30.5 C
Tirana
E premte, 18 Korrik, 2025

Vlora e tradhëtuar

Kryetari i PD, Lulzim Basha hapi dje fushatën elektorale në qytetin e Vlorës, ndërsa ftoi vlonjatët t’i bashkohen projektit për Republikën e Re. Basha u prezantoi vlonjatëve progrmin ekonomik dhe projektin e tij për të kthyer pushtetin në duart e qytetarëve. Basha shprehu bindjen se më 25 qershor, Vlora ashtu si dhe gjithë Shqipëria do të ngrihet për t’i dhënë fund republikës së vjetër. “27 vite më parë, a ishte kjo ëndrra që bashkë ne themeluam, a e prisnit apo e mendonit se pas 27 vitesh do diskutohej akoma për zgjedhje të lira dhe të ndershme, se shteti do ishte kaq i padrejtë, se ekonomia do funksiononte vetëm për një grusht qytetarësh, se shqiptarët do të kërkonin të iknin masivisht, a nuk janë tradhëtuar shpresat tuaja, pritshmëritë tuaja, a nuk ju ka lënë politika në baltë, të djathtë e të majtë. Kjo është e vërteta. Sepse politika u kthye në një moçal. Më 25 qershor Vlora do të çohet, më 25 qershor vlonjatët do të marrin Vlorën në dorën e tyre. Duke votuar për Republikën e Re, ju votoni për ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë për çdo shqiptar. Republika e Re do të ketë në qendër të vëmendjes së saj qytetarin e thjeshtë, ky është ndryshimi i madh mes asaj që lëmë pas dhe të resë që lindi jo thjeshtë dhe vetëm si ideja ime, por lindi si nevoja për të patur një shtet të njëjtë si ata ku sot emigrojnë shqiptarët. Keni dëgjuar ditë për ditë lloj lloj fabulash e tregimesh nga Edi Rama në televizion, edhe sot merrej me çdo gjë vetëm me ekipin tonë fitues, me ekipin tonë e ka merak të veçantë. Pse? Sepse e ka frikë ekipin fitues të Lulzim Bashës, sepse është ekipi që do ta mposhtë. Me një gjë nuk po merret dot. Dhe këto janë pyetjet më të rëndësishme që shqiptarët kanë. Ku i ka premtimet? A do ta lini ju të shkojë pa ju dhënë llogari? As unë nuk kam ndërmend ta lë”, tha Basha. “Katër vite dhe nuk ndërtove dot Lungomaren, dy vite m’u deshën mua për të ndërtuar Rrugën e “Kombit”. Katër vite dhe nuk rrite dot as pensionet, as nuk hape vende pune, akoma s’ke hapur negociata për një vit e gjysmë, për një vit e gjysmë iu hoqa vizat shqiptarëve dhe iu ktheva dinjitetin”. Katër vite qeverisje me bilanc zero në investime dhe shërbime ndaj qytetarit. Basha u ndal tek mungesa totale e investimeve nga ana e qeverisë Rama, ndërsa garantoi se nën drejtimin e tij, qeveria do t’i përgjigjet problematikave dhe shqetësimeve të qytetarëve, duke ofruar zgjidhje për ta. Ai tha se me qeverisjen e PD të gjithë, burra, gra, të moshuar, të rinj, studentë do të gjejnë mbështetje në zgjidhjen e problemeve të tyre. “Edi Rama kishte katër vjet qindra milionë euro mandat të plotë parlamentar dhe i shpenzoi për qejfet dhe tekat e tij, për ekspozia e ndeshje futbolli e basketbolli, ju braktisi dhe ju harroi. Për mua, Shqipëria janë shqiptarët, për Vlorën janë vlonjatët, unë nuk do të jem kryeministri i batutave dhe barsaletave, as i teatrit të vjetër të kukullave as i estradave, unë do të jem kryeministri i vlonjatëve, kryeministri i ekonomisë, i të rinjve, i studentëve. Unë do të punoj për hallet tuaja, dhe vij sot para jush me programin më të mirë ekonomik që ka njohur Shqipëria në 27 vite, të hartuar dhe të vulosur nga ekspertët më të mirë të ekonomisë botërore”, tha Basha. Kryetari i PD shprehu se, programi ekonomik i PD do të çlirojë ekonominë e vendit dhe të gjithë shqiptarëve gjithashtu, duke i hapur rrugë zhvillimit.  “Plani im ekonomik do të vihet që ditën e parë në funksion, do t’i ulim taksat. Taksë e sheshtë 9%, ulje e TVSH, eliminimi i dividentit. Do të hapim fabrika, do të mbështesim me subvencione të gjithë ata që hapin fabrika që punësojnë shqiptarët, do të mbrojmë fermerët dhe do t’i mbështesim me subvencione të drejtpërdrejta”, tha Basha.

Basha ftesë për të tretën herë Ramës, debat publik në Vlorë

Basha ka sfiduar për herë të tretë kryeministrin Edi Rama për të dalë në një debat televiziv për zgjedhjet e 25 qershorit. Nga qyteti i Vlorës, ku Lulzim Basha hapi fushatën elektorale, Basha konkretizoi ftesën e tij për debat. Kësaj radhe kreu i PD iu drejtua Ramës, duke i thënë që të bëjnë debat në Sheshin e Flamurit në Vlorë, në qytetin ku është deputet. “Fushata nesër hyn në ditën e 5 apo 6. Keni dëgjuar ditë për ditë lloj-lloj fabulash nga Edi Rama. Edhe sot merrej me çdo gjë. Me qen e me mace, me yje, me Gridën, me Saliun, ekipin tonë fitues e ka merak të veçantë. Me një gjë nuk po merret, dhe kjo është pyetjet më të rëndësishme. Ku i ke 300 mijë vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku i ke çmimet e ulëta? Vjen tani në fushatë dhe mendon se do tja hedhë pa këto premtime. Do ta lini ta bëjë këtë fushatë pa ju treguar pse premtoi punësim në këtë qytet dhe mbylli vende pune. Nga këtu, nga Vlora, Edi Rama të përsëris ftesën dhe thirrjen për debat televiziv. Eja të dalim para shqiptarëve, ti bilancin tënd, unë bilancin tim. Le të na gjykojë Shqipëria. Le ta bëjmë debatin e parë këtu meqë je deputet i Vlorës, këtu në këtë shesh. Në Sheshin e Flamurit të ftoj ta bëjmë debatin e parë televiziv elektoral. Ka 5 ditë që e ftoj në debat dhe as nuk ndihet fare. Po kthe një përgjigje mor burrë i dheut mos ki frikë. Unë e di pse ke frikë, sepse s’ke asnjë mënyrë për t’u shpjeguar para shqiptarëve për ato që the dhe nuk bërë”, u shpreh Lulzim Basha nga Vlora.

Ironia e Ristanit me Ramën dhe mashtrimet e tij

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Vlorë, Arben Ristani preferoi ta niste ndryshe fjalimin e tij para qytetarëve sot në Vlorë, ku i pranishëm ishte edhe kryedemokrati Lulzim Basha për çeljen e fushatës. Ristani bëri një krahasim mes Bashës dhe Ramës në formën e një fabule, duke treguar mosmbajtjen e premtimeve të Kryeministrit dhe duke vlerësuar punët e Lulzim Bashës, kur ka qenë në Qeveri. “Del populli për të ndërtuar dhe kërkon një fadromë ndërtimi që do t’i ndërtojë shtëpitë, dhe i del përpara një sipërmarrës Edi Rama. E shikon populli me çitjane me tuta. Dhe thotë çke bërë? Unë kur isha kryetar bashkie 11 vjet në Tiranë prisha Lanën, Parkun Rinia. Kur u bëra kryeministër prisha shtëpi e gardhe, edhe kisha prisha. Na mo zotëri se s’po kërkoj për të prishur, por për të ndrequr. Çke bërë? Kur isha kryetar bashkie, aty te Komuna e Parisit e ndërtova, me rrugë të ngushta, ku s’kalon as zjarrfikësja, pa parqe. Po tjetër çke bërë? Unë thotë çkam bërë? Unë në Vlorë kam 4 vjet që po ndërtoj një Lungomare. E kam bërë ashtu të ngushtë që po të ngeli makina të vijnë me helikopter ta marrin. E bëra me baltë, që kur të vijë deti të vejë balta deri në Orikum. Po i ndershëm je ti? Unë thotë ju premtova t’ju hap 300 mijë pune. 200 mijë shqiptarë i çova jashtë shtetit. Ju premtova në Sarandë do t’ju bëj pistë avioni, tani do ta bëj në Vlorë. Dale i thua, po me familjen si je? Po këtu s’po e zgjas se e dini vet! Vetë populli dhe i del përpara Lulzim Basha, sipërmarrës. E shikon, qenke goxha djalë po hajt të flasim. Ç’ke bërë? Kur isha ministër i Transporteve ndërtova Rrugën e Kombit bashkë me shokë, ndërtova dhe asfaltova Shqipërinë ngado. Po kur isha ministër i Brendshëm i bëra shqiptarët me pasaporta biometrike, me karta identiteti. Po kur isha ministër i Jashtëm, ju hoqa vizat dhe iu dhashë mundësinë të udhëtojnë kudo në botë të lirë. Atëherë vjen dhe flet, po mirë kam dhe unë për të ndërtuar, do ma ndërtosh dhe mua? Posi. Taksën nga 15% do ta bëj 9%, pensionet do t’i bëj 250 mijë lekë më të voglin, bujqësinë do ta subvencionoj me 100 milionë euro dhe 50 milionë euro të tjera për infrastrukturën bujqësore. Studentëve do t’ju ul tarifat e studimit  në shkollat e larta, edhe 1 vit stazh pas shkollës së lartë do t’ju a paguaj që të bëhen gati për të vajtur në punë. Dhe spitalet nuk do t’i lë pa garza dhe pa gërshërë siç i la ky që ju premtoi shëndetësi falas, por do t’i mbush plot me mjetet e nevojshme. Dhe shumë e shumë të tjera”, tha Ristani.

Agron Shehaj: Do nisin edhe njëherë historinë nga Vlora

Agron Shehaj, kryesuesi i listës së kandidatëve demokratë për Vlorën ftoi bashkëqytetarët e tij të bëjnë edhe njëherë historinë e Shqipërisë, duke nisur nga Vlora. Ai ftoi të gjithë vlonjatët të bëhen pjesë e ndryshimit të Shqipërisë përmes Republikës së Re. Ai tha se e vetmja rrugë për të “A mund të nisë edhe njëherë historia nga Vlora? E kemi një shans më 25 qershor. Kthehem sot në Vlorë për të luftuar varfërinë dhe për të sjellë mirëqenie. Ejani me ne drejt mundësisë që ofron 25 qershori”, tha Shehaj.

Më 25 qershor, thahet moçali i Republikës së vjetër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ripërsëritur premtimet e tij për Republikën e Re, gjatë një fushate elektorale në Selenicë të Vlorës. Gjatë takimit me banorët, Basha akuzoi Ramën se ka shtuar pasurinë e tij dhe të oligarkëve, ndërsa ekonomitë e familjeve shqiptare janë të varfëra. Kreu i PD deklaroi se më 25 qershor do të thahet moçali i Republikës së vjetër, ku prej 25 vitesh qëndrojnë të njëjtat bretkosa. “Në 25 qershor keni në dorë t’i jepni fund njëherë e mirë politikës së fasadës së shatërvanit. 600 milionë euro fasada në Shqipëri janë bërë për 4 vite. Kam ende imazhin e mjerimit të banorëve të përmbytur prej lumit. Rama pardje tha se, ekonomia po rritet, por populli nuk e kupton. Kur flet për ekonominë e ka për ekonominë e tij. Të një grushti oligarkësh e trafikantësh. Për të gjithë të tjerët ekonomia është katastrofë, taksat janë rritur, vende pune nuk ka. Ekonomia është në kolaps. Në 25 qershor ka ardhur koha të thajmë moçalin e Republikës së Vjetër, ku prej 25 vjetësh guasin të njëjtat bretkosa. Republika e Re do të jetë një ekonomi e fortë. Vendimi im i parë do të jetë ulja e taksave e TVSH, eliminimi i dividentit. Do japim 100 euro euro subvencione për bujqësinë, mesatarisht 50 mijë lekë të vjetra për dynym. Trau i doganës do të mbyllet për të gjitha prodhimet bujqësore, blegtorale të importit, të cilat konkurrojnë pandershmërisht me produktet e fermerëve të Shqipërisë. Do të garantojmë 10 mijë stazhe për studentët. Rama për 4 vite nuk bëri dot Lungomaren, sepse interesi i tij nuk është ndaj interesit publik”, tha Basha.

KQZ ndan fondin e fushatës, ja sa përfitojnë partitë në garë

KQZ ka miratuar dje fondet publike që do t’u shpërndahen partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit. Në total janë 65 milionë lekë dhe fondi paraprak për partitë ndahet në 2 pjesë, nga të cilat 95% shkon për partitë që kanë më shumë vota dhe vetëm 5% për partitë e vogla. Kështu, PS përfiton nga buxheti i shtetit 28 milionë lekë dhe ndiqet në listë nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike, e cila përfiton 20.7 milionë lekë. LSI merr nga buxheti i shtetit 7.1 milionë lekë si partia e tretë më e madhe në vend. Pas saj renditen PR e Fatmir Mediut me 2.1 milionë lekë, PDIU me 1.7 milionë dhe Fryma e Re Demokratike me 1.1 milionë lekë. PDS dhe PSD gjithashtu përfitojnë sipas numrit të votave të mbledhura në zgjedhjet e fundit. 10 partitë e tjera përfitojnë një kuotë të barabartë nga KQZ, shumën prej 325 mijë lekësh. Por nëse pas zgjedhjeve, ato nuk e kalojnë pragun e nevojshëm të votave sipas Kodit Zgjedhor, pra 0.5% të votave në shkallë vendi, detyrohen që këtë shumë ta rikthejnë sërish në KQZ.

Ministria e Arsimit: Ndëshkim për punonjësit që përfshihen në fushatë

Ministria e Arsimit dhe Sporteve në një deklaratë ka sqaruar se do të verifikojë çdo punonjës të arsimit, nëse ka patur angazhime në fushatën zgjedhore. “Në kushtet, kur fushata zgjedhore ka filluar, sjellim në vëmendjen tuaj detyrimet ligjore dhe ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë përcaktuar qartazi detyrimet ligjore të personave me funksione publike gjatë fushatës zgjedhore. Mbi bazën e informacioneve, Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke bërë verifikimet për të gjitha rastet e konstatuara, ku drejtues të institucioneve arsimore apo punonjës të sistemit arsimor, janë raportuar të angazhuar në fushatën elektorale, në kundërshtim me përcaktimet ligjore, si më poshtë:
-Drejtore e Zyrës Arsimore Rajonale, Librazhd, znj. Bardha Qatja.
-Punonjësi i Zyrës Arsimore Kolonjë z. Ermal Zylfo, duke mbështetur fushatën elektorale të kandidates për zgjedhjet Parlamentare, e cila rezulton Drejtues i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Ersekë.
-Drejtuesi i Zyrës Arsimore Tepelenë, z. Shkëlqim Imera.
-Drejtuese e Zyrës Arsimore, Kuçovë znj. Eglantina Zeqo.
Përsa më sipër, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e kujtdo që synon të kryejë veprime të tilla të kundërligjshme, në kundërshtim të hapur të akteve ligjore në fuqi, se ngjarje të tilla do të jenë objekt verifikimi dhe sipas rastit objekt penalizimi administrativ dhe juridiko-penal nga organet ligj zbatuese përkatëse”, thuhet në reagimin e Ministrisë. Ministria e Arsimit dhe Sportit do të intensifikojë monitorimin e të gjithë procesit mësimor, si dhe të gjithë informacionet dhe komunikimet e përcjella përmes medias së shkruar dhe asaj elektronike, për të mundësuar një përmbyllje të suksesshme të arsimit parauniversitar, transparencë dhe informacion mbi vlerësimet e Maturës Shtetërore, duke kërkuar nga të gjithë, zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore.

Ministria e Shëndetësisë: Asnjë nga bluzat e bardha në fushatë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri i ka bërë thirrje administratës shëndetësore të mos marrë pjesë në fushatë elektorale. Ministri Beqiri e bëri këtë apel gjatë një konference në Ditën Botërore të Luftës Kundër Duhanit. Tekniku në krye të Shëndetësisë Arben Beqiri në daljen e tij të parë publike kishte një sqarim dhe një kërkesë. “Detyra ime parësore është respektimi i ligjit të zgjedhjeve i plotësuar me vendime qeverie, të cilat përcaktojnë mospjesëmarrjen e administatës shtetërore në fushatë i përforcuar ky qëndrim me ndryshimet në Kodin Penal. Kjo është detyra ime parësore dhe kërkesa për të gjithë administratën shëndetësore. Edhe ndihma më e madhe që mund t’i jepet vendit. Përgjigja erdhi pas pyetjes së gazetarëve rreth debateve për Ligjin Antiduhan në Ditën Botërore të luftës kundër tij, ku gjithashtu ministri Beqiri sqaroi se ai nuk ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë për të ndryshuar politikat e qeverisë, por t’i qendrojë zbatimit të tyre.  Gjashtë strategji, po t’i shohësh të gjitha kanë dëshirën e mirë për t’i zbatuar, por kanë gjëra që i pengojnë. Ne akoma nuk kemi sistem ndihmë për njerëzit që duan ta lenë duhanin, sistem paralajmërimi për rreziqet, atë që duhet të jetë e sanksionuar në çdo paketë jo postera sporadik. Në këtë kuadër ministri i Shëndetësisë flet për përafrim të legjislacionit shqiptar me atë europian, ndërsa jep një ide të cilën tregon se e ka nga eksperienca si mjek. Ne duhet të arrijmë në ato nivele të kontrollit të duhanpirjes ku edhe pacientë që planifikohen për kirurgji të mos e bëjnë atë nëse janë duhanpirës. Ka vende që e bëjnë këtë gjë. Ministri i Shëndetësisë u shpreh se duhanpirja rrit mbi dy fish komplikacionet pas çdo kirurgjie.

Rrobaqepës e këpucarë kandidatë për vettingun?

Lista me emrat që kaloi Komisioni i posaçëm parlamentar për Vettingun është miratuar me 67 kandidatë të përzgjedhur për institucionet e vettingut. Emrat e sjellë kanë probleme jo të pakta në biografitë e tyre, ndërsa po verifikohen që dalin edhe kandidatë që kanë në rrobaqepsi apo këpucarë. Sipas Flamur Nokës, janë penalizuar shumë kandidatë me vlera, ndërsa janë kaluar në fazën tjetër të vlerësimit njerëz pa përvojë. “Siç jeni në dijeni, në detyrën tonë kushtetuese ne deputetët e opozitës kishim kërkuar transparencë të plotë ndaj publikut, nevoja e qytetarëve për të ditur se kush do të bëjë vettingun e gjyqtarëve na detyroi të bënin seanca të hapura me të gjithë pretendentët. Prej dy ditësh kemi parë nivelin e asaj liste. Një listë ku pretendon Edi Rama nëpërmjet Avokatit të Popullit dhe drejtorive të tij të paraqesë si komision vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët juristë të pakualifikuar.
Edhe ai 1% i pretendentëve që ishte në listë dhe që mund të ishin konform kritereve dhe nivelit të pranueshëm profesional ishin politikë sepse në atë listë kishte ish-anëtarë të KQZ që kanë përfaqësuar PS-në në KQZ, në atë listë kishte prokurorë që kanë mbajtur qëndrime të qarta politike, gjyqtarë që kanë qenë zëvendësministra të PS-së. Pjesa tjetër ishte e mbushur me nivelin e ulët të sistemit të drejtësisë dhe merreni me mend çfarë produkti do të kishte vettingu. Ju patë dje live që Avokati i Popullit kishte zbatuar dy standarde. Kishte 2 persona që ishin në konflikt të pastër interesi dhe ONM i kishte kualifikuar dhe kishte disa të tjerë në të njëjtat kushte dhe ishin skualifikuar. Ajo listë ishte tërësisht politike dhe sot anëtarët e mazhorancës në komision, pra dy përfaqësuesit e PS dhe ai i LSI morën një vendim politik për të futur vetëm 67 që ka caktuar Edi Rama nëpërmjet Avokatit të Popullit”, deklaroi Noka. Ai tha se mes kandidatëve kishte ish-punonjës rrobaqepësie apo fabrika këpucësh. “Ju patë dje juristë që kishin punuar në ndërmarrje rrobaqepësie, në fabrika këpucësh. Vinin si juristë dhe na nderonin si të ishin kaptera ushtrie dhe këta do të bëjnë vettingun. Janë të nderuar në punën e tyre, por nuk mund të bëjnë vettingun. Në emër të opozitës, të PD-së kam për detyrë t’u bëj me dije qytetarëve se kjo është lista që ka zgjedhur Edi Rama për të bërë vettingun. Lista do të shkojë tek 2 komisionet e tjera. Komisioni ynë nuk voton, tek dy komisionet e tjera bëhet votimi. Komisioni ynë thjesht të bëjë transparencën”, tha Noka. Njësoj skeptik ishte edhe Luan Rama i LSI-së. Sipas tij, janë përdorur dy standarde vlerësimi për të njëjtët njerëz. ONM dhe Avokati i Popullit, sipas Luan Ramës, kanë dhënë rekomandime negative për dikë që ka vëllain apo bashkëshortin në sistemin e drejtësisë, ndërsa për aplikantë të tjerë me të njëjtat kushte është dhënë rekomandim pozitiv. “U bë një diskutim i gjatë dhe i detajuar në komision në lidhje me vendimmarrjen e Komisionit për Vlerësimin e Kandidatëve për institucionet e vettingut. Unë parashtrova idenë e gjykimit mbi bazën e një konsensusi pasi në të tre listat, edhe në listën me rekomandime negative nga ONM, ka emra që mund të vlerësoheshin për t’u përfshirë në listën e miratuar. Unë flas për atë që them unë, me listën e miratuar nga Avokati i Popullit dhe që është çertifikuar dhe nga ONM ka njerëz që janë në të njëjtat kushte me ca të tjera që ONM dhe Avokati i Popullit nuk i kanë kaluar, që do të thotë kemi qëndrim me dy standarde. Më vjen mirë që edhe PD ka ndarë të njëjtin shqetësim sepse ky është një qëndrim parimor ndaj procesit të përzgjedhjes që ka rezultuar me mangësi”, deklaroi Luan Rama.

Administrata me dhunë në fushatë, kërcënime për largim

PS ka nisur një fushatë agresive, duke përpjekur të mbushë takimet elektorale me punonjës të administratës. Denoncime të përditshme po publikohen në rrjetet sociale nga qytetarë të ndryshëm, të cilët me foto tregojnë se si drejtues të administratës publike bëjnë fushatë në krah të ministrave socialistë. Kjo situatë ka degraduar edhe më tej, me kërcënimet dhe shantazhet e hapura që po u bëhen punonjësve të administratës për të marrë pjesë në takimet elektorale të PS. Janë të përditshme rastet, ku drejtoritë e shkollave apo spitaleve nxjerrin mësuesit, mjekët, infermierët apo gjithë personelin të marrë me detyrim në takimet elektorale, duke mbyllur shkollat e spitalet. Një rast i tillë është denoncuar dje publikisht nga një mjek në qytetin e Rrëshenit. Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje në Rrëshen një miting elektoral për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishin urdhëruar të merrnin pjesë edhe shumë mjekë nga Spitali i Laçit dhe Rrëshenit. Kështu ka denoncuar një mjek i Laçit para disa orësh në Facebook-un e ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ai thotë se i kanë urdhëruar që të marrin pjesë në mitingun e Ramës ndryshe rrezikojnë shkarkimin nga puna. Denoncimi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha: Në takim me detyrim! Ja si Noriega urdhëron administratën e partisë-shtet të shkojë në takimet e tij, pasi populli nuk i shkon! Ai kërcënon punonjësit me pushim nga puna në rast se nuk shkojnë në takim: shkruan Berisha, ndërsa ka publikuar denoncimin e mjekut. “31/05/2017, 11:42:38: Doktor përshëndetje jam mjek nga Laçi sapo më njoftuan që ai prostituta i PS ka një miting në Rrëshen dhe Laç dhe ka urdhëruar gjithë punonjësit e Spitalit të Rrëshenit dhe Laçit të marrin pjesë në miting. Ka dhënë urdhër për t’i pushuar nga puna ata që nuk marrin pjesë në miting. Ju lutem më konfirmo nëse e morët këtë mesazh. Me rrespekt një mik i juaji”, thuhet në denoncimin e mjekut. Drejtorë shkollash, spitalesh e drejtorë në të gjitha institucionet e administratës publike në tërësi kanë lënë detyrat që u ngarkon ligji, duke dalë në fushatë për PS dhe LSI. Rastet e denoncuara vijnë në qytete të ndryshme të vendit, ku shihet qartazi se si funksionarët e administratës kanë braktisur detyrat e tyre, duke shoqëruar ministrat e Ramës dhe krerët e tjerë të strukturave socialiste, për të kërkuar bashkë me ta votat për PS. Sipas ndryshimeve të miratuara pas marrëveshje Basha-Rama, përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime. Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme. Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore. Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.

Injoranti që Rama e kandidon për Kavajën: “Populli ka sy në badhë”

“Populli ka sy në badhë… këto janë maskaradhëqe, ndryshemet…”, këto janë vetëm disa nga ato pak rreshta që kandidati i Ramës për Bashkinë e Kavajës ka postuar në adresën e tij në Facebook. Nga këto pak rreshta mund të kuptosh se çfarë kandidatësh përzgjedh Rama jo vetëm për Kavajën. Injorantë është më e pakta që mund të thuhet për të tillë individë. Imagjino nesër këto individë duke drejtuar një qytet. Ky është fundi i pamendueshëm i degradimit të sistemit të konkurrimit, ku kryetari i PS Rama pasi kalon ciklin e kandidimit të vrasësve, tutorëve të prostitutave dhe të trafikantëve të drogës, tani po eksploron edhe një fushë tjetër, atë të kandidimit të individëve që nuk dinë as shkrim dhe as këndim.
A mund të votohet ky njeri për Kavajën? Si mundet një individ që sot qeveris vendin dhe është në fushatë elektorale për të kërkuar një mandat tjetër t’u japë qytetarëve të tillë analfabetë? Dorjan Murati është në të vërtetë fytyra e vërtetë e Ramës. Injoranca është fytyra e këtij pushteti, i cili duhet që të shkulet më 25 qershor nga Kavaja në të gjithë Shqipërinë.
Kandidimi i njerëzve të tillë do të ishte fundi, por fundi i këtij fundi do të ishte sikur analfabetë të tillë të votoheshin në shenjë besnikërie ndaj partisë apo kryetarit të qeverisë.
Kandidati i PS për Bashkinë e Kavajës, Dorjan Murati, u sulmua nga ndjekës të tij të shumtë në Facebook pas publikimit të një statusi. Shkak nuk ishte përmbajtja, por drejtshkrimi.
Ndjekësit nxituan ta korrigjojnë në faqen “Drejtimi i Duhur për Kavajën”, pasi panë një mori gabimesh drejtshkrimore. Shumë prej tyre e quajtën analfabet e injorant, që as nuk skuqet nga analfabetizmi i tij. “Jepi drejtimin e duhur vetes dhe fillo të mësosh të shkruash gjuhën shqipe, pastaj merru me Kavajën”, i shkruan njëri prej tyre.
Gabimet janë të shumta, siç mund t’i shihni më vonë
Pas publikimit të komenteve nga faqja “Joq”, statusi u fshi nga faqja në Facebook.
Kandidati mbron analfabetizmin e tij: Turpi për të gjallët është
“Turpi për të gjallët është”. Me këto fjalë, skandaloze kandidati i Ramës për Kavajën është përpjekur të shfajësohet për analfabetizmin e tij, të shfaqur publikisht një ditë më parë në një postim në profilin e tij në Facebook. Kandidati i PS-së për Kavajën Dorjan Murati, i cili u sulmua nga ndjekës të tij të shumtë në Facebook pas publikimit të një statusi, pasi kishte bërë shumë gabime drejtshkrimore. Ndjekësit nxituan ta korrigjojnë në faqen “Drejtimi i Duhur për Kavajën”, pasi panë një mori gabimesh drejtshkrimore. Shumë prej tyre e quajtën analfabet e injorant, që as nuk skuqet nga anafalbetizmi i tij. “Jepi drejtimin e duhur vetes dhe fillo të mësosh të shkruash gjuhën shqipe, pastaj merru me Kavajën”, i shkruan njëri prej tyre. Por pas replikave të shumta, kandidati i PS-së Murati është shfajësuar duke thënë se nuk ka qenë mirë emocionalisht dhe se turpi për të gjallët është.

Si shkruhet                                    Si duhet
te kryr                                            të kryer
pa fidhuar mir                                pa filluar mirë
Isa Sakia                                         Isa Sakja
ka sy ne badhe                                ka sy në ballë
Kavaja e din mir cfar                     Kavaja e di mirë çfarë
maskaradhiqe                                 maskarallëqe
ke me te ndryshemet                      nga më të ndryshmet
kjo e ka vertetu  vet                       kjo e ka vërtetuar vetë
kavajen                                           Kavajën
partin Socialiste                             Partinë Socialiste

Alket Hyseni, mbrojtës i abuzimeve me tokat e bregut dhe i parave të drogës!

Kur vjen puna tek rekrutimet e personave që mund t’i shërbejnë për të mbuluar abuzimet e tij, Edi Ramës i duhet njohur aftësia e përzgjedhjes së tyre. Sa më shumë abuzivë të jenë me detyrën, sa më shumë servilë aq më shumë ai i afron. Kështu është për shembull rasti i Alket Hysenit, kandidatit të tij numër 3 në Qarkun e Vlorës, të cilin e ka lënë për të mbuluar zonën e Konispolit dhe Ksamilit, krahina që në legjislaturën e mëparshme i mbulonte Koço Kokëdhima. Alket Hyseni, ish-drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave ka një marrëdhënie jo fort korrekte me pushtetet që ka mbajtur. Që nga viti 2007, ai është përgjegjësi për ndryshimet në statutin e PS që çimentonin pushtetin e Ramës. Ideja e tij ishte dhe ajo e janarit të 2016, që garën për kreun e PS-së e ktheu në një referendum në favor të Edi Ramës.

Abuzimi me pronat

Por marrëdhëniet brenda PS-së janë çështje e kryetarit të asaj partie. Alket Hyseni ka bërë më shumë se aq. Për shembull, në vitin 2014 ai u emërua në krye të një Task Force për tokat e bregdetit të Jugut. Qëllimi sipas asaj çka doli në publik ishte që Hyseni të merrej me verifikimin e tjetërsimit të titujve të pronësisë në këto zona. Por nga ai grup pune nuk doli asgjë dhe nuk u publikua asnjë raport. Megjithëse nga Vlora dhe zonat e tjera Prokuroria ka hapur mjaft çështje në lidhje me përvetësimin e pronave me anë të dokumenteve të falsifikuara siç ishte rasti i Karaburunit apo rasti i tokave të Vunoit dhe Jalës. Mesa duket Hyseni u emërua në këtë post nga Rama për të mbuluar abuzimet me pronat që kanë bërë të zgjedhurit socialistë, sidomos në Ksamil dhe Sarandë ku sot ai kandidon për deputet. Dhe nuk mbaron me kaq. Po atë vit, Hysenit do i plaste një tjetër skandal për uzurpim prone, këtë herë në një fshat turistik në Golem. Partia Demokratike akuzoi asokohe se kryetari i Task Forcës së Pronave ishte personi që pasi kish blerë një vilë në një fshat turistik në Golem, kishte uzurpuar dhe parcelën që ishte ngjitur me të. “Një shef i Task Forcës së INUK, Alket Hyseni, ka zaptuar pronën private të një qytetari në Golem, në mes të ditës dhe nën hundën e të gjithë institucioneve. Historia është kjo. Fatmir Musaj ka ndërtuar një fshat turistik. Shefi i INUK-ut të Edi Ramës ka blerë më parë aty një vilë. Jo vetëm që nuk ia ka shlyer të gjithë pagesën investitorit të fshatit turistik, por tani që ka marrë detyrën e rëndësishme, i thotë pronarit se ka ndërmend t’i marrë edhe parcelën ngjitur me vilën e tij, ende të papaguar. Dhe ashtu bën, e rrethon, e betonon dhe e bën të tijën. Investitori ankohet në polici. Ankohet tek INUK. Ankohet kudo, po nuk gjen zgjidhje. Punimet vazhdojnë”, do të denonconte në atë kohë Partia Demokratike.

Pastrimi i parave

Menjëherë pas zgjedhjeve në PS, Alket Hyseni do të emërohej në krye të Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Ishte 4 prilli i vitit 2016 dhe vendi sapo kish dalë nga “të korra të mbara” të hashashit të një viti më parë. Me miliona euro që vinin nga ky aktivitet duheshin pastruar dhe mesa shihet Rama e kish gjetur njeriun e duhur. Shqipëria e vitit 2017 u bë vendi kryesor i Europës për prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Me miliarda euro kalonin nëpër kompani off shore, investitorë të dyshimtë hynin e dilnin në Shqipëri, njerëz që blinin nga 10 apo 12 shtëpi për të justifikuar paratë, por nga ana e zotit Hyseni kishte vetëm heshtje. Kjo sepse kështu i duhej kryetarit të partisë së tij. Emri i Alket Hysenit do të dilte sërish në skenë në kohën që bëhej debate për reformën në drejtësi, që përkon vetëm pak muaj pasi ai u zgjodh në krye të këtij dikasteri. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ishte ndër institucionet kyç që do të bënte vettingun dhe kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, një hallkë jashtëzakonisht e rëndësishme e procesit. E ku do të gjente më mirë Rama se personi, i cili i siguroi shmangien e garës në parti për ta përdorur në këtë institucion kyç. Opozita do të bënte presionin e saj, por dorëheqja e Hysenit do të vinte vetëm më datë 16 shkurt 2017, disa ditë pasi opozita kish paralajmëruar një protestë masive në Tiranë, atë të 18 shkurtit. E megjithatë Rama nuk do e linte me kaq, të preferuarin e tij nga Tepelena. Më 28 prill të këtij viti emri i tij do të shfaqej si prurje e re e Ramës në listën e deputetëve në Qarkun e Vlorës, në zonën e bregut si një tallje tjetër që i bëhet këtij komuniteti.

Abi Bank ose banka ku Rama emëroi bashkëshorten për pastrimin e parave

Një arsye se përse Rama e mbajti për një vit Hysenin në krye të Parandalimit të Pastrimit të Parave mendohet që të jetë dhe transaksioni i aksioneve të Credit Agricole tek Abi Bank. Në shtator të 2015-ës ishte miratuar blerja e kapitaleve të ish-Credit Agricole tek Tranzit SHPK, e cila e emërton Abi Bank dhe në janar të vitit 2017 bashkëshortja e kryeministrit zgjidhet anëtare e bordit drejtues të kësaj banke. Në media është akuzuar se qëllimi i vërtetë është për të pastruar paratë e drogës. Ja çfarë shkruan portali “exit.al” për këtë çështje. “Pronësia, e cila të çon tek drejtori ekzekutiv, Andi Ballta dhe dy fondet e regjistruara në Ishujt Kajman, e bënë të pamundur të përcaktohet përfituesi përfundimtar dhe ndikimin kryesor në vendimmarrjen e bankës e kanë aksionerët e këtyre fondeve. Por ligji i Ishujve Kajman nuk lejon të njihet se kush janë aksionerët, të cilët janë në gjendje ta detyrojnë bankën të kryejë praktika ‘jo të përshtatshme’, përfshirë ato me qëllim riciklimin e parave të pista. Madje, pikërisht fakti që fondet janë të regjistruara në një parajsë të njohur fiskale, pra të mbikëqyrur nga një autoritet lokal të interesuar për të ruajtur fshehtësinë e aksionerëve dhe veprimeve të kompanive, ushqen dyshimin se banka mund të jetë vërtet e kontrolluar nga para të pista dhe që mund të përdoret për veprime të ndërlikuara të riciklimit të parave. Ndërkohë, si për ligjin shqiptar mbi shoqëritë tregtare, si për politikat e zakonshme të përqafuara nga autoritetet mbikëqyrëse të ‘botës normale’, fakti se CEO i një banke është titullari, qoftë edhe në mënyrë indirekte, i një të tretës të së drejtës së votës në asamblenë e aksionerëve dhe është njëkohësisht administrator i shoqërisë (Tranzit shpk) që zotëron 100 për qind të së drejtës së votës në asamble, duket krejtësisht i pazakontë dhe përtej kufirit të parashikuar nga ligji. Është qetësisht e sigurtë që një strukturë e tillë kontrolli nuk mund të ishte pranuar në asnjë vend europian, për motive të qarta të transparencës dhe politikave kundër riciklimit”.

Skandali tjetër, 148 miliardë lekë pushtetarësh të pahetuar nga Hyseni

Por dorëheqja e Alket Hysenit nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave duket se ka të bëjë dhe me mbulimin e një skandali tjetër që ka përgjegjësi pikërisht atë kur ishte në krye të Drejtorisë së Parandalimit të Parave. Duke iu referuar titujve të shtypit, shkruhet se pas vjedhjes së parave që ndodhi në Qafën e Kasharit, Prokuroria ka evidentuar jo pak, por 148 miliardë lekë ose rreth 1.2 miliardë euro të funksionarëve të shtetit të depozituara në 7 banka të nivelit të dytë për të cilat nuk është hetuar asnjëherë. Ja se çfarë shkruan gazeta “Telegraf” e datës 21 shkurt 2017, vetëm pesë ditë pas dorëheqjes së Hysenit nga detyra e tij. “Vjedhja e 3.2 milionë dollarëve të një banke, kryer më 9 shkurt 2017 në Kashar, përveçse është një krim, shërbeu edhe për diçka të dobishme për dekriminalizmin e financave, të siguruara me krim prej shtetarëve dhe të zgjedhurve lokalë e qendrorë në Shqipëri. Në hetim e sipër brenda bankës së grabitur dhe bankave të tjera të nivelit të dytë, për të zbardhur llogaritë e personave të skeduar si grabitës, të Kasharit, Prokuroria dhe zyra e Antikrimit Ekonomik Financiar, kanë zbuluar një krim tjetër financiar kolektiv, që lidhet me vjedhje miliardash, të bëra jo me grabitje bankash, por nëpërmjet abuzimeve me detyrat shtetërore, kryesisht me tendera. Burime nga shërbimi i Antikrimit Ekonomik Financiar, informojnë se gjatë hetimit të llogarive bankare ‘VIP’, domethënë me vlera të mëdha, ka rezultuar se në 7 banka janë evidentuar 148 miliardë lekë depozita nga 79 kryetarë bashkiakë e komunash, që kanë qenë në detyrë në 10 vitet e fundit. Por informacioni vazhdon edhe me një detaj tjetër, që në bankat e hetuara, janë zbuluar edhe llogari bankare me vlerë mbi 105 miliardë lekë, të drejtuesve aktualë të bashkive. Pas këtij konstatimi, ka nisur hetimi për ‘rrugët’ nëpërmjet të cilave i kanë siguruar këto miliarda, këta drejtues e ish-drejtues të pushtetit lokal në bashki e komuna! Se çfarë do të rezultojë nga hetimi i burimeve prej të cilave janë ‘prodhuar’ këto miliarda, ende nuk dihet. Ajo që dihet është fakti, se ky informacion u është dërguar edhe strukturave ndërkombëtare të hetimit që po monitorojnë procesin e dekriminalizimit. Madje flitet, se shkaku i dorëheqjes së ish-drejtorit të Pastrimit të Parave në Kryeministri, Alket Hyseni, ka lidhje me faktin që është konstatuar se ka fshehur këto llogari të pista bankare në miliarda lekë, që kanë depozituar ish-drejtues dhe drejtues aktualë të pushtetit lokal, të cilët vërtet nuk kanë grabitur makina bankash në rrugë, por kanë zhvatur fondet publike duke përdorur funksionet zyrtare gjatë administrimit të buxheteve lokale shtetërore, të të ardhurave lokale nga taksat dhe qiratë e pasurive vendore, si dhe vjedhjes së donacioneve me letra false investimesh e shërbimesh”.

Kosovë, hapet fushata elektorale

Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje të mërkurën për shmangien e çdo forme të dhunës e frikësimit gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Në mesnatë partitë politike hapën edhe zyrtarisht fushatën dhjetëditëshe për zgjedhjet e 11 qershorit, ndonëse fushata në terren ka filluar që me shpalljen e këtyre zgjedhjeve në fillim të këtij muaji. 26 subjekte politike nga të cilat 5 koalicione, 19 parti politike dhe dy nisma qytetare, do të konkurrojnë për Parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa mbi një milion e 900 mijë votues kanë të drejtë vote. Ambasada amerikane nëpërmjet një komunikate bëri thirrje që të gjithë kandidatët politikë të përkushtohen për zgjedhje të lira, të besueshme e të qeta. “Në këto zgjedhje, ne do t’i ndihmojmë Kosovës në përmbushjen e standardeve evropiane duke vendosur ekipe vëzhguese anekënd vendit në ditën e votimit. Fatkeqësisht, tanimë ka pasur deklarime të besueshme lidhur me frikësimet që ndërlidhen me zgjedhje. Kandidatët politikë, gazetarët dhe familjet e tyre gjithashtu janë kërcënuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Dënojmë fuqishëm këdo që tenton të ndikojë procesin zgjedhor apo përzgjedhjen e votuesit nëpërmjet këtyre veprimeve. Presim që të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe ata që aspirojnë të jenë udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës të ngritin zërin fuqishëm kundër sjelljeve të tilla”, thuhet në komunikatë. Ambasada thekson se “qytetarët meritojnë një proces të hapur dhe transparent zgjedhor ku të gjithë kandidatët kanë të drejtë të dëgjohen nga votuesit, ku përfaqësuesit e mediave pa dhunë ose kërcënime kanë të drejtë të shpërndajnë informacione lidhur me zgjedhjet dhe të gjithë votuesit kanë të drejtë të vendosin vetë pa ndonjë trysni nga jashtë. Ambasada shpreson që kandidatët do t’u përmbahen këtyre standardeve përgjatë gjithë periudhës së fushatës dhe votuesit do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votojnë dhe të zgjedhin me vëmendje ata kandidatë, të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit, i cili synon të vazhdojë drejt rrugës së integrimeve euro-atlantike”, përfundon komunikata e ambasadës amerikane. Që nga shpallja e zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive. Bashkimi Evropian tashmë ka filluar vendosjen e një misioni prej rreth 100 vëzhguesve për zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa për vëzhgimin e tyre janë zotuar edhe diplomatët europerëndimorë të akredituar në Prishtinë. Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se janë duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Pesë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndonëse autoritetet në Serbi janë vënë në përpjekje për të bashkuar serbët e Kosovës në një listë të përbashkët. Por, kësaj radhe serbët e Kosovës janë të ndarë. Një pjesë e mbledhur rreth Listës serbe, ka përkrahjen e Beogradit zyrtar, ndërsa pjesa tjetër akuzon Serbinë për manipulim me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

De Rossi te Roma deri në vitin 2019

Dashuria e Daniele de Rossit për Romën nuk ka fund. Një muaj para skadimit të kontratës, kapiteni i ri i verdhekuqve firmosi zgjatjen e bashkëpunimit deri në vitin 2019. Zyrtarizimi u bë nga vetë klubi nëpërmjet Facebook-ut, kur De Rossi iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të tifozëve.
“Jam i mbushur me tatuazhe, por duart i kam të lira për të firmosur qetësisht kontratat”, ishte një nga batutat e futbollistit të kombëtares italiane.
“Firmosa në këtë moment, por marrëveshjen e kishim arritur prej kohësh. Nuk doja ta ndaja me ju këtë lajm të dielën për të respektuar një tjetër histori që po mbyllej apo që mund të mos përfundojë kurrë. Po t’i jepja edhe unë lamtumirën, do të ishte shumë e rëndë për tifozët”, u shpreh De Rosi.
Fjala është për lamtumirën e Francesco Tottit, që ndaj Genoas në “Olimpico” zhvilloi ndeshjen e tij të fundit me Romën. Një ditë më parë kishte rinovuar kontratën me verdhekuqtë edhe Strootman, të cilin De Rossi e konsideroi pasuesin ideal të Tottit. Më tej kapiteni verdhekuq shtoi se ka zhvilluar një nga tre sezonet më të mirë dhe kjo është meritë edhe e trajnerit Spalletti.