28.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

PS sfidon ligjin, postera dhe flamuj partiakë në Elbasan

PS ka vendosur një poster gjigant në qendër të qytetit të Elbasanit me logon dhe slloganin e Partisë Socialiste, duke sfiduar ligjin për partitë. Ligji për partitë ndalon flamujt dhe posterat partiakë për fushatën e 25 Qershorit dhe u miratua në bazë të marrëveshjes mes kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës, Basha. Postera gjigantë të PS janë vendosur edhe në rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit. Vendosja e posterave ka ngjallur reagime të ashpra jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga qytetarët, ndërsa policia nuk guxon të ndërhyjë edhe pse vendosja e posterave të partive politike në qytet dhe rrugë është e ndaluar me ligj.
Por PS nuk është e vetmja që shkel ligjin, duke ekspozuar slloganet dhe simbolet e partisë në qytet. Flamujt e Partisë për Drejtësi, Integrim Unitet të Shpëtim Idrizit valëviten anës një prej rrugëve, prej disa ditësh, por pavarësisht ankesave të partive të tjera, policia nuk guxon të ndërhyjë.
Bëhet e ditur se edhe në disa qytete të tjera janë vendosur postera gjigantë të Partisë Socialiste. Vendosja e posterave të Partisë Socialiste bëhet në ato bashki që drejtohen nga e majta. Ndonëse në kundërshtim me ligjin, drejtuesit e Bashkisë lejojnë vendosjen e posterave të PS, ndërsa policia jo vetëm që nuk ndërhyn, por është vënë në ruajtje të tyre. Për vendosjen e posterave janë përdorur mjetet e Bashkisë, edhe në këtë rast është shkelur ligji.

Makina e Bashkisë e mbushur me flamujt e “Rilindjes”

Administrata qendrore dhe vendore vazhdon të jetë aktive në fushatën e PS. Edhe pse ka një VKM të Qeverisë për mospërdorimin e mjeteve shtetërore dhe burimeve njerëzore në fushatën e partive si dhe janë vendosur 7 ministra teknikë pikërisht për këtë gjë, administrata po përdoret nga Rama për fushatë.
Dje në disa portale u publikua një foto që tregonte kamionçinën e Bashkisë së Kavajës të mbushur plot e përplot me materiale propagandistike të PS-së. Bëhet e ditur se, materialet propagandistike janë shpërndarë nëpër fshatra me makinat e Bashkisë së Kavajës. Ndërkohë punonjësit e Bashkisë kanë vendosur postera me logon dhe slloganin e Partisë Socialiste, në qytet dhe në disa rrugë. Bashkia e Kavajës po bën gati mitingun e PS në shkelje flagrante të ligjit. Më 25 Qershor kavajasit votojnë për deputetëtm por edhe për kryetarin e ri të Bashkisë.
Parlamenti miratoi para disa ditësh një paketë ligjore që ashpërson në Kodin Penal shit-blerjen e votës, vendos rregulla të reja në ligjin e partive për financimin e tyre dhe përcakton me saktësi transmetimin mediatik të fushatës. Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri ne 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.

R.POLISI

Në fushatë për Ramën, pushohet drejtoresha

Vazhdojnë shkarkimet nga ministrat teknikë të Bashës për përfshirjen e administratës në fushatë zgjedhore. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur dje të pezullojë drejtoreshën e Qendrës Shëndetësore numër 1 Lushnjë, e cila jo vetëm që ka marrë vetë pjesë në fushatën zgjedhore të PS, por ka detyruar edhe mjekët e infermierët që të dalin në fushatë. Pezullimi është bërë deri në sqarimin e plotë të situatës. Shkarkimi është bërë nga ministrii Shëndetësisë Arben Beqiri pas emisionit investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News”.
Në njoftimin për shtyp thuhet se, Ministria e Shëndetësisë, pasi ka ndjekur emisionin investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News” që paraqet dëshminë e përdorimit të administratës publike (personelit të Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnjë) në fushatën zgjedhore, ka vendosur:
1- Pezullimin e drejtoreshës së Qendrës Shëndetësore numër 1, deri në sqarimin e plotë të situatës.
2- Ngritjen e një grupi pune për verifikimin e situatës në terren (përkatësisht në Qendrën Shëndetësore numër 1, Lushnjë).
Po dje ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri, ka thirrur në një mbledhje të gjithë drejtorët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës për risjelljen në vëmendje të respektimit të urdhrit të Kryeministrit për mospjesëmarrjen në fushatë elektorale. “Marrë shkas nga kjo ngjarje ministri i Shëndetësisë, z. Arben Beqiri ka thirrur sot në një mbledhje të gjithë drejtorët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës për risjelljen në vëmendje të respektimit të urdhrit të Kryeministrit nr. 65, datë 12.05.2017”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë.
Emisioni investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News” ka bërë një vëzhgim të pjesëmarrjes së administratës në fushatën zgjedhore. Grupi i xhirimit ishte në Qendrën Shëndetësore nr.1 në Lushnje, ku ditën e premte stafi i këtij institucioni brenda orarit të punës kishte shkuar në një takim elektoral të Partisë Socialiste në qytetin e Fierit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Në fakt, jashtë orarit të punës kjo është një gjë mëse e pranueshme dhe normale, por ajo që është shqetësuese është se, drejtoresha ka urdhëruar mjekët dhe infermierët të shkojnë në fushatë brenda orarit të punës.
Orari zyrtar i punës në këtë Qendër Shëndetësore është deri në orën 20:00 të mbrëmjes, por në orën 18:00 aty nuk kishte asnjë punonjës. Ndërkohë, kryeministri Rama ka nxjerrë një urdhër, sipas të cilit ndalohen burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli të marrin pjesë në fushatën zgjedhore të qershorit. Por nga një kërkim i bërë në rrjetet sociale, rezulton se disa prej titullarëve të institucioneve kanë postuar disa nga aktivitetet elektorale, një pjesë e të cilave janë zhvilluar në orarin zyrtar të punës.
Të shtunën, gazeta publikoi një lajm se si punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave me urdhër nga lart ishin nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS. Kryetari i degës së PD Lushnjë publikoi në rrjetin social Facebook edhe fotot e autobusëve që transportonin mjekë e infermirë nga Lushnja për të marrë pjesë në mitingun e Ramës.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në fushatë. Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.

Ministri Beqiri takim me të gjithë drejtorët e spitaleve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri thirri dje në një mbledhje të gjithë drejtorët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës për risjelljen në vëmendje të respektimit të urdhrit të Kryeministrit për mospjesëmarrjen në fushatën zgjedhore.
Pas takimeve me drejtuesit e spitaleve, ministri i Shëndetësisë po dje zhvilloi rreth mesditës në Elbasan një mbledhje me të gjithë shefat e “Qendrës Spitalore “-“Dr.Xhaferr Kongoli” ku u ka rikujtuar se duhet të repsektojnë urdhrin e Kryeministrit për mospjesmarrjen në fushatën zgjedhore.
Sipas njoftimit për shtyp, ministri Beqiri “i ka inkurajuar drejtuesit e reparteve të QS të Elbasanit për të punuar sa më shumë në shërbim të nevojave të pacientëve”. Gjithashtu ministri i Shëndetësisë ka kërkuar që të ketë angazhim të jashtëzakonshëm në çdo orë dhe çdo kohë për nevojat e pacientëve.
Ndërkohë, jashtë kamerave ministri Beqiri komentoi edhe pezullimin e drejtoreshës së Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnje. “Kemi kërkuar ngritjen e një grupi pune për verifikimin e situatës në terren (përkatësisht në Qendrën Shëndetësore numër 1, Lushnje) dhe shumë shpejt gjithçka lidhur me këtë rast do t’i përcillet publikut me transparencë të plotë në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka sqaruar Beqiri.

R.POLISI

Sulmi kimik ndaj opozitës, Prokuroria dërgon analizat në Gjermani

Prokuroria kërkon ndihmën e autoriteteve gjermane për helmimin kimik në mitingun e çeljes së fushatës së PD. Në Shqipëri nuk ka asnjë laborator, i cili të mund të përcaktojë brenda një kohe të shkurtër shkakun e helmimit të 140 pjesëmarrësve në mitingun hapës të fushatës së Partisë Demokratike. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndihmën e autoriteteve gjermane.
Burime nga akuza e kryeqytetit thonë se, analizat e personave të helmuar, si dhe të dhëna të tjera të përfituara nga këqyrja e Bulevardit do të dërgohen në një laborator në Gjermani. Laboratori i Mjekësisë Ligjore nuk ka mundësi dhe kapacitet për të kryer veprimet, të cilat do të përcaktojnë saktë shkakun e helmimit të pjesëmarrësve në miting, brenda një kohe të shkurtër.
Janë rreth 32 mijë helme ose substanca kimike, të cilat duhet të kalojnë në sitën e ekspertëve. Laboratori jonë duhet që t’i marrë këto lloj substancash një e nga një, në mënyrë që të përcaktohet shkaktari. Ndërsa në Gjermani me anë të një aparature të veçantë, kjo procedurë kryhet në kohë rekord.
Prokuroria është duke hetuar këtë rast për pengimin e subjekteve zgjedhore për të zhvilluar normalisht aktivitetin e tyre. Paraprakisht u dyshua se helmimi mund të ketë ardhur nga prozhektorët e ndriçimit, por nuk përjashtohet që të ketë qenë një akt i qëllimshëm.
Burime nga organi i akuzës së kryeqytetit kanë bërë me dije, se ndryshe nga sa ishte referuar nga policia për ndotje të mjedisit, ngjarja do të hetohet për akuzën e caktuar nga Prokuroria. Një tjetër pistë që po hetohet është edhe ajo e konkurencës mes kompanive që ofrojnë shërbime për eventet, pas dyshimeve se mund të kemi të bëjmë edhe me një sabotim të kësaj natyre.
Gjithsesi, hetuesit janë në pritje të analizave dhe ekspertimeve te tjera për të vijuar më pas me procedurat hetimore.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 27 majit. Më shumë se 140 pjesëmarrës në mitingun e opozitës, përfshirë dhe kreun e PD-së, Basha u paraqitën gjatë orëve të mëngjesit të së shtunës (28 maj 2017) në Spitalin e Tiranës me shenja helmimi.
Që të gjithë kishin të njëjtat simptoma si skuqje, kruarje dhe djegie të syve apo dhe irritim në fytyrë dhe në pjesën e qafës. Disa prej tyre, kanë shfaqur edhe vështirësi të lehta në frymëmarrje. Vetëm një numër i vogël është mbajtur për kujdes të mëtejshëm, ndërsa pjesa tjetër ka lënë brenda një kohe të shkurtër spitalin.

Prokuroria thërret Tahirin si dëshmuar për krimet e Shullazit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar që në gjyqin kundër Emiliano Shullazit të thirret si dëshmitarë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, për t’u pyetur lidhur me kërcënimet ndaj Mynyr Konit dhe Dhori Kules.
Në gjyqin ndaj Shullazit do të thirren 38 dëshmitarë dhe në mesin e tyre, përveç ish-ministrit Tahiri dhe ish-ministres Nikolla, Prokuroria ka thurrur edhe drejtorin e Përgjithshëm të  Policisë së Shtetit, Haki Çako, ish-drejtorin e Policisë së kryeqytetit Ervin Hodaj, dy profesorët Dhori Kule e Minir Koni si dhe avokatin e njohur Neshat Fana. Veç këtyre dëshmitarëve, Prokuroria kërkoi që të pyetet dhe ballafaqohet me të pandehurit edhe dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, biznesmeni Ylvi Beqja. Ky i fundit ka akuzuar direkt të pandehurin Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij për kërcënime, ku është detyruar të paguaj në formën e gjobës rreth 500 mijë euro.
Në sallën e gjyqit, dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, veç emrave të dëshmitarëve lexuan edhe kërkesën për gjykim në ngarkim të 5 të pandehurve, të cilët do të gjykohen për 9 vepra të ndryshme penale. Përfaqësuesit e akuzës, renditen kronologjitë e ngjarjeve ku është përfshirë Shullazi me cilësinë e drejtuesit të organizatës kriminale dhe të dyshuarit si pjesëtar të bandës së tij.
Në dosje thuhet se, Emiliano Shullazi dhe banda e tij, kanë vendosur dhe marrë në formën e gjobës shuma të mëdha parash nga 3 biznesmenët. Veç Ylvi Beqjas, të pandehurit i kanë vendosur eksploziv biznesmenëve Adriatik Kërçuku dhe Jani Zaka, në formë presioni për të paguar gjobat e kërkuara. Të pandehurit përveç gjobava, ata kanë kanosur për shkak të detyrës edhe dy profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Kone me qëllimin e vetëm që të tërhiqeshin nga gara e zgjedhjeve në Universitete.
Në sallën e gjyqit të pandehurit nuk folën për akuzat, ndërsa avokatët kërkuan kohë të kundërshtojnë provat e Prokurorisë, kërkesë që ju pranua nga Gjykata, duke caktuar datën 6 qershor si ditën e vazhdimit të procesit gjyqësor.

Prokuroria sekuestron 52 mijë m2 tokë në Zvërnec

Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, Gjykata ka vendosur nën sekuestro dy parcela tokë me sipërfaqe totale 52.000 m2 në zonën e Zvërnecit, të dyshuara se janë përfituar në bazë të dokumentacionit të falsifikuar. Prokuroria e Vlorës ka nisur kryesisht hetimin për këtë rast, në bazë të të cilit, deri në këtë fazë ka rezultuar se:
Dosja gjyqësore që i përket vendimit civil nr. 3805, datë 23/12/1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe dosja gjyqësore që i përket vendimit civil nr. 147, datë 24/12/1997 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë falsifikuar dhe futur në kundërshtim me ligjin në arkivën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky fakt është provuar nga akti i ekspertimit tekniko-grafik. Rezulton e provuar se përmes vendimit civil nr. 3805, datë 23/12/1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, i cili është tërësisht i falsifikuar, është pasqyruar fakti sikur i janë kthyer në natyrë shtetases Shqiponjë Eminaj (Kamberaj) dy parcela të lira, njëra 30.000 m2; dhe parcela e dytë me sipërfaqe 22.000 m2, pronë e cila ndodhet në bregdet në zonën e Zvërnecit, Vlorë.
Rezulton e provuar se edhe vendimi civil nr. 147, datë 24/12/1997 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është tërësisht i falsifikuar, ku përmes së cilit është pasqyruar fakti i rremë, sipas të cilit është lëshuar urdhëri i ekzekutimit për vendimin nr. 3805, datë 23/12/1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Nga hetimi është provuar se pasuria e mësipërme me sipërfaqe 52.000 m2 është regjistruar më datë 21/03/2013, pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Regjistrimi i kësaj pasurie është kryer mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, e konkretisht dy dosjeve të mësipërme gjyqësore. Pas regjistrimit të kësaj pasurie, e cila kap vlerën e mbi 2 milionë euro, janë kryer veprime juridike mbi këtë pasuri, e konkretisht ndarje, shitje dhe dhurime, me qëllim fshehjen e paligjshme të origjinës së kësaj pasurie. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e paluajtshme me sipërfaqe 52.000 m2.

3 aksidente në 30 minuta, policia qëllon në ajër

Një operacion policor i ngjashëm me një skenar filmash aksion ka ndodhur mesditën e djeshme në Tiranë. Një mjeti “Touareg” i është bërë shenjë nga Policia Rrugore që të ndalojë, pasi ka qenë duke ecur në kundravajtje, por mjeti nuk i është bindur policisë dhe ajo është vënë në ndjekje të tij.
Në ndihmë të policisë kanë ardhur dhe Forcat Operacionale. Për t’i shpëtuar ndjekjes, në zonën e “Zogut të Zi”, “Tuaregu” ka përplasur qëllimisht 3 mjete në lëvizje, duke shkaktuar kaos në trafik. Pas rreth 30 minutash ndjekje, policia ka mundur ta bllokojë mjetin “Tuareg” në zonën e quajtur “kupola” pranë Drejtorisë së Doganës, ku është detyruar të qëllojë dhe në ajër për të neutralizuar drejtuesin e tij.
Drejtuesi i mjetit është vënë në pranga dhe pas kontrollit fizik, atij i është gjetur edhe një armë zjarri, e cila u sekuestrua nga policia. Pas verifikimit, policia ka dyshime se i arrestuari është një person i rrezikshëm, i dyshuar për vepra të rënda kriminale dhe “gjobëvënie”. I arrestuari me origjinë nga Lekbibaj i Tropojës, u shoqërua në Policinë e Tiranës ku po merret në pyetje për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Digjet makina e drejtorit të Policisë së Burgut Rrogozhinë

Makina e shefit të Policisë së Burgut të Rrogozhinës, Besnik Kaptelli është djegur gjatë natës së djeshme. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, makina është djegur pothuajse plotësisht. Dyshimet e para të policisë janë për një zjarrvënie të qëllimshme.
“Makina tip “Volkswagen Golf” në pronësi të Besnik Kaptellit është përfshirë nga flakët rreth mesnatës në lagjen “S.Libohova””, thuhet në njoftim, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe autorët e mundshëm. Shefi i Policisë së Burgut të Rrogozhinë ka mbajtur poste drejtuese në disa institucione të shlyerjes së dënimit.

Maskat terror në Tiranë, dy grabitje në 24 orë

Një ekonomiste e një firme private ka rënë pre e grabitjes në kryeqytet. Ngjarja sipas policisë është regjistruar rreth orës 12:30 të së hënës në rrugën “Memo Meto”, tek ish-“Restorant Durrësi”.Tre persona të paidentifikuar, i kanë dalë para automjetit tip “Volksvagen”, me drejtues shtetasin T. M 31 vjeç, dhe shtetases A. P 33 vjeçe, ekonomiste në një firmë private, të cilës i kanë marrë me dhunë shumën monetare prej 1.000.000 lekë. Policia bëri të ditur se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po ashtu, një 56-vjeçar ka rënë pre e grabitjes me armë në orët e mbrëmjes së të hënës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në Unazë të Re, në rrugën “Loni Ligori”, ku dy persona të maskuar, të cilët dyshohet të kenë patur me vete një armë zjarri, i kanë vjedhur me dhunë 7.000 lekë dhe një orë dore të markës “Omega” shtetasit I. H, 56 vjeç. Vjedhja ka ndodhur ndërsa 56-vjeçari po qëndronte jashtë automjetit të tij tip “Skoda”. Materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Gjendet i vrarë me armë një 20-vjeçar në Klos

Një 20-vjeçar në fshatin Kurdari të Klosit është gjetur i vrarë me armë zjarri. Viktima, Julian Çeliku, është gjetur i pajetë nga familjarët e tij në njërën nga dhomat e banesës ku jetonin. “Rreth orës 13:40, jemi njoftuar nga Specialisti i Zonës i Stacionit të Policisë Klos se në fshatin Kurdari-Klos, dyshohet se është vetvrarë me armë gjahu një shtetas. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se në njërën nga dhomat e banesës dyshohet se është vetvrarë me armë gjahu teke shtetasi Julian Çeliku, rreth 20 vjeç, banues në fshatin Kurdari-Klos”, informon policia.
Policia bëri të ditur se, arma e gjahut me të cilën dyshohet të jetë vetëvrarë i riu është me leje në emër të babait të tij. Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje nga grupi hetimor dyshohet se, vetvrasja ka ndodhur si pasojë e depresionit. Problemet e viktimës me depresionin i kanë pohuar edhe familjarët. Grupi hetimor në vendngjarje po vijon veprimet për përcaktimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, një 53-vjeçar nga Fieri ka humbur jetën në spital, pasi u vetëplagos me çifte. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 16:00, në lagjen “Sheq i Madh”. Sipas policisë është vetplagosur me çifte në banesë shtetasi F.M, 53 vjeç, i cili më pas ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Fier në sallën e operacionit. Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Basha nga Gjirokastra: Republika e vjetër do shembet

Kryetari i PD, Lulzim Basha shprehu bindjen dje se shqiptarët e bashkuar do të shembin Republikën e vjetër me votën e lirë. Basha ka prezantuar dje listën e kandidatëve të PD në Gjirokastër, që udhëhiqet nga Tritan Shehu dhe kreu i PD Gjirokastër, Roland Bejko në vend të dytë, që të dy profesorë. “Nderi dhe kënaqësia është e imja që Gjirokastra udhëheq me dy profesorë, me profesor doktor Tritan Shehun dhe Landin. Landi është profesor Roland Bejko, i shkollës më prestigjioze të Parisit, shkolla që nxjerr presidentët francezë. Ja ku e keni birin tuaj dhe sot vjen t’ju përfaqësojë në Parlament gjirokastritë, Roland Bejko”, theksoi kryedemokrati. Lulzim Basha akuzoi gjithashtu Edi Ramën se ka varfëruar vendin dhe nuk i intereson gjendja ekonomike e familjeve shqiptare. Ai deklaroi se askujt nuk i interesojnë fasadat dhe palmat ku ekonomia e qytetarëve është në rënie dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. “E bashkuar është opozita, e përçarë është qeveria e tepsisë. Ne duam ndryshimin, ata duan ta mbajnë kështu siç janë. Unë kam qenë këtu disa herë këtë vit. Ekonomia katastrofë, rrogat copë-copë, shëndetësia në kolaps, arsimi në kaos, universiteti në mjerim. Por Edi Rama thotë punët janë mirë, por populli nuk e kupton. Çfarë është kjo, shaka? Se po të jetë shaka është shaka pa kripë. E vërteta është ndryshe, gjendja e vendit është katastrofë. Edi Rama jeton i rrethuar në flluskën e tij të palmave, vizatimeve. Sot na tha se s’ka asgjë të keqe me palma, shatërvane. Dhe unë jam dakord. Por të gjitha këto një njeriu të përgjegjshëm i ngelen në fyt kur sheh nënat që s’kanë para t’u blejnë fëmijëve këpucë, kur sheh një spital të shndërruar në torturë të vërtetë për pacientët. Shqipëria janë njerëzit, Gjirokastra janë njerëzit. As palmat, as pllakat, as fasadat, Shqipëria janë njerëzit, Gjirokastra janë gjirokastritët. Për këta duhet të punojë. 600 milionë euro për fasada, këtë vendos Edi Rama. Rrogat për herë të parë u ulën si fuqi blerëse, ta thotë INSTAT-i yt që vetë e kontrollon. Ti Edi Rama ke humbur çdo lidhje me realitetin. Shqipërinë e ke mbushur cep më cep me drogë, me përjashtim të Lazaratit. E hoqi nga bjeshkët e Lazaratit dhe e bëri gjithë Shqipërinë Lazarat. Kjo është Republika e vjetër miqtë e mi, janë politikanët që s’duan t’ja dinë fare për ju”, u shpreh Lulzim Basha. Kreu i opozitës ka përsëritur edhe një herë se opozita është bashkuar, ndërsa qeveria është e përçarë. “Qeveria e tepsisë siç i thonë vetë vetes së tyre, është e përçarë, petët e lakrorit kanë dalë në shesh. Ne jemi të bashkuar, ata janë të përçarë. Ne duam ndryshimin ata duan ta mbajnë kështu siç janë. Ne shkojmë të motivuar për të ndryshuar jetët e çdo shqiptari, ata shkojnë për të ruajtur pushtetet dhe privilegjet e tyre. Këtu janë themelet e këtyre zgjedhjeve, këto janë zgjedhjet që ju do të bëni më 25 qershor, por para se ta bëni këtë, para gjithë shqiptarëve duhet të bëjmë një bilanc ku ndodhet Gjirokastra dhe Shqipëria”, tha kreu i PD.

Rama ka braktisur njerëzit

Tepelena ishte ndalesa e radhës e kreut të PD, Basha në vijim të fushatës elektorale. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se ekonomia shqiptare është në krizë dhe qytetarët janë të varfër. Ai ju drejtua edhe Kryeministrit Edi Rama duke i thënë se nuk e tregojnë palmat dhe sheshet me pllaka ekonominë e një vendi, por është gjendja e qytetarëve. “Ekonomia është katastrofë. Hapi veshët Edi. Ti nuk e kupton, i ke harruar njerëzit e thjeshtë. Ti ke harruar shqiptarët, ke harruar tepelenasit. Të majtë e të djathtë e duan Tepelenën. Tepelena, Kurveleshi nuk janë malet dhe luginat. Janë njerëzit. Shqipëria nuk mund të jetë një shtet serioz kur ka ekonomi të dobët. Bëj sa të duash sheshe me pllaka, nëse shqiptarët vuajnë ky mbetet një vend i varfër dhe një shtet i përgjunjur. Ne sot jemi para një zgjedhje; të vazhdojmë të mbyllim sytë siç i mbyll Edi Rama kur thotë ekonomia po rritet po populli nuk e kupton”, tha Lulzim Basha ndër të tjera.

Ndryshimi për të rrëzuar Republikën e vjetër nis nga vetja

Ndryshimi i Shqipërisë vjen duke nisur me ndryshimin nga vetja. Duke folur gjatë mitingut elektoral, Basha theksoi se ndryshimi për të rrëzuar Republikën e vjetër dhe Edi Ramën fillon nga brenda shtëpisë. Ai deklaroi se edhe brenda PD-së askush nuk e ka të përhershme karrigen dhe kjo është pjesë e ndryshimit. “Që ta mundim me votë më 25 qershor njerëzit duhet të besojnë që ne nuk jemi këtu të bëjmë estradë. Ndaj ndryshimi ka filluar në shtëpinë tonë. Askush në PD nuk e ka të ngjitur karrigen pas vetes. Unë kam marrë vendime si kryetar i opozitës, kam krijuar ekipin tim fitues, ndonëse janë vendime të vështira, janë vendime të drejta në kohën e duhur. Është koha për vendime të forta, të mëdha. Ne bashkë në çadrën e lirisë kemi marrë vendim të madh, nuk do ta lëmë më të jetë si më parë Republikën e vjetër, frytet e demokracisë do t’i gëzojë çdo shqiptar dhe çdo shqiptare dhe që të ndodhë kjo duhet t’i japim fund pazarit politik të Republikës së vjetër”, tha Lulzim Basha nga Gjirokastra. Basha i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 25 qershor t’ia hedhin në fytyrë teserën e LSI dhe të bashkohen me PD. “Atje në Tiranë kemi një parti që ju e dini fare mirë që e ka kthyer teserën e vet në trisk buke për dhjetëra qindra qytetarë. Edi Ramën do ta mundim me votë, ai e përcaktoi vetë fatin e tij kur premtoi 300 mijë vende pune dhe mbolli mijëra palma dhe nuk hapi asnjë vend pune. Por është koha t’i bëjmë thirrje çdo qytetari dhe qytetareje që janë skllavëruar me teserat e LSI dhe partive të tjera të pazarit të vjetër. Hidhjuani në fytyrë më 25 qershor, nuk do të keni më nevojë. Më 25 qershor ata do të jenë njëherë e mirë jashtë pazarit, jashtë tepsisë. Republika e vjetër do të shembet, hidhjuani në fytyrë teserat, bëhuni njerëz të lirë, bashkohuni me PD dhe Bashën”.

Pas zgjedhjeve, ndryshime të rëndësishme kushtetuese

Në Parlamentin e ri të Shqipërisë që do të krijohet nga zgjedhjet e 25 qershori, do të ketë ndryshime të rëndësishme kushtetuese. Kështu është parashikuar në marrëveshjen e arritur mes Bashës dhe Ramës, që shërbeu për zgjidhjen e krizës politike. Këto ndryshime kushtetuese është rënë dakord që të votohen nga PS dhe nga PD, kushdo qoftë mazhorancë dhe opozitë nga zgjedhjet e reja. Por, çfarë konsistojnë këto ndryshime të thella kushtetuese, që Lulzim Basha insiston fort tek Republika e re. Mbrëmjen e djeshme kreu i PD ishte në Gjirokastër për fushatë elektorale. Duke folur për fundin e pazareve politike dhe krijimin e Republikës së re, që ishte kauza e çadrës së lirisë, Basha zbuloi pak nga këto ndryshime kushtetuese. Nga ajo çfarë deklaroi kryedemokrati, qytetarëve u jepet më shumë pushtet mbi deputetët që janë zgjedhur në qarqet apo qytetet përkatëse. “Me ndryshimet kushtetuese, ju do të keni të drejtën ta shkarkoni deputetin në qoftë se nuk ju përgjigjet”.