Roma dhe Luciano Spalletti ndahen përfundimisht. Tashmë është zyrtare 58-vjeçari toskan nuk do të jetë më trajneri i skuadrës verdhekuqe. Lajmi u publikua nga vetë klubi kryeqytetas që me një komunikatë në faqen zyrtare bëri të ditur zgjidhjen konsensuale të kontratës me Luciano Spallettin. Për ish-trajnerin e Zenitit e ardhmja parashikohet të jetë te Interi, me Spallettin që në ditët e ardhshme përjashto ndonjë surprizë të mundshme do të zyrtarizohet si trajneri i ri i skuadrës zikaltër. Roma ndërkohë ka filluar nga puna për të gjetur trajnerin e ri që me shumë gjasa do të jetë Eusebio di Francesco. Në komunikatën e klubit verdhekuq ku bëhej i ditur largimi i Spallettit, shkruhet: “Roma komunikon përfundimin e raportit të punës ndërmjet klubit dhe trajnerit Luciano Spalletti. Klubi tashmë është në kërkim të një tekniku të ri”.
Më tej lexohet: “Duam të falënderojmë në mënyrë të përzemërt Luciano Spallettin për punën e shkëlqyer që ka bërë gjatë kësaj periudhe dhe për kontributin që ka dhënë në klub që nga rikthimi i tij”, fjalë këto të presidentit James Pallotta. Luciano Spalletti, largohet nga Roma me vendin e 2-të dhe 87 pikë në klasifikim që solli kualifikimin direkt të skuadrës kryeqytetase në fazën e grupeve të Champions League. Ecuri e jashtëzakonshme ajo e Spallettit në kampionat, përjashto këtu kupat, por në këtë largim të tijin ndikoi ndoshta edhe raporti i vështirë me Tottin dhe mediat. Mbyllet në këtë mënyrë aventura e dytë e Luciano Spalletit me Romën me trajnerin 58-vjeçar që pritet tashmë të emërohet në krye të Interit.
Spalletti largohet nga Roma, gati tek Interi
Karpi heroik në finalen play off të Serisë B

Një gjysmëfinale dramatike ajo e luajtur në Frosinones në përballjen me Karpin ku miqtë siguruan biletën e finales së play off të Serie B. Skuadra vendase u mund me rezultatin 1-0 edhe pse kishte në dorë ndeshjen, pasi dominoi në pjesën më të madhe edhe për faktin se Karpi luajti për shumë minuta me 9 lojtarë. Aljaz Struna në minutën e 45 dhe Riccardo Gagliolo 9 minuta nga fundi e lanë ekipin e Federico Castorit me 9 lojtarë, por as kjo nuk i mjaftoi skuadrës së Marinos për të evituar humbjen. Heri i Karpit, Gaetano Letizia kaloi miqtë në avantazh 4 minuta nga fundi duke ngrirë skuadrën romane.
Minuta dramatike për Frosinonen që u hodh e gjitha në sulm, në kërkim të golit të barazimit. Karpi u ngjesh në mbrojtje duke krijuar një mur të pakalueshëm për skuadrën e Marinos, e cila shpërdoroi një rast të artë për të arritur finalen pasi edhe me një barazim, Frosinone mund të shkonte e qetë në sfidën finale. Në përballjen e fundit, Karpi pret të mësojë emrin e kundërshtarit që do të dalë nga çifti Perugia-Benevento.
Lucio: Sa herë që Bajerni s’fiton, fëmijët e mi qajnë
Ish-mbrojtësi i skuadrës së Bajernit në vitet 2004-2009, Lucio ka folur mbi skuadrën duke i konsideruar ata mëse konkurrues në futbollin botëror. “Problemi nuk qëndron te futbolli gjerman, pasi nuk duhet të harrojmë se bavarezët kanë luajtur krahas kampionëve nga Italia, Spanja. Bajerni ka qenë në finale, madje edhe ka fituar në Champions. Ata kanë një performancë mjaft të mirë, por nga aspekti i konkurrencës janë më të mirët”, ka thënë Lucio.
Megjithatë, ish-mbrojtësi bavarez ka treguar se fëmijët e tij Valentina, Viktoria dhe Xhao kanë një marrëdhënie mjaft të ngushtë me kampionët gjermanë, duke shtuar: “Fëmijët e mi janë fansa të mëdhenj të Bajernit. Nëse skuadra nuk fiton, ata qajnë”. Së fundmi, Lucio luan me skuadrën braziliane të Goa. Gjatë karrierës së tij, ai numëron 236 ndeshje në Bundesligë për skuadrën bavareze dhe atë të Leverkusenit.
Megjithatë, ai nuk ka qenë i vetmi brazilian, i cili ka folur me superlativa për skuadrën bavareze. I tillë është edhe Kafu, i cili nuk sheh asnjë arsye negative për faktin e eliminimit nga Champions-i i këtij sezoni duke thënë: “Kjo nuk do të thotë asgjë. Bavarezët kanë luajtur gjithmonë krahas gjigantëve të futbollit, ndaj kushdo që arrin të luajë aty, e meriton”.
Sa u përket finalistëve të këtij sezoni për në Champions, ata nuk kanë dashur të pozicionohen krahas Juventusit ose Realit të Madridit, duke thënë: “Sulmi i skuadrës spanjolle të Realit është mbresëlënës, ndërsa mbrojtja e skuadrës së Juventusit është shumë e fortë. Do të jetë një ndeshje taktike, edhe pse shanset do të jenë 50 me 50”.
PE, delegacion për vëzhgimin e zgjedhjeve
Parlamenti Europian do të dërgojë një delegacion vëzhguesish për zgjedhjet e 25 qershorit. Këtë e konfirmoi raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan. Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, Kukan flet edhe për marrëveshjen Rama–Basha, që e vlerëson si tepër pozitive dhe garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Tani sipas tij pritshmëria e zhvillimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike duket realiste, pasi do të ketë marrëveshje midis partive politike se si të organizohen zgjedhjet, opozita po merr pjesë në mënyrë aktive në përgatitjen e tyre përmes përfaqësuesve të saj në qeveri, ashtu edhe përmes kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Fituesit e kësaj marrëveshjeje janë shqiptarët dhe Shqipëria. Kjo është ajo që ne kemi përsëritur vazhdimisht. Politikanët duhet të mendojnë së pari për interesat e qytetarëve, për vendin dhe për të ardhmen e tij. Ky moment erdhi. Ne jemi të gjithë të kënaqur, kështu që ju lutem, mos e prishni”, tha Kukan.
Për sa i përket delegacionit që do të dërgohet ai po plotësohet me emërimin e përfaqësuesve të grupeve të ndryshme politike. Për Partinë Popullore Europiane, do të jetë vetë Kukan dhe Cristian Dan Preda. Ata pritet që të zhvillojnë këto ditë edhe një takim për misionin e vëzhgimit që do të zhvillojnë në Shqipëri dhe do të mbërrijnë në Tiranë 4 ditë para zgjedhjeve.
Deputeti i Ramës, 500 euro për votat në Tiranë
Partia Socialiste e ka shpallur qartë objektivin e saj në këto zgjedhje. Të sigurojë 71 mandate për të qeverisur e vetme.
Në kuadër të këtij objektivi, PS-ja po përdor çdo metodë për të arritur të qeverisë e vetme.
Kryeministrin Rama e shohim përditë herë në ndonjë oborr shtëpie, herë duke shtruar iftar apo live në Facebook ku kërkon vota nga farefisi i emigrantëve.
Kurse deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ndryshe nga fushatat e kandidatëve të tjerë, ka zgjedhur një tjetër mënyrë “origjinale” për të mbledhur sa më shumë vota.
Bushati u ka dërguar disa qindra të rinjve një SMS ku kërkon pjesëmarrjen e tyre në një konkurs për të transformuar Njësinë nr. 8, ku në shkëmbim jepen 500 euro dhe bursa studimi.
“Hashtag.al” ka siguruar mesazhin e dërguar nga Bushati drejt të rinjve për të marrë pjesë në konkurs.
Konkursi mban emrin “Fito 500 euro dhe një bursë studimi”.
Kjo iniciativë e Bushatit vjen 4 javë para zgjedhjeve dhe të ftuarit në konkurs janë 18-vjeçarët, të cilët votojnë për herë të parë.
Avokati i Popullit: Të merren masat, administrata, jo në fushatë
Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka rekomanduar ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, si dhe kryebashkiakëve që të shmangin përfshirjen e punonjësve së administratës publike qendrore dhe vendore në fushatat elektorale përgjatë orarit të punës. Ai kërkon marrjen e masave disiplinore në rast të konstatimit të këtyre rasteve, ndaj punonjësve që anashkalojnë detyrat dhe misionin e tyre të ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera. Totozani bën me dije se institucioni i Avokatit të Popullit do të ndërmarrë në ditët në vazhdim një monitorim për punonjësit e administratës publike. Nga praktikat e mëparshme të punës së Avokatit të Popullit, konkretisht përpara mbajtjes së zgjedhjeve më 2013-ën, ka rezultuar një numër i konsiderueshëm ankesash me objekt largime të padrejta nga puna në mënyrë të menjëhershme, por bazuar në pretendimet e ankuesve motivacioni lidhej me “bindjet politike”, si dhe mosmarrjen pjesë në fushatë zgjedhore. Në rekomandimin e Avokatit të Popullit thuhet se: Reformimi i administratës publike vijon të mbetet një prej prioriteteve jo vetëm për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane, por edhe të punës së institucionit të Avokatit të Popullit dhe sikundër është cituar edhe në progres raportin e muajit nëntor 2016 nga Komisioni Europian, Shqipëria, është mesatarisht e përgatitur në drejtim të reformës në administratën publike. Përmirësimi dhe thellimi i demokracisё nё shoqёrinё shqiptare, forcimi i demokracisё institucionale, rritja e nivelit tё qeverisjes, kërkon që të gjitha institucionet e shtetit të marrin masat e nevojshme, të domosdoshme, institucionale e legjislative, tё cilat do të garantojnë në mënyrë të plotё dhe të gjithanshme liritë, tё drejtat dhe interesat e ligjshme tё individëve. Institucioni i Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 60 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me Ligjin 8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të individëve, ka nisur me iniciativë dhe do të ndërmarrë në vijim një monitorim për punonjësit e administratës publike (qendrore dhe vendore) mbi përfshirjen ose jo të këtyre nëpunësve në fushatë zgjedhore gjatë orarit zyrtar të punës. Bazuar në praktikat e mëparshme të punës së Avokatit të Popullit, kryesisht gjatë vitit 2013, para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ka rezultuar një numër i konsiderueshëm ankesash, me objekt largime të padrejta nga puna në mënyrë të menjëhershme, por bazuar në pretendimet e ankuesve motivacioni lidhej me “bindjet politike”, si dhe mosmarrjen pjesë në fushatë zgjedhore. Ligji nr.8417, datë 21.10.1998, mbi miratimin e “Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar në nenin 107 të tij, përcakton termin “nëpunës publik”. Sipas këtij neni misioni i nëpunësit publik, duke përfshirë të gjithë ata nëpunës që janë pjesë të shërbimit civil apo që trajtohen edhe me Kod Punës është zbatimi i ligjit dhe të janë në shërbim të popullit. Gjithashtu, ligji i ri për shërbimin civil me nr. 152/2013, miratuar në vitin 2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, në nenin 37 të tij përcakton të drejtat politike. Konkretisht, në këtë nen citohet se: “1. Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike. Nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues nuk mund të jenë anëtarë të partive politike. Nëpunësit civilë të kategorive të tjera kanë të drejtë të jenë anëtarë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese të tyre. Nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe të zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast, nëpunësi detyrohet të kërkojë pezullimin nga detyra”.
Pezullim lejeve të pushimit për administratën deri më 30 qershor
Nëpunësve, funksionarëve dhe punonjësve të Ministrisë së Financave dhe institucioneve të varësisë do t’u ndërpriten lejet vjetore, për periudhën 25 maj deri më 30 qershor 2017. Ky është urdhri i firmosur nga ministrja teknike e sapoemëruar Helga Vukaj, që mban datën 30 maj, por që mban kokën si një urdhër për pezullimin e lejeve të administratës të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të varësisë. Ai përcakton qartë se në punë do të kthehen edhe ata punonjës, të cilët janë duke i kryer aktualisht lejet vjetore. Pushimet e paguara dhe përmbushjen e lejes vjetore do të mund ta realizojnë vetëm pas datë 1 korrik. Tashmë punonjësit e administratës së ministrisë, tatimeve, doganave dhe drejtorive nën varësinë e financave do të mund të planifikojnë pushimet pas datës 1 korrik 2017 sipas legjislacionit në fuqi. Në pikën katër të urdhrit, ministrja Vukaj ka ngarkuar sekretarin e Përgjithshëm dhe Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse, si edhe nëpunësit, funksionarët dhe punonjësit e Ministrisë së Financave të zbatojnë urdhrin. Në rast se kjo kërkesë nuk do të zbatohet, në pikën pesë të shkresës së firmosur nga Vukaj, punonjësit do të kenë përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm ngarkohet për raportimet tek ministrja Vukaj të zbatueshmërisë së urdhrit.
Drejtorët që shkelin ligjin për të kërkuar vota për PS
Drejtorë shkollash, spitalesh e drejtorë në të gjitha institucionet e administratës publike në tërësi kanë lënë detyrat që u ngarkon ligji duke dalë në fushatë për PS dhe LSI. Rastet e denoncuara vijnë në qytete të ndryshme të vendit ku shihet qartazi se si funksionarët e administratës kanë braktisur detyrat e tyre duke shoqëruar ministrat e Ramës dhe krerët e tjerë të strukturave socialiste për të kërkuar bashkë me ta votat për PS. Në Kuçovë, ministrja e Zhvillimit Urban, Englantina Gjermeni shfaqet në fushatë në krah të drejtoreshës së një prej shkollave të këtij qyteti. Drejtoresha në fjalë jo vetëm që qëndron gjatë gjithë kohës në krah të ministres, por edhe ka mbajtur një fjalim ku në shkelje të hapur me ligjin u kërkon bashkëqytetarëve të saj që të japin votën për Partinë Socialiste. Siç shihet në foton në krah të shkrimit, drejtoresha qëndron pranë ministres gjatë një takimi elektoral me qytetarë të Kuçovës. Fotoja është publikuar dje nga ish-kryeministri Berisha pas denoncimit të një qytetari. E njëjta situatë denoncohet edhe në Durrës, nga një tjetër denoncim me foto, ku shihet qartë se si ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, shfaqet në krah me drejtorin e ZRPP në Durrës duke bërë fushatë e duke u kërkuar durrsakëve votat për PS, në një kohë kur drejtori në fjalë do të duhej të ishte në zyrën e tij të punës. Një rast i ri i përfshirjes së një zyrtari të lartë në fushatën elektorale të PS-së, partisë në qeverisje, është denoncuar dje publikisht. Bëhet fjalë për drejtorin e ZRPP-së Durrës, Ani Durmishin, i cili shfaqet hapur në fushatë elektorale në krah të kandidates për deputete, Milva Ekonomi, ku dhe është fotografuar. Ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili e ka publikuar në origjinal mesazhin e qytetarit, shprehet për këtë rast: “Ndrikulla Milva Ekonomi, fushatë elektorale me drejtorin e Hipotekës së Durrësit! Qytetari dixhital denoncon: Drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Ani Durmishi, që po drejton fushatën elektorale të ndrikull Milva Ekonomit në Durrës. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot”, përfundon Berisha, ndërsa publikon edhe denoncimin e qytetarit. “Lidhur me përfshirjen e administratës publike në fushatën politike të Partisë Socialiste në Durrës po ju dërgoj rastin e drejtorit të Hipotekës Durrës, Ani Durmishi. Ky drejtor po drejton fushatën e kandidates Milva Ekonomi në Durrës duke e shoqëruar në çdo takim elektoral”, thuhet në denoncimin e qytetarit. Ndërkohë siç shihet në foton tjetër, drejtori i Burgut të Burrelit është shumë aktiv në fushatën e Partisë Socialiste teksa edhe në faqen e tij në rrjetin social FB fut foto nga pjesëmarrja e tij në tubimet elektorale të PS. Sipas ndryshimeve të miratuara pas marrëveshje Basha-Rama, përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime. Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme. Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore. Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.
Administrata në fushatë, shkarkohet dhe specialisti i hetimit tatimor
Vjen shkarkimi i dytë nga administrata për akuzën e pjesëmarrjes në fushatë elektorale. Një specialist i hetimit tatimor, oficer i Policisë Gjyqësore, Kliton Bistri është shkarkuar me urdhër të ministres së Financave. “Ministria e Financave bën me dije shkarkimin nga detyra të specialistit të hetimit tatimor, oficer i Policisë Gjyqësore Kliton Bistri, për pjesëmarrje në kundërshtim me ligjin dhe urdhrin nr. 65/2017 të Kryeministrit në fushatë elektorale, duke cenuar rëndë figurën e OPGJ dhe standardet zgjedhore”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Shkarkimi vjen një ditë pasi drejtori i burgut të Tropojës u pezullua nga puna pikërisht për shkak të përfshirjes në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.
Rama në kuotat më të ulta, sondazhi nga stafi i tij
Ka një alarm të pashpallur në Partinë Socialiste. Kryeministri në fushatë është fiksuar keqas mbas sondazheve dhe ka angazhuar më shumë se tri grupe të ndryshme, “ekspertë” të sondazheve zgjedhore.
Kjo sepse, sipas burimeve të “360grade.al”, një sondazh i para pak ditëve ka prodhuar një rezultat që e ka tronditur, kryetarin e PS, sepse pikët e grumbulluara nga PS dhe nga ai personalisht, janë më të ulëtat e të gjitha kohëve dhe janë shumë larg pikësynimeve të tij përfundimtare.
“360grade.al” e zotëron këtë sondazh të fshehtë, por nuk boton dot të dhënat sepse, stafi i kryeministrit mund të mbërrijë te burimi ynë konfidencial.
Kryeministri ka porositur ndërkohë edhe tri sondazhe të tjera dhe është vërsulur në fushatë, duke e personalizuar përsëri atë, me qëllim që të ndryshojë trendin negativ të pasqyruar në sondazhin më të fundit. Gjëja që bie më shumë në sy, është besueshmëria e premtimeve dhe e personit Rama, si një kryeministër që kërkon një mandat të dytë.
Urdhri për sulm ndaj LSI dhe PDIU
Rama duket se është në panik nga rrjedhja e votave, jo vetëm nga pakënaqësia në masë që ka shkaktuar qeverisja e tij, por dhe nga dalja më vete e partive të tjera aleate. Portali, “lapsi.al” ka publikuar një sms të tij që ja dërgon kandidatëve për deputetë ku “kërkon mobilizim më të madh prej tyre, që të luftojnë sa më shumë për fitoren e PS-së”. Në mënyrë të veçantë porosit të vetët që të “peshkojnë” kandidatët e partive të vogla. Sipas tij përfaqësuesit e PS-së duhet t’i bindin këta kandidatë se nuk kanë asnjë shans të fitojnë mandat dhe se “me këtë hanë vota kot nga e majta”.
Më poshtë teksti i mesazhit të Ramës. “Kapni dhe çmobilizoni sa të jetë e mundur kandidatët e partive të vogla! S’kanë asnjë shans të fitojnë mandat dhe vetëm hanë vota kot nga e majta. Përfshihini sa të mundeni në fushatën tonë. Kudo ku flisni, me këdo që flisni, edhe brenda organizatave, jepuni mesazhin që janë vota për të dëmtuar objektivin e PS, duke ndihmuar padashje PD apo LSI në kurriz të PS! Forca! Intensitet maksimal. Ditë-natë! Mobilizoni miq, kushërinj, nipa, mbesa, fis e farë, me telefon, kudo ku i keni, që të luftojnë për PS! Fitore!”, shkruan Rama në mesazhin e shpërndarë tek të gjithë kandidatët. Ky mesazh i Ramës lë të kuptohet panikun e tij për fundin e afërt dhe se objektivi që ka shpallur se do të fitojë 71 mandate deputetësh, është shumë larg realitetit dhe ekziston vetëm në fantazinë e tij. Pas marrëveshjes që ai arriti me kreun e opozitës, Lulzim Basha, të gjitha partitë garojnë të vetme në zgjedhjet e 25 qershorit, jashtë çdo koalicioni paraelektoral. Kjo rëndon pozitat e partive të vogla, por vështirëson akoma më shumë dhe pozitat e Ramës në këto zgjedhje.
Lutja ndaj partive të vogla
Rama bindi disa prej partive të vogla të spektrit të majtë që të dalin në zgjedhje nën siglën e PS-së, për të mos humbur kështu asnjë votë potenciale. Duket se luftën tashmë Rama se ka vetëm me opozitën, por edhe me aleatët e tij, të cilët kërkon t’i nxjerrë përfundimisht nga jeta politike në vend. Në fakt, këtë plan ai e ka pasur që kur ka hipur në krye të Partisë Socialiste në vitin 2005, dhe e vuri më shumë në zbatim kur mori mandatin qeverisës. Parti aleate tradicionale të tij, që nuk arritën të futen në Kuvend, por dërguan jo pak vota në thesin e majtë mbetën me gisht në gojë sapo Rama mori frenat e pushtetit.
Fati i koalicioneve në Kosovë pas zgjedhjeve
Koalicionet e krijuara para zgjedhjeve nuk garantojnë se Kosova nuk do të futet në bllokadë rreth formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve, parashikojnë njohësit e zhvillimeve politike. Sipas tyre, është e pritshme që pas zgjedhjeve, koalicionet aktuale të ridefinohen. Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, pastaj koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe subjektin e ri Alternativa, si dhe subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, konsiderohen si blloqet kryesore politike në këto zgjedhje. Artan Muhaxhiri, analist politik, tha për Radion Evropa e Lirë se spektri politik në Kosovë nuk ka mësuar shumë nga përvoja e vitit 2014, kur Kosova ishte futur në një krizë institucionale prej gjashtë muajve. Edhe procesi aktual zgjedhor, nënvizon Muhaxhiri, nuk garanton se do të përmbyllet me fitoren e mjaftueshme të ndonjërit prej subjekteve garuese, qoftë koalicion, parti apo lëvizje politike, që si e vetme të formojë qeverinë e re. “Edhe koalicioni i PDK-së edhe ai i LDK-së, janë krijuar në mënyrë të improvizuar dhe për këtë arsye është shumë e mundshme që pas zgjedhjeve të kemi probleme në formimin e qeverisë, pasi që është shumë pak e besueshme që ndonjëri prej tyre të fitojë shumicën e domosdoshme për ta krijuar qeverinë”, thotë Muhaxhiri. Koalicionet aktuale janë ndërtuar edhe mbi parimin e ndarjes paraprake të posteve, nisur nga posti i kryeministrit, kryetarit të Kuvendit e deri te ministritë dhe kryesorët e tjerë. Por, të gjitha këto marrëveshje, sipas Muhaxhirit mund të rishikohen pas zgjedhjeve, marrë parasysh se do të jetë vështirë që të fitohen zgjedhjet, sipas parashikimeve parazgjedhore.
Kosova forcon masat për sigurinë gjatë zgjedhjeve
Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saj policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar që ndërlidhet me sigurinë të njoftojnë PK-në, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore. Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, thuhet në komunikatën e policisë. Planifikimi operativ parasheh implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore 10-ditore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita Z, si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit. Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor. Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, sigurimin e qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe depove qendrore, përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.