Antoine Griezmann e lë të hapur mundësinë e largimit nga Atletico e Madridit gjatë merkatos së verës. Sulmuesi francez, i cili është grumbulluar me kombëtaren për transfertën shumë të rëndësishme me Suedinë në Grupin A të kualifikueseve të Botërorit, e pranoi se përfaqësuesi i tij ligjor po komunikon me drejtuesit e Los Colchoneros për të vendosur se ku do të luajë në të ardhmen.
“Ndihem mirë tek Atletico e Madridit. Menaxheri im po flet me drejtuesit e klubit, të shohim se çfarë do të ndodhë. Këtë verë do të vendoset nëse do të qëndroj, para Kupës së Botës do të mësohet e ardhmja ime. Por siç e thashë edhe më parë, jam shumë mirë tek Atletico. Është në dorën e presidentit, varet se cili do të jetë vendimi i tij”, u shpreh Griezmman.
24-vjeçari luan që nga viti 2009 në Primera Division, ku fillimisht është aktivizuar me Real Sociedadin para se të kalonte tek Atletico. Edhe pse nuk është provuar në liga të tjera europiane francezi mendon se kampionati spanjoll është më i forti në botë.
“Për mendimim tim La Liga është kampionati më i fortë në botë, sepse luaj prej shumë kohësh në Spanjë. Edhe skuadra e fundtabelës mund të të marrë pikë kur luan në shtëpinë e saj. Më pëlqen Bundesliga ku shënohen gola nga 40 metra dhe ndeshjet përfundojnë me shumë gola. Në Premier League konkurrojnë shumë skuadra për zonën Champions, ndonëse janë të paktën gjashtë ekipe që kanë cilësi dhe e meritojnë të jenë në katërshen e parë”, tha ai.
Interesin më të madh për Griezmann e ka shfaqur Jose Mourinho, me portugezin që po bën gjithçka për ta transferuar në “Old Trafford”.
Griezmann: Të ardhmen time e vendos presidenti i Atleticos
Atalanta në dyshim për Berishën
Etrit Berisha ende i paqartë për të ardhmen e tij. Edhe pse zhvilloi një sezon të shkëlqyer në radhët e Atalantës, duke qenë një nga pikat më të forta të skuadrës nga Bergamo për kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League, vazhdimësia në këtë skuadër është në dyshim. Sigurisht jo për faj të 28-vjeçarit, por për shkak të çmimit të lartë të kartonit që i ka vënë Lazio. Atalanta, që e huazoi verën e kaluar portierin e kombëtares shqiptare, ka të drejtën e blerjes, por shumës prej 7 milionë eurosh që kërkon presidenti i bardhekaltërve Lotito konsiderohet shumë e lartë për mundësitë financiare që ka ky klub.
Në muajin janar Marco Sportielo u transferua te Fiorentina dhe në vend të tij Atalanta afroi nga Verona Pierluiggi Gollinin. Dilema tek Atalanta është të harxhosh kaq shumë para për Berishën apo t’i besosh Gollinit. Kjo situatë nuk mund të vijojë pambarim, pasi Lazio do të kërkojë ta zgjidhë sa më shpejt çështjen Berisha, ndoshta duke e huazuar apo shitur te një klub tjetër.
Portieri kuqezi është ndër më të vlerësuarit në Serinë A, teksa ka luajtur në 25 ndeshje duke pësuar 26 gola me Atalantën. Në total janë 2469 minuta në fushë dhe plot 92 pritje vendimtare. Numri i golave të pësuar në fakt është rritur ndoshta në mënyrë të pamerituar nga humbja 7-1 ndaj Interit. Gasperimi ka besim të plotë te shtatlarti shqiptar, por vendimi u përket drejtuesve, nëse janë të gatshëm për të shpenzuar 7 milionë euro për një portier.
Mundësia e Juventus
Edgar Davids beson se Juventusi e ka një mundësi për ta mposhtur Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve, por e ka këshilluar atë që të bëjë kujdes nga Cristiano Ronaldo. Davids, ish-mesfushor i Juventusit, i bëri këto komente në ngjarjen “partita del cuore” në stadiumin e Juventusit. “Real Madrid? Mendoj se ka mundësi që ata të mposhten, por duhet të theksohet se ata kanë lojtarë që mund ta vendosin ndeshjen”, ka thënë holandezi.
Ai ka thënë se Juve duhet të bëjë kujdes nga Cristiano Ronaldo. “Po mendoj për lojtarët siç është Cristiano Ronaldo, i cili është një lojtar klasik kur Reali luan keq, ai gjithmonë ia del që të shënojë dhe ta vendosë rezultatin e ndeshjes”, ka thënë ai. “Është ndeshje e vështirë. Higuain dhe Dybala janë të mirë, por ata nuk janë të nivelit të Bale dhe Ronaldo”, ka shtuar Davids.
Ndërkohë, Dybala ka trembur Juventusin. Ka vetëm pak ditë që ka rinovuar kontratën me Juventusin deri në vitin 2022, por e ardhmja e Paulo Dybala-së nuk është aspak e sigurt. Sulmuesi argjentinas, i ashtuquajtur “Messi i ri” është në vëmendjen e të gjitha klubeve të mëdha, me Realin e Madridit dhe Barcelonën në krye të listës, të ndjekur nga Bajerni i Mynihut dhe dy Mançesterët.
Por duke parë statusin e këtyre klubeve, pa dyshim që në krye të preferencës së çdo lojtari qëndron gjithmonë klubi më i madh dhe ndoshta më “elegant” në botë, Reali i Madridit, të cilit Paulo Dybala nuk ia ka mbyllur dyert, duke trembur jo pak bardhezinjtë italianë. “Një e ardhme te Reali i Madridit? Pse jo, të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, nënvizon 23-vjeçari për televizionin spanjoll “El Chiringuito”. “Gjithsesi, në këtë moment nuk dua të mendoj për asgjë tjetër përveçse për Juventusin dhe mbi të gjitha për finalen e Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit, e cila duhet fituar me çdo kusht”.
Përveçse me rinovimin edhe për pesë vite të tjera, numri 21 i skuadrës torineze përfitoi edhe një rritje page, e cila do të prekë lehtësisht 7 milionë eurot sezonale, shifër kjo që e bën lojtarin e dytë më të paguar pas Gonzalo Higuainit, me 7.5 milionë euro neto në vit.
Por të tilla shifra janë paga “normale” për ekipet që janë vënë në ndjekje të Paulo Dybala-së, prandaj Reali i Madridit dhe gjithë të tjerat që e duan janë gati që ta joshin duke i ofruar të paktën dyfishin e asaj që përfiton te Juventusi dhe në të tilla shifra situata bëhet e rrezikshme.
Ronaldo: Jemi më të mirët
Cristiano Ronaldo mendon se po kalon ndoshta një nga momentet më të mira të karrierës. Në një intervistë për “RMTV”, ai tregoi se kjo e shtyn të jetë optimist edhe për duelin ndaj Juventusit ku portugezi shpreson të bëjë të vetin përsëri trofeun më të rëndësishëm për klube në Europë.
Modestia nuk është virtyt për të cilin shquhet Cristiano Ronaldo. Sulmuesi portugez, në një dalje publike para finales së Championsit ndaj Juventusit theksoi se Reali i Madridit është skuadër më e fortë se bardhezinjtë, ndaj meriton ta fitojë këtë trofe.
“Duhet të jemi të përulur, por të mos e ekzagjerojmë. Kemi një shans të artë për triumfin e dyfishtë dhe shpresojmë të fitojmë. Juventusi është një skuadër e madhe, por besoj se ne jemi më të fortë se ata”, u shpreh Ronaldo.
32-vjeçari është shfaqur në formë të jazhtëzakonshme në muajt e fundit, duke shënuar rregullisht. Meritë për këtë, sipas portugezit ka Zinedine Zidane. “Ndihem shumë mirë fizikisht, madje më në formë se sezonet e kaluara, pasi po kaloj një periudhë shumë të mirë. Kam luajtur më pak gjatë këtij sezoni, megjithatë kam më shumë minuta se të gjithë lojtarët e tjerë të Realit. Kjo është meritë e trajnerit Zidane, që ka ditur të ekonomizojë forcat, por edhe e shokëve të mi të skuadrës”, tha ai.
Ëndrra e Ronaldos është të fitojë Championsin e katërt në karrierë dhe të dytin radhazi për Los Blancos. “Si fitohet një finale? Duke shënuar dhe vuajtur në fushë. Fakti që kemi mundur ta fitojmë kampionatin na jep më shumë qetësi. Tani duam të shkruajmë historinë duke e fituar dy herë radhazi Championsin”, përfundoi Ronaldo.
Ndërkohë, trajneri Zinedine Zidane ka marrë një lajm të keq, pasi vetë Gareth Bale e ka konfirmuar se nuk është gati 100 për qind. Ai tha se nuk ka luajtur që shtatë javë dhe nuk është gati për të luajtur 90 minuta, pavarësisht se është stërvitur nga dy herë në ditë. “Unë jam shëruar, por nuk jam 100 për qind gati edhe pse kam punuar nga dy herë në ditë në javët e fundit, në mënyrë që të jem sa më i përgatitur”, ka thënë Bale. Ai po ashtu tha se finalja e Cardiffit do të jetë speciale për të, sepse luhet në qytetin e tij të lindjes dhe këtë e kishte ëndërruar gjithmonë. Në vend të Bale në finale nga minuta e parë pritet të luajë mesfushori spanjoll, Isco.
Serbët e Kosovës kritikojnë Beogradin
Të hënën, rreth orës 22, në Leposaviç, persona të paidentifikuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të objektit të Qendrës për Punë Sociale, në të cilin objekt gjendet zyra e kryetarit të Komunës së Leposaviçit, si dhe zyrat e Partisë së Serbëve të Kosovës, e cila është një nga 5 subjektet politike serbe që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, më 11 qershor.
Lajmin për sulmin në Leposaviç e ka konfirmuar për Radion Europa e Lirë, Nenad Bojiç, shef i operativës i policisë rajonale të Mitrovicës së Veriut, i cili ka theksuar se sulmi me armë zjarri mbi Qendrës për Punë Sociale në Leposaviç, megjithatë ka kaluar pa viktima.
“Në këtë incident nuk ka pasur persona të lënduar, por në objekt janë shkaktuar dëme materiale. Hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar vendin e ngjarjes dhe ky hetim po vazhdon edhe sot, për shkak se mbrëmë, për shkak të kushteve dhe errësirës, nuk është arritur të përfundojë hetimi. Ekipet hetuese janë ende në terren dhe hetimet për këtë rast janë në zhvillim e sipër”, tha Bojiç.
Aleksandar Jabllanoviç, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, zyrat e së cilës janë në objektin që ishte shënjestër e sulmit të së hënës me armë zjarri, thotë për Radion Europa e Lirë se të shtënat kanë qenë nga disa armë dhe në kohën e sulmit në zyra kanë qenë vetëm 3 persona.
“Vetëm 20 minuta para sulmit, që ndodhi në orën 22, subjektin politik e kanë lëshuar aktivistët partiakë që po përgatiteshin për zgjedhjet parlamentare. Vetë fakti që dikush guxon që në qendër të Leposaviçit të shtijë me armë në hapësirën ku ka njerëz, flet që një çmenduri serioze i ka kapur njerëzit e caktuar këtu, në veri të Kosovës”, thotë Jabllanoviç.
Ai i bëri thirrje sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të rendit që t’i gjejnë autorët e sulmit, t’i vënë para përgjegjësisë dhe t’i ndëshkojnë sipas ligjit.
Jabllanoviç thekson se ditëve të fundit, kandidatët e subjektit politik që ai drejton, por edhe subjekteve të tjera politike serbe, të cilat nuk i janë bashkuar Listës Serbe në garën zgjedhore, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë qenë cak i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme, gjë që ka rezultuar edhe me tërheqjen e disa kandidatëve për deputetë nga listat e këtyre subjekteve.
Presidenti Trump ndryshime në staf
Drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Mike Dubke, do të largohet nga posti, pas vetëm tri muajve në detyrë.
Dorëheqja mund të jetë e para në një sërë ndryshimesh në stafin e afërt të Presidentit Donald Trump, ndërkohë që ai përpiqet të formulojë një përgjigje ndaj hetimeve rreth lidhjeve të ndihmësve të tij me Rusinë.
Zoti Dubke e dha dorëheqjen dy javë më parë, por Presidenti Trump e pranoi ofertën e tij për të qëndruar në detyrë gjatë kohës që do të ishte në Lindjen e Mesme dhe në Europë për turneun prej nëntë ditësh, që sapo përfundoi.
Asnjë ndryshim tjetër në stafin e Shtëpisë së Bardhë nuk është shpallur, por sipas njoftimeve, zoti Trump po shqyrton disa lëvizje me shpresën për t’u ofruar votuesve amerikanë një paraqitje më të mirë të punës së administratës.
Zoti Trump dhe ndihmësit e tij përballen me mundësinë e hetimeve të gjata rreth lidhjeve të tyre me Moskën. Një prokuror i posaçëm po heton për të sqaruar nëse pjesëtarë të ekipit të tij të fushatës kanë bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme me zyrtarët rusë për ta ndihmuar atë të fitonte në zgjedhje. Ndërkohë, disa komisione të Kongresit po mbledhin fakte rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.
Zoti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet se rusët e ndihmuan për të fituar zgjedhjet. Dje, në një koment në Twitter, ai e quajti këtë një “justifikim të çalë” të demokratëve për humbjen e Shtëpisë së Bardhë.
Trump: Gjermania nuk paguan kuotat në NATO
Presidenti Donald Trump përsëriti dje përmes Twitterit akuzat e tij, se Gjermania nuk paguan pjesën e kuotave që i takon ndaj NATO-s. Këto komente ai i bën tre ditë pas takimit me kancelaren gjermane, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se kishte shkuar mirë.
“Ata paguajnë shumë më pak nga sa i takon ndaj NATO-s dhe për ushtrinë. Shumë keq për ne, kjo ka për të ndryshuar”, shkruante në Twitter Presidenti Trump.
Pas takimit të javës së kaluar të G7 në Siçili, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se, “Koha kur ne mund të mbështeteshim plotësisht tek njëri-tjetri duket se ka marrë fund, diçka që e kam vënë re ditët e fundit”.
Por dje zonja Merkel sqaroi se ajo mbetet e përkushtuar ndaj lidhjeve të forta që ekzistojnë mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë.
“Marrëdhënia jonë transatlantike është e një rëndësie shumë të madhe”, tha ajo. “Deklarata që unë bëra ditët e fundit lidhet me faktin se në rrethanat e tanishme ne kemi më tepër arsye për të kuptuar se ne europianët duhet ta marrim fatin tonë në duart tona”.
Angela Merkel ishte në mesin e udhëheqësve të tjerë europianë që shprehën kritika të ashpra për vendimin e presidentit amerikan në takimin e G7-ës për të mos e mbështetur marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.
A po shkohet drejt një një Europe gjermane?
Giorgio la Malfa
Përplasja midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë gjatë samitit të G7-ës në Taormina duhet të ketë qenë jashtëzakonisht i ashpër dhe i drejtpërdrejtë. Fjalët e kancelares gjermane, Angela Merkel gjatë një manifestimi politik në Gjermani pak orë pas përfundimit të samitit nuk lënë dyshime: “Kohërat në të cilat mund ta mbështesnim besimin plotësisht tek të tjerët, ka thënë ajo, kanë kaluar, këtë e kam kuptuar ditët e fundit”. Dhe në polemikë të hapur me Shtetet e Bashkuara, ka shtuar: “Ne europianët duhet ta marrim vërtet fatin tonë në duart tona”.
Nuk është hera e parë që lindin moskuptime midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara, por ndoshta është hera e parë që protagonistët në vend që t’i minimizojnë divergjencat duke ua besuar diplomacive kërkimin e pikave të përbashkëta, i shfaqin hapur kundërshtitë dhe propozojnë që t’u nxjerrin pasojat politike. Ndodhitë e G7-ës, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë italiane për të nxjerrë në dritë pikat e konvergjencës, ka mundësi që të jenë të destinuara të shënojnë në mënyrë të thellë raportet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, në mënyrë të veçantë raportet me Gjermaninë.
Duke parë dimensionin që, me fjalët e Merkel, ka marrë përplasja, për ta kuptuar më shumë është e nevojshme të kihen informacione më të mëdha lidhur me zhvillimin e mbledhjes së Taormina dhe mbi pikën që ka shkaktuar polemikën. Gazetat e vendosin theksin në orientimin e Donald Trump për të refuzuar marrëveshjen e Parisit lidhur me klimën, por që ky është pozicioni amerikan nuk mund t’i ketë befasuar vendet e G7-ës. As nuk mendoj që objekt i kontestimit të kenë qenë raportet me Rusinë, që të gjithë do të donin t’i përmirësonin, edhe pse sjelljet konkrete të qeverisë ruse nuk e bëjnë të lehtë këtë evolucion.
Përshtypja është se pikat e ndjeshme kanë qenë deklarimet e Trump lidhur me teprinë e eksporteve gjermane, sidomos të makinave, drejt Shteteve të Bashkuara. Trump duhet të ketë kërkuar një vetëkufizim nga ana e Gjermanisë, në mungesë të së cilës qeveria amerikane mund të vendosë marrjen e masave proteksioniste të tregut të brendshëm. Ka mundësi që lidhur me këtë ka ndodhur përplasja, sepse Gjermania nuk pranon asnjë kufizim të aftësisë së saj për të pushtuar tregjet e huaja.
Teza gjermane është se konsumatorët i blejnë produktet gjermane sepse janë më të mirë se ato të konkurrentëve të tyre dhe se, duke qëndruar kështu gjërat, nuk është e mendueshme që Gjermania ta reduktojë kompetitivitetin e produkteve të saj vetëm për të plotësuar aftësinë e pamjaftueshme konkurrenciale të të tjerëve.
Për këto tema diskutohet, jo vetëm midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe në Europë pasi ka një sufiçit tregtar të madh gjerman, të cilin Gjermania refuzon që ta rregullojë në mënyrë më të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, që është ai i rritjes së kërkesës së brendshme, duke kontribuar kështu në riekuilibrimin e llogarive me jashtë të vetat dhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Besoj se kjo ka qenë tema bazë e përplasjes në G7 midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Përtej polemikave imediate, ajo duhet të zgjidhet me shumë bonsens sa nga njëra anë, aq edhe nga tjetra. Sepse është e vërtetë që një vend nuk mund t’i bëjë vullnetarisht më pak konkurruese mallrat e veta, ai mund ta stimulojë kërkesën e brendshme dhe në këtë mënyrë të ndihmojë vendet e tjera që të eksportojnë më shumë.
Por lidhur me këtë pikë, Gjermania reagon gjithmonë në mënyrë jashtëzakonisht negative, si në gjirin e Bashkimit Europian, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Por, nëse është kështu, atëherë çfarë kuptimi do të kishte një integrim më i madh europian që do të riprodhonte saktësisht këtë filozofi që i lejon Gjermanisë avantazhet e rritjes dhe të tjerëve barrën e rreptësisë financiare? Nga ana tjetër, përkrah propozimit të një bashkëpunimi më të madh lidhur me temën e emigracionit apo të një përshpejtimi të integrimit në fushën ushtarake, në propozimet e djeshme të Merkel është tashmë kërkesa e bërë në mënyrë të përsëritur, për të zgjedhur një president gjerman në Bankën Qendrore Europiane, duke përmbysur kështu krejtësisht politikat që ajo ka ndjekur gjatë këtyre viteve. Kjo ka pasur një konfirmim të qartë në fjalët e Mario Draghi përpara Parlamentit Europian, me të cilat nëse nga njëra anë ai ka vërtetuar një rigjallërim të caktuar ekonomik të eurozonës, nga ana tjetër ka konfirmuar nevojën e vazhdimit me politikat monetare që ndihmojnë të mbahen të ulëta përqindjet e interesit. Nëse kandidati i kancelares Merkel do të zgjidhej në krye të BQE-së, atëherë filozofia e Draghit do të përmbysej totalisht.
Këto janë arsyet për të cilat propozimi gjerman për një integrim më të madh europian duhet studiuar hollësisht me shpirt mjaft kritik, përpara se të lëshohemi në një entuziazëm sipërfaqësor. Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian bart me vete një dizekuilibër politik në gjirin e Bashkimit Europian: e rrit jashtë mase peshën e Gjermanisë, e cila nuk mund të frenohet nga një Francë e dobësuar. Rreziku i një theksimi të integrimit europian në këto kushte është që të plazmojë vetëm sipas Gjermanisë institucionet europiane, duke i dhënë këtij vendi një pozicion tepër mbizotërues, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë politike e sociale.
Më shumë se 60 vite më parë, në një diskutim të famshëm drejtuar rinisë gjermane, Thomas Mann tha se Gjermania duhej t’i siguronte popujt e Europës rreth synimeve bazë të saj. Donin ata, shtroi pyetjen Thomas Mann, një Gjermani europiane apo donin një Europë gjermane? Akoma dje prapa fjalëve të kancelares Merkel ravijëzohej ky profil: atë të një Gjermanie europiane apo atë të një Europe gjermane?
Prania e Britanisë së Madhe në gjirin e Bashkimit Europian dhe kufizimet e thella të miqësisë midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara kanë garantuar për një kohë të gjatë që të shkohej drejt një Europe të mbështetur mbi një ekuilibër midis vendeve anëtare. Kancelarja Merkel ka thënë se Europa duhet ta marrë në duart e saj fatin e saj. Por ama ky fat duhet të jetë ai i të gjitha vendeve europiane. Nuk mund të përkojë me atë të Gjermanisë.
“Autori është politikan italian”
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Pse Rama i trembet debatit me Bashën?
Basha ka ftuar përsëri në debat televiziv Kryeministrin Edi Rama për të folur para qytetarëve për mbajtjen e premtimeve që ka bërë gjatë qeverisjes dhe më pas populli të gjykojë. “Eja në debat, është kulturë demokratike të debatojmë para shqiptarëve që ata të gjykojnë. Ndaj përgjigju, kam 48 orë që të ftoj në debat. Përgjigju pozitivisht, caktojmë ditën, caktojmë vendin, caktojmë orën”. Edi Rama i fshihet një debati publik me kreun e PD, Basha në ballafaqimin e programeve që dy forcat politike ofrojnë për zgjedhjet e 25 qershorit. Ndonëse prej tre ditësh ka ftesë të hapur nga kreu i PD Basha, Edi Rama heziton të përgjigjet, duke dëshmuar qartë panikun e tij për t’u përballur me Bashën. Në fakt, Edi Rama ka pasur përherë frikë nga debatet në Shqipëri, dhe mund të thuhet që është ai përgjegjësi që ka fshirë kulturën e debtatit. E vetmja herë që ka dalë në debat ka qenë ajo e vitit 2000, kur kandidoi për herë të parë për bashkinë me kandidatin e atëhershëm Besnik Mustafaj. I njohur për temperamentin e tij, shpërthyes deri në kufijtë e skizofrensië, ai debat do i rrezikonte shumë karrigen e kryetarit të bashkisë. Që nga ajo kohë në zgjedhjet e pas tre vjetëve, ai refuzoi debatin me kandidatin e radhës, dhe më pas duke refuzuar sistematikisht të gjitha debatet me kundërshtarët. Në fakt, Rama sa herë ka pasur pushtet dhe administrim, ka qenë i dështuar dhe pyetjet e vendosin gjithmonë në një pozitë aspak favorizuese. Me kohë, në studiot televizive do të shmangte dhe panelin e gazetarëve, duke preferuar që intervistat mediatike t’i bënte vetëm me një gazetar. Por edhe këtu ka shfaqur shenja inferioriteti, të cilat e shpartallojnë në thelb atë që kërkon të duket. Kohët e fundit, ka gjetur monologun dhe këtë e bën në një telivizion në rrjetet sociale që preferon ta quajë Edi Rama TV, ku vetë flet, vetë përgjigjet dhe vetë qesh apo bën sikur është i mërzitur. Ftesave të debat preferon që mos u përgjigjet apo ta kalojë në heshtje, megjithëse debati mes rivalëve është një kulturë e vjetër në vendet demokratike. Të njëjtin veprim bënte dhe kur ishte në opozitë, të njëjtin veprim bën dhe kur është në pushtet. Megjithëse fliste tërë ditën në konferenca shtypi me deklarata të shkruara për korrupsion e më the e të thashë, sërish nuk pati guximin t’i përgjigjej ftesës për debat të ish- kryeministrit Berisha. Por në vitin 2017, duket se Rama nuk ka më asnjë alternativë tjetër. Dështimet e tij në qeverisje, si fjala vjen në luftën kundër drogës apo në investime e bëjnë atë inferior përpara çdo paneli me gazetarë axhaminj e jo më me liderin e opozitës. Premtim tjetër është ai për uljen e borxhit publik nga 71 për qind që është aktualisht, në 60 për katër vitet e ardhshme. Në fakt dhe ky është një sharlatanizëm, dhe mashtrim i Ramës. Kur erdhi në shtatorin e vitit 2013 në krye të qeverisë, borxhi publik nuk ishte më shumë se 63 për qind. Në katër vitet e qeverisjes, nuk është bërë asnjë investim, dhe siç e pranon dhe vetë dhe në projektet e mëdha nuk ka investuar, si fjala vjen shtrime rrugësh ose gjëra të këtij lloji që kanë kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Por përveç kësaj, qeveria Rama e rriti borxhin dhe me 1 miliard dollarë të tjerë, nga ku 500 milionë kanë shkuar vetëm si koncesione për Vilma Nushin. Ulja e borxhit me 11% në fakt është në kufijtë e të pamundurës, pasi duket qartë se qeveria aktuale nuk ka për të ndryshuar modelin e filozofisë së saj. Në rast se do e kish mbajtur borxhin aq sa e gjeti, ndoshta mund të ishte sadopak i besueshëm, por me sa kemi parë Rama nuk e ka as aftësinë dhe as vullnetin për ta bërë. Për shembull kur flitet për rrugët, Rama e pranon vetë se nuk ka shtruar asnjë metër të tillë, por vetëm ka rikonstruktuar. Madje nuk guxon as ta përmendë me kilometra, por preferon të përdorë metrat linearë. Për shembull, Rama pranon se ka rikonstruktuar 300 mijë metra lienarë rrugë, e shprehur në kilometra që është njësia matëse për rrugët i bie që të ketë rikonstruktuar vetëm 300 kilometra. Në fakt, po ta krahasojmë me vitin 2013, që përkon me mbylljen e mandatit të PD-së, kjo shifër ishte rreth 5 mijë kiloemtra rrugë të reja, që është një shifër ku e ku më larg se kjo që na servir Rama. Në vitin 2013, ndër premtimet më të bujshme të Edi Ramës, ishte ai për shërbimin shëndetësor falas. Në fakt, duhet të jesh i paturp, kur me skandalet që kanë ndodhur në shëndetësi të kesh guximin të ripërsërisësh dhe një herë të njëjtën gjë, tek prezantimi i punës së tij, në këto katër vjet që ikën, Rama quan sukses në këtë sektor koncesionet në shëndetësi, të dhëna për klientët e tij nga qehajai Beqja me bekimin e vetë Kryeministrit. Dhe në këtë pikë, Rama as nuk guxon ta çojë nëpërmend një përballje me liderin e opozitës.