbimi.
Mjeti tip “Mitsubishi” me targa Policia 0305, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka ndërruar jetë punonjësi i Policisë shtetasi Lorent Duli 27 vjeç, (me detyrë SPZ në Njësinë Administrative Miras) si dhe janë plagosur tre punonjës të tjerë shërbimi, të cilët janë duke marrë mjekim në Spitalin e Bilishtit.
Shkaku paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit Duli, punonjësi i cili humbi jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj ka ngushëlluar familjen e punonjësit të policisë Lorent Duli, i cili humbi jetën gjatë kthimit nga kryerja e detyrës, duke kontrolluar territorin në kuadër të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotikë.
“Shpreh pikëllimin tim të thellë për humbjen e jetës së efektivit tonë Lorent Duli. Ai sot do t’i mungojë familjes, kolegëve dhe Policisë së Shtetit. Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe dhe të parakohshme të familjarit tuaj, duke ju siguruar se në asnjë moment nuk do t’ju mungojnë ndihma dhe përkrahja jonë. I pa harruar kujtimi i tij. Sinqerisht Dritan Demiraj”, shprehet Demiraj.
Ministri Demiraj ju ka uruar shërim të shpejtë të tre efektivëve të tjerë të plagosur në këtë aksident tragjik.
Ndërkohë një shtetas hungarez është aksidentuar dje në Sarandë. Policia bën me dije se rreth orës 15:12, në aksin rrugor Finiq-Sarandë pranë vendin të quajtur “Ish-miniera e kripës”, shtetasi hungarez me inicialet L.Z, 37 vjeç, duke udhëtuar me mjetin motor tip “Suzuki” është rrëzuar.
Për pasojë ka marrë disa dëmtime në trup dhe ndodhet në Spitalin e Sarandës, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, duke kryer hetimet e mëtejshme.
Irlandë, aksion të gjerë kundër mafies shqiptare të drogës
Garda Speciale në Irlandë po kryen një sërë operacionesh të fshehta kundër anëtarëve të mafies shqiptare që vepron atje dhe që kanë arritur deri më tani, të çojnë rreth 1 milion euro kanabis, e konfiskuar ditët e fundit. Një hetim i veçantë i ‘Herald’ ka zbuluar se gangsterët shqiptarë kanë pastruar paratë nëpërmjet bizneseve të larjes së makinave nëpër Dublin.
Në bastisjen më të fundit në zonën e Parkut të Westbrook të Balbriggan, në veri të Dublinit, oficerët e policisë kanë konfiskuar rreth 360 mijë euro kanabis, ndërsa në dy aksione të tjera janë sekuestruar sasi të mëdha kanabisi.
Në operacionin e gjerë janë angazhuar edhe organet inteligjente si dhe policia elitë kundër trafikut të drogës dhe organet e krimit të organizuar. Gangsterët shqiptarë sipas mediave irlandeze shesin një kg rrëshirë kanabisi nga 5 mijë euro në 3 mijë euro, më lirë se shitësit e tjerë.
Nga ana tjetër, hyrja në lojë e gangsterëve shqiptarë ka rritur tensionet në rrugën e Dublinit për shkak se kriminelët irlandezë mendojnë se ata janë duke i “hequr nga puna”.
Sipas një vlerësimi të Gardës, sasia e drogës që qarkullon në rrugë është rreth 20 mijë euro, varësisht nga pastërtia. “Ata janë duke zhvlerësuar këdo”, tha një burim natën e fundit. “Ata në fakt pretendojnë të jenë shtetas italianë dhe janë duke i pastruar paratë nëpërmjet bareve të vogla dhe lavazheve të makinave. Fara e keqe që po shitet aktualisht kultivohet në vendin e tyre dhe ata e sjellin këtu të paketuar me vakum dhe gati për ta shitur”.
Faqja irlandeze shkruan se mafia shqiptare është një nga organizatat më të frikshme të krimit në Evropë, pasi shumë prej anëtarëve të saj janë shumë profesionistë, me disa ish-rekrutë nga ushtria shqiptare, kosovare apo ruse.
Apeli rrëzon dënim me 4 vite burg të gjyqtarit Rasim Doda
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar dënimin ndaj gjyqtarit të Sarandës, Rasim Doda. Apeli ka kthyer për rigjykim çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ish-gjyqtari Rasim Doda u dënua me 4 vite e 6 muaj burg për akuzën e korrupsionit. Doda u dënua në tetor të vitit të shkuar me 4.5 vite burg.
Në konkluzionet përfundimtare Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 5 vjet burg dhe 3 vjet heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për ish-gjyqtarin Doda, i cili akuzohet për Korrupsion pasiv.
Doda akuzohet se i ka kërkuar 80 mijë euro një shtetasi, palë në një proces civil të drejtuar prej gjyqtarit, në këmbim të dhënies së vendimit në favor të personit që duhet të bënte pagesën. Sipas hetimeve të Prokurorisë, kallëzuesi H.B ka qenë duke shkuar te zyra e avokatit të tij F.L, ndërkohë është takuar në rrugë me të pandehurin Rasim Doda, i cili pasi i ka thirrur në emër i ka dhënë kallëzuesit një fletë të palosur, duke i thënë se ky ishte vendimi për të nesërmen.