19.5 C
Tirana
E premte, 18 Korrik, 2025

Interesat e kredive më të lira se kurrë

Nëse merr hua në lekë në një bankë, interesat që duhet të paguash për përdorimin e këtyre parave janë më të lira se kurrë ndonjëherë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma e interesit të huave të reja në lekë për muajin prill ka zbritur në 5.25%, si asnjëherë më parë. Vetëm një muaj më parë, interesi mesatar i kredive në banka ishte 6.97%. Rënia e interesave ka qenë e fortë për kreditë afatshkurtra, ku ato që duhen shlyer brenda 6 muajve deri në 1 vit kanë zbritur nga 6.71% në mars në 3.89% në prill. Edhe huatë deri në 6 muaj kishin interes 6.55%, nga 8.44% muajin e mëparshëm. Për herë të parë, interesat e kredive në lekë janë të barabarta me ato në euro. Në prill, norma mesatare e kredive në euro u rrit nga 4.58% në 5.13%. Historikisht kreditë në euro kanë pasur interes më të ulët dhe kjo bënte që shumë biznese dhe individë t’i drejtoheshin valutës, pavarësisht se të ardhurat mund t’i kishin në lekë, duke qenë të ekspozuar në këtë mënyrë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Shumë prej tyre madje u “dogjën” kur euro kërceu nga rreth 124 lekë në vitin 2008, në 140 lekë vitet e mëvonshme dhe vetëm aktualisht euro ka zbritur në rreth 134 lekë. Pavarësisht se interesat janë shumë të favorshme dhe bankat kanë shtuar ofertat, sidomos për individët, sërish huaja për ekonominë mbetet e tkurrur. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 545 miliardë lekë, duke u reduktuar me 2.5 miliardë lekë apo rreth 0.5% në raport me muajin e mëparshëm. Me bazë vjetore (prill 2017/prill 2016), kredia për ekonominë i është rikthyer rënies, duke u reduktuar me 0.4%.
Interesat e ulëta mbeten një faktor nxitës, por gjithsesi ka faktorë të tjerë që veprojnë kundër kreditimit, si stepja e bizneseve në pritje të përfundimit të zgjedhjeve, mbajtja e standardeve të kreditimit të shtrënguara nga bankat, sidomos për bizneset apo dhe frenimi i konsumit.

Të dytët në rajon për nivelin e lartë të kredive me probleme

Shqipëria renditet e dyta në rajon pas Serbisë për nivelin e lartë të kredive me probleme duke shkuar në normat 16.5%. Por pavarësisht trendit rënës, BE e konsideron ende nivel të lartë. Për ekspertët ky fakt është tregues se ekonomia ka probleme të thella strukturore. Arjan Kadare thotë se ekonomia po rritet nën potencialin e saj duke i krijuar biznesit pak mundësi për të shlyer huatë dhe në këto kushte ka më pak kërkesa në bankë. Kadare: Bankat natyrisht janë djegur nga huaja që ka qenë shumë e lartë në të kaluarën dhe vazhdon të jetë e lartë, pra fitimet e bankave e paguajnë. Por edhe bizneset, duke parë një ekonomi që rritet me ritme relativisht të ulëta kundrejt potencialit bën që edhe bizneset që kanë mundësi të marrin kredi nga bankat nuk kanë kërkesë për një gjë të tillë. Për ekspertin dhe ish-zv.ministrin e Financave, Sherefedin Shehu barra mbi bizneset është rritur duke i krijuar vërshtirësi për të shlyer borxhet.
Shehu: Eficenca e ulët e parave publike, mungesa e stimujve në ekonomi, që domethënë qeveria nuk ka hedhur para në sektor që ndihmojnë në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër është rritur edhe barra mbi bizneset, që do të thotë se i është marrë fryma dhe nuk ka patur hapësirë për rritje ekonomike dhe për shlyerjen e detyrimeve që ka ndaj sistemit bankar. Të ndodhur në këtë situatë, sipas Prof. Kadare, bankat kanë gjetur një shteg të lirë, atë të dërgimit të kredive jashtë kufijve. Kadare: Vendet e tjera që na rrethojnë e kanë më të ulët dhe kjo shpjegon pse bankat shqiptare, një pjesë të kredisë dhe një pjesë të fondeve po i kalojnë në vendet fqinje. Sipas Sherefedin Shehut biznesit nuk po i krijohen mundësi për t’u zgjeruar. Shehu: Mungon një klimë, mungon një ambient, mungon politika, të cilat nxisin zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj biznesi nuk rritet dhe nuk ka aftësi paguese për të shlyer detyrimet ndaj bankave. Duket se ndryshimi i legjislacionit vitin e kaluar dhe mbështetja me kredi e qeverisë nga FMN nuk po jep efektet e pritura për uljen e kredive të këqija.

Rritje rekord e borxhit shtetëror

Është dyfishuar borxhi shtetëror gjatë tri viteve të fundit të qeverisjes. Rritja rekord parashihet të mbërrijë në fundvit, kur ky borxh do të jetë në shkallën 18.64 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).
Në fund të vitit 2014, kur ka nisur mandati qeverisës i koalicionit të kaluar, borxhi ishte vetëm në shkallën 10,63 për qind të GDP-së. Ndërkaq për vitin 2020 parashihet që të mbërrijë në 21.6 për qind. Kjo nënkupton një borxh sa vetë buxheti vjetor i Kosovës.
Të dhënat janë të përfshira në programin e borxhit shtetëror referuar periudhës 2018-2020, i hartuar muajin e shkuar.

Defekte në kontrollin e brendshëm të financave publike

Defekte të mëdha janë evidentuar në kontrollin e brendshëm të financave në sektorin publik të Kosovës. Një raport i aprovuar fundjavën e shkuar në qeveri ka evidentuar shumë lëshime.
Në shumë organizata buxhetore është shtruar nevoja për përmirësim në procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit dhe është bërë thirrje për rritjen e efikasitetit të proceseve që lidhen me prokurimin publik.
Veç kësaj, edhe për rekrutimin e stafit të nevojshëm për auditim të brendshëm, pastaj për mirëmbajtjen e regjistrit të pasurisë, edhe për raportimin dhe arkëtimin e të hyrave. Dhe si nevojë në vete është shtruar avancimi i proceseve që lidhen me teknologjinë informative.
“Procesi i menaxhimit të rrezikut, përshkrimi i procesit dhe vendosjes së disa kontrolleve në disa organizata buxhetore për fushat me rrezik të lartë ende vazhdon të mbetet sfidë kryesore për menaxhmentin”, thuhet në raport. “Disa SSP (Subjekte të sektorit publik v.j.) ende nuk kanë identifikuar, analizuar, vlerësuar dhe përgatitur regjistrin e rrezikut” .

Vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë

Nuk mund të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Por një ekonomi e fortë do të thotë, qytetarë me mundësi për punë dhe mirëqenie. Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në qytetin e Sarandës.
Basha foli për programin ekonomik të PD, program i cili parashikon çlirimin e ekonomisë dhe forcimit të saj. Ai bëri të ditur se ky program mban firmën e ekspertëve ekonomikë gjermanë, pjesë e skuadrës së Partisë tonë simotër Unionit Kristiandemokrat të Angela Merkel. Me programin ekonomik, Basha tha se vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë.
“Fare i ri pata mundësinë të studioj në një nga vendet më të përparuara e të zhvilluara demokratike, me ekonomi të fortë, në Holandë. Por kudo ku kam qenë, kam parë se një shtet demokratik me ekonomi të fortë e bën qytetari i fortë, sipërmarrësi i fortë, sindikatat e forta, fermeri i fortë dhe jo kryeministri i fortë. Kryeministri krekoset, qytetarët zvarriten. Ky nuk është shtet i fortë. Ky është shtet i falimentuar, shtet i shkatërruar. Nuk ka politikan të përgjegjshëm që pretendon se po bën shtet kur shqiptarët po varfërohen, kur çmimet rriten ditë për ditë, kur papunësia rritet, kur shëndetësia është në pikë të hallit. E mbani mend të gjithë se çfarë premtoi para 4 vitesh? Premtoi 300 mijë vende pune, por vende pune nuk hapi. Premtoi ulje taksash, por taksat u rritën. Premtoi uljen e çmimeve dhe çmimet janë më të larta. Fermerët i la në mes të baltës. Premtoi rend dhe siguri. Mori Eskobarin në qeveri. E mbushi Shqipërinë me drogë dhe mori Eskobarin në qeveri. Rend dhe siguri me Eskobarin në qeveri, ky është bilanci i Edi Ramës”, tha Basha.
Kryetari i opozitës tha se e vërteta është ndryshe nga sa thotë Edi Rama.
“Dje tha se ekonomia po rritet, por populli nuk e kupton. E vërteta është krejt ndryshe. Edi Rama, ekonomia është katastrofë, je ti që nuk e kupton se ke humbur çdo lidhje me realitetin e njerëzve të thjeshtë. Je futur në moçal dhe bashkë me një tufë njerëzish, hani e pini në moçal dhe i keni zënë tokën e bukës një populli të tërë. Ndaj 25 qershori është dita për ta tharë moçalin e për të larguar njëherë e mirë këta grabitqarë. Demokracia nuk mund të vazhdojë të jetë moçali ku fryhen e majmen një grusht politikanësh. Nuk mund të jetë më ku jetojnë e bëjnë para vetëm një grusht politikanësh dhe njerëzit e lidhur me ta. Që të jetë demokraci, duhet të funksionojë për çdo qytetar. Që të jetë demokraci e vërtetë, duhet t’i krijojë mundësi çdo qytetari, të jetojë me punën e tij, me punën e saj të ndershme. Ky është premtimi i Republikës së re”, tha Basha.
Basha u shpreh se do të jetë kryeministri i shqiptarëve, i halleve dhe problemeve të tyre. Garancia është programi i tij i hartuar nga ekspertët e kancelares gjermane Merkel.
“Unë do të jem kryeministri i halleve tuaja, i problemeve tuaja, i shpresave tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Unë do të jem kryeministri i qytetarëve, kryeministri i ekonomisë dhe për këtë unë vij para jush me një program ekonomik, i cili ka vulat e ekspertëve më të mirë të Europës, ekspertëve ekonomikë gjermanë, pjesë e skuadrës së Partisë tonë simotër Unionit Kristiandemokrat të Angela Merkel, e cila po kështu konkurron këto zgjedhje e po kështu do t’i fitojë këto zgjedhje si ne në qershor. Me programin ekonomik, me vulat gjermane, vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë. Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet dhe do të hapë vende pune. Kjo është, ekonomia e fortë, prioriteti im numër një dhe realiteti i Republikës së re”, tha Basha.

Asnjë pazar me kauzën e qytetarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i dha një përgjigje të prerë zërave për një koalicion të mundshëm paszgjedhor me PS. Basha garantoi qytetarët se besimin e tyre nuk e kthen në pazar, ndërsa kishte një mesazh edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Republika e re do të triumfojë më 25 qershor. Ne nuk bëjmë pazar me kauzën e qytetarëve shqiptarë, me asnjë nga thithlopat e Republikës së vjetër. Rama do të japë llogari për dështimin total. Edhe LSI ta ketë të qartë se koha e matrapazëve në politikë që shkojnë sa andej këndej shit këlyshë e bli qen merr fund më 25 qershor. Nuk ka më. Ndaj të gjithë ata votues që jeni tunduar me teserat e partive të pazarit që ua kanë dhënë për t’u mbajtur peng, dijeni se votat për këto parti janë vota të hedhura në det, kurrë më pazari ‘bli këlyshë e shit qen’ nuk do të ecë me PD, mos harroni ne jemi të bashkuar, e gjithë opozita është e bashkuar, ata janë të përçarë. Ne e dimë se ku po shkojmë, tani është koha juaj të bashkoheni”, u shpreh Basha. Kryetari i opozitës, premtoi se me reformën kushtetuese që do të bëhet nga Parlamenti i ri, qytetarët do të mund të shkarkojnë deputetët, të cilët nuk u përgjigjen. Për këtë ai ofroi një model amerikan. “Republika e re është vendi ku qytetarët kanë në duar politikën dhe jo politika ka në dorë qytetarët. Kjo fillon me reformën kushtetuese që sot është pjesë e marrëveshjes politike që i hapi rrugë pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje dhe me këtë reformë kushtetuese ju premtoj deputetët që këtej e tutje nuk do t’i zgjedhin kryetarët e partive, por do t’i zgjidhni ju qytetarët dhe sa më takon mua në Parlamentin e ardhshëm ata deputetë që nuk iu përgjigjen ju do të keni mundësinë jo vetëm t’i zgjidhni, por edhe t‘i shkarkoni përpara fundit të mandatit sipas sistemit Recall të SHBA. Ju do të keni pushtetin për të shkarkuar deputetët që nuk ju përgjigjen që shkojnë pas interesit të veta dhe jo interesit tuaj. Me Republikën e re teatri dhe tallja do të marrë fund, tha Basha, ndërsa pushteti do t’i kthehet qytetarëve”, tha ai.

Edhe në grahmat e fundit, Rama nuk ndahet dot nga koncesionet

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur një tjetër procedurë koncesioni dhe këtë herë bëhet fjalë për hidrocentralin e Lunikut. Sipas dokumenteve mësohet se hidrocentrali do të jetë në segmentin ujor të pellgut ujëmbledhës të Zallit të Lunikut nga kuota 273 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 492 metra mbi nivelin e detit, duke respektuar kushtet teknike të projektimit dhe moscenimit të objekteve që parashikohen të ndërtohen në këtë pellg ujëmbledhës. Në fakt mbi këtë lumë është parashikuar që të ngrihen të paktën 5 hidrocentrale, referuar raportimeve të mëparshme, por sot mbetet e paqartë si paraqitet situata pasi për dy prej tyre puna ka nisur shumë më herët. Ekspertët ambientalistë kanë vënë theksin në mënyrë të vazhdueshme tek impakti negativ që kanë këto hidrocentrale që kalojnë në Parkun Kombëtar të Librazhdit. Vetëm për këtë zonë ka pasur interes dhe parashikim për 45 hidrocentrale. Ministria e Energjisë dhe Industrisë duket se ka intensifikuar së fundmi shpalljen e procedurave të koncesioneve për hidrocentrale të rëndësishme nga Bushtrica 1, 2 dhe 3, tek Grabova 1 dhe 2, Kalivaçi dhe së fundmi Luniku. Ky i fundit do të ketë sërish një afat 35-vjeçar sipas formulës së partneritetit publik privat dhe ofertat duhet të paraqiten brenda datës 30 qershor.

Sulmi kimik ndaj opozitës si akt terrorist dhe roli i Ramës

Sali BERISHA

Të dashur miq, për herë të parë në historinë e vendit opozita shqiptare sulmohet në mitingun e saj me lëndë kimike toksike, akoma të paidentifikuar pluhur apo gaz, sulm nga i cili u lënduan në shkallë të ndryshme mbi 170 pjesëmarrës në këtë miting, ndër të cilët edhe vetë kryetari i PD, Lulzim Basha.
Shfaqjet klinike të personave të dëmtuar nga agjenti toksik ishin qartësishit ato të veprimit akut irritues duke shkaktuar eritemë të fortë, skuqje dhe djegie të lëkurës, skuqje e fryrje dhe djegie të qepallave dhe syve, irritime të kornes dhe perde e përkohshme në shikim, dhembje të padurueshme koke, irritim të fortë dhe sekrecione të mukozave të hundës dhe rrugëve të frymëmarrjes.
Jashtë çdo lloj dyshimi ky ishte një agresion akut.
Disa prej të lënduarve vazhdojnë të vuajnë pasojat e dëmtimeve në sy prej asaj dite, kurse për pasojat mbi rrugët e frymëmarrjes nuk ka ende vlerësime. Opozita, pavarësisht nga akti terrorist dhe qëllimi i tij, mbajti një qëndrim serioz të vetëpërmbajtur në deklaratat e saj.
Por tani, duke parë përpjekjet qeveritare dhe mediave të kontrolluara nga Rama për të zvogëluar në maksimum aktin kriminal terrorist që ndodhi në bulevardin e Tiranës, nuk mund të mos ndalesh në analizën e tij në momentet që vijojnë.
Së pari, kemi të bëjmë me një qëndrim të dyshimtë të papranueshëm të qeverisë ndaj këtij sulmi kimik kundër opozitës në mitingun e saj elektoral, për të cilin edhe sot, pas pesë ditësh nuk dihet asgjë për shkakun dhe qeveria refuzon ta cilësojë ashtu siç ishte në të vërtetë.
Së dyti, ky sulm kimik, si rastësisht ndodhi vetëm një javë pas një stërvitje të bërë publike në media, në të cilat u demonstrua reagimi i forcave të ushtrisë dhe policisë ndaj një sulmi të simuluar me armë kimike.
Një javë pas kësaj stërvitje qeveritare, i takoi opozitës shqiptare të provonte sulmin me armë kimike ndaj saj. Ngjarjet mundet të mos kenë asnjë lidhje njëra me tjetrën, por e vërteta është se, që nga koha e diktaturës, një stërvitje publike në kryeqytet dhe e paraqitur në media për armët kimike, nuk ishte zhvilluar, sikundër, një sulm kimik në një miting publik në Shqipëri nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Së treti, si për të na bindur se kishte të gatshme një përgjigje të parafabrikuar për të fshehur dorën e zezë të autorit apo autorëve të sulmit kimik kundër opozitës, policia e partisë pa humbur kohë akuzoi me një injorancë ekzemplare si shkak tullumbacet, të cilat u tha se pas plasjes kanë shkaktuar problemin, por nuk u tha se çfarë lënde kimike, pluhur apo gaz toksik duhet të ishte futur me qëllim në tullumbacet për të shkaktuar sindromin toksik tek mbi 170 vetë.
Hipoteza e tullumbacit u diskreditua shpejt pasi tullumbacet e lëshuara në fluturim, të filmuara nga shumë kamera, nuk kishte plasur dhe përveç kësaj kishte disa persona të lënduar që ishin larguar nga mitingu para lëshimit të tullumbaceve.
Natyrisht, kur Policinë e Shtetit e drejton njëri nga bajlozët më kryesorë të narko-shtetit dhe Drejtorinë e Tiranës e drejton një ekstremist socialist i ardhur nga Policia Bashkiake e Vlorës, nuk mund të presësh qëndrime të tjera përveç përpjekjes për të humbur gjurmët e këtij krimi të shëmtuar.
Ky qëndrim i policisë se “fajin e kanë tullumbacet” u shoqërua me heshtjen e plotë të kryeministrit në largim. Vetëm pas alarmit që dhanë mediat ndërkombëtare për sulmin kimik ndaj opozitës në Tiranë reagoi dhe Edi Rama, i cili kërkoi gjetjen e shkakut, por njëkohësisht akuzoi opozitën se po flet për konspiracion, me çka tregoi se ndofta i shkoi gjuha tek dhëmbi!
Përveç këtyre, policia, pasi i plasi në dorë tullumbaci tani po bën përpjekje edhe më qesharake për të mbyllur çështjen e këtij akti që nuk ka asgjë mangut nga kriteret e një sulmi terrorist, pasi nuk gjendet asnjë shkak tjetër, duke aluduar për dritën e projektorëve.
Kështu, prej tre ditësh po fajësohen projektorët e përdorur me qindra herë në aktivitete dhe që nuk kanë dhënë asnjëherë gjë të ngjashme me atë që ndodhi në mitingun e opozitës.
Së fundi, ky ishte sulm ndaj opozitës pas një kohe përballje të gjatë dhe të ashpër me qeverinë, ndaj mendoj se qeveria, për të dëshmuar se ishte duarjashtë në këtë akt, do të duhej jo të heshtë apo të bënte presione që të mos lëshohen komunikata siç bëri ditën e parë, por me urgjencë të kërkonte ndihmën e ekipeve të vendeve partnere me eksperiencë shumë më të madhe sesa ekipet tona në sulmet kimike dhe me ndihmën e tyre të përcaktonte me saktësi shkakun e asaj që ndodhi.
Ky qëndrim, mesa duket qeverisë për arsye të veta, nuk i interesonte. Kështu që qytetarëve të lënduar dhe mbarë qytetarëve shqiptarë iu lind e drejta të venë shumë pikëpyetje mbi qëndrimin e qeverisë ndaj këtij sulmi kimik ndaj opozitës, të cilin qeveria në pamundësi për ta fshehur prapa tullumbacit përsëri nuk do që të paraqitet si i tillë.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe aktin terrorist ndaj opozitës, qëndrimin e dyshimtë të Edi Ramës dhe policisë, i bëj thirrje Prokurorisë të Shtetit të hetojë me përparësi së pari të gjitha këto qëndrime dhe vonesa të qëllimshme, llojin e agjentëve apo agjentit kimik të përdorur në simulimin e sulmit kimik që u bë një javë më parë nga qeveria dhe dëmtimet që ai shkakton, si dhe me ndihmën e institucioneve partnere më të specializuara, të përcaktojë me urgjencë agjentin e përdorur në sulmin kimik mesa duket terrorist që u ndërmor kundër opozitës shqiptare!

Fushata, 13 milionë euro “fluturojnë” jashtë bankave

Historikisht çdo periudhë parazgjedhore në dy dekadat e fundit është shoqëruar me një rritje të parasë jashtë bankave, teksa intensifikohen shpenzimet (zyrtare dhe jo zyrtare) për fushatat e partive politike. Ndonëse ky vit nuk ka qenë normal dhe fushata zyrtarisht ka nisur vetëm javën e fundit, pasi Edi Rama dhe Lulzim Basha arritën një marrëveshje ku Partia Demokratike pranoi të hynte në zgjedhje, sërish tendenca e rritjes së parave jashtë banke është konstatuar që në prill.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë sistemit bankar (korporatave depozituese) në muajin prill shënoi një rritje me gati 2 miliardë lekë (13 milionë euro), për herë të parë përgjatë këtij viti, duke arritur në 246 miliardë lekë apo gati 1.8 miliardë euro. Dy periudhat kur tradicionalisht ka rritje të parasë në qarkullim jashtë bankave janë në korrik-gusht kur vijnë emigrantët dhe turistët dhe dhjetor, kur sërish ka prurje nga emigrantë, ndërsa gjatë muajve të tjerë përgjithësisht ky tregues shënon rënie.
Përjashtim kanë bërë vetëm periudhat para zgjedhore, kur paraja jashtë bankave shënon rritje të pazakontë. Për shembull, në maj-qershor 2015, para zgjedhjeve vendore, ky tregues u rrit me gati 10 miliardë lekë. Në prill-maj 2013, për zgjedhjet e përgjithshme paraja jashtë bankave shënoi rritje me rreth 9 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në prill qershor 2009, ky indikator u zgjerua me rreth 6.6 miliardë lekë.
Periudhat para zgjedhore tradicionalisht shoqërohen me rritje të inflacionit (për shkak të rritjes së parasë në qarkullim) dhe zhvlerësim të monedhës vendase. Por këtë vit, aktorët e tregut valutor kanë konstatuar një rritje të pazakontë të përdorimit të euros këtë prag fushate, që ata e cilësojnë dhe si një ndër arsyet e zhvlerësimit të fortë të monedhës europiane në tregun vendas. Gjatë ditës së djeshme, euro arriti një tjetër rekord në tregun vendas, duke u këmbyer me 134.14 lekë, niveli më i ulët që nga shtatori 2009. Teksa euro në bursa vijon të mbetet relativisht e fortë, në 1.11 USD, larg nivelit prej 1.05USD ku zbriti në dhjetor të vitit të kaluar, oferta e lartë e brendshme për valutë mbetet arsyeja kryesore që po forcon lekun në vend.

INSTAT rrëzon “Rilindjen”, shifrat zyrtare zbulojnë krizën

Instituti i Statistikave rishikoi në ulje të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitet 2014 dhe 2015, duke fiksuar vlerësimin final të vitit 2014 në masën 1.77 për qind, si dhe vlerësimin gjysmëfinal të vitit 2015 në masën 2.2 për qind. Të dyja shifrat janë më të ulëta se sa qe planifikuar në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal të vitit  2015. Si pasojë e rivlerësimeve të të dyja viteve, PBB e Shqipërisë rezulton rreth 100 milionë euro më e paktë nga sa shpresohej të qe, gjë që vë në dyshim të gjithë programin makroekonomik të vendit, përfshirë përpjekjet për rigjallërimin e ekonomisë, si dhe të uljes së borxhit publik si përqindje e PBB-së. Prodhimi i Brendshëm Bruto për vitin 2014 qe shpresuar se do të rritej me 2.1 për qind si pasojë e programit të qeverisë aktuale për rritjen e borxhit publik, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të lëna nga qeveria e kaluar dhe rrjedhimisht, rritjen e qarkullimit ekonomik të vendit. Në vitin 2014, borxhi publik i Shqipërisë u rrit me 93 miliardë lekë (660 milionë euro), e barasvlefshme me 6.6 për qind të PBB-së. E gjithë kjo sasi parash e hedhur në ekonomi duhej të kishte sjellë ndryshimin rrënjësor të situatës. Por PBB e vitit 2014 u rrit me vetëm 45 miliardë lekë, më pak se gjysma e rritjes së borxhit publik. Me fjalë të tjera qeveria ngarkoi shqiptarët me dy lekë borxh për të rritur ekonominë me vetëm një lek. Vlerësimi final i INSTAT për vitin 2014 është për rritje ekonomike në terma realë prej 1.77 për qind dhe në terma nominalë prej 3.4 për qind, ndërkohë që borxhi publik u rrit me mbi 10 për qind.

Deflacion më 2015

PBB e vitit 2015 qe shpresuar të rritej me 3 për qind sipas Kuadrit Makroekonomik në terma realë. Vlerësimi gjysmëfinal i INSTAT i publikuar dje (31 maj) flet për rritje ekonomike në masën 2.23 për qind. Por është deflatori i PBB-së, treguesi i vërtetë i vështirësive ekonomike që përjetoi vendi atë vit. Sipas INSTAT, deflatori për vitin 2015 qe vetëm 0.1 për qind. Ky është deflatori më i ulët i regjistruar në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Deflatori është një tregues që mat ndryshimin e çmimeve të shitjes së mallrave dhe shërbimeve të PBB-së. Zakonisht deflatori në Shqipëri duhet të jetë dy ose tre për qind, gjë që nënkupton rritjen me 2-3 për qind të çmimeve në krahasim me vitin paraardhës. Vetë qeveria pati vlerësuar se deflatori për vitin 2015 do të qe 2.5 për qind. Por INSTAT thotë se në fakt deflatori ra në 0.1 për qind. Situata duket se u përkeqësua në muajt e parë të vitit 2016, kur deflatori rezultoi negativ, gjë që do të thotë se mallrat dhe shërbimet u shitën me çmime edhe më të ulëta se sa një vit më herët. Ekonomia shqiptare ka vuajtur nga rritja e ngadaltë që nga viti 2009, por qeveria aktuale në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar hartoi një plan gjithëpërfshirës në vitin 2013 me synimin e rikthimit të stabilitetit makroekonomik dhe fuqizimit të rritjes ekonomike. Plani parashikonte rritjen e një numri të konsiderueshëm taksash si taksa e qarkullimit  mbi naftën, akciza e cigareve, tatimi mbi të ardhurat personale etj., me synimin që të ardhurat shtesë të financonin borxhin publik dhe rigjallërimin ekonomik. Por aktualisht taksat dhe borxhi publik janë rritur, ndërsa ekonomia ka ecur shumë më ngadalë. Me shifrat e reja të INSTAT për vitet 2014 dhe 2015, rezulton se ky plan dukshëm ka dështuar të rigjallërojë ekonominë.

Kosovë, pas zgjedhjeve, format i ri i dialogut

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është përcaktim institucional i Kosovës dhe ai nuk ka alternativë, por do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, që mbahen më 11 qershor, si dhe krijimit të qeverisë së re, thonë zyrtarët e qeverisë së Kosovës në largim dhe njohësit e zhvillimeve politike. Edita Tahiri, ministre për Dialog e qeverisë së Kosovës në largim, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve parlamentare dhe formimit të ekzekutivit të ri të vendit, do të zhvillohet një proces konsultash institucionale ndërmjet qeverisë, Presidentit dhe Kuvendit të Kosovës, lidhur me formatin e ardhshëm të dialogut, marrë parasysh që, siç thotë ajo, ky dialog do të hyjë në fazën finale. “Tani po hyjmë në fazën finale të këtij dialogu, që lidhet me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve, sepse kështu edhe duhet të rrumbullakohet, për faktin se të dyja shtetet synojnë integrimin evropian dhe fqinjësia e mirë, është një prej kushteve kryesore. Unë besoj që do të duhej të ishte një format i spektrit të gjerë – këtu e kam parasysh pushtetin dhe opozitën – dhe në të cilin do të duhet të përfshihen të gjitha institucionet, diçka ngjashëm siç ka qenë në bisedimet e Vjenës. Kjo, për faktin se po futemi në fazën finale”, tha ministrja Tahiri. Se dialogu me Serbinë, në fazën e ardhshme, duhet të jetë gjithëpërfshirës, vlerëson edhe politologu Ramush Tahiri. Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin se ky format nuk duhet të jetë gjithëpërfshirës në aspektin politik, por në kuptimin profesional dhe që udhëhiqet nga qeveria dhe ministritë përkatëse, të cilat kanë kapacitete për ta çuar procesin përpara, duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. “Unë nuk jam për vazhdimin e deritashëm të mbështetjes politike dhe të caktimit të ekipeve të veçanta, sepse ajo kohë edhe është tejkaluar, por e shoh që është më e ngadalshme edhe si proces. Por, sidomos krijon gati pamundësi në harmonizimin e mëtejmë në Kuvend”. “Gjithashtu e shoh shumë të rëndësishme që serbët dhe komunitetet e Kosovës të jenë të përfshira në dialog, aktivisht, nga pala kosovare, sepse janë shtetas të Kosovës”, thekson politologu Tahiri.  Sidoqoftë, ministrja Edita Tahiri ka theksuar se pranimi reciprok ndërmjet dy vendeve është caku kryesor që synohet nga Kosova në dialogun e Brukselit. Por, politologu Ramush Tahiri, vlerëson se deri në njohjen reciproke, të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, kanë nevojë t’i rregullojnë marrëdhëniet në secilin segment. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011. Në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve. Gjatë këtij viti, dialogu ka shënuar rënie për shkak se në muajin prill në Serbi janë mbajtur zgjedhjet presidenciale. Aktualisht, Kosova gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor.

A është gati Europa që të mbrohet e vetme pa SHBA?

U.S. President Donald Trump, left, NATO Secretary General Jens Stoltenberg and German Chancellor Angela Merkel walk through NATO headquarters at the NATO summit in Brussels on Thursday, May 25, 2017. US President Donald Trump and other NATO heads of state and government on Thursday will inaugurate the new headquarters as well as participating in an official working dinner. (AP Photo/Geert Vanden Wijngaert)

Felix Steiner

Kush e kishte menduar këtë? Në një moment të gjoja dobësisë më të madhe dy të konsideruar si të vdekur janë në një formë të re të lartë.
Së pari, ka Angela Merkel: katër muaj më parë, u duk papritmas se ajo do t’i humbiste zgjedhjet e ardhshme në muajin shtator. Gjermania u kaplua nga entuziazmi për sfidantin Martin Schulz. Por ky mori fund edhe më shpejt që se kishte ardhur. Tani elektorati gjerman është dëshmitar se si Angela Merkel është kryeministrja më jetëgjatë dhe poli qetësues në G7, NATO dhe samitet e BE-së. Dhe fjala e saj në një tendë bavareze birre jep papritmas shkas për të menduar në mbarë botën për shtyrje tektonike në marrëdhëniet transatlantike. Sikur të kishte folur vetë Zoti.

Europa sërish aktuale
Nga ana tjetër BE-ja. Vota e britanikëve pro Brexit-it saktësisht një vit më parë e goditi brutalisht vetëbesimin e vendeve të BE-së. Kriza e euros dhe kriza e refugjatëve vitin e kaluar nxorën në pah përçarje të thella në mes të anëtarëve nga veriu dhe jugu dhe lindja dhe perëndimi. Por tani, disa javë pas zgjedhjes së një të riu karizmatik si president i Francës, Europa është sërish aktuale: “Ne europianët duhet ta marrim fatin tonë vërtet në duart tona”, thotë kancelarja në çadrën e birrës në Mynih – dhe pak para zgjedhjeve ajo është e sigurt se simpatia për këtë ide në Gjermani ekziston. Apo mos vallë gjermanët kënaqen më tepër me një efekt të pastër antiTrump dhe pro europian, kur të gjithë duartrokasin me gëzim?
Vendimtare është se kancelarja nuk e shpjegoi atë që kupton konkretisht me fjalët ta marrësh fatin në duart e tua. Kjo nuk do të ishte fare e thjeshtë. A beson Angela Merkel seriozisht se Europa mund ta përballojë e vetme një agresion ushtarak – nga kudo? Europa që pretendonte vazhdimisht që nga fillimi i krizës së refugjatëve, se nuk mund as t’i mbrojë kufijtë e saj as kundër të paarmatosurve dhe të kërkojë procedurat e duhura të hyrjes me dokumente të vlefshme?
I njëjti kapitullim kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit: kudo ku u zbuluan në Europë muajt e fundit qeliza terroriste ose u ndaluan plane për vepra terroriste kjo ndodhi falë informacioneve nga burime amerikane të shërbimeve sekrete. Nuk është rastësi që ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere tha me ngut pas fjalimit të Merkelit në tendën e birrës se bashkëpunimi me shërbimet sekrete amerikane zhvillohet në mënyrë profesionale dhe në nivelin më të lartë – pavarësisht prej personit të presidentit.
Sa do të kushtojë Pavarësia?
E qartë është se nëse Europa i zëvendëson të gjitha këto aftësi dhe do të jetë vërtet e pavarur, ajo duhet të shpenzojnë shumë më tepër para sesa dy për qind të prodhimit ekonomik që kërkohet prej shumë vitesh nga NATO. Dhe këtë nuk e do njeri dhe as edhe Gjermania. Dhe, edhe në qoftë se Europa do të ishte e gatshme për këtë përpjekje, zhvillimi i aftësive të duhura do të zgjaste me vite, nëse jo me dekada.
Pra, çfarë na mëson kjo? Acarimi për Donald Trumpin në Europë është tepër i dukshëm. Dhe pikërisht me këtë tani mund të mbledhësh vota. Por prej kësaj nuk rrjedhin rregullime të menjëhershme të politikave. Për shkak se kjo thjesht nuk është kaq e lehtë. Të irrituar duhet të jenë ata që besojnë, ose e dinë që politika përbëhet në masë të madhe vetëm nga simbolika – ngjashme me fjalimin “Ich bin ein Berliner” të John F. Kennedy-t ose gjunjëzimin e Willy Brandt-it në Varshavë. Qëndrime për gjëra që përbëjnë një epokë. Kështu që nëse ftohja mes Europës dhe SHBA vazhdon të rritet në të ardhmen, vërtet që fjalimi në tendën e birrës në Mynih mund të përlëvdohet si moment historik. Dhe nëse me këtë do të ketë në të ardhmen një angazhim të fortë për bashkëpunim europian edhe në sektorin e ushtrisë dhe të sigurisë – edhe më mirë.

Prova ushtarake 224 milionë dollarëshe e SHBA

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë në plan të zhvillojnë një provë me interceptorin e tyre të parë të raketave balistike, një ditë pasi Koreja e Veriut deklaroi se kishte kryer me sukses një provë me këto lloj raketash.
Prova amerikane, e cila kushton 224 milionë dollarë, është pjesë e një programi, tha zëdhënësi i Pentagonit.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut njoftoi se prova më e fundit e një rakete balistike u krye me sukses. Agjencia koreanoveriore shtoi se për këtë qëllim u përdor një sistem i ri telekomandimi me preçizion të lartë, si dhe një platformë e lëvizshme lëshimi.
Në Korenë e Jugut, zyrtarët ushtarakë thanë se raketa e lëshuar dje nga Veriu fqinj ishte e tipit Scud dhe ra në Detin e Japonisë, rreth 450 kilometra larg bregut lindor të Koresë së Veriut.
Kjo është prova e tretë brenda pak javësh dhe bëhet menjëherë pasi udhëheqësit e grupit të Shtatëshes i kërkuan Penianit të tërhiqej nga ambiciet bërthamore.
Kanali shtetëror koreanoverior, “KRT”, e njoftoi lëshimin e raketës të martën, duke e shoqëruar me foto të udhëheqësit Kim Jong Un.
“Prova e fundit kishte si qëllim verifikim e aspekteve teknologjike të raketës së tipit të ri me një sistemi preçiz drejtimi, që do të na mundësojë të godasim objektivat e armikut me saktësi. U provua edhe funksionimi i një mjeti vetëlëvizës me shumë rrota si platformë lëshimi për kushte beteje. Fjala është për një raketë me rreze të mesme veprimi që u testua për të vëzhguar nga distanca fazën e fundit të telekomanduar të mbushjes së saj”, deklaroi spikerja e kanalit shtetëror koreanoverior.
Komanda amerikane e Paqësorit tha se e gjurmoi raketën balistike për rreth gjashtë minuta dhe konkludoi se nuk përbënte rrezikshmëri për Amerikën e Veriut.
Presidenti Donald Trump u shpreh nëpërmjet Twitter-it se Koreja e Veriut ka nëpërkëmbur edhe vendin fqinj, Kinën, duke testuar një tjetër raketë balistike. Presidenti Trump njohu gjithashtu përpjekjet e Kinës për të përmbajtur ambiciet ushtarake të Koresë së Veriut.
Kina është shprehur vazhdimisht se vlerëson dialogun si rrugën për të zgjidhur ngërçin rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Terrori godet zonën e ambasadave në Kabul

Një shpërthim masiv në mëngjesin e së mërkurës në zonën ku janë të vendosura misionet diplomatike në kryeqytetin afgan, shkaktoi të paktën 90 të vrarë dhe mbi 350 të plagosur.
Duke konfirmuar njoftimet, zëdhënësi i Ministrisë afgane të Shëndetësisë Wahidullah Majroh, tha se numri i viktimave mund të rritet.
Shpërthimi goditi zonën Wazir Akbar Khan ku janë të vendosura misionet e huaja diplomatike dhe zyra qeveritare, duke shkatërruar shumë automjete dhe duke dëmtuar ndërtesat përreth. Sipas njoftimeve të para besohet se mjetet shpërthyese ishin fshehur në një kamion cisternë.
Nuk është e qartë se cila ishte shënjestra e sulmit, por një zyrtar afgan i sigurisë tha se shpërthimi ndodhi jo larg ambasadës gjermane dhe ndërtesës së kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në vend.
Shpërthimi i së mërkurës ndodhi në një periudhë të shtimit të sulmeve të talebanëve mbi forcat afgane, ndërsa besnikët e grupit militant Shteti Islamik, kryen disa sulme gjatë muajve të fundit.
Dhuna e kohëve të fundit ndodh në një periudhë kur presidenti afgan Ashraf Ghani, po përgatitet për një konferencë me vendet fqinje në Kabul javën që vjen për të diskutuar përfundimin e konfliktit në Afganistan.

Berisha ndër më të mirët

Etrit Berisha është përfshirë në mesin e 100 futbollistëve më të mirë të këtij sezoni në Serie A, ndërsa portieri tjetër Thomas Strakosha nuk është fare në listë. Sajti i njohur sportiv italian “Tuttomercatoweb” ka bërë renditjen e 100 futbollistëve të paraqitur më mirë gjatë këtij sezoni në Serinë A italiane duke marrë mesataren e notave me të cilat është vlerësuar çdo futbollist javë pas jave.
Kriteri që një lojtar të bëhej pjesë e këtij klasifikimi ishte aktivizimi në të paktën 17 ndeshje. Portieri i Atalantës dhe kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, është përfshirë në këtë listë duke u renditur i 54-ti.
Nota e tij mesatare gjatë këtij sezoni është 6.15. Ai ishte një ndër pikat kyçe të bergamezëve në sigurimin e vendit të 4 në Serinë A, një sukses që i kualifikon gjithashtu direkt në grupet e Europa Leagues.
“Kush imagjinonte një duel të ashpër me Sportielon ka mbetur i zhgënjyer. Portieri shqiptar, i huazuar nga Lacio, veshi dorezat e titullarit dhe nuk i hoqi më, përveç rasteve të dëmtimeve. 26 ndeshje, 26 gola të pësuar, 11 herë e ka mbajtur rrjetën të paprekur”, shkruan komenti shoqërues për Berishën. Për t’u çuditur është mbetja jashtë kësaj liste e portierit tjetër shqiptar, Thomas Strakoshës së Lacios. Ai ka luajtur në 21 takime dhe në shumicën e rasteve ka marrë nota mjaft të larta, të cilat me shumë mundësi do të formonin një mesatare më të lartë se ajo e Berishës.