Do të vazhdojë, por nuk e di se ku. Këto janë fjalët e Francesco Tottit, i cili vetëm dy ditë më parë i dha lamtumirën ekipit të Romës. Gjatë një darke me famijarët e tij, miq dhe shokë të skuadrës verdhekuqe numri 10 ka surprizuar jo pak të pranishmit, të cilët kanë mbetur gojë hapur nga fjalët e sulmuesit. Totti në fjalën e tij u shpreh: “Në fjalimin tim të lamtumirës mungonte një detaj, do të vazhdoj të luaj futboll, por nuk e di ende destinacionin”. Pas këtij momenti të pranishmit kanë shpërthyer në duartrokitje dhe e mbështesnin idenë e tij.
Ndërkohë drejtori i ri sportiv i Romës, Monchi ka lëshuar një deklaratë ose ndryshe një ftesë në drejtim të Francesco Tottit, ku e fton atë të punojë krah tij, pasi e cilëson se kontributi i ish-kapitenin në rolin e drejtuesit është shumë i rëndësishëm për ecurinë pozitive të skuadrës verdhekuqe. “Për Tottin ka një propozim nga drejtuesit klubit, por edhe nga unë personalisht që të bashkëpunojmë krah njëri-tjetrit, por ky është një propozim që ka nevojë për kohë përpara se të japë një përgjigje. Ne jemi në pritje të një konfirmimi nga ana e Tottit”, tha ai.
Totti: Do të vazhdoj të luaj futboll
Katër organizata: Ndaleni ndërtimin e resortit në Divjakë, është shkatërrim
Organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit janë ngritur kundër ndërtimit të resortit në Divjakë. Sipas tyre, ndërtimi shkatërron ekosistemin delikat të parkut. Ja si janë shprehur ato: “PPNEA, si pjesë e grupimit të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, shpreh shqetësimin e saj për cenimin e integritetit ekologjik që i kanoset Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta nga projektet e zhvillimit të turizmit intensiv në zonë dhe zbatimit të projekteve me pasoja shkatërrimtare për mjedisin të Bashkisë Divjakë në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur në dt. 28.05.2017 në zonën e parkut. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shpallur territor i mbrojtur që prej vitit 1964 dhe sot zë në sipërfaqe prej 22 230 ha. Parku mbron një ekosistem unik të përbërë nga një ndërthurje lagunash, dunash ranore, tokash ligatinore dhe pyjesh bregdetare me një florë dhe faunë mjaft të pasur. Në ekosistemin e parkut gjenden pyje me pisha me moshë deri në 400-vjeçare dhe është zonë qëndrimi për miliona shpendë shtegtarë. Divjaka është i vetmi vend i folenizimit të Pelikanit Kaçurrel në Shqipëri, një simbol i parkut dhe i natyrës shqiptare. Çdo tjetërsim i shfrytëzimit të territorit të parkut përtej qëllimeve të ruajtjes në gjendjen aktuale do të ishte shkatërrimtar për ekosistemin delikat të parkut”. Olsi Nika, drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania: “Resorti i planifikuar në PK Divjakë-Karavasta bie ndesh jo vetëm me ligjet për mbrojtjen e natyrës, por gjithashtu nuk garanton zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Ne besojmë se turizmi masiv, sidomos në këtë Park Kombëtar, nuk është pika më e fortë e Shqipërisë. Për të qenë konkurrentë me fqinjët, Shqipëria duhet të orientohet drejt ekoturizmit. Ndërtimi i këtij qyteti të ri do të linte në harresë vetë qytetin e Divjakës dhe do të falimentonte bizneset e sapolindura në zonë”. Taulant Bino, drejtor Ekzekutiv i AOS: “Ne jemi tërësisht kundër kërtij modeli të propozuar dhe do të vijojmë përpjekjet tona me të gjitha mjetet demokratike ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mos lejuar një vendimmarrje të gabuar e të rrezikshme për të gjitha Zonat e Mbrojtura në Shqipëri”. Gabriel Schwaderer, nga Fondacioni gjerman për Ruajtjen e Natyrës, EuroNatur: “Për shkak biodiversitetit të tij të pasur, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shpallur në vitin 1995 si Zona e Parë Ramsar në Shqipëri. Përveç kësaj, zona është listuar si kandidat për Rrjetin Emerald nga Konventa e Bernës dhe njëkohësisht zonë pilot për rrjetin Natura 2000 në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një vendimmarrje për ndërtimin një qendre urbane në zemër të Parkut Kombëtar do të sillte fundin e zonës së mbrojtur”.
Durrës, rreth 300 tregtarë rrezikojnë falimentimin
Tregtarët e tregut të fruta-perimeve në Durrës thonë se po falimentojnë për shkak të konkurrencës së pandershme. Janë rreth 300 tregtarë të licencuar që për shkak të konkurrencës që vjen nga shitësit ambulantë në trotuare, gjenden në një situatë të vështirë. Këta tregtarë shesin produkte të ndryshme me çmime më të lira, duke reduktuar ndjeshëm shitjet në brendësi të markatës. Tregtarët: “Vetëm ne që jemi brenda markatës paguajmë taksat. Na është prishur malli sepse është rrethuar i gjithë vendi me shitës ambulantë”. Tregtarët kërkojnë që Bashkia të urdhërojë ndërhyrjen e Policisë Bashkiake ndaj tregtarëve të paligjshëm. Nëse institucionet nuk ndërhyjnë, tregtarët kërcënojnë se do të përshkallëzojnë revoltën me protesta të përditshme.
Nuk ka investime, bien kreditë
Huaja për ekonominë nuk po arrin të gjallërohet, në një tregues që kryesisht bizneset kanë stepur investimet, por as individët nuk po kërkojnë më kredi për blerje të mëdha apo konsumatore. Kjo po ndodh, pavarësisht se normat e interesit janë pranë niveleve më të ulëta historike.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 545 miliardë lekë, duke u reduktuar me 2.5 miliardë lekë apo rreth 0.5% në raport me muajin e mëparshëm.
Tkurrja e stokut në prill ka ardhur nga rënia e zërit kredia për korporatat jo financiare në valutë (-2.2 miliardë lekë) dhe reflekton deri në njëfarë mase edhe zhvlerësimin e euros ndaj monedhës vendase. Por, edhe huaja në lekë për këtë kategori është zvogëluar me 340 milionë lekë. Huaja për korporatat financiare ka hyrë në një trend të dukshëm rënës që prej dhjetorit të vitit 2014, pra prej më shumë se dy vitesh, teksa biznesi duket se i ka frenuar investimet, por edhe bankat janë më të kujdesshme. Këtu ka ndikuar gjithashtu dhe fshirja e huave që nuk ktheheshin prej të paktën 3 vjet në bilancet e bankave, një proces që është intensifikuar dy vitet e fundit.
Këtë muaj, në rënie ka qenë dhe huaja për individët, ndryshe nga periudhat e mëparshme, kur ky segment njohu zgjerim, duke sinjalizuar një rritje të konsumit. Huaja në valutë për individët ka qenë në rënia, ndërsa ajo në lekë ka shënuar një rritje fare minimale. Ndonëse bankat kanë publikuar oferta shumë të mira për individët sërish ata nuk duket se janë në humor për të marrë kredi për blerje të vogla apo për pasuri të paluajtshme. Edhe vëzhgimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat kanë lehtësuar standardet e huasë për individët, në krahasim me bizneset, ku vijojnë t’i mbajnë të shtrënguara.
Me bazë vjetore (prill 2017/prill 2016), kredia për ekonominë i është rikthyer rënies, duke u reduktuar me 0.4%.
Duhen 36 vite punë për të fituar pension
Për të përfituar pension të plotë, një shqiptar duhet të punojë mesatarisht 35.8 vite pune. Po cilët punojmë më shumë dhe më pak në Europë?
Stili i jetesës së italianëve është burim zilie për shumë. Ushqimi, klima dhe të tjera aspekte të “Bella Vitta” i ka renditur italianët në një ndër popujt më të shëndetshëm në botë dhe sipas të dhënave të Eurostat, një italian punon mesatarisht 30.7 vite.
Në kontrast, suedezët e zellshëm për punën punojnë mesatarisht 41.2 vite. Fqinjët e tyre në të gjithë Detin e Veriut, si Holanda, Danimarka, Britania dhe Gjermania kanë në mënyrë të ngjashme të njëjtën kohëzgjatje të kohës që punojnë.
Në të gjithë Europën, njerëzit po punojnë më shumë se në të kaluarën. Më 2015-n, europianët punonin më shumë se 1.9 vite më shumë se një dekadë më parë. Edhe për shqiptarët, me ligjin aktual të pensioneve, parashikohet që numri i viteve deri më 2029 do të arrijë 40 vjet.
Personave në Maltë iu shtuan me 5.1 vite koha që iu duhet për të dalë në pension ndërmjet viteve 2005 dhe 2015, por përsëri ata punojnë vetëm 33.4 vjet për të përfituar pensionin e plotë, saqë europianët e veriut do të ndiheshin keq për ta.
Sipas të dhënave të Eurostat, vendet europiane që punojnë më pak janë Belgjika me 32.6 vite, Greqia me 32.3 vite, Bullgaria me 32.1 vite dhe Italia me 30.7 vite.
Droga fundos euron, më e ulëta në 9 vite

Euro ka shënuar rekord të ri të ulët të këmbimit me lekun, ku sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë këmbehej dje me 134.14 lekë. Euro në tregun vendas ka qenë përgjithësisht e dobët që nga tetori i vitit të kaluar, por dje arriti nivelin më të ulët që nga viti 2009.
Shqetësimet në lidhje me situatën që ka përfshirë Greqinë, Italinë dhe Bankën Qendrore Europiane ka zhvlerësuar monedhën e përbashkët në tregjet ndërkombëtare, gjë që është reflektuar edhe në tregun vendas.
Ministrat e Financave të Eurozonës nuk arritën të bien dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar për lehtësimin e borxheve greke apo për disbursimin e kredive të reja ndaj Athinës, ndërkohë që pritet takimi i dytë i palëve në qershor. Ndërsa Banka Qendrore Europiane vendosi që të marrë në konsideratë blerjen e obligacioneve greke vetëm pasi borxhi i Greqisë të jetë cilësuar si i qëndrueshëm.
Frika gjeopolitike europiane pati ndikim tek aksionet aziatike, duke forcuar jenin dhe rritur çmimin e arit, megjithëse aktiviteti tregtar ishte i ngushtë dhe disa prej tregjeve qenë të mbyllura për shkak të pushimeve.
Kulla e re me 26 kate në qendër të Tiranës
Vitin që vjen do të nisë ndërtimi i kullave shumëkatëshe që do të dominojnë qendrën e Tiranës. Përveç hotelit 35-katësh që do të jetë një zgjerim i hotel Tiranës (sot 15- katëshit) dhe kullës “Al Habtoor Investment LLC” (kulla Ikonike) në bulevardin e ri, kullës me 40 kate (DownTown Albania) në zonën e parkut të lodrave në Rrugën e Elbasanit, tashmë është gati të nisë ndërtimi i një tjetër kulle shumëkatëshe në qendër të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë Tiranë) e cilësuar “Eyes of Tirana”.
“Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë dhe do të zhvillohet nga kompania Edil-Al. Të dhënat nga projekti bëjnë me dije se propozimi përbëhet nga tre pjesë të godinës që do të përmbajnë apartamente, zyra dhe dyqane që arrijnë në total në 55.444 m². Punimet për ndërtimin e kullës do të nisin vitin tjetër sipas planifikimit që ka bërë zhvilluesi i projektit, Edil-Al.
“Eyes of Tirana” është planifikuar të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, ndërmjet Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, aty ku sot ndodhet selia e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Kulla është pjesë e Masterplanit për Tiranën. Projekti është vepër e studios daneze Henning Larsen. Maja e kullës, që hapet si lule, dhe atriumet kanë pamjen e një syri, nga ku objekti ka marrë edhe emrin.
Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së bulevardit të ri deri te Parku i Liqenit.
Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj, i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor investment LLC”, kurse projekti “Kulla ikonike e Tiranës”.
Në pak vite, Tirana do të ketë shumë hapësira të lira për t’u ofruar blerësve, në një vend që ende renditet ndër të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave për frymë dhe i 106-i në botë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.
“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, ka pohuar më herët Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers international.
Të dhënat e projektit
Fillimi i punimeve: 2018
Vendndodhja: Tirana
Sipërfaqe totale: 55.444 m²
Zonë hotelerie: 2.421 m² (në 4 nivele)
Zonë restorantesh: 600 m²
Hapësirë zyrash për qira: 13.354 m² (4 kate)
Zonë për apartamente: 6.836 m² (4 kate)
Kriza e konsumit, të ardhurat nga TVSH, 12% poshtë planit
Të ardhurat buxhetore u rritën me 6.6 për qind në 4 muajt e parë të vitit, por Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që mblidhet në tregun e brendshëm, shënoi një ecuri të dobët. Sipas Ministrisë së Financave në periudhën janar-prill të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 12% ose 1.5 miliardë lekë më të ulëta se plani i periudhës. Më konkretisht sipas të dhënave, për katërmujorin tatimet mblodhën 11.7 miliardë lekë TVSH të brendshme, nga 13.2 miliardë që ishte plani. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga TVSH e brendshme janë rritur me vetëm 1.5 për qind, në një kohë kur vetëm inflacioni dhe rritja ekonomike duhet të kishin sjellë minimalisht një rritje me 6 për qind të të ardhurave në vlerë nominale. Por treguesi më shqetësues është se në muajin prill situata është përkeqësuar. Sipas financave, muajin e kaluar të ardhurat nga TVSH ishin 196 milionë lekë më të ulëta se prilli i një viti më parë. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një nga indikatorët më të rëndësishëm në ekonomi. Për shkak se vendoset ad valorem mbi shitjet, kjo taksë gjurmon qarkullimin e mallrave në ekonomi. Rrjedhimit ecuria e dobët në katër muajt e parë të vitit e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mund të sinjalizojë një ndrydhje tjetër të konsumit në ekonomi. Këto dyshime forcohen edhe nga një tjetër fakt, ai i rënies së inflacionit, një tregues që tenton të jetë i ulët kur konsumi i mallrave në ekonomi bie. Në prill rritja e çmimeve u rikthye sërish poshtë objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë duke rënë në 1.9 për qind.
Blerjet online bien me ritme dyshifrore në 4-mujorin e parë
Volumi i blerjeve online është ulur dukshëm në katërmujorin e parë të këtij viti duke reflektuar uljen e kufirit për taksimin e tregtisë nga interneti që qeveria aplikoi në gusht të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, transporti i mallrave me postë shënoi rënie vjetore me 13% në janar-prill 2017. Nga të dhënat mësohet se në katërmujorin e parë të vitit u transportuan me postë 146 tonë mallra nga 169 tonë që u transportuan më 2016. Në gusht të vitit të kaluar, hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH, 2.4% taksë doganore). Me këtë vendim, të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, çmimet u shtrenjtuan. Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm. Ky veprim, sipas Financave, u bë për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import. Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësore me çmime të pranueshme. Ky vendim i qeverisë përveçse u prit me zemërim nga konsumatorët fanatikë të blerjeve online, duket se ka dhënë edhe efektet negative zinxhir te bizneset. Aktiviteti i postave në transportin e mallrave ka rënë me ritme dyshifrore këtë vit. Në mes të vitit 2014, qeveria kishte vendosur që të gjithë ata që blinin online dhe iu vinte produkti me postë nga jashtë vendit, paguanin taksë në rast se vlera e mallit do të kalonte 20 mijë lekë, duke e rritur, nga 10 mijë lekë, që ishte më parë.
Rënia e investimeve publike
Ndryshe nga vitet e mëparshme elektorale, investimet publike këtë vit nuk janë përshpejtuar. Të dhënat fiskale nga Ministria e Financave, tregojnë se plani i investimeve kapitale për periudhën janar-prill ishte 8% më i ulët se programi. Në fillim të vitit, qeveria parashikonte të investonte gati 16 miliardë lekë në 4 muaj, ndërsa shpenzimet e kryera ishin 14.4%. Infrastruktura rrugore këtë fillimviti është zëvendësuar nga ajo energjetike, për sa i përket rëndësisë së investimeve. Investimet në rrjet kryesuan investimet e këtyre muajve. Për sa u përket rrugëve, investimi kryesor vijon në segmentin Qukës-Qafë Plloçë, me një vlerë rreth 940 milion lekë. Investimet publike, ndonëse një burim i rëndësishëm për rritjen ekonomike kanë qenë të frenuara vitin e fundit, për shkak të angazhimit të qeverisë për konsolidimin e financave publike, ndërsa shumë më të frenuara janë në çdo fillimviti pasi projektet nisin me vonesë. E kundërta ndodh në vitet elektorale, kur zakonisht qeveritë kanë nxituar të injektojnë para në ekonomi, përmes përshpejtimit të investimeve.
Shqipëria “prodhon” shifra, e dyta në rajon, por e paaftë t’i shfrytëzojë
Barometri Open Data mat sesi qeveritë i përpilojnë dhe publikojnë të dhënat dhe impaktin e tyre në shoqëri. Në renditjen e fundit të organizatës që mban të njëjtin emër, Shqipëria renditet në vendin e 50-të në botë ndër 114 shtete të marra në analizë. Vendi ynë është një risi në këtë listë, pasi është viti i parë që përfshihet, ashtu si thuajse të gjitha vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Maqedonisë. Fqinjët janë vendi me renditjen më të mirë, në vendin e 49-të, paçka se kanë rënë me plot 15 pozicione në krahasim me një vit më parë. Në vend të dytë në rajon ndërkohë qëndron pikërisht Shqipëria, me një diferencë minimale në pikëzim me Maqedoninë. Më pas ndjek Kroacia e 58-ta, Kosova e 63-ta, Serbia e 65-ta, Mali i Zi i 83-ti dhe Bosnje-Hercegovina e 100-ta. Me një pikëzim nga 0 në 100, në bazë të sektorëve të ndryshëm, kjo tabelë specifikon se ku Shqipëria performon mirë, e ku keq, sa i përket publikimit të të dhënave. Të dhënat më të dobëta janë në transportin publik, të drejtën e pronës, performancës në shkollë, statistikës së krimeve dhe rezultatit të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, të dhënat më transparente janë në drejtim të buxhetit, tregtisë ndërkombëtare, ambientit dhe deri diku edhe censusit. Shqipëria është një ndër vendet ku të dhënat e publikuara nga qeveria kanë impaktin më të vogël në shoqëri. Në këtë drejtim vendi ynë grumbullon vetëm 4 pikë nga 100 të tilla, çka ka gjeneruar edhe vendin e 50-të në listën me 114 shtete.
Sot është koha e provës, kush e do PD, e ka vendin në fushatë
Vili Minarolli
PDSH është pasuri shpirtërore dhe ideal i çmuar i demokratëve të Shqipërisë.
Ka dy ditë që pas publikimit të listës të kandidatëve për deputetë të PD, që po ndodh një precedent. Disa nga ata që nuk u përfshinë në listë janë të pakënaqur. Deri këtu gjithçka është normale dhe njerëzore. E pamendueshmja është t’i kundërvihesh partisë për të cilin ke qenë përfaqësues i lartë, pikërisht në atë moment kur çdo demokrat është angazhuar për ta kurorëzuar fushatën elektorale me fitoren e partisë. Pas kësaj asnjë nga ata që sot çojnë ujë në mullirin e kundërshtarit politik, nuk mund të pretendojë ta quajë veten qoftë edhe anëtarë të thjeshtë.
PDSH nuk është kryetari saj, që në këtë moment është L.Basha, i zgjedhur me shumicë nga anëtarësia e saj. Ata që nuk e donin si kryetar e shprehën vullnetin e tyre me votë. Këtu mbarojnë kënaqësitë dhe pakënaqësitë. Kryetari i partisë, me listën e prezantuar ka vënë një bast me demokratët. Po nuk e fitoi bastin, ai e ka të përcaktuar rrugën e tij. Vetëm pas datës 25 qershor. Kujt nuk i pritet, le të kërkojë privilegje tek kundërshtarët politikë të PDSH dhe i siguroj se asnjë demokrat nuk do i pranojë. Përvoja e kaluar ëshë një mësim me vlerë.
PDSH nuk është pronë as e kryetarit dhe as e atyre që zgjidhen në drejtim të strukturave dhe si përfaqësues politikë të saj. PDSH është pasuri shpirtërore dhe ideal i çmuar i qindra e mijërave anëtarë e simpatizantë të saj që i japin frymë nga fryma e tyre, pa pretenduar për poste dhe privilegje. Të zgjedhurit në poste drejtuese të strukturave apo pozicionet politike, para se të jetë meritë e tyre, është vlerësim dhe përgjegjësi ndaj zgjedhësve.
Kryetari L.Basha nuk veproi ndryshe nga ç’ka vepruar paraardhësi i tij apo homologët në partitë e tjera të skenës politike shqiptare. Por nga ajo që kujtoj është se disa nga këta të pakënaqurit janë mësuar me poste dhe privilegje të dhuruara dhe tani u është krijuar bindja se janë të pazëvendësueshëm. Mos u habisni kur ju them se morën poste drejtuese në PDSH, u bënë deputetë e ministra pa milituar asnjë ditë as si anëtarë të thjeshtë e madje pa qenë as anëtarë. Modelin nuk e krijoi L.Basha. Por modeli nuk u kundërshtua aq më shumë nga këta që sot po bëjnë lojën e kundërshtarit. Por tani u mërzitën se u erdhi radha e tyre. Dhe po e godasin pas shpine atë që i dha emër dhe vlerë shoqërore PDSH. Ju e shikoni vetë. Me çfarë po merret kundërshtari në këtë fushatë, pasi i konsumoi mashtrimet në fushatën e kaluar dhe nuk bëri asgjë gjatë katër viteve? Sot bëri një deklaratë një ish-drejtues i PDSH, nesër lideri i PS do të merret pikërisht me këtë deklaratë.
Sot është koha e provës. Kush e do PDSH e ka vendin në fushatë, të bëjë atë që mund ta bëjë më mirë në fushatë. Ka kohë për t’u marrë me veten tonë, janë vetëm pas disa ditë.
Përse duhet përshëndetur “Lista Basha”
Edi Puka
Kanë kaluar tashmë thjesht 27 vjet nga ndryshimi i sistemit monopartiak në sistemin aktual hibridodemokratik. Sistem pak i çuditshëm ky i yni, por që për momentin mund të mendohet si i vetmi i mundshëm, nisur nga niveli edukativ, kulturor dhe njerëzor i popullit tonë të dashur. Përgjatë këtyre viteve kanë ndodhur një mori situatash, aktesh njerëzore, mini revolucionesh etj., përsa i përket njohjes tonë me demokracinë.
U krijuan për herë të parë kasta politikanësh, të cilët në një mënyrë ose tjetër ishin, ose më mirë duhet thënë, janë mësuar me vendin e tyre të sigurt në majat e “Olimpit partiak”, pozicion ky që i ka bërë të mundur të ndryshojnë, modifikojnë ose/dhe të shembin idhujt e ëndrrave demokratike të një populli të tërë, duke përdorur pozicionin e tyre vetëm për interes pragmatist dhe mediokër financiar, ose thjesht për të qenë në qendër të vëmendjes të liderit përkatës. Kështu u krijuan vit pas viti klasat e deputetëve, të cilët radhisnin herë pas here numrin e mandateve të fituar, duke e quajtur këtë si një aftësi personale, ku më i forti vlen dhe ku më i forti fiton.
Duke parë listat aktuale të deputetëve të ardhshëm të tri partive më të mëdha në vend, shikohet ende deri diku ky trend i vendosur. Domethënë të njëjtit njerëz me të njëjtën biografi, herë pas here të dyshimtë, me shpresën që nuk do t’i mbajmë mend, kështu që mund t’i votojmë sërish, pasi mund të na duken ndryshe nëse paraqiten me parti të reja apo me mënyra të reja demagogjiste. Kalvari i listave, sidomos duke nisur me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, janë “ethet e gushtit” që përfshijnë çdo individ, i cili mendon se për një arsye apo tjetër është apo e meriton të jetë një përfaqësues i denjë në Parlament.
Në këto lista, sigurisht që nguten të marrin pjesë lloj-lloj elementësh, por është roli vendimtar i kryetarit të partisë dhe i forumeve përkatëse që të bëjnë zgjedhjen e duhur duke larguar dhe injoruar individë, të cilët mund të kenë arritur pasuri financiare, por jo pasuri cerebrale. Të cilën për fat të keq nuk ta ofron paraja, por mundi i hedhur ndër vite. Ky dallim rrënjësor do të bënte të mundur që të mos përsëritej më, skena e turpshme e Parlamentit që kaluam. Parlament, i cili u karakterizua nga largime deputetësh për arsye kriminale, hajdutërie, mungesë diplomash universitare ose në rastin më të “mirë” të falsifikuara. Parlament, i cili vetëm përfaqësues i një populli nuk mund të jetë dhe sidomos i një populli, i cili synon për një zhvillim të mëtejshëm në familjen europiane.
Listat aktuale për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, për hir të së vërtetës, kanë dallim rrënjësor me ato të para katër viteve. Kjo si pasojë më shumë e frikës dhe monitorimit europian, por deri diku edhe e ndërgjegjësimit të kryetarëve përkatës, të cilët mbase e kuptuan që duhet ndryshuar nëse dëshirojnë që të jenë të pranuar nga ndërkombëtarët.
Në këtë prizëm reflektimi duhet evidentuar dhe përshëndetur nisma për listat e kandidatëve për deputetë, shpallur nga Partia Demokratike. Ajo vihet re nga këto lista është inkuadrimi në pozicione fituese i shumë kolegëve dhe miqve nga bota akademike. Më në fund edhe partitë politike kuptuan që pa pjesëmarrjen e akademikëve në proceset zhvilluese të një vendi, nuk mund të ketë progres dhe rritje të vazhdueshme.
Përfaqësimi akademik në këto lista jep një garanci demokracie në Parlamentin e ardhshëm. Këta individë, duke përmendur këtu miqtë dhe kolegët: Pampuri, Gurakuqi, Duka dhe po përmend vetëm disa, jam dhe duhet të jemi të sigurtë që mund dhe do të sjellin një ndryshim vendimtar në radhë të parë lidhur me komunikimin dhe më pas në marrëdhëniet aq të ndërlikuara parlamentare.
Kjo nismë apo reflektim i zotit Basha është ai i duhuri. Përfshirja e akademikëve në listat politike parlamentare thjesht rrit nivelin edukativo-kulturor, për të cilin ka kaq shumë nevojë Parlamenti ynë, gjithashtu shpërfaq një mesazh dinjiteti dhe qytetarie europiane, për të cilin kemi nevojë të gjithë.
*Prof. Asoc. Dr. Edi Puka është Profesor i Shkencave të Edukimit