19.5 C
Tirana
E premte, 18 Korrik, 2025

Veliaj, 16 milionë euro për pllaka të thyera në Sheshin ‘Skënderbej’

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka harxhaur plot 16 milionë euro për pllakat e vendosura në Sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. E sikur të mos mjaftonte ky skandal korrupsioni, pllakat e vendosura në shesh janë të thyera. Punimet janë kryer me cilësi shumë të dobët dhe shumë shpejt pllakat do të dalin jashtë përdorimit për t’u zëvendësuar me të tjera dhe për të harxhuar miliona lekë të tjera nga lekët e taksapaguesve të kryeqytetit.
U bë gati një vit që qendra e Tiranës është thuajse e bllokuar dhe automjetet e kanë të vështirë të lëvizin. U lajmërua rreth një vit më parë, që projekti i ri për ndërtimin e këtij sheshi do të zgjaste plot 12 muaj dhe se vlera e tij do të ishte 16 milionë euro. Kur morëm vesh se i gjithë sheshi do t’u dedikohej këmbësorëve dhe do të kishte edhe gjelbërim, menduam se diçka e mirë do të bëhej në këtë qytet, por si përherë, zhgënjimet nuk mungojnë.
Sëfundmi ky shesh është shtruar dhe duket se është në përfundim e sipër, por çfarë është bërë në të, a e keni parë? Andis Harasani ka postuar disa foto, në të cilat duket më së miri se kemi të bëjmë me pllaka të copëtuara, të vendosura në mënyrë të çrregullt dhe me ngjyra të ndryshme. “Ta gëzoni sheshin e ri! Shikoni sa bukur pllakat. Asnjë s’ka lidhje me tjetrën. Dhe kanë qëlluar ca si të krisura. Me jetë LaLait. P.s – shikoni pak kombinimin e ngjyrave!!! Sikur ka bo praktikën shkolla e të verbërve”, shkruan ironikisht Harasani.
Nga ana tjetër, edhe ish-Kryeministri Berisha ka komentuar këtë gjendje të sheshit kryesor disa ditë më parë. Berisha ka nxjerrë në pah një detaj që nuk do t’i pëlqejë askujt, në lidhje me ndikimin e diellit dhe nxehtësisë në verë tek këto pllaka. “Ky është sheshi i Lal plehut! Në shi do kalohet me gomone, kurse në vapë merrni xhezvet me vete për të bërë kafen!!”, shkruante Berisha në një postim në Facebook pra tre ditësh.
Para pak kohësh, Veliaj mashtroi qytetarët gjatë një intervistë në një televizion, duke deklaruar se sheshi “Skënderbej” ka kushtuar rreth 6 milionë euro. Por kjo shifër në fakt është një mashtrim publik, pasi duke iu referuar Agjencisë së Prokurimit Publik, ky shesh ka kushtuar mbi 16 milionë euro, pra rreth 3 herë më shumë sesa deklaron Veliaj.
Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, ka rinisur punimet për sheshin qendror të kryeqytetit, duke iu referuar planit të ish-kryebashkiakut Rama. Faza e parë e planit të Veliajt për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej” shkoi deri në 4.8 milionë euro. Ndërkohë, rikonstruksioni i Sheshit “Skënderbej” me pllaka të coptuar kushtoi plot 16 milionë euro. Megjithë paratë e harxhuara, kryesishit të metropolit shqiptar i është bërë një masakrim. Ndërtimet që janë kryer gjatë kohëve të fundit kanë lënë pa fjalë qytetarë që e jetojnë mbi kurrizin e tyre këtë masakër.
Specialistët shprehen se 16 milionë eurot e harxhuara nga Bashkia për ndërtimin e Sheshit “Skënderbej” nuk justifikojnë punimet e kryera. Me këto para të harxhuara mund të kryheshin investime jo vetëm për sheshin, por për të gjithë Bulevardin. Tenderi për këtë shesh është bërë vetëm për të mbushur xhepat e Veliajt dhe të miqve të tij. Veliaj rriti taksat dhe falimentoi biznesin, duke mbyllur vende pune dhe këtë e cilëson si një arritje të Bashkisë së Tiranës.

R.POLISI

Vettingu, 193 kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë në sitën e Komisionit

Komisioni parlamentar i Verifikimit të Kandidatëve për institucionet e vettingut ka nisur dje intervistimin e 193 kandidatëve për në Komisionin e Pavarur të Kualifikimeve (KPK), Kolegjin e Apelimit (KA) dhe Komisionerët Publikë. Komisioni duhet të dëgjojë të gjithë kandidatët dhe deri më datë 1 qershor duhet t’i paraqesë komisionit të radhës listën me gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë të tjerë të sistemit të drejtësisë nga ku do të përzgjidhen anëtarët përfundimtarë të tri institucioneve të vettingut. Nga 193 kandidatët që do të intervistohen, Avokati i Popullit ka kualifikuar 84 prej tyre, ndërkohë që 109 të tjerë nuk i plotësonin kriteret e vendosura. Gjatë seancës komisioni mori parasysh disa ankesa nga kandidatët dhe u kërkoi të paraqesin dokumente shtesë. Ndërkohë shumica e kandidatëve ishin të vetëdijshëm që s’i plotësonin kriteret dhe nuk paraqitën asnjë ankesë. Gjatë seancës kishte dhe kandidatë që ONM kishte dhënë rekomandim negativ, por që nuk paraqiste asnjë dokument për nxjerrjen e këtij konkluzioni. Ndërkaq përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, është shprehur se kandidatët duhet të njihen me arsyet se pse ONM nuk i ka kualifikuar. “Në vend të ONM kemi një shkresë pa përgjigje nga delegacioni i BE në Tiranë. Kandidatët duhet të njihen me arsyet pse ONM nuk i ka kualifikuar”. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka dhënë  67 rekomandime pozitive dhe 17 rekomandime negative nga 84 kandidatë të kualifikuar. Gjithsesi Komisioni parlamentar i Verifikimit të Kandidatëve ka të drejtë të lëvizë kandidatët e skualifikuar në listën përfundimtare me shumicë votash. Duke supozuar se komisioni do të marrë dy ditë pune 8-orëshe për të intervistuar të gjithë kandidatët, dhe një ditë për të shkruar raportin e saj, çdo intervistë do të zgjasë më pak se 5 minuta. Nëse të gjitha afatet kushtetuese respektohen, institucionet e vettingut duhet të jenë funksionale përpara zgjedhjeve të 25 qershorit.

Rama sfidon Strasburgun, çon sërish kunatin e Xhafës, dy herë i rrëzuar

Pas dy refuzimesh qeveria shqiptare ka çuar sërish tri kandidatura për në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Janë mësuar edhe 3 kandidaturat e reja, që në fakt janë dy të reja dhe një i vjetër: Sokol Berberi, i cili është refuzuar dy herë nga Këshilli i Europës. Dy kandidaturat e tjera janë Suela Meneri dhe Markeljan Koca. Komisioni i GJEDNJ në prill të këtij viti i ktheu përgjigje negative Shqipërisë për kandidaturën e Berberit, por emri i tij dërgohet sërish nga qeveria. “Jo të gjithë emrat janë mjaft mirë të kualifikuar”, thuhej në përgjigjen e refuzimit. Kujtojmë se edhe më herët në shtator 2016 janë rrëzuar tre kandidaturat, për në Gjykatën e Strasburgut. Sokol Berberi ka qenë gjyqtar i Kushtetueses deri pak muaj më parë, kur dha dorëheqjen pasi ishte kundër rrëzimit të ligjit të vetingut. Pra, kundër PD-së dhe pro PS-së. Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës rrëzoi në shtator të vitit të kaluar dhe në prill të këtij viti listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, në fillim Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, udhëtuan në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, por ata janë shpërfillur krejtësisht, duke u informuar se asnjëri prej tyre nuk ishte i pranueshëm dhe nuk do të intervistohej fare. Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e gjykatës.

Konsensus në Maqedoni për qeverinë e re

Seanca e parlamentit për miratimin e kabinetit qeveritar të kreut social-demokrat Zoran Zaev është caktuar për të marten. Lëvizja “Besa” njoftoi të dielën se nuk do të jetë pjesë e qeverisë për shkak se kryeministri i mandatuar Zaev nuk kishte garantuar me shkrim në lidhje me disa
Ndër to ishte ripërkufizimin i shtetit, por Lëvizja Besa asnjëherë publikisht nuk ka sqaruar çka nënkupton me këtë: një lloj kantonizimi apo ndryshimi të kushtetutës. Për këtë, ndërkaq nevojiten dy të tretat e ligjvënësve në parlament që qeveria e re nuk do t’i ketë.
Kandidatë për ministra nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim janë: Hazbi Lika, për zëvendës-kryeministër për sistemin politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve, Bujar Osmani për zëvendës-kryeministër për Integrimet në Bashkimin Evropian, Bylent Saliu për ministër të Drejtësisë, Kushtrim Bekteshi për ministër të Ekonomisë, Sadulla Duraku për ministër të Ambientit jetësor dhe Ramiz Merko për ministër pa portofol.
Lëvizja për Reforma ka caktuar doktor Arben Taravarin për kandidat për ministër të Shëndetësisë dhe Rilindja Demokratike Kombëtare – Suhejl Fazliu për kandidat për ministër të Pushtetit Vendor.
Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate kandidon një sërë zyrtarësh të lartë të partisë për postet e reja qeveritare, përfshirë Radmilla Sheqerniskan për ministre të Mbrojtjes, Oliver Spasovskin për ministër të Brendshëm, Nikolla Dimitrov, për Ministrinë e Jashtme.
Një numër lartë i personash janë propozuar si ministra pa portofol dhe kjo ka nxitur reagime tek një pjesë e analistëve politik në vend.
Zoti Zaev ka njoftuar se do t’i drejtohet Prokurorisë së Posaçme për të parë nëse emrat e kandidatëve janë të pastër apo mund të ketë ndonjë dyshim për vepra joligjore nga ana e tyre.
Qeverinë e re të Maqedonisë e presin shumë sfida; në veçanti kur ajo nuk ka një shumicë stabile në parlament. Kryeministri i mandatuar ka lënë të kuptohet se reformat në gjyqësor dhe integrimi në Nato dhe në BE janë përparësitë kryesore të kabinetit të tij.
Lëvizja Besa kishte kërkuar realizimin e disa parimeve që burojnë nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare të Maqedonisë. Por, po ashtu ngulte këmbë që në kabinetin e ri të mos ketë vend për persona të dyshuar nga Prokuroria e Posaçme për vepra kriminale.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë njoftoi përmes një komunikate se “mbeten dyert e hapura për bashkëpunim rreth reformave që e presin vendin dhe për gjithçka tjetër që paraqet interes për Republikën e Maqedonisë”.
Shumica e re parlamentare do të ketë vetëm 62 vota, megjithatë të mjaftueshme për miratimin e qeverisë.

Demiraj: Zero tolerancë për policët që dalin në fushatë

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, zhvilloi dje një takim me drejtuesit e Policisë në Qarkun Lezhë dhe Shkodër. Gjatë takimeve, Demiraj ka kërkuar që asnjë punonjës policie me uniformë dhe pa uniformë të mos dalin në fushatën zgjedhore të partive politike. Ai ka deklaruar se do të ketë zero tolerancë për policët që përfshihen në aktivitetet politike.
Prioriteti kryesor i ministrit të Brendshëm gjatë takimit me drejtuesit e policive në qarqe ka qenë garantimi i një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. Ministri Demiraj u ka bërë të qartë drejtuesve të policisë se, kushdo punonjës policie me uniformë apo pa uniformë përfshihet në fushatën e partive politike do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale.
Ministri u kërkoi drejtuesve të policisë, që të marrin masa për një proces zgjedhor të sigurt dhe të qetë. “Mospjesëmarrja dhe mospërfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore është një prioritet madhor. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikmëri misionin kushtetues, Ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal”, është shprehur Demiraj.
Një nga prioritetet kryesore që ministri Demiraj diskutoi me drejtorët e policisë ishte parandalimi i përdorimit të parave të trafikimit të drogës dhe blerjen e votës. Demiraj u kujtoi drejtuesve të policisë, se cilido që do të tentojë blerjen e votës do të dënohet me burg sipas ligjit.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.
Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale. Për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg nga 1 deri në 7 vjet. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme. Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Një çështje tjetër të rëndësishme që ministri Demiraj trajtoi me shumë vëmendje ishte ashpërsimi i luftës kundër kanabisit. Ministri u kërkoi drejtuesve të policisë që të intensifikojnë luftën ndaj fenomenit të drogës, sidomos në parandalimin e saj në mbjellje apo kultivim.
Një ditë pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm, Dritan Demiraj, zhvilloi një takim me drejtuesit e policive në qarqe për procesin zgjedhor dhe luftën ndaj drogës. Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ka patur për qëllim prezantimin e prioriteteve të punës gjatë drejtimit të Ministrisë. Prioritet ka qenë ruajtja e sigurisë dhe rendit për zgjedhjet parlamentare dhe lufta kundër kultivimit të kanabisit.
Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në zyrën e këtij të fundit. Gjatë takimit është diskutuar për masat e rrepta që do të ndërmerren për zgjedhjet dhe drogën. Po ashtu është diskutuar për masat konkrete për neutralizimin e potencialit të blerjes së votave, ndjekjen penale të punonjësve të administratës të përfshirë në zgjedhje dhe luftën kundër drogës. Gjatë takimit, kryeprokurori Llalla është shprehur se nuk do të lejohet asnjë shkelje e ligjit për fushatën zgjedhore.

Demiraj takohet me ambasadorin britanik për zgjedhjet dhe drogën

Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, zhvilloi një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman. Ministri Demiraj i shprehu ambasadorit ngushëllimet më të sinqerta për aktin e rëndë terrorist që ndodhi në Manchester dhe mori jetën e 22 personave të pafajshëm.
Ai shprehu solidaritetin dhe angazhimin e Shqipërisë dhe strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftën kundër terrorizmit.
Ambasadori Norman u shpreh se ngjarja e rëndë në Manchester tregoi nevojën për rritjen e përpjekjeve për bashkëpunim më intensiv ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e inteligjencës, në luftën kundër terrorizmit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Demiraj diskutoi me ambasadorin edhe për prioritetet e tij në krye të Ministrisë, duke u përqendruar tek garantimi i një procesi të qetë dhe të sigurt zgjedhor, luftën pa kompromis kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kundër përdorimit të parave të trafikimit të drogës dhe blerjes së votës.

R.POLISI

Safet Gjici përdor futbollin për fushatën e PS

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Kukës, Safet Gjici, ka bërë një premtim për tifozët e ekipit kuksian. Si President i ekipit të futbollit të Kukësit, ai ka premtuar se në të ardhmen do të organizojë një ndeshje miqësore mes Kukësit dhe një ekipi anglez, në mënyrë që ta ndjekin nga afër qytetarët kuksianë që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe.
“Unë jam njeri i fjalës së mbajtur dhe ky trofe është një premtim. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë skuadër gjatë këtyre viteve, për të arritur ne sot në këtë sukses.
Gjithashtu, falënderoj tifozët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, për të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë. Në të ardhmen, kemi planifikuar të luajmë një ndeshje miqësore me një skuadër angleze, në mënyrë që tifozët kuksianë në këtë shtet të kenë mundësi ta shohin nga afër skuadrën dhe trofeun e fituar.
Ndërsa unë, pavarësisht obligimeve në të ardhmen, do të jem gjithmonë pranë skuadrës, për të dhënë kontributin tim ashtu siç kam bërë deri më tani”, ka deklaruar Safet Gjici.
Gjici u denoncua pak ditë më parë, pasi kishte marrë në fushatë mësuesit dhe punonjësit e OSHEE-së, pavarësisht deklaratave në publik të kryeministrit Rama se, asnjë punonjës i administratës publike nuk do të përdoret në fushatë. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, pas një mesazhi të dërguar në adresë të tij nga një qytetar. Kandidati i PS është fotografuar, duke bërë fushatë me punonjës të OSHEE-së dhe mësues.
“Qytetari dixhital denoncon pjesëmarrjen e OSHEE dhe mësuesve në fushatën e Gjicit të partisë, njeriut që me rojet vodhi miliona euro në bankë dhe fitoi 64 tendera nga paratë e takspaguesve me kompaninë që vodhi bankën”, shkruan Berisha në Facebook.
“Jam nga Kukësi, kemi biseduar në fb. Desha të bëj një dononcim. Ja shikoi se si po përdoren punëtorët e OSHEE të Kukësit në zonën e Shishtavecit dhe mësuesit në fushatën elektorale nga Safet Gjici, kandidat për PS-në në Kukës. Dy fotot e para janë punëtorët e OSHE, ndërsa në foton e tretë është mësues”, shkruante qytetari nga Kukësi.

Shefi i policisë fut drogë dhe celularë në qeli për të dënuarit

Shefi i Policisë së Burgut të Durrësit, Pirro Puriqi fut drogë dhe celularë në qeli për të dënuarit. Denoncimi është bërë nga një punonjës policie i këtij burgu, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Shefi i Policisë i Burgut në Narko-Republikën e Noriegës, garanton mallin për të dënuarit! Oficeri dixhital denoncon shefin e Policisë së Burgut të Durrësit, Pirro Puriqi lejon drogë, merr ryshfete, fut celularë në burg. Lexoni mesazhin e tij!”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha unë që po ju shkruaj jam një punonjës i Policisë së Burgut të Durrësit. Shefi i Policisë së Burgut të Durrësit, Pirro Puriqi e ka kthyer Burgun e Durrësit në një Kolumbi të dytë, ky person është kthyer në gangrenën e burgut, pasi e ka kthyer Burgun në një pazar, duke e mbushur plot drogë dhe celularë, është bërë palë me të burgosurit. Një pjesë të burgosurve i merr nga 400 euro në muaj, duke i kryer favore! Me ardhjen e drejtorit të ri uroj të bëhen kontrolle në këtë burg, pasi situata ka shkuar shumë keq, ky person bën ç’të dojë, pasi është lidhur me kriminelë dhe banditë dhe shprehet lart e poshtë që ka mbështetje politike nga Ilir Jashari, ky i fundit është një i burgosur dhe njihet si mik i Taulant Ballës! Ju lutem bëni diçka se po punojmë të stresuar dhe në presion! Duke ju falenderuar, punonjësi i Policisë së Burgjeve Durrës R.I”, shkruan punonjësi i policisë.

Vrasja e dyfishtë në Vlorë, Prokuroria hetime jashtë vendit

Vrasja e biznesmenit Mirvjen Hyseni dhe drejtorit të OSHEE-së së Vlorës, Roland Saliu, ka bërë që policia të shtrijë hetimet jashtë vendit. Burime nga grupi hetimor thanë se, hetuesit po verifikojnë destinacionet e muajve të fundit të Hysenit në Itali, apo vende të tjera të BE-së. Aktualisht janë dokumentuar të gjitha hyrje-daljet në sistemin tims.
Të njëjtat burime thanë, se po shtrijnë hetimet edhe në të kaluarën e biznesmenit si dhe problemeve që ai ka pasur në Spanjë apo vende të tjera. Por specialistët e Krimeve të Policisë së Vlorës, nuk kanë lënë jashtë vëmendjes së tyre edhe probleme apo konflikte që vetë Hyseni mund të ketë pasur në Shqipëri.
Të gjitha informacionet e mbledhura që prej ditës së atentatit të dyfishtë, pritet të analizohen gjatë të hënës. Grupi hetimor i kësaj çështjeje, pritet të raportojë në lidhje me veprimet hetimore përpara Prokurorit të rrethit dhe drejtorit të Policisë së Qarkut, Gentian Shehaj.
Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe të dhënave, pritet që ata të orientojnë hetimin e çështjes në ditët në vijim.
Për Policinë dhe Prokurorinë e Vlorës dy autorët e vrasjes nuk janë treguar të kujdesshëm. Dy autorët, të cilët kanë lëvizur me një BMW të vjedhur në Durrës kanë kaluar në rrugët kryesore të qytetit bregdetar dhe janë filmuar nga disa kamera sigurie. Përveç kësaj, hetuesit thonë se ata kanë zgjedhur ta kryejnë vrasjen në një orar, ku ka pasur mjaft lëvizje të qytetarëve, të cilët kanë fiksuar lëvizjet e tyre. Disa prej dëshmitarëve okularë kanë dhënë detaje të vlefshme për hetimin.
Një tjetër gabim i autorëve sipas grupit hetimor është braktisja e makinës në dalje të fshatit Panaja. Dy autorët i kanë vënë flakën mjetit me idenë se ajo do të digjej pa ardhur zjarrfikësja. Por, ata i kanë lënë xhamat e mjetit të mbyllura, gjë e cila nuk ka ndihmuar djegien.
Zjarrfikëset kanë mundur të shuajnë flakën dhe ekspertët kriminalistikë kanë arritur të gjejnë aty prova, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Aty janë gjetur fije flokësh që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të vrasjes së dyfishtë. Me mbetjet biologjike, pritet që të ndërtohen edhe profilet gjenetike të autorëve, për t’i krahasuar më pas me ato të personave të dyshuar. Në Institutin e Policisë po ekzaminohet edhe kallashnikovi i gjetur në mjetin që u tentua të digjej, për të parë nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Kërcënohet oficeri i SHISH, qese me fishekë para derës

Një oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror, denoncoi një kërcënim të mbërritur në derën e shtëpisë së tij, ku ai ka gjetur 7 fishekë luftarakë të futur në një qese formati A4. Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të dielës në një bllok pallatesh në rrugën “Jordan Misja”, në kryeqytet.
Menjëherë pas konstatimit të fishekëve, vetë oficeri i Shërbimit Inteligjent njoftoi policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimet. Ekspertët kriminalistë dhe hetues të Komisariatit Nr.3, të cilët kryen edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Fishekët janë dërguar në laborator për ekzaminimet e nevojshme. I pyetur nga hetuesit, oficeri i SHISH-it, ka pohuar se nuk ka pasur probleme apo konflikte gjatë kësaj kohe.
Specialistët e policisë po kryejnë këqyrjen e kamerave të sigurisë së zonës dhe kanë marrë deklarime të dëshmitarëve të ndryshëm për të identifikuar persona të dyshimtë që mund të kenë lëvizur në harkun kohor, kur mund të jenë hedhur fishekët.