30.5 C
Tirana
E premte, 18 Korrik, 2025

Sherr në komisariatin e policisë, situata del jashtë kontrollit

Situata ka dalë jashtë kontrollit dje në Policinë e Sarandës, pasi katër persona të arrestuar nisën të konfliktoheshin në ambientet e komisariatit. Fillimisht efektivët e policisë kanë bërë arrestimin e: F.P., 38 vjeç, D.P., 40 vjeç, K.Z, 33 vjeç dhe A.Z, 28 vjeç, të katër me banim në Ksamil, pasi janë përfshirë në një sherr.
Efektivët e Policisë Sarandë kanë bërë të mundur arrestimin e tyre, pasi këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin (të ndarë në dy palë) janë konfliktuar për motive pronësie në Ksamil, bëjnë me dije burime zyrtare nga policia.
Por, pasi janë shoqëruar për në Komisariatin e Sarandës, ata kanë filluar të konfliktohen fizikisht dhe të kërcënojnë njëri-tjetrin edhe aty, shtojnë të njëjtat burime.
Me ndërhyrjen e efektivëve, situata është normalizuar. Materialet lidhur me rastin iu referuan Prokurorisë në ngarkim të këtyre katër personave për veprat penale: “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim.

Sherr me thika në Korçë, dy përfundojnë në spital

Një sherr mes gjimnazistësh ka përfunduar me plagosjen e dy prej tyre ditën e djeshme në Korçë. Sherri ka ndodhur në lagjen nr. 17 në Korçë ku 16-vjeçari me iniciale N.T., pas një konflikti për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur me thikë shtetasit Xh.M., rreth 19 vjeç dhe M.R., rreth 17 vjeç.
Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Korçës ku ndodhen të dy nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes falë veprimeve të shpejta, u shoqërua në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme. Sipas policisë dy të plagosurit janë nxënës të Shkollës se Mesme Bujqësore “Irakli Terova”. Konflikti kishte nisur mes të rinjve tre ditë më parë për motive banale, ndërsa ditën e djeshme kur janë takuar kanë vijuar sërish sherrin që ka degjeneruar në përdorimin e armëve të ftohta.

Këshilltari i Trump: Basha, është alternativa e vetme

Këshilltari i Trump për politikat e jashtme dhe sigurinë, Bob McEwen ftoi dje shqiptarët të votojnë Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike si të vetmen alternativë për shqiptarët, të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë gjithashtu. McEwen ishte dje në hapjen e fushatës së PD në Lezhë bashkë me kreun e PD, Basha dhe kreun e PR, Mediu e aleatët.
Duke u folur qytetarëve lezhjanë, këshilltari i Trump bëri dallimin mes socializmit dhe demokracisë, ku të majtët kanë filozofinë e mbajtjes së pushtetit dhe parave në duart e tyre, ndërsa demokratët si pushtetin ashtu paratë i lënë në duart e qytetarëve.
“Ju sjell përshëndetjet nga shumë miq në Amerikë. Kudo që shkon nëpër botë dhe takon liderë të biznesit, ka shumë shqiptarë që i takon atje. Ishte nga ky mal ku i madhi Skënderbe tha se shqiptarët duan të jenë të lirë. Tani është radha jonë. Ka vetëm dy ide politike: një është që qeveria ka paratë dhe pushtetin dhe qeveria u thotë njerëzve se ç’duhet të bëjnë, nëse sheh në fjalor kjo quhet: socializëm. Ka dhe një ide tjetër dhe kjo është njerëzit kanë paratë dhe pushtetin dhe ata janë që i tregojnë qeverisë se ç’duhet të bëjnë, kjo është demokracia”, tha McEwen.
“Në çdo vend, në çdo kohë ka një luftë konstante ku qeveria u thotë njerëzve se ç’duhet të bëjnë dhe ndërmjet tjetrës që njerëzit duhet t’i thonë qeverisë se ç’duhet të bëjnë, dhe këtu është pika kritike. Nëse qeveria ka paratë dhe pushtetin, njerëzit janë të varfër. Në demokraci nëse njerëzit kanë para dhe pushtetin atëherë ata bëhen të pasur. Për 50 vjet pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët vuajtën në socializëm, më 1990 idetë demokratike u shfaqën dhe ne pamë se çfarë ndodhi. Gjatë qeverisë demokratike ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme me miliarda dollarë dhe investime të huaja që kanë ardhur në Shqipëri, sepse koalicioni ishte i ndershëm. Pjesa tjetër e botës ka pasur admirim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, duke ndërtuar gazsjellësin Shqipëria bëhet një partner strategjik në Europë”.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve të shohin përpara me alternativën e Partisë Demokratike, ndërsa përmendi disa nga arritjet kryesore të qeverisjes së djathtë siç ishte anëtarësimi në NATO apo investimet gjigante që morën jetë nën këtë qeverisje.
“Kur SHBA dhe Europa donin një partner dhe aleat zgjodhën Shqipërinë dhe e bënë anëtare të NATO, sepse ata i besuan aleancës me Partinë Demokratike. Sali Berisha, Lulzim Basha si ministër i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe tani ne jemi përballë një vendimi, duhet që të shkojmë tek socializmi dhe varfëria apo do të shkojmë tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek një qeveri e ndershme, tek ekonomia që rritet, me para për njerëzit dhe jo për qeverinë. Kjo nënkupton një gjë, gjithë bota po sheh se ç’ndodh këtu, ne që e duam Shqipërinë lutemi për të. Ne nuk ishim këtu kur ishte Skënderbeu, lufta që ne do të bëjmë nuk është me plumba, por do të jetë me votën. Nëse doni vendin tuaj, nëse doni fëmijët tuaj, nëse doni Shqipëri të fortë dhe të respektuar, atëherë në këto 28 ditët e ardhshëm duhet të bëni çdo gjë që është në fuqinë dhe në pushtetin tuaj, të merrni çdo njeri dhe në çdo derë, të bëni çdo gjë që është e mundur që Basha të jetë Kryeministër i Shqipërisë”, tha këshilltari i Trump.

Basha: Ndryshimi i Shqipërisë kërkon vendime të forta

Nga Lezha, ku hapi fushatën elektorale, kreu i PD, Basha shprehu angazhimin për të kthyer faqen e historisë së Shqipërisë përmes Republikës së re, ndërsa deklaroi se ndryshimi i Shqipërisë kërkon marrjen e vendimeve të forta dhe të vështira. “Mos e ndalni hapin, betejën që nisëm duhet ta çojmë deri në fund. Jemi të bashkuar. E nesërmja e sigurtë dhe ekonomia e fortë është tashmë në duart tuaja. Më 25 qershor ju vendosni, ju e keni në dorë. Unë e di se ju që ngritët çadrën e lirisë me një historike epike qëndrese dhe bashkimi, sot jo vetëm që nuk jeni lodhur, por jeni më të fortë.
Kur qytetarët bashkohen, ata e kanë në dorë fatin e tyre. Ne jemi të bashkuar, ata janë të përçarë, por mbi të gjitha ajo që nisëm më 18 shkurt e që vazhdon sot është bashkimi më i madh i shqiptarëve, lëvizja e shqiptarëve për Republikën e re që do të përmbysë teatrin e shëmtuar të kukullave që luhet 25 vite në kurriz të shqiptarëve. Fitorja e vitit 2017 kërkon ekipin e vitit 2017. Kam bërë atë që premtova dhe atë që qytetarët prisnin, ndryshimin brenda nesh. Ndryshimi i Shqipërisë do të kërkojë vendime të forta dhe të vështira. Do të kërkojë t’i japim fund pazarit të shëmtuar politik, dreka e darkave me ngjala e me peshk. Menduan si e si për pushtetin e tyre, për interesat e tyre, për madhështinë, ndërkohë që zhytën Shqipërinë në një depresion të parë ekonomik e social”, tha Basha. Basha tha se Rama në 4 vite nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka dalë në televizor duke ekspozuar palmat e pllakat dhe shtoi se me Republikën e re çdo gjë do të jetë ndryshe. “E kemi parë këtë 4 vite ditë për ditë në televizor duke bërë ekspozita, e kemi parë duke luajtur me top, e kemi parë duke shkuar në ndeshje futbolli, po s’e kemi parë asnjë ditë me mëngë të përveshura duke i qarë hallin shqiptarëve. I keni parë fotot që hedh në Facebook, pllaka e palma, për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht. Zgjodhi palmat, fasadën, por kjo do të marrë fund me mua kryeministër. Në Republikën e re nuk do të ketë më palma, pa mbyllur në fillim plagët reale të shqiptarëve. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë suaj. Nuk mban më ujë pilafi”, tha Basha. “Lulzim Basha është gati t’ju udhëheqë drejt shkërrmosjes së pushtetit të politikanëve dhe kthimit të tij tek ju. Merreni Lezhën në dorë më 25 qershor. Të bashkohemi për Republikën e re, Zoti i bekoftë Lezhën. Fitore”, tha në fund të fjalës së tij Basha. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar sërish listat e kandidatëve për deputetë, duke sqaruar se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe ky ndryshim fillon nga vetja. Gjatë fushatës elektorale në Lezhë, i shoqëruar nga ekipi i kandidatëve demokratë për deputetë në këtë qark, Basha kërkoi përsëri ndjesë për gabimet e PD gjatë qeverisjes. Ai theksoi se ishte vendim i vështirë mospërfshirja në lista e figurave historike të Partisë Demokratike.

Do jem kryeministri i njerëzve, i punësimit dhe ekonomisë së fortë

Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Qarkun e Lezhës. Lideri i Republikës së Re tha se më 25 Qershor shqiptarët do votojnë për një ekonomi të fortë për të pasur një shtet të fortë. Basha kërkoi votën për të qeverisur vendin jo me palma e pllaka, por me ulje taksash e vende të reja pune.
“Me mua kryeministër në Republikën e Re nuk do të ketë më palma, nuk do të ketë më fasada pa mbyllur në fillim plagët dhe hallet e shqiptarëve, duke filluar me uljen e taksave. Ulja e taksave, ulja e TVSH-së jo vetëm do të lehtësojë jetët e njerëzve, por do të mundësojë po kështu që miliona euro që sot struken nga frika e taksave apo zhbëhet nga frika e falimentimeve i ndërmarrjeve, të qarkullojnë në Lezhë e mbarë Shqipërinë. Të hapim vende pune, të rrisim konsumin, të shtojmë paratë në xhepat tuaja. Ky është prioriteti im i parë. Nuk ka Shqipëri të fortë pa ekonomi të fortë. Unë do të jem kryeministri i punësimit tuaj”, tha Basha.
Lideri demokrat Lulzim Basha tha se, Shqipëria ka nevojë për një kryeministër që të punojë për shqiptarët e të jetojë me hallet e tyre.
“Nuk mban më ujë pilafi. Shqipëria ka nevojë për një ekip, për një program dhe për një kryeministër që të vërë ekonominë në punë, që të ulë taksat, të punojë për njerëzit, që të rregullojë shëndetësinë, arsimin dhe të bëjë të mundur studimin e çdo të riu dhe të reje pavarësisht prej mundësive ekonomike. Shqipëria ka nevojë për një kryeministër që nuk e ka mendjen tek telajo, por tek e ka mendjen, sytë, veshët e shpirtin tek ju. Unë do të jem ai kryeministër. Unë do të jem kryeministri juaj, i lezhjanëve dhe i gjithë shqiptarëve. Do të punoj me mish e me shpirt e bashkë do ta kthejmë Shqipërinë dhe rrotën e historisë edhe njëherë siç bëmë të mundur në ditët më të vështiram kur shpresa dukej se kishte humbur”, u shpreh Basha.

Sulm terrorist në bulevardin e Tiranës?

Nga Artan FUGA

Derisa të gjendet fajtori dhe shkaku i vërtetë, hipoteza duhet mbajtur. Mos mendojë njeri se jemi të imunizuar ne! Nëse informacionet e mediave janë të sakta për dhjetëra të dëmtuar me dyshimin se kemi pasoja nga helme e lëndë kimike në bulevardin kryesor të Tiranës, gjatë tubimit të Partisë Demokratike, atëhere ne nuk jemi “prag skandali”, sikurse tha dikush pa përgjegjshmërinë e duhur, por kemi të bëjmë ndoshta edhe me plagosje me elemente të dëmtimit në masë drejtuar me ose pa qëlliml kundër popullsisë civile. Aq më pak është adekuate dhe e përgjegjshme ta konsiderosh thjesht si “lëndim i papritur”.
A mendoni se për çfarë bëhet fjalë? Bëhet fjalë për sigurinë e shëndetit publik dhe sigurinë kombëtare që mund të dyshohet dje se është goditur rëndë në zemër të Tiranës. Le të shpresojmë dhe urojmë të jetë e pavërtetë që kemi një sulm të qëllimshëm. Nuk është një krizë që mund të mbulohet me ndonjë deklaratë debile të ndonjë nëpunësi të tretë ose të katërt të administratës. Eshtë ngjarja më e rëndë mbi supet e popullsisë civile pas dramës të Gërdecit. Shqipëria mund të konsiderohet probabilisht si e goditur me lëndë helmuese mbrëmë. Janë dëmtuar dhjetëra qytetarë dhe krerët e shtetit nuk janë te shtretërit e tyre për t’u dhënë forcë dhe për të shpallur gjendje të pazakontë në sigurinë kombëtare.
Nuk është katastrofë natyrore e thjeshtë. Nuk është koha as që kryetarët e partive të vazhdojnë këto tre ditë fushatën elektorale, por të mblidhen drejtuesit e shtetit për të analizuar sigurinë e rendit publik dhe masat për ta forcuar atë. Poqese se vërtetohet, por nga pasojat lejohet dyshimi, por nuk duhet nxituar të merret si i vërtetë. Le të shpresojmë të kundërtën, por hipoteza duhet mbajtur si e vërtetë derisa të dali e kundërta.
Nuk ka rëndësi se nuk ka të vrarë, vetëm dhjetëra të plagosurit mjaftojnë për të folur për viktima në masë. Poqese është sulm për shfarosjeje ose dëmtimi në masë përbën krim kundër njerëzimit. Ose është një katastrofë teknologjike nga ndonjë ndotje mjedisi, por që edhe ajo duhet hetuar shumë fort dhe të tërheqi të gjithë vëmendjen e mediave, të opinionit publik dhe të politikanëve dhe drejtuesve të shtetit. Edhe teknologjia vrastare dhe lënduese duhet të çojë te përgjegjësia e rëndë. Nuk është besoj krim me dimensione elektoraliste. Mund të jetë një i çmendur, një akt i çmendur i çdo të çekulibruari, një pakujdesi teknike, por edhe një grup i strukturuar, dikush nga jashtë, etj. Janë organet që duhet ta gjejnë. Por rrezikshmëria është shumë e lartë. Imagjinoni sikur të ndodhi nesër në një stadium, në një mjedis të mbyllur! Çfarë pasojash katastrofike mund të sjelli. Eshtë e paimagjinueshme që mediat dhe politika nuk i vendosin emrin që duhet këtij akti të pashembullt që është pa precedent dhe ka tronditur rendin dhe sigurinë kombëtare m’u në qendër të territorit të shtetit, në bulevardin kryesor, midis Kuvendit dhe Kryeministrisë. Vigjilencë qytetare!

Basha në Dibër: Derë më derë për të ringjallur shpresën e vdekur

Lulzim Basha hapi fushatën në Qarkun e Dibrës bashkë me ekipin e tij. Basha përsëriti kërkesën ndaj Edi Ramës për të dalë në një debat televiziv përpara shqiptarëve.
“Prandaj Edi Rama nuk flet për bilancin e tij. Sepse nuk ka bilanc. E harxhon kohën me barsaleta dhe sulme ndaj opozitës. Dje, ia thashë nga Fieri, sot ia përsëris nga Dibra, meqë Dibra e ka për traditë; ftesën për debat të drejtpërdrejtë, televiziv. Le të na dëgjojnë dibranët, le të na dëgjojnë shqiptarët, cili është bilanci yt Edi Rama si kryeministër? Cili është bilanci im si kryetar i opozitës? Cili është programi yt Edi Rama? Cili është programi im dhe i Republikës së re?
Le të gjykojnë shqiptarët, le të vlerësojnë shqiptarët. Mos ua moho shqiptarëve debatin! Mos ki frikë nga debati! Përgjigju dhe eja në debat!”, tha Basha.
Lideri demokrat tha para dibranëve se Republika e re do të ketë një ekonomi të fortë për të pasur një shtet të fortë.
“Ne vijmë këtu të ndërgjegjësuar për damkën e madhe të turpit që ka marrë politika në gjithë këto vite e në veçanti në katër vitet e fundit. Unë vij këtu i ndërgjegjshëm që mosbesimi i shqiptarëve vetëm është thelluar nga mosmbajtja e fjalës gjithë këto vite. Por unë vij këtu, t’u kërkoj të më besoni në programin e përbashkët që ne ndërtuam për Republikën e re. Dy janë shtyllat e besimit, e para plani ynë është i thjeshtë. Paratë e koncesioneve, tenderave, fasadave, palmave, të cilat republika e vjetër i shpërdoroi, i abuzoi dhe i vodhi, ne do t’i kthejmë tek ju, tek qytetarët shqiptarë. Unë, nuk do të jem kryeministri i fasadave, unë nuk do të jem kryeministri i pikturave, unë nuk do të jem kryeministri i palmave. Unë do të jem kryeministri i dibraneve dhe dibranëve të ndershëm, i njerëzve punëtorë. Do të jem kryeministri i familjeve në nevojë dhe do të rris ndihmën ekonomike, do ta dyfishoj atë brenda 4 viteve të ardhshme.
Do të jem kryeministri i pensionistëve shqiptarë, pensioni për pensionistët shqiptarë në krye të 4 viteve do të arrijë në 250 mijë lekë në muaj. Do të jem kryeministri i rinisë dhe studentëve, të cilët, u jap fjalën që do të rihapim universitetin e Dibrës.
Unë do të jem kryeministri i fermerëve, shtoi Basha, të cilët do të marrin drejtpërdrejtë ndihmë financiare nga shteti në bazë të sipërfaqes së tokës që punojnë, në bazë të krerëve të bagëtive që mbarështojnë dhe prodhimit që gjenerojnë.
“Unë do të jem kryeministri i të papunëve sepse Republika e re dhe Lulzim Basha kanë një qëllim, të hapin fabrika, të hapin vende pune. Çdo lekë do të shkojë për të punësuar shqiptarët, fund fasadave, fund palmave, fund telajove. Le ta kthejmë Shqipërinë një kantier pune! 1 miliard euro në vit do të çlirohen dhe do të xhirojnë në ekonominë shqiptare me taksat e ulëta të Republikës së re. Këto do të përkthehen në vende pune, do të përkthehen në rroga më të larta, do të përkthehen në më shumë mundësi për punësim. Këto janë prioritetet e mia”, tha Basha.
Ai u kërkoi bashkim dibranëve dhe të marrin në dorë Dibrën më 25 qershor.
“Në katër vite keni dëgjuar këto 4 vite sa jeni shurdhuar nga veshët si premtimi për rrugën e Arbrit. 97% prej jush do të paguanin më pak taksa, fermerët do të marrin të gjithë subvencione, 300 mijë vende pune që i bie me dhjetëra mijëra vende pune për dibranët. Të gjithë këto premtime, gjithë këto zhgënjime është fare e drejtë dhe e kuptueshme që dibranët t’i thonë lanet e sikter politikës. Republika e re është mbi të gjitha premtimi, është mbi të gjitha zotimi ynë i përbashkët se që këtej e tutje fijet nuk do t’i ketë në dorë një njeri apo dy njerëz, por Shqipërinë dhe Dibrën do ta kenë në dorë Dibra për dibranët, Shqipëria për shqiptarët. Ju do ta merrni në dorë Dibrën. Ky është mesazhi, ky është kushtrimi, kjo është thirrja e 25 qershorit. Sot Dibrën nuk e keni ju në dorë. Ju e dini shumë mirë se kush e ka sot Dibrën në dorë. Si do ta merrni Dibrën në dorë, çfarë do të thotë ta merrni Dibrën në dorë? Në radhë të parë, do të thotë të bashkohemi të gjithë e ta njohim forcën e bashkimit ashtu siç e njohu Shqipëria në çadrën e lirisë për 90 ditë, ashtu siç e njohën kundërshtarët tanë. Në radhë të dytë do të thotë të shkojmë derë më derë këto 4 javë për të ndezur shpresën e vdekur dhe venitur të dibranëve”, tha Basha.

Lëndët kimike në mitingun e PD, akt terrorist me prapavijë politike

Dëmtimi i 140 personave në mitingun e hapjes së Partisë Demokratike, duket se është një akt i qëllimshëm, i cili ka rrezikuar të kthehet në tragjedi. Edhe sot pas dy ditësh ende nuk është zbardhur ekzaktësisht se çfarë është hedhur në atë miting, por burime policore janë shprehur dje se, akti ka qenë i qëllimshëm. Madje portali 360grade.al ka shkuar dhe më tej kur flet për një atentat ndaj liderit të opozitës, i cili të dielën anuloi dhe takimet që kishte në Qarkun e Lushnjës. Duket se kemi të bëjmë me një akt terrorist me prapavijë politike.

Simptomat

Vetëm 30 minuta pas takimit në Urgjencën e Tiranës, dhe në Durrës e Elbasan u paraqitën fillimisht 76 persona që kishin simptoma të njëjta. Kruarje lëkure, djegie sysh, marrje mendsh dhe të vjella. E përbashkëta e tyre ishte se të gjithë kishin qenë në mitingun e Partisë Demokratike. Grupit të parë më pas iu shtuan dhe persona të tjerë dhe numri shkoi në rreth 140. Interesant është fakti se, të gjithë ata që përfunduan në spital ishin persona që kishin qenë në vijën e parë të tribunës afër liderit demokrat Basha. Mediat afër Ramës u munduan një herë tia hedhin fajin ajrit që ish përdorur për të fryrë tollumacet në miting, dhe më pas prozhektorëve të mitingut. Në fakt të dyja arsyetimet nuk qëndrojnë. E para, sepse tollumbacet që u përdorën në atë miting nuk plasën, dhe e dyta, të prekurit e parë do të ishin punëtorët që kanë punuar me to, por raste të tilla nuk janë prezantuar. Sa për prozhektorët mësojmë se  shumica e tyre janë të njëjtët që u përdorën për 90 ditë rresht në çadrën e protestës, në një ambjent shumë më të vogël e të mbyllur dhe nuk ndodhi ajo që ndodhi. Dyshimet e Prokurorisë dhe organeve të tjera të hetimit, janë përqendruar kryesisht tek një akt i qëllimshëm.

Basha

Pasi ka marrë mjekim në spital, lideri demokrat Lulzim Basha ka hedhur akuza të forta për helmim të qëllimshëm të tijin dhe të mbështetësve të Partisë Demokratike që gjatë ditës së shtunë ndodheshin në mitigun që çeli fushatën e kësaj force politike, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. “Kam folur me shumë prej të prekurve, fatmirësisht efektet janë anësore dhe të përkohshme, jo serioze dhe të gjithë janë të vendosur. Të gjithë e dimë, që kjo nuk ishte një tullumbace. Ndërsa presim zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, kushdo qofshin ata…Kjo nuk ishte tullumbace. Eshtë detyra e autoriteteve shtetërore të vendosin para përgjegjësisë autorët, kushdo qofshin. Nëse nuk ndodh, kjo është një tjetër provë e gjunjëzimit total të shtetit. Ne do të bëjmë analizën tonë”, u shreh ai. Kreu demokrat tha se, asgjë nuk do ta ndalë në rrugën e nisur, duke lajmëruar se do të vazhdojë fushatë.  “Ne nuk do të ndalim. Unë do të vazhdoj fushatën sonte në orën 19:00, në mitingun hapës në qytetin e Fierit. Asgjë nuk do të më ndalë mua dhe opozitën e bashkuar drejt fitores!”, përfundoi Basha.

Dyshimet e antiterrorit: Ngjarja nuk ka qenë e rastësishme

Uniformat blu dyshojnë se gjatë mitingut të Partisë Demokratike, pasditen e së shtunës, në turmën e njerëzve është hedhur lëndë kimike, që ka shkaktuar shqetësime shëndetësore tek pjesëmarrësit në tubim. Për këtë arsye, specialistët e krimeve ndaj jetës kanë nisur hetimet, të mbështetur edhe nga Prokuroria dhe Garda e Republikës. Në vendngjarje pas konstatimit të ngjarjes  mbërritën edhe kimistët e ushtrisë, të cilët, në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë, u përpoqën të mblidhnin prova. Por, gjatë këqyrjes së bulevardit dhe trotuareve pranë Kryeministrisë, ekspertët nuk gjetën asnjë sendiment të dyshimtë, pasi skena e krimit nuk u ngrit menjëherë pas mitingut nga policia, por në 7 të mëngjesit, kohë pasi punonjësit e bashkisë kishin pastruar sipërfaqen që në të gdhirë. Megjithatë, ekspertët kanë mbledhur prova të tjera rrethanore, përfshirë veshjet e simpatizantëve në miting, të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar analizave. Në hetime janë përfshirë edhe Drejtoria e Antiterrorit dhe Kundërzbulimi i Shërbimeve Inteligjente, pasi nuk përjashtohet as mundësia e ngjarjes me qëllim destabiliteti nga faktorë të jashtëm.
Një qytetar që ishte në hapjen e mitingut të PD ditën e shtunë dhe që u prek nga reaksioni kimik, ka treguar se u hodh pluhur nga godina e Kryeministrisë, kur fjalën e mori kryedemokrati Lulzim Basha. Në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama”, 35-vjeçari nga Tirana me inicialet B.K., pohon se pluhuri ka nisur të hidhet gjatë kohës që në podium ishte ngjitur për të mbajtur fjalën kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Por duke menduar se tymnaja e krijuar ishte për efekt fushate, nuk i ka dhënë rëndësi.

Qytetari: Pluhuri i bardhë u hodh nga ana e Kryeministrisë!

-Keni qenë pjesë e mitingut të Partisë Demokratike dje. Sa larg podiumit ishit?
Kam qenë dy metra larg podiumit.

-Kur nisën shqetësimet e para?
Pak orë pas mitingut, rreth orës 10 të darkës. Kam pasur dhimbje të mëdha tek sytë, irritim të qepallave dhe dhimbje koke.

-Në urgjencë, kur u paraqitët?
Nuk e kuptova menjëherë. Mendova se ishte diçka kalimtare dhe nuk i dhashë tepër rëndësi. Por gjatë ditës së sotme, kur pashë atë që po ndodhte, kuptova se nuk ishte rastësore. Erdha që të vizitohem. Na dhanë mjekimin dhe u ktheva në shtëpi. Prej merakut jam rikthyer sërish.

-Çfarë thanë mjekët kur ju vizituan? Nga se mund të jetë shkaktuar?
Nuk e kanë përcaktuar nga se është shkaktuar. Dëmtimi që kam pësuar është i dukshëm, por janë të paqarta shkaqet.

-Ju keni dyshime?
Mbaj mend diçka, por nuk i kam dhënë rëndësi. Është hedhur pluhur në distancë 4 metra larg podiumit nga ana e Kryeministrisë në drejtim të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mendova se ishte për efekt fushate, pra diçka festive, ndaj nuk i dhashë rëndësi. Më pas e bëra lidhjen.
-Kur ndodhi kjo?
Në momentin që mori fjalën kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Personat e tjera me të cilët ishit të shoqëruar, a kanë pasur shqetësime të ngjashme? Në dijeninë time janë dy-tre persona që janë hasur me simptoma të ngjashme

Nishani: Sulmi ndaj Bashës e opozitës, i instrumentalizuar

– Zoti President, cili është komenti juaj lidhur me lëndimin e një numri të madh qytetarësh, përfshirë dhe liderin e opozitës, z. Lulzim Basha gjatë tubimit të çeljes së fushatës elektorale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duhet thënë që ju e keni bërë një reagim, zyra juaj e shtypit në faqen zyrtare të internetit.
Unë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që përpara se të nisja përgjigjen, të shfrytëzoja këtë mundësi që më keni dhënë me ftesën në studion televizive të “Zërit të Amerikës” sot (dje) nga Uashingtoni ju dhe unë nga Nju Jorku për të shprehur nderimin e popullit shqiptar për “Ditën e Kujtesës”, që është një nga ditët e veçanta, që përkujtohet dhe nderohet këtu në SHBA dhe nga populli amerikan. Sot populli amerikan kujton sakrificat e panumërta, historinë, bijtë dhe bijat e rëna në përpjekje për të mbërritur sot ku Amerika e madhe është. Dhe besoj se ky është një shembull që na inspiron dhe ne shqiptarët. Ndaj, unë përfitoj sot nga rasti që të bashkoj nderimin tim dhe nderimin e popullit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve me nderimin që populli amerikan i bën heronjve të tij edhe gjithë kësaj historie të madhe. Ne jemi krenarë që në faza dhe momente të caktuara dhe shumë të rëndësishme Shqipëria dhe bijtë e Shqipërisë kanë bashkuar përpjekjet e tyre me përpjekjet e djemve dhe vajzave të popullit amerikan në interes të lirisë dhe paqes siç ka ndodhur në Afganistan, Irak dhe më tej. Ne shqiptarët kemi edhe ne heronjtë, martirët tanë së bashku me bijtë e SHBA-së dhe popullit amerikan në ruajtjen dhe arritjen e paqes dhe lirisë. Ndaj, desha ta bëja këtë mesazh sot, pikërisht në këtë ditë të veçantë sot, për Amerikën dhe popullin amerikan.

– Pa diskutim është një mesazh shumë i vlefshëm.
Në lidhje me pyetjen tuaj është një situatë shqetësuese, është një ngjarje e rëndë. Unë kam pasur kontakte që ditën e djeshme menjëherë sapo jam informuar për ngjarjen me autoritetet e institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese në Shqipëri; të Inteligjencës, Prokurorisë, Policisë së Shtetit. Vazhdoj të kem kontakte me ta. Stafi im në Tiranë vazhdon të ketë kontakte me këto institucione. U kam dërguar së pari urimet e mia më të sinqerta dhe solidaritetin tim me gjithë ata qytetarë të lënduar, përfshirë dhe liderin e opozitës z. Basha, tejkalimin e kësaj situate pa pasoja. Me sa kam marrë informacion që nuk ka rreziqe eminente tek jeta dhe shëndeti i të prekurve dhe lënduarve. Gjithsesi mendoj që autoritetet dhe shërbimi mjekësor duhet të vijojë ndekjen dhe ofrimin e të gjithë ndihmës për të mos pasur asnjë pasojë te të prekurit dhe lënduarit, dhe nga ana tjetër vazhdoj të ndjek dhe të pres me shumë interes dhe angazhim hetimin e plotë dhe zbulimin e plotë të arsyeve dhe shkaqeve të kësaj ngjarje në mënyrë të tillë që fushata elektorale, që tashmë ka nisur në Shqipëri, të karakterizohet nga elementet e sigurisë së plotë.

– Zoti President, Shqipëria sapo ka dalë nga një krizë, e cila rrezikonte që vendi të shkonte në zgjedhje pa opozitën. Ju e keni përshëndetur marrëveshjen e arritur mes dy udhëheqësve kryesorë, Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Basha, e cila për hir të së vërtetës erdhi pas një trysnie të fortë ndërkombëtare. Në versionin tuaj, zoti President a ishte kjo një zgjidhje e momentit apo është një zgjidhje në fakt që ka një produkt afatgjatë, që shkon përtej problemit të këtyre zgjedhjeve?
Unë vlerësoj mbi të gjitha frymën, frymën e përgjegjshmërisë të paraqitur nga të dy ekspontët kryesorë të vendit, lideri i mazhorancës dhe lideri i opozitës. Personalisht kam qenë i përfshirë për aq sa mund të përfshihet Presidenti i Republikës në mënyrë për të sjellë sa më afër të ishte e mundur frymën dhe qëndrimin e kompromisit midis dy liderëve politikë dhe procesi i nisur i kontakteve të tyre dhe asistenca, nuk do të thoja presioni, por ka patur një asistencë miqësore dhe një ndikim miqësor nga partnerët dhe aleatët tanë SHBA-së dhe BE-së për të nënvizuar sesa e rëndësishme është për Shqipërinë përfshirja në një proces normal, të drejtë, të barabartë zgjedhor në Shqipëri ku të gjitha palët të përfshihen në të, por të përfshihen me kushte dhe kritere të barabarta. Ndaj, unë besoj që edhe marrëveshja e arritur tregoi jo vetëm një përgjegjshmëri të të dy liderëve të mazhorancës dhe opozitës, z. Rama dhe z. Basha, por besoj që edhe vendimi që ata morën, jam i bindur që nuk ka qenë vendim i lehtë sepse në fund të fundit të dy liderët lëshuan diçka nga qëndrimet e tyre për t’iu afruar kompromisit. Në fund të fundit ky është dhe sensi i kompromisit, sensi i negociatës. Jam i bindur që nuk kanë qenë vendime të lehta, qoftë i liderit të mazhorancës dhe qoftë dhe i liderit të opozitës, por liderët prandaj janë, për të marrë vendime të forta jo të lehta, por të qarta. Jam i bindur që kjo frymë duhet të vijojë pa dyshim në sensin e ruajtjes dhe respektimit të interesave reciproke të secilës krah politik, të majtë apo të djathtë, por në fund të fundit kur vjen puna për çështje madhore që t’i shërbejë interesave kombëtare dhe interesave të vendit. Besoj se këto përgjegjësi duhen pasqyruar dhe reflektuar në sensin e kompromisit.

– Megjithatë zoti President, a është normale që me vendim të partive kryesore të shtyhet data e zgjedhjeve, po me vendim të partive kryesore të përjashtohet mundësia e koalicioneve duke kapërcyer afatet dhe parashikimet ligjore?
Mund të them që ka pasur një qëndrim dhe propozimi dhe marrëveshja e tyre ka qenë në fakt dhe e kam vlerësuar këtë, në kufij të respektimit të Kushtetutës dhe ligjit. Data vërtet u ndryshua dhe u shty, por ishte një datë e përcaktuar brenda atyre afateve kushtetuese dhe ligjore dhe Presidenti i Republikës vuri në dispozicion diskrecionin e tij për të bërë ndryshimin e dekretit dhe referoi datën e dytë, sepse Presidenti ka pasur në dispozicion dy data për të zgjedhur për zgjedhjet e ardhshme, dt. 18 dhe 25 qershor. Paraprakisht kisha menduar të ishte 18 qershori si një datë, e cila jepte mundësinë që partitë të futeshin në një situatë dhe për shkak të klimës që vjen në Shqipëri dhe për shkak të situatës së verës që sjell angazhime të tjera të qytetarëve. Edhe data 25 qershor ishte një datë e parashikuar në Kushtetutë, e parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe nuk ka pasur një shkuarje dhe shtyrje në shkelje as të Kushtetutës dhe as të ligjit. Ndaj unë mendoj që kjo marrëveshje krahas frymës së përgjegjshmërisë për kompromis edhe për të krijuar një ambient edhe më të mirë dhe më të qetë nga ai që ishte para marrëveshjes dhe të mos harrojmë që kishim një situatë dhe një ambient politik ekstremisht të polarizuar, i cili mund të tentonte të shkonte edhe në përplasje civile nëse nuk do të kishte një relaksim.

– Dhe nuk do ta kemi këtë mjedis të polarizuar pas kësaj marrëveshje. Për shembull, si i shihni ju akuzat në mendia apo insinuatat që janë hedhur në media që kjo është një përpjekje për të eleminuar partitë e vogla. Ka patur interpretime të tilla, apo jo?
Natyrisht që interpretimet do të jenë gjithmonë prezente, analizat do të jenë gjithmonë prezente, por unë besoj që fryma e kompromisit për të krijuar një çtensionim të atij polarizimi ekstrem dhe që vinte gjithmonë e në rritje në prag të fushatës elektorale, besoj që do të ishte i dëmshëm jo vetëm për shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe votuesve, por do të ishte edhe një shqetësim për perspektivën, për perspektivën evropiane të Shqipërisë, aq më tepër për imazhin e Shqipërisë anëtare e NATO-s. Ndaj mendoj që përgjegjësia pavarësisht ndonjë kostoje personale që mund të kenë marrë secili në krahun e tij politik, qoftë lideri i mazhorancës, qoftë lideri i opozitës, besoj që i kanë shërbyer me mençuri një perspektive më të mirë, jam i bindur edhe të garës. Pastaj do të jetë gara ajo, e cila do të tregojë se cila forcë politike, cili krah politik në suazën e respektimit të plotë të marrëveshjes, të angazhimeve, të standardeve për të treguar se kush do të fitojë shumicën e mbështetjes së qytetarëve shqiptarë.

– Zoti President, pse nuk ka ende një shef Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Shqipëri? Kaq e vështirë është të gjendet gjuha e përbashkët me qeverinë?
Jo, nuk kam ende një propozim konkret nga qeveria për një emër, është e thjeshtë përgjigjja.

– Ju prisni një propozim nga qeveria?!
Po!

– Zoti President, pjesa më e madhe dërrmuese e mandatit tuaj ka përkuar me qeverisjen socialiste. Ju si do ta përkufizonit të gjithën? Keni pasur akuza nga qeverisja e majtë se jeni ndikuar shumë nga Partia Demokratike sepse ju vini nga një “background” i djathtë. Cila është përgjigjja ndaj këtyre akuzave?
Në fakt ishte hera e parë në Shqipëri që ndodhte një President i së djathtës që ishte në pushtet dhe ushtronte detyrën e Presidentit me një qeveri dhe një mazhorancë parlamentare të së majtës. Ka pasur akuza politike, por mund t’ju them që saga e akuzave ndaj së djathtës në Shqipëri për fatin e keq është një sagë shumë e gjatë që ende nuk ka përfunduar, edhe që duket që vazhdon të bëhet edhe gjithmonë e më shumë e sofistikuar edhe gjithmonë e instrumentalizuar, por gjithsesi unë mendoj që nuk ka pasur përtej akuzave as edhe një fakt konkret që të mbështesë nga pikëpamja logjike, nga pikëpamja e fakteve dhe provave që unë e kam ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës në interes të opozitës apo në interes të së djathtës në Shqipëri.
Përkundrazi unë jam përpjekur dhe besoj dhe shpresoj që t’ia kem arritur që të ruaj tri dimensione: dinjitetin, integritetin edhe thjeshtësinë. Thjeshtësinë e ushtrimit të detyrës veçanërisht në raportin komunikativ me qytetarët shqiptarë. Do të isha i lumtur shumë nëse shumica e qytetarëve shqiptarë do të besonin vërtet që unë kam mundur t’i realizoj këto tri dimensione gjatë periudhës sime në zyrën e Presidentit të Republikës.

– Zoti President, cilat janë planet tuaja pasi të përfundojë mandati juaj si President i Republikës? Do t’i riktheheni politikës?
Deri më 24 korrik do të qëndroj në zyrën e Presidentit të Republikës në respekt të plotë të atij betimi që kam bërë. Pas 24 korrikut unë do të kem kohë, shumë kohë për të bërë analistin, për të bërë opinionistin, për të bërë aktivistin, por ajo që mund të them sot ka të bëjë me faktin që situata politike në Shqipëri kërkon mendje të kthjellta, kërkon zemër dhe shpirt të fortë, përballim me dinjitet të sfidave të shumta.
Mund të them të dyja aspektet, qoftë si President i Republikës, qoftë si edhe si qytetar. Si President i Republikës më vjen keq të shoh se shpeshherë edhe në situata qesharake kalohet kur gati 90% e establishmentit politik, 90% e medias janë tërësisht në akuza ndaj opozitës. Jo se opozita duhet të marrë mbështetjen e gjithkujt, por besoj që Shqipëria në këtë rast përbën rastin unikal në vendet demokratike, në vendet pluraliste ku i gjithë ky angazhim i përmasave të mëdha adresohet për të sulmuar opozitën. Në një kohë unë mendoj që në përgjithësi energjitë për opozicion duhen drejtuar ndaj fenomeneve, ndaj problematikave që kanë qytetarët shqiptarë, të shqetësimeve të tyre, të jetës së tyre ekonomike. Ndaj, ky angazhim shumë i sofistikuar edhe ditët e fundit ndaj opozitës, kryesisht ndaj liderit të opozitës, zotit Basha duket që krijon perceptimin dhe gati–gati bindjen që gjithçka është e instrumentalizuar politikisht ndaj opozitës dhe liderit Basha.
Por gjithsesi ajo që unë doja të thoja ka të bëjë me faktin që për ne është shumë e rëndësishme që të ruajmë standardet edhe të kemi gjithmonë kurajën dhe gjithsecili në postin dhe pozicionin që ka ta kuptojë dhe ta ushtrojë mundësinë e tij si shërbyes, si shërbëtor dhe jo si përfitues.

Ku është Hillary Clinton?

Më tetë nëntor është rrënuar bota e Hillary Clinton-it. Ajo humbi zgjedhjet presidenciale, që për një kohë të gjatë dukej e pamundur. Fitoi kundërkandidati i saj, Donald Trump. Hillary Clinton heshti një kohë të gjatë. Më në fund pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe faktin që “Donald Trump do të jetë Presidenti i SHBA-së”.

Qytetare, aktiviste, pjesë e rezistencës
Prej humbjes në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton është vetëm një qytetare e thjeshtë. Ajo është larguar nga opinioni. Disa herë janë botuar fotografi të saj duke shëtitur nëpër mal me burrin Bill Clinton dhe qenin e tyre. Nga Hillary Clinton mund të lexoheshin vetëm ndonjë përshëndetje për festa, të dërguara me Twitter. Por ka pasur edhe disa deklarata të qarta kundër politikës së Trumpit, si ato kundër ndalimit të futjes në SHBA të shtetasve myslimanë nga disa vende. Hillary Clinton thotë se ka dashur të heshtë edhe më gjatë. “Por politika e Trumpit nuk e lejon”, ndaj me humor thotë se ka vendosur “të dalë nga mali” (out of the woods) dhe të prononcohet për gjërat. Hillary Clinton ka filluar të shkruajë një libër për fushatën paraelektorale, që është një proces i rëndë për të. Por gjysmë viti pas zgjedhjeve Hillary Clinton e ka të qartë se tani është vetëm një qytetare e thjeshtë, aktiviste dhe pjesë e rezistencës.
Edhe më tej beson se afera e e-mail-eve është shkak për humbjen e saj në zgjedhje. Vetëm disa ditë para votimit, shefi i FBI, James Comey, kishte paralajmëruar hapjen e hetimeve të reja kundër saj. Disa ditë më vonë tha se nuk ka nevojë për hetime, por kjo kishte efektin e saj. Hillary Clinton thotë se arsye për humbjen e saj është pikërisht kjo aferë: “Kam qenë një hap para fitores, por gjërat kanë ndryshuar pas letrës së Comey dhe botimit në WikiLeaks-in rus. Njerëzit që kanë dashur të votojnë për mua janë frikësuar”.

Organizata e re politike
Tani shumëkush merret me analiza, se çfarë do të ndodhte sikur Clinton të kishte fituar. Ndërkohë që edhe Trump ofron gjithmonë material të ri për barsoleta. Në skenën politike me siguri nuk do të kishte kaq shumë fjalë “great” dhe gjestikulime të Trumpit. Nga mesi i majit, Clinton është kthyer në skenë. “Onward together” quhet organizata që ka themeluar. Hillary Clinton do të mbështesë lëvizjet qytetare që i bëjnë rezistencë Trumpit. Por ajo do të mbetet në sfond – larg projektorëve – dhe do të mbështesë të tjerët. Shumëkush mendon se Hillary Clintonit i ka kaluar koha. Por fjalët e saj pëlqehen nga miliona amerikanë. Ajo kërkon nga njerëzit që të rezistojnë, të jenë të vendosur dhe të angazhohen për çështjet e tyre.

Lajmet e rreme janë armiku

President Donald Trump u kthye në Uashtington, pas udhëtimit të tij 9-ditor në Lindjen e Mesme dhe në Europë. Ai deklaroi se turneu i tij ishte një sukses i madh për Amerikën. “Shumë punë, por patëm rezultate të shkëlqyera”, tha ai.
Presidenti Trump kritikoi mediat për njoftimet se, Shtëpia e Bardhë është e përfshirë në shqetësime dhe për hetimin e ndihmësve të tij dhe lidhjeve të tyre me Rusinë. Ai i akuzoi përsëri ato për publikimin e “lajmeve të rreme”. Këto lloj lajmesh shkruhen nga “gazetarë të rremë”, tha ai, duke shtuar se “Lajmet e rreme janë armiku!”.
Presidenti komentoi për zgjedhjen javën e kaluar të anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin e Montanës. Republikanin Greg Gianforte e akuzuan për sjellje fyese ndaj medias, një incident të cilin Presidenti e cilësoi “mbulim i keq nga media”.
Ai tha se zgjedhja pas incidentit e Gianfortes ishte “një fitore e madhe për republikanët në Montana”.
Pas kthimit nga turneu europian Presidenti Trump dhe ndihmësit e tij në Shtëpinë e Bardhë do të ndeshen me problemin e hetimeve mbi lidhje të mundshme me zyrtarë rusë gjatë fushatës elektorale, si dhe me akuzat e opozitës për përpjekje për pengimin e drejtësisë.
Një prokuror i posaçëm po zhvillon hetime nëse ndihmësit e zotit Trump kanë bashkëpunuar fshehurazi gjatë fushatës elektorale me zyrtarë rusë, me synimin për ta ndihmuar atë të fitonte zgjedhjet. Po ashtu, komisionet e Kongresit janë mbledhur në seanca të posaçme, ku kanë dëshmuar një numër ndihmësish dhe ish-ndihmësish të zotit Trump.
Shtëpia e Bardhë po përgatitet për dëshminë që do të japë së shpejti ish-shefi i FBI-së James Comey, të cilin zoti Trump e pushoi nga puna, edhe pse ai ishte duke drejtuar hetimin mbi lidhjet e mundshme të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.
Një tjetër person që do të merret në pyetje lidhur me këtë çështje është edhe dhëndri i Presidentit, Jared Kushner, një nga këshilltarët kryesorë në Shtëpinë e Bardhë.

Parisi dhe Moska nën hijen e problemeve

Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron takohet me homologun rus, Vladimir Putin. Takimi në Pallatin e Versajës, jashtë Parisit. Macron, i cili është zgjedhur më 7 maj, tha se, “është e domosdoshme të flitet me Rusinë, sepse janë një numër çështjesh ndërkombëtare, të cilat nuk zgjidhen pa dialog të ashpër me të”.
Dy presidentët pritet të diskutojnë për ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në Francë, si dhe për ndërhyrjen ruse në luftërat në Siri dhe Ukrainë. “Do të jem kërkues në shkëmbimet e mia me Rusinë”, tha Macron të dielën, pas takimit të G7-ës apo grupit të vendeve më të industrializuara.
G7-ta ra dakord që të shqyrtojë masa të reja kundër Moskës, nëse situata në Ukrainë nuk përmirësohet. Vendet perëndimore i kanë vënë sanksione Rusisë, pasi, në vitin 2014, ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë dhe prej atëherë mbështet separatistët në lindje të Ukrainës.
Në luftën midis tyre dhe forcave qeveritare të Ukrainës janë vrarë mbi 9,000 njerëz. Macron do të mbajë “qëndrimin e njërit prej liderëve të Evropës së bashkuar”, tha Tatyana Stanovaya, analiste nga Franca në Qendrën ruse për Teknologjitë Politike.
Putin pritet të bëjë përpjekje për të krijuar lidhje të reja me Macronin, pas marrëdhënieve të trazuara me paraardhërsin e liderit francez, Francois Hollande.
Putin ka anuluar një vizitë në tetor, pasi Hollande ka thënë se ai do të bisedonte me të vetëm për Sirinë.
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Francë, ekipi i Macronit ka akuzuar Rusinë për sulme kibernetike dhe përpjekje për dezinformata. Ekipi i tij ka refuzuar të akreditojë mediat ruse “Sputnik” dhe “RT”.
Është thënë se Moska ka favorizuar rivalen e Macronit, Marine le Pen, për presidente të Francës. Le Pen ka qenë kandidate e ekstremit të djathtë.
Moska, megjithatë, i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Francë. Ndërkohë, grupi për të drejtat e njeriut Human Rights Watch i ka bërë thirrje Macronit që të ngrejë çështjen e të drejtave humane me Putinin, i cili akuzohet për shtypje të disidentëve.
“Nuk mund të ketë moment më të rëndësishëm për liderin francez që të flasë fuqishëm për nevojën që partneri rus të angazhohet për liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha Benedicte Jeannerod, drejtore për Francën në organizatën Human Rights Watch. Aleksei Pushkov, ligjvënës rus, shfaqi shpresën për, siç tha, “qasje pragmatike” nga Macron.