19.5 C
Tirana
E premte, 18 Korrik, 2025

Manchester City kërkon Sanchez

Garës për të firmosur me Alexis Sanchez i është shtuar edhe Manchester City. Sulmuesi kilian ka vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me Arsenalin dhe për të mos e humbur me parameter zero më 2018-tën, Topçinjtë kanë vendosur ta nxjerrin në shitje ish-lojtarin e Barcelonës. Për futbollistin interesohet prej kohësh Bayern Munich, madje disa ditë më parë mediat kiliane e bënë fakt të kryer kalimin e Alexis te skuadra e Carlo Ancelottit.
Por në ditët e fundit gjërat kanë marrë një tjetër rrjedhë pasi Citiziens firmosën me Bernardo Silvën dhe janë shumë pranë portierit të Benficës Ederson, kanë hyrë fuqishëm në garë edhe për Sanchez, i cili më shumë sesa një aventurë në Gjermani pëlqen të qëndrojë në ishull. Pep Guardiola do të bëjë një revulucion të vërtetë te Manchester City gjatë kësaj vere dhe  28-vjeçari amerikanojugor është një nga objektivat e mëdhenj të trajnerit spanjoll, në merkato.
Te City besojnë se mund të firmosin me Sanchez dhe i kanë bërë Arsenalit të njëjtën ofertë si Bayerni, ndërkohë që do të kërkojnë të bindin futbollistin duke i ofruar një pagë më të lartë. Për Alexis përpara disa muajsh kishte interes edhe nga Chelsea, por duket se Blutë e Londrës janë tërhequr dhe tani parashikohet një garë dyshe mes Bayern Munich dhe Manchester City-t për të firmosur me kilianin, i cili do të largohet nga Londra këtë verë.

Ikin 3 yje të Realit

Të martën u mbajt “Dita e Medias” dhe gati të gjithë lojtarët e Real Madridit dhanë intervista. Në këtë rast, në fokus të gazetarëve ishin pyetjet për lojtarët e Realit për ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve kundër Juventusit. Por, jo të gjithë folën për mediat. Pikërisht tre emrat që ka më shumë mundësi të largohen nga “Santiago Bernabeu” këtë verë ishin ata që nuk folën para gazetarëve, pra Pepe, James dhe Coentrao, shkruan “AS”.
Fabio Coentrao ka kohë që kërkon largimin, pas sezonit të fundit me gati zero paraqitje për skuadrën e Zinedine Zidane. Sa i përket Pepes, duket se ai do t’i thotë përfundimisht lamtumirë Real Madridit, pasi Ramos, Varane dhe Nacho janë të pëlqyerit e Zidane para tij.
Dhe në fund James Rodriguez. Shumë media nga Amerika Jugore tentuan të bënin intervistë me të, por numri 10 nuk pranoi. Çdo gjë tregon se e ardhmja e tij është Italia ose Anglia. Mediat angleze kanë shkruar se James ka arritur parakontratë me Manchester United, por duket sikur ai është shumë më afër Interit, i cili vitin e kaluar bëri ofertë zyrtare për të në vlerë 85 milionë euro.
Kampiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, e ka lartësuar portierin italian, Gianluigi Buffon, duke e quajtur atë legjendë. Buffon, 39-vjeçar, është duke synuar që ta fitojë garën kryesore evropiane për klube për herë të parë kur Juventus përballet me Real Madridin në finalen e Cardiffit këtë të shtunë. “Buffon është legjendë dhe do të mbahet mend si njëri nga portierët më të mirë në histori të futbollit”, ka thënë Ramos. Ramos ka thënë se Buffon është shembull për secilin që dëshiron ta jetojë dhe përjetojë këtë sport dhe se ai ka treguar se mosha nuk është pengesë.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo edhe një herë tjetër ka folur për fishkëllimat në “Santiago Bernabeu”, ku insiston se kjo nuk është normale. Ai tha se nuk i pëlqejnë gjëra të tilla, pasi nuk është normale për një lojtar që gjithmonë jep 100 për qind nga vetja.
Ronaldo insiston se kur nuk luan mirë, ai ka nevojë për përkrahje dhe jo fishkëllima. “Kam shumë durim. Nuk më pëlqen kur më fishkëllejnë, sepse nuk është normale që diçka e tillë të ndodhë në stadiumin tënd. Një person që jep 100 për qind, kur nuk shkojnë gjërat mirë duhet të duartrokitet dhe të motivohet nga tifozët”, tha Ronaldo për faqen e Realit. “Në Manchester kurrë nuk më ka ndodhur. Mentaliteti është ndryshe, por unë jam i lumtur në Spanjë edhe pse më mungon Unitedi”.

Venger te Arsenali edhe për dy sezone

Tanimë është edhe zyrtare. Arsene Venger do të vazhdojë të drejtojë Arsenalin deri në vitin 2019. Pas publikimit të lajmit një ditë më parë nga “BBC”, klubi londinez zyrtarizoi marrëveshjen e re që sigurisht nuk i ka bërë të lumtur ata tifozë që kërkojnë prej muajsh largimin e francezit. Suksesi i fundit në finalen e FA Cup ndaj Chelsea-t, duket se i ka bindur drejtuesit e klubit, për t’i dhënë një tjetër shans 67-vjeçarit, i cili nuk e fiton Premier Leaguen që nga viti 2004. Prej 21 vjetësh trajner i Arsenalit, Venger parakalohet vetëm nga Sir Aleks Ferguson, i cili mbretëroi për 27 sezone në krye të “Djajve të Kuq”. Mesatarja e tij është 2 pikë për ndeshje, që kur mori drejtimin e skuadrës në vitin 1996. Në këtë lloj klasifikimi, ku janë marrë në konsideratë teknikët me mbi 50 ndeshje në Premier League, para tij janë vetëm Sir Aleks Ferguson, Carlo Ancelotti, Jose Mourinho dhe Roberto Mançini. Përveç këtij sezoni, nën udhëheqjen e francezit, Arsenali ishte kualifikuar gjithmonë në Champions League, por pa mundur në asnjë rast që ta fitojë trofeun më të rëndësishëm për klube. Më 2006 shkoi deri në finale, ku u mposht nga Barcelona, ndërsa nga sezoni 2010-2011 është eliminuar gjithmonë në fazën e 1/8 ave.
Arsene Venger nuk është një trajner që nuk shpenzon para. Me të në stol Arsenali ka harxhuar gjithsej për blerjen e 162 futbollistëve 700 milionë paund, një shumër kjo shumë e vogël krahasuar me paratë që kanë investuar skuadrat e të njëjtit nivel. Vetëm në dy raste, Topçinjtë kanë shpenzuar më shumë se 60 milionë paund në merkato. Me çështjen e trajnerit të zgjidhur, tek Arsenali duhet të vendosin për disa lojtarë që janë në përfundim të kontratës, si Santi Cazorla apo Yaya Sanogo, ndërsa në fund të sezonit të ardhshëm Topçinjtë mund të humbasin Sanchez, Ozil, Ramsey, Oxlade-Chamberlain, Gibbs, Mertesaker, Jenkinson, Wilshere, Campbell dhe portieri Szczesny, aktualisht i dhënë në formë huazimi te Roma. Me Venger në stol, askush nuk duhet të shqetësohet.

Paolo Maldini i rikthehet kombëtares italiane

Paolo Maldini i rikthehet kombëtares italiane. Ish-kapiteni i Milanit mund të rikthehet sërish pranë gjirit të të kaltërve, në rolin e menaxherit të kombëtares. Federata italiane e Futbollit ka propozuar emrin e ish-mbrojtësit të Milanit si pasues të Lele Orialit, i cili në korrik, pas përfundimit të Europiani U-21 do të rikthehet tek Inter. Gjithsesi ky nuk është një mision i lehtë. Në ditët në vazhdim pritet që mes palëve të ketë një takim për të biseduar më gjerësisht rreth kësaj çështjeje. Kandidati tjetër për të zëvendësuar Orialin është ai i ish-mesfushorit të Juventusit Marco Tardellit, i cili nga viti 2008 deri më 2013 ka qenë në rolin e asistentit pranë kombëtares irlandeze.
Tekniku aktual i 4 herë kampionëve të botës Gian Piero Venttura ka propozuar emrin e Francesco Tottit, por dëshira e federatës është që rolin e menaxherit të skuadrës ta mbulojë një emër i madh i futbollit italian, siç është ai i Paolo Maldinit, i cili në të kaluarën e tij ka lënë gjurmë të thella në historinë e futbollit. Më herët Maldinit iu propozuar rol drejtuesi edhe pranë klubit të Milanit, por oferta e bërë nuk e ka bindur 48-vjeçarin të pranojë propozimin. Mbrojtësi i dha lamtumirën kuqezinjve në vitin 2009 dhe prej atij momenti marrëdhënia me ish-skuadrën e tij nuk ka qenë nga më të mirat.

PSG kërkon Douglas Costa

Paris Saint Germanin dëshiron Douglas Costa. Merkatoja e dobët e zhvilluar solli kritika të shumta në drejtim të ish-kampionëve të Francës dhe një gjë të tillë nuk duan ta përsërisin dy herë. Nisur nga kjo përmirësimet e para kanë ardhur, siç është emërimi i drejtorit të ri sportiv Antero Henrique, por jo vetëm. Hapa janë hedhur edhe në drejtim të sulmuesit Pierre Emerick Aubameyang, i cili me shumë gjasa do të firmosë për parisienët. Gjithashtu për të përforcuar akoma edhe më shumë ekipin interes ka edhe për Alexis Sanchez të Arsenalit.
Numri një i PSG Nasser al-Khelaifi nuk ndalet këtu. Douglas Costa, sulmuesi i Bayernit të Mynihut është një tjetër objektiv, i cili prej javësh kërkohet edhe nga Juventusi. Paris Saint Germanin ka paralajmëruar largime nga radhët e skuadrës, kjo për shkak të performancës së dobët. Vlera e kartonit të Douglas Costa është 30 milionë euro. Shuma nuk përbën problem për parisienët, por fjala e fundit i takon 26-vjeçarit. Braziliani përgjatë këtij sezoni të Bundesligës me fanellën e Bayernit të Mynihut, në total numëron 77 paraqitje nga ku ka arritur të realizojë 14 gola.

Aubameyang largohet nga Dortmund

Pierre Emerik Aubamejang pritet të zyrtarizohet shumë shpejt si përforcimi më i ri i PSG-së. Sulmuesi nga Gaboni ka zgjedhur t’i bashkohet gjigantëve francezë me të cilët ka gjetur dje gjuhën e përbashkët sa u përket detajeve ekonomike.
Pierre Emerick Aubameyang i ka ditët të numëruara te Borussia e Dortmundit. Pas trajnerit Thomas Tuchel, sulmuesi nga Gaboni do të jetë largimi i radhës nga verdhezinjtë. Janë të sigurta për këtë mediat gjermane që bëjnë me dije, se 27-vjeçari e ka mbyllur aventurën e tij në “Signal Iduna Park”, duke treguar edhe një detaj interesant me Aubameyang që ka shitur shtëpinë e tij në Dortmund pasi sezonin e ardhshëm nuk do të jetë pjesë e Borussias. Klubi i ri i Aubameyang do të jetë me shumë gjasa Paris Saint Germain.
Lojtari ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e skuadrës kryeqytetase dhe te Parisi do të jetë një nga tre lojtarët më të paguar së bashku me Edinson Cavanin dhe Thiago Silvën pasi do të përfitojë plot 14 milionë euro në sezon. Këtë javë Aubameyang ka biseduar nga afër me presidentin e Paris Saint Germain-it, Nasser al-Khelaiffi, me të cilën ka rënë dakord për gjithçka. Për të bindur Dortmundin të lejojë largimin e sulmuesit afrikan drejtuesit e Paris Saint Germain pritet të vendosin në pjatë shumën e 70 milionë eurove, për të blerë kartonin e Aubameyang.

Blerja e votës dënohet me burg!

Nga Jorida TABAKU

Ndoqa me shumë interes mesazhin që deputeti i PS në Njësinë 8 Ervin Bushati i kish nisur të rinjve. Vota blihet në mënyra të ndryshme, blihet me influencë, me para, blihet me çdo lloj monedhe lekë edhe euro. Në fund të ditës pak rëndësi ka mënyra duke qenë se ajo është e dënueshme, madje në ndryshimet e Kodit Penal që ne miratuam bashkërisht pak ditë më parë kjo vepër penale dënohet me 1-7 vjet burg. Unë e kuptoj që PS nuk ka bilanc dhe tani është duke shitur plane e strategji, e kuptoj që janë në hall të madh sidomos në Njësinë nr. 8 ku bashkia e mëparshme e Tiranës kish investuar në të paktën 25 arterie rrugore, në ujësjellës-kanalizime, në rritjen e kapacitetit energjetik, në rikonstruksion shkollash e çerdhesh dhe sot banorët gëzohen po panë dikë që vjen e bën sikur do të bëjë ndonjë punë të vogël. Unë kam shëtitur çdo cep të Njësisë 8, kam parë çdo rrugë e rrugicë, di çdo shqetësim të atyre banorëve tashmë të harruar, por e di me siguri që nuk ka konkurs me 500 euro apo çfarëdo pazari që mund të ofrojnë ato që nuk dinë të fitojnë, por ta blejnë fitoren, që të blejë shpirtin e tyre demokrat. Ende nuk është harruar pengesa për të ndërtuar kësaj zone që më 2013 u shpall gjoja zonë historike, për të penguar qytetarët të ndërtojnë megjithëse plani ishte për të ndërtuar. E pastaj, kur vetë hipën në karrige vendosën të heqin atë barrë që vetë ua kishin vendosur qytetarëve, po të njëjtët persona që katër vjet më parë mbronin këtë vendim, të cilin sot Partia Socialiste me deputetin Bushati po e shesin si diçka të madhe. Pikërisht ato që i hoqën nga puna, i lanë pa investime, e tani kujtojnë se mund të gënjejnë qytetarët më të vjetër të Tiranës duke i blerë me konkurse false.

Pronarët: Rama po na shpronëson për së dyti, vendimet e qeverisë në Strasburg

Shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi” do të ankimojë në Gjykatën e Strasburgut 1667 vendimet e Agjencisë për Rivlerësimin e Pronave. Ajo e ka cilësuar si një shpronësim të dytë atë që po ndodh me kompensimin, ku shumë pronarë po humbasin hektarë toke dhe vlera monetare. Ish-pronarët për të disatën herë kundështojnë zbatimin e Ligjit 133 të vitit 2015 për kompensimin e subjekteve të shpronësuar. Vlerësimi i pronave përmes këtij ligji nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për ish-pronarët është një shpronësim i dytë pas 72 vjetësh prej 1945. Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, do t’i drejtohet Gjykatës të të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të kundërshtuar rivlerësimin e pasurive të bëra për mbi 2 mijë pronarë. Në zbatim të Ligjit 133 të vitit 2015, ATP ka publikuar faturën financiare për 1667 subjekte, të cilat rezultojnë se u është llogaritur vlera me zërin katastral të momentit të shpronësimit, dhe si pasojë kanë marrë një vlerë më të ulët përfitimi. Në këtë situatë, Shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi” fton subjektet të ankimojnë procesin për të fituar të drejtën e tyre në Gjykatën Administrative të Apelit. Duke e cilësuar rillogaritjen një shpronësim të dytë, pas Kushtetutës së vitit 1976, shoqata deklaron se pronarëve po u vidhen pronat dhe po u shkaktohet një dëm i madh ekonomik. Sipas tyre 472 vendime të viteve 1993-1994 duhet të kompensoheshin me një sipërfaqe prej 118 ha ose të vlerësoheshin me 12.9 mld lekë të reja. Por pas rivlerësimit të agjencisë në dispozicion të tyre u dhanë vetëm 4.4 ha tokë dhe si pasojë cilësohen të ezauruar për shkak se kanë përfituar kompensime të mëparshme. Ndërsa për 1667 subjekte pronarë, të cilëve rivlerësimi u është bërë me zërin e vjetër kadastral, nga shteti u janë vjedhur 19.2 mld lekë të reja. Sipas Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” këtyre subjekte u takonin 426.4 hektarë truall të njohur me vendime, por sipas ligjit të ri ATP ka bërë vlerësimin financiar dhe rezulton se do të kompensohen me 91.8 ha tokë truall dhe diferenca është vlerësuar si tokë bujqësore. Për 1863 vendime që nuk kishin vlerësimin financiar, ATP ka bërë klasifikimin e tyre si dosje me mangësi dhe pronarët e tyre brenda 30 nëntorit të vitit të shkuar duhet të dorëzonin dokumentet hartografike që të vërtetojnë në agjenci se toka e tyre ishte truall para sekuestrimit, në të kundërt ato do të vlerësoheshin si tokë bujqësore me vlerë minimale dhe duke i konsideruar edhe të ezauruara si kompensime. Nisur nga këto rrethana në një deklaratë për mediat, Pronësi me Drejtësi deklaron se do të ndërmarrë një tjetër nismë, duke iu drejtuar institucioneve ndërkombëtare.

Sezoni turistik i Durrësit, edhe këtë vit, peng i investimeve të mëdha

Rruga e plazhit është në rikonstruksion të përhershëm ndërsa sheshi i portit gjendet në ndërtim duke shkaktuar bllokim trafiku dhe pluhur. Shoqëruar kjo me fushatën zgjedhore, sezoni turistik duket paksa i vështirë. Sezoni turistik i këtij viti në Durrës, sipas operatorëve të këtij sektori, duket se nuk do të ngjitet mbi pritshmëritë e viteve të tjerë pararendës. Përkundrazi, specialistët mendojnë se investimet e mëdha që po zbatohen në rrugën e plazhit dhe sidomos ai në sheshin pranë portit detar do të ndikojnë negativisht në përshtypjet e turistëve vendas dhe të huaj. Situata parazgjedhore dhe muaji i Ramazanit gjatë muajit qershor ndjehen tashmë në frekuentimin e plazhit më të madh të vendit, shifrat e të cilit mbeten thuajse të papërfillshme edhe për shkak të motit të paqëndrueshëm në gjysmën e dytë të muajit maj. Ndërkaq, punimet për realizimin e disa projekteve në zonën e plazhit dhe pranë qendrës së qytetit nuk kanë përfunduar ende, duke i lënë dyshues pushuesit e përvitshëm të vijës bregdetare. Më pak optimiste janë përshtypjet e turistëve të huaj, që kërkojnë të njohin trashëgiminë kulturore dhe monumentet historike dhe arkeologjike të qytetit antik. Albina Gajtani, operatore turistike në një nga agjencitë më të mëdha të vendit thotë se shëtitja me grupe turistike nëpër Durrës gjatë pranverës së këtij viti përbën një “dramë më vete”. “Lëvizja me autobusë në zonën turistike është e pamundur”, thotë Gajtani. “Punimet në sheshin para portit bllokojnë shpeshherë trafikun e automjeteve, ndërsa mjedisi mbetet i ndotur nga pluhurat që vështirësojnë vizitat e të huajve”, vijon ajo. E njëjta gjendje edhe sa i përket parkimeve, që mungojnë veçanërisht në zonat më të frekuentuara të qytetit. Turistëve të interesuar për Durrësin që vijnë nga Gjermania, Franca apo Çekia, tashmë i janë shtuar kohët e fundit edhe turistët spanjollë. “Por kurioziteti i tyre fashitet brenda 90 minutave, aq sa zgjat edhe shëtitja më e zvarritur në qendrën e qytetit bregdetar”, thotë Gajtani. Udhëtarët e një jahti luksoz që u ankorua këto ditë në portin detar u nisën me autobusë drejt Beratit dhe askush nuk qëndroi në Durrës, citohen burime të tjera turistike, duke nënvizuar problematikat e viteve të fundit në qytetin 3000-vjeçar. Vizitorët e huaj kanë shumë pak motive për të qëndruar në Durrës edhe gjatë natës. “Fatkeqësisht, qyteti ka një mbrëmje të varfër kulturore, ndërsa nuk bëhet fjalë për lokale nate, të cilat të huajt vazhdojnë t’i kërkojnë në Tiranë”, na informojnë në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Bashkia e qytetit nuk e ka bërë ende të njohur kalendarin e veprimtarive artistike verore. Disa prej tyre, përfshirë edhe Festivalin ndërkombëtar të Filmit, janë ndërprerë prej 2-3 vitesh, ndërsa të tjerët nuk dihet nëse do të marrin edhe këtë verë mbështetjen financiare të pushtetit vendor. Edhe pse po përfundon muaji maj, në qytet nuk ka asnjë shenjë për organizimin e ceremonisë së hapjes së sezonit turistik. Rituali i përvitshëm në zonën bregdetare në jug të qytetit është më i vonuar më shumë se sa në çdo vit tjetër. Në të njëjtën situatë edhe Takimi vjetor i Komitetit të Turizmit në shkallë qarku, ende i pakryer për 2017. Në Dhomën e Tregtisë vlerësojnë vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për të ulur nga 20% në 6% TVSH për hotelet, vendim i cili do të bëhet i zbatueshëm vetëm në mesin e muajit qershor. Por, drejtuesit mendojnë se kjo mbetet një masë gjysmake, nga e cila nuk mund të përfitojnë shërbimet e shumta turistike në vijën bregdetare e në veçanti restorantet. 2-3 nga hotelet me kapacitete të mëdha në zonën e Shkëmbit të Kavajës kanë lidhur kontrata disamujore me agjenci të mëdha për akomodimin e turistëve polakë. Kjo kategori pushuesish ka më pak vërejtje për kushtet e plazhit dhe ato të hoteleve- shtojnë në DHTI. Por, të huajt që zgjedhin bregdetin dhe banjot e ujit janë më të paktë në numër se sa grupet e interesuara për vizitat kulturore. Guidat e agjencive turistike thonë se edhe qendrat historike në periferi të Durrësit kanë thuajse të njëjtën situatë. “Edhe vizita në Kepin e Rodonit nuk i entuziazmon të huajt që kanë pasur informacione paraprake për rrethinat e qytetit-vijon Albina, duke shtuar se Kisha e Shna Ndout në pikën më perëndimore të gadishullit apo edhe rrënojat e kalasë së Skënderbeut mbeten dy monumente të shkëputura nga njëri-tjetri”. Që prej dy vjetësh, kur u realizua ndarja e re territoriale, sipërfaqja e Bashkisë së Durrësit zgjatet nga Përroi i Agait, pranë Golemit në jug deri në Kepin e Rodonit, ku nis rrethi i Kurbinit në veri. Tanimë qyteti ka në dispozicion një vijë bregdetare prej afro 62 km, një pasuri e plotë që duhet menaxhuar me kujdes. Për të lënë prapa përvojat e hidhura të lagjeve-geto që u krijuan në vitet 2000 në zonën e plazheve në jug të qytetit, nga ura e Dajlanit deri në Shkëmbin e Kavajës.

Shqipëria humb 128 mln dollarë në vit nga sëmundjet pandemike

Banka Botërore ka përllogaritur se vendet po përballen gjithnjë e më shumë me humbje nga përhapja masive e pandemive. Shpejtësia e rrufeshme e pandemive është duke zhytur ekonomitë kombëtare papritmas në kaos, si rasti i Ebolës në Afrikën Perëndimore më 2014-‘15. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, kostot që i krijuan pandemitë ekonomisë shqiptare u llogaritën në 128 milionë dollarë për vitin 2015 ose 44.4 dollarë për frymë në vit. Siç shihet nga të dhënat e BB, Shqipëria ka humbjet më ulëta financiare që krijohen nga pandemitë në nivel rajonal, kur shihet se Maqedonia, edhe pse ka një popullsi më të vogël, i ka humbjet në një vit 113 milionë dollarë ose 54.7 dollarë në frymë. Në Serbi, dëmi ekonomik që i krijohet vendit nga sëmundjet pandemike llogaritet në 419 milionë dollarë në vit ose 59 dollarë për frymë. Humbje të mëdha duket se i ka Mali i Zi, me 44 milionë dollarë në vit ose 72 dollarë për frymë, por nivelin më të lartë e ka Turqia, me 8 miliardë dollarë në vit ose 102.9 dollarë për frymë. Banka Botërore paralajmëron se cilado qoftë mënyra e përhapjes, pandemia vdekjeprurëse është vetëm disa dekada larg. Partnerët e zhvillimit po ndërmarrin hapa për të përmirësuar gatishmërinë e tyre për t’iu kundërvënë shpërthimeve të sëmundjeve infektive, por ka ende shumë për të bërë. Banka bëri thirrje se koha për të vepruar tani është jo vetëm për qeveritë kombëtare, por edhe për Partnerët e Zhvillimit Ndërkombëtar. Mirëpo asnjë plan nuk do të mund të funksionojë nëse fondet nuk janë. Mes arritjes së sigurisë së vërtetë shëndetësore dhe retorikave aspiruese, ndryshimin e bën paraja. Kjo është sfida që Banka Botërore kërkon të adresojë. Raporti konfirmon rëndësinë për rritjen e gatishmërisë ndaj pandemive për të ardhmen ekonomike të vendeve. Banka ka bërë gati një plan, sipas të cilit vendet orientohen se si të gjejnë financime për të përballuar rreziqet që vijnë nga pandemitë.